Arnold Schwarzenegger debuton edhe në muzikë me këngën “Pump it up”

Përveç si aktor, Arnold Schwarzenegger ka bërë debutimin edhe në muzikë për të ndjekur ëndrrën e tij.

Aktori 71 vjeçar në këngën e tij të parë të titulluar “Pump it up” (këngë motivuese) ka bashkëpunuar me këngëtarin austriak, Andreas Gabalier.

Gabalier, 34, vjeç, ka kënduar për karrierën frymëzuese të austriakut si një njeri gjimnastikor dhe një yll filmi, teksa mori një ndihmë të vogël nga Schwarzenegger i cili nuk kishte frikë të tregonte vargjet e tij.

Arnold Schwarzenegger (Foto: YouTube)

“Hej, unë jam Arnold Schwarzenegger dhe dëgjoni me kujdes”, filloi ai duke thënë se, “Gërmoni thellë poshtë dhe pyesni veten, kush doni të jeni. Jo çfarë, por kush – nëse besoni se suksesi do të vijë tek ju, duhet të punoni shumë, besoni vetë dhe të gjitha ëndrrat tuaja do të vijnë”.

Videoja muzikore shfaq klipet e artistit si një kampion për ndërtimin e trupit, si dhe një aktor i filmit që ka filluar me “The Terminator”.

Është bërë e ditur se po rikthehet The Terminator bashkë me Arnoldin, premiera e të cilit është me 1 maj të këtij viti. /Telegrafi/ KultPlus.com

Në sheshin e kristaltë ku përpjeket jehu i tingllimës dhe burimzymtësia e borbardhave

Nga Nue Oroshi

Jehu i tingllimës në sheshin e kristaltë përplaset me kohën e cila numëron rrezët e diellit pranë panteonit magjikë. Në majekrahun e jehonës magjike sillën kuajtë e varreve të cilët duke vrapuar pas ngrënies kanë mbetur në mes të dy detrave me një vrap që s´ndalet asnjëherë.

Buzë këndit magjik burimzymtësia e borbardhave ecë me fluturim pa e folur asnjë fjalë për kohën e lënë pas.Bregu i pikllimës i shkrimtarit tonë të madhë Teki Dervishi, është bregu i stolive magjike kurse sheshi i kristaltë nuk është natyrorë. Ai u ndërtua gjatë një kohëzgjatje të gjatë historike duke përfshirë shumë periudha kohore të cilat herë me lakmi e herë me egërsi,herë me butësi e herë me fortësi sillën e mbështillën ndaj njëra-tjetrës pa e gjetur asnjëherë fijën e lëmshit. 

Aritmetika e politikës dhe kufiri i artit është një mbijetesë e cila përputhët me njëra- tjetrën vetëm atëherë kur perëndon dielli.Politikanë mund të behët çdo kush nëse e përfshinë valët e detit apo rrëmbimi i ecjakjëve të shpejta të ujit dhe mund ta vendosë në bregun e pikllimës. Por artistë,shkrimtar,poet e filozofë,nuk mund të bëhet çdo kush.
E kam fjalën për artistat e vërtetë që luajnë me artin e fjalëve dhe i sillen e mbështillen ato sikurse ai mjeshtri i mirë që nuk i lenë vend imagjinatës.Këtu nuk përfshihen edhe ata shkarravitësit e letrës nga e bardha në të zezë.Prandaj dallimi në mes të artistit dhe shkarravitësit të letrave është një botë e cila dallon shumë nga njëra- tjetra.

A nuk është turp për të gjithë këta intelektualë në diasporë që jemi,të mos jemi në gjendje t´i afrohemi se paku shkrimtarëve tanë të mëdhenj siç ishin profesor: Ernest Koliqit, Martin Camajt, profesor Zef Valentinit, Gjelosh Gjokajt, profesor Kristë Malokut, profesor Isuf Luzajt, profesor Arshi Pipës, At Athanas Gegajt, Tahir Kolgjinit dhe shumë e shumë të tjerve që lanë gjurmë të pashlyera në artin dhe kulturën shqiptare. Këta ishin dhe do të mbetën shkrimtarët e artistët shqiptarë të cilët jetuan, punuan, shkruan e vepruan jashtë kornizave të realizmit socialistë më një fjalë janë shkrimtarë të kalibrit evropian. E pikërisht për këtë arsye se janë shkrimtarë të kalibrit evropian kanë mbetur në margjinat e harresës. Sikur të ishte gjallë Teki Dervishi ai do të mallkonte me fjalët më të rënda për këtë harresë. Jo vetëm këta shkrimtarë të mëdhenj që i kemi harruar apo vetëm i kujtojmë aty këtu,por e kemi harruar edhe doajenin e letërsisë dhe romansierin e dramaturgun më të madhë shqiptarë Teki Dervishin.

Për veprën e Teki Dervishit nuk kujdesët kush që ta përkthej në gjuhë të huaja sepse ishte dhe mbeti një shkrimtarë modern që e bëri letërsinë ashtu siç duhet të jetë.

Asnjëherë nuk mori urdhëra për të shkruar letërsinë, romanin,dramën apo poezinë por me mendjen e shpirtit, e drejtoj muzën e të shkruarit në këndveshtrimin modern. Derisa harrojmë shkrimtarët dhe artistët tanë që e bënë letërsinë për çdo ditë ndëgjojmë promovime të shkrimtarëve të realizmit socialistë që dridhën e përdridhen para pasqyres për veprat e shkruara dhe të pashkruara. Pra, me një fjalë i kemi harruar ata që janë shkrimtarë dhe po mirremi me shkarravitësit e letrave, që me shkronja të zeza po ja humbin bardhësinë letrës,pikërisht në sheshin e kristaltë,tek jehu i tingllimës dhe burimzymtësia e borbardhave. / KultPlus.com


“Mirëdita, dobar dan” prezantoi dhimbjen shqiptare në Beograd

Alberina Haxhijaj

Çdo vit festivali “Mirëdita, dobar dan” tregon se ka një mundësi bashkëpunim në mes të Serbisë dhe Kosovës. Arti është universal të paktën gjatë ditëve sa zgjatë ky festival i cili këtë vit shënon edicionin e tij të 6-të, shkruan KultPlus.

Në kohën kur marrëdhëniet në mes të Serbisë dhe Kosovës janë në nivelin më të ulët që nga fillimi i Marrëveshjes së Brukselit, artistët dhe përfaqësuesit e shoqërisë po arrijnë që të komunikojnë me njëri-tjetrin duke u fokusuar në shkëmbimet kulturore, por njëkohësisht duke diskutuar edhe të kaluarën por me vizion drejt një të ardhme stabile për të dy vendet. Qëllimi i këtij festivali tashmë është bërë i qartë.

Festivali synon që përmes prezantimit të artistëve dhe performuesëve të cilët përfaqësojnë skenën kulturore e bashkëkohore të Kosovës të bashkojnë komunitetet shoqërore e kulturore të Kosovës dhe Serbisë dhe të krijohet një traditë bashkëpunimi, që do të kontribuoj në arritjen e një normalizim të qëndrueshëm të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Këtë e theksoi edhe Fiona Jelici, nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (Serbi) në hapje të festivalit.

Fiona Jelici, nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (Serbi)

“Misioni i këtij festival është shkëmbimi kulturor dhe artistik në mes të Beogradit dhe Prishtinës. Është një mundësi që qytetarët e Beogradit ti njohin muzikantët, aktorët, dhe artistët, përfaqësues të artit modern dhe të skenës letrare në Kosovë. Sidoqoftë “Mirëdita, dobar dan!” Është më shumë se kaq është një hap drejt stabilitetit të dialogut dhe bashkëpunimit në mes të dy popujve”, tha ajo duke ju kërkuar të pranishmëve që të mbajnë një minutë heshtje për dramaturgun Petrit Imami, i cili ndërroi jetë më 20 maj.

Mirëpo barrierat që këto shtete kanë mes veti vërehen akoma në këtë festival. Pjesëmarrësit nga Kosova janë të parët të cilët e vërejnë këtë,  gjersa kontrollohen në pikëkalimin kufitar Merdare, nga policia e Serbisë,  nëse ata kanë simbole të shtetit të Kosovës të cilat nuk lejohen që të hyjnë në Serbi. Mirëpo ata besojnë në qëllimin e festivalit, dhe kjo e bënë gjithë punën më të lehtë, sidomos për faktin se miqtë e tyre në Serbi edhe këtë vit, si viteve të kaluara u bëjnë ballë protestuesve serbë të cilët janë kundër këtij festival.

“Kosova zemra e Serbisë”, “Shqiptarët nuk kanë kulturë për të dëshmuar” janë disa nga pohimet që kanë bërë disa protestues edhe ditën e djeshme në hapje të festivalit gjatë protestës së organizuar.

Zërat e protestuesve dhe thirrjet e tyre anti-shqiptare,  gjersa mbajnë fotografi të cilat sipas tyre shfaqin krimet që shqiptarët kanë bërë ndaj serbëve bëhen edhe më të mëdha kur fjalën në hapje të festivalit e marrin shqiptarët. Por, sipas Kushtrim Koliqit, nga organizata jo-qeveritare Integra nga Kosova i gjithë mundi për organizimin e këtij festivalit ia vlen.

Kushtim Koliqi – Integra

“Është shumë e vështirë të organizosh një festival por është edhe më e vështirë të organizosh një festival të tillë i cili organizohet në një ambient shumë toksik për shkak të marrëdhënieve politike në mes të dy vendeve. Dëshiroja që të falënderoj të gjithë që besojnë në festival, në idenë e tij, në ne dhe siç mund ta shihni edhe ata që duan të na bllokojnë nuk mund të na ndalojnë, sepse besojmë në vlerat e festivalit dhe kjo është e rëndësishme”, tha ai.

Vlerat që ka ky festival dhe mundësitë që ofron për bashkëpunim kulturor i theksoi edhe drejtoresha e organizatës Iniciativa Qytetare nga Serbia, Maja Stojanovic.

“Nuk është qeveria ajo që e sjellë stabilitetin, jemi ne përfaqësues të Shoqërisë Civile nga të dy vendet, të rinjtë nga Kosova dhe Serbia, kjo skenë kulturore dha një shansë për të bashkëpunuar që do të sjellë stabilitet, kjo është çfarë stabiliteti nënkupton dhe ky stabilitet do të jetë diçka që do të vazhdojë edhe me tej”, theksoi ajo.

Maja StojanovicIniciativa Qytetare (Serbi)

Hapja e festivalit e bëri video-instalacionin “Le të bëjmë dashuri” nga artisti Shkumbin Tafilaj. Në ekranin i cili ishte i shtrirë në tokë vëreheshin shkrime nomade,  ndërsa herë pas herë shfaqeshin fjalët “Le të bëjmë dashuri” në gjuhën shqipe, angleze dhe serbe. Ekrani ishte i rrethuar me dhe, dhe sipas artistit Tafilaj, e gjithë vepra është e bazuar në historinë e të dy vendeve.

 “Ajo që është shumë e rëndësishme është që të jetohet në paqe me dashuri dhe me respekt për njëri tjetrin dhe ky ishte motivi mbi veprën. Pastaj, vepra është zhvilluar në këtë koncept si videoinsatalacion i cili hyn në kategorinë e veprave post moderne përfshinë detaje shumë të rëndësishme të historisë sonë. Dheu, sjellë tokën e që është një mallkim për të dy palët pasi që synojmë territoret e njëri-tjetrit duke harruar që territori mund të shfrytëzohet e të jetohet edhe përmes një platforme tjetër që mundet me qenë dashuria e jo lufta”, theksoi Tafilaj, vepra e të cilit si detaj solli për publikun edhe alfabetin e Elbasanit.

