Shkolla e Muzikës “Prenk Jakova”, organizon koncert kushtuar personave të pagjetur

Ende nuk dihet fati i 1653 persona të cilët figurojnë të pagjetur në Kosovë që nga lufta e fundit. Thirrje nga më të ndryshmet vazhdojnë të bëhen për zbardhjen e fatit të tyre, por ende asgjë. Familjarët janë në pritje, ndërsa artistët po e kërkojnë me ngulm këtë gjë përmes veprave artistike.

Kësaj radhe është Shkolla e muzikës “Prenk Jakova” e cila organizon koncert kushtuar personave të pagjetur.

Koncerti do të mbahet nga kori dhe orkestra e Shkollës së Muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë, nën dirigjimin e Hajrulla Sylës.

Koncerti mbahet në hollin e kësaj shkolle sonte duke filluar nga ora 19:00./ KultPlus.com

Ava Max ishte ngacmuar në shkollë si emigrante

Ajo është një ndër këngëtaret më të përfolura shqiptare në rrafshin ndërkombëtar të muzikës.

Ava Max ka dhënë një intervistë për “Khaosod English” duke treguar se ka prejardhje shqiptare dhe se ishte ngacmuar në shkollë.

25-vjeçarja ka zbuluar se familja e saj kishte emigruar në SHBA dhe nuk e ka ditur gjuhën si dhe nuk kanë pasur të holla.

“Unë jam rritur duke qenë e ngacmuar në shkollë si dhe asnjëherë nuk jam ambientuar me shkollën”, ka thënë Ava.

Ajo ka pohuar gjithashtu se ka punuar shumë për të arritur një sukses në jetë dhe nuk iu ka varr veshin thashethemeve.

Kënga e saj e fundit “So Am I” ka një mesazh të qartë për mos ngacmimet dhe videoja e këngës deri më tani numëron mbi 27 milionë shikimin në platformën, YouTube. / KultPlus.com

“Taramelja” në kurthin e ekranit

Nga Jeta Dedja

Një status Facebook-u i javës së kaluar u bë shkas të sinkronizoja orën sot me Shqipërinë për të ndjekur show-n “Në kurthin e Piter Panit” me një fije shprese se do të ishte përmirësuar. Doja të shihja djalin e vogël që është bërë personazh rrjetesh sociale. E quajnë Xhejzon por e thërrasin “Taramele” meqenëse fëmija nuk artikulon qartë bashkëtingëlloren K. Hulumtova ndërkohë edhe në Youtube dhe gjeta se Xhejzon është shprehur se nuk i pëlqen ta thërrasin kështu por prezantuesja i kërkon ta pranojë këtë epitet meqenëse karamelet janë të ëmbla. Dhe Xhejzoni i vogël bie dakord ta thërrasin Taramele. (normalisht i mituri bindet lehtë nga një figurë publike që ai simpatizon). Qeshnin me këtë fakt, që prej prezantueses e deri tek një pjesë e madhe e audiencës. Jam e bindur siç jam unë kritike ka edhe të tjerë që nuk e miratojnë talljen apo bullizimin edhe kur ato na shiten si humor apo normalitet skenik.  Përveç mënyrës jokorrekte të konceptimit të tij në aspektin psiko-edukativ në këtë program ka disa sjellje publike që nuk qëndrojnë dhe që për mendimin tim nuk duhet të përforcohen më tutje.

Të evidentosh dikë prej një problemi artikulimi (qoftë ai edhe i përkohshëm si rasti në fjalë për shkak të moshës së vogël) e t’i ngjisës epitete, etiketime, etj nuk është e pranueshme jo vetëm në publik, por edhe në mjedise më të ngushta private. Është njëlloj sikur t’i thuash një personi që nuk sheh mjaftueshëm qorr, një tjetri që ka ende të pazhvilluar një kockë të këmbës-çalaman apo topall, etj shembuj.

Të diferencosh një fëmijë mes të tjerëve nuk është e pranueshme. Fëmijët e tjerë nuk ndihen mirë kur dikush trajtohet si “star” në mes të skenës, apo merr vëmendje të veçantë prej prezantueses dhe të të ftuarit, ndërkohë që fëmijët e tjerë janë veç një panel i ulur në stol në pritje të artikulimit të pyetjeve. Ka mënyra të tjera për t’i dhënë hapësirë televizive dhe për ta inkurajuar talentin e një fëmije, pa cënuar ndjenjat e fëmijëve të tjerë dhe pa shfokusuar objektivin e programit sipas luhatjeve emocionale të çastit. Është sikur të mbash me hatër një nxënës, ta bësh senator klase, t’i vësh 10 me yll, vetëm sepse i ngacmon ndjenjat zyshës pasi i kujton diçka nga fëmijëria e saj për shembull.

Të shkosh në shtëpinë e një fëmije të varfër thjesht për t’i thënë botës se sa i varfër është nuk është e pranueshme. Nuk e dinë këta njerëz publikë se edhe varfëria ka dinjitet?? Nëse vërtet kanë ndjenja dhe qëllime bamirësie, le të ndihmojnë pa bujë, ta bëjnë të mirën dhe ta hedhin në det siç thotë populli, por këta pa e bërë akoma marrin kamerat me vete. “E bëj këtë se kam vendosur t’i rregulloj jetën Tarameles”-thotë prezantuesja. Vras mendjen se ç’do të thotë me shprehjen “rregulloj jetën”? Çfarë ka jeta e sapo nisur e vogëlushit? Familja nuk ka forcë të kundërshtojë, varfëria të bën të kafshosh gjuhën me shpresë se ia vlen sakrifica për fëmijën. E justifikuar do të ishte nëse fokusi i emisionit që në krye të herës do të kishte ndihmën ndaj familjeve në nevojë

Të bësh emision me fëmijë, duhet që qendra e programit të jenë fëmijët, dhe programi të jetë për fëmijët. Por programi i TV Klan i përdor fëmijët në funksion të të rriturve të ftuar. Përmes naivitetit fëminor synojnë të sjellin në një plan tjetër persona publikë, të trukojnë imazhet e tyre me tonalitetet e buta të fëmijëve. Por kjo të dashur organizatorë është e papranueshme. Ju abuzoni me mendimet, emocionet dhe historitë jetësore të këtyre fëmijëve haptazi dhe askush nuk ju thotë gjë.

Në këtë emision me fëmijë, unë nuk arrita të gjej asnjë element të qenësishëm në funksion të edukimit të fëmijëve, të edukimit me baza shkencore e kam fjalën, se edukim rruge gjen kudo. Apo edhe argëtimit sipas moshës së tyre, apo informimit gjithashtu. Tre shtyllat e supozuara të detyrave të medias në këtë emision nuk i shoh të ngritura në funksion të fëmijëve, por në funksion të rritjes së audiencës a klikimeve.

