Sot është ditëlindja e një prej figurave të shquara kombëtare Luigj Gurakuqit, shkruan KultPlus.
Gurakuqi lindi më 19 shkurt 1879 dhe u vra më 2 mars 1925 në Bari të Italisë. Luigj Gurakuqi kreu Kolegjin e Shën Adrianit në fshatin arbëresh të Shën Mitrit në Itali dhe studioi për mjekësi e biologji në Universitetin e Napolit. Ai ka një veprimtari të pasur letrare, publicistike, kombëtare dhe politike.
Veprimtaria e tij filloi me poezi lirike dhe përkthime në gjuhën shqipe. Vijoi me botimin e teksteve të abetares në dy dialektet e shqipes. Shkroi artikuj në organet e shtypit shqiptar. Në vitin 1908 mori pjesë si nënkryetar i komisionit për njësimin e alfabetit në Kongresin e Manastirit. Është hartuesi i parë i veprës “Metrika Shqip”.
Më 1911 ishte një prej hartuesve të Memorandumit të Greçës gjatë kryengritjes së malësorëve të Mbishkodrës të vitit 1911. Në vitin 1912 mori pjesë në mbledhjen e Bukureshtit. Ishte në Kuvendin e Vlorës për Shpalljen e Pavarësisë dhe u caktua Ministër i Arsimit nga Ismail Qemali. Në vitin 1916 u caktua Drejtor i Përgjithshëm i Arsimit dhe anëtar i Komsisë Letrare në Shkodër. Në vitin 1918 mori pjesë në Kongresin e Durrësit dhe u zgjodh Ministër i Arsimit dhe anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Në vitet 1921-1924 ishte deputet në Këshillin Kombëtar. L. Gurakuqi u përfshi në Lëvizjen e Qershorit të vitit 1924 dhe u zgjodh Ministër i Financave në qeverinë e Fan Nolit. / KultPlus.com
Armenia dhe Gjeorgjia dalin si dy shtetet evropiane të cilat besojnë me siguri të plotë se ka një Zot. 79 përqind e qytetarëve në Armeni besojnë në ekzistencën e Zotit, ndërsa 72 përqind është shifra në Gjeorgji.
Sipas një studimi të fundit nga Pew Research Center në Washington
DC, në Serbi 87 përqind e qytetarëve besojnë se ka Zot, ndërsa 10 % nuk besojnë
në ekzistencën e të Plotfuqishmit.
Franca, Zvicra dhe Gjermania renditen në fund të listës. Në këto tri shtete, vetëm 11 përqind, gjegjësisht 10 përqind në Gjermani besojnë se ka Zot.
Katër shtetet në të cilat me siguri të plotë nuk besohet në Zot, kanë dalë të jenë Çekia, Holanda, Suedia dhe Belgjika.
Në Kroaci, 57 përqind e të intervistuarve besojnë në Zot. / KultPlus.com
Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” sot mban mbledhje komemorative pas ndarjes nga jeta të akademik, Idriz Ajetit.
Akademik Ajeti gjatë karrierës së tij ishte edhe rektor i Universitetit të Prishtinës. Mbledhja komemorative mbahet në Sallën e Senatit në Rektorat dhe fillon në ora 14:00.
Akademik, Idriz Ajeti vdiq më 13 shkurt në moshën 102-vjeçare.
Akademik Idriz Ajeti ishte albanolog, gjuhëtar, intelektual, pedagog dhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe kryetar i saj në dy mandate. / KultPlus.com
Këngëtarja Elvana Gjata, pas një pauze të shkurtër, mbrëmë me rastin e 11 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës është kthyer me një koncert privat të organizuar nga bashkëshortja e kryeministrit Haradinaj, Anita Muçaj-Haradinaj.
Ajo ka interpretuar disa këngë të saj ‘live’ mirëpo edhe disa nga këngët më të dëgjuara ndër vite si ajo ‘Mora fjalë’ nga Shkurte Fejza e ‘Baresha’ e Nexhmije Pagarushës, shkruan lajmi.net. Duhet kujtuar se ajo sot i ka shkruar disa fjalë në Instagram, kështu duke i falënderuar të gjithë të pranishmit e në veçanti Anita Muçajn-Haradinajn.
“Oj Kosove e dashur qe me dhuron veç dashni… Fjalet nuk me mjaftojne per te shprehur mirenjohjen qe kam per ju, por mbreme ne koncertin per nder te Pavaresise, jam ndjere si kurre ndonjehere, si ne shtepine time..E lumtur per te gjithe ju qe ishit mbreme te pranishem ne koncert. Mirenjohje per ate qe beri te mundur kete event, faleminderit Anita Haradinaj per punen e jashtezakoshme dhe mbeshtetjen tende ne realizimin e ketij eventi.”, ishin fjalët e saj ndërsa në vazhdim ua sjellim videon në të cilën mund ta dëgjoni duke e kënduar ‘live’.
Robbie Williams ka gëzuar të gjithë fansat e tij kur ka treguar se albumi i tij më i ri “Under The Radar – Volume 3” është publikuar.
Këngëtari i shumë hiteve ka postuar disa fotografi në llogarinë e tij në Instagram duke treguar se tani albumi i tij është në shitje.
Ai po ashtu ka postuar një video të shkurtër të tij ku flet pikërisht për këtë album.
“Përshëndetje njerëz të mirë të rrjeteve sociale, albumi im i ri “Under the Radar,Volume 3”, është publikuar. Mezi po pres që të dëgjoj mendimet e juaja lidhur me albumin tim më të ri. Falemnderit dhe shihemi së shpejti”, ka thënë ai në video.
Williams e kishte paralajmëruar këtë album në muajin nëntori, pikërisht përmes një videoje në Instagram, duke shpjeguar se ky album është i treti në serinë “Under the Radar”.
“Ky album do të ketë këngë që kanë një vend shumë të veccantë në zemrën time, por për disa arsye ato asnjëherë nuk arritën të përmbledhen në një album”, kishte thënë atëherë ai.
Por këngëtari që ka shumë hite mund të ketë konkurrencë në karrierën e tij si këngëtar – nga vajza e tij Teddy.
Ajo së fundmi ka shfaqur talentin e saj në këndim dhe vallëzim. A do ta ndjekë ajo ose jo rrugën e babait të saj mbetet të shihet!
Një kompleks i tempujve të lashtë në Romë që janë të lidhura me skenën e vrasjes së Jul Cezarit do të hapen për publikun.
Rrënojat e tempullit në Largo Argentina në qendër të Romës janë të dukshme për këmbësorët që shikojnë nga lart, por janë të mbyllura për vizitorët. Por kryebashkiaku i Romës Virginia Raggi njoftoi sot se deri në fund të vitit 2021, do të ndërtohen vendkalimet në mënyrë që turistët të mund të kalojnë nëpër rrënojat.
Kompania e bizhuterive Luxyry Bulgari, e cila gjithashtu financoi restaurimin e Shkallëve spanjolle të Romës, po sponsorizon punimet.
Rrënojat përfshijnë një piedestal guri nga Curia of Pompei, vend takimi i senatorëve, ku Cezari u vra në vitin 44 B.C
Këngët e kënduara nga populli, të sjellura në frymën Klasike dhe atë Folk/Jazz, nga më të bukurat shqipe janë interpretuar këtë të shtunë në Teatrin Skandinav te Scandinavia House në New York, shkruan KultPlus.
Koncerti i titulluar “Vendi im” ka ardhur në shënim të 11 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ndërsa muzikantët për publikun e komunitetin shqiptarë në New York, që interpretuan sollën një koncert të nivelit artistik.
Në këtë koncert interpretuan muzikantë nga Kosova dhe ndërkombëtarë me rezidencë dhe karrierë të suksesshme në New York si: Ergin Oda – Baritone, Taulant Mehmeti (Guitar/Bass/Çifteli), Baden Goyo (Piano [Grammy Winning Pianist]), Sergej Avanesov (Saxophone), Jeta Monet (Vocal-Guitar), Jason Wastor (Perkusione), Faton Kaja (Tupan).
Me këtë rast janë interpretuar këto vepra: Të falemi o dhe
(Kushtrimi Arbëreshë) (nga: Dasma Arbëreshe, e Kompozitor / Akademik Rauf
Dhomi, Hej Ju Male (Këngë Epike) nga Çesk Zadeja, Pranvera filloi me ardhë
(Shkodrane), Un’ o ty moj të kam dashtë (Elbasanase), Kroi i fshatit tonë
(Korçare) etj, të interpretuara në frymën klasike dhe folk/jazz.
Ergin Oda, baritoni me karrierë e rezidencë në New York, ka përcuar emocione tek audienca duke dhuruar një buqetë ngjyrash folklori me finesa klasike për fanatikët e këngës shqipe. Baden Goyo me prejardhje nga Venezuela, shoqërues në piano, befasoi të pranishmit me virtuozitetin dhe elegancën e servimit të këngës shqipe.
Me këtë rast u dëgjua tingulli i çiftelisë me një Kosovology nga Taulant Mehmeti që emocionoi audiencën dhe rrëmbeu vëmendjen gjatë kohës së interpretimit. Dashamirësit e artit, publiku prezent, vlerësuan në superlativ performancën dedikuar Pavarësisë së vendit.
