“U doni Gjoni, biri i Bdek Buzukut, tue u kujtuom shumë herrë se gluha jonë nukë kish gj~ të ëndigluom ën së shkruomit shenjëtë, ën së dashunit së botësë s’anë, desha me u fëdigunë, për smujta me ditunë, me zhdritunë pak mendetë e atyne qi të ëndiglonjinë… “Ëndë vietët M.D.L.IV. njëzet dit ëndë mars zuna ënfill, e ënbarova ëndë vietët një M.D.L.V., ëndë kallënduor, shkruan Gjon Buzuku në Meshar, veprën letrare më të vjetër shqipe të botuar dhe të ruajtur deri sot.
Libri përbëhej nga 110 fletë mirëpo kopja e librit që ka
arritur është e cunguar dhe i mungojnë 16 faqet e para dhe ndër to edhe
kopertina me faqen kryesore.
Buzuku ishte prift katolik, famullitar i një kishe në
Shqipërinë Veriore jo aq larg nga vendi i botimit dhe një nga lëvruesit më të
rëndësishëm të gjuhës shqipe. Me veprën e vet ai konsolidoi një traditë të
rëndësishme të të shkruarit të gjuhës shqip me alfabet latin.
Një shpellë përrallash, e mbushur me kristale gjigante, më e madhja në Evropë, do të hapet për publikun këtë vit.
Shpella, një e çarë në shkëmb e mbushur me kristale, ndodhet
50 metra nën një minierë të braktisur argjendi, në një qytet të Andaluzisë, në
Spanjë.
Ajo është zbuluar nga një shoqëri minierash nga Madridi, në
1999 dhe shpresohej se do të ndryshonte fatin e qytezës Pulpi, duke sjellë më
shumë turistë dhe bashkë me ta edhe vende të reja pune.
Shpella të tilla, ose gjeoda, krijohen në miliona vite pasi
një çarje brenda një shkëmbi mbushet me lëng. Zakonisht ajo duhet të mbushet e
tëra me një solucion kripor, në këtë rast lëng me sulfat kalciumi, që krijon
edhe kristalet.
Kjo është e vetmja gjeodë në Evropë. Një shpellë e ngjashme,
madje më e madhe, ndodhet në Meksikë, por ajo është në një thellësi më të madhe
se 200 metra, ç’ka e bën hapjen për publikun të vështirë. Si pasojë, kjo është
gjeoda më e madhe në botë që mund të vizitohet nga njerëzit.
Ajo pritet të jetë e gatshme për tu vizituar në tetor, por ekipi që po punon për këtë shpreson që hapja të jetë akoma më e afërt./KultPlus.com
Vasfije Krasniqi Goodman, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë ka uruar 20 vjetorin e çlirimit të vendit, liri që i kushtoi shumë Kosovës.
“Urime 20 vite Liri. Liri kjo që na kushtoi shumë por që
ndjehemi krenar që u arrit”.
Krasniqi Goodman tutje në rrjetin social facebook shkroi se një pjesë e madhe e shoqërisë vazhdon të jetojë në ankth.
“Një pjesë e madhe vazhdon të jetojë në ankthin dhe tmerrin
e robërisë familjare dhe shoqërisë. Pse duhet të jetojmë një jetë të tillë?”.
Ajo me këtë rast pati edhe një kërkesë drejtuar qytetarëve.
“Unë ju lutem që të na lejoni të jetojmë në liri, sikurse edhe ju”.
Në falënderim të mbështetjes së ish-presidentit amerikan, Bill Clinton, një djalë nga Prishtina, që kishte lindur në vitin 1999, mban emrin e tij.
20-vjeçari nga Prishtina mban emrin e ish-presidentit
amerikan, Bill Clinton.
Disa fëmijë të Kosovës e kishin rrethuar presidentin
amerikan, Bill Clinton, gjatë vizitës që ky u bëri në kampin e Bllacës, në
vitin 1999.
Po këtë vit kishte lindur edhe Klintoni i Kosovës.
Klinton Popova nga Komuna e Prishtinës thotë se e mban me krenari këtë emër të cilin ia ka vënë babai i tij, në shenjë falënderimi për presidentin amerikan, Bill Clinton.
“Prindi ka pas dëshirë të më vendos këtë emër për shkak të
personalitetit të Bill Clinton-it. Normalisht që ndjehem mirë dhe jam shumë i
kënaqur që kam emrin Klinton” tregon për RTV Dukagjinin, Klinton Popova.
Clintoni, tani 20 vjeçar thotë se asnjëherë nuk i ka sjellur
problem emri i tij, përkundrazi ka marr vetëm lëvdata.
“As në shkollë më herët e as në punë tash nuk kam pasur
ndonjë problem me emrin. Kudo që shkoj ose më lavdërojnë ose më thonë: Hallall
i qoftë atij që ta ka vendos këtë emër”, tha më tej Klinton Popova.
Ani pse nuk e ka takuar asnjëherë ish-presidentin amerikan, Bill Clinton, ai thotë se me dëshirë do ta bënte këtë po t’i jepet rasti.
Në kuadër të “Ecjes për Liri” për 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës, ish presidenti Bill Clinton ka vizituar Bulevardin “Bill Clinton” në prishtinë ku është dhe shtatorja e tij.
Me këtë rast në shenjë mirënjohje për të është përuruar dhe
një pllakë afër shtatores së tij.
Ish presidenti Clinton tha se kjo pllakë është një dhuratë
shumë çmueshme dhe tha se nuk duhet të krijohet asnjë ndasi mes njerëzve.
“Faleminderit për këtë pllakë sepse unë dëshiroj që çdo
qytetarë i Kosovës se kjo do të thotë shumë për mua. Jo vetëm për atë çka kam
bërë për fëmijët e tyre, për veten por për atë që ka ndodhur në tërë Evropën”,
tha ai.
Clinton tregoi dhe rëndësinë e shtatores së tij dhe diskutimin me gruan e tij, Hillary Clinton./KultPlus.com
Për dallim nga qytetarë të shumtë që sot po kanë mundësi të takojnë ish-sekretaren amerikane Madeleine Albright meqë po qëndron në Kosovën në 20 vjetorin e çlirimit, është një tjetër vajzë që mban po të njëjtin emër e që sot nuk arriti ta takojë, mirëpo deri tani dy herë e ka takuar.
Madeleine Albright Geci ka folur për Klan Kosova rreth
ndjenjës që ndan emrin e njëjtë me “Zonjën e Rëndë”.
“Ndihem tepër krenare që përtërij një emër të një zonje të
madhe si Madeleine Albright, ndihem e privilegjuar”.
“E mbaj me shumë krenari dhe ndihem e veçantë pasi
ish-sekretarja Madeleine Albright është grua e fortë dhe kam lexuar shumë gjëra
për personalitetin e saj, si një grua e fortë dhe besnike për vendin e vet dhe
popullin tim”.
Madeleine kosovare ka folur edhe rreth takimit me zonjën
amerikane.
