Inject – Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi në vazhdën e Muajit të Gruas shfaqë sot dokumentarin “Jo Prona Jote”.
Dokumentari “Jo Prona Jote” ngërthen histori nga të
mbijetuarat e dhunës në familje nga komunitetet e ndryshme në Kosovë dhe
përkushtimin e tyre për t’u ballafaquar me çështje ekonomike e ligjore si
ndryshimbërëse frymëzuese. Duke shtjelluar lidhjen në mes dhunës dhe të
drejtave pronësore, filmi fokusohet në atë se si normat zakonore ndikojnë në
pronësinë e grave dhe në ndjeshmërinë e tyre ndaj dhunës në familje.
Filmi do të shfaqet sot duke filluar nga ora 18:00 në hapësirën e Kino Armatës. / KultPlus.com
Në gjysmën e dytë të vitit 1980, Komiteti Qendrorë i Partisë Komuniste Jugosllave, në njërën prej mbledhjeve të saj, veç tjerash kishte diskutuar që shkollat fillore në Kosovë t’i hapnin dyert për nxënësit e klasave të para vetëm pasi fëmijët shqiptarë të kishin mbushur moshën 8 vjeç. Arsyeja e hapjes dhe diskutimit me ngut të një çështjeje të tillë, sipas këtij komiteti, ishte mungesa e objekteve shkollore, respektivisht hapësirat e pa mjaftueshme për të zënë numrin gjithnjë në rritje të nxënëseve (rreth 42.000) që vinin nga kombësia shqiptare. Vendimi ishte marrë por nuk ishte zbatuar kurrënjëherë. Ishte reagimi i mësimdhënësve të asaj kohe, dhe sidomos i prindërve shqiptarë, që kjo masë diskriminuese të mos aplikohej në praktikë.
Kjo ngjarje e papritur rreth arsimit në Kosovën e asaj kohe ishte
kuptuar si masë ndëshkuese ndaj shqiptarëve të Kosovës, të cilët kishin gëzuar
progres të pa shkëputshëm qysh prej rënies së Rankoviqit (1966) dhe si
përpjekje për t’i kthyer proceset mbrapsht. I gjithë ky zhvillim po ndodhte pak
kohë pas vdekjes së udhëheqësit komunist jugosllav, Josip Broz – Tito, i cili,
për nacionalizmin serb në rritje, qe fajtori kryesor i ngritjes arsimore e
kulturore si dhe emancipimit e faktorizimit politik në vazhdimësi të shqiptarëve
si etni jo-sllave, dhe Kosovës si entitet politik brenda Jugosllavisë.
Vendimi për shtyrjen e moshës së nxënësve filloristë nga 7 vjeç,
sa ishte paraprakisht, në 8 vjeç për vitet pasuese pas atij të 1980-ës, asokohe
pati jehonë të madhe në masat e gjera të cilat e shihnin progresin tek arsimimi
sa më cilësorë i të rinjve. Mundësia e vajtjes në shkollë e fëmijëve në moshë
më të rritur ishte reflektuar si përpjekje për të penguar zhvillimin normal e
gjithnjë në progres të arsimit, e si rrjedhojë edhe shkak për ngecjen kulturore
dhe ekonomike të Kosovës, tregu i së cilës po kërkonte në vazhdimësi njerëz të
kualifikuar.
Megjithatë, institucionet autonome të asaj kohe në Kosovë nuk e
kishin vënë në zbatim vendimin për shtyrjen e moshës për nxënësit filloristë,
për faktin se ngjarjet evoluuan në mënyrë të papritur dhe kishin marrë rrjedhë
të paparashikuar dhe si rrjedhoje përballë zhvillimeve të mëvonshme dramatike
që ndodhën në Kosovë, vendimi në fjalë u la nën hije, madje kaloi në harresë
dhe nuk e mori vëmendjen e duhur as edhe nga historiografia jonë.
Siç kujtojnë protagonistë të ngjarjeve të kohës, njëri prej tyre
mësimdhënës në shkollën “Asim Vokshi” në Prishtinë, kundërshtues më me zë i
këtij zhvillimi të papritur kundrejt arsimit shqip, ngjarja në fjalë nxiti një
atmosferë revanshi të tensionuar në Kosovë, e cila evoluoi në protestat e
famshme të Marsit ‘81…
Ndërkaq, historiografia zyrtare shqiptare protestat e studentëve
të Marsit ’81 i shpjegon si shpërthim i mllefit të akumuluar tek popullsia
shqiptare shumicë e Kosovës e cila po diskriminohej prej shumë vitesh nga
pakica serbe në krahinë dhe regjimi komunist i Beogradit që nuk i njihte
shqiptarët si komb por si kombësi brenda Federatës jugosllave.
Mirëpo ky detaj i vendimit të Komitetit komunist jugosllavë që
kishte për qëllim amullinë e progresit arsimor, kulturor, ekonomik e politik të
shqiptarëve, si popull shumicë në Kosovë, është shpërfillur nga historiografia
shqiptare përgjithësisht dhe ajo kosovare veçanërisht. Rrjedhimisht mund të
thuhet se rishikimi i këtij fragmenti të historisë sonë do t’i jepte përgjigjen
e duhur dhe më kuptimplote nxitjes dhe shkaqeve të protestave të Marsit 1981.
Deri më tash, për këtë ngjarje historiografia jonë ka dhënë një version të
dyshimtë dhe jo bindës, por zyrtarë, duke e përkufizuar protestën vetëm si
reagim spontan i disa studentëve të pakënaqur me ushqimin jo-kualitativ dhe
pakujdesinë higjienike në mensën e tyre në Prishtinë, pavarësisht se rregulli,
disiplina dhe kushtet për punë në të gjitha institucionet e asaj kohe ishin në
zenitin më të mirë të tyre. Paradoksi rritet akoma më shumë kur kihet parasysh
se studentët e rebeluar ndaj kushteve “të vështira” në mensë dhe konvikte, e që
merrnin bursa nga shteti, vinin nga regjione dukshëm më të prapambetura dhe me
kushte shumë më të vështira të jetesës, deri në shkallën varfërisë së skajshme.
Veç kësaj emrat konkretë të nismëtarëve të protestave të marsit nuk u bënë të
ditur kurrë. Pra mungesës së fakteve konkrete se si filloi rebelimi studentor,
i pasuar nga protestat masive gjatë vitit 1981, do duhej t’i përgjigjej
historiografikisht nxjerrja në pah e vendimit rreth arsimit fillor, ashtu siç u
parafrazua në titull.
