Dafina Zeqiri, Mc Kresha, Gjiko bashkë me pesë artistë të tjetër do të performojnë në Prishtinë, për koncertin e 11-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt.
Gazeta “inFokus” publikon dokumentet e shumës që parashikohet të shpenzohet për organizimin e koncertit, ku shkruhet se do të paguhen nga buxheti i shtetit 3.263.650 euro.
Gjysma e këtyre parave është parashikuar të shpenzohet për të pagesën e këngëtarëve: Dafina Zeqiri, Mc Kresha, Gjiko, Lumi B, Rina Balaj, Llumi, Fuego dhe DJ Dagzi.
Në dokument shkruhet se ky i fundit do të paguhet 2.000 euro.
Nga ana tjetër, për arredimin e koncertit janë parashikuar 3.000 euro dhe po kjo shumë shkon edhe për audion dhe sistemin e ngrohjes.
Te martën, Qeveria e Kosovës ka ndarë një shumë prej 500 mijë eurosh, shumë e cila nuk u la pa u kritikuar nga tek deputetët e opozitës.
Ndërsa kompania e cila ka fituar këtë tenderë do të marrë në total 300 mijë euro nga ky buxhet. / KultPlus.com
Ka ndërruar jetë para pak minutash pas një sëmundje të shkurtër mjeshtri i letrave dhe doajeni i gazetarisë shqiptare Hivzi Krasniqi.
I ndjeri Hivzi Krasniqi ka ndërruar jetë pranë familjes së tij në Prishtinë, ndërsa lamtumira e fundit do ti ipet më 16 shkurt në Pejë. Hivzi Krasniqi njihet si autor i mëse njëmijë tekstesh hite të këngëve shqip, dhe si ndër pionierët e pare të radiogazetarisë kosovare, i angazhuar në Radio Prishtinën e dikurshme që nga ditët e para të karrierës së tij./KultPlus.com
Nëse do zgjedhësh Dibrën për të bërë turizëm është zgjedhja ideale për turistë vendas dhe të huaj, pasi natyra ka përsosur peizazhin më atraktiv që haset jo vetëm në Shqipëri por më gjerë.
Një luginë e shtrirë mes kodrave që përshkruhet nga lumi Drin, ku mund të zhvillosh aktivitete sportivë për gjithë gjatësinë e tij.
Mali i Korabit që rrok qiellin, është një vend ideal jo vetëm për shqiponja, por edhe për të pasionuarit e aeronautikës. Një grup të rinjsh aventurier kanë fluturuar me parashuta përtej maleve, përtej harresës.
Dibra ka turizmin e bukur që meriton. Nga qielli me parashuta, nga lumenjtë me kanoe, nga malet dhe lëndinat me biçikleta, me kampingje, eksplorime, sporte dhe aventura, turizmi në Dibër është fantastik.
Lura, Korabi, Sapanika, mikpritja dibrane, tradita, kultura, gatimi, rinia energjike, janë bërë bashkë ti japin Dibrës zhvillimin e bukur njerëzor, natyror të ekoturizmit. Nëse nuk e ke vizituar ende Dibrën, nuk e ke parë ende Shqipërinë. /A.T.SH/ KultPlus.com
1653 çelësa rrinë të varur në korridorin që çon tek holli i Kuvendit të Kosovës. Kjo vjen si portretizim i asaj që çështja e të pagjeturve në Kosovë akoma rri pezull. Pamjet e ngjitura në murin e gjatë dëshmojnë se tash e dy dekada, familjarët e të pagjeturve nuk kanë gjetur as edhe një çelës për të mbyllur plagët për ata që nuk u kthyen më kurrë. Çdo trokitje në derën e tyre ngjallë pak shpresë, po kur dita mbyllet pa as edhe një lajm, nata mbulohet veç nën ankth.
Fotografitë e Atdhe Mullës të dërgojnë në përditshmerinë e këtyre familjeve, shikimi i të cilëve është gjithnjë përtej shtëpisë. Duket sikur më nuk dijnë as kah t’i orientojnë pritjet. Familjarëve, krejt çka u ka mbetur prej të zhdukurve nga lufta, janë fotografitë, por Fatime Çerkini ka të vështirë ta kujtoj fëmijërinë e të birit, Reshatit pasi që flaka e luftës ia ka djegur edhe fotografitë. Në të gjitha fotografitë e ekspozitës, sytë e saj qëndrojnë gati se të mbyllur, ndërsa duart i ka të shtrënguara pranë gjoksit. Trishtimi saj, i cili është lehtë i lexueshëm në fotografi, nuk i është shkoqur as sot teksa ecën përgjatë korridorit ku qëndron ekspozita. Në këtë hapësirë, fjalët e fundit që ia ka thënë i biri, tashmë janë të vendosura me shkronja të mëdha me ngjyrë të bardhë, që bëhen fort të theksueshme në murin e errët.
“Do të shkoj atje ku po shkojnë të gjithë të rinjtë, edhe nëse duhet të vdes, siç po vdesin të tjerët”, janë fjalët e fundit që Fatime Çerkini kujton nga ai, e që sonte erdhën pranë syve të shumë vizitorëve që erdhën për të parë ekspozitën. “Sikur ta dija që ai nuk do të kthehet më, do ta kisha përcjell bile deri në fund të shkallëve”, kishte thënë Çerkini, ndërsa thotë se i duket që ende çdo ditë e dëgjon zërin e tij se si e thërriste.
Fatime Çerkini
Fotografitë e Atdhe Mullës vijnë në dy ngjyra, bardh dhe zi. Përmes tyre vizitorët e ekspozitës mund të futen brenda mureve të çdo shtëpie, brenda emocioneve të familjarëve të të pagjeturve. Shpesh ata janë të vendosur pranë derës e duken sikur janë shtangur në pragun e pritjes.
