Zemra e pushtetit është e korruptuar

Një motoçikletë ushton në sallën e Teatrit Kombëtar në Prishtinë dhe ndalon në cep të skenës. Mbi motoçikletë është i ulur një vrasës, që shtie disa herë me armë në njërin prej aktorëve. Kjo skenë është pjesë e shfaqjes “Sfinga e gjallë“ bazuar në dramën me të njëjtin titull, të shkruar më 1974 nga Rexhep Qosja, mbi praktikat gjakmarrëse në Shqipërinë rurale. Teksti origjinal është adaptuar e freskuar nga regjisorja Blerta Neziraj dhe shfaqja tani flet për vrasjet politike në Kosovë brenda viteve 1998 – 2001. Vrasësit dhe urdhëruesit e tyre në këtë trajtim teatror mund të dëfrehen nga mungesa e drejtësisë.

Ky version teatror qëndron afër realitetit. Brenda inskenimit është sajuar një dritare intervistash, në të cilën për çdo reprizë anëtarët e viktimave të vrasjeve politike raportojnë live nga skena për raste individuale. Kësaj radhe ishte Kastriot Imeri, djali i mësuesit Haki Imeri, shkruan sot Koha Ditore.

“Babai im u rrëmbye saktësisht sot para 20 vjetëve, më 2 nëntor 1999, duke u kthyer nga shkolla në shtëpi, pastaj u vra”, thotë Kastriot Imeri menjëherë pas shfaqjes. Haki Imeri i përkiste krahut paqësor të lëvizjes për pavarësi të Kosovës. Kurse për krahun e luftës, njerëz si ai konsideroheshin pa dyshim armiq. Ja pse Imeri vrasësit dhe urdhëruesit e tyre i kërkon në radhët e nëntokës së shërbimit sekret SHIK e të milicisë së atëhershme. Njëra nga figurat kryesore të nëntokës ishte edhe Hashim Thaçi, atëherë i dalë nga radhët e UÇK-së, kurse sot është president i Republikës së Kosovës.

“Për mua ishte mjaft prekëse të flisja këtu në teatër për babanë tim. Shumë prej spektatorëve nuk kishin lindur në atë kohë, dhe është e rëndësishme që këto histori të ngelin të njohura“, thotë Imeri. Përreth tij, në hollin e Teatrit Kombëtar, u mblodhën edhe anëtarë tjerë të viktimave të vrasjeve politike të asaj kohe. Vëllai i Liridon Dajakut, Besimi, ishte truproja e presidentit të parë të emëruar të Kosovës, Ibrahim Rugova. Gjithashtu edhe ai, sikurse viktima e vrarë Haki Imeri, i përkiste krahut paqësor – e për këtë arsyeje ishte vrarë nga trupa vrastare e SHIK-ut. Liridon Dajaku, siç rrëfen, ishte edhe vetë dëshmitar skene për fatin e vëllait të tij.

Shtjellimi i konflikteve të brendshme kosovare është një hap i ri për teatrin në Kosovë. Produksionet kritike e synojnë paraprakisht problemin e pranishëm të korrupsionit. Gjithashtu të përfshirë janë edhe administratorët e BE-së, duke e trashur peshën e tyre. Të godasësh në zemër të pushtetit është diçka e re. “Vite më parë nëpër kafene nuk guxohej të përmendej fjala e shërbimit sekret SHIK“, thotë Dajaku. “Lëre më të përdorej nga aktorët në skenë. Madje regjisori i një shfaqjeje të tillë mund të ishte vrarë“.

Megjithatë, Blerta Neziraj, krijuese e teatrit nga skena-off e Prishtinës, në angazhimin e saj të parë në Teatrin Kombëtar guxoi ta bënte një gjë të tillë. Kjo është një shenjë drejt ndryshimit. “Sfinga e gjallë” ishte përfshirë edhe në programin e festivalit “Kosovo. Theatre Showcase 2019”, që u organizua në fillim të muajit jo vetëm në Prishtinë. “Në të vërtetë skena alternative është e kufizuar në Prishtinë. Prandaj kemi dashur t’i prezantonim edhe teatrot nga qytetet e tjera të Kosovës, sivjet Ferizajn dhe Gjilanin, si dhe Teatrin Kombëtar në Prishtinë, që është po ashtu i dhënë pas temave politike”, tregon Jeton Neziraj, dramaturg dhe drejtor i “Qendrës Multimedia”, kompani e pavarur teatrore, që e organizoi festivalin për here të dytë. Neziraj po ashtu ishte i pranishëm me produksionet e veta.

“Hipokritët ose pacienti anglez” për bazë merr temën e kontrabandës së organeve dhe të korrupsionit në nivelin shëndetësor. Në “Pesë stinët e armikut të popullit” trajtohet fati i planifikuesit urban në Prishtinë, Rexhep Luci, i vrarë në vitin 2000, duke rezistuar pa sukses përballë mafisë ndërtimore në vend. Luci kishte planet e tija mbi zhvillimin urban, që përfshinin parqe dhe transportin publik, por mafia e ndërtimit i del përballë. Dhe ata e vranë. Shfaqja rrëfen izolimin në rritje të planifikimit të qytetit. /KultPlus.com

“Një buzëqeshje nuk kushton asgjë, por dhuron shumë”

Thënie nga Dale Carnegie

Dale Carnegie ka qenë shkrimtar, gazetar, psikolog, edukator. Ai ka besuar se nuk ekzistojnë njerëz të këqij në botë, por vetëm se ekzistojnë rrethana të pakënaqshme të cilat mund të mposhten pa ia prishur dikujt tjetër jetën apo pa ia marrë shpirtin.

Këto janë gjërat që ai më së shumti i ka theksuar në librat dhe ligjëratat e tij.

– Çdo njeri është budalla për të paktën pesë minuta çdo ditë. Mençuria është të mos e kaloni këtë limit kohor.

– Një buzëqeshje nuk kushton asgjë, por dhuron shumë.

– Kur jeta të jep limonë, bëje një limonadë.

-Qëndroni të zënë. Ky është lloji më i lirë i ilaçeve që ekziston në tokë – dhe një nga më të mirët.

– Çdo ditë është jetë e re për një njeri të mençur.

– Mos u frikësoni nga armiqtë që ju sulmojnë. Frikësohuni nga miqtë që ju lavdërojnë.

– Frika nuk ekziston askund tjetër përveç se në mendje.

– Dëshira e fortë për të mësuar diçka është 50 për qind e suksesit.

– Shtiruni sikurse jeni të lumtur dhe kjo do t’ju bëjë të lumtur. /KultPlus.com

Mediet gjermane: Frizeri i pestë më i mirë në botë grumbullon fonde për Shqipërinë

Një ndër frizerët më të mirë në botë ka filluar grumbullimin e fondeve për të dëmtuarit nga tërmeti 6.4 ballësh në Shqipëri, ku 50 qytetarë humbën jetën dhe qindra të tjerë u lënduan, raporton portali “Front Online”.

Arben Lumi para tri viteve ishte shpallur frizeri i pestë më i mirë në botë, përderisa në qytetin ku jeton në Gjermani ka filluar aksionin humanitar, raportojnë sot mediet gjermane.

