Fotografi i njohur kosovar Hazir Reka, në shenjë të 20 vjetorit
të clirimit të Kosovës dhe vizitës së ish presidentit të SHBA-ve Bill Clinton në
Kosovë, ka publikuar një fotografi tjetër të Clinton, shkruan KultPlus.
Reka ka postuar një fotografi ku shihet Bill Clinton me plis shqiptar, e që sipas Rekës kjo fotografi është realizuar në vitin 2009, atëherë kur Bill Clinton e kishte vizituar Kosovën./KultPlus.com
Në vitet e
Luftës së Dytë botërore, Ana Frank dëshmoi për Holokaustin. Në vitin 1999,
thuajse 70 vite më vonë, Rreze Abdullahu nga Ferizaj dëshmoi për mizorinë e
ushtrisë dhe milicisë serbe mbi Kosovën. Analogjitë s’janë të rastit dhe do të
jenë të pranishme, derisa bota të çlirohet nga eksperimentimi i metodave
mesjetare edhe në kohërat moderne. Rrezja ka mbajtur shënime, kur asokohe qe
vetëm nëntë vjeçe. Në nëntor të 2012-s e gjeti atë fletore, qw edhe u pat
publikuar.
Në këtë ditar, është përshkrimi i luftës dhe gjithçka përreth me
sytë e një fëmije. Drama e atyre ditëve është e pranishme në çdo fletë. Dhe,
Rrezja, nuk e sheh luftën si lodër, por si realitet. Ajo veneron edhe imtësi,
të denja për një prozë të kultivuar artistike. Në ato ditë dramatike ajo gjen
kohë edhe të ëndërrojë: kur të rritej, të shkonte në Amerikë, të bëhej gazetare
e të shkruante çfarë kishte parë me sytë e saj, duke harruar se, pikërisht mu
në moshën 9-vjeçare, ajo po linte dëshminë e saj tronditëse.
Në ditar, janë edhe shënimet e datës 10 prill 1999, ditën kur
Rrezja mbushte nëntë vjeç. “Unë veç s’po due me vdekë, po due me qenë
gjallë”, ka shkruar ajo, gjë që të kujton një varg të poetit të njohur I.
Sarajliq: “Të gjitha i kam provuar, përveç vdekjes”. Fleta e ditarit
përmban edhe të papritura të tjera. Rrezja shkon te ushtari serb që i ruante
dhe i thotë se kishte ditëlindjen dhe e pyet se a kishin me i vra. Ushtari nis
e qan. Rrezja befasohet se kishte kujtuar se “shkijet nuk qajnë”.
Ja disa fragmente nga ditari i Rrezes, ashtu siç i ka shkruar
ajo.
***
Krejt po folin për luftën, krejt po thojnë: Luftë, luftë.
Gjyshja ka thanë se veç Zoti mundet me na ndihmu. Un po i ndij tue folë për
luftën, edhe pse krejt po dojnë me e mshefë. Nganjiherë edhe po qajnë. Në
televizion kanë thanë se kanë vdekë do njerëz. Un, kur i kam vetë n’shpi,
m’kanë thanë që nuk asht kjo puna e fmijve. Ne, veç duhet me luejtë. Po ne nuk
jemi budallë. Un krejt e dij çka ka me u ba n’luftë. Ndoshta kanë me na vra.
Beja ka thanë: “Un ju marr në Zvicer se atje kurrë nuk bahet luftë”.
***
Ka ardh Beci me ndejtë, edhe kanë qenë tue fol me hallën. Beci
ka thanë: “Janë do shkije, e kanë emrin Dora e zezë, me maska…”.
Ata kishin dashtë me marrë edhe nji djalë, te ne, e kanë kapë për setre e ai e
ka zhveshë setrën e u ka ikë. Un s’muj me nga shpejt, ata mujnë me m’zanë mu,
po Albani mundet me nga shpejt. Ata s’mujnë me zanë Albanin. Un e kam vetë
babin, babi m’ka thanë se mos m’u tutë. Krejt burrat e mahallës hiç nuk flejnë,
na ruejnë neve. Ka thanë mos m’i kallzu kërkujt: as Albanit, as Dardanit, as
Ardit. Ata nuk kuptojnë sikur un. Edhe babi ka thanë se un jam princeshë e
shkijet princeshat nuk i marrin. Po un nuk jam princeshë përnjimend, veç për
babin. E dorës zezë hiç nuk i intereson a jam un princesha e babit a jo!
Un e kam vetë babin: “A mujna me shku n’Amerikë?”. Babi ka thanë:
“Mbas lufte se ne kemi me qenë gjallë!”. Un kam m’u rritë, m’u ba e
madhe, m’u ba gazetare, me shku vetë n’Amerikë, ata na dojnë ne. Un kam me taku
plot njerz e kam me u kallzu për luftën tonë, për shkijet, për dorën e zezë,
për fëmijtë që i kanë vra, për UÇK-në, për Adem Jasharin, për krejt, për krejt,
për krejt.
***
Janë ba dy javë e ne sot kemi shkue në shkollë. Kur kemi shkue
në shkollë, na ka shti msusi me lexu. Un kam qenë tue lexu. E kemi ndi
oshëtimën, po nuk e kemi ditë çka ashtë tue u ba. Mirëmbajtësi i shkollës ka
bërtitë që po vijnë shkijet, me ndi krejt. Mësusi e ka çelë derën e klasës, ka
dal me kqyrë te dritarja edhe i ka pa shkijet te shitorja e bacit Haki, me
tanke, me pushkë t’mdhaja. Mësusi na ka thanë me hy ndër banka edhe mos me
qajtë. Ne jemi tutë, ama s’kemi qajtë se ka thanë mësuesi. Kemi ndejtë pak
ashtu derisa ata kanë shku. Hiç s’na kanë vra këtë herë. Kam shku shpejt te
klasa e Dardanit dhe e Ardit; i kam marrë ata dy dhe jemi përqafu. Kemi ndejtë
mbrenda n’klasë derisa ka ardhë gjyshi me na marrë. Kur ka ardhë gjyshi s’ka
mujtë gati frymë me marrë. Gjyshi plak u lodh dhe u tut shumë për ne. Kur kemi
ardhë te shpija kanë qenë tue qajtë krejt. Masandej mami na ka mbaru nji tortë,
ka dashtë me na gëzu. Ka thirrë Beja prej Zvicre në telefon, edhe axhi Sylë;
janë mërzitë shumë dhe kanë thanë me u incizu nji video. Ne jemi veshë mirë dhe
kemi recitu vjersha me i pasë ata për kujtim prej nesh, nëse kanë me na vra
shkijet.
