Rita kujton kohën e koncertit në Prishtinë: Jam mirënjohëse për vendlindjen time, performancë para 300 mijë personave

 

Kosova ka festuar gjatë gjithë ditës së djeshme përvjetorin e 11-të të pavarësisë.

Shumë personalitete të sferave të ndryshme kanë uruar me këtë rast qytetarët e vendit tonë për këtë festë.

Një prej tyre ishte edhe Rita Ora, e cila vitin e kaluar ka mbajtur një koncert gjigant në sheshet e kryeqytetit, Prishtinës.

E me rastin e kësaj date të shënuar për ne, 28-vjeçarja ka bërë një kolazh me video nga koncerti që sipas saj, ishin prezent mbi 300 mijë persona.

“Urime ditën e Pavarësisë, Kosovë. Mirënjohës që të thërras shtëpi. Më kujtohet koha kur u ktheva për herë të parë për të filmuar videot e mia muzikore me Emil Nava për një këngë që e kam shkruar e frymëzuar nga Kosova që quhet ‘Shine ya light in 2012’! Që pastaj të kthehem vitin e kaluar për të bërë një koncert me mbi 300 mijë njerëz! Çfarë ndjenje e pabesueshme!”, ka shkruar biondina në Instagram.Të gjitha lajmet rreth Rita Orës

Theksojmë se prindërit e Rita Orës janë me prejardhje nga qytetit i Gjakovës dhe këtë disa herë Rita me krenari e ka thënë se është nga Kosova.

Ndryshe, Rita është duke shijuar sukseset e albumit më të fundit të quajtur Phoenix, të cilën e nxori në shtije vitin e kaluar. /Telegrafi/ KultPlus.com

Ekspozita ‘ICY’ nga Neroni, me 20 shkurt në Prishtinë

Bashkimi Evropian në Kosovë gjithmonë ka ndihmuar në kulturën dhe artin e vendit, kësisoj duke përkrahur edhe artistët e rinj dhe vizionin e tyre.

Me datë 20 shkurt, duke filluar prej orës 19:00, në Qendrën Informative dhe Kulturore të BE-së do të hapet ekspozita ‘ICY’ nga Neron Deshishku.

Ekspozita e fotografisë sjellë disa punë artistike të Neronit ndër vite, fotografi të cilat Neroni me aparatin e tij i ka kapur në kohën dhe momentin e duhur duke përcjellë kësisoj emocionin e mishëruar në pamje vizuele. Për Neronin, fotografia si medium i shprehjes artistike mund ta ndryshojë mendimin tonë për botën, dhe perspektivën tonë mbi të.

https://www.instagram.com/p/BsRSat6nVP0/?utm_source=ig_web_copy_link

Neroni ka nisur të merret me fotografi qysh i vogël, i ndihmuar nga babai i tij, ndërsa ka eksperimentuar edhe me film, muzikë, poezi.

Fotografia më pas u bë mënyra e tij kryesore e shprehjes artistike. Nisur prej fytyrave të njerëzve, momenteve të mira, peizazheve të bukura, në këtë ekspozitë do të mund të zbuloni mbi sytë e Neronit që shkrihen në lensin e aparatit dhe dokumentojnë fotografi që mbesin përgjithmonë të printuara në kujtesë, shkruan KultPlus.

https://www.instagram.com/p/Bp70_YZndae/?utm_source=ig_web_copy_link

Në vitin 2018-të, Neroni ka diplomuar nga Speos Paris Photographic Institute. / KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/BsK7S-GH2Eg/?utm_source=ig_web_copy_link

Pas presioneve të aktorëve dhe regjisorëve, Oscar do të ndajë çmimet gjatë transmetimit “live”

Organizatorët e ceremonisë së çmimeve Oscar fillimisht kishin për synim që t’i ndajnë katër çmime gjatë transmetimit të reklamave, por gjithçka ka ndryshuar pas kundërshtimit të regjisorëve dhe aktorëve.

Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit ka njoftuar se ka “marrë reagime” nga anëtarët e saj dhe se të gjitha 24 çmimet do të jepen në transmetim të drejtpërdrejtë.

Më parë këtë javë, Akademia njoftoi se çmimet për fotografinë më të mirë, instalimin, veshjeve si dhe “make-up” do të ndahen gjatë kohës sa transmetohen reklamat.

Statuja e Oscarit (Foto: Andrew H. Walker/Getty Images/Guliver)

Objektivi ishte që e gjithë ceremonia e ndarjes së çmimeve të përfundoj brenda tri orëve pasi që ka pasur reagime të mëdha të shikuesve se festivali po shndërrohet në komercializëm.

Por, në një letër të hapur, të nënshkruar nga regjisorët, Martin Scorsese dhe Spike Lee, aktorët Robert De Niro dhe George Clooney, si dhe më shumë se 50 emra të tjerë të njohur në Hollywood, Akademia ka bërë që ndryshoj vendimin e marrë muaj më parë.

Ndryshe, 24 trofe presin që t’iu dorëzohen artistëve të ndryshëm në ceremoninë që do të mbahet më 24 shkurt në Dolby Theatre të Los Anelesit. /Telegrafi/ KultPlus.com

Asnjë shesh qendror nuk mban emrin “17 Shkurti”, ajo në Prishtinë s’është as 300 metra e gjatë

Kjo rrugë në Prishtinë e emërtuar me datën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, “17 shkurti”, nuk është më e gjatë se 300 metra.

Ndryshe nga sheshet apo edhe rrugët qendrore, për qytetarët ajo është pothuajse e panjohur.

Rrugë të ngjashme dytësore të emërtuara “17 shkurti”, përgjatë këtyre 11 vjetëve të pavarësisë në gjithë vendin, janë edhe 21 të tjera sikurse kjo në Fushë Kosovë.

Në Agjencinë Kadastrale të Kosovës kanë thënë se asnjë shesh apo rrugë kryesore nuk është emërtuar me datën e shpalljes së pavarësisë.

17 shkurti duhet të jetë emër sheshi, thonë qytetarët të cilët e kërkojnë këtë nga kuvendet komunale.

Por, ka edhe të atille që thonë se jo gjithçka duhet të lidhet me pavarësinë.

Ndërsa, përveç emërtimit “17 shkurti”, sipas të dhënave, 21 komuna kanë vënë emra rrugësh edhe si “Pavarësia”. Edhe ato, sipas Ahmetit, janë rrugë dytësore. Ndërkohë, është vetëm një rrugë në vend që mban emrin “Pavarësia e Kosovës”. /Koha/ KultPlus.com


Zbulohet data e sezonit të fundit të “Game of Thrones”

Adhuruesit e “Game of Thrones” (Fronit të Shpatave) e kanë ndjekur me besnikeri serialin për 8 vite. Tani, presidenti i “HBO”-së, Casey Bloys thotë se ka parë seritë përfundimtare të sagës së jashtëzakonshme, e shprehet i bindur se fansat do të mbeten të kënaqur me fundin e saj.