“Madeleinen e kam takuar herën e parë në moshën 5 vjeçare,
atëherë kam qenë e vogël që të dijë diçka për të pos pastaj kam lexuar dhe kam
mësuar për të, herën e dytë e kam takuar në moshën 13 vjeçare”.
“Shpresoj që ta takoj sërish. Si të më ofrohet mundësia
vendin e parë që do ta vizitojë është Amerika dhe atje do të kërkoj të takoj
zonjën Albright”, deklaroi Madeleine Albright Geci.
E babai i vajzës Halil Geci ka treguar se pse ia la këtë emër vajzës.
“Madeleine më kujton kohën e luftës, ma kujton fjalimin e
saj të fuqishëm për ndalimin e gjenocidit serb, sa herë që e thërras rrëqethem
pasi me kthen në kohën tonë të vështirë. Kur e thërras më duket se e thërras
lirinë”.
Madeleine e pyetur nëse do të ndjek rrugën e “Zonjës së
Rëndë” sa i përket politikës tregoi se është duke studiuar gjuhën angleze dhe
se nuk ka dëshirë t’i hyjë politikës.
Në 20-vjetorin e hyrjes së NATO-s në Kosovë, përmes një video-mesazhi, të pranishmëve në Konferencën për Siguri që po mbahet në Prishtinë, u është drejtuar edhe ish-kryeministri britanik, Tony Blair.
Ndërhyrja e NATO-s nuk ishte një vendim i lehtë, tha
ish-kryeministri britanik. Ai tha se të gjithë ishin të vetëdijshëm sesa e
vështirë ishte rruga drejt përparimit dhe paqes, por, sipas tij, “kishim
besimin në njerëzit e Kosovës”.
“Ka ende shumë sfida dhe se krijimi i një paqeje të
qëndrueshme merr kohë dhe kërkon kurajë”, tha Blair, duke shfaqur besimin se
këto sfida arrihen vetëm me një lidership të mirë.
“Kam besim se Ballkani do t’i tejkalojë sfidat dhe të merr
vendin që i takon”, theksoi Blair. Qëllimi kryesor, theksoi ai, është që të
arrihet deri te një paqe e qëndrueshme dhe të sigurohet vendi i shteteve të
Ballkanit në Evropë.
“Kosova duhet të ndërtoj shtetësinë e saj, si vend i
pavarur, brenda familjes evropiane”, tha Blair.
Blair që ka qenë ndër figurat kyçe për çlirimin e Kosovës
tha se sikurse para 20 vjetëve edhe sot është pranë kosovarëve.
“Kemi qenë në anën e juaj edhe para 20 vjetësh dhe ende jemi
në anën tuaj. Ju duhet që të ndërtoni vendin tuaj brenda familjeve të kombeve
të Europës. Unë kam bindje se ky vizion do të jetë i plotë për qytetarët e
Kosovës”.
“Ne qëndrojmë me ju, ju përshëndesim dhe ju falënderojmë ”, ka thënë Blair.
Buxhovi i jep një tjetër dhuratë historiografisë me një vepër voluminoze mbi Maqedoninë që nga koha antike deri në kohën tonë. Në librin e tij më të ri, me mbi 1000 faqe, Jusuf Buxhovi eksploron të gjithë historinë e Maqedonisë, përcjellë KultPlus.
Sipas kritikëve dhe
miqëve të autorit, libri është quajtur si pjesë e librit disa-volumësh i veprës
‘Kosova’. Fjalën e fillimit në këtë promovim e ka marrë botuesi dhe miku i
Buxhovit, zotëri Nazmi Rrahmani.
‘Autori ka nisur ta shkruajë këtë libër duke parë që
Maqedonia trashëgon edhe një pjesë të shqipëtarëve, që nga ilirët e deri sot. Autori
ka ngrituar çështjen maqedone duke trajtuar çdo aspekt të saj, si gjeografik e
politik ashtu edhe etnik’ tregon Rrahmani.
Lëvdatave për librin pati edhe Ramadan Mjeku, përfaqësues i
shtëpisë botuese, i cili ka treguar për bashkëpunimin e gjatë të tyre me
shkrimtarin Buxhovi. Ai ka treguar që autorë si Buxhovi ‘e kanë marrë
përgjegjësinë për ta treguar si të mirëfilltë historinë e kombit tonë.’
Urimeve për mikun e tyre i është bashkangjitur edhe
redaktori i librit zotri Musliu. ‘Libri i Buxhovit i ka tejkaluar të gjitha
pritshmëritë tona. Libri vie në një moment historik kur po bëhet ridefinimi dhe
riemërimi i Maqedonisë. Autori e ka ndarë Maqedoninë në dy periudha, në kohën
antike dhe moderne duke komentuar edhe në riemërimin e saj si pjesë e
propagandave politike’ u prononcua redaktori i librit.
Musliu gjithashtu ka treguar që autori është mbështetur në një
faktografi duke treguar lidhjet e maqedonëve me dardanët, si dhe duke gjetur
lidhje farefisnore mes dy vendeve. Ai citon nga libri i Buxhovit duke thënë ‘maqedonët,
grekët e pëllazgët e flasin të njëjtën gjuhë. Kronologjizmi i detajuar i
historisë së Maqedonisë na mëson se si janë zhvilluar ngjarjet që nga antika
deri në kohërat tona”, ka thënë Musliu për librin.
Në qendër të këtij libri janë shqiptarët, pavarësisht në
cilën pjesë jetojnë, ka shtuar Musliu. Musliu na bën të ditur gjithashtu që
Serbia i referohet Maqedonisë si ‘Serbia e vjetër’ duke treguar tendencat
territoriale ndaj këtij shteti, në fund të fjalës së tij për librin.
Një kapitull të veçantë të këtij libri e përbën çështja e
ekzistencës apo jo të popullit maqedon, duke i ftuar lexuesit të diskutojnë e
të mendojnë më gjatë për këtë temë. Promovimi është përmbyllur nga vetë Buxhovi
i cili ka thënë se Dardania çfare e njohim ne nuk është ajo që ka qenë, ashtu
siç nuk është as Maqedonia, prandaj ka marrë përgjegjësinë ta shkruajë.
‘Libri është përkthyer në anglisht dhe pritet që të botohet
në këtë gjuhë në fund të këtij viti’ ka sqaruar autori Jusuf Buxhovi për të
pranishmit. Së fundi autori ka shtuar që ndihet i zhgënjyer nga raportimi i
medieve për 12 qershorin, ditën e Çlirimit, që sipas tij, është përdorur për
përfitime të tyre politike. Sipas Buxhovit, ngjarje si kjo e sotmja janë shkaku
që ai merret me punën e dokumentimit të saktë të historisë.
Fare në fund autori ka paralajmëruar librin e radhës që është ‘Dardania mesjetare’. Ky libër do të plotësojë trinomin historik të krijimtarisë së Jusuf Buxhovit./RronaJaka/KultPlus/
Ish-Zonja e Parë e SHBA-së, Hillary Clinton, ka uruar kosovarët në 20 vjetorin e lirisë përmes një videoje dhe tha se sot nuk mundi të ishte në Kosovë krah burrit të saj, Bill Clinton.
