“Qebapët e Bosnjës”, pjata e tretë më e famshme në botë

Portali www.tasteatlas.com ka publikuar një listë të 100 pjatave më të mira në botë, ndërsa qebapët boshnjakë kanë zënë një pozitë të respektuar.

Madje, sipas mediave boshnjake, përcjell Telegrafi, ky specialitet llogaritet të jetë pjata e tretë më e popullarizuar në botë.

Po sipas mediumit në fjalë, në vend të parë, si pjata më e popullarizuar është Khachapuri, nga Gjeorgjia.

“Pavarësisht prejardhjes së tyre të qartë turke, qebapët e boshnjakëve janë një burim i krenarisë së madhe kombëtare dhe një pjatë e preferuar në vend. Këto salcice të vogla, të mbështjella me dorë nga mishi i grirë zakonisht përgatiten nga një përzierje e mishit të tjerë, me një përzierje të erëzave të ndryshme. Zakonisht ka hudhër, piper i zi, nganjëherë speca”, thuhet të jetë shkruar në përshkrim.

Megjithatë, në një listë të fundit të këtij portali, qebapët janë vendosur në vendin e tretë.

Ndryshe, edhe pse jo të radhitura lartë, portali në fjalë ka të përfshirë edhe dy specialitete nga Kosova – bëhet fjalë për “Tespishten” dhe “Djathin e Sharrit”.  / KultPlus.com

Polici në Drenas shpërthen në lot, protestuesit e përqafojnë

Një moment emocionues ka ndodhur në Drenas, një polic është përlotur në shenjë pamundësie që të plotësonte kërkesën e protestuesve, që të ecte një hap përpara ose prapa.

Në orën 12 në Drenas ka nisur protesta për rastin e fundit që tronditi vendin, ai i abuzimit seksual të 16 vjeçares nga profesori e më pas edhe nga polici.

Një nga udhëheqësit e protestës, para Stacionit Policor në Drenas, ka thënë se protestë do të mbahet edhe kundër gjinekologut Fehmi Ahmeti.

“Pa licencë, pa asnjë kusht elementar pune, e mbi të gjitha, i ashtuquajturi gjinekolog guxoi të coptonte trupin e një të miture, prandaj, si për profesorin, e policin nisoj edhe ky kriminel mantiblardhë e ka vendin në burg.  E keqja ka ndodhë, na jemi thellësisht të indinjumë, por kjo nuk do të thotë se shkollat, policia e spitalet janë për popullin e me popullin. Hapi më i mirë i juaj është të distancoheni prej kolegut tuaj kriminel, me ditë që jeni ndryshe, e me ditë që mundemi me u mbështetë te ju. Komandanti i Stacionit Policor, të kryejë një hetim për të gjithë stafin. Të merret me vetëdijësimin e stafit për barazi gjinore.”, ka thënë ai.

Vesel Veseli e pranon fajësinë për abuzimin seksual me 16 vjeçaren

Polici Vesel Veseli e ka pranuar fajësinë për keqpërdorimin dhe abuzimin seksual qe i ka bërë nxënëses nga Drenasi, raporton Insajderi.

Burime nga Prokuroria i kane thënë Insajderit se i dyshuari e ka pranuar shumicën e fajit që i ngarkohet. Mirëpo ai po refuzon që ta dorëzojë telefonin e tij, të cilin Policia nuk ka arritur t’ia konfiskojë. Në telefonin e tij besohet se janë të gjitha provat që e implikojnë atë në keqpërdorimin seksual të nxënëses.

Në pranimin e fajit, i është renduar pozita penale profesorit Shkelzen Xhekaj, që po e mohon kryerjen e veprës penale.

Mësimdhënësi është arrestuar dje dhe është ndaluar për 48 orë. Ndërkaq sot Gjykata pritet të vendos për masën e sigurisë ndaj tij.

Për Vesel Velselin, Gjykata dje ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Protesta në Drenas: ‘Shkolla është e jona, jo e pedofilëve’

Me moton “Pro mësimit, jo përdhunimit” ka nisur protesta sot në Drenas, kundër dhunuesve të një 16 vjeçare në këtë vend.

Për momentin protestuesit, shumica prej tyre nxënës të gjimnazit “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, po qëndrojnë para këtij gjimnazi, dhe pikërisht në këtë shkollë ka qenë i angazhuar mësimdhënësi që dyshohet se e kishte dhunuar fillimisht të miturën, raporton KTV.

Protestuesit po bëjnë thirrje nga më të ndryshme, si: “Pro mësimit, jo përdhunimit”, dhe “Shkolla është e jona, jo e pedofilëve”.

Marshi do të vazhdojë nga ky gjimnaz drejt stacionit policor në Drenas.

‘A keni motra ju që thoni ‘shuj moj, vet e ke meritu’ ?