”Ato që pashë më krijojnë bindjen e plotë se, fansat e serialit do të mbeten mjaft të kënaqur me këtë sezon. Mënyra sesi seritë mbyllen është dramatike dhe emocionuese. Besoj se do të përmbushë pritshmëritë e të gjithëve”, tha Casey Bloys, president i ”HBO”-së.

Por, Bloys sigurisht që nuk dha detaje, duke vazhduar ta ruajë misterin deri në fund. Komploti i serive të fundit po mbahet i fshehtë me shumë fanatizëm, megjithatë fansat kanë arritur të krijojnë disa ide nga fotot e reja të bëra publike, në bazë të të cilave arritën të identifikojne 13 personazhet që do të kenë vijimësi dhe fatin që mund t’i presë ata.

Sezoni i tetë dhe i fundit i “Game of Thrones” nis më 14 prill. /a.a/ KultPlus.com

“Piramida” e Tiranës, muzeu më i nëmur në botë!

Kush kalon ditët e fundit para Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës “Pjetër Arbnori apo ish-Muzeut “Enver Hoxha”, do ta kapë një trishtim instiktiv. Dera hyrëse dhe mjedisi frontal i të ashtuquajturës “Piramidë” janë shkatërruar krejtësisht dhe bjerrja vazhdon me forcë për çdo ditë. Në atë që jemi mësuar në kryeqytetin tonë, zakonisht prishjet i paraprijnë modifikimeve ose shkatërrimeve. Trishtimi justifikon edhe pafuqinë e njerëzve për të ruajtur gjërat e mira të qytetit tonë, por edhe bjerrjen pa kthim të një godine që është ende e re dhe kurrë nuk iu gjet justifikimi i duhur funksionalitetit të saj.

Duke kaluar pak në retrospektivë, publiku kryeqytetas u trand realisht, kur gati tetë vjet më parë, në përçartjet e atëhershme politike, një vendim i qeverisë Berisha, vendosi të prishë Ngrehinën muzeale dhe ta kthente në ndërtesën e re të parlamentit. Siç ndodh rëndom u gjendën arkitektët që e mbështetën plotësisht dhe e deklaruan padobinë e objektit, të tjerët që sollën maketet e godinave të reja mbi shkatërrimin e saj(u përgatitën disa syresh në sallat e Kuvendit) u shtuan kinset që e identifikuan si mbeturinë të komunizmit, ndërtesën e vjetër gati 30-vjeçare (!!!), kurse një masë e madhe publiku nënshkroi një peticion në mbrojtje, për të mbajtur gjallë, një prej simboleve të kryeqytetit.

Ish-muzeu “Enver Hoxha” u përurua në vitin 1988 dhe u realizua nga arkitekti i ndjerë Klement Kolaneci dhe bashkëshortja e tij, Pranvera Hoxha, respektivisht dhëndri dhe e bija e personazhit, të cilit i ishte kushtuar ngrehina. Arkitekti, në të gjallë, në kohën e Demokracisë do ta përmendte shpesh se godina mund të modifikohej lehtësisht për funksione të tjera, kurse sa i përket formës së saj arkitektonike, që gjatë lëvizjes studentore të Dhjetorit 1990, u pagëzua si “Piramida”, ai e shpjegonte lehtësisht dhe qartë se kishte formën e një shqiponje.

Godina e mrekullueshme sa i përket hapësirave ruan ende një formë harmonioze, kurse arkitektët tanë me këtë zgjidhje tejkaluan një nga detyrat e vështira të objekteve të këtij lloji. Për specialistët godina është e vlerësueshme në çdo kohë dhe kjo i bënte nder historisë sonë të arkitekturës, paçka se shumë kolegë të Kolonecit do ta hidhnin turpërisht poshtë. Paradoksalisht, shumë syresh gjenin gjithnjë justifikime për godinat në epokat historike që nga periudha e perandorisë osmane, monarkisë, fashizmit, periudhës sovjetike, nuk mundeshin të justifikonin fatin e godinës të ngritur me aq shumë vështirësi dhe me kosto të lartë për vendin.

Autori mendon sërish se Debati për “Piramidën”, paçka se është folur do të bëhet një qendër e madhe inovacioni, duhet të risjellë apelin e madh që kjo godinë duhet të bëhet Bibliotekë Kombëtare, në mënyrë që të justifikojë rëndësinë e vet, por edhe t’i japë zgjidhje problemit pa zgjidhje të këtij institucioni. Për fat të keq, megjithë punën gati heroike të punonjësve të saj, Biblioteka e sotme Kombëtare vuan pamundësinë e kryerjes si duhet të funksioneve të saj për shkak të vendit, por edhe hapësirave të duhura. “Apelet e zyrtarëve të saj, kushtet jo të mira me të cilat mirëmbahen sot ekzemplarët e rralla, por edhe vëllimet e shumta të dëmtuara kanë nxjerrë imperativin, që godina e Bibliotekës duhej të ishte dikund tjetër. Duket se mungesa e zërit për të përfaqësuar si duhet këtë problem i rëndon të gjithë institucionet tona të kulturës, që nga Ministria e Kulturës që duhen vlerësuar nga ana tjetër për rezistencën që i bënë Berishës dhe strukturave të tij për të prishur, por në rresht të tjerave”, kemi shkruar pak kohë më parë.

Nuk do shumë punë, paçka se vendi ynë në këto momente ka probleme të mëdha. Ndoshta me një modifikim fare të lehtë arkitektonik, Piramida mund të bëhej fare mirë Biblioteka Kombëtare, duke harmonizuar të gjithë interierin, mjediset e saj ndihmëse, por mbase edhe ndonjë shtesë e çfarëdo rëndësie mund ta ndihte shumë objektin, duke na dhënë një simbol identiteti kulturor, që Shqipëria nuk e ka sot e kësaj dite. Një shembull i bukur është ngrehina e Bibliotekës së Prishtinës, e cila përcjell në format e saj dhe një simbolikë të duhur për qytetin. Duke respektuar zgjidhjen, kjo bibliotekë mund të ofrojë dhe alternativat e jashtëzakonshme të kibernetikës, duke i vendosur brenda bibliotekën dhe duke paraprirë me zgjidhjet e saj.