Ajo kujtoi kampet e refugjatëve që kishte parë në vitin 1999
dhe mikpritjen që gjeti ndër shqiptarët e zhvendosur nga Kosova, njofton Klan
Kosova.
nuk mundi të ishte e pranishme sot, por se kosovarët po i mban në zemër,
njofton Klan Kosova.
“Nuk do ta harroj asnjherë vizitën në kampin e refugjatëve
në Maqedoni. Atje gjeta mikpritjen dhe këto ngjarje u shënuan me përqafime. Kjo
shënon afirmitetin e ndërsjelltë që kemi”.
“Sot në këtë përkujtim shohim përparimin, paqen dhe një të
ardhme të ndritshme. Zgjedhjet të drejta dhe përforcim të drejtësisë”.
“Kam pas dyshime dhe pyetje për rolin dhe rëndësinë e
NATO-s. Ajo mbetet esenciale për mbrojtjen e lirisë dhe ky intervenim është një
shembull që nuk duhet të shkojmë më tutje për të treguar fuqinë e kësaj ideje.
Përfundimi i luftës ishte derytë e NATO-s”.
“Unë nuk jam në gjendje të jem në përkujtimin e konfliktit,
por ju kujtoj se jeni në mendimet e mia dhe ju dërgoj përqafime krahas burrit
tim”.
“Derisa e merrni kohën për të kujtuar të dashurit tuaj,
mbani në mend se shumë miq amerikanë po ju mbajnë dhe po ju mbështesin në
zemrat e tyre”.
Clinton në këtë video falënderoi edhe ish-presidenten
Atifete Jahjaga për aktivitetin e saj edhe në të drejtat e grave.
ZHAK është filmi i parë i gjatë i animuar i cili është duke u realizuar në Kosovë mirëpo me producent vendor dhe të huaj ndërsa premiera pritet të jepet në Los Angeles, shkruan KultPlus.
Edhe pse produkt vendor ky film synon tregun botëror ku si tematik ka përrallat shqiptare e kështu prezanton kulturën tonë. Me skenar dhe regji të Iliriana Bejta dhe Dalip Gashi, ‘Zhak’ i përket zhanrit fantazi-realizëm magjik dhe si 3D kualitet PG 13 është i përkrahur nga teknologjia Real D-3D dhe IMAX,një risi kjo për filmat e punuar në vend.
Në këtë projekt është duke u punuar që nga shkurti i vitit 2016 dhe ka buxhet prej katër milion eurosh.
Në filmin ‘Zhak’ lufta midis të mirës dhe të keqes modelohet në tri dimensione themelore:
Aventurë përrallore: Zhaku si kalorës antik ilir,
përkujdeset për Babën e verbër dhe për Motrën e pamartuar. Dy vëllezërit e tij,
Kuqaloshi dhe Nxihuni, kanë dalë me kohë në Mbretërinë e Nëntokës për ta
kërkuar barin për shërimin e syve të Babës së verbër, por nuk janë kthyer më.
Flitet se Shtriga e Errësirës ka vënë pushtet mbi Mbretërinë e Nëntokës dhe… vëllezërit
e Zhakut ose i ka bërë guri ose i ka shndërruar në shërbëtorë të përvuajtur.
Zhaku, më në fund, niset vet në aventurë për ta gjetur barin për shërim të
syve, për t’i kërkuar vëllezërit dhe për ta shpëtuar Mbretërinë e Nëntokës nga
Shtriga e Errësirës.
Dramë familjare: Në filmin ‘Zhak’ shquhet determinizmi përrallor
i fatit të individit dhe të shoqërisë që janë të lidhur ngushtë mes veti dhe
kushtëzojnë njëri tjetrin. Kjo ndodh me fatin e vajzave të Mbretit Plak dhe me
fatin kolektiv të Mbretërisë së Dritës. Vajza e madhe e Mbretit Plak e gjuan
shigjetën e fatit dhe ajo bie në Mbretërinë e Nëntokës- sipas zakonit ajo bëhet
gruaja e Mbretit të Nëntokës. Vajza e dytë e Mbretit Plak gjuan shigjetën e
fatit dhe shigjeta bie në oborrin e Kështjellës Magjike të Shpirtit të Lig-
sipas zakonit ajo bëhet gruaja e Shpirtit të Lig që e shndërron në gjysmë grua
dhe në gjysmë Shtrigë të Errësirës. Vajza e vogël e Mbretit Plak e gjuan
shigjetën e fatit, por ajo i kthehet pingul teposhtë dhe bie mu para këmbëve të
saj- sipas zakonit vajza nuk mund të martohet, por bëhet Mbretëresha e Dritës,
e zëvendëson Mbretin Plak në fron dhe e sundon njerëzishëm Mbretërinë e Dritës.
Konflikti midis mbretërive: Mbretëria e Dritës dhe Mbretëria e Nëntokës
zakonisht jetojnë në harmoni dhe zhvillojnë respekt të ndërsjellë duke
respektuar ligjet mbretërore. Mirëpo fati i zi i vajzës së dytë të Mbretit Plak
që u shndërrua në Shtrigë të Errësirës ndryshon gjithçka. Ajo nuk pajtohet me
fatin e vet, e vret Mbretin Plak kur i shkon në vizitë dhe, për më keq,
braktiset dhe ndëshkohet edhe nga vetë burri i vet – Shpirti i lig për shkak të
vrasjes familjare. Shtriga e Errësirës, me ndihmën e divave të pyllit magjik,
lirohet nga shpella dhe kthehet në Kështjellën e Magjike, organizon shërbëtorë,
gjallesa të këqija dhe njësit special me të cilët pushton Mbretërinë e
Nëntokës, vret, plaçkitë, shndërron njerëz në guri ose i magjepsë keq nëpër
trajta të përçudshme. Vëllezërit: Lavërtarin- që dashurohet në Mbretëreshën e
Dritës- e shndërron në Shtrigan të Kështjellës Magjike; Mullisin- që dashurohet
në Mbretëreshën e Dritës – e shndërron një Cicërmic me njësit të kërpudhave dhe
e vë në krye të Mbretërisë së Nëntokës; kurse Bariun- që dashurohet në
Mbretëreshën e Dritës dhe nuk pranon kushte në dashuri- nga inati e shndërron
në guri. Njësitet e kërpudhave- në krye me Cicërmicin dhe njësiti special i
Shtrigës së Errësirës shpesh dalin edhe në Mbretërinë e Dritës dhe shkatërrojnë
fshatra përreth.
Zhaku- me aventurën e vet shërben si bosht fabular dhe syzheik për ta realizuar aventurën përrallore, dramën familjare dhe për ta zgjidhë konfliktin midis mbretërive duke dëshmuar idealin njerëzor se e mira duhet të ngadhënjejë mbi të keqen, gjegjësisht drita mbi errësirën….KultPlus.com
Në 20 vjetorin e Çlirimit të Kosovës, sjellim dhjetë thënie nga presidenti historik Ibrahim Rugova, shkruan KultPlus.
Arti është si jeta, secili e gjen
kuptimin e tij për vete.