Nga Entela Sahiti

Në një shoqëri si e jona është vështirë edhe të mbrohesh. Veç masakrës seksuale dhe asaj psikologjike nga kryerësit e veprave, cikat dhe gratë tona duhet te merren edhe me komentet e njerëzve te pafytyrë. Në një rast ku ndodhen 3 arrestime dhe ku po i njëjti rast është nën hetime, lartë e poshtë “met t’nime” ka nga ata që e paragjykojnë vajzën, e kryqëzojnë vajzën “shuj moj kuder se vet ta ka kajt”.

Njerëzit e tillë në konakun e tyre kanë vajza, nëse jo bija të tyre, motra, vajza hallash, vajza tezesh, vete teze por edhe nëna kanë. Sa të pafytyrë jemi si shoqëri? Në vend të mbështetjes ne çohemi dhe i sulmojmë, çohemi e sulmojmë që ka pasur dy aborte, e dhimbje të tmerrshme ka duruar. Me të vërtet, goja lëshon fjalë edhe pa menduar, por duhet frikësuar mos një mallkim i tillë mund të të prek në familjen tënde.

Më e rënda është kur paragjykimi bëhet punë e kryer, (ajo mendoi që po martohet me profesorin, qe edhe një fakt më shumë që ajo është q*** me vetë dëshirë) TURP! Ajo çfarë ta bën rrethi nuk ta bën askush. Ne ende jemi në tranzicion, ne ende seksin nuk e përmendim para familjes, e çfarë po mendoni se ajo nënë që nxori nga goja fjalët se “Çika u mashtrua se profesori i premtoi martesë” , kanë qenë të qejfit? O, jo more Jo.. Ky “premtim” dhe kjo “martesë” do të të ua ruante moralin familjes.

E derisa ato vajza që përjetojnë dhunë sistematike, përdhunime e të gjitha të zezat e shoqërisë e nuk flasin, është vetëm për fajin e juaj, për fajin e HALLKUT që nuk i lanë t’i çelin sytë kurrë!!

Facebook e cenzuron pikturën e Jezusit me mbishkrimin LGBT

Rrjeti social Facebook e ka cenzuruar një fotografi të Jezusit.

Një pikturë e artistit Giusseppe Veneziano, e cila është e vendosur në Palazzo Ducale di Massa në Itali, e tregon Jezusin të veshur me të brendshme Dolce&Gabbana, me mbishkrimin LGBT – që qëndron për komunitetin gej, lezbik, transgjinor dhe biseksual.

Megjithatë Facebook e ka fshirë një postim ku është vendosur kjo pikturë. Një peticion online ka nisur të nënshkruhet që fotografia dhe piktura të largohen sepse janë ofendim ndaj sentimentit dhe besimit të miliona njerëzve në botë.

Alessandro Bardoni – President i Equal Opportunities Commission for the city of Carrare, e ka shpërndarë fotografinë, por Facebook ia cenzuroi dhe ia largoi nga faqja. / KultPlus.com

Rita Ora dhe Bebe Rexha, së bashku dhe të lumtura në ngjarjen e Spotify

Ato kanë qenë gjithmonë të afërta me njëra-tjetrën, dhe ngjarjet ku janë bashkë bëjnë që ato edhe të fotografohen shumë të dashura me njëra tjetrën.

Bebe Rexha e Rita Ora së fundmi së bashku kanë parakaluar në tepihun e kuq dhe para fotografëve në ngjarjen e Spotify.

Dyshja duken për mrekulli, gjithmonë në hap me modën dhe me trendet e fundit. Rita Ora ka marrë edhe një çmim ndërsa Bebe Rexha ka performuar një prej hiteve të saj.

Ngjarja ka ndodhur në Hammer Museum në Los Angelos.

Rita dhe Bebe janë në momente të mira në karrierën e tyre. Rita ka lansuar së fundmi këngët e saj të reja derisa po e promovon edhe albumin e fundit, ndërsa Bebe Rexha ka marrë mbështetje rreth faktit se pesha e saj trupore disa herë i ka penguar në jetë, por ajo ka ecur tutje duke i qëndruar besnike stilit të jetës së saj. / KultPlus.com

‘Nuk më vjen marre që jam mashkull, por ndjej dhimbje si njeri’

Besim Ugzmajli / Facebook

Nuk me vjen kurrfare marre qe jam mashkull, une nuk barte kurrcfare pergjegjesie te drejtperdrejte te asnje psikopati vec se jam i te njejtes gjini (sex).
Pse sahere qe ndodhe nje krim makaber nga nje burre, ne duhet me e ule kryet e mos me marr fryme nje jave rresht?! Cka kemi bo po du me dite, cka eshte ky fajsim ne baza gjinore. 
Pse provoni te mbuloni dhimjen tone me faj qe se bartim?
Eshte dhunu dhe keqperdore tmerresisht nje NJERI, dhe une meqe jam i te njejtit lloj, ndjej keqardhje e dhimbje si NJERI. Kjo nuk dmth qe nuk ndjehem keq edhe kur dhunohet nje kafshe, […] ndihem njejte.
Kushdo qe mendon me djeg njerez ne turre te druve, per cfaredo krimi, eshte edhe ma kriminel se ai msusi e polici.
Histeri e tmerrshme, pershfaqje e problemeve tona personale ne mburojen e vajzes nga Drenasi.
A mendon dikush qe gjithe ky reagim i kesaj forme, ka me e ba viktimen me ndjenje qe ka be ndonje krim, a mendon dikush qe ky popullaritet sa i dhunueseve me shume i viktimes, ka me parandalu viktimat e tjera me lajmru rastin.
Ju, thjeshte nuk te lejoni as me tu dhimte, as me e luftu dukuri, as me u sill me humanizem ne keto raste.