Biblioteka Kombëtare u inincua më 10 Korrik 1920 nën drejtimin e prof. Mati Logorecit, që u komandua asokohe nga Ministria e Arsimit. Në fillim ishin vetëm 3000 vëllime në ngrehinën e parë që shërbeu si bibliotekë, kurse sot ajo ruan thesarin kulturor të shkruar të kombit tonë ndër shekuj. Në të gjendet libri më i vjetër i shqipes (kopja e riprodhuar nga At Justin Rrota e “Mesharit” të Gjon Buzukut). Karl Gurakuqi do t’i jepte një frymëmarrje dhe si drejtori i parë i përkohshëm do të bëjë inaugurimin simbolik të institucionit më 28 nëntor 1922. Kjo është historia, por përjetësia e këtij institucioni nuk mund të jetë kurrë aty, të paktën me fytyrën që ka Shqipëria pas 110 vjetësh ekzistencë si shtet.

Për fat të keq, katandisja e këtij institucioni në këtë formë është një kambanë e trishtë për të gjithë kulturën shqiptare/Ben Andoni, Milosao. / KultPlus.com

Artistja që shndërron mbeturinat në bizhuteri

Me një thes në shpinë, artistja Mariya Sorokina çdo fundjavë shkon në qendrën për riciklim në Kiev të Ukrainës për të çuar mbeturinat. 

Për dallim prej recikluesve të tjerë, ajo kthehet në shtëpi me “thesar” apo plastikë të ricikluar, të cilën e shndërron në aksesorë glamurozë. Shndërrimi i plastikës në produkte me vlerë ose formë arti është në modë nga artistët. 

E motivuar nga pasioni për modën dhe dëshirën që ta mbajë Ukrainën e pastër, Sorokina 27-vjeçare themeloi kompaninë e modës në prill të vitit 2018 dhe shet vëth e bizhuteri të tjera prej plastike. Ajo thotë se projekti kishte lindur nga koncepti prej fjalisë “bërlloku është thesar” dhe do që mbeturinat të konsiderohen burim për gjëra të mira. 

Vetëm disa muaj më vonë projekti i saj u shfaq në Javën e Modës në Ukrainë. Ajo bashkëpunoi me dizajnerin Roussin për koleksionin pranverë-verë. Sorokina kërkon shishe shamponi dhe material me ngjyra, të cilat i përdor për dizajnim të vëthëve. Shpesh kërkon ngjyra të veçanta për t’iu përshtatur kërkesave të klientëve. 

Ngjashëm si qendra e riciklimit, një rrjet i salloneve të bukurisë kanë filluar furnizimin me shishe të zbrazëta.

Teatri “Bylis” rihap dyert në mars me pamje të re

Teatri Bylis në Fier pritet të rihapet për artdashësit në muajin mars, ndërsa po i nënshtrohet rikonstruksionit të parë në 5 dekada.

Fillimi i muajit mars pritet ta gjejë teatrin Bylis në Fier me një pamje të re. Godina është në fazën përfundimtare të rikonstruksionit të parë pas 50 vitesh.

Ndërhyrja është e gjithanshme nga skena deri tek fasada, duke krijuar kushte më të mirë për aktorët dhe artdashësit fierakë.

Gjatë periudhës gati 1 vjeçare të rikonstruksionit, trupa e aktorëve fierakë ka zhvilluar turne thuajse në të gjitha skenat artistike të vendit, ndërsa tashmë pret të rikthehet në shtëpi.

Teatri Bylis është krijuar në vitin 1971, ndërsa salla e tij ka një kapacitet për 480 spektatorë./ ata

“Plaga është vendi ku drita hyn brenda teje”

“Detyra jote nuk është të kërkosh dashurinë, por thjesht të kërkosh dhe gjesh gjithë pengesat brenda teje, që i ke ndërtuar për ta penguar atë”.

“Plaga është vendi ku Drita hyn brenda teje”.

“Mjaft veprove sikur je kaq i vogël. Ti je Universi në lëvizje prej ekstaze”.

“Ajo që ti kërkon është duke të kërkuar ty”.

“Mos vajto. Çdo gjë që ti humbet, të vjen përsëri në një tjetër formë”.

“Ti ke lindur me krahë, përse preferon të zvarritesh gjatë jetës tënde?”

“Dje isha i zgjuar, kështu që doja të ndryshoja botën. Sot jam i mençur, kështu që po ndryshoj veten time”.

“Harroje sigurinë

Jeto aty ku dëshiron të jetosh

Harroje reputacionin

Bëhu i njohur”.

“Kur i bën gjërat nga shpirti, ndien një lumë që lëviz brenda teje, gëzimin”.

“Mos u kënaq me histori, se si gjërat kanë ndodhur me të tjerët. Shpalos mitin tënd”.

“Kur jam me ty, ne rrijmë zgjuar gjithë natën.

Kur nuk je këtu, num mundem të fle.

Lavdi Zotit për këto dy pagjumësi!

Dhe dallimin mes tyre”.

“Trokit, dhe Ai do të të hapë derën

Zhduku, dhe ai do të të bëjë të shkëlqesh si Dielli

Rrëzohu, dhe Ai do të të ngrejë në qiell

Bëhu një hiç, dhe ai do të të shndërrojë në gjithçka”.

“Heshtja është gjuha e Zotit.

Gjithçka tjetër është përkthim i keq”.

“Ngri fjalët e tua, jo zërin tënd. Eshtë shiu që i rrit lulet, jo bubullimat”.

“Injoroji ata që të bëjnë të ndiesh frikë dhe trishtim, që të degradojnë e të shpien drejt sëmundjes e vdekjes”.

“Atje ku ka rrënoja, ka edhe shpresë për një thesar”.

“Gjithçka në Univers është brenda teje. Kërkoje gjithçka nga vetja”.

“Dua të këndoj si këndojnë zogjtë, pa e vrarë mendjen se kush dëgjon, apo çfarë mendojnë”. / Përgatiti në shqip: bota.al

‘Koha është e maskarenjve, po atdheu i shqiptarëve’

Poezi nga Ali Asllani

Që nga Korça gjer te Shkodra mbretëron një errësirë,
nëpër fusha, nëpër kodra, vërshëllen një egërsirë!
Pra, o burra, hani, pini, hani, pini or’ e ças,
Për çakallin, nat’ e errët, është ras’ e deli ras’!

Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka,
të pabrek’ ju gjeti dreka, milionier’ ju gjeti darka!
Hani, pini e rrëmbeni, mbushni arka, mbushni xhepe,
gjersa populli bujar t’ju përgjigjet: peqe, lepe!

Ai rron për zotrinë tuaj, pun’ e tija, djers’ e ballit,
ësht’ kafshit për gojën tuaj. Rroftë goja e çakallit!
Shyqyr zotit, s’ka më mirë, lumturi dhe bukuri,
dhe kur vjen e ju qan hallin, varni buz’ edhe turi!