Arben Lumi është me prejardhje nga Komuna e Suharekës, i cili në moshën 13 vjeçare bashkë me familjen kishin emigruar në Gjermani. /KultPlus.com

Ministria e Kulturës e Shqipërisë ndalon hyrjen në dy kalatë e dëmtuara

Pas tërmetit ndalohet hyrja e vizitorëve në kalanë e Krujës dhe te ajo e Prezës. Ministria e Kulturës dhe Drejtoria e Kulturës Kombëtare Tiranë lajmëron se tërmeti i 26 nëntorit ka shkaktuar dëme të rënda në monumentet e kulturës së zonës, sidomos në kalanë e Prezës dhe të Krujës.

“Hyrja në këto kala është rreptësisht e ndaluar në radhë të parë për të garantuar jetën tuaj dhe për të mos dëmtuar më shumë monumentet”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës. Në njoftimin e saj, ministria shprehet se nuk mban përgjegjësi kush nuk zbaton këtë udhëzim. “Ministria e Kulturës dhe Drejtoria e Kulturës Kombëtare Tiranë, nuk janë përgjegjëse për çdo pasojë nga thyerja e këtij udhëzimi. Ruajeni jetën tuaj. Ju falënderojmë për mirëkuptimin”, thuhet në njoftimin e ministrisë. Bazuar në të dhënat historike, kalaja e Durrësit është e shekullit të V-të.

Kalaja u ndërtua nga perandori i perandorisë Bizantine. Kalaja e Krujës, e njohur për vlerat e saj në trashëgiminë kulturore, është ngritur në një kodër shkëmbore. Kjo kala me trajtë eliptike dhe me perimetër 804 m, zë një sipërfaqe prej 2.5 ha tokë dhe është ngritur në një kodër shkëmbore. Gërmimet arkeologjike të vitit 1978 dëshmojnë se kodra ka qenë e banuar që në shek e III p.e.r. ndërsa kalaja është ngritur në shek. V-VI e.r. Pranë saj është zbuluar një varrezë e madhe e kulturës arbërore. Përmendet me emrin e sotëm në shek e IX bashkë me qytetin e Krujës si qendër peshkopale. Në shek XIII-XIV ishte qendra e shtetit të Arbrit. Gjatë periudhës së Skënderbeut u bë krye-fortesa e qëndresës së shqiptarëve kundër pushtimit osman.

Në kalanë e Prezës, kemi katër faza të ndryshme ndërtimi. Periudha e parë lidhet me fortifikim e kalasë, e dyta lidhet me rindërtimin e mureve rrethuese, e treta ka të bëjë me ndërtimet që janë bërë brenda mureve rrethuese, kurse faza e katër lidhet me ndërtimin e një kulle sahati që nuk ka të bëjë me sistemin fortifikues, por i përket një periudhe të mëvonshme. Për dëmtimet që kanë pësuar këto kala, më herët kanë reaguar dhe specialistë të njohur të trashëgimisë kulturore, që kanë kërkuar të ngrihet një grup ekspertësh për të parë dëmtimet dhe për të përcaktuar ndërhyrjet. /KultPlus.com

Aleanca për Teatrin: Ndërtojmë kontenierë me paratë e mbledhura

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, për t’u ardhur në ndihmë të prekurve nga tragjedia e tërmetit të datës 26 nëntor, prej katër ditësh po punon intensivisht në mënyrë vullnetare, mbështetur nga një ekip rreth 200 qytetarësh, për mbledhjen e dorëzimin e ndihmave humanitare. Përmes një njoftimi për mediat ata thanë mbrëmë se me kontributin e mbi 9000 personave, janë mbledhur e dorëzuar mbi 40 ton ushqime, veshmbathje, batanije e dyshekë, me mbi 20 kamione e dhjetëra furgonë, fuoristrada, vetura.

Dje në mbrëmje, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit vendosi me unanimitet që, ato pak para që janë siguruar nga donacionet monetare të qytetarëve, regjistruar me transparencë, të shfrytëzohen për ngritjen e kontejnerëve – SHTËPIVE PAS-TËRMET TË PËRKOHSHME deri në rindërtimin e shtëpive, si model që ne e sugjerojmë të ndiqet nga qeveria dhe gjithë donatorët.

“Këto shtëpi mundësojnë që të prekurit nga tragjedia e tërmetit të mbeten në shtëpinë e truallin e tyre, në kontakt me pronën e tyre, në gjendje pune, gati për të filluar jetën pas-tërmet. Ne bëjmë të ditur me këtë rast që në kemi bërë porosinë për disa kontejnerë-shtëpi të tilla dhe porosia do te kryhet e dorëzohet pas disa ditësh” thuhet në njoftim.

Në ditët në vijim ata do të japin detaje mbi procesin e realizimit, vendosjes dhe vendndodhjes së këtyre njësive banimi. Në foto është modeli i njësisë.
Aleanca një grupim artistësh e qytetarësh, mbron teatrin nga vendimj i qeverisë për ta shembur që prej shkurtit 2018. Prej datës 24 korrik kur patën përplasje fizike me policinë ata kamë organizuar festival për mbrojtjen e teatrit dhe kanë vënë në skenë çdo javë shfaqje e takime letrare e kulturore si edhe ekspozita. /KultPlus.com

Esat Pashë Toptani: Nuk besoj në krijimin e një shteti shqiptar!

Nga: Aurenc Bebja

“L’Echo de Paris” ka botuar, të martën e 25 marsit 1913, në faqen n°3, intervistën e Esat Pashë Toptanit, dhënë asokohe gazetës greke “L’Acropolis” në lidhje me opinionin e tij mbi krijimin e një shteti të pavaur shqiptar, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Intervistë e Esat Pashës për shtetin e ardhshëm shqiptar

Athinë, 24 mars.

 “L’Acropolis” boton një intervistë me Esat Pashën. I pyetur se çfarë mendon mbi formimin e shtetit shqiptar, ai u përgjigj :

 “Unë mendoj se një shtet i tillë, midis Malit të Zi, Serbisë, Bullgarisë dhe Greqisë, kurrë nuk do të mund të jetojë : mosbindja është diçka e pranishme në mesin e shqiptarëve; ata duan rrëmujën dhe vjedhjen. Si do të mund të jetojë ky popull, me të meta të tilla, të paditur, pa civilizim dhe mysliman ?

 E rrethuar nga elementë të një race dhe feje tjetër midis kombeve të përparuara në civilizim dhe artin ushtarak, Shqipëria është një Turqi e vogël. Kur një Turqi e madhe nuk mundi të jetonte në Evropë, si mund të rezistojë një Turqi e vogël si Shqipëria ?

