”Një ditë në shqip” në Sofje

Në kuadër të nismës së Ministrisë së Kulturës, Tetori i Librit, Ambasada shqiptare në Sofje organizoi eventin “Një ditë në shqip”.

Eventi u fokusua në promovimin e librit dhe të lexuarit në shqip duke nxjerrë në pah vlerat dhe traditën e letrave shqipe, transmeton KultPlus.

Me poezitë e shkrimtarit Thoma Kaçorri, Ambasadorja Hoxha evidentoi artin e bukur të të lexuarit në shqip.

Leximi në shqip mblodhi edhe studentët e huaj, që studiojnë gjuhën shqipe, të cilët sollën në vëmendje veprat e shkrimtarëve të mëdhenj shqiptar si: Ismail Kadare, Naim Frashëri, Martin Camaj, Faik Konica dhe Kasem Trebeshina. Kjo ditë tregoi gjuha shqipe do të jetë gjithmonë pjesë e jona kudo që të ndodhemi dhe kudo që të shkojmë. /atsh/ KultPlus.com

Nëna

Poezi nga Frederik Rreshpja


Ka filluar të plaket nëna.
Fytyra e saj po mbulohet me rrudha.

po mbulohet me një pleqëri të bukur.
Që është kjo rrjetë e bukur qe hedh kha mbi nënën time.

Dhe duart që më mbanin tani janë rënduar.
Po s’ka gjë. Nga shpirti i saj
Zgjaten duar të tjera që më mbajnë pezull

Ecën ngadalë nëpër dhomë.
Nganjëherë më pyet për librat që po shkruaj,
por s’më ka pyetur kurrë pse s’kam shkruar asgjë për të

Se nëna e di
Fjalën e parë në botë ia thashë asaj
Dhe fjalën e fundit në botë do ia them asaj. /KultPlus.com

E ç’kusur i kam kësaj bote të kapërdihem në egon mashkullore vetëm sepse kam trup e fytyrë të bukur?!

Përshëndetje botë, nga unë “qenia femër”,

Jam rritur sot, e ndryshe nga ditët e tjera po jetoj për veten time. Sapo mbylla një ditë të lodhshme, nga saga e njerëzve të cilët koha nuk i ndryshon, por u zhveshë maskat atëherë kur më së paku e presin.

Kam mësuar shumë sot, mësova se si lexohej qartë zilia dhe shtirja e asaj që prej vitesh ndava një kafshatë buke, ndava nje lot të shpirtit tim. E kisha quajtur mike! Sa shpesh ndodh diçka e tillë!

Sot u njoha me intrigat e gjinisë mashkullore, dëshirës së një epshi të paskrupullt të një eprori dhe muret e zyrës që më shikonin me keqardhje. Përpëlitesha thellë nga indinjata në veten time ndaj kësaj marrëzie. Forcë e pushtet abuzues në karrigen e një mashkulli. E gjora femër! Atëherë kur ajo me dinjitetin e saj reagon, kundërshton këtë fasadë kaq të shëmtuar, atëherë ajo ‘bën të vështirën’ dhe e pret një “Je e paaftë për atë vend pune”.

Hedh vështrimin tej, larg, në ftohtësinë e asaj zyre, muret e së cilës shikojnë me keqardhje për të të thënë se je thjeshtë “Një vik*timë e radhës” ose një “Femër e lehtë”, e cila ka krijuar një përshtypje të tillë për të gjithë gjininë femërore.

Gjynah të bëhesh e tillë!
E ç’kusur i kam kësaj bote të kapërdihem në egon mashkullore vetëm sepse kam një trup e një fytyrë të ‘bukur’?
Vallë ky është privilegj nga Zoti apo një dënim për gjininë?
Veshur me taka të moralit tim të lartë, me kokën drejt e sytë në drejtimin e hapave të mi, tentoj të mbijetoj nën sulmet e planifikuara të ligësisë së një mashkulli, që nëse nuk të fiton me hir, përpiqet e skalitet me intriga pafund.

Koha kalon e vrapin e saj nuk e ndal as per të më pritur mua të shërohem, as për ndryshimin më të vogël në respektin e vlerave femërore, për asgjë, për asnjë.

E vjen një ditë në të cilën kupton se koha zbulon gjithçka, çdo arsye, çdo veprim, çdo njeri për të cilin mendoje se ka ndryshuar, por që në të vërtet koha maskën i ka lëshuar./supergrate/ KultPlus.com

Jusuf Buxhovi: Kam ardhur qëllimisht në KultPlus, e vetmja që e përcjellë krijimtarinë kulturore

Sot në kuadër të emisionit Mirëmëngjesi Kosovë u realizua intervistë me Jusuv Buxhovin, ku u diskutua për librin e tij të fundit ”Trilogjia gjermane”, promovimi i të cilit do të mbahet sot në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, shkruan KultPlus.

Përpos diskutimit për librin e tij, ai foli edhe KultPlusin, për të cilin deklaroi se jo rastësisht e ka zgjedhur si hapsirë për promovimin e librit të tij, duke iu referuar KultPlusit si një referencë simpatike për kulturën.

”Qëllimisht kam ardhur në KultPlus, unë mendoj se është njëra nga referencat më simpatike tash për tash për kulturë dhe e vetmja që e përcjellë krijimtarinë kulturore”, shprehet ai më tutje.

Bashkangjitur gjeni videon e plotë të intervistës. /KultPlus.com

Le Temps (1897):Ja propozimi që i bëri Ismail Qemali sulltanit për të shpëtuar Perandorinë Osmane

Nga Aurenc Bebja

“Le Temps” ka botuar, të mërkurën e 10 marsit 1897, në ballinë, një shkrim në lidhje me propozimin që i ka bërë asokohe Ismail Qemali sulltanit për të shpëtuar ekzistencën e Perandorisë Osmane, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Kostandinopojë (nëpërmjet Sofjes), 9 mars, ora 8 : 25

Ismail Bej Qemali, ish-sekretari i Mit’hat Pashës, për të cilin thuhet se shpesh ka pasur një ndikim të madh mbi sulltanin, sapo i ka paraqitur atij një memorje (dokument) të gjatë në lidhje me situatën aktuale.