Hani, pini dhe rrëmbeni, është koha e çakenjvet;
hani, pini e rrëmbeni, ësht’ bot e maskarenjve;
Hani, pini, vidhni, mblidhni gjith’ aksione, monopole,
ekselenca dhe shkëlqesa, tuti quanti come vuole!

Nënshkrim i zotris suaj nëpër banka vlen milion,
ju shkëlqen në kraharuar dekorata “Grand Cordon”!
Dhe kërkoni me ballhapur (!) komb i varfër t’ju thërres’
gjith me emrin tingëllonjës: Ekselenca e Shkëlqes’
dhe të quheni përhera luftëtar’ e patriot’,
në ka zot dhe do duroj’, posht ky zot, ky palo zot!

Grand Kordon i zotris’sate, që në gji të kan’ vendosur,
ësht’ pështyma e gjakosur e atdheut të veremosur;
dhe kolltuku ku ke hipur, duke hequr nderin zvarr’,
ësht’ trikëmbshi që përdita varet kombi në litar!
Dhe zotrote kullurdise, diç, u bëre e pandeh,
kundër burrit të vërtetë zë e vjell e zë e leh!

E na tunde, na lëkunde, nëpër salla shkon e shkunde,
mbasi dora e armikut ty me shok’ të heq për hunde.
Rroftë miku yt i huaj, që për dita los e qesh,
të gradoi katër shkallë, pse i the dy fjal’ në vesh!

Koha dridhet e përdridhet, do vij’ dita që do zgjidhet
dhe nga trasta pem’ e kalbur doemos jasht’ do hidhet!
Koha dridhet e përdridhet, prej gradimit katër shkallë
nuk do mbetet gjë në dorë veç se vul’ e zezë në ballë!

Mirpo ju që s’keni pasur as nevoj’ as gjë të keqe,
më përpara nga të gjithë, ju i thatë armikut: “Peqe!”
Që të zinit një kolltuk, aq u ulët u përkulët,
sa në pragun e armikut vajtët si kopil u ngulët!
As ju hahet, as ju pihet, vetëm titulli ju kihet…
Teksa fshat’ i varfër digjet… kryekurva nis e krihet!

Sidomos ju dredharakë, ju me zemra aq të nxira,
ju dinakë, ju shushunja, ju gjahtar’ në errësira!
Ç’na pa syri, ç’na pa syri!… Hunda juaj ku nuk hyri:
te i miri, te i ligu, te spiuni më i ndyri!

Dallavera nëpër zyra, dallavera në pazar,
dallavera me të huaj, dallavera me shqiptar’
Vetëm, vetëm dallavera, dhe në dëm të këtij vendi
që ju rriti, që ju ngriti, që ju ngopi, që ju dendi!

Nëse kombi vete mbarë, nesër ju veproni ndryshe,
dylli bëhet si të duash, kukuvajk’ dhe dallëndyshe…
kukuvajka gjith, me lajka, nesër silleni bujar,
nënë dorë e nënë maska, shkoni jepni një kapar!

Dhe kujtoni tash e tutje me të tilla dallavera
kukuvajka do përtypi zog e zoga si përhera…
Ja, ja grushti do të bjeri përmbi krye të zuzarve,
koha është e maskarenjve, po Atdheu i shqipëtarve!

Edhe ju të robëruar, rob në dor’ të metelikut,
fshini sofrat e kujtdoj’, puthni këmbën e armikut!
Që ta kesh armikun mik e pandehni mençuri,
mjafton bërja pasanik, pasanik dhe “bej” i ri,
dhe u bëtë pasanik, me pallate, me vetura,
kurse burrat më fisnikë, japin shpirtin në tortura!

Vendi qenka sofr’ e qorrit, vlen për goj’ e për lëfytë,
bëni sikur veni vetull’, shoku-shokut kreni sytë…
Dhe për një kërkoni pesë, po më mir’ njëzet e pesë.
Le të rrojë batakçiu dhe i miri le të vdesë!

Po një dit’ që nis e vrëret do mbaroj’ me bubullimë,
ky i sotmi zër’ i errët, bëhet vetëtimë
dhe i bije rrufeja pasuris’ dhe, kësi lloj,
nuk ju mbetet gjë në dorë, vetëm një kafshit’ për goj’!

A e dini që fitimi brenda katër vjet mizor’
nuk ësht’ yti, nuk ësht’ imi, është i kombit arbror,
ësht’ i syrit në lot mëkuar, ësht’ i vendit djegur, pjekur,
Ju do thoni si të doni… po e drejta dërmon hekur!/KultPlus.com

‘Videosinteza’ me dizajn të veçantë falënderon vajzat që lartësuan emrin e Kosovës

Platforma e edukimi alternativ “Videosinteza”, ka zgjedhur një mënyrë të veçantë për t’i falënderuar vajzat e Kosovës që po e lartësojnë emrin e shtetit nëpër botë, shkruan KultPlus.

Në 11 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, ekipi i Videosintezë-s me mbishkrimin “Faleminderit”, ka ilustruar me dizajn të veçantë këngëtaret Dua Lipën, Era Istrefin dhe Rita Orën, po ashtu dhe kampionen në xhudo Majlinda Kelmendin dhe alpinisten Arineta Mula.

Hana Arapi nga Videosinteza tha për KultPlus se përmes këtyre ilustrimeve kanë dashur që të shprehin mirënjohjen për gratë që po kontribuojnë për shtetin e Kosovës, veçmas përmes fushës së artit dhe sportit.

“Si ekip kemi dashtë me tregu vlerën e ktynë grave per kontributin qe janë duke e bërë  për shtetin tonë. Kontributi për njohjen e shtetit tonë nuk do të thotë gjithmonë me qene vetëm përmes politikes por është duke u bërë edhe më shumë përmes artit, muzikës edhe sportit”, është shprehur Arapi.

Ajo ka treguar për KultPlus se ky është vetëm fillimi i iniciativave të tilla dhe se edhe më tutje do të vazhdojnë që përmes platformës së tyre do të shpalosin fakte javore për kontributin e shqiptarëve në botë.

Videosinteza krijon video të animuara të cilat shtjellojnë tema të ndryshme nga fusha e shkencës, teknologjisë, dhe shkencave sociale. Videot kanë karakter informues dhe vetëdijësues./ KultPlus.com

Alpinistë nga Shqipëria dhe Kosova urojnë Pavarësinë nga mali i Pashtrikut

Mali i Pashtrikut i cili gjendet në Kosovë dhe në Shqipëri, me një lartësi prej 1,986 metra ka mirëpritur sot alpinistë nga Shqipëria dhe Kosova si një vend simbolik i cili lidh dy vendet tona për të uruar përvjetorin e njëmbëdhjetë të Pavarësisë së Kosovës.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi ka uruar sot Kosovën duke u shprehur: ”Gëzuar Kosovë!  Alpinistë nga Shqipëria dhe Kosova ngjisin malin e Pashtrikut, si simbolikë e sfidave drejt ndryshimeve të mëdha”.