Ju do thoni kanë faj prindërit, po të shkretët kanë kaq pak mundësira për t’i angazhuar fëmijët e tyre në media dhe arte saqë pranojnë atë që u serviret. Diku do duhet të dalin fëmijët e talentuar, ndryshe si do zbulohen këngëtarët, aktorët, gazetarët e ardhshëm?

Miku im regjisori Jani Tane ka kaluar një jetë në Televizionin Shqiptar në departamentin e fëmijëve dhe për të do të ishte e pakonceptueshme të nxirrte në ekran një shoë të pakonsultuar me specialistët e edukimit, ku të paktën skenari është përgatitur nga ta. Të merresh me fëmijë nuk mjafton vetëm mendimi se ti di të flasësh me fëmijët, apo se ti je nënë dhe i kupton sjelljet e fëmijëve apo se ke lexuar 2 libra mbi psikologjinë e fëmijës. Duhet ose të jesh fëmijë ose të jesh i mirëtrajnuar për komunikimin me ta që të drejtosh e të marrësh përsipër një emision me fëmijë dhe për fëmijë.  

Kanadaja është vendi që mban rekord për programet e fëmijëve, madje dhe shumë filma që po bëjnë xhiron e botës për parashkollorët janë prodhuar në Kanada. Kjo sepse shtylla rreth së cilës producentët kanadezë ndërtojnë një program për fëmijë është edukimi. Të nënrenditura gjen argëtimin, informimin. Nuk ka programe të mos përcjellin mesazhet e qyetarisë së mirë, produktivitetit, respektit e dinjitetit për njeriun, mjedisin, kafshët dhe gjithçka rrethon. Kur një emision për fëmijë shkon drejt minutave të fundit, titrat që shoqërojnë planet përfundimtare nuk kanë të mbaruar nga armata e konsulentëve.

Kjo nuk ndodh në programet shqiptare. Grupi realizues është i kufizuar në punonjësit definitivë të televizionit dhe aty mbaron si kreativiteti ashtu edhe vizioni. Prandaj gjasat janë të shumta për të patur Piter Pan të frustruar, Uendi budallaqe apo kapiten Gremç mizor e pa fantazi. /KultPlus.com

Plagoset një mësuese në shkollën “7 Marsi” në Prishtinë, u godit tre herë me thikë

Një nënë dyshohet se ka plagosur një mësuese në shkollën ‘7 marsi’ në Prishtinë.

Rastin për KTV-në e ka konfirmuar edhe drejtoresha e shkollës, Shpresa Gashi – Çitaku. Ajo ka thënë shkurt se ka ndodhur një incident por i cili ka përfunduar pa fatalitet.

“Rasti ka ndodhur rreth orës 10. Nuk mund të them asnjë detaj më shumë sepse rasti tani i ka kaluar Policisë për hetime”, ka thënë drejtoresha e shkollës në lagjen Kalabria të kryeqytetit.

Për këtë rast, është arrestuar një grua. Policia ka bërë të ditur se B.D. 38-vjeçare është arrestuar për “Lëndim trupor”.

Ajo dyshohet se ka therur me thikë mësuesen V.P. e cila është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor.

Për këtë ka reaguar edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti. Ai ka thënë se e ka vizituar mësuesen në QKUK dhe se gjendja e saj është larg rrezikut për jetë.

“Para pak orësh në shkollën 7 marsi në Prishtinë një prinde e një nxënëse në parashkollor ka sulmuar me thikë një mësuese edukatore në vendin e saj të punës. Sapo vizitova mësuesen në QKUK dhe për fat të mirë ajo është larg rrezikut për jetë. Sulmuesja është arrestuar dhe policia po e heton rastin. Mësueses, që me dekada punon në Komunën tonë për të përcjellur dhe përgatitur gjenerata të parashkollorëve, i urojmë shërim të shpejtë”, ka shkruar ai.

Ndërsa, Dafina Basholli, specialiste e mjekësisë emergjente, ka thënë se mësuesja V.P. në shkollën fillore “7 Marsi” në Prishtinë ishte therur tre herë me thikë në zonën e abdomenit.

Në një deklaratë për media, Basholli ka bërë të ditur se gjendja e mësueses së plagosur tani është stabile.

“Ka pasur tri therje me thikë. Tani gjendja e saj është stabile. Janë bërë ekzaminimet dhe tani pranohet në kirurgjinë abdominale”, ka thënë ajo teksa ka shtuar se në momentin e pranimit në QKUK, mësuesja ishte shumë e shqetësuar emocionalisht. / KultPlus.com

Sot 8 vite më parë ndërroi jetë Ernesto Sabato




Jeta ime më duket sikur po përfundon si ‘Tuneli’, me qelqnaja dhe tunele paralele, ku gjithçka është përfundimisht e pamundur. Sa e çuditshme, sa e tmerrshme është që, me t’u afruar vdekja, kthehen këto metafora të trishta!
Elvira më flet për Krishtin. Marr kurajë nga ideja e saj fetare për jetën, dhe nga dhimbja.

Mbi tryezën time të punës vendosa një fotografi të Horhes dhe tani po e shikoj, e shikoj me mallin e një përqafimi që më këput shpirtin. Sa do të doja që koha të kthehej pas. Po kur do të më hiqet kjo peshë e rëndë që po ma shtyp gjoksin?

Mendimi po më hedh në fund të greminës. Ku kanë shkuar fjalët tani? Do të jepja gjithë librat e mi – sa të varfër, sa qesharakë, sa të përkohshëm, sa të pavlefshëm, sa kot në këtë humbje – gjithë prestigjin tim, atë prestigj që aq shumë e vë midis thonjëzave, do të jepja gjithë përnderimet dhe dekoratat, vetëm që të kisha edhe një herë Horhiton pranë.

-Duke ecur nëpër këtë shtëpi, në të cilën dikur ishim shumë, ndërsa sot endem vetëm e i mbaruar, ndalem para portretit tënd, i shtrenjti Horhito. Këtë e kishte bërë Silvina Okampo, poete e madhe, autore tregimesh të paharruara dhe piktore, dikur në ato kohë kur qëndronim shumë pranë me të. Po kjo ka kohë, shumë kohë. 
I shikoj më nge, një nga një, tiparet e këtij fëmije dhjetë vjeç, të cilin unë e mbaja për dore, duke menduar se gjithnjë do të ishte pranë meje. Dhe pastaj, me fytyrë të vrenjtur e përmes lotëve, largohem duke sjellë ndër mend, plot mall, atë kohë tashmë të largët, por aq të shenjtë.