“Që t’i japim një jetë e simbolikë numrat që përmendet, kam pasur qejf që në mënyrë metaforike të vendosim nga një qelës për secilin emër apo person që është i zhdukur, pasi në shumë rrëfime e gjen fjalinë që sa herë që trokite në derë nënat shqetësohen duke thënë mos u kthye. Qelësi në kuptim metaforik është edhe për çdo zemër që është në pritje me emocion peng që ta mbyll këtë çështje duke marrë përgjigje”, shpjegoi kuratorja e ekspozitës Eliza Hoxha.
Me qëllimin parësor që t’u jepet zë familjarëve të personave të pagjetur dhe ky zë të dëgjohet fuqishëm tek palët relevante, Integra dhe forum ZFD, në bashkëpunim me Qendrën Burimore për Persona të Zhdukur dhe me Kuvendin e Kosovës, sollën sonte ekspozitën “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve”. Dy dekada pas luftës, çështja e 1653 të pagjeturve nga lufta në Kosovë ende nuk ka marrë përgjigje. Kjo ekspozitë e cila erdhi në shënimin e përvjetorit të 11-të të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës është vendosur në hapësirat e Kuvendit të Kosovës me qëllim që të dërgoj një mesazh nëpërmjet gërshetimit të punës hulumtuese, fotografisë dhe një koncepti kuratorial kreativ tek institucionet publike, politik-bërësit dhe tek akterët tjerë të fushës së Drejtësisë Tranzicionale drejtë zbardhjes së fatit të personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.
Kryeparlamentari Kadri Veseli në fjalimin e tij tha se falë kësaj ekspozite, përmes artit vëmendja kthehet në një prej plagëve më të rënda të luftës, siç është çështja e të pagjeturve.
“Në shumë raste arti e shpreh brengën dhe dhimbjen më mirë sesa format tjera të shprehjes njerëzore. Ky instalacion na e dëshmon këtë”, u shpreh në fjalën e tij Veseli, ndërsa tha se Serbia është ajo që duhet të jap llogari për arsye se përgjegjësinë e mbanë të plotë për veprimet e veta ushtarake e joushtarake, që në tërësinë e vet kanë qenë të kontrolluara nga një mekanizëm i centralizuar dhe ai ka qenë shteti serb.
Kryeparlamentari Kadri Veseli
Korridori i Kuvendit të Kosovës ka qenë cak i ekspozitës, pasi që ai për kuratoren e ekspozitës Eliza Hoxhën e përshkruan më së miri rrugëtimin e gjatë dhe të zymtë të familjeve të të pagjeturve, të cilët janë në një rrugë që akoma s’ka një cak të qartë.
“Këtë material unë kam dashur ta formësoj e t’i jap jetë për ta sjellë për të tjerët në hapësirë publike. Jemi munduar që të gjitha dyert e zyrave t’i stimulojmë si të jenë dyert e shtëpive, ku kemi një familje e një rrëfim, dhe kanë ardhë si të tilla. Këto rrëfime nga brenda për herë të parë dalin jashtë në një rrugëtim publik”, tha Eliza Hoxha për KultPlus.
Eliza Hoxha
Drejtori i Integra-s Kushtrim Koliqi, tha se ekspozita duhet të jetë britmë që duhet të shkojë në veshët e atyre që marrin vendime brenda Kuvendit të Kosovës. Koliqi theksoi se për familjarët e të pagjeturve, lufta ende s’ka përfunduar.
“Kur kemi qenë duke e organizuar këtë ngjarje, kemi pasur komente të ndryshme, njëra prej tyre ka qenë: “Shumë mirë që po bëni zhurmë dhe shumë mirë që po bëni zhurmë në vendin ku duhet të bëhet zhurmë”. Ne po bëjmë zhurmë. Besoj që ekspozita nuk është vetëm zhurmë në këtë objekt të rendësishëm për vendimmarrje, por është bërtimë me shpresën që ehoja e kësaj bërtime do të shkoj në vesh e në zemrat e njerëzve që marrin vendime këtu. Nëse ne me datën 17 festojmë Pavarësinë, për ata lufta ende nuk ka përfunduar”, theksoi Kushtrim Koliqi.
Kushtrim Koliqi
Kurse Korab Krasniqi nga forum ZFD tha se në prag të festimit të 11-vjetorit të Pavarësisë e vlerëson faktin që Kuvendi i Kosovës i hapi dyert, duke u dhënë shpresë familjarëve të të pagjeturve.
“Duke u nisur nga principi dhe parimet e vendeve në drejtësi tranzicionale e të së drejtës ndërkombëtare, familjarët e të pagjeturve kanë të drejtë të dinë për fatin e më të dashurve të tyre”, tha Krasniqi.
Kryetari i Qendrës Burimore për Persona të
Zhdukur, Bajram Çerkini, sot pranë të pranishmëve theksoi në të ardhmen do të
jetë edhe më e vështirë të zbardhet fati i personave të të pagjeturve.
“Dhimta e atyre që na therrasin, hajde merrem
babë, hajde merrem nanë… s’po shkon në vend ku duhet, vetëm te familjarët.. Po
flas në emër të të gjithë atyre që vazhdimisht mendojnë se tash u vjen fëmija. Dëshira ime për hatër të të
rinjve, për hatër të këtij vendi që nuk ka send që e paguan, duhet të them
urime 11-vjetori i Pavarësisë së Kosovës”, u shpreh Çerkini në fjalën e tij.
Kjo ekspozitë do të qëndroj e hapur në hapësirat e Kuvendit të Republikës së Kosovës deri me datë 30 prill. Kjo iniciativë fuqizohet nga Integra, forumZFD në Kosovë, Qendra Burimore për Personat e Zhdukur, Kuvendi i Republikës së Kosovës, SwissCooperation Office Kosovo, RockefellerBrothersFund, dhe Ministria Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik e Qeverisë Gjermane. / KultPlus.com
Babën e lanë në luftë, ushtar, me ua sjellë lirinë.
Ata u detyruan me u shpërngul e me lan vendin
e vet, duke shpresuar që një ditë do të kthehen e do të jetojnë të lirë së
bashku me babën në shtëpinë e tyre, jo te pasur, por të ngrohtë me aromë
familje e atdheu.
