“Me të gjithë arin e botës, nuk mund të blihet asnjë rrahje zemre”

Alfons de Lamartini ishte shkrimtar i shquar francez, poet dhe politikan i cili ka marrë pjesë në Revolucionin e vitit 1848 dhe shpalli Republikën e Dytë, shkruan KultPlus.

Pa dyshim ai është njëri nga figurat më të shkëlqyera të Romantizmit në Francë.

Sa i përket lirikës së tij, pjesa e veprës së tij janë poezitë plot ndjeshmëri të frymëzuar nga Julie Charles, ku gërshetohen temat romantike të natyrës, vdekjes e dashurisë.

Lamartini ishte mjeshtër i lirikës romantike, ai madje u admirua dhe nga Hygo.

Lamartini e propozoi Hygonë në postin e Minstrisë e Arsimit, duke e paraqitur si “fisnik, i qetë, bujar”.

Sot është 151-vjetori i vdekjes së tij. Më poshtë po japim njërën nga thëniet e tij më të njohura.

“Me të gjithë arin e botës nuk mund të blihet asnjë rrahje zemre, asnjë çast brishtësie” /KultPlus.com

QKK-ja prezanton Kosovën si vend bashkëprodhimi dhe xhirimi para industrisë botërore në Berlinale


Në kuadër të programit EFM Landmark të Tregut Europian të Filmit (European Film Market) në Berlinale, QKK-ja prezantoi profilin e Kosovës para producentëve, filmbërësve dhe komisioneve të filmit europian dhe botëror.

Ky prezantim përveç vënjes në pah të karakteristikave natyrore, arkitektonike, demografike dhe kulturore të Kosovës, paraqiti edhe një historik të filmit të Kosovës prej formimit të Kosovafilmit në 1969, ndërprerjes së prodhimit prej para dhe gjatë 90tave, deri te ringjallja e kinemasë Kosovare e cila shpesh u zgjodh dhe po vazhdon të përdoret si medium për trajtimin e plagëve dhe dhimbjes që solli lufta.

“Përveç ofertës që ia bëjmë industrisë europiane dhe botërore të filmit, është shumë e rëndësishme që partnerët tanë ndërkombëtarë të fushës të njoftohen më kualitativisht me kontekstin historik dhe kulturor të Kosovës” u shpreh hartuesi dhe prezantuesi Lum Çitaku nga QKK-ja.

Pas shfaqjes së trejlerit të Kosovës, pjesa tjetër prezantimit u koncentrua në kontekstin që e prodhoi suksesin ndërkombëtar në rritje të filmave Kosovar, ligjin e ri për kinematografinë që pritet të hyj në fuqi dhe i cili integron lehtësirat financiare, si dhe strategjinë e institucionit për të kultivuar më tej komunitetin filmbërës të vendit për të përhapur mundësitë e bashkëpunimit dhe rritur potencialin e bashkëprodhimit ndërkombëtar. / KultPlus.com

Nën flamujt e melankolisë

Poezi nga Migjeni

Në vendin tonë
kudo valojnë
flamujt e një melankolie
të trishtueshme…

…dhe askush s’mund të thotë
se këtu rron
një popull që ndërton
diçka te re.

Aty këtu në hijet
e flamujve
mund të shifet

një mund, një përpjekje
e madhe përmbi vdekje
për të pjellë diçka të madhe,
për të qitë në dritë një xhind!

Por,(o ironi)
nga ajo përpjekje lind
vetëm një mi.

Dhe kështu kjo komedi
na plas diellin e gazit,
nsa prej marazit
pëlcasim

Në prakun e çdo banese
ku ka ndonj shenj jetese
valon nga një flamur
melankolie të trishtueshme.

/KultPlus.com

Lady Gaga më në fund gati ta publikojë “Stupid Love”

Artistja 33-vjeçare, Lady Gaga, postoi një copë arti të këngës së saj të re, një ditë para publikimit.

Arti prezantues përmban një palë buzë dhe një dhëmb çelës ariu, përfshirë edhe fjalët “Stupid Love”.

Disa orë më parë, Gaga debutoi me pamjen e parë të videoklipit të këngës, në të cilin ajo dhe një grup njerëzish futuristikë qëndrojnë së bashku në një terren me pamje aliene. / KultPlus.com

Da Vinçi: Sa më e thellë është ndjenja, aq më e madhe është dhimbja

“Asgjë më shumë se heshtja nuk e forcon autoritetin”.

“Asgjë nuk mund të urrehet ose të dashurohet nëse fillimisht ajo nuk kuptohet.”

“I dua ata që mund të qeshin në vështirësi, ata që mund të fitojnë forcë nga vuajtja dhe të rriten trimërisht nga reflektimi.”

“Sa më e thellë është ndjenja, aq më e madhe është dhimbja.”

“Do të vijë koha kur njerëzit njësoj sikur unë tani, kafshën e vdekur do ta shohin ashtu siç e shohin tani njeriun e vdekur.”

“E gjithë dija jonë origjinën e saj në përceptimet tona.”

“Të padobishme dhe përplot gabime janë të gjitha ato shkenca që nuk janë të lindura nga përvoja – nëna e gjithë dijes.”

“Unë u zgjova vetëm për ta parë se pjesa më e madhe e botës ishte ende në gjumë.”

“Ai që dëshiron të bëhet i pasur brenda një dite, do të jetë i varur brenda një viti.”

“Mençuria është bija e përvojës.”

– Leonardo da Vinçi

/KultPlus.com

Rita Ora po vjen në shtëpi

Ylli botëror, Rita Ora, përmes një njoftimi në Facebook ka bërë me dije se po kthehet në Europë pas udhëtimeve që ka pasur kohëve të fundit si shkak i angazhimeve të saj muzikore, shkruan KultPlus.com

“Njerëzit nuk e kuptojnë se sa shume përpjekje duhet bërë për të vazhduar tutje. Prapë në Europë. Koha për shtëpi. Mezi po pres”, ka shkruar Ora në Facebook.

Gjurmët e objektit romak në Prizren shkatërrohen në pritje të shtetit

Këshilli për Trashëgiminë Kulturore të Prizrenit ka kërkuar nga organet qendrore dhe ato komunale mbrojtjen e lokalitetit arkeologjik në Sheshin e Lidhjes, me ndërmarrjen e masave adekuate për konservim dhe ruajtje.

Sipas këtij këshilli, mbetjet arkeologjike në këtë lokalitet janë dëmtuar e shkatërruar si pasojë e mospërkujdesjes adekuate. Në anën tjetër, niveli qendror ka theksuar se do të shtohen angazhimet për përmbylljen e këtij projekti, derisa niveli lokal është shprehur i gatshëm që të bashkëpunojë për secilin vendim që merret nga ministria përkatëse.

KTK-ja e Prizrenit në shkresën dërguar Institutit Arkeologjik të Kosovës që funksionon në kuadër të Ministrisë së Kulturës, si dhe Drejtorisë së Shërbimeve Publike të Komunës së Prizrenit, ka përkujtuar se në fund të vitit 2014, gjatë gërmimeve të dheut për ndërtimin e një fontane si pjesë të Sheshit të Lidhjes është zbuluar lokaliteti arkeologjik. Aty theksohet se në vitin 2018 IAK-ja i ka parashtruar KTK-së kërkesë për pëlqim, për konservimin dhe prezantimin e lokalitetit.

“Kërkesa përfshinte 3 propozime të planifikuara të punimeve, pa detaje të hollësishme, prandaj anëtarët e Këshillit konsideruan se këto janë propozime preliminare dhe projekti duhet të kompletohet. KTK prej asaj kohe asnjëherë më nuk ka pranuar ndonjë projekt të kompletuar”, thuhet në shkresën e nënshkruar nga kryesuesja e KTK-së në Prizren, Artnet Haskuka. Tutje theksohet se zvarritja disavjeçare lidhur me këtë projekt ka bërë që si rezultat i temperaturave të larta në verë dhe të ulëta në dimër, mbetjet arkeologjike të shkatërrohen deri në masë të mosnjohjes.

