Laurie Anderson: Është koha e duhur, për realitete të reja!

Artistja avangarde Laurie Anderson, më 12 korrik rikthehet me një instalacion që ndërlidhet me realitetin virtual, raporton Guardian, transmeton Telegrafi.

Për imagjinatën tonë, Hëna gjithmonë ka qenë një si shesh lojërash. Qëkur raketa e hedhur nga një top preku sipërfaqen e Hënës – në filmin e vitit 1902, “Le Voyage dans la Lune”, të regjisorit Georges Meliesit – sateliti i vetëm natyror i Tokës është subjekt i magjepsjes për krijuesit e filmave dhe për artistët vizualë. Janë bërë 50 vjet qëkur Neil Armstrong hodhi hapin gjigant për njerëzimin, por Hëna ende të mahnit dhe të frymëzon.

Hëna është fokusi i punës së fundit të avangardes Laurie Anderson, gjë që i përshtatet, duke pasë parasysh se është një ish-artiste e Rezidencës së NASA-s (programi që fton artistët, akademikët dhe kuratorët në godinat e institucionit – v.j.). “To the Moon”, bashkëpunimi i saj i ri me artistin tajvanez Hsin-Chien Huang, i ka lejuar Andersonit të krijojë një udhëtim…

Për ekspozitën e Festivalit Ndërkombëtar të Mançesterit, që hapet më 12 korrik, ajo thotë: “Jam e lumtur kur nuk mund ta përcaktoj dot punën time. Hëna është eksperiment me hibride, me media të ndryshme që afrohen dhe këmbejnë imazhe, rrëfime e muzikë”.

Anderson nuk iu ka shmangur kurrë risisë apo të panjohurës. Teksa bënte hapin e parë në realitetin virtual më 2017, me projektin “Chalkroom”, ajo hasi në sfida të reja të të rrëfyerit, në një medium që i jep audiencës një nivel kontrolli gjatë përvojës së tyre: “Duhet të harrosh gjithçka që di për narrativën. Fillimisht isha e tmerruar pse hiqja dorë nga kjo autonomi – nga ideja e strukturës përfundimtare”.

Është ky një format që Andersoni e ka përqafuar, duke iu kthyer realitetit virtual me projektin “To the Moon”. Ajo e sheh këtë si ikje nga ekranet kaq qendrore në jetën tonë të përditshme: “Kam humbur [aq shumë] kohë në telefonin tim, duke parë këta drejtkëndësha, saqë doja veç të çohem dhe të dal. Pra, është lehtësim për mua për të punuar në një medium që mund të jetë më fizik”.

Është eskapizëm edhe për audiencën. Gjatë gjithë veprës 15-minutëshe të realitetit virtual dhe filmit shoqërues, audienca kalon nëpër peizazhe të shumta hënore, duke u ballafaquar me mbeturinat e dërguara nga Toka ose duke shijuar një udhëtim me gomar nëpër hapësirë.

Në kohën tonë kaotike dhe konfliktuale, Anderson është e prirë të shmanget, duke mos injoruar botën rreth nesh: “Ka kaq shumë gjëra të trishtuara në botë. Nëse pretendon se nuk janë aty, jeni një idiot. Ato janë aty; do t’ju gjejnë. Pra, dijeni se janë aty, por mos u bëni të tillë”.

Ajo e sheh gjendjen e botës si mundësi për të eksploruar peizazhe alternative: “Është kohë shumë e mirë për të krijuar realitete të reja. Hëna është temë e mrekullueshme për këtë – është mënyrë e shkëlqyer për të hetuar jorealen”.

Risitë dhe ballafaqimi me të ardhmen, siç mund të jetë ekspozita, mbështeten nga nocioni pothuajse i përjetshëm i aventurës, ëndrrave për hapësirën që kanë frymëzuar njerëzit për shekuj me radhë. Anderson për këtë thotë: “Hëna ka një ekzistencë shumë frymëzuese dhe ëndërrimtare. Në fshehtësi, gjithçka që unë dua të bëj është t’i lë njerëzit të fluturojnë”. /Telegrafi/

Filmi kosovar jep premierën në Karlovy Vary

“Shpia e Agës” me skenar dhe regji nga Lendita Zeqiraj hapi konkurencën e ‘East of the West’ në festivalin ndëkombëtar të Karlovi Varit (Karlovy Vary) të Çekisë. Filmi u prit jashtëzakonisht mirë nga publiku në një premierë të rëndësishme dhe domethënëse.

Filmi përcjellë Agën (Arti Lokaj) 9 vjeçar i rritur me nënën e tij në një shtëpi jashtë qytetit. Ai mëson serbisht nga Zdenka, një grua e nacionalitetit tjetër, në mënyrë që ta gjej babain e tij për të cilin mendon se është në burg në Serbi. Hapja e konkurencës ‘East of the West’ në Karlovi Vari (Karlovy Vary) me filmin e Lenditës është momenti më
i rëndësishëm i radhës për filmin kosovar.

Shpia e Agës ka për producent Bujar Kabashin. Rrolet i luajnë: Arti Lokaj, Rozafa Çelaj, Adriana Matoshi, Shengyl Ismaili, Melihate Qena, Basri Lushtaku, Rebeka Qena, Molikë Maxhuni, Egla Ceno etj. Filmi “Shpia e Agës” është bashkë-prodhim në mes Kosovës, Kroacisë, Francës, dhe Shqipërisë me shtëpitë prodhuese N’ART FILMS mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, bashkëprodhuesit WOOF FILMS nga Kroacia; Sacrebleu productions nga Franca; si dhe Ska-Ndal Productions dhe SY13 Films nga Shqipëria mbështetur Qendra Kombëtare e Kinematografisë.

Piktori i luftës

Disa vepra arti janë aq të famshme e aq tërheqëse, sa që është e vështirë që veprat tjera të kenë vëmendjen e duhur – edhe nëse janë bërë nga i njëjti artist. Meditimi enigmatik i Grant Woodit për vlerat rurale, “Gotika amerikane” (1930), është pikturë e tillë. Kimia e çuditshme e fshatarëve me buzë të mbyllura që dominon sipërfaqen e veprës, lë në hije pikturat tjera të së njëjtës dorë (sa shumë vepra të tjera të Woodit mund t’i kujtoni?). “Guernica” (1937) nga Pablo Picasso ka pasur efekt të ngjashëm eklipsues, shkruan kritikja e artit Kelly Grovier, transmeton Telegrafi.

“Gernika” (1937), pikturë e bërë nga Pablo Picasso

Teksa shumë prej nesh mund të kujtojnë gjymtyrët e prera, shprehjet e vuajtjes dhe kokën e kalit në reflektimin prekës të bërë nga Picasso, për bombardimet shkatërrimtare të prillit 1937 të qytezës baske të Gernikës (gjatë Luftës Civile në Spanjë), nuk është e lehtë të përmendësh një vepër tjetër të vetme të tij që ka të bëjë me luftën. Megjithatë, një ekspozitë e rëndësishme u hap në Muzeun e Armatës në Paris, që tregon se lufta ishte preokupim përcaktues i artistit, jeta e gjatë e të cilit u shtri që nga Lufta e Pavarësisë së Kubës (që shpërtheu në 1895, kur ishte ai14 vjeç) e deri te Lufta e Vietnamit që përfundoi dy vjet pas vdekjes së artistit më 1973.

“Masakra e Koresë” (1951), pikturë e bërë nga Pablo Picasso

Asnjë pikturë e Picassos nuk ka vuajtur më shumë nga fuqia e “Gernikës”, sesa reagimi ndaj akuzave për mizoritë e kryera në vitin 1951, me ndihmë nga trupat amerikane, në atë që u bë më vonë u quajt Masakra e Sinçonit. Vepra e Picassos ku shfaq një grup të grave dhe të fëmijëve që do të vriten nga afër nga një bandë e pafytyrë e rrugaçëve robotikë, pos nuancave gri është gjithçka tjetër që “Gernika” nuk është. Aty ku vepra më e hershme dhe më e famshme është thyerje e simboleve dhe shenjave, literalizimi i tregimit vizual transformon “Masakrën e Koresë” (1951) në një karikaturë të tmerrshme: në strip!

“Ata duken”, thotë kuratorja e ekspozitës, Isabelle Limousin, “sikur të ishin veshur me mburoja nga kohët e largëta ose nga e ardhmja – diçka si nga një roman i fantashkencës apo nga filmat”.

Në anën e majtë të pikturës, një grup i tri grave të pashpresa (dy prej të cilave duken shtatzënë) dhe pesë fëmijëve (në gjendje të ndryshme të ankthit dhe panikut) presin ekzekutimin e menjëhershëm nga një skuadër që vjen nga e djathta. Picasso është i prirë të barazojë atë tmerr me barbarizmat të cilat i kemi hasur në pikturën e famshme të bërë nga Francisco de Goya, “I treti i majit 1808” (1814), me koreografinë e njëjtë të ushtarëve të ligë që u afrohen civilëve të pambrojtur. Një gjenealogji artistike nga piktura e Goyas haset edhe tek portretizimi i famshëm i bërë nga Edouard Manet, për vrasjen e Perandorit të Meksikës në qershor 1867, “Ekzekutimit i perandorit Maksimilian” (1868-1869), që është organizuar në mënyrë të ngjashme si vepra e Picassos.

“I treti i majit 1808” (1814), pikturë e bërë nga Francisco de Goya

Dialogu i Picassos me të kaluarën, te “Masakra e Koresë” shtrihet përtej aluzioneve që ua bën veprave të Goyas dhe Manetit. Viktimat e Pikassos janë grumbulluar paraprakisht në një trekëndësh që ndërlidhet me sigurinë hyjnore të shumë portreteve të nënës me fëmijën, të bëra gjatë Mesjetës dhe Rilindjes, që nga “Madona në livadh” nga Raphael e deri te “Virgjëresha e shkëmbinjve” nga Leonardo da Vinci. Por, këtu, ky trekëndësh mbrojtës ka nis të thyhet nga një forcë mekanike që godet nga e djathta.

“Ekzekutimit i perandorit Maksimilian” (1868-1869), pikturë e bërë nga Edouard Manet

Ushtarët anonimë përparojnë në unison dhe çnjerëzimi i tyre theksohet nga shpata, lart në anën e djathtë – një simbol që Picasso e ka përdorur në aspekt tjetër te “Gernika”. Në pikturën e mëparshme të artistit, shpata dhe krahu janë shkëputur dhe janë në pjesën e poshtme të pikturës. Përdorimi i tillë për “Masakrën e Koresë” është shprehje e agresionit perandorak që sugjeron pesimizëm ndaj politikës globale dhe ngritjen e totalitarizmit të pandëshkuar. Krahu është gati për gjymtuar të pafajshmit: një arketip i përjetshëm i tiranisë së pamëshirshme!

“Vepra nuk u prit mirë”, thotë Limousin, duke komentuar edhe reagimet e kritikëve më 1951. “Piktura u cilësua si shumë e lehtë, shumë e lexueshme për bashkëkohësit e artist, sepse u perceptua si ndarje e organizuar thjesht mes ‘të mirëve dhe të këqijve’”.