Ah, LIRIA! Kjo andërr që me shekuj e andërrum. Kjo shpresë që na mbajti gjallë
ndër breza!
Qershor 1999;
Po ktheheshin me lumturi e ngazëllim pas
gjithë atyre vuajtjeve. Do të flinin nën qiellin e hapur të rrethuar me dheun
dhe erën shkrumb, sepse shtëpinë ua kishin djegur kriminelët serbë. Por ata
ishin të lumtur! Sa pak i ndante nga takimi me babën. Ata tani do te rriteshin
në liri…
Hyjnë në dyert e oborrit. Lumturia e tyre
zgjati shumë pak. Nuk panë asnjë njeri!
Babai ua solli lirinë, por nuk ishte aty më kurrë për t’i përqafuar!
Ah LIRIA! Kjo sakrificë e madhe e shqiptarëve!
E përjetshme vepra e Ushtrisë Çlirimtare të
Kosovës!
Konfuci (i lindur në 28 shtator 551 para Krishtit në Qufu, vdekur në 479 para KRishtit në Qufu, Lu) ishte një politikan, mësues, botues, filozof kinez. Në filozofinë e Konfucit, prioritet ka disiplina vetiake. Ai besonte se që të udhëheqë, një lider duhet të jetë i vetëdisiplinuar dhe i përulur ndaj ndjekësve të tij. Duke ruajtur disiplinën vetiake dhe dhembshurinë ndaj ndjekësve, ai ruante një mjedis pozitiv, dhe kjo i shtynte ata që ta ndiqnin pas.
Mëso të shkuarën nëse do të dish të ardhmen.
Nuk ka rëndësi se ecën ngadalë, rëndësi ka të mos ndalosh.
Ku ka edukim nuk ka diskriminim.
Para se të nisësh rrugëtimin e hakmarrjes, hap dy varre.
Lavdia jonë më e madhe nuk është të mos rrëzohemi kurrë, por të ringrihemi pas rrëzimit.
Kush flet pa modesti do të gjejë vështirësi të vlerësojë fjalët e veta.
Mos bëj gjëra, për të cilat, herët a vonë do të pendohesh!
Ai që kërkon të sigurojë të mirën e të tjerëve, të vetën e ka siguruar tashmë. Nëse sheh një të uritur, mos i jep oriz: mësoje ta kultivojë./ KultPlus.com
Këngëtarja e njohur nga Kosova, Era Istrefi, sot ka lansuar këngën më të re të saj.
Kënga titullohet “Selfish”, të cilën këngëtarja 24-vjçare e ka bërë në bashkëpunim me vëllezërit belgë të njohur me emrat artistikë Dimitri Vegas dhe Like Mike./KultPlus.com
Biblioteka “Azem Shkreli” me rastin e përvjetorit të 11-të, të Pavarësisë së Kosovës hapi ekspozitën e librit “Rrugëtimi i Kosovës drejt Pavarësisë”, shkruan KultPlus.
Në këtë ekspozitë janë shpalosë tituj të librave të përzgjedhur nga fondi i Bibliotekës “Azem Shkreli” me përmbajtje historike për Kosovën që nga Dardania antike duke u përfshirë vendet, ngjarjet dhe koha e rrugëtimit të dhimbshëm deri në aktin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës./ KultPlus.com
“Mendoj se të biesh në dashuri me jetën është çelësi i rinisë së përjetshme” – Doug Hutchison
“Jeni në këtë botë vetëm për një vizitë të shkurtër. Mos u ngutni, mos u shqetësoni. Dhe sigurohuni që t’u merrni erë luleve rrugës” – Walter Hagen
“Njeriu që guxon të humbasë një orë kohë, nuk e ka zbuluar vlerën e jetës” – Charles Darwin
“Nëse jeta do të ishte e parashikueshme, ajo do të pushonte së qeni jetë dhe do të ishte pa aromë” – Eleanor Roosevelt
“E gjithë jeta është një eksperiment. Sa më shumë eksperimente të bëni, aq më mirë” – Ralph Waldo Emerson
“E gjithë jeta është maja malesh dhe lugina. Mos lejoni që majat të jenë shumë të larta dhe luginat shumë të ulëta: – John Wooden
“Misioni im në jetë nuk është thjesht të mbijetoj, por të lulëzoj; dhe ta bëj këtë me pak pasion, pak dhembshuri, pak humor, dhe pak stil” – Maya Angelou
“Jeta është si të ngasësh një biçikletë. Për të mbajtur ekuilibrin, duhet të vazhdosh të lëvizësh” –Albert Ajnshtajn
“Gjëja më e rëndësishme është të kënaqeni me jetën tuaj – të jeni të lumtur – kjo është gjithçka që ka rëndësi – Audrey Hepburn
“Jeta është e shkurtër. E ke ti në dorë që ta bësh të ëmbël” – Sarah Louise Delany
“Gjithmonë më pëlqen të shikoj anën optimiste të jetës, por jam mjaftueshëm realist për të ditur se jeta është një çështje komplekse” – Walt Disney / bota.al/ KultPlus.com
Me një thes në shpinë, artistja Mariya Sorokina, çdo fundjavë shkon në qendrën për riciklim në Kiev të Ukrainës për të çuar mbeturinat. Për dallim prej recikluesve tjerë, ajo kthehet në shtëpi me “thesar” apo plastikë të ricikluar të cilën e shndërron në aksesorë glamurozë.
Shndërrimi i plastikës në produkte me vlerë ose formë arti është në modë nga artistët. E motivuar nga pasioni për modën dhe dëshirën që ta mbajë Ukrainën e pastër, Sorokina 27-vjeçare themeloi kompaninë e modës në prill të vitit 2018 dhe shet vëth e bizhuteri tjera prej plastike.
Ajo thotë se projekti kishte lindur nga koncepti prej fjalisë “bërlloku është thesar” dhe do që mbeturinat të konsiderohen burim për bëra të mira. Vetëm disa muaj më vonë projekti i saj u shfaq në Javën e Modës në Ukrainë. Ajo bashkëpunoi me dizajnerin Roussin për koleksionin pranverë-verë.