Ai e lut, në këtë dokument, që të marrë vetë ai iniciativën e reformave para zgjidhjes së çështjes së Kretës dhe shpërthimit të çrregullimeve të reja.

Ai arriti në përfundimin se ishte e nevojshme të ribëhej një Kushtetutë në bazë të decentralizimit administrativ dhe një federate osmane, duke u lënë grupeve të ndryshme kombëtare të perandorisë njëfarë autonomie.

Një Asamble Kushtetuese do të mblidhet në Konstandinopojë dhe, më vonë, një Parlament do të emërohet.

Kjo iniciativë e një njeriu me ndikim dhe i shquar, i cili qëndron jashtë të gjitha grupeve revolucionare, gjen shumë adhurues në mesin e myslimanëve. (Shërbimi Havas). /KultPlus.com

Sot promovohet “Trilogjia gjermane” e Jusuf Buxhovit në KultPlus Caffe Gallery (VIDEO)

Në ambientet e KultPluss Caffe Gallery, sot promovohet ”Trilogjia gjermane” e Jusuf Buxhovit, e cila përfshin romanet: “Vdekjet e kolonelit”, “Kujtimet e zonjës von Braun” dhe “Kodi i dashurisë”, shkruan KultPlus.

Romanet janë të botuara në periudhën e viteve 2005/2006, mirëpo përfshirja e tyre në kuadër të kësaj trilogjie ka të bëjë me një përpunim letrar brenda një koncepti të përbashkët tematik që i lidh.

Autori Jusuf Buxhovi do të bashkëbisedojë me të pranishmit rreth rolit të shkrimtarëve në krijimin e vëtdijes politike, si bazë e projektit shtetëror si dhe do të shpërndajë libra për lexuesit.

Për më shumë detaje rreth ”Trilogjise gjermane”, Jusuf Buxhovi ka treguar sot në intervistën e realizuar në kuadër të emisionit Mirëmëngjesi Kosovë.

Bashkangjitur gjeni linkun me intervistën e plotë. /KultPlus.com

Shpëtohet ikona ‘Ngjallja e Llazarit’, qëndron në Shqipëri

Ikona “Ngjallja e Shën Llazarit” e restauruar në marsin e një viti më parë me një nga vendimet  e Këshillit të Ministrave ishte bërë gati per dhurim UNESCO-s, në kuadër të 60-vjetorit të anëtarësimit të shqipërisë në këtë organizatë.

Plot një vit më pas qeveria ka marrë vendimin e dytë që anullon të parin që ikona “Ngjallja e Llazarit” të qëndrojë në Shqipëri, duke shfuqizuar aktin e dhurimit për UNESCO-n, të ndërmmarë në shtator të 2018-ës. 

Kryevpera e trahsgimisë kulturore shqiptare, :Ngjallja e Shën Llazarit” , që vjen nga kisha e “Ungjillëzimit”, e realizuar ne fillimet e shekullit XIX është vlerësuar nga specialistët si një vepër me nivel të lartë artistik. Rastaurimi u bë më 2018-n pasi ishte lënë në një gjendje tejet të degraduar.

Pasi ikonës i rikthehen vlerat artistike në mars të 2018-s, në shtator të po këij viti u publikua Vendimi i Këshillit të Ministrave në fletoren zyrtare, ku shkruheshin edhe detajet e tjera për procedurat e dhurimit të kësaj vepre të trashëgimisë kulturore shqiptare si më poshtë:
“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:
1. Dhurimin UNESCO-s të ikonës “Ngjallja e Llazarit”, në kuadër të 60-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në këtë organizatë, me të dhënat sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Dhurimi i ikonës “Ngjallja e Llazarit” UNESCO-s të bëhet në përputhje me dispozitat e Kodit Civil dhe sigurimin e kushteve për ruajtjen e këtij objekti muzeor gjatë transportimit të tij brenda dhe jashtë vendit.
3. Ngarkohet Ministria e Kulturës për lidhjen e kontratës së dhurimit.
4. Ngarkohet Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, Arsimit dhe Arkeologjik, Korçë, të kryejë procedurat për shoqërimin e ikonës “Ngjallja e Llazarit” deri në dorëzimin e saj tek UNESCO-ja.
5. Ngarkohet Qendra e Inventarizimit të Pasurive Kulturore të kryejë regjistrimin e veprimit të dhurimit të ikonës dhe monitorimin deri në tjetërsimin e pronësisë së veprës.
6. Ngarkohet ministri i Kulturës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA”


Ndërsa vendimi i dytë Nr.564,që anullon të parin është postuar këtë të mërkurë më 30 tetor 2019 në fletoren zyrtare si më poshtë: 
“SHFUQIZIMIN E VENDIMIT NR.564, DATË 29.9.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DHURIMIN UNESCO-S TË IKONËS “NGJALLJA E LLAZARIT”, NË KUADËR TË 60-VJETORIT TË ANËTARËSIMIT TË SHQIPËRISË NË KËTË ORGANIZATË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 113, të ligjit nr.44/2015, “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave. /shqiptarja.com/ KultPlus.com

Hapet shkolla shqipe në Kroaci

Në qytetin Osijek dhe në rrethinën e tij funksionojnë shumë shkolla fillore në gjuhën shqipe. Janë këto vatra arsimore në të cilat ruhet identiteti kulturor dhe kombëtar i fëmijëve të bashkëkombësve tanë që jetojnë dhe punojnë atje.