“Madona në livadh” (1505-1506), pikturë e bërë nga Raphaeli

Ndoshta, në mendjen e Picassos, poezia e “Gernikës” e krijuar 14 vjet më parë, nuk kishte ndikim të mjaftueshëm për paqe te zemrat dhe mendjet e liderëve botërorë. Ndaj, ishte koha për një kokëfortësi brutale. Megjithatë, ndonëse u kritikua nga shumë njerëz dikur, Limousin beson se, në retrospektivë, meriton të rivlerësohet nga publiku si “vepër e fuqishme”.

Nga obsesioni me konfliktet e kohës, Picasso kurrë nuk u regjistrua në asnjë ushtri. Si banor i Parisit gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, nuk kishte asnjë detyrim ligjor, si shtetas spanjoll, për t’iu bashkuar luftës kundër Gjermanisë. Në vend që të mbushte armën në vijën e frontit, zgjodhi t’i mbushte pikturat me energji kundër luftës – një impuls evident te disa nga veprat e tij më të hershme, që nga viti 1912, që u referohen trazirave në Ballkan.

“Virgjëresha e shkëmbinjve” (1483-1486), pikturë e bërë nga Leonardo da Vinci

“Marrëdhënia mes Picassos dhe luftës”, shprehet Limousin, “është e rëndësishme në artin e tij, që në fillim”.

Sa si kjo marrëdhënie shfaqet, nuk është gjithmonë e qartë. Ndaj, për të kontekstualizuar pikturat dhe vizatimet që në shikim të parë nuk duken se janë frymëzuar nga lufta, organizatorët e ekspozitës kanë analizuar materialin biografik dhe historik që hedh dritë të re te veprat e tij.

Kolazhet e para kubistë të Picassos, përfshirë “Shishja dhe gazeta” (1912), që merret me tensionet dhe luftërat në Ballkan

“Një gjë që është shumë e rëndësishme për këtë ekspozitë”, shpjegon Limousin, “është fakti se po ekspozojmë 330 vepra, mbi një e treta e të cilave janë të Picassos, një e treta nga arkivat personale të artistit dhe një e treta objekte që lidhen me temën ushtarake të muzeut”.

Radioja që ka përdorur Picasso

Duke prezantuar vizionin artistik të Picassos, ekspozita na kujton se gjithë arti krijohet nga individët të cilët jetojnë jetët e tyre – në shumë aspekte si ti dhe unë – duke lexuar dhe diskutuar idetë, e duke dëgjuar radion me gëzim e zemërim. Radioja “Super Groom” e vitit 1939, tek e cila Picasso mund të ketë dëgjuar interpretimet e miqve të tij muzikantë, apo lajmet për krimet e luftës, do të jetë po ashtu në ekspozitë. Pajisja duket si makinë kërcënuese në karikaturën e quajtur “Lufta” (1951), që Picasso e krijoi të njëjtin vit kur bëri “Masakrën e Koresë”: një konstruksion që duket si një kryqëzim surreal mes një tosteri, një radioje dhe një mjeti të blinduar që nxjerr zjarr dhe krijon errësirë.

“Lufta” (1951), karikaturë e thjeshtë dhe infantile, e bërë nga Pablo Picasso

Me aq art të mirë në ekspozitë (rreth 140 vepra të Picassos) është e lehtë të harrohet se vendi që mirëpret këtë shfaqje, Muzeu i Ushtrisë, i përkushtohet një gjëje tjetër: armëve!

“Kjo është histori, aq sa një ekspozitë arti”, shprehet Limousin, duke theksuar se ekspozita nuk mëton të shënojë hapin e madh në jetën dhe karrierën e Picassos por, më shumë se kjo, 80-vjetorin e përfundimit të Luftës Civile në Spanjë. /Telegrafi/

Bradley Cooper dhe Lady Gaga sëbashku në një projekt të ri kinematografik

U përfol shumë për një lidhje të mundshme mes tyre, që pas xhirimeve të filmit “A Star Is Born”. Bëhet fjalë për Bradley Cooper dhe Lady Gaga.

Miqësimi i tepërt gjatë filmit, pas tij dhe marrëdhënia shumë e mirë që kishin së bashku bëri që aktori të ndahej nga modelja Irina Shayk. Sipas lajmeve të show-bizz-it, dyshen do ta shikojmë përsëri në një projekt kinematografik.

Sipas mediave të huaja Cooper dhe Gaga do të jenë pjesë e kastit të prodhimit kinematografik ‘Guardians Of The Galaxy 3’. Bradley do të ketë rolin e Rocket Racoon, ndërsa Gaga do të luajë të dashurën e tij.

“The Guardian” reportazh për vilën e Enver Hoxhës

Brenda vilës tre katëshe, të mbushur me nënkalime, të Enver Hoxhës, është thuajse ashtu siç ishte kur lideri komunist i Shqipërisë u nda nga jeta në 1985.

Sipas të përditshmes britanike “The Guardian”, asokohe, Hoxha sundonte me diktaturë staliniste, në vendin që e kish shndërruar në një prej më të izoluarve dhe më represivëve në botë.

Në erën e komunizmit, e gjithë zona rreth shtëpisë së Hoxhës, ishte e izoluar nga policia dhe agjentë sekretë. E njohur si blloku, zona funksiononte si një lloj Kremlini pa mure, në zemër të Tiranës, rezervuar për elitën e partisë dhe familjet e tyre.

Tani, shkruan “Guardian”, blloku është një nga zonat më të frekuentuara të Tiranës, e mbushur me bare, klube nate dhe restorante. Në mesin e tyre, është edhe shtëpia fantazmë e Hoxhës, e paprekur dhe e mbyllur për publikun.

Shqipëria e ditëve të sotme, shkruan “Guardian”, kërkon anëtarësimin në BE pas shumë vitesh në të cilët njerëzit kanë preferuar të harrojnë të shkuarën.

Por tani, shqiptarët po provojnë të përballen me trashëgiminë e diktatorit dhe po mendohet si të hapet shtëpia e diktatorit për publikun. Brenda saj, muret janë dekoruar me art socialist, shumë dhoma janë pajisur me televizorë shqiptarë të vjetër, dyert e dhomës së gjumit të diktatorit kanë veshje që izolon tingujt ndërsa në bodrum, ka një pishinë dhe një derë sekrete që çon në një tunel në të cilin Hoxha “paranojak” mund të largohej në rast sulmi.

Kryeministri Edi Rama, nënvizon “Guardian”, po mendon prej kohësh për dilemën se çfarë duhet të bëjë me shtëpinë, pasi edhe druhet se do të ishte njësoj e papërshtatshme si mbajtja në gjendjen aktuale, ashtu edhe shkatërrimi i plotë.

“Është e vështirë të gjesh një zgjidhje të mirë, kur e shkuara është ende aty por ti i shërben të ardhmes”, thotë ai.

“Guardian” shkruan se edhe ndërtesa të tjera që simbolizojnë regjimin e Hoxhës janë rikonceptuar për përdorim publik, ndër të cilat edhe zyrat qendrore të sigurimit, që tani janë kthyer në muze. Po ashtu edhe bunkerët. Tani, janë aktuale ndërkohë planet për të transformuar piramidën e ndërtuar në fund të viteve 80 si një muze për diktatorin e ndjerë. Por pavarësisht planeve të mëdha, nuk ka ende një monument të denjë për viktimat e Hoxhës, shkruan Guardian.

Poezia, andrra e qiellit dhe e tokës

Arjola Zadrima ka lindur në Shkodër. Ka ndjekur studimet për Gjuhë dhe Letërsi në universitetin “Luigj Gurakuqi”. Pasioni dhe hobi është letërsia dhe kryesisht poezia.

Ka fituar çmimin e parë në Festivalin e Poezisë së Pabotueme në Shkodër më 2016, dhe çmimin e Medias në këtë festival, me poezinë me titull “Eva” .

Në maj të 2016-s ka botuar vëllimin e parë poetik me titull “A ban me m`lshue pak rrugë”, i cili u vlerësua me çmimin “Penda e Kristaltë”, në Munchen të Gjermanisë nga International Institute for the Protection of Cultural Gege and Toske.

Gjithashtu ka fituar dy çmimet e para në Festivalin e Poezisë së Pabotueme. Ndërkaq, më 2017 u prezantua me cikle poetike në revistën letrare të Tiranës, ILLZ.

Më 2018, në konkursin letrar të portalit kulturor “Kultplus”, u shpall fituese e çmimit të parë me poezinë “Po të due unë”.

Së fundi ka botuar librin e dytë me poezi e fotografi, me titull “Carpe Diem”.

A…apo AMEN mbi buzë, butë, amël, foli pa u tutë, heshtjes teme që t’marrin frymë, Zot, që m’krijove vajzë, grue, nanë. Asnjihere nuk u lodhe tuj m’dashtë mue, që mëkatnoj pa i çilë sytë. Pa t’u lutë m’fal , për hir të virgjnës Mari, që të fali djalë. Ti krijesë që të di, m’i ço prapë zemrës dallgë, krijueses së qiellit e tokës, frymën e uraganeve të botës./Koha.net

Pesë arsye se përse të rinjtë duhet ta lexojnë Tolstoin

Tolstoi nuk është nga ata autorë që lexohen me kënaqësi të madhe nga të rinjtë. Për të qenë e sinqertë, më është dashur shumë mund e këmbëngulje për të lexuar “Lufta dhe paqja” kur isha ende në fakultet dhe leximi i tij ishte i detyruar (edhe pse tashmë, dhjetë vjet më vonë, e di që ia vlejti).

Por në fakt, në rrethanat dhe shoqërinë e sotme, veprat e Tolstoit janë të përshtatshme për të rinjtë në të njëzetat.

Edhe pse jetonte në Rusi mbi njëqind vjet më parë, Tolstoi dhe personazhet e tij dinin gjithçka mbi ambicien, dështimin, këmbënguljen…

Duke lexuar si çdo ditë shtypin e huaj, ndala në një artikull mbi shkrimtarin rus, që më shtyu të shkruaja këtë blog, e bindur se shkrimtari më i madh rus duhet lexuar, në mos në të ri, në çdo moshë të mundshme.

1. Tostoi gjithmonë mundohej të përmirësohej

Në moshën 18-vjeçare, Tolstoi nisi të mbante një ditar për aktivitetet e ditës, në të cilin përcaktonte me rigorozitet planet dhe vinte rregulla që, sipas tij, do t’i forconin vullnetin.

“Mos u shqetëso për opinionet e të tjerëve”; “Ndihmo njerëzit më pak fatlumë” ishin disa nga rregullat e Tolstoit. Tema e vetëpërmirësimit shfaqet në disa nga veprat e Tolstoit, sidomos në “Fëmijëria”.

2. Tolstoi e njihte dështimin

Fakti që shkrimtari më i madh rus dhe një nga më të njohurit e letërsisë botërore jo gjithmonë i arrinte qëllimet që i vinte vetes na lehtëson dhe na bën të ndihemi pak më mirë me veten.

Jo gjithmonë Tolsoi ia arrinte t’u përmbahej rregullave të veta, në fakt në të shumtën e rasteve ai nuk bënte asgjë, flinte shumë dhe lexonte Gogolin.

“Është dita e dytë që nuk kam bërë asgjë nga ato që duhej të bëja. Pse? Nuk e di. Megjithatë nuk duhet të deshpërohem; duhet ta detyroj veten të bëhem më aktiv” – shkruante Lostoi në ditar.