(Ernesto Sabato -fragment kushtuar të birit Horge Frederiko Sabato) 

Përkthyer nga Bajram Karabolli. / KultPlus.com

Arbëreshët nuk e kanë harruar vendin e të parëve, këngë e valle në Durrës

Arbëreshë nga zona e Lungros në Kalabri, Casalvechio dhe San Bebedetto Ulano sollën dje një koncert me këngë e vallë tradicionale në qytetin bregdetar të Durrësit.

Në këtë manifestim të zhvilluar para bashkisë me rastin e përkujtimit të betejave të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, arbëreshët u mirëpritën nga publiku durrsak.

Me interpretimet e tyre, arbëreshët spikatën me një nga veçoritë që i karakterizon më shumë; ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit të tyre, të cilin e kanë kuruar me një kujdes të jashtëzakonshëm.

Arbëreshët nuk e kanë harruar vendin e të parëve dhe ruajnë të gjalla zakonet e tyre të pasura, si gjuhën, veshjet, ritet dhe doket. /k.s/ KultPlus.com

Kthehet në identitet fshati piktoresk i Vunoit

Peizazhi mahnitës dhe arkitektura e veçantë e Vunoit, fshatit të vendosur në një nga pjerrësitë e vargmalit të Çikës, ka mahnitur vizitorët dhe turistët e shumtë vendas e të huaj.

Ky fshat me bukuri të rrallë po rilind falë investimeve që po kryhen për restaurimin e shtëpive të fshatit dhe qendrës së tij.

Këto punime po bëhen në kuadër të projekteve të integruara që Fondi Shqiptar i Zhvillimit po zbaton në bashkinë Himarë me financim të qeverisë shqiptare dhe Bankës së Këshillit të Europës.

Kryetari i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, tha për ATSH-në se ““sipas të dhënave nga kompanitë përkatëse të zbatimit që implementojnë në terren dhe nga përfaqësues të Fondit Shqiptar të Zhvillimit numri shtëpive të restauruara në këtë fshat arrin në 180”.

Goro u shpreh se “aktualisht punimet po ecin shumë mirë dhe restaurimi i qendrës historike dhe shtëpive pritet të përfundojë në fund të muajit maj”.

Sipas tij, punimet e ngelura përfshihen ne zonat jashtë qendrës historike dhe janë të pakta.
“Punimet përfshinë rregullimin e çative, fasadave, dritareve rrugëve të brendshme, kanalizimeve, ndriçimit, etj”, shtoi Goro.

Kreu i bashkisë së Himarës e vlerësoi këtë projekt si një punë shumë të madhe që po bëhet për kthimin e fshatrave historikë.

Qendra Historike e Fshatit Vuno është shpallur Qendër Historike me vendim të Këshillit të Ministrave më 20 janar 2016. Elementi më i spikatur i Qendrës Historike të Vunoit është pikërisht arkitektura e tij.

Arkitektura dhe pamja piktoreske e Vunoit i bëri mjaft përshtypje edhe shkrimtarit të njohur anglez Edward Lear, i cili nga vizita e tij në vitin 1848 shprehet: U habita nga madhësia, karakteri, rregulli dhe pastërtia e shtëpive në Vuno, të cilat ngjanin me ”Palazzi” të qyteteve italiane.

Ndërtimet shumë afër njëri-tjetrit, kanë krijuar një rrjetë të dendur rrugore. Kjo ka bërë që në mjaft raste të ngrihen banesa edhe mbi rrugë duke siguruar kalimin nëpërmjet qemerëve cilindrike.

Për të lehtësuar kalimin në kthesat e forta, qoshet e ndërtimeve zbuten me thyerjen karakteristike. Tipologjia e banesave është mjaft e larmishme, duke nisur me ato më të thjeshtat me kat e gjysmëkat, banesat e fortifikuara e deri tek komplekset ndërtimore. Elementët arkitektonikë të harqeve, qemerëve e qosheve të punuara janë përdorur mjaft dendur, duke u dhënë ndërtimeve pamje monumentale.

Vunoi ndahet nga deti me një rafshnaltë mbushur me ullishte e bimësi të pafund dhe pemë të tjera frutore që përbën një pasuri të vërtetë për banoret e tij dhe vizitorët e turistët e shumtë që e kanë kthyer Vunoin dhe zonën e bregut shqiptar jonian në një destinacion të aktraksionit të ri turistik.

Një vepër tjetër historike, në qendër të fshatit Vuno është edhe Kisha e Panajasë. Ajo  ngrihet këtu e dyqind vjet me parë dhe është një vlerë e shtuar e turizmit historik të kësaj zone. / atsh/ KultPlus.com


Ministri Kujtim Gashi në SHBA merr mbështetje të fuqishme të zyrtarëve të YMCA

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, gjatë vizitës në Çikago të ShBA-së ka marrë mbështetje të fuqishme të zyrtarëve më të lartë të organizatës rinore YMCA-së në ShBA për organizimin e Kampeve Rinore sipas modelit dhe programit të ShBA-së.

Ministri Gashi, në ditën e fundit të qëndrimit në Çikago është takuar me Tom Valentine, zv. President i YMCA-së për marrëdhënie me jashtë, nga i cili ka marrë mbështetje që Kosova të ndërtojë kamp rinor me modelin dhe programet e ShBA-ve. Kosova, do të jetë vendi i vetëm në Ballkan ku YMCA do të ketë Kampin Rinor.

Ministri ka njoftuar se gjatë qëndrimit në ShBA takoi Tom Valentine, zv. President i YMCA-së për marrëdhënie me jashtë, një mbështetës i fuqishëm i Kosovës.

“Padyshim që përkushtimi i përfaqësuesve amerikanë do të jetë garantuesi kryesor për suksesin e kësaj organizate edhe në vendin tonë. Kosova po bëhet shteti i vetëm në Ballkan ku YMCA-ja do të ketë Kampin Rinor me modelin dhe programet e ShBA-ve”.

Vizita e ministrit Gashi në Amerikë u realizua në kuadër të angazhimeve të ministri për fuqizimin e rolit të rinisë në Republikën e Kosovës. / KultPlus.com

Historia e vajzës së shoferit emigrant që mashtroi stilistë, banka e hotele luksoze, film në Netflix


Pushimet luksoze, rrobat e stilistëve dhe restorantet e shtresave të larta i përkasin të shkuarës, por mashtruesja që tani pret të bëjë deri në 15 vite burg, ka firmosur që jeta e saj të bëhet libër dhe film në Netflix. Dhe kontratën për librin e firmosi një prej personave që ishte mashtruar prej saj.

Vajza e një shoferi kamioni, e quajtur Ana Sorokin, shkoi në Nju Jork dhe u hoq si trashëgimtare miliardere gjermane, që kishte dëshirë të hapte një galeri arti 40 milionë dollarëshe në një prej rrugëve më ekskluzive të qytetit. Dhe kaq mjaftoi që hotele luksoze, restorante, banka, stilistë e drejtues revistash t’i hapin dyert e ta bëjnë shoqe për një kohë të gjatë.