Mirëpo së shpejti në këtë qytet, që paraqet qendër të prefekturës Baranjë-Osijekut, pritet të hapet edhe shkolla e mesme shqipe, që do të jetë shkolla e dytë e tillë në Kroaci, pas shkollës së mesme shqipe në Zarë. Është ky lajm i mirë për mijëra shqiptarë që jetojnë si në Osijek, poashtu edhe në prefekturën e Baranjës, vlerëson arsimtari i gjuhës shqipe në këtë prefekturë, Mendu Imeri.

Komuniteti shqiptar është në mesin e komuniteteve mjaft të respektuara dhe të pranuara zyrtarisht në Kroaci. Ky respekt është rezultat i sakrificës që kanë bërë shqiptarët në luftën për mbrojtjen e Kroacisë nga agresioni i armatës jugosllave dhe serbe në fillim të viteve të 90-ta të shekullit të kaluar.

Njëri ndër të shumë shqiptarët që i është bashkuar luftës kroate kundër agresionit serb, ka qenë gjeneral Esat Çollaku, epror ushtarak të ushtrinë kroate dhe gjeneral në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Aktualisht ai është kryetar i Bashkësisë Shqiptare në Kroaci.

Shqiptarët e Kroacisë janë të përfaqësuar politikisht në dy shkallët e pushtetit lokal, por edhe në Parlamentin kroat, përmes deputetes Ermina Lekaj- Përnaskaj. Në Kroaci jetojnë mbi 30 mijë shqiptarë, por numri real është diku 40 mijë, sepse një pjesë e tyre deklarohen si boshnjakë ose kroatë.

Bashkësia Shqiptare në këtë vend ka filluar aktivitete intensive që këta shqiptarë, që konsiderohen të jenë 7 mijë, të regjistrohen sërish si më parë dhe zyrtarisht t’i rikthehen trungut kombëtar./gazetaexpress/ KultPlus.com

Xharra në New York, flet për Skënderbeun dhe Nënë Terezën

Gazetarja kosovare, Arbana Xharra, ka marrë pjesë në një sumpozium shkencor për Jotolerancën Globale Fetare në ShBA, shkruan KultPlus.com.

Ajo ka njoftuar se ka folur për periudha të ndryshme historike që ka kaluar kombi jonë.

“Në sumpoziumin e organizuar për Jotolerancen Globale Fetare, në New York, në prani të përfaqësuesve të Vatikanit, Israelit, të komunitetit Musliman, fola për shtet ndertimin shqiptar, rolin e kongresit të Manastirit dhe pasojat e sundimit osman”

Tutje, Xharra, ka thënë se me krenari ka përmendur dy figurat kryesore të kombit shqiptar: Nënë Terezën dhe Skënderbeun.

“Me krenari përmenda Nënë Terezën, Skënderbeun, shpëtimin e hebrenjve nga shqiptarët, për imamet pro perendimor dhe proamerikanizimin shqiptar. U bëra me dije se ndikimi i Erdoganit është i përkohshëm sepse ne jemi Evropian, ai mund të ndërtojë xhami, por shqiptarët kurrë Amerikës nuk do ia kthejnë shpinën, sepse u jemi mirënjohës përjetësisht”

Zjarri përfshinë kështjellën 600 vjeçare në Japoni

Zemërim dhe tmerr teksa flakët e zjarrit përpijnë kështjellën 600 vjeçare Shuri, në Japoni, e cila ishte pjesë e trashëgimisë botërore.

Zjarri ka shkatërruar ndërtesën në Naha, kryeqendra e prefekturës Okinava në Japoni.

Zjarrfikësit erdhën menjëherë por nuk mundën t’i ndalojnë flakët që duken si një ferr i vërtetë, shkruan Top Channel, transmeton KultPlus.com

Pink do ta marrë çmimin “People’s Champion”

Ylli i popit Pink do të nderohet për punën e saj të madhe filantropike në E! People’s Choice Awards.

Krijuesja e hitit “Just Give Me a Reason” do ta marrë çmimin “People’s Champion” në ceremoninë e ndarjes së çmimeve më 10 nëntor në Santa Monica, California, ku do të duartrokitet për mbështetjen e saj të gjatë të organizatave si No Kid Hungry, Human Rights Champaign, Make-a-Wish Foundation. Planned Parenthood dhe Autism Speaks, shkruan KOHA Ditore, transmeton KultPlus.com

Pink, e cila gjithashtu ka shërbyer si ambasadore në United Nations Children’s Fund (UNICEF) që nga viti 2015, është shprehur falënderuese për mirënjohjen për aktivizmin e saj.

Në një deklaratë të lëshuar për E!, ajo shkruan: “Ka kaq shumë organizata dhe individë të mrekullueshëm që bëjnë gjëra të jashtëzakonshme në komunitetet tona çdo ditë. Këta janë luftëtarët dhe kampionët tanë të përditshëm. Ata na mësojnë neve dhe fëmijëve tanë se është mirë të jemi të sjellshëm dhe se ndryshimi është i mundur.

“Ndihem e nderuar që jam një pjesë e vogël e këtij ndryshimi dhe do të vazhdoj të jem kampione për të vërtetën, për mendje dhe zemra të hapura.”

Përfaqësuesja e E!, Jen Neal, shton: “Aftësia e Pink për ta mbuluar një audiencë globale me muzikën e saj dhe gjithashtu për t’i inkurajuar ata që të veprojnë në emër të kauzave të rëndësishme që ndikojnë në njerëzimin është e mahnitshme.

“Si një aktiviste që e frymëzon ndryshimin për të mirë, ajo është mishërimi i një kampioneje të njerëzve (People’s Champion), dhe me përulje ia prezantojmë asaj këtë çmim.”