3. Personazhet e Tolstoit jo gjithmonë përshtaten në rrjedhën e ngjarjeve, por kjo ka anët e veta pozitive

Në fillim të librit “Lufta dhe paqja”, Bezukovi ishte 20 vjeç dhe i sapokthyer nga Europa, ku u arsimua për 10 vjet. Është e pashmangshme që në mjedisin e ri ai ndihet në ankth dhe duket sikur jeton në një shoqëri së cilës nuk i përket.

Megjithatë, ai përpiqet për më mirë dhe është nga të paktët që ia arrin.

4. Tolstoi donte të gjente kuptim dhe thjeshtësi në një botë kaotike

Me internetin, mediat sociale, teknologjinë e zhvilluar që tashmë janë bërë pjesë e jetës sonë të përditshme është pak e vështirë të gjesh qetësi.

Në novelën “Lumturia e familjes”, ka një fragment mbi këtë temë: “Një jetë e qetë në fshat, mundësisht duke qenë i dobishëm për njerëzit që janë mësuar të bëjnë mirë; pastaj natyrë, libra, muzikë… kjo është ideja ime për lumturinë.”

Sigurisht, nuk po themi të shpërngulemi në fshat që të jemi të lumtur, por të gjitha të tjerat kanë vlerë: socializimi me njerëzit e duhur, leximi, lidhja me natyrën, do të japin qetësinë e merituar.

5. Edhe Tolstoi ka kaluar kriza paniku

Ndërsa ishte në një udhëtim në Penza në vitin 1869, Tolstoi ndaloi në një hotel për të kaluar natën. Edhe pse ndihej shumë mirë, në orën 2.00 të mëngjesit ai kaloi një krizë paniku, që e mbushi me ndjenjat e frikës dhe dëshpërimit (kush nuk e ka kaluar një të tillë?!).

Dhe e fundit, Tolstoi nuk është vetëm “Lufta dhe paqja”. Fare mirë mund të nisni me novelat e tij, para se të vendosni të lexoni kryeveprën e letërsisë ruse apo tragjedinë romantike “Ana Karenina”. /botimeshqip

Premierë e jashtëzakonshme e filmit ’Shpia e Agës’ të Lendita Zeqirajt në Karlovy Vary të Çekisë

“Shpia e Agës” me skenar dhe regji nga Lendita Zeqiraj hapi konkurencën e ‘East of the West’ në festivalin ndëkombëtar të Karlovi Varit (Karlovy Vary) të Çekisë. Filmi u prit jashtëzakonisht mirë nga publiku në një premierë të rëndësishme dhe domethënëse.

Filmi përcjellë Agën (Arti Lokaj) 9 vjeçar i rritur me nënën e tij në një shtëpi jashtë qytetit. Ai mëson serbisht nga Zdenka, një grua e nacionalitetit tjetër, në mënyrë që ta gjej babain e tij për të cilin mendon se është në burg në Serbi. Hapja e konkurencës ‘East of the West’ në Karlovi Vari (Karlovy Vary) me filmin e Lenditës është momenti më 
i rëndësishëm i radhës për filmin kosovar.

Shpia e Agës ka për producent Bujar Kabashin. Rrolet i luajnë: Arti Lokaj, Rozafa Çelaj, Adriana Matoshi, Shengyl Ismaili, Melihate Qena, Basri Lushtaku, Rebeka Qena, Molikë Maxhuni, Egla Ceno etj. Filmi “Shpia e Agës” është bashkë-prodhim në mes Kosovës, Kroacisë, Francës, dhe Shqipërisë me shtëpitë prodhuese N’ART FILMS mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, bashkëprodhuesit WOOF FILMS nga Kroacia; Sacrebleu productions nga Franca; si dhe Ska-Ndal Productions dhe SY13 Films nga Shqipëria mbështetur Qendra Kombëtare e Kinematografisë.

Trailer-i i filmi: 
https://cineuropa.org/en/video/374321/ KultPlus.com

Albert Camus – tri parakushte për të përballuar absurditetin e jetës

Në vitin 1957, Albert Camus u bë nobelisti i dytë më i ri në letërsi për atë që komiteti i nobelit e pa si shkrimtar “me vështrim të qartë dhe të fortë që ndriçon problemet e ndërgjegjes njerëzore të kohës sonë.” Ai ishte 44 vjeç kur fitoi Nobelin. Para tij, në vitin 1907, Rudyard Kipling, shkrimtari dhe poeti britanik, e kishte fituar Nobelin në letërsi në moshën 41 vjeç.

Nobeli është një çmim karriere dhe mosha mesatare e të 114 shkrimtarëve që e kanë fituar mes viteve 1901 dhe 2017 ka qenë 65 vjeç.

Afro një dekadë më herët, Camus meditoi mbi marrëdhënien mes absurditetit dhe shpagimit në një intervistë të vitit 1945 me gazetaren Jeanine Delpech:

Para se të fitonte çmimin Nobel, Camus e kishte tronditur botën në vitin 1942 me esenë filozofike Miti i Sizifit, i cili nis me një nga fjalitë më të fuqishme hapëse në të gjithë historinë e letërsisë dhe eksploron paradoksin e absurdit në jetë.

“Unë nxjerr nga absurdi tri pasoja, të cilat janë revolta ime, liria ime dhe pasioni im,” shkruan ai – diçka që e shtyu intervistuesen e tij të pyeste nëse një filozofi mbi absurdin mund t’i shtynte njerëzit drejt dëshpërimit.

Camus – i cili vite më herët kishte thënë se “nuk ka dashuri në jetë pa dëshpërim në jetë” – u përgjigj:

“Gjithçka që mund të bëj është të përgjigjem për veten time, duke kuptuar se ajo që po them është relative. Të pranosh absurditetin e gjithçkaje përreth nesh është një hap, një eksperiencë e domodsoshme: ajo nuk duhet të vijë si një rrugë qorre. Ajo na shkakton revoltë, e cila mund të jetë e ftyrshme. Një analizë e idesë së revoltës mund të na ndihmojë ne të zbulojmë idetë e afta për rivendosjen e një kuptimi relativ të ekzistencës, megjithëse një kuptim që gjithmonë do të jetë i rrezikuar.”

Duke folur pranë fundit të brutalitetit të pakuptimtë të Luftës së Dytë Botërore, gjashtë vjet para se të formulonte idetë e tij mbi solidaritetin dhe atë që çfarë do të thotë të jesh rebel, Camus tha:

“Në një botë ku absurditeti duket se është kaq i padepërtueshëm, ne thjeshtë duhet të arrijmë një shkallë më të lartë të të kuptuarit mes njerëzve, një shkallë më të lartë sinqeriteti. Ne duhet të arrijmë këtë ose të vdesim. Për ta bërë këtë, disa parakushte duhet të plotësohen: 1. Njerëzit duhet të jenë të hapur (falsiteti konfuzon gjërat), 2. të lirë (komunikimi është i pamundur me skllevër). Në fund, 3. ata duhet të ndjenjë një lloj drejtësie përreth vetes.

Ambasada e Kosovës në Washington hapë ekspozitë për presidentin amerikan

Mbrëmë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Uashington, delegacioni nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria qëndroi në Ambasadën e Kosovës, ku e hapi ekspozitën dokumentare, i promovoi pullat postare me portretin e Wilsonit dhe librin “Albania” të Kristo Dakos.

Thomas Woodrow Wilson ishte presidenti i 28-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në fillim të pranishmit i përshëndeti zëvendësambasadori i Kosovës në Uashington, Frymëzim Isufaj. Ai u shpreh se ndjehet shumë i kënaqur që zyra e Ambasadës së Kosovës po bëhet një vatër kulturore që e freskon kujtesën kolektive për miqësinë shqiptaro-amerikane.

Pas tij foli këshilltari i Kryeministrit të Kosovës, Jahja Lluka, i cili tha se kjo ekspozitë dhe qëndrimi jonë në SHBA ka për synim ta ripërsërisë falënderimin e përjetshëm shqiptar për miqësinë me Amerikën. “Përmes këtij aktiviteti ne i zbuluam rrënjët e kësaj miqësie,” përfundoi ai.

Kurse, drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, Skender Asani. Ai foli për rëndësinë e ekspozitës dhe përkushtimin e tre qendrave shqiptare, që edhe përmes  pullave postare me portretin e Wilsonit ta rikthejë miqësinë shqiptaro-amerikane.

“Amerika edhe më 1919, edhe më 1999, por edhe sot, për neve është vendi më i rëndësishëm për stabilizimin e rajonit dhe të kombit shqiptar. Bota jonë shqiptare e pret dorën e Wilsonit të ri”, tha ai.

Në këtë ekspozitë ishte i pranishëm edhe Robert Higdon, Avokat i Shteteve të Bashkuara në Distriktin Lindor të Karolinës së Veriut. Ai foli për rëndësinë e vendosjes së drejtësisë dhe shtetit ligjor në Kosovë dhe përgjithësisht në Ballkan, duke theksuar se “miqësia shqiptaro-amerikane dëshmohet më së miri përmes vendosjes së shtetit të së drejtës”.

Në fund foli drejtori i Institutit për Studime Shqiptare dhe Protestante, David Hosaflook, u ndal në botimin anastatik të Kristo Dakos “Albania”, që vjen pas 100 vjetëve nën botimin e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve dhe Institutit për Studime Shqiptare dhe Protestante.

Pullat postare me portretin e Wilsonit janë shtypur nga postat e Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe Shqipërisë, ndërsa ekspozita do të qëndrojë e hapur deri të hënën.

Të dua

 Poezi nga Paul Eluard

Të dua për të gjitha femrat
Që kurrë s’i njoha
Të dua për të gjitha kohët
Që nuk i jetova
Për aromën e detit të gjerë
Dhe aromën e bukës së freskët
Për dëborën që dëjet
Për lulet që çelin më herët
Për kafshët e buta
Që njeriu nuk i tremb
Të dua ty për mua
Të dua për të gjitha femrat
Që aspak nuk i dua

Tek ti unë pasqyrohem
E shoh veten kaq voglan
Pa ty nuk shoh tjetërgjë
Veçse shkretëtirë pa anë
Midis së dikurshmes dhe të sotmes

Janë gjithë ato vdekje
Që i përballa pa pipëtime
Nuk kam mundur të thyej
Murin e pasqyrës sime
Më është dashur ta mësoj
Jetën fjalë për fjalë
Vetëm se si ta harroj

Të dua për zgjuarsinë
Që nuk më përket mua
Për shëndetin të dua
Kundrejt gjithçkaje që është veç trillim
Për këtë zemër të pavdekshme
Që mua nuk më përket
Ti që beson se je dyshimi
Vetëm arsyeja ti je
Ti je dielli që nxeh
E që mua më deh
Kur jam më trim se kurrë
Kur jam më trim se kurrë

Ishim më keq, kur ishim më keq

Annamaria Testa*

Zonja dhe zotërinj, zakonisht jam e rezervuar mbi gjërat e mia personale, por kam vendosur që sot, në mënyrë të jashtëzakonshme, të mendoj bashkë me ju disa kujtime të fëmijërisë sime.

