Gjej kohë

Nënë Tereza

Gjej kohë 

Gjej kohë të mendosh 

Gjej kohë të lutesh 

Gjej kohë të qeshesh 

Është burimi i fuqisë 

Është fuqia më e madhe mbi tokë 

Është muzika e shpirtit. 

Gjej kohë për të luajtur 

Gjej kohë të duash dhe të duhesh 

Gjej kohë të japësh 

Është sekreti i rinisë së përjetshme 

Është privilegj i dhënë prej Zotit 

Dita është shumë e shkurtër për të qenë egoistë. 

Gjej kohë të lexosh 

Gjej kohë të jesh mik 

Gjej kohë të punosh 

Është burim mençurie 

Është rruga e lumturisë 

Është çmimi i suksesit. 

Gjej kohë të bësh mirësi

Është çelësi i parajsës./KultPlus.com

Enver Petrovci sot feston ditëlindjen e 65-të

Enver Petrovci, aktori dhe regjisori i cili arriti famë shumë të madhe në kinematografinë ish jugosllave, kosovare dhe ndërkombëtare, sot feston ditëlindjen e tij të 65-të, shkruan KultPlus.

Petrovci lindi më 28 shkurt 1954 në Prishtinë. Në fillim studioi në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë në degën e aktrimit, më pastaj mbaroi studimet Universitare për aktor edhe në Fakultetin e Arteve Dramatike në Universitetin e Beogradit. Ka arritur karrierë shumë të suksesshme në teatër, sidomos në atë “Atelieja 212” dhe me rolet e luajtura aty u bë i njohur nëpër mbarë ish Jugosllavinë duke u vlerësuar një nga aktorët me të famshëm të asaj kohe. Pas mbarimit të luftës e vazhdoi me sukses karrierën artistike në Prishtinë e në qendra të tjera shqiptare.

Interpretimet e tij në film ishin gjithashtu shumë të mirëpritura duke arritur famë shumë të madhe në kinematografinë ish jugosllave, kosovare dhe ndërkombëtare.

Është një ndër themeluesit e degës së Artit Dramatik dhe Akademisë së Arteve në Universitetin e Prishtinës në vitin 1989, ai kthehet nga Beogradi për të ligjëruar lëndën e aktrimit në këtë Universitet dhe formon kuadro të reja të aktorëve në Kosovë.

Rolet e tij si në teatër ashtu edhe në film janë në numër shumë të madh. Petrovci vazhdon të jetë pjesë e projekteve të ndryshme ku ende mban fuqishëm primatin e tij në fushën e aktrimit. / KultPlus.com

Prezantohet në Tiranë fjalori i turqizmave në gjuhët e Ballkanit

Gjatë një aktiviteti në Tiranë është prezantuar “Fjalori i turqizmave të përbashkëta në gjuhët e Ballkanit”, me autore Prof. Asoc. Dr. Lindita Latifi Xhanari. Fjalori ka si objekt evidentimin e turqizmave të përbashkëta në tetë gjuhë të Ballkanit, në shqip, rumanisht, bullgarisht, serbisht, greqisht, maqedonisht, boshnjakisht dhe kroatisht.

Autorja, Prof. Asoc. Dr. Lindita Latifi Xhanari, në fjalën e saj tha se botimi i këtij fjalori vjen në radhë pas gjithë punëve të realizuara për studimin e ndikimeve të gjuhës turke në gjuhën shqipe.

“Njohja me kolegët dhe diskutimi me ta për pikëpamje të ndryshme për çështjet e turqizmave në gjuhët e Ballkanit më ka formësuar dhe dhënë dijen e nevojshme që të vazhdoja të hartoja fjalorin e turqizmave ballkanike”, deklaroi autorja e fjalorit, shkruan koha.net

Duke folur për punën për hartimin e fjalorit, ajo tha se ka punuar mbi një literaturë të gjerë me rreth 146 fjalorë, studime të drejtpërdrejta në lidhje me turqizmat në gjuhët e Ballkanit dhe 250 studime në lidhje me ndikimet e gjuhës dhe kulturës turke në gjuhët dhe kulturat e Ballkanit.

Më tej gjatë fjalës së saj, Prof. Asoc. Dr Lindita Latifi Xhanari, tha se një nga synimet e saj gjatë punimit të fjalorit ka qenë hartimi i një produkti shkencor që të jetë i dobishëm për punën shkencore të kolegëve dhe studentëve në të ardhmen, pasi sipas saj, materiali që paraqet fjalori jep mundësi për studime të mëtejshme në fushën e fonetikës krahasuese, morfologjisë dhe semantikës.

Fjalori në turqisht është botuar në Turqi nga Universiteti i Pamukkalesë dhe përmban rreth 5000 huazime. Ky botim ka si objekt evidentimin e turqizmave të përbashkëta në tetë gjuhë të Ballkanit, në shqip, rumanisht, bullgarisht, serbisht, greqisht, maqedonisht, boshnjakisht dhe kroatisht./KultPlus.com

1 milion turistë vizituan parqet ekologjike dhe kalatë në Shqipëri

Viti 2018 solli rritje të kontributit të turizmit në ekonominë e Shqipërisë.

Sipas shifrave të bëra publike sot nga zyra e Kryeministrit në rubrikën “Fakt” thuhet se vitet e fundit, turizmi është bërë kontribues i rëndësishëm në ekonominë e vendit.

Por, nga ka ardhur ky kontribut? “Gjatë vitit 2018 numri i vizitorëve të huaj që kanë ardhur në vendin tonë ishte 5.9 milionë, pothuajse 80% më shumë krahasuar me vitin 2013. Po ashtu të dhënat na tregojnë se numri i turistëve që frekuentuan parqet ekologjike, muzetë dhe kalatë ishte gati 1 milion në vitin 2018, ose mbi 650 mijë më shumë krahasuar me 2013”, – thuhet nga shifrat.

Gjithashtu, me rritje janë regjistruar edhe vizitorë në zonat e mbrojtura siç njihen ndryshe Parqet Kombëtare ose monumentet natyrore. “Në vitin 2018, vizitorët në këto zona ishin 3.6 milionë, ose 850 mijë më shumë nëse krahasohen me vetëm një vit më parë”. / z.tosku/ KultPlus.com

Rita Ora do të mirëpriste një bashkëpunim me Eminemin

Rita Ora do ta mirëpriste një takim me reperin amerikan Eminem.

Ajo sot ka shkruar në Instagram se më 1 mars do të sjellë këngën e re me një mysafir special, derisa nuk e ka konfirmuar se për kënd bëhet fjalë, transmeton Koha.net.

Një fanse e saj e ka pyetur në Instagram nëse bëhet fjalë për Eminemin, ajo i është përgjigjur se do të mirëpriste një bashkëpunim me reperin e mirënjohur.

“Të lutem tregoj Eminemit se është shumë i mirëpritur”, ka shkruar Rita Ora në koment.

Më 1 mars Rita Ora do të lënsojë këngën “Only Want You”.

“Duhet të jesh e lumtur në jetë, jo të durosh”

(Letra e një gruaje 83-vjeçare)

“Kam filluar të lexoj shumë më tepër kohët e fundit, pa u shqetësuar për pluhurin në rafte. Ulem në oborr dhe admiroj peisazhin, pa menduar për barërat e këqija që rriten në kopsht. Kam kaluar më shumë kohë në familje sesa në punë.

