Krijohet kodi i veçantë për mbështetje të bizneseve të grave në Kosovë

Është krijuar sot kodi i veçantë për mbështetje të bizneseve të grave në Kosovë me rishikim të buxhetit, shkruan KultPlus.

Vlera e ndarë për grante të dedikuara bizneseve të grave për pjesën e mbetur të vitit 2020 është 400,000 €.

Përmes këtij granti, synohet që të ju ndihmohet vajzave dhe grave në tejkalimin e situatës aktuale dhe në rritjen e promovimin e afarizmit të grave në të ardhmen.

Lajmin e ka bërë të ditur deputetja Mimoza Kusari-Lila e cila është shprehur e lumtur për kët ëfakt  dhe ka falënderuar deputetet që mbështetën këtë propozim.

“E lumtur që sot arritëm ta krijojmë kodin e veçantë për mbështetje të bizneseve të grave në Kosovë me rishikimin e buxhetit.
Ky kod prej tash e tutje është në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë nën Agjencionin për promovim dhe mbështetje të bizneseve, kodi subvencione dhe grante.
Vlera e ndarë për grante të dedikuara bizneseve të grave për pjesën e mbetur të vitit 2020 është 400,000 €.
Falënderoj të gjithë deputetet që e mbështeten këtë propozim.

Për të gjitha gratë dhe vajzat në biznes, uroj e shpresoj që sadopak të arrijmë të ju ndihmojmë në tejkalim të situatës aktuale dhe në rritje e promovim të afarizmit tuaj në të ardhmen.

Nga pozita e deputetës dhe anëtares së Komisionit për Zhvillim Ekonomik, do ta mbikëqyrë nga afër zbatimin e këtij programi.”, ka shkruar Kusari-Lila. / KultPlus.com

Familja Shita themelon bursë për studentët në nderim të gjyshit të tyre Vehap Shita

Në përkujtim të gjyshit të tyre, kritikut letrar, shkrimtarit dhe gazetarit të përjetshëm, Vehap Shita, nipat e tij Ardi, Miranda dhe Amanda kanë vendosur që të themelojnë bursën e familjes Shita, shkruan KultPlus.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Ardi Shita ka shkruar se bursa do i dedikohet një vajze apo djali të ri nga Gjakova me të gjitha shpenzimet e mbuluara e deri tek mundësia e diplomimit në Rochester Institute of Technology, përmes RIT Kosovo.

Sipas tij në kohët më të vështira të vendit, studimi në një Universitet amerikan për popullin tonë nuk ka mundur të jetë as edhe ëndërr. Shipa ka falënderuar gjyshin e tij dhe të gjithë veprimtarët e tjerë që kanë dhënë e sakrifikuar shumë për të mundësuar shkollimin e popullit shqiptar ndër vite.

“Për gjyshin tim, per te gjithe veprimtaret e kohes e te gjithe ata qe dhane gjithçka per shkollimin e shqiptarëve nder vite, ju falënderojmë nga zemra e ju kujtojme gjithmone”, ka shkruar ai në Facebook.

 Vehap Shita ishte një kritik letrar dhe shkrimtar, një gazetar i përjetshëm dhe përkthyes i veprave letrare. Ai u lind në Gjakovë në vitin 1923. Punoi si redaktor i kulturës së të përditshmes ‘Rilindja’, revistës ‘Jeta e Re’ dhe gazetës ‘Scena’, të Novi Sad. Shita është një nga themeluesit e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës në vitin 1970 dhe të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. Ai ishte Drejtori i Shoqatës së Veteranëve të Kosovës të Luftës Antifashiste të lirimit Kombëtar. Vehap Shita vdiq me datën 8 nëntor të 2015. / KultPlus.com

Ish-gruaja e bosit të Amazonit dhuron 1.7 miliard dollarë për bamirësi

MacKenzie Scott, dikur MacKenzie Bezos, tashmë ka dhuruar afro 1.7 miliardë dollarë të pasurisë së saj për një sërë organizatash bamirëse, pasi u zotua vitin e kaluar për të dhënë pjesën më të madhe të pasurisë gjatë jetës së saj.

Scott njoftoi të martën se ajo ka ndryshuar mbiemrin e saj në emrin e mesëm me të cilin u rrit, pas divorcit të saj nga drejtori i përgjithshëm i “Amazonit”, Jeff Bezos, vitin e kaluar.

Scott mori një të katërtën e aksioneve në “Amazon” të Bezos në marrëveshjen e divorcit të çiftit vitin e kaluar, duke i dhënë asaj një pjesë të aksioneve prej katër për qind që ishte me vlerë më shumë se 35 miliardë dollarë në atë kohë.

Vlera e saj neto aktualisht konsiderohet të jetë rreth 60 miliardë dollarë, sipas Indeksit të Bloomberg Billionaire’s. / KultPlus.com

Letër engjëllit tim mbrojtës

email sharing button

Poezia fituese e edicionit të parë të konkursit “KultStrofa”. Poezia e autorit Ragip Sylaj, doli e para ndër 10 poezitë më të mira ndër 100 poezitë sa kishin aplikuar. Për këtë poezi autori është shprehur që e ka shkruar me shumë dashuri.