Majat e malit të Pashtrikut formojnë kufirin midis Kosovës dhe Shqipërisë. Përgjatë këtij mali kalon lumi i Drinit të Bardhë.

Dy të tretat e malit i përkasin Shqipërisë. Pashtriku është i vendosur në veri-lindje të Shqipërisë, ndërsa fshati Krumë është i pozicionuar në krah të tij.

Pjesa tjetër, pra një e treta e malit është në Kosovë dhe është e vendosur në pjesën jug-perëndimore të Kosovës. Fshati Gjonaj është pozicionuar në krah të malit

Diplo publikon fotografi me Era Istrefin: Vajzat kosovare po e pushtojnë botën

Diplo është një DJ i njohur amerikan, i cili ka bashkëpunuar edhe me këngëtaren kosovare, Dua Lipa, shkruan KultPlus.

 Krahas miqësisë shumë të mirë më Dua Lipën, ai së fundmi ka edhe një fotografi me këngëtaren nga Kosova, Era Istrefi.

Sic duket Diplo i vlerëson mjaft shumë këngëtaret nga Kosova, sa që ai sot në fotografinë me Era Istrefin ka shkruar “Vajzat shqiptare po e pushtojnë botën”./ KultPlus.com

View this post on Instagram

Kosovan girls taking over the world

A post shared by diplo (@diplo) on Feb 17, 2019 at 6:33am PST

Deli Gjonbalaj, lahutari që kishte groposur nën dhe lahutën për ta mbrojtur nga forcat serbe

Gili Hoxhaj

Luftën e fundit në Kosovë, lahutari dhe mjeshtri i lahutës Deli Gjonbalaj e konsideron si murtajë që e kishte shpërndarë gjithë familjen e tij. Para se të largoheshin nga shtëpia ku jetonin në Treboviç të Pejës, nga të gjitha gjërat e tij, ai ishte kujdesur fort që në duart e forcave serbe të mos binte edhe lahuta që ishte duke e punuar në  atë kohë. E kishte mbështjellë mirë,  dhe disa metra larg shtëpisë ku jetonte kishte vendosur që ta groposte nën dhe. Thotë se gati dy dekada pas, e ka përjetuar fort keq lajmin se Serbia e regjistroi “Të kënduarit me gusle” në listën e UNESCO-s, ndërsa mohon se instrumenti i lahutës ka ndonjë lidhje me Serbinë.

Bashkë me lahutën, ai kishte groposur edhe disa libra të tjerë, përfshirë Lahutën e Malësisë, kopertina e faqet e së cilës dëshmojnë se është goxha e vjetër.  Deli Gjonbalaj kujton se këtë libër e kishte blerë në fillim të viteve të 80-ta,  sa kishte qenë nxënës në shkollë të mesme, ndërsa thekson se në atë kohë nuk kishte qenë e lehtë ta siguronte këtë libër.

“N’tu ktheftë kush i gjen, su kthye le t’i ha dheu”, kishte thënë Gjonbalaj në atë kohë, duke qenë këmbëngulës që lahuta e punuar nga duart e tij, asesi të mos binte në duart e forcave serbe, shkruan KultPlus.

“Ka qenë mjaft emocionuese kur jam kthyer dhe e kam gjetur”, tregon lahutari Gjonbalaj, i cili pasi ishte kthyer nga lufta, kishte vazhduar ta përfundoj punën në lahutën e tij, me të cilën është prezantuar edhe në disa festivale të njohura.

Deli Gjonbalaj, tani 56 vjeçar është lindur dhe rritur në fshatin Vuthaj në Mal të Zi, mirëpo në vitin 1973, së bashku me familjen ishin larguar nga atje. Tani jeton në fshatin Treboviç, jo shumë larg qytetit të Pejës ku edhe punon si saldues i metaleve në një firmë private në këtë qytet. Këngët e rapsodëve shqiptarë nën tingujt e lahutës, dëgjohen në veturën e tij ndërsa kështu çdo ditë ato përcjellin edhe gjatë rrugës së shkurtër për në punë.  Gjatë kohës sa jetonte në Vuthaj, këngët e tilla kishin qenë gjithnjë të pranishme në shtëpinë e tij por jo dhe instrumenti i lahutës. Ai thotë se dashurinë e fortë për të e kishte ndjerë kur e kishte prekur këtë instrument tek  familja e nënës së tij dhe tek familja hallës. Deli Gjonbalaj qysh herët kishte nisur që të punojë vegla druri, të cilat kryesisht kanë qenë të dobishme për punët e përditshme në fshat. Mirëpo një ditë kishte vendosur që ta punojë lahutën, dhe që atëherë  punën e gdhendjes së punimeve në të, e bën me shumë përkushtim, ani pse kërkesat për ta blerë janë gjithnjë e më të vogla. Pastaj duke e pasur të varur në dhomë, kishte filluar edhe të luajë në të, duke e përcjellë lojën me këngë të “Lahutës së Malësisë” që konsiderohet si kryevepra e At’ Gjergj Fishtës. Këtë veper, Fishta e nisi më 1905 dhe e mbaroi më 1937.

Gjonbalaj: Lahuta e Malësisë, një lloj Ku’rani i shqiptarëve

Varianti përfundimtar i veprës “Lahuta e Malësisë” krijoi një renditje të këngëve për të sugjeruar një kronologji të ngjarjeve që përfshijnë ndodhitë shqiptare nga gjysma e shekullit 19-të deri në Pavarësinë e Shqipërisë dhe Konferencën e Londrës më 1913.

Gjonbalaj në një intervistë për KultPlus tregoi se si e kishte blerë “Lahutën e Malësisë”, të cilën edhe sot e ruan dhe mjaft  shpesh e shfleton. Sapo e kap në duar, nis dhe e lexon ndërsa gjatë rrugës së leximit me qartësi e deshifron çdo fjalë që e konsideron më vështirë të kuptueshme.

“Në atë kohë lahuta shpërndahej në mënyrë ilegale, unë e kam blerë në fillim të viteve të 80-a, nuk e di as vetë prej nga ka ardhur deri tek unë por më duket ka qenë e importuar nga Italia, dhe më kujtohet që e kam pas blerë 150 marka. Atëherë ka qenë e pamundur ta blesh drejtpërdrejt por është dashur që të gjesh lidhje përmes dikujt, pasi që kam mundur ta pësoj keq edhe unë që e kam blerë edhe ai që e ka shitur. Pra është shitur vetëm për njerëzit më të besueshëm”, tregon Gjonbalaj.