Dita e parë e festivalit u përmbyll me shfaqjen e filmit “Nëntor i ftohtë” të regjisori Ismet Sijarina. Filmi përcjellë Fadilin, i cili punon si arkivist në një ndërmarrje shtetërore, në Kosovën e fillim viteve ’90, dhe duhet të zgjedhë mes dy opsione të gabuara! Në këtë mënyrë ai, jashtë vullnetit dhe dëshirës së tij, “gëlltit” turpin, ballafaqohet me imazhin e keq dhe duron presionin nga të gjitha palët.

Prezantimi i këtij filmi u përcjellë me duartrokitje të shumta nga publiku të cilat e befasuan edhe vet regjisorin. “Nuk e  prisja këtë”, tha Sijarina gjersa tregoi tutje se ka pasur dëshirë që të tregojë atë që ka ndodhur para fillimit të luftës, pasi që shumë pak në kinematografinë shqiptare i kushtohet vëmendje kësaj periudhe dhe më shumë viteve 98-99.

“Filmi jonë siç e patë është për fillimin e viteve të 90-ta. Është një histori e pa treguar të cilën menduan që duhet për ta ndarë edhe me të tjerët. Siç e patë kemi dashur që fundin ta lemë të hapur pasi që filmi nuk përfundon në fund të tij, ai nuk përfundon as kur ne të dalim nga salla pasi që kemi dashur që publiku të flasë për filmin dhe për atë se çfarë ka mundur që të ndodh edhe kur të dal nga salla në mënyrë që ata të mund të bëhen pjesë e filmit. Në të vërtetë as unë si regjisor nuk e di se çfarë ka ndodhur me Fadilin, por ka mundur që ti ndodh çdo gjë, ishin kohë të këqija”, theksoi ai.

Akori Fatmir Spahi (majtas) dhe regjisori Ismet Sijarina (djathtas)

Sonte në natën e dytë duke filluar nga ora 18:00 do të mbahet debati dhe promovimi i librit “ Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve”, ndërsa në ora 20:00 do të shfaqet filmi “Ferdonia”./ KultPlus.com

“Testamenti” i Sabri Hamitit

Vepra “Testamenti” e Sabri Hamitit, përmban shkrime kritike për letërsinë shqipe të bëra viteve të fundit. Shkrimet e kësaj vepre autori i ndan në tri pjesë: 1. Lirika shqipe, 2. Leksione dhe 3. Testamenti. Brenda këtyre cikleve autori përmbledh shkrimet e tij duke filluar nga P. Bogdani, Jeronim De Rada,Naim Frashëri, Ndre Mjedja, Gjergj Fishta, Lasgush Poradeci, Esad Mekuli, Azem Shkreli (Të gjitha këto në pjesën me titull të përbashkët Lirika Shqiper). Ndërkaq, në pjesën me titull të përbashkët: Leksione, autori bën fjalë për shkrimet dhe veprat për Skënderbeun. Ndër të tjera këtu Sabri Hamiti merret me veprat e Marin Barletit, Frang Bardhit, Jeronim De Radës, Naim e Sami Frashërit, Ndre Mjedjes, Ernest Koliqit, Beqir Musliut, Gjergj Fishtës, Çajupit, Xanonit, Et`hem Haxhiademit, Ismail Kadaresë, Bilal Xhaferrit etj. Këtu përfshihen edhe shkrime për autorë e vepra të tjera të letërsisë shqipe, vepra këto që i trajton Sabri Hamiti në shkrimet e veta edhe më parë.

Në pjesën e tretë të kapitullit “Testamenti”, prej nga e merr titullin edhe libri, Sabri Hamiti, si thekson vetë në parathënien e librit bëhet shënjimi i të dhënave letrare në këtë kohë, autorë, vepra, stile, indivdualitete, formacione, të gjitha në një sistem të lidhur për të krijuar raportin e komunikimit të tërësishëm letrar brenda sistemit të letërsisë nacionale.

Mund të thuhet se shkrimet e përfshira në këtë vepër me ide e procedime letrare lidhen domosdoshmërisht në një sistem me librat pararendës: “Bioletra”, “Tema-tologjia”, “Albanizma” dhe “Utopia letrare. E veçanta e shkrimeve të tij për letërsinë është analiza, interpretimi, vlerësimi, por edhe ligjësimi përgjithësues në fund. Në këtë mënyrë ai krijon rend vlerash, të cilin e bën pas analizash e interpretimesh, pas rileximesh për të dëshmuar se veprat që merr në shqyrtim u qëndrojnë kohëve, janë përtej shijeve e modave kalimtare. Rexhep Ismajli për veprën e Sabri Hamitit ka thënë: “Sabri Hamiti ka ardhur me frymëzimin dhe talentin e interesave të ndryshme nga të tjerët. Ka manifestuar prirje për poezi dhe talent që nuk është shteruar kurrë. Studimet për letërsi i ka marrë ndryshe nga të tjerët”. Ndërkaq Akademik Ali Aliu e ka cilësuar S.Hamitin si shkrimtar me peshë të veçantë në letërsinë kombëtare për faktin se është studiues dhe historian i letërsisë shqipe, poet e prozator dhe dramaturg.

Duke folur për letërsinë moderne përgjithësisht studiuesi Sabri Hamiti vë në dukje se modernizmi në art thekson vetitë e fenomeneve që janë bashkëkohore, që tejkalojnë traditën dhe sjellin risi. Prandaj përgjithësisht në letërsi modernizmi përdor mjete të reja artistike, kërkon forma të reja artistike dhe struktura të reja.

Në pjesën e tretë të kësaj vepre me titull Testamenti S.Hamiti ka përfshirë punimet e shkurtra, por koncize dhe në formë rezymesh të studimeve të tij të mëhershme për këto probleme letrare për letërsinë filobiblike, letërsinë romantike shqiptare për të arritur te letërsia moderne.

Letërsia moderne është “një formacion letrar mbasromantik, që zotron gjysmën e parë të shekullit XX me dy periudha apo me dy breza krijuesish, paramoderne (autorët që nisin botimet mbas vitit 1900) e moderne (autorët që nisin botimet në vitet `20)”. Duke definuar letërsinë moderne në përgjithësi po edhe atë shqiptare S. Hamiti përfundon se në letërsinë moderne artikulimi letrar nuk mbështetet më në subjektivitet e himnizim, por në individualitet e në referenca, duke prodhuar më fort stile individuale e jo stil të formacionit, pra një letërsi me zotërim kritik. Autori këtë nismë të letërsisë moderne shqiptare e lidh me vitin e botimit të revistës së mirënjohur “Albania” të Faik Konicës duke konstatuar se në këtë formacion letrare zhvillohen të gjitha format e letërsisë: poezi, prozë, dramë kritikë letrare.

Në vazhdim S. Hamiti përmend autorët dhe veprat e tyre si nismëtarë të kësaj letërsi te shqiptarët dhe fillon me Çajupin për të vazhduar mandej me Fishtën, Asdrenin, Konicën, Nolin, Mid`hat Frashërin. Në veprat e të gjithë këtyre autorëve S. Hamiti gjen elemente të letërsisë moderne dhe i vë në dukje ato më karakteristioket. Po e zëmë te Çajupi “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndër”, “Pas vdekjes”, “Baba Tomori”, Baba Musa lakuriq”. Te Gjergj Fishta dallon epin nacional “Lahuta e Malcis”, por edhe vepra të tjera të këtij autori, por edhe shqyrtimet e problemeve estetike dhe të kombit shqiptar. Edhe në vepra të tjera, në dramaturgji, në tragjeditë e tij, në melodramat etj., të Fishtës S. Hamiti gjen elemente të rëndësishme të letërsisë moderne për të vazhduar mandej me veprën e Asdrenit. Faik Konicën e karakterizon si nismëtar të modelit kritik letrar shqip. Po meritë e veçantë e Faik Konicës përmendet edhe botimi i “Albanisë”, revistë kjo ku u botuan shumë shkrime të kësaj kohe nga fusha e kritikës dhe eseistike duke i promovuar shkrimtarët e brezit të vet. Madje S. Hamiti thotë se Faik Konica u bë themelues i kritikës së artikulimit subjektiv madje sprovoi ta bëjë edhe teoretizimin e saj. Po autori thekson gjithashtu se Konica provoi pendën e tij edhe në proza poetike dhe ato alegorike. Fan Noli shfrytëzoi në veprën e tij tematikat që lidheshin me figurat biblike të përthyera me ngjarjet e kohës, të botës së tij dhe tëbotës shqiptare në përgjithësi. L.Poradeci trajtoi tema të rinisë: dashuria, flijimi, përjetësi dhe në strukturën e tij tematike mbizotëron metafora. Ndryshe nga Poradeci, Ernest Koliqi harmonizoi temat shqiptare me stilet e epokës në poezi e veçanërisht në prozë.

Autori Sabri Hamiti duke kaluar nga autori te autori tjetër të kësaj periudhe, nga vepra në vepër jep shkurtimisht karakteristikat themelore të tyre, veçoritë dhe vlerat e tyre dhe në këtë mënyrë na e jep një pasqyrë të fillimeve dhe të zhvillimit të letërsisë moderne shqipe. P.sh. për E.Haxhiademin autori thotë se u bë i njohur duke trajtuar tema lirike të tragjedisë në stilin klasicist në strukturë dhe formë

Një vend të veçantë në këtë studim zënë edhe autorët si: Lasgushi, Koliqi, Haxhi-ademi, Kuteli, Migjeni, Spasse, Musine Kokalari etj. S. Hamiti shkruan mandej për individualizimin stilistik të autorëve që kalon përtej formave letrare e gjinive, për artikulimin përfundimtar të poezisë moderne, zotërimin e metaforës e të librit poetik, realizimin estetik të tregimit modern, pikësimin e dramës neoklasike, tregimet e lidhura dhe lindjen e romanit social e me tezë, opinionet moderne për letërsinë shqipe e të huaj, revistat me pikëpamje të përdalluara letrare etj.

Autori merr në shqyrtim veprat e autorëve që me veçoritë e tyre plotësojnë kriterin për t`u radhitur në grupin e veprave që i përkasin letërsisë moderne shqipe. Prandaj është e arsyeshme të theksohet se në këtë kohë jeta intelektuale dhe kulturore shqiptare kishte arritur nivelin e zhvillimit të vet, kurse letërsia moderne shqipe ishte bërë pjesë e kësaj jete. Kjo periudhë qe një lloj kohe e artë që solli një lulëzim edhe ë jetës letrare, por qe tepër e shkurtë në hije të katastrofës që do të ndërpriste dhe do të shfaroste gati tërë prodhimtarinë letrare dhe kulturore për afro gjysmë shekulli.

Duke shkruar për letërsinë moderne dhe veçoritë e saj Sabri Hamiti thekson ndër të tjera se letërsia moderne e fundit të shekullit nëntëmbëdhjetë dhe e fillimit të shekullit njëzet lidhet me fenomenet e bashkëkohësisë duke tejkaluar traditën për të krijuar forma të reja me ndieshmëri të re. Pra kjo letërsi moderne shqipe nis në agun e shekullit njëzet dhe kryesisht lidhet me autorët që vijnë pas Naimit, sepse autorët e kësaj periudhe kërkojnë krijimin e individualitetit të vet letrar duke krijuar forma të reja letrare, stil të ri dhe ndieshmëri që lidhet me bashkëkohësinë.