Gjeni e poezisë – buzëqesh
dhe sundoje tani kaosin!
Fatos Arapi

I.
Si t’ia nis letrës që nuk shkruhet me ngjyrë, gjak as penë
Si t’ia nis të panisshmës të lajmërohem nga gryka e ferrit
Ndoshta ai është vetëm brenda meje
Vetëm përbrenda meje vlon, djeg prush

Jam në kurth me veten me dashurinë me urrejtjen
Për faj të pafaj për faj të pafuqisë sime
Apo të ndonjë shkaku të pathënshëm kozmik
E s’kam kujt t’i ankohem pos teje

Vetja nuk më kupton nuk e di sa më do
Shpeshherë më braktis si jetimin si mëkatarin e madh
Të tjerët nuk më duan nuk e di a më urrejnë
Por një gjë e di se këtu ku jam, jam i tepërt

Prandaj marr vetëm dhurata dhembjesh
Që i bart si relikte të shenjta
I ruaj brenda vetes përderisa të më bluajnë të tërin
Deri atëherë mund t’i shkruaj memoaret e hidhura
Dhe përsiatjet e pakuptimta: përse erdha në jetë
Përse i rashë këndejpari dhe çka lashë e ç’bëra
Për të mos i ardhur Tokës rënd
Kësaj nëne të mirë që na krijon me gëzim
Që na rrit me hare e na merr në gjirin e amshimit të vet

Vetja nuk më zë Engjëlli im Mbrojtës
Pikëllimi ma ka ngjyrosur fytyrën përbrenda
Dhe ma ka nxirë kaltërinë përjashta
Dielli i hutuar është fshehur pas një reje të zezë
Dikur agonte i bukur e magjepsës në imagjinatën time
Yjet në qiellin virtual
Që s’e kanë ndriçuar kurrë errësirën brenda meje
Mund të shfaqen pas mijëra vitesh drite hyjnore
Hëna si e përdalë shpërfaq gëzimin e vet naiv
As ftohtësia nuk ngroh as ngrohtësia nuk freskon
Në këtë pafundësi apokaliptike

Eja e më nxirr së këndejmi Engjëlli im Mbrojtës
Nxirre këtë fëmijë të plakur e të pamësuar me jetën
Me jetën që nuk çel lule të bardha në këtë kohë traumatike

II.

Kurrë s’më ka përqafuar dashuria aq sa më ka kafshuar urrejtja
Kurrë nuk m’është qasur mirësia aq sa m’ka ledhatuar përbuzja
Kurrë nuk m’u shfaq përdëllesa aq sa m’mbuloi vala e talljes
Kurrë nuk më buzëqeshi dielli i gëzimit aq sa ylli i zhgënjimit
Kurrë nuk m’trokiti n’derë shpresa aq sa m’vërshoi brenga
Kurrë nuk m’ka përdëllyer gëzimi përveçse kur nuk kam qenë aty

Ndoshta kam jetuar më tepër se që është dashur
Ndoshta u harxhuan jeta galdimi, hareja, shpresa
Ndoshta ato janë me mua por unë jam në gjumë
Ndoshta ato janë afruar e unë s’i vërej symbyllur
Ndoshta i ka ndalur dikush në t’bujshëm
Rrugës kah vinin për tek unë
Ndoshta kanë ardhur të tërmekura e nuk më kanë parë
Ose m’kanë parë të mërrolur e janë tutur prej meje
Ndoshta është faji im se s’kam ditur t’i tërheq
T’i josh s’kam ditur të flirtoj me to
Ndoshta në një tjetër rrenë kanë banuar ato
Ndoshta në një rrenë tjetër të bukur kam mundur të banoj unë
Unë i kam kërkuar edhe kur nuk është ditur për to
Ato më kanë kërkuar edhe kur nuk është ditur për mua
Por çudia si çdo çudi tjetër është si nuk u takuam kurrë
Apo kur u takuam nuk u njohëm
Apo ishim krijesa me maska dhe pa fytyrat tona t’vërteta
Se këndej t’frikësuar ikëm nga njëri-tjetri
Në dy anë të planetit në dy skaje të mendimit
Në dy pole të ëndrrës në dy vorbulla imagjinare
Përderisa n’pafundësi t’na bëjë bashkë pafundësia
Atëherë do të dalim të rikrijuar si pas Luftës së Trojës
Atëherë do të shpërfaqemi si pas themelimit të Romës
Atëherë do të rilindemi si pas luftës së Kosovës
Në një çast orgazme kur s’do të ketë kohë e hapësirë
Vetëm lumturia do të trillohet n’qeliza
Nga e cila do të çelin pafundësisht lulet e jetës
Edhe përtej vdekjes

III.
Kanë me ardhur pranverat e kanë m’i gjetë veç vargjet
Kanë me ardhë verat e kanë m’e gjetë veç blerimin e kallur
Kanë me ardhur vjeshtat e kanë me gjetë zbrazëti këngësh
Kanë me ardhë dimrat e kanë m’e gjetë kapituj t’ftohtë jete
Ka me ardhë Stina e Pestë me virgjëri të humbur
Vajtimi i zanave ka me i shurdhu’ Lugjet e Verdha

S’kanë me ardhë pranverat për harrimin e çartur habie
S’kanë me ardhë verat për kallirin e shurdhër të mendimit
S’kanë me ardhur vjeshtat për frytet e papjekura t’pendimit
S’kanë me ardhur dimrat për shpresat e mërdhira
Por ka me na bartur fjala prej libri në libër
Ka me na bartur poleni prej lulesh në lule
Ka me na bartur era si ajrin e dobishëm për bimë
Ka me na bartur përroi si etjen e djegur për zogj
Ka me na bartur gjethi si kujtimin e zverdhur ndër mote

Dikush ka me u ba këngë e dikush pemë e pjekur
Dikush ka me u ba elegji e dikush dru i djegur
Dikush ka me u ba kujtim e dikush përmendore fjale
Dikush ka me u ba trishtim e dikush muranë kujtese
Dikush ka me u ba pëshpëritje e dikush lapidar pendese