Sorokina kërkon shishe shamponi dhe material me ngjyra, të cilat i përdor për dizajnim të vëthëve. Shpesh kërkon ngjyra të veçanta për t’iu përshtatur kërkesave të klientëve. Ngjashëm si qendra e riciklimit, një rrjet i salloneve të bukurisë kanë filluar furnizimin me shishe të zbrazëta./koha.net/ KultPlus.com
Qendra Kombëtare e Kinematografisë ka nënshkruan marrëveshjen me Open Labs për pasqyrimin në Wikipedia te të gjithë informacionit mbi kinemanë shqiptare, shkruan KultPlus.
Projekti WikiFilmat SQ synon të përmirësojë informacionin rreth industrisë së filmit shqiptar në platforma të dijes së hapur si Wikipedia, Wikimedia Commons dhe Wikidata. Burime cilësore të informacionit do ofrohen nga partneri kryesor i projektit që është Qendra Kombëtare e Filmit.
Open Labs
është komuniteti që promovon në Shqipëri dhe në rajon teknologjitë me kodburim
të lirë dhe të hapur, të dhënat e hapura, standartet e hapura teknologjike,
privatësinë online dhe fuqizimin e domeinit publik dhe licensave alternative të
veprave kreative si Creative Commons.
Wikimedia Community User Group Albania është një grup i përdoruesve të projekteve Wikimedia të Shqipërisë të cilët janë të interesuar të organizojnë dhe të marrin pjesë në aktivitete outreach në nivel kombëtar duke përfshirë Galeritë, Bibliotekat, Arkivat dhe Muzetë./ KultPlus.com
Adresimi i çështjes së të pagjeturve në opinionin publik mbetet proces kompleks diskursiv dhe politik i cili i redukton të pagjeturit në numra dhe i tjetërson ata dhe familjarët e tyre në objekte. Debatet e ngritura rreth kësaj çështjeje shtrihen kryesisht në rrafshin dhe nomenklaturën e mjekësisë ligjore, drejtësisë, të drejtave njerëzore, marrëdhënieve ndërkombëtare, dhe aspekteve që lidhen me kompetencat, gjersa në anën tjetër kemi të bëjmë me një proces dehumanizimi të tërësishëm, ku subjektiviteti, përjetimi dhe narrativi personal zhvishet dhe reduktohet në njësi apo vlerë numerike.
Me qëllimin parësor që t’u jepet zë familjarëve të personave të pagjetur dhe ky zë të degjohet fuqishëm tek palët relevante, Integra dhe forumZFD, në bashkëpunim me Qendrën Burimore për Persona të Zhdukut dhe me Kuvendin e Kosovës, do të instalojnë një ekspozitë unike të titulluar “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve”.
Hapja e kësaj ekspozite do të bëhet sot, me datë 15 Shkurt 2019 duke filluar prej ora 18.00h në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Kjo ekspozitë e realizuar me foto të fotografit Atdhe Mulla, të kuruar nga Eliza Hoxha, ndërtohet në baza të një hulumtimi të thukët, historive gojore dhe fotografive të realizuara me familjarë të personave të pagjetur. Ekspozita është e vendosur në hapësirat e Kuvendit të Republikës së Kosovës kështu duke rezonuar mesazhe thelbësore simbolike rreth asaj se në cilin drejtim graviton përgjegjësia më e madhe në raport me punën drejt zbardhjes së fatit të të pagjeturve.
Çështja e 1653 të pagjeturve nga lufta në Kosovë ende nuk ka marrë përgjigje. Kjo ekspozitë është planifikuar të hapet për shënimin e përvjetorit të 11-të të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe e vendosur në hapësirat e Kuvendit të Kosovës me qëllim që të dërgoj një mesazh nëpërmjet gërshetimit të punës hulumtuese, fotografisë dhe një koncepti kuratorial kreativ tek institucionet publike, politik-bërësit dhe tek akterët tjerë të fushës së Drejtësisë Tranzicionale drejtë zbardhjes së fatit të personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë. Ekspozita gjithashtu ka për qëllim që t’i mbështesë familjarët e personave të pagjetur në një proces që iu garanton të drejtën për të ditur dhe statusin e dëshmitarëve historik, si dhe pjesëmarrjen në formësimin e kujtesës kolektive.
Në hapjen e ekspozitës do të marrin pjesë akterë të shumtë lokal dhe ndërkombëtar duke pëfshirë udhëheqësit politik, përfaqësuesit e familjarëve të personave të pagjetur, përfaqësues të shoqërisë civile dhe komunitetit artistik, përfaqësues të institucioneve nderkombëtare, etj.
Kjo ekspozitë do të qëndroj e hapur në hapësirat e Kuvendit të Republikës së Kosovës deri me datë 30.04.2019.
Kjo iniciativë fuqizohet nga Integra, forumZFD në Kosovë, Qendra Burimore për Personat e Zhdukur, Kuvendi i Republikës së Kosovës, Swiss Cooperation Office Kosovo, Rockefeller Brothers Fund, dhe Ministria Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik e qeverisë Gjermane.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, në një ceremoni solemne, ka bërë ndarjen e Çmimit Kombëtar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” dhe për Çmimet Vjetore për Letërsi.
Çmimi Kombëtar Letrar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” i ndahet Ibrahim Kadriut, krijimtaria e të cilit përfshin më shumë se 50 vepra letrare, ndër të cilat bëjnë pjesë gjini dhe zhanre të ndryshme letrare dhe shkrimore, si: romane, novela, tregime, drama, poezi, kritike letrare, eseistikë. Ibrahim Kadriu si shkrimtar karakterizohet për origjinalitetin e tij, me tema shumë interesante, që në përgjithësi janë në frymën kombëtare, që e edukojnë brezin e ri. Ky çmim ka vlerë financiare prej pesë mijë eurosh.