Ajo u shpall fajtore në gjykatë për mashtrimin e kompanive që ofronin fluturime private, për një dëm prej rreth 200 mijë dollarësh.

Teksa shtirej si e pasur, një shoqe e re nga elita e Nju Jorkut i kishte paguar një udhëtim luksoz në Marok, prej 60 mijë dollarësh. Veç kësaj, mashtruesja 28 vjeçare po përpiqej të merrte një hua prej 22 milionë dollarësh nga bankat.

Sado që gjykata e shpall fajtore, ajo mund të quhet një viktimë e epokës së Instagramit, që gjithashtu vërtetoi se gjërat sipërfaqësore, si veshjet prej stilistësh dhe sjellja prej pasanikeje, është ajo që vazhdon të të hapë dyert në shoqërinë e lartë.

“Shtiru derisa të kesh sukses, kjo është ajo që kuptoi Ana nga kjo shoqëri, dhe u përshtat”, e justifikoi avokati i saj mbrojtës në gjyq. Dhe shtoi: “Nuk mund të quhet mashtrim, sepse pasi të merrte fondet e të kishte sukses me planet e saj, Ana do t’i paguante të gjithë. Ajo thjesht i bëri njerëzit të besonin atë që kishin dëshirë të besonin”.

Por prokurorët nuk ishin dakord. Ata përmendën se si Ana ishte angazhuar plotësisht me mashtrimin, duke krijuar llogari të rreme bankare, dokumente të rreme, etj.

Ana është në fakt vajza e një shoferi kamioni, emigrant rus në Gjermani. Që aty ajo kishte udhëtuar në Paris, ku kishte fituar një vend si stazhiere në revistën “Purple”, post që e kishte përdorur për t’u katapultuar në Nju Jork, në vitin 2014, e veshur me rroba “Gucci” dhe “Yves Saint Lorent”, ku arriti të jetojë në hotele luksoze e të dalë me shoqërinë më të lartë për shumë kohë.

Gruaja që i pagoi pushimet 60 mijë dollarëshe në Marok, një punonjëse e lartë te “Vanity Fair”, nuk do të marrë dot dëmshpërblim për paratë e humbura, por ka firmosur një kontratë për një libër dhe për një film me Netflix. /tch/ KultPlus.com

Shpalosi flamurin kombëtar në Kalanë e Ohrit, arbëreshi dënohet me 5 vjet ndalesë në Maqedoni

Gjergj Prekoçaj, njëri nga udhëheqësit e grupit të Arbëreshëve që shpalosi flamurin në Kalanë e Ohrit është dënuar me 1100 euro dënim nga Gjykata e Ohrit, por përveç kësaj atij i është shqiptuar masë ndalese prej 5 viteve për të mos hyrë në Maqedoni, mëson INA.

Ai theksoi për INA se flamurin e Skënderbeut e ka shpalosur si shenjë përkujtimi me rastin e shpalosjes së flamurit kombëtar nga Gjergj Kastrioti – Skënderbeu në betejën e tij edhe në këtë tokë arbërore.
“Nuk do të ndalemi. Falënderojmë të gjithë ata që na mbështetën. Na do të vazhdojmë për këtë tokë arbërore. Nuk do të ndalemi kurrë. Kjo është tokë e Gjergj Kastriotit. Ndoshta si pëlqeu gjykatësit, por unë nuk heq dorë. Na jemi në tokën tonë arbërore dhe ne jemi për bashkim kombëtar. Kjo na bën më të fortë”, theksoi për INA, Gjergj Prekoçaj.

Kryetari i Shoqatës së të burgosurve politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Shpëtim Pollozhani tha se është një dënim drakonik 1100 euro dhe paratë i ka paguar menjëherë që të lirohet, edhe atë falë avokatit Ardian Demiri, sepse për shkak të festave do të detyrohej të shkonte në burg. Ky veprim është konsideruar tejet skandaloz edhe nga qytetarët në rrjetet sociale. / KultPlus.com

Rita Ora: Do të ishte e mrekullueshme sikur të bëja një këngë në shqip

Këngëtarja me famë botërore, Rita Ora, ka thënë se do të ishte e mrekullueshme sikur një ditë të bënte një këngë në gjuhën shqipe.

Në një intervistë për “20min” në Zvicër, këngëtarja me prejardhje shqiptare ka folur para “Alba festivalit” në Zurich ku ajo do të jetë ylli kryesor krahas yjeve tjera shqiptare, më 29 dhe 30 qershor.

“Do të ishte e mrekullueshme të incizoja një këngë në shqip ndonjë ditë”, ka thënë këngëtarja, transmeton Koha.net.

Në këtë intervistë, Rita ka folur për lidhjen e saj të afërt me Kosovën teksa ka shtuar se ndihet shumë e nderuar që përfaqëson shtetin si ambasadore nderi e Kosovës.

E pyetur për yjet tjera shqiptare Dua Lipa e Bebe Rexha me sukses ndërkombëtar, Rita Ora ka thënë se shqiptarët e kanë në gjak muzikën e vallëzimin.

“Mendoj se është e mrekullueshme që kemi shansin të tregojmë talentin tonë nëpër botë. Jam po ashtu e lumtur që mund ta vëmë shtetin në pah”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë po ashtu se njeh yjet shqiptare në Kosovë e Shqipëri duke deklaruar se është e lehtë të gjejë talentet lokale përmes internetit. / KultPlus.com

Seriali turk në të cilin luan Nik Xhelilaj shfaqet në televizionin shqiptar

Nik Xhelilaj është aktori shqiptar i cili ka arritur sukses në Turqi.

Ai tashmë gëzon famë në këtë shtet, ndërsa vazhdon të jetë aktiv në projekte kinematografike.

Madje në njërin serial në të cilën ka luajtur ai, do ta kemi mundësinë ta shohim edhe në ekranet tona televizive.

Bëhet fjalë për serialin “Kayıp Şehir”, i cili nga data 6 maj do të nis në televizion Klan të Shqipërisë. / insajderi/ KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/Bw109ruooDS/?utm_source=ig_embed

Këto ishin propozimet më interesante për Kullën e Eiffelit (FOTO)

Në kohën kur u ndërtua, Kulla Eiffel, në Paris u prit negativisht për shkak të pamjes së saj utilitare, por brenda pak kohe ajo u shndërrua në një atraksion për Francën, qysh nga fundi i shek. XIX.

Vetëm tri vite më pas, në vitin 1890, Londra hapi një konkurs për ndërtimin e versionit të saj të një kulle të tillë, transmeton Ndërtimi.info.