IV.
Ndaj po të nis letër ankimi letër njohtimi
Siç niset kërkesa për punë a lutja për shpëtim
Siç niset lutja për pendesë a kërkesa për ankesë
Të më fashitet tronditja e gjakut e turbullimi i shpirtit
Të mos e vjell veten as helmin të mos e mbaj brenda
Të mos mërdhij në fushë as t’mos digjem përbrenda
Paqen ta gjej atje tek e ka humbur i trazuari
Harmoninë ta gjej tek e ka humbur i shthururi
Guximin ta gjej atje tek e ka humbur qyqari
Mençurinë ta gjej atje tek e ka humbur i marri
Forcën e qëndresës ta gjej atje tek e ka humbur i vdekuri
Vetveten ta gjej atje tek e ka humbur i humburi

Ndaj letër po të nis Engjëlli im Mbrojtës
Një letër që s’shkruhet si shkruhet letra
Një letër siç nuk lexohet letra në turmë
Një letër me nga pak vrer me nga pak helm e nga pak mllef
Një letër e mbarsur shqetësim që i ka humbur poetit
Një letër e dehur zbrazëtie mendimesh t’paardhura
Një letër e zverdhur dhembjesh dhe kohësh të harruara
Një letër e zhubrosur moskujdesjeje dhe e vruguar

A është letër që e shkruan i vdekuri apo i palinduri
A thua e shkruan pendestari apo i pabinduri
A thua e shkruan këngëtari apo shtegtari
Gojëkyçur nga heshtja mashtruar nga tregtari
M’ndjej sa herë që kjo letër nuk është letër
M’ndjej sa herë që kjo këngë sa duhet nuk është vepër
Më ndjej sa herë që kjo letër nuk e bind Providencën
Dhe sa herë i shqetëson gjakrat e nuk e zgjidh çështjen

Po atje lart është paqja dhe ju s’e keni vetëm për vete
Atje lart është dashuria që mjafton edhe për të tjerët
Atje lart është mirësia që varfërohet po u konservua
Atje lart rri bujaria që pakësohet po s’u dhurua
Atje lart rri gëzimi që gëzohet kur dikë gëzon
Atje lart rri ndriçimi që nuk përhapet po s’rrezaton
Atje lart rri mençuria që marrëzia s’e pranon
Atje lart ngjizet jeta shenjtëri që grafullon
E të ligat na i prapëson

V.
Vallë është letër e shkruar nga varri apo në varr dërgohet
Vallë është letër e shkruar nga ferri apo nga ferri prapësohet
Vallë është letër e shkruar nga shkretëtira apo n’shkretëtirë lexohet
Vallë është letër e shkruar në kënetë apo në kënetë arrin
Vallë është letër e shkruar në zgafellë apo zgafella e zhbin
Vallë është letër e shkruar pa kuptim e moskuptimi e përpin
Apo është letër e stisur vetëm për art e për lexim

Zjarrin e prushtë ia ndien ai nga i cili buroi
Zjarrin e akullt ia ndien ai tek i cili përfundoi
Ankthin e gulçimin ia ndien ai që e krijoi
I ankthshëm e i akullt ndihet edhe ai që e shijoi
I brengosur u ndi ai që i skaliti këto radhë
Pa brenga nuk mbeti as ai që e përjetoi si përrallë
I nemitur mbeti në fund ai që këndoi nga zori
I pa nemitur nuk mbeti as ai që e interpretoi si aktori

Kjo letër u nis nga një i vdekur
Apo te i vdekuri ka ardhur
Kjo letër u nis nga shpella
Apo në shpellë ka mbërri
Kjo letër është shkruar nga një yll rojtës
Për të përfunduar te Engjëlli im Mbrojtës
Është nisur nga krijesa e kallur prej etjes
Nga një njeri që s’ka mundur ta luajë rolin e vetvetes
Nga një njeri që ka frymuar brenda fjalës
Brenda dhembjes kopsht parajse
Por dije imzot që s’po më lënë bremjet…
Sa herë po m’lëshojnë andrrat po m’kaplojnë dhembjet*

VI.
Engjëlli im Mbrojtës më trego
Si ta vizatoj melankolinë
Si ta pikturojë mërzinë
Si ta fotografoj pikëllimin
Si ta kompozoj dëshpërimin
Si ta skanoj mllefin
Si ta bëj shfaqje zhgënjimin
Si ta filmoj pakënaqësinë
Si ta bëj këngë padurimin
Si ta fsheh pafuqinë
Si ta bëj operë varfërinë
Si ta xhiroj tingullin jo ndrojtës
Më trego Engjëlli im Mbrojtës

Thuamë Engjëlli im Mbrojtës
A shlyhet vizatimi i melankolisë
A griset pastaj piktura e mërzisë
Si mund ta djeg imazhin e pikëllimit
Më tej si ta dekompozoj dëshpërimin
Pamjen e shëmtuar të mllefit si ta hijeshoj
Shfaqjen e zhgënjimit si t’ia maskoj publikut
Këngën e padurimit si ta qetësoj
Pafuqinë si ta shpërfaq n’epos heroik
Xhirimin e tingullit t’shpresës si ta bluaj
Engjëlli im Mbrojtës më thuaj

Më mëso Engjëlli im Mbrojtës më trego
Si ta zhvendos imazhin e melankolisë
Si ta çrrënjos barin e mërzisë
Si ta shartoj pemën e pikëllimit
Si ta rrënoj murin e dëshpërimit
Si ta qetësoj lumin e mllefit
Si ta thaj kënetën e zhgënjimit
Si t’i pres ferrat e mosdurimit
Si ta forcoj qenien e pafuqisë
Si ta ndërtoj shtëpinë e shpresës
Por jo dosido
Më trego Engjëlli im Mbrojtës më mëso

VII.
Kur të arrij letra te ti ndoshta mund të vdesë vdekja
Dhembja mund të shafitet në parahistori
Djalli mund të dalë nga trupi të shkojë me ujërat e zeza
Hidhërimi mund avullohet si ujtë e valuar

