Burri me peng

Erenestina Gjergji Halili

Nját shall m’dnâfshit, mbâjt si gur kishet
rreth qaf’s,
si Bé-ja, qi bâjnë burrat.
Njat zâ,
qi gurt e lumit i çon prej káh jan’ ârdhë,
n’ rr’pina shtigjesh e májash.
Nját fjalë,
qi vend ka nxânë,
si nxâmja ndër libra zvjerdh’ n’urtí
e nját dashní toket,
qi ngjyrë veç në t’kuqe merr…

T’tána i kam ruejtë si çílsi, qi s’bân hupë!
Plisi rándon peshë n’nját shall-peng,
toka tuj ankue n’bârrë të vét,
e njáj burrë n’pâq’ me pengun q’i mbet’…/ KultPlus.com

Erenestina Gjergji Halili

Porosia e Ambasadorit Kosnett për Pavarësi (VIDEO)

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip S. Kosnett, ka uruar 11 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

“Kam nderin dhe privilegjin që shërbej si ambasador i SHBA-së gjatë kësaj kohe emocionuese. Jam kthyer në Kosovë pas 15 viteve dhe e shoh që populli i Kosovës ka arritur përparim të jashtëzakonshëm në rindërtimin e vendit dhe është përgatitur për sukses në skenën botërore. Gjithmonë mahnitem nga të rinjtë e Kosovës: të rinj të zgjuar, energjikë, kreativë, që kërkojnë mundësi për ta ndërtuar të ardhmen e tyre këtu në Kosovë”, ka thënë Kosnett.

Kosnett, tutje ka thënë se të dy vendet kanë përfituar nga partneriteti i ngushtë ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës dhe, siç thotë Kosnetti, “nuk kam asnjë dyshim që partneriteti ynë do të vazhdojë në të ardhmen e largët”.

“ Por, mos u gaboni. Kosova tani është në dhjetëvjeçarin e dytë të pavarësisë dhe demokracisë. Iu takon kosovarëve që të marrin përgjegjësi dhe t’iu kërkojnë llogari udhëheqësve për të marrë hapat e nevojshëm për përparim”, ka thënë tutje, përcjell Koha.net.

“Sa herë që udhëtoj nëpër vend dëgjoj që qytetarët kosovarë i duan tri gjëra për familjet dhe vendin e tyre: paqe, drejtësi, mbarësi. Unë besoj se një vend nuk mund të presë të arrijë sukses në njërën nga këto fusha pa pasur sukses edhe në fushat tjera. Arritja e paqes do të kërkojë marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë, që në thelb e ka njohjen e ndërsjellë. Arritja e drejtësisë nënkupton veprime konkrete për të ndërtuar sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit në të gjitha nivelet. E ndërtimi i mbarësisë nënkupton përpjekje më të mëdha që do të nxisin investimet ndërkombëtare dhe zhvillim ekonomik”, ka thënë ambasadori amerikan.

Kosnett, tutje thotë se sigurimi i kësaj të ardhmeje do të kërkojë udhëheqje të matur politike, qytetari të angazhuar, si dhe përkushtim për të ofruar mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët pa dallim gjinie, feje e etnie.

“Jam i bindur se populli i Kosovës është i aftë të përballet me sfidat që i ka përpara. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë përkrah jush. Urime Dita e Pavarësisë, Kosovë!”, ka përfunduar urimin me mesazhe Kosnetti. /KultPlus.com

Nju Jorku mbulohet me flamujt e Kosovës

Nju Jorku është mbuluar me urimin për Pavarësinë e Kosovës në 11 vjetorin e shtetësisë. Kompania shqiptaro amerikane që vepron në Nju Jork, FreshAlb ka mbushur billbordet amerikane me urimin për 11 vjetorin e Pavarësisë të Kosovës.

FreshAlb ka siguruar 6 billborde në autostradën me të frekuentuar në Nju Jork- Interstate 95 ku vetëm për 1 ditë kalojnë afër 182,300 makina që do ta shohin urimin për pavarësinë e Kosovës, e cila do të shfaqet për 2 javë rresht.

FreshAlb gjendet në White Plains, Nju Jork dhe në atëpjesë të qytetit ka mbuluar billbordet në vendet kyçe si tek US Supreme Court, stacioni i trenit MetroNorth White Plains dhe në hyrje te Galeria Shopping Center./ KultPlus.com

11 vjet shtet, nisin festimet, ekspozohet deklarata e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës

Për 11-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, institucionet shtetërore kanë organizuar një varg manifestimesh. Ato, sipas agjendës zyrtare, kanë filluar më 16 shkurt.

Ndër manifestimet e para është nisja e Deklaratës së Pavarësisë nga objekti i qeverisë në 7 qendrat kryesore të Kosovës. E gjithë kjo është bërë nën mbikqyrjen e Gardës së FSK-së.

Në Prishtinë, Deklarata u vendos në sheshin “Nënë Tereza”, para Ministrisë së Kulturës. Ajo do të ekspozohet edhe në Mitrovicë, Pejë, Prizren, Ferizaj, Gjilan dhe në Gjakovë. Gjatë ditës, në kryeqytet u vendosën punime artistike të simboleve të pavarësisë dhe u hap panairi i produkteve vendore.

Qeveria e Kosovës ka ndarë 500 mijë euro për shënimin e përvjetorit të 11 të Pavarësisë së Kosovës. Ndërsa deputetët opozitarë shfaqën shqetësimin për ndarjen e kësaj shume, duke thënë se nuk e dinë se ku do të shpenzohet.

Dita e Pavarësisë së Kosovës do të shënohet me shumë aktivitete të parapara në agjendën institucionale, duke filluar në orën 08:00 me mbledhjen festive të Qeverisë. / KultPlus.com

Në Chicago ngrihet flamuri kosovar për Ditën e Pavarësisë së Kosovës

Komuniteti Shqiptaro-Amerikan në Illinois në Chicago në bashkëpunim me organizatat shqiptare që veprojnë në Illinois edhe këtë vit kanë shënuar Ditën e Pavarësisë së Kosovës.

Komuniteti Shqiptaro-Amerikan kanë ngritur flamurin e Kosovës përkrah atij Amerikan për të shënuar kështu edhe fillimin e aktiviteteve për të shënuar Ditën e Pavarësisë, 17 shkurtin./ KultPlus.com

Një copë Dardanie që Italia të njohë historinë e Kosovës

Është detyrë e diasporës që bota ta njohë historinë e shqiptarëve, padrejtësitë e gjenocidin e ushtruar ndaj popullit shqiptar nëpër shekuj. Edhe ata që e njohin pak Kosovën, duhet ta dinë drejtë historinë e shtetit që po mbush 11 vjet, sipas komunitetit shqiptar në Parma të Italisë.

