Haradinaj, Clintonit: Mirë se erdhe në shtëpinë tënde

Me nderime shtetërore është pritur sot në Kosovë ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka nderuar ish-presidentin amerikan me medaljen Urdhri i Lirisë në 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës nga forcat serbe, transmeton kp. 

Clintoni me këtë rast tha se e gjitha bota duhet të shohë Kosovën si vend të demokracisë.

“E gjithë bota sot, në gjithë këtë trazirë duhet ta shohë Kosovën si vend të demokracisë, i përkushtuar të përmirësohet e të rritet dhe të jetojnë në paqe me fqinjët, që është diçka për të cilën duhet të punojë çdo shtet, i madh e i vogël , brenda dhe jashtë kufijve të tyre. Mendoj që e keni mundësinë të bëheni shembull i botës edhe për 20 vjet tjera”, tha Clinton.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim ish-Presidentin amerikan, Bill Clinton.

Clinton po qëndron në Kosovë për të marrë pjesë në shënimin e 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës.

Haradinaj ka shkruar në Facebook se Clintoni është kthyer në shtëpinë e tij dhe se për shqiptarët është njeriu më i dashur.

Postimi i Haradinajt:

Ju na ndihmuat ta fitojmë luftën dhe bashkë e ndërtuam paqen! Mirë se erdhe në shtëpinë tënde dhe tek populli në zemrat e të cilit ju keni hyrë si njeriu më i dashur, President Bill Clinton. Falë vendosshmërisë, humanizmit dhe guximit tuaj, ne jetësuam të drejtën tonë për liri dhe demokraci dhe ndërtuam shtetin e Kosovës! Falë kësaj kthese historike, fëmijët tanë sot jetojnë të lirë. Të lirë për të pasur jetë, për të pasur ëndrra, për të pasur shtetin e tyre, Kosovën! President Clinton, faleminderit dhe përjetë mirënjohës për ju dhe popullin Tuaj.

Zoti e bekoftë Amerikën! Zoti e bekoftë Kosovën!

Edi Shukriu shpallet fituese e çmimit letrar “Beqir Musliu”

Shkrimtarja dhe arkeologia Edi Shukriu është shpalluar sot fituese e çmimit letrar ja “Beqir Musliu”, të cilin e ndan kryetari i Komunës, Lutfi Haziri për arritje të veçanta në letërsi.

Fituesi është përzgjedhur nga juria e konkursit letrar “Beqir Musliu”, në përbërje Ibrahim Kadriu, Sadete Tërnava Osmani dhe Hasan Bunjaku.

Haziri, e ka falënderuar jurinë profesionale për punën dhe vlerësimin, ndërkaq e ka uruar shkrimtaren dhe arkeologen, Edi Shukriu, për të cilin tha se ka dhënë kontribut të madh në lëminë e letërsisë dhe të arkeologjisë.

“Nominimi i sivjetmë i Edi Shukriut i bën nder murit të lavdishëm të çmimit “Beqir Musliu”, pasi veprimtaria e saj, udhëtimi, letrat dhe librat që ajo sot i ka, natyrisht që edhe neve na bëjnë nder. Madhështia e Beqir Musliut nuk është vetëm në libra, por madhështia e tij qëndron edhe në dashurinë dhe përkushtimin që pati gjithmonë për Gjilanin, për Kosovën dhe për kombin e tij. Por, pa dyshim, ai është përshkruesi më i mirë i Gjilanit në veprat e tij, përshkrim ky që shkon deri në perfeksion”, theksoi kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri.

Shkrimtari Ibrahim Kadriu, tha se ata kishin në shqyrtim një numër emrash prej shkrimtarëve, biografitë e të cilëve arrinin në nivelin e lakmueshëm për këtë çmim, por që juria vendosi për të nominuaren, Edi Shukriu.

“Kur merret parasyshë krijimtaria e Edi Shukriut në fushën e letërsisë dhe arkeologjisë, mund të them se ishte arkeologe dhe shkrimtare e parë shqiptare në Kosovë, e cila e botoi përmbledhjen e parë poetike në vitin 1972. Ishte dhe mbeti e dalluar edhe si veprimtare në realitetin kosovar. Në fushën e letërsisë, Edi Shukriu ka arritur suksese si poete, dramaturge dhe romansiere. Vendimi dhe bindja jonë është se “veprat e saj shquhen me origjinalitet të shprehjes poetike, të cilat bindin se kjo poete i përkushtohet krijimtarisë vetëm kur e ndien atë si shpërthim shpirtëror”, tha shkirmtari i famshëm kosovar me prejardhje nga Gjilani, Ibrahim Kadriu.

Ideator i çmimit letrar “Beqir Musliu” është Ars Clubi “Beqir Musliu” nga Gjilani dhe ndahet për herë të trembëdhjetë nga Komuna e Gjilanit.

E marr me vete qelinë

Nga Idro Seferi

Kur e pash për herë të parë lirinë
U frikësova
Mu duk shumë dritë
Më mungonte qelia
U trishtova në verbërim
Kur pash qiellin dhe retë
Kur pash luginat me dhentë
Kur pash lumin e bukur
Dhe hekurudhat që ishin zhdukur
Më mungoi errësira
Isha mësuar në jetë
Të rrija pas grilave
Më mungoi dritarja e burgut
Banka për tu ulur
Më mungoi lavamani im
Kur pash për herë të parë lirinë
Në trishtim
Vendosa që në ecjen e gjatë
Të merrja për kujtim
Të ngrohesha me grila
Dritaren time
Të merrja bankën e qelisë
Dhe lavamanin e ujit
Gjithçka të bukur do merrja
Që kurrë të mos më mposhtë frika
Do merrja gjithçka të bukur
Si sytë e asaj vajze
Si malet që rrjedhin me ujë
Si shpirtin dhe buzëqeshjen
Dhe kur të shoh lirinë
Prapë për herë të parë
Në humbjen e saj
Do nxjerr grilat të fshihem
Do nxjerr lavamanin të vi në vete
Do ulem në bankën e qelisë
Do nxjerr dritaren e shpresës
Do numëroj ditët mbrapshtë
Dhe prapë do ta di se ç’është liria
Nga burgu i trishtimit

Steven Spielberg vjen me serial horror, episodet do të shfaqen vetëm pas perëndimit të diellit

Steven Spielberg raportohet se po shkruhet një serial të zhanrit horror për shërbimin e drejtpërdrejtë Quibi (“Quick Bites” for short), ku shikuesit do të jenë në gjendje ta shikojnë vetëm kur jashtë bije errësira.

“Steven Spielberg erdhi dhe më tha se ‘Kam një histori super të frikshme që dua të bëj’”, tha themeluesi i Quibit, Jefrie Katzenberg në Festivalin Botëror të Banff në Kanadë, raporton Variety.

“Ai e ka shkruar vetë. Ai kurrë nuk e ka përshkruar ndonjë projekt të vetin si fantastike”, shtoi më tutje ai.

Steven Spielberg (Foto by John Phillips/Getty Images/Guliver)

Spielberg kërkoi që shfaqja të shihej vetëm pas mesnatës, kështu që inxhinierët e Quibiit dolën me një plan.

Një orë do të shfaqet në telefonat e shikuesve, duke përcjellë diellin. Ora gjithashtu gjurmon kur dielli kthehet, gjatë asaj kohe shfaqja do të jetë e padisponueshme derisa të vjen edhe një herë mesnata.