Për ndërtimin e një kulle të ngjajshme me atë të Eiffel-it, në Londër u paraqitën plot 68 dizajne. Konkurentët dërguan propozimet e tyre nga vende të ndryshme të botës, si SHBA-të, Kanadaja, Gjermania, Italia, Austria, Turqia dhe Australia. Shumë nga projektet janë interpretime të çuditshme të strukturave utilitare, duke ndjekur estetikën e Kullës Eiffel, vetëm se këto projekte janë edhe më të larta.

Propozimi fitues, ishte i paraqitur nga Stewart, Maclaren dhe Dunn. Ky propozim kapërceu Kullën Eifel dhe paraqiti një plan tetëkëndor me spiralen që vinte duke u zgjeruar, e ku do të vendoseshin sallat e ekspozitës, teatrot, restorantet dhe çdo lloj forme tjetër argëtimi.

Drejtori menaxhues i kullës, Edward Watkin nuk arriti ta plotësojë kurrë realizimin e saj. E problemet e shumta financiare bën që për një kohë të shkurtë kjo kullë të shuhej./Ndërtimi.info/

Më poshtë mund t’i shihni dizajnet më interesante për këtë projekt

Sot Dita Ndërkombëtare e Muzikës Jazz

30 prilli njihet si dita ndërkombëtare e muzikës Jazz , e cila festohet me qëllim të rritjes së vetëdijes për vlerat e Jazzit si një mjet edukativ dhe forcë për paqen, unitetin, dialogun dhe bashkëpunimin e zgjeruar mes njerëzve.

Për të shënuar këtë datë, në shumë vende bëhen organizime të ndryshme duke u promovuar këtë rrymë të muzikës, e cila nëpër botë është mjaft e popullarizuar.

UNESCO ka caktuar 30 prillin për këtë ditë, me rezolutën e miratuar në Konferencën e Përgjithshme të kësaj organizate, në nëntor të 2011-ës.

Muzika Jazz është një lloj muzike shumë intelektuale. Ajo ndikon për një ormë tjetër të menduarit të njeriut. Ajo krijon ndjenja dhe emocione të veçanta tek individi. Melodia, ritmi, harmonia dhe loja modale e bëjnë muzikën Jazz një lloj i veçantë arti.

Muzika e Jazzit është një stil muzikor që u shfaq në fillim të shekullit të 20-të, në komunitetet zezakëve në Jug të Shtetet e Bashkuara. Ka lindur nga një përzierje e traditave të muzikës afrikane dhe evropiane. Nga fillimet e saj e deri në ditët e sotme, muzika Jazz ka marrë edhe elementë nga muzika popullore amerikane për shumë stile të dallueshme si: New Orleans Jazz që daton nga fillim të 1910, Gypsy Jazz nga vitet 1930 dhe 1940, Bebop nga mesi i viteve 1940, Cool jazz, Avant-gard jazz e të tjerë.

Instrumentet më të përdorur të muzikës Jazz janë: Saksi, Tromba, Tromboni, Bateria, Contra Basi, Ksilofoni dhe instrumentet elektrike mbas viteve 70-të. / KultPlus.com

Saxophonist. Man playing on saxophone against the background of sunset

Portretizohet figura e Agim Ramadanit në një mozaik, përdoren 276138 gëzhoja plumbi

276138 gëzhoja plumbi kanë formuar portretin e heroit kosovar Agim Ramdani, të cilat janë vendosur në mozaikun e punuar nga Besart Gashi, shkruan KultPlus.

Për këtë mozaik ka njoftuar për KultPlus vet Besart Gashi i cili ka treguar se për këtë mozaik ka punuar me kërkesën e nipit të Agim Ramadanit, Muhamet Ajrullahu.

“Do të jetë një dhuratë për familjen Ramadani, që do të shpaloset me rastin e datëlindjes së heroit të madh Agim Ramadani, e që është më 3 maj”, ka thënë Gashi.

Ai ka njoftuar se mozaiku është me dimensione 5X7 m, dhe sipas tij, ky mozaik është me dimensionet më të mëdha që ekzistojnë në vendin tonë.

Poashtu është bërë e ditur se ky mozaik do të shpaloset më 3 maj, në ora 14:00 në qendër të qytetit të Gjilanit./KultPlus.com

Lahuta e Malcis- Kuvendi i Berlinit

Deh! oj , Zane , ty t’kjosha true!
a thue din ti me m’kallxue
se c’ka ndjeje tue bumbullue
andej larg kah Rumelia
ka’ ajo Plevna e Bullgaria?
A kjene topa a veç kjene gjame
qi u dridh toka ashtu nen kambe?
Besa, jo , pra nuk kjene gjame
qi u dridh toka ashtu nder kambe
por kjene topat e Rusise
kjene havanet e Turqise
qi humb’lluen fushes s’Rumelise
nate e dite tue rrah pada,
Rumelise t’tane n’gjak tue e la
kah na u pre Turku me Shkja
me Moskov Turku ka’u pre
Rrembei gjaku shkulm mbi dhe
si mjere zemra e atyne nanave
qi i pa’n djelmte atyre anave
perse kryet nen gryke t’havaneve
kur te rrahin keta batare
s’i ban njeri , jo , nji pare
bre ma zi edhe e pat per t’ndodhe
pse tue u rrase kje Shkjau n’Stambolle
me zhbi Mbretin n’post te vet
veç se u rane Krajlat ndermjet
edhe pushka tashi prani.
Sot t’shtate krajlat e Sulltani
n’ate Berlin na jane bashkue
na kane nise me bisedue
se si punen me e vendue
per me vu paqe dhe bese
per me shue lufte e ngatrrese
zemer t’keqe , meni e rese
tue ngule gure , tue ngule kufi
per gjith vend , per gjith mbretni
gjate Ballkanit n’Dete te Zi.
Por tue kene se bese e fe
nuk po kisht’ , jo , sot mbi dhe
e se i froti n’arme mberthye
ai po kisht’, gjithmone arsye
un tue pas jam , ketu do frige
se na bine ndo’ i pune e lige
per Shqipni e per Shqiptare
ke keta s’kane miq as kumbare
qi me fole per ta nji fjale
qi me hy aty zot me u dale.
Pse edhe qe, qaj Knjaz Nikollla
leshue dollamen pola-pola
e me ‘ i struge te gjane dy pellambe
me’i kosh rrethe neper kambe
shkye shllvaresh mbi kupe te gjunit
me iu dhimbe gurit e drunit
ai po e del Krajlave para
e me fjale dokrra t’mbara
po ia nise aty me kja
se ai toke buke nuk po ka
bjeshke e verri se ati’ i jane tha
i jane tha e i jane shkumbue
te tane shkam e rrase lemue
pa nji kallze , pa nji shkop druje
se qi pop’lli rreshkun uje
asht ka’ i del prej Cernagore
po s’iu leshue nji toke gratçore
si bjen fjala , toka arbnore.
Toka arbnore , toke me name
(ble me pash e shite me pllambe
pashi argjand , pellamba flori)
n’daç ne bjeshke , e n’daç verri
n’daç per dhen e n’daç per dhi
si per buke , si per tagji
si per pune , si per tregti.
Edhe Krajlat po e ndigjojne
po e ndigjojne as s’po e qortojne
vec se bashke me mbret t’Stambolles
po na i apin dore Nikollles
me marre Plave , me marre Gusi
me marre Shkodren me Malsi
der’ ku ndan vendi me Dri;
si ate Zoti ma marrofte
Mbret , a Krajl , a kushdo kjofte
qi vu dore n’leter ma i pari
vendit t’vet me dale Shqiptari
ase rob me ndjeje nen Shkja
page e t’dheta atij me i la!
Se per Zotin, – kjofte levdu!-
per pa u ba gjaku der’ n’gju
kurr Shqipnine s’kemi per t’a lshu.
Se kur t’merret , valle Shqipnia
flake do t’ndezet rrokullia
e do t’binden fiset t’tana
kah bjen dielli e kah bjen hana.