Në 11-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt, festimet nuk do të mungojnë gjithandej nëpër botë. Për dallim nga festat e zakonshme, komuniteti shqiptar në Parma të Italisë ka vendosur ta organizojë festimin më ndryshe, shkruan Koha.net.

Nga tetori i vitit 2009 në Parma funksionon shkolla shqipe “Scanderbeg”, shkollë që ka pasur disa iniciativa për të mbajtur gjallë patriotizmin e atdhedashurinë. Nuk mund të numërohen iniciativat e kësaj shkolle nga festimet për 28 Nëntorin, në mbledhje tjera për 1 Qershor, përgatitje të panaireve turistike lokale për qytetin e Parmës e rrethina, teatër e recitime nga autorë të mëdhenj shqiptarë e deri te koncerte e festime për pavarësinë e Kosovës.

Kjo e fundit do të mbledhë sërish komunitetin shqiptar në disa aktivitete të njëpasnjëshme për disa ditë të muajit shkurt.

“Javën e Kosovës”, shkolla shqipe “Scanderbeg” e nisi më 10 shkurt kur në ambientet e kësaj shkolle në Parma, në një qendër që u është dhënë nga Bashkia e Parmës, u zhvillua një leksion i hapur për nxënësit, prindërit dhe qytetarët e komunitetit shqiptar në Parma. Me recitime e pjesë teatrale do të vazhdojë mbrëmja kulturore më datën 16 shkurt. Sipas shkollës, protagonistë do të jenë vetë nxënësit e saj, por edhe të rinjtë e grupit artistik “Një mijë Yje”, me mësuesen Loreta Shahini, të Forumit të Gruas Shqiptare në Parma, me të cilët bashkëpunojnë dhe bëjnë koreografi të valleve shqiptare. Të shtunën e të dielën, në 11-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, në bibliotekën ndërkombëtare të qytetit të Parmës do të tregohet historia e Kosovës dhe lidhja me Shqipërinë.

Një galeri e Arben Llapashticës do të jetë pjesë e asaj që shkolla e quan “një cope të Dardanisë në Parma”. Me këtë organizim, komuniteti shqiptar dëshiron ta njoftojë popullin italian me historinë e drejtë për Kosovën. Ajo do të jetë e hapur të shtunën dhe të dielën.

“Të dielën me 17 Shkurt 2019 në orën 15.30 në bibliotekën ndërkombëtare të bashkisë së qytetit të Parmës do të jetë një takim shumë interesant i hapur për qytetin e Parmës dhe rrethinave ku dëshirojmë t’i tregojmë vendasve historinë e Kosovës, lidhjen e Shqipërisë me Kosovën. Mediat e huaja, dhe flas më shumë këtu në Itali, nuk e paraqesin gjithmonë drejt historinë e Kosovës e shpesh nuk e njohin fare. Kjo është detyrë për ne shqiptarët në diasporë, t’i njohim botës historinë tonë, padrejtësitë, gjenocidin e ushtruar mbi popullin tonë në shekuj. Pasditja do të hapet me prezantimin e një Galerie fotografike të Arben Llapashticës të titulluar ‘Kosovë o Lule e Bukur e Shqipnisë’. Ndihemi të nderuar dhe vërtetë të lumtur për këtë bashkëpunim. Dëshirojmë të sjellim një copë të Dardanisë këtu në Parma. Gatishmëria e fotografit, por mbi të gjitha shqiptarit të mirë, Arben Llapashtica na e bëri zemrën mal. E gjetëm mik pas miku nëpërmjet rrjeteve sociale. Bashkëpunim i shkëlqyer”, ka treguar për Koha.net mësuesja e muzikës, kulturës e traditave shqiptare në këtë shkollë, Elvira Lashi.

Në anën tjetër, Llapashtica ka thënë se ishte mrekulluar nga iniciativa e diasporës atje dhe me emocione kishte zgjedhur fotografitë për të cilat ka menduar se do të paraqitnin më të bukurën për Kosovën.

“Personalisht jam kontaktuar nga zonja Elvira Lashi e cila u prezantua si mësuese e shkollës shqipe ‘Skënderbeu’ në Parma, të Italisë. Më tregoi për iniciativën, manifestimet që po përgatisnin për të kujtuar ditën e Pavarësisë së Kosovës. U mrekullova dhe e përgëzova për iniciativën, motiv për të cilin dëshironte që një fotograf shqiptar të ishte pjesë e manifestimit”, ka thënë ai duke shtuar se ishte befasuar për të mirë për punën e bërë në shkollën shqipe në Parma. “Nuk hezitova aspak dhe i emocionuar zgjodha më të bukurën për Kosovën tonë. Uroj të kemi dërguar një pjesë të bukur të tokës, natyrës, njerëzve tanë për të dhënë një mesazh pozitivë për vizitorët shqiptarë e italianë”, ka thënë Llapashtica.

Edhe më të veçantë këtë përvjetor, për diasporën po e bëjnë diskutimet e përditshme politike për korrigjime kufijsh.

“Ndjekim me shumë interes lajmet e përditshme dhe zhvillimet politike në Kosovë, kjo falë rrjeteve sociale por edhe TV satelitor: Në këtë moment vërtetë të vështirë ku Kosovës i kërkohet akoma të sakrifikojë e të dhurojë territore, çdo shqiptar e patriot e ndjen dhimbjen dhe përpara syve u dalin karvanet e gjata të dyndjeve, vrasjeve dhe vuajtjeve të shqiptarëve të Kosovës në luftën absurde të ’99. Ne si mësues të shkollës shqipe Scanderbeg në Parma Itali jemi mobilizuar e përgatitur për ta kujtuar në mënyrën më solemne këtë përvjetor”, ka thënë Lashi.

Lashi ka shpjeguar se në pasditen e së dielës do të shfaqet një dokumentar në gjuhën italiane të transmetuar nga një televizion italian dhe për të mbyllur gjithçka, është ftuar Myftar Gjonbalaj për të promovuar disa nga botimet e tij, ku një pjesë i është dedikuar Kosovës. Siç e do zakoni nga ky komunitet, nuk do të mungojë “Sofra Dardane” përpara një oxhaku, sofër që përgatitet nga shqiptarët e Parmës, prindërit e shkollës. Lashi e quan pasuri të komunitetit.