***
Kam pa andërr mbramë.
Kishin ardh shkijet këtu keshe i kanë vra babin, gjyshin, Albanin, Dardanin dhe
Ardin. I kanë marrë m’u rritë nji herë (e) m’i vra. Mami keshe nuk dojke me ja
dhanë shkijeve e tani e kanëë plagosë. Masandej mue ma kanë marrë fletoren, ma
kanë lexu e kanë pa që un kam thanë se shkijet janë si dreqi, kanë dashtë me më
vra, po nana u kaë dal përpara dhe e kanë vra nanën. Kishe ka mbetë veç mami
plagostë edhe halla, e keshe mue m’kanëë marrë me m’çu n’Serbi. Jo,jo. Oh Zoti
jem, un s’po du me shku n’Serbi, u kam than keshe shkijeve se ma mirë me m’vra.
Un kisha qenë tue fol jerm, më ka thirrë mami, ma ka dhan do ujë me pi, edhe
m’ka marrë n’gji, kemi fjetë bashkë, un s’tutna kur flej me mamin, asaj i vjen
era mam. Oh Zoti jem, sa shumë e du un mamin, nuk du m’i ba kërkush keq, un
luftoj edhe me shkijet për mamin! Mami i ka bërtitë Flamurit, i ka thanë:
“Mos me na folë ma fjalë për luftën, as për masakra!”
Natën e mirë!
***
Mami m’ka kallzu kur ka qenë n’shkollë, studente, ka nisë lufta.
Mami me shoqet e veta kishin ba demonstratë për Kosovën Republikë… Shkijet i
kishin marrë mamin dhe shoqet e veta n’burg… I kanë lshue, po ma nuk i kanë
lanë me shku n’shkollë. Mami, gjynah, se ka mësue shumë. Mami n’burg e kish pas
emrin Tringa, mu m’ka pëlqy shumë. Mami, gati menjiherë mbas lufte, u feju dhe
u martu… na ka lindë neve. S’pari ka lindë Rrezja, motra jeme qe ka vdekë, ajo
kish qenë shumë e bukur.
Kahnjiherë s’po tutna me vdekë se shkojna në qiell, në qiell e takoj un motrën
teme atje veshun njejtë. Nëse ne na vrajnë, ajo del me na pritë ne. Në qiell
nuk ka luftë, në qiell nuk ka shkije, ka veç engjuj.
Natën e mirë!
***
Sot kemi ik prej shpije, kemi dalë krejt me traktora.
Shkijet na kanë kalu përrethi, na kanë thanë me shku në Varosh e m’u kthy me
vonë. Ne kemi shku krejt, po qentë na kanë mbetë te shpija: Buci edhe Benxhi.
Më ka ardhë gjynah prej Benxhit se ashtë qen plak. Un kam qeshë sot pak me
gjyshin, e kam pa qe ai ka mbathë kpucat ndryshe.
Mbasdite na kanë thanë m’u kthy prap te shpija.
Oh Zoti jem, kur i kemi pa krejt shpijat tue u kallë! Njerzit kanë bërtitë
shum, kanë qajtë, kanë nga. Un jam habitë, veç kam bërtitë dhe ma s’kam mujtë
me lëvritë prej vendit. Tani dada Zylë ma ka mëshu shuplakë të madhe. Kemi kcy
prej traktorit, krejt kemi nga te shpija, kemi dashtë me i shkymë. Un e kam pa
Benxhin, e kanë plagosë. Oh Zot, Benxhi e ka pasë plumbin në qafë. Ka shku
gjyshi e ka kapë në krah, kemi provu krejt me ia hjekë plumbin. Oh Zot, Benxhi
po vdekë, Benxhi po cofë. Zoti jem, shkijet e kanë vra Benxhin! Pse ata e kanë
vra, pse Benxhi ka qenë shumë i urtë! Benxhi nuk u ka ba keq shkijeve. Benxhi
gjyshin e ka kqyrë në sy, n’drita t’synit. M’ka thanë me i ndihmu. Un s’kam
mujtë, kërkush nuk ka mujtë. Oh Zoti jem, Benxhin e kanë mbytë! Mami më ka
thanë mos m’e harru kurrë ket ditë. Un kurrë nuk kam me harru, kurrë nuk kam me
harru Benxhin…
***
Sot asht 10 Prill.
Un sot e kam ditëlindjen. Hiç nuk jam tue e festu, askërkush nuk ma ka uru. Po
un nuk jam hidhëru hiç me kërkand, un e dij, un kuptoj që asht luftë, kanë vdek
shumë njerëz, i kanë vra plot fëmi, gra, pleq, edhe gra shtatzana. I kam pa në
televizion, edhe i kam ndij në shpi tue folë, kanë thanë se edhe ne jemi në
rrezik. Tash ne na kanë djegë krejt shpinë, na janë djegë krejt gjanat. Mue
krejt fletoret, librat, kukullat prej Zvicre, aparati. Mami ka thanë se si të
kryhet lufta t’i blejmë tjera. Un e kam pa, un e dij që ata janë mërzitë shumë
që na kanë djegë shpinë tonë të re, jam mërzitë edhe un, krejt shoqet më kanë
thanë se na e kemi shpinë shumë të mirë. Edhe un për ditëlindje kam pasë me i
marr krejt klasën te shpija, me thirrë edhe mësusin. Po tash hiç ma nuk po du
me festu ditëlindjen, nuk po du as me me ble kurgja. Un veç s’po du me vdekë,
po du me qenë gjallë bashkë me shoqet e mija, mamin, babin, nanën (gjyshen),
gjyshin, hallën, dajtë, tetën, msusin e krejt njerzit që un i du shum. Un po du
krejt njerzit me qenë gjallë.
Nuk po du me na masakru sikur në televizion qysh kanë kallzu.
Sot ka shku mami te shpia, prej malit me marrë bukë, un kam ikë prej traktorit
edhe kam shku te nji ushtar i Serbisë, që ka qenë tue na ruejtë. I kam thanë që
e kam ditëlindjen edhe e kam vetë a kanë me na vra. Ai ja ka nisë me qajtë, un
gjith kam mendu që shkijet nuk qajnë, un jam tutë shumë edhe kam ikë shpejt,
shpejt…
Ndoshta ata nuk na vrajnë neve, fëmijve, po çka me ba na fëmia vetë, nëse ata i
vrajnë këta tjerët, qysh kemi me jetu na vetë?!