Kongresisti Joe DioGuardi, bëri thirrje që projekte të tilla
që kanë për synim nxjerrjen e vlerave artistike kombëtare në pah të përkrahen e
mbështetën, sepse janë kartë identiteti për Komunitetin Shqiptarë të Amerikës,
e sidomos për gjeneratat që vijnë.
Koncerti “Vendi im” vjen sërish me 15-të Shkurt të vitit 2020 në një format tjetër./ KultPlus.com
“Fëmijërinë
ma morën ëndrrat, e ëndrrat mi more ti”, është një nga fjalitë e fuqishme
brenda këngës “Ti je vetëm një iluzion”, kjo këngë që tash e tri dekada bartë
emocionin e njëjtë.
“Ti je vetëm një iluzion”, i këndon çasteve që duken shekuj, e zërin e B.B Poqit e njohim më së miri përmes kësaj kënge. Bajram Bylykbashi apo B.B.POQI lindi më 21 maj të vitit 1968 në Prishtinë dhe është një nga këngëtarët më të mirë të rokut shqiptar.
Në muzikën e
tij ndikim të madh patën grupet e rokut si Led Zeppelin, Deep purple, Ëhitesnake,
U2, The doors, Pink Floyd etj. Në vitin 1985, Bylykbashi formoi band-in Babillon
me të cilin bëri disa incizime, ndër to është edhe kënga “Ti je vetëm një
iluzion”, shkruan KultPlus.
“Ti je vetëm një iluzion” është komponuar në vitin 1986 nga grupi BABILON, ndërsa u incizua vetëm një vit pas, në vitin1987. Kjo këngë është e komponuar nga kitaristi i grupit Besim Hajdini dhe tekstin e ka shkruar Uran Bajrami.
Ishte 20 vjeç kur shkroi “Mjegullat e Tiranës”. Në të vërtetë kishte një tjetër titull “Dashuria nr.2”, ku fshihej snobizmi i moshës dhe një lloj distancimi ndaj atyre dashurive të përjetshme, romantike. Pas gati 56 vjetësh, Ismail Kadare ka vendosur të botojë romanin e tij të parë. Për të mbushur distancën kohë mes kohës kur është shkruar dhe atë të botimit, shtëpia botuese “Onufri” e boton tekstin integral të këtij romani së bashku me një bisedë me autorin dhe komente të studiueses Viola Isufaj. Përmes këtij bashkëbisedimi, shkrimtari hedh dritë jo vetëm mbi këtë vepër të panjohur më parë për lexuesin, për arsyen pse nuk e ka botuar më parë, pse e konsideronte si të “mohuar”, faktin që është mbështetur mbi një histori dashurie të vetë atij, por na tregon edhe për atmosferën në Tiranën e viteve ‘50-’60, zhvillimin letrar në ato momente brenda kornizave të realizmit socialist dhe se si ai vetë e pa veten si “hero pozitiv” në një roman të kohës…
Zoti Kadare, jeni shprehur se nuk do të shkruani më letërsi artistike. Në fakt, kjo ka ardhur ngase keni ndier se i keni thënë gjithçka lexuesit, apo ngaqë me të gjitha mënyrat i keni thënë diçka? As njëra, as tjetra. Është një fazë që i vjen natyrshëm një pjese të shkrimtarëve. Ndërkaq, vështirë se mund të gjendet një shkrimtar që mendon se ka thënë gjithçka. S’është e mundur, madje s’është e nevojshme të thuhet gjithçka. Jeni shprehur se nga mosha 10-12 vjeç keni kuptuar se letërsia ju tërhiqte. Ja ku jeni tani, para një auditori global; nga “Qyteti pa Reklama” tek “Aksidenti”, i keni bërë njerëzimit një dhuratë të paçmueshme. Përveç viteve, çfarë i ndan këto dy momente? Si do ta karakterizonit këtë kohë të midistë? Me ç’fjalë do ta përshkruanit? Kam pasur fat. Të duash letërsinë e quaj fat. Të bësh letërsi, në këtë rast, është fat i dyfishtë. Ta duan edhe të tjerët atë që ti krijon është fat i rrallë. Gjithashtu keni treguar se e kishit parë veten para një auditori kozmik. Ky përfytyrim, para apo pas romanit që po botojmë këtu? Kam qenë magjepsur pas letërsisë së paku shtatë ose tetë vjet përpara këtij romani. Sa më herët të vijë kjo magjepsje, aq më mirë është. Arti kërkon që ti të mrekullohesh përpara tij. T’i besosh si asnjë gjëje tjetër në botë. Dhe kjo, më lehtë dhe më natyrshëm se kurdoherë, ndodh në periudhën midis fundit të fëminisë dhe fillimit të adoleshencës. Ëndrra për auditor të përbotshëm të duket e rrokshme në këtë moshë. E pamundura gjithashtu, bashkë me gëzimin që s’njeh kufij, programohen pikërisht në këto vite. Ndërkaq, koha ngre përpara shkrimtarit të ardhshëm paradoksin më të madh: nuk i jep mundësinë e të shkruarit. Duket sikur kjo ndodh si një ndëshkim për atë fluturim e atë guxim të marrë. Dhe kjo është në të vërtetë një fat. Shumë shpejt shkrimtari i ardhshëm e kupton se ato që ka shkruar në atë moshë nuk kanë e nuk mund të kishin asnjë vlerë. Dhe se e gjithë aventura duhej të mbaronte kështu. Ndërkohë, ai e ndien se, pavarësisht nga kjo, ajo aventurë ka qenë e tillë, që e ka bërë rob të një dashurie të pangjashme me asnjë tjetër në botë. Dhe ai bëhet gati seriozisht, dramatikisht të vihet në shërbim të saj. Pra, jeni magjepsur pas letërsisë dhe pas ëndrrës për auditor të përbotshëm disa vite përpara shkrimit të këtij romani të titulluar “Mjegullat e Tiranës”. A ka mbajtur gjithnjë këtë titull romani në fjalë apo ia keni ndryshuar më vonë? Ky roman nuk ka pasur asnjëherë titullin “Mjegullat e Tiranës”. Ai titull nuk ka qenë veçse një gabim i kujtesës sime. E kam quajtur, me sa duket kështu, në ndonjë bisedë me shokët, dhe më pas, sinqerisht për një kohë të gjatë, e kam besuar si të vërtetë. Titulli, në të vërtetë, ka qenë “Dashuria nr. 2”. “Dashuria nr. 2” tingëllon e pazakonshme. A mund të thuhet se ka një dozë snobizmi? Natyrisht që titulli e ka gjithë dozën e snobizmit të mundshëm. Dhe bashkë me të një lloj lehtësie të shtirur, tipike për shumë djem të kohës. Ishte një lloj kundërshtimi i “dashurisë romantike”, që ngjante si tipar i prapambetur, i një letërsie të prapambetur. Një lloj shpalljeje se kishte ikur koha e “dashurisë së vetme”, që “s’harrohej kurrë” etj., etj., dhe në vend të këtij sublimimi, dashuria, si shumë gjëra të tjera, mund të kishte një numër! Në të vërtetë, e gjithë kjo ishte një trill, me të cilin ne studentëve na pëlqente të gënjenim veten. Siç mund të duket nga vetë romani, ne dashuronim gati-gati njëlloj si më parë, me po ato dufe e psherëtima, ndonëse hiqeshim si cinikë modernë. A është kjo sprova juaj e parë për të shkruar një roman? Ky është romani im i parë i vërtetë. Në fakt, siç e kam rrëfyer shumë herë, përpara tij kam shkruar ndonjë duzinë “romanesh”, për të cilat epiteti “i çuditshëm” do të tingëllonte i zbehtë. Këto romane përbëheshin zakonisht nga një tekst që shkonte nga dy faqe në dhjetë ose dymbëdhjetë. Ndërkaq, secili prej tyre shoqërohej me një sasi të madhe reklamash të përfytyruara të tipit “Doli në shitje romani i mahnitshëm, madhështor, i pashoq etj., etj., i I. H. Kadaresë”. Teksti i reklamave e kalonte zakonisht vetë tekstin e romanit, madje, shpesh, i lodhur prej tyre, s’kisha durim të shkruaja veprën e shpallur me aq bujë. Po përse romani në fjalë nuk përmendet në intervistat dhe esetë tuaja; përse nuk përmendet në “Ftesë në studio”, një libër që është pikë referimi për çdo studiues të veprës suaj, gjenetist qoftë ky ose jo? Arsyeja ishte e thjeshtë. Ky roman mbeti edhe më pas si një vepër e mohuar prej meje. Për të qenë më i saktë, ai ishte pjesë e jetës sime, të njeriut, por jo e asaj të shkrimtarit. Në këtë të fundit, ai i ngjante një fëmije të paligjshëm. Kjo kishte të bënte, ndoshta, me dyshimin tim se romani, duke qenë jashtë problemeve të kohës, do ta kishte të pamundur botimin. Veç kësaj, pas kthimit nga Moska, ishte e natyrshme që ai të më dukej i prapambetur. Sidomos pas “Qytetit pa reklama”, që e kisha shkruar atje, dhe që qëndronte, nga çdo pikëpamje, më lart se ai. Më vonë, kur ka ardhur puna për të përcaktuar atë që do të ishte teksti im i parë, pak a shumë serioz, zgjedhja ra mbi novelën e shkurtër “Në dheun e huaj”, shkruar më 1953, kur isha ende gjimnazist, shtatëmbëdhjetë vjeç. Atëherë, si vendosët që dorëshkrimi të dilte nga sirtarët dhe të merrte formën e një