Çmimi për veprën më të mirë në prozë ”Anton Pashku” për vitin 2018 iu ndahet autorëve Sali Bytyçi për veprën “Gjunjët” dhe Florin Kelmendi për veprën “Vrasje në kornizë”. Sali Bytyçi me veprën e tij në prozë “Gjunjët” shfaqet si një Kafkë i shekullit XXI, i cili lexuesit i jep një dëshirë të pangopur për t’i lexuar tregimet e tij. Romani “Vrasje në kornizë” e Florim Kelmendit karakterizohet për gjuhën, kompozicionin, mënyrën e përhapjes së karaktereve të personazheve, tematikën dhe mbi të gjitha mesazhet artistike që përçohen te lexuesit. Ky çmim shpërblehet me vlerë monetare prej njëmijë e dyqind e pesëdhjetë eurosh për secilin autorë.
Ndërkaq, Çmimi për veprën më të mirë në poezi “Ali Podrimja” u nda përgjysmë për shkrimtarët:
Merxhan Avdyli për veprën “As engjëll as djall” dhe Çun Lajçi për veprën “Çakorr, ti vdekje e mirë”. Merxhan Avdyli përmes përmbledhjes me poezi “Si engjëll si djall” ka sjellë mënyrën e veçantë të përjetimit, që e kalon kohën e kaluar në kohën e sotme si nostalgji, ndërsa përjetimin e tashmë si petkun poetik. Çun Lajçi me përmbledhjen poetike “Çakorr, ti vdekje e mirë” ka paraqitur shoqërimin e revoltës së procesit nëpër të cilën ka kaluar Kosova. Ky çmim ka vlerën monetare prej njëmijë e dyqind e pesëdhjetë eurosh për secilin autorë.
Juria ka vlerësuar se për këtë vit Çmimi për fëmijë dhe të rinj ”Vehbi Kikaj” t’i ndahet autorit Avdush Canaj për veprën “Planeti i buzëqeshjes”. Vëllimi poetik “Planeti i buzëqeshjes” i poetit Avdush Canaj është një prurje e suksesshme e këtij autori, zotërimi i të cilit është në nivel për t’u lakmuar. Çmimi shoqërohet me një shpërblim në vlerë financiare prej dymijë e pesëqind eurosh.
Çmimi për veprën më të mirë në kritikë letrare dhe eseistikë “Ibrahim Rugova” për vitin 2018 iu ndahet autorëve Sali Bashota për veprën “Enigma e shkrimit” dhe Haqif Mulliqi për veprën “Teatri, drama dhe identiteti kulturor në Kosovë”. Sali Bashota përmes veprës me kritikë letrare “Enigma e shkrimit” synon trajtimin e temave dhe fenomeneve letrare përmes kriterit vlerësues dhe kriterit estetik për të evidentuar dhe konceptuar veçoritë e reja të kuptimit mes krijimit të letrës dhe mendimit kritik. Haqif Mulliqi përmes veprave kritike “Teatri, dramat dhe identiteti kulturor në Kosovë” para lexuesve sjell një gjini letrare gati të harruar nga krijuesit shqiptarë. Autori i librit, si studiues i teatrit dhe dramës, vë në pah zhvillimin e dramaturgjisë te ne, por edhe mangësitë e kritikës së artit dhe gjendjen e vështirë të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Ky çmim shoqërohet me shpërblimin prej njëmijë e dyqind e pesëdhjetë eurosh për secilin autorë.
Kurse Çmimi për veprën më të mirë të përkthyer në gjuhën shqipe dhe anasjelltas “Pjetër Bogdani” iu nda autorit Alfred Beka për veprën e përkthyer ”Peizazh me rënien e Ikarit”. Kjo vepër është përkthimi i parë i tij dhe pikërisht për këtë të le të përshtypje të madhe si për njohjen e thellë të gjuhës që ka, si për ruajtjen e realitetit. Edhe ky çmim shpërblehet financiarisht në vlerë prej dymijë e pesëqind eurosh.
Me këtë rast ministri Gashi tha se çmimet e ndara i ka cilësuar si një mirënjohje të institucioneve për punën dhe krijimtarinë letrare të shkrimtarëve dhe autorëve tanë dhe përkrahja e Ministrisë konsiderohet edhe si një nxitje për rritjen e vlerave të mirëfillta artistike.
“Unë si ministër e vlerësoj lart ndarjen e këtyre çmimeve për letërsi, sepse besoj se duke ndarë këto çmime në baza të rregullta vjetore ne i kontribuojmë edhe stimulimit dhe nxitjes së krijuesve të shkruajnë dhe ta pasurojnë artin e fjalës sonë të shkruar”, tha ministri Gashi.
MKRS-ja çdo vit ka rritur përkrahjen për botimin, blerjen dhe shpërndarjen e librit si një politikë kulturore e cila ka për synim avancimin dhe intensifikimin e artit letrar në vendin tonë.
Fituesit e këtyre çmimeve e falënderuan ministrin Gashi për mbështetjen e vazhdueshme karshi shkrimtarëve./KultPlus.com
Presidenti Hashim Thaçi ka njoftuar nëpërmjet rrjetit social facebook se ka njoftuar se ka dekoruar disenjatoren kosovare Blerina Kllokoqi Rugova, shkruan KultPlus.
Ky njoftim është bërë sot gjatë ditës, mirëpo më vonë, në
faqen zyrtare të presidentit Thaçi është fshirë ky postim.
Të gjitha mediet i janë referuar këtij postimi për këtë dekorim, por një njoftim i tillë nuk gjendet më në faqen zyrtare te Hashim Thacit./KultPlus.com
Gjithçka fillon mes shiut. Tri dritare e tregojnë qiellin e vranët, zymtësia e të cilit plotësohet prej degëve të dendura. Brenda kësaj errësire trupat shfaqen veç si hije që shpërndahen shpejtë, e krejt ngjarja kapërcen në një ambient shumëngjyrësh.
Për herë të parë balerinët kosovarë vijnë ndryshe para publikut prishtinas.
Balerini Kreshnik Musolli kësisoj që në hapin e parë si koreograf dëshmoi aspektin e tij filozofik e veçantinë për t’i sjellë skenës së baletit një rrugëtim ndryshe, me ‘Andërr’.