***
Na kanë than m’u nisë, me dalë prej ktu, na kanë përzanë prej
vendit tonë, prej Kosovës. Rrugës kemi pa plot kafshë, edhe ato kanë mbetë pa
shpi, edhe ato janë tue u tutë. Shkijet na kanë lypë pare rrugës, ama nuk e
kanë vra kërkand, kta shkije kishin qenë ma të mirë. Janë tue na çu në
Maqedoni, atje ka plot shqiptarë. Jemi n’kufi t’Maqedonisë, jemi tue pritë qe
s’di sa orë. Po na japin ndihma, po na japin ushqim, mbulojë. Dita ka shkue me
i ndihmu t’smutit, ka shumë njerz qe janë t’smutë, edhe nana u s’mu, pa
vetdije, gati asht tue vdekë, gjyshi asht smutë pak ma pak. Veç po vjellin,
kanë marrë ilaçe. Un s’po du me vdekë nana dhe gjyshi; kemi shpëtu gati prej
shkijeve, veç edhe pak dhe kufinin kemi me kalu.
***
Nuk e di po un sot shumë jam mërzitë.
Nji ditë ka me ardhë liria e ne kemi m’u kthy n’Kosovë, n’vendin tonë,
n’shpijat tona, në shkollën tonë.
Këtu njerzit janë shum t’mirë, po un s’po dukem sikur te shpija! Po më duket
sikur zemra jeme asht krejt e zbraztë. Ktu po folet edhe maqedonisht, po më
duket mue sikur janë shkije. Ne po na shtijnë me lexu, me msu maqedonisht.
Msuesja hiç s’po na don. Nuk e di, nuk e di, n’shpi, n’Kosovë krejt janë ma
t’mirë. Edhe mue m’kanë dhanë plot kukulla, po un s’po muj m’u knaqë ma, s’po
muj. Mue shpesh po më kujtohen krejt. Edhe Benxhi, sytë e Benxhit me lot. Ktu
edhe gjumi po më vjen ma ndryshe. Ndoshta n’Shqipëri me shku isha knaqë ma
shumë se janë krejt shqiptarë. Krejt sendet po m’vijnë pa lidhje edhe pse jemi
gjallë. Kurgja nuk asht si n’shpi, kurgja. Nuk kam ma çka kam pasë n’shpi,
krejt jeta ka ndryshu.
Mami na ka thanë nji ditë: “Lufta u ka rritë para kohe”.
***
Un nuk e di a ka me u ba ndonjiherë jeta normale, a kemi m’u
kthy qysh kemi qenë. Kjo nuk mundet me ndodhë, njerzit kanë vdekë edhe s’mujnë
m’u ngjallë, ata që janë gjallë s’kanë ma pare me i mbaru shpijat.
Ne nuk mujna me harru luftën kurrhiç, bash kurrë.
Edhe pse gati po vjen liria, ne po gzohemi, po çka për ata që ju kanë vra
familjet? Un nuk po muj me ditë a asht gzim apo çka! Më ka marrë malli me dalë
n’mal, me shetitë, m’ka marrë malli me vrapu, m’ka marrë malli me luejtë me
shoqe, m’ka marrë malli mos m’u tutë, m’ka marr malli me kqyrë nji film
vizatimor edhe me qesh shumë.
Lajme, lajme, veç lajme. Luftë, luftë, luftë, veç luftë.
Mirë ka thanë mami. Po më duket sikur nuk jam hala fmi, jam e madhe duhet me
kuptu edhe luftën që e bëjnë njerzit e mdhaj. Kahnjiherë po më duket sikur prrallë,
prrallë e keqe me përbindsha që na tregojke gjyshi. Po prrallat e gjyshit u
kryhshin, kjo jo, hiç s’po kryhet. Me prrallat e gjyshit ne flejshim e me kta
s’po na nxe gjumi.
Ah, kur t’kthehemi te nji ditë te shpija, sa shumë malli m’ka marrë e t’i ndihmoj
mamit me mbjellë lule, lule t’kuqe edhe t’bardha, lule me erë të mirë, mos me
ardhë ma era luftë. Kur t’shkojmë n’shkollë, ta përqafoj msusin me duer e
shoqet t’i shtrëngoj shumë. Kur vjen dita me shku te shpija, kur edhe pse ma
s’kemi shpi, ne atje e kemi shpinë, kemi m’u kthy n’oborr me fjetë.
Shpija jonë e djegtë, Benxhi jonë i vdektë, m’ka marr malli shumë!
***
Po kthehemi n’shpi, po shkoj. Shkijet kanë ikë prej Kosove. Kosova asht e lirë. E di, ne s’kemi shpi ma, s’kemi kurgja, po ne e kemi Kosovën e lirë, Kosovën pa luftë. Ne s’kemi me u tutë ma, kemi me jetu sikur n’krejt botën. Ne jemi gjallë. Ne po shkojmë te shpija. Krejt po qajnë prej gzimit. Un e kam dijtë që liria asht e mirë, po jo kaq shumë! Po shkojmë te shpija, te Kosova ime me lot e me gjak. Te Kosova ime e djegtë, te Kosova ime e lirë. Të dua, Kosovë!/KultPlus.com
Për shënimin
e 20 vjetorit të Çlirimit të Kosovës është organizuar një ceremoni solemne ku
po marrin pjesë miqtë më të mëdhenjë të Kosovës, si ish presidenti i SHBA-ve
Bill Clinton, ish-sekretarja Madeleine
Albright, dhe shumë personalitete tjera vendore e ndërkombëtare.
Me këtë rast, nga ora
11:00, në sheshin “Skënderbeu” do të mbahet tubimi qendror i shënimit të
20-vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë.
Ndërsa nga ora 14:00 do të jetë “Ecja për liri”, për të vazhduar drejt sheshit “Albright”, afër American School of Kosova, për të bërë përurimin e bustit të ish-sekretares Albright.
Ndërkaq në orën 15:00, do të bëhet vizitë në Bulevardin ‘Bill Clinton’, afër shtatores së ish-presidentit Clinton./KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka pritur në takim ish-sekretaren Amerikane të Shtetit, Madeleine Albright.
I pari i Qeverisë u shpreh falënderues ndaj ish-sekretares për angazhimin e saj dhe SHBA-së për çlirimin e Kosovës.
Ish-sekretarja Amerikane e Shtetit, Madeleine Albright sërish shprehu admirimin që ka për popullin e Kosovës dhe tha se është privilegj për të që merr pjesë në përvjetorin e 20 të çlirimit të Kosovës.
Në shenjë mirënjohje, kryeministri i dhuroi një pullë postare ish- sekretares Madeleine Albright.
Autori Jusuf Buxhovi sot promovon në kryeqytet librin e tij më të ri “Maqedonia nga antika deri te koha jonë”.