Ai thotë se gjithë lojën e tij në lahutë, e ka të përqendruar tek këngët e veprës së Fishtës “Lahuta e Malësisë”, të cilën për dy arsye e konsideron si libër të shenjtë për shqiptarët.

“Më së shumti jam fokusuar në këngët e Lahutës së Malësisë, pasi që kjo i ka këngët e zgjedhura. Ndoshta edhe nuk është shumë e përshtatshme që po e them por është si një lloj Kur’ani i shqiptarëve, sepse edhe ka këngë të mira por edhe fjalë të urëta”, shprehet Gjonbalaj

“Lahuta, pishtar në bazë të së cilës është shkruar historia”

Sapo hyn në dhomën e ndenjës së familjes Gjonbalaj, bije fort në sy lahuta në të cilën Gjonbalaj ka gdhendur portretin e  Skënderbeut, shqiponjën, kokën e dhisë. Tutje ai për KultPlus, tregon për simbolikën e tyre.

“Tek lahuta shqiptare, si simbol e kanë pasur kokën e dhisë, sepse ka mbetur qysh prej Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, simbole të tjera konsiderohen edhe gjarpëri si roje e shtëpisë dhe simboli  ynë i njohur i shqiponjës”, shpjegon ai.

Me këtë lahutë, Gjonbalaj  para disa vitesh ishte prezantuar edhe  në festivalin “Sofra Dardane” në Bajram Curr , me grupin nga Vuthaj “Maja e Karafilit”. Arta Dade, në atë kohë ministre e Kulturës në Shqipëri, pasi e kishte dëgjuar interpretimin me lahutë e kishte ftuar që ta shoh më për së afërmi lahutën.  

“Unë po shoh edhe lahuta më profesionale në kuptimin e gdhendjes por kjo qenka taman lahutë shqiptare”, tregon Gjonbalaj, i cili thotë se kishte refuzuar edhe ofertën e grupit folklorik “Kabashi”, që kishin kërkuar ta blejnë atë për 5 mijë dollarë.

Gjonbalaj thotë se tani nuk ka edhe shumë energji për të punuar shumë gjatë në lahutë pasi që puna e gdhendjes në të kërkon goxha përkushtim. Por që jo dhe rrallë luan me të.

“Lahutës i bije, shpesh në gazmende familjare e ndonjëherë edhe në shtëpi” pohon ai.

Përveçse për qejf, ai thotë se lahuta shërben edhe për ta hequr mërzinë dhe nervozen, andaj thotë se me të drejtë ekziston shprehja se “vaji i burrit është kënga”.

“Përpara, tek shqiptarët, mirë kanë thënë se vaji i burri ashtë kanga. Ai jo që s’ka pasur dhimbje, por për t’i bërë ballë ia ka krisur këngës malësorçe. Kështu për ta luftuar dhimbjen”, shprehet lahutari për KultPlus.

Gjonbalaj thotë se lahuta ka qenë shumë e rëndësishme si përshkruese dhe bartëse e historisë tek shumë breza, pasi që këngët që përcillen me këtë instrument bartin ngjarje të rëndësishme të historisë.

“Lahuta ka qenë edhe si bartëse e historisë dhe pishtar në bazë të cilës është shkruar historia. Përmes saj janë kënduar trimat, këngët legjendare, Gjergj Elez Alia, Muja dhe Halili dhe luftërat e ndryshme të cilat kanë bartur edhe emrat e atyre që kanë qenë të përfshirë në luftë”, tregon tutje Gjonbalaj, shkruan KultPlus.

Gjonbalaj: Është tragjike që lahuta të jetë pjesë e kulturës së Serbisë

Vitin e kaluar shteti serb ka arritur që e instrumentin e Lahutës t’i regjistrojë si pjesë të kulturës së saj në UNESCO. Për Gjonbalajn ky lajm ka qenë tejet i dhimbshëm ndërsa thotë se institucionet kosovare dhe ato të Shqipërisë duhet të bëjnë më tepër në këtë aspekt.

“Është fort e dhimbshme, sepse e kemi trashëgimi prej miliona vjetësh, e me ardhë dikush i huaji duke thënë se është e jona dhe kjo pa kurrfarë baze. Tharmin mund ta marrin vetëm prej malazezëve me origjinë shqiptare. Kjo tragjike është boll dhe s’di si rrijnë duarkryq organet e dy shteteve”, thotë lahutari derisa ngrys vetullat, e ngrit zërin kur flet për këtë temë.

Në reagimet e institucioneve të kulturës në Shqipëri dhe Kosovë, shkruhet se lahuta si instrument muzikor, u takon edhe popujve të tjerë ballkanas, mirëpo Gjonbalaj për KultPlus, bindshëm mohon se lahuta ka ndonjë lidhje me shtetin serb.

“Serbët nuk e kanë lahutën, vetëm në Mal të Zi e kanë disa vise që kanë rrënjë shqiptare, si shaljanët që sot thirren shaliq, i ke gashjanët që sot thirren gashiq, kuqjanët atje edhe ata kanë qenë shqiptarë, gjysma që i janë kthyer fesë islame kanë mbetur shqiptarë, cka nuk e kanë pranuar turkun i janë mveshur Malit të Zi dhe janë bërë serb tani”, shpjegon ai.

Gjonbalaj shpreson që gjeneratat e reja duhet të kenë më shumë interesim për instrumentin e lahutës dhe në orët e muzikës duhet të mësohet më shumë për instrumentet popullore, qoftë edhe vetëm në rrafshin teorik.

“Lahuta për mua dhe mbarë popullin shqiptar është një instrument i vjetër i cili na i ka ruajtur shumë gjëra të historisë sepse janë përcjellur brez pas brezi, ka qenë qetësim edhe për shpirtin. Tani një fjali sillet në gjithë këngën kurse këngët me lahutë e çifteli kanë treguar një histori lidhur me një ngjarje, duke përfshirë mjaft personazhe pasi që një këngë lahutë nuk ka përfunduar me 5 minuta, ajo ka zgjatur më shumë se një orë ose dy”, u shpreh krejt në fund Gjonbalaj./ KultPlus.com

Dashuria e madhe për shqiptarët, gjermani bën shqiponjën tatuazh në kokë

Guido Pohlmächer ka një lidhje të veçantë me shqiptarët,
dhe për këtë ka bërë edhe tatuazh të shqiponjës në kokë.

Ai ka një miqësi të mirë me familjen Hoti nga Rugova e Hasit e cila jeton në Gjermani.