 Nëse Austria dhe Italia, vazhdoi Esat Pasha, kërkojnë të krijojnë një Shqipëri të pavarur, ato humbin kohën e tyre, por nëse kërkojnë të krijojnë një provincë austro-italiane, atëherë këto fuqi do të mbështesin këtë shtet të vogël, por pa dobi do të kërkojmë në të ardhmen shtetin shqiptar. (Havas) /KultPlus.com

”Mbretëria e Maceve” ekspozita që shpalos revoltën e brendshme të Arian Berishës

Xhemile Hysenaj

”Ne ishim të bllokuar në banesat tona gjatë luftës. Shikoja nga dritarja dhe shihja shumë mace-ato po shijonin lirinë që kishin. Ato po luanin dhe shëtisnin lirshëm. Ato nuk kishin rrezik identiteti dhe nuk ishin në rrezik nga forcat policore. Mendova me vete: Pse une nuk jam mace? – Më lindi një ide. Të bëjë një cikël pikturash dhe ta quaj ”Mbretëria e Maceve. Mendoj se kjo është një lloj filozofie. Këto mace nuk janë mace, po jam unë dhe familja ime dhe gjithë njerëzit që njoh”

Këto ishin fjalët e Arian Berishës që vareshin në njërën nga hapësirat e Galerisë Kombëtare të Kosovës, që mbrëmë ishte hapur për të nderuar figurën e artistit katër vite pas vdekjes së tij.

”Mbretëria e Maceve” titullohej ekspozita e cila mbrëmë u hap zyrtarisht në Galerinë Kombëtare të Kosovës, ekspozita ishte realizuar nga kuratori James Walmsley.

Autori në veprat e tij paraqiste herë shumë mace në një vend, herë ndonjë mace të vetmuar. Vërehej revolta e tij shpirtërore pasiqë disa prej punimeve ishin realizuar gjatë kohës së luftës, ku të vetmet qenie të lira sipas autorit ishin macet, kështu përmes tyre autori personifikonte ndjenjat më të fuqishme që i ndjente ai në atë kohë.

Të pranishëm ishin shumë artdashës e shumë artistë, të cilët kishin ardhur për të parë e nderuar punën e mikut dhe kolegut të tyre, tashmë të ndjerë.

Artistja Lumjetë Havolli deklaroi se veprat e Arianit i kanë pëlqyer gjithmonë. ”Nuk e kam njohur Arianin personalisht por punimet e tij gjithmonë kanë qenë mbresëlënëse dhe të këndshme për tu parë”, potencoi ajo për KultPlus.

Ndër të tjerash, organizatorët kishin përgatitur edhe një video ku shfaqeshin profesorët e kolegët e Arianit, tek flisnin rreth tij dhe rreth artit të tij.

Arta Agani, drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës tregoi se e mbante mend Arianin si një Yll të gjeneratës edhe pse personalisht nuk e kishte njohur. ”Kolegët e mi shpesh thonin se ndonjëerë kanë mësuar më shumë nga Ariani sesa nga profesorët. Unë nuk jam piktore, por kam një admirim të madh për punën e Arianit, shihet një revoltë që e ka pasur ai sepse shumica e artit të tij është pikturuar gjatë luftës. Ariani ka qenë një shpirt i ndjeshëm”, u shpreh ajo më tutje për KultPlus.

Pikturat e Arianit ishin të gjalla në intensitetin dhe brutalitetin e tyre dinamik dhe agresiv, shprehnin një revoltë të brendshme që dukej se ishte grumbulluar aty prej kohësh. Disa mace të zeza shprehnin jo një gjë të keqe, por një nevojë për lir.

”E kam takuar Arian Berishën gjatë vizitës sime të parë në Kosovë, në vitin 2005. Atë e njoha përmes një shokut tim, Ismet Jonuzit, i cili më kishte thënë se Ariani ishte piktori më i mirë kosovar. Menjëherë u impresionova nga pikturat e tij por edhe nga vetë Ariani. Unë e doja Arianin dhe artin e tij, për mua këto dy gjëra ishin të pandashme, Ariani ishte vetë arti i tij. Ai ishte plot pasion, energji dhe shkatërrim”, shprehej kuratori i ekspozitës James Walmsley.

James poashtu shprehej se nuk ka rëndësi mendimi i tij për Arianin, pasiqë sipas tij faktet na rrethojnë dhe na tregojnë mjaftueshëm.
Sipas tij arsyej pse ai kishte vendosur ta bënte këtë ekspozitë ishte se Ariani dhe veprat e tij do të inspironin artistët kosovarë.

E pranishme ishte edhe artistja Zake Prelvukaj, e cila për KultPlus u shpreh të ketë nja admirim të veçantë për punën e Arianit. ”Arianin e kam njohur prej hapave të tij të parë në fushën e artit, ka qenë një student shumë i mirë, djali i pashëm dhe njeri i mirë. Punimet e tij janë shumë të mira, ka arritur që përmes macës së zezë të paraqes të gjitha mendimet e tij”, deklaroi ajo për KultPlus.

Ekspozita ishte nën përkrahjen e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit, ndërsa pritet të qëndrojë e hapur për artdashësit deri me datën 14 dhjetor të këtij viti. / KultPlus.com

Në çdo zjarr të mjerimit, dikush çdo herë i ngroh duart

Shpeshherë ndodhë që shumë prej nesh pyesin se si të ndihmojmë të tjerët. Pyesin se si mund të jenë të dobishëm, si të shërbejnë… Kjo pyetje lind më shpesh gjatë një krize personale, profesionale, familjare e shoqërore, kur i ashtuquajturi “kuptimi i jetës” paraqitet në mënyrë të brishtë.

Mirishahe Limani Hiler

Dr. Katherine Nelson, psikologe në Universitetin e Southern Tennessee të SHBA-së ka udhëhequr një grup shkencëtarësh, me të cilët mori përsipër të zbulojë nëse përqendrimi tek vetja është më i dobishëm për individin dhe shëndetin emocional të tij, sesa përkushtimi ndaj të tjerëve. Studimi ka nxjerrë si përfundim se njerëzit që përqendrohen tek vetja, nuk kanë prirje të ndjejnë më shumë emocione pozitive. Ndërsa, ata që kujdesen vazhdimisht për të tjerët, janë më të përmbushur emocionalisht.

“Aktet e bujarisë ndaj të tjerëve stimulojnë trurin të lëshojë dopaminën, një neurotransmetues që na bën të lumtur dhe madje euforik.  Edhe ngrënia e një çokollate gjithashtu çliron dopaminën, por nuk fshin emocionet negative. Sidoqoftë, ky studim ka treguar se gjestet bujare lëshojnë dopaminën dhe ulin emocionet negative, duke e bërë këtë moment gëzimi më të qëndrueshëm”.

Është mjaft befasuese, madje edhe e mrekullueshme që në një botë shpeshherë cinike dhe të ngurtësuar, si e jona, ata që admirojmë më shumë dhe madje i nderojmë, nuk janë njerëzit që mund t`i mendojmë si të suksesshëm e që kanë pasuri të jashtëzakonshme. Thellësisht e realisht, ne nderojmë veprat e individëve siç janë, Nënë Tereza, Dalai Lama, Gandhi, Nelson Mandela.

Pse ndodhë kështu? Të lartpërmendurit i njohim si janë njerëz të mirë dhe për këtë shkak, mbase zemrat tona gëzohen e ngazëllohen në praninë e tyre apo veprave të tyre. Thjesht, ata na bëjnë të ndihemi mirë si njerëz.