“Efektet negative atmosferike, veçanërisht dielli i fortë, ka rezultuar me tharje dhe plasaritje të tullave, llaçit gëlqeror dhe higroskopik (horasan) që kanë qenë lidhës të muratimit dhe tanimë janë jofunksionale. Lagështia e mbledhur në pjesën e themeleve ka ndikuar në formimin e mykut dhe kripërave që kanë shpejtuar shkatërrimin e objektit. E gjithë kjo situatë gjatë viteve është shoqëruar me rritjen e pakontrolluar të vegjetacionit që më tej dekompozon mbetjet e llaçit dhe shtresave të lokalitetit”, thuhet në shkresë, teksa më tej shtohet se lokaliteti ngadalë por sigurt është shndërruar në një vendgrumbullim mbeturinash. /KultPlus.com

Dhoksati, fshati i bukur shqiptar, bëhet me projekt turistik në modelin italian

Peizazh i bukur natyror, vend i pastërt dhe me shtrirje të mirë gjeografike bëjnë që Dhoksati të jetë ndër fshatrat me pamjen më të bukur në Shqipëri.

Po të hysh në rrugën në të cilën lidhet fshati i bukur, vërehet një natyrë magjepsëse me bukuritë e saj, ajër të pastër, vend karakteristik me male, pastërti dhe të gjitha këto ofrojnë një pamje të larmishme dhe të jashtëzakonshme.

Së fundmi, në Dhoksat të Lunxhërisë banorët janë mbledhur për t’u marrë vesh rreth ngritjes së një modeli të një fshati turistik sipas eksperiencës së Albergi Difussi, i realizuar me sukses më parë në Itali dhe në disa vende të rajonit.

7 apo 8 shtëpitë e para do të restaurohen sipas stilit lokal me ndihmën e Risi Albenia, në bashkëpunim me me organet kompetente.

Qëllimi i gjithë kësaj është ngritja e një fshati turistik sipas stilit dhe modelit italian, që vite më parë pati shumë suksese në Itali dhe në disa vende të rajonit.

Sipas njohësve të fushës së turizimit, kjo cilësohet një punë e mirë në shumë aspkete dimensionale, sepse në radhë të parë ky fshat i braktisur do të bëhen më tërëheqës me pamjen e tij, për t’i rikthyer banorët që kanë ikur nga ky fashat, pastaj zhvillimi i turizmit dhe përfitimet ekonomike që mund të sjellë ky projekt.

Përveç kësaj, Instituti i Monumenteve të Kulturës ka hartuar projektin për restaurim e kroit me bendin në Çetën e Mesme, në fshatin Dhoksat, Gjirokastër.

Projekti i miratuar në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve parashikon ndërhyrje restauruese në objekt, si dhe rikonceptimin e ambientit përreth monumentit, në shërbim të vizitorëve.

Fshati Dhoksat i njësisë administrative Lunxhëri, pjesë e Bashkisë Gjirokastër, është përzgjidhur për t’u përfshirë në programin zhvillimor të 100 fshatrave të Shqipërisë për turizëm rural.

Dhoksati konsiderohet fshat “i lavdëruar nga Zoti”, i çmuar për bukuritë, pjellorinë e tokës, frutikulturën, vreshtat, pyjet e kullotat dhe burimet e kristalta.

Dhoksati është një nga fshatrat më piktoreske të krahinës së Lunxhërisë. Fshati ka në listën e monumenteve edhe disa kulla dhe banesa. Përveç kostumit të rrallë popullor “lunxhe”, ka dhe traditën shekullore të ndërtimit të urave dhe krojeve. / KultPlus.com

Në Itali, maskat kirurgjike po shiten online deri në 5 mijë euro – policia nis hetimet

Policia financiare e Italisë janë duke i hetuar 20 persona për shitje të maskave, dorezave dhe dezinfektuesve kirurgjikë me çmime astronomike, duke përfituar nga frika që ka kapluar qytetarët e Italisë pas përhapjes së koronavirusit të ri.

Pakoja komplete – një maskë, doreza, një ballik, dezinfektues dhe një mbulesë për guacë tualeti – mund të kushtojë deri në 5 mijë euro. Vetëm maskat, të cilat shiten në tregun me pakicë për 1.50 euro, po shiten online për 1,500 euro copa, ka raportuar “wantedinmilan”.

Shitësit e këtyre produkteve po i sigurojnë blerësit potencialë se pajisjet mjekësore do t’i mbrojnë ata nga infeksioni me koronavirus.

20 personat të cilët po hetohen nga policia përfshijnë sipërmarrës, qytetarë privatë e madje edhe një punonjës shëndetësor, në rajonet Liguria, Lombardy, Marche, Campania dhe Piemonte.

Ata po hetohen nën dyshimin e mashtrimit komercial dhe mund të dënohen me burgim deri në dy vjet.

Më herët gjatë javës, zëvendëskryeprokurorja e Milanos, Tiziana Siciliano, kishte konfirmuar nisjen e hetimeve për rastet e rritjes së çmimeve të këtyre pajisjeve.

“Kemi vendosur të hapim hetim pas raportimeve në media për çmime të çmendura të këtyre produkteve (maska dhe gjele) në uebfaqe online dy ditëve të fundit”, kishte thënë për Reutersin, Siciliano.

“Çmimet e maskave online janë rritur nga një cent në 10 euro për copë dhe një shishe 1-litërshe e dezinfektuesit që javën e kaluar shitej për 7 euro, tani shitet për 39 euro”, tha të martën Siciliano. Koha.net /KultPlus.com

Zyrtare: 259.891 veta në Zvicër flasin shqip

Shqipja si idioma e katërt më e pranishme jo-gjermane në Zvicër në vitin 2010 flitej nga 2.7 për qind e popullsisë rezidente ndërsa në vitin 2018  ajo flitej nga 3.1 për qind. Saktësisht, shqipen në Zvicër e flasin 259.891 persona

62.8 për qind e popullsisë rezidente në Zvicër flasin gjermanisht ose “schweizerdeutsch” (dialektin zviceran të gjermanishtes). 22.9 për qind frëngjisht, 8.2 për qind italisht dhe 0.5 për qind gjuhën retromane, thuhet në të dhënat më të reja të publikuara sot nga Zyra Federale për Statistikë.

Këto janë katër gjuhët vendore, autoktone në Zvicër. Ndërkohë që përqindja e gjuhëve tjera autoktone zvicerane ka mbetur pakashumë e pandryshuar, nga viti 2010 deri në vitin 2018, gjermanishtja ka rënë për 2.2 % gjatë kësaj periudhe, transmeton albinfo.ch.

Anglishtja është rritur nga 4.2 përqind në 2010 në 5.8 në vitin 2018. Portugalishtja, gjuha e dytë më e pranishme e huaj, dëgjohet gjithashtu pak më shpesh: 3.6 për qind e popullsisë e kanë folur atë në vitin 2018 në krahasim me 3 për qind, tetë vjet më parë.

Është interesante në këtë statistikë ngritja relative e gjuhës shqipe, shkruan albinfo.ch. Shqipja si idioma e katërt më e pranishme jo-gjermane në Zvicër në vitin 2010 flitej nga 2.7 për qind e popullsisë rezidente ndërsa në vitin 2018  ajo tashmë  flitej nga 3.1 për qind. Saktësisht, siç mund të nxirret nga statistika më e re, shqipen në Zvicër e flasin 259.891 persona.

Duhet thënë se kjo shifër është më së afërmi realitetit në terren, në rrethanat kur nuk ka statistika që do të përmblidhnin numrin e përgjithshëm të atyre që identifikojnë veten si shqiptarë, shkruan albinfo.ch. Kjo, për faktin se statistikat zyrtare në Zvicër njohin vetëm përkatësinë shtetërore dhe jo atë etnike të të huajve që jetojnë këtu. Në këtë kuptim, kemi rregullisht statistika për numrin e “kosovarëve”, të “maqedonasve” të shtetasve të Shqipërisë etj. por jo të shqiptarëve si etni. Albinfo / KultPlus.com

Psikiatri Neli Demi: Meshkujt në Shqipëri rriten keq, vrasin se po humbasin armën e nënshtrimit

Mjeku i njohur psikiatër, Neli Demi, thotë se, një nga problemet kryesore që sjell vrasjen e grave nga burrat është fakti se, meshkujt rriten keq. Pavarësisht zhvillimit ekonomik të vendit, z. Demi gjatë një interviste për Euronews Albania, u shpreh se ndryshimi i këtij mentaliteti do të kërkojë shumë kohë.