Shënim:
Detajin kyç të kësaj ngjarje, që mund të konsiderohet si nxitës,
madje dhe sqarues i protestave studentore të vitit 1981, ashtu siç u mundova ta
sqaroj më lartë, e mora nga Rushit Zeqiri, ish-mësues në Shkollën Fillore “Asim
Vokshi” të Prishtinës dhe aktualisht mësues në ShFMU “Selman Riza” në Fushë
Kosovë, i cili sivjet shkon në pension së bashku me një bagazh të gjerë
enciklopedik.
Nderime dhe respekt për të dhe gjithë mësuesit, arsimtarët,
profesorët e pedagogët tanë të këtij kalibri që kanë dhënë gjithçka nga vetja e
tyre, pa kursyer pasurinë e rininë, madje as jetën e shëndetin, për t’i
arsimuar dhe edukuar mirëfilli gjenerata të tëra ndër ne.
/Adem Breznica, gazetar dhe profesor i Historisë/ KultPlus.com
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kujtuar se sot bëhen 38 vjet që prej organizimit të demonstratës së studentëve të Universitetit të Prishtinës më 11 mars 1981.
Historianët, shkruan Kurti, bien dakord se ajo demonstratë shënon fillimin e një procesi të pandërprerë që çoi deri në zhbërjen e Jugosllavisë, e deri në çlirimin e Kosovës.
“Fillimisht ishte një protestë spontane, tek mensa e studentëve. Aty të rinjtë u revoltuan ndaj shërbimit e kushteve të këqija. Por kjo protestë spontane e studentëve u shtyp brutalisht, dhe prandaj shumë të tjerë u solidarizuan dhe vendosën të organizojnë demonstratën e 11 marsit. Ndryshimi mes protestës e demonstratës nuk është vetëm te numri i pjesëmarrësve. Protesta mund të jetë spontane, rrjedh prej revoltimit aty për aty kundër diçkaje të papranueshme. Ndërsa demonstrata është e organizuar, masive, është populli që demonstron se është i gatshëm të vetëvendos e të vetëqeveriset, ta marrë vetë në dorë fatin e vet”, ka kujtuar Kurti në Facebook.
Populli si koncept politik, shkruan tutje ai, dallon nga popullata si koncept statistik, pikërisht sepse i pari organizon vetveten në disiplinë të tillë.
“Demonstratat e vitit 1981, të organizuara nga studentët e nxënësit e shkollave të mesme, shpejt u mbështetën edhe nga punëtorët, duke i dhënë fillim një pranvere shqiptare. Ato u shtypën dhunshëm, por çdo pushtet që përballet me demonstrata e vendosmëri të tillë, fundin e ka afër, sado i fuqishëm e i dhunshëm të jetë”, ka shkruar Kurti tutje.
Kryetari i LVV-së, thotë gjithashtu se pas demonstratave të 11 marsit, u organizuan të tjerat më 26 mars, e pastaj edhe më 1 e 2 prill 1981.
“Regjimi jugosllav u detyrua të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme në Prishtinë e Mitrovicë. Por tashmë kërkesat e demonstruesve për Republikë e për Vetëvendosje ishin gdhendur në vetëdijen e popullit, dhe nuk mund të harroheshin më. Regjimit iu dridhën këmbët, ndërkaq studentëve as qerpiku. Qindra studentët e arrestuar u çuan në dhoma torturash, ku kanë përjetuar vuajtje të papërshkrueshme, megjithatë nuk u thyen”, shkruan tutje Albin Kurti.
Në fund, thotë Kurti, forca e studentëve të 1981 ende sot rrezaton tek ne, si shembull për rininë e për popullin, që nuk duhet t’i lejojë kurrë kompromiset e pushtetit me lirinë, me mirëqenien e me drejtësinë, të cilat ishin e janë kërkesat tona. / KultPlus.com
Poezia prekëse e Gjergj Fishtës. Përshkrimi më i mirë i ndjesive të një emigranti.
Lamtumirë, vendet e mia, qe, po zhduken dalëngadalë! Gjëmon deti, ushton duhia, likundet barka valë mbi valë, Kah njai diell, që asht tue flakue, andej fill un tash do t’vete… Lamtumirë, atdhe i bekue! Lamtumirë, për sa t’jet jeta! Nesër nade kur mbi ne, rrezja e diellit ka me ra, kush e din sa ujë e dhe, mue prej teje ka me m’da! E por n’pyetsha ret mizore, e por n’pyetsha zogjt e detit, se për ty, moj tokë arbnore, s’ka me m’folë kush mue t’shkretit… Tjera fusha e tjera zalle kam me pa, e tjera dete; kam me ndje po tjera valle, tjera gjuhë, tjera qytete. Vendin tem s’kam me e pa, ku kam le e jam burrnue: sytë e mi kan me kja. pa u gjet kush me i ngushllue. / KultPlus.com
Këngëtarja e njohur me famë botërore, Dido ka publikuar albumin e ri të titulluar “Still On My Mind”, duke e bërë kështu që ky të jetë projekti i parë i artistes pas shtatë vjetësh pauzë.
Albumi “Still On My Mind”, përmban 12 këngë dhe tanimë gjendet në platformat online.
Përveç këtij albumi, Dido do të mbajë edhe një turne muzikor për herë të parë pas 15 vjetësh që ka për qëllim të promovojë albumin e ri të këngëtares. Turneu do të fillojë në muajin maj dhe do të mbahet deri më më 30 qershor, shkruan rtv21.
Kujtojmë që këngëtarja 46 vjeçare, në vitin 2013 pati publikuar albumin e saj “Girl Who Got Away” që përmbante 11 këngë. Se sa do të jetë i suksesshëm ky rikthim i këngëtares mbetet të shihet gjatë javëve në vazhdim. / KultPlus.com
Forcimi i shtetit shqiptar dhe në veçanti miratimi i një legjislacioni bashkëkohor ku spikati kodi i ri civil, hapi rrugën për fillimet e përfshirjes së femrave në të gjitha fushat e jetës si: kulturë, arsim, sport deri edhe në sipërmarrje. Ato bënë një luftë të hapur kundër zakoneve të vjetra dhe besëtytnive që e izolonin dhe e persekutonin femrën shqiptare.
Pas formimit të shtetit shqiptar, Ikbal Çika bashkë me disa zonja të tjera, kërkuan me urgjencë domosdoshmërinë e rregullimit dhe përmirësimit të pozitës së gruas shqiptare në shoqëri. Ikbalja dha një kontribut të rëndësishëm për ngritjen e nivelit arsimor, edukativ E kulturor dhe sidomos atij emancipues për gratë dhe vajzat.