Në këtë vepër voluminoze, autori, jo vetëm që i plotëson me argumente të tjera disa nga tezat e shfaqura në “Kosovën” në tetë vëllime rreth ndërlidhjes së ilirëve me pellazgët dhe të rolit të madh të Dardanëve e Dardanisë në formimin e perandorive të mëdha botërore: Trojës, Romës dhe të Bizantit me ç’rast ata shihen edhe si shtrat i qytetërimit antik, por qëndrimin për mosekzistencën e “shtetit mesjetar serb” dhe të gënjeshtrën për gjoja “Kosovën – djep shpirtëror dhe historik serb” e riformulon me shkëputjen e Rashës dhe dinastisë së Nemanjajve nga origjina sllave (serbe) duke e ndërlidhur atë me origjinën e botës ilire.
Promovimi mbahet në ora 18:00 në librarinë Dukagjini./KultPlus.com
Në 20 vjetorin e bombardimeve të NATO-s në Kosovë, në Prishtinë është duke qëndruar ish-presidenti i Amerikës, Bill Clinton.
Presidenti
i 42-të amerikan, kur erdhi në nëntor të vitit 2009 mbajti një fjalim në
Parlamentin e Kosovës, teksa përshëndetjen e nisi duke ndarë një kujtim që
kishte me ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova.
“Dua ta përkujtoj ish-presidentin Rugova, i cili ishte një njeri i shkëlqyeshëm. Kujtoj dhuratën që ai më ofroi, një gur unik, gjysmë kristali. Ishte ky gur që u bë i njohur edhe në Shtëpinë e Bardhë, si “Guri i Rugovës” në kohën që merreshim me problemet e Kosovës… Presidenti Rugova më dha këtë kristal të bukur. Unë ia shpjegova atij se jam rritur në një vend që në aspektin gjeologjik ngjan me Kosovën. Meqë vendlindja ime, Arkanzasi, ishte burimi më i madh i kristaleve të papërpunuara. Kur ia tregova presidentit Rugova, atëherë ai tha se: – Ti duhet të na ndihmosh, meqenëse kemi një pikë të përbashkët, sepse është fati i tillë” – kujtonte Presidenti Clinton këtë episod me Presidentin Historik të Kosovës./KultPlus.com
Sot bëhen 20 vjet që kur trupat e NATO-s u futën në Kosovë për t’i dhënë fund masakrave dhe gjenocidit serb mbi qytetarët e pafajshëm të Kosovës.
Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, i parapriu një lufte të ashpër mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe (ushtrisë, policisë dhe paramilitarëve) dhe pas shumë masakrave të kryera ndaj civilëve shqiptarë.
Hyrja e trupave të NATO-s u bë pas marrëveshjes së Kumanovës ndërmjet zyrtarëve serbë dhe autoriteteve të NATO-s, të udhëhequra në atë kohë nga gjenerali britanik, Mike Jackson.
këtë marrëveshje, Serbia ishte detyruar të tërheqë të gjitha forcat e saja policore dhe ushtarake nga Kosova.
Dita e Çlirimit të Kosovës, së bashku me pavarësinë, konsiderohen si ngjarje që kanë shënuar kthesën më të madhe në histori.
Me rastin e shënimit të 20-vjetori ti të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, në Kosovë kanë ardhur ish-presidenti i SHBA-së Bill Clinton, ish-sekretarja Madeleine Albright, dhe shumë personalitete tjera vendore e ndërkombëtare.
Me këtë rast, nga ora 11:00, në sheshin “Skënderbeu” do të mbahet tubimi qendror i shënimit të 20-vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë.
Ndërsa nga ora 14:00 do të jetë “Ecja për liri”, për të vazhduar drejt sheshit “Albright”, afër American School of Kosova, për të bërë përurimin e bustit të ish-sekretares Albright.
Ndërkaq në orën 15:00, do të bëhet vizitë në Bulevardin ‘Bill Clinton’, afër shtatores së ish-presidentit Clinton.
Qendra historike është zona ku qyteti i Vlorës ruan ende gjurmë të ndërtimeve të fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX. Restaurimi i 68 monumenteve të këtij qyteti bregdetar pritet të përfundojë brenda muajit qershor.
Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, ka inspektuar nga afër punimet për rijetëzimin e kësaj qendre, e cila do t’u ofrojë vizitorëve dhe turistëve një vend në të cilin pasqyrohet më së miri vlera kulturore e Vlorës, transmeton Koha Ditore.
“Një moment i rëndësishëm për Vlorën, që nuk do të njihet vetëm për bregdetin e saj, por edhe për Qendrën Historike. Së bashku me zëvendësministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Artan Shkreli, dhe kryetarin e Bashkisë, Dritan Leli, inspektuam punën në rrugën ‘Justin Godard’ dhe atë të ‘Hebrenjve’, ku po punohet në disa fronte: në infrastrukturën rrugore, unifikimin e fasadave dhe nxjerrjen në dritë të hijeshisë së ndërtesave historike.
Së bashku me partnerët tanë të AADF-së dhe Bashkinë e Vlorës do të kalojmë të gjitha vështirësitë, që kanë dalë gjatë zbatimit dhe do t’i japim një tjetër pamje qytetit”, citohet të ketë thënë ministrja Margariti.
Brenda kufijve të zonës së projektit ndodhen disa monumente kulture të kategorisë së parë, si edhe rruga më e rëndësishme e qytetit për nga vlerat historike që mban emrin “Justin Godard”.
Rruga “Justin Godard” ka qenë rruga kryesore e qytetit në periudhën e Rilindjes dhe Pavarësisë Kombëtare. Cepi perëndimor i saj shpie te Sheshi i Flamurit, kurse ana lindore në lagjen “Partizani” në drejtim të Babicës, ku ka shumë foto të hyrjes së luftëtarëve më 1920.
Në fund të muajit maj, në kuadër të hapjes së sezonit turistik veror në Shqipëri dhe në zbatim të politikave të Ministrisë së Kulturës për promovimin e vlerave të kulturës, artit dhe trashëgimisë kulturore, Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Vlorë kishte nisur një fushatë për rinovimin e tabelave informuese nëpër monumente.
Në anën tjetër, autoritetet shqiptare ka kohë që promovojnë projekte që fuqizojnë turizmin kulturor. Muajin e kaluar shteti ka vendosur që t’i bëjë edhe më atraktive disa monumente, duke përdorur teknologjinë. Për këtë ministrja Margariti kishte vizituar Kalanë e Prezës, kur bëri një shëtitje virtuale në këtë monument të kategorisë së parë, që është një destinacion historik dhe kulturor afër kryeqytetit shqiptar.