“Te kjo sjellje ndikon mënyra se si individët e shoqërisë sonë janë edukuar dhe janë rritur. Kryesisht meshkujt në Shqipëri rriten keq. Ndryshimet e mentalitetit të një shoqërie kërkojnë shumë më tepër kohë për t’u arritur. Mentaliteti ndryshon shumë ngadalë, dhe duhen breza për të sjellë një ndryshim cilësor”, u shpreh psikoterapisti i njohur.

Fakti që sot ka më shumë dhunë ndaj grave se sa në vitet e para të demokracisë, sipas z. Demi vjen për shkak se në ditët e sotme, vajzat dhe gratë kanë më shumë mundësi për të krijuar pavarësi ekonomike dhe individuale.

Pikërisht humbja e kësaj arme të nënshtrimit, sjellë agresivitet nga ana e meshkujve që kërkojnë të ruajnë pozicionin që kanë pasur deri tani në familje dhe shoqëri, ku ata vendosin për gjithçka.

“Pavarësia ekonomike ndikon shumë në lirinë personale të individit. Nga ndonjëherë pavarësia ekonomike e grave sjell një agresivitet të shtuar nga ana e meshkujve, që përfundojnë në vrasje. Mundësitë më të mëdha që kanë gratë në ditët e sotme, mund të ketë sjellë rritje të agresivitetit si përgjigje nga meshkujt nga burrat.

Pasi një nga armët e nënshtrimit që meshkujt përdorin është pikërisht varësia ekonomike që gratë dhe fëmijët kanë ndaj tyre dhe kjo i bën në një farë mënyrë një lloj patriarku ku ata vendosin për gjithçka. Kur arrihet një pavarësi nga gratë, kjo shoqërohet dhe me rritje të kërkesave të tjera”, u shpreh z. Demi. / KultPlus.com

Muzika shqiptare studiohet në një universitet në ShBA

Kultura dhe tradita shqiptare studiohet dhe ruhet edhe në Universitetin Shtetëror Montclair në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, njofton Ministri i Shtetit për Diasporën në Shqipëri, shkruan KultPlus.com

“Muzika shqiptare në një universitet amerikan. Studentë shqiptarë e të huaj studiojnë e performojnë muzikën shqiptare, si pjesë e Ansamblit Ballkanik në Universitetin Shtetëror Montclair në New Jersey. Ansambli është themeluar nga artisti i njohur i muzikës shqiptare Raif Hyseni, me qëllim promovimin e folklorit dhe kulturës shqiptare në SHBA”, thuhet në postimin e Ministrisë së Diasporës së Shqipërisë në Facebook. /KultPlus.com

Fromm: Njeriu i zakonshëm me pushtet të jashtëzakonshëm është rreziku kryesor për njerëzimin – jo i ligu dhe sadisti

Psikologu i famshëm, Erich Fromm, është i njohur për thënie rreth natyrës njerëzore dhe raporteve në përgjithësi. Këtu keni disa nga thëniet e tij më të njohura me të cilat emri i tij qëndron lartë në listën e personaliteteve të shquara shkencore, veçmas në fushën e Psikologjisë, shkruan KultPlus.com

“Nuk është i pasur ai që ka shumë, por është i pasur ai që jep shumë.”

“Nuk mund të bësh mirë ndaj botës, pa e lënë veten shpesh herë keq.”

“Vetëm ai që ka besim te vetja është i zoti të jetë besnik ndaj të tjerëve.”

“Egoistët janë të pazotë t’i dashurojnë të tjerët, por nuk janë të zotë ta duan as veten.”

“Aftësia për të qenë enigmatik është premisa e të gjitha krijimeve, qoftë në art apo shkencë.”

“Rreziku i së shkuarës ishte që njerëzit bëheshin skllevër. Rreziku i së ardhmes është që njerëzit mund të bëhen robotë.”

“Prirjet më të bukura dhe ato më të shëmtuarat e njeriut nuk janë pjesë e një natyre njerëzore të dhënë biologjike, por rezultat i procesit social që e krijon njeriun.”

“Marrëdhënia nënë-fëmijë është paradoksale dhe, në një mënyrë, tragjike. Ajo kërkon dashurinë më të thellë nga ana e nënës, e prapë kjo dashuri e vërtetë mund të ndihmojë që të largohet nga nëna dhe të bëhet plotësisht i pavarur.”

“Të vetmit të pasur të vërtetë janë ata që nuk duan të kenë më shumë.”

“Njeriu i zakonshëm me pushtet të jashtëzakonshëm është rreziku kryesor për njerëzimin – jo i ligu dhe sadisti.”

“Qëllimi psikik të cilin një njeri mund ta përmbushë ndaj vetes nuk është për t’u ndjerë i sigurt, por që të jetë i aftë për ta toleruar pasigurinë.”

“Kërkimi i qartësisë bllokon kërkimin e kuptimit. Paqartësia është kushti i vërtetë që e ndalë njeriun të shpalosë fuqitë e tij.”

“Revolucionari i suksesshëm është një burrështetas, i pasuksesshmi një kriminel.”

“Nuk ka liri të vërtetë pa lirinë e dështimit.”

“Ne të gjithë ëndërrojmë; ne nuk i kuptojmë ëndrrat tona, e prapë veprojmë sikur asgjë e çuditshme nuk ndodh në mendjet tona të fjetura, të çuditshme të paktën në krahasim me gjërat logjike, të qëllimshme të mendjeve tona, kur ato janë zgjuar.”

“Ne jetojmë në një botë sendesh, dhe e vetmja lidhja jonë me to është të dimë si t’i manipulojmë apo konsumojmë ato.”

“Ajo që shumëkush në kulturën tonë kupton me të qenët i adhurueshëm është në thelb një përzierje midis të qenit popullor dhe të qenit tundues.”

“Pse duhet të ndihet shoqëria përgjegjëse vetëm për edukimin e fëmijëve dhe jo për edukimin e të gjithë të rriturve të të gjitha moshave?” /KultPlus.com

Femrat në sytë e meshkujve sipas Paulo Coelhos

Femrat në sytë e një mashkulli? Nuk ka rëndësi se sa peshojnë. Është e mahnitshme të prekësh, të përqafosh dhe të përkëdhelësh trupin e një femre. Ta dimë se sa peshon, nuk na provokon asnjë emocion. Nuk e kemi idenë se sa është masa jote, ose nëse je në formë.

Interesi ynë përqendrohet në një lloj tjetër forme. Nuk na intereson se sa e gjatë je në centimetra. Është çështje proporcionesh, jo masash. Neve na pëlqen një femër e rrumbullakosur dhe “me mish”. Na pëlqen ai lloj trupi që, pa asnjë dyshim, vihet re në fraksionin e sekondës.

Femrat e dobëta që sfilojnë në pasarela, ndjekin tendencën e dëshiruar nga stilistët që, e thënë me realizëm, duket sikur i urrejnë femrat dhe konkurojnë me to. Modelet e tyre janë dëshpërimisht të dobëta, të thata.

Makiazhi është shpikur sepse femrat e përdorin, por mos e përdorni. Lajeni fytyrën thjesht me ujë dhe sapun dhe aq mjaftojnë për ne.

Atletat janë shpikut për të mbajtur këmbët tuaja fantastike. Nëse natyra ju ka dhënë format që keni, atëherë ka një arsye dhe, e përsëris, neve na pëlqeni të tilla. T’i fshihni të tilla forma është si të mbani të në magazinë divanin tuaj më të mirë.

Është ligj natyror që të gjithë ata që martohen me një modele të dobët, anoreksike, bulimike dhe nervoze, më pas kërkojnë një të dashur me forma, simpatike dhe që të mos vuajë nga shëndeti. Të rejat janë të bukura, por ato mbi të dyzetat janë vërtet pjata e fortë. Për to ne jemi të gatshëm të kalojmë me not oqeanin Atlantik.