Dy vjet më parë 37 vjeçari Pohlmächer nga qyteti i landit Baden-Ëürttemberg kishte bërë një tatuazh në faqe me shqiponjën kuq e zi. Në atë tatuazh kishte vizatuar shkronjën A per Albania si shënjë ndërkombëtare e Shqipërisë dhe D për Deutschland si shenjë ndërkombëtare e Gjermanisë

E për përvjetorin e 11 të pavarësisë dhe për fillimin e dytë të dekadës së shtetit të Kosovës ky gjerman ka bërë një tjetër gjest, shkruan gazeta express.

Ai e ka bërë tatuash simbolin me duar të shqiponjës në ballin e tij dhe ka shkruar “Love Hoti”, ku edhe ka shprehur dashurinë për familjen nga Hasi i Rugovës me mbiemrin Hoti.

‘Kur trishtohem, shkruaj’

Sot janë bërë 13 vite nga vdekja e shkrimtarit Frederik Rreshpja.

Ai ishte poet lirik, eseist, publicist dhe botues shqiptar. Penda e tij është ndër më përfaqësueset të vargut shqip.

Me 25 nëntor 1992, Rreshpja jep një intervistë për gazetën “Zëri i Rinisë” dhe pyetjes se çfarë e gëzon dhe trishton më shumë në jetë, i përgjigjet: ‘Nuk e di nëse më ka mbetur ndonjë gjë në këtë botë, që të më gëzojë. (…) Kur trishtohem, shkruaj. Prandaj shkruaj shumë’./ KultPlus.com

Bardha Goga vizualizon problemet e Kosovës në nëntë fotografi

Fotografja Bardha Goga ka vendosur që përmes fotografisë të reflektoj mbi problemet e përditshme në Kosovë.

Përmes subjekteve, ngjyrave e lëvizjeve ajo ka reflektuar mbi problemet në arsim, shëndetësi, ekonomi, problemet në kulturë e drejtësi. Ndarja territoriale, po ashtu ka qenë një problem që ka nxitur reagimin artistik të fotografes, e cila nuk ka lenë anash as dhunën ndaj grave e mungesën e liberalizimit të vizave.

Bardha Goga thotë për KultPlus se në një kornizë ka vendosur nëntë fotografi, të  cilat janë të ndara sipas tematikave që e preokupojnë Kosovën ndërsa qëllimi i saj ka qenë të paraqesë anët negative që ekzistojnë edhe 11 vite pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Goga kishte menduar që para një viti të ishte pjesë e ekspozitës garuese në Ferizaj, mirëpo nuk ishte ndarë e kënaqur me atë që kishte realizuar. Dëshirës për të qenë pjesë e kësaj ekspozite, i ishte kthyer edhe një vit pas duke e përpunuar edhe më tutje idenë e saj drejt versioni përfundimtar. Subjektet e fotografisë së saj janë të ngjyrosura me ngjyra të flamurit të Kosovës, në mënyrë që t’iu shmanget dallimeve racore, ndërsa subjektet i përkasin të dy gjinive pasi që kështu  fotografja ka dashur që ajo ta shpreh  barazinë gjinore.

“Vitin e kaluar nuk kam qenë e kënaqur me fotografitë, pasi që kanë qenë dy vajza,  dhe tek pas një viti duke e mendu prapë realizimin ma te suksesshëm që më qenë unë e knaqur me punën tem , vendosa me ripërsëritë edhe vendosa me marrë një djalë dhe një vajzë, duke mos treguar diskriminim gjinor, dhe i kam shiku edhe në peshë dhe në gjatësi të njëjtë , i kam gjet modelet te dobët me tregu sa e dobët është Kosova shteti jonë”, shprehet Bardha Goga për KultPlus.

Këto fotografi janë pjesë e ekspozitë kolektive “Gursel Sylejmani” në Ferizaj, e cila do të qëndrojë e hapur edhe për një javë në galerinë e qytetit të Ferizajit. / KultPlus.com

Era Istrefi uron Kosovën me simbolin e shqiponjës

Këngëtarja e njohur kosovare me famë botërore, Era Istrefi, ka uruar Kosovën për 11-vjetorin e Pavarësisë.

“Urime Dita e Pavarësisë së Kosovës”, ka shkruar Istrefi në një postim në Instagram.

Gjithashtu, ajo ka postuar edhe një fotografi ku shihet duke e bërë simbolin e shqiponjës në Rusi, gjatë kohës ku është mbajtur Kupa Botërore në futboll, transmeton Koha.net.

View this post on Instagram

Happy independence day Kosovo💙💛 #11

A post shared by Era Istrefi (@eraistrefi) on Feb 17, 2019 at 6:02am PST

Kujtojmë se edhe Rita Ora e Dua Lipa kanë uruar Kosovën për 11-vjetorin e Pavarësisë.

11 fakte rreth ditës së shpalljes së Pavarësisë së Kosovës

Me rastin e 11 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, ju sjellim 11 fakte rreth ditës historike të 17 shkurtit 2008.

1. Pavarësia e Kosovës është shpallur me datën 17 shkurt 2008, në orën 15:39 minuta

2. Dizajnues i flamurit dhe i stemës së Kosovës: Muhamer Ibrahimi

3. Të parët që nënshkruan deklaratën e pavarësisë së Kosovës, ishin: presidenti Fatmir Sejdiu, kryetari i kuvendit, Jakup Krasniqi, si dhe kryeministri i vendit, Hashim Thaçi.

4. Shtetet e para që njohën Kosovën si shtet pas shpalljes së pavarësisë ishin: Kosta Rika, SHBA, Franca, Afganistani, Shqipëria, Turqia, Britania e Madhe etj.

5. Pergamena e vjetër 200 vjeçare në të cilën është nënshkruar deklarata e pavarësisë së Kosovës, gjendet në zyrën e kryetarit të Kuvendit.

6. Përveç pergamenës, aty gjenden edhe lapsi me të cilin vënë nënshkrimet, listat e nënshkrimeve të deputetëve pjesmarrës ë seancë, si dhe flamuri i vendosur në seancën e shpalljes së pavarësisë.

7. Muzeu i Londrës ishte ai që ia fali Kosovës pergamenën për shpalljen e pavarësisë

8. Flamujt e parë të Republikës së Kosovës ishin shtypur në Turqi.

9. Himni i Kosovës, i kompozuar nga kompozitori Mendi Mengjiqi, për herë të parë ishte intonuar në seancën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

10. Yjet e bardhë në flamurin e Kosovës simbolizojnë komunitetet e ndryshme që jetojnë në Kosovë, harta e verdhë simbolizon pasurinë e Kosovës, ndërsa ngjyyra e kaltër simbolizon Evropën.

11. Prezente gjatë seancës së shpalljes së pavarësisë të Kosovës, me transmetime direkte, kishin qenë edhe mediat më të njohura botërore si: CNN, BBC etj.