libri të shtypur? Kjo ka ndodhur shumë vonë, më 2012, në kohën kur po qartësohej ideja e një botimi të ri të veprave të plota në shtatë vëllime, ku vëllimi i fundit do të përmblidhte vepra të pakryera plotësisht, shestime, sinopse ose motërzime të ndryshme. Kjo do të ishte një lëndë tepër e larmishme, që mund të zgjonte interes po aq te studiuesit, sa te lexuesit e mirëfilltë. Zoti Kadare, si është shkruar romani; dua të them: është shkruar në letër, është incizuar me magnetofon (si një pjesë e “Qytetit pa reklama”), ka ardhur nga një ditar, nga një letërkëmbim, a kishit një dosje të parë shënimesh, copëza letre… diçka tjetër? Romani është shkruar me dorë, në fletore shkrimi. Është shfrytëzuar një ditar që kam mbajtur me ndërprerje gjatë viteve studenteske në Tiranë. Letra gjithashtu. Të mia dhe të vajzës studente që ka shërbyer si personazh. Jeta e Tiranës jepet përmes zhurmave, vitrinave, shkëlqimit të rrugëve; aty ka të qeshura, grupe të gëzuara të rinjsh, djem e vajza, me dëshira, pasione…. Kështu shkëlqente Tirana në të vërtetë apo keni hedhur më shumë dritë se ç’kishte, për shkak se ishit i ri dhe perceptimi ndryshonte? Apo është ndoshta një poemë dashurie juaja, që e sjell Tiranën ashtu siç do të dëshironit të ishte? Kur, pas më shumë se gjysmëshekulli, e kam lexuar dorëshkrimin, atmosfera kryeqytetase që përmendni ka qenë për mua po aq befasuese, sa edhe për ju. Pyetjen se cila nga dy tablotë ka qenë e vërtetë, ajo që është përshkruar në roman, apo ajo e jetës së njëmendtë, e kam bërë së pari unë vetë. Jeta e njëmendtë ka qenë vërtet e ashpër dhe e mërzitshme, por, sado e keqe të ishte jeta, më e keqe se ajo ishte letërsia. Kjo e fundit ngjante aq e mjerë, sa të vinte turp të ishe shkrimtar. Mund të thuhet se në vitet pesëdhjetë letërsia shqipe ishte në ditët më të zeza të saj. Një thatësirë e papërfytyrueshme zotëronte kudo, personazhe pozitive që të kallnin krupën, politizim i skajshëm, ngjyra bardhë e zi – partizanë, ballistë – shkurt asgjë njerëzore nuk ndihej në faqet e saj. Në roman nuk ka përftesa moderne të dukshme, por atë e përshkon kryekëput një frymë moderne; aty gjenden personazhet që te “Dimri i vetmisë së madhe” do të jenë djemtë e rrugës “Broduej”, aty është Bardhyli, të cilin e kishin kritikuar për tendencë modernizmi, aty thuhet se në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve po flitej në lidhje me përhapjen e modernizmit në letërsi, pikturë dhe muzikë. Sa i vetëdijshëm ishit për këtë frymë moderne që përcillte romani juaj në klimën që mbizotëronte në Shqipëri në ato vite? Ajo që ju e quani “frymë moderne” nuk është shpikja ime. Ndonëse e ndrojtur është ndier vërtet, fill pas dënimit në Moskë të krimeve të Stalinit, kryengritjes në Hungari më 1956 dhe konferencës së Tiranës, po atë vit. Unë disi e kam theksuar atë frymë, por në rrethet kryeqytetase, sidomos studenteske, pulsonte vërtet. Për fat të keq, në letërsinë shqipe nuk pati asnjë shenjë, asnjë jehonë të saj. Ndaj, parë nga ky këndvështrim, romani im nuk mund të ishte veçse rrëfimi i një Don Kishoti të vetmuar. Kjo ka qenë ndoshta edhe arsyeja që s’kam bërë asnjë përpjekje për botimin e tij. Madje, as mendja s’më ka shkuar, përderisa dorëshkrimi nuk është daktilografuar kurrë. Të jesh i vetëdijshëm se romani që ke shkruar nuk do të botohet kurrë (çka edhe i ndodhi këtij romani brenda epokës komuniste), mendoj se dëshmon për një vetëdijesim më të gjerë. Këtu dua të përsëris se kjo liri, përpara se të më vinte nga idetë dhe burimet e njohura të lirisë së njeriut, më ka ardhur prej vetë letërsisë. Më saktë, prej andej nga s’pritej: fantazmave të Shekspirit. Ndalemi pak te personazhi që nuk u ngjet aspak atyre që diktonte socrealizmi. Bardhyli nuk ka asgjë të përbashkët me heroin pozitiv. Si mundët të krijonit një personazh të tillë në kohën kur teknikat tuaja poetike ishin ende të pasofistikuara? A e ndienit ju këtë? Pra, sa e kuptonit se, dashje pa dashje, ai, Bardhyli, ishte i ndryshëm nga personazhet që kërkonte koha? Ndoshta enkas e krijuat të tillë? Çështja e “heroit pozitiv” ka qenë e para që më ka dalë përpara, në raportet e mia me realizmin socialist. Për t’i rënë shkurt, ishte shëmtia e parë që arrita të dalloj, pa ndihmën e askujt, përveçse të vetë letërsisë. Ishte një nga themelet e socrealizmit, ndaj dhe ndarja me të më ka ndihmuar në ndarjen e përgjithshme me këtë mjerim. Me të ashtuquajturin “hero pozitiv” në qendrën e tij, realizmi socialist kishte nënshkruar dekretin e vet mortor. Pa u zgjatur, po ju tregoj një ngjarje që lidhet me romanin për të cilin po flasim. Një letrar i kohës, dashamirës dhe i njohuri im, shkroi dhe botoi një “histori dashurie”, të ngjashme me atë që përshkruhej në “Dashuria nr. 2”. Kishte qenë në dijeni të ngjarjes mbi të cilën ishte bazuar teksti im, ndaj dhe ngjashmëria e tramës ra në sy të rretheve letrare, madje të lexuesve, që rastësisht dinin diçka rreth saj. Shkurt, e njëjta ngjarje përshkruhej dy mënyrash, por romanet ishin me fate të ndryshme: njëri do të botohej e tjetri jo. Por ky ishte vetëm ndryshimi i jashtëm. Ndryshimi tjetër, ai thelbësori, ai fatali, ishte se, ndërsa njëri nga tekstet i përkiste realizmit socialist, tjetri, imi, s’kishte të bënte me të. Kur e kam lexuar, në vend të kënaqësisë, që do të ndiente çdokush që një ngjarje e jetës së tij kishte frymëzuar një vepër letrare, kam vënë duart në kokë. M’u duk një tmerr i vërtetë. Dhe ky tmerr lidhej, në radhë të parë, me personazhin kryesor, që duhej të isha unë vetë. Çdokush mund të pyeste: të paska nxjerrë keq në atë vepër? Të ka bërë personazh negativ? Përgjigjja ime do të ishte e qartë: ku ta gjeja të isha negativ. Ishte e kundërta, duke kujtuar se më bënte nder, më kishte vënë në qendër të veprës si “hero pozitiv”! Dhe ishte pikërisht kjo që m’u duk si fatkeqësi. Nuk e kisha marrë me mend se do të vinte dita që mbi shpinën time të ndieja se ç’turp do të ishte të gjendeshe si hero pozitiv në një vepër të realizmit socialist! Që ta rrokni këtë, po jua shpjegoj. Personazhi qendror, domethënë unë vetë, isha një student që më rrinte mendja ditë e natë se si, pas mbarimit të studimeve, të shkoja ku të më dërgonte partia, për t’i shërbyer popullit. Që ia kisha bërë të qartë të dashurës sime, studente gjithashtu, se mbi dashurinë ndaj popullit s’vija asgjë, madje as atë vetë, e kështu me radhë. Nga ana tjetër, e dashura ime portretizohej si një vajzë trillane kryeqytetase, që e kishte mendjen të krihej e të zbukurohej, pa çarë kryet “për kauzën” etj. Ky ishte edhe thelbi i dramës që do të na çonte në ndarje! Zemërimi im për negativitetin e së dashurës (në të vërtetë, ajo ishte një vajzë e mrekullueshme nga të gjitha pikëpamjet) bashkohej me mllefin për pozitivitetin tim të padurueshëm. Por kryesorja ishte tjetër gjë. Për herë të parë, si një ndëshkim për atë me të cilën do të merresha, unë kuptova se sa çnjerëzor mund të ishte ky art. S’ishte ndonjë teprim po të dëgjoje se ishte shpikur një mallkim i ri, si ata që nisnin me fjalët “të pafsha në dreq a në dreqollë”. Në këtë rast, mallkimi do të ishte: të pafsha hero pozitiv në një roman të realizmit socialist! Artisti i talentuar që, kur mbushi 17 vjetët, pati sukseset e para të ndjeshme në art, që kur kthehej në qytetin e lindjes e shihnin me kuriozitet, sepse vinte nga kryeqyteti, dhe që, për shkak të natyrës së ftohtë, indiferencës dhe talentit, shihej si mendjemadh nga meskiniteti i zakonshëm i provincës, artisti i ri që nuk ecte në normat e caktuara të jetës, që nuk rrinte me njerëz “të dëgjuar” të cilët s’pushonin së