Trupi ndryshon, moshohet. Mos u dëshpëro nëse nuk të bën më ajo masë fustani që të bënte në moshën 18 vjeçare. Një femër 45 vjeçare, të cilës i bën fustani që vishte në moshën 18 vjeçare, ose vuan nga problemet e zhvillimit, ose po vetëshkatërrohet.

Neve na pëlqejnë femrat që dinë të jetojnë një jetë të ekuilibruar dhe dinë t’i kontrollojnë ndjesitë e tyre të fajit. Na pëlqejnë edhe ato që kur hanë, e shijojnë atë që hanë. Ato që kur duhet të mbajnë dietë, e bëjnë me kënaqësi (pa vuajtje dhe dëshpërim).

Disa rrudha në fytyrë, disa thinja, disa shenja moshimi në trup nuk e fshehin bukurinë. Ato janë dëshmi se ju keni bërë diçka në jetën tuaj, se nuk keni mbetur tek makiazhi dhe nuk e keni kaluar jetën tuaj nëpër qendra estetike. Keni jetuar!

Ndaj, kujdesuni për veten dhe duajeni veten!

Kjo është gjithë bukuria.”

– Paulo Coelho

/KultPlus.com

Lagjia “Kalabria” në Prishtinë bëhet me çerdhe moderne

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, deklaroi se të hënën kjo çerdhe do t’i ketë 85 fëmije derisa kapaciteti i saj është për 120 fëmijë.

Mes tjerash, Ahmeti njoftoi se çerdhja e radhës me BE-në është në lagjen Dardania, me pas vetëm komuna do të hap çerdhet në Arbëri dhe Kolovicë.

“Edhe një çerdhe e mrekullueshme në komunë. Të hënën do ti kemi 85 fëmije, kapaciteti 120 fëmijë, në një hapësirë prej 1 mijë metra katror. Intervenimi në fëmijërinë e hershme është intervenimi më i rëndësishëm që mund të bëjmë. Çerdhja ka kushtuar mbi 600 mijë euro”.

“Çerdhja e radhës me Komisionin Evropian është në Dardani me kapacitet 100 fëmijë. Derisa vet si komunë do të kemi çerdhet në Arbëri dhe Kolovicë”, u shpreh Ahmeti.

Zëvendësministri i Arsimit, Jusuf Thaçi, njoftoi se do të ndryshohet plani legjislativë dhe rritje të buxhetit për arsimin.Thaçi theksoi se nuk do të lejohen çerdhe pa licencë në Komunën e Prishtinës.

“Falënderojmë BE për këtë donacion. Uroj prindërit e kësaj lagje qe ti edukojnë fëmijët e tyre në këtë kopsht. E kemi paraparë në planin legjislativë të futet ne ndryshim ligji me udhëzime administrative. Kemi bërë përpjekje për të rritë buxhetin në nivel vendi. Do ta adresojmë edhe çështjen në komunitet. Dhe çështje private ku ndodhin skandale dhe nuk janë të evidentuar fare në Komunën e Prishtinës”, u shpreh ai.

Përfaqësuesi i BE-së, Luigi Brusa, tha se BE beson në gjeneratën e re të Kosovës. 22 edukatore do punojnë në këtë çerdhe.

“Është një projekt për të ardhmen e Kosovës, fëmijët e Kosovës. Ne besojmë në Kosovën dhe në gjeneratën e re. Qe të sjellin një perspektiv të re. 85 fëmijë mund të jenë pjesë e kësaj çerdhe dhe 22 edukatore mund të punojnë këtu. Ftoj komunën dhe organet kompetente që të kujdesen për të ardhmen. 50 milionë euro kemi ndihmuar në edukimin pasi ne besojmë në Kosovën”, ka thënë Brusa. Klan Kosova / KultPlus.com

Eden Alene shumë afër zgjedhjes së këngës për Eurovizion

Transmetuesi izraelit, KAN, sapo ka publikuar të katër këngët e Eden Alene, pretendente për përfaqësimin e Izraelit në Roterdam. Komiteti izraelit për përzgjedhjen e këngëve zgjodhi të katër këngët e saj nga një listë e gjatë prej 248 sosh. Të gjitha këngët tani janë në dispozicion në YouTube, shkruan WiwiBlogs, transmeton KultPlus.com

Katër këngët në garë për Eurovision të Eden Alene janë këto:

“Savior in the Sound”
“Roots”
“Rakata – רק אתה”
“Feker Libi”

Akademia e Shkencave e Shqipërisë pranon anëtarë të rinj

Një vendim i 21 shkurtit 2020 i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë bën akademikë Shaban Sinanin, sekretar shkencor i ASH-së, dhe Nestor Thereskën, që më herët ishin akademikë të asociuar dhe pjesë Asamblesë, ndërsa zgjedh edhe tre anëtarë të jashtëm të Akademisë, duke bërë kështu atë që njihet ndryshe edhe si “thithja e trurit” të ikur nga vendi.

Në bazë të këtij vendimi, anëtarë të jashtëm të ASH u zgjodhën: Prof. dr. Eno Koço (Angli), prof. dr. Fioralba Cakoni (Rugers University-SHBA) dhe prof. dr. Mira Mezini (Darmshtad-Gjermani). Si shembull të mëhershëm, Akademia sjell atë të Arben Merkoçit, akademik që është profesor në ICREA, Institutin Katalan i Nanoshkencës dhe Nanoteknologjisë, në Spanjë dhe që së fundmi, drejtues i njësisë kërkimore-shkencore për nanoteknologjinë e sapothemeleuar në Shqipëri.

Tre anëtarët

Intelektual me veprimtari të gjerë: dirigjent, muzikolog, profesor universiteti brenda dhe jashtë vendit, doktor i shkencave në fushën e tij, mjeshtrit Eno Koço, pinjoll i familjes së njohur patriotike e Tashkove dhe Koçove.

Kontributet e Eno Koços janë të mirënjohura për të gjithë ne. Ka drejtuar e dirigjuar për më shumë se dy dekada orkestrën simfonike të RTSH. Ka drejtuar si dirigjent i ftuar orkestra të tjera po aq të njohura për famën e tyre në Itali, Egjipt, Britani dhe vende të tjera. Në vitin 2002 ka mbrojtur doktoratën në specialitetin e historisë së muzikës qytetare. Ka mbajtur kurse të plota leksionesh në Universitetin e Leedsit. Gjatë periudhës së qëndrimit jashtë vendit ka vijuar veprimtarinë e tij profesionale dhe botuese. Është autor i dy monografive të botuara në gjuhën angleze dhe gjashtë veprave të tjera studimore e dokumentare në gjuhën shqipe. Mban titullin “Nder i Kombit” dhe shumë mirënjohje e dekorata të tjera, çmime e diploma nderi, brenda dhe jashtë vendit.

Prof.dr.Fioralba Cakoni mban titullin profesor prej vitit 2010 dhe ka fituar gradën doktor i shkencave në matematikë prej vitit ‘93, gradë e fituar në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe e njohur në Universitetin e Patras.

Prej vitit 2015 ajo është anëtare e departamentit të matematikës në “Rutgers University”, departament i cili renditet i 16-të në nivel botëror përsa u takon programeve matematike. Kandidatja Cakoni ka punuar në një sërë universitetesh prestigjioze dhe ka bashkëpunuar me disa të tillë përfshirë këtu “Ecole Polytechnique” në Francë.

Aktiviteti i saj shkencor është në nivelin më të lartë ndërkombëtar e renditet në fushën e saj si një ndër profesoret më të suksesshme, e klasit botëror.

Këtë e dëshmojnë botimet e saj, të cilat përfshijnë 117 publikime, me 1855 citime, sipas “Mathscinet” e 4249 sipas “Google scholar”, 4 monografi, pjesëmarrjet aktive mbresëlënëse në konferenca botërore, simpoziume, kolokiume komisione organizatore aktivitetesh të tilla, zgjedhja si anëtare bordeve editoriale në disa revista shkencore në fushën e saj.

Prof. Cakoni është vlerësuar nga Shoqata Amerikane e Matematikës me çmimin Simons Felloë in Mathematics – 2016 dhe pranuar në “Fellow of American Mathematics Society” – Class 2019.

Prof.dr.Mira Mezini mban titullin profesor prej vitit 2002, titull i fituar në Universitetin Teknik të Darmshtadit në Gjermani si dhe ka fituar gradën doktor i shkencave në informatikë prej vitit 1997, gradë e fituar në Universitetin e Siegen-it.