Kosova është një vend i vogël, por ka aq
shumë pasuri që ia ka falur Zoti.
Kokën mund të ma ndërrojnë, por mendimin
kurrë.
Kosova sot është më pranë Evropës se
vendet e tjera të rajonit të Evropës Juglindore.
Si president i Kosovës, unë jam shumë i
shqetësuar në lidhje me situatën aktuale të punësimit, në rreth 70% të
popullsisë, e cila është e re, me potencial të madh, flet shumë gjuhë të huaja
dhe që janë ekspertë në shumë fusha.
Nuk mund të merrem me letërsi kur shoh
se nëpër rrugë vdesin njerëzit e mi.
Ne kemi euron monedhë, çka do të thotë
shumë. Ajo nuk e ka stabilizuar vetëm situatën në Kosovë politikisht dhe
ekonomikisht, por i ka lehtësuar edhe kontaktet e drejtpërdrejta që kemi me
Europën.
Sa i përket shqetësimit që shpreh
Serbia, ajo nuk ka të drejtë për të ndikuar në privatizimin apo të kërkojë
ndonjë pronë, sepse Kosova është një ish-anëtare e Republikës Federale të
Jugosllavisë.
Shqiptarët nuk i bashkon vetëm feja apo
ideologjia. Qysh në shekullin e nëntëmbëdhjetë, në kohën e Rilindjes kombëtare,
gjuha, kultura dhe tradita ishin elemente lidhëse kombëtare, kurse feja nuk
ishte forca absolute e bashkimit.
Vizioni im është që të kemi një Kosovë të pavarur, demokratike, me një shoqëri politikisht tolerante dhe me një ekonomi solide, e integruar në BE dhe NATO; si dhe të vazhdojmë marrëdhëniet tona të mira me SHBA. / KultPlus.com
Para pak minutave tek obelesku i ‘New Bornit’ u përurua busti i Ish-sekretares amerikane të shtetit, Madeleine Albright.
Para të pranishmëve sekretarja Albright i ka falënderuar
qytetarët e Kosovës për mikpritjen që i bënë asaj në ceremoninë e 20-vjetorit
të çlirimit të Kosovës nga NATO.
“Do të doja të ju falënderoja të gjithëve për këtë nder. E
falënderoj atë që më ka bërë kaq të gjatë. Kjo është Kosova. Sepse ne ishim në
gjendje që ta duam Kosovën, të sjellim paqe në Kosovë”, ka deklaruar
ish-sekretarja e shtetit.
Tutje ajo ka thënë se ndjehet krenare që është në Kosovë.
“Jam shumë krenare që jam këtu. Edhe unë jam refugjate, nuk kam lindur në SHBA, por SHBA është shtet i madh që e ndihmon paqen dhe stabilitetin. Jam e nderuar”, ka deklaruar në fund Albright./KultPlus.com
Një i moshuar në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë i ka dhuruar një plis ish-presidentit amerikan, Bill Clinton, i cili po qëndron në një vizitë në Kosovë prej dy ditësh.
Clinton, gjatë parakalimit nga objekti i Qeverisë së Kosovës
drejt Pallatit të Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë, ku do të përurohet
shtatorja e Madeleine Albright, është përshëndetur nga qindra qytetarë të
Kosovës.
Madje, një i moshuar i ka bërë atij një dhuratë. I ka
dhuruar presidentit Clinton një plis.
Clinton e ka pranuar me kënaqësi dhuratën e të moshuarit,
teksa ka vazhduar ta mbajë në duar dhuratën e pranuar.
Ish-presidenti amerikan Bill Clinton ka treguar para qytetarëve të Kosovës ngjarje emocionale që kanë të bëjnë me Kosovën, shkruan “Bota sot”.
Ai i ka shprehur si ndër gjërat më të mrekullueshme në jetën
e tij, duke përmendur si rast të veçantë një ngjarje me një kamarier shqiptar.
“Në pothuajse 19 vite që kam qenë jashtë Shtëpisë së Bardhë,
ndër gjërat më të mrekullueshme që më ka ndodhur është kur dikush më afrohet në
rrugë ose edhe diku tjetër, në një hotel apo ashensor. Ose në një rast, kur
isha në një restorant duke ngrënë darkë me miq dhe një kamerier (shqiptar)
erdhi dhe më pa aty dhe më ra në gjunjë, për të më falënderuar”, ka treguar
Clinton, përcjellë “Bota sot”
Arben Hysenaj nga Katundi i Ri i Pejës është shqiptari nga Kosova të cilin ish-presidenti amerikan, Bill Clinton e përmendi sot gjatë fjalimit të tij në ceremoninë e shënimit të 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës./KutlPlus.com
…ishte prill! Filloi
nga marsi, prej se e mbaj mend me saktë.
Kuptoja se diçka po shkonte ndryshe, ndryshe nga deri kur filloi të
dukeshin elemente të një kohe e cila po afrohej ditë e më shpejtë. Më shqetësonte heshtja në shkollë, bënim pak
mësim, edhe kur flisnim brenda në klasë, dukej sikur e mbanim zërin si të
ngjizur, se mos dikush pas mureve na dëgjonte. ndonjëherë bëhesha sikur
s’kuptoja, por isha një fëmijë vigjilent, vëreja shumë detajet, mund të më
linte përshtypje edhe shikimi i mësuesve, toni i zërit të tyre, një buzëqeshje
e ngrirë. Dukej sikur pas atyre fytyrave kishte një mendim, një mendim që nuk
na thuhej dot.
Unë e ndjeja, e kuptoja që diçka po ndodhte,
kisha filluar ta masja diten me minuta. Sa kanë mbetur që të ikte edhe një ditë
për të nisur dita tjetër, dhe të numëroja kështu shumë ditë të ekzistencës
tonë. Se e dija që tashmë kishin ikur nga fshati shumë familje dhe shumë nga
ato planifikonin të iknin së shpejti, sepse e dija që diku, pak, shumë pak larg atij vendi, në veri të
Kosoves kishte nisur lufta. Kishin vdekur njerëz, e dija që po afrohej ajo ditë
edhe te ne!
Amullia ndjehej edhe në
ajër. Mbaj mend, pak para prillit, ishte një dasmë, martohej vajza e kushëririt
të parë të babait tim. Nuset ishin veshur me fustane, me dumane, kishin lyer
dhe buzët me të kuq, kishin vënë dhe lulet në flokë, zbukuruar dhe belin me
kollan (rrip i bërë me argjend apo i larë në flori). Vajzat këndonin, nuset sërish
vallëzonin, por e gjithë biseda nëpër gojët e grave që rrinin ulur nuk ishte dasma,
as nuset, as edhe vajza që martohej. Çdo sy që shikohej, rrëfente frikën e asaj
cfare kishte filluar në veri. Dikush foli, e tha, “është luftë, atje dikush është
duke u vrarë, e ne jemi teleisur, ndaleni muzikën, të kemi pak frikë. Për çudi,
frika fshihej në perden e syve tanë,
fshihej dhe kamuflohej me një gëzim të rrem. Frojdi do të thoshte se frika e
tjetërson njeriun dhe se frika na mban në alarm për të qen vigjilent. Ashtu na
u shmang edhe neve ndjesia e frikës, duke u munduar ta fshehim, u thellua në
mendjet tona, jo se iku. Shmangnim të vërtetën, ishin fazat e para të një
traume që tashmë kishte filluar t’i jap imazhet e saja të para, e që më vonë do
bëhej shumë e madhe!