dhëni këshilla nga pozita e mësuesit artistik, që këshillat i dëgjonte me shumë skepticizëm, që linte leksionet, që bridhte me duar në xhepa duke i matur rrugët me vërshëllimë, jeni ju? Ashtu mendoj. Zakonisht ky tip quhej personazh negativ, por unë e pranoja me kënaqësi. Mendoj se është i njëjti personazh i novelës “Në dheun e huaj”. Në atë kohë tipa të tillë letrarë njiheshin si “njeriu i tepërt” (Eugjen Onjegini i Pushkinit, Peçorini i Ljermontovit). Ka gjasë që termi i saktë do të ishte “njeriu i gabuar”. Ndërkaq, në rusisht nuk përdorej shprehja “ashiboçnyj”, por “lishnyj çellovjek”, që s’ishte gjë tjetër veçse përkthimi fjalë për fjalë i stilemës frënge “homme de trop”, “njeriu i gabuar”. Përtej pengesës nga mjedisi, artisti, personazhi i romanit, i quajtur Bardhyl, nuk do ta shohë më vajzën (Emën), nuk do të martohet me të, ta “konsumojë” ndjenjën në martesë. Çfarë është kjo frikë që ka artisti, mund të na e shpjegoni për lexuesit? Romani është shkruar në moshën njëzetvjeçare, kur ideja e martesës është vetvetiu e huaj. Aq më tepër personazhi është një student me ambicie të mëdha, në pritje të një ndryshimi tronditës në jetën e tij: udhëtimit në Moskë për studime të mëtejshme letrare. Shtojini kësaj edhe snobizmin rinor dhe xanxën e të qenit modern, për të kuptuar se martesa merrej si një mbyllje e jetës. Ema është personazhi i parë në galerinë e personazheve-femra. Cili është emri më tingëllues, më i bukur i femrës në galerinë e personazheve tuaja? Cili është ai që doni më shumë? Përgjithësisht s’kam qenë ndonjë kërkues i qëllimshëm emrash. Me sa më kujtohet, “Ema” ishte një emër që përdorej prej meje dhe shokëve të mi, si një lloj nofke, për vajzën-personazh, që u përmend më lart. Ajo vetë e përdorte gjithashtu për vetveten. Si emër vajze ose gruaje i parapëlqyer prej meje ka qenë Ana. E kam vështirë të saktësoj arsyet. Tingëllimi universal i saj ka qenë ndoshta njëra prej tyre. Anna Kern, gruaja njëzetetrevjeçare e gjeneralit Kern, me të cilën Pushkini i internuar pati një lidhje dashurie dhe i kushtoi vjershën më të famshme të dashurisë në letrat ruse: “Kujtoj atë çast të mrekullueshëm”, ka gjasë të ketë qenë një tjetër shtysë. Një vajzë ruse që e kam njohur dy-tri javë pas mbërritjes në Moskë, në shtator të vitit 1958, gjithashtu… Ndonjë tjetër rast s’përjashtohet. Siç e shihni, është një vargor rastësish, disi i brishtë. Le t’i rikthehemi vendimit tuaj: pasi kishit thënë se nuk do të shkruanit më poezi, në vitin 2005 botoni poemën “Tirana në dimër”. A keni fituar apo keni humbur diçka me “thyerjen” e kësaj fjale? Së dyti, çfarë ndodhi me Tiranën, e cila, në vitet gjashtëdhjetë, ishte realiteti më i bukur, ndërsa në vitin 2005 është realiteti i vanitetit, korrupsionit, krimit? Jo, nuk kam humbur. “Tirana në dimër” është një poemë që duhej shkruar. Ka mbetur e huaj për kohën jo për faj të saj, por të kohës. Si mundët të mos preknit asgjë në tekst deri para botimit teksa besoni se prirja për të ndrequr diçka në vepër bën pjesë në lirinë e saj? Si i shpëtuat tundimit për të mos bërë ndërhyrje? Apo nuk u tunduat aspak? Nuk jam tunduar kurrë, përpara vitit 2012. Me sa duket, më është dukur e panatyrshme. Si një kundërkah, si dhunim. Ai tekst duhej të mbetej në atë trajtë të vet. Meqenëse u përmend fjala “liri”, kjo ka qenë ndoshta një formë e tij e lirisë. Akti i parë i përgatitjes së një vepre të tillë, për të dalë në jetën publike, ka qenë daktilografimi. Teksti, i shkruar me dorë, u shtyp për herë të parë në një makinë shkrimi në vitin 2012, pas gati gjashtëdhjetë vitesh. Ishte herë e parë që po e lexoja, në të vetmen formë që isha mësuar të lexoj një dorëshkrim: të daktilografuar. Gjatë leximit kisha përshtypjen se radhë të tëra më zbardheshin përpara syve. Dukej sikur teksti e kundërshtonte, e sprapste leximin.
Ndoshta në këtë sprapsje lozte një rol ndonjë dilemë juaja për të mos bërë publike një ngjarje personale, për arsye etike? Personazhi i vajzës, për shembull, që, siç kuptohet nga biseda, ka qenë lehtësisht e identifikueshme. A keni pasur rast ta takoni më vonë, kur jeni bërë shkrimtar i njohur? Ç’mund të mendonte ajo për ndodhinë, për përshkrimin e saj? Dhe, kryesorja, a ka ngjashmëri midis ngjarjeve të përjetuara nga rrëfimi i tyre në vepër? Po e nis nga fundi: ngjashmëria. Është pyetja më e ndërlikuar në kësi rastesh. Është vështirë që ndodhia të ngjajë, por më e vështirë akoma, është të mos ngjajë. Ndryshe nga një parullë e njohur e komunizmit “kufiri ynë është i pakalueshëm”, kufiri letërsi-jetë e njëmendtë s’mund të jetë veçse i kalueshëm. Takimi me personazhin? Po t’ju them se qysh nga mbarimi i fakultetit të letërsisë në Tiranë, ku ishim të dy, pra, qysh nga ikja ime në Moskë, dhe gjer më sot, në këtë ditë që po flasim, nuk e kam takuar kurrë, ju ndoshta s’do të më besoni. Tirana, ndonëse kryeqytet i shtetit, nuk mund të përfytyrohej kurrë aq e madhe, saqë të mos e takoje asnjëherë ish-mikeshën tënde. Megjithatë, kështu ka ndodhur. Sa herë që flitej për zmadhimin e Tiranës, më shkonte ndër mend një gjë e tillë. Kur nga njëqind mijë banorë shkoi në dyqind mijë, mendova se kjo mund të përligjej disi. Por rastet e kundërta, domethënë të njohurit e shumtë, që më dilnin përpara, sidomos kur s’doja, ma hidhnin poshtë. Pastaj Tirana shkoi katërqind mijë, e më pas gjysmë milioni banorë, dhe tani mostakimi më ngjante i natyrshëm. Por, kur një ditë në Paris, tek ecja më këmbë në St. Michel, u ndesha me botuesin tim gjerman nga Cyrihu, Egon Ammann, m’u kthye shpresa se takimit në Tiranë me vajzën e fakultetit të letërsisë do t’i vinte radha një ditë. Nuk ndodhi asnjëherë, madje, edhe pas rastit të pabesueshëm kur, një mëngjes, në një bar të Nju-Jorkut, m’u afrua dikush që më përshëndeti: hello, jam Dan Pope, ju kujtohet, jemi takuar para ca vitesh në Central Park, e mblodha mendjen se mund të kryqëzohesha në rrugë me Dan Pope, madje me kinezë që i kisha njohur në Shangai, veç me atë vajzën e fakultetit, në Tiranën e ngushtë, s’do të duhej të ndeshesha kurrë. Ishte e qartë se diçka e errët, por e epërme, e pengonte. Ju ka munduar ndonjëherë ndjenja e humbjes? Nëse po, në ç’kuptim? Shumë herë. Në të gjitha kuptimet. Në radhë të parë, humbja rastësisht e dorëshkrimit. Besoj se nuk ka shkrimtar në botë që s’e ka përjetuar një gjë të tillë. Në radhë të dytë, edhe më keq, bastisja. Është i njohur si ankth nga gjithë shkrimtarët e vendeve tiranike. E kam provuar që larg, në tetor të vitit 1990, kur policia e Tiranës i mori krejt dorëshkrimet. E treta, zjarri, përmbytja, furia e vetë shkrimtarit (si në rastin e Nikollai Gogolit me pjesën e dytë të “Shpirtrave të vdekur”). Zoti Kadare, a keni shkrime të tjera të pabotuara? Më duket vetëm një novelë, me titullin “Barka në rërë”, shkruar pak kohë përpara romanit që po flasim. Është ende e padaktilografuar. Pra, në gjendje të midistë, mes jetës dhe pajetës. A keni dashur ndonjëherë, qoftë edhe në fëmijërinë e hershme, të bëheni dikush tjetër përveçse shkrimtar? Asnjëherë. Sidomos në fëmininë e hershme, atëherë kur kujtoja se e doja letërsinë marrëzisht, ngaqë isha i bindur se, sa më shumë ta doja, aq më i famshëm si shkrimtar do të bëhesha! (Më saktë, aq më i famshëm, isha, ndërkaq!) Jashtë mahisë, mund të them se një tekst kënge, për dashurinë, që gjendet në një nga librat e mi, do ta përshtatja kështu për letërsinë: Dhe njëqind jetë të jetoja/Në të njëqindtat do t’të doja./Gazeta Panorama
Arkeologët kanë zbuluar një skelet njeriu që daton rreth 5.000 vjet më parë, në qytetin Babol të provincës iraniane Mazenderan.