Sipas Katzenberg, Spielberg ka “shkruar pesë ose gjashtë episode” tashmë me një mundësi 10-12 në vepra. Titulli i punës është “Spielberg’s After Dark”. 

Clinton dekorohet me ‘Urdhrin e Lirisë’

 

Ish-presidenti amerikan Bill Clinton është dekoruar me Urdhrin e Lirisë për kontributin e tij në çlirimin e Kosovës.

Në ndarjen e kësaj dekorate, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se populli i Kosovës është tejet mirënjohës për vendimin që Clinton kishte ndërmarrë më 1999 për të nisur bombardimet ndaj forcave serbe dhe për të çliruar popullin e Kosovës.

Tony Blair kujton intervenimin e NATO-s në Kosovë

Ish-kryeministri britanik, Tony Blair, ka kujtuar intervenimin e NATO-s në Kosovë duke thënë se ndërhyrja e aleancës parandaloi humbjen e mëtejshme të jetëve në Kosovë dhe siguroi paqen në Kosovë e rajon.

Në një deklarim për “Institutin Global të Ndryshimeve”, Blair ka përgëzuar popullin e Kosovës për përparimin, ndërsa ka thënë se për përparim të mëtejmë duhen vendime të vështira.

Ai ka thënë se Kosova duhet të ndërtojë një të ardhme të denjë për qytetarët.

Ky është shkrimi i tij i plotë:

Në vitin 1999, mora vendimin si Kryeministër i Britanisë për t’u bashkuar me forcat e tjera të NATO-s për të ndërhyrë në luftën në Kosovë, për të parandaluar humbjen e mëtejshme të jetëve, për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe për të siguruar stabilitetin e rajonit dhe të gjithë Evropës. Përpjekja siguroi një prani paqeruajtëse të OKB-së në Kosovë, siguroi kthimin e sigurt të refugjatëve dhe personave të zhvendosur në të gjithë rajonin dhe krijoi një marrëveshje kornizë politike.

Ky vendim u motivua nga vlerat tona të thella, një angazhim drejt drejtësisë dhe trajtimit të drejtë të të gjithë njerëzve, pa marrë parasysh besimin ose kombin, dëshirën për të siguruar paqen dhe stabilitetin në Ballkan dhe një angazhim të sinqertë ndaj popullit të rajonit.

E dinim se sa e vështirë do të ishte përparimi dhe paqja, por gjithashtu besuam se populli i Kosovës dhe në të gjithë rajonin kishin kreativitetin, mençurinë dhe vendosmërinë për të adresuar sfidat e shumta që shtrihen përpara.

Gjatë njëzet viteve të fundit ne kemi qenë dëshmitarë të një brezi të ri kosovarë që e marrin të ardhmen e tyre në duart e tyre dhe kanalizojnë energjitë e tyre në ndërtimin e kombit. Unë përgëzoj popullin e Kosovës për këto përpjekje.

Përparimi do të kërkojë vendime të vështira dhe udhëheqje bindëse. Por ju e keni bërë këtë më parë dhe mund ta bëni përsëri. Kam besim të patundur se Ballkani më në fund do të ngrihet mbi sfidat e tij dhe do të marrë vendin e tij të vërtetë në botë.

Pra, teksa reflektojmë për gjeneratat e humbura, vendosmëria jonë për të siguruar paqe të qëndrueshme për brezat e ardhshëm duhet të vazhdojë.

Për popullin e Kosovës unë them: Ju keni kaluar nëpër kaq shumë, por keni arritur t’i tejkaloni. Tani, duhet të ndërtoni një të ardhme të denjë për njerëzit tuaj. Një shtet brenda familjes së Evropës. Kam besim se ky vizion do të jetë realiteti i ardhshëm për Kosovën dhe popullin e saj.

Tony Blair

Thaçi pret presidentin Clinton me ceremoni shtetërore (VIDEO)

Ish-presidenti i SHBA-së dhe miku i madh i Kosovës, Bill Clinton ka arritur tashmë në Kosovë.

Clinton ka ateruar në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, ku është pritur nga ish-presidentja Atifete Jahjaga, si dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.

Ndërkohë, presidenti Clinton është pritur nga presidenti Hashim Thaçi, me një ceremoni shtetërore.

Pritet që gjatë takimit, Thaçi ta dekorojë presidentin Clinton me “Urdhrin e Lirisë”.

Përveç takimit me presidentin Thaçi, ish presidenti amerikan pritet të ketë edhe një takim me kryeministrin Ramush Haradinaj.

Clinton po qëndron në Kosovë për 20 vjetorin e çlirimit të vendit dhe kjo është vizita e dytë e tij në Kosovë. /Telegrafi/ KultPlus.com

Jahjaga: Madeleine Albright, njëra nga kontribuueset më të fuqishme në lirinë dhe pavarësinë tonë

Madeleine Albright, ish-sekretarja e SHBA-ve, zonja më e respektuar për shqiptarët, sapo ka arritur në Kosovë për të ju bashkuar festimeve për shënimin e 20-të vjetorit të lirisë së shtetit kosovar, ku me këtë rast ajo nesër do të mbajë një fjalim për ndërhyrjen e aleancës së NATO-s në Kosovë.

Ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e ka pritur në aeroport Madeleine Albright prej ku ka ndarë edhe disa fotografi të cilat i shoqëroi me një falënderim të veçantë për ish-sekretaren e SHBA-ve për gjithë kontributin e saj dhënë për vendin tonë në kohën më të vështirë. Ajo është shprehur krenare që ka pritur Albright duke e konsideruar si një nga kontribuueset më të fuqishme në lirinë dhe Pavarësinë e vendit tonë.

“Jam krenare që, njëzet vite pas çlirimit, të mirëpres në Kosovë ish-Sekretaren Amerikane të Shtetit, Madeline Albright- njërën nga kontribuueset më të fuqishme në lirinë dhe pavarësinë tonë. Vendosmëria dhe përkushtimi i Sekretares Albright për ta ndalur gjenocidin në Kosovë dhe për t’ia kthyer lirinë dhe shpresën një populli të shtypur ishin kruciale për të ardhmen e popullit tonë. Sekretarja Albright, e cila ishte e pakompromis ndaj dhunës që regjimi i Millosheviqit po ushtronte në Kosovë, sot erdhi në një Kosovë që kultivon vlerat për të cilat ajo është angazhuar- lirinë, demokracinë, tolerancën dhe paqen.

Përjetësisht mirënjohës!”, ka shkruar Jahjaga në Facebook. / KultPlus.com

Kujtim për Marie A

Bertolt Breht
Përkthyer nga Petraq Kolevica

Në atë ditë të muajit blu shtator,
Nën atë pemë kumbulle të re,
E mbaja atë, të zbehtën dashuri, të qetë,
Në krahët e mi si ëndërr plot hare.
Dhe sipër nesh, n’atë qiell të bukur vere
Qëndroi një re, që e pashë gjatë atje,
E bardhë, e bardhë ish, dhe tepër lart ish ngritur
Kur desha prapë ta shoh, në atë vend më s’qe.

Prej asaj dite shumë e shumë muaj
Kaluan e u shuan s’di se si.
Dhe vetë kumbulla do jetë prerë,
E po më pyete ç’u bë kjo dashuri?
Ja ku të them: tani nuk më kujtohet,
E di, megjithatë, ç’mendon dhe ti qyshkur,
Po unë fytyrën vërtet e kam harruar,
Veç një gjë di: e putha atë dikur.