Ishte prill, dhe dielli
dilte herë herë, në shkollë nuk shkonim më, ishte bërë një muaj e më shumë. Më
ka pëlqyer gjithmonë të lexoj, gjjithë librat që biblioteka e fshati kishte për
klasat që kisha mbaruar deri atëhere, i kisha lexuar tashme. Kerkoja të tjerë,
biblioteka nuk hapej, kishim frikë të leviznim deri atje, ishte larg nga shtëpia.
E lusja bibliotekistin, që e kishim fqinjë, të më sillte libra, “dua të lexoj i
thash, në shkollë nuk shkojmë dhe nuk e di kur do të fillojmë sërish”. Mbaj
mend që për dy javë kam lexuar pesë romane, që nuk ishin për moshën time, por
ishin këto që i gjeta në shtëpinë e gjyshës. I mbaj mend sot cilat ishin,
“Bardha e temalit”, ” “Makbethi”, ” Pse”,
“Shumë zhurmë për asgjë”, ” Mbreti Lir”. Mes tyre
mundohesha ta fshihja ndjenjen e pasigurisë, dhe te fshihja informacionin që
kisha për ngjarjet që po ndodhnin.ta fshihja jo veteëm pë të tjerët, por edhe
nga vetja. Në shtëpi nuk flitej për luftën, druheshin nga ne, mendonin se
gjithçka do të përfundonte dhe se s’kishte nevojë të na flitej për të, do të
kaloj koha dhe ne s’kishim pse ta dëgjonim fjalën luftë.
Në oborrin e shtëpisë tonë erdhi një serb. Banor i fshatit serb, Pasjani, një kilometer larg fshatit tonë. Nuk e di a kishte ardhur që të shohë një makinë që xhaxhai im donte ta shiste apo erdhi se pa një mjet që lëvron arën…mbaj mend se unë isha duke e kënduar këngen e Leonora Jakupit, që ishte himn i fëmijeve të asaj kohe, “Mos ma prek ti shkja Drenicën, se kam gjallë Azem Galicen”…Unë po këndoja dhe xhaxhai im ma bëri me kokë, që të ndaloja, unë e pash që erdhi një i huaj në oborr, por se kuptova se ai ishte serb, dhe mund të thoshte që e provokuam me këngë dhe tekst të tillë.
Nuk kaluan shumë ditë,
mbase as dy ose edhe tri. Ra nata, mu duk ajo ditë shumë e shkurtër, kisha
perfunduar së lexuari romanin “Pse” të Stereo Spase, dhe meqë isha
kalitur me lexim edhe që nga mosha shtatë vjeçe, me te gjitha lektyrat dhe
tekstet qe gjeja ne biblioteke, mundohesha ta kuptoja lehtësusht edhe në moshën
13 vjeçare që atëherë isha. Mundohesha t’ia gjeja “Pse-në” e mos
vajtjes në shkollë, “Pse-në” që numroja sekondat dhe minutat e orës.
Lexoja dhjetë faqe dhe e shikoja orën, mendoja se edhe kaq mbeti nga sot, vazhdoja
lexoja dhe nata vinte më shpejtë e mëngjesi akoma më shpejtë.
Ra ajo natë, shpejtë. Dëgjuam
një zhurmë, e kuptuam menjëherë se diçka jo e mirë po ndodh. Dolëm me nxitim në
oborr. Drita ndriçuan qiellin. Ishin granata, që hidheshin drejtë nesh, nga
fshati Pasjan. U trazuam të gjjthë, kurse unë të gjithë frikën time, dilemën se
çfarë do të bëja nëse do të gjendesha në një situatë të tillë, sikur e kisha dëgjuar
në lajme. U shtanga dhe nuk fola asgjë. Nuk fola, nuk qava, u vesha shpejtë siç
më thanë prindërit dhe vrapova të merja çantën e shkollës. Doja ta merja vetëm
fletoren ku kisha nisur të shkruaja poezitë dhe tregimet e mia te para. Që
sigurisht kishin filluar të mernin frymën e ngjarjeve që dëgjoja ato kohë,
flistja për luftën, për atë cfarë mund të ndodhte, çfarë do të benim ne e shhumë
arsyetime që i shprehja se si mund të iknim ne. Mu duk sikur po humbisja kohë,
s’kisha kohë, ta hapja çantën, gjithçka po ndodhte shpejtë, e mora gjithë çantën
në krahë. E gjithë familja dolëm me vrap e u nisem drejtë malit. Duke vrapuar.
Unë, me motrën me të vogël dhe dy vellezërit, xhaxhallarët, dy me gra dhe fëmijë,
njëri më i ri, dhe halla. Më kujtohet
fjala e gjyshës sime kur mbërritëm në mal, tek po rrinte ulur, mbështetur në një
lis, më tha “Qika jem, shtine fletoren në çantë, se po bjen shi, të laget,
po bjen shi, nanës, të vyn me shkru në shkollë”. Mu duk sikur me ato fjalë
ajo më mbrojti mua dhe rëndësinë që unë i kisha dhënë asaj fletoreje. E kisha
nxjerrë nga çanta sapo ishim strehuar në fillim të malit. Shiu binte aq imët,
sa nuk vërehej që binte. Shi i tillë zaten bjen çdo vit si asaj dite, si kujtim
ogur zi që na kthen saherë kujtimet e këqia por edhe na jep mallin e vetës sonë
se sa të fortë ishim. Siç thoshte shpesh herë ime gjyshe ” Njeri ásht si
guri, sa t’duash bjeri ai s’thehet, eh, çkamas kemi provu bijo, edhe ktë e
patëm për sprovë”.
Ishim kthyer në shtëpi,
sa për të mar rroba, ushqime, enë, tenda…që të ngrisnim strehën e jetesës në
mes të malit. Ashtu të grumbulluar në një tënde prej plasmasi të bardhë, flinim
të gjithë, e dëgjoja natën mamanë duke qarë bashkë me gjyshen, tek thoshin si
do t’ia bëjmë me fëmijët që nuk kuptojnë asgjë, gjyshja mallkonte terorrin,
ushtarët serb, uronte që mamatë e tyre tu flisnin bijëve të mos vrisnin njerëz
të pa fajshëm “çka ju kena ba nano na atyne, pse me naj ba ktahen”, u
thoshte shpeshe djemëve të saj, duke dashur të shpreh dhembjën e madhe që
ndjente, e gjyshi që i kthehej, “serbit ska nevojë t’i bëjmë kurgjo na,
veç që jena i bojna gjithçka”.