Më tej, Lashi ka bërë të ditur se komuniteti shqiptar në Parma përbëhet nga rreth tetë mijë persona. Sipas saj, ky është komuniteti i dytë më i madh pas Marokut. Ata e vlerësojnë si shumë mirë të organizuar komunitetin. Aty ka organizata të ndryshme e iniciativa nga shoqata kulturore, grupe artistike për të rinj, për fëmijë, organizata grash, skuadra futbolli e shkolla shqipe. Organizimet e tilla kanë filluar qysh në vitin 2006 me iniciativa vetanake e vullnetare.

Me prejardhje nga Durrësi, drejtori i kësaj shkolle, Durim Lika, bashkëshorti i Lashit, thotë se shqiptarët në Parma e duan Kosovën po aq sa Shqipërinë. Në një përgjigje për gazetën, ai ka treguar se ka më shumë se një dekadë që i kushtohet kohë shqiptarisë në Parma vetëm që të mos humbë dashuria për atdheun te gjeneratat e reja. Ka treguar se shkolla ka rreth 30-40 nxënës. Ai ka më shumë se 20 vjet që gjendet në Itali.

Shkolla “Scanderbeg” ka hasur në sfida të shumta në mësimin e gjuhës shqipe te të rinjtë në Itali. Mësuesja Lashi ka treguar se shkollat shqipe në Itali vlejnë si kurse dhe se shteti italian nuk i njeh ato. Ata ndihmohen me qendra për zhvillim mësimi, por asgjë më shumë, sipas Lashit.

Ka thënë se as shteti shqiptar nuk bën shumë për ta.

“Shteti shqiptar ka bërë pak ose më mirë të themi aspak deri tani për shkollat shqipe në Itali, Greqi apo vende të tjera. Puna jonë është krejt vullnetare e shpesh për të shtuar zellin e fëmijëve e nxitur prindërit, ne mësuesit kemi investuar përveç kohës sonë edhe shuma ekonomike të vogla simbolike”, ka treguar Lashi.

Shkolla “Scanderbeg” deri tash ka përgatitur ditarin shkollor të personalizuar nga vetë mësuesit duke marrë parasysh nivelin e nxënësve dhe kohën në dispozicion. Shkolla zhvillohet një herë në javë, çdo të diele nga ora 10:00 deri në orën 12:00. Aktualisht ajo ka dhjetë mësues, Erlinda Pjeçin, Aurela Lashin dhe Beatriçe Agon për ciklin e ulët, Durim Likën për lëndët histori e gjeografi, Elona Marika e Benard Basha për artin pamor, vizatim e pikturë, Mimoza Cerrin për letërsi shqiptare, Sabrije Kulla për gjuhë shqipe, dhe Elvira Lashin për muzikë, kulturë e tradita shqiptare. Kjo shkollë funksionon me kurrikulën e përbashkët të miratuar nga dy qeveritë shqiptare.

“Në Seminarin XIV-të Mbarëkombëtarë për shkollat shqiptare në Diasporë ne morëm pjesë për herë të parë ku edhe u njohëm me kurrikulën e përbashkët të miratuar nga dy qeveritë shqiptare të arsimit. Ne po e njohim atë dhe po mundohemi ta vëmë në zbatim. Po punojmë që në fund të këtij viti shkolla jonë të marrë pjesë krah shkollave të tjera te diasporës shqiptare në Evropë, është akoma një projekt e shpresoj që t’ia dalim”, ka shpjeguar Lashi.

Qe disa vjet, kjo shkollë bashkëpunon me shkollat në Shqipëri e Kosovë. Ajo është bashkorganizatore e Festivalit Ndërkombëtar të të rinjve, ndërsa ka bashkëpunim me shkolla të arteve, baletit, orkestrave e grupe artistike në Shqipëri. Sa i përket shkollave në Kosovë, Lashi ka treguar se shkolla shqipe në Parma ka bashkëpunim përmes profesorit Nuhi Gashi, që është organizator kryesor i seminareve mbarëkombëtare për shkollat në Itali./ koha.net/ KultPlus.com

Filmi “Synonyms” fiton Ariun e Artë në Berlinale

Edicioni i sivjetshëm i Festivalit të Filmit të Berlinit ka mbaruar  dhe filmi “Synonyms” i Nadav Lapid ka marrë në shtëpi një nga çmimet më prestigjioze të filmit në botë.

Çmimin për regji në këtë edicion e ka marrë Angela Schanelec me filmin “Ich war zuhause, aber” “(I Was at Home, But)”. Aktorja më e mirë është zgjedhur Yong Mei, “Di jui tian chang” (“So Long, My Son”) ndërsa aktori më i mirë  Wang Jingchun, “Di jui tian chang” (“So Long, My Son”).

Çmimin për skenar e ka fituar Maurizio Braucci, Claudio Giovanessi, dhe Robert Saviano për filmin “La paranza dei bambini” (“Piranhas”).

Këtë vit në garë ishte edhe filmi Kosovar “Në mes” nga Samir Karahoda në garën ndërkombëtare të filmave të shkurtë “Berlinale Shorts”. Mirëpo çmimi, Ariu i Artë për filmat e shkurtë e ka fituar filmi “Umbra,” ndërsa çmimin e jurisë për filma të shkurtë e ka fituar filmi “Rise” nga Bárbara Wagner dhe Benjamin de Burca.

“Berlinale” është një prej festivaleve më të vjetra dhe më prestigjioze në botë./ KultPlus.com

Deklarata e Pavarësisë që u vendos sot në 7 qytete të Kosovës

Deklarata e Pavarësisë së Kosovës

Të mbledhur në mbledhje të jashtëzakonshme më 17 shkurt 2008, në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë,

Duke iu përgjigjur thirrjes së popullit për të ndërtuar një shoqëri që respekton dinjitetin njerëzor dhe afirmon krenarinë dhe synimet e qytetarëve të saj,

Të zotuar për t’u përballur më trashëgiminë e dhembshme të së kaluarës së afërt në frymë të pajtimit dhe faljes,

Të përkushtuar ndaj mbrojtjes, promovimit dhe respektimit të diversitetit të popullit tonë,

Duke riafirmuar dëshirën tonë për t’u integruar plotësisht në familjen euroatlantike të demokracive,

Duke vërejtur se Kosova është një rast special që del nga shpërbërja jokonsensuale e Jugosllavisë dhe nuk është presedan për cilëndo situatë tjetër,

Duke rikujtuar vitet e konfliktit dhe dhunës në Kosovë që shqetësuan ndërgjegjen e të gjithë popujve të civilizuar,

Mirënjohës që bota intervenoi më 1999 duke hequr në këtë mënyrë qeverisjen e Beogradit mbi Kosovën, dhe vendosur Kosovën nën administrimin e përkohshëm të Kombeve të Bashkuara,

Krenarë që Kosova që atëherë ka zhvilluar institucione funksionale, multietnike të demokracisë që shprehin lirisht vullnetin e qytetarëve tanë,