Dhe puthja vetë krejt do të ish harruar
Po të mos kishte qenë ajo re,
Atë kujtoj dhe kam për ta kujtuar
E bardhë qe dhe erdh që lart te ne.
Sot, ndoshta, prapë kumbulla ka çelur,
Ajo sot ndoshta ka të shtatin kalama;
por reja atje u shfaq  veç ca minuta,
kur ngrita sytë ta shoh, nga era u shpërnda. / KultPlus.com

U mbajt paneli i dytë i Femart, në fokus stigma ndaj grave të dhunuara

Në kuadër të festivalit Femart, në ambientet e Hotelit Grand u paraqit paneli i dytë i përbërë nga katër anëtare.

Paneli i dytë ishte i përqendruar te gratë e dhunuara, përkatësisht te stigma ndaj të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë viteve 90′ në Kosovë. Fokusi i bisedës ishte dhuna seksuale ndaj grave respektivisht angazhimi i tyre në shoqërinë e sotme, me punë të ndryshme. Pjesë e panelit të dytë ishin Drita Hajdari, Prokurore, Minire Begaj, Kadire Tahiraj, QPDG, Feride Rushiti, QKRMT, Valdete Idrizi, Aktiviste e paqes.

 Gratë paneliste, u cilësuan si të fuqishme dhe suksesshme. Ato biseduan me audiencën e pranishme, ku u kërkua të bëhet më shumë nga institucionet për përfshirjen e grave në shoqëri. U përfolën gjithashtu angazhimet e disa grave, të cilat bëjnë punë të ndryshme në kuadër të organizatave.

Duke parë video në ekran, pati bisedë edhe për parandalimin e vetëvrasjeve nga ana e grave të dhunuara që kanë ndodhur kohë më parë në Bosnjë. U thirr që të mos bëhet ky gabim nga gratë e dhunuara shqiptare.

Artistja dhe aktivistja Eliza Hoxha, në anën tjetër, përveç që u shpreh e kënaqur me organizimin pati edhe kritika drejt pjesëmarrjes së vogël në këtë ngjarje të rëndësishme.

Më vonë gjatë ditës, do të mbahet paneli i tretë ku do të drejtohet fokusi tek luftimi i stigmës përmes mediave dhe arteve. Festivali Femart, do të vazhdojë deri më 16 qershor. /KultPlus.com

Letra për një poet të ri

I dashur zotëri

Letra jote më ka ardhur vetëm dy-tri ditë më parë. Më lejo të t’falenderoj për besimin e madh dhe të plotë që ke treguar. Ka vetëm pak gjëra që mund të bëj. Nuk mund t’i qasem natyrës së vargjeve tuaja, ngaqë cdo qëllim kritikues është shumë i largët për mua. Asgjë nuk është më e papërshtatshme se sa t’i qasesh një vepre arti me fjalë kritike: e gjitha që përfitojmë në raste të tilla, janë pak a shumë disa keqkuptime të lumtura. Gjërat nuk janë dhe aq të kapshme dhe të shpjegueshme sic jemi bërë të besojmë: shumica e situatave janë të pashpjegueshme, ndodhin në një hapësirë ku kurrë asnjë fjalë nuk ka depërtuar, si dhe shumica e këtyre të pathënave janë vepra arti, eksperienca misterioze të jetërave që qëndrojnë përkrah tonës dhe të cilat kalojnë tutje.

Pasi fillova me këtë vërejtje paraprake, e gjitha që mund të them mbi vargjet tua është se ato nuk kanë asnjë identitet të vetin, edhe pse kanë nxitje dhe lënë të kuptohet se ka shenja të dickaje shumë personale. Më së qarti e ndjeva këtë në poezinë e fundit “Shpirti im”.

Ka dicka personale që po përpiqet të dalë përmes fjalëve, ta gjejë mënyrën e vet. Kurse poema e bukur “Për Leopardin”, ndoshta, zhvillon një prirje dhe afërsi (Afinitet) me këtë njeri të madh e të vetmuar. Megjithatë, poezitë nuk rrinë më vete, asnjë e vetë-mjaftueshme, as ajo e fundit apo ajo tjetra kushtuar Leopardit.

Kjo letër e këndëshme që ke shkruar, pa dështuar, i ka përfshirë brenda vetës shumë nga të metat të cilat i kam identifikuar edhe gjatë leximit të vargjeve tua shpjeguese, pa qenë në gjendje t’u jap një emër. Ti më pyet nëse vargjet tua janë të mira. Këtë pyetje më kë bërë. I ke pyetur edhe të tjerët para meje. U dërgon revistave. I krahason me poezitë tjera, dhe shqetësohesh kur editorë të caktuar t’i hedhin poshtë përpjekjet tua.

Pra, (pasi keni lejuar që të t‘ofroj këshilla) më lejo të t’kërkoj që të heqësh dorë nga kjo gjë. Je duke kërkuar nga jashtë, një gjë që mbi të gjitha nuk do të duhet ta bësh gjatë kësaj kohe. Askush nuk mund të t’këshillojë e të t’ndihmojë, askush. Ka vetëm një zgjidhje. Kërkoje brenda vetës. Analizo arsyet që të nxisin të shkruash: kontrolloje nëse i ka shtrirë rrënjët në thellësi të zemrës tende, pranoje para vetës se do të vdisje nëse do të mohohej ndjesia për të shkruar. Mbi të gjitha: pyete vetën, gjatë qetësisë më të errët të natës: a duhet të shkruaj? Gërmo më shumë brenda vetës për të gjetur një përgjigje më të thellë. Dhe nëse është pozitive, nëse gjen mënyrën që t’i përgjigjesh kësaj pyetjeje kaq serioze me një “Po” të thjeshtë dhe të fuqishme, atëherë ndërtoje të gjithë jetën tënde rreth kësaj nevoje, jeta jote e drejtë, edhe në orën e saj më të vogël e të parëndësishme, duhet të bëhet dëshmi e kësaj ndjesie. Pastaj afrohu me natyrën. Provo, tamam si qenia e parë njerëzore, ta shpjegosh atë që e sheh dhe e ndjen, atë që e dashuron dhe që e ke humbur.

Mos shkruaj poezi dashurie; fillimisht evito format që janë shumë familjare dhe të përditshme: këto janë më të vështirat, ngaqë të duhet mjeshtëri dhe fuqi e jshtëzakonshme për të prodhuar dicka të veçantë në një domen i cili na ka dhuruar me bollëk shembuj të mirë e ndonjëherë brilantë. Për këtë arsye, hiqju temave gjenerale dhe strehohu nën atë që ofron jeta juaj e përditshme; deshifro dëshirat dhe dëshpërimet tua, kalo përtej edhe besimit që ke në njëfarëlloj bukurie, përshkruaji të gjitha këto me një intensitet, qetësisht, me sinqeritet të përulur, vije në gatishmëri gjithçka që gjen për ta shprehur veten, imazhet në ëndërrat tuaja dhe mendime nga kujtesa.