Në jetë duhet të gëzohesh, jo të durosh. Tani unë përpiqem të rrok të gjitha momentet dhe të kënaqem prej tyre. Nuk “kursej” më asgjë. Ha në enët “e banketit” dhe pij nga gotat e kristalit. Tani unë jam e lumtur jo vetëm kur humbas një kile, por edhe kur e shtoj. Ndihem krenare kur lavamani im ka një të bardhë të ndritshme. Nuk i mbaj më parfumet e mia të preferuara për raste të veçanta. I përdor ato edhe kur shkoj në dyqan apo bankë. Fjalët “herët a vonë”, apo “më vonë”, janë zhdukur nga fjalori im. Çdo gjë duhet parë, dëgjuar, prekur tani.

U telefonoj bijve dhe miqve pothuaj përditë, dhe shijoj çdo moment të vetëm kur dëgjoj zërat e tyre.

Nuk arrij të kuptoj pse nuk i kam bërë këto gjëra të vogla deri tani. Nuk e di pse, por më mungojnë këto kënaqësi të vogla të jetës. Tani më vjen keq që nuk kam shkruar në kohën e duhur, disa letra që duhej të shkruheshin. Më vjen keq që nuk kam kaluar kohë me prindërit dhe bashkëshortin tim, dhe sidomos nuk u kam thënë shpesh se sa shumë i kam dashur ata.

Duke ditur se e kam kohën të kufizuar, nuk hezitoj të bëj diçka që mendoj se është e nevojshme.

Çdo ditë kur i hap sytë, them me vete se kjo ditë do të jetë e veçantë. Tani e di më shumë se kurrë se çdo minutë dhe çdo frymë është një dhuratë.

Po, jeta nuk mund të jetë një festë e vazhdueshme, por për sa kohë që jemi këtu dhe jemi gjallë, ne duhet të kërcejmë”.

Ervina Halili nesër shpalosë punën e saj mbi sjelljen automatike të turmës në raport me individin

Dekonstruktivizmi, ezoterizmi dhe sjellja kolektive, teoritë mbi përceptimin e memories kolektive dhe koncepti i turmës janë disa prej temave që i ka prekur Ervina Halili në librat e saj letrar, hulumtimet e saja shkencore dhe esetë e projektet zanore, shkruan KultPlus.

Ervina në “Project Space” do të flasë për punën e saj me fokus në sjelljen automatike të TURMËS në raport me INDIVIDIN dhe njeriun KULTUROR në raport me njeriun ORGANIK duke marrë si pikënisje tekstin  -Vdekja e Oktopodit- nga Libri i saj “Gjumi i Oktopodit” i botuar në vitin 2016.  Në këtë libër ajo sjell vetëshkatërrimin e pavetëdijshëm kolektiv përmes figurës së oktopodit vetëngënës  si shenjëzim poetik i misterit dhe bashkëdyzuimit të të dy botëve paralele, racionalitetit dhe instinktit, konvencionalitetit dhe natyrës.

Ky bashkëbisedim me Ervinën do të përcillet me një prezentim të punëve të saja.

Ajo është e ftuara e parë e programit të quajtur “4AM Discussion” i cili synon të shtjellojë tema të ndryshme prej këndit filozofik, psikologjik apo edhe anës sociologjike.

Mbrëmja do të mbahet nesër në ora 19:00 në hapësirën Shtatëmbëdhjetë/ KultPlus.com

Ilire Vinca, gruaja që braktisi mjekësinë për aktrimin

Gili Hoxhaj

Ilire Vinca erdhi sonte në KultWoman për të ecur nëpër kujtimet e jetës së saj.

Me publikun, ajo ndau shumëçka nga jeta e saj, që nga rrethi i saj familjar e deri tek rolet e saj të shumta në teatër e film. Krejt kjo erdhi në kuadër të ngjarjes së pestë “KultWoman me…”, e organizuar nga gazeta e parë online për kulturë, KultPlus.

Ilire Vinca, e cila jo rrallë herë është aktorja më e mirë e festivaleve ku është e pranishme, u ka dhënë shpirt roleve të saja filmike, ndërsa shfaqjet në të cilat ajo aktron gjithmonë janë të suksesshme. Vinca ka luajtur mes tjerash në ‘Falja e Gjakut’, ‘Martesa’, ‘Gardhi’, ‘Shtriga’, e së fundmi edhe në shfaqjen ‘Karnavalet e Korçës’, ndërsa publiku nga Tirana së fundmi e ka parë edhe në shfaqjen “Natën ma”.

Ilire Vinca, e lindur në Strugë, vetëm pak nga fëmijëria e saj e kishte kaluar atje, prej nga thotë se janë larguar për arsye politike. Shkollimin e ka përfunduar më pas në Prishtinë, ndërsa për aktrim thotë se dëshirën e ka pasur shumë më të hershme, para se të jetë e bindur se çfarë do të zgjedhë si profesion. Skenën e parë e kishte parë në një kënd në shtëpi, ku perdet e kuzhinës ia zëvendësonin perdet e teatrit.

“Mbase një ndikim i madh ka qenë babi im si prind dhe familjarët e tjerë, babai, halla të gjithë janë marrë me shkrime dhe meqë kemi jetuar gjithë familja me një rrogë nuk kemi pasur lluks që të shëtisim diku tjetër por në mënyrë shumë të bukur kanë ditur prindërit e mi që të na krijojnë një hapësirë, një teatër, pra një jetë kulturore brenda. Të gjithë ndoshta i kujtoni ato që e quanim kuzhina të vogla me disa perde që kanë qenë dhe ajo ka qenë skena ime si fëmijë”, tregoi sonte Ilire Vinca, e cila tha se ka qenë fat për të që dega e Arteve Dramatike- Aktrimi është hapur në vitin 1989 si drejtim, kur ajo e kishte përfunduar maturën.

Përkundër shumë dilemave, ajo kishte qenë e përcaktuar se do të studionte diçka me art, por për t’iu përshtatur dëshirave të dy prindërve, ajo kishte regjistruar dy fakultete paralelisht derisa rrethanat në të cilat zhvillohej mësimi, e bënë që ajo të përcaktohej për aktrim. Këtë rrugë e kishte marrë duke qenë e bindur se duke e ushtruar një profesion që paragjykohet, ajo do të mund t’i kontribuonte zhdukjes së këtij paragjykimi.

“Trysnia e mentalitetit, duke e futur pak edhe nanën time që donte për vajzën e saj një profesion edhe më të denjë se aktorja, u detyrova me e regjistru edhe mjekësinë për t’i kënaqur të dy prindërit dhe e shtyva deri në vit të tretë, në kohën kur prakitikisht mësonim në shtëpi-shkolla dhe ishte e vështirë, u desht që ta marr vendimin tim, reflektova dhe isha e pjekur mjaft për të reflektuar dhe vendosa të jem në një numër më të vogël të aktorëve se sa një tjetër doktoreshë në një profesion me shumë njerëz”, tha ndër të tjera Ilire Vinca.

Arbër Selmani dhe Ilire Vinca

Ajo e përshkroi edhe kohën e viteve të 90-a kur me profesorin Faruk Begolli shkonin në të gjitha fshatrat e Kosovës, atëherë kur njerëzit veçse e kishin humbur shpresën për ditë më të mira.