Sëmundja mund të shërohet para se të lëshojë rrënjë
Makthi mund të çlirohet si në një ëndërr të bardhë
Kujtimet e zeza do të fundosen në pellgun e harrimit
Kaosi do të organizohet në fund të rrënimit
Verbimit do t’i vijë drita e paparë më parë
Engjëjt e zinj do të vajtojnë pse s’u ftuan në garë
Muret do të rrënohen për ta çmbyllur vetminë
Burgjet do të shemben për ta zhburgosur dashurinë
Kur të arrijë letra te ti mund të jetë harruar vdekja
Në luadhe të ëndrrës mund të ketë lulëzuar jeta
Vetëm atëherë do ta dimë saktë ku do të jetë pikëpjekja

Andaj të lutem ma prapëso pikëllimin
Të lutem shumë ma zhbëjë si t’mundesh dëshpërimin
Porosit marangoz që t’ia hap derën gëzimit
Deri atëherë do të kem mësuar t’i gjej ilaç shqetësimit
Ma mëso rregullin e harmonisë aty ku s’e gjej dot
Ma mëso qeshjen të lutem aty ku veç mund të derdh lot
Ma mëso magjinë e dashurisë aty ku vërshon urrejtja
Më mëso të flas bukur aty ku s’durohet heshtja
Më mëso ta urtoj marrëzinë ta mençuroj çmendurinë
Të bëj ilaç nga helmi që askush dot s’e përpin
Më mëso të bëj ar nga hekuri o alkimist i mirë
Më mundëso ta shndërroj përherë ujin në verë
T’i strehoj të pastrehët të uriturit t’i ushqej
Apatridët t’i bëj me atdhe të robëruarve lirinë t’ua kthej!

(Mars- prill, 2016)

Netflix me dokumentar për kriminelët më të famshëm botërorë që janë ende në arrati

Shikimi i një dokumentari që flet për krime të vërteta në sigurinë e shtëpisë tuaj është çdo herë komod dhe i rehatshëm, por këtë herë mund të ju godas pak më afër sigurisë së shtëpisë tuaj… sepse kriminelët janë ende në arrati, shkruan The Edge, transmeton KultPlus.

“World’s Most Wanted” do të përqendrohet në pesë nga kriminelët më vdekjeprurës dhe të kërkuar në botë, e që tani mund të ndodhen kudo.

Edhe hetimet në instanca globale nuk kanë qenë të mjaftueshme për të kapur këto mendje gjeniale famëkeqe – me njërin prej tyre që ka qenë në arrati për mbi 20 vjet.

Çdo episod do të fokusohet në kriminel të ndryshëm, dhe do të paraqesë intervista me policë dhe zyrtarë të ligjit, duke analizuar se si ata kanë shpëtuar. Seriali gjithashtu do të ndriçojë dritën se si kriminelët e arratisur do të kapen me shpresë një herë e përgjithmonë.

Shfaqja do të jetë e disponueshme për t’u parë në Netflix që nga 5 gushti. / KultPlus.com

“Çdo ditë mlohem me gjak, n’ven të trandofilit marr dajak”

Poezi nga Egzon Krasniqi

Natë e gat’
Frymë e shkurtune
N’fakt e shune
Nën gjam’t e dhunës

Frig’ asht me vdek
Frig’ kalue friges
Asht me dasht me rrnu

Rrnes s’ka
Për mu jo
Çdo ditë mlohem me gjak
N’ven të trandofilit marr dajak

Rrnes mos pastë mi’ kët’ tokë
Qe gjamt e grues s’pushun kurrë
Mos jetofshin zullumqarët
As ata që vec rrijnë n’gjum

Qohuni
Çika e djem
Gra e burra
Qohuni o milet
Thoni boll dhunës ndaj gruas

Edhe sa dojmë me prit
Edhe sa dojmë me i vra
Edhe sa… / KultPlus.com

Rikthehet Linda Halimi në Kosovë pas shtatë vitesh

Jeton prej shumë vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ka plot shtatë vite që nuk ka qenë në Kosovë. Mallin për vendin e saj, ajo shpesh e ka shprehur përmes postimeve të ndrysmë në rrjetet sociale.

Por, Halimi tashmë është rikthyer në vendlindje pas plotë shtatë vitesh.

Përmes një fotografie të publikuar në InstaStory, ajo tregon momentin kur ateron në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë.

Nuk dihet nëse ky rikthim lidhet edhe më ndonjë projekt muzikorë apo thjesht ka ardhur për t’i kaluar pushimet me familjarët. / KultPlus.com

Edhe 1 ditë mbyllet afati për aplikim për bursa për studime dhe punësim

Pas lansimit të programit Studime & Punësim nga Kolegji Universum, mbi 1,873 maturantë tashmë kanë aplikuar në këtë program. Program ky i cili kombinon studimet akademike me aftësimin profesional ose përvojë praktike në Kolegjin Universum dhe mundëson kyçjen më të lehtë në tregun e punës.

Kolegji Universum me këtë program i’u ofron maturantëve financim të plotë të studimeve, praktikë gjatë tri viteve si dhe punësim të garantuar pas diplomimit.

Këtë vit Kolegji Universum financon edukimin e 20 të rinjve. Këta përfitues të bursave nënshkruajnë kontrata me Kolegjin Universum e cila iu mundëson studentëve të punojnë 20 orë në javë në Kolegjin Universum.

Pas përfundimit të studimeve, studentët me performancë më të mirë nënshkruajnë kontratë të rregullt të punësimit me Kolegjin Universum.

Linku për aplikim https://forms.gle/xZNipiBLdEUEHfoS9

Afati i fundit për aplikim eshte neser me 31 Korrik 2020, ndërsa testi vlerësues do të mbahet me 10 Gusht. 