Nëse përditësia të duket e boshatisur, mos ia lë fajin; fajësoje veten, thuaji vetes që nuk je poet i mjaftueshëm që t’i shpalosësh pasuritë e saj, sepse nuk ka boshësi për atë që krijon dhe nuk ka vend të varfër, vend trivial.  Edhe nëse je në burg ku muret nuk lënë as një zë nga jashtë t’u afrohet shqisave tua, prapë e ke fëmijërinë tënde, një burim të mrekullueshëm e bujar nga thesari i kujtimeve? Ktheje vëmendjen te kjo gjë. Provo t’i ringjallësh ndjenjat e fundosura së së shkuarës së largët, vullneti yt do të bëhet më i fortë për shkak të kësaj, vetmia juaj do të hapet e do ndriçohet për t’u bërë vendbanim në të cilin zërat e njerëzve të tjerë do të dëgjohen vetëm prej së largu. Dhe nëse nga kjo do të kthehesh në brendësi, nga ky nënshtrim i botës tënde do të vijnë vargjet, vetëm atëherë nuk do të të shkojë në mendje t’i kërkosh dikujt nëse vargjet tua janë të mira. Gjithashtu nuk do të provosh t’i bësh revistat të interesohen në punën tënde: sepse në to ti do të shohësh zotësinë e dashurisë natyrale, një copë dhe një zë të jetës tënde. Një vepër e mirë arti lind nga nevoja. Vendimi mbi të varet nga natyra e origjinës së saj: s’ka zgjidhje tjetër.

Për ketë arsye , zotëri i dashur, e vetmja këshillë që kam është kjo: të shikosh te vetja jote dhe të egzaminosh thellësinë nga e cila ka lulëzuar jeta jote; te burimi ti do të gjesh përgjigje nëse të duhet të shkruash. Pranoje këtë përgjigje ashtu si është, pa provuar ta interpretosh. Mbase do të të thërrasë që të bëhesh artist.

Pastaj shtëngoje këtë fat, mbarte barrën dhe madhështinë e tij, pa kërkuar shpërblim që mund të vijë nga jashtë. Sepse ai që krijon duhet ta ketë një botë të veten dhe të gjejë gjithcka brenda vetes, në një botë natyrore që ai ka vendosur ta ndjekë.

Por, ndoshta pas kësaj prejardhjeje në vetvete dhe ngushëllimit ty do të të duhet të heqësh dorë nga ideja e të qenit poet (ideja se të jetuarit pa shkruar është e mjaftueshme, siç thashë, të bësh atë që dikush nuk duhet ta bëjë kurrë).

Edhe atëherë, kur të kesh gjetur paqe në mënyrën se si po të pyes, kjo nuk do të jetë kohë e çuar kot. Çfarëdo që ndodh, jeta jote do ta gjejë një rrugë nga ajo pikë e tutje, dhe kjo do të jetë një gjë e mirë, produktive dhe me ndikim të gjerë në dicka që shpresoj të jetë më shumë se ato që mund të them. Cfarë mund të të them tjetër?

Më duket se gjithçka është theksuar mjaftueshëm; dhe e gjitha që dua të bëj në fund është të të këshilloj t’i shkosh seriozisht dhe me qetësi zhvillimit tënd; nuk mund ta ndërpresësh atë më shumë se sa të shikosh nga jashtë dhe të presësh përgjigje për pyetjet të cilat vetëm instikti yt më i thellë në momentet tua më të qeta do të mundte ndoshta t’u përgjigjej.

Pata kënaqësinë ta shoh emrin e Profesor Horacek në letrën tënde, kam një admirim të madh për një dijetar zemërmirë si ai, një mirënjohje që ka zgjatur për vite të tëra. A do të mund t’ia transmetosh këto fjalë atij, është shumë e sjellshme nga ana e tij që ende më mban në mend, një gjë që e çmoj shumë. Vargjet të cilat me aq besim m’i ke dërguar, po t’i kthej mbrapsht bashkë me këtë letër. Shumë faleminderit për këtë shtrirje dhe ngrohtësinë e besimit të, me sa mundësi që kisha kam provuar që me këtë përgjigje të sinqertë ta bëj veten më të vlefshëm, se sa i huaji që në të vertetë jam. / KultPlus.com

Me gjithë përkushtimin dhe simpatinë
Rainer Maria Rilke

Përktheu Rrona Jaka

‘Vendosmëria dhe guximi i Presidentit Klinton ishin vendimtare për t’i dhënë fund luftës në Kosovë’

Ish presidentja Atifete Jahjaga ka pritur ish presidentin amerikan Bill Clinton, i cili do të jetë pjesë e ceremonisë së 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës.

Më poshtë po e sjellim të plotë postimin e Jahjagës.

Ishte nder dhe privilegj i madh ta mirëpres ish-Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Klinton, në Kosovën e lirë, të pavarur dhe demokratike. Në kohën më të errët të historisë moderne të vendit tonë, vendosmëria dhe guximi i Presidentit Klinton ishin vendimtare për t’i dhënë fund luftës në Kosovë dhe për t’ia kthyer lirinë një populli të tërë. Vendimi i Presidentit Klinton për të mbështetur fushatën e NATO-së në dhënien fund luftës në Kosovë ndaloi një katastrofë njerëzore që po merrte përmasa gjithnjë e më të mëdha në Ballkan. Lidershipi i Presidentit Klinton ndryshoi kursin e historisë së Kosovës dhe u bë garantues për rivendosjen paqës dhe të stablitetit në të gjithë rajonin.

Mbështetja a palëkundur e tij për Kosovën dhe popullin e saj është simbol i miqësisë dhe aleancës së fuqishme të Shteteve të Bashkuara me Kosovën!

Përjetësisht mirënjohës!/KultPlus.com

Rita Ora shpallet këngëtarja e katërt më e klikuar në botë

Këngëtarja me origjinë shqiptare, Rita Ora po arrin majat e muzikës ndërkombëtare.

Ajo është shpallur nga Official Charts këngëtarja e katërt më e klikuar e vitit 2018, ndërsa dy këngë të saj janë më të kilikuarat në Top 10.

Rita ka ndarë lajmin me fansat në rrjetet sociale duke e konsideruar një lajm të madh.

“Rezultatet janë wow. Artistja e katërt më e klikuar dhe 2 këngët më të dëgjuara të vitit 2018. Jam e nderuar që jam pjesë e kësaj liste,” shprehet këngëtarja Ora. / KultPlus.com

Dokumente të rralla të Lidhjes së Prizrenit prezantohen në Kalanë e Tiranës

Në Kalanë e Tiranës për vizitorët e shumtë dhe qytetarët është hapur ekspozita “Lidhja e Prizrenit 1878-2019 mes dokumenteve të Arkivit Qendror Shtetëror”.

Kjo ekspozitë vjen në kuadër të 141 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit. Në ekspozitë prezantohen dokumente të rralla, si thirrja drejtuar gjithë shqiptarëve ku ftohen të kundërshtojnë coptimin e trojeve të shqiptarëve apo dhe Memorandumin e dërguar tek kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, përmes të cilit kundërshtojnë vendimet e Kongresit të Berlinit dhe copëtimet e trojeve shqiptare.

Kjo ekspozitë vjen nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në bashkëpunim me Kalanë e Tiranës. /atsh / KultPlus.com

Kanina, fshati turistik me pamje mahnitëse

Kanina, 3 km larg qytetit bregdetar të Vlorës, është e njohur për bukurinë e saj të rrallë.

Pamja që të ofron ky fshat mbi qytetin e Vlorës është mbresëlënëse për këdo që e viziton këtë fshat turistik, shumë pranë Vlorës.

Kryeministri Edi Rama uroi sot mirëmengjes me një video, nga ku shfaqet peizazhi mahnitës i Vlorës.

“Mirëmengjes dhe me këto pamje nga Kalaja e Kaninës, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.

Kalaja e Kaninës shpalos historinë 3000-vjeçare të kësaj qendre të banuar, që është më shumë se një thesar për kombin.