Secili prej nesh, duke qenë qenie e vetëdijshme njerëzore, në një formë, apo në një tjetër, jemi të krijuar që të bëjmë mirësi. Dikush bënë për Zotin, dikush për Krishtin, dikush për të bërë të tjerët të lumtur, dikush për butësi, urtësi, mirësjellje, dhembshuri, përkujdesje…

 Cili është përdorimi kryesor i një veprimtarie vullnetare?

Për sociologun Sandro Cattacin nga Universiteti i Gjenevës, përdoromi kryesor i një veprimtarie vullnetare, është  një ekuilibër i mirë kolektiv dhe individual. “Përveç kryerjes së detyrave sociale me rëndësi të mëdha, të tilla siç është ndihma ndaj njerëzve në vështirësi, vullnetarizmi apo puna vullnetare u mundëson individëve të rimarrin qetësinë, stabilitetin dhe kështu t’i japin kuptim jetës.”

 Thirrja për dhembshuri është e ngulitur në ADN-në tonë njerëzor.

Lirisht mund të themi se jemi të krijuar që të ndjejmë shqetësim për të tjerët. Kur keni bërë diçka të mirë falas, kur keni qenë i mirë me dikë kur ishte e nevojshme, cili prej jush e ka ndier një ngrohtësi të mrekullueshme brenda vetvetes? Në këtë rast ndihesh vërtet mirë.

Në të kundërtën, kur keni bërë diçka të gabuar, trupi juaj ju tregon. Ju e ndjeni atë…  Zemërimi, pakënaqësia ndikojnë tek ju… Presioni juaj i gjakut rritet, thonë mjekët, sepse vet natyra jonë është e tillë.

Sot, në rastin konkret të nevojave që shfaqen pas dëmeve nga tërmetet në Shqipëri, a doni të shihni vepra të mira për ata që janë në nevojë, në vend të abuzimit?  A doni të shihni paqen, mëshirën? Pothuajse edhe në të gjitha religjionet thuhet njëzëri: “Lum ata që janë luftëtarë për drejtësi, lum ata që kanë një zemër të pastër, lum ata që sjellin paqe e dashuri”.

Fatkeqësisht në çdo zjarr të mjerimit dikush çdo herë i ngroh duart.

Medoemos, poqë se jemi të krijuar që të jemi njerëz të mirë, duhet pra të jemi të sinqertë.  Si njerëz, ne jemi gjithashtu të aftë për egoizëm, zili, vrasje. Ne nuk kemi asnjë problem t’i injorojmë të varfrit, vuajtjet, të pastrehët.  Dhe kjo është dilema jonë.

“Ne duam të besojmë në mirësinë themelore të njeriut, por shumë shpesh shpresa jonë shpartallohet nga veprimet egoiste dhe të dhunshme brenda familjes sonë njerëzore”, thuhet në sociologji.

Sfida jonë është dhembshuri apo egoizëm? Pikërisht këtu qëndron problemi. Ne njerëzit kemi dy natyra që bien ndesh me veten tonë.  Një pjesë prej nesh është shumë e përqendruar në vetvete, e përqendruar në atë që na sjell dobi personale edhe nëse kjo është në dëm të të tjerëve. Pjesa tjetër e jona dëshiron të sakrifikojë sinqerisht veten për të tjerët, pa asnjë zhurmë. Ne qeniet njerëzore kemi një konflikt të brendshëm që mbretëria e kafshëve nuk e njeh.

Por ka një zgjidhje. Gjysma jonë e mirë gjithmonë mund të fitojë. Mund të fitojë jo vetëm nga forcat tona pozitive por ekziston një përparësi në njohjen e dashurisë.  Kur e jetojmë dashurinë,  ajo na sjell përtej përkufizimeve tona njerëzore dhe gjithçka mund të tejkalojmë mirë. /MediaFokus /KultPlus.com

Vinca: “NI ZO I LIRË” e paraqet Demaçin jo si një figurë të madhe unifikuese të Kombit, por si një patriot lokal

Nga Agim Vinca

Kështu shkruan në hyrje të sallës në të cilën më 28 nëntor të këtij viti u hap ekspozita me sendet personale të veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare shqiptare, Adem Demaçit.

Është mirë që edhe në këto ditë zie për shqiptarët, kujtohet e nderohet Njeriu që tërë jetën ia fali Kombit të vet, qoftë edhe me një ekspozitë modeste.

Nuk po flas për ekspozitën në përgjithësi, e cila lë për të dëshiruar, por për titullin e saj, që është jo vetëm i paqëlluar, por edhe paradoksal.

“NI ZO I LIRË”!

Ky titull, që është një përzierje e zhargonit popullor me gjuhën e adoleshentëve tanë, e paraqet Adem Demaçin jo si një figurë të madhe unifikuese të Kombit, por si një patriot lokal.

Adem Demaçi nuk bëri 28 vjet burg për të qenë “ni zo” e as “nji zâ”, por ZËRI i vërtetë, I LIRË, përbashkues e vizionar i të gjithë shqiptarëve, kudo që janë.

Ai ishte Zëri që guxoi të thoshte gjashtëdhjetë e sa vjet më parë se “nëse Serbia e Jugosllavia nuk heqin dorë nga okupimi i Kosovës, atëherë nuk do të ketë paqe në Ballkan, në Jugosllavi e as në Serbi”.

Vetëdija e tij ishte vetëdije mbarëkombëtare, e jo shprehje e ndarjeve politike të tokës së copëtuar shqiptare.

Adem Demaçi ishte mbështetës i madh i gjuhës së përbashkët letrare shqipe, të cilën e fliste dhe e shkruante për mrekulli.

Ndër punët e para që bëri pas daljes nga burgu në vitin 1990, ishte kthimi në gjuhën standarde i kryeveprës së tij, romanit “Gjarpijt e gjakut”, i cili në botimin e rishikuar tridhjetë e sa vjet pas botimit të parë (1958), do të mbajë titullin: “Gjarpinjtë e gjakut”.

Në shënimin e vënë në fund të veprës, autori thekson se ky është “versioni autentik i tekstit të romanit”.

Të gjitha veprat që shkroi e botoi më vonë: nga “Libër për Vetmohimin” (1994) deri te “Alb Prometeu” (2012), i shkroi në gjuhën e njësuar shqipe, duke ruajtur aty-këtu vetëm ndonjë trajtë dialektore për ngjyrim ambiental.

Njeriu që në vitin 1958 themeloi organizatën politike me emrin Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve (LRBSH), kurse në gjyq mbrojti fuqishëm idenë e bashkimit të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi me shtetin amë, Shqipërinë, nuk mund të shenjohet në vitin 2019 me sloganin arkaik, që i vjen era myk: “Ni zo i lirë”!

Adem Demaçi nuk është: “Ni zo i lirë”, por NJË ZË I LIRË!, më i liri, më i artikuluari dhe më vizionari ndër shqiptarë për gati një shekull të tërë.

Ç’është ky “zo”, që krejt ndryshe nga Adem Demaçi dhe dishepujt e tij, i kthen prapa shqiptarët, ”në kohën e baba Qemos” dhe e cenon tiparin themelor të identitetit të tyre, gjuhën shqipe?