Intelektuale e shquar, gazetare me penë të mprehtë, publicistja Ikbal Çika zë një vend shumë të rëndësishëm në historikun e gazetarisë shqiptare. Ajo ka qenë kryeredaktorja dhe administratorja e parë e gazetës “Arbëria”. Nga pasioni i madh për shtypin, ajo mori përsipër përgjegjësi akoma më të mëdha duke u bërë pronare e disa revistave, si: “Java”, “Shpresa Kombëtare”, “Ylli i Mëngjesit” dhe “Gruaja Shqiptare”. Ishte gazetare aktive me funksione drejtuese te revista “Minerva”, si edhe në disa të tjera të përkohshme, si: “Arbenia”, “Rilindja e Arbërisë”, “Vullneti i Arbërisë” etj.
Gazetat dhe revistat që ajo drejtoi, një vëmendje të veçantë i kushtonin çështjes së gruas. Sporti dhe edukimi fizik ishin pjesë e politikave të emancipimit të gruas. Te revista “Shqiptarja” vihet re një lajm që bën të ditur se këto zonja kishin organizuar disa gara noti, por ato kishin guxuar të organizonin në Korçë “një garë të madhe të automobilave”. “Shqiptarja” ishte një revistë tjetër e përjavshme, organi i shoqërisë “Gruaja Shqiptare”, ku Emine Toptani ishte nënkryetare e shoqatës dhe Parashqevi Qirjazi ishte sekretare.
Pasi kishin bërë një udhëtim të gjatë nëpër të gjitha qytetet e Shqipërisë për të biseduar dhe propaganduar daljen nga errësira të gruas shqiptare, ishin plot optimizëm për fillimin e mbarë të njërës prej punëve të shumta që kishin ato.
Bashkë me bashkëshortin Nebil Çikën dhanë një kontribut shumë të çmuar në zhdukjen e analfabetizmit. Vitet 1925-1926, e gjejnë Ikbalen mësuese në shkollë fillore. Viti 1926 si gazetare aktive në gazetën “Demokraci”. Aty kishte hapur një rubrikë të veçantë ku në çdo numër shkruante artikuj që kishin lidhje me problemet e grave dhe vajzave. Sipas saj, vajzat duhet të ishin jo vetëm nikoqire të mira, por edhe gra të kulturuara që të krijonin një brez të ri të integruar me jetën që i priste. Ajo thoshte se “Gruaja është ëmbëlsira e shtëpisë”, bazë për krijimin e brezit të ri.
“Gruaja sot”, shkruante Ikbalja, “s’ka të drejta të njëjta me burrin, s’ka të drejtë të përzihet në çështjet e shoqërisë, s’ka të drejtë të zgjidhet e të zgjedhë në parlament, nuk i jepet besimi dhe përgjegjësia e duhur…”.
Me punën e madhe në luftë me të vjetrën, ajo dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm në shoqërinë shqiptare. Filloi të krijohej koncepti i ri për domosdoshmërinë e pjesëmarrjes së gruas në ndërtimin e shoqërisë së re demokratike. Të gjitha këto fenomene të shoqërisë vëreheshin në të gjitha komunitetet fetare. Me gjithë të metat dhe dobësitë, lëvizja për emancipimin e femrës arriti disa rezultate. U organizuan kurse kundër analfabetizmit, u gjallërua jeta artistike sidomos në veprat që femrave ose që trajtonin problemet e kohës që lidheshin me to. Filluan që rolet në pjesët teatrale të luheshin për herë të parë nga femrat, sepse më parë interpretoheshin nga meshkujt. Një çështje shumë e rëndësishme që trajtohej në atë kohë nga këto intelektuale të rralla ishte edhe debati mbi çështjen e heqjes së perçes, rreth dëmeve që sillte përdorimi i saj në jetën e femrës, si dhe dëmet që i sillte familjes dhe shoqërisë në përgjithësi.
Në revistën “Java” që në atë kohë filluan përpjekjet për përpilimin e një ligji që i detyronte gratë dhe vajzat të hiqnin perçen e fytyrës. Kjo çështje u bë kaq publike sa mori formën e një lëvizjeje reformatore, e cila u kurorëzua me miratimin e ligjit në vitin 1937.
Ikbal dhe Nebil Çika botuan një numër të madh shkrimesh mbi këtë problem, përmes politikave redaksionale, artikujve problematikë, lajmeve të jashtme e të brendshme shkrimeve sociologjike dhe filozofike, përkthimeve, opinioneve. Ajo personalisht dha një kontribut shumë të çmuar dhe udhëhoqi një aktivitet të madh propagandues, me anë të konferencave, tubimeve në shumë qytete dhe fshatra.
Reforma u përkrah sidomos nga klerikët myslimanë. Ata qenë të parët që i nxorën nëpër rrugë gratë dhe vajzat e tyre pa perçe. Dy kryefetarët e qarkut të Elbasanit, kryemyftiu Musa Aliu dhe Hafëz Ymer Dile, nxorën gratë pa perçe nëpër qytet. Shembullin e tyre atë ditë e ndoqën edhe 60 gra të tjera. Të njëjtin veprim bënë myftinjtë e qyteteve të Krujës, Beratit, Korçës etj.
Duke shfletuar artikuj të ndryshëm vërejmë se reforma u mbështet edhe prej rinisë shqiptare. Në “Java” Ikbal Çika shkruante: “Bëre mirë që e hoqe mbulesën arabe të fytyrës… Ne motrat e tua që po ta lëvdojmë këtë çap përpara që bëre sot, duam që të mos e kesh hiç zemrën e thyer për këtë gjë…”!
Duke shfletuar me kuriozitet shtypin e kohës, te “Shqiptarja” Ikbalja shkruante: “Gruaja shqiptare nuk mund ta kryejë misionin e saj të lartë dhe bujar, po qe se nuk i mëson të gjitha ato që mund ta ndihmojnë për të kryer e për të plotësuar detyrën e saj delikate. Pra, shkolla dhe shtypi duhet të veprojnë me të gjitha energjitë në këtë lëmë… Lumturia e shtëpisë, e kombit dhe e atdheut është në duart e grave intelektuale…”.
Këto ishin disa nga përpjekjet dhe luftën e madhe që bënin intelektualet e asaj kohe.
Ikbal Çika ishte mishërimi i përgjigjes së vërtetë kundër të gjithë atyre që i kundërviheshin kësaj lëvizjeje. Por, ajo kishte dhe një bashkëshort që e kuptonte fare mirë. Ishte shoku i saj më i afërt, si dhe bashkëpunëtori i saj më i mirë. Ai mbeti mbështetësi më i rëndësishëm i punës dhe veprimtarisë së saj.