Prej vitit 2000 ajo është anëtare e departamentit të Shkencave Kompjuterike në Universitetin Teknik të Darmshtadit. Kandidatja Mezini ka punuar në një sërë Universitetesh prestigjioze dhe ka bashkëpunuar me disa të tillë në USA dhe në Britaninë e Madhe. Aktiviteti i saj shkencor plotëson e tejkalon, në nivelin më të lartë ndërkombëtar kërkesën statutore ndaj kandidatëve. Këtë e dëshmojnë botimet e saj të cilat përfshijnë 1 libër, 20 botime në revista të indeksuara me faktor impakti, 180 publikime, ndër të cilat 140 artikuj me 8374 citime, sipas “google scholar” dhe me një indeks 50 (pika 3) e 4.1), pjesëmarrje të gjerë në konferenca ndërkombëtare, simpoziume, kolokiume, si dhe në komisione organizatore aktivitetesh të tilla (pika 4) e 4.1) si dhe anëtare në borde revistash të njohura.

Përveç sa më sipër, kandidatja ka edhe një sërë veprimtarish, angazhimesh e vlerësimesh të tjera të nivelit ndërkombëtar. Ndër to ajo është anëtare e Akademisë Gjermane për shkencat inxhinierike dhe është vlerësuar me një sërë çmimesh të rëndësishme/Gazeta Shqiptare / KultPlus.com

Kanë filluar xhirimet e filmit “Jurassic World 3”

Pas disa javësh të spekulimeve rreth titullit të vazhdimit të tretë të këtij filmi, më në fund u bë i ditur lajmi se xhirimet e tij kanë filluar si dhe u zbulua titulli i projektit të ri.

Regjisori Colin Trevorrow, ishte ai i cili e postoi një fotografi nga dita e parë e xhirimeve, duke e konfirmuar kështu edhe titullin zyrtarë të tij që është, “Jurassic World: Dominion”.

Realizimi i vazhdimit të tretë në serinë e filmave me buxhet të lartë ishte konfirmuar vitin e kaluar, ndërsa bëhet e ditur se në rolet kryesore kthehen aktorët yje, Chris Pratt, Bryce Dallas Howard dhe Daniella Pineda, transmeton Koha.net. Por, e veçanta e këtij projekti është se, me role të shkurtra do të rikthehen edhe disa prej aktorëve të filmave të parë “Jurassic Park”.

“Krijuesit e filmit kësaj radhe nuk javë kursyer fare dhe i kanë rikthyer edhe aktorët e filmave të parë. Ju premtoj se ky vazhdim, do të jetë më i madhi dhe më i miri i realizuar deri më tani,” citohet të ketë thënë Pratt.

Yjet që pritet ta shënojnë rikthimin në këtë film janë: Laura Dern, e cila e portretizonte Ellie Sattlerin në filin e parë dhe atë “Jurassic Park III”, Sam Neil, i cili e përsërit rolin e Grantit dhe Jeff Goldblum, i cili në filmat e kaluar e ka luajtur rolin e Dr. Ian Malcolmit.

Ky vazhdim i ri vjen pas filmave, “Jurassic World” dhe “Jurassic World: Fallen Kingdom”, ndërsa ende nuk janë dhënë detaje rreth temës të cilën do ta trajtojë.

“Jurassic World: Dominion”, do të lansohet nëpër kinematë botërore më 21 qershor të vitit 2021. /KultPlus.com

“Kam vendosur të rri me dashurinë, urrejtja është një barrë shumë e madhe për t’u mbajtur”

Thëniet më të bukura të të gjitha kohërave të Martin Luther King

Jeto Ëndrrën tënde.

Dr. Martin Luther King Jr, një aktivist i fuqishëm dhe frymëzues i të drejtave civile në fillimit të viteve 1960, luajti një rol të madh në mënyrën se si ne e pranojmë dhe trajtojmë njëri-tjetrin – pavarësisht nga raca apo gjinia.

Dr King është i njohur gjerësisht sot si një aktivist amerikan që vazhdimisht dhe në mënyrë efektive mbronte paqen, dashurinë dhe barazinë midis njerëzve. Ai ishte një njeri me besim dhe moral të lartë, që e veçoi atë nga shumë aktivistë të tjerë të kësaj kohe.

Forca shtytëse në pjesën më të madhe të jetës dhe fjalimeve të tij ishte gjithnjë paqja. Metoda e tij e dashurisë dhe pranimit për të gjitha qeniet njerëzore është ajo që e bëri një nga figurat publike të njohura në të gjithë historinë amerikane.

Duke nxitur krijimin e një jete aktive që gati 61 vjet më parë, Dr. King u bë shpejt fytyra dhe drejtuesi i lëvizjes për të drejtat civile. Ai luajti një rol në organizimin e Marshit në Uashington dhe është krijuesi i fjalimit të famshëm “Unë kam një ëndërr” (I have a dream…), i cili tërhoqi një turmë prej gati 250,000 njerëzish.

Përmes fjalimeve të tij dhe shërbimit të tij të palodhshëm për botën, ishte e qartë se në gjuhën e tij kishte fuqi dhe në zemër kishte pasion.

Ndërsa pranvera e vitit 2020 do të shënojë 52 vjet nga vrasja e doktor Martin Luther King Jr., trashëgimia dhe ndikimi i tij mbi një komb ka mbetur i përjetshëm. Këmbëngulja e tij për të përmirësuar veten për të dashuruar në mënyrë të efektshme njëri-tjetrin është arsyeja pse mesazhi i tij nuk mund të vdesë kurrë; sepse është gdhendur në zemrat e shumë njerëzve.

Dhe për të nderuar trashëgiminë e tij, çdo vit, Dr. King festohet në të gjithë vendin. Bëmat e tij të mira reflektohen dhe përdoren si mjete motivimi dhe fjalë inkurajimi.

Këtu do të lexoni 50 thëniet më të mira të MLK që mbështesin mënyrën e tij të fuqishme dhe të nderuar të të jetuarit të jetës.

Ai besonte se të gjithë e meritonin drejtësinë.

Nuk është e mundur të dëshmosh drejtësinë për disa njerëz dhe të mos dëshmosh drejtësinë për të gjithë njerëzit.

Ai besonte të jetonte një jetë të qëllimshme.

Jeto sikurse Jezusi vdiq dje, u ngrit këtë mëngjes dhe do të kthehet nesër.

Ai e dinte që urrejtja është një mashtrim pre e së cilës asnjëri prej nesh nuk duhet të bjerë kurrë.

Mos lejo kurrë që dikush të të ulë aq poshtë sa të detyrohesh ta urresh atë.

Dhe se gjithmonë duhet të flasim për atë në të cilën besojmë.

Vjen një kohë kur heshtja është tradhti.

Ai mësoi se injoranca nuk të bën kurrë të lumtur.

Asgjë në të gjithë botën nuk është më e rrezikshme se injoranca e sinqertë dhe marrëzia e ndërgjegjshme.

Ai besonte te përkujdesja.

Pyetja më e vazhdueshme dhe urgjente e jetës është, çfarë po bëni për të tjerët?

Dashuria është gjithmonë përgjigja.

Errësira nuk mund të dëbojë errësirën; vetëm drita mund ta bëjë atë. Urrejtja nuk mund të dëbojë urrejtjen; vetëm dashuria mund ta bëjë atë.

Dhe që ne duhet të jemi më të mirët në çdo gjë që vendosim të bëjmë.

Nëse një njeri punon për të pastruar rrugët, ai duhet t’i pastrojë rrugët ashtu siç pikturoi Michelangelo, ose kompozoi Beethoven, ose siç Shekspiri shkruajti poezi. Ai duhet t’i pastrojë rrugët aq mirë sa të gjithë ushtritë e parajsës dhe të tokës do të ndalen dhe të thonë, ai jetoi si një pastrues i shkëlqyer që e bëri mirë punën e tij. – Martin Luther King Jr.

Duhet të kemi më shumë besim.

Fuqia jonë shkencore e ka tejkaluar fuqinë tonë shpirtërore. Ne ndërtojmë raketa por nuk kemi ditur të ndërtojmë qenie të denja njerëzore.