“Ne kemi udhëtuar dhe u kemi kthyer buzëqeshjen në salla edhe atëherë kur aty kanë qenë dy vetë”.

Ajo thotë se edhe projektet më të vogla i cilëson si të suksesshme, ajo thotë se është sukses nëse e fiton një rol tek një regjisor i njohur dhe pastaj vazhdon në Berlin, por thotë se sukses më i madh për të është që të zhvillohen provat në “Dodonë” me zë të ulët në kohën e orës policore, përcjellur me frikën se dikush mund tu trokas në derë.

“Dhe kështu kur vjen koha me e shfaqë shfaqjen, me e shfaqë atë dhe rrugës me i kriju edhe disa tregime të tjera nëse na ndalë policia”, u shpreh Vinca sonte në “KultWoman”.

Ajo tha se secili prej roleve të saj e ka shkëlqimin dhe vulën e veçantë ndërsa veçoi rolin e tij të parë – “Profesor, jam talent se jam mahi”, prej të cilit thotë se ka marrë më shumë se sa që ka dhënë. Po ashtu veçoi edhe rolin e saj në “Falja e Gjakut”, “Burrneshat” dhe shfaqjen “Doruntina”.

Ilire Vinca fillimisht kishte refuzuar rolin e asistentes

Ilire Vinca aktualisht është edhe profesoreshë në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës. Ajo kishte përfunduar studimet në klasën e Faruk Begollit, ku i ishte ofruar roli i asistentes. Ajo thotë se e kishte refuzuar. Kishte qenë profesori Begolli, ai që kishte këmbëngulur fort që ajo duhet ta marrë përsipër këtë detyrë.

“Si vajza e një profesori që ka eduku shumë gjenerata, unë mendoja se nuk është një profesion që çdokush mundet me e bo. Unë kam qenë ai gjithkushi për veten time. Më është dukur aq e shenjtë dhe me përgjegjësi të madhe dhe e refuzova detyrën si asistente. Kaluan disa vite dhe profesori Begolli nuk hoqi dorë dhe unë, vetëm fillova më i ndihmu pak në mësimet e tij dhe ai më tha “ti mundesh më e bo këtë punë shumë mirë sepse të kam përcjellur msheft”. Pra ka qenë në sallën në “Dodonë” dhe më tha ndihmoji pak studentëve në një detyrë dhe ai kishte qenë i fshehur diku në sallë dhe më tha “Ti duhet ta bësh këtë punë sepse di ta bësh shumë mirë”, tregoi Vinca.  

Ilirja thotë se për ta ushtruar këtë profesion, nuk i ka mjaftuar vetëm eksperienca prej aktoreje por thotë se ka hulumtuar mjaft shumë dhe ka bërë vizita në universitetet tjera e ka kontaktuar disa profesorë. Ajo thotë se gjatë gjithë kohës mundohet të jetë në hap me kohën dhe gjeneratën e re, të cilën thotë se duhet ditur që ta dëgjosh.

“Njeriu kurrë nuk mund të jetë i kënaqur me veten, nuk mund t’i them vetes se jam e kënaqur se cfarë profesoreshe jam por po zhvillohem ende”, thotë mes të qeshurave Vinca.

Ilire Vinca: Punën që e bën është terapia më e mirë

Për Ilire Vincën është e rëndësishme ta kesh një vizion në jetë dhe të investosh në veten tënde dhe kjo bën që të gjitha vështirësitë të jenë më lehtë të tejkalueshme.

Për Ilire Vincën puna është terapia më e mirë, e investimi tek vetja bën që kur përballesh me vështirësitë, ato nuk të nxjerrin jashtë kontrollit. Ilire Vinca shpesh është bërë cak i mediave për jetën e saj personale, por thotë se megjithatë është falënderuese që mediat e kanë kursyer pak më shumë rastin e saj.

“Sot fusin në thes ata që dojnë spektaklin dhe ata që nuk e duan, ata që bëjnë treg me personalen dhe ata që nuk bëjnë. Unë gjatë gjithë jetës jam munduar që ta ruaj jetën personale si timen dhe natyrisht, pse duhet të jetë ushqim për njerëzit diçka që është  e jotja”, theksoi Vinca.

Mes filmit dhe shfaqjes, ajo nuk gjen përcaktim pasi thotë se të dyja kanë bukurinë e vet

“Të dyja kanë hapësirën e mrekullueshme për me kriju. Kanë ndjesi të ndryshme po secila në atë ndryshueshmërinë e ka bukurinë e vet”, thotë Vinca.

Megjithatë Vinca përshkroi se si i përjeton këto eksperienca. Ajo veçmas tregoi për qetësinë që e përmbushë në fund të shfaqjes, aty ku thotë se është momenti për t’u përshëndetur denjësisht me rolin e shfaqjes.

“Në film, kamera të afrohet ty dhe ti nuk ke nevojë që me lojën tënde të shkosh shumë afër publikut, ndërsa në teatër publiku është më larg dhe janë disa teknika që përdoren për teatër dhe për film e që dallojnë. Rituali për me u fut në rol në teatër, momentin kur mbyllen dritat aty praktikisht vdes jeta e personazhit dhe gjithkush vrapon në jetën e vet, e unë e dëshiroj atë qetësinë time në fund, ku jam vetëm unë dhe personazhi dhe ngadalë duke i hequr kostumet mbes vetë në gardërobë, më pëlqen ajo qetësi, më duket sikur duhet të përshëndetemi denjësisht me rolin”, tregoi aktorja Vinca.

Vinca: Nuk kam bërë një jetë ndryshe prej grave të tjera

Ilire Vinca përkundër se vazhdimisht ka ndjekur karrierën e saj, thotë se jeta e saj nuk dallon prej grave të tjera shqiptare. Ajo thotë se akoma ka problem të thotë “jo” për gjërat që nuk i përshtaten. Megjithatë, shpesh është përpjekur shumë për t’iu përshtatur imazhit të një gruaje të respektuar në shoqëri, ajo thotë se përkundër sakrificave rolin e gruas e ka luajtur ashtu siç është pritur prej saj pasi që kështu ka dashur t’i zhdukë paragjykimet për aktoret.

“Nuk kam bërë një jetë ndryshe prej grave të tjera. Unë kam qenë ajo nusja e shpisë me tabak, me prindërit e burrit, me mysafirë shumë. Të gjitha ritualet/zakonet që i bën çdo grua i kam bërë edhe unë madje edhe ato që nuk i kam ditë, nuk kam thënë “nuk i di” (nuk kam qenë e mençur me thonë nuk i di por e kam gjetur mënyrën për me i msu për me mujtë me e dëshmu veten nga pritshmëritë që dosido ekzistojnë, nuk jemi krejt të forta më e pasë vetëdijen më i luftu prej fillimit duke e dit që është mirë më thanë “jo”. Balanci im ka qenë ana tjetër se nuk kam hequr dorë prej karrierës”, tha në rrëfimin e saj Ilire Vinca.

‘KultWoman me…’ është projekt i financuar nga programi ‘Culture for Change’ i Bashkimit Evropian, i implementuar nga Qendra Multimedia dhe Goethe Institute./ KultPlus.com

Ardianë Pajaziti dhe Ilire Vinca

Rita Ora më 1 mars publikon këngën e re me një mysafir special

Këngëtarja shqiptare, Rita Ora përmes rrjeteve sociale ka konfirmuar se më 1 mars do të publikojë këngën e saj të re.