Nebil Çika ishte një personalitet shumë i njohur i botës akademike, intelektual i viteve ’30, njeri i kulturuar dhe autor i shumë studimeve dhe librave në fushën e gazetarisë, publicistikës dhe pedagogjisë. Por, ai pati një fund tragjik. Ishte viktimë e masakrës së kryer në Tiranë në fund të vitit 1944, ku u pushkatuan pa asnjë gjyq 100 intelektualë, ajka e shoqërisë shqiptare. Këtë fat të keq pati edhe Ikbalja. /Raina Kovaçi/Revista “Psikologjia”/ KultPlus.com
Sot e kam shfletue librin e vjetër. I kam prekë dhimbjet e kohëve, Ata gurë të fortë pikëllimi Që randojnë mbi Dardani; Tokën ku shiu i zi bie pa pushim. Kam pâ një shall që rri heshtun Pranë sendeve të bukura Që ai pluhuni i zi i ka mbulue.
Kam pâ portretin e Bogdanit Me kryet kah qielli Sikur m’ thoshte: “Mu kanë m’em zhvarrue E qentë kanë m’i hangër eshnat e mi. Por jo idenë teme.”
Sot e kam shfletue librin e vjetër. E kam pâ aty hapin e matun të lirisë Si dilte nga shkurra e pikëllimit. Dhe statujën e mirësisë Ma të nalt se vala e trishtimit.
Kam pâ portrete shkrimtarësh Si dhimbjet në qafën e poeti të mërguem. Kam pâ edhe hijen e fjalës Si e mposhte trishtimin; Atë shikimin mallëngjyes Që ta këputë shpirtin.
Libri i vjetër Ka shpresa Sa krejt rruzullimi i syve t’mi.
(Nga libri “Gjithmonë diçka mungon”, 2017, OM) / KultPlus.com
Psikologu amerikan Robert Sternberg propozoi teorinë e dashurisë më 1988. Në këtë ai shpjegoi se janë tre faktorë të dashurisë:
1)Pasioni, ku çiftet ndjejnë tërheqje të fortë fizike ndaj njëri-tjetrit;
2) Intimiteti, ku ata ndajnë afërsinë psikologjike dhe
3) Përkushtimi, ku ata janë të vendosur për të jetuar bashkë. Prandaj duke u bazuar në këtë këta janë tipat e dashurisë sipas psikologëve.
Fantazia
Mënyra e shpjegimit të dashurisë nga psikologu në shikim të parë është ajo ku një person ndjen thellë dhe lidhje të menjëhershme me dikë. Në këtë, një person i vetëm për atë person dhe mendja e tij është e mbushur me idenë e takimit të atij personi. Kjo lloj dashurie zgjat vetëm disa muaj ose një vit dhe nuk ka siguri për të.
Pëlqimi
Një individ që ka marrëdhënie të afërt me çdo person që njohin, por që nuk janë në një lidhje quhen miqësi. Kjo lloj relate është e lidhur përmes interesimit dhe mirëkuptimit.
Dashuria e zbrazët
Një individ i cili është në marrëdhënie të përkushtuar me një person tjetër, por nuk ka pasion dhe intimitet të pranishëm në këtë marrëdhënie, atëherë thuhet se po qëndrojnë vetëm për para, fëmijë dhe status etj.
E pra, kjo lloj marrëdhënie mund të përkeqësojë lidhjen tuaj duke e kthyer në dashuri të zbrazët.
Dashuri e vetëkënaqur
Në këtë një çift që ka lidhje të menjëhershme me njëri-tjetrin që mund të kthehet në martesë, fëmijët etj thuhet të qëndrojnë së bashku për një periudhë më të gjatë kohore.
Dashuria romantike
Në këtë, një individ do të gjejë tërheqje të menjëhershme ndaj personit tjetër dhe së shpejti çifti do të formojë një marrëdhënie me pasionin dhe dashurinë, por atyre do t’u mungojë një gjë dhe kjo është përkushtimi. Ata do të gëzojnë shoqërinë e njëri-tjetrit, por nuk do të hyjnë në asnjë lloj marrëdhënie serioze.
Në këtë çift do të ketë angazhim dhe intimitet, por atyre do t’u mungojë pasioni. Është shumë e lehtë të thuhet se ata thjesht kanë një shoqëri, por përjashtojnë tërheqjen ndaj njëri-tjetrit.
Dashuria e përkryer
Një ideal është ajo që është e vështirë për të gjetur dhe në këtë ju do të gjeni tre elemente dashurie, pasion dhe përkushtim dhe çifti që i ka këto janë një nga çiftet më fatlume./lexo.al / KultPlus.com
Eksperti i trashëgimisë dhe restaurimeve, Kreshnik Merxhani, ka reaguar pas publikimit të pamjeve nga Gjirokastra ku po bëhen punime për restaurimin e rrugicave historike.
Në një postim në Facebook, Merxhani, shprehet se duket
se zbatuesit janë në shkelje të hapur të projektit, dhe kjo që po ndodh është
një turp.
“Kalldrëmet në Pazarin e Gjirokastrës -ata që u hoqën
janë kryesisht të viteve 60-74. Dhe motivi i prishur së fundmi i kësaj periudhe
ishte. Këto kalldrëme të ngjashme në materiale dhe teknikë, kishin fituar
qytetari dhe ishin pjesë e arkitekturës së ansamblit”, shkruan më tej eksperti.
Duket se zbatuesit si gjithnjë janë ne shkelje te
hapur dhe te plote te projektit! Personalisht nuk kam pse pres gjate per
“rezultatin” ai do jete nje turp!
Nga njera ane sloganet banale propagantistike se e
duan Gjirokastren ne cdo gure te saj dhe nga krahu tjeter heqje pa kriter e
gureve te kalldremit me mjete te pa pershtatshme ne forme e menyre te pa
pershtatshme.
Kalldremet ne Pazarin e Gjirokastres -ata qe u hoqen-
jane kryesisht te viteve 60-74. Dhe motivi i prishur se fundmi i kesaj periudhe
ishte. Keto kalldreme te ngjashme ne materiale dhe teknike, kishin fituar
qytetari dhe ishin pjese e arkitektures se ansamblit.
Tendenca diletante qe e has shpesh sot ne nderhyrje ne
monumente e cila permblidhet me fjaline ” do ta bejme me mire sec ishte” eshte
prezente dhe ne rastin konkret.
Ende nuk kuptohet qe ne situata si Gjirokastra
historike “ndryshimi” eshte konservimi dhe kjo eshte nderhyrja kryesore. Çdo
permiresim ne infrastrukture kur eshte i nevojshem duhet te kryhet me
maksimumin e perpjekjes per te ruajtur materialin autentik dhe tekniken
autentike.
Shpresoj qe keto shembuj krejt diletant ti kene ditet
e numeruara.
Gjirokastra është tashmë një kantier ndërtimi, dhe të
gjitha rrugicat do të pësojnë ndryshime. Të gjithë pllakat e gurit që janë
pjesë e trashëgimisë kulturore, që është dhe pjesë e UNESCO, janë shkulur duke
irrituar banorët.