*****

FRASHËR KRASNIQI: Më vjen marre që jam djalë

‘Pos abuzimeve seksuale, në shkolla ka edhe shumë fenomene tjera shqetësuese’

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, ka thënë se shumë fenomene shqetësuese janë shfaqur nëpër shkollat e Kosovës së fundmi.

Duke komentuar rastin e fundit në Drenas, ku një e mitur dyshohet se është abuzuar seksualisht nga mësimdhënësi i saj dhe më pas nga një hetues policor, Jashari ka thënë se abuzimi seksual është vetëm një nga disa fenomene që kanë nisur të përhapen në vend.

Ai ka thënë se për rastin në fjalë, sipas të dhënave të para, mund të konstatohet shkelje e madhe zinxhirore. Ka treguar se një ekip i Avokatit të Popullit është duke hetuar rastin dhe sapo të kryejë hetimin do të dalë me rezultate për të treguar nëse dhe ku ka pasur shkelje.

Megjithatë, sipas tij shqetësimi më i madh është te viktima. Ai ka thënë se ndaj viktimave në raste të tilla s’ka kujdes adekuat.

Jashari ka thënë në Interaktiv të KTV-së, se Kosova mbetet shumë prapa në krahasim me vendet tjera në raport me kompensimin e viktimave të rasteve të tilla.

“Sipas informatave të para, del se ka pas shkelje të shumëfishta në këtë proces. Kundër çdo standardi etik, moral e ligjor. Një ekip i joni është duke u marrë se çfarë mund të ndihmojë tash. Bazë është gjithmonë viktima, sepse procesi i drejtësisë është i ngadalshëm. Ajo është e ngadalshme sepse padrejtësia është shumë e shpejtë. Ekipet janë në terren e të shohim rezultatet e para të tyre”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së duke shtuar se shteti duhet të marrë përsipër kujdesin ndaj rasteve të abuzimeve seksuale.

“Përdorimi i dhunës, bulizmi nëpër shkolla, por shqetësuese është edhe varësia nga droga. Nga të gjitha shkollat kemi marrë konfirmim se ka përdorim të gjerë. Ka shumë ekspertiza që tregojnë se për 2 vjet kalendarike, mosha përdoruese ka rënë nga 22 në 16. Duhet të ishte alarm i madh”, ka shtuar ai duke përmendur se po mungon përcjellja nga mekanizmat shtetërorë.

Krasniqi: Më vjen marre që jam djalë

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e PSD-së, Frashër Krasniqi, ka thënë se i vjen marre që është djalë, pasi sa herë që hynë të lexojë në mediat online ka lajme për gratë dhe vajzat që ngacmohen dhe dhunohen.

“Më vjen marre që jam djalë sa herë që më kujtohet që deri në moshën 30 vjeçare s’kam ditë qysh lëshohet makina e rrobave apo larësja e enëve, sepse kurrë me dorë nuk i kam prekë. Dhe sa herë që kur i tregoj ndonjë burri për këtë fakt, më thotë “ani de, ajo është punë e grave, pse duhet me e ditë ti”. Thuajse gratë kanë lindur me enët e kuzhinës në duar, e me rrobat e palara të burrave në krahë”.

“Më vjen marre që jam djalë, sa herë që më kujtohet fakti që krejt çka di me përgatitë janë vezët dhe ndonjë sallatë e lodhët aty këtu, sepse krejt jetën time nëna dhe motrat më ka mbajt me ushqim. Pra, praktikisht, krejt jetën time kam ngrënë bukë si me qenë në restorant ku ti veç e pret ushqimin në tavolinë dhe ku çdo lëvizje e jotja vëzhgohet nga shërbyesit, për të kuptuar se a je i kënaqur apo jo (vetëm se dallimi është se po flasim për një restorant ku “shërbyesit” nuk paguhen fare, dhe madje as që konsiderohet se po të bëjnë privilegj. Në fund të fundit “ato janë gra dhe kjo është detyra e tyre”, ka shkruar Krasniqi në rrjetin social Facebook.

Më tej Krasniqi ka thënë se i vjen marre pasi gratë kosovare rrinë në këmbë kur ai shkon të rrijë mysafir diku.

https://www.facebook.com/1427626187/posts/10219280614112616/

Doruntina Ukimeri risjellë “Çejzin” përmes filigranit të letrës

“Çejzi” është praktikë që manifestohet përmes institucionit të martësës. Më saktësisht, është një formë e relacioneve që fillon të paraqitet që në moshë të re për të udhëzuar përgatitjen për martesë. Sipas traditës “Çejzi” është një grumbullim i pasurisë të cilën sipas këtij rituali gjithnjë e bart një grua kur të lidhë kurorë me një burrë.