Princi Philip është duke festuar ditëlindjen e 98-të në privatësi, por në mediat sociale, Mbretëresha dhe familja e tij po ia shënojnë publikisht.
Duka dhe Dukesha e Cambridge dëshiruan që të ndajnë disa fotografi të bukura të tij në Tëitter dhe në Instagram, njofton Klan Kosova.
“I dëshirojmë një ditëlindje të lumtur të Lartësisë së Tij, Dukës së Edinburghut”.
Një fotografi tregoi çiftin mbretëror në vitin 2016 duke përshendetur në drekën e Patronit, e cila u mbajt për të shënuar përvjetorin e 90-të të madhështisë së tij.
Ish-komandanti i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, gjenerali Wesley Clark, do të jetë pjesë e shënimit të përvjetorit të njëzet të çlirimit të Kosovës.
Fillimisht, Clark do të pritet nga kreu i shtetit, Hashim Thaçi në një takim të paralajmëruar në ora 10:00.
Më pas, ai do të marrë pjesë në tubimin qendror në shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë në sheshin “Skënderbeu”.
Në orët e pasdites, do të jetë kryeparlamentari Kadri Veseli ai që do të presë në takim gjeneralin Clark.
Ndërsa, ish-komandanti i Forcave të NATO-s në Evropë do të pritet edhe nga kryeministri Ramush Haradinaj./KultPlus.com
Uashington, 11 qershor – ”New York Times” njoftoi sot se nuk do të publikonte më vizatime politike në edicionin ndërkombëtar, pak më shumë se një muaj pas një polemike lidhur me një karikaturë të cilësuar antisemite, transmeton atsh.
E përditshmja njoftoi se prej një viti po mendonte për të
sjellë disa ndryshime në edicionin ndërkombëtar në lidhje me atë që botohet në
SHBA, që nuk përmban më vizatime politike prej disa vitesh.
Ajo synon ta vërë në zbatim këtë projekt duke nisur nga 1 korriku.
Publikimi në fund të prillit në edicionin ndërkombëtar të
një karikature që personifikonte kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe
presidentit amerikan, Donald Trump ngjalli shumë polemika në komunitetin hebre
dhe më gjerë.
Kryeministri izraelit ishte pikturuar si një qen shoqërues
për të verbrit, i cili mban një medaljon me një yll të Davidit, i shoqëruar nga
presidenti amerikan, i verbër me një kipa në kokë/AFP.
I kishte vetëm gjashtë vjet dhe në palcën e tij e kishte përjetuar luftën e Kosovës, pikërisht në fshatin e lindjes në Llashticë të Gjilanit.
Ai kujton tmerret e asaj kohe që pak shpresë kishte atëherë se do të
mbijetonte. Ilir Ramushi tashmë 26 vjec kujton për KultPlus edhe braktisjen e
fshatit bashkë me 1500 fshatarë, pas masakrave të shumta, djegies së fshatit
dhe vrasjes së mbi 25 personave.
“Kur kanë hyrë serbët në fshatin tonë kanë vrarë edhe gjyshen time,
gjyshja ime ishte vajza e heroit të madh Idriz Seferit”, ka thënë Ramushi.
Dhe nuk e kishte menduar se nga ajo vuajtje e madhe, ai një ditë do të
takonte presidentin më të dashur amerikan për shqiptarët, Bill Clinton.
Ai bashkë me fshatarët e tij kishte shkuar në kampin e Stankovecit, dhe
atë kamp e kishte vizituar presidenti i SHBA-ve, dhe pikërisht Iliri i vogël
kishte fatin të kapte dhe të shtrëngonte për dore Bill Clinton.
“Është një ndjenjë e papërshkrueshme, një emocion që ndodhë vetëm një herë
në jetë”, ka thënë Ilir Ramushi për KultPlus, i cili dha këto detaje për gazetën
tonë para disa ditëve.
Tash si një ekonomist i diplomuar, ai shpreson që edhe të mërkurën ta
takojë nga afër Bill Clinton, një njeri që shpëtoi popullin e tij, edhe pse,
sipas tij, ai ka shpresuar që për këto 20 vite do të ndryshonte Kosova me një hap më të madh.
Ilir Ramushi në fotografinë me Bill Clinton është bashkë me motrat e tij, sikurse edhe me fëmijët e tjerë që i ka familjarë të afërm. /KultPlus.com
Në gjendje të mjerueshme ka mbetur fotografia e heroit Adem Jashari tek Pallati i Rinisë. Federata e Boksit e cila edhe e ka vendosur fotografinë, thotë se për pak ditë do ta ndërrojë.
U vendos në nderim të heroit Adem Jashari, por për
fotografinë e tij nuk ka ndonjë përkujdesje.
Zv. Drejtori i këtij Pallati Ilir Dugolli ka thënë se
kjo fotografi është vendosur nga Federata e Boksit, andaj është detyrë e tyre
që ta mirëmbajnë atë.
“Fotografia e Adem Jasharit në hyrje të Pallatit të Rinisë
është materie e Federatës së Boksit të Kosovës dhe si e tillë ata kanë
përgjegjësi ta mirëmbajnë dhe jo ta lenë në këtë gjendje”, tha për RTV
Dukagjinin, Ilir Dugolli.
Ndërsa Mehmet Bugujevci, Sekretar Gjeneral i Federatës së
Boksit thotë se edhe pse ajo fotografi është vendosur nga ta, Adem Jashari nuk
është vetëm i tyre.
“Atë fotografi e ka vendos Federata e Boksit të Kosovës, por
Adem Jashari nuk është vetëm i Kosovës. Për fotografinë duhet të kujdesen
institucionet e Kosovës”, tha Mehmet Bogujevci, përcjell Telegrafi.
Sipas tij, me mirëmbajtjen e kësaj fotografie duhet të
merren institucionet shtetërore përkatëse, ngase Federata nuk ka fonde të
mjaftueshme.
“Institucionet e Kosovës që kujdesen për përmendore do të
ishte dashur të kujdesen edhe për këtë fotografi, pasi ne si federatë nuk kemi
fonde për mirëmbajtje”, shtoi me tej Mehmet Bugujevci.
Në
kuadër të edicionit të shtatë të FemArt është mbajtur paneli i radhës lidhur me
influencën e medieve në ngritjen e zërit të çështjeve të rëndësishme shoqërore,
veçanërisht mbi rastet e dhunës seksuale gjatë luftës së Kosovës. Përballë
hulumtueses dhe njëherit moderatores së këtij paneli, Donika Emini, kanë qenë
artistja dhe aktivistja Eliza Hoxha, drejtoresha e platformës kulturore
KultPlus, Ardianë Pajaziti dhe fotoreporterja, Ramize Murtezi-Shala nga RTK dhe
Valerie Plesch, gazetare e pavarur.