Sipas informacioneve një projekt i qeverisë i financuar nga kërkon të rehabilitojë të gjithë zonën e “Qafës së pazarit”, ku preken dhe rrugicat me kalldrëmë./ Dosja.al / KultPlus.com
Pas një dokumentari të diskutueshëm për mënyrën se si mbreti i Popit pretendohej se abuzonte me djemtë, disa radio stacione vendosën të ndalonin të ekzekutonin muzikën e tij dhe nuk do të ketë më episode të serisë së Simpsons ku dëgjohet zëri i tij.
Megjithatë, Michael Jackson ka arritur tashmë një ngritje të madhe në listat më të mira muzikore të Britanisë së Madhe.
Albumi i tij i parë, “Number Ones”, u ngrit në vendin e 23-të nga i 87 dhe “The Essential Michael Jackson” arriti të pozicionin e 76-të, ndërsa “Thriller” në të 133-tin dhe “Bad” në 142-tin.
Michael Jackson (Foto by Phil Walter/Getty Images/Guliver)
Kujtojmë, dokumentari i Dan Reid për këngëtarin e ndjerë provokoi zemërim publik dhe disa radio stacione nga Zelanda e Re dhe Kanada larguan hitet e Jacksonit nga listat e tyre të dëgjimit. Gjithashtu, një nga episodet më të vjetra në të cilat dëgjohet zëri origjinal i Michael Jackson nuk do të transmetohet, sipas prodhuesit të serisë.
Në dokumentarin “Leaving Neverland “, dy burra të rritur thonë se këngëtari kishte abuzuar kur ishin shtatë, përkatësisht dhjetë vjeç në fillim të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar.
Nga ana tjetër, pasardhësit e këngëtarit mohuan këto akuza, duke argumentuar se ishte “një përpjekje e padëgjuar dhe patetike për të përdorur Jacksonin për të përfituar të holla”.
Michael Jackson, i cili vdiq në vitin 2009, u lirua në vitin 2005 nga akuzat për të ngacmim të një djalë 13-vjeçar në fermën e tij në Kaliforni. Në vitin 1994, ai zgjidhi një padi për abuzim seksual të një tjetër 13-vjeçari./Telegrafi/ KultPlus.com
Mësuesja Halide Vinca-Kastrati në “TALK” të KTV-së, në emisionin dedikuar mësueseve shqiptare, ka thënë se në vitet e ’70-a ishte më lehtë të bëheshe ministre sesa mësuese në Prishtinë.
Teksa ka rrëfyer për barrierat që kishte has, Vinca-Kastrati ka treguar për vështirësitë e shkollimit në Shkup dhe largimin nga puna si mësimdhënëse.
Ajo ka thënë se ishte detyruar të shpërngulej në Prishtinë bashkë me familjen, ndërsa përkundër përgatitjes profesionale nuk ishte e lehtë të punësohej në Kosovë.
1. Grua, për ty u zura me Lekë Dukagjinin E fjalë këmbeva në malet me fletë, Po Lekë Dukagjini ishte trim e bir trimi Dhe s’mundej dot lehtë, Po Lekë Dukagjini nuk ishte Leka i Lecit, Që bën njëqind lëshime në punë; Lekë Dukagjini i rrepti i të rreptit Ma tundte para syve kanunë Dhe gjëmën lëshonte si shkëmbi kur bie në përrua: “O mbaje gruan kështu si them unë, O lëre gruan, se s’je për grua!” 2. Grua, për ty u zura me Lekë Dukagjinin Me gjyshin tim të nderuar, Dhe pritë njëri-tjetrit i zinim Në malet me shkrepa mbuluar. Dhe unë herë-herë i bëja lëshime Dhe ty të mundoja dhe brenda të mbaja Dhe jetën ta mbushja plot hidhërime; Sus! me zërin e egër të shaja, Se Lekë Dukagjini ma tundte kanunë Dhe gjëmën lëshonte si shkëmbi kur bie në përrua: “O mbaje gruan kështu si them unë, O lëre gruan, se s’je për grua!” 3. Grua, për ty u zura me Lekë Dukagjinin, Se donte lëshime nga unë, Pritë në male njëri-tjetrit i zinim, Ai mburrte kanunë, unë shaja kanunë “Eh, gjysh, ti je hedhur për gratë në flakë, Po pse në kanun i ke sharë? Eh, gjysh, ti gruan tënde s’e ke dashur pakë, Pse mua që e dua më quan të marrë?” 4. Një ditë kanunin ia mora nga dora Dhe copë ia bëra mes malesh të lartë. Iu drodh ajo mjekër e bardhë dëborë Pas çetinës së lashtë Dhe unë thirra: E munda Lekë Dukagjinë! (Natyrisht e munda kanunë; I heq kapelën për trimërinë; Ka qenë trim si furtunë). Ti, grua, më pyete e sytë të ndrinin, Më pyete ngadalë mënjanë: “Vërtet e munde Lekë Dukagjinin?” Dhe unë të thashë: E munda, po sytë ç’më panë!
Kori Siparantum ka qëndruar për disa ditë në Romë, ku është paraqitur në Basilica San Antonio – Pontificia Universitá Antonianum, Roma dhe në Chiesa di San Salvatore in Lauro (afër Vatikanit), shkruan KultPlus.
Përmes një njoftimi, kori Siparantum ka treguar se kori atje është vlerësuar lartë për nivelin e përformancës, ndërsa janë shprehur të bindur se paraqitja atje do t’ju hapë rrugë të reja në të ardhmen.
“Këto do t’mbesin kujtimet më të bukura për gjithë ne. Ishte
kënaqësi që edhe kësaj radhe ishim me dirigjentin kroat Josip Degl’ Ivellio të
cilin e falënderojmë për çdo gjë. Vërtetë është kënaqësi për gjithë ne që
bashkëpunimet tona po vazhdojnë në këtë fushë. Falemnderit maestro”, shkruhet në
njoftimin e korit Siparantum.
“Rruga jonë muzikore është nisur, rezultatet do t’i ndërtojmë së bashku”, shkruhet në fund të njoftimit./ KultPlus.com
Aktori amerikan Jed Allan, i njohur si C.C Capwella në serinë “Santa Barbara”, vdiq në moshën 85-vjeçare.
Lajmi i trishtuar u njoftua nga djali i tij Rick Brown, i cili zbuloi se babai i tij vdiq paqësisht dhe i rrethuar nga familja, transmeton KosovaPress.
Allan ishte i martuar me Toby Brown nga viti 1958 deri në vdekjen e saj tragjike në vitin 2001.
Aktori pas vetes la djemtë tri djemtë: Mitch, Dean dhe Rick.
Sapo u publikua videoklipi i këngës “Ktheju tokës”, me të
cilën Jonida Maliqi do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision, shkruan
KultPlus.