Duke rikujtuar vitet e negociatave të sponsorizuara ndërkombëtarisht ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës mbi çështjen e statusit tonë të ardhshëm politik,

Duke shprehur keqardhje që nuk u arrit asnjë rezultat i pranueshëm për të dyja palët përkundër angazhimit të mirëfilltë të udhëheqësve tanë,

Duke konfirmuar se rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, i ofrojnë Kosovës një kornizë gjithëpërfshirëse për zhvillimin e saj të ardhshëm, dhe janë në vijë me standardet më të larta europiane për të drejtat të njeriut dhe qeverisjen e mirë,

Të vendosur që ta shohim statusin tonë të zgjidhur në mënyrë që t’i jipet popullit tonë qartësi mbi të ardhmen e vet, të shkohet përtej konflikteve të së kaluarës dhe të realizohet potenciali i plotë demokratik i shoqërisë sonë,

Duke nderuar të gjithë burrat dhe gratë që bënë sakrifica të mëdha për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për Kosovën,

1. Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës.

2. Ne shpallim Kosovën një republikë demokratike, laike dhe multietnike, të udhëhequr nga parimet e jodiskriminimit dhe mbrojtes së barabartë sipas ligjit. Ne do të mbrojmë dhe promovojmë të drejtat e të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe krijojmë kushtet e nevojshme për pjesëmarrjen e tyre efektive në proceset politike dhe vendimmarrëse.

3. Ne pranojmë plotësisht obligimet për Kosovën të përmbajtura në Planin e Ahtisarit, dhe mirëpresim kornizën që ai propozon për të udhëhequr Kosovën në vitet në vijim. Ne do të zbatojmë plotësisht ato obligime, përfshirë miratimin prioritar të legjislacionit të përfshirë në Aneksin XII të tij, veçanërisht atë që mbron dhe promovon të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre.

4. Ne do të miratojmë sa më shpejt që të jetë e mundshme një kushtetutë që mishëron zotimin tonë për të respektuar të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve tanë, posaçërisht ashtu siç definohen me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut. Kushtetuta do të inkorporojë të gjitha parimet relevante të Planit të Ahtisaarit dhe do të miratohet nëpërmjet një procesi demokratik dhe të kujdesshëm.

5. Ne mirëpresim mbështetjen e vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare për zhvillimin tonë demokratik nëpërmjet të pranive ndërkombëtare të themeluara në Kosovë në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (1999). Ne ftojmë dhe mirëpresim një prani ndërkombëtare civile për të mbikëqyrur zbatimin e Planit të Ahtisaarit dhe një mision të sundimit të ligjit të udhëhequr nga Bashkimi Europian. Ne, po ashtu, ftojmë dhe mirëpresim NATO-n që të mbajë rolin udhëheqës në praninë ndërkombëtare ushtarake dhe të zbatojë përgjegjësitë që i janë dhënë sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (1999) dhe Planit të Ahtisaarit, deri në atë kohë kur institucionet e Kosovës do të jenë në gjendje të marrin këto përgjegjësi. Ne do të bashkëpunojmë plotësisht më këto prani në Kosovë për të siguruar paqen, prosperitetin dhe stabilitetin në të ardhmen në Kosovë.

6. Për arsye të kulturës, gjeografisë dhe historisë, ne besojmë se e ardhmja jonë është në familjen europiane. Për këtë arsye, ne shpallim synimin tonë për të marrë të gjitha hapat e nevojshëm për të siguruar anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian sapo që të jetë e mundshme dhe për të zbatuar reformat e kërkuara për integrim europian dhe euroatlantik.

7. Ne i shprehim mirënjohje Organizatës së Kombeve të Bashkuara për punën që ka bërë për të na ndihmuar në rimëkëmbjen dhe rindërtimin pas lufte dhe ndërtimin e institucioneve të demokracisë. Ne jemi të përkushtuar të punojmë në mënyrë konstruktive me Organizatën e Kombeve të Bashkuara gjersa ajo vazhdon punën e saj në periudhën në vijim.

8. Me pavarësinë vie detyra e anëtarësisë së përgjegjshme në bashkësinë ndërkombëtare. Ne e pranojmë plotësisht këtë detyrë dhe do t’i përmbahemi parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, Aktin Final të Helsinkit, akteve tjera të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, obligimeve ligjore ndërkombëtare dhe parimeve të marrëdhënieve të mira ndërkombëtare që shënojnë marrëdhëniet ndërmjet shteteve. Kosova do të ketë kufijtë e saj ndërkombëtarë ashtu siç janë paraparë në Aneksin VIII të Planit të Ahtisaarit, dhe do të respektojë plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të të gjithë fqinjve tanë. Kosova, po ashtu, do të përmbahet nga kërcënimi apo përdorimi i forcës në cilëndo mënyrë që është jokonsistente me qëllimet e Kombeve të Bashkuara.

9. Ne, nëpërmjet kësaj Deklarate, marrim obligimet ndërkombëtare të Kosovës, përfshirë ato të arritura në emrin tonë nga Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), si dhe obligimet e traktateve dhe obligimet tjera të ishRepublikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ndaj të cilave obligohemi si ish-pjesë konstituive, përfshirë konventat e Vjenës për marrëdhëniet diplomatike dhe konsullore. Ne do të bashkëpunojmë plotësisht me Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ishJugosllavinë. Ne synojmë të kërkojmë anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, në të cilat Kosova do të synojë të kontribuojë për qëllime të paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar.

10. Kosova shpall zotimin e saj ndaj paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë të Europës Juglindore. Pavarësia jonë e sjell në fund procesin e shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë. Gjersa ky proces ka qenë i dhembshëm, ne do të punojmë pa pushim për t’i kontribuar një pajtimi që do të lejonte Europën Juglindore të shkojë përtej konflikteve të së kaluarës dhe të farkojë lidhje të reja rajonale të bashkëpunimit. Për këtë arsye, do të punojmë së bashku me fqinjtë tanë për të avansuar të ardhmen tonë të përbashkët europiane.

11. Ne shprehim, në veçanti, dëshirën tonë për të vendosur marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjtë tanë, përfshirë Republikën e Serbisë, me të cilën kemi marrëdhënie historike, tregtare dhe shoqërore, të cilat synojmë t’i zhvillojmë më tej në të ardhmen e afërt. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për t’i kontribuar marrëdhënieve të fqinjësisë dhe bashkëpunimit me Republikën e Serbisë duke promovuar pajtimin ndërmjet popujve tanë.