“Only Want You” është kënga e saj që vjen në një bashkëpunim, transmeton Koha.net.

Ora ka shkruar në Instagram se mysafiri në këtë këngë është special.

“‘Only Want You’, kënga ime e re vjen më 1 mars në bashkëpunim me një mysafir special… bëhuni gati”, ka shkruar Rita Ora.

View this post on Instagram

💛ONLY WANT YOU💛 My new single out March 1st. Featuring a very special guest….get ready!! #ONLYWANTYOU

A post shared by RITA ORA (@ritaora) on Feb 27, 2019 at 10:00am PST

Probleme me Rusinë, Ukraina tërhiqet nga gara e Eurovizionit


Pas disa ditësh plot dramë, Ukraina ka vendosur të largohet prej garës së Eurovizionit këtë vit.

Për ata që e përcjellin Eurovizionin, largimi i Ukrainës vjen si lajm bombastik pasi shteti gjithmonë dërgon këngëtarë të fuqishëm dhe shpenzon para për performancën e tyre.

Pasi i bënë ftesë disa artistëve por nuk pranuan, televizioni publik i Ukrainës ka treguar sot se po tërhiqet nga gara në Izrael.

Këngëtarja MARUV ishte gati ta përfaqësonte vendin në Eurovizion por asaj iu kërkua ti anulonte të gjitha pjesëmarrjet në Rusi. Më pas edhe disa këngëtarë tjerë refuzuan të bëheshin lojë politike e televizionit ukrainas.

Ukraina e ka fituar Eurovizionin në vitin 2004, me Ruslanën, dhe në vitin 2016 me këngëtaren Jamala. / KultPlus.com

I dashuri im rom


Nga Arbër Selmani.

A është dikush që e zë vendin tim
kur unë do t`jem bërë hi?

Ndoshta zogjtë e malit, ose poezitë e Rumit
ndoshta pasazhet e qiellit
ose gurrat e ujit.

Kush do të të dojë si unë
Kur do të jesh ti instrumenti dhe vetë dora e jetës tënd?
ndoshta fjalët e bukura ose Dielli i përvluar
ndoshta fati i të mirëve dhe nata e madhe e Zotit.

I dashuri im rom, ti absoluti
buzëqeshun natë e ditë
i shëtitun në rrugët e braktisura të botës.

tkam puthë e tkam la me duart e dashnisë
por, kush pas meje?
cili i bardhë do ta dojë të zezën lëkurë, e të bardhën zemër që ma ke?

Kush pas meje?

Kush pas meje
nga ma e thella pikë e jotja do ta zgjojë ndjesinë, bishën e njeriut që u shtyp përjetë.

Cila ngjyrë e bardhë, rrena e madhe e kësaj bote
do të jetë krah supit tënd aq lehtë t`lëndueshëm?

Cili do të të kujtojë si unë
Kush do ti lexojë sytë e tu e kush do ta këndojë këngën më të bukur sic bënim ne dy
Kush e pin ujin e dhomës ku dytë u bëmë qull prej dorëzimit…

Ndoshta të nemunat e popullit tënd
ose andrrat që kurrë nuk mbytën asgjë
ose perënditë që duhet me të kërku falje me ceremoni
ndoshta engjëjt të kanë marrë për dore,

E njëjtë ki me fluturu kur unë do të jem bërë shok me trupat që ecin në eterin magjik?

Kujto, mëngjeset të lehta t’i kam ba unë
një gotë kumësht, dy vezë të thyera
tri puthje në faqe dhe një bashkim i turpshëm i gojës
idenë e dashnisë e kemi gatue bashkë, pikë për pikë, romi im.

Pas meje, kam frikë
a ka dikush që do të të përqafojë
ti puthë këmbët
ti puthë buzët
ti dëgjojë këngët që dalin vrullshëm prej syve tu
ta këndojë ninullën e romëve të Stojkës…


Kam frikë për ty
I dashuri im më i dëlirë
Vesa që përcjellë lumin, agimi që përcjellë hanën.

Pak të duan
Me arsyen më të panjerëzishme
pa pasë nerva me u marrë me ty
më duket se të urrejnë aq sa e urrejnë veten.

Të kam pa të pikëlluar
duke u harrllisë në vetvete
duke shiku në hapësirë për të mos u harru në nënshtrim
duke mbështetë kokën për murin që rëndon,
duke qenë racist i vetvetes.

Kush, i dashuri im
Do të të shtrëngojë
Kur unë dhe Zoti do të jemi duke luajtur në piano së bashku…
Kush ka fuqinë të të përplasë për muri
e të ti shërojë plagët e trupit?

E ti shëtitë,
kur ata duhet ti harrojë toka ku shkelin….

Prej skute në skutë,
As dhimbjet nuk ti lanë të shtegtojnë,
vallet ti urrejnë, se urrejnë që vetë nuk dijnë të vallëzojnë …

“Rrëmbehu nga Shqipëria”, apeli i Sorecas për turistët e huaj

Shqipëria ka potenciale të mëdha turistike dhe është gati të presë vizitorët.

Kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca mori pjesë sot në lançimin e fushatës ndërkombëtare digjitale të Turizmit 2019 “Be taken by ALBANIA”.

Ai tha se “objektivi i kësaj fushate janë të gjithë ata që nuk kanë shkelur në Shqipëri dhe meqë nuk kanë ardhur më parë kanë paragjykime, sepse shumica e njerëzve e krijojnë perceptimin e Shqipërisë nëpërmjet filmave apo se çfarë ka ndodhur në vendet e tyre kur kanë parë shqiptarë aty”.

“Shumica e shqiptarëve që jetojnë në vendet e BE janë njerëz të ndershëm që punojnë fort. Ata janë profesionistë të vërtetë dhe të respektuar. Por lajmet e mira nuk dalin në lajme. Kështu që ne na duhen iniciativa si kjo që t’u tregojmë njerëzve se cila është Shqipëria e vërtetë. Të gjithë ata që vijnë në Shqipëri, kur largohen nga Shqipëria kanë një mendim tërësisht të mirë për të”, tha Soreca.

“Javën e shkuar isha tek ‘Mrizi i Zanave’. Altin Prenga u zgjodh si shqiptari i vitit. Ajo e Altinit dhe kjo e sotmja janë dy iniciativa të mrekullueshme që shpresoj që do të krijojnë imazhin e duhur për Shqipërinë. BE është këtu për të bërë këtë gjë. Tani do ju drejtohem atyre që s’janë këtu. Atyre u them, Rrëmbehuni nga Shqipëria”, u shpreh ambasadori Soreca./ata

‘Sa shumë të pasna dasht, sa shumë pasna përbi’

Kënga u lansua vetëm dje dhe ka gati 800 mijë shikime në Youtube.

Është kthyer në hitin më të madh momentalisht, dhe duket se është rikthimi i fuqishëm i Elvanës pas dramës që e përcolli së fundmi.

“Tavolina e mërzisë” e sjellë Elvanën më të relaksuar dhe prapë, në estradën shqiptare.