Flasim për pak më shumë se 50 vite më parë, në Milano. Dhe pardje, jo një e kaluar shumë e largët. Nuk është larg. Dhe nuk është një situatë privimesh, apo zhvillimi të mangët. Lufta kish pak kohë që kishte përfunduar, ishin vitet e parë të bumit. E megjithatë.

E megjithatë e mbaj mend mirë atë herë kur – nuk kish ndodhur kurrë më parë dhe ishte kaq e jashtëzakonshme sa të ngulitej në kujtesën time – prindërit sollën në shtëpi një shishe të madhe me “Coca Cola”, e unë mendova: “Urra, jemi bërë të pasur!” Fenomeni nuk u përsërit më dhe mua mu rikthye dyshimi.

Më kujtohen kuadratët e gazetave që gjyshi i priste me shumë kujdes, dhe i vartë në tualet pranë lavamanit. Mund t’ju siguroj se letra higjenike, e cila hyri në shtëpinë tonë pak a shumë në kohët e “Coca Cola”-s dhe për fat u bë, ajo po, një konsum familjar i përhershëm, është krejt tjetër gjë: duhet të përballesh që ta besosh.

Më kujtohet fare mirë një drekë në vigjilje të Krishtlindjes me të gjithë familjen, gjyshër, daja dhe kushërinj, të gjithë duke parë me vëmendje një ananas të freskët – dhuratë shumë e çmuar e një klienti të gjyshit – sikur të ishte një frut i ardhur nga Marsi.

Në fund, pas shumë arsyetimesh se si mund të pritej ajo gjë, dy meshkujt e shtëpisë vendosën që të përveshin mëngët, njëri duke e kapur trimërisht pas xhufkës, tjetri duke vërvitur një thikë kuzhine. Arritën të nxjerrin shumë pak feta, të vogla dhe zhgënjyese, dhe të gjithë kishim rënë dakord se ananasi në kuti, delikatesa e gatshme ekzotike e Krishtlindjeve, ishte pafundësisht më mirë.

Më kujtohet aroma në fundin e frigoriferit, kur akulli më në fund ishte shkrirë dhe gjalpi gjithashtu po shkrinte. Dhe faktin që duhej ta hapnim dhe mbyllnim mbulesën, sa hap e mbyll sytë.

Më kujtohen çarçafët që duheshin larë dhe që liheshin në vaskën e banjës gjithë ditën, me copëza sapuni “Marsiglia”. Dhe faktin që më pas, dikush duhej t’i lante. Dhe më pas shtrydhja duke i tërhequr fort: veprim që duhej bërë me dy vetë. Me që ra fjala: ardhja e lavatriçes është konsideruar faktori më i rëndësishëm i emancipimit të femrës.

Më kujtohet kur më dërgonin dy kate më poshtë, që t’u lutesha fqinjëve të linin të lirë telefonin sepse prisnim një telefonatë.

Më kujtohet që në rrugë ndodhte të shihja ndonjë djalosh me shenja plagësh në këmbë dhe dikush nën zë pëshpërinte: “i gjori,  ka marrë poliomelitin”.

Gjithashtu, gjithë gjyshërit kishin marrë pjesë në luftëra. Askush nuk fliste, kurrë. Medaljet ndodheshin në fund të sëndukëve, bashkë me ngjitëset dhe fijet e spangos që mbaheshin aty, se kushedi, mund të duheshin ndonjëherë.

Më kujtohet që në konviktin ku të mitë më dërgonin gjatë verës, shëtisnin minj të mëdhenj, dhe që një herë më përlanë të gjitha biskotat që më kishin sjellë prindërit. Pjesën tjetër të muajit, vetëm bukë dhe marmelatë qershie, me një ngjyrë të kuqe kaq kimike, saqë bëhej edhe fluoreshente.

Të vëzhgosh veten përsëlargu

Më kujtohen këto dhe shumë të tjera.

Të kujtuarit është një fakt i higjenës mendore dhe sentimentale. Kështu, herë pas here, kur hedh çarçafët në lavatriçe apo kur nxjerr qumësht të freskët nga frigoriferi, apo kur nervozohem për shkak se celulari nuk ka shumë valë, nis të vetëdijësohem se të gjitha këto gjëra nuk janë dhe aq të mirëqena. Që kam privilegje të cilat një herë e një kohë nuk i kisha, dhe të cilët edhe sot e kësaj dite, jo të gjithë njerëzit i kanë.

E vëzhgoj veten time nga larg. Relativizoj gjërat.

Dhe të paktën për pak çaste ndihem e lehtësuar, e kënaqur dhe mirënjohëse. Dhe kështu, për një moment të paktën, shpresoj të ndiheni dhe ju.

* Eksperte komunikmi

Internazionale – Bota.al

Instrumentet muzikore të Nolit dhe Qemal Stafës në muze

Në Muajin e Muzikës janë ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar 25 instrumente të rralla muzikore. Nuk mungojnë as instrumentet e përdorura nga ish-kryeministri Fan Noli apo “Heroit të Popullit”, Qemal Stafa. Sipas kompozitorit Vasil Tole, këto dëshmi rrëfejnë sesa larg jemi nga ky realitet sot.

 Ekspozita “Trashëgimia shpirtërore përmes instrumenteve muzikore” është çelur në Muzeun Historik Kombëtar. Mes 25 instrumenteve të rralla, nuk mungojnë as lahuta, çiftelia, gajdja, cyla dyjare apo corni inglese, që ka përdorur Fan Noli edhe violina e “Heroit të Popullit”, Qemal Stafës. Për kompozitorin Vasil Tole kjo ekspozitë ka rëndësi shumë të madhe, jo vetëm se flet për muajin e muzikës apo se ka në qendër rolin që këto vegla muzikore kanë pasur në jetën e shqiptarit tradicional, por edhe sepse, dëshmon se si politikanët shqiptarë dikur kanë pas qenë të kulturuar.

“Duhet parë muzika, si pjesë e jetës së njeriut, kjo është shumë e rëndësishme, sepse ky është edhe thelbi i Ditës Kombëtare të Muzikës, 21 qershori. Në mënyrë të veçantë kjo ekspozitë provokon disa mendime, sipas këndvështrimit tim. Në radhë të parë, për rolin edhe rëndësinë që veglat muzikore kanë pasur në jetën e njeriut edhe shqiptarit tradicional. Besoj se është pjesërisht e vërtetë, që shqiptarët janë vetëm tipa heroikë, që i përfytyrojnë vetëm me veshje popullore dhe me armë në breza. Përkundrazi! Kjo ekspozitë është edhe një thirrje për institucionet, që të nxit prodhimin e veglave muzikore. Edhe elementi i tretë, është korni anglez, që e ka pas përdorë Fan Noli, ish- kryeministër i Shqipërisë apo violina e heroit të Popullit, Qemal Stafa, që dëshmon se politikanët e rëndësishëm janë njerëz të kulturuar, që nuk bëjnë vetëm politikë mirë, por edhe diplomaci kulturore. Këto dëshmi dëshmojnë se sa larg këtij imazhi jemi sot në jetën e përditshme”, shprehet kompozitori Tole.

Kompozitori mendon se kur flitet për një politikë të pastër, për njerëz me integritet, me të kaluar jokriminale, duhet kërkuar edhe elementët e tjerë,  edukata, kultura e hollë edhe shija estetike, që ata duhet të zotërojnë.

“Është e vërtetë që muzika edhe arti nuk ndryshojnë dot historinë, por ato mund të ndryshojnë njerëzit, që mund të ndryshojnë ngjarjet”, shprehet Tole.

Ndërsa, Dorian Koçi, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar e konsideron këtë ekspozitë një mënyrë të mirë për të rigrupuar instrumentet muzikore që gjenden në fondin e këtij institucioni

“Një pjesë e instrumenteve është e fondit tonë, të paekspozuara më parë. Disa prej tyre janë të vjetra, i përkasin fundit të shekullit XIX. Kjo ekspozitë tregon edhe se si kanë jetuar shqiptarët, që përkrah anës heroike, kanë pasur edhe pasione. Për këtë arsye ne dëshirojmë që herë pas here të bëjmë të mundur edhe këtë pjesë të rëndësishme të shoqërisë sonë”, shprehet Koçi.

Ekspozita vazhdon që të qëndrojë hapur për publikun në Muzeun Historik Kombëtar.

Blyta: Njeriu që s’ka turp, ka defekte të personalitetit

Neuropsikiatri Afrim Blyta ka folur për problemet shëndetësore nga të cilat mund të vuajë elita politike në vend. Sipas tij, ai që nuk ka turp patjetër që ka defekte të personalitetit.

“Unë mendoj që një person nëse nuk ka turp, nëse nuk skuqet, nuk ka ndërgjegje. Nëse nuk ka ndërgjegje nuk ekziston një strukturë shumë e rëndësishme e personalitetit që quhet superego. Superego është ai polici, gjykatësi që e kemi brenda vetës i cili nuk të lejon me vepru ose me e bo diçka që nuk bëhet, i cili të nxit me bo diçka që duhet me e bo. Por në momentin kur një gjë të tillë nuk e ke, nuk e ke ndjenjën e fajit, nuk e ke ndjenjën e turpit ki jetë defektuoz atëherë flasim për diçka që quhet psikopatologji. Njeriu i cili nuk ka turp edhe nuk skuqet ka defekte në personalitetin e tij dhe nëse ka defekte në personalitetin e tij atëherë ai është objekt i studimit të psikopatologjisë ‘, shpjegoi Blyta.

Sipas dr. Afrim Blyta thotë se shtrirja e pacientëve me probleme mendore është tek të gjitha moshat.

“Prej fëmijërisë së hershme e deri në një moshë të shtyrë kemi probleme të natyrës mendore. Te disa janë të lidhura me probleme organike zakonisht është mosha e adoleshencës, periudha e rinisë së hershme”, thotë ai.

“Në esencë nuk mundemi me thënë në mënyrë specifike që ndonjë grupmoshë e caktuar është më tepër e prekur sesa mosha tjetër. Në përgjithësi kemi një shtrirje paka a shumë uniforme në të gjitha grupmoshat”, tha Blyta.

Dr. Blyta foli edhe për meditimin.

“Meditimi është një teknikë e cila e mobilizon të gjitha kapacitetet e organizmit që do t’i kalohet një situatë. Është në esencë metodë me të cilën luftohet ajo që quhet stresi kronik. Stresi është një reagim i organizmit ndaj një situatë të pakëndshme. Reagim fiziologjik”, shpjegon Blyta.

“Ai na ndihmon me e tejkalu atë situatë por nëse ky stres zgjatë një kohë të gjatë atëherë kemi me pasë probleme të cilat na në mjekësi i quajmë probleme të natyrës psiko-somatike.Problemi psikologjik në fund ka simptoma dhe shenja të sëmundjes trupore”, thotë ai.

“Sëmundja e diabetit e hipertensionit, sëmundja e kolitit, e tiroidesë, psoriaza. Një mori e madhe e sëmundjeve me të cilat ne ballafaqohemi për çdo ditë është rezultat në esencë të ndikimit të faktorit psikologjik. Pra nëse ju arrini me e kontrollu stresin me metodat dhe teknikat e meditimit ju keni lehtësu situatën në parandalimin ose në lehtësimin e simptomave dhe shenjave’, tha ai.