12. Ne, nëpërmjet kësaj, afirmojmë në mënyrë të qartë, specifike dhe të parevokueshme se Kosova do të jetë ligjërisht e obliguar të plotësojë dispozitatat e përmbajtura në këtë Deklaratë, përshirë këtu veçanërisht obligimet e saj nga Plani i Ahtisaarit. Në të gjitha këto çështje, ne do të veprojmë në pajtueshmëri në parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, përfshirë Rezolutën 1244 (1999). Ne shpallim publikisht se të gjitha shtetet kanë të drejtën të mbështeten në këtë Deklaratë, dhe i bëjmë apel të na ofrojnë përkrahjen dhe mbështetjen e tyre./ KultPlus.com

Atifete Jahjaga takon Ivanka Trump

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka takuar këshilltaren e Presidentit Amerikan, Ivanka Trump, shkruan KultPlus.

Gjatë këtij takimi ato kanë biseduar për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

“Ishte kënaqësi të takoja Ivanka Trump, Këshilltare e Presidentit Amerikan, me të cilën bisedova për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe nevojën për fuqizimin ekonomik të tyre”, ka shkruar Jahjaga në Facebook. Ajo gjatë kësaj ditë po ashtu ka takuar edhe ambasadorin Wolfgang Ischinger, drejtues i Konferencës së Sigurisë në Mynih./ KultPlus.com

Vendit tim siluetë

Sibel Halimi

Në lajme mbetet fytyra e ngrirë 
e buzëqeshjes së njeriut të vdekur
të përkujtuar veç si të mirë

Në lajme hedhet vallja marrëzisë njerëzore 
E ne ngulim sytë e skuqur
të imagjinuar që jemi pjesë e saj

Në lajme gurgullon 
hija e rëndë e luftës së mbijetesës,
luftë tjetër nuk njohin, harruar kemi

Në lajme festohen përvjetorë
Të shtetit siluetë 
Të krijuar mbi varret e ëndrrave
Ku instalacionet bëhen vepra 
E çmimet i ndajnë po të njëjtët 
bashkëudhëtarë të krimit

Në lajme shiten e lëshohen
Me qera mendime, qëndrime, karaktere e personalitete 
Lirë e shtrenjtë
E në mbrëmje të gjithë në zbritje, toptanë

Në lajme jargavitet vendi 
Qan e gëzohet i varfëri
Në derë një horr mban në dorë
pak sheqer, pak miell e pak kafe
E drejton kah zoti i vet

Në lajme flet arreste e izolime
Veç për një fjalë goje 
Për burra që i rrinë besnik
Kullës së ndërtuar brenda qenies së vet 
Ditës me lot krokodili i rrinë gatitu 
E natën lëshohen me pushtua 
errësirën, egon e lirinë e grave të tyre

Në lajme një zgjatje duarsh
Mbrapa shenja të identiteteve boshe të poetëve minj
që bredhin korridoreve të pushtetit 
e kafeve me duhmë, të admirojnë tu i thurë vargje lirisë

Në lajme Nezafetja i bie defit
Në përvjetorë të pavarësisë
E qan me lot melodinë e vjetër

Në lajme Ulpianës iu është nxirrë syni
Në mbrëmje merr lapsin ngjyrë lëkure,
e mbulon e ia mësynë diku arratis

Në lajme ngritët edhe një tregë memorialësh,
i fëmijëve pas heroinave
Shteti vë në ankand ndërgjegjen në përvjetorin e saj

Në lajme 
Marathonomakut i ngritet lapidari i bronztë
e Don Kishoti kumton lajmin për vdekjen e tij

Në lajme shteti feston marrëzinë e vet
E ne i gëzohemi hiçit, gjenezës sonë
Gëzuar! / KultPlus.com

“Newborn” me pamje të re për 11 vjetorin e Pavarësisë

Obelisku i vendosur në kryeqytet edhe këtë vit do e ndryshoj pamjen për të sjellë një mesazh të ri për 11 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, shkruan KultPlus.

Vullnetarët edhe sivjet janë mbledhur dhe janë duke ndihmuar në ngjyrosjen e obeliskut “Newborn”. Dizajnuesi i këtij obelisku Fisnik Ismaili ka dhënë disa të dhëna mbi ndryshimet që janë duke u bërë për këtë vit. Ai ka aluduar se çdo shkronjë do të sjellë nga një mesazh e që këtë vit lidhen me shumë me natyrën por jo vetëm.

“N – nature/natyrë, E – energy/energji, W – water/ujë, B – bio/jetë , O – oxygen/oksigjen, R – recycle/riciklim, N – nature/natyrë”, ka shkruar Ismaili në postimin e tij në Facebook./ KultPlus.com

https://www.facebook.com/photo.php?fbid=10161520959640191&set=a.10150148997145191&type=3&theater

Filmi serb me produksion të Uliks Fehmiut shpërblehet në Berlinale

Filmi serb “Šavovi” nga Miroslav Terzic rreth trafikimit të fëmijëve ka fituar çmimin “Europa Cinemas Label” në Berlinale e 69-të, si filmi më i mirë evropian në programin e Panorama, në kuadrin të së cilës ka pasur edhe premierën botërore, përcjellë KutlPlus.

Uliks Fehmiu, i biri i aktorit të njohur Bekim Fehmiut është producent i këtij filmi së bashku me Milene Trobozic Garfield.

Në këtë film luajnë: Snezana Bogdanovic, Marko Baćović, Jovana Stojiljkovic, Vesna Trivalić, Dragan Varagić, Ksenija Marinkovic, Jelena Stupljanin, Peter Benčina, Radoslav Milenkoviç, Rade Markoviq dhe Petar Čemerikić.

Foto: Sebastian Gabsch

Filmi “Šavovi” me skenar të Elma Tataragiç  sjellë çështjen e të porsalindurve të cilët janë zhdukur në spitalet e Beogradit. Prindërve ju është thënë se foshnja e porsalindur ju ka vdekur dhe pastaj i njëjti fëmijë është shitur për para. Skenari sjellë historinë ë një nënë e cila besonte se fëmija i saj është rrëmbyer dhe kauzën e saj për të vërtetuar dëshminë e saj dhe rrugën për të gjetur fëmijën e humbur. / KultPlus.com

Sonte ndahen çmimet në Berlinale, Kosova në garë me filmin “Në mes”

Filmi “Në Mes” nga Samir Karahoda është në garën ndërkombëtare të filmave të shkurtë “Berlinale Shorts”.

Kjo është hera e parë që një film nga Kosova pranohet në garën e Berlinales, që njihet si një nga festivalet më prestigjioze në botë.