Balerinët me veshje më të gjera e lëvizje
krejt të zakonshme fillimisht tregojnë se shfaqja nis me një grup të rinjsh që
pjesën më të madhe të ditës e kalojnë rrugëve të mahallës. Ndërtesa në lagje është
e ndërtuar me tulla të kuqe, po që shihen pak pasi që gjithë hapësira është e
mbuluar me grafite shumëngjyrëshe.
E tillë është edhe jeta e banorëve aty, plot harmoni e ngjyra. Pranë një blloku banesor, koreografi ka vendosur ta fokusojë orën, praninë e kohës e ka matur në çdo hap që balerinët e hodhën në skenë. Ndryshe nga çdo vallëzim tjetër që balerinët kanë sjellë ndër vite në skenë, në këtë shfaqje lëvizjet e tyre diktohen nga muzika hip-hop. Asnjëri se pengon tjetrin në vallëzim e ndërveprimi mes tyre flet se secili po e shijon ritmin në mënyrën e vet. Pati edhe momente kur ata vet krijuan ‘rap’, me tekst të shkruar nga Kreshnik Musolli. Aulonë Nuhiu dhe Sead Vuniqi përfaqësojnë çiftin i cili duket që vallëzon në qiellin e dashurisë. Në lagjen ku ata jetojnë, duket se asnjë re nuk mund ta prishë mënyrën se si ata natyrshëm ecin nën ritmin e dashurisë. Gjithçka rrokulliset shpejt, kur skenës i shtohen tre burra që dëshmojnë për një mënyrë tjetër të jetesës.
Sinan Kajtazi mbanë një qëndrim të drejtë në çdo
lëvizje, reflekton krenarinë e një burri që nuk i mungon asgjë. E veçonte
sakoja e kuqe, pranë dy burrave në kostum të errët. Shumë shpejtë do të ndërhyjnë
në jetën e të rinjve që jetojnë në lagjen e tyre. Kur ata nisin të ecin në skenë,
të gjithë të mbështetur pas murit drejtojnë krejt vëmendjen tek ta.
Koreografi Musolli thotë për KultPlus se është
përpjekur që në shfaqje ta inkorporojë një botëkuptim shumë të thellë.
“Çdo gjë çka i përket pallatit dhe atyre njerëzve në atë botë është krejt aspekt psikologjik që është në trurin e Sead Vuniqit. Në një moment, ai e kupton se jeta nuk shkon vetëm duke kcy, aty hyn në tunelin e trurit të tij. E gjithë shfaqja tregon se kohën nuk mundesh më e ndalë”, shprehet koreografi.
Kreshnik Musolli arrin që shumë shpejtë gjithë
ngjarjen ta zhvendosë në ambientet e këtyre tre burrave që gjatë gjithë kohës
synojnë joshjen e rolit kryesor (Sead Vuniqit), për t’iu bashkuar jetës që ata
bëjnë, pa pasur nevojë që të brengosesh se si të fitosh diçka që ta mbyllësh
ditën. Këto personazhe, koreografi Musolli i ka futur si zëra të nënvetëdijes,
ndërsa bëjnë që shumë shpejtë ai (Sead Vuniqi) t’iu dorëzohet lakmive, për t’u
futur në grupin e tyre. Gjithçka e lë pas vetes në emër të gjërave materiale.
Pas kësaj, e dashura e tij (Aulonë Nuhiu) në më shumë se dhjetë herë përjeton nënçmimin,
e përplasje pas tokës, ndërsa ai (Sead Vuniqi) veçse e kishte arritur majën e
pushtetit që ëndërronte. Shumë shpejtë e kupton, orvatet në zbrazëtinë e kohës
që e kërcënon në çdo hap. Jeta e Aulonës veçse ishte shterur, ajo po numëronte
ditët e fundit të jetës, e Seadi këtë e kupton atëherë kur asgjë s’mund të
ndryshonte. Koka pa flokë e Aulonës tregon se sëmundja gati se e kishte rrëzuar
e veç atëherë Seadi shton përpjekjet për t’i qëndruar sa më pranë. Në trekëndësh
të lojës teatrore futen Aulona, Sinani e Seadi, dhe të tjerët.
“Seadi është vet Sinani. Pasi që ka vdekur
Aulona, ajo ia ka marrë tërë lumturinë dhe ai është shndërruar në atë personin
e ftohtë që ka pasur gjithçka sa i përket anës materiale por nuk e ka pasur
dashurinë”, shprehet Musolli.
Në një intervistë për KultPlus, Kreshnik Musolli tregon se gjithë shfaqjen e ka përcjellur me plot emocion. Musolli tha se edhe pse aspektet psikologjike të shfaqjes mund të jenë të rënda, kur bën art me to atëherë kalojnë në një dimension tjetër.
“Çdo provë e kam përcjellë me shumë lot, po ashtu edhe sot shfaqjen pasi që kjo shfaqje ka rrjedhur prej mendimeve të mia më të thella, për krejt çka mua më proukupon si njeri pasi që unë mendoj se një njeri edhe nëse e don më së shumti në botë, nuk ki me e pas gjithmonë”, theksoi Musolli.
Ahmet Brahimaj kishte qenë ai që fillimisht
kishte parë potencialin e Musollit për koreografi, ndërsa dje pas shfaqjes për
KultPlus tha se nuk ka gabuar aspak që ia ka besuar këtë detyrë Musollit.
“E ka bërë një temë të ndjeshme e cila jashtëzakonisht mirë u lexu. Niku ka punuar në mënyrë shumë të përpiktë dhe që nga fillimi deri në fund e ka ditur se çfarë ka bërë. Ai e ka krijuar një shfaqje shumë të pastër koreografikisht por edhe temën e ka zbërthyer në mënyrë shumë të mirë”, tha Brahimaj për KultPlus.
Aulona Nuhiu ishte balerina që transmetoi shumë
mesazhe duke përfaqësuar rolin kryesor të shfaqjes. Ajo thotë se kërkesat e
Musollit kanë qenë shumë të qarta ndaj secilit.