Këto veçori të letërsisë moderne shqipe Sabri Hamiti i gjen në veprat e autorëve që i merr në shqyrtim në pjesën e tretë me titull Testamenti në librin që gjithashtu mban këtë titull, botim i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

(Drita Rrahmani Aliu , Studente e Masterit ne Universitetin e Prishtines.)

BimBimma me 5 qershor promovon librin “PO E ZI”

Reperi shqiptar, BimBimma i cili njihet dhe shquhet për tekstet e tij të veçanta po sjellë diçka të re për fansat. Këtë herë nuk bëhet fjalë për ndonjë projekt muzikor, por për një libër.

Ai ka bërë të ditur se me datën 5 qershor do të promovojë librin e tij të ri që titullohet “Po e zi”. Libri do të promovohet në “Menzen Ramiz Sadiku” në Lagjen Pejton në kryeqytet.

Poashtu ky libër do të jetë pjesë e Panairit të Librit që do të fillojë nga data 5 deri më 8 qershor, i cili mbahet në Prishtinë.

“Me 5 qershor në Menzën “Ramiz Sadiku” Pejton prej orës 19:00 mbahet promovimi i librit “Po e zi” moderuar nga Elvis Hoxha. Libri do të prezantohet edhe në panairin e librit 5-8 Qershor”, ka shkruar reperi në mesazhin për me ndjekësit në Instagram.

Nga ana tjetër, BimBimma është mjaft aktiv edhe me projekte muzikore. Të fundit këngë që ka lansuar është “Reality Check” në bashkëpunim me DOZA. /Telegrafi/ KultPlus.com

Kuvendi i Dibrës më 1878 kërkonte formimin e Vilajetit të Shqipërisë

Kuvendi i Dibrës u mblodh më 1 nëntor 1878 nën kryesinë e Iljaz Pashë Dibrës.

Kuvendi miratoi rezolutën në trajtë memorandiumi, e cila përmbante 5 pikat që shtroheshin në programin e Komitetit të Stambollit: formimi i vilajetit të Shqipërisë, krijimi i administratës me nëpunës shqiptarë, zhvillimi i arsimit në gjuhën shqipe, zbatimi i reformave nga Kuvendi i Madh, përdorimi i një pjese të konsiderueshme të buxhetit për përparimin e arsimit dhe për ndërtime botore.

Në rezolutë thuhej gjithashtu se këto kërkesa do t’i paraqiteshin brenda 1 muaji portës së Lartë me anë të një delegacioni të përbërë nga personalitete të shquara të Shqipërisë, të cilët do merrnin pëlqimin me shkrim nga të gjitha kazatë dhe sanxhakët shqiptarë.

Rezoluta iu paraqit Portës së Lartë në fillim të shkurtit 1879.

Festivali i Gastronomisë Shqiptare, edhe në Prishtinë

Gjatë Konferencës Ekonomike të Bizneseve të Diasporës Shqiptare u fol rreth Festivalit të Gastronomisë Shqiptare që do të mbahet në Berlin në nëntor të këtij viti, shkruan albinfo.ch.

Por tashmë, një festival i tillë do të mbahet edhe në Prishtinë, gjatë datave 13-14 korrik, në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Tashmë është lansuar edhe videoja promovuese e këtij festivali. “Prishtinë, a je gati për Prishtina Gastronomy Festival?”, thuhet në mbishkrimin e videos.

Gjatë muajit maj një festival për gastronominë shqiptare për herë të parë është mbajtur edhe në Athinë të Greqisë. / albinfo.ch / KultPlus.com

Aktori i Game of Thrones” Në fillim të xhirimeve të filmit nuk kisha para, flija në furgon

Jason Momoa i bëri për vete adhuruesit me rolin e Khal Drogos në serinë Game of Thrones, pas së cilës vazhdoi të luante role dhe të arrinte suksese gjithnjë e më të mëdha. Sot ai e ka një jetë luksoze, ndërsa dikur nuk kishte para as për biletën e aeroplanit, të cilën e kujtoi.

“Po e kërkoja telefonin tim dhe e gjeta këtë. Fotografia është bërë në një nga parkingjet e makinave në Irlandë ku isha me mikun tim më të mirë. Atëherë po e bënim një pushim nga xhirimi i ‘Game of Thrones’, por nuk kishim para të shkonim në shtëpi kështu që e morëm me qira një furgon dhe udhëtonim nëpër Irlandë duke e kërkuar versionin më të mirë të Guinnessit,” shkroi aktori i ri në Instagram, duke shtuar se pikërisht atëherë e zbuloi se Guinness ishte njësoj i mirë në të gjitha vendet, shkruan KOHA Ditore.

Ai shtoi se atëherë u takua me shumë njerëz të shkëlqyer dhe përjetoi momente edhe më të bukura, dhe se do t’i kujtojë përgjithmonë ato.

“Ende më mungon familja ime, ndërsa më duket sikur po filloj vetëm tani,” shkroi dhe e përfundoi tekstin me fjalinë se nga miku i tij Brian do të kërkonte më shumë fotografi.

Edhe pse Momoa u shfaq vetëm në sezonin e parë, ai vazhdoi ta ndiqte ekipin nëpër të gjitha shtatë sezonet e mbetura dhe i mbështeti ata me gjithë zemër deri në fund. / KultPlus.com

Në Shtëpinë Muze ‘Kadare’, nga telefoni i kuq, te dorëshkrimet e ‘Gjeneralit’

Telefoni i kuq mbi komo është ende i lidhur me një tel të zi të dalë nga muret. Dera përbri tij, të çon në dhomën e fëmijëve dhe sfungjerët që shërbejnë si mbushës i hapësirës mes murit dhe drurit, janë të dalë dukshëm.

Jemi në Shtëpinë-Studio Kadare që shënjon muzeun më të ri në kryeqytet e ku mund të takojmë gjurmët e lëna nga shkrimtari Ismail Kadare në vitet që jetoi në të, shkruan Fatmira Nikolli në “Gazetën Shqiptare”.

Një koleksion llullash është vendosur në atë që ishte biblioteka e tij personale në dhomën me oxhak. Janë në të librat në gjuhë të huaja, dhe ka qenë për shkrimtarin zona më personale. Nuk i afrohesh dot oxhakut, as llullave, sepse punonjësja e re, nuk të lejon të kalosh matanë vijës së verdhë ku shkruhet në dy gjuhë urdhri ndalues.

Dhomat ku jetoi tashmë janë të hapura, dhoma e gjumit të çiftit është bërë dhomë për studentët që duan të bëjnë kërkime, dhoma e gjumit të fëmijëve është kthyer në dhomën e filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, ku gjenden gjithë letërkëmbimet e shkrimtarit në atë kohë deri në realizmin e filmit, lejet e marra, letrat për artistët që do bëheshin pjesë e filmit, letrat që tregojnë ftesat që iu bënë në Francë për takimin me kineastët e huaj.

Një dhomë që dikur ka shërbyer si kuzhinë, është dhoma e filmave që kanë autorësinë e tij dhe të bashkëshortes në skenar. Dhoma e madhe lidhet me një derë xhami me studion e bibliotekën e tij. “Letra e murit mungonte atëherë në Shqipëri, ndaj ai e ka sjellë nga Franca”, thotë shoqëruesja. Nuk janë vetëm dorëshkrimet e “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur” që janë gjetur në atë shtëpi nga grupi i arkitektëve që u mor me të, nuk është vetëm makina e shkrimit, ajo origjinalja me të cilën në dhomën me oxhak shkroi “Kronikë në gur”, as vetëm koleksioni i llullave a sendet personale të vajzave, fotot e Helenës, librat në gjuhë të huaja të vetë shkrimtarit, karriget e atëhershme, as vetëm veprat e Lasgushit në sirtaret e dhomës së ndenjes; shtëpia -studio Kadare ruan kujtimet e një kohe që shenjoi një prej kohëve më të errëta për shkrimtarit e Shqipërinë. Dritarja e dhomës së gjumit sheh nga ai që njihej si “Bulevardi Broduej”.

Në mure janë vënë vite të ndryshme të krijimtarisë së tij ndërsa më xhama, fraza të shkëputura nga veprat. Fotografi familjare dhe personale të shkrimtarit kanë zënë vend jo vetëm në sirtare kur janë gjetur aty, por edhe në mure për të përçuar mesazhe të caktuara si fotografia me Helenën në atë që ishte dhoma e gjumit apo dhoma e filmave të ndryshëm ku të dy ata kanë qenë skenaristë. Pamje të Tiranës në vitet 1980 shfaqen në ekranet e dhomës së filmit, sikundër fotografia e aktorit të njohur italian Marcelo Mastrojani në dhomën e “Gjeneralit”. Tirana e vjetër është printuar edhe si perde edhe në foto bardh e zi për të vënë vizitorët përballë qytetit të kahershëm që u bë qyteti në të cilin Kadare u bë mjeshtër i letërsisë dhe “mjeshtër shahu” përballë diktatorit, siç shprehet një studiues për të.

Raftet e librave janë po ata që pat zgjedhur vetë Kadareja për secilën dhomë. Sirtarët me sendet personale po ashtu, siç janë dhe librat me faqe të përthyera lënë prej s’dihetsekurit në ecejaket e çastet kur rrinte përballë tyre. Frazat e tij ilustrojnë muret deti edhe tavanin ku gjen vend “tirania e fjalës”.

Mbi parketet prej druri vetëm dhoma e madhe e ndjenjës ka tapet ndërsa në të tjerat ndjen ende kërcitjen e hapave.

Shtëpia me dy dyer, njërën publike e tjetrën private tashmë si studio muze nuk i lë asgjë imagjinatës për kohën kur Kadareja jetonte mes suksesit e frikës, se telefoni i kuq mund të tringëllinte e nga ana tjetër kushedi ç’frazë do kumtohej në ditët e netët e gjata të vetmisë së madhe.

A ishte ajo jeta e shkrimtarit pas perdeve, përballë oxhakut, në shtëpinë me libra? Televizori bardhezi, tryeza e punës, karrigia ndanë oxhakut, shënimet e skulpturat janë veçse një dëshmi.

Muzeu është investim i bashkisë Tiranë dhe ka pasur ndihmën në kërkim e realizim të Ditjon Baboçi, Arba Baxhaku, Frida Pashako, Nevin Bilali, Iris Baboçi, Mirela Koçollari, Iris Elezi, Thomas Logoreci, Erand Meça si edhe këshillat e Piro Misha, Anna Shkreli, Bujar Hudhri, David Bello, Fatos Baxhaku, Piro Milkani, Petrit Kumi, etj.

Shtëpia-muze e Katarina Josipit, së shpejti pritet inaugurimi

Ka kaluar një dekadë qysh kur janë iniciuar punimet për ta shndërruar në muze, shtëpinë e lindjes së aktores Katarina Josipi.

Shtëpia-muze, objekt i mbrojtur me ligj si pjesë e trashëgimisë kulturore, është pronë e familjes Dulaj dhe ndodhet në fshatin Zym të Hasit, transmeton KTV.

Inaugurimi dhe hapja për vizitorë është paralajmëruar të bëhet këtë javë.

Gjashtëdhjetë (60) mijë euro janë investuar dhe tre tenderë janë hapur qysh prej vitit 2009 për kryerjen e punimeve restauruese në shtëpinë-muze, në të cilën do të ruhen eksponatet që lidhen me jetën dhe veprimtarinë e aktores së parë shqiptare në Teatrin Kombëtar të Prishtinës.

Nikollë Dulaj, familjar i Katarina Josipit, shpjegon kronologjinë e problemeve të shfaqura gjatë punimeve restauruese.