Ky
ka qenë paneli i fundit i ditës, por jo më pak i rëndësishëm se të tjerët duke
parë që mediet dhe arti janë gjithmonë në frontin e parë në luftën kundër
stigmatizmit dhe kunder keqinformimit propagandistik nga politika.
Në
fjalën hyrëse të këtij paneli Emini i ka falënderuar pjesëmarrëset që kanë
përdorur forcën dhe pozicionin e tyre për të gjetur hapësirën për të diskutuar
dhe për të luftuar në krah të viktimave të luftës së Kosovës, qofshin ato
viktima seksuale apo viktima të tjera.
Artistja
dhe aktivistja Eliza Hoxha ka filluar fjalimin e saj duke cituar një anëtar të
Parlamentit të Kosovës i cili kishte thënë ‘këto gra janë turpi i Kosovës’ gjë
që thotë se ka qenë motivimi i saj për t’u marrë me këto cështje. Ajo
gjithashtu ka qenë ideatorja e ekspozitës që hapi edicionin e shtatë të FemArt.
Hoxha ka shtuar që për të muzika, prej një pasioni është kthyer në një mision
për t’i ndihmuar gratë e dhunuara. Pavarësisht ngadalësisë së proceseve të
drejtësisë, ajo ka thënë që fakti se kjo temë po flitet në festivalin e vetëm
feminist në rajon do të thotë që kjo
temë po pranohet nga shoqëria dhe të gjithë ne po iu dalim në krahë grave të
prekura nga kjo padrejtësi. Hoxha ka falenderuar Vasfije Krasniqin që është
bërë fytyra e kësaj lëvizjeje të ndjeshme që ka prekur një numër të madh të grave.
Ideve
të zonjës Hoxha i është bashkuar edhe gazetarja Ramize Murtezi Shala, gruaja që
ka arritur ta sjellë para publikut historinë e dhimbshme të Vasfije Krasniqi
Goodman. Ajo ka shtuar që të gjitha rastet e dhunës hasin në rezistencë në
insitucionet e drejtësisë. Ajo ka treguar që ka pasur raste, që përmes
dokumentarëve, të njohë raste të shumëta të dhunës brenda familjes, gjë që
sipas saj është pritur me indiferencë nga publiku. Ajo ka treguar në detaje për
intervisten e saj me Vasfije Krasniqin duke thënë që problemi më i madh i
gazetarisë në Kosovë është që të gjendet qasja më e mirë që të prezantohen
temat e ndjeshme si dhuna seksuale gjatë luftes dhe pas saj. Ajo e ka fajësuar
stigmatizimin në mungesën e rrëfimeve si ai i zonjës Vasfije. Ajo thotë se në
raste të tilla viktimave iu fshehet fytyra e zëri dhe kjo bën që historia të
mos ketë efekt te publiku apo te dëgjuesit.
Fjalës
së Ramize Murtezi Shala i është bashkangjitur
edhe Ardianë Pajaziti e cila ka treguar se si e kanë pritur mediet një lajm të
tillë. Ajo ka theksuar që mediet kanë një rol shumë të madh në plasimin e
rasteve të tilla dhe ka kërkuar që të bëhemi më të sinqertë, duke parë që mediet
nuk e kanë pasur vullnetin e duhur që të bëjnë diçka humane, por duke parë
interesat. Pajaziti ka treguar punën që
ka bërë mediumi i saj në serinë e rrëfimeve që ka publikuar, duke thënë që ajo
dhe i gjithë mediumi kanë vërtetuar se shoqëria e jonë nuk është e gatshme të qëndrojë
gjatë me dhimbjen. Ajo ka shtuar që shqiptarët janë një popull euforik dhe nuk
kanë interes të gjatë për një temë, edhe kur është një temë e ndjeshme si kjo.
Ajo e ka falenderuar zonjen Vasfije Krasniqin për dëshminë e saj, por ka
potencuar përsëri që mediet nuk kanë bërë shumë për tu interesuar që të bëjnë
presion medial për të kërkuar drejtësinë për Vasfije Krasniqin, pos asaj,
publikimin e rrëfimit të saj.
Ndërkohë fotoreporterja Valerie Plesch ka treguar se si ka arritur që ta bëjë edhe popullin amerikan të interesohet me çështjet e dhunimit të grave duke i bërë këto histori relevante për qytetarët e atyshëm. Gjatë gjithë këtij paneli zonjat kanë provuar të sqarojnë për publikun që historia e Vasfije Krasniqit ka qenë e publikuar në shumë mediume, përfshirë këtu edhe prestigjozen the Guardian, por historia e saj ka bërë bujë vetëm kur është vizualizuar në intervistën frymëmarrëse me gazetaren Ramize Murtezi Shala./RronaJaka/KultPlus.com
Koreografi Pëllumb Agalliu është kthyer nga Azerbejxhani në Teatrin Kombëar për të shënuar 20-vjetorin e çlirimit të Kosovës me shfaqjen e baletit “O moj Shqipëri”, shkruan KultPlus.
Agalliu,
tematikën e kësaj shfaqjeje e ka ndarë në tri faza, si simbolikë e periudhave
në të cilat ka kaluar populli shqiptar, e premierës së natës së sotme i ka
paraprirë një konferencë për medie, në të cilën Pëllumb Agalliu ka sqaruar për
publikun motivet e kësaj shfaqjeje, me ç’rast ka thënë që titulli vjen i
rimodeluar nga poema e famshme e Pashko Vasës, si dhe tematikën që trajton Sami
Frashëri në veprën monumentale “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të
bëhet”.
Kritikët
dhe miqtë e kompozitorit kanë treguar se Agalliu e ka kombinuar kulturën e
pasur të letrave shqipe me simfoninë e IX të gjeniut të muzikës klasike Ludwig
van Beethoven duke simbolizuar artistikisht sulmet ajrore të NATO-s, të cilat i
dhanë fund luftës që kishte qëllim spastrimin etnik të kosovarëve.
Pas
ndarjes tripjesëshe të kësaj shfaqjeje fshihet një mesazh tejet i fuqishëm dhe
i mbushur, si me emocion ashtu edhe me filozofi.
Ashtu
siç kishte bërë Sami Frashëri para tij, Agalliu e ndanë Shqipërinë në:
Shqipëria e bashkuar, Shqipëria e ndarë dhe Shqipëria e çliruar nga miqtë
euroatlantikë.