Pink gjithashtu do ta ketë mundësinë t’i fitojë dy çmime të tjera gjatë mbrëmjes në fjalë pasi që është nominuar për “Female Artist of 2019” dhe “Concert Tour of the Year” për këngën e saj “Beautiful Trauma”.

Truri i njeriut identifikon muzikën e njohur aq shpejt sa një përpëlitje syri

Disa njerëz mund të njohin një tingull apo ritëm për aq kohë sa merr një përpëlitje e syrit, sugjerojnë studime të reja.

Truri i njeriut mund të identifikojë një këngë të njohur brenda 100 deri 300 milisekonda, sipas një studimi të ri.

Shkencëtarët thonë se gjetjet nxjerrin në pah këngët e preferuara të mbajtura thellë në kujtesën tonë.

Studiuesit e Kolegjit Universitar në Londër (UCL) donin të zbulonin sesa shpejt truri i përgjigjej muzikës së njohur. Ata gjithashtu donin të ekzaminonin profilin e përkohshëm të proceseve në tru që lejojnë këtë.

Autorija Maria Chait tha se rezultatet tregojnë se njohja e muzikës që kemi dëgjuar më psrë ndodh jashtëzakonisht shpejt.

“Këto gjetje tregojnë për një qark kohor shumë të shpejtë dhe janë në përputhje me mbajtjen e thellë që muzika e njohur ka në kujtesën tonë.” /KultPlus.com

“Gjuetari i balonave” – një libër që duhet lexuar patjetër

“Gjuetari i balonave” nga Khaled Hosseini tregon historinë tronditëse dhe prekëse të transformimit të Amirit nga fëmijëria në moshën madhore gjatë tranzicionit të Afganistanit nga monarki në revolucion. Historia e tij është e paharrueshme dhe unë e kam pëlqyer si librin, edhe filmin. Tashmë ky libër është një bestseller në New York dhe unë jua rekomandoj pa asnjë mëdyshje.

Një nga gjërat që më pëlqen në librat e Khaled Hosseinit, është sfondi kulturor që ai përfshin në veprat e tij. Unë nuk njoh shumë mbi jetën dhe rutinën e një personi në Afganistan, por faktet dhe të dhënat që autori na sjell në veprat e tij, na e bëjnë ta përjetojmë në lëkurën tonë jetesën e atij vendi dhe vuajtjet që përjetohen në përditshmërinë atje.

“Gjuetari i balonave” është një nga librat që mua më ka mbetur gjatë në kujtesë dhe duke parë edhe klasifikimet botërore, si dhe pëlqimin që shumë lexues e kanë shprehur online për këtë roman, vendosa t’i dedikoja këtë shkrim për të nxitur këdo ta lexonte kryeveprën e Khaled Hosseinit. Arsyet janë të shumta.

– “Mund të duket e padrejtë, por ajo që ndodh për disa ditë, ndonjëherë edhe në një ditë të vetme, mund të ndryshojë rrjedhën e gjithë jetës”.

– “Shprehja “Për ty, edhe 1000 herë të tjera””.

-“Ka vetëm një mëkat : vjedhja. Kur ti thua një gënjeshtër, ti i vjedh dikujt të drejtën të njohë të vërtetën”.

– “Heshtja është paqe. Qetësi. Heshtje do të thotë të ulësh volumin negativ të jetës”.

Arsyeja se pse duhet ta lexosh “Gjuetarin e balonave” janë pikërisht këto thënie brilante. Ai roman është për këdo që do të lexojë diçka të bukur që do t’i mbetet gjatë në kujtesë; për këdo që mund ta kuptojë se sa i bukur mund të jetë shkrimi.

“Gjuetari i balonave është një libër shumë i pëlqyer, por edhe shumë i bukur. Jo më kot e pëlqejnë thuajse të gjithë ata që e lexojnë dhe unë besoj se edhe ti duhet ta lexosh këtë roman për këto arsye :

– Sepse është i shkruar mirë, pavarësisht shumë pjesëve dramatike që të trondisin.

– Flet për familjen dhe besnikërinë në një mënyrë gjithëpërfshirëse. Përshkrimi i bërë për personat nga Afganistani nuk ka se si të mos prekë.

Historia është e thjeshtë, nuk është komplekse, por të nxit kureshtjen për ta mbyllur të gjithë librin sa më parë, për çdo faqe që kalon. Është pikërisht sekuenca e ngjarjeve dhe përshkrimi i secilës prej tyre që të mbajnë të mbërthyer në faqet e romanit, derisa i jep fund dhe pastaj mërzitesh sepse e di që do të kalojë kohë, derisa të lexosh një libër po aq të bukur…

Pas romanit “Gjuetari i balonave”, mendoja se po të lexoja një vepër tjetër të Khaled Hosseinit, do të zhgënjehesha sepse nuk ka mundësi që një autor të shkruajë po aq bukur dy ose më shumë vepra të tij.

Njëra mbetet gjithmonë kryevepër, por nuk është kështu. Unë lexova “1000 diej vezullues” dhe “Dhe mallet oshtinë” dhe më kanë dhuruar plot emocione. Nuk jam zhgënjyer nga ky autor, por me shumë bindje e pranoj se “Gjuetari i balonave” mbetet vepra më e mirë për mua nga ky autor. Filozofi.al / KultPlus.com

Mirela Kumbaro dhe Edmond Tupja sjellin në shqip romanin “Persepolis”

Persepolis quhej kryeqyteti i Perandorisë Akaemenide në Persinë e lashtë, 550–330 Para Krishtit. 60 km në verilindje të qytetit të Shirazit në Iranin e sotëm.