…Mes prill ishte, kur
një mëngjes erdh afër tendës sime shoqja ime e bankës, po flisnim për një libër
që kisha lexuar, pastaj asaj iu duk se ndejti shumë më tha ta përcillja deri afër
tendës së saj. Ecëm njëzet metra poshtë tendës, me zunë sytë një njeri me një
veshje jo të njohur, pash diçka jeshile, por kishte dhe pemë e lisa që kishin
filluar të jeshiloseshin dhe nuk e vërejta mire, por kur ai filloi të vrapoj
dhe te bërtas në serbisht “ndalo, ndalo”, une e kuptova se ai ishte ushtar
serb, u shtanga në rrugë, nuk e dija, të vrapoja, apo të rrija në vend, plumbat
filluan të binin, i degjoja tek feshkellyen afër veshit tim dhe para syve ra në
tokë një burrë që u qëllua nga plumbat që iknin ajrit, u gjakos i gjithi përnjëhere.
Gjuanin pa shenjestër. Ne krahë e ndjeva një tërheqje qeë ma bëri dikush nga
familja por që asnjëhere se mbaj mend kush ishte. Vrapo më tha, dhe une si një
kompjuter që kur i jep komandën e realizon direkt veprimin, fillova vrapoja, u
bëra bashkë në vrap me babain, mamanë, vëllezërit dhe motrën, vrapuam deri në
një ngushticë ku rruga mbaronte, anash ishte një kodër, shumë njerëz kishin
arritur të ngjiteshin në kodër, vëllai im i madh edhe ai po përpiqej tëngjitej,
tu ikte ushtarëvë.. E dëgjojmë një zë tjetër që bërtiste në serbisht, “Naloni,
ndaloni”. Babi im e fliste mirë gjuhën serbe, filloi të komunikoj me të, ai i
tha në serbisht, fjalë që i kam mar vesh shumë kohë më pas, se çfarë i kishte
thëneë. “Ndaloi ata njerëz që janë në kodër, përndryshe, fëmijet që ke këtu do
t’ua pres kokat me këtë thikën që kam. Babi po bërtiste kthehuni jemi të
rrethuar, i thërriste vëllaut tim, “kthehu janë ushtarët tanë”, ai nuk bindej,
deri sa i tha që ishin ushtarët shqiptar, u kthye, ndërkohë unë me mamanë, motrën
dhe vëllaun tjetër kishim mbetur të tmerruar s’lëviznim dot na ishte ngjizur zëri,
nuk bërtisnim as nuk qanim. Ushatri ishte i veshur me të zeza, shami të zezë në
kokë. Mblodhëm forcën e trupit dhe u nisëm, ecëm shpejtë, herë me vrap, siç na
bërtiste ushtari. Në gjysmë të rrugës së malit, akoma pa dal në fillim të fshatit, na ndaloi dhe u bemë bashkë
me pjesën tjetër të njerëzve që kishin zënë. Mblodhën flori dhe gjithçka me
vlerë që kishim. Mamaja ime uli kokën në tokë dhe mori baltë nga toka, na hodhi
baltë në fytyrë, mua, motrës dhe dy vajzave që ishin pak më të mëdha në moshë se
mua, ato ishin shumë të bukura. Mbulojeni bukurinë u tha, bëjeni fytyren më
baltë. Ajo kishte dëgjuar çfare bënin ushtarët serb me pengjet femra.
Zbritëm në fshat, në hyrje ishte shtëpia e
kusherinjëve. Përballë shtepive, ishte
gjysmë kodër( aty ku sot pushojnë trupat e të vrarëve gjatë asaj periudhe), aty
na ulën. I ndan gratë nga burrat, burrat nga djemtë mbi moshë pesëmbëdhjetë
vjeç deri në tridhjetë. Babain tim e detyruan të perkthente për ta, bashkë edhe me të ndjerin mësuesin shumë të dashur
edhe komshijën tonë. U tha të këndonin kënge
në gjuhën serbe, këngë për flamurin, për Kosovën si të tyren, valvisnin
flamurin serb.
Ushtarët ishin të tensionurar, dukej sikur po prisnin një përgjigje nga lart, gjithë kohën flisnin me radio-lidhje. Babi im theu brinjën nga goditja që i dha një ushtar me të zeza, me mbrapa automatikun e tij, se ai mbrojti një fshatar nga pushkatimi, dhe se pse arriti t’i kthej njerëzit nga kodra… e duroi dhimbjen, nuk guxonte të tregohej se kishte frikë. Pastaj ra një heshtje, binte shi i imët, qielli ishte skëterr i zi. Thanë te shkonim te shtëpia përballë, ishte shtëpi e madhe, dy hyrje, dy kate. Aty na quan vetëm fëmijët dhe gratë. Me pretekstin se binte shi. Njëherë nuk levizte asgjë,asnjë ushtar nuk dukej. Unë isha me mamanë dhe gjyshen, motrën e vëllezërit në koridorin e shtëpisë, pothuajse në ballkon. Një ushtar i veshur me uniformë ruante te cepi i derës, tyten e pushkës e mbante drejtë nesh. Ne e ulnim kokën nga frika. Mbaj mend tim vëlla, ia kishte ngul sytë plot inat tytës së automatikut të ushtarit, po e shqyente me sy. Mamaja e vuri re dhe i foli, ule kokën mos e provoko, uleni kokën të gjithë. Në një moment, ushtari ma vuri tytën e pushkës nën grykë dhe më thot në serbisht, qoje kokën. Ai më kishte thënë, qoje kokën se po të dua ta këpus këtu për një sekond, por mamaja më tha se kishte thënë ushari, të mos kisha frikë, se asgjë nuk do të më ndodhte.
Papritur nga heshtja,
filluan dëgjoheshin të qeshura nga kati i dytë i shtëpisë, ran ca shishe me
birra nga lart, u thyen në dyshemenë e çimentes poshtë, pastaj shkallëve pash
katër ushtar që futën në goje ca kokrra te bardha, që ia dhan njëri
tjetrit në dorë. Erdhi një nga ata në
koridor, hyri në dhomë dhe doli për krahë me një nuse dhe një vajzë të re 16
vjeçe. “Hajde do na beni kafe”. Nuk shkuan as pak minuta, dëgjuam bërtimat,
të qara, ishin ato femra, dhe shumë të tjera që po dhunoheshin, fizkisht e
seksualisht. U çnderuan, u rrahen, pastaj i sollën.
Nuk shkoi shumë kur ata mbaruan, tmerrin e
tyre, duket se u erdhi një lajm urgjent se duhej të iknim shpejtë nga aty. Na
hipen nëpër çdo mjet levizës e na nisën për diku. Për diku që nuk na e than, njëri
tha do ikni prr Shqiperi, me tren dhe do të kaloni kufirin. Ndër zëra dëgjoj një
plak, që i thot nusës së djalit, “ti nuk mund të hipësh në makinë me neve, na çnderove
familjen”, por pas fjalëve qe i thanë njerëzit e tjerë e bindën ta mernin nusen
me vete, burrin e kishte në Gjermani. Kam dëgjuar që vjehrri i saj donte ta
ndante nga djali, por burri i saj e mori në Gjermani pas luftës dhe e mbështeti
shumë.