“The Guardian” me reportazh për vilën e diktatorit Hoxha

Brenda vilës tre katëshe, të mbushur me nënkalime, të Enver Hoxhës, është thuajse ashtu siç ishte kur lideri komunist i Shqipërisë u nda nga jeta në 1985.

Sipas të përditshmes britanike “The Guardian”, asokohe, Hoxha sundonte me diktaturë staliniste, në vendin që e kish shndërruar në një prej më të izoluarve dhe më represivëve në botë.

Në erën e komunizmit, e gjithë zona rreth shtëpisë së Hoxhës, ishte e izoluar nga policia dhe agjentë sekretë. E njohur si blloku, zona funksiononte si një lloj Kremlini pa mure, në zemër të Tiranës, rezervuar për elitën e partisë dhe familjet e tyre.

Tani, shkruan “Guardian”, blloku është një nga zonat më të frekuentuara të Tiranës, e mbushur me bare, klube nate dhe restorante. Në mesin e tyre, është edhe shtëpia fantazmë e Hoxhës, e paprekur dhe e mbyllur për publikun.

Shqipëria e ditëve të sotme, shkruan “Guardian”, kërkon anëtarësimin në BE pas shumë vitesh në të cilët njerëzit kanë preferuar të harrojnë të shkuarën.

Por tani, shqiptarët po provojnë të përballen me trashëgiminë e diktatorit dhe po mendohet si të hapet shtëpia e diktatorit për publikun. Brenda saj, muret janë dekoruar me art socialist, shumë dhoma janë pajisur me televizorë shqiptarë të vjetër, dyert e dhomës së gjumit të diktatorit kanë veshje që izolon tingujt ndërsa në bodrum, ka një pishinë dhe një derë sekrete që çon në një tunel në të cilin Hoxha “paranojak” mund të largohej në rast sulmi.

Kryeministri Edi Rama, nënvizon “Guardian”, po mendon prej kohësh për dilemën se çfarë duhet të bëjë me shtëpinë, pasi edhe druhet se do të ishte njësoj e papërshtatshme si mbajtja në gjendjen aktuale, ashtu edhe shkatërrimi i plotë.

“Është e vështirë të gjesh një zgjidhje të mirë, kur e shkuara është ende aty por ti i shërben të ardhmes”, thotë ai.

“Guardian” shkruan se edhe ndërtesa të tjera që simbolizojnë regjimin e Hoxhës janë rikonceptuar për përdorim publik, ndër të cilat edhe zyrat qendrore të sigurimit, që tani janë kthyer në muze. Po ashtu edhe bunkerët. Tani, janë aktuale ndërkohë planet për të transformuar piramidën e ndërtuar në fund të viteve 80 si një muze për diktatorin e ndjerë. Por pavarësisht planeve të mëdha, nuk ka ende një monument të denjë për viktimat e Hoxhës, shkruan Guardian.

Askush nuk reagoi për mungesën e fotografive të artistit Alban Muja në Bienale të Venedikut

Shkruan: Ilir Muharremi, kritik i artit

Është për t’u çuditur përse askush nga mediat, madje nuk është mbajtur asnjë konferencë ose debat në lidhje me mos realizmin komplet të projektit të artistit Alban Muja në Bienale të Venedikut 2019. Aty munguan fotot e qytetarëve të cilëve ju kërkua t’i dërgojnë. Nuk u shpjegua përse asnjë nga fotot e qytetarëve nuk u shfaq, por vetëm videoinstalacion i Alban Mujës, me çrast u kërkuan që fotot të ishin personale dhe të pa shfaqura. Kjo i bie që secili nga artistët mund të manipulojë me Institucionin dhe publikun dhe jo më kot thuhet se masa dirigjohet sikur delet. Kjo u dëshmua me pjesmarrje në Bienale.

U shpenzuan 25 mijë euro për 22 zyrtarët institucionalë që shkuan për Bienale dhe askush nga ta nuk kërkoi shpjegim për fotot e munguara.

Me 3 prill në faqen e Facebook bëhet një kërkesë publike në kuadër të konceptit të veprës së Mujës që populli t’i dërgoj fotografitë familjare të shkrepura gjatë kohës së luftës të viteve 1998-99. Ja postimi origjinal:

“Bashkëqytetarë të nderuar, artisti i mirënjohur Alban Muja, sivjet përfaqson Kosovën Bienalen e Venedikut, ngjarjen më të madhe në fushën e artit bashkëkohor. Projekti i tij multimedial i quajtur “Albumi Familjar”, flet për të kaluarën tonë gjatë luftës, e cila ndodhi pikërisht 20 vjet më parë.

Ju ftojmë që të bëheni pjesë e projektit duke na dërguar fotografitë tuaja familjare, të bëra gjatë periudhës së luftës, viteve 1998/1999.

Fotografitë duhet të jenë familjare, jo profesionale, me pamje të ndryshme të përditshmërisë suaj gjatë kësaj kohe. Ato mund t’i dërgoni në emailin tonë:

[email protected] ose në faqen në FB: https://www.facebook.com/kosovopavilion58/notifications/ Ju falemnderit!”. Si duket fotografitë munguan dhe nuk u shfaqen, madje në faqen kryesore “Kosovo Pavilion / 58th Venice Biennale 2019 / Alban Muja”, nuk ka asnjë foto të ndonjë individi të dërguar gjatë 1998-99./KlutPlus.com

Promovohet libri “Kamer e Murat Loshi” (FOTO)

Libri me titull “Kamer e Murat Loshi” me autor Bedri Tahiri, po promovohet në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë nën patronatin e kryetarit të kuvendit, Kadri Veseli.

Aty u tha se Kamer e Murat Loshi ishin veprimtare të çështjes kombëtare që me pushkë dhe punë atdhetare nuk u ndalën për atdhe.

Pjese e këtij promovimi janë edhe veprimtare të tjerë të librit e letërsisë, siç është poeti Esat Loshaj nga Peja, dashamirë të librit dhe artit të kulturës dhe të tjerë.

Me pjesëmarrje, këtë ngjarje e kanë nderuar edhe deputeti në Maqedoninë e Veriut, Ziadin Sela, kryetari i kuvendit Kadri Veseli, deputetja Blerta Deliu dhe zyrtarë të tjerë të PDK-së.

Autor i librit, njëherësh edhe profesor i gjuhës shqipe që merret me krijimtari të shkrimeve të ndryshme për periudhat e luftës në vend, Bedri Tahiri, gjatë luftës në Abri kishte përcjellë ndodhitë e luftës me UÇK-në meqë kishte mbajtur edhe ditar për ngjarjet e asaj kohe. Ai njëherësh është edhe fitues i disa çmimeve dhe anëtar i akademisë së shkencave shqiptaro-amerikane.

Kryeparlamentari Veseli tha se ndihet shumë mirë me pjesëmarrjen e familjarëve dhe intelektualëve tjerë në këtë ngjarje, ndërkaq foli edhe fjalë të mëdha për autorin duke thënë se po bën punë të mira për figura të tilla që kanë sakrifikuar për liri.

Zbulime në Butrint, dalin në dritë elemente të reja në tabanin e faltores pagane

Dita e fundit e një ekspedite arkeologjike 7 javore, në Butrint solli një zbulim befasues për ekipin shqiptaro-amerikan të arkeologëve. Ata besojnë se gërmimet në këtë hapësirë do të mund të rishkruajnë pjesë të historisë së Butrintit.

Një burim antik ende funksional në tabanin e një faltoreje të shek. të I, para Krishtit, në Butrint u cilësua si gjetja më e vjetër e llojit të saj në të gjithë Ballkanin. Burimi ende nxjerr ujë të pastër të pijshëm dhe duket qartë e gjithë struktura e pastrimit bashkë me një vaskë që mbushej nga burimi dhe i shërbente freskimit të popullsisë në një mjedis me karakter publik. Arkeologët besojnë se bëhet fjalë për tempullin antik dedikuar Zeusit Shpëtimtar. Struktura e tempullit ku emri i Zeusit u gjet dhjetëra herë ishte mes vendeve më të rëndësishme në qytet pas teatrit. Emrat e dhjetëra skllevërve që fitua lirinë ishin gdhendur në strukturat e gurta.

Ekspedita 7 javore i tejkaloi pritshmëritë, thotë David Hernandez, bashkë drejtor i projektit pasi provoi se ujësjellësi i ndërtuar nga perandori August, mes vitit 27 para Krishtit dhe vitit 14 të shek. të parë, është më i vjetri në të gjithë historinë e ndërtimeve me këtë natyrë. Augusti që u kujdes ta shndërrojë gjithë qytetit në një mjedis që vuloste shkëlqimin e Romës me trotuare, godina masive të gjitha të bardha dhe mbishkrime të arta ndërtoi një ujësjellës 6 km të gjatë që përshkonte Butrintin.

Gjetja e tretë e rëndësishme është konfirmimi i një Basilike mbi strukturën e Forumit Romak që ju mbivendos tempullit të Zeusit. Strukturat e granitit që u mbërritën në Butrint nga Egjipti si pasuri ekskluzive e Augustit u bënë pjesë e kolonadës së Basilikës dhe më pas në shek. VI u ripërdorën për Baptisterin.
Gjithë struktura e mureve dhe kanalizimeve të shkëlqyera të periudhës janë stabilizuar prej arkeologëve, ndërsa Prof.Dr.Dhimitër Çondi kreu shqiptar i ekspeditës, thotë se gjetjet në objekte janë gjithashtu mbresëlënëse. Mes tyre dallohen instrument kirurgjie, lodra fëmijësh, objekte supersticioni etj.

Hapësira më e rëndësishme në Butrint, pas teatrit fsheh ende shumë enigma, por arkeologët besojnë se gërmimet në këtë hapësirë do të mund të rishkruajnë pjesë të historisë së Butrintit, sidomos gjatë periudhës së shkëlqimit të tij, kohës kur qyteti mori emrin dhe mbrojtjen e Augustit dhe u quajt “Colonia Augusta Buthrotum”.

Një portret për Fadil Vokrrin (FOTO)

Një i ri nga Suhareka ka krijuar një portret për legjendën e futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.

Artisti Rilind Morina, këtë pikturë e ka bërë me stilolaps.

Sipas artistit puna e palodhshme e Fadil Vokrrit për futbollin kosovar, e ka motivuar atë që ta punojë portretin e tij.

Rilindi ditë më parë ka realizuar edhe një pikturë të ish-presidentit amerikan Bill Clinton.

Ai është i diplomuar në Fakultetin e Arteve.

Teki Dervishi, një shkollë e nxënë jashtë librave

(Fjalë e mbajtur të premten në Shkup me rastin e tetë vjetorit të shkuarjes  në amshim të shkrimtarit Teki Dërvishi)

Nëse në Britani ekziston si model  katedra e Shekspirologjisë, e pakta që mund të bëhet në sistemin tonë arsimor, kulturor e mediatik, është përfshirja si objekt studimi i veprës së Teki Dërvishit, njërit prej kodifikuesve të rrallë të shenjëzimit letrar, duke filluar që nga tregimet e para të botuara në revistën ‘Jeta e re’, në fillim të viteve 60, që drejtohej nga Esad Mekuli, ku bënte pjesë edhe tregimi ‘Sania’ , e deri te krijimet fundit, të shpërndara nëpër gazeta e revista në dhjetëvjetëshin e fundit para se të ndërronte jetë, më 29 qetshor 2011.