Filmi trajton dy tema paralelisht; fenomenin e ndërtimit të shtëpive të njejta dhe migrimin e cila veçmas theksohet nëpër këto familje. Nëpërmjet personazheve, portretizon marrëdhënien dhe solidaritetin në mes vëllezërve; sakrificën dhe vendosmërinë e prindërve për të mbajtur harmoninë brenda familjes; kuptimin dhe rëndësinë e shtëpisë dhe shpresës në mes kthimit apo jo në vendlindje./ KultPlus.com

Prishtina, e mbushur me dekorime dhe me flamuj të Republikës së Kosovës

Ka nisur kësisoj në kryeqytet sot zbukurimi me flamuj dhe me simbole tjera të shtetit të Kosovës.

Nesër, me 17 shkurt, shënohet 11 vjetori i shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, dhe kësisoj Prishtina dhe qytetet tjera prej sot nisin të dekorohen e zbukurohen, me koncerte e me ngjarje tjera artistike e kulturore për të festuar këtë përvjetor.

Këto fotografi na vijnë nga Prishtina ndërsa nëse keni fotografi të tjera nga dekorimet dhe ngjarjet tjera në qytetet tuaja, na dërgoni.

Me 17 shkurt 2008, deputetët e Kuvendit të Kosovës e shpallën Kosovën vend sovran dhe demokratik dhe Kosova u shpall Republikë. / KultPlus.com

11 shkrimtarë i lexojnë Republikës

(Fotografitë: Blerdi Malushi)

“Republika” titullohet ora letrare që u dha zë 11 poezive të poetëve nga Kosova.

Përmes vargjeve në këtë ngjarje u manifestua 11 vjetori i Pavarësisë së Kosovës, shkruan KultPlus.

Ora letrare u hap me zërat e fëmijëve të korit “Okarina”, të cilët nën udhëheqjen e Elikona Hysaj- Shala, sollën premierë këngën “Republika” me tekst të Bes Camajt. Kënga erdhi e komponuar nga udhëheqësja e korit, Elikona Hysaj Shala.

Në këtë orë letrare vargjet me publikun i ndanë Dije Demiri Frangu, Halil Matoshi, Brikenë Ceraja – Beka, Ilire Zajmi, Sali Bashota, Gili Hoxhaj, Vlora Konushevci, Besnik Camaj, Valentina Saraçini dhe Denis Galushi i cili e lexoi poezinë nga Kujtim Paçaku.

Në këtë orë letrare përveç interpretimit të poezive, poetët zbërthyen vargjet e tyre në një reflektim të shkurtër me moderatoren Hyre Murati.

Përveç poetëve në sallë, kjo orë letrare nderoi edhe poetët që më nuk janë.

Poezia e Kujtim Paçkut është ajo që e hapi orën letrare, ndërsa Sali Bashota lexoi një poezi kushtuar poetit Basri Çapriqi, e aktori Ismet Azemi lexoi vargjet e Besnik Camajt.

Organizatorja e kësaj ngjarje, Vlora Ademi gjatë fjalës së saj tha se Republika tani ka nevojë për heronjët e paqes dhe arti është ai që po mundohet ta mbajë për krahësh këtë Republikë.

“Po, këtu ka faj vramendja estetike. Dhe kështu ndodhi ngaqë elementin e parë e gjeta tek poezia, më saktësisht tek poema Republika. Mjaft kemi pasur heronjë të luftës. Republikës tani më shumë se kurrë i duhen heronjë të paqes. Dhe hero të tillë nuk të bën një kollarë e lidhur rreth qafe. Në fakt, këto kollare po e tkurrin Republikën, ia kanë nxënë frymën”, u shpreh Vlora Ademi.

Ademi tutje tha se për këtë orë letrare ka munguar mbështetja nga institucionet e larta të vendit, mirëpo poetët dhe të gjithë të tjerët që janë angazhuar në këtë ngjarje dhe shumë natyrshëm e kanë përkrahur realizimin e saj.

“T’mjerë ata që nuk ia dinë vlerën artit, poezisë dhe e injorojnë identitetin e tyre. Dhe në ndihmë të del dikush që e ka mundësinë minimale. Këtë orë letrare nuk e mbështetën institucionet më të larta të vendit, por me mundësitë e tij minimale, e mbështeti një djalë modest që m’ka befau për vullnetin e tij – Adrian Berisha nga Drejtoria për Kulturë në Komunën e Prishtinës”,  tregoi ajo, duke thënë se ndihet e kënaqur për të gjitha reagimet që ka marrë nga publiku dhe se kjo ngjarje dëshmon se poetëve u kishte munguar një orë e tillë letrare.

Kjo orë letrare, tashmë synon të bëhet tradicionale, duke e shtuar çdo vit një poet më shumë. / KultPlus.com

Filmi me Xhevdet Jasharin merr dy çmime në Berlinale

Janë ndarë mbrëmë çmimet e para të festivalit Berlinale – Festivalit të Filmit në Berlin, një ndër më prestigjiozët në fushën e kinematografisë.

Disa çmime të tjera do të ndahen sonte, ndërsa edhe ato mbrëmë kanë dalë të jenë të suksesshme për filmat nga Ballkani.

Filmi “Gospod postoi, imeto i’ e Petrunija” me regjisore Teona Strugar Mitevska ka marrë çmimin nga Juria Ecumenical. Çmimi në fjalë ndahet nga Organizatat Ndërkombëtare Filmike të Kishave Katolike dhe Ortodokse – INTERFILM dhe SIGNIS.

Filmi flet për një grua, mbrojtëse të të drejtave të njeriut, e cila thumbon traditat e kishës dhe duke u futur në një ritual i cili konsiderohet i denjë vetëm për burrat. Filmi me këtë çmim merr edhe 2.500 euro shpërblim.

I njëjti film ka marrë edhe një tjetër çmim. Bëhet fjalë për ‘Guild Film Prize’ – ndërsa jepet nga AG Kino – Gilde e.V. (Asociacioni i Kinemave German Art House).

Në këtë film luan edhe aktori shqiptar Xhevdet Jashari. / KultPlus.com

Artistët dhe bashkëpunëtorët ngushëllojnë për vdekjen e Hivzi Krasniqit

Miqtë, dashamirët dhe bashkëpunëtorët e Hivzi Krasniqit sot kanë ngushëlluar familjen për këtë humbje të madhe.

Hivzi Krasniqi, një tekstshkrues dhe një gazetar i pashoq, ndërroi jetë mbrëmë pas një sëmundjeje të shkurtër.

Sot, miqtë kanë ngushëlluar në mënyra të ndryshme, përfshirë këtu edhe artistët të cilët kanë punuar me të ndër vite, në muzikë, në radio, në TV, por edhe në projekte tjera artistike ku Hivziu e ka dhënë maksimumin e tij.