Samir Hoxha, Këshilltar i Ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi, nuk ka folur për arsyet e zvarritjes 10-vjeçare të punimeve, duke thënë se kjo u takon pararendësve të Gashit.

Me gjithë paralajmërimet për inaugurimin e objektit, Ministria e Kulturës nuk ka iniciuar procedura për punësimin e stafit menaxhues të shtëpisë-muze.

Frrok Kristaj, i cili është një nga iniciuesit që shtëpia e aktores së njohur të hapet si muze aktiv për vizitorë, e sheh të domosdoshëm angazhimin e stafit menaxhues.

Katarina Josipi është një prej personaliteteve me të cilat krenohet Zymi i Hasit. Ajo u lind në këtë fshat por nuk jetoi gjatë aty, meqenëse babai i saj Gjini, migroi në Nish të Serbisë.

Shtëpia ku u lind ajo u dëmtua dhe gati sa nuk u rrafshua. Por pas ndërhyrjeve, objekti u ringrit.

Sipas databazës së trashëgimisë kulturore të Ministrisë së Kulturës, themelet dhe muret mbajtëse të kësaj shtëpie, janë ndërtuar prej materialit të gurit vendor, me madhësi të ndryshme të lidhura me llaç balte.

Kulmi është i mbuluar me pllaka guri, që është karakteristikë e fshatit, derisa enterieri i kësaj shtëpie pritet të plotësohet me fotografitë që dokumentojnë gjurmët e karrierës artistike të Katarina Josipit.

30 vjet nga rënia e veprimtarit të çështjes kombëtare, Ali Ajetit

Veprimtari i çështjes shqiptare, Ali Ajeti, ishte vrarë më 30 maj 1989 në luftë me forcat serbe në fshatin Shtedim të Podujevës.

Sot shënohet përvjetori i 30-të i vdekjes së Ajetit, i cili u lind në fshatin Laberion (ish Sfeçël) të komunës së Besianës. Ai qysh herët u nis rrugës së lirisë dhe ishte i dalluar në aktivitetet për çlirimin e vendit.

Ngjarjet historike dhe demonstratat e vitit 1981, Aliun do ta gjejë të angazhuar me gjithë qenien e tij me grupet e studentëve, në aktivitetet për të cilat ishte angazhuar që në fillim. Ali Ajeti ishte nga veprimtarët politik që i kishin dhënë emër kërkesave të shqiptarëve në Kosovë që nga pranvera e vitit 1981 e 1982 me demonstratat masive.

Ajeti pas vuajtjes së burgut politik 1984 – 1988, i përkiste tashmë një rrethi të veprimtarëve të vendosur, të gatshëm për të u sakrifikuar për lirin e Kosovës. Ai i takonte një grupi të organizuar dhe të armatosur të cilët organizonin demonstrata dhe sulme mbi okupuesit. Veprimtaria e këtij grupi i përkiste “Çështjes Kombëtare”.

Ky grup më vonë (dhjetor 1989) u quajt “Çeta e Llapit”. Para 27 vitesh dëshmori i kombit Ali Ajeti u bë theror lirie dhe i dha emrin ditës. Ali Ajeti ishte sinonim i trimërisë, i devotshmërisë për atdheun, i vetëmohimit, përkushtimit dhe sakrificës. Ai që nga rinia e hershme e tij ishte përcaktuar për luftë të pa kompromis kundër pushtuesit dhe nuk u ndal asnjëherë. Nga rruga e lirisë nuk mundën ta ndalin as burgjet, as ndjekjet, as vuajtjet as rreziqet.

Nga rruga e lirisë e ndalën plumbat e policisë vrastare të okupatorëve para 27 viteve. Armiqtë, me plumba e ndalën jetën e tij, por jo idealin e tij – çlirimin e Kosovës. Ali Ajeti pas vuajtjes së burgut politik 1984 – 1988, i përkiste tashmë një rrethi të veprimtarëve të vendosur, të gatshëm për tu sakrifikuar për lirin e Kosovës.

Më 30 maj 1989 Ali Ajeti në luftë me forcat serbe bie heroikisht në fshatin Shtedim të Besianës. Sot emrin e këtij heroi e mbajnë shkolla në fshatin e lindjes në Laberion aty ku i mori mësimet e para. Po ashtu emrin e tij e mbajnë edhe rrugë, shoqata humanitare, kulturo-artistike, etj. / kohaditore / KultPlus.com

Ushtaraku që bëri për vete gruan më të bukur shqiptare

Nga Erald Kapri

Selaudin Blloshmi konsiderohet një prej ushtarakëve më të talentuar shqiptarë me një kontribut të madh në historinë e Shqipërisë.

Djali i Hajdar Blloshmit, firmëtarit të pavarësisë që përfaqësoi zonën e Pogradecit, Blloshmi u edukua në Francë dhe Egjipt në shkolla ushtarake. Tepër i ri, Blloshmi u kthye në krahun e djathtë të Themistokli Gërmenjit në themelimin e Republikës së Korçës, dhe në 1920, ai do të ishte protagonist në shtrirjen e autoritetit të qeverisë së Kongresit të Lushnjës që kulmon me firmosjen e Protokollit të Kapshticës, një triumf i shqiptarëve në raport me Greqinë.

Selaudin Blloshmi do të jepte kontribut më tej në ushtrinë shqiptare por edhe në diplomaci. Ai shërbeu në vitet 1926-1928 si ambasador i Republikës Shqiptare në Rumani, e më pas do të kthehej në krahun e djathtë të Mbretit Zog në organizimin e ushtrisë shqiptare.

Por ushtaraku i rrallë shqiptar njihet edhe për sharmin e tij me të cilin bëri për vete gruan më të bukur shqiptare, Sarah, mbesën e Ismail Qemalit. Nga martesa e tyre lindi Vera, një piktore me famë ndërkombëtare gjatë jetesës së saj në Britaninë e Madhe. Çifti Selaudin dhe Sarah Blloshmi u kthyen çifti më i famshëm në Shqipërinë e viteve 20-30, duke u kthyer në simbol të emancipimit të shoqërisë.

Selaudini u nda shpejt nga jeta në fillim të viteve 30. Gjithashtu, familja e tij pësoi drama të shumta. Dy vëllezërit e tij u vranë nga komunistët në luftë, mes tyre edhe Haki Blloshmi, ndër të paktët shqiptarë që kishte studiuar në Universitetin e Harvardit për shkenca politike e që kishte shërbyer për pak kohë si sekretar i Fan Nolit.

P.S. Në foto Kolonel Selaudin Blloshmi, në një paradë ushtarake të mbretërisë të sapoformuar shqiptare; nga arkivi i familjes Pietro&Larissa Quarone, dhe Sarah Blloshmi me të bijën,Vera./Mapo.al/KultPlus.com

Elizabeth Siddall, muza fatkeqe e piktorëve

Nga: Jackson Arn
Përktheu: Tobias Xhaxhiu

Oskar Wilde ishte si gjithmonë i saktë kur shkroi se jeta imiton artin më shumë se arti jetën. Nëse dyshoni në këtë, mos kërkoni më tej nga karriera e shkurtë dhe e pakënaqur e Elizabeth Eleanor Siddallit, gruas që ishte një muzë, një dritë udhëheqëse dhe një kurban i Para-Rafaelitëve.

Më 1848, teksa ndërtuesit e botës ishin të zënë me unifikimin e saj, tre artistë të rinj anglezë – Dante Gabriel Rossetti, William Holman Hunt dhe John Everett Millais – shpallën një revolucion. Duke e quajtur veten Vëllazëria Para-Rafaelite, ata e bënë të qartë se çfarë po synonin në punën e tyre. Idhujt e tyre ishin mjeshtërit si Botticelli dhe Bellini – Artistët e Quattrocentos që kishin mbushur pëlhurat e tyre me ngjyra të ndritshme dhe me pasion të ngrohtë në dekadat para se arti italian të ngrihej në Manierizëm. Duke i bërë jehonë atyre, Para-Rafaelitët u përpoqën të përcjellin një lloj bukurie të pazakontë – në mënyrë sublime dhe të brishtë në të njëjtën kohë.

Ata specializohen në pikturimin e muzave fatkeqe të miteve dhe poezisë: Beatrice, Proserpina, Zonja e Shalottit… Është e habitshme pra se Ofelia e Millaisit (Sir John Everett Millais, 1851-52) është njohur si piktura etiketuese e rrymës Para-Rafaelite. Në aktin IV, skenën e VII-të të “Hamletit” të Shekspirit (William Shakespeare), mësojmë se Ofelia, e premtuara e Hamletit për martesë, vetëvritet duke u mbytur në lumë.

Më poshtë është versioni i Rembosë (v.p.)

“Më se njëmijë vjet Ofelia e butë Lundron,
si vegim i bardhë, në lumin e zi.
Më se njëmijë vjet kjo e çmendur e urtë
I pëshpërit puhizës romancën e saj gri
– Dhe rrezeve yjore, Poeti thotë ndërkaq,
Se natën kërkon lulet që këpute ti,
Dhe se mbi ujë ka parë, shtrirë vellos së gjatë,
Që si zambak lëkundej e bardha Ofeli.”

Skena ofroi tablonë e përsosur për Millaisin: idilike e tmerruese, surreale, me vetëm një prekje erotizmi. Për të kapur çastin para se Ofelia zhytet për të gjetur vdekjen, ai kaloi pesë muaj në brigjet e lumit Hogsmill në Surrey. Gjatë asaj kohe u përball me erën, shiun, mizat dhe me më shumë se një njoftim për shkelje rregullash: “Sigurisht që pikturimi i një tabloje në rrethana të tilla”, shkroi ai në atë kohë, “do të ishte një dënim më i madh për vrasësin sesa varja”.

Por, Millais nuk ishte i vetmi që vuajti. Ai ende kishte nevojë për një Ofeli dhe e gjeti një të tillë te Elizabeth Siddall. E lindur në 1829, nga prindërit e klasës punëtore, Siddall u rrit duke lexuar Shekspirin dhe Walter Scottin dhe duke shkruar melankoli, poezi të ngarkuara me imazhe në stilin e Alfred Lord Tennysonit, i cili ishte njëfarë Para-Rafaelit nderi.

Në vitin 1849, Siddall po punonte në një dyqan kapelash kur takoi Walter Deverellin, një mik të Millaisit, i cili sapo kishte nisur punën në një pikturë të bazuar te “Nata e dymbëdhjetë” dhe që kishte nevojë për një grua të re dhe të bukur që do t’i shërbente si modele për Violën. Nëpërmjet Deverellit, Siddall takoi shumicën e Para-rafaelitëve të tjerë të dalluar që dukeshin më të interesuar në pamjen e saj sesa në talentet e saj artistike.

Rossetti, i cili u bë bashkëshorti i saj në 1860, shkroi për “flokët si fije bakri” dhe për mishin e saj të freskët, që dukej “sikur një trëndafil i vogël që rritej nën lëkurën bardhoshe”. Ajo pozoi për mjaft piktura të Rossettit dhe ndjekësve të tij, duke modeluar shpesh personazhet me të cilat qe dashuruar në fëmijëri.

Për Ofelinë, Siddall kaloi pesë muaj e zhytur në një vaskë. Në mënyrë që të pikturonte subjektin e tij gjysmë të zhytur për orë të tëra pa ndërprerje, Millais përdori llambat e ngrohjes speciale për të nxehur ujin. Një ditë, llambat reshtën së punuari dhe, pak kohë më pas, Siddall kaloi në pneumoni (gjë jo për të qeshur në Britaninë Viktoriane). Sëmundja u tregua kaq serioze, saqë babai i saj kërkoi që Millaisi të paguante 50 funte të asaj kohe (asgjë për të qeshur, gjithashtu) për tarifat e saj mjekësore. Millais u pajtua për një shumë të vogël, duke stampuar kështu modelin e marrëdhënies që do të shënjonte pjesën e mbetur të jetës së Siddallit: përsëri e përsëri ajo do të sakrifikonte shëndetin dhe lumturinë e saj për suksesin e piktorit, duke mos marrë kurrë sa duhet në këmbim.