Muhammed Fazli, kreu i ekipit të arkeologëve, tha se skeleti i përket një vajze të moshës 13-14 vjeçare, me zbukurime dhe stoli prej guri në qafën e saj.
Ai rikujtoi se të ashtuquajturit gjuetarë thesaresh kanë bërë po ashtu gërmime të paautorizuara në rajon, gjë që ka komplikuar punimet.
Gërmimet e para arkeologjike në Iran u zhvilluan në Susa në vitin 1850 nën udhëheqjen e evropianëve. Në atë kohë, Irani u dha të gjitha autorizimet për gërmime arkeologjike studiuesve francezë.
Irani filloi gërmimet e tij të para në vitin 1937.
Cilësohet poet kombëtar e njihet edhe si Homeri shqiptar. Gjergj Fishta (23 dhjetor 1871 – 30 dhjetor 1940), ishte frat françeskan, piktor, arkitekt, deputet, anëtar i Akademisë Italiane të Shkencave, kandidati i parë shqiptarë për Çmimin Nobel për Letërsi dhe mbrojtës i kauzës shqiptare në arenën ndërkombëtare.
Fishta ka dhënë kontribut të madh edhe në Kongresin e Manastirit, për alfabetin e sotëm, ndërsa ka qenë edhe sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Më poshtë mund të lexoni disa thënie të një prej figurave më të mëdha intelektuale dhe patriotike të historisë kombit shqiptar.
– Ma kollaj asht me mbushun një thes me pleshta sesa me i ba bashk dy shqiptarë!
– Njerëzit janë tanë njisoj prej natyrës, edukata i ban me u dallue!
– Shqiptarët kallzojnë njate çka s’duhet, e mshehin njatë çka e di tanë bota!
– Pak din njaj që ja kallzon të tana grues!
– Në kjoftë se provon, mundesh me hupë, por në kjoftë se nuk provon – je i hupun gjithsesi!
– Në kjoftë se thue at çka dishron, duhet me ndie edhe ate çka nuk e dishron!
– Ma mirë n’vorr me u kja për mallë / se nën shkja me ndejë për t’gjallë,,,
– Vërtetë kemi Bajram e Pashkë, por Shqiptarinë e kemi bashkë!
– N’daq me gzue t’bukrën liri / mos shkel fis, as mik, as fe / pse n’kto sheja bota mbarë. / na dallon se jem shqiptarë…
– Edhe atij iu thaftë po goja / që përbuzë këtë gjuhë hyjnore / qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja / flet e tveten e lèn mbas dore…
– Mbi njatë flamur Perendija / me dorë t’ vet Ai e ka shkrue / “Për Shqyptarë do t’jét Shqypnija / kush u a prekë, ai kjoftë mallkue”…
– Po, edhè hâna do t’ a dijë / edhè Dielli do t’ két pá / se për qark ksaj rrokullije / si Shqypnija ‘i vend nuk ká…
– Në rast se ata nuk na duan në një shtet të vetëm, pasi thonë shqyptarët qenkan muslimanë, aherë… na kristianët do t’i shkriejmë kryqet tona dhe do t’i bajmë fishek me mbrojt vllaznitë tanë muslimanë shqyptarë!
– Më dhemb kryet me njato parla-parla të parlamentarëve: dokrra pa kokrra!
– Injoranca e krenaria shkojnë bashkë si shtati e hija
Është paralajmëruar një dokumentar rreth jetës së Chris Cornell, ka njoftuar revista amerikane “Variety”. Filmi do të bëhet me produksion të aktorit Peter Berg, të njohur për rolin e tij në “Lone Survivor” dhe “Deepwater Horizon”.
Filmin do ta xhirojë edhe Brad Pitt, ndërsa atyre do t’u bashkohet edhe e veja e Cornell, Vicky. Brad Pitt dhe Peter Berg janë partnerë të shtëpisë së produksionit “Film 45”.
Javën e kaluar Chris Cornell u shpërblye me “Grammy” në kategorinë e performancës më të mirë rok për coverin e këngës “You Never Knew My Mind” dhe “When Bad Does Good”, të Johnny Cash.
Ninullat ose këngët e djepit të popullit shqiptar, do jenë nga sot e tutje pjesë e arkivit të Muzeut të Londrës, i cili pasqyron historinë dhe traditat kulturore të komuniteteve te ndryshme që banojnë prej shekujsh në metropolin britanik.
Ky muze në bashkëpunim me shoqatën shqiptare “Shpresa Programme”, organizuan projektin e dytë për arkivimin e vlerave, traditës dhe kulturës shqiptare në Muzeun e Londrës.
Pjesë e projektit janë këngët e djepit të kënduara dhe sjelle me mjeshtëri nga Profesoresha e Asociuuar nga Kosova dhe krijuesja e këtyre ninullave, Besa Berberi dhe grupet e fëmijëve të shoqatës shqiptare “Shpresa Programme”.
Në regjinë e korografit të njohur shqiptar me banim në Londër, Tomor Kokona dhe pjesëmarrjen e tre rapsodëve nga Shqipëria, Zef Doci, Sherif Dervishi dhe Mendi Buci, këto ninulla dhe muzika e çiftelisë dhe lahutës shqiptare ishin pjese e aktivitetit te zhvilluar ne Muzeun e Londrës, i cili përkoi edhe me 11 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Me herët, Muzeu i Londrës, në arkivin e vet ka edhe një botim të fëmijëve shqiptarë në Londër për të ardhmen e qytetit ku ata jetojnë, të titulluar “City Now, City Future”, shkruan Top Channel.
Sarita Mamseri, e Muzeut te Londrës, duke vlerësuar bashkëpunimin me organizatorët e performances, tha per Top-Channel se “është privilegj që trashëgimia kulturore dhe kombëtare e një komuniteti të ri, si ai shqiptar në Britani, të bëhet pjesë e fondit dhe arkivave të trashëgimisë kulturore të komuniteteve të tjera që jetojnë dhe punojnë në kryeqytetin britanik”.
Nën moton “Rrënjët nuk humben, ato kultivohen” Universiteti Popullor Shqiptar në Gjenevë kremtoi me një pritje festive 11-vjetorin e pavarësisë së Kosovës.
E veçanta e kësaj pritje ishte prania e grupit “Vëllezërit arbëreshë”, të ftuar enkas nga UPSH, në shenjë falënderimi për ruajtjen e gjuhës e kulturës arbërore në diasporë.
Publiku i shumtë në sallë, me banim në Zvicër, shihte te përfaqësuesit arbëreshë vetveten, me problemet e largimit nga atdheu, të përpjekjeve të vazhdueshme për ruajtjen e gjuhës dhe trashëgimisë kulturore, me dekadat e largimit, me brezat që lindin e rriten në diasporë, me dilemën e kthimit, me pakënaqësitë për mirënjohje për kontributin e dhënë, me zhgënjimet e vazhdueshme dhe me paradoksin e dashurisë së pamasë për vendin me brenga.
Arbëreshët fillimisht vizituan misionin e Shqipërisë në Gjenevë, ku u pritën nga ambasadorja shqiptare në OKB, Ravesa Leshi, për të vazhduar më pas me pritjen e qindra mërgimtarëve në sallën “Gandi” në qendër të Gjenevës dhe në mbyllje me një vizitë në Konsullatën e Kosovës në Gjenevë, ku u pritën nga konsulli i saj i përgjithshëm, Ramadan Avdiu.
Të pranishëm ishin po ashtu edhe personalitet të larta të botës shqiptare e zvicerane, nga fusha e artit, shkencës e politikës.
Deputeti i Parlamentit të Zvicrës, Carlo Sommaruga, theksoi në fjalën e tij se në këtë përvjetor vlen të përkujtojmë rolin e Zvicrës në pavarësinë e Kosovës.
Ai u shpreh se ndihet i nderuar kur në arenën politike zvicerane ka gjithnjë e më shumë të zgjedhur me origjinë shqiptare.
Ambasadori Ilir Gjoni, në fjalën e tij tha se “Kosova e fitoi betejën e luftës, tani i mbetet të fitojë betejën e paqes”. Ai vlerësoi lart rolin e mërgatës duke vendosur paralele simbolike midis arbëreshëve dhe diasporës së sotme.
Kënga qytetare e interpretuar me mjeshtëri nga Mimoza Nazarko dhe trio e muzikantëve, tingujt dhe këngët e bukura të rapsodëve të Gjenevës, sollën një muze etnografik në miniaturë që i paraprinë fuqisë dhe haresë së këngës arbëreshe./k.s/KultPlus.com
“Guximi është çelësi i gjithçkaje në jetë. Shumë njerëz kanë lindur në situata, në të cilat janë shprehur: “Unë kurrë nuk do të dal prej kësaj situate” dhe nuk ia dalin. Unë them se është faji i tyre që nuk guxojnë ta ndryshojnë jetën dhe situatat e jetës së tyre.
Të gjithë mendojnë se këto mesazhe që ne japim, janë të kota. Mendojnë se janë thjesht disa fjalime që ne i bëjmë për të fituar vëmendje, sepse ne jemi të famshëm tashmë.