Përgjatë kohës kjo traditë ka pësuar ndryshime duke kryer funksione të ndryshme, kryesisht të lidhura me çështjet e trashëgimisë materiale, zbatueshmëria e së cilës mund të konsiderohet si tregues i rendit normativ gjinor dhe patriarkal i funksionimit shoqëror.

Në anën tjetër, kjo praktikë është karakterizuar me një proces të ndërlikuar të punëdorës si dhe është shfaqur përmes një estetike të veçantë e cila si e tillë ngërthen në vete vlera të trashëgimisë kulturore. Sot, roli fillestar i “Çejzit” pjesërisht është tjetërsuar, dhe rrjedhimisht në periudhat e fundit, sidomos gjatë shek. 20, është komodifikuar duke sjellë një marrëdhënie të re të gruas me punën.

Doruntina Ukimeri risjellë “Çejzin” përmes filigranit të letrës i cila është fokusi i praktikës së saj artistike. Përmes “Çejzit” Doruntina tenton të eksplorojë transformimin e kësaj traditë dhe nga aty, ajo ripërpunon disa nga figurat e gjetura shpesh në punimet e “Cejzit”. Ajo risjellë këto figura të përsëritura, duke theksuar elemente estetike që sipas saj janë reprezentimi më tipik i “Çejzit”, duke prodhuar një formë tjetër, përmes një mediumi të pazakonshëm prej punimeve të zakonshme.

Ky projekt është bërë i mundshëm nga Heritage Space e cila është platformë e nisur nga CHwB Kosova që i krijon hapësirë individëve kreativ të përdorin trashëgiminë kulturore si burim frymëzimi për krijimin e punëve të reja, përmes përdorimit të mediumeve të ndryshme, për zhvillim ekonomik, social dhe kulturor në Kosovë. Kjo platformë krijon lidhje të reja në mes të krijuesve dhe shoqërisë me trashëgiminë.

Ekspozita do të pasojë ditëve në vijim me një diskutim të hapur në lidhje me praktikën e “Çejzit” për të trajtuar marrëdhënien e artit me çështjet që zakonisht interpretohen si diçka që i përket tradicionales./ KultPlus.com

Ermal Meta, nesër mbrëma ngjitet në skenën e Sanremos

Nesër mbrëma, të premten, në natën e katërt të festivalit Sanremo në Itali, në skenë do të ngjitet edhe Ermal Meta.

Këngëtari shqiptar i cili tanimë është ndër më të njohur në Itali, do të ngjitet në skenën e festivalit përsëri, kësaj here jashtë garës.

Ermali do të këndojë në duet me Simone Christicchin, këngëtarin i cili është në garë.

Meqë nesër në mbrëmje këngëtarët në garë këndojnë me këngëtarë jashtë garës, Ermali vjen në skenë me më pak emocione, shkruan KultPlus.

Të shtunën e 9 shkurtit do të mbahet finalja e Sanremos kur edhe dihet fituesi i festivalit me shumë renome dhe mjaft prestigjioz në Evropë. / KultPlus.com

Visar Mulliqi vjen me ‘Origjinalitet’ në Galerinë Qafa dhe në ish-pallatin e shtypit “Rilindja”

Me 19 shkurt 2019, në orën 19:00, në Galerinë e Ministrisë së Kulturës së Kosovës do të hapet ekspozita e piktorit të njohur, Visar Mulliq, shkruan KultPlus.

Ekspozita me titull “Origjinaliteti”, është kuruar nga z. Shkelzen Maliqi, studiues dhe kritik i artit dhe menaxhohet nga Dhurata Ramosaj, koordinatore e GMK-së. Kuratori i kësaj ekspozite vlerëson se krijimtaria e Prof. Visar Mulliqit dallon nga ajo e kolegëve të tij të brezit të ’90-ve tek të cilët vërehet qartë distancimi, madje edhe refuzimi i realitetit dhe pasqyrimi dhe “pajtimi akademik”. Z. Maliqi vlerëson se te autori “nuk ka shenja të dukshme të rebelimit ose të ndonjë anti-motivimi. Atë e intereson vetëm arti si i tillë, preokupohet me kapacitetin puro piktural të tablove”.

Ekspozita do të përbëhet nga rreth 30 piktura të dimensioneve të ndryshme, të cilat do të ekspozohen të ndara në dy lokacione, në GMK dhe në hollin e ish-pallatit të shtypit “Rilindja”.