Rruga na nisi të ndarë
si familje. Xhaxhai i dytë me gruan dhe djalin e vogël nuk ishin bashkë me
neve, kishin mbetur të fsheur në mal, bashkë me gjyshin. Ku më vonë xhaxhai dhe
usja e tijme djalin kishin kaluar kufirin natën, në preshëve e pastaj në
Maqedoni, konkretisht ne kampin e stankovecit.
Nuk kishim çfarë të bënim,
nuk ktheheshim dot për t’i kërkuar, por as të tregonim që kishte njerëz që
mungonin, ushtarët pyesnin gjithë kohës, a kishte të tjerë, a ishin civil apo
ushtar të UÇK-së.
Rrugës ndrruan mendje për
destinacionin tonë, se na përcollën me makina ushtarake deri në fillim të
qytetit të Vitisë. Mbrëmja na gjeti në fshatin Sllatinë, të komunës së Vitisë.
Nuk e di si erdhi e iku ajo ditë, si përfudoi, si ra nata, e unë atë ditë nuk i
kisha numeruar sekondat, as minutat. U
shtrim të flejmë pasi hëngrëm bukë.Gjumi më erdhi duke bërë shaka me fjalët e
vajzës së xhaxhait tim që atë moshë ishte vetëm tri vjeç e gjysmë, nuk i theksonte
mirë shkronjat, ” Oj nane pejkoma pujen”, e i kthehej mamaja vet “qe,
ta pejkova” (“oj nane përthekoma pullën”, “qe ta përthekova”). Ishte kjo
batutë, që doja t’i jepja përfundim asaj dite të pa orë, të pa numruar, të pa
ekzistuar mbase hiç!
…ish Qershor.
Pak ditë pas çlirimit. Ëndrrat
filluan të na zgjphen, se ora kishte filluar të ecte, kishim mar vesh se
xhaxhai ishte në Maqedoni, ne kampin e Stankovecit, por nuk kishim dëgjuar
emrin e gjyshit.
Ish qershor si i sotmi,
i nxhetë, kur vjen vëllau i dytë i babit, dhe thot se e kishin gjet Agèn, ne të
gjithë bërtitëm nga gezimi, por ai na ndërpreu kur shpërtheu në lot, e tha ndër
vaj që e kemi gjetur trupin. Të vdekur! Të lidhur me krahë mes dy lisave,
pushkatuar, me kush e di sa plumba.
…Dhe vjen një qershor
tjetër pas pesëmbëdhjetë vitesh, kur unë isha rritur, isha shkolluar dhe
edukuar, siç na thoshte gjithmonë Aga, “qikat e mija ju keni me kanë te
zoja, doktoresha, ose ti banu gazetare bëju shkrimtare, me këto letrat e tua,
se ia tregoja shpeshë here fletoren time të shkrimeve.
Pikërisht qershor i pas pesëmbëdhjetë viteve, kur prisja lindjen e vajzës sime, që sot është gëzim i jetës sime. Në përvjetorin e ditës së çlirimit, unë rastësisht e shoh një video, aty ishte incizuar nga një gazetar i mediave të huaja, gjetja e trupave të vrarë në mal. E pash atë trup, të lidhur në mes lisash, po e shikoja e pa e ditur kush ishte, veç kur dëgjoj dhe shoh xhaxhain tim duke qarë, duke folur vazhdimisht, “po pse, pse ty, pse keshtu” e kuptova qe ishte trupi i gjyshit. Ishte një tmerr i vërtetë, mu duk sikur isha aty kur e kishin vrarë. Deri atë moment thjeshtë e dija që s’ishte më, por meqë s’kishim parë trupin e tij, e ndjenim sikur ishte diku larg, e që ndonjëherë mendoja se edhe mund të kthehej. Ish Qershor, po jo si i sotit që kujtojmë ditën e çlirimit.
Një i ri afro-amerikan është duke i habitur ndjekësit e tij në Instagram për shkak të videove të shumta ku ai shfaqet duke folur dhe kënduar në gjuhën shqipe. Clayvion Winn duket se i pëlqen shumë Shqipëria dhe kultura e saj.
Madje gjatë ditës së djeshme ai është shfaqur i veshur kuq e zi duke kënduar në paradën e shqiptarëve në New York.
Në instagramin e tij ka shumë video ku ai këndon, flet madje edhe shan në gjuhën shqipe. Ai ka foto me këngëtare shqiptare si Enca dhe reperen Baby Gee. Gjithashtu publikon në faqen e tij në Instagram posterat e këngëtarëve shqiptare që japin koncerte në SHBA.
Clayvion Winn pëlqen muzikën me çifteli si dhe kërcen valle shqiptare, madje në një video gazmore e shohim edhe duke i kënduar byrekut.
Përveç emrit të tij të vërtetë ai ka vendosur dhe një emër të shqiptarizuar në Instagram “Klej Zezakaj”. Ai ka shumë miq shqiptarë dhe duket shumë i dhënë pas kulturës shqiptare.
Të enjten me 13 qershor në MC Gallery në Nju Jork, tre artistë nga Gostivari, sjellin fragmente nga Ballkani. Në këtë ekspozitë të përkrahur nga Ministria e Kulturës së Republilës së Maqedonisë së Veriut dhe Komuna e Gostivarit do të prezantohen Safet Spahiu dhe Bashkim Mexhiti me piktura, kurse Osman Demiri me fotografi. Janë këto copëza jete të harmonizuara në një ekspozitë të përbashkët për ta prezantuar artin e tyre pak më ndryshe në një vend prestigjioz siç është Nju Jorku. Gërshetimi i detajeve fotografike të Demirit me ekspresionizmin në pikturën e Spahiut dhe Mexhitit, janë një harmoni ngjarjesh të ndryshme të nënqiellit ballkanik, të cilin ata do t’ia prezantojnë publikut të atjeshëm. Ideja e kësaj ekspozite ishte që të tre, secili në mënyrën e vet ta përcjell një mesazh përtej oqeanit. Ekspozita në fjalë, e titulluar si “Fragmente nga Ballkani” ngërthen ciklet e fundit të artisteve.
Figuracioni i demit në pikturat e Spahiut simbolizon kryeneçësinë e popujve ballkanik, të cilët jo çdoherë zgjedhin dialogun si mënyrë për t’i zgjedhur problemet mes tyre, por instinktivisht dhe të nxitur nga “rrethi” anojnë kah zgjedhja e problemeve me forcë.
Nga ana tjetër, lirika ekspresive që është shumë e theksuar në tablotë e Mexhitit, të shkëputura nga cikli “Dimenzione kohore”, paraqet shpirtin kreativ të po këtyre popujve. Ata edhe përkundër hasmërive dhe tekeve që kanë historikisht mes tyre, shpirtërisht në vete bartin mirëkuptim dhe tolerancë.
Dëshmi më vete janë fotografitë e Demirit, të shkëputura nga cikli “Dialog dhe Kompromis”. Në to autori prezanton dhe vërteton se çdo gjë duhet të fillojë dhe mbarojë me dialog, dhe se, për fat të keq në Ballakan jo rrallë, dialogu nuk përfillet dhe krijohen konflikte, absolutisht të panevojshme dhe se u duhet kohë e gjatë dhe ndërhyrje nga jashtë për t’u gjetur ndonjë kompromis.