“E falenderoj Nikun i cili ka besuar shumë në mua dhe jam e lumtur që publiku e priti shumë mirë. Për mua nuk ka qenë edhe shumë i vështirë jetësimi i rolit pasi që prej momentit kur Niku ma ka shpjeguar rolin, jam dashuruar në atë rol dhe e kam bërë me shumë kënaqësi. Meqë Niku na njeh të gjithëve është munduar që secilit t’ia përshtatë rolin dhe ka qenë një bashkëpunim shumë i lehtë që nga fillimi i provave e deri sot tek premiera”, tha balerina Nuhiu për KultPlus.
Kualifikimet dhe performanca e Kreshnik
Musllit nisi me shkollën e muzikës “Prenk Jakova”, në degën e baletit, ndërsa
studimet universitare i vazhdoi në Regji Teatri në Fakultetin e Arteve. Ai
është pjesë e Baletit Kombëtar të Kosovës qysh prej vitit 2008 dhe është pjesë
e çdo shfaqje të BKK-së. Ai ka qenë i angazhuar edhe në projekte teatrore si
regjisor, si balerin por edhe si asistent koreografie në pjesë të caktuara
brenda dhe jashtë vendit.
Të gjitha ata që duan ta shohin shfaqjen “Andërr”, repriza e parë vjen sonte duke filluar nga ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës./ KultPlus.com
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi sot ka dekoruar me Medaljen Presidenciale të meritave, disenjatoren e njohur kosovare Blerina Kllokoqin- Rugovën. Sipas Thaçit, Blerina është ndër shembujt më të mirë për hapësirën që ofron Kosova për zhvillimin e talentit në këtë fushë.
“Me Medaljen Presidenciale të Meritave, sot e dekorova Blerina Kllokoqi-Rugovën për kontributin e dhënë në fushën e artit. Gërshetimi i së bukurës me kërkesat kulturore dhe sociale në veshjet që dizajnon kreatorja e modës Blerina Kllokoqi-Rugova reflektojnë më së miri në sukseset që ajo ka arritur brenda dhe jashtë vendit. Kreatorja Blerina Kllokoqi-Rugova është ndër shembujt më të mirë për hapësirën që ofron Kosova për zhvillimin e talentit në këtë fushë”, ka shkruar Thaçi në Facebook./KultPlus.com
Këngëtari i famshëm shqiptar Gashi tashmë ka realizuar një këngë bashkë me këngëtarin tjetër të njohur, Ledri Vula, dhe ata sapo janë prezantuar me projektin “Tht’s mine”, shkruan KultPlus.
Ky është projekti më i madh për Ledri Vulën që ka bërë një projekt të përbashkët me ndonjë artist që është i njohur në nivel ndërkombëtar.
Ky bashkëpunim ka ardhë gjatë vitit të kaluar, kur Gashi ishte
pjesë e Sunny Hill Festival.
“That’s mine” është xhiruar në Kosovë. KultPlus ju sjellë këtë videoklip./KultPlus.com
Trotuarit për rreth dritareve të Vendtakimit tonë kalove me flokët ngjyrë argjendi mbi supe e një mbulesë jeshile duarsh luaje me një kuti magjike e as kokën me pa kush pret i vetëm brenda nuk e ktheve
Në një kohë kaq të afërt tërë ato kujtime që shprushen e përftojnë dhe tash kujtesës sime i hodhe diku pas shpine si letra të përdorura
Pastaj ato pëshpëritje të ëmbla në ikje kah të nesërmet e dëshirta aty nën bli tek i trazonim pa dashje zogjtë fshehur gjetheve e fluturat thellë dejve të ndezur në ecje e sipër i ndrydhe
As të njëqindtën e një sekondeje s’ma fale përmes një shikimi n’atë ikje vetëtimthi
Porta e pa çelur u var nën çati ulësja ngjitas meje që priste në çast u nxi
Rrëmbimthi ike si një mëllenjë Çepuri më trembe frymën ma ndale
Për ku nxitoje kësaj dite të shenjtë që iku në cilin kënd a udhëkryq ai shën valentini misterioz të priste
Kjo stinë e ftohur pa vallëzuar syve të tu mbeti si unë
Instituti Albanologjik i Prishtinës ka themeluar çmimin “Idriz Ajeti”. Ky çmim do të ndahet çdo vit nga ky institucion për veprën më të mirë në fushën e studimeve shqiptare. Çmimi është themeluar me vendim të Këshillit Drejtues të Institutit, një ditë pas vdekjes së akademik Idriz Ajetit.
Lajmi është bërë i ditur në mbledhjen komemorative të Institutit të enjten, përcjell sot Koha Ditore. Në këtë mbledhje, Ajeti i cili ka vdekur në moshën 102-vjeçare, është vlerësuar si njëri prej intelektualëve më të mëdhenj. Është kujtuar kontributi i tij në shkencë e si udhëheqës institucionesh.
Drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës, Hysen Matoshi, ka thënë se jeta, veprimtaria intelektuale dhe vepra e tij shkencore janë të lidhura ngushtë me rrugëtimin e vështirë historik të kombit të tij, me ecjen e shqiptarëve drejt caqeve të lirisë, të dijes e të përparimit.
Sipas tij, për akademik Idriz Ajetin më shumë se e djeshmja dhe e sotmja do të flasë e ardhmja. / KultPlus.com
Pablo Neruda | Sonte mund të shkruaj vargjet më të trishta |
Sonte mund të shkruaj vargjet më të trishta, Të shkruaj, për shembull: ”Nata është yjëzuar, Dhe drithërues, të kaltër yjet atje lart”.
Era e natës sillet nëpër qiell dhe këndon.
Sonte mund të shkruaj vargjet më të trishta. E doja dhe nganjëherë edhe ajo më donte.
Në net si kjo e mbaja ndër krahë, E puthja aq shumë nën qiellin e pafund.
Ajo më donte dhe ndonjëherë edhe unë e doja. E si të mos i doje sytë e saj të mëdhenj!