Nuk besoj se është bërë në shenjë solidarizimi me të ashtuquajturin “identitet i ri”, siç do të dëshironin disa individë dhe grupe të caktuara, por besoj nga nguti dhe pakujdesia.

Jam i bindur se po të ishtë gjallë Baca Adem, me gjithë zemërgjerësinë që e karakterizonte, nuk do të pajtohej që ekspozita e tij të pagëzohej ndryshe, pos në gjuhën letrare kombëtare.

Nga ekspozita shihet se “Baca” edhe letrat familjare i shkruante në gjuhën letrare. “E dashur motër” – shkruan ai në letrat dërguar të motrës nga burgu, ndërsa në ballë të ekspozitës qëndron trajta e shtirë: “NI ZO I LIRË”!

Ditën që me një mikun tim, ish-i burgosur politik dhe bashkëveprimtar i Bacës Adem, e vizitova ekspozitën në fjalë, kishin ardhur në vizitë një grup nxënësish nga Ferizaj me arsimtarin e tyre kujdestar. Mund ta merrni me mend se ç’efekt bën në sytë e shkollarëve dhe ç’konfuzion krijon në mendjet e tyre pëlhura me shkronjat: “NI ZO I LIRË”!

Përse kjo gjuhë portalesh në një institucion serioz si Muzeu i Kosovës dhe, për më keq, nën firmën e “bacës Adem”?

Adem Demaçi nuk është figurë lokale, por personalitet i përmasave të mëdha, kombëtare e ndërkombëtare, prandaj ai nuk mund të nderohet me gjuhë të stërkequr, që nuk është, madje, as gegërishtja letrare e kohës kur doli në skenë ai.

Ekspozitën e Adem Demaçit në Muzeun e Kosovës e kanë përgatitur familjarët e tij. Mirëpo Adem Demaçi, sikurse edhe personalitetet e tjera të mëdha të historisë dhe kulturës kombëtare, nuk i takon vetëm familjes së vet, por mbarë kombit shqiptar. Prandaj, për trashëgiminë e Adem Demaçit duhet të kujdeset një ekip a institucion i përbërë nga njerëz kompetentë, që e njohin mirë jetën dhe veprimtarinë e tij, në radhët e të cilëve duhet të ketë bashkëluftëtarë dhe bashkëvuajtës të tij (nga ata që janë gjallë), por edhe historianë, politikologë, sociologë, filozofë, juristë e të tjerë, pa harruar kurrsesi as studiuesit e gjuhës dhe të letërsisë shqipe. / KultPlus.com

Skeleti me monedhë për pagesë të transportit në botën nëntokësore

Në Gjela (Gela) të Sicilisë në Itali, gjatë punimeve në vendosjen e gypave të sistemit të gazsjellësit rastësisht u zbulua një varr, brenda të cilit ishte skeleti i një të ndjeri që në gojë kishte një monedhë, që sipas besimeve mitologjike të grekëve të lashtë ishte e destinuar për pagesë Karonit, i cili me barkën e vet i transportonte shpirtrat e të vdekurve nga bota e të gjallëve në botën nëntokësore Had, matanë lumenjve Akeron, Stiks dhe Kokit.

Monedha, që në mitologji njihet si “monedha apo oboli për Karonin” – e cila kishte qenë e vendosur në gojë të të ndjerit dhe ishte gjetur në brendi të kafkës (të thyer në këtë rast nga rënia e pjesëve të kapakut) – ende nuk është analizuar dhe datuar, por në të njëjtin vend është gjetur një pjesë enë prej argjile të ngjyrosur me ngjyrë të kuqërremtë që i përket periudhës helenistike, respektivisht shekullit IV p.e.s. që për momentin, bashkë me disa enë të vogla kozmetike për ruajtjen e parfumeve me cilësi të njëjta, janë elemente të vetme relevante në të cilat mund të mbështetet datimi i këtij zbulimi, meqë nuk është gjetur asnjë pajisje tjetër funerale me të cilat përcilleshin të ndjerët në varr.

Futja e monedhës në gojë të të ndjerit kishte pasur rol e domethënie të veçantë në mitologji greke, kështu që fill pas vdekjes, në kuadër të riteve përgatitore për varrim, kufomës i futej në gojë një monedhë e metaltë dhe i mbyllej goja para së të bllokohej mandibula, me qëllim që monedha të mos bjerë dhe të humbë gjatë varrimit e rrugëtimit drejt botës nëntokësore. Sipas besimeve mitologjike shpirti i të ndjerit shkonte nga kjo botë përmes lumit Akeron në mbretërinë e të vdekurve nën sundimin e hyjit Had.

Sipas besimeve të grekëve të lashtë, shpirtrat e të vdekurve matanë lumit i bartte me barkë demoni Karon, i cili për këtë shërbim kërkonte një pagesë simbolike, respektivisht një monedhë me vlerë të vogël (gr.obolos). Ai në mitologji paraqitej si plak i fortë me flokë të shprishura, mjekër të thinjur i veshur me lecka të ndyra dhe me kapele marinarësh në kokë. Me barkën e tij të ndryshkur ai i bartte shpirtrat e të vdekurve përtej lumenjve Akeron, Stiks e Kokit deri tek hyrja në Had, por ata që nuk ishin të varrosur me rite përkatëse dhe ata që nuk kishin monedhë për ta paguar udhëtimin, i linte pa mëshirë në breg të lumit duke pritur me shekuj të tërë. /Naser Ferri /KultPlus.com

Fotografitë e rralla historike që tregojnë një anë të pazakontë të së kaluarës

Shumica prej nesh, shpesh kemi ëndërruar për një makinë kohe, të shohësh të kaluarën me syrin tënd është shumë më ndyrshe sesa ta njohësh atë përmes librave, filmave apo fotografive, shkruan KultPlus.

Mirëpo, shpesh mënyra më e lehtë ta njohësh të kaluarën eshtë përmes fotografive. Në vijim mund të shihni disa prej fotografive më të pazakonta që shpalosin historinë e së kaluarës.

Gratë të cilat i pikturonin këmbët, në vend se të blinin çorape, 1941.

Rojtari i kopshtit zoologjik duke u bërë dush pinguinëve.

Një makinë e cila mund të rruaj një duzinë burra në të njëjtën kohë,1960

Një bibliotekë lëvizëse, 1930

Një makinë cigaresh e cila dhuronte cigare të ndezura, 1931

Një dentist duke kontrolluar një vajzë brenda klasës në shkollë

Biçiketa  e cila mund të drejtohet në tokë edhe në ujë, 1932. / KultPlus.com

Ja pse serbët i armatosën shqiptarët në vitin 1912

Në vitin 1912, serbët kishin pajisur shqiptarët me armë, në mënyrëqë këta të fundit të vrisnin serbët lokal e kështu të krijohej arsye për të ndërhyrë forcat ushtarake serbe, shkruan KultPlus.