Kini besim në procesin e gjërave.

Besimi bën hapin e parë edhe kur nuk i shihni të gjitha shkallët.

Jepini të gjitha.

Nëse nuk mund të fluturoni, atëherë vraponi, nëse nuk mund të vraponi, atëherë ecni, nëse nuk mund të ecni, atëherë zvarrituni, por çfarëdo që bëni duhet të vazhdoni përpara.

Ajo që ka më shumë rëndësi është ajo që ke brenda.

Kam një ëndërr, që katër fëmijët e mi të vegjël një ditë do të jetojnë në një komb në të cilin ata nuk do të gjykohen nga ngjyra e lëkurës së tyre, por nga përmbajtja e karakterit të tyre.

Ai besonte në të bërit gjënë e duhur.

Vjen një kohë kur njeriu duhet të marrë një pozicion që nuk është as i sigurt, as politik, as popullor, por ai duhet ta marrë atë sepse ndërgjegjja e tij i thotë se ka të drejtë.

Dhe se njohuria jonë është fuqi.

Funksioni i edukimit është të mësojë dikë të mendojë intensivisht dhe të mendojë në mënyrë kritike. Inteligjencë plus karakter – ky është qëllimi i edukimit të vërtetë.

Drejtësia duhet të jetë forca më e fortë.

Padrejtësia kudo është një kërcënim për drejtësinë kudo.

Dhe duke folur për njerëzit që duam.

Në fund, ne do të kujtojmë jo fjalët e armiqve tanë, por heshtjen e miqve tanë.

Ai besonte se nuk mund të humbet vizioni se kush jeni.

Sa më të pasur ne jemi bërë materialisht, aq më të varfër bëhemi moralisht dhe shpirtërisht. Ne jemi mësuar të fluturojmë në ajër si zogj dhe të notojmë në det si peshq, por nuk kemi mësuar artin e thjeshtë të të jetuarit së bashku si vëllezër.

Urrejtja është e paefektshme.

Duke e kthyer urrejtjen me urrejtje e shumëfishon urrejtjen, duke thelluar errësirën nata sonte është pa yje. Errësira nuk mund ta dëbojë errësirën; vetëm drita mund ta bëjë atë. Urrejtja nuk mund ta largojë urrejtjen, vetëm dashuria mund ta bëjë atë.

Çdo moment është i rëndësishëm.

Koha është gjithmonë e duhura për të bërë atë që është e drejtë.

Mbroni shpirtin tuaj, bëni atë që është e drejtë.

Asnjëherë, mos kini frikë të bëni atë që është e drejtë. Sidomos nëse mirëqenia e një personi ose kafshe është në rrezik. Dënimet e shoqërisë janë të vogla në krahasim me ato që i imponojmë shpirtit kur shikojmë në anën tjetër.

Unë ju them sot, miqtë e mi, që përkundër vështirësive dhe zhgënjimeve të momentit, kam ende një ëndërr.

Larg nga imoraliteti.

Asnjëherë mos harroni se gjithçka bëri Hitleri në Gjermani ishte e ligjshme.

Dashuria është më e lehtë se urrejtja.

Kam vendosur të rri me dashurinë. Urrejtja është një barrë shumë e madhe për t’u mbajtur.

Fol për atë në të cilën beson.

Jetët tona fillojnë të mbarojnë ditën kur ne heshtemi për gjërat që kanë rëndësi.

Është një përgjegjësi e madhe që vjen me pushtetin.

Për të qenë të shkëlqyeshëm, duhet të jeni të gatshëm të talleni, të urreheni dhe ë keqkuptoheni. Qëndroni të fortë.

Dhe kurrë mos e lejoni urrejtjen brenda vetes.

T’i thuash jo dhunës nuk do të thotë vetëm të shmangësh dhunën fizike të jashtme, por edhe dhunën e brendshme të shpirtit, jo vetëm që nuk pranove të qëllosh një njeri, por ti refuzove ta urresh atë.

Guximi është më i madh se frika.

Guximi është fuqia e mendjes për të kapërcyer frikën.

Dhe ligjet janë të rëndësishme.

Mund të jetë e vërtetë që ligji nuk mund ta bëjë një njeri të më dojë mua, por unë mund ta ndaloj atë të mos më linçojë, dhe mendoj se edhe kjo është mjaft e rëndësishme.

Dhe ta gjesh brenda vetes që të duash plotësisht.

Karakteri është mënyra se si i trajtoni ata që nuk mund të bëjnë asgjë për ju.

Ai besonte se ruajtja e paqes është një proces.

Ata që e duan paqen duhet të mësojnë të organizohen po aq efektivisht sa ata që e duan luftën.

Ka fuqi në të nënvlerësuarën.

Pothuajse gjithmonë, pakica krijuese dhe e përkushtuar e ka bërë botën më të mirë.

 Dashuria është hapi i parë.

Për të gjithë konfliktin njerëzor, njeriu duhet të krijojë një metodë që refuzon hakmarrjen dhe agresionin deri në shpagim. Themeli i një metode të tillë është Dashuria.

Të jetosh një jetë të qëllimshme.

Nuk ka asgjë më tragjike sesa të gjesh një individ të zhytur në gjatësinë e jetës, pa marrë asgjë prej saj.

Ai besonte në luftën për një qëllim.

Kur keni të drejtë nuk mund të jeni shumë radikal; kur gaboni nuk mund të jeni shumë konservatorë.

Mendoni për të tjerët.

Çdo njeri duhet të vendosë nëse do të ecë nën dritën e altruizmit krijues apo në errësirën e egoizmit destruktiv.

Më shumë fuqi për ju, dhe më pak për ta.

Injoranca juaj është fuqia e tyre.

Dhe duke bërë gjënë e duhur.

Dikush ka një përgjegjësi morale të mos i bindet ligjeve të padrejta.

Nëse jeni rehatuar, kjo do të thotë se po funksionon.

Një njeri nuk mund të gjykohet kur është aty ku ai qëndron në momente rehatie dhe komoditeti, por ku bën ballë në kohë sfidash dhe polemikash.

Kini pak më shumë besim.

Më përdor, o Zot. Më trego si të kuptoj kush jam unë, kush dua të jem dhe çfarë mund të bëj dhe ta përdor këtë për një qëllim më të madh se unë.

Ne duhet të ecim përpara – së bashku.

Progresi njerëzor nuk është as automatik, as i pashmangshëm … Çdo hap drejt qëllimit të drejtësisë kërkon sakrificë, vuajtje dhe luftë; përpjekje të palodhshme dhe shqetësim pasionant të individëve të përkushtuar.

Me dashuri, gjithçka është e mundur.

Dashuria është forca e vetme e aftë për të shndërruar një armik në një mik.

Shpresa është ajo që na lidh si popull.

Ne duhet të pranojmë zhgënjimin e fundëm, por kurrë nuk duhet të humbasim shpresën e pafundme.

Të gjithë jemi të barabartë.

Mund të kemi ardhur të gjithë me anije të ndryshme, por tani jemi në të njëjtën anije.

​​Bashkimi është e vetmja mënyrë për të gjetur paqen.

Ne duhet të mësojmë të jetojmë së bashku si vëllezër, ose të zhdukemi së bashku si idiotë.

Është e rëndësishme të mësojmë nga gabimet tona të së kaluarës.

Ne nuk jemi krijues të historisë. Ne jemi bërë nga historia.

Ne jemi më të mirë.

Unë refuzoj të pranoj mendimin se njerëzimi është i lidhur në një mënyrë aq tragjike me mesnatën pa yje të racizmit dhe luftës, sa e nesërmja e paqes dhe vëllazërimit nuk mund të bëhet kurrë realitet. Unë besoj se e vërteta e paarmatosur dhe dashuria e pakushtëzuar do të kenë fjalën e fundit.

Ngrihuni në këmbë dhe lëreni zërin tuaj të dëgjohet.

Rebelim është gjuha e padëgjuar.

Paqja është e vetmja mënyrë.