Si shumë kryevepra jetëgjata, Ofelia fillimisht u perceptua me konfuzion. Madje, edhe kritiku John Ruskin, trumbetari më i zjarrtë i Para-Rafaelitëve, kishte dyshimet e tij. Por, brenda pak dekadave, reputacioni i pikturës ishte rritur duke u parë si kurorëzim i karrierës së Millais. Ndaj sot ju do ta keni të vështirë të imagjinoni lëvizjen Para-Rafaelite pa të.

E njëjta gjë meriton të thuhet për Sidallin. Në dekadën që çoi në vdekjen e saj, ajo nuk do të modelonte vetëm për artistë të tjerë; por skicoi, pikturoi, dhe mbi të gjitha shkroi. Në vend që thjesht të përsëriste personazhet e Para-Rafaelitëve në punën e saj, ajo jetoi dhe frymoi me ata trupa, duke përjetuar kontradiktat e tyre. Një nga gjërat më të habitshme rreth Siddallit është sesa afër tragjedisë së saj qëndron ajo e Ofelisë. Duke vajtuar babanë e saj të vrarë dhe e refuzuar nga Hamleti i heshtur, Ofelia është dënuar të vdesë jashtë skenës, në hije, si një shënim i zbehtë në historinë e dikujt tjetër.

Siddall u takua me Rossettin më 1850 dhe u bë e dashura e tij pothuajse menjëherë. Teksa lidhja e tyre po piqej, bëhej gjithnjë e më e pasigurt, për shkak të natyrës famëkeqe prej donzhuani të Rossettit, duke u shqetësuar për të ardhmen kur bukuria e saj do të fanitej. Shkurtimisht, ajo e përshkroi veten përmes lentës estetike të burrit të saj: “Ulur qëndroj në këmbët e Zonjës sime/ Duke vështruar përmes syve të saj të egër/ Duke përfytyruar se si dashuria ime do të fluturojë/ Kur bukuria e saj yllndjellëse të vdes”.

Pas shumë vitesh e trajtuar si një muze nga miqtë, mentorët dhe të dashurit, ajo filloi të mendonte për veten në të njëjtat terma: e bukur, e brishtë, e disponueshme. Siddall humbi vetëbesimin. Humbi peshë. Humbi fëmijën. Madje humbi, me kërkesën e çuditshme të bashkëshortit të saj, një nga L-të në mbiemrin e saj. Më 1862, disa muaj pasi kishte vuajtur një abort, piu shumë laudanum dhe humbi, në moshën 32 vjeçare, edhe jetën e saj.

Siddall mund të ketë dashur të vrasë veten – legjenda thotë se Rossetti i dogji shënimet e saj për të shmangur një skandal – ose mund të ketë bërë një gabim fatal teksa përpiqej të mpinte dhimbjen depresive.

Pothuajse tre dekada më vonë, Wilde botoi “Portretin e Dorian Greit”, një satirë e estetikës që kishte frymëzuar Para-Rafaelitët (që për një kohë impresionuan vetë Wilden). Karakteri protagonist është një djalosh i heshtur, që ka rënë në dashuri me bukurinë për hir të bukurisë, e që shpreson që kurrë të mos plaket. Ai josh një grua të klasës punëtore me lëkurë të pastër dhe me “flokë bakri” të cilën miku i tij e krahason me Ofelinë; dhe, kur mërzitet me të, ajo vret veten. Emri i gruas është Sibyl. Ky s’ishte me të vërtetë një rast i imitimit të artit. Ky ishte art në imitim të jetës duke imituar artin.

Siddall modeloi për dhjetëra piktura të Millaisit dhe miqve të tij, por ekzistenca e saj ishte tashmë një ethe melankolike – një ëndërr përtej çdo gjëje që Para-Rafaelitët ishin të aftë të imagjinonin. Pas 150 vjetësh përbuzjeje, nënvlerësimi dhe neglizhimi, është e drejtë t’i thuhen asaj fjalët e fundit: “Mos u pikëllo me lotët e tua të hidhur/ Jetën që kalon me shpejtësi/ Portat e qiellit do të hapen/ E do t’më marrin më në fund”. /Shqip/Telegrafi/

31 thënie nga Ciceroni, oratori i përjetshëm i historisë

1- Të jesh injorant i asaj që ka ndodhur kur ti s’kishe lindur, është të mbetesh gjithmonë fëmijë.

2- Miku është një vetvete e dytë.

3- Një shtëpi pa libra është një trup pa shpirt.

4- Aftësia pa nder është e padobishme.

5- Këshillat në pleqëri janë marrëzi; e çka mund të jetë më absurde se të bëjmë parashikimet tona për rrugën që na ka mbetur pranë mbarimit të udhëtimit tonë.

6- Çdo njeri mund të gabojë, por vetëm një idiot këmbëngul në gabimin e tij.

7- Të folurit shkurt është magjia e vërtetë e elokuencës. Kjo vlen si për senatorin, ashtu edhe për oratorin.

8- Frika nuk është një mësues afatgjatë e detyrës.

9- Loti i dhimbjes thahet shpejt, sidomos kur derdhet për fatkeqësitë e të tjerëve.

10- Sa e sa gjëra të cilat nuk do t’i bënim kurrë për hir të vetvetes, i bëjmë për hir të miqve tanë.

11- Liria është pushteti natyral i njeriut për të bërë çfarë i pëlqen, për aq sa kohë ai nuk ndalet prej forcës së ligjit.

12- Nuk më duket i lirë ai njeri që nganjëherë nuk bën asgjë.

13- Nuk më vjen turp të tregoj se jam injorant për gjërat që nuk i di.

14- Unë kritikoj duke krijuar – jo duke gjetur gabime.

15- Unë kurrë nuk admiroj fatin e dikujt tjetër aq shumë sa të bëhem i pakënaqur me fatin tim.

16- Kurrë nuk kam dëgjuar për pleq që harrojnë ku i kanë fshehur paratë! Pleqtë mbajnë mend çfarë iu intereson atyre: datat e seancave gjyqësore dhe emrat e borxhlinjve e të huadhënësve të tyre.

17- Nëse nuk kemi turp ta mendojmë një gjë, nuk duhet të kemi turp ta themi atë.

18- Nëse ke një kopsht dhe një bibliotekë, ke gjithçka që të duhet.

19- Nëse nuk ke besim te vetja, je dyfish i mundur në garën e jetës. Me besim në vete e ke fituar garën para se ta fillosh.

20- Gjërat e mëdha arrihen jo me muskuj, shpejtësi apo shkathtësi, por mendjen e thellë, forcën e karakterit dhe gjykimin.

21- Është cilësi e posaçme e budallait t’i kapi gabimet e të tjerëve dhe t’i harrojë gabimet e veta.

22- Është e falshme të mos pranosh t’i mbrosh disa njerëz, por t’i mbrosh në mënyrë neglizhente është vetëm kriminale.

23- Tregon fisnikëri të jesh i prirur të shtosh borxhin ndaj një njeriu të cilit tashmë i detyroheni shumë.

24- Ashtu si shpirti e mbush trupin, ashtu Zoti mbush botën. Ashtu si shpirti e mban trupin, ashtu Zoti e mban botën. Ashtu si shpirti sheh dhe nuk shihet, ashtu Zoti sheh dhe nuk shihet. Ashtu si shpirti ushqen trupin, ashtu Zoti e mëkon botën.

25- Dashuria është orvatja për të formuar një miqësi të frymëzuar nga bukuria.

26- Kujtesa është thesari dhe rojtari i të gjitha gjërave.

27- Më shumë ligje, më pak drejtësi.

28- Pa Zoti nuk jemi asgjë. Me Zotin jemi Gjithçka.

29- Askush nuk mund t’ju këshilla më të mira se vetja.

30- Jo bashkëjetesa, por mirëkuptimi e përbën martesën.

31- Gënjeshtra nuk është gjë tjetër veçse imitim i së vërtetës./KultPlus.com

Lucas Zeise: Jetë e dyfishtë e një gazetari

Është një prej gazetarëve më të mirë financiarë gjermanë. Por deri në vitin 2014 ka arritur të mbajë një sekret të madh: ishte i anëtarësuar prej 40 vitesh në Partinë Komuniste Gjermane, dikur e financuar nga Republika Demokratike Gjermane.

Lucas Zeise ka zgjedhur të më takojë në Café Laumer, në lagjen Westend të Frankfurtit. Në vitet ’50 e ’60, Theodor W. Adorno dhe eksponentë tjerë të së majtës gjermane qenë klientë fiksë të kësaj kafeneje, atëhere e quajtur Café Marx. Vendi nuk ka sesi mund të bëhet më i përshtatshëm për të dëgjuar historinë e 74 vjeçarit Zeise, i cili ka pasur një jetë të dyfishtë. Është një njeri tërheqës, inteligjent dhe me humor thumbues. Dikur, kur ishte drejtor i seksionit Kapitalmärkte (tregjet financiare) i së përditshmes ekonomike “Börsen-Zeitung”, hynte shpesh në redaksi me një vëllim të Homerit në sqetull. Në vitin 1999 ka qenë pjesë e grupit themelues të “Financial Times Deutschland”, ku mbante edhe një rubrikë. Kjo karrierë nuk do të kishte qenë e mundur sikur për dekada të tëra të mos kishte mbajtur të fshehur diçka: teserën e Partisë Komuniste Gjermane (DKP). Kur ka dalë zbuluar, duke kandiduar për DKP-në në zgjedhjet europiane të 2014, në dhomat e “Börsen-Zeitung” duhet të ketë pasur ndonjë tërmet. Një i njohur i vjetër, që sot ka një rol të spikatur në financë, psherëtin: “Po pse duhej të anëtarësohej pikërisht në DKP?”. Përpara ribashkimit, partia ishte financuar nga Bashkimi Sovjetik dhe kontrollohej nga Republika Demokratike Gjermane. Sot pothuajse është zhdukur. Zbulimi që Zeise ishte anëtarësuar në DKP ka qenë një surprizë, thotë një ish koleg i tij që preferon të jetë anonim. Ama një gjë është e qartë: “Lucas nuk është stalinist, është bujar”.

Zeise u afrua me marksizmin në vitin 1968. I ardhur nga një familje borgjeze nga Bavaria, pas diplomës studioi Filozofi në Edimburg të Skocisë, ku bënte edhe aktorin teatral. Frekuentoi një kurs të dytë për Ekonomi në Universitetin e Ratisbonës. Aty u bë pjesë e organizatës studentore marksiste “MSB Spartacus”, e afërt me DKP-në, dhe fitoi një reputacion të caktuar. Një herë pedagogu i tij i teologjisë Josef Ratzinger, që do të bëhej më pas Papa Benedikti i XVI-të në vitin 2005, e ftoi në një seminar. “Flitej për bashkëekzistencën paqësore të sistemeve dhe unë duhej të eksopozoja pozicionin e Bashkimit Sovjetik”, kujton Zeise. “Dhe e bëra: komunistët mendojnë se socializmi është ekonomikisht dhe ideologjikisht superior, kështu që paqja është në interesin e tyre. Qe një diskutim i bukur, por më pas erdhën dy pedagogë Sociologjike që më pyetën të tërbuar se kush më autorizonte të thoja budallallëqe të tilla”.