Klipi, i punuar nga Triangle Media Group, është konceptuar duke u bazuar mbi mesazhin e këngës.
Jonida Maliqi do ta prezantojë Shqipërinë me këngën “Ktheju tokës”, të
cilën do ta këndojë në shqip. Kujtojmë se vitin e kaluar, Shqipëria u
përfaqësua nga Eugent Bushpepa me këngën “Mall”.
Datat e Eurovision 2019 janë planifikuar të mbahen më 14, 16 maj (gjysmëfinalet) dhe 18 maj (finalja) në Tel Aviv të Izraelit./KultPlus.com
Me rastin e festës së 7 Marsit, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Zvicër, organizoi ceremoninë e ndarjes së certifikatave të mirënjohjes për kontributin e vyer të dhënë nga mësuesit e gjuhës shqipe në diasporë, të cilët përçojnë, kulturën, vlerat dhe traditën e shqiptarëve me aq dashuri te brezat e rinj, përcjell albinfo.ch.
Mësuesit kanë dhënë kontribut të madh ndër vite, si në trevat shqiptare e po ashtu edhe në diasporë dhe roli i tyre në edukimin e brezave është i jashtëzakonshëm.
Edhe në Zvicër ata kanë dhënë kontribut të çmuar në edukimin e brezave të rijn dhe të mos e harrojnë kulturën dhe traditën shqiptare.
Në Mitingun Poetik , më 10 prill tw kwtij viti, nw fushën e Bllacës, Zyra e Kryeministrit të Kosovës dhe Komuna e Hanit te Elezit, në bashkëpunim me Shoqatën e Shkrimtarëve “Naim Frashëri” dhe Klubin Letrar “A,B,C Poetike “ Shkup, shpallin Konkurs Letrar për poezi, me rastin e 20 vjetorit të gjenocidit serb ndaj popullatës shqiptare “Egzodi – Bllaca `99”.
Konkursi është i hapur nga sot, deri më 31 mars 2019 në ora 19:00. Tematika e poezive duhet te jete në këtë frymë, të egzodit dhe konkurrohet me emër e mbiemër te autorit. Poetët kanë të drejtë të konkurrojnë vetëm me një poezi (por mundësisht të mos jetë tepër e gjatë, sepse është poezi). Të drejtë pjesëmarrje kanë të gjithë shkrimtarët nga të gjitha trojet shqiptare dhe diaspora. Do të jepen tri çmime : Çmimi I – rë, 200 Euro, Çmimi II-të, 150 Euro dhe Çmimi III-të, 100 Euro. Të gjitha poezitë do të botohen në librin poetik që do të dal më 10 prill 2019. Poezitë i dërgoni në emalin : [email protected], thuhet në njoftimin e organizatorit./KultPlus.com
Kostumet popullore në trevat e Vlorës janë të shumëllojshme dhe mund të shndërrohen në një resurs për turizmin.
Në fshatin Dukat të Vlorës prej 35 vitesh Musa Ferruni pasionin për kostumet popullore e vazhdon ende.
Musa Ferruni, 58-vjeçari nga Dukati i Vlorës, jetën e tij ia ka kushtuar veshjeve popullore. Musain e njohin te gjithë jo vetëm në fshatin e tij të lindjes, por edhe jashtë kufijve të vendit, për veshjet tradicionale qe krijohen nga ai.
Një dhomë të shtëpisë së tij në Dukat, Musai e ka kthyer në punishte. Ate e gjejmë duke punuar një kostum popullor të zonës së Dukatit, me dy makina qepse dhjetëra vjeçare.
Musai tregon se profesionin e ka te trashëguar nga gjyshja dhe nena e tij, por sot është i vetmi që vijon të bëjë kostumet popullore për grupet polifonike.
80-vjeçari nga fshati Tragjas Enver Daupaj ka 55 vite që e mban veshur kostumin popullor të trevës se tij dhe krenohet me të./T.CH
Pjerin Ashiku, drama e muzikantit të talentuar në komunizëm që punonte në torno e kompozonte këngë magjike
“Lulja e majit” apo siç quhet ndryshe “Tango e Bunës” është kënduar në Shkodër, atje ku dhe ka lindur. Kësaj kënge i janë bërë tokë krijuese dhe të tjera qytete, sepse tek e fundit kudo ka të dashuruar dhe të brengosur nga dashuria. Kudo ka një “lule maji” dhe për çdo njeri do kishte një këngë apo serenatë. Kjo këngë është kënduar në Korçë, madje shumë e dinin se është serenatë korçare sepse si të tillë u përpoqën shpesh ta sjellin pas viteve ’90, këngëtarë me zë gjatë kohës së komunizimit.
Po t’i pyesësh korçarët të thonë: “Lulka e majit është një serenatë pe Korçe”, po t’i pyesësh kosovarët të thojnë: ”Heu, hala s’e
ke marr’ vesh o shqipe se asht kajkë gjakovare e k’nueme prej Isës (Ismet Pejës)”, e kështu me radhë. Secili tenton t’i vendos myhyrin e vet, gjithsekush kërkon ta “hipotekojë” dhe ta shpallë pronë të veten. “Lufta” për këngën vazhdon.
Por, e vërteta është se kjo këngë është kompozuar nga Pjerin Ashiku në vitin 1954. Kënga ka udhëtuar në kohë dhe hapësirën mbarëshqiptare, por në të vërtetë ajo është këngë e kompozuar nga Pjerini dhe për shkodranët është “Tangoja e Bunës”.
Ka vite që muzikanti i talentuar shkodran është larguar nga kjo jetë duke marrë me vete brengat dhe hidhërimet që i shkaktoi jeta nën diktaturë, por ka lënë pas një krijimtari të jashtëzakonshme artistike. “Lulja e majit” është më e bukura këngë e Pjerin Ashikut dhe ndër më të bukurat këngë të muzikës shqiptare. Tingujt e saj të vihen mbrapa dhe të shoqërojnë gjatë gjithë Pjacës Pedonale të qytetit të Shkodrës si hije të ëmbëla.
Por ti je vyshkë e më s’ke erë
Lulet e tua për mua s’kanë më vlerë,
Nuk je ti lulja e bukur e ditës së majit
Por, je lulja e këngës sime të vajit…
Kur e dëgjon ajo provokon me të njëjtën magji edhe me vibrimet e më të akulltës zemër që mund të ekzistojë në botë. Ka shtegtuar kjo lule pothuajse në të gjitha trojet shqiptare duke mbetur si një ndër këngët më të bukura të muzikës tonë.
Ashiku nën diktaturë
Por cili është Pjerin Ashiku, ai që e la këtë pasuri të bukur muzikës shqiptare. Ishte bir i një familje me tradita në Shkodër që u persekutua ashpër nga regjimi komunist.