Ekspozita “Origjinaliteti” do të qëndroj e hapur një muaj në Galerinë e Ministrisë së Kulturës në kompleksin “Qafa” si dhe në ish-pallatin e shtypit “Rilindja”, në Prishtinë./ KultPlus.com

“Ti babë, merre çikën tane për dore edhe dil, dil edhe ti nanë”

Ti, babë, mere çikën tane për dore edhe dil,
Dil edhe ti nanë,
Edhe ti vëlla, merri motrat e dil, ose n’paç të dashur merre edhe ato,
E ti çikë dil edhe vet n’kofsh, dil për vete, për shoqet e tua, për moshataret e tua e për çikën tande, nesër.
Po ti babë para se me dalë nesër n’protestë njiher merre djalin tand edhe edukoje, thuji që femna per ta NUK asht objekt kënaqësie
Msoje se kur femra thot JO dmth JO duhet me mbetë
Msoje mos t’jetë posesiv ndaj sajë, msoje se femra e ka vlerën e vet, veç msoje edhe se NUK duhet me e trajtu si mà t’dobt, thjesht le ta kupton që asht i barabart me ta, NUK asht superior
Nanë edhe babë, pash tokë e qiell EDUKOJINI djemtë tuaj,
Para se me e pytë “o djali babës he azgan, a ki gjetë naj femën?” ti msoje qysh me u sillë kur t’jet me njo
Dil oj çikë nesër n’protestë, se dje viktimë e përdhunimit seksual ishte dikush që ti nuk e njeh, sot asht shoqja jote, e nëser ki me kanë TI
Jo për fajin tan, po për fajin e ktij mentaliteti që ka me t’fajsu ty e asnjiherë përdhunusin!!!
Dilni bashkë, se kriminelët e kan vendin n’zjarr po masi n’zjarr s’po mundemi, dërgojini n’burg e jeta le t’u bahet FERR!
Dje ishin n’rrugë, sot n’institucione shtetërore, nesër mund t’i keni në shtëpi!!!

Burimi: Facebook Vjollca Racaj. Fotografia: Atdhe Mulla/ KultPlus.com

Sabri Hamiti e rrëfen në vargje atentatin ndaj tij në vitin 1998

Në kohën kur terri nxin korridorin pa dritare
Mes katit të parë e të dytë duke u ngjitur
Më doli para silueta me kasketë të Leninit në kokë
Shtiu silueta duke marrë në shenjë kokën e zemrën time
Unë lëviza shpejt nga e djathta
Plumbat zunë mushkërinë dhe dorën e majtë
Silueta me kasketë të Leninit zbrazi edhe disa plumba
Në shenjë triumfi e u humb në natë.

Unë e mund dhembjen me bërtimën e madhe
Që pushon vetëm kur e ndiej me veshët e mi.
Kush mund ta dijë sa zgjatet koha
Derisa ngjitem këmbadoras në katin e tretë?
(Duhet të dukem sa më i natyrshëm para gruas
Më vërtitet nëpër mendje të turbulluar
Derisa jam në kokërr të shpinës në katin e dytë)

Atëherë kalon aty pranë një hije e gjatë
Të cili i lutem: më ndihmo zotëri!
Po zotëriu vetëm më kalon përmbi
Duke u mbrojtur si i zëni në faj:
Si të të ndihmoj kur nuk e di kush je?

“Grua i vrarë jam dhe thirri miqtë” i them
Duke u munduar të fsheh gjakun në duar.
Ajo heshtet duke e ditur se të vrarit s’i flitet
E i vrari nuk duhet të flasë…

Tevona vëllezërit miqtë mjekët më kanë shtrirë
Kur biri i madh më vjen te veshi
“Qëndro babë”!
Hap sytë për t’ia dhënë besën time
Se do të jetoj për mallë të tij.

Fotot gjejnë vendet e plumbave
Të gjithë janë në trup mbrenda
Ndërsa mjeku i damarëve ngushëllohet:
Shyqyr që i ka shpëtuar dora e djathtë,
Me çka do të shkruante?

Në shok-dhomë ma shpojnë rishtas gjoksin
Duart venat thikat e pykat janë në trupin tim
Dhe trupi mund të zgjedhë jetën a vdekjen
Se shpirti niset diku në qiej
Nis të varet nëpër yje duke u munduar
T’i bëjë dy yje bashkë që do të digjen
Duke rënë në tokë.

Aty jam vetëm me milicët e armatosur
Që ndërrojnë pamjet nga ora në orë
Gra të veshura bardh më njohin terrorist
Në vesh më kanë vënë ndëgjojset
Ku ndihet gjëma e vëllait vaji i gruas
Dhe pëshpërimat e fëmijëve.
Ata duan të më tregojnë para vdekjes
Se i dinë të gjitha deri në minutën e fundit.

Atëherë kur trupi e zgjedh jetën
E dy yjet bien lidhur përtoke
Gruaja më rri pranë te shtrati
Ma lan gjakun nga trupi me alkool
Me pambuk të butë secilën qelizë secilën fije.

I lidhur për shtrati me sy të hapur
Shoh për dritareje si lind e si vdes dielli
Si lëkunden e vdesin gjethet e fundit
Duke e lënë cullak degën e plepit.
“Ai që e do jetën u hyp këmbëve të veta
E nuk lidhet për shtrati” flet Burbuqja.