Rita Ora uron Pavarësinë me plis në kokë: Shkëlqeni çdo ditë

Këngëtarja e njohur Rita Ora ka uruar Pavarësinë e Kosovës përmes një postimi në Instagram, shkruan KultPlus.

Ora përmes urimit që ka publikuar ka kujtuar edhe videoklipin e këngës “Shine your light” të cilin e kishte realizuar në Kosovë.

https://www.instagram.com/p/Bt-7tAuHlc5/

“Urime Dita e Pavarësisë, Kosovë! Shkëlqeni çdo ditë. Kam xhiruar videoklipin për këngën Shine Your Light në vitin 2012 në Kosovës dhe ato ishin momentet me të mira. Ju dua shumë”, ka shkruar Ora.

Rita Ora po ashtu ka ndarë me miqtë e saj edhe disa fotografi kur ishte e vogël. Në njërën ajo shihet me veshje kombëtare./ KultPlus.com

Vendlindje

Sot është përvjetori i vdekjes së Frederik Rreshpes (19 korrik 1941 – 17 shkurt 2006).

Ja u ktheva përsëri në Shkodrën e mbretërve
ngritur gurë-gurë
mbi supet lakuriq të një gruaje
nga vëllezërit tradhtarë.
Mbi degët e shirave këndojnë zogjtë
Nën pemën e madhe të mesditës
Gjethe të verdha bien mbi shpirtin tim.
Pastaj,
unë i hedh drejt qiellit për të bërë një vjeshtë
Ah, kur ishim të rinj dhe të bukur
Nuk na vajti mendja kurrë të bënim një vjeshtë
Por ti tani nuk je më…
Taniti je në fillim të stinëve
Ndaj nuk më intereson loja e ajrit dhe e diellit
Që ngrihet mbi re si mbi një sofër paganësh.
Shfaqen në muzg trëndafilat e thurur me diell
Ah tani edhe trëndafilat na kujtojnë kamionët me djemtë e vrarë
sa të bukur dhe të rinj ishin o Zot!
Mirupafshim o djem në një planet pa diktaturë
Në ajër shfaqen patriarkët e poezisë shqipe
Bogdani, Fishta, Mjeda dhe Migjeni
Etërit e mi sillen në ajër se varret ua kanë thyer.
Tani edhe mermeri i zërit tim është i thyer
Tani që erdhi mbrëmja
statuja e natës troket në dritaren e vjetër xhamthyer. / KultPlus.com

Lasgush Poradeci përlotet duke folur për Kosovën (VIDEO)

Poeti i madh Lasgush Poradeci ka pasur një ndjenjë të veçantë për Kosovën.

Në videon e mëposhtme, Poradeci rrëfen ndjenjat e tij patriotike për Kosovën.

Kush është lulja në Ballkan
Që bota i ka sevdanë
Kosova që s’njeh sulltan
Plot difë e kapedanë.
Të sedrës e me shpirt krenar
S’durojnë cen a dhunë
Tregojnë gjoks në sulm e zjarr
Si shkaba në furtunë.
Kosova që bën sulm në zjarr
Posi dragoj me fletë,
Siç bënte sulm ngadhërimtar
Gjergj Kastrioti vetë. / KultPlus.com

“Dinastia Marubi”, fotot që ndriçojnë portretin e qytetëruar të Shqipërisë

Ekspozita “Dinastia Marubi: Njëqind vite të studios fotografike shqiptare” e kuruar nga Kim Knoppers u çel në Muzeun Kombëtar “Marubi”. Për publikun prezantohet një përzgjedhje imazhesh nga arkiva e Marubëve (1856- 1959), që kanë qenë pjesë e ekspozitës me të njëjtin titull të hapur në Muzeun e Fotografisë FOAM Amsterdam, në vitin 2016.

Ekspozita në Amsterdam më 2016 u konsiderua një hyrje në historinë e pasur fotografike të një vendi të izoluar europian, që shpesh është neglizhuar. Për këtë ekspozitë në Muzeun e Fotografisë së Amsterdamit “FOAM” mes të tjerash thuhej se janë tre breza fotografësh që realizuan portrete në studio me një spektër të gjerë të njerëzve, duke nisur nga borgjezia urbane, barinj, perandoria osmane dhe Mbreti Zog, duke mos përjashtuar aktorë të famshëm e piktorë.

Rreth vitit 1850, jo shumë kohë pas shpikjes së fotografisë, italiani Pietro Marubi mbërriti në Shkodër. Aty ai ngriti studion e parë fotografike në rajon, duke përdorur procesin e pjatës së lagësht. E vendosur në godinën e re, te pedonalja e qytetit, tani muzeu “Marubi” ka trajtën moderne të paraqitjes së një muzeu bashkëkohor, ku ruhen mbi 150 mijë negativë xhami, duke u vlerësuar për arsyet historike, sociologjike, kulturore dhe antropologjike, po në radhë të parë si foto artistike.

Në to janë fokusuar ngjarjet nga historia e trazuar e Shqipërisë nga kohërat osmane në periudhën e komunizmit, ritualet, kostume folklorike, portrete, etj. Pas vdekjes së Pietros, Kel Marubi u bë trashëgimtar legjitim i studios. Ai e pasuroi fototekën me figura të njohura të kohës, Fishtën, Migjenin, Koliqin, Galica, Gjoluli, Curri, Noli, Zogu etj, si edhe me foto nga njerëz të zakonshëm me kostume kombëtare, pamje nga jeta e qytetit dhe e fshatit, etj. Në vitin 1970 e gjithë pasuria prej 150 mijë negativësh i kaloi shtetit.

Kjo ekspozitë vjen si një bashkëpunim me Muzeun e Fotografisë FOAM në Amsterdam, Hollandë. Knoppers është një historiane arti dhe kuratore në Muzeun e Fotografisë FOAM, Amsterdam. Që nga viti 2011, ajo ka punuan me ekspozitat personale të Melanie Bonajo, Adam Broomberg dhe Oliver Chanarin, Anne de Vries, JH Engstrom dhe Taiyo Onorato e Nico Krebs dhe ekspozita në grup si “RE-Search: Alumni Rijksakademie”, “Collaborate: On Artists’ Collectives” dhe “Back to the Future. The 19th century in the 21st Century”.

Kim Knoppers është edhe themeluese e “Artists’ Recipes”, e cila eksploron lidhjen mes artit dhe ushqimit. Shkruan rregullisht për Foam Magazine si dhe për katalogë e libra artistësh. Jeton dhe punon në Amsterdam dhe fusha e saj studimore lidhet kryesisht me zonat e ish Perandorisë Osmane. A.T.SH/ KultPlus.com