Për studentët e përzgjedhur pas fazës së testimeve, studimet në Kolegjin Universum financohen 100% nga Kolegji Universum dhe vlen për 3 vite studime. Ky financim dhe puna praktike vlen për të gjitha programet e studimit.

Për më shumë info për pozitat e hapura dhe bursat kliko këtu https://www.universum-ks.org/studime-punesim/ ose kontakto [email protected] apo 044 144 062.

(Shkrim i sponsorizuar nga Kolegji Universum)


OBSH: Në Evropë numër shqetësues i të rinjve me koronavirus

Gjithnjë e më shumë të rinj në Evropë janë duke rezultuar pozitivë në testet e COVID-19, ka thënë Organizata Botërore e Shëndetësisë për Euronews.

Dr Hans Kluge, drejtor rajonal i OBSH-së në Evropë, tha se ata janë duke vërejtur një rritje të madhe të të rinjve në Evropë, të cilët po infektohen dhe po humbin jetën si pasojë e koronavirusit.

Edhe disa shtete si Gjermania dhe Franca kanë ngritur këtë shqetësim se shumë të rinj kryesisht të moshës 20 dhe 39 vjeç janë duke humbur jetën si pasojë e COVID-19.

Sipas ekspertëve kjo është duke ndodhur për shkak se të rinjtë kanë më shumë kontakte me njerëz dhe është krijuar përshtypja se janë imunë ndaj këtij virusi.

Shumë të rinj, të kontaktuar nga Euronews, kanë thënë se megjithëse pandemia ua ka ndryshuar disa aspekte të jetës, gjithsesi ata ende vazhdojnë t’i takojnë miqtë dhe nuk duan ta humbin verën duke qëndruar të mbyllur.

“Unë nuk kam frikë nga virusi, sepse unë jam e re dhe besoj se ne jemi më imunë ndaj tij në krahasim me moshat e vjetra. Unë në të vërtetë që nga hapjet e bareve dhe lokaleve kam takuar po aq njerëz sa më parë”, tha Sarah, një qytetare e Parisit për Euronews.

Sipas ekspertëve, arsyeja që virusi është duke i prekur në numër të lartë të rinjtë, janë pikërisht informacionet që janë dhënë në fillim, duke pretenduar që koronavirusi i prek vetëm të moshuarit dhe të rinjtë nuk janë në rrezik.

Dr. Kluge theksoi se kjo ide duhet të çrrënjoset dhe ekspertët duhet të ndryshojnë qasjen dhe informatat, të cilat njerëzit i pranojnë çdo ditë në lidhje me rrezikun mbi koronavirusin. /Gazeta Express/ KultPlus.com

Historia frymëzuese e burrit që u diplomua në moshën 97-vjeçare

Nuk është kurrë vonë për të marrë një diplomë! E nëse nuk besoni, atëherë lexoni historinë e këtij 97-vjeçari, i cili nuk u dorëzua për të fituar sa më shumë dije.

E pikërisht shembulli më i mirë është studenti më i vjetër i universiteteve italiane, i cili është diplomuar në moshën 97-vjeçare në Histori dhe Filozofi, transmeton Shqip shkrimin.

I lindur në 10 shtator të vitit 1923, Giuseppe Paterno ose siç të gjithë e thërrasin “mjeku Paterno” është baba i dy fëmijëve dhe gjysh i katër nipërve.

Ka lindur në një familje të thjeshtë dhe gjithmonë ka punuar, por asnjëherë nuk ka lënë pas librat. Ai është regjistruar në Universitetin e Palermos në moshën 94-vjeçare, në vitin 2017. Sipas mediave italiane, Giuseppe ka kaluar pa asnjë problem në të gjitha lëndët me një mesatare 29.80.

Një fenomen. Deri mbrëmjen e djeshme ai lexoi tezën e përfunduar para provimit të fundit të marrë në internet dy javë më parë: “Një lidhje kompjuterike për shkak të fajit të Covid. Por tani diskutimi dhe votimi i fundit zhvillohet në klasë, live”.

“Do të doja të merrja një 110 dhe lavdërime”, ka thënë ai teksa dridhej në banesën e tij përpara konsullatës amerikane. / KultPlus.com

Dita Botërore e Miqësisë

Dita Botërore e Miqësisë, pavarësisht se festohet në ditë të ndryshme në vende të ndryshme, zyrtarisht festimi i saj bëhet më 30 korrik.

Kjo është një ditë ku më së shumti duhet të falënderohet miqtë që keni pranë, të vlerësoni ata dhe të shprehni se sa me fat jeni që i keni.

30 korriku u zgjodh si datë nga OKB. Më 30 korrik të vitit 1958, u propozua Dita Botërore e Miqësisë.

Fillimisht kjo ditë u përdor për qëllime biznesi, për ato industri të prodhimit të kartolinave, me qëllim shitjen e tyre, por avancimi i shkencës, zhvillimi i teknologjisë që ka sjell një mbipopullim të rrjeteve sociale nuk lë më nevojën e përdorimit të kartolinave.

Pavarësisht se atëherë komercializmi nisi ta hidhte poshtë këtë ditë, duke e cilësuar si “mashtrim marketingu”, kartolinat apo lulet vazhdojnë të mbeten një traditë popullore. / KultPlus.com

Jahjaga renditet në mesin e njerëzve që ndryshuan botën, krahas saj edhe Elanor Roosevelt

Ambasada Amerikane në Kosovë e renditë ish presidenten e Kosovës, Atifete Jahjagën në mesin e atyre që ndryshuan botën për të mirë, duke e bërë bashkë në listë edhe me drejtuese tjera shtetërore si Elanor Roosevelt, përcjellë KultPlus.