Me gruan përbri u hypi këmbëve të mia
Dal në korridor dhe nëpër katrorin e dritares
Shoh një degë peme që ngjitet në qiell
Pamja më e bukur e gjithë jetës sime
Derisa tri gra plaka rrahin duart
Nga habia me mrekullinë time.

E unë i lidhur për shtrati e di më mirë se kurrë:
Për të shkruar nuk mjafton vetëm ëndrra
Nuk mjafton as vetëm dora e djathtë
Për të shkruar duhet kurrizi e duhet bytha
Duhet guximi për të shkruar që dhembja fizike
Është më e madhe se dhembja shpirtërore,
Jo vetëm fantazitë e dora e djathtë
Si thoshte mjeku më i madh i damarëve
Të prerë në Ballkan!

Le të dëshmojë më së miri Burbuqja!
A nuk është kështu zonjusha Burbuqe?

Rudina Xhunga: Prishtina po e mbron vajzën, Kavaja kërkoi largimin e vajzës nga vendi

Dy ngjarje tronditëse të cilat kanë ndodhur së fundi një në Shqipëri dhe tjetra në Kosovë, sipas Rudina Xhungës janë dëshmi se si shoqëri jemi larg Evropës.

Në Shqipëri shtatë të mitur kishin dhunuar një vajzë po ashtu të mitur e cila ishte 13 vjeçare ndërsa në Kosovë një 16-të vjeçare është dhunuar nga mësuesi, pastaj nga polici ku kishte paraqitur rastin si dhe ishte detyruar te abortonte në një klinike në Prishtinë pa dëshirën e saj.


“Shikoni si reagon Prishtina. Te gjithë me parrulla në duar, kanë dalë në rrugë për t’i thënë jo përdhunimit, pasi një e mitur u abuzua nga profesori i saj dhe polici ku shkoi ta denoncojë. Prishtina e mori ne mbrojtje vajzën, as e gjykoi, as donte ta përzinte nga vendi, sic donin gratë e Kavajës, të përzënë vajzën e vogël që e përdhunuan ca përbindësha, të mitur edhe ata. Në Kosove, nuk plasi debati Thaci- Haradinaj, kush e fshehu ngjarjen, as iu sul kush medias, pse merreni me dramën e vajzës. Ne jemi frikshmërisht larg Evropës që kërkuam. E meqë s’po dimë te afrohemi, le të themi:
E duam Shqipërinë si Kosova!”, ka shkruar gazetarja Xhunga./ KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/BtlLso7ggcL/

Kosova merr kryesimin e RYCO-s, ministri Gashi kryeson Këshillin Drejtues

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, mori pjesë në konferencën e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim të Rinisë (RYCO), “Fuqizimi i rrugës për pajtim dhe bashkëpunim rajonal. Debati për të ardhmen evropiane të të rinjve kosovarë”. Në konferencën e cila u mbajt në Prishtinë, Ministri foli për bashkëpunimin e deritashëm dhe i falënderoi drejtuesit e RYCO-s dhe të pranishmit për organizimin e konferencës si dhe për vazhdimin e realizimit të objektivave në të mirë të rinisë.

Këtë vit, kryesimin e Bordit Drejtues të RYCO-s do ta ketë Kosova dhe ministri e konsideroi këtë si një privilegj dhe një nxitje për të punuar edhe më shumë për rininë.

“Në momentin që po flasim RYCO ndodhet në një pozicion shumë më të favorshëm krahasuar me vitin e kaluar; me një strukturë të konsoliduar dhe me objektiva të qarta strategjike se ku e sheh veten në të ardhmen”, vlerësoi ministri, duke shtuar se themelimi i RYCO-s është një mundësi e mirë e shkëmbimeve rinore rajonale e cila duhet të shfrytëzohet nga të rinjtë.

“Në asnjë rrethanë, përpjekjet e deritanishme kryesisht të bëra nga organizata jo qeveritare apo iniciativa të tjera për të mbështetur bashkëpunimin rajonal nuk janë më pak të rëndësishme. Përkundrazi, janë pikërisht ato iniciativa te cilat kanë vënë gur themelet e RYCO-s. Por natyra unike e përbërjes së RYCO-s në gjitha strukturat e saj e bën atë një institucion gjithëpërfshirës dhe me vizion të qartë për fuqizimin e bashkëpunimit të të rinjve në Ballkanin Perëndimor” u shpreh ministri Gashi.

Ministri Gashi po ashtu e cilësoi se RYCO bashkëvepron në një mjedis kompleks dhe për këtë duhet më shumë punë për të bërë. Duke e parë të kaluarën si një sfidë vështirë të tejkalueshme, por jo të pamundur, ministri dhe se si Kryesues i Bordit të RYCO-s por edhe si përfaqësues i Qeverisë së Kosovës në drejtimin e këtij institucioni rajonal, tha se është e nevojshme në mbështetja e RYCO-s në mënyrë të veçantë nga ana e gjashtë qeverive të Ballkanit Perëndimor.