Emin AZEMI

Të gjithë studiuesit e letërsisë, por edhe lexuesit e vëmendshëm të veprës së Teki Dërvishit, janë shoqëruar me jo pak dilema para se t’iu kenë qasur këtij shkrimtari, sa origjinal,po aq edhe kompleks, sa modernist,  po aq edhe eksperimental. Teki Dërvishi është  ndër shkrimtarët e rrallë të letërsisë sonë që ka mbetur jo vetëm i pastudiuar, por për rrjedhojë, statusi i tij si individualitet krijues nuk e ka zënë vendin e merituar në sistemin  e përgjithshëm valorizues të universit tonë letrar, por edhe në njohjen e meritave që ai pati në mbajtjen gjallë të rezistencës intelektuale e protestës  krijuese kundrejt sistemeve antikombëtare e akulturuese.

Teki Dërvishi erdhi si fenomen krijues dhe mbetet i tillë për shumë arsye, sepse ai nuk ishte shkrimtar mode, ndonëse nuk ishte demode, ai nuk shkroi që t’i përshtatet kohës, ndonëse nuk ishte  jashtë kohe, ai nuk i takonte oborrit letrar, por vepra e tij theu shumë gardhiqe që i kishte vendosur kritika zyrtare dhe fryma letrare e poltronëve oborrtarë…

Në vitin 1981 Teki Dërvishin e larguan nga Flaka e Vëllazërimit, sepse refuzoi të shkruante kundër Ismail Kadaresë, që i bie se ai refuzoi të del kundër vetvetes dhe po të vepronte ndryshe ai nuk do të ishte më Teki Dërvishi. Ishte po ai që i takonte Grupit të Demaçit, si përfaqësues i Rrafshit të Dukagjinit dhe i dënuar si 17 vjeçar me burg të rëndë në ishullin famkeq të Goli Otokut, , që njihej si Alkatrazi i Jugosllavisë së atëhershme, ku vuajtën dënime shumë disidentë të kohës. Kjo ishte edhe një shkollë për T. Dërvishin të cilën ai kishte arritur ta nxëjë jashtë librave, që më vonë ai vet do të bëhej një shkollë për të tjerët e nxënë jashtë librave, por edhe një aksiomë jetësore që e kishte mësuar nga Dush Kusari që ‘kurrë të mos i takonte shumicës’. Ishte po ai i cili veproi gjithmonë sipas dellit të krijuesit e njeriut vertikal që udhën e nisur e përfundonte atje ku i thoshte ndërgjegjja.

Dhe ndërgjegjja e Teki Dërvishit ishte baraz me fuqinë krijuese për t’i bërë një radiografi poetike shtëpisë së sëmurë, e cila po lëngonte mbi gërmadhat e një ngrehine qe herët a vonë duhej rrënuar, por, edhe si i varun me vargje për drurin e blertë, ai arriti ta ruajë pastërtinë e poezisë nga klishetë e socrealizmit dhe skemave të mërzitshme të një letërsie me patos social dhe me avangardizëm të shpifur. (me vëllimet poetike Nimfa 1970, I Varun me Vargje për drunin e blertë 1971, Shtëpia e Sëmurë 1978,  Thashë 1981.  Ai, madje, siç do të vëjë në dukje njëri prej njohësve më të spikatur të veprës së këtij shkrimtari, prof. Nehas Sopaj, sipas të cilit Teki Dërvishi jo vetëm që ishte kompleks për nga natyra dhe veçantia e shkrimit, por edhe për faktin se  “ai, krahas Marin Camajt dhe Beqir Musliut ,në letërsinë tonë bashkëkohore është një ndër shkrimtarët më produktivë dhe vepra e tij shënon shkollë shkrimi më vete ku autorin e shohim shumë pjellor duke lëruar tri gjinitë letrare paralelisht: poezi, prozë dhe dramë dhe është vështirë të kuptohet pesha dhe rëndësia e veprës së tij nëse lexohet parcialisht, pra nëse lexohet vetëm si poet, si prozator apo si dramaturg. Por, edhe të lexuarit në tërësi të veprës së tij është i vështirë, sepse problem numër një për receptim paraqet mosnjohja e domosdoshme e kodeve të shkrimit të autorit”.

Të rrallë janë shkrimtarët në letërsinë tonë që sistemin e ideve dhe konceptin estetik e kishin të mishëruar si një tërësi në vetë natyrën e krijimit, ose siç do të shprehet një studiues tjetër meritor i veprës së Teki Dërvishit,  Ramadan Musliu  sipas të cilit “Teki Dërvishi  arriti të krijojë një opus letrar në të cilin hetohet një sistem idesh, një koncept unik estetik, një vetëdije krijuese, e cila kur vështrohet në të gjitha planet, del  si një artist në rolin e demiurgut, ai që arrin të krijojë një univers artistik”.

Brezi i shkrimtarëve që erdhi bashkë me Teki Dërvishin, siç ishin Beqir Musliu, Musa Ramadani, Ymer Shkreli, Xhabir Ahmeti, Resul Shabani, Nexhmedin Soba e ndonjë tjetër, ishte fryma që po thyente një traditë shkrimi, por edhe brezi i shkrimtarëve që arritën të bëjnë kalime të pahetueshme nga zhanri në zhanër duke qenë të suksesshëm në çdo njërin prej tyre.

I tillë ishte edhe Teki Dërvishi, i cili madje edhe kur shkruante prozë, shkrinte elemente të tjera të natyrës shkrimore, (duke filluar nga vëllimi me tregime ‘Etje dhe borë’) dhe siç do të vërejë edhe  studiuesi Ibrahim Rugova teksa analizonte romanin ‘Pirgu i lartë’ që  e konsideronte një prurje të re në letërsinë shqipe për kohën kur u botua (1972) , sidomos sa i përket funksionit të poezisë në roman. Kjo strukturë novatore e të rrëfyerit mbase do ta bëjë ‘Pirgun e lartë’ romanin e parë lirik në letërsinë shqipe, për të vazhduar me një tjetër observim narrativ përmes romanit ‘Herezia e Dërvish Mallutës’’, në të cilin Teki Dërvishi tematizon herezinë e raportit në mes të individit dhe rrethit dhe  thellësinë e paradoksalitetit të keqkuptimeve në këto raporte, ku Dervish Malluta prish kanonet të cilave është dashur t’iu përmbahet.

Se Teki Dërvishi është një shkrimtar që kapërcimin e fakturës shkrimore nga një zhanër në zhanrin tjetër e bën me sukses, por edhe me pasion eksperimental,  pa rënë në grackën e eklektizmit të tepruar stilistik, dëshmon edhe përkushtimi i tij ndaj dramaturgjisë, që dikush prej miqve dhe krijuesve e pat quajtur ‘Shekspiri shqiptar’,  përmes dramave: Zbutësi i njerëzve me sy prej zymrydi, Bregu i Pikëllimit, Pranvera e Librave, Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit, Kufiri me atdhe, Mbreti i lirë,   Vojceku, Eshtrat që vinë vonë, Nesër nisemi për Parajsë, 1999, Ku është Populli?.

Në gjithë këtë opus dramatik, ai kulmin e arriti me ‘Bregu i pikëllimit’, një cikël prej nëntë njësish dramaturgjike, të cilat edhe po të lexohen dhe të luhen veç e veç, mund të funksionojnë si mëvetësi kuptimore, pa e prishur tërësinë e integralitetit, ndonëse në skenat e Teatrit, sidomos realizimi në Teatrin Kombëtar të Prishtinës, me regjisorin Vladimir Milçin, Bregu i Pikëllimit, jo vetëm që po e freskonte tempullin e Talisë me një prurje tepër të komplekse e të guximshme, por po i jepte Teatrit shqiptar një ritëm të ri zhvillimi, një dinamikë që kishte filluar ta humbë në kohën kur kjo  dramë u vu në skenën e Prishtinës në fillim të nëntëdhjetave. Përmes Bregut të pikëllimit Teki Dërsvishi bëri konfigurimin skenik të një udhëtimi të dyzuar mitik e real të njeriut, i cili , siç ndodhte edhe me Itakën e Odisës, ashtu Suka e Cërmjanit ishte për Udhësin Lojëtar sizmologjia e gjendjeve shpirtërore, që duhej të kalonte nëpër nëntë rrathë, që ishin nëntë shtresa të sprovës njerëzore, por edhe nëntë hallka të vetëpërcaktimit moral të individit në kontekst të xhunglës sociale e psikologjike që e rrethonte.

Teki Dërvishi erudit e shkrimtar, estet e publicist, eksperimentues  e postmodernist, i cili kurrë nuk parapëlqeu t’i takonte shumicës, mbetet pengu më i madh i i një misioni të papërfunduar i botuesve, studiuesve e përgjithësisht lexuesve, sepse njohja më cilësore  me këtë shkrimtar tash e në të ardhmen nuk mund të bëhet pa një ridefinim të statusit të tij në letrat tona dhe kjo uk mund të bëhet pa u botuar e plotë vepra e tij, në poezi, prozë, dramë, ese, kritikë (letrare dhe teatrore), publicistikë, dhe pa u studiuar me themel sistemi estetik e shkrimor i kësaj vepre.

Nëse në Britani ekziston si model  katedra e Shekspirologjisë, e pakta që mund të bëhet në sistemin tonë arsimor, kulturor e mediatik, është përfshirja si objekt studimi i veprës së Teki Dërvishit, njërit prej kodifikuesve të rrallë të shenjëzimit letrar, duke filluar që nga tregimet e para të botuara në revistën ‘Jeta e re’, në fillim të viteve 60, që drejtohej nga Esad Mekuli, ku bënte pjesë edhe tregimi ‘Sania’ , e deri te krijimet fundit, të shpërndara nëpër gazeta e revista në dhjetëvjetëshin e fundit para se të ndërronte jetë, më 29 qetshor 2011.

Qofshin të përjetshëm emri dhe vepra eTeki Dërvishit!

“Rex”, shpikja e ushtarit zviceran

Kur ju dëgjoni fjalën “Rex”, çka ju vjen në mendje për gjënë e parë? Ndoshta për dinozaurin T-Rex?, apo emri i ndonjë qeni?

Por, jo, nuk po flasim për dinozaur, por për diçka tjetër. Rex e njohur si qëruese për patate është zbuluar në Zvicër.
Një ushtar zviceran e ka zbuluar këtë shpikje që sot përdoren nga kuzhinierë e amvise, gjë që ua lehtëson shumë punën, transmeton albinfo.ch.

Zvicerani Alfred Neweczerzal e zbuloi këtë, pasi ai ishte lodhur duke qëruar patate në kohën sa ishte në ushtri.

Vaji i burrit drejt fundit të botës

Gjatë kohës së dimrit, sa ishte në Meksiko Siti, Xhevdet Bajraj më shkroi dhe më njoftoi se verës do të vijë në Kosovë, se do t’i botojë dy libra, se do t’i përurojë që të dytë dhe më porositi: “Thuaju prishtinalive ftofna nja dhjetë gajbe me birra se e kemi njet me i pi”. (Xhevdet, i kam njoftuar. Ndoshta, derisa ke ardhur ti, i kanë mërdhirë)! Festën e madhe të librit të tij “Kur qajnë hardhitë” e nisëm në fillim të këtij qershori, në Panairin e Librit në Prishtinë, me birra dhe libra në duar. Po e vazhdojmë sonte këtu, po si javë më parë, me shpresë për ta vazhduar diku tjetër në vjeshtë, po kaq mirë, hareshëm, këndshëm dhe ngrohtë si sonte.