I pyetur nga KultPlus për finalizimin e shfaqjes ai u shpreh shumë i kënaqur, si gjatë provave gjenerale ashtu eshe gjatë performancës së belerinëve. Përmes buzëqeshjeve dhe lëvizjeve të koordinuara ata ju ftojnë në dramën e tyre për t’iu treguar përmes lëvizjeve historinë se si u çlirua Kosova. Efektet dramatike, tymi, veshjet dhe mimikat e balerinëve rrisin emocionin dhe na rikthejnë prapë në kohën e luftës. Perveç tjerash shfaqja shoqërohet nga poezia ‘O moj Shqipni’ nga Pashko Vasa Rikujtojmë gjithashtu se premiera e natës së sotme, performuar nga Trupa e Baletit të Kosovës do të shfaqet edhe me rastin e festimeve për 20-vjetorin e Çlirimit të Kosovës, si kërkesë e veçantë e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Përveç kësaj shfaqjeje, shfaqjet më të famshme të Agalliut janë: ‘Carmen’, ‘E bardha, e zeza’, ‘Diplomatët’ e shumë të tjera./Rrona Jaka/KultPlus.com
Katër artiste kosovare, pjesë e kolektivit artistik “HAVEIT” nga Prishtina, kanë hequr fotografitë e tyre nga obelisku i “NewBorn”-it katër ditë pas përurimit të pamjes së re të këtij monumenti me fotografitë e 99 grave kosovare.
Transformimi i “NewBorn” u bë si dedikim për përpjekjet dhe
këmbënguljen e 99 grave të Kosovës, duke u treguar historitë e tyre të suksesit
përmes portreteve, kuotave dhe pasqyrimit të gjendjes reale.
Por, Hana Qena, Vesa Qena, Alketa Sylaj dhe Lola Sylaj nga
kolekitivi artistik “HAVEIT” kanë hequr fotografitë e tyre nga obelisku i
“NewBorn” të martën.
Përmes një postimi në rrjetin social Instagram, kolektivi
“HAVEIT” ka njoftuar se nuk janë pyetur nga organizatorët që i kanë vendosur
fotografitë e anëtareve të grupit në monumentin identifikues të Prishtinës,
“NewBorn”.
Ekspozitën me fotografitë e 99 grave kosovare e ka krijuar gazetarja Lauren Peace. Kjo ekspozitë, e quajtur ‘Rimarrje’ ose ‘Reclamation’, përmban një aplikacion të shtuar të realitetit interaktiv që luan videot e 99 grave.
Qendra Historike e Prizrenit (QHP) ende është duke vuajtur nga rrënimet pa leje e të (pa)qëllimshme të ndërtesave me vlerë të trashëgimisë kulturore, thotë “Ec Ma Ndryshe” përmes një komunikate për media.
Tutje thuhet se rasti i fundit është ndërtesa në rrugën
Berati ku vërehet rrënimi i gati gjysmës së ndërtesës, rrënime në enterier dhe
muret e prapme të ndërtesës.
“Ky rrënim bëhet më shqetësues për faktin se kjo ndërtesë është pjesë përbërëse e projektit ‘Revitalizimi dhe integrimi socio-ekonomik i komunitetit lokal në rrugën Marin Barleti’ në Qendrën Historike të Prizrenit i hartuar nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren dhe EC Ma Ndryshe, përderisa është financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Ambasada Britanike në Prishtinë dhe është mbështetur nga Komuna e Prizrenit”, thuhet në komunikatë, transmeton KultPlus.
Javë më parë, ministri i kulturës Kujtim Gashi ka theksuar
se rruga “Marin Barleti” në Prizren do të revitalizohet dhe do të investohen
mbi 2 milionë euro.
“Projekti “Revitalizimi dhe Integrimi Socio-Ekonomik i
komunitetit lokal në rrugën Marin Barleti në Prizren” është një projekt
ambicioz dhe tepër i rëndësishëm për qytetin e Prizrenit, pasi që ngërthen në
vete trajtimin e 14 ndërtesave të banimit të cilat fatkeqësisht nuk janë në
gjendjen e dëshirueshme. Edhe përkundër faktit që zbatimi i këtij projekti
paraqet një ngarkesë buxhetore për MKRS-së, ai do të zbatohet në përpikëri, në
respektim të standardeve të larta profesionale dhe në zbatim të legjislacionit
në fuqi” është shprehur Gashi.
EC Ma Ndryshe apelon tek MKRS-ja dhe Komuna e Prizrenit, gjegjësisht inspektoratet përgjegjëse të këtyre dy institucioneve të dalin në terren dhe të evidentojnë këto rrënime dhe të marrin masa adekuate konform ligjeve në fuqi rreth këtij fenomeni të shkatërrimit të ngadalshëm e të (pa)qëllimshëm të ndërtesave pasi humbja e vlerave të trashëgimisë kulturore është proces i pakthyeshëm./KultPlus.com
Ish-sekretarja e Shtetit Amerikan, Madeleine Albright, ka arritur sot në Kosovë. Ajo është pritur në aeroport nga ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Albright ka arritur në Kosovë pas ish-presidentit Bill
Clinton dhe do të marrë pjesë bashkë me të në ceremoninë e shënimit të
20-vjetorit të hyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës.
Ish-sekretetarës i është punuar edhe një bust në Prishtinë,
që do të zbulohet nesër.
Gazeta Express ka siguruar disa fotografi ku shihet kjo shtatore, që është punuar nga Luan Mulliqi.
Bill Klinton, ish-presidentit të SHBA-ve i cili këto do të qëndrojë në Kosovë për nder të ditës së çlirimit duke u pritur me organizime dhe nderime të shumta nga ana e udhëheqësve të shtetit të Kosovës.
Përveç mirënjohjeve të shumta, Klintonit iu dha edhe pulla e parë postare e punuar në bronz me imazhin e tij, ketë e ka bërë të ditur kryetari i degës së PDK-së në Drenas, Sejdi Hoxha.
Statusi i plotë:
Jam i lumtur dhe shumë krenar që me rastin 20 vjetorit të
lirisë tonë, së bashku me Kryeministrin e Republikës së Kosovës Ramush
Haradinaj, me nderime të larta ia dhuruam pullën e parë postare të punuar në
bronz me imazhin e tij, mikut më të çmuar amerikan që ka populli ynë,
Presidentit të SHBA-ve, Bill Clinton.
Presidenti Clinton, ishte personaliteti kryesor që
shfrytëzoi në maksimum autoritetin e tij në udhëheqjen e SHBA-ve, duke i
mobilizuar edhe shtetet euro perëndimore, që i dhanë përkrahje të fuqishme
popullit të Kosovës në luftën e drejtë të UÇK-së për çlirimin nga Serbia.