Kalaja dhe fshati, ndodhen në një pikë strategjike me një bukuri të rrallë.
Sot Kanina përmban rreth 253 objekte. Përveç kalasë, ndodhen aty edhe 3 objekte monument kulture të kategorisë së parë: Teqeja e Kaninës, banesa e Shefikat Begajt dhe banesa e Kujtim Hamzait.

Në lagjen e vjetër të Kaninës ka edhe banesa të tjera që spikasin me vlerat e tyre arkitektonike dhe dekorative, të cilat meritojnë të bëhen pjesë e trashëgimisë sonë kulturore./ atsh/ KultPlus.com

Historia e fotografit të famshëm Robert Capa dhe humbja e fotografive për të cilat e rrezikoi jetën

Robert Capa njihet si fotograf i shkëlqyeshëm, por edhe si njeriu i cili ishte dëshmitar i “Ditës D” nga viti 1944, kur së bashku me ushtarët qëndroi në front. Derisa ata gjuanin plumba nga pushkët, ai bëri histori me kamerën e tij.

Invazioni më i madh në histori, pas të cilit mori fund Lufta e Dytë Botërore, u zhvillua më 6 qershor 1944, në Normandi.

Image

Njeriu që e ndjeu, pa dhe e përjetoi atë ditë quhet Robert Capa. Ai me kamerën e tij depërtoi nëpër front duke e regjistruar atë që duhej ta shihte e gjithë bota. Fotot e tij regjistruan momente të cilat e treguan luftën e ushtarëve amerikanë dhe pothuajse humbën përgjithmonë, shkruan KOHA Ditore.

Capa ka lindur në Hungari, në “Ditën D” ishte 30 vjeç dhe tashmë ishte i njohur për punën e tij në luftën civile në Spanjë. Kur revista “Life” e dërgoi atë për ta mbuluar Ditën D, kjo detyrë e konfirmoi fjalinë e tij të famshme: “Nëse fotot nuk janë mjaft të mira, kjo do të thotë se nuk jeni mjaft afër”.

Invadimi filloi në ora 6:30 të mëngjesit, kur Capa doli me ushtarët jashtë. Për 90 minuta ai i bëri 106 fotografi, të cilat shpejt ia dërgoi redaktorit John Morris për procesim.

“E kam pritur të martën dhe të mërkurën për t’i marrë fotot nga luftimet. Isha shumë anksioz dhe pjesërisht u qetësova vetëm kur Robert më thirri të mërkurën pasdite për të më treguar se i kishte dërguar fotot përmes korrierit. E gjithë bota po i priste fotot e tij”, tha John Morris.

Image

Morris shtoi se korrieri shpejt mbërriti me foto, dhe i dërgoi menjëherë në dhomën e errët për zhvillim. Ai donte t’i merrte sa më parë dhe theksoi se ato duhej të zhvilloheshin sa më shpejt që të ishte e mundur.

“Pak minuta më vonë, një djalosh i ri i quajtur Dennis Banks vrapoi në zyrën time. Ai tha se fotografitë ishin prishur. Ai tha se në nxitim nuk i kishte kushtuar vëmendje detajeve, dhe fotografitë gjatë zhvillimit ishin shkatërruar plotësisht. Nxitova të kontrolloja nëse kjo ishte e vërtetë dhe shpejt e kuptova se arritëm t’i shpëtonim vetëm disa fotografi”, tha Morris, duke shtuar se pikërisht këto fotografi u bënë të famshme në mbarë botën.

Liridona Gjokaj shpërblehet me çmimin fotografia e vitit në “International Film Festival of New York”

Fadil Berisha mbetet si fotografi më i mirë i kohës së sotme që punon dhe jeton në SHBA.

Por, pos 46-vjeçarit përtej oqeanit Atlantik e suksesshme është edhe një fotografe, e cila ka vite që punon në Amerikë.

Bëhet fjalë për Liridona Gjokajn, e cila ka realizuar një numër të madh të imazheve të modeleve dhe artisteve.

Kjo ka bërë që Liridona për punë e mirë të shpërblehet edhe një festival të njohur në Shtetet e Bashkuara.

“International Film Festival of New York” ka shpërblyer Liridonen me çmimin fotografia e vitit 2019, të mbajtur në New York.

Ndryshe, Liridonen do ta shohim edhe në projekte të tjera të modës dhe kinematografisë. /Telegrafi/ KultPlus.com

Publikohet video e shkurtër e këngës që i dedikohet “Dardanëve”

Kosova po shënon gjithnjë e më shumë suksese në rrafshin ndërkombëtar sportiv.

Gjatë mbrëmjes së kaluar, Dardanët arritën të triumfojnë si mysafirë të kombëtares së Bullgarisë me rezultat 3-2.

Kjo ka bërë që të realizohen edhe shumë projekte muzikore për sukseset e djelmoshave tonë në botën e futbollit.

Jehona Lumi dhe Florent Abrashi do të sjellin shumë shpejt këngën më të re që u dedikohet heronjtë më të ri të vendit tonë.

“Gol duam gol” është një ndër këngët e fundit që do të publikohet shumë shpejt, ku video e shkurtër tashmë është sjell para publikut.

Kujtojmë se e gjithë kënga dhe videoja është bërë në koordinim me FFK-në si dhe tifo grupin “Dardanët”.

Ndryshe, theksojmë se organizator është Emir Krasniqi gjersa producent, Rinor Ukimeri. /Telegrafi/ KultPlus.com

Lidhja Shqiptare e Prizrenit, në dy monedha numizmatike

Më 10 qershor 1878 u themelua Lidhja Shqiptare e Prizrenit.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar, duke i paraprirë pavarësimit të trojeve shqiptare nga Perandoria Osmane.

Këtë ngjarje historike, Banka e Shqipërisë e ka përkujtuar përmes dy monedhave numizmatike, emetuar në vitin 2013.

Monedhë metalike, prerja 50 Lekë, me tematikë “135-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, pa kurs ligjor, ka në anën e përparme: Në qendër të monedhës është shtëpia muze ku është mbajtur Kuvendi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e gërshetuar me vlerën emërore të stilizuar “50 Lekë”. Në të majtë dhe në të djathtë të monedhës ka dy pllakëza, të cilat e ndajnë atë në mënyrë simetrike. Mbi to janë shkruar në altoreliev vitet “1878” dhe “2013”. Në të gjithë harkun e monedhës ka të shkruar “135-VJETORI I LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT”.

Ana e prapme: Në qendër ka shqiponjën e Kastriotëve në konfigurim identik me atë të kohës. Poshtë saj është vendosur një shqiponjë e stilizuar në stil modern. Në harkun e dytë sipër ka të shkruar “SHQIPËRI-ALBANIA“, poshtë ka të shkruar vitin e prodhimit të monedhës “2013”.

Monedhat janë prodhuar nga kompania “Sunshine Minting Inc.”, SHBA.

Vizatimet janë realizuar nga piktori Petraq Papa/ATSH. / KultPlus.com

Veçoritë e artit dhe arkitekturës islame

Nga Bujar Meholli

Me lindjen e besimit islam, fillon të zhvillohet edhe arti përgjatë periudhës Emevite dhe Abasite[1] (661-945) ku merr formë specifike, që vjen duke u zhvilluar veçanërisht në arkitekturë dhe art aplikativ.