Po e sjellim këtu këngën e Elvana Gjatës, bashkëpunim me Armend Rexhepagiqin e Aida Barakun. / KultPlus.com

Sadije Agolli: Si do ta përjetonte Dritëroi vdekjen time…

Në kujtimet e saj Sadije Agolli, shkruan se si mund ta kishte përjetuar Dritëro Agolli vdekjen e saj. Gruaja që e deshi aq shumë poetin, e ka hedhur në letër gjithë mungesën e tij gjatë dy viteve. Në një prej këtyre kujtimeve ajo përfytyron shkrimtarin kur të mësonte lajmin e ikjes së saj nga kjo botë.

“Shqiponline” po boton më poshtë një pasazh nga këto kujtime: “Ne i dhamë njëri-tjetrit shqetësime dhe gëzime, vuajtje dhe dashuri, mundime, përpjekje, rëndime dhe lehtësime, psherëtima dhe lotë, por edhe të qeshura me shpirt, me zë të lartë, ndarje dhe afrime njësh, pra i dhamë njëri-tjetrit çdo gjë. Unë pata privilegjin, që u rrita qysh në moshën 22-vjeçare me Dritëroin, që u maturova, u poqa, u mplaka së bashku me Atë. Pata fatin e madh që atij ia pasurova Muzën për të shkruar një libër me 238 faqe poezi dashurie, përveç personazheve në romane, tregime, drama, komedi… E ndjej veten të plotësuar në jetën time me Atë, pasi arritëm të kuptoheshim me një lëvizje dore, gishti, këmbe, syri, kollitjeje… … Secili lë pas dhimbjen, një plagë të hapur, që ngacmohet vazhdimisht nga kujtimet, mbresat, nostalgjitë, me vdekjen asnjëri nuk mësohet. Edhe unë nuk po mësohem dot.

Nuk kam dëshirë të dal, të pres dhe të përcjell njerëz, e ndiej veten më mirë në vetminë time, të hedh shënime, të shfletoj dosjen e letërkëmbimit, librin me poezi “E bukura, lozonjarja, tokësorja grua” dhe çdo gjë që ka lidhje me Dritëroin… …. Mendoj, si do ta përjetonte Dritëroi vdekjen time. E di, se megjithëse i dobët fizikisht do të shkruante poezi të bukura për jetën dhe vdekjen, për lindjen dhe ngrysjen e ditës, për zogjtë dhe lulet, për fluturat. Do të shkruante, megjithëse gishtërinjtë i kishte të shtrembëruar nga stërmundimi i një jete të tërë”.

Shqiptarja Eleni Foureira vjen me këngën e re ‘Triumph’ (VIDEO)

Shqiptarja Eleni Foureira ka nxjerrë këngën e re.

Këngëtarja me origjinë shqiptare ka sjellë së fundmi këngën “Triumph”, e cila është klikuar rreth gjysmë milioni herë në pesë ditë të qarkullimit në Youtube.

Ajo ka treguar se kënga u kushtohet femrave dhe grave, për triumfin e tyre në jetë dhe për pavarësinë që ato duhet ta kenë.

Ky është projekti i radhës muzikor nga Foureira, pas ‘Tomame’ dhe ‘Fuego’, të dyja këngët hite në Evropë vitin e kaluar.

Eleni u radhit e dyta në Eurovizion 2018, pas fitueses nga Izraeli. Ajo e vazhdoi rrugëtimin e saj nëpër shumë shtete të Evropës dhe është ndër këngëtaret më aktuale, me projekte të reja shumë shpesh. / KultPlus.com

Do pendohesh…

Nga Arli Minga

Do pendohesh, unë e di,
Jo për mua, po për ty,
Do pendohesh për gjithçka t’u dha,
Që ishte për një, se mbanim dot të dy.
Për mëngjesin që në dritare sillte një rreze,
Që sytë t’i çelte butësisht,
Për dëshirën që të ngrinte me furi …
dhe shtratin ku mëkatove djallëzisht.

Do pendohesh, unë e di,
Jo për mua, po për ty,
Për vargjet që veç me prani i shkrove,
Që tani do mblidhen, do ngurtësohen,
Çengel do të bëhen në fyt.

Do pendohesh për atë kohë, unë e di,
Kur tinëzisht mes syve përçove,
Shpresën e ethshme qiellore,
Filizin e farës që mbolle,
Me epshin e zjarrshëm e dogje.

Do pendohesh, ah për dreq, do pendohesh,
Për gotën që vet e gatove,
Me duart e brishta kur e solle,
Të dorëzuar më bëre ta gëlltis,
Gllënjkën e pijes vjeshtore.

E kur ndonjë ditë në duar të mbash botimin,
Vargjet e lira që shkrove ti,
Mos u përhumb shumë pas metaforave,
Se do të përndjekin,
Zinxhira krahgjatë do të bëhen,
Ah o dreq, i shkreti ti!
E kur vargjet çengel fytin të ta gërvishin përsëri,
Strofat kraharorin të mbështjellin,
Të ta marrin frymën dëshpërimisht,
Kur fletët për fundin të binden,
Ti do e gjesh një mënyrë,
E do shpëtosh sërish…

Por,
Dot nuk do e harrosh,
Në mos e ke kujtuar,
Nuk do i fshihesh dot,
Në mos të ka kapluar,
Do pendohesh me gjithë shpirt,
Në mos je penduar,
Për çastin e gjunjëzimit sublim…

Pse anashkalohen filmat më të mirë nga çmimet Oscar?

Filmat mahnitës në gjuhët të huaja (joangleze), vazhdojnë të anashkalohen nga Çmimet e Akademisë, edhe pse këta janë filmat më të mirë, shkruan kritikja Caryn James. Pjesë të shkrimit të saj, Telegrafi ua sjell më poshtë.

Në filmin e thellë e të bukur të Pawel Pawlikowskit, që shtrihet në disa dekada (1949-1964), “Cold War”, heroina – një këngëtare e quajtur Zula – duhet të vendosë nëse do të ikë nga Polonia komuniste në Paris, në vitin 1952, me të dashurin e saj, pianistin me emrin Wiktor. “Çfarë do të bëj atje?”, pyet ajo. “Kush do të jem unë?” Lutja e saj tregojnë se sa do të ndikojë zhvendosja kulturore në identitetin e saj. Kjo vërehet te ky film dhe katër të tjerë të nominuar për Çmimin Oscar për filmin më të mirë të huaj.

Gafet dhe idetë e këqija i kanë përshkruar çmimet e sivjetme Oscar. Për një minutë shpallej moderatori, në tjetrin nuk ishte. Një herë shpallet kategoria e Filmit Popullor, por shpejt u tërhoq nga akuzat se ishte kot. Pastaj, kush me të vërtetë mendon se një vepër mediokre si “Bohemian Rhapsody” meriton nominimin për filmin më të mirë? “Moonlight” dhe “La La Land” të vitit 2017 ngjajnë me këtë pështjellim.

Mes këtij kaosi, kategoria e filmave të huaj ishte një lehtësim: të gjithë kandidatët e këtij viti kishin vepra artistikisht mahnitëse që të tërheqin në aspektin emocional. Ata rezonojnë në disa prej çështjeve më të rëndësishme globale të ditëve të sotme, që nga kriza e emigrantëve, familjet e shkatërruara, e deri te pesha e fajit të klasave dhe historisë. Në çdo vit, secili nga këta pesë filma do të meritonte të fitonte.