Nën këtë emër të lashtë ka dashur të përmbledhë zakonet e Iranit të sotëm, e titullojë romanin e saj shkrimtarja iraniane, Marjane Satrapi, që vjen në shqip nga frëngjishtja prej përkthyesve Mirela Kumbaro dhe Edmond Tupja, i pari përkthim ky i librit në gjuhë të huaj, që trajton historinë vetjake të një vajze iraniane, që vuan gjithë pasojat e revolucionit iranian, e gjithë censurimet e përndjekjet e një regjimi e mentaliteti antidemokratik e anti të drejtave të njeriut, të cilit ajo i kundërvihet me rebelizëm të pzakontë.

Romani Persepolis është i gjithi në formën e tregimeve vizatimore.

Po ashtu ka edhe një film Persepolis,një bashkëprodhim ndërkombëtar frank-iranian, që ka marrë pjesë edhe në Festivalin e Filmit në Kanë në 2007, ku fitoi çmimin e Jurisë, e që ta kuptosh më mirë librin përkthyesit Kumbaro e Tupja këshillojnë edhe shikimin e filmit.

Si të bëjmë kulturë pa militantë partiak?

Në vend se të ishte institucioni më elit i Republikës, Ministria për Kulturë u përdor si strehë e fundit e militantëve partiak. Në secilën shoqëri, militantët partiak janë turma më injorante, e cila veç shpirtit anarkist dhe klithmave bezdisëse gjatë fushatave elektorale, në organizimin shtetëror nuk kuptojnë asgjë.

Bajram Mjeku

Kafenë e fundit me shkrimtarin më modernist shqiptar Anton Pashku, e kam pirë gjashtë muaj para se të ndërronte jetë në fundtetorin e vitit 1995 në Prishtinë. Pashku për aq sa ishte i madh në letërsi, po aq shquhej për modestinë e tij. Mbaj mend kur njëzetekatër vjet më parë mbi tavolinën ku pinim kafe, Pashku e kishte dorëshkrimin e një të ashtuquajturi shkrimtar për fëmijë. Pashku e redaktonte, më saktë rishkruante dorëshkrimin e shkrimtarit mediokër për të mbijetuar për bukën e gojës bashkë me familjen e tij.

Vështruar nga kjo distancë kohore, gjërat për një shkrimtar, piktor a skulptor të mirë nuk kanë ndryshuar fare, më saktë veçse janë acaruar më shumë. Udhëheqja politike në Kosovë, ka vendosur që assesi të mos heqë dorë nga tranzicioni në njërën anë, derisa në anën tjetër krijuesit e mirë, të cilët janë specie në zhdukje, veç krizës ekzistenciale e cila është duke i përcjellë njësoj si në kohën e okupimit, janë duke u përballur edhe me një rrezik tjetër. Është turma e frikshme e analfabetëve funksionalë, të cilët janë vendosur nga maja e kupolës së shtetit, deri në zyrtarin më të parëndësishëm të tij. Pikërisht kjo kastë politike, është produkt i të ashtuquajturave kolegje e universitete, të cilët tash dy dekada nga sportelet e tyre nxorën më shumë diploma, se dokumente formale nga sportelet e komunave më periferike të Republikës.

Sebep për të shkruar këtë kolumne u bënë premtimet e dy partive politike, të cilat u renditën të parat në zgjedhjet e fundit nacionale. Ato paralajmëruan që Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport, do ta shkrijnë në Ministrinë për Arsim, Shkencë e Teknologji. Në fakt, Ministria për Kulturë nuk është dashur të themelohet asnjëherë. Në vend të saj është dashur të themelohet një agjensi me shumë më pak zyrtarë dhe shumë më pak harxhime koti, e cila do të merrej më profesionalisht me politikat, menaxhimin dhe zhvillimin e segmenteve të kulturës, të cilat në njëzet vitetet e fundit në vend që të ishin më kreative, veçse kanë degraduar më shumë.

Në përceptimin e njerëzve të komunitetit artistik, Ministria për Kulturë më shumë se për të prodhuar kulturë, u vu në përdorim të monedhës për kusuritje nga të gjitha partitë politike që ishin në pushtet. Në vend se të ishte institucioni më elit i Republikës, pikërisht kultura u përdor si strehë e fundit e militantëve politikë, të cilët më së paku kishin dëgjuar ndonjëherë për nocionin “kulturë” e aq më pak kishin thirrje të merreshin me menaxhimin e saj! Militantët partiakë, në secilën shoqëri të secilit komb janë turma më injorante, e cila veç shpirtit anarkist dhe klithmave bezdisëse gjatë fushatave të partive politike, në organizimin shtetëror nuk kuptojnë asgjë.

*

Aktualisht në Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport, militojnë mbi 500 zyrtarë të ndryshëm, të cilët përjashto një të katërtën e tyre marrin paga koti. Janë këta zyrtarë, të cilët mbi supet e tyre morën përgjegjësi institucionale për të prodhuar politika kulturore, pastaj për t’i avancuar resurset njerëzore dhe ato të trashëgimisë kulturore të shtetit më të ri në Evropë.

Ministria për Kulturë Rini e Sport, nuk do të duhej të mbetej nën sqetullën e Ministrisë për Arsim, por të ristrukturohet në agjension, i cili do të duhej të ishte nën kujdesin e drejpërdrejtë të Kryeministrit të ardhshëm. Derisa duhet menduar për themelimin e një agjensie për kulturë, dhjetëra të tjera do të duhej të shuheshin, kur të kihet parasysh se aktualisht Kosova ka 54 agjensi koti, ndërkohë që disa shtete fqinje nuk kalojnë numrin prej 15 sosh!