Arkitektura, kaligrafia, e vizatimi, dallohen në këtë zhvillim të hovshëm artistik, që nis nga shekulli VII. Në artin islam, përqendrimi është kryesisht te kaligrafia dhe jo te krijimi i figurave, që në islam njihet si idhujtari, e ndaluar nga Zoti (Allahu) në librin e shenjtë Kur’an.

Pra, imazhet janë të ndaluara. Arti islam, është zhvilluar paralelisht me artin romak, artin e hershëm të krishterë dhe bizantin. Sipas M.M. Sharif, Ky art ka huazuar edhe elemente teknike dhe formative nga mjediset me të cilat ka kontaktuar apo bashkëjetuar, por fryma e islamit ka qenë postulat i pacenueshëm i frymëzimit dhe veprës së artistëve myslimanë.[2]

Piktura dhe skulptura kanë ngecje, sepse artistët myslimanë zakonisht janë të lidhur me besimin që synon njëshmërinë e Krijuesit; ata largohen nga idhujtaria që sipas tyre manifestohet nëpërmjet pikturës dhe skulpturës.

Arkitektura është po ashtu e përhapur dhe mjaft e zhvilluar në islam. Kemi të bëjmë me zhvillimin e stileve e dizajnëve nga arkitektët myslimanë të cilët përfshijnë edhe stile sekulare mirëpo fokusi kryesor mbetet te stili fetar, i cili, natyrisht është më i shprehur.

Në arkitekturën islame, përveç xhamive përfshihen edhe pallatet, kalatë, banjot, urat e ndërtimet tjera që mbartin vlera të larta artistike.

Arti dhe arkitektura islame janë quajtur psikadelike; ato shfaqin paraqesin ngjyra të gjalla dhe modele mjaft të ndërlikuara gjeometrike të ngjashme me modelet kaleidoskopike. Kur përmendet psikadelika, mendja shkon tek arabeskat të cilat padyshim janë themeli i artit islam, të përbëra nga modelet lineare.

Pas vdekjes së profetit Muhamed, stili arkitektural islam u paraqit dhe ngadalë u zhvillua duke marrë bazat e modeleve antike egjiptiane, bizantine, persiane e sasaniane.[3]

Naqsh-e Jahan Square

Përfundimi i Kupolës së Gurit në Jerusalem (viti 691), paraqet hapësirën e brendshme të ndërtuar me gurë e të zbukuruar me arabeska. Edhe Xhamia e madhe e Samarrës në Irak, është nga shembujt e hershëm të ndërtimeve arkitekturale islame.                                         Kjo xhami (viti 847) ka minare në formë spirale dhe i takon ndërtimit arkitektural hipostil[4].

Arkitektura islame dallon nga ajo evropiane duke pasqyruar elemente të posaçme të zhvilluara nga arkitektët e njohur myslimanë.[5]thotë historiani gjerman dhe studiuesi i islamit, Ernst J. Grube.

Kuptimi i artit dhe arkitekturës islame reflekton te besimtarët myslimanë, në lidhjen e tyre me universin. Pra, artistët myslimanë qëllimin kryesor e kanë që përmes zbukurimeve t’i afrohen Allahut bashkë me praktikuesit fetarë, ata që i shijojnë këto zbukurime.

Kur jemi te zbukurimet, përmendim punimet e qilimave të famshëm që datojnë nga vitet 531-579 në Persi dhe Turqi. Ata, qilimat, u përhapën në mbarë botën. Islami i kushton rëndësi të veçantë pastërtisë, e madje për besimtarët i ndalon vendet e papastra, prandaj ritet preferohen të kryhen mbi gjëra të pastra, siç është qilimi.

Qilimat janë art në vete, këtë e dëshmon kualiteti i lartë i prodhimit dhe rritja e çmimeve në ankandet botërore. Eksploruesi i famshëm italian Marko Polo, qilimat e punuar me forma gjeometrike i përshkruan si më të bukurit në botë.

Tregtarët italianë ishin më meritorët që ata u njohën dhe vlerësuan nëpër Evropë. Qyteti i Venecias fillimisht ishte qendër e tregut; qytetarët i përhapnin qilimat rrugëve të ngushta apo i varnin ata në dritaret e tyre, po ashtu i përdornin për t’i zbukuruar gondolat e tyre.

Megjithë rëniet e ngritjet ndër shekuj, kërkesat për qilima u shtuan në shekullin e 20-të, e madje mori hov sjellja e tyre në Evropë.

Kaligrafia arabe në hyrje të Taxh Mëhallës

Siç thamë sipër, imazhet ndalohen rreptësisht, e ky ndalim është quajtur aniconizëm, term që shpjegon pse nuk mund të shohim krijimin e imazheve, sidomos të qenieve të ndjeshme në islam ku përfshihet Zoti, profeti Muhamed, (dhe të afërmit e tij) profetët tjerë, si dhe njerëzit e kafshët në përgjithësi. Përshkrimi i Zotit në mënyrë vizuale, automatikisht çon në idhujtari.

Abstraksioni i artit islam, ka për qëllim të simbolizojë natyrën transcendente dhe të pafundme të Zotit; për këtë shërbejnë më së miri arabeskat. Përmes tyre, mund të përsëritet ad infinitum[6], që paraqet gjuhën universe dhe madhështinë e Zotit.

Brendësia e xhamisë së Kordobës

Faqja hyrëse e Kur’anit në Stamboll, 1867

Arabeskat

Artizanati islam

Qilim islam



[1] Ishin dy dinasti të famshme që shërbyen për ngritjen dhe zhvillimin e shkencave, diturive, e qytetërimit në çdo anë të vendeve islame.

[2] M. M. Sharif, A History of Muslim Philosophy, vol. II, Wiesbaden, 1966

[3] Arti Sasanian u shfaq në Perandorinë Sasaniane, që sundoi nga shek. 3 deri në 7. Ky art përshkruan skena humoristike me stil madhështor.

[4] Fjala hipostil, rrjedh nga greqishtja e lashtë hyostylos, që nënkupton “nën kolonë”. Në kolona mbështetet një çati.

[5] Architecture of the Islamic World”, 1978, Thames and Hudson, Ernst J. Grube

[6] Frazë latine që do të thotë “pafundësisht” ose “gjithmonë”.

Si arriti të fitojë bursë për studime në Turqi studenti kosovar

Studenti i Kolegjit Universum Ard Simnica do të studiojë me bursë të plotë një semestër në “Altinbas University” në Turqi në kuadër të bursave ndërkombëtare që i ofron Kolegji Universum për studentë.

Apliko edhe ti https://bit.ly/2HuMame

Ardi, është një nga 103 studentët e Kolegjit Universum që kanë përfituar bursë ndërkombëtare për shkëmbim semestral në 22 shtete tē BE-së dhe Turqi. Çdo student përfiton shkollim falas dhe bursë 6,066€. 

Bëhuni pjesë e Kolegjit Universum dhe studio në universitetet më prestigjioze të botës. Apliko këtu https://bit.ly/2HuMame

Këtë vit Kolegji Universum ka shtuar bashkëpunimet me Universitete duke arritur në 395 numrin e bursave për 2019/2020, pra studentët e Kolegjit Universum këtë vit mund ti vazhdojnë studimet me bursë të plotë në 78 Universitete dhe në 22 shtete të BE-së. Apliko këtu https://bit.ly/2HuMame

Në kuadër të këtyre bashkëpunimeve kanë përfituar edhe stafi akademik si dhe ai administrativ i Kolegjit me vizita studimore, trajnime dhe ligjërata publike në këto universitete. Po ashtu, profesorë nga këto Universitete ligjërojnë në Kolegjin Universum. E gjitha kjo bëhet me qëllim të ngritjes së cilësisë së arsimit në vend.