Pjerin Ashiku ishte kompozitor, instrumentist, humorist, e kantautor që i këndoi tërë jetën me shumë dashuri Shkodrës dhe njerëzve të saj, njeri i dashur dhe me shpirt polidimensional ai u la në internim virtual në mes të qytetit.
Ai punonte si punëtor në Ndërmarrjen Ushqimore ku megjtihatë u aktivizua duke krijuar e drejtuar grupin e estradës të kësaj ndërrmarje, i cili fitoi çmimin e parë për grupet amatore. Atje këndoheshin këngë që kompozoheshin nga
Pjerin Ashiku, të cilat nisën të këndohen shpejt nëpër rrugicat e Shkodrës por edhe të qyteteve të tjera. Me vonë u bë pjesë e Estradës së Shkodrës në orkestrën e saj, por shpejt u largua për t’iu kthyer “zanatit”, tashmë si axhustator në Parkun e Automjeteve. Por edhe aty ai nuk u dorëzua, por krijoi një grup amator estrade që konkuroi denjësisht në shumë takime kombëtare dhe mori çmime të para.
Krijoi parodi të shumta dhe kompozoi shumë këngë të paharrueshme që këndohen edhe sot, mbështetur kryesisht në motive popullore shkodrane. Krijimtaria e mirëfilltë muzikore e kompozitorit Pjerin Ashikut përfshinë 140 këngë, e shumë parodi e intermexo muzikore. Në kohën e diktaturës këngët e tij janë kënduar me sukses në Dekadat e Majit si përshembull këngët “Një zog i vogël” dhe “Ermira”,
por kurrë nuk u publikua emri i Pjerin Ashikut si kompozitor i këtyre këngëve. Ai mbeti anonim, ashtu siç mbeteshin shumë krijime me autor “Popullin”. Më 21 shtator 1995 Pjerin Ashiku ndërroi jetë në qytetin e tij në Shkodër, por la pas një krijimtari të vyer muzikore ndër të cilat, e më e bukura lulja e majit.
Një shtrat, një tavolinë pune dhe pak hapësirë, ashtu siç ishte vetë modeste Nëna Terezë shqiptare, kështu ishte edhe dhoma e saj në Vatikan në Selinë e Shenjtë, derisa kryente detyrat e saj si një grua që ndihmoi shumë njerëzit.
Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, emri i vërtetë i Shën Terezës ishte një murgeshë katolike dhe misionare shqiptaro-indiane.
Prestigjiozja “New York Times”, i kishte kushtuar një rëndësi të veçantë shenjtërimit të Nënë Terezë nga Vatikanit, madje ka shkuar edhe më tej duke publikuar një foto të dhomës së saj në Selinë e Shenjtë.
Ashtu siç shihet dhoma është mjaft e thjeshtë me gjërat më elementare, ashtu siç ishte edhe vetë Nënë Tereza në misionin e saj. Dhoma përdorej nga shenjtorja sa herë që ajo shkonte në Vatikan.
Ajo lindi në Shkup (sot Republika e Maqedonisë së Veriut), atëherë pjesë e Vilajetit të Kosovës në Perandorinë Osmane. Pasi kishte jetuar në Maqedoni për tetëmbëdhjetë vjet, ajo u shpërngul në Irlandë dhe më pas në Indi, ku jetoi pjesën më të madhe të jetës së saj.
Nënë Tereza është nderuar me çmimet dhe nderimet më të larta, duke përfshirë Çmimin e Paqes “Ramon Magsaysay” dhe çmimin “Nobel” për Paqe. Më 19 tetor 2003, ajo u lumturua dhe u quajt “Tereza e Bekuar e Kalkutës”.
Për t’u kanonizuar në shenjtore, asaj duhej t’i njihej një mrekulli e dytë, në bazë të rregullave të kishës katolike. Një mrekulli e dytë i është njohur nga Papa Françeskut, në dhjetor të vitit 2015, duke i hapur rrugën që ajo të shpallet shenjt nga Kisha Katolike e Romës. Kanonizimi i saj është bërë më 4 shtator 2016, një ditë para 19-vjetorit të vdekjes së saj.
(Gjuha shqipe nuk e njeh filozofinë e të dhânunit (giving) sepse fjala shqipe marrëdhanie dmth. me marrë e tek masanej me dhânë… ‘Giving’ e anglishtes dmth ‘me dhânë’ – me siguru dashuni ose mbështetje tjetër emocionale, me u kujdesë dhe mbështetë tjetren/tjetrin)
Gjithmonë kam mendu se janë duert ma t’forta në botë! Dhe tek tash e kam kuptue se duert e Tij kane qenë butësisht të destinueme me dhânë… Ai nuk i dha sall nji skamnori a jetimi, po edhe ma t’pasunve asokohe – ai me njato duer ua ka vizatue shéjat shqype… Nga duert e Tij jam msue me shkrue – ai m’i ka vizatu i pari shéjat germa – me ùnë n’ hi – para oxhakut… Nga duert e Tij kanë hanger edhe shpendt e malit… Dhe ia kam pa ato duer herë t’mbledhuna grushta e herë me dy gishta përpjetë, tuj lypë liri në Prishtinë, në mars 1989 – 1990. Prandej janë duer t’bekueme t’babës!
Peripecitë e mësueses shqiptare për të hapur shkollën për fëmijët shqiptarë të ishullit Tinos
Timos më 1. 04. 2012. Është dita kur fëmijët shqiptarë të ishullit grek shkuan për herë të parë në shkollë për të mësuar gjuhën shqipe. Në tabelë shkruhet :”Ti Shqipëri më jep nder më jep emrin shqipëtar” dhe më pas vjersha e Naim Frashërit:
Gjuha jonë sa e mirë!
Sa e ëmbël, sa e gjerë!
Sa e lehtë, sa e lirë!
Sa e bukur, sa e vlerë!
Atje është edhe mësuese Vera, ajo që mundësoi këtë ditë për fëmijët shqiptarë të ishullit të Timos.
“Tërë jetën nuk kam për t’i harruar ato çaste gëzimi kur drejtori i shkollës numër 2 z. Valakas më mori në telefon dhe më tha të vini në shkollë dhe të firmosni dorëzimin e klasës për fillimin e mësimeve të gjuhës shqipe”, kështu rrëfen mësuesja e gjuhës shqipe në ishullin, Tinos. Është Vera Shkurti, mësuesja që po mban gjallë gjuhën shqipe mes fëmijësh shqiptarë në këtë ishull të Greqisë. Ajo flet për peripecitë e jetës së saj në emigracion dhe ëndrrën e saj për të mësuar gjuhën shqipe fëmijëve shqiptarë që kanë lindur në Greqi. Pas shumë dilemash ajo vendosi një ditë të niset drejt zyrave të bashkisë së qytetit për të bërë kërkesën që për zyrtarët grekë nuk kishte qënë kaq e papritur.