Agjensia për kulturë, rini e sport (pse jo edhe për turizëm), me numër shumë më të vogël të zyrtarëve, por me cilësi dhe njohuri kreative të fushave ku do të menaxhonin, për dallim nga zyrtarët aktual të Ministrisë për Kulturë, do të duhej të shtonte kujdesin ndaj artistëve të paktë, të cilët deri tash kanë dëshmuar se prodhuan dhe mund të prodhojnë art në zhanret e tyre artistike, si dhe disponojnë kredenciale për të avancuar kulturën e shtetit. Që të jem edhe më transparent me publikun, në veçanti me njerëzit e komunitetit artistik, mbështes idenë se një artisti të mirë nuk i bën nder e privilegj vetëm subvencionimi herë gjysmak, herë më shumë se gjysmak i një vepre të tij, por Qeveria e Kosovës duhet të mendoj që së paku pesëdhjetë njerëz të artit t’i subvenciononte me paga jetësore dhe sigurisht që këta artistë, nuk do t’i jipnin llogari shtetit si dikur në kampin komunist. Këta artistë do të jipnin llogari vetëm për veprat dhe vlerat e tyre artistike, të cilat veçse do ta avanconin artin dhe kulturën e Kosovës edhe jashtë kufijve të Gadishullit të Madh.

Se a është më dinjitoze të favorizohen me paga jetësore së paku pesëdhjetë artistë apo qindra militantë partiak, të cilët marrin paga për kulturën e më së paku marrin vesh në këto punë, mbetet që këtë segment ta trajtojë Qeveria në ardhje?!

Sot, kemi pak shkrimtarë të modelit si Anton Pashku, por edhe më pak aktorë si Bekim Fehmiu, piktorë si Muslim Mulliqi, apo skulptorë si Agim Cavdarbasha, por ata pak krijues të mirë që kemi, fundja meritojnë jetë dinjitoze, të cilët do ta shpaguanin mundin e tyre duke lënë mbrapa vetes vepra elite dhe art dinjitoz.

Krejt në fund, një pyetje për komunitetin artistik dhe zyrtarët kulturorë. A e dimë si jeton doajenja e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha?! A përballet me çështje elementare ekzistenciale, apo na kujtohet vetëm kur e takojmë sa për të pozuar me të, më saktë për të provuar të vjedhim diçka nga hija dhe nami i saj!

Karl Gurakuqi flet mrekullueshëm për Ernest Koliqin

Karl Gurakuqi, drejtori i parë i Bibliotekës Kombëtare, arsimtar, gjuhëtar dhe pedagog shqiptar, kur u pyet për shkrimtarin shqiptar Ernest Koliqi, pati këto fjalë:

Nuk janë shum shkrimtarët t´onë, emni i të cilvet të njifët aq mirë në shtresat letrare shqipe sá ai i Koliqit; të pakët janë atá, prodhimet e të cilvet të kenë marrë aq hapt në çdo kând të Shqipnís, sá ato qi emnin e tij në çfaqje kulturore gjithëfarësh, në botime nëpër fletore e revista të ndryshme, disá prej të cilavet themelue dhe mbajt prej tij vetë, në botime veprash qi janë të pacaktueme të zánë nji vend të dukshëm, dashtas e padashtas, në historín e letrave t´ona.  

Ernest Koliqi ka qenë njëri ndër personalitetet e njohura të letërsisë e kulturës shqiptare në përgjithësi.

Koliqi u lind  në Shkodër më 20 maj të vitit 1903. Ishte i biri i Shan Koliqit dhe i Ages së Cuk Simonit, nip Parrucejsh,  familje shkodrane fort e kamur. Ndërsa nga babai kishte origjinën prej Lotajve të Shalës së Dukagjinit, të cilët kishin rënë në krahinën e Anamalit.

Ernest Koliqi

Një kontribut të veçantë i ka dhënë arsimimit në Kosovë, në vitin 1941, kur forcat italo-shqiptare kishin depërtuar në vendin tonë dhe kishin dëbuar forcat ushtarake e policore të Mbretërinë famëkeqe jugosllave, e cila gjatë tërë kohës së sundimit nga vitit 1913 e deri në vitin 1941 nuk kishte lejuar asnjë shkollë shqipe por as edhe një libër në gjuhën shqipe.

Më 1943, Koliqi vajti në Romë të vazhdonte punën si ordinar në universitet dhe u emërua ambasador në Vatikan, i fundit para regjimit që do të vinte. Nga një telefonatë merr vesh për kapjen e Petro Markos nga ana e gjermanëve, të cilit i shpëton jetën.

Nis të botojë nga viti 1954 deri më 1961, studimin krahasues “Dy shkollat letrare shkodrane – e Etënve jezuitë dhe e Etënve françeskanë”.

Më 1939 hapet në Universitetin Shtetëror të Romës Selia e Albanologjisë, ku Koliqi emërohet ordinar dhe qëndron i tillë derisa doli në pension. Ndërprerja e vetme disi e gjatë qe kur u emërua ministër Arsimi në vitet 1939-1941.

Karl Gurakuqi

Karl Gurakuqi qe sekretar i parë i Komisís Letrare, u ngarkua që me fondin e librave të bibliotekës së komisisë të formohej bërthama e një biblioteke albanologjike, që ishte baza e Bibliotekës Kombëtare. U caktua inspektor arsimi në Vlorë më 1921, ku u bë edhe sekretar i Federatës “Atdheu” deri vitin e ardhshëm. Më 1922, u bë drejtori i parë i Bibliotekës. Më pas qe shef Seksioni në Ministrinë e Arsimit, drejtor liceu, anëtar i Komisionit Teknik, profesor i shqipes dhe latinishtes në Institutin “Nana Mbretneshë”. / KultPlus.com

Facebooku pranon të paguajë gjobën prej 500 mijë funtesh në Britani

Rrjeti social më i madh në botë, Facebook, ka pranuar që të pagojë një gjobë në vlerë prej 500,000 funtesh (rreth 580,000 euro) të caktuar nga mbrojtësit e të dhënave të Britanisë së Madhe për rolin e saj në skandalin “Cambridge Analytica”.