“Të gjitha qeveritë e rajonit, duke përfshire edhe atë të Kosovës duhet ta mbështesin sa me shumë këtë institucion i cili mundëson rritjen e lëvizjes dhe bashkëpunimit rajonal të të rinjve dhe jo vetëm RYCO-n por edhe institucionet tjera komplementare me RYCO-n, dhe assesi të bëjnë veprime kontradiktore. RYCO nuk mund t’i përmbush synimet e saj e vetme andaj duhet t’i bashkojmë forcat të gjithë në mënyrë që bashkëpunimi i të rinjve në rajon të rritet sa më shumë”, ka thënë ministri në konferencën e sotme.

“Aq sa ju keni nevojë për vendimmarrës mbështetës, po aq edhe ne kemi nevojë për të rinj aktiv, të motivuar dhe të vendosur për të ndryshuar gjendjen aktuale dhe imazhin e këtij rajoni”, ka porositur ministri Gashi, duke bërë thirrje që të mësohen gabimet nga e kaluara dhe që ato të mos përsëriten duke e parë të ardhmen e tërë rajonit plotësisht të integruar në Bashkimin Evropian.

RYCO është mekanizëm i pavarur institucional i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, Kosovës, Shqipërisë, Bosnjës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë për bashkëpunim rajonal në fushën e rinisë. 

‘Ky rast i dhunimit ka tejkaluar çdo konsideratë’

REAGIM i Këshillit të Nxënësve të Kosovës-KNK karshi dhunës seksuale, ushtruar në nxënësen nga Drenasi.

Këshilli i Nxënësve të Kosovës (KNK)1 përmes këtij reagimi dënon ashpër rastin e shfrytëzimit dhe keqtrajtimit të bashkëmoshatares së tyre 16 vjeçare nga ata që është dashur ta edukojnë e mbrojnë.

Ne si Këshill i Nxënësve të Kosovës – strukturë përfaqësuese e nxënësve të gjitha shkollave të mesme në Kosovë në bashkëpunim me Këshillin Rinor Kosovar (KYC), organizatën nën ombrellën e së cilës funksionojmë konsiderojmë që ngacmimi dhe shfrytëzimi seksual nga ana e mësimdhënësit dhe policit hetues duhet të dënohet, dhe drejtësia të vihet në vend.

Jo rrallë herë nxënësit/et, janë viktima të dhunës qoftë fizike, psikike/emocionale dhe seksuale ushtruar kundrejt nesh nga hisedarë të ndryshëm në institucione ku presim të edukohemi dhe mbrohemi.

Nxënësit janë të shqetësuar dhe të tmerruar nga ky rast dhe jo vetëm. Ky rast ka tejkaluar çdo konsideratë dhe ndjejmë nevojë të ju rikujtojmë që përjetimet e tilla nuk tolerohen.

Andaj ju lutemi dhe ju ftojmë duke pasur gjithmonë në konsideratë ndjeshmërinë e moshës dhe pamundësinë për të u mbrojtur, të ndërmerreni masa dënuese për secilin që cenon sigurinë tonë.

Ne jemi nën përgjegjësinë tuaj, dhe nën këtë përgjegjësi presim të na keni prioritet dhe të mos lejoni ushtrim dhune (seksuale, fizike, psikike). Ju e keni për detyrim të na ofroni fuqi për të reaguar ndaj çdo padrejtësie, e jo frikë për të njohur dhe mbrojtur mirëqenien tonë.

Reagoni sot, sepse nesër mund të jetë shumë vonë!

Pas dhunimit, Hyjnesha në Fron është e vuajtur dhe e mavijosur

Për faktin se në Kosovë pothuajse çdo gjë po shkon keq, dhe sidomos muajve të fundit kur është e pamundur të mos i përjetosh ndodhitë e realitetit, dikujt i është kujtuar diçka më kreative.

E meqë ende kreativiteti jeton në këtë vend me probleme, Hyjnesha në Fron tanimë ka ndërruar pamje. Është e tëra në lot, e goditur në sy dhe e mavijosur, e dhunuar, e mbytur, me fytyrën plot plagë.

The Republic of Kosovo – blogu i artistes Diego e ka sjellë kësisoj Hyjneshën në Fron, marrë shkas edhe prej ngjarjes së fundit me 16 vjeçaren nga Drenasi, një turp kolektiv që duhet të na bëjë ta ulim kokën e të dalim të protestojmë kundër këtij frustrimi.

Hyjnesha në fron është një statujë e vogël, figurinë terrakote e gjetur në vendin e mullirit e njohur si Tjerrtorja pranë Prishtinës, në vitin 1956.

Për më tepër, pasi ajo është një nga artefaktet më të çmuara arkeologjike të Kosovës, është adoptuar edhe si simbol i Prishtinës. / KultPlus.com

“Mos shkoni deri në Kavajë, u përdhunoj unë ku dhe kur të doni”

Nga Bledi Mane

E dini ju kur kam lindur, si jam rritur, ku jetoj?
Në pranverën e vitit 1997 kur u linda në maternitetin e një province, të qarat e mia nuk dëgjoheshin. Zhurma e breshërive të kallashnikovëve dhe granatave e meknin zërin tim. Prindërit më pas më plasën te shtëpia e gjyshes dhe babi mori mamin e nga Vlora shkuan me skaf në Itali. Porsi disa prej djelmoshave të kohës, edhe babai im nuk i rezistoi dot tundimit. Si dhëndër i ri që ishte dashuronte paratë, jo nënën. 