Filatelia e Postës së Kosovës, përmes kësaj pulle postare
shpreh mirënjohje dhe falënderim të përjetshëm, Presidentit Bill Clinton, për
lirinë që e gëzon Kosova nga 12 qershor 1999.
Zoti e bekoftë Presidentin Bill Clinton dhe familjen e Tij!/KultPlus.com
Artisti Sislej Xhafa po merr pjesë me punën e tij të radhës artistike në Panairin Art Basel.
“Ovoid Solitude” fokusohet në një 80 vjeçar në Kubë, i cili
shet vezë, dhe i cili brenda panairit do të punojë në një hapësirë që është
identike me dyqanin e tij në Havana.
Shitëri i vezëve, me ndihmën e Sislejit ka marrë vizën dhe të gjitha dokumentet e nevojshme për të dalë jashtë Kubës, për herë të parë. Emri i tij është Raúl Postillo Zamá.
“Projekti fokusohet në çështjet e ndarjeve, mureve, kufinjve”
tregon Lorenzo Fiaschi – drejtori i Galleria Continua e cila edhe e përfaqëson
Xhafën si artist, shkruan KultPlus.
Xhafa është aktiv në jetën artistike të Evropës, ndërsa është vetëm njëri nga pjesëmarrësit e këtij edicioni të Art Basel në Zvicër, në kuadër të ekspozitës UNLIMITED.
UNLIMITED vizitohet çdo vit 95 mijë njerëz nga mbarë bota,
pasi ofron artistët më në zë të momentit dhe punët e tyre thumbuese.
Ka qenë gjithmonë Sislej Xhafa ai që ka ditur të ngacmojë me artin e tij, dhe këtë po e bën edhe tash në ART BASEL – panair i respektuar i artit.
Siç përshkruhet në konceptin e punës, asgjë afër personazhit nuk shkruan se ai është artistik apo se kjo është një performancë. A është arti më i madh se jeta? A janë në barazim? A krahasohet arti me realitetin? Këto janë disa pyetje që dalin prej punës. / KultPlus.com
James Dean, aktori hollywood-ian i viteve ’50, tragjedia dhe vdekja e shpejtë e aktorit të ri në moshën 24 vjeçare e shndërroi në aktorin e parë të historisë së kinemasë që nominohet për një çmim pas vdekjes. Fillimisht do të nomionhej për East of Eden (1955) dhe më pas, pas vdekjes për filmin Giant (1956).
Studioi dramë në universitetin e Kalifornisë në Los Angeles dhe u muarr me teatër, kinema dhe televizion. Shfaqja e tij e parë në televizion ishte për një reklamë për Pepsin në 3 dhjetor të 1950. Më vonë do ta ndiqnin seri dhe vepra në teatër.
Me një karakter introvert, i ashpër, melankolik, moskokëçarës dhe i apasionuar në raporte të njëjta, James Dean kishte veti të mira interpretative dhe që i sollën sukses te publiku më i ri në moshë. Duke e shndërruar në ikonë të rinisë amerikane të viteve ’50. Në vitin 1955 do të mbërrinte një nga filmat e tij më të mëdhenj; “Rebel without a Cause” që do ta afirmonte atë përfundimisht si një nga idhujt kryesorë të rinisë amerikane. Tek “Gjigandi” do të interpretonte së bashku me Elizabeth Taylor dhe Rock Hudson e që do të ishte një tjetër vepër e madhe e tij.
Dean përveç pjesës së kinematografisë , kishte pasion edhe garat me makina, ku ishte hobi i tij, një pasion që do e ndiqte krejt jetën e tij, dhe e veçanta e kësaj Dean përveç pasionit për makina, ishte ikonë e stilit për veshjet e tij, ku si ndikim do e përcjellë botën e modës edhe sot, si një inspirm.
Një aktor, ku jashtë skenës së filmit ishte njeri
me pak fjalë, një simbol seksi dhe një ikonë stilesh, ku e rrëthonte një
misticizëm në lidhje me atë që e gjejmë të dashur kaq shumë vite më vonë. Megjithëse
më i njohur për stilin e tij Causal,
ai kishte disa pjesë më formale në repertorin e stilit të tij, si xhaketë të
errët me jakë, bluzë e këpucë cowboy.
Stili i tij ishte paaftësi. Ai nuk u shqetësua me copa të tepërta. Pamjet e tij ishin kryesisht minimaliste. Për shembull, ai nuk kishte qasje me një kravatë. Ai nuk ishte një ndjekës i përkushtuar i modës. Ai ka shkuar shpesh me tendencën e 50-tave të Jeans-av të kthyer apo atë që ne e quajmë dukje me pantallona të gjata./KultPlus.com
“A girl” (Një vajzë) është një poezi nga Ezra Pound shkruar në bazë të mitit të Apollos dhe nimfës që ai dashuronte. Historia fillon kur Apollo e ofendon Erosin e ky i fundit (me anë të shigjetave të tij të veçanta) e bënë atë të marroset pas Dafinës, kurse nimfën e shtyn ta refuzojë dashurinë e tij. Kështu, për ti ikur ajo kthehet në pemë.
Poezia e Pound-it tregon transformimin e vajzës në pemë.
Vajtimi i Apollos në vargun e fundit është tejet i veçantë. Poezia është ndarë
në dy pjesë: në pjesën e parë flet vajza, ku e përshkruan transformimin e saj
në pemë, kurse pjesa e dytë mund të konsiderojmë që flet Apollo, i cili ende
është i dashuruar ndonëse ajo s’është gjë tjetër veç një pemë.
“A girl” The tree has entered my hands, The sap has ascended
my arms, The tree has grown in my breast – Downward, The branches grow out of
me, like arms. Tree you are, Moss you are, You are violets with wind above
them. A child – so high – you are, And all this is folly to the world.
Vepra artistike më e shtrenjtë në botë, Salvator Mundi nga Leonardo da Vinçi, raportohet të jetë në pronësi të princit saudit të kurorës Mohammed bin Salman, përcjellë KultPlus.
Vendndodhja e kësaj pikture ishte mbajtur sekret që kur u
shit për 450 milion dollarë në vitin 2017 në New York. Të hënën Artnet, një
institut arti, ka raportuar që vepra pesëqindvjeçare e Da Vinçit është pronë e
princit saudit të kurorës.
Kryevepra “Salvator
Mundi” (nga latinishtja që do të thotë Shpëtimtari i Botës) është bërë pjesë e
konspiracioneve pasi u zhduk menjëherë pas shitjes së saj në vitin 2017.
Mbi këtë akuzë është pyetur ambasada Saudite në Londër, por ka mbetë e heshtur ndaj pyetjeve të gazetarëve./KultPlus.com