Jahjaga e ka konsideruar nder dhe privilegj renditjen që i është bërë nga Ambasada Amerikane e Kosovës. Ajo është shprehur se është privilegj të renditesh në mesin e atyre që ndryshuan botën për të mirë dhe hapën rrugën që njerëzit të gëzojnë të drejta të barabarta.

“Çfarë nderi dhe privilegji që të renditesh në mesin e drejtuesve të tjerë si Eleanor Roosevlet nga #USEmbassyPristina si një nga ato që e ndryshuan botën për më mirë dhe hapën rrugën që njerëzit të gëzojnë të drejta të barabarta. #RightstoFreedom #USëithKosovo”, ka shkruar Jahjaga në Facebook.

Ndërkaq nga Ambasada Amerikane në Kosovë u tha se Jahjaga është gruaja e parë Presidente e Kosovës e cila foli për rëndësinë e pjesëmarrjes së grave dhe sfidoi mentalitetin patriarkal në politikë si dhe ndjeki kauzën e saj për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës. / KultPlus.com

Rozafa

Poezi nga Bekim Lumi

Mbi trupin tand të bardhë e të brishtë
U ngriten ledhet e gurta të kështjellës,
Aty ku hapeshin perdet e një drame
Mbylleshin portat e randa të jetës

Orakujt Rozë-fati të zgjodhën
Të muroheshe ti duhej patjetër,
Drandofille e fatit me fustan qefin
Si fatet e preme të Gadishullit të Vjetër

U ç’dhembje të tmerrshme,ç’rrënqethje, ç’ankth do t’kesh ndie
Nën peshën e randë të mureve të ftohtë,
Po dhembje ma të tmerrshme do t’kenë ndie vetë muret
Tue randue trupin tand të ngrohtë

Dhe gjersa trupi yt i bardhë murohej
Në puset e netëve mitologjike,
Në parandjenjën e kombit muroheshin
Aktet e dramës së ardhshme tragjike

Dhe duhej, duhej që ti të muroheshe
Të muroheshe ti duhej patjetër
Nën ledhet e gurta të ftohta të kështjellës
Apo nën pirgjet e baladës së vjetër

Mbi trupin tand të bardhë të brishtë
U ngritën ledhet e gurta të kështjellës
Aty ku mbylleshin perdet e një drame
Hapeshin portat e randa të jetës. / KultPlus.com

Ava Max paralajmëron albumin debutues “Heaven and Hell”

Ava Max, këngëtarja shqiptare me famë botërore tashmë ka arritur një numër të madh të sukseseve në botën e muzikës.

Ajo tashmë rangohet krah për krah me artistët e tjera shqiptare të cilat kanë arritur famë ndërkombëtare. Pas publikimit të këngëve dhe hiteve të shumta, Ava Max më në fund, në shtator të këtij viti do të sjellë albumin e saj të parë i cili do të titullohet “Heaven and Hell”.

Artistja, emri i vërtetë i së cilës është Amanda Ava Koci, ka shpërndarë me ndjekësit e saj në Instagram një video të shkurtër duke sjellë kopertinën e albuimit të saj.

“Unë kam qenë duke ëndërruar për këtë ditë për kaq shumë kohë dhe jam aq e emocionuar të ju njoftoj se albumi im debutues do të publikohet më 18 shtator! Ju keni qenë atje për mua në çdo hap të udhëtimit tim dhe unë nuk mund të pres që t’i ndaj këto këngë me ju. Zemra ime mund të shpërthejë…, këto këngë së shpejti do të jenë tuajat. Para-blerjen e albumit mund ta bëni nga nesër! Ju dua shumë të gjithëve”, ka shkruar Ava Max në Instagram.

 25 – vjeçarja me origjinë shqiptare pak ditë më parë është nominuar për çmimin “Depërtimi i vitit”, në ndarjen e çmimeve MTV Video Music Awards 2020. / KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/CDPLQNSFq71/?utm_source=ig_embed&fbclid=IwAR0zUKiSHrKy8gIaeAJY33oEd-rLMrPr_mSaZU99D1zpJj4cZ5-nqT4sa3Y

Dy vite nga vdekja e regjisorit Bekim Lumi

Regjisor i shfaqjeve më të mira në teatrin kosovar në dy dekadat e fundit. Ky është një prej konstatimeve që ishte bërë për Bekim Lumin në ditën kur ai vdiq. Por gjatë jetës së tij prej artisti, Lumi nuk është njohur vetëm si regjisor. Midis të tjerash ai ishte edhe studiues.

Regjisori i njohur i teatrit shqiptarë dhe njëkohësisht profesor i nderuar që përcolli shumë gjenerata sot dy vite u nda nga jeta. Ai ishte ndër njerëzit që e donin më së shumti teatrin. Këtë e dëshmoi edhe vepra e tij e fundit që e jetësoi në skenë pak para se vdekja ta marrë, shkruan KultPlus.

Ndonëse ishte në ditët e tij të fundit, ai si rrallë ndonjë njeri tjetër, mblodhi të gjitha forcat për të realizuar ëndrrën e tij të fundit, jetësimin e veprës “Arturo Ui” në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Por, këtë ëndërr nuk pati fatin ta shoh bashkë me publikun në premierën e saj, pasi që gjendja ju përkeqësua dhe shëndeti i tij i lig ja pamundësoi një gjë të tillë, por ai po frymonte lirshëm që kishte arritur që atë shfaqje ta sjellë para publikut.