“Para se t’i jepja dorën zëvendëskryetarit të Bashkisë dhe Presidentit të Këshillit të emigrantëve të ishullit të Sirosit, z. Nikos Albanopulos, e pyeta: “Kur shkollat greke, do të hapin dyert për mësimin e gjuhës shqipe ashtu siç janë hapur dyert për mësimin e gjuhës greke në Evropë, Amerikë e deri në Australi? Kishte ardhur momenti kur durimi sa vinte dhe pakësohej dhe unë doja vërtet që ta realizoja sa më shpejt. Qëllimi im ishte që ta filloja më 7 Mars. Shkolla u hap më 1 prill 2012…” thotë mësuesja e fëmijëve shqiptarë të Timosit.
Por si nisi ëndrra e Verës për të hapur shkollën shqipe në ishullin e bukur grek, atje ku fëmijët shqiptarë gjallërojnë jetën, por nuk dinin asnjë fjalë shqip.
Ëndrra e emigrantes Vera
..Kur erdha për herë të parë nuk e dija se ku shkoja dhe nuk e mendoja se çfarë të bëja… Dalëngadalë humbet veten… Nuk e dija cila isha e ajo që duhet të isha për tu përshtatur në jetën e re si emigrante në Greqi. Erdha për të realizuar ëndrrën e çdo njeriu të thjeshtë që të ketë një shtëpi. Ai ishte qëllimi. Ishte një qëllim i afërm sepse mendonim të shkonim, të punonim disa vite, të mblidhnim ato lekë që duheshin për të bërë një shtëpi dhe të ktheheshim përsëri në vendin tonë, në jetën tonë, në profesionin tim. Mirëpo nuk ndodhi kështu. Domosdo që jam ndeshur me vështirësi. Ka pasur momente që kam menduar kthimin çka e kanë jetuar të gjithë emigrantët e çdo kohe që kur ikin lënë mbrapa vendin, marrin me vete nostalgjinë, dashurinë për vendin, për njerëzit, për gjithçka. Kam shkuar në Shqipëri dhe jam kthyer përsëri… Për herë të dytë, po. Sepse nuk kam gjetur vazhdimin e asaj jete që ndërtuam këtu. Duket sikur i kanë harruar ata që janë atje.
Në vitet e para të emigracionit këtu nuk mund të mendoje një gjë të tillë se edhe nuk kisha atë idenë që Greqia do të mbushej pëllëmbë edhe tokë me shqiptarë. Pas kaq vitesh kisha gjetur edhe unë ritmin e punës time, por e kuptoja se diçka më mungonte në vetvete. Më mungonte vetja ime. Vetja ime kishte humbur. Kishte humbur në atë jetën e përditshme të punës të një emigranti. Nuk ishte kjo ëndrra ime… Ajo bëri që një ditë të shkoj në bashkinë e qytetit dhe të trokas në derën e kryetarit të bashkisë. Nuk e mendonte që unë të shkoja atje për një çështje të tillë. Mendoi se kisha ndonjë hall timin personal… Stefanos Laguros, zëvendës kryetar i bashkisë thotë: “Kërkesa nuk na ra si rrufeja në qiell të pastër”. Zyrtari grek ka pranuar kështu të drejtën e fëmijëve shqiptarë për të mësuar gjuhën amëtare. “Kur jeton me një komunitet i cili ndodhet jashtë vendit të tij për arsye ekonomike është krejtësisht e kuptueshme një kërkesë e tillë, dëshirueshëm, po aq edhe i detyrueshëm, mësimi i gjuhës amtare. Duke qenë të bindur për këtë ide, si organizëm bashkiak, menduam që kërkesës së parashtruar ti përgjigjeshim pozitivisht”, kjo ishte përgjgja që kishte ardhur pak kohë pasi Vera ishte shfaqur me kërkesën e saj të guximshme në dyert e bashkisë së qytetit grek.
Më pas ajo rrëfen se me ndihmën e çmuar të drejtoreshës së arsimit fillor, zonjës Vlastari, si dhe me mbështetjen e madhe të drejtorit të shkollës publike numër 2, u bë e mundur marrja e një vendimi të komisionit të shkollave, për dhënien e një klase, në Tinos, që do ti shërbente fëmijëve shqiptarë në mësimin e gjuhës së tyre amtare.
Ditët e para të mëseuse verës me fëmijët shqiptarë të Tinosit
E veçanta qëndron në faktin se shumë prej tyre i përkasin brezit të dytë të emigrantëve, pra nuk e kanë dëgjuar gjuhën amtare. Ishte një gjë shumë e bukur për mua ta realizoja në kushtet e mërgimit pasi së bashku me realizimin e mësimit të gjuhës shqipe do lidhja edhe diçka tjetër, atë që atyre u mungonte, lidhjen me rrënjët e tyre, me vendin, prindërit gjyshërit, stërgjyshërit, popullin, historinë e vendit tonë, sepse ashtu dalëngadalë duke njohur veten në kuptimin e plotë ai do të jetë edhe më krenar për atë që është shqiptar.
Shqiptarët në ishullin grek të Tinosit
Ishulli Tinos u popullua masivisht nga shqiptarët pas vitit 1997, koha kur kulmon edhe emigracioni shqiptar drejt Greqisë. Në atë kohë ishulli ishte si i shkretë dhe rrugët e tij filluan shpejt të mbushen me fëmijë. I dëgjoja duke shkuar në shkollë bashkë me fëmijët e mi. Rritej numri i lindjeve sepse erdhi rinia. Në shkollë mësojnë e flasin gjuhën greke. Në rrugë me shokët e shoqet duke u kthyer flasin gjuhën greke. Në shtëpi prindërit nuk i gjejnë. Hapja e shkollës shqipe e zgjidhi këtë problem. Tani shqiptarët fëmijë të rritur nuk janë më me atë imazhin e të “frikshmit”, janë të zotët e vetes por edhe kanë treguar edukatën e tyre me sjelljen e tyre, me punën e tyre, e kanë rritur respektin. Ishulli i Tinosit, qyteti i Tinosit, nuk ka qenë kështu para njëzet vjetëve që kur kam ardhur unë. Bregdeti, të gjitha lokalet po t’i krahasosh, kanë ndryshuar krejtësisht pamjen. Këto në sajë të krahëve të lirë të shqiptarëve, të punës së madhe të tyre, të punës së paguar lirë. Na dhimbset që ne kemi punuar kaq shumë e jemi paguar pak por është e sigurt se kontributi jonë për lulëzimin e Tinosit, do të jetë përjetë krenari për fëmijët tanë”. /marrë me shkurtime nga Vloranews/