Në atë kohë Zeise do të kishte qëndruar me dëshirë në universitet, por e dinte se, duke qenë i majtë, nuk do të mundëte kurrë të bënte karrierë akademike. Veç kësaj, metoda e tij e punës ishte “jashtëzakonisht kaotike”, thotë sot. Do të mund të bëhej edhe maoist – në atë kohë grupet maoiste qenë shumë të pranishme në universitet – por orientimi praktik i DKP-së në fund ia ka dalë ta bindë. Në vitin 1973 hyri në parti, falë të cilit arriti edhe të gjejë një punë sapo mbaroi studimet. Një shok që punonte në Jetro-n e Düsseldorf, organizata japoneze për tregëtinë e jashtme, i tha se aty po lirohej një vend pune. Zeise e siguroi vendin e punës, nisi të lezojë gjithnjë e më shpesh gazetat, relacionet e Bundesbank-ut dhe të Institutit Gjerman të Kërkimit Ekonomik. Nganjëherë lexonte edhe shtypin britanik. Një punë e mërzitshme për një njeri ambicioz. Darkave shkonte në selinë lokale të DKP-së, por nuk shikohej asnjëherë në publik me partinë, për shembull në manifestimet. “Është kjo norma të cilës i jam përmbajtur edhe më pas. U kam thënë vetëm pak shokëve se ku punoja. Përndryshe do të ishte përhapur fjala”.

Komunist i infiltruar

Edhe puna e mëpasme e Zeise, ajo e përgjegjësit për marketingun e Aluminium-Zentrale, kompanisë nga Düsseldorf që bënte biznes në sektorin e aluminit, nuk i pëlqente shumë. Por aty pati rastin që të mbante seksionin ekonomik të revistës së specializuar “Aluminium”. Kështu u vu në kontakt me gazetarët ekonomikë: ishte i tërhequr nga profesioni dhe nga mundësia për të fituar më shumë. Në vitin 1984 Zeise, i cili kishte tashmë 3 fëmijë (më vonë do t’i vinte edhe një i katërt), arriti të kalojë në “Börsen-Zeitung”. Fillimisht punoi në seksionin kushtuar kompanive dhe më pak në atë qendrore të gazetës, që merrej me tregjet financiare, aksionare dhe monetare. Një komunist i infiltruar në shtëpinë e armikut. Ishte ndonjë strategji sekrete? “Jo”, thotë Zeise me një shfryrje, “as e imja, as e partisë”. Si gazetar ju përkushtua një teme që e apasionon akoma sot: paratë. “Shpesh qëdronim përpara terminaleve të Reuters mbi të cilat lëviznin kuotimet, pinim duhan dhe e pyesnim: “Çfarë është para?””, kujton kolegu i tij i vjetër duke menduar për vitet e kaluara bashkë. Përgjigjen Zeise ia ka dhënë në librin e tij të dalë në vitin 2010, me titull Geld. Der vertrackte Kern des Kapitalismus(Paraja. Zemra e pakapshme e kapitalizmit). Paratë, ka shkruar ai, janë “vepër e njeriut dhe, në të njëjtën kohë, një mister”.

Kurioziteti për tregjet krijoi një lidhje midis Zeise, lexuesve dhe burimeve, midis të cilëve kishte bankierë të rëndësishëm. Prej tyre merrte informacione të dorës së parë lidhur me funksionimin e sistemit. Por për këtë duhej t’i fshihte opinionet e tij, për shembull mbi ribashkimin e Gjermanisë. Kur bisedat preknin argumentin, skërmitej dhe qëndronte i heshtur. Fundi i Republikës Demokratike Gjermane qe një goditje e rëndë për të, pasi bëri t’i venitej ëndërra e socializmit. Me mbarimin e ditës së punës, Zeise e kalonte pjesën tjetër të kohës duke shkruar për gazetat e DKP-së, përkatësisht “Unsere Zeitung” dhe “Marxistischen Blättern” (Faqe marksiste), me pseudonimet Margit Antesberger dhe Manfred Szameitat. Ato që i lexonin këto shkrime qenë shokët dhe Zyra Federake për Ruajtjen e Kushtetutës.

Artikujt e firmosur me një pseudonim nuk qenë ndryshe nga ato të firmosura me emrin e tij të vërtetë: në të dyja rastet, në qendër të vëmendjes qenë lëvizjet e parave. U bë “një prej analistëve më të mirë të kapitalizmit”, siç e quajti ish kolegu i tij. Fakti që janë sidomos opinionistët e majtë ata që kanë një publik besnik varet edhe nga “gropat” e korrentit ekonomik dominues. Në teorinë neoklasike, para është vetëm një mjet shkëmbimi në tregjet të përcaktuara ekskluzivisht nga ligji i kërkesës dhe i ofertës. Nuk pyetet sesi paraja ka ardhur në këtë botë dhe se çfarë rreziqesh fshehin lëvizjet spekulative të kapitalit. Është ky motivi kryesor për të cilin edhe ekonomistët më të afirmuar nuk e kanë parashikuar krizën financiare të vitit 2008. Në mënyrë banale nuk përfshihej nga modelet e tyre, të largët nga bota reale.

Ariu financiar

Në vitin 1999, kur tashmë ishte 55 vjeçar, Zeise hyri në “Financial Times Deutschland”, që sapo kishte lindur dhe do të mbyllej në 2012. Ende sot është një vlerësues i “Financial Times” londinez. Ish kolegët e tij e “Financial Times Deutschland” flasin mirë për të. Stefanie Burgmaier, që në atë kohë ndante me Zeise zyrën në Frankfurt dhe sot drejton grupin editorial “Springer Fachmedien Wiesbaden”, e gjente “kompetent dhetë pëlqyeshëm. Ishte skeptik lidhur me tregun financiar, në zhargonin bursist është ari. Me krizën do të bëhet akoma edhe më shumë”. Dirk Benninghof, një koleg i “Financial Times Deutschland”, sot kryeredaktor i agjencisë së shtypit “FischerAppelt” në Berlin, ka një opinion të ngjashëm: “Ishte inteligjent dhe i rezervuar. Nuk ishte shitës tymi”, thotë ai. Ama pyet: “Pse një komunist duhej të punonte në një gazetë liberale? Është sikur dikush që urren futbollin të donte të shkruante për kampionatin gjerman”.

Zeise nuk e gjen veten tek krahasimi. “Nuk e urrej ekonominë, thjesht refuzoj kapitalizmin, domethënë formën me të cilin ai është organizuar. Ekonomia është e rëndësishme. Është vetë zemra e shoqërisë tonë dhe interesi im për të është autentik”. Është ky motivi për të cilin vazhdon të shkruajë. Për një periudhë ka qenë kryeredaktor i gazetës komuniste “Uz” në Essen, ku është ndeshur më të njëjtat probleme. “Gjetja e autorëve të zot është e vështirë”. Ndërkohë ia ka lënë vendin një pasuesi më të ri dhe “shumë të aftë”. Tani po shkruan një libër të titulluar Das Finanzkapital (Kapitali financiar), që do të dalë në pranverë. Mbetet për të pyetur se pse i ka qëndruar besnik DKP-së edhe pas shembjes së Republikës Demokratike Gjermane, kur pjesa më e madhe e shokëve e lanë partinë. “Nuk kam hyrë që ta bëja pjesë të Republikës Demokratike Gjermane, por sepse doja të abrogoja kapitalizmin. Dhe e dua akoma”. Ndoshta ka edhe një motiv tjetër, më romantik: i kishte ardhur në majë të hundës fshehja e një marrëdhënieje të vjetër të mbajtur sekret kaq gjatë.

Biografia

◆ 1944 Lind në Bavari të Gjermanisë.

◆ 1968 Ndërsa studion në Universitetin e Edimburgut afrohet me teoritë marksiste.

◆ 1973 Hyn në Partinë Komuniste Gjermane.

◆ 1984 Nis të punojë për “Börsen-Zeitung”, një prej gazetave kryesore financiare gjermane./KultPlus.com

Shkolla e muzikës “Prenk Jakova” feston 70 vjetorin por ende pa objekt të vetin

Shkolla e muzikës “Prenk Jakova” mbanë koncert për përvjetorin jubilar në Prishtinë shënoi përvjetorin e 70-të të hapjes.

Pas gati një muaji me ngjarje si dhe koncerte, aktivitetet e përvjetorit u përmbyllën me një koncert solemn kushtuar këtij përvjetori jubilar të shkollës së muzikës. Interpretuan nxënës të shkollës fillore si dhe të shkollës së mesme, por nuk munguan as ish-nxënësit e kësaj shkolle që tashmë janë studentë të dalluar apo muzikantë të çmuar, sikur është rasti i sopranos, Marigona Qerkezi.

Në këtë koncert, kori dhe orkestra e shkollës së muzikës “Prenk Jakova” luajtën edhe veprën e titulluar “Rizgjimi”, të cilën kompozitori Valton Beqiri e përgatiti enkas për përvjetorin e 70-të të shkollës.

Në këtë ngjarje edhe një herë u përmend absurdi që shkolla që ka 70-të vjet të funksionimit nuk ka ende një objekt të vetin, por ndër vite detyrohet të lëvizë sa në një aneks në një aneks tjetër.




“Pa një libër, fëmija është i vetëm”

Antonio La Cava e ka shndërruar furgonin me tri rrota në një bibliotekë lëvizëse. Ai dëshiron të sigurohet që krejt fëmijët duhet ta kenë nga një libër.

“Pa një libër, fëmija është i vetëm”, ​​thotë Antonio La Cava.

Duke vozitur në kodrat dhe malet e Bazilikatit në Itali, La Cava është në gjendje të arrijë edhe fshatrat më të largëta si San Paolo Albanese, në të cilin janë vetëm dy fëmijë në shkollë fillore, transmeton Klan Kosova.

“Isha jashtëzakonisht i shqetësuar që të plakesha në një vend që nuk lexon”.

Shpërndarësi i librave beson se është shumë me rëndësi që gëzimi i letërsisë të përhapet sa më shumë që të jetë e mund tek fëmijët: “kryerja e një veprimi të tillë ka vlerë jo vetëm sociale dhe kulturore, por ka edhe një kuptim të madh etik”.

La Cava shpreson se me makinën e tij trirrotëshe sjell mesazhin se kultura është bërë nga dhe për të gjithë, jo vetëm për disa të privilegjuar./KultPlus.com

Pështyma

Xhevdet Bajraj

Jeta e njeriut është shumë e shkurtër
por elita jonë politike përkujdeset
që ajo të duket shumë e gjatë
Liderëve tanë që janë rritur me gjizë
apo me vezë
do të duhej t’u vinte turp 
t’i shikojnë lopët a pulat në sy
e lëre më njerëzit
atyre të njëjtëve që për të satën herë
gjatë zgjedhjeve u premtojnë
se me pështymë
do t’ua ngjesin copët e thyera të shpirtit
ëndrrat e tyre të thyera
se fëmijët e tyre të ikur nëpër botë
do t’ i kthejnë
dhe se me pështymë do t’i ngjesin për atdhe

I lumtur është populli që i ka këta politikanë
edhe më i lumtur do të ishte sikur të kishte
diçka për të ngrënë
po nejse
nuk mund t’i kenë edhe njërën edhe tjetrën./KultPlus.com

“Mirëdita, dobar dan” shoqërohet me protesta, Milica Djurdjevic i dërgon porosi Hashim Thaçit e Ramush Haradinajt

Është gati të nisë Festivali “Mirëdita, dobar dan”, që mbahet tash e sa vite mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe këtë vit, organizatorët e këtij festivali nuk janë pritur mirë nga protestat që po mbahen në Beograd, shkruan KultPlus.