Nominimet e huaja kanë tema. Fituesi i vitit të kaluar, “Chile’s A Fantastic Woman”, merrej me të drejtat transgjinore. Por, kjo kategori ka edhe filma apolitikë. “The Great Beaty” që fitoi më 2014, është një zhytje felliniane në krizën e identitetit; ndërsa “Toni Erdmann”, kandidati gjerman i vitit 2017, flet për një komik që dëshiron të rregullojë raportet baba-vajzë.

Nuk ka asgjë të çuditshme në zgjedhjet e këtij viti. Rëndësia e filmave reflekton tonin e zymtë të kohëve tona, në të cilat luftërat, ksenofobia dhe izolacionizmi po rriten. Por, këta filma janë më të pasur se mesazhet që përçojnë.

Konflikti mes Wiktorit dhe Zulas te “Cold War”, shkaktohet nga ata dhe rrethi i ri…

Vepra e përsosur “Cold War”, e bazuar në romancën e prindërve të Pawlikowskit, nuk ka të bëjë aspak me Luftën e Ftohtë. I xhiruar bardhezi, jep ndjenjën e një historie klasike dashurie. Shtypja artistike e detyron Wiktorin të largohet e të ndahet nga Zula. Ai bëhet tjetër njeri në Paris. Por, është e pamundur të deshifrosh se sa mosmarrëveshjet në marrëdhëniet e tyre nxiten nga personalitetet e tyre e sa nga forcat shoqërore që janë përtej kontrollit që kanë. Historia e dashurisë dhe retë e errëta politike që varen mbi ta, janë të njohura edhe sot – në rrethanat tjera.

“Capernaumi” i Nadine Labakit nga Libani është ndryshe nga “Cold War”, por që merret po ashtu me zhvendosjen kulturore. Heroi i saj, Zain, është një djalë nga një familje e varfër, pa certifikatë lindjeje ose dokumente ligjore për të vërtetuar identitetin e tij. Njerëzit e tjerë mendojnë se ai është rreth 12 vjeç, por duket më i ri dhe është i detyruar të veprojë si më i vjetër.

Në sekuencat e jetës së tij në rrugë, të xhiruara me ngjyra dhe detaje të mprehta, çdo skenë shton një shtresë nga temat sociale. Zaini – i luajtur nga Zain Al Rafeea, një refugjat sirian dhe aktor amator, por që nuk e gjen më të besueshëm – largohet nga shtëpia pasi motra e tij është e martuar si 11 vjeçe. Ai merret nga Rahila, një migrante etiopiane që punon si pastruese, pa dokumente. Kur Rahila papritmas merret në paraburgim, Zaini duhet të kujdeset për djalin e saj të vogël. Ai nuk ka para, por është i shkathët. Një vajzë siriane që takon në rrugë e çon në një bankë ushqimore për refugjatët, ku pretendon të jetë sirian në mënyrë që ai dhe djali të mund të hanë.

Te “Capernaum”, Nadine Labaki hulumton luftën dhe migrimin në sytë e fëmijëve

Nëpërmjet Zainit, filmi analizon efektet e luftës dhe të migracionit në Lindjen e Mesme: mungesa e strehimit, ndarja e dhunshme e prindërve nga fëmijët dhe mungesa e një vendi të vërtetë në botë.

Një djalë me një familje të improvizuar në një shtëpi të improvizuar është gjithashtu në qendër të filmit japonez “Shoplifters”, me regji nga Hirokazu Kore-eda. Shota jeton me babanë dhe nënën, tezen dhe gjyshen – një familje e rastit, e afërt e që mbijeton nga vjedhjet e vogla, por lidhjet e të cilëve zbulohen gradualisht. Ata marrin një vajzë të vogël të lënë pas dore. Shota e mbron atë aq sa Zaini bëri për motrën e tij dhe foshnjën që i mbeti nën kujdes. Toni i pandjeshëm dhe jogjykues e forcon fuqinë e filmit, pasi i fut shikuesit në botën e Shotës. “Shoplifters” nuk është film politik, por koment për mbijetesë sociale.

Familja që krijohet nga rastësisë: Filmi “Shoplifters”

Ashtu si “Shoplifters”, të gjithë kandidatët e filmave të huaj merren për familjen. “Roma” e Alfonso Cuaronit meriton lëvdata për rrëfimin që bazohet në kujtimet e fëmijërisë së regjisorit në Meksikë, në fillim të viteve 1970. Heroina është dadoja Cleo (Yalitza Aparicio, një tjetër amatore që kishte nominim për Oscar për Aktoren më të Mirë). Politika nuk është elementi më i dukshëm në këtë film të jashtëzakonshëm, me ngjyra bardhezi dhe një perspektivë neutrale që na lejon të vëzhgojmë ngjarjet sikur të ishin kujtimet tona.

Por, trazirat shoqërore dhe ndarjet klasore janë të pandashme në tregim, sidomos në sekuencën në të cilën gjyshja e familjes merr Cleon shtatzënë për të blerë një djep. Nga dritarja e dyqanit të mobileve, gratë shohin demonstratën të njohur tani si masakra e Corpus Christit, në të cilën milicia e krahut të djathtë gjuajti dhe vrau demonstruesit pro-demokracisë. Një nga personat e armatosur ndjek një protestues në dyqan, duke e qëlluar atë teksa Cleo dhe gjyshja shikojnë – një tronditje që e detyron Cleon në lindje të parakohshme.

Pamje nga filmi “Roma”, që kishte nominime në shumë kategori

Cuaroni ka pranuar se sa e rëndësishme është shtresa politike te “Roma”, meqë kujton masakrën qëkur ishte 10 vjeç. “Flluska ime e vogël e klasës së mesme shpërtheu”, tha ai. “Në film doja të analizoja plagët që më formojnë, si plagët personale ashtu edhe plagët që i ndaj kolektivisht me një vend dhe me botën… Kjo shoqëri nuk ka ndryshuar”.

Filmi elegant i regjisorit gjerman Florian Henckel von Donnersmarck, “Never Look Away”, flet për forcat e errëta politike naziste që modeluan jetët dhe artin dhe se si ato plagë të historisë na prekin edhe sot. Filmi bazohet në jetën e artistit Gerhard Richter, por nuk është biopik. Në fillim, heroi Kurt, një djalë i ri, në vitet 1930 dërgohet nga tezja në ekspozitën naziste të Artit të Degjeneruar (ku ishin shfaqur madje veprat e artistëve inovativë, si Kandinsky dhe Chagall). Aty tezja i thotë: “Mos e kthe kokën, sepse gjithçka që është e vërtetë ka bukuri brenda”. Tezja e tij, emocionalisht e paqëndrueshme, vritet nga nazistët.

Filmi përfshin një shoqëri në ndryshim, nga skenat e bombardimeve të luftës dhe të jetës normale të klasës së mesme të pasluftës. Ndërkaq, përfshin shumë stile të artit, të kapura nga mjeshtri i fotografisë, Caleb Deschanel. Kurt bie në dashuri me Ellien, babai i së cilës ishte mjek që përpiqej të fshihte të kaluarën e tij naziste. Duke refuzuar socrealizimin e Gjermanisë Lindore, Kurt dhe Ellie ikin në Berlinin Perëndimor, ku ai do të mund të krijojë art origjinale, nga abstraktja e deri te fotorealizmi. Por, ashtu si çifti te “Cold War”, dashuria dhe jeta e Kurtit dhe Elliet bie në hije nga forcat politike.

Filmi “Never Look Away” tregon se plagët e kaluara dhembin edhe sot.