Historiani Frashër Demaj, përmes një postimi në llogarinë e tij personale në Facebook, ka treguar se ka hulumtuar dokumentet diplomatike të Britanisë së Madhe, ku ka parë se qeveria e Serbisë i ka dhënë armë falas shqiptarëve në Kosovë për t’i frikësuar e vravë serbët lokal.

Kjo del të jetë në raport të zv.konsullit Harry Llamp dërguar Ministrisë së Jashtme.

Statusi i plotë:

”Duke studiuar dokumentet diplomatike të Britanisë së Madhe: Nën konsullata e Mbretërisë së Bashkuar.

Selanik më 17 shtator 1912

Raport i zv. konsullit Harry Llamb dërguar Ministrisë së Jashtme në të cilin në mes tjerash thuhet:

… Qeveria e Serbisë u ka dhënë armë falas shqiptarëve në Kosovë për t’i frikësuar e vrarë serbët lokal në mënyrë që të krijoj pretekst për të ndërhyrë ushtarakisht duke i akuzuar shqiptarët se po vrasin e masakrojnë popullsinë sllave në Kosovë.” / KultPlus.com

Kupola e kishës “San Gaudenzio” në Itali ndriçohet me ngjyrat e Shqipërisë

Tërmeti i së martës ka solidarizuar shtete të shumta nga të katër anët e botës në mbështetje të Shqipërisë në këtë dhimbje të madhe që ka përjetuar gjatë këtyre ditëve.

Një gjest i tillë mjaft domethënës dhe me një vlerë të veçantë në një situatë të tillë ka ndodhur dhe në qytetin e Novarës në Itali.

Kupola e kishës “San Gaudenzio” në këtë qytet është ndriçuar me ngjyrat e Shqipërisë. Ajo do të përndrijë kështu deri të dielën.

“Një gjest simbolik i bashkisë sonë për të shprehur solidaritetin e plotë me atë që po përjeton Shqipëria”, shprehet kryebashkiaku Alessandro Canelli.

“Novara shpreh solidaritetin e saj duke ndriçuar Kupolën simbolin e qytetit, me ngjyrat e Shqipërisë”, tha kryebashkiaku Canelli. /atsh/ KultPlus.com

”Kur të kesh humbur çdo fuqi dhe të jesh duke rënë unë do të ndihmoj të qëndrosh në këmbë”

Nga Leonard Cohen

Kur heshtja duket aq e zhurmshme
dhe ti ndjen se vetëm je
ki besim dhe kthehu tek unë
të premtoj aty më ke.

Kur maja të duket e lartë
dhe zbritja është i vetmi kthim
zgjati duart dhe thirrmë
për ty jam gjer në amëshim.

Kur dyert janë mbyllur
dhe ti ndjen trishtim
unë do të të kthej buzëqeshjen
do të bëj të ndjesh gëzim.

Kur të kesh humbur çdo fuqi
dhe të jesh duke rënë
unë do të të ngre dhe jap shpresë
Të ndihmoj të qëndrosh në këmbë.

Dhe kur më në fund të vijë dita
që i lumtur buzë detit të ecësh
kur unë të ndjehem vetëm
shpresoj që ti të më presësh.

Por deri sa ajo ditë të vijë
dhe deri sa ti dritën të gjesh
dëgjoje zemrën, beso në mua
përjetë këtu do më kesh! / KultPlus.com

Luigj Gurakuqi në 1912: Shqiptarët do ta fitojnë pavarësinë ose do të vdesin duke luftuar për të

Nga Aurenc Bebja

“La Petite République” ka botuar, të martën e 19 nëntorit 1912, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me intervistën e Luigj Gurakuqit në gazetën “Neues Wiener Tagblatt”, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar

Deklaratat e një shqiptari të shquar

Vjenë, 18 nëntor

Neues Wiener Tagblatt boton një intervistë të Dr. Luigj Gurakuqit, një shqiptar i shquar, i cili udhëtoi nëpër Vjenë për t’u nisur për në Vlorë.

Çështja e Lindjes nuk do të zgjidhet përfundimisht, thotë ai, nëse Serbia ose Mali i Zi pushtojnë qoftë dhe një pjesë të vetme të Shqipërisë.

Shqiptarët nuk duan të bëhen sllavë, ata duan të jenë të pavarur dhe do ta fitojnë pavarësinë ose do të vdesin duke luftuar për të. / KulPlus.com

https://www.darsiani.com/la-gazette/luigj-gurakuqi-per-neues-wiener-tagblatt-18-nentor-1912-shqiptaret-do-ta-fitojne-pavaresine-ose-do-te-vdesin-duke-luftuar-per-te/

Uk Lushi: Zemra shqiptare nuk është ndarë kurrë

Analisti i njohur nga Amerika dhe ish-pjesëtari i Batalionit Atlantiku të UÇK’së, Uk Lushi ka shkruar se zemra e shqiptarit nuk është ndarë kurrë.

Lushi ka thënë se shqiptarët nuk janë ndarë kurrë, kjo sipas tij është dëshmuar prej se kur i ndanë më 28 Nëntor të vitit 1912.

Ai ka thënë se bashkimi kombëtar mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk duhet të shtyhet më, liderët e politikanët shqiptarë që kanë premtuar këtë dhe janë duke punuar duhet që këtë ta realizojnë.

Postimi i plotë nga Lushi:

Zemra shqiptare nuk është ndarë kurrë.

Kjo është dëshmuar prej vitit kur na ndanë pas shpalljes së mvehtësisë si NJË KOMB dhe SHTET më 28 Nëntor 1912.

Kjo zemër e pandarë u pa sidomos gjatë tragjedisë së tërmetit të këtij nëntori në formën e një referendumi absolut.

Problemi i (ri)bashkimit tonë ka qenë ndarja e mendjeve shqiptare. Koha i ka ardhur bashkimit të mendjeve dhe ato duhet të prodhojnë platformën dhe strategjinë.

Liderët dhe faktorët që kanë premtuar se do të punojnë për bashkimin nuk mund të mbijetojnë dhe do të luftohen me çdo mjet po s’vepruan dhe punuan konkretisht për bashkimin e Tiranës dhe Prishtinës. Liderët e faktorët që do të provojnë ta ndalin apo ndalojnë këtë rezultat natyror do të hidhen në koshin e plehërave historike.

Bashkimi i Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë nuk guxon të shtyhet më shumë se gjysëmdekade.

Ne nuk mund funksionojmë të pabashkuar me zemër dhe mendje. Ne nuk mund të bëhemi të fortë dhe njerëz që krijojnë vlera civilizuese dhe historike pa u bashkuar me shpirt dhe tru. Bashkimi sjell sigurinë, forcimin, mirëqenien dhe pavarësinë. Improvizimet nuk ecin më.. / KultPlus.com

“Gabimi i një doktori varroset në tokë, gabimi i një arkitekti bie në tokë, kurse gabimi i një mësuesi ecën nëpër tokë”

Thënie të pavdekshme nga Dritëro Agolli:

“Gabimi i një doktori varroset në tokë. Gabimi i një arkitekti bie në tokë, kurse gabimi i një mësuesi ecën nëpër tokë”.

“Vetëm gjuha e muzikës, verës dhe dashurisë nuk ka nevojë të përkthehet”.