Facebooku, fillimisht është ankuar për dënimin duke bërë që Zyra e Komisionerit për Informim (ICO) ta ndjekë kundër-ankesën e saj, raporton BBC. Si pjesë e marrëveshjes, ky rrjet social nuk ka bërë asnjë detyrim.

Kjo kompani nga SHBA-ja ka thënë se “do të dëshironte që të bënte më shumë për të hetuar Cambridge Analytican” më herët.

“Shqetësimi kryesor i ICO-s është që të dhënat e qytetarëve të Britanisë së Madhe ishin të ekspozuara ndaj një rreziku serioz. Mbrojtja e informacioneve personale dhe të privatësisë është e një rëndësie kryesore, jo vetëm për të drejtat e individëve por edhe për ruajtjen e një demokracie të fortë”, ka thënë James Dipple-Johnstone, zv.komisioner i ICO-s.

Harry Kinmonth, avokati i Facebookut, ka thënë se ky rrjet social ka bërë ndryshime për të kufizuar zhvilluesit e informacioneve të aplikacionit të cilët mund të qaseshin pas skandalit.

“ICO ka deklaruar se nuk ka zbuluar prova që të dhënat e përdoruesve të Facebookut në BE janë transferuar në Cambridge Analytica”, ka thënë Kinmonth. “Megjithatë, mezi presim të vazhdojmë bashkëpunimin me ICO-n për hetim më të gjerë dhe të vazhdueshëm për përdorimin e analizave të të dhënave për qëllime politike”, shtoi ai.

Hulumtuesi Dr Aleksandr Kogan dhe kompania e tij “GSR” ka përdorur kuizin mbi personalitetin për të mbledhur të dhënat e Facebookut të deri 87 milionë njerëzve.

Disa nga këto të dhëna janë shpërndarë me Cambridge Analytica, kompani me bazë në Londër.

ICO ka thënë se Facebooku nuk ka bërë mjaftueshëm për të mbrojtur informacionet e përdoruesve. /KultPlus.com

Historia e gjeniut Stephen Hawking dhe gruas që e mbajti gjallë

Në vitin 1985, gruaja e tij refuzoi idenë e mjekëve se makineria që e mban gjallë duhej të fikej, se nuk kishte më shanse për të jetuar. Në atë kohë, Hawking ndodhej në koma në spitalin e Gjenevës.

Fizikanti, kozmologu dhe autori i teorisë angleze konsiderohet si një nga shkencëtarët më të mëdhenj dhe puna e tij ka ndikuar në mësimet e relativitetit të përgjithshëm dhe mekanikës kuantike.

Që nga viti 1963, Hawking ka vuajtur nga një sëmundje e njohur si ‘skleroza laterale amyotrophic’, ose ALS. Në atë kohë mjekët i dhanë vetëm dy vjet kohë jetë. Në fakt kjo sëmundje i merr jetën njerëzve brenda 5 viteve, por ai është njeriu që sfidoi doktorët dhe veten tij. Që pas deklaratës së mjekëtve ai ka jetuar 50 vjet më shumë.

Në vitin 1985, gruaja e tij refuzoi idenë e mjekëve se makineria që e mban gjallë duhej të fikej, se nuk kishte më shanse për të jetuar. Në atë kohë, Hawking ndodhej në koma në spitalin e Gjenevës. Ndërkohë që në një dokumentar të vitit 2013, ai tha: Mjekët menduan se kisha shkuar aq larg me mendje sa nuk mund të kthehesha më në tokë, në realitet dhe kështu i kërkuan Jane-it t’i fiknin makinën.

Por Jane nuk pranoi dhe këmbënguli që ai të kthehej në Kembrixh. Hawking tregon se terapia intensive ishte periudha më e keqe e jetës së tij. Sëmundja e ka lënë të paaftë të flasë dhe ka nevojë për kujdes të përhershëm, por kjo nuk e ka penguar që të vazhdojë punën në lidhje me shkencën.

Në vitin 1988 botoi ​​librin “Një histori e shkurtër e kohës”, e cila që atëherë u kthye në best seller, me 10 milion kopje të shitura në mbarë botën. Gjithashtu, Hawkings u kthye në një model frymëzuar për njerëzit me aftësi të kufizuara anembanë globit, ku në një fjalim me rastin e hapjes së Lojërave Paraolimpike në Londër, në vitin 2012, i bëri njerëzit të qajnë e të kuptojnë sa e rëndësishme është jeta. Filozofia.al / KultPlus.com


Në Kroaci hapet shkolla e mesme shqipe

Në qytetin Osijek të Kroacisë hapet shkolla e mesme shqipe, e cila do të jetë shkolla e dytë e tillë në Kroaci, pas shkollës së mesme shqipe në Zarë, njofton Qendra për Botimin e Diasporës, transmeton KultPlus.com

“Në Osijek funksionojnë disa shkolla fillore në gjuhën shqipe, të cilat ruhet identiteti kulturor dhe kombëtar i fëmijëve të bashkëkombësve tanë që jetojnë dhe punojnë atje”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Qendrës së Botimeve për Diasporën

“Vepro në mënyrë që në vend të mëshirës, të tjerët të të tregojnë respekt”

Poezi nga Nënë Tereza: Femrat

Ki gjithmonë parasysh se lëkura krijon rrudha,

flokët bëhen të bardhë,

ditët shndërrohen në vite…

Por ato që janë të rëndësishme, nuk ndryshojnë:

forca jote dhe bindja jote nuk kanë moshë.

Shpirti yt është ngjitës për çdo rrjetë merimangash.

Pas çdo vendi mbërritjeje është një vend nisjeje.

Pas çdo suksesi ka një tjetër zhgënjim.

Për aq sa të jesh e gjallë, ndjehu e gjallë.

Nëse të mungon ajo që bëje, kthehu dhe bëje.