Paqja nuk është thjesht një qëllim i largët që ne kërkojmë, por një mjet me të cilin arrijmë atë qëllim. / KultPlus.com

Henri Fantin-Latour, ai që krijoi simfoni në pikturë nëpërmjet idilikës së luleve

Ai nuk pikturoi vetëm lule, por ata mbetën për të më të preferuarat dhe për kritikën më përfaqësueset. Bukuri e luleve të Henri Fantin-Latour është një bukuri që tejkalon perceptimin klasik të së bukurës, asaj të sipërfaqshme. Ai bëri pranverë në çdo stinë e të jetës së tij artistike. Ribëri natyrën duke e sjellë përmes luleve si përmes formës më delikate dhe më shprehëse. Besoi në këtë tharm se do të krijonte një botë idilike, të cilën ai kishte po kaq nevojë të përjetësonte nga shpirti i tij, sa ç’ta përjetojmë ne nëpërmjet asaj ëndje që e ribën atë forcë shpirtërore, e ringre atë gjendje në lartësinë prej eteri të perceptimit estetik. Ai nuk ka qasje të imitojë natyrën, por të rikonceptojë atë sipas ndjimit të shpirtit, ta ribëjë botën e luleve nëpërmjet mënyrës se si sytë dhe zemra e tij e sheh dhe e ndjen botën e tyre delikate dhe mahnitëse. Sfondi që ai zgjedh, objektet shoqëruese shpesh, vendvendosja në vazo, etj., nuk janë gjetje të rastësishme, të atyshme e kalimtare, ato janë e harmonishmja e këtij këtij muzikaliteti, e gjalla e kësaj loje me ribërjen e natyrës, e zhvendosjes së e saj kudo ku njeriu ndodhet, si me qëllimsi të nevojës që ne kemi për të jetuar kudo me natyrën, me lulet si shembullin më tipik dhe përfaqësimin më të dinjitetshëm të shpërthimit së dehjes që stina, natyra kredhin.
Henri Fantin-Latour ishte një piktor francez i njohur më së miri për interpretimet e tij delikate dhe të një tejpërshkueshmërie ndjesore të së bukurës së luleve, vëzhgimit shpirtërorë të asaj delikatese që pjesëmerr në jetën tonë. Megjithëse i lidhur me Impressionistët dhe Édouard Manet në veçanti, Fantin-Latour mbeti një piktor tradicional akademik gjatë gjithë karrierës së tij. Lindur më 14 Janar 1836 në Grenoble, Francë, ai vazhdoi të studiojë në École des Beaux-Arts dhe të kopjojë piktura të mjeshtrave të Vjetër në Luvër. Punimet e Fantin-Latour janë në koleksionet e Institutit të Artit të Chicikagos, Muzeut të Hermitation në Shën Petersburg, Muzeut Metropolitik të Artit në New York, Musée d’Orsay në Paris, Rijksmuseum në Amsterdam dhe Galerisë Tate në Londër, ndër të tjera. Ai vdiq në 25 gusht 1904 në Buré, Francë.
Si i ri, Henri Fantin-Latour mori mësime për vizatim nga babai i tij, i cili ishte një artist. Ai tërhoqi vëmendjen në Angli, ku jetësimet artistike, vazhdueshme u shitën aq mirë sa ato ishin “praktikisht të panjohura në Francë gjatë jetës së tij”. Përveç pikturave të tij realiste, Fantin-Latour krijoi litografi imagjinative të frymëzuar nga muzika e disa prej kompozitorëve të mëdhenj klasikë.
Në vitin 1875, Henri Fantin-Latour u martua me piktoren, Victoria Dubourg, me të cilën ai kaloi verën duke shijuar pasuritë e vendit dhe në praninë e të familjes së gruas së tij në Buré, Orne në Normandinë e Poshtme, ku vdiq në 25 gusht 1904. Prehet në Varrezat Montparnasse, Paris, Francë
Marcel Proust përmend punën e Fantin-Latour në “Kërkimi të kohës së humbur”, si vijon: “Shumë duar të grave të reja do të ishin të paafta për të bërë atë që unë shoh atje,” tha Princi, duke treguar ngjyrosjet e papërfunduara të Mme de Villeparisis. Dhe ai e pyeti nëse ajo kishte parë pikturën me lule nga Fantin-Latour e cila ishte ekspozuar së fundmi.
Ekspozita e tij e parë kryesore e galerisë në Mbretërinë e Bashkuar u zhvillua në Muzeun Boëes në Prill 2011. Musée du Luksemburg prezantoi një ekspozitë retrospektive të veprës së tij në 2016-7 me titull “À fleur de peau”.
Megjithatë lulet e Henri Fantin-Latour mbeten një prej simfonive më të bukura dhe më dehëse të tablosë. Përmes sajë ne nuk njohim vetëm botën e magjishme të luleve, por edhe shpirtin e piktorit, atë brendi të ndezur ndijimesh kaq delikate, sa ç’mund t’i shërbejë në shndërrimin e luleve në monument. /Albert Vataj /KultPlus.com

Fantin-Latour Henri – Flowers

Nën koreografinë e Osipovas do të shfaqet premiera “Pushimi i kalorësve”

Bujar Meholli

Baleti Kombëtar i Kosovës do të jep javën e ardhshme premierën e shfaqjes “Pushimi i kalorësve” nën koreografinë e ruses Natalia Osipova, shkruan KultPlus.

Provat për këtë premierë kanë filluar me datën 12 shkurt, ndërsa premiera do të shfaqet javën e ardhshme me datën 5 mars.

Koreografja Osipova për KultPlusin ka shpalosur subjektin e kësaj shfaqje. Ajo shprehet e lumtur për ftesën që është bërë teksa thekson se bashkëpunimi me balerinët kosovarë është mjaft i frytshëm.

“Është shfaqja e tretë në Kosovë, dhe më pëlqen shumë të punoj me këtë ekip për ta shfaqur baletin klasik dhe neomodern, dhe për t’u kthyer te viti 1860 me një kombinim të baletit klasik dhe neoklasik”, thotë ajo.

“Historia është komedi, personazhet janë kalorës që rrinë në një pyll të një fshati austro-hungarez dhe në atë pushim që bëjnë ka plot pasazhe komike që ndodhin gjatë shfaqjes pasi që kalorësia ndalon aty për t’u pushtuar më pas nga dashuria e vashave të atij vendi”, tregon koregrafja.

“Historia zhvillohet në një fshat të Austro-Hungarisë së asaj kohe, meqë jam në Kosovë kam dëshirë të bëjë lëvizje folklorike dhe t’i përshtatem karakterit tuaj.”

E pyetur nëse do të vinte përsëri në Kosovë ajo shprehet se “nëse më ftojnë prapë do të vijë me shumë kënaqësi, sepse ky ekip ka potencial që të bëjë krijime të tilla”, thekson ajo.

“Në secilin vend nuk janë ekipet e njëjta dhe secili balerinë dallon nga tjetri, edhe këtu janë balerinët e talentuar dhe ka secili personalitetin e vet, andaj unë përpiqem që ta shfrytëzojë secilin personalitet të secilit artist”.

Andaj, “Buzëqeshni më shumë”, përfundoi koreografja Osipova.

Kreshnik Musolli, ushtrues i detyrës së drejtorit të BKK-së për KultPlus, tregon detajet e kësaj shfaqjeje, e cila njëherit është para për vitin 2020.

“Provat kanë filluar me 12 shkurt dhe kemi pasur vetëm 3 javë kohë që është rekord sepse zakonisht ne e kemi një muaj si kohë standarde për t’u përgatitur. Premiera do të jetë të enjten si zakonisht, është një proces pune intensiv që po vazhdon”, thekson ai.

“Sot kemi dalë në provat e para për vendosjen në hapësirë, pastaj vjen dekori në mënyrë që mos të jetë diçka statike”.

Musolli tutje tregon interesimin për dy shfaqjet e kaluara derisa për shfaqjen e radhës pret interesim edhe më të madh nga publiku.

“Është premiera e tretë që e realizojmë, dy të parat që i kemi realizuar janë kërkuar shumë nga publiku. Kjo shfaqje zgjat 51 minuta dhe e sjell një frymë të re tek ne, sepse kemi pasur shfaqje më serioze, kurse kjo sjell humor dhe besoj që do të ketë sukses të madh”, shprehet Musolli.