Sot kanë ngushëlluar në rrjete sociale Eliza Hoxha, Florent Boshnjaku, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Musa Doroci, këngëtarja Vera Oruqaj, Esad Dukaja e artistë e miq të tjerë që punuan me të ndjerin.

Zake Prelvukaj në KultWoman: Zëri i artit asnjëherë nuk më ka lënë të qetë

Arbër Selmani

Ka vite që merret me art dhe ka ditur të provokojë në kohëra kur ka qenë vështirë të dalësh jashtë kutisë. Në forma të ndryshme, ajo ka qenë gjithmonë artiste por edhe aktiviste, ka ndihmuar me artin e saj thumbimin e mentalitetit. Ajo ka sfiduar edhe veten, edhe familjen e saj, por nuk është dorëzuar asnjëherë.

Zake Prelvukaj, pos artit dhe ekspozitave të cilat i ka hapur gjithandej nëpër botë, ka ndihmuar shumë në ligjërimin mbi artin, tek fëmijët. Ajo qysh e vogël ka nisur me qepje, ka qepur vello, ka qepur edhe për të fituar. Këpucat e mprehta të nënës së saj ajo i ktheu në sandale, se nuk i pëlqenin në formën origjinale. Rrugët e Prishtinës i ka mbushur me vizatime me shkumës, ndërsa në vende të ndryshme në Kosovë ka ligjëruar mbi mënyrën e të menduarit me art.

Zake Prelvukaj ka qenë mysafirja e radhës në mbrëmjen ‘KultWoman me…’ organizuar nga KultPlus, për të nderuar gratë të cilat kulturës dhe artit i dhanë shumë ndër vite.

Në rreth 60 minuta bisedë, Alberina Haxhijaj nga KultPlus dhe Zake Prelvukaj kuvenduan për karrierën e kësaj të dytës, për jetën e saj, artin, jetën, inspirimin, dhe zërin artistik që duket se atë nuk e lë asnjëherë të qetë.

‘Unë asnjëherë nuk pajtohem me gratë që thonë se me vite nuk kam mundur të punoj shkaku i familjes. Po ju tregoj, për katër vite i kam rritë fëmijët e motrës sime, vetë kam pasë probleme dhe disa dështime me shtatzanitë e mia, por gjithmonë kam pasur forcën. Kur të vjen zani i artit, sikur zani i Krishtit apo Muhamedit, është i shenjtë dhe mua nuk më ka lënë asnjëherë të qetë. Unë gjithmonë kam kriju, veq nëse nuk kam mujt me lëvizë fare” ka treguar gjatë mbrëmjes mes tjerash Zake Prelvukaj.

Audienca e pati Zaken përpara saj, një artiste e cila jo rrallë ka ditur të jetë qendra e vëmendjes së artit në Kosovë, me goditjet e saj në qarqe të ndryshme të jetës.

Ajo e ka nisur tregimin e saj me fëmijërinë, me kohën kur ishte e re dhe kur vendosi të qepte, e më pas të futej në pikturë, në Akademi të Arteve, dhe më pas të bëhej edhe profesoreshë. E refuzoi rolin e Ministres së Kulturës, sepse nuk e linin që ajo ti përzgjidhte vetë këshillëtarët e saj. E refuzoi edhe rolin e drejtueses së Galerisë së Arteve, sepse liria e saj frymonte ndryshe. Zakja thjeshtë frymonte më afër me artin, se me postet artistike.

Në ‘KultWoman me…’ ajo nuk harroi ta përmendte edhe Hanin e 2 Robertëve, hapësirën në kryeqytet ku u rritën e morrën formë disa prej artistëve të njohur të gjeneratave të ndryshme në Kosovë.

“Hapësira e artit Hani i 2 Robertëve ka luajtë rol të madh tek artet figurative, por edhe tek fushat tjera, sepse kur kemi shku aty na kanë trajtu sikur të ishim fëmijët e tyre. Por unë nuk u ndala me pak. Në vitet 1996, 1997 shkoja në Tivar dhe krijoja murale, e në këtë kohë për ekzistencë shitej më pas edhe piktura, sepse kisha familje të gjithë mbetëm pa rroga. Për femrat e dhunuara kemi reaguar si artistë qysh në vitin 1997, sepse sipas mendimit tim, arti është dokumenti më i fortë, më shumë flet arti e fotografia sesa një shkrim që mund të zgjerohet. Arti është pasqyrë e fortë e terrenit ku jeton” tregoi Prelvukaj.

Ajo është përjetësisht e lidhur me ndjenjën e artit. Tregimi i saj nuk është vijë e drejtë, dhe ajo e kupton shpesh që del jashtë temës, e kthehet në temë, dhe del prapë jashtë por gjithmonë futet brenda duke e përdorur artin dhe lidhjen e jetës së saj me fushën artistike, shprehjen artistike në forma e trajta të ndryshme.

Para 21 vitesh ajo doli për herë të parë me trupin e saj brushë. Nuk munguan fjalët e njerëzve, por ajo guxoi sepse siç tregon, ky ishte inspirimi i saj i kohës. Vjen koha kur nuk të pëlqen brusha dhe më pas dëshiron të punosh në një formë tjetër, tregon Zakja. Ajo kësisoj ka punuar gjithmonë, duke e ndjekur elementin e inspirimit të saj, pa dëgjuar çka thonë të tjerët rreth saj.

“Jam e lumtur që kam pasur një aparat, nëj Toshiba që ma ka ble baba, një aparat me të cilin jam zhvillu gjithandej. Kam fotografu çdokund, prej Akademisë së Arteve, portrete, kam fotografu protesta, ekspozita, me Ibrahim Kodrën i kam dy filma të aparatit, me Muslim Mulliqin e me Xhevdet Xhafën. Këto fotografi sot nuk janë ekspozuar por e di se një ditë do t’i ekspozoj ato, duke nisur prej portreteve, të gjitha fotografive në Hanin e 2 Robertëve, dhe të gjitha fotografitë e ngjarjeve që kanë një lidhshmëri me krijimin e situatës ekonomike, politike e sociale në atë kohë” tregon tutje Zake Prelvukaj.

Ajo e përsëriti trupin e saj brushë, në një herë të dytë me trupin e saj të lyer me zift. Dhe zifti do ti dhimbte shumë në trup, por ajo e dëshironte këtë dhimbje, duke u solidarizuar me gratë e dhunuara shqiptare dhe me dhimbjen e gruas, për çfarëdo arsye. Ajo thotë se procesin e trupit brushë do ta përsërisë çdo 4-5 vite, në forma të ndryshme artistike.