Sonte mund të shkruaj vargjet më të trishta, Duke menduar që nuk e kam. Duke ndjerë që e humba.
Të dëgjoj natën e pamat, më e pamat pa të. Vargjet bien mbi shpirtin si mbi barin vesa.
Po ç’rëndësi ka kur dashuria ime nuk mund ta ruante atë! Nata është yjëzuar dhe ajo nuk është me mua. Kjo është e gjitha. Së largu dikush këndon. Atje larg… Shpirti im nuk ndihet mirë se e humbi atë.
Si të jenë duke kërkuar, sytë e mi vështrojnë për të, Zemra ime vështron, por ajo nuk është me mua.
E njëjta natë që zbardhëllon të njëjtat pemë Ne vetë, ata të atëhershmit, nuk jemi të njëjtët.
Më nuk e dua, është e qartë, por sa shumë e doja! Zëri im vështron për erën që të takojë veshin e saj.
E tjetrit. Do jetë e tjetrit, si më parë e puthjeve të mia. Zëri i saj, trupi i saj i tejdukshëm, sytë e saj të mëdhenj…
Unë nuk e dua, është e qartë, por mbase e dua akoma. Është kaq e shkurtër dashuria dhe kaq i madh harrimi!
Sepse në net si kjo e mbaja në krahë, Shpirti im ndihet keq që e ka humbur.
Megjithëse kjo është dhimbja e fundit që ajo me shkaktoi, Dhe këto janë vargjet e fundit që unë i shkruaj.
Shqiptarët e Kosovës e kanë meritën e tyre të pamohueshme në pavarësinë e Shtetit shqiptar. Në këtë rrugëtim të Shtetit shqiptar, gjurmë të pashlyeshme ka lënë edhe atdhetari ynë i madh, Idriz Seferi.
Gjilani me rrethinë zë vend të rëndësishëm në Lëvizjen Kombëtare. Ky territor verilindor i viseve shqiptare ka qenë pjesë e pandashme, rrugëkalim i përpjekjeve e lëvizjeve për të drejta dhe pavarësi kombëtare dhe në çdo kohë ka qëndruar në ballë të kësaj detyre, duke i dhënë atdheut bijtë e tij më të mirë.
Njëri ndër udhëheqësit kryesor, që organizoi luftën e popullit për çlirim e bashkim kombëtar dhe për mbrojtjen e viseve shqiptare nga pushtuesit e huaj, ishte kryetrimi dhe tribuni popullor i kësaj ane, Idriz Seferi.
“Kalorësi i Karadakut” është figura më emblematike e luftës për liri e për Shqipëri, njeri i epokës 100-vjeçare, bashkë me Isa Boletinin, Hasan Prishtinën dhe shumë të tjerë, epokë kjo që kulmoi me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Pa Shqipërinë e pavarur zor se sot të kishim Kosovën shtet.
Historiani Aliriza Selmani thotë se Idriz Seferi ishte organizator i zoti, që frymëzoi, mobilizoi dhe udhëhoqi shumë kryengritje në Anamoravë, Kosovën Juglindore dhe trojet e tjera shqiptare.
Ai deri në vdekje luftoi për liri dhe pavarësi. Nuk ishte vetëm prijës popullor e luftëtar i lirë, por ishte edhe strateg ushtarak që me sukses e udhëhoqi popullin e tij në luftëra e beteja për çlirim. Kushtrimit të Idrizit populli i kësaj ane iu përgjigj gjithmonë. Ai fliste me gjuhën e popullit dhe e njihte mirë shpirtin e tij.
Seferi vdiq duke i thënë të birit se tërë jetën është munduar që ta bëjë këtë tokë Shqipëri, por zor qenka. Historiani Rasim Rexhepi thotë se Idriz Seferi nuk luftoi për pasuri, por për komb e për atdhe. Pesë djemve të tij u la vetëm një shtëpi të vogël. Ofertës së mbretit të Serbisë për t`ia shkolluar djemtë Qazimin dhe Ramadanin në Akademinë Ushtarake, ai i përgjigjet duke i thënë se lufta mes shqiptarëve dhe mbretërisë serbe nuk ka përfunduar ende.
“S’PO MUJ ME IA KTHY SHPINËN MILETIT…”
Shkrimtari Sabit Rrustemi thotë se e ka pyetur njëherë bacën Lush pse Idriz Seferi nuk shkoi në Vlorë, si Isa Boletini. E ai i kish pas thënë: Kur kishin fol me Hasan Prishtinën, ai u kish pas thanë cili po shkoni me ruajt Ismajl Qemalin, edhe Qeverinë? “I pari kish kcy Isë Boletini. Qe, le t’ fol Idriz Seferi. Edhe ky i joni i kish dredh mustaqet njëherë, kish kesh pak ndër buzë se e kish pa qefin e Isës për me shkua… – Mirë pra, po foli mbasi po kërkon prej meje Isa Boletini… Unë po rri me këta trima se nuk muj m’i lanë vetëm. Le t’ shkojë Isa se asht edhe pak ma i ri. S’po muj me ia kthye shpinën këtij mileti…” / Kosova Sot / KultPlus.com
ORCA – Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim ka vendos që për ditën e të dashuruarve t’i uroj kryetarin e PDK-së Kadri Veselin, Kryetarin e NISMA-s Fatmir Limajn dhe Konferencën e Rektorëve të cilët në kohën kur u tërhoqën akreditimet në mënyrë profesionale nga Agjencia e Kosovës për Akreditim, patën takime flirtuese elektorale me mes vete ku shefat e partive ju premtonin rektorëve se do të jenë të paprekshëm pavarësisht cilësisë së munguar në këto universitete.
ORCA uron që ky flirtim të kurorëzohet me dashuri të sinqertë e të njëmendtë, mbase me ndonjë bashkim të ri të ndonjë rektori me partitë në fjalë ose edhe me rikthim të dashurive të vjetra të tyre pra rikthim të disa rektorëve në partitë ku dikur kanë qenë.
Urime pra Shën Valentini!
Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).