Filmi i mëparshëm i Von Donnersmarckut, “The Lives of Others”, që fliste për vëzhgimin e artistëve nga Stasi në vitet 1980, ka fituar Oscar më 2007. Kjo vepër jehon më shumë sot kur po rriten mundësitë për ndërhyrje në privatësinë tonë. Ngjashëm, “Never Look Away” dërgon drithërimë nga e kaluara, që aludon në opresionet e sotme artistike dhe valët e fundit neo-naziste.

Ceremonia e Oscarit flet për rëndësinë e çmimeve dhe ndikimin që ato kanë në shikueshmëri. Por, rëndësia më e madhe fshihet te filmat e huaj që flasin në mënyrë unike me problemet e botës, duke paraqitur të njëjtën kohë romancën dhe lidhjet e përjetshme familjare. /KultPlus.com

“Ata që dijnë, s’flasin, ata që flasin, s’dijnë”

0

Thënie brilante nga Lao Tzu.

Ai që është i kënaqur me atë që ka, është i pasur.

Asgjë nuk është më e butë dhe fleksibël se sa uji, e prapëseprapë askush nuk i reziston atij.

Muzika në shpirt mund të dëgjohet nga Universi.

Aktet e mëdha përbëhen nga punë të vogla.

Kur puna e atij që është udhëheqës i mirë ka mbaruar, populli thotë “ne e bëmë vetë”.

Ku banoni, rrini pranë tokës. Kur mendoni, rrini pranë thjeshtësisë. Në konflikt, jini të drejtë dhe bujarë. Kur qeverisni, mos u përpiqni të kontrolloni. Kur punoni, bëni atë që ju shijon. Në familje, jini tërësisht të pranishëm.

Zotërimi i të tjerëve është forcë. Zotërimi i vetvetes është pushteti i vërtetë.

I urti nuk vë gjë mënjanë. Sa më shumë që ndihmon të tjerët, aq më shumë dobi i sjell vetes. Sa më shumë u jep të tjerëve, aq më shumë i jep vetes. Rruga e Qiellit bën mirë dhe nuk lëndon kurrë. Rruga e njeriut të urtë është që të veprojë, por jo të konkurrojë.

Trajtoji ata që janë të mirë me mirësi, dhe gjithashtu trajtoji ata që nuk janë të mirë me mirësi. Kështu përftohet mirësia. Jini të ndershëm me ata që janë të ndershëm dhe jini gjithashtu të ndershëm me ata që nuk janë të ndershëm. Kështu përftohet ndershmëria.

Natyra nuk e ka me nxitim, e prapëseprapë gjithçka arrihet.

Njeriu i mençur sheh në hapësirë dhe ai e di që nuk ka dimensione të kufizuara. / Bota.al/ KultPlus.com

Majlinda Kelmendi këtë muaj pyet në GKK: A është e shkuara ëndërr?

Artistja Majlinda Kelmendi do të sjellë në Galerinë Kombëtare të Kosovës ekspzoitën e saj personale “A është e shkuara ëndërr?”, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë është kuruar nga Edison Çeraj & B17 Architects. Ceremonia e hapjes do të bëhet të martën më 5 Mars 2019, në orën 19:00 në Galerinë Kombëtare të Kosovës./ KultPlus.com

https://www.facebook.com/Galeria.Kombetare.e.Kosoves/videos/3125645364128017/

Syrgjyn-vdekur

Nga: Fan Noli

Nëno moj, mbaj zi për vllanë,
Me tre plumba na i ranë,
Na e vran’ e na e shanë,
Na i thanë trathëtor.

Se të deshte dhe s’të deshnin,
Se të qante kur të qeshnin,
Se të veshte kur të çveshnin,
Nëno moj, të ra dëshmor.

Nëno moj, vajto, merr malin,
Larot t’a përmbysnë djalin
Që me Ismail Qemalin
Ngriti flamur trimëror.

Nëno moj, m’a qaj në Vlorë
Ku të dha liri, kurorë,
Shpirt i bardhë si dëborë;
Ti s’i dhe as varr për hor.

Nëno moj, ç’është përpjekur
Gojë-mjalt’ e zëmër-hekur,
Syrgjyn-gjall’ e syrgjyn-vdekur,
Ky Vigan Liberator.

Televizioni italian: Kosova vendi i yjeve pop (VIDEO)

Suksesi i jashtëzakonshëm i vajzave shqiptare në arenën e muzikës ndërkombëtare po mahnit botën, shkruan KultPlus.

Televizioni kombëtar italian këtë javë i ka dedikuar një speciale yjeve të famshëm të Kosovës si Dua Lipës, Rita Orës, Ava Max, Bebe Rexhës e Era Istrefit.

Gjatë këtij reportazhi theksohet fakti se si yjet shqiptare janë shumë të lidhura me vendin e tyre dhe e potencojmë gjithmonë prejardhjen shqiptare.

Për të parë reportazhin, po juaj sjellim videon në vazhdim. / KultPlus.com

https://www.albanianews.it/rassegna/estovest-kosovo-paese-popstar

‘Merre me nanën telefonin dhe luaje një lojë’

Shkruan: Laureta Berisha Kosumi

E ulur vetëm në një restorant, po shikoja tri zonja tek po hynin brenda, njëra prej tyre me fëmijë. Meqënëse restoranti ishte i mbushur përplot dhe nuk kishte vende të lira, ato kërkuan leje të uleshin në një tavolinë me mua.

“Po, ju lutem urdhëroni uluni, nuk më pengoni”, ju thashë. Teksa porositën ushqimin, ajo që më bëri përshtypje, ishte qasja e nënës ndaj fëmijës i cili me një fytyrë që rrezatonte ëmbëlsi po shikonte me kërshëri dhe sikur priste që të kyqej edhe ai në bisedë. Por nëna i’u qas fëmijës: ” Merre me nanin telefonin dhe luje naj lojë”…

“Merre telefonin dhe luaj”, fjalë që më tingëllon akoma në vesh dhe nga e cila më lindën një mori pyetjesh në kokën time!

Pse nëna t’ia ofrojë fëmijës së saj telefonin, pse nëna ta lërë pasdore fëmijën vetëm e vetëm që të ndihet më rehat? A po prodhojmë vetë fëmijë të varur nga teknologjia. Përse ankohemi pastaj se fëmijët shohin gjithçka në internet, pse ankohemi se fëmijët tanë rrijnë të zhytur në mendime ose janë të dhunshëm, pse ankohemi se fëmija jonë nuk i bën detyrat me rregull, apo është i shpërqendruar?! Pa dashur ta gjeneralizoj shtrirjen e kësaj dukurie tek të gjitha nënat, por nga brenga e madhe karshi kësaj dukurie shumë negative me tendencë përherë në rritje, doja të ndaja mendimin tim.