Librin e Bajrajt “Kur qajnë hardhitë” e ka botuar Shtëpia Botuese “Armagedoni” pa i ndërruar dy fjalë me autorin. Thjesht, nuk kishim çfarë të diskutonim me të as për poezitë e tij, as për hardhitë e vendit të tij, as për vajin, kujtesën kolektive dhe dhembjen tonë të përbashkët. Jo, sepse, një bisedë për këtë libër dhe për poezitë e tij e pata bërë me Xhevdetin kohë më përpara, në dhjetor, për revistën “Akademia”, në të cilën, i pyetur kush je ti, ai më qe përgjigjur: “Oh, Xhevdet Bajraj është një kërkues kokëfortë i parajsës së humbur, asaj që e ka krijuar Perëndia për të. Herë i afrohet e herë i largohet, me Kosovën në zemër sikur nuk ka vend për ata të dy aty, kështu që përpiqet, pa sukses, t’i bëjë Kosovës vend në të, se pa të nuk është i tëri”. Parajsa e tij, e dalë nga dora dhe mendja e tij, është kjo që quhet “Kur qajnë hardhitë”.

Së këndejmi, atyre shumë pyetjeve që u është përgjigjur në atë intervistë në formë të prozës si, për shembull, kush është Xhevdet Bajraj, përse shkruan, çfarë e mërzit, çfarë e lumturon, çfarë ndien për Kosovën kur është larg saj dhe çfarë ndien për të kur është këtu, ç’punë dhe ç’jetesë bën në Meksiko Siti, si i përjetoi ditët e para të luftës në Kosovë, ato të refugjatit atje dhe të lirisë dhe kthimit në Kosovë, pastaj çfarë është për të poezia, çfarë u flet spanjollëve për Kosovën dhe për gjenocidin serb në Kosovë e shumë të tjerave, kryesisht për jetën e tij, u është përgjigjur poetikisht dhe paralelisht, në gjuhën shqipe dhe spanjolle, në librin “Kur qajnë hardhitë”, i cili është shkruar gjatë vitit të tretë të bursës së Sistemit Kombëtar të Krijuesve Artistikë të Meksikës. Por, edhe pse është shkruar në Meksiko Siti, ky libër topikën e ka në Kosovë, në Rahavec, aty ku mbillet, piqet rrushi dhe zihet rakia. Edhe përkushtimin e librit autori e ka për familjen e vet: për Nazmijen, Fadilin, Dritën dhe Besën. Patjetër dhe për ne të tjerët që e gjejmë vetveten në të qysh prej krijimit të ditës së parë teksa mbledhim kujdesshëm ndodhitë si trohet e bukës dhe teksa numërojmë ditët e bardha dhe të zeza të jetës dhe familjes së tij.

Vështruar në tërësi, “Kur qajnë hardhitë” duket si një koleksion miniaturash poetike. Përbrenda tyre ka portrete, përshkrime, kujtime, njoftime, rrëfime për karaktere njerëzish, skena komike dhe tragjike, skica dhe skeçe. Ai që i luan dhe i shkruan është autori – Xhevdeti. Duke pasur shije të hollë për këtë lloj të shkrimit dhe për përzgjedhje të këtyre miniaturave, kujdes të posaçëm u kushton edhe titujve të tyre, të cilët janë, pjesa më e madhe e tyre, prej 77 poezive në gjuhën shqipe dhe po kaq në gjuhën spanjolle, me vetëm nga një fjalë, kryesisht emra, si: Zana, Ujku, Kësulëkuqja, Kthimi, Kripa, Muza, Këmisha, Vallëzimi, Pështyma, Politika, Pulla, Valixhja, Rrëmbimi, Fajtori, Falja, Qengji, Protesta, Cigarja, Klithja, Vagabondi, Hija, Mësimi e ndonjë tjetër. Këta tituj emërorë i përshtaten natyrës së miniaturës, e cila ka ngjarje të vogla, fjalë të pakta, fjali të shkurtra, po mjaft të zgjedhura. Rrush prej figurave stilistike janë këto poezi. Ka në to simbol, ka personifikim, ka antitezë, ka krahasim, ka metaforë, ka hiperbolë, ka litotë, ka inversion, ka paradoks, ka alegori, ka paralelizëm figurativ. Ka kujtime të mira dhe të këqija. Ankth dhe stres. Krime dhe dëshmi. Foshnja, fëmijë, të rinj, të moshuar, të vjetër. Të gjallë dhe të vdekur. Edhe të vrarë në Abri dhe Padalishtë. Edhe prezantim të krimeve e dëmeve të mëdha serbe bërë në Kosovë, duke numëruar rreth 12 000 të vrarë, prej tyre rreth 1 400 fëmijë, rreth 1 750 vajza dhe gra. Dmth., poezia e Bajrajt ka, përpos letrar, edhe dimension historik, të historisë më të re të Kosovës. Padyshim se, duke e shkruar poezinë Pa zemër edhe në gjuhën spanjolle, e cila numëron disa prej krimeve serbe në Kosovë, ndërkombëtarizon çështjen e popullit tonë.

Më tutje, poezia e tij ka homazh për dëshmorë, heronj, viktima dhe ka mirazh për disa udhëheqës zyrash të të sakatosurve në beteja të luftës, të cilët mezi s’presin t’i korruptojë dikush. Ka dhe ftesë për protestë të qetë e zë të ngritur kundër atyre që pronën e shtetit e përdorin dhe e keqpërdorin më shumë se pronën e vet private. Ka hakërrimë njerëzore për padrejtësi të ndryshme shoqërore.

Që t’i bie më shkurt, “Kur qajnë hardhitë” është libër me poezi dokumentare, është pjellë e luftës së Kosovës dhe lirisë së nëpërkëmbur të saj. Libri nuk ka ilustrime me fotografi dhe faksimile, por ka përshkrime të hollësishme me fjalë. Një këso përmbledhje me ngjarje të luftës e të pasluftës, shkruar në këto përmasa shoqërore, kulturore, arsimore, shkencore, për dëmet njerëzore dhe ekonomike që i janë bërë vendit tonë nga serbët, na ka munguar gjatë dhe shumë. Duke lexuar këtë libër i kujtojmë dy vjetët e luftës, njëzet vjetët e pas luftës, barbarët, luftëtarët dhe komandantët. Dhe, së bashku me hardhitë e Rahavecit dhe së bashku me Xhevdetin, derisa analizojmë tërësinë e temave e të motiveve të tij, duhet të qajmë edhe ne sepse kemi për çfarë. Lufta ka shkatërruar dhe rrëmbyer shumëçka tonën të dashur, por paslufta i ka bërë roje të keqe luftës. Vetëm disa vepra letrare, si kjo sot dhe si ky autor, janë përkujdesur për të kaluarën tonë të përgjakshme. Prandaj, meritojnë nderim të madh./KultPlus.com

Bota e aparencave në teatër

Kritika e Platonit mbi artit mimetik (imitues) në përgjithësi, dhe e teatrit, në veçanti, ka ushtruar ndikim te teoritë mbi teatrin, jo vetëm në antikititetin greko-romak e mesjetë, por edhe më tutje, në modernitet, ndonëse ka pësuar transformime të theksuara brenda rrymave të ndryshme të artit teatror. Kjo kritikë, paradoksalisht, u shpalosë në kohën e shpërthimit të një krijimtarie të artit teatror (me Eskilin, Euripidin e Sofokliun, veç tjerëve) nga më të begatshmet në histori.

Platoni i bën vërejtje teatrit, fjala vjen, se praktikon formën e skajshme të imitimit, ngase imituesi (poeti-autor) bëhet aty vet, në qenien e tij i ngjashëm me atë që imiton. Ai kritikon teatrin ngase e shikon si një aktivitet « i ndarë nga realiteti », e sidomos pse e bën ngatërrimin e personaliteteve (autori, aktori, spektatori). Por, imitimi teatral, për të, mbështetet në një konfuzion më të thellë e më të rëndë ngase na shpie ta konsiderojmë aparencën si realitet. Ndërkaq, për koncepcionin metafizik të Platonit ndarja midis aparencave dhe realitetit, është ndarje midis asaj që është e sipërfaqshme, iluzore, e pavërtetë dhe asaj që është e vërtetë dhe e mirëfillt. M. Haumesser, filozof dhe aktor, në Filozofi e teatrit (Paris, 2008), thekson se teatri, sipas Platonit, kënaqë dhe ushqen prirjen tonë të çuditshme që t’i besojmë aparencave, që është një « dobësi e natyrës sonë », e cila na shpie të besojmë te ngjarjet dhe gjërat që nuk kanë vërtetësi. Poezia mimetike përjashtohet nga sfera e njohjes së mirfilltë të botës, njohjes racionale, prandaj edhe është vetëm njohje e sipërfaqshme, simulim i njohjes së vërtetë. Edhe përmbajtja e aksioneve, në një shfaqje teatrale, meqë mbështetet te aparencat, ka të bëjë me lajka ndaj senzibilitetit tonë(f.15).

Karakteri i shumfisht i imitimit mbetet thjesht në nivelin aparencës së ndjeshme (senzibile) dhe dështon të arrijë te natyra dhe thelbi i një gjëje. Mu për këtë, teatri del te Platoni si një instrument i « shpërbërjes së shpirtit », ngase i dorëzohet « diversitetit të aparencave », të asaj që është e sipërfaqshme dhe e pavërtetë. Poeti dramatik del më ngashnjyes se dijetari që synon njohjen e mirëfillt racionale. Në dialogun Gorgias, Sokrati e vlerëson tragjedinë si një « retorikë që i shërben turmave », e dobët ngase « kultivon lajkat », duke e përdorë kënaqësinë që ofron kjo shfaqje teatrale si kurth për mendjen dhe njohurinë e kthjellët. Platonianët e mëvonshëm do ta kritikojnë më shumë komedinë se tragjedinë për kultivimin e « shtytjeve të ulta », nëpërmjet të qeshurit. Shën Augustini, duke ndjekur fillin e kritikës platoniane, do ta kritikojë karakterin paradoksal të kënaqësisë që ofron shfaqja teatrale.

Ambivalenca e teorisë së Platonit mbi teatrin

Megjithatë, teoria e Platonit mbi teatrin nuk është e njëtrajtshme ; ajo së paku është ambivalente. Kësisoj, ai nuk përjashton mundësinë që një vepër e mirë teatrore të mund të arrijë të ndriçojë vërtetësinë e ngjarjeve dhe karaktereve, por me kusht që t’i ikën shumllojshmërisë së aparencave senzibile. Për të qenë i pranueshëm, arti dramatik, për Platonin, duhet të imitoj personazhe që udhëhiqen me dëshirën për të vërtetën (f.18).