Këto janë thjesht mendime nga persona që e kanë vendosur të mos kenë sukses në jetë. Çdo person mund t’ia dalë në jetë. Edhe suksesi im s’ka qenë i lehtë. Kam kaluar nëpër një rrugë të gjatë e të vështirë. Ka pasur edhe për mua ditë, kur kam thënë: “Nuk kam për t’ia dalë mbanë. Është më mirë të nis diçka tjetër. Thjesht, jo më aktrim”.
Por gjithmonë ndodhte diçka që më shtynte akoma më fort të vazhdoja përpara. Mendoni se nuk kishte apo nuk ka persona më të talentuar se unë? Sigurisht që ka. Por ata ndoshta s’kanë guximin të ndjekin ëndrrat e tyre dhe të përpiqen t’i arrijnë ato.
Unë e di që në çdo aspect duhet edhe fati, por fati shkon me ata që përpiqen. Ndaj, ja ku jam unë sot. Po qëndroj sot përpara gjithë jush.
Rregulli kryesor është ky, nëse e beson se mund ta bësh diçka, do ta bësh. Mos hiqni dorë nga ato që doni t’i arrini. Gjëja që unë i them çdo të riu, është të mos heqin dorë, sepse kur nuk përpiqesh, e ke të sigurtë humbjen.
Kuptoje se çfarë do, “ndërto” një rrugë në mendjen tënde dhe përpiqu ta ndjekësh atë me gjithë përkushtimin tënd. Ndiqi gjithmonë ëndrrat e tua!”/bota.al /KultPlus.com
Arkeologët kanë identifikuar vendndodhjen e 11 qyteteve të humbura, në sajë të një tabele balte 4,000-vjeçare, e krijuar nga tregtarët e lashtë në Perandorinë Asiriane.
Tabletat u zbuluan në Turqinë e sotme, në një qytet të lashtë të njohur si Kanesh. Pllakat e baltës tregojnë detaje të tregjeve nga mbretëria e Asirisë, raporton Uashington Post.
Përkthimi i kujdesshëm i teksteve antike ka zbuluar diçka që arkeologët kurrë nuk e kishin pritur: Vendndodhjet e qyteteve të lashta që kanë humbur prej kohësh nën rëra.
Shkruar në shkrimin e lashtë kuneiform – të zhvilluar nga Sumerianët e lashtë – pllakat detajojnë një sërë transaksionesh biznesi, llogari, vula, kontrata, dhe madje edhe çertifikata martesore.
Siç raportohet, zbulimi ka potencialin për të ndryshuar kuptimin tonë për Perandorinë e lashtë asiriane.
Pas deshifrimit dhe mbledhjes së të gjithë informacionit, studiuesit filluan të përshkruanin vendet e mundshme të përmendura në pllakat e baltës: të dhënat tregojnë distancën midis qyteteve të Mesopotamisë të zbuluara tashmë nga arkeologët, nga ata që nuk i kanë gjetur ende.
Pllakat e lashta të baltës kanë zbuluar se Kaneshi, dikur një vendbanim i vogël tregtar, përfundimisht u bë një nga vendet më të rëndësishme tregtare të rajonit.
Tabletat ofrojnë një udhëtim në të kaluarën, pasi ato detajojnë se si qyteti i Kaneshit ishte një “ekonomi e lulëzuar e tregut”.
Pllakat e argjilës kanë ndihmuar zbuluesit për të zhvilluar një mënyrë inovative për të identifikuar vendndodhjet e qyteteve të lashta.
Të dhënat e lashta kanë lejuar ekspertët të zhvillojnë të ashtuquajturin “modeli i gravitetit strukturor”, i cili ofron një vlerësim se ku mund të gjenden qytetet e humbura. / Bota.al /KultPlus.com
Eric Pratt Hamp ishte gjuhëtar me renome ndërkombëtare, studiues nga më të shquarit në fushën e gjuhësisë krahasimtare historike, indo-europeist, ballkanolog, keltolog, romanist-rumanist, armenist, sllavist, gjithsesi albanolog me kontakte shumë të hershme me botën shqiptare në Kosovë, në Malin e Zi, në Maqedoni, me botën arbëreshe në Itali dhe me botën arbërore në Greqi, me studiuesit dhe intelektualët e shquar në diasporë, pas viteve ’90 dhe në Shqipëri, me lidhje të forta të miqësisë intelektuale gjithandej nëpër Ballkan e në botë.
Rexhep Ismajli
Në mëngjesin e hershëm sot, 18 shkurt 2019 nga profesor Victor Friedman nga Çikago morëm lajmin e hidhur për shuarjen e albanologut më të madh amerikan dhe njërit nga gjuhëtarët e shquar të botës në fushën e studimeve krahasuese.
Lajmin e kishte transmetuar te profesor Friedman e bija e të ndjerit, Juli.
Eric Pratt Hamp ka lindur në nëntor 1920 në Londër, ndërsa nga 1925 jeton dhe vepron në SHBA. Pas studimeve të shkëlqyera të rregullta dhe doktorale në Harvard, kohën më të madhe punoi në Universitetin e Chicago-s, ku e përfundoi punën si profesor emeritus. Gjuhëtar me renome ndërkombëtare, studiues nga më të shquarit në fushën e gjuhësisë krahasimtare historike, indo-europeist, ballkanolog, keltolog, romanist-rumanist, armenist, sllavist, gjithsesi albanolog me kontakte shumë të hershme me botën shqiptare në Kosovë, në Malin e Zi, në Maqedoni, me botën arbëreshe në Itali dhe me botën arbërore në Greqi, me studiuesit dhe intelektualët e shquar në diasporë, pas viteve ’90 dhe në Shqipëri, me lidhje të forta të miqësisë intelektuale gjithandej nëpër Ballkan e në botë.
Eric Pratt Hamp është anëtar i shquar i një numri të madh institucionesh dhe asociacionesh të botës, ndër të cilat me këtë rast po veçojmë: Akademia Amerikane e Arteve dhe e Shkencave nga 1976, Shoqata Amerikane e Filozofisë, Akademia Mbretërore Daneze e Shkencave dhe e Arteve, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Akademia Irlandeze, është shpallur doktor nderi i Unviersitetit Amherst, Universitetit të Uelsit, Universitetit të Kalabrisë, Universitetit të Delhit dhe Universitetit të Edinburgut. Më 2012, Posta Shqiptare e nderoi me një pullë të veçantë bashkë me Norbert Jokl dhe Holger Pedersen.
Për nder të tij janë bërë më shumë botime, dy për studimet ballkanike, një për gjuhësi të përgjithshme, një për gjuhët native të Amerikës, një për studimet indoeuropiane, një për studimet keltike dhe një për studimet shqiptare: Scritti in onore di Eric Pratt Hamp per il suo 90. compleanno, edited by Giovanni Belluscio and Antonio Mendicino of the University of Calabria and published in 2010 (ISBN 9 788874 581016).
Ndër veprat e tij veçojmë: A Glossary of American Technical Linguistic Usage, 3d rev. ed., 1966; Vaccarizzo Albanese Phonology, 1993; Bashkautor: Language and Machines, 1966; Bashkeditor i Readings in Linguistics I & II, abridged ed., 1966; Languages and Areas: Studies presented to George V. Bobrinskoy, 1967; Themes in Linguistics: The 1970s, 1973; Hamp, Eric P., Martin Joos, Fred W. Householder, and Robert Austerlitz, editors Readings in Linguistics I & II. With a new Preface by Eric Hamp. Abridged edition. 302 p. 8½ × 11 1957, 1966, 1995; Hamp, Eric P. “Mabinogi.” Transactions of the Honourable Society of the Cymmrodorion . 1974-75. 243-49; Hamp, Eric. 1979. “Toward the history of Slavic scholarship,” Slovene Studies 1/2: 61-62; Hamp, Eric. 1988. “Indo-European o-grade deverbal thematics in Slovene,” Slovene Studies 10/1: 65-70; Hamp, Eric. 1989. “On the survival of Slovene o-grade deverbal thematics in Resian,” Slovene Studies 10/2: 171-173; Hamp, Eric. 1989. “Chronological marriage patterns in Resia,” Slovene Studies 10/2: 201-202; ; Hamp, Eric. 1996. “On the Indo-European origins of the retroflexes in Sanskrit.” The Journal of the American Oriental Society, October 21, 1996: 719-724; Hamp, Eric. 1999. “Mabinogi and Archaism” Celtica 23, 1999: 96-110; Hamp, Eric. 2007. “Studime krahasuese për shqipen” përgatitur nga Rexhep Ismajli Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë.
Ka qenë redaktor në shumë revista ndërkombëtare, ndërsa ka botuar studime gjithandej nëpër botë.
Eric Pratt Hamp ishte zgjedhur anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës qysh nga vitet ’90, anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë më vonë, njihet për ndihmesat e tij shumë të çmuara për studimet shqiptare: njohës i të folmeve arbëreshe të Greqisë e të Italisë qysh në vitet ’50 të shekullit të kaluar, ai ka bërë një varg përshkrimesh për shumë pika nga këto të folme, ashtu si dhe për të folmen e Mandricës në Bullgari; vepra e tij e madhe për të folmen e Vaka-ricës e përfunduar në fillim të viteve ‘50, pati mundësi të botohej anglisht dhe italisht vetëm në vitet ’90 në Kalabri; studimet e tij të ndryshme albanisitke, në formë artikujsh të shkurtë por gjithnjë proble-matizuese dhe me shumë tematizime, sidomos sa i përket historisë së gjuhës të parë nga aspektet e krahasimit në rrafshin indoeuropian, në rrafshin ballkanik dhe në aspektet e tjera, janë të shpërndara nëpër organe dhe revista të gjithë botës. Vetëm bibliografia e botimeve të tij përfshin një vëllim jo të vogël dhe gjithandej në ato studime shqipja del diku, shpesh si preokupim i parë, herë të tjera në funksione të tjera të ndërtimit të argumentit, gjithnjë me ide dhe shkëndijime që të çojnë më tej në ndriçimin e rrugës së njohjes.