Për më shumë informata rreth mundësive të studimit jashtë vendit, ju lutem ndiqni faqet në facebook & instagram, kontaktoni në: +383 44 144 062 ose [email protected]. / KultPlus.com

Portreti klasik i një fisniku të hareshëm

Nga Visar Shabani

“Fillimi i mijëvjeçarit të ri e gjeti profesorin e arkeologjisë dhe historisë së lashtë të Universitetit të Tiranës, Arbër Muzaka, në Trinity College, në Toronto. Kish shkuar për t’u aftësuar në degën e antropologjisë kulturore. Aty njohu nga afër edhe profesoreshën e dëgjuar Sydney Fox,(personazh fiksioni i serisë televizive Relic Haunter, i krijuar nga Gil Grant) shefe e departamentit të historisë së lashtë, e cila drejtonte revisten shkencore të Universitetit Trinity College”

Kështu e fillon novelën e saj, shkrimtarja shqiptare, ku pas novelave “Ballo në Versailles”, “Pa zemër në krahëror” dhe “Vrasje në Venecia”, na vije me novelën e saj më të re “Hakmarrja e Kazanovës” dhe një përmbledhje tregimesh, prej gjashtëmbëdhjetë sosh në veprën e saj më të re.

Një ekspeditë historianësh të lashtësisë përndjekin misterin më të madh të jetës së Casanova-s, dorëshkrimin e princit venecian të joshjes dhe njërit nga shkrimtarët më të mëdhenj të Rilindjes europiane, Mira Meksi në fiksionin e saj dhe historiografisë së Casanova-s, përmes personazheve Sydney Fox, Arbër Muzaka dhe Enrieta Muzaka, kërkon “relikten” e Giacomo Casanova “Il manuale dell’ amore”.

Manjati italian i verërave të Piemontit, i cili kish parapëlqyer të mbetej anonim, kërkonte të gjendej Il manuale dell’amore, i shkruar nga dora e Giacomo Casanova-s, i mbiquajtur “aventurieri i Venecias”, “joshësi i përjetshëm”, “ngadhënjyesi i madh”, “mjeshtri i erotikës”, “artizani i seksit” apo “princi i dashurisë”,  apo thjeshtë “Veneciani gjenial”.

Tek Hakmarrja e Kazanovës befasia e Mira Meksit shfaqet e shumëanshme, ku fjala është qoftë për befasi brendatekstore, të cilat lidhen me poetikën e rrëfimit, – shprehimisht, me format, me teknikat dhe mekanizmat rrëfimtarë që autori vë në lëvizje personazhet e saj, qoftë për befasi jashtëtekstore, të cilat lidhen me poetikën e leximit – shprehimisht, me efektet e leximit që krijon poetika e rrëfimit.

I ndërtuar në dy linja paralele rrëfimi, flashback-u i novelës qëndron tek personazhet e saj, ku hynin e dilnin nga shek. XXI në shek. XVIII dhe anasjelltas, sipas nevojës që diktonin kujtimet, ku në dy linjat paralele, autorja i jep një kontinuitet novelës që e përcjell me një letërsi dokumentuese  mbi qytetin e Venecias, e veçanërisht mbi legjendën e Casanaova-s.

Duke e vendosur fiksionin e saj të trekëndëshit ndërmjet qyteteve, Venecia, Kështjella e Dux-it dhe Tiranës, Mira Meksi petkun e misterit të saj, mbi Saint Grailin e saj, e paraqet Casanovan jo vetëm si një dashnor Venecian, por si një eurodit që la pas tij 3700 faqe dorëshkrim, dhe që përfaqësonte një njeri modern të kohës, ku i vishej petku i shkrimtarit, filozofit, ekspertit financiar, muzikantit, okultistit, alkimist dhe spiuni, si agjent i inkuizicionit të Seremismas të Republikës Veneciane.

I parë në rrafshin e poetikës së rrëfimit, shpërfaqet i befasishëm për këdo, përfshirë madje edhe lexuesin e mirë sprovuar tashmë. Befasinë si mekanizëm rrëfimtar e ndeshim në tërë rrëfimtarinë e Mira Meksit, përfshirë edhe ato raste kur, teknikisht, thurja e rrëfimit është pastërtisht proleptike.

Novelë, apo edhe një roman i shkurtër historie mbi jetën e Giacomo Casanovas, aventurierit e gjeniut Venecian, Mira Meksi na paraqet një Thriller me emocione të forta, me një suspansë detektivësh, mbi mbledhjen e informacionit/dokumentimit, në përndjekje e gjurmimit të një nga misteret më të mëdha të Casanova-s.

Shkrimtari më i njohur i jetës aventureske të Rilindjes europiane, një enciklopedi e zakoneve, artit, shoqërisë së kohës dhe oborreve mbretërore të kohës, shkrimtar mbi enciklopedinë e estetikës dhe etikës, të asaj që lidhet me rilindjen europiane.

Mbledhja e dokumenteve që shpërfaqin jetën e Casanova-s, nga ekspedita e historianëve, mbi reliktin e Casanova-s, parqet deshifrim të vetë jetës së Venetikasit, duke aluduar që nga lindja, siç supozon autorja një lindje nën magjinë okulte, e për të vazhduar gjerë pas vdekjes.

Fiskioni i ekspeditës së historianëve arrin që këtë mister ta deshifroj dhe të ngjall legjendën Venetikase për rilindjen e Casanova-s “Dhe që prej asaj kohe, – venetikasit e besojnë fuqishëm këtë, -Casanova ‘vdes’ për të rilindur përnjëherë në trupin e një venetikasi të porsalindur atij çasti

Mira Meksi kërkon prej lexuesit që të krijoj interaktivitet e pjesëmarrje në dokumentimin e saj mbi jetën e Casanova-s, duke e zhvendosur fillimisht në vendet ku kishte jetuar Casanova, pastaj për ta zhvendosur ngjarjen në Tiranë, në shtëpinë e Arbër dhe Enrietë Muzakës, ku edhe do të ndodhë Hakmarrja e Casanova-s, një situatë  psikanalitike mes çiftit studiuesish, gjuetarit të relikteve të historisë së vjetër, Arbërit, dhe gjuetares së “Kopshteve Veneciane”, piktores Enrietë Muzakës.

Thelbi i novelës qëndron në mos-intimitetitn e njeriut bashkëkohor, ku Mira Meksi i referohet Milan Kundrës “Identiteti”. Çifti si shkas i një pikture të një portreti klasik, të një fisniku të hareshëm, ngjall dyshimet dhe xhelozinë, madje dhe përndjekjet në ballot e “tyre”.

Maskat e “Ëndërrimtarëve” tek vepra e Artur Schlintzer, dhe jetesa në çift, fantazinë erotike dhe xhelozia, bisedat dhe dëshirat e tyre, duke zbuluar pjesë nga identiteti i personazheve të saj, duke e futur psikanalizën, Mira Meksi e përfundon Hakmarrjen e aventurierit Casanova, me fatalitet.