Haumesser, por edhe Hubert(Hyber), përkujtojn njëherit, se Platoni, megjithë kritikat që i bën teatrit, vet i ka ndërtuar veprat e veta në një formë mjaft teatrale: ato kanë formën e dialogjeve, që shpalosen në skena të ndryshme dhe rëndom kanë një rjedhë dramatike përmes debateve mbi tema etike, politike e metafizike. Platoni si autor imiton personazhe të tjera, duke filluar nga Sokrati, me emrin e të cilit i nënshkroi të gjitha veprat-dialogjet e veta. Mirëpo, personazhet kyqe të Platonit kanë si motivim dëshirën për të vërtetën, dëshirën për të tejkaluar aparencat. Disa nga veprat e tij, si Banketi dhe Apologjia e Sokratit, u vunë në skenë në shumë vende të botës, dhe u bën shfaqje të shquara, sidomos në kohën tonë. Më pastaj, shpesh është theksuar se ligjërimi i Platonit, ndryshe nga ai i Aristotelit, gërsheton ngushtësisht konceptet racionale me imazhe të fuqishme e mite domethënse.

Mosbesimi i Platonit ndaj artit teatral del edhe nga fakti se ai kishte hetuar fuqinë e teatrit e cila buron nga ndikimi i fort që ushtrojnë te njerëzit aparencat e aksioneve njerëzore. Ai e sheh rrezikun e « shpërbërjes » së shpirtit dhe shtetit brenda diversitetit të këtyre aparencave, duke e larguar atë nga normat e të vërtetës dhe të mirës. Jeta e imituar e një personazhi shpërfaqet si jetë e një hijeje, si hije e hijeve.

Haumesser do të vejë në pah se për Platonin teatri synon të suprimojë çdo instancë të gjykimit e cila do të vendosej përmbi aparencat, në veçanti autorin apo naratorin, i cili mund të synojë gjetjen e asaj që i ikën brishtësisë së kohës (Idetë). Për Platonin, problemi me teatrin qëndron aty se ai ka një fuqi të iluzionimit. Spektatori i përngjet, me situatën e vet, atij të të burgosurit brenda shpellës, ku ai është i mashtruar me vizionin e hijeve të cilat i merr si realitete (alegoria e shpellës në Shteti,VII). Kjo magji iluzioniste e teatrit mund ta ngatërroj kufirin midis fiksionit dhe reales ; në teatër zhvillohen lojëra të pasqyrës midis realitetit dhe imazheve(Hubert). Më vonë, Frojdi do të flasë për rëndësinë e « imagjinatës shkencore ».

Imitimi i një ideali

Haumesser e dikton, në hulumtimin e vet, një lidhje (ndikim)midis pikëpamjes së Platonit me atë të Denis Diderot, filozof francez i shekullit 18, i cili sidomos me veprat Ligjërimi mbi poezinë dramatike (1772) dhe Paradoksi mbi aktorin (1777) do të ndikoi thelbësisht te teatri modern. Jo vetëm disa filozofë por edhe disa dramaturg ishin të joshur nga ideja për mundësinë e zotërimit të fuqisë së teatrit, si art dramatik, për ta kanalizuar atë, duke e drejtuar te normat e të vërtetës ose të moralitetit. Kësisoj, në Ligjërimi mbi poezinë dramatike ai bën fjalë për një « dramë serioze » e cila do zinte një vend midis tragjedisë dhe komedisë dhe do të synonte të imitojë veprimet e mirëfillta morale (f.20). Nuk është fjala këtu që poezia dramatike të vehet në shërbim të këshillave moraliste. Por për atë që arti dramatik të krijoj një hapësirë për persiatje të cilat mëtojnë të ndriçojnë mundësitë e vetëformësimit të njeriut si qenie e mirrëfillt, në mënyrë që veprimet e tij, në relacione me të tjerët, të jenë përmbushje e saj që është thelbësisht njerëzore te njeriu. Diderot ka parasyshë aftësinë artistike për të zotëruar aparencat teatrale, duke evituar rrëshqitjen e personazhit dhe aktorit te një ndjeshmëri dhe sentimentalizëm ose në lojëra komike boshe, të cilat do t’i kaplonin dhe do t’i bënin të paaftë që të ngriten te një nivel i të menduarit i cili bën të mundur një imitim të aksioneve e ndjenjave të mirëfillta. Kështu, ai ia kundërvë imitimit të aparencave shqisore imitimin e një modeli dhe të një ideali që sajohen sa me forcën e mendimit aq edhe me pasione të fuqishme. Cilësia artistike e një shfaqje teatrore varet, për Diderot-n, pikërisht nga fuqia artistike e autorit dhe aktorit që të jetësojnë personazhe që nxjerrin në skenë mënyra të të jetuarit që cilësohen me vërtetësi e jo me simulime boshe(f.20).

Disa nga paradokset e aktorit te Diderot-së do t’i radikalizojë më tutje regjisori anglez Edward Gordon Craig (XX), në veçanti në librin Aktori dhe Mbi-marioneta, ku e redukton rrënjësisht vlerën e lojës së aktorit. Ndikimi i Platonit sa i takon raportit midis autorit dhe aktorit është i hetueshëm këtu. Madje Craig është më radikal në këtë pikë, ngase e kufizon aktorin në kukull të thjesht.

Ndërkaq Aristoteli, ndryshe nga Platoni, te Poetika, do të kërkoj të vërtetën e teatrit pikërisht brenda aparencave, brenda ndryshimësisë së tyre. Ai do të ushtrojë ndikim te disa rryma të tjera të mendimit dhe artit teatror, në shekujt që vijojnë. Aristoteli, në fakt, tematizon jo imitimin e një ideali por aksionin brenda ndryshimësive të rrethanave e sidomos transformimet e karaktereve dhe mendimeve të personazheve.

Në kuzhinën e aktorit

Michel Bouquet (Buke,1925-), njeri nga aktorët më të mëdhenj të teatrit francez (por edhe të filmit), i cili realizoi më se 100 role në teatro të ndryshme të Francës, në librin e bisedave Mësimi i teatrit (2014) zhvillon refleksione të thella mbi artin teatral e në veçanti për lojën e aktorit. « Detyrë e vetmja e aktorit, sipas tij, është që të bëjë të kumbojë brenda tij dhe të tjerëve tërësia e realiteteve dhe fantazmave që banojnë brenda magmës njerëzore (f.34) ». Ai mendon se aktori cilësohet me « aftësinë për t’i nxitur të tjerët të zbulojnë se në veten e tyre përmbajnë 50 million ekzistenca të ndryshme » e njëherit i cytë ta shtrojnë pyetjen « përse ata e mbajnë aq shumë të rëndësishme ta jetojnë ekzistencën e tyre (f.52). »

Bouquet i jap të drejtë Diderot-së kur ky fletë për « dy persona që njëherazi veprojnë brenda aktorit » : « është qenia intuitive e cila vehet në shërbim të rolit dhe që , në njëfarë mënyre, roli e përdorë dhe mbrapa, është tekniku, do të thotë aktori i cili vëzhgon për së afërmi se çka është duke ndodhur(f. 39) ».Bouquet mendon se Diderot ka të drejtë kur mendon se « aktori i përsosur është ai i cili sheh saktësisht se çka po ndodhë, gjakftohtësia e të cilit është e plotë për ta drejtuar sa më mirë punën e vet. Ai duhet të dijë se një gjest i caktuar është më efikas në një moment të shfaqjes të cilën e interpreton se sa në një tjetër moment[…] Aktori i vërtetë është ai i cili është njëherazi instrument i personazhit dhe zotëriu i tij(f.39). »

Në vend se ta reduktoj aktorin në marionetë, i cili vetëm i ndjek udhëzimet që i vijnë nga jasht, Bouquet e interpreton pikëpamjen e Diderot-së mbi aktorin në atë mënyrë që cilësia e tij themelore duhet të jetë jo ndjeshmëria por objektivitetingase vetëm kjo ia bën të mundur që t’i shtyjë të tjerët të zbulojnë atë që nuk arrijnë ta bëjn vetvetiu(41). » Bouquet mendon se aktori nuk duhet të identifikohet tërësisht me personazhin, të shkrihet i tëri në botën e ndjenjave dhe mendimeve të tij ; aktori i mirë ruan një distancë, ndonëse imiton veprimet dhe gjendjet shpirtërore të personazhit. Në këtë masë ai pranon një aspekt të mendimit të Diderot-së për rolin e aktorit.

Sa i takon raportit midis aktorit dhe regjisorit, Bouquet, rrënjsisht ndryshe nga Craig, thekson se « fusha e aktorit është tërësisht autonome. Askush nuk ka të drejtë të përzihet në kushinën e tij. » S’ka regjisor në botë, shton ai, «i cili do ishte aq i çmendur sa të dëshirojë të ndryshojë atë që ka një aktor në zemrën dhe ndërgjegjën e vet[…]Puna e regjisorit është më pak të jap udhëzime për zërin, shikimet, madje edhe për zhvendosjet në skenë, sa ta vejë aktorin në situatë që të pranojë brenda vetes personazhin duke zbuluar bashkë me të, raportin e natyrës së vet me rolin (f.75). » Mirëpo, sa i takon raportit të aktorit me tekstin e një autori, ai thekson se aktori duhet të jetë i vetëdijshëm se është vetëm interpretues i këtij teksti, e jo autor.

Në anën tjetër, « regjisori ka në duart e veta një tabele shahu dhe prandaj ai përcakton raportet e forcave që i lidhin apo i kundërvejnë. Në mënyrë të vete, edhe ai është autonom dhe fuqia e tij e vendimmarrjes është përcaktuese për publikun, por atij nuk i takon të merret me psikizmin e aktorit (f.75). »

Në mënyrë që personazhi të lind, sipas Bouquet-së, aktori duhet doemos të kalojë përmes « gjendjes së kërkimit të rolit, gjendjes së raportit të rolit me veten, dhe para së gjithash të ketë parasysh atë që kërkon autori (f.78) »

Këto presiatje për aktorin dhe « kuzhinën e tij », për raportet e tij me autorin dhe regjisorin, që janë zhvilluar në tê sotmen, janë sajuar edhe si reagim ndaj një qasje pjesërisht platoniane.

Shkruan: Muhamedin Kullashi./Kultplus.com

Mit’hat Frashëri u emocionua shumë gjatë vizitës së shkollave për vajza të aleancës izraelite

Nga Aurenc Bebja, Francë – 29 Qershor 2019

“Journal de Salonique” ka botuar, të hënën e 4 shkurtit 1907, në ballinë , një shkrim në lidhje me vizitën e Mit’hat Frashërit në shkollat për vajza të Aleancës Izraelite, të cilin, Aurenc Bebja, e ka sjellë për publikun shqiptar.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

I nderuari Mit’hat Bej, drejtor i Çështjeve Politike të vilajetit tonë, i shoqëruar nga z. Eduard Abravanel (Pronar – Farmacist i njohur), vizitoi të enjten shkollat e vajzave të Aleancës Izraelite dhe Sallën e Azilit.

Vizitorët gjithashtu morën pjesë në drekën që Aleanca u mundëson nxënësve të varfër.

Mit’hat Bej uroi ngrohtësisht drejtoreshat dhe mësimdhënësit e Shkollave të vajzave. Ai na siguroi se mori përshtypjen më të mirë të këtyre shkollave që po përparojnë në mënyrë të shkëlqyeshme.

Shikimi i nxënësve të varfër që po drekonin në tryezën e shkollës e bënë atë të ndihej shumë i emocionuar. /KultPlus.com