Gjaku i jone , po ka me velue
nama e jone , po , ka me velue
ka me i shkue n’vesh Perendise
edhe i Lumi , n’fryme t’idhnise
n’vend Europen ka me e vra
te tane n’gjak ka per ta la.
Kur ka ndie qaj Knjaz Nikolla
se ati’ Europa edhe Stambolla
dore i dhankan mbi Shqipni
me dale cubi nji zotni
vu “kapicen” n’njanin sy
se c’a’ hjedhe e c’ka lodrue
se ‘ edhe kanges c’ia ka fillue
porsi krushku tue vallezue!
Lum e lum, po , i biri Shkines
se nder kesolla te Cetines
n’ato kohe qi kane me ardhe
ka me ngrane ai buke te bardhe
ka me zi’ ai mish tarocit
ka me pi , po , vene prej pocit
n’te dy faqet me i plase gjaku
kacandre me i ndeje mustaku.
Ne Cetine mandej ka dale
Pal Milanit i ka cue fjale
more Pal , more ti djale
nje sahat mos t’bajsh me u ndale
por flu ‘ tro si gjeracina
edhe pa eja ka Cetina
pse due t’ap un ty nji ushtri
pse taborre djelm te ri
t’tane sokola , le n’Mal te Zi
per me i qite un n’ate Shqipni
n’Hot e n’Grude , n’Plave e Gusi
e ato vende me m’i shtrue
se ato krajlat m’i dhane mue
me shkele m’to gjithsi te due.
E mandej , si per nji jave
t’m’i keshe shtrue Gusi e Plave
n’beh t’ m ‘ i biesh Lekeve t’ malesise
si njaj ujku prej pusise
e me shpate e me konop
te m’i bajsh mue Leket per shkop
edhe vendin gjane e gjate
t’ma pushtojsh der’ n Perrue te Thate.
Pse , si shtrue ta kene Malsine
t’keme marre Plaven e Gusine
atehere na po t’rras’na n’Shkoder
tue luejte valle e tue kecye loder
si ata mazat neper lame
po na hi kund ferre ne kambe.
pal milani thote nji fjale:
njeksaj pune a’ veshtire me i dale
se p’r’i jave s’shtrohet Malesia
as me pushke s’meret Shqipnia.
Venu shej , po , fjaleve t’mia
e mos nguc grethat me krande
perse nguce te zezen tande
pse edhe jashte n’kete pune ke marre
per pa t’pase kush gjak as varre
nuk thote Zoti, as s’e ep kanuni
ne vend t’huej ne zjarm me rrane
me i ra detit ane e m’ane
se n’fjale tande atje do t’vete
por n ‘ Shqipni , besa , s’mund t’vete.
Qeshi Knjazi vesh e m’vesh
se ti s’kenke- o burre prej nesh
kenke burre vec me ngrane pershesh
cese ia nise me m’predikue
thue se’ i grue vete kam qillue
qi me u trembe prej fjaleve t’hueja.
Jo , po , mire do t’isht per ty
kamalaf me vu ne kry
me leshue mjekren der nen gji
e me dale pop ti n’mal t’Zi
per mos dac ti n’shpi me shkue
me ngjite furken porsi grue
e aty n’dere , ndeje mbi ndo’ i k’rroqe
me tjere n’bosht me t’ande shoqe
tue u xe me ta n’shulla
se per lufte s’u dashtke gja.
sa per lufte asht Mark Milani
burre si motit , trim si luani
qi edhe ushtrise ka per t’m’i pri
per me shtrue Plave e Gusi
per me shkele Leke e Malsi
Edhe Shkodren mbrende me i hi
me i hi mbrenda me bajrak
me e ba Shkodren Kradak.
keshtu tha Knjazi e leshoi kushtrimen
per me mbeledhe n’ushtri burrnimin.
Pingroi Zana neper molla
hajde , hajde ! or , Knjaz Nikolla
se pak gjate je shty me fjale
se vjen moti per kadale
se s’din njeri ku mund t’dale
po kjo’ imend se leshon ai vrapin
ma te madh se ta kete hapin
si , me gjase , ti don me e leshue
cese nder mend ty t’asht ngujue
ne gasi nji ushtri me cue
Shqiptarine nji here pa e pevete
a thue e leshon Gusine e shkrete
a thue e leshon Malsine e ngrate
per pa i shpraze dy pushke m’te thate.
Me Shqiptare , more Nikolle
mundet njeri ngusht me ndodhe
po s’u shkoi ai mbrende per mik
se ata le kishin celik
e vu sy kishin me deke
m’erz a m’toke me pase me i preke
s’ka shka ban nder t’a i huej!
se ata gjalle s’i shtrohen kuje
n’dashte t’jete Knjaz , a n’dashte t’jete Mbret
se ata Mbret po ishin n’dhe t’vet
fort gabon kush i gerget!/KultPlus.com

Pazarit të Korçës i shtohet një qendër e artit bashkëkohor

Qendra e Artit Bashkëkohor që është hapur në ambientet e pazarit të vjetër, një tjetër vlerë e shtuar për Korçën.

Kjo qendër është hapur këtë të diele, si pjesë e veprimtarive argëtuese të mbështetura nga bashkia në pazarin karakteristik të qytetit.

Videoinstalacione, kaleidoskopë, por edhe punime të tjera artistike janë ekspozuar brenda kësaj qendre në Pazarin e Vjetër të Korçës. Ekspozita e kësaj qendre të artit bashkëkohor do të qëndrojë e hapur për një muaj.