Në vitin 2007 në ASHAK patëm mundësinë të botonim një vëllim me studime të përzgjedhura të Eric P. Hampit në 440 faqe me një shtojcë 12 faqesh në gjuhën shqipe, me titullin “Studime krahasuese për shqipen”. Përzgjedhjen, përgatitjen dhe një pjesë të përkthimeve e kishim bërë vetë, ndërsa pjesën tjetër e përkthyen kolegët Bardh Rugova, Rrahman Paçarizi, Shkumbin Munishi, Gazmend Bërlajolli e Besnik Pllana. Në Prishitnë profesor Hamp ka ardhur vazhdimisht ndër vite, ka marrë pjesë në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, ka mbajtur kontakte me kolegët në Kosovë, ka bashkëpunuar deri në shkallën sa të synonim projektin afatgjatë të studimeve kontrastive anglisht-shqip, për çka u nënshkrua marrëveshja midis Universitetit të Prishtinës dhe atij të Chicagos më 1980, por që nuk u vazhdua për shkak të rrethanave që patëm në Prishtinë pas vitit 1981. Gjatë gjithë atyre kohëve profesor Hampi ka qenë vrojtues shumë i vëmendshëm i zhvillimeve.
Në vitin 2010 Universiteti i Kalabrisë botoi vëllimin 430 faqesh me studime albanologjike me rastin e 90-vjetorit të lindjes së professor Eric P. Hampit, vëllim në të cilin pati prurje nga të gjitha anët. Kalabria dhe arbëreshët e Italisë, por edhe arbërorët e Greqisë në njëfarë mënyre ishin bërë atdheu i dytë i Profesor Hampit.
Profesor Hamp kishte diapazon shumë të gjerë të dijeve, pra edhe të kontakteve. Për punën dhe veprën e tij kanë shprehur miradije dhe respekt ekspertët në shumë anë të botës, pikë së pari në Amerikën e tij, pastaj në të gjitha vendet e Ballkanit dhe të Europës, po edhe në mjaft vende aziatike.
Zhvillimet në Kosovë dhe në botën shqiptare të viteve ’90 Eric Pratt Hampi i ndiqte me vëmendje. Merrte pjesë në veprimtaritë e ndryshme shkencore, ndonjëherë dhe kulturore, por syrit të tij nuk i shpëtonin as zhvillimet e tjera. Në kohët dramatike në Kosovën e pjesës së dytë të viteve ’90 ai rrinte në kontakt me kolegët në këto anë, për aq sa ishte e mundur, solidarizohej në mënyra të ndryshme me ta, por në të njëjtën kohë i ndiqte me vëmendje zhvillimet përmes rrugëve amerikane të informimit. Në kohën e Rambujesë, ai e kishte ndjerë të nevojshme të komunikonte dhe me levat e rëndësishme amerikane në Konferencë, duke shprehur mendimin e tij për disa aspekte sipas tij të rëndësishme për Kosovën në ato çaste.
Profesor Hamp i ka ndjekur me shumë vëmendje rrjedhat e 70 vjetëve të fundit në botën shqiptare, ka qenë gjithnjë në ndihmë të lëvizjeve për zhvillim e përparim, qoftë drejtpërdrejtë përmes bashkëpunimit, apo përmes nxitjes së studimeve albanologjike në SHBA, apo edhe të nxitjes për veprime në ndihmë tek autoritetet amerikane në kohët më të vështira.
Me shuarjen e profesor Eric Pratt Hamp-it familja dhe miqtë kanë humbur më të dashurin e tyre, ndërsa studimet albanistike kanë humbur një nga shtyllat e tyre më të mëdha ndërkombëtare, bota shkencore ka humbur studiuesin e shquar të fushave të gjuhësisë krahasimtare, keltologjia njërin nga studiuesit më të veçantë, ballkanistika në përgjithësi ka humbur njërin prej ideuesve gjithnjë të rinj, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës njçë nga anëtarët dhe mbështetësit e saj të shquar.
U shprehim ngushëllimet më të përzemërta familjes, miqve dhe kolegëve gjithandej. /KultPlus.com
Zëri i këngëtares së famshme që ndërroi jetë rreth 8 vite më parë, Amy Winehouse mund të dëgjohet në këngën e re, “Find My Love”, të producentit Salaam Remi.
Kënga e re pritet të jetë pjesë e përmbledhjes së re të Remi, “Do it for the Culture 2”, ndërsa në të këndon edhe reperi Nas.
Besohet se incizimi i një pjese të kësaj këngë është bërë gjatë kohës kur Amy bashkëpunonte me producentin e njohur muzikor, i cili më pas ka bërë një kombinim me reperin amerikan.
Kujtojmë që albumi i publikuar pas vdekjes së Winehouse, “Lioness: Hidden Treasures” (që ishte një përmbledhje e këngëve të publikuara dhe demo incizime) zuri vendin e parë në top-listat britanike duke vënë rekord për shumë shitje brenda javës së parë – transmeton BBC. /KultPlus.com
Piktori Avni Delvina sjell për publikun 46 tablo, të cilat kanë në qendër veprimet edhe ndikimet social-politike të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, që prezantohen në ekspozitën e çelur në Muzeun Historik Kombëtar.
Delvina të vërtetën e tij e sjell nëpërmjet mjeteve të ndryshme artistike. Artisti nëpërmjet fotomontazhit, të cilin e pasuron me linja grafike i jep veprës një personalitet artistik, duke përcjellë emocionet tek artdashësit.
Avni Delvina rrjedh nga një familje me tradita historike edhe patriotike. Ndonëse i larguar para 30 vitesh në Itali lidhjet me Shqipërinë janë shumë të forta dhe këtë e tregon dhe çelja e kësaj ekspozite në Tiranë.
Ekspozita do të qëndroj hapur në Muzeun Historik Kombëtar, deri në datë 23 shkurt. /a.a/ KultPlus.com
Monumentet e kulturës dhe vendet e kultit po përgatiten për të pritur turistët vendas dhe të huaj në këtë fillim sezoni turistik.
Institucionet dhe ekspertët përgjegjës për këto monumente po inspektojnë nga afër gjendjen e tyre, duke kontribuar si në mirëmbajtje gjithashtu dhe në rijetëzimin e tyre.
Një tjetër destinacion i denjë dhe gjithashtu vend kulti është gati të mirëpresë turistët. Në fshatin Kurjan të zonës së Roskovecit në Fier është restauruar Kisha e Shën Kollit, e cila është ndërtuar që në shekullin XIII, në stilin bizantin.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga Kisha e Shën Kollit.
“MIRËMËNGJES, dhe me këto pamje fantastike të Kishës së Shën Kollit në Kurjan të Roskovecit, e shpëtuar dhe e nxjerrë në dritë si një pasuri e çmuar për tërë zonën e Myzeqesë, ju uroj një javë sa më të mbarë”, shkruan Rama.
Kisha e Shën Kollit mbart vlera të rëndësishme të trashëgimisë historiko- kulturore dhe është shpallur Monument i kategorisë së parë në vitin 1963.
Kisha e Shën Kollit një ndërtim i tipit trikonkësh është ndërtuar me muraturë me tulla të kuqe dhe gurë të skuadruartek qoshet, kjo faltore është ndërtuar në shekullin XIII në stilin bizantin.
E përbërë nga Naosi (salla) dhe narteksi (parasalla) kisha e Shën Kollit, siç quhet nga vendasit, dikur mbulohej nga një qemer cilindrik tipik për kishat ortodokse.
Pikturat murale që zbukurojnë brendësinë e kësaj kishe, janë veprat e ikonografit Nikolla, biri i Onufrit dhe ndihmësit të tij, Joanit.
Ndërhyrjet që janë bërë në këtë kishë konsistojnë në restaurimin e çatisë, muraturës, fasadës së objektit, pikturës murale dhe sistemimin e ambienteve përreth objektit. /a.g/ KultPlus.com
Ylli i muzikës pop e ka botën në dorë pasi është bërë artistja më e nominuar në Brits Awards për të dytin vit radhazi – kështu e nis artikullin The Sun për këngëtaren e famshme shqiptare.
Ajo po ashtu i fitoi dy çmime Grammy të dielën e kaluar, është shpallur artistja më e dëgjuar e vitit 2018, ndërsa të premten u bë me figurë dylli në Madame Tussaud të Londrës.
Por – vazhdon artikulli – mund të themi se derisa Dua ishte duke shkruar dhe realizuar muzikën e saj, 23-vjeçarja jetonte me familjen e saj në një banesë të ngushtë në Londër.
The Sun on Sunday ka kontaktuar me miqtë e këngëtares dhe ish-fqinjët e saj për të biseduar lidhur me rrugëtimin e jashtëzakonshëm të vajzës së refugjatëve nga Kosova drejt famës. Fama e të cilës padyshim se do të rritet pas ceremonisë së Brit Awards që zhvillohet të mërkurën.