Vit pas viti më munguan përkëdheljet e prindërve por jo etiketimet dhe fyerjet e njerëzve në qytezë. Për ata unë isha kopili, djali i një prostitute që e shfrytëzonte burri rrugëve të Italisë derisa kur u bëra adoleshent, mamin dhe babin e kthyen nga Italia dhe babi nga frika se mos nëna ime e kallëzonte në polici, u sforcua duke na mbajtur si një familje sa për sy të botës. Brenda mureve të shtëpisë tonë kishte sherre, dhunë, zhurma, ulërima, mallkime, asnjë puthje, aspak dashuri dhe kështu të copëtuar me tresh me lekët e kurvëllikut të mamit blemë shtëpi dhe dyqane në Tiranë. Jeta e re në kryeqytet mbartë historitë e vjetra dhe unë çdo natë nga sherret e prindërve dëgjoja lloj-lloj poshtërsish dhe historish që më këpusnin edhe shpirtin, më këpusnin edhe lidhjet me prindërit.

Ne kishim prona, kishim lekë, kishim armë, kishim makina por nuk kishim as komunikim njerëzor e as respekt. Po rritesha si marinari që lundronte oqeaneve por kurrë nuk kishte pasur shansin sikur një herë të vetme të kridhej në dallgët e detit. Ushqehesha me hashash, me kokainë, me pizza, me alkool, me urrejtje por kurrë nuk më ushqyen me dashuri dhe përkëdhelje. Shkoja në shkolla të shtrenjta por kurrë nuk më mësuan në shtëpi me norma njerëzore. Ndjeja adrenalinën e ngjarjes me shpejtësi të makinave por asnjëherë nuk u spërkata me eliksir dashurie.

Sa më shumë rritesha, aq më shumë njihja fyerjet e një mashkulli ndaj femrës siç bënte babai im me nënën. Sa më shumë burrërohesha, aq më shumë më eksitonte dhuna shtazarake e një mashkulli ndaj femrës siç bënte babai im.

Mes shoqërisë time nëpër rrugë ka vetëm fyerje, drogë, bixhoz dhe dhunë. 
Në shkollën time të shtrenjtë ka veç pordhë, luks i shfrenuar, bullizëm, drogë, kurvellëk fasadash, injorancë kolektive. 
Në shtëpinë tonë ka fyerje, klithma, dhunë, gjak. 
Në televizorin tim ka lajme me plagosje, me vjedhje, me vrasje, trafik droge. 

Në celularin tim ka lajme portalesh me gjak, armë, këngë me tekste të dhunshme, ka porno perverse…

Unë nuk kam dashuri për askënd, jam rritur për të urryer. Ndaj nëse ndonjë vajzë me dashuron, nuk më besohet. Më duket sikur babai që fyente dhe dhunonte nënën time e ua shiste për seks e për para jo vetëm shokëve por edhe klientëve në rrugët e Italisë.

Gjithsesi mos u mërzisni. Kur të rritem do e korrigjoj veten e do bëhem deputet. Brengat e jetës time nuk do pasqyrohen fare në oratorinë time, në sjelljen time. Parlamenti ynë është e vetmja kuplara zyrtarisht legale! / KultPlus.com

“Në nji vend ku nanat i msojnë djemtë e tyne më fluturue, e pastaj më i shkelun çikat e huaja”

Shkruan: Fjolla Spanca

Ne nji vend ku djali rritet si mret/ princ/ pasha do a s’do, gruaja ka më qenë veç nji ‘copëzë mishi’ ose nji sherbetore qe i ploteson krejt nevojat e tij …

Ne nji vend ku asht marre më fol e më i msu fmijtë se Dashnija s’ka kufi n’gjini e Ditunia asht e shenjtë; ka meë qenë gjithë e hidhun jeta …

Ne nji vend ku Nanat i msojnë Djemtë e tyne më Fluturue; e pastaj më i shkelun çikat e huaja; s’asht çudi kur këto t’fundit dhunohen sistematikisht …

Ne nji vend ku arritja ma e madhe asht paraja, telefoni ose kerri/ makina e shtrenjtë; aty ku Instagrami ta dikton jetën dhe ku duhesh më u ly – ngjy për më ra n’sy: nuk ka fortë shpresë për nesër!

Aty ku gratë e ulin kryet dhe e lshojnë dijen; ka me pasë vend per krejt t’kqijat … aty ku gratë detyrohen me u fut n’doren e t’forteve  s’kanë me çelun pranverat …

Atje ku burrat shesin mend se ‘pika ma e nalte me moral e nder asht motra’ e ka perthekue e zeza oxhakun e konakut!