“Premiera e radhës do të jetë më 14 maj me Blenard Azizajn që vepron në Berlin, ai do të sjellë një shfaqje moderne, kurse ne do të bashkëpunojmë për herë të parë me të, e po ashtu do të vazhdojmë në nëntor me premierën e fundit me koreografin turk Mehmet Balkan”, bën me dije ai.

Interesimi për shfaqjen “Pushimi i kalorësve” pritet të jetë mjaft i madh. /KultPlus.com

Placido Domingo pendohet dhe anulon koncertet

Këngëtari i njohur lirik, Placido Domingo njoftoi sot nëpërmjet një deklarate se nuk do të performonte më në Teatrin Mbretëror të Madridit dhe se do të tërhiqej nga të gjitha rolet në opera, pas pranimit të akuzave kundër tij për ngacmim seksual.

“Nuk jam sjellur kurrë në mënyrë agresive me dikë”, u shpreh ai, i penduar që ndjesa e tij kishte dhënë një përshtypje të gabuar.

Prej kohësh mohues i akuzave për ngacmim seksual, këngëtari i famshëm i operas, Placido Domingo u kërkoi falje të martën 20 grave në SHBA, të cilat e kishin akuzuar.

“Dua që ato të dinë se më vjen sinqerisht keq për dhimbjen që u kam shkaktuar. Unë pranoj përgjegjësinë e plotë për veprimet e mia”, tha këngëtari 79-vjeçar, në Los Anxheles.

Pasi iu desh të hiqte dorë nga karriera e tij në SHBA, Placido Domingo mori një goditje edhe nga vendi i tij i lindjes, Spanja, që për herë të parë anuloi dje pjesëmarrjen e tij në një shfaqje, pas pranimit prej tij të akuzave për ngacmim seksual.

“Kur ai tha se ajo që ka ndodhur, ka ndodhur me të vërtetë, në lidhje me fakte serioze që kanë prekur shumë gra, ne vendosëm se nuk ishte më e nevojshme prania e tij”, deklaroi ministri spanjoll i Kulturës, José Manuel Rodríguez Uribes./ atsh / KultPlus.com

Përkujtohet albanologu dhe filologu Gustav Meyer

Gustav Meyer ka lindur më 25 nëntor të vitit 1850 në Gros – Stechlitz të Austrisë. U rrit në Opeln dhe gjatë viteve 1860-1867 vijoi gjimnazin prej nga filloi të shfaqte interesimin e tij për gjuhësinë.

Më 1867 ka filluar studimin për filologji klasike. Më 1871 promovoi dizertacionin e doktoraturës me temë: “De nominibus graecis copositus”. Më pas punoi si mësues gjimnazi në Ernestinun të Gota-s. Gjatë kësaj kohe u përkushtohet edhe më tej studimeve filologjike. Në vitin 1874 shpërngulet në Pragë, ku në vitin 1875 si docent privat ka mbajtur ligjërata në Universitetin e Pragës.

Më 5 prill 1881 emërohet profesor i jashtëm dhe më 24 maj profesor zyrtar për sanskritishte dhe gjuhësi krahasimtare në Universitetin e Gracit. Ai më së shumti i ka kushtuar vëmendje greqishtes së vjetër dhe shqipes, sidomos etimologjisë dhe etnografisë.

Veprat e tij më të rëndësishme për gjuhën shqipe janë: Albanesische Studien I, (1882); Etimologische Wörterbuch der albanesischen Sprache, Strassburg 1891; Kurzgefasste albanesische Grammatik, Leipzig, 1888; Zum indogermanischen – Perfectum auf die albanesische Formenlehre, botuar në “Miscellanea di filologia e linguistica in memoriam di Napoleone Caix e Angelo Canello, Firenze, 1886; Die lateinischen Elemente im Albanesischen, botuar në: Gröbers Grundriss, I, I. Auflage (1888) etj.

Më 1897 për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore e ka përfunduar punën e tij si ligjërues. Ndërroi jetë në vitin 1900./ atsh / KultPlus.com

Shkolla Finlandeze aprovohet të ofroj program dhe diplomë të klasit botëror të ‘Cambridge’ për nxënësit e shkollës së mesme

Shkolla Finlandeze në Kosovë është akredituar dhe aprovuar nga Cambridge Assessment International Education (pjesë e Universitetit të Cambridge) për të ofruar programin dhe diplomën e mirënjohur të Cambridge për shkolla të mesme. Hapja zyrtare do të bëhët me një ceremoni rasti e cila mbahet me 5 Mars nga ora 17:00 në kampusin e Shkollës Finlandeze edhe me pjesëmarrjen e Atasheut Kulturor & Drejtorit të British Council dhe Zv Ambasadorës së Finlandës në Kosovë.

Cambridge Advanced përgatit nxënësit për universitet dhe arsim të lartë dhe ju mundëson atyre të marrin diplomën e shkollës së mesme e njohur si Cambridge International AS & A Level. Diploma e Cambridge për shkollë të mesme është njëra ndër diplomat më të njohura, të pranuara, dhe të respektuara në botë sa i përket kualifikimeve të shkollës së mesme.

Christine Özden, Drejtoreshë Ekzekutive e Cambridge Assessment Inernational Education, thotë: “Me kënaqësi të madhe ju njoftojmë se Shkolla Finlandeze në Kosovë i është bashkuar komunitetit botëror të shkollave Cambridge dhe ne mezi presim të kemi një marrëdhënie të gjatë dhe produktive me ta.”

Kaija Leena Salovaara, Drejtoreshë e Shkollës Finlandeze në Kosovë, thotë: “Jemi të lumtur që jemi akredituar dhe aprovuar për ofrimin e programit Cambridge A Levels e cila iu ofron mundësi të shkëlqyera nxënësve tanë në shkollë të mesme për t’u pranuar në disa nga universitetet më të mira në botë dhe në të njëjtën kohë të përgatiten për jetë përmes zhvillimit të shkathtësive të shekullit 21. Në këtë mënyrë, ne bëhemi shkolla e parë dhe e vetme ndërkombëtare në vend e cila ofron një diplomë ndërkombëtare për nxënësit në shkollë të mesme.”

“Shkollat Cambridge” mund të transformojnë kurrikulën e tyre në mënyrë që t’iu përshtaten mënyrës se si ato dëshirojnë që nxënësit e tyre të mësojnë – me një numër të llojllojshëm të lëndëve dhe mënyra fleksibile të ofrimit të këtij programi. Ky program poashtu ndihmon nxënësit të zbulojnë aftësi të reja dhe një botë më të gjerë, si dhe i pajis ata me shkathtësi të transferueshme të nevojshme për jetë, dhe kështu mund të arrijnë sukses në shkollë, universitet, dhe punë. Një program i tillë do të ofrojë mundësinë e kombinimit të praktikave më të mira të sistemit arsimor finlandez me rigorozitetin dhe prestigjin e kurrikulës dhe kualifikimeve të Cambridge.

Çdo vit, rreth një milion nxënës nga 10,000 shkolla në 160 vende të ndryshme përgatiten për të ardhmen e tyre me programet dhe kualifikimet e Cambridge. Suksesi me Cambridge ka rezultuar në raste të shumta të pranimit të nxënësve në universitetet më të mira në botë – në SHBA, Mbretëri të Bashkuar, Australi, Kanada, Gjermani, Finlandë dhe vende të tjera. Për më shumë informata mund të klikoni në këtë link www.cambridgeinternational.org

Me sistemin numër 1 në botë për edukim; me mësuesit më të mirë në botë, ata finlandez; me teknologjinë më të avancuar dhe iPad edukativ për secilin nxënës; me mësimin e bazuar në fenomene e lojra, e jo lëndë; dhe me qasjen krejt ndryshe të të mësuarit dhe zhvillimit të shkathtësive të shekullit 21 tek fëmijët tanë, Shkolla Finlandeze në Kosovë po shihet si një revolucion në sistemin arsimor të Kosovës. Shkolla posedon kampusin inovativ tek rrethi i QMI-së, ndërsa për më shumë informata mund të kontaktoni në 045 235 650, www.kosovo.finnish.school apo ne Facebook: www.facebook.com/ShkollaFinlandeze.

(Shkrim i sponsorizur )