Pra, secili nga këta tre artistë, bart më vete idenë dhe kreativitetin artistik, si dhe mesazhin e qartë se mu këto diversitete, Ballkanin e bëjnë të veçantë, dhe se duhet punuar që një ditë këto të njëjtat të formojnë një tërësi të përbashkët. Ekspozita përmban 30 punime dhe do të jetë e hapur 10 ditë.
Bleona Lokaj, Bubulina Kabashi dhe Adriana Zyberi nxënëse të vitit të dytë në Gjimnazin “Hajdar Dushi” në Gjakovë kanë përfunduar me sukses punën praktikë në Kolegjin Universum.
Praktika është pjesë e projektit “Përkrahje Adoleshentëve pas mësimit të rregullt – ASSET” marrëveshje e cila mbështetet nga USAID Kosovo.
Ky bashkëpunim në mes të Kolegji Universum dhe USAID Kosovo ka për qëllim që përmes punës praktike, nxënësit të zhvillojnë aftësitë e tyre profesionale duke praktikuar teoritë e mësuara gjatë shkollimit të tyre.
Përveq kësaj Kolegji Universum për herë të parë në Kosovë, iu mundëson studentëve të kryejnë punë praktike me pagesë në 22 shtete të BE-së dhe Turqi. Puna praktike përfshinë një periudhë të caktuar ku studentët marrin trajnim profesional ose fitojnë përvojë pune në një kompani ose organizatë që vepron në shtetet e BE-së me të cilat Kolegji Universum ka bashkëpunim. Apliko edhe ti https://bit.ly/2HuMameGjatë periudhës së praktikës, studentët fitojnë përvojë pune në kohë të plotë në fushën që ata studiojnë.
Me aeroplanin e saj bambardoi dhe fuqizoi aeroplanët e NATO-s derisa po kryenin intervenimin mbi caqet serbe në Kosovë. Kjo është Faruza Kallaba, shqiptaro-amerikanja e parë që për 78 ditë intervenim pati një rol shumë të rëndësishëm.
Ajo krenohet për këtë mision të vështirë që kishte. Sipas saj, në atë mënyrë ajo po ndihmonte atdheun e babait të saj.
Faruza Kallaba u lind në Damask të Sirisë, nga babai shqiptar, Haki Kallaba me prejardhje nga Kamenica, dhe nëna ukrainase, Ana Senkiewicz.
Ajo dhe familja e saj ishin shpërngulur nga Arabia në Chicago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku edhe jetojnë sot.
Ajo është e diplomuar me Akademinë Ushtarake në Universitetin e Ilinoisit me 1989 dhe ishte femra e parë e ekuipazhit të Gardës Nacionale të Forcave ajrore të Ilinoisit, që nga viti 1984./KultPlus.com
Kryetari Shpend Ahmeti bashkë me anëtarët e grupit “Gjurmët” prezentuan detajet e koncertit që do të mbahet sonte në sallën “1 tetori”, me fillim nga ora 20:30 me moton “20 vjet në 20 këngë”.
Bashkë
me Gjurmët në skenë do të ngjiten këngëtarë të njohur nga Kosova e Shqipëria
si: Boiken Lako, Elina Duni, Genc Salihu, Violeta Zefi, Dren Abazi e ZigZag
Orkestra, Alban Nimani, Shpat Deda, Dukagjin Lipa, Xuxi, Tomor Kuçi, Marsela
Cibukaj, Edona Vatoci, Nezafete Shala, Ardian Behrami Cipa dhe grupi Polifonik
për një mbrëmje “kur kanga dhe dashnia u kthyen në qyetet”!
Kryetari
Ahmeti prezentoi edhe “Çelësin e Prishtinës” për “Gjurmët”duke theksuar “Nëse
ka një bend i qytetit që përfaqëson Prishtinën në Kosovë dhe mbarë kombin
shqiptar, pa dyshim që janë “Gjurmët”. Prandaj gëzohem se kjo po ndodhë në
kohën kur unë jam Kryetar, edhe që po e prezentoj “Çelësin e Prishtinës” edhe
që po organizohet koncerti i rikthimit të “Gjurmëve” në skenën e Prishtinës.
Të gjitha të hollat e mbledhura nga shitja e biletave të koncertit, i dedikohen shkollës së muzikës “Prenk Jakova”./KultPlus.com
Ish-presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton ka rrëfyer sot në Prishtinë një ngjarje në një nga restorantet e New York City. Kjo ndodhi pasi një ish- refugjat nga Kosova, i ra në gjunjë atij duke iu falënderuar që i shpëtoi jetën.
Ndërsa isha në darkë në reustarant një kamarier i cili doli të jetë refugjat nga Kosova, u afrua tek tryeza jonë duke më rënë në gjunj dhe më tha këto fjalë: “Zotëri, dua t’ju falënderoj. Nëse nuk do të ishit ju, unë sot nuk do të isha i gjallë”, është shprehur kosovari tashmë 32 vjeçar, i cili kishte përfunduar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1999, si pasojë e luftës në Kosovë,.
Por presidenti Clinton tha se unë dëshiroj që kosovarët duhet të punojnë në Kosovë, dua që ju të fitoni para këtu.
Ish-Prsidenti amerikan Bill Clinton, i pranishëm në ceremoninë e 20-vjetorit e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, tha se Shtetet e Bashkuara do të qëndrojë gjithmonë krah Kosovës.
“E dua këtë vend dhe do të jetë gjithmonë nderi më i madh në jetën time që kam qëndruar krah jush kundër spastrimit etnik dhe për liri”, tha Clinton. “Pas rënies së Murit të Berlinit dhe Bashkimit Sovjetik të gjithë konfliktet që qëndronin të mbuluar, ridolën në sipërfaqe. Pati konflikte në Bosnje dhe deri në Irlandën e Veriut, kështu menduam se nuk do të lejonim një tjetër krim në Kosovë”.
Clinton kujtoi edhe një episod që i kishte ndodhur me një emigrant shqiptar në SHBA, por i bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të punonin për vendin e tyre duke qëndruar aty. “Gjëja më e bukur që më ka ndodhur kur eci në rrugë në Nju Jork, madje edhe në vende të tjera të botës është kur njerëzit më falënderojnë. Madje në një rast, po darkoja me miqtë në një restorant kur një kamerier mu ul në gjunjë dhe më falënderoi. Unë jam pro emigracionit, dhe sigurisht që kemi nevojë për ju, por dua që ju ta ndërtoni jetën tuaj këtu, të fitoni para këtu”, tha Clinton.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të qëndrojnë gjithnjë krah jush, pavarësisht se cila parti është në Shtëpinë e Bardhë apo kontrollon Kongresin. Në ditën që ju shpallët Pavarësinë, pasuesi im në Presidencë, George Bush, e njohu Kosovën”, shtoi Presidenti i 42-të i Shteteve të Bashkuara.