“Nëse njeriu nuk ndjen as kënaqësi, as dhimbje; nëse nuk ndjen as gaz, as hidhërim, as shpresë, një gjë po jua them me ndershmëri dhe bindje, lëreni të vdesë”.

“Ka fjalë që qajnë dhe lotë që flasin”.

“Për të gjetur miqësinë e vërtetë kapërcehet lumi, për të gjetur dashurinë e vërtetë deti”.

“U zumë të dy aq shumë për punën
Dhe s’flasim dhe s’vemë e s’vijmë!
Eh, budalla!
Edhe dhëmbët zihen me gjuhën,
Zihen dhe bashkë rrinë”.

“Dashuria është një libër që e lexojnë të gjithë, por të paktë janë ata që arrijnë deri në faqen e fundit”.

“Duaje gruan edhe me gabime, ashtu siç do një libër të bukur edhe me gabime shtypi”.

“Dashuria nuk i dhuron, por i jep të gjitha. Ndofta kjo mund të mos jetë e përjetshme, por i përjetshëm mbetet çasti”.

“E vërtetë e pabesueshme
E mbajta në krah tërë ditën
Edhe zemër i dhashë:
‘Mbahu!’
Të nesërmen ne fshat kur arritëm,
U tha te tjerëve:
‘Më rrahu!’”

“Jeta është e vështirë . Po vdekja ? Kur do të kthehet ndonjëri të na tregojë?”. / KultPlus.com

Dritero Agolli portrete, Tirane Albania

Plácido Domingo ndaj akuzave për ngacmim seksual: Gjestet e mia ishin fisnike

Ylli i operës Plácido Domingo ka thënë se akuzat ndaj tij për ngacmim seksual në SHBA kanë qenë “një makth”.

Duke folur për gazetën spanjolle El Confidencial, ai mohoi akuzat, duke thënë se spanjollët janë natyrisht “të ngrohtë, të dhembshur dhe të dashur”, duke shtuar se ai gjithmonë ka qenë “fisnik”, por duke thënë se “gjestet fisnike shikohen ndryshe në ditët e sotme”.

Ishte intervista e parë e tenorit 78-vjeçar që nga Associated Press raportoi për dyshimet për ngacmime seksuale të bëra nga shumë gra kundër tij.

Në gusht, tetë këngëtare dhe një kërcimtare i thanë AP-së se ishin ngacmuar seksualisht nga Domingo në incidente të supozuara që zgjatën tre dekada nga fundi i viteve 1980-ta.

Si përgjigje, Domingo tha: “Pretendimet nga këta individë pa emër që datojnë rreth 30 vjet janë thellësisht shqetësuese dhe siç paraqiten, janë të pasakta”.

“Ende, është e dhimbshme të dëgjosh që unë mund të kem mërzitur ndonjë ose t’i kam bërë ata të ndjehen të pakëndshëm, pavarësisht se sa kohë më parë dhe përkundër synimeve të mia më të mira. Unë besoja se të gjitha ndërveprimet dhe marrëdhëniet e mia ishin gjithnjë të mirëpritura dhe konsensuale”.

Atë muaj e pati edhe performancën e parë në Salzburg që kur akuzat u bënë publike.

Njëmbëdhjetë gra të tjera dolën më pas me të njëjtat akuza. Domingo u tërhoq nga shfaqjet e planifikuara në Met në Neë York dhe dha dorëheqjen si drejtor i përgjithshëm i Los Angeles Opera, të cilin ai e themeloi.

Domingo i tha El Confidencial se ai ndjehej i fortë dhe synonte të vazhdonte të performonte të paktën deri në fund të angazhimeve të planifikuara deri në vitin 2021.

Ai tha se ndjehej i akuzuar dhe gjykuar para kohe. Domingo gjithashtu tha se ai nuk është akuzuar zyrtarisht për ndonjë krim./klankosova/ KultPlus.com

Vëllezërit nga Kosova shërbejnë ushqim falas për ushtarët veteranë të SHBA-së

Veteranë të shumtë bashkë me familjet e tyre janë parë në “Ditën e Falënderimeve” në Lincoln Park.

Genc Selimi, partner në menaxhimin e restorantit 202 Italian Bistro, ka shërbyer falas veteranët dhe familjet e tyre për “Ditën e Falënderimeve”.

Selimi dhe shefi i restorantit, vëllai i tij, Fatos Selimi kanë lindur në Kosovë, ndërkaq në SHBA kanë shkuar si refugjatë gjatë luftës së fundit. Ai tha se përmes kësaj pritjeje, duan t’i falënderojnë ushtarët amerikanë pikërisht në “Ditën e Falënderimeve”, shkruan northjersey.com

Afërsisht 200 veteranë bashkë me familjet e tyre janë pritur dhe shërbyer falas në Lincoln Park.

Phil Speulda ishte një nga veteranët i cili bashkë me familjen e tij kanë shijuar ushqimin falas në këtë restorant të drejtuar nga dy kosovarë. / KultPlus.com

”Sa merreni me fjalë, një lutje në heshtje ju nderon ma shumë”

Nga Elona Çuliq

Vdes një gru e shkojnë gjindja me e përcjellë e me u pa. Si e don zakoni rreth e rrotull trupit të pajetë janë bijat, motrat, kunetitë e ndoj njiri tjetër i afërt. Pak para se me ardhë ora me përcjellë xhenazen, kur edhe dhimbja e vaji randohen, dy gra, e gjejnë me vend që me komentue me njena-tjetrën palën e shkepun të çarçafit me t’cilin ishte mblue trupi I grues së vdekun.

Përpos çdo mendimi e fjale që të vardiset në mendje kundrejt këtij gjesi, njeriu s’don me u ba hor dhe I thotë vedit “nuk kanë respekt për jetën e vdekjen e as dhimbjen”.

Njejtë më ngjajnë edhe këta njerëzit që në këto ditë fatkeqësie e mortit, shpërndajnë video dhe komente ku shfaqen njerëzit duke “zgjedhë” teshat a duke lanë ushqimet në qiell të hapun.

Leni rehat njerëzit në dhimbjen e tyne. Ai që ka pa vdekjen me sy e ka mbetë pa shpi, nuk e ka mendjen te pala e shkepun e çarçafit e as me zgjedhë tesha e me sistemu ushqime.

Sa merreni me fjalë, një lutje në heshtje ju nderon ma shumë!/ KultPlus.com

Grabitjet më të mëdha të muzeve në botë

Para grabitjes së fundit në një muze të Gjermanisë, ku u zhdukën tre objekte të zbukuruara me diamantë, që i përkisnin shekullit XVIII, ja se cilat kanë qenë vjedhjet kryesore të veprave të artit dhe objekteve me vlerë, që kanë ndodhur nëpër muzetë e botës.

Xhokonda në Muzeun e Luvrit

Më 21 gusht 1911, Xhokonda e famshme e Leonardo da Vinçit grabitet në muzeun e Luvrit. Në fillim, u dyshua për poetin francez Gijom Apoliner dhe piktorin Pablo Pikaso. Në fakt, hajduti ishte një punues italian vitrinash, që kishte ndihmuar për të futur veprat e artit nëpër vitrina.