Policia është duke i penguar protestuesit, mirëpo protesta po vazhdon të mbahet edhe më tej.

Milica Djurdjevic, e cila është edhe organizatore e kësaj proteste ka thënë për KultPlus se kanë ardhur me këtë protestë që të pengojnë këtë festival që ka për qëllim që të prezantojë kulturën e pavarur të një shteti, që sipas saj nuk ekziston.

“Mirëdita dobar dan që disa vite promovon shtetin e pavarur të Kosovës, shtet i cili nuk ekziston dhe po falsifikon historinë”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë më tutje se në Beograd po mbahet ky festival, përdeirsa serbët e Kosovës maltretohen në lokale të ndryshme të Kosovës.

“Ne nuk e kemi problem që këtu të prezantohet kultura e Shqipërisë, por jo kultura e shqiptarëve të shtetit të Kosovës. Për këtë jemi ngritur sot”, ka thënë ajo, duke  dërguar nëpërmmjet kësaj proteste edhe një mesazh për liderët e Kosovës.  

“Ne i dërgojmë mesazh Thacit dhe Haradinajt që kurrë nuk do të lejojmë një Shqipëri të Madhe dhe pa kufi,  ashtu sikurse që kanë deklaruar ata. Poashtu nuk do të lejojmë që në Beograd të manifestohet për një Shqipëri të Madhe”, ka thënë ajo.

Krejt në fund ajo ka thënë se organizatorët e këtij festivali po i ruan policia, organizatë që ka fituar donacione qindra mijëra euro, por, sipas saj, të njëjtën siguri nuk e ofrojnë Policia e Kosovës për qytetarët serb./KultPlus.com

“E shoh dhembjen në sytë e saj”

Një pikturë e Artemisia Gentileschit, që përshkruan torturën e Shën Katarinës, po bën një turne nëpër Britani të Madhe. Çfarë thanë gratë e burgosura për këtë vepër arti? Shkrimin e gazetarit Jonathan Jones, të botuar në Guardian, Telegrafi ua sjell më poshtë.

Dy gra po bisedojnë para pikturës “Shën Katarina e Aleksandrisë”, një shenjtore e martirizuar në shekullin e katërt. Figura shfaqet e anuar në një rrotë të mbushur me kunja hekuri, pjesë e instrumentit të torturës së saj.

“Është mikja ime tani”, thotë një nga gratë.

“Zonjë e fortë”, thotë tjetra. “Si vajzat prej nga jam unë”.

Ato preken nga fati i Katarinës.

“Këta martirë nuk janë si ti dhe unë”, thotë njëra.

“Nuk vdes për asnjë kauzë”, shton shoqja e saj.

Gratë të cilat nuk mund të emërohen, janë të burgosura në “HMP Send”, një burg për femrat kriminele me rrezik të lartë. Piktura e bërë nga gruaja që vuajti abuzime dhe dhunë të tmerrshme në Italinë e shekullit të XVII-të, po varet në bibliotekën e burgut. Ajo u ble vitin e kaluar nga Galeria Kombëtare, për 3.6 milionë funte, dhe si pjesë e një turneu po shfaqet aty.

Kjo është hera e parë që një pikturë nga koleksioni nacional dërgohet në burg. Kur e pyes drejtoreshën e burgut, Carlene Dixon, nëse brengoset për emocionet që kjo vepër intime mund të nxisë tek të burgosurat, ajo thotë: “Isha më shumë e shqetësuar nëse dikush do ta gërvishte”.

Vepra është punuar nga Artemisia Gentileschi, e cila shpërtheu barrierat e barokut të Italisë për t’u bërë piktore e suksesshme. E përdhunuar si tinejxhere, artistja shëronte traumën e jetës me skena biblike, në këtë rast duke pikturuar veten si shenjtore e martirizuar. Artistja shpesh konsiderohet më e ashpër se Caravaggio, duke kërkuar hakmarrje në veprat e spërkatura me gjak. Në një tjetër pikturë madhështore, të quajtur “Judita pret kokën e Holofernesit”, shohim një grua muskuloze duke mbajtur gjeneralin me forcë në krevat, teksa tjetra ia pret kokën. Ai është i zgjuar.

Shën Katarina u dënua me vdekje midis rrotave me kunja të mprehtë, por makina u thye në sajë të asaj që shihej si ndërhyrje hyjnore. Ndaj, mbijetoi. Ky është momenti i triumfit me të cilin Gentileschi identifikohet.

Si i duket ky portretizëm i besimit, durimit dhe shpengimit, dikujt që është në burg?

“Ato veç shtronin pyetje”, thotë Jo Lewis, artiste që udhëhoqi një punëtori me të burgosurat. “Ato donin të dinin gjithçka për Artemisian dhe kohën e saj”.

Por, piktura u foli atyre po aq fort sa detajet e jetës së artistes. Të burgosurat panë dëshirat e tyre aty. Për disa, rrota dukej si një kapak, duke shtuar se Katarina kishte shpëtuar nga diçka që ngjan me kontejnerë apo qeli. Është interpretim i jashtëzakonshëm personal që krijon një lidhje të fuqishme që shtrihet nëpër shekuj: si Gentileschi, ato shohin diçka nga jeta e tyre e pasqyruar në atë që Katarina po kalonte.

Burgu “HMP Send” është vend i frikshëm, i fshehur në një lagje të qetë në Surrey. Kaloj nëpër shumë seksione të mbyllura. Deri sa arrita në bibliotekë, u ndjeva i kurthuar. Për shumë të burgosura, kjo mbetet shtëpia e tyre për një kohë të gjatë.

“Rreth 40 për qind do të jenë të paktën 10 vjet këtu”, thotë Dixon. “Dhe, shumë të tjera me burg të përjetshëm”.

Asnjë nga të burgosurat nuk e dinte se po u vinte një pikturë prej 3.6 milionë funteve. Në vend të njoftimit që mund të ketë rrezikuar sigurinë , të burgosurat u ftuan të regjistroheshin për një punëtori. Ato që e bënë këtë, u shpërblyen me një takim ballë për ballë me një kryevepër baroku. Pasoi një diskutim intensiv, sidomos për temën e rrotave.

“Ne folëm për këtë si diçka që ju çon diku tjetër”, thotë Lewis.

Gentileschi është artiste ideale për t’u shfaqur në një burg të grave. Lewis u tha të burgosurave për përdhunimin e artistes në moshën 17-vjeçare dhe gjyqin pasues në të cilin ajo, dhe jo sulmuesi i saj, u torturua.

“72 për qind e grave në paraburgim kanë pësuar një formë të tillë abuzimi”, thotë Dixon.

Identifikimi i të burgosurve me Artemisian, është i dukshëm në vizatimet e tyre të mahnitshme të portretit: ato duken më shumë si akte të vetëshprehjes, sesa kopje të bëra me kujdes.

Disa të burgosura këtu janë artiste të kompletuara që kanë marrë pjesë në një punëtori me Galerinë Watts. “HMP Send” ka nis një ekspozitë vjetore, ku vendasit munden ta blejnë – gjë që bëjnë – punën e të burgosurve.

“Të bësh art”, më thotë një e burgosur, “dallon nga dënimi dhe errësira këtu”.

Të burgosurat kthehen në diskutimin e pikturës absorbuese të Gentileschit.

“Forca e karakterit të saj është atje, te parakrahët”.

“Unë mendoj se ishte pak e trashë”.

“Ka pak dhimbje në sytë e saj”.

“Ajo është duke thënë: kam mbijetuar”. /KultPlus.com

Sopranoja që jeta i shkoi duke vizituar vëllezërit në burgje: Drama e familjes Sokoli

E lindur me një talent të spikatur artistik në një familje të pasur me traditë dhe kulturë, Safete Sokoli mund të kishte qenë një nga sopranot shqiptare të pasluftës që do kishte shëtitur Shqipërinë nga një cep në tjetrin, për të dhënë shfaqje e për të marrë duartrokitje. Por jeta e saj, atëherë kur duhet të niste ngjitjen, mori të tatëpjetën…

Lindi në Shkodër më 15 janar 1926 (familja u bë me shtatë fëmijë). Shtëpia e Sokolajve ishte një ndërtesë shkodrane e shekullit XVII, dykatëshe, me shkallë mermeri e guri, me çardakun me qoshk, dhomën e madhe me punime të gdhendura në dru (të tavanëve dhe kapakëve të dritareve); oxhakun madhështor me motive floreale, e pajisur me shandane e armë argjendi, me orë muri të ardhura nga Azia; oborri plot pemë e lule, karajfilat e Shkodrës e tulipana shumëngjyrësh, bashkëjetonin një mori kafshësh e shpendësh të sjella nga vende të largëta.

Kjo ishte shtëpia e Jusuf Sokolit; ishte një parajsë e vërtetë dhe njihej si një vatër bujare, mikpritëse (siç dinë të presin vetëm shkodranët), qendër patriotike dhe në këtë familje të gjithë këndonin, ndërsa Ramadani ishte muzikologu.

U rrit vajza e vogël me shumë dashuri. Ajo ishte e imët, trupvogël, por shumë e shkathët. Ajo kalëronte, zbuste kuajt më të tërbuar, ngiste makinën, ishte gëzimi i familjes së saj. Ajo këndonte me zë të mrekullueshëm, në veçanti këngët e kompozuara nga vëllai Ramadani, si: “Blegërin delja”, “Turtulleshë”, “Ç´u mbush mali” dhe këngët shkodrane. Mbushte me gëzim zemrat e atyre që e dëgjonin.

Në lagjen në Zdralej, ku ndodhej tregu shihja një femër trupvogël, me flokë kaçurrela, e veshur me kostum të zi me vija të bardha, me pantallona e xhaketë, e qetë, e thjeshtë, plot dinjitet, duke blerë ushqime. E shihja plot respekt, se e dija që ishte motra Sokoli, që jetonte e vetme dhe përgatiste çantat me ushqime për vëllezërit qe kishte nëpër burgjet komuniste. Unë gjimnazistja e Shkodrës (e viteve 1953-1957) e shihja me adhurim dhe e dija që ajo kishte një zë sopranoje dhe ishte bilbili i këngës shkodrane, e njihja mirë dhe më dhimbte zemra për të…

Por, me ardhjen e komunistëve në pushtet ç´ndodhi me këtë familje?

Në fillim të viteve 1945 arrestojnë djalin e madh të familjes, Ibrahimin, se ishte i diplomuar për drejtësi në Beograd dhe kishte aderuar në Lëvizjen e Legalitetit (pro monarkist dhe atdhetar). Kuptohet ishte antikomunist. E dënojnë dhe bën 27 (njëzet e shtatë) vjet burg dhe internim (bashkë me gruan e tij Shane Dosti dhe kjo e burgosur politike). Në vitin 1946 arrestojnë babanë Jusuf, e dënojnë me dy vjet burg (1946-48); u akuzua si pjesëmarrës në lëvizjen e Postribës. Po në vitin 1946 arrestojnë Ramadanin me pesë vjet burg; akuzohet për agjitacion e propagandë, dhe si pjesëmarrës në lëvizjen e Postribës (në vitin 1943 ishte student në Firence (Itali) në konservator për flaut dhe kompozicion). Por, komunistët s´u mjaftuan me kaq, në vitin 1964 i arrestuan dhe i dënuan djalin më të vogël të familjes, Hodon me 25 vjet burg, i cili u ridënua në revoltën e Spaçit (1973). Një mësues i talentuar, ishte i fejuar, përgatitej të formonte familje, por çdo gjë e jetës së tij u shkatërrua. Ka mbetur proverbiale përgjigjja e tij në gjyq: “Në gjuhën shqipe mbiemri i përshtatet emrit, por ka dhe përjashtime, kur mbiemri nuk i përshtatet emrit, kështu ka ndodhur edhe me mua, s´mund t’i përshtatem sistemit komunist të Enver Hoxhës”.