Përdorimi pa masë i teknologjisë tek fëmijët është problem në rritje në përmasa shumë të mëdha. Duke u nisur nga varësia ndaj teknologjisë, pastaj dëmet shëndetësore që mund të sjellë, secili nga ne duhet të merrë masa paraprake që t’i ruajmë fëmijët tanë. Lind pyetja se si t’i ruajmë kur ata kanë qasje kudo? Shumë prindër u blejnë aparate teknologjike fëmijëve të tyre që t’ua plotësojnë dëshirën për të qenë në hap me kohën dhe për t’ua bërë më të lehtë qasjen në rrjetet sociale, apo në burime të informatave (moshat shkollore). Ata pastaj hyjnë dhe zhyten në detin e pafudëm të internetit, duke harruar madje edhe se duhet ngrënë, apo duke ngrënë me njërën dorë dhe me tjetrën janë në telefon, duke harruar që kanë detyrat e shtëpisë apo duke harruar të shkojnë edhe në shkollë! Të shohësh një fëmijë 4 vjeçar që posedon telefon madje edhe ipad, të duket shumë absurde, aq më absurde të duket kur nëna ja merr me vete kudo të dyja se mos po i shpenzohet bateria njërës dhe i ngelin punët shtetërore pa kryer, pastaj fëmija hyn në rrjetet të ndryshme të videove dhe sheh çkado, skena të dhunshme, dhe nga më të ndryshmet.

Teknologjia na e ka lehtësuar jetën për shumë gjëra dhe nëse përdoret me masë përfitimet dhe burimet informatave që mund të marrim përmes saj janë të mëdha, por për të pasur qasje fëmijët tanë deri në përmasat që shihet tani e që janë alarmante, duhet të mirren hapa konkret nga prindërit në kufizimin e përdorimit të internetit, pasiqë nga nga moshat disa muajshe që u’a vënë prindërit (shumë nga ta) telefonin para me këngë dhe gjëra tjera për fëmijë e deri tek moshat adoleshte, është mbase për t’u preokupuar për shëndetin e fëmijëve tanë qoftë fizik dhe psiqik të tyre. Fëmijët tanë mund t’i ruajmë duke u kushtuar së pari vëmendje ne si prindër, duke ndarë kohën me ta, duke luajtuar me ta dhe duke qenë shumë të hapur me ta në çdo kohë dhe për çdo qështje. Madje vetë duhet të jemi shembull i gjallë në përdorimin e kufizuar të telefonit në prezencë të tyre, pasiqë jemi pasqyra më e mirë për ta dhe ata më shumë imitojnë veprimet tona sesa i marrin për bazë këshillat tona. Duke ua bërë të dashur sportet e ndryshme dhe leximin e librave, si dhe në këtë masë do të mbushim kohën e tyre të lirë dhe do të ndjehen madje shumë të relaksuar, poashtu do të bie gradualisht edhe dëshira për të kaluar tërë kohën e lirë në mjete teknologjike. Nuk mund t’ua heqim me dhunë apo kërcënime, sepse ishim ne ata që ua ofruam, ishim ne ata që i zhytem në këtë botë pasiqë fëmijët janë të pastër dhe imituesit tanë më të mirë, andaj duhet pasur kujdes që qasja jonë ndaj tyre të jetë e butë. Poashtu, mos ta harrojmë institucionet edukative, rrethin e jashtëm dhe shoqërinë ( për mosha më të rritura), e cila ka ndikim të madh në mirë(keq) formimin e një fëmije. Aspak se shoh të arsyeshme lejimin e telefonave tek nxënësit në ambientet e klasës, ku do të jetë vëmendja e atij nxënësi ndaj mësimit kur tërë kohën mendon se si ta bëjë selfien e radhës apo t’ua hedhë një sy të rejave të rrjetet sociale. Andaj patjetër duhet të ndalohet përdorimi i tel. gjatë orëve të mësimit.

Vajza ime e madhe kur ishte 4 vjeçe kërkoi t’ja blej një pije të gazuar, duke ja spjeguar sa e dëmshme është dhe asesi nuk bën për fëmijë mu drejtua ” nani po përse ti me babin e pini ndonjëherë pasiqë është kaq e dëmshme, a sdo ju bëj keq edhe juve si mua ?!” U turpërova nga pyetja e saj dhe më dha një mësim të mirë që të mos e këshilloi një gjë të cilën nuk e praktikoj vetë, aq më pak në një moshë kur i absorbon të gjitha ato që i sheh tek prindërit.

Prindër të dashur.. E di që të gjithë doni t’i shihni fëmijët tuaj në mënyrën më të mirë si: të shëndetshëm, të suksesshëm, të mençur, të mirëedukuar, të mirëkuptueshëm, marrës të këshillave, të dashur ndaj nesh, të dhimbshëm…. Mos të harrojmë se për të gjitha këto jemi vetë burimi, jemi ne ata që në çdo formë dojmë t’ua ofrojmë më të mirën qenieve më të dashura për ne, por gjatë kësaj rruge mund të bëjmë edhe hapa të gabuar, por që do të na kushtojnë në të ardhmen, andaj të kujdesemi për hapat që hedhim, qoftë edhe me mund dhe sakrifica të mëdha, të jenë hapa të sigurtë, të jemi të durueshëm gjatë kësaj rruge aspak të lehtë, pastaj kur shohim sukseset e pritura në fëmijët tanë, gjithsesi që do të themi se ja ka vlejtur i tërë mundi dhe koha e shpenzuar me ta. Të bëjmë atë që ne kemi në dorë dhe sa i kemi në dorë, kurse për tjerat lus Zotin t’i ruajë të gjithë fëmijët tanë dhe t’i bëj akoma më të mirë sesa që mendojmë ne, t’i ruajë nga shoqëria e keqe dhe t’ia dijnë vlerën dy gjërave: shëndetit dhe kohës së lirë./www.familjadheshëndeti.com / KultPlus.com

Elvana Gjata: Armend Rexhepagiqi dhe Aida Baraku janë dy legjenda të Kosovës

Këngëtarja Elvana Gjata ka publikuar dje këngën e saj më të re.

“Tavolina e mërzisë” mban titullin projekti për të cilin Elvana ka punuar më dy artistët kosovarë, Aida Barakun dhe Armend Rexhepagixhin si dhe me producentin Darko Dimitrov.

“Armend Rexhepagiqi dhe Aida Baraku janë 2 legjenda të Kosovës dhe jam krenare që punuam bashkë! Faleminderit që hytë në shpirtin tim dhe e thurët këtë muzikë dhe këto vargje”, ka shkruar Elvana në profilin e saj në Instagram.

“Të jem e sinqertë ndjesia është gjithmonë si herën e parë… dhe s’mund të rri pa thënë qe më bën pafund të lumtur që ju prek zemrën kjo këngë njësoj si mua”.

I jepet lamtumira e fundit Sadije Agollit

Sot po i jepet lamtumira e fundit Sadije Agollit. Bashkëshortja e të ndjerit Dritëro Agolli, u nda nga jeta të martën (26 shkurt) në moshën 78 -vjeçare për shkak të një hemoragjie cerebrale.

Homazhet u zhvilluan në banesën e së ndjerës, që do kthehet në shtëpi muze.

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi dhe kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi shkuan për ti dhënë lamtumirën e fundit.

“Tek Sadija kemi parë simbolin e gruas, simbolin e bashkëshortes, të nënës, e vajzës për të cilin sot ne kemi shumë nevojë si shoqëri për shkak të gjithë këtij tranzicioni që kalojmë. Zoti e çoftë në Parajsë shpirtin e saj dhe atje ku do shkojë jam e bindur se do jetë shumë e lumtur,”-tha Kryemadhi.

Gazetarja e Ora News, Nertila Dosti raporton se familja e të ndjerës, djali i saj Artani dhe vajza Elona, që në orët e para të mëngjesit kanë pritur dashamirësit e zonjës Agolli dhe