Muzeu i Arteve të Bukura në Montreal

Natën e 3 shtatorit duke u gdhirë data 4 shtator 1972, tre grabitës, të armatosur me mitralozë dhe pushkë, përfituan nga punimet që po bëheshin në Muzeun e Arteve të Bukura të Montrealit dhe grabitën 18 piktura me vlerë të lartë dhe rreth 40 bizhuteri e objekte të çmuara. Veprat e vjedhura, që ishin piktura të Rembrandtit, Brugelit Plaku, Rubensit, Korotit dhe Delakruasë nuk u gjetën kurrë.

Vjedhja në Muzeun Gardner të Bostonit

Më 18 mars 1990, dy burra të maskuar si policë mashtrojnë personelin e muzeut “Isabella Stewart Gardner” të Bostonit dhe largohen prej andej me 13 vepra të piktorëve të mëdhenj, midis të cilëve Degas, Rembrandt, Vermer dhe Mane. Veprat e artit nuk u rimorën më, pavarësisht një shpërblimi të premtuar prej 10 milionë dollarësh, në vitin 2017.

“La Saliera” në Muzeun Kunsthistorisches të Vjenës

Më 12 maj 2003, “La Saliera”, një skulpturë e punuar me smalt e ar nga skulptori fiorentin Benvenuto Cellini (1500-1571), për mbretin e Francës François I, u grabit nga Muzeu Kombëtar i Arteve të Bukura të Vjenës. Hajduti ishte ekspert i sistemeve të alarmit. Vepra e artit, me vlerë 50 milionë euro, u gjet tre vjet më vovë.

Sulm i armatosur në Muzeun Munch, në Oslo

Më 22 gusht 2004, dy persona të armatosur hynë në mes të ditës në muzeun Munch të Oslos. Ata grabitën dy vepra të rëndësishme, pikturat “Thirrja” dhe “Madona” dhe u larguan mes turmave të habitura të vizitorëve. Veprat u gjetën dy vite më vonë, të dëmtuara, në rrethana misterioze.

Grabitja në Muzeun e Arteve Moderne të Parisit

Më 20 maj 2010, pesë mrekulli të Pikasos, Matisit, Brakut, Modilianit dhe Lezherit, me një vlerë prej më shumë se 100 milionë eurosh, u zhdukën nga Muzeu i Arteve Moderne të Parisit. Asnjëra nga veprat nuk u gjet.

Në Paris, midis vjedhjeve më të rëndësishme bëjnë pjesë edhe grabitja e 118 pikturave të Pikasos, në fund të janarit 1976, në Muzeun e Pallatit të Papëve në Avignon dhe ajo në Muzeun Marmottan, në nëntor 1985, gjatë së cilës u vodhën katër piktura të Monesë dhe dy të Renuarit. Të gjitha këto piktura u gjetën/afp/ KultPlus.com

Baleti Kombëtar i Kosovës shfaq premierën e katërt për vitin 2019

Në Teatrin Kombëtar të Kosovës, të enjten e 5 dhjetorit, shfaqet premiera e katërt e Baletit Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Shfaqja ”Exil” është shfaqja e katërt premierë për vitin 2019, e cila është realizuar nën koreografinë dhe konceptin e Eno Peçit.

Ndërkaq, përveç premierës, artdashësit kanë mundësi që reprizen e shfaqjes ta shohin edhe të premten me 6 dhjetor. / KultPlus.com

‘Daily Mail’ shkruan për ndihmën që Bebe Rexha dhe Rita Ora po i bëjnë Shqipërisë

E përditshme britanike ‘Daily Mail’, e ka shkruar një artikull për ndihmat që dy këngëtaret e njohura shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha e Rita Ora, po bëjnë për të prekurit nga tërmetet në shtetin e Shqipërisë.

‘Daily Mail’, ka shkruar për mobilizimin e dy artisteve shqiptare, përderisa ka treguar edhe detaje rreth tërmeteve të fuqishme që goditën Shqipërinë, ku si pasojë e tyre vdiqën 49 persona.

‘Rita dhe Bebe, të cilat kanë prindërit shqiptar, u shfaqen të merakosura në Instagram, duke u drejtuar mesazhe të prekurve nga tërmeti, si dhe i lutën ndjekësit e tyre të dhurojnë para për kampanjat që nisën’, thuhet në artikullin e të famshmes britanike.

Më tutje, bëhet e ditur që Rita ka zgjedhur ta rindërtojë një shtëpi në Tiranë, përderisa Bebe Rexha do të udhëtojë për në Shqipëri për tu ndihmuar nga afër të prekurit e tërmeteve.

‘Ekipet e shpëtimit të Shqipërisë, Serbisë dhe Malit të Zi janë duke punuar në një ndërtesë të shkatërruar të një hoteli në Durrës, ku besohet se ndodhet edhe një person’, thuhet në artikull.

Gjendje e jashtëzakonshme është shpallur edhe në Laç ditën e sotme, pasi qyteti ka pësuar dëme të mëdha nga tërmetet e fuqishme të 26 nëntorit. Deri më tani zyrtarisht janë konfirmuar 49 viktima nga këto tërmete. / KultPlus.com

Libri i zisë

Nga Ndue Ukaj

Arbnit janë të fortë e tërmetet ua copëtojnë
një copë zemre në çdo stinë
por krejt zemrën e kanë më të madhe se toka.

Përditë shkruajnë në librin e zisë
një fatkeqësi të re.

Sepse ata janë një tregim përplot dhimbje
dhe një diell që buzëqesh në çdo mëngjes.

Në librin e zisë
kanë derdhë shumë gjak
kanë shkruar për motin e lig
e furtunat kur u mbytën në det.

Dhe sa herë kanë dashtë të dalin në fletën e bardhë
një termet i ri i ka trishtuar.

Ata i kanë shuar kufijtë mes dhimbjes e gëzimit
gjatë kanë shtegtuar neperë detin e pikëllimit
kanë parë tryezat e tyre të plasaritura
gotat e verës të thyera
e ullinjte e derdhur përtokë.

E nga Bjeshkët e Nemuna
shpesh kanë dëgjuar
gjamë
ulërimë.
E nga deti tërbimi kuçedrash.

Arbnit hartat e pikëllimit i kanë shqyer moti
nëpër orët e liga të fatit
nëpër dete të trazuara të historisë
kur lundruan me barka plot pikëllim.

Ata zemrat i kanë plot tërmete.

Është nëntor
muaji i arbnve.
Ata kanë dëshirë të shtrojnë tryezën e gostisë
dhe të vishen me madhështinë e Kryezotit
të cakërrojnë gotat për shëndet dhe një pranverë të re.

Prandaj lutën.
Në nëntor nuk duan të hidhërohen.
Por moti i lig ka çuar peshë dallgët e detit
e tërmetet kanë rrëzuar muret e pallateve
s kanë zanë plot njerëz brenda.

Por zemrat e tyre i kanë forcuar
sepse atyre as pesëqind tërmete nuk mund t’ua thyejnë zemrat. / KultPlus.com