Lumi ishte një ndër regjisorët më të vlerësuar në fushën e teatrit në Kosovë, profesor në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës. Ndër veprat që ai ka vënë në skenë mund të përmendim Teatri Laborator “Loja”, Prishtinë 2010 – William Shakespeare, “Këmisha e gjakut” (bazuar në tragjeditë “Makbethi”, “Rikardi III” dhe “Hamleti” të W. Shakespeare-it, si dhe në disa tekste të Kanunit të Lekë Dukagjinit), Teatri Laborator “Loja”, Prishtinë 2008 – Eugene Ionesco, “Çifti Martin”, Teatri Kombëtar i Kosovës, Prishtinë 2006 – Federico Garcia Lorca, “Shtëpia e Bernarda Albës”, Teatri Kombëtar i Kosovës, Prishtinë 2005 – A. P. Çehov, “Arushani” & “Fejesa” (dy komedi), Teatri Kombëtar i Kosovës, Prishtinë 2003 – Slavomir Mrozhek, “Galani”, Teatri “Dodona”, Prishtinë 2002 – Eugene Ionesco, “Mësimi”, Teatri “Dodona”, Prishtinë 2000 – “Kësulëkuqja në botën e minave” (shfaqje me kukulla), Teatri “Loja”, Mynih (Gjermani) 1999 – A. P. Çehov, “Për gruan dhe tokën e jap edhe kokën” (komedi e adaptuar mbi disa tekste të Çehov-it dhe mbi disa fragmente të Kanunit të Lekë Dukagjinit), Teatri “Loja”, Mynih (Gjermani) 1998 – Gjergj Fishta, “Zogu i shqiptarit dhe zogu i gomarit” (tragjikomedi mbi veprat epike dhe satirike “Lahuta e Malcis’ ”, “Gomari i Babatasit”, “Anzat e Parnasit”), Teatri “Loja” & Theater Truebuene, Mynih (Gjermani), etj. Lumi ka qenë kryeredaktor i revistës teatrale “Loja”.

Ai është vlerësuar me Mirënjohje Speciale “Sound of MESS” me shfaqjen “Këmisha e gjakut”, Festivali Ndërkombëtar i Teatrit MESS, Sarajevë (Bosnje e Hercegovinë). Në vitin 2011 ka marrë çmimin “Shfaqja më e mirë muzikore” për shfaqjen “Çifti Martin”, Festivali Ndërkombëtar i Teatrit Kamertal – Vratza (Bullgari). Çmimi “Shfaqja më e mirë” – Shfaqja “Mësimi”, Festival International del Teatro – Lugano (Zvicër).

U nda nga jeta më 30 korrik 2018 pas një sëmundje të rëndë. /KultPlus.com

Vdes reperi Malik B

Ka vdekur reperi Malik Abdul Basit, anëtar i grupit pionier të hip hopit – “The Roots”.

Ai vdiq në moshën 47 vjeçare, raporton CNN.

Grupi tij ka njoftuar vdekjen të mërkurën në Instagram në një postim ku shfaqet një fotografi e Malik B me bashkëthemeluesit e “The Roots”, Black Thought dhe Questlove.

“Me zemër të thyer e me sy të përlotur ju informojmë me keqardhje për ikjen e vëllait tonë të dashur dhe anëtarit të Roots, Malik Abdul Basit”, thuhet në njoftim.

Grupi nuk e tregoi shkakun e vdekjes së reperit e vdekja e tij u konfirmua edhe nga kushëriri i tij Don Champion në Twitter.

Malik B jetonte e vepronte në Filadelfia. / KultPlus.com

Fan S. Noli, figurë e rëndësishme e kulturës shqiptare

Fan Stilian Noli ka qenë poet, përkthyes, prift, politikan, historian, dhe ish kryeministër i Shqipërisë.  Noli ka studiuar në Harvard, për arte, ndërsa ka qenë edhe mësues në Egjipt dhe ka përkthyer në greqisht veprën e Sami Frashërit  “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”.

Është i njohur me kryeveprat e tij “Albumi” dhe “Historia e Skënderbeut”, e shumë të tjera. Fan Noli ka vizituar Shqipërinë për herë të parë në vitin 1913, dhe ka qenë përkrahës i madh i Ismajl Qemajlit, dhe qeverisë së tij.

Vepra e parë e Nolit qe drama me tre-akte Israilitë dhe Filistinë, e botuar në Boston 1907. Kjo dramë qe shkruar qysh më 1902, bazuar në historinë e Samsonit dhe Dalilës në Dhjatën e Vjetër.

Kontributi më i gjerë i Nolit qe në fakt ai i stilistit, siç shihet ndë përkthimet e tij. Bashkë me Faik Konicën mund të vlerësohet si ndër stilistët më të mëdhenj të dialektit Toskë.  Afria që kishte me gjuhët e huaja, greqishten, anglishten dhe frëngjishten e aftësoi ta bënte shqipen në një gjuhë të stërholluar dhe elegante, ndonëse pak folklorike.

Noli përktheu mjaft autor amerikanë dhe europianë të shek. XIX, duke vënë në punë veshin muzikor, mundi të pasqyronte stilin dhe ngjyrat e ritmit të origjinalit. Ndonëse vetë nuk shkroi shumë në lëmë të letërsisë, ngelet një letrar i madh.

Fan Noli ka qenë deputet i Kolonisë së Amerikës në legjislaturën e dytë (21 prill 1921 – 30 shtator 1923), si dhe kundërshtari politik më i egër i Ahmet Zogut ishte Fan Noli. Ky i fundit mbretin e quante “shakaxhi të përparimit” Ahmet Zogu dhe Fan Noli kanë dënuar njëri-tjetrin me vdekje pas kryengritjes së vitit 1924 kur Noli erdhi në pushtet dhe në dhjetor të atij vitit kur Zogu erdhi sërish në pushtet.

Noli ka lindur  një fshat shqiptar në Trakë, jo shumë larg nga Edreneja, në Turqi dhe ka vdekur në Florida, Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1965.