Tregimi i saj për ‘KultWoman me..’ është i gjatë, i bukur dhe i mishëruar ashtu siç di vetëm Zakja.

‘KultWoman me…’ organizohet nga KultPlus dhe është projekt në kuadër të Kultura për Ndryshim – financuar nga EU dhe implementuar nga Qendra Multimedia dhe Goethe Institute.

Flamuri i Kosovës valëvitet në Otava të Kanadasë

Për të tretën herë rradhazi në kryeqytetin e Kanadasë, Otava, është valëvitur flamuri i Kosovës.

Veçantia e këtij viti, është së përveç festimeve të 11-vjetorit të Pavarësisë, festohet dhe 20-vjetori i mbërritjes së refugjatëve të Kosovës në Kanada, 20-vjetori i ndërhyrjes së NATO-s ku Kanadaja ka qënë një ndër aktorët kryesor, si dhe 10-vjetori i Marrëdhënieve Diplomatike Kanada-Kosovë.

Në fjalën e tij, në prezencë të autoriteteve më të larta federale, lokale, trupit diplomatik, gazetarëve dhe komunitetit të diasporës, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Kanada Lulzim Hiseni, theksoi raportet e shkëlqyera dhe të veçanta që gëzojnë Kanadaja dhe Kosova . Viti që lamë pas, përveç vizitave tepër të rëndësishme nga autoritet Kosovare në Kanada ka kulmuar dhe me marrëveshjen FIPA (marrëveshja për mbrojtjen e investimeve të huaja) që i hap rrugën bizneseve Kanadeze që të investojnë në tregun Kosovar.

Në kuadër të këtij aktiviteti tepër të rëndësishëm, nën-Kryetari i Bashkisë së Otavës z.Matthew Luloff, përshëndeti përzemërisht Ambasadën e Kosovës si dhe komunitetin tonë të diasporës të cilët japin një kontribut tepër të çmuar në Otava. Ai përgëzoi iniciativën e Ambasadës së Kosovës dhe komunitetit të diasporës për emërimin e një rruge në Kryeqytetin e Kanadasë me emrin “Parasol Kosovo” në nder të operacionit më të njëjtin emër nga Qeveria Kanadeze në vitin 1999 të cilët sollën në Kanada rreth 7000 refugjatë nga Kosova gjatë luftës.

Kanadaja dhe Kosova ndajnë vlera të përbashkëta dhe kjo i bën këto vende që të jenë mike-u shpreh në fjalën e saj Kryetarja e Grupit të Miqësisë Parlamentare Kosovë-Kanada deputetja Anita Vandenbeld ,e cila shprehu dhe urimet më të përzemërta në emër të Kryeministrit Kanadez Justin Trudeau. 

Drejtoresha për Europën Lindore dhe Azi pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme Kanadeze vlerësoi lartë intesitetin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe shprehu gadishmërinë sidomos për bashkëpunim më të thelluar ekonomik dhe tregtar. 

Teksti i Hivzi Krasniqit që u kthye në këngë për Nexhmije Pagarushën

Ka ndërruar jetë mbrëmë Hivzi Krasniqi, gazetar, tekstshkrues dhe një profesionalist i vërtetë në fushën e gazetarisë.

Për shumë njerëz ai mbetet një ndër zërat më të mirë dhe të fuqishëm në gazetarinë shqiptare, me emisionet e tij në TV-të dhe radiot e ndryshme shqiptare.

Krasniqi është veçuar edhe si një tekstshkrues në këngë të ndryshme shqipe, të cilat sot mbesin si trashëgimi e Krasniqit në muzikën e mirëfilltë shqipe, shkruan KultPlus.

Mes këtyre këngëve, po e veçojmë një tekst të cilin Krasniqi e shkroi në vitin 2017 dhe ia dha si këngë më pas Adelina Thaqit e Naim Krasniqit.

Teksti u shkrua për ditëlindjen e Bilbilit Nexhmije Pagarusha, dhe është këngë dedikuar asaj. Këngën e kompozoi Naim Krasniqi. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=YRfzcJd3g1M

Dua Lipa me figurë prej dylli në ‘Madame Tussauds’

Këngëtarja me prejardhje nga Kosova, Dua Lipa, është bërë me figurë prej dylli në muzeun e dyllit “Madame Tussauds” në Londër.

Krijuesja e hitit “One Kiss” befasoi fansat e mbledhur në muze dhe pozoi me figurën e saj, një javë pasi fitoi dy çmime “Grammy”.

23-vjeçarja dukej joshëse gjatë paraqitjes së saj në muze dhe u shoqërua nga i dashuri i saj, Issac Carew.

Tekstet e Hivzi Krasniqit të cilat u jetësuan në këngë shqipe

Sot jemi zgjuar me lajmin për vdekjen e Hivzi Krasniqit, një njeri që i dha shumë artit dhe kulturës dhe një zë radiofonik i cili na ndriti me mënyrën e tij të informimit, tejet profesionale.

Krasniqi, me gjithë modestinë e tij, ishte edhe një krijues i devotshëm.

Shumë këngë shqipe e kanë vulën e fjalëve që kanë dalë prej mendjes dhe dorës së Krasniqit.

“O Zambak lule n`parajsë”, kënga që e fitoi vendin e parë në Zambakun e Prizrenit në vitin 2017 u shkrua nga Hivzi Krasniqi, e kënduar nga Majlinda Cikaqi dhe Kushtrim Kelani, kompozuar e orkestruar nga Tomor Berisha.

Hivziu do të krijonte një tekst të mahnitshëm për Shpresa Gashin. “Për diellin që ndrinë” fitoi çmimin e tretë në “Shkupi 1973”, këngë kjo me muzikë nga Hysen Badivuku.

Për Grupin TNT Hivziu ka shkruar tekstin “Mendova se më dashurove” në vitin 1985, në kuadër të albumit DASMA. Muzikën e kësaj kënge e ka krijuar më pas Nexhat Macula.

https://www.youtube.com/watch?v=V_vfvHqrJH0&t=4s

Artisti Hivzi Krasniqi ka ndihmuar edhe artistët e rinj, që ata të mund të kenë në bagazhin e tyre muzikor këngë të ndryshme me vlerë. “Mashtrimi” është tekst i shkruar nga ai, të cilin tekst më pas e këndoi Albana Kelmendi, me kompozimin e Selvete Krasniqi Ismailit.

Hivziu e ka shkruar edhe këngën “Mërgimi”, të cilën e kënduan Bedri dhe Lind Islami.

Në vitin 2017-të, ai do të bashkëpunonte me Shkurte Fejzën dhe Gresa Behlulin për këngën ‘Nëna ime’. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=kYqx2-rpOiA