Siç thuhet në artikull, shoqja e saj Zana Veseli, të cilën Dua e ka njohur që nga fëmijëria, ka thënë se fama nuk e ka ndryshuar këngëtaren e bukur.
Dua i fitoi dy çmime Grammy këtë edicion (Foto: Amanda Edwards/Getty Images/Guliver)
“Dua është personi i njëjtë që ka qenë gjithmonë. Gjatë gjithë jetës ka dashur të bëhet yll i muzikës pop. Është e mrekullueshme që po fiton aq shumë çmime”, citohet të ketë thënë Zana.
Fqinja 55-vjeçare, Ana Antunes, ka treguar se e kishte parë Duan duke u kthyer në banesën tredhomëshe pas ndejave të ndryshme.Dua jetonte në një banesë në Londrën Veriperëndimore (Foto: Oliver Dixon – The Sun)
Më tej, The Sun tregon për largimin e familjes së Duas nga Kosova në vitin 1992, si pasojë e shtypjes së popullatës shqiptare nga regjimi serb, si edhe për gjyshin e saj, Seit Lipa (që ka vdekur në vitin 1999), i cili ka qenë kreu i Institutit të Historisë, refuzimin e tij për t’i rishkruar librat e historisë dhe largimin nga puna.
“Ishte një periudhë shumë e frikshme. I mbyllën të gjitha shkollat dhe mediat. Secili akademik ishte shënjestër. Njerëzit zhdukeshin. Familja ishte në rrezik. Ata duhej të iknin”, citohet të ketë thënë kompozitori dhe miku i familjes, Florent Boshnjaku.T
Dua lindi në vitin 1995, tre vite pasi prindërit e saj kërkuan azil në Mbretërinë e Bashkuar dhe u vendosën në kryeqytetin britanik. Prindërit e saj punonin nëpër kafene dhe bare, ndërsa në mbrëmje, babai i saj shkonte në kurse biznesi, derisa nëna e këngëtares mësonte për udhëtime dhe turizëm.
Kur Dua ishte 11 vjeçe (2006) dhe lufta në Kosovë kishte kohë që kishte mbaruar, familja e saj u kthye në shtëpi. Mirëpo, katër vite më pas, këngëtarja u kthye në Londër për të jetuar me një shoqe. Krahas shkollës së mesme, në fundjavë ajo shkonte në një shkollë teatri.
“Akoma më kujtohet kur më tha se do të kthehej në Londër. Më tha se donte të shkojë në shkollë dhe të punonte si modele. Nuk besoja se mund të qëndronte më shumë se një muaj, ishte akoma një vajzë e vogël…”, ka treguar shoqja e saj, Zana.
Por, Dua ishte e përkushtuar, e talentuar dhe fokus kryesor e kishte muzikën. “Kur shkonim për pushime në Mal të Zi, këndonim me furçat e flokëve. Këndonte aq shumë, saqë më duhej t’i kërkoja të ndalej”, ka thënë më tej shoqja e saj.
Familja e Duas u kthye në Londër në vitin 2012 dhe ajo u vendos me ta në banesën në West Hampstead, e cila ishte shtëpia e tyre deri në mars të vitit të kaluar. Ajo dhe familja e saj tash kanë një shtëpi luksoze në Kilburn të Londrës Veriore.
Dua fitoi dy çmime në ‘Brit Awards 2018’ (Foto: John Phillips/Getty Images/Guliver)
Përmes YouTube drejt majës
Vera 2009: Filloi të publikojë versione (‘cover’) të këngëve në YouTube
Gusht 2015: Lanson këngën e parë, “New Love”
Qershor 2017: Performon në Glastonbury
Korrik 2017: “New Rules” nga albumi “Dua Lipa” bëhet kënga e parë që kryeson në top-lista
Shkurt 2018: Pesë nominime në Brit Awards, më shumë se kushdo tjetër – i fiton dy
Dhjetor 2018: Bashkëpunimi me Calvin Harris, “One Kiss”, është kënga më e shitur e vitit 2018
Janar 2019: Katër nominime në Brit Awards
Shkurt 2019: Fiton dy çmime Grammy
Ishte viti 2015 kur një producent e kishte dëgjuar në YouTube versionin e Duas të këngës “Cocoa Butter Kisses” nga Chance The Rapper dhe më pas ajo nënshkroi për Warner Music Group.
Dy vite më pas u lansua albumi i saj i parë (“Dua Lipa”) dhe u përfshi në shumë top-lista me këngët e suksesshme, si “Be The One” dhe “New Rules” që u rendit e para. Në vitin e kaluar, ajo u kurorëzua si artistja britanike më e mirë solo dhe zbulimi i vitit në Brit Awards.
Hitet më të vonshme, “One Kiss” me Calvin Harris dhe “IDGAF” janë nominuar për këngën më të mirë britanike dhe videon më të mirë për ceremoninë e të mërkurës (20 shkurt).
Në vitin 2017, ajo kishte përfituar dy milionë funte (2.3 milionë euro), për dallim nga viti 2015 kur kishte përfituar vetëm 11.000 funte (12.570 euro).
Këngët që po shndërrohen në hite, dukja e zjarrtë dhe pamja emblemë prej një zeshkaneje, i kanë ndihmuar që krijojë një bazë të fuqishme të fansave, ndërkohë që është në lidhje me modelin dhe shefin e kuzhinës, 32-vjeçarin Isaac Carew.
Jam shumë krenare për gjithçka që ka arritur pa ndryshuar aspak. Ndihem krenare që e quaj shoqja ime më e mirë”, ka shtuar Zana. /Telegrafi/ KultPlus.com
Pas lajmit të madh javë më parë për sukseset e shqiptarit Gezim Gashi i cili u bë shqiptari i parë që hap shkollë të muzikës në Los Angeles, tashmë na vijnë lajmet e tjera gjithmonë e më befasuese, shkruan KultPlus.
Gezim Gashi është shqiptari më i njohur në Suedi sa i përket
botës së artit, por sukseset e tij tashmë kanë shpërthyer në Amerikë e tutje.
Gashi ka konfirmuar për KultPlus se tashmë po e hap shkollën e dytë për muzikë në
Atlanta dhe këtë lajm emocionues ai ka vendosur ta ndajë me të gjithë pikërisht
ditën e djeshme, ditën e Pavarësisë së Kosovës, duke dashur kështu që urimi i
tij të jetë përmes punës dhe sukseseve në të mirë të vendit.
Familja e tij u largua nga Kosova për në Suedi në vitin 1992, ata punuan pa ndalur atje, por Gashi dy vitet e fundit ka zhvilluar edhe markën për shkolla dhe kompani të tjera në Suedi dhe Evropë të titulluat ‘By Gezim Gashi’ duke bashkëpunuar me shkollat më me nam në Amerikë dhe jo vetëm.
By Gezim Gashi tashmë ka bashkëpunuar edhe me Landmark
Christian School në Fairburn, GA, për të zhvilluar dhe nisur një platformë
muzikore unike në Atlanta për studentët e interesuar në industrinë e muzikës,
The Landmark Music Academy, do të hapet këtë vit në Atlanta, GA.
Fillimi i Akademisë së Muzikës paraqet një marrëdhënie emocionuese
midis udhëheqësve të shkollës dhe industrisë, duke kombinuar platformën
përfundimtare të një rrjeti profesional me një arsimim të pasur, relevant dhe
të dobishme. Kjo ofertë tërheq brezin më të ri të talenteve muzikore në Atlanta
të Landmark, duke i zhvilluar ata për një të ardhme dinamike në industrinë e
muzikës.
Momentalisht kjo shkollë është duke bashkëpunuar me kompaninë suedeze, By Gezim Gashi, për zhvillimin e platformës muzikore. Gashi, një sipërmarrës i përhershëm dhe student i Harvard Business, ka zhvilluar markë për shkollat muzikore që po udhëheqin dhe për kompanitë e tjera në Suedi, Evropë dhe Shtetet e Bashkuara. Puna e tij inovative është njohur nga revista Forbes dhe Huffington Post.
Gashi thotë: “Unë jam i ngazëllyer për këtë udhëtim të
mahnitshëm në Atlanta! Industria e muzikës është e madhe këtu dhe së bashku me këtë
Akademi muzikore shumë të rëndësishme do të krijojmë një platformë unike për
industrinë muzikore të Atlanta”.
Drejtori i shkollës, Dr. Jason McMaster thotë që: “Akademia
e Muzikës primare e ka nisjen e zbulimit të artistëve të rinj.
“Jemi të kënaqur të japim një program të tillë inovativ për gjeneratën e ardhshme dhe ky është vetëm fillimi. Gezim Gashi është një nga më të mirët në fushën e tij dhe është një talent i mrekullueshëm, unë jam shumë krenar që e kam atë si pjesë të këtij projekti të ri në arsim “, komenton McMaster.
https://www.instagram.com/p/Bt-1PBQAlHm/
Akademia e Muzikës ofron udhëzime të përditshme vokale dhe
instrumentale, performancë, shkrim, prodhim muzikor, regjistrim digjital dhe
klasa biznesi në fushën e marketingut dhe të markës për këtë industri gjithnjë
në ndryshim.
Gezim Gashi, po punon fuqishëm në rrugën që ka nisur dhe sukseset e tij po bëjnë krenarë të gjithë shqiptarët. /KultPlus.com