Noli ka lindur  një fshat shqiptar në Trakë, jo shumë larg nga Edreneja, në Turqi dhe ka vdekur në Florida, Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1965. /KultPlus.com

Arshi Pipa dhe vepra madhore e tij meritojnë nderim të përjetshëm

Nga: Shpend Topollaj

U mbushën 100 vjet nga lindja e profesor Arshi Pipës, njërit nga tre disidentët më të shquar të ish vendeve komuniste, sikurse e kanë cilësuar. Intelektual me profil të spikatura atdhetar, ai ishte kundërshtari më i madh ndaj ç`do diktature në përgjithësi dhe asaj komuniste në veçanti.

Nuk e kishte vetëm nga librat urrejtjen për atë sistem gjakatar, por e kishte provuar hakmarrjen barbare të tij mbi kurrizin e tij dhe të familjes së tij. Bir i një juristi me ide përparimtare nga Libohova për të cilat kishte kryer edhe burgimin, vendlindja e tij qe Shkodra, qyteti me kulturën e njohur dhe prirjet më evropiane e demokratike i Shqipërisë. Shkollën fillore dhe atë të mesmen, Arshiu i kreu pranë Kuvendit Jezuit, ku dhe dolën në pah prirjet e tij letrare qysh kur ishte 16 vjeç. Studimet e mëtejshme i vazhdon në Firencen e historisë dhe artit magjik, ku pasi përfundon Universitetin, laureohet doktor në Filizofi. I mahnitur pas “Komedisë Hyjnore” të Dante Aligierit dhe lirikave të tij novatore, si dhe nga vepra e poetit dhe historianit Francesco Petrarca, ai përvetëson disa gjuhë të huaja dhe bëhet adhurues i holandezit me origjinë hebreje Baruch Spinoza, Berklit etj. Por krahas admirimit për gjithçka të mirë kishte trashëguar Italia, ai kuptoi shpejt se ku donte ta shpinte atë doktrina fashiste të cilën e urren dhe e lufton së bashku me vëllanë e tij, avokatin me emër Myzafer Pipa. Pas çlirimit të vendit, ai gjithashtu kupton demagogjinë e sistemit që partia komuniste me Enver Hoxhën në krye po instalonin në atdheun e tij dhe nuk e fsheh mospajtimin me të, gjersa në vitin 1946 e arrestojnë së bashku me të vëllanë i cili pak më parë kishte qenë i internuar nga fashistët në Ventotene dhe më pas në Prishtinë nga nazistët gjermanë. Krimi i këtij të fundit kishte qenë se duke kryer detyrën e tij si avokat, ai kishte marrë përsipër mbrojtjen në gjyqin special të “armiqve të popullit”, pjesëmarrës në grupin e deputetëve. Në pohimet e Koçi Xoxes e Vaskë Kolecit, kur u erdhi vetë radha për të dalë në gjyq, deklarohen torturat çnjerëzore që u përdorën ndaj tij derisa vdiq. Arshiun 26 vjeçar e dënojnë me 11 vjet burgim. Në burg, Arshiu shkruan poezi plot brengë e dhimbje në letra cigaresh dhe i nxjerr ato me anën e rojës së burgut, njeriut të ndershëm Hasan Gjozaj të cilit i mbetet mirënjohës, për t`ua dhënë motrave të cilat përjetuan gjithashtu egërsinë e regjimit. Koha e vuajtjes së dënimit në kënetën famëkeqe të Maliqit, torturat dhe mizoritë që ai pa dhe provoi atje, janë përshkruar me art dantesk te “Libri (i tij) i burgut”. Ja si shkruan ai këtu: “ Na shkulin thonjt me danë, ndër plagët krypë, / na këllasin e na shtyjnë / n`gërmaz me grushta, e uj kur bajm me lypë / qeshin e na pështyjnë. / na lagin dimnit qelat, elektrikun / na venë ndër veshë e gojë, / e deri ndër turpe… E qeshin tue na fikun cigaret n`sy për lojë.” Si mbaron afati i dënimit, dhe sheh se për të nuk ka asnjë perspektivë, Arshiu gjen mundësinë dhe në vitin 1958 largohet nga Shqipëria dhe përfundon në SH.B. Amerikës, vend ku demokracia krijonte mundësi të reja. Këtu, ai pas përpjekjeve të pareshtura, caktohet për të dhënë mësim në Kolegjin e Arkansasit si profesor i filozofisë dhe pastaj në Universitetin e Minasotës ku jep lëndën e tij të preferuar, atë të letërsisë italiane. Bie në sy erudicioni i tij i jashtëzakonshëm në disa fusha si gjuhësi, letërsi, filozofi, sociologji, publicistikë etj. dhe në këto vite shkruan e boton veç librit të sipërpërmendur edhe një mori veprash të tjera që e bënë mjaft të njohur si “Lundërtarë”, “Rusha”, “Meridiana”, “Kritika letrare”, “Montale dhe Dante”, “Jeronim De Rada”, “Letërsia shqipe: perspektiva sociale”, “Letërsia bashkëkohore shqiptare”, “Vargu popullor shqiptar”, “Politika e gjuhës në Shqipërinë socialiste”, “Shqipëria staliniste. Aspekte ideopolitike”, “Studime mbi Kosovën”, “Tipologjia dhe periodizmi i letërsisë shqiptare”, “Fan Noli si një nga figurat kombëtare dhe ndërkombëtare shqiptare”, “Bisedë përmbi Kadarenë”, “Fenomeni Kadare”, “Humanistët italo – shqiptarë”, libri i shkruar në burg qysh në 1955 “Skica e një konceptimi mbi jetën plotësuar me Mbi gjeniun” (italisht) etj. I palodhur, si studiues dhe