Shtëpia e Sokolajve po përjetonte një periudhë shumë të vështirë, trishtim, vetmi, vetizolim dhe njëherit u ndërpre zëri i bilbilit, u plagos zogu i bukur, u ndërpre gazi dhe hareja… E ëmbla Safet s´u lejua të punonte arsimtare, e hoqën nga ansambli i këngëve dhe valleve, s´këndoi më, s´u lejua të dilte në skenën shqiptare dhe zemra e saj as qeshi, as këndoi ma. Kjo vazhdoi me dekada!

Safete Sokoli shkeli me këmbë cepa të Shqipërisë që ndoshta as ua kishte dëgjuar emrin, por për një arsye krejt tjetër: për të vizituar vëllezërit në burgjet ku u ndrynë me radhë. Një jetë e tërë e kaluar nga një burg në tjetrin, për të parë prapa hekurave të vëllezërit dhe duke u munduar në punë të rënda për të siguruar ushqim për ta, që herës tjetër të mund t’i shihte prapë. E paburgosur, por e dënuar.

Ajo ishte fëmija i shtatë i Jusufit dhe Aishes, që patën tre djem dhe gjashtë vajza. Ishte rritur mes bollëkut të një prej familjeve më në zë të Shkodrës.

Kur ishte në shkollë të mesme, këngëtarja shkodrane, Antoneta Ndokfillija, Safetja kishte interpretuar bashkë me të, në operën “Drita”. Safete Sokoli, me zë sopranoje, luante rolin e vajzës, Dritës, ndërsa Antoneta mezosoprano ishte nëna. Opera me muzikë nga profesori Antonio Muci dhe libret nga drejtoresha e shkollës “Donika Kastriot” ku studionin vajzat, Silvia Doria, u vë në skenën e shkollës në vitin 1941 dhe Safete Sokoli, 15 vjeç, mori vlerësime të shumta për interpretimin dhe zërin e saj të bukur. Subjekti ishte i thjeshtë. Vajza e vogël i humbet nga sytë nënës në pazarin e Shkodrës. Vite më vonë, po në pazar, buzë liqenit, ajo dëgjon një vajzë duke kënduar dhe e njeh nga zëri dhe nënë e bijë takohen të përmalluara.

I vëllai, Ramadani, pasi del nga burgu, me gjithë persekutimin e vazhdueshëm, për shkak të përgatitjes së jashtëzakonshme dhe nevojave për muzikantë dhe mësues në institucionet e reja që po krijoheshin, arriti të punonte në sektorin e muzikës, edhe pse jo në nivelet akademike që meritonte, por për Safete Sokolin ishte e pamundur një ritakim i gëzuar me ëndrrat e saj.

“I ndoqa vëllezërit nëpër të gjitha kampet e punës, nga lindja në perëndim, në Burrel te kështjella famëkeqe e komunizmit, që kanë hyrë njerëzit e nuk kanë dalë gjallë, në Maliq ku thahej këneta, në Beden ku hapeshin kanale… Në shumë kampe pune, ku punonin të burgosurit politikë. E vetme përjetova vdekjen e prindërve, që më vdiqën brenda gjashtë muajve; ata i mbyllën sytë përjetë, pa i parë djemtë që i kishin të burgosur. Prindërit vdiqën, por nuk panë tmerrin tjetër, arrestimin e vëllaut të vogël. Përpos dhimbjes u shtua kalvari i vuajtjeve të mia. Që nga viti 1964 Hodon e dënuan 26 vjet burg, u ridënua në revoltën e Spaçit. E ndoqa vëllaun tem Hodo në kampet famëkeqe, pse jo shfarosës, si: Rrepsi, Burreli, Saranda, Spaçi (që ishte tmerri i tmerreve). Eca e eca tok me bashkëvuajtëset e tjera shkodrane, si me Luçien Koliqi, motër e Jul Koliqit; ajo shkonte të ndihmonte Dom Mikel Koliqin që i kaloi jeta në burg e në internim (në vitin 1995 u bë kardinali i parë i Shqipërisë i klerit katolik).

Po kalvari im vazhdoi për shumë dekada. Përpos vuajtjeve shpirtërore ishte puna e lodhshme në bujqësi, punova në të gjitha fermat, si: Oblikë, Dobraç, Qafe-Hardhi, gjithmonë e kërrusur. Por, edhe aty më ndihmuan moralisht shumë bashkëvuajtës, në veçanti një prift katolik shkodran, i ditur, i talentuar, me një shpirt madhështor, përherë me fjalë të ëmbla, me zërin e tij të qetë bëhej shëruesi i shpirtit tem të vuajtur, e ky prift i nderuar ishte Dom Lazër Jubani (i burgosur politik). Pas ca vitesh u helmua nga dora e sigurimit të shtetit. Ndihesha fare e vetmume. E kalova jetën tuj e pasun shok besnik qenin. Kuptohet njerëzit kishin frikë të na vizitonin, jo më të na flisnin. Por, në të gjithë këtë vetmi, vetëm një shoqe e rinisë, e artit dhe e muzikës, nuk më braktisi dhe tasht që jemi të moshuara, ajo më ndjek, kjo është aktorja shkodrane Antoneta Ndokillija (Fishta)”. /Pjesë nga libri “Dhimbje” i Fatbardha Saraçit/Kujto.al/KultPlus.com

Arba Kokalari u paragjykua që nuk flet shqip, ja intervista e saj e dhënë në gjuhën kombëtare

Arba Kokalari është eurodeputetja e parë shqiptare e e zgjedhur para disa ditësh në Parlamentin Evropian që përfaqëson Suedinë.

Së fundmi u fol dhe u shkrua jashtëzakonisht shumë për suksesin e një vajze të re e cila që në vegjeli kishte ikur së bashku me familjën nga Shqipëria në shtetet skandinave ku edhe u zgjodh deputete, një sukses i veçuar për një vajzë shqiptare atje, shkruan KultPlus.

Mirëpo, përveç komenteve të shumta pozitive, duke i uruar suksese dhe duke e falënderuar për krenarinë që na e dha ne si komb shqiptar, nuk munguan as komentet negative dhe paragjykimet e shumta se ‘Arba nuk di të flasë gjuhën shqipe’.

Por, sipas një interviste të realizuar nga televizioni i vetëm shqiptar në shtetet skandinave RTV Albse, Arba Kokalari na e bën të qartë se ajo e flet shumë mirë gjuhën shqipe madje e gjithë intervista është e realizuar në gjuhën kombëtare./KultPlus.com

Sadik Krasniqi boton “Parajsën e nëmur”

Libri më i ri me poezi i poetit Sadik Krasniqi, “Parajsë e nëmur”, nën përkujdesjen e shtëpisë botuese “Armagedoni”, ka dalë nga shtypi në fillim të kësaj jave.

Libri ka një parathënie shkruar nga kritiku Zija Vukaj, i cili analizon disa prej poezive dhe veçon karakteristikat letrare të tyre.

“Ky vëllim poetik ka një strukturë ciklike dhe, si i tillë, dëshmon qartësinë artistike, kthjelltësinë dhe kohezionin e një vepre të ngjizur e të shestuar nga intuita dhe kredoja e autorit për të komunikuar ‘en bloc’ me lexuesin si vazhdimi i një dialogu artistik pa fillim e pa fund. Përbëhet prej pesë cikleve poetike: ‘Psalm dëshmie’, ‘Këmisha me flutura’, ‘Sa pak frymë’, ‘Solemniteti i mërzisë’ dhe ‘Bulëzim thysash’.

Poezitë e këtij vëllimi, autorin e të cilit e lexoj dhe e njoh për herë të parë si poet, transmetojnë shumëçka nga kompleksiteti i ndërlikuar i shpirtit të njeriut, me një ndjeshmëri të lartë, lirizëm të hollë dhe mjeshtëri të rrallë artistike”, ka shkruar kritiku Vukaj, duke veçuar, ndër të tjera, ngjeshurinë e vargut të Krasniqit me imazh, mendim, përjetim dhe paraqitje gjendjesh.

POEZI NGA LIBRI I SAPOBOTUAR

AJO NË PASQYRË

Për çdo natë
në dhomën 05
ajo
del nga vetja
si nga këmisha e natës
hyn në kornizë
e tëra bëhet sy
shikon vetën e zbrazët
sa t(m)err e ferr
ai hon i zi

Nidda, janar ’18

TI

Fantazi fantazme ke ti
në buzë puthjen e vdekjes
lot të zi në sy

gjarpër të verdhë gjuhën
ko(r)b fjalën

lule varrezash në duar

si të ta marr një fije floku
për ADN-në
gen Kasandre do të jetë
e di

FERRI MBI TOKË

(Nga pamja e një nëne të re, duke kërkuar fëmijët e saj,
në gërmadhat e qytetit Aleppo të shkatërruar)

Zot pse s’po i njoh fëmijët e mi
krejt të njëjtë qenkan bërë këta engjëj
me fytyrë prej dheu e gjak të zi

Zot mos më mëkato po e heq ferexhenë
ata do të më njohin ma kanë parë fytyrën në shtëpi

Zot jashtë po e nxjerr njërin gji
i vogli i nënës aromën e qumështit do ta ndiejë
ende e pata për gji

Zot do t’i nxjerr edhe dy sytë e mi të zi
do t’i varros me dorën time
në këtë ranë të djegur
më mirë e verbër
se t’i shoh ata të meitë

Kështu gjysmë të zhveshur
edhe në më marrshin për lavire
të më gjuajnë me gurët e rrënuar
ndoshta e shohin këtë ritual fëmijët e mi
ndoshta do të thërrasin oj nënë

vetëm të di që janë gjallë
edhe ky ferr mbi këtë tokë
edhe tjetri nën dhe
parajsë do të jenë për mua
vetëm ata të jenë gjallë

oh pse s’po i njoh fëmijët e mi

Nidda, 2016

Aktori i filmit ‘Game of Thrones’ përfundon në një qendër rehabilitimi pas mbylljes së sezonit

Aktori i njohur i serialit shumë të ndjekur dhe të pëlqyer nga të gjithë ‘Game of Throne’  Kit Harington ka përfunduar në një qendër rehabilitimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Aktori  britanik 32 vjeçar që kishte dhe një nga rolet kryesore në këtë serial një muaj më parë është parë teksa futet në një qëndër rehabilitimi në Kënetikët shkruan NewYork Post.

Harrington i cili ka luajtur personazhin Jon Snow në tetë vitet e transmetimit të tij thuhet se episodin e fundit ai e ka pritur i shtruar në  këtë qëndër rehabilitimi.

Një mik i tij ka deklaruar arsyeja pse aktori është shtruar në këtë qendër rehabiliti është kryesisht prej stresit dhe alkoolit.

‘Kit ka vendosur të tërhiqet për pak kohë si një mundësi për të zgjidhur disa çështje personale’ është shprehur agjenti i tij.

Qendra ku ai është shtruar që kushton 120 000 dollar në muaj ju mëson klientevë të tij  se si të menaxhojnë stresin dhe emocionet negative.

Gjithashtu  një mbështetje të madhë aktori po merr dhe nga gruaja e tij Rose Leslie./KultPlus.com