Tek Hakmarrja e Kazanovës, një tjetër element befasie në rrafshin e poetikës së rrëfimit, është padyshim edhe stili. Kështu, për shembull, tek novela Hakmarrja e Cazanova-s, apo tek tregimet Tlöli i dashurisëKordelja e blertë e të vdekurësMikja e toreadoritAksidenti etj., atëherë kur pritet të përballemi me një stil dramatik dhe të shtrirë, me një fjalor tronditës e traumatik, siç pritet në situata apo ngjarja të ngjashme me situatat dhe me ngjarjet e këtyre tregimeve, në të vërtetë ndeshemi me një kthesë të beftë stili, me një stil sikurse tek Borges, apo Kafka: i ftohtë, i kursyer, pothuajse telegrafik, në disa raste me elementë zhdramatizuese (madje, deri diku çlirues, si tek Kordelja e blertë e së vdekurësMikja e toreadoritAksidenti etj.), si të bëhej fjalë për një situatë apo një ngjarje të zakonshme, të natyrshme dhe, mbi të gjitha, më se të pritshme.

Shkrimi i shkrimtares e bazuar në të dhëna historike, gjithmonë luan me vlera të sigurta, sepse lexuesi është i dhënë pas historisë, ku tregimet, si një formë e realizmit magjik, shpalosin një botë psikologjike, mes reales dhe ireales, botën fantastike të shkrimtares, ku rimarrja e miteve/legjendave dhe figurave të njohura, apo historive nga Spanja, Franca e Shqipëria me tregimet e saj, i paraqet lexuesit tregimet e saj.

Tregimet të strukturuara në pjesëzat vetjake, duke krijuar uniken në secilin tregim veç e veç, nën frymën e të mbinatyrshmes dhe mistikës, realës dhe fantastikës, ku temë është universale, e vendosur në disa vende dhe duke inkuadruar një diversitet personazhesh.

Ndërkaq, befasitë në rrafshin e poetikës së rrëfimit s’mbarojnë me kaq. Tërë rrëfimtaria letrare e Mira Meksit përshkohet gjithnjë nga një prani e fortë e epifanikes (një moment kur papritmas ndjeni se e kuptoni, ose papritmas bëhet i vetëdijshëm, diçka që është shumë e rëndësishme për ju), e vështruar jo vetëm në ngjyresat që ky term shënjon në sferën e fetarisë – shprehimisht, si një “zbulesë qiellore”, – por edhe në ato që shënjon në sferën e letërsisë – shprehimisht, si një çast i veçantë në të cilin një objekt, një njeri, apo një episod kthehet në “zbulesë” të kuptimit të vërtetë të jetës së personazhit, i cili arrin ta perceptojë në vlerën simbolike përkatëse, duke nxjerrë kësisoj në pah – nën dritën e ndërgjegjes – lidhjet mes objektit – bashkë me vlerën simbolike – dhe situatës në të cilën gjendet vetë ky personazh. 

Të njëjtën prani të fortë të epifanikes e ndeshim dhe tek Hakmarrja e Kazanovës. Kështu, deshifrimi i letrës dhe, për më tepër, i të fshehtës së princit venecian të joshjes, është fryt i një epifanie, ndërkohë që edhe krimi që kryen Arbër Muzaka paraprihet nga një epifani, e cila, madje, hollë-hollë, është edhe causa movens (shkak i lëvizjes) e aktit të Arbër Muzakës. Po ashtu, fryt i një epifanie gjatë natës së të vdekurve është edhe Shiriti prej mëndafshi blu, ndërkohë që praninë e epifanikes e ndeshim qartë edhe tek Kordelja e blertë e së vdekurësNobelistiMikja e toreadoritAksidentiTakimi tjetërEmri absolutHapësirat e mara etj. Dhe, sikundërse merret fare lehtë me mend, çdo epifani krijon vetvetishëm e natyrshëm ndjesinë e habisë dhe befasisë.

Sa i përket befasisë si efekt leximi, sakaq, një befasi e tillë krijohet jo vetëm nga temat e goditura, si dashuria, kujtesa, vdekja, Tjetri, Identiteti etj., të cilat jepen në tërë larminë e formave të shpërfaqjeve përkatëse, por edhe nga larmia e perspektivave, e qasjeve dhe këndvështrimeve, nga ato të personazheve dhe rrëfimtarëve, tek perspektivat, qasjet dhe këndvështrimet e autorit dhe e lexuesit të paramenduar dhe atij të mundshëm.

Të parë nga ky drejtim, këto tregime dhe novela nuk boshtohen përjashtimisht vetëm tek objekti, as tek psika e autorit, dhe as tek psika e lexuesit, por tek të tre së bashku, duke përvijuar kësisoj brenda hapësirës së rrëfimit artistik një formë të veçantë marrëdhënieje mes autorit dhe lexuesit.

Përmes vënies në lëvizje të tërë këtyre befasive, Mira Meksi e nxit fort lexuesin e këtyre tregimeve e novelave t’i jepet jo vetëm leximit si një akt kënaqësie, por edhe interpretimit si një akt zbulestarie. / KultPlus.com

(Visar Shabani student në Fakultetin e Filologjisë: Departamenti i Letërsisë Shqipe, Studimet Postdiplomike Master, Letërsi aktuale shqipe /prof: Sali Bashota)

Bill Clinton sot në Kosovë

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, sot vjen në Kosovë.

Ai do të takohet me krerët e Kosovës dhe do të dekorohet për kontributin për lirinë e Kosovës.

Clinton vjen në Kosovë për shënimin e 20-vjetorit të lirisë.

Clinton urdhëroi forcat e NATO-s që të ndërhyjnë ndaj caqeve ushtarake dhe policore serbe gjatë vitit 1999, për të parandaluar gjenocidin e më tejmë ndaj shqiptarëve. / KultPlus.com

Bill Clinton Family

Himni shtetëror i Kosovës mbush 11 vjet

Himni shtetëror i Republikës së Kosovës sot mbush 11 vjet nga miratimi në Kuvendin e Kosovës, që kishte shpallur pavarësinë disa muaj më parë, në 17 shkurtin historik të vitit 2008.

Propozimi me shifrën “Europa” u miratua në 11 qershor 2008 në një seancë të veçantë të Kuvendit 120 anëtarësh si Himn shtetëror i Republikës së Kosovës, me 72 vota për, 15 kundër dhe 5 abstenime.

Kompozitori Mendi Mengjiqi është autor i melodisë pa tekst, e përzgjedhur mes 134 propozimeve të paraqitura në konkursin publik për Himnin. Komisioni për Simbolet Shtetërore të Kosovës kishte dërguar në Kuvend tre propozime, ndërsa Kryesia e Kuvendit dhe shefat e grupeve parlamentare nxorën në votim vetëm propozimin e parë – melodinë me shifrën “Europa”, transmeton KP.

seancë plenare, deputetët u ngritën më këmbë për të nderuar himnin e Republikës së Kosovës, të transmetuar në sallën e Kuvendit.

Në prag të 15 qershorit 2008, ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës, shteti i ri i Kosovës me himnin i plotësoi simbolet shtetërore, pasi Kuvendi kishte miratuar edhe flamurin e stemën që në 17 shkurt, në ditën e shpalljes së Pavarësisë.

Himni shtetëror i Republikës së Kosovës kishte një konkurrencë të madhe, nga 134 propozimet 110 ishin nga Kosova, ndërsa 24 nga shtetet tjera të botës: 7 prej Francës, 5 prej Shqipërisë, nga 2 prej Gjermanisë, Suedisë e Sllovenisë, nga 1 prej SHBA-së, Britanisë së Madhe, Holandës, Rusisë, Zelandës së Re dhe Kroacisë.

Kompozitori Mengjiqi menjëherë pas miratimit të melodisë ka thënë se pret që me kohë ajo të bëhet edhe me tekst.