Mos jeto me fotot e zverdhura…

këmbëngul, edhe nëse të gjithë presin të largohesh.

Mos e lër të ndryshket hekurin brenda teje.

Vepro në mënyrë që në vend të mëshirës, të tjerët të të tregojnë respekt.

Kur për shkak të viteve nuk mund të vraposh, ec shpejt.

Kur nuk mund të ecësh shpejt, ec ngadalë.

Kur nuk mund të ecësh dot, përdor bastun.

Por mos u ndal asnjëherë!

KultPlus.com

Greta Thunberg refuzon çmimin për mjedisin

Greta Thunberg e ka refuzuar një çmim për mjedisin dhe paratë që vinin me të sepse  “lëvizja klimatike nuk ka nevojë për më shumë çmime”.

Ajo tha se çmimi ishte një “nder i madh” dhe falënderoi Këshillin Nordik, i cili tha se respektonte vendimin e saj.

Por, ajo tha se politikanët dhe njerëzit në pushtet duhet të dëgjojnë shkencën aktuale, më të mirë në dispozicion.

Thunberg ishte e preferuara e këtij viti për të fituar Çmimin Nobel për Paqen, por çmimi i shkoi Abiy Ahmedit të Etiopisë.

Në një postim në Instagram duke shpjeguar vendimin e saj për të refuzuat çmimin dhe 46,000 euro, Thunberg tha se “vendet nordike kanë një reputacion të madh në të gjithë botën kur bëhet fjalë për çështjet e klimës dhe mjedisit, por se konsumimi i energjisë tregon një histori krejt tjetër”. /KultPlus.com

16-year-old Swedish Climate activist Greta Thunberg speaks at the 2019 United Nations Climate Action Summit at U.N. headquarters in New York City, New York, U.S., September 23, 2019. REUTERS/Carlo Allegri – HP1EF9N1AIFX9

Grimeri kosovar transformohet për Halloween, nga një burrë shndërrohet në grua (FOTO)

Arbër Bytyqi, grimeri kosovar ka postuar në rrjetet sociale transformimin e tij për festën e Halloween, shkruan KultPlus.

Ai ka ndarë me ndjekësit e tij një fotografi, para dhe pas grimit, ku shihet një transformim i madh, nga një burrë me mjekër i shndërruar në një grua mjaftë tërheqëse. KultPlus ju sjell pamjet e postuara nga vet grimeri kosovar Arbër Bytyqi./KultPlus.com

Në Los Angeles u dha premiera e filmit “Doctor Sleep”

Një betejë për jetë a vdekje Filmi i ri i titulluar “Doctor Sleep” vazhdon tregimin për personazhin Danny Torrance 40 vjet pas qëndrimit të tij në hotelin e tmerrshëm Overlook, në filmin e vitit 1980, “The Shining”, shkruan rtv21.tv, transmeton KultPlus.com

Në këtë film të zhanrit triler me skena të mbinatyrshme luajnë: Ewan McGregor, Rebecca Ferguson dhe aktorja e re, Kyliegh Curran. Filmi “Doctor Sleep” u shfaq premierë në Los Angeles, dhe në tepihun e kuq u paraqitën yjet e tij, përfshirë këtu regjisorin Mike Flanagan. Ky film bazohet në romanin e shkrimtarit Stephen King, me po këtë titull, të vitit 2013. Ai është vazhdimësi e filmit, po ashtu të bazuar në romanin e “King, The Shining”, të vitit 1977.

Në film, personazhi Danny Torrance lufton që të gjej pakëz qetësi, por kjo qetësi i prishet kur ai takohet me adoleshenten e guximshme, Abran, e cila ka fuqi të mbinatyrshme. Kur Danny e kupton se e ndan këtë fuqi me Abran, kjo adoleshente e kërkon Dannyn që të kërkojë ndihmë nga ai për ta mbrojtur nga personazhi i pashpirt, Rose dhe ithtarët e saj, të cilët ushqehen me lustrën e personave të pafajshëm, e këtë në kërkim të përjetësisë. Kështu, Danny dhe Abra angazhohen në një betejë brutale për jetë a vdekje me Rose.

Në rolet tjera në film përfshihen aktorët Carl Lumbly, Zahn McClarnon, Emily Alyn Lind, Bruce Greenwood, Jocelin Donahue, Alex Essoe dhe Cliff Curtis. Filmi “Doctor Sleep”, në kinematë botërore u caktua që të shfaqet nga data 30 tetor 2019

“Rasti i Deharit është në prag, mos ta harrojmë për tri ditë”

Nga Genc Prelvukaj

Për fat të keq, deri më sot jemi treguar si shoqëri që shpejt marrim zjarr dhe pas tri ditësh po atij zjarri i hedhim ujë e akull.
Tani është një kohë ku duhet të mbajmë inat. Inat që na gërryen për t’i shtyrë gjërat deri në fund.
Kemi një milion shembuj që jemi kalbur nga brenda. Kemi lejuar si shoqëri që gjërat të marrin për mbrapshtë. Para syve na është krijuar një hallkë që ka dhunuar rendin juridik. Para syve na janë ngritur e fuqizuar individë e bashkësi me aktivitet të jashtëligjshëm dhe akterë politikë të cilët përmes korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrave kanë arritur fuqi dhe vëmendje. Gjithnjë duke e dëmtuar rëndë shtetin.
Por e kemi një rast të ndërrojmë lëkurë.
E kemi një moment ku mund t’i japim kthesë ngritjes së vendit.
Rasti i Deharit është në prag. Mos ta harrojmë për tri ditë. Duhet t’i shkojmë deri në pikën e fundit.
Kështu fillimisht drejtësinë e çojmë në vend, pastaj hapim shtigje të reja për të krijuar një rregull të ri. Një shtet të mirë. / KultPlus.com