Kryebashkiaku Sotiraq Filo që vizitoi ekspozitën dhe tha se ky aktivitet që do të pasohet edhe nga të tjerë përfshihet në projektin e rivitalizimit të pazarit të vjetër në Korçë./vizionplus/ KultPlus.com

Elbenita Kajtazi fiton edhe një rol në Hamburg

Roleve të shumta kryesore në Staatsoper Hamburg që do të ketë sopranoja shqiptare Elbenita Kajtazi do ju bashkëngjitet edhe roli i bukur i Gretel nga opera “Hänsel und Gretel” kompozuar nga kompozitori Engelbert Humperdinck.

Shfaqjet e kësaj opere të mrekullueshme për fëmijë dhe të rritur do të jetë më 21, 24, 27 nëntor dhe 04 dhjetor 2019./Foto credits: Arben Llapashtica./KultPlus.com

Dhurata që Ali Pasha i bëri Napoleon Bonopartit më 1806

Aurenc Bebja

“Excelsior” ka botuar, të mërkurën e 7 qershorit 1939, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me armët shqiptare dhe domethënien e tyre tek populli ynë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Armët shqiptare

“Shqiptarët, racë luftëtarësh, kanë pasur gjithmonë shijen e armëve të bukura. Dikur, ishte një dhuratë e madhe për një pasha nga Shqipëria nëse ju ofronte një palë pistoleta. Ju ishit shoku i tij më i mirë nëse ju kishte dhuruar një shpatë. Ali Pashë Janina (Tepelena), nëse kujtohemi mirë, zotëronte atë të Khanit të madh të Krimesë, Selim Surajit (Souraï).

Ai ia dërgoi atë Napoleonit, më 1806, me këto fjalë : “Ajo nuk mundi të ruajë nga rusët shtetet e zotërisë së saj të parë: Unë po ia dërgoi njeriut që mori hak aq mirë për Austerlitzin.”

Ne nuk e dimë se çfarë është bërë me shpatën. Por shpata të tjera që ai kishte sjellë vitin në vijim në Tilsitt gjenden në familjet e disa gjeneralëve apo marshallëve të Perandorisë.

Një nga koleksionet më të bukura parizianë të armëve shqiptare është ajo e senatorit Justin Godard.”/KultPlus.com

Pianisti Andi Duraku, fitues i Çmimit Special të Chopin Piano Fest Prishtina

Ky çmim në kuadër te festivalit “Chopin Piano Fest” është mundësuar në bashkëpunim me sponsorë gjermanë. Çmimi nënkupton një koncert recital për fituesin në Bon të Gjermanisë si dhe masterklasë në Universitetin e Kelnit. Po ashtu do të bëhen vizita vendeve me rëndësi muzikore si shtëpive, muzeve të kompozitorëve dhe njohjen me kulturën e regjionit të Bonit.

Gara ka qenë e hapur për të gjithë nxënësit e shkollave të mesme dhe për studentë. Garuesit  është dashur të përgatisin një program 60 minutash, program recitali pianistik.

Në këtë garë morën pjesë 3 nxënës dhe një student. Pjesëmarrësit ishin nxënësit Vesa Berisha- 15 vjeçare, Ledian Shala -13 vjeçar dhe Lisa Sahatçiu – 14 vjeçare si dhe studenti Andi Duraku – 22 vjeçar.

Pjesë e jurisë në këtë garë ishte pianistja dhe iniciatorja e çmimit Ardita Statovci dhe pianisti Klevis Gjergjaj./ KultPlus.com

Finlanda ofron udhëtime falas për një jetë më të lumtur (FOTO)

Finlanda ofron udhëtime falas për të mësuar si të jeni të lumtur.

Vendi skandinav, nëpërmjet një konkursi ofron tetë vendqëndrime falas në Finlandë për të mësuar se si ta jetosh jetën në qetësi. Disa studime kanë treguar se Finlanda është vendi me indeksin më të lartë të lumturisë, prandaj benefitet do të jenë të larta.

Bëhet fjalë për vende falas, ku fituesit do të jenë në gjendje të shohin se si jetojnë në një mënyrë të lumtur dhe të qetë në Finlandë. Aty shumë banorë janë pothuajse gjithmonë të lumtur dhe të relaksuar. Pavarësisht se jetojnë në një shoqëri teknologjikisht të avancuar, ata nuk vuajnë nga stresi i përditshëm.

Shoqëria që e ka organizuar quhet Visit Finland. Fituesit mund të qëndrojnë falas për tre ditë dhe të jenë në kontakt me një familje finlandeze, që të përpiqen të kuptojnë sekretin e lumturisë.

“Sekreti ynë është në natyrën tonë, në kuptimin direkt të fjalës”, kanë shpjeguar organizatorët.

“Kur të tjerët shkojnë për terapi, finlandezët veshin një palë çizme gome dhe shkojnë drejt pyjeve”.

Organizatorët do të mbulojnë shpenzimet e udhëtimit, ushqimit dhe fjetjes, por për të marrë pjesë duhet të pranosh të filmohesh gjatë gjithë udhëtimit./klankosova/KultPlus.com

Intelektualët apolitikë

Otto René Castillo. Sjellë në shqip nga Maksim Rakipaj.

Një ditë,
intelektualët
apolitikë
të vendit tim
do të merren në pyetje,
nga njerëzit më të thjeshtë
të popullit tonë.
Do të pyeten
mbi atë çka bënin
kur atdheu shuhej
ngadalë,
si një zjarr i ëmbël,
i vogël dhe i vetmuar.
S’do t’i pyesë njeri
për rrobat e tyre,
as për pushimet e tyre të gjata
pas dreke.
Aq më pak për
betejat e tyre me kotësinë,
e as për mënyrën e tyre ontologjike
të fitimit të parasë,
Nuk do të merren në pyetje
mbi mitologjinë greke
e as për neverinë
që ndjenë
kur dikush mes tyre
ra i vdekur prej frikës.
Nuk do të pyeten për asgjë
mbi justifikimet e tyre absurde
të lindura nën hijen
e një mashtrimi të plotë.
N’atë ditë do të vijnë
njerëzit e thjeshtë.
Ata që kurrë s’u përfshinë
në librat dhe vargjet
e intelektualëve apolitikë,
por që për çdo ditë iu sillnin
bukën dhe qumështin,
vezët dhe pitet,
ata që iu qepnin rrobat,
ata që iu ngisnin veturat,
ata që kujdeseshin për qentë dhe kopshtet e tyre,
e që punonin për ta,
Dhe do t’i pyesin:
“Ç’bëtë ju kur të varfrit
vuanin, dhe kur digjej flakë
butësia dhe jeta e tyre?”
Intelektualë apolitikë
të vendit tim të shtrenjtë,
ju s’do keni asnjë përgjigje.
Korbi i heshtjes do vijë t’ju shqyejë
zorrët.
Mjerimi juaj
do ju brejë shpirtin,
dhe do ta qepni gojën
të turpëruar nga vetja./ KultPlus.com

Kristian Zefi, 21 vjeçari që jeton në Itali, i pasionuar pas instrumenteve dhe folklorit

Kristian Zefi, një i ri shqiptar në Itali, me origjinë nga Shkodra është i pasionuar pas ndërtimit të lahutave dhe luajtjes së instrumenteve të muzikës popullore të veriut të Shqipërisë.

Përveç tingujve të çiftelisë, Kristiani është i apasionuar edhe pas etnografisë, zakoneve dhe traditave, mitologjisë, këngëve dhe poezive epike shqiptare.

“Jam 21 vjeç punoj si programues elektronik, tek një firmë që prodhon makineri industriale, jam në programimin dhe kolaudimin elektrik të makinerive”, nis rrëfimin e tij Kristiani.

Në makinën e tij personale ka një objekt, që e bën atë të veçantë nga automjetet e tjera.

“Kisha një shok që kishte një shtypëse 3 D dhe i kërkova të më bënte një shqiponjë dhe shqiponjën ia kam vënë përpara. Tashmë makina ime nuk është Alfa Romeo, por është Alba Romeo”, thotë ai.

Teksa tregon si nisi pasioni i tij për veglat muzikore të Malësisë së Madhe, Kristani shprehet se “e fillova me pasionin dhe dashurinë për traditat shqiptare, që nga mosha 15-16 vjeç kur mësova shumë për kulturën dhe traditën italiane dhe thashë çfarë kemi ne shqiptarët më pak se italianët”.

“Kështu nisa të pasionohem me historinë e popullit tonë në lashtësi me traditat, me muzikën, veshjet dhe folklorin”, nënvizon ai.

I veshur me veshje popullore, ai tregon se “kur më njohin pyesin po ky djalë jeton në këtë botë apo jo, unë përgjigjem po, se jam i diplomuar për elektroteknikë dhe kam dalë ndër nxënësit më të mirë të klasës sime. Telefonat i kam përdorur se ndryshe nuk do i njihja këto gjëra. Po me kalimin e kohës në vend që të rrija ulur duke parë Facebook e Instagram kërkoj këto gjëra që ti përjetoj edhe njerëz këto gjëra për ti nxjerrë në dritë”.

Kristiani rrëfen pasionin e tij për krijimin e çiftelive dhe kostumeve popullore.

“Këto janë të gjitha punimet e mia, çiftelia , lahuta dhe veshja kombëtare, modele autentike të vjetra të krahinave të Malësisë së Madhe dhe të Dukagjinit. Duke filluar nga veshja qytetare e malësorëve aristokratë, veshje e bajraktarëve, të Dukagjinit dhe veshje e fshatarëve të thjeshtë të burrave të Malësisë së Madhe””, thotë ai.

Në fëmijërinë time, shton ai, kam pasur shumë pasion arkeologjinë, sepse kur isha fëmijë më pëlqenin dinozaurët etj.

“Pasioni im që në fëmijëri kanë qenë për gjërat e vjetra, të lashta. Për të ditur si kanë jetuar njerëzit më parë, çfarë kanë veshur si kanë respektuar njëri tjetrin etj”, shprehet ai.

Sipas tij, simboli që i bën më shumë përshtypje të huajve është mbushja e veshjeve tona me fije ari.

“Ne e kemi pasur prej perëndisë, apo kohëve të lashtë që të dukemi. Edhe këtë traditë e kemi marrë brez pas brezi që të dukemi sa më mirë”, thekson Kristiani.

Shpesh, sqaron ai, më pyesin si mundet një djalë i ri, lindur e rritur në Itali të merret me këto gjëra.

“Edhe unë i pyes si mundet që ju lindur e rritur në Shqipëri të mos merreni me këto gjëra. Fatkeqësisht rinia shqiptare që lind e rritet ne diasporë nuk është shumica si unë, edhe të jetë si gjysma ime do ishte mirë, se unë jam pak i ekzagjeruar”, shton ai.

Kristiani së bashku me shqiptarë të tjerë që jetojnë në Itali do të hapin edhe një shkollë shqipe.

“Në qytetin e Astit në Itali bashkë me qytete të tjera kemi themeluar një shkollë shqiptare ku u mësojmë fëmijëve abetaren. Inaugurimi i kësaj shkolle do të jetë më 21 shtator, do marrin pjesë shumë personazhe të artit dhe kulturës shqiptare. Aq më shumë të jemi aq më mirë është”, shprehet ai.

Kristian Zefi, 21 vjeç, lindur e rritur në Itali e do shumë vendin e tij, por veçanërisht tokën shqiptare.

Ai ka një mesazh për të gjithë të rinjtë: “Mos e lini tokën shqiptare”./k.s/A.T.SH/ KultPlus.com

50 fotografi nga filmi “Skënderbeu” në kalanë e Elbasanit

Një ekspozitë mahnitëse me 50 fotografi të shkëputura nga filmi “Skënderbeu”, në skenat e tij të xhiruara në qytetin e Gjirokastrës është çelur sot në kalanë e qytetit e Elbasanit.

Kryetari i bashkisë Qazim Sejdini së bashku me Kryetarin e Grupit Parlamentar PS, Taulant Balla, Prefektin Gledian Llatja dhe Kryetarin e Qarkut Bukurosh Stafa vizituan ekspozitën e çelur në kuadër të projektit “Qytete me kala”.

Ekspozita u çel në 65 vjetorin e pjesëmarrjes në Festivalin e Kanës, të të parit film shqiptar.

“Qytete me kala” është një projekti i përbashkët mes Qendrës së Artit, bashkia Elbasan, Këshillit të Qarkut Elbasan dhe Këshillit të Qarkut Gjirokastër. Ky projekt synon shkëmbimin e kulturave mes qyteteve.

Gjirokastra solli në Elbasan një ekspozitë në brendësi të kalasë së Elbasanit, ndërsa Elbasani do të shkojë ne Gjirokastër me fotografi të qytetit në vitet 1918-1920.

“Qytete me kala” bashkoi për herë të parë kalanë malore të Gjirokastrës me kalanë fushore të Elbasanit ndërsa projektit pritet t’i bashkohen edhe qytetet të tjera.

Emocionues ishte edhe koncerti i përbashkët ku kënga labe u bashkua për mrekulli me tingujt e Shqipërisë së mesme.

Ansambli “Lunxhëria”, grupi polifornik i Telepenës dhe ansambli Isuf Myzyri dhuruan një mbrëmje fantastike./k.s/ /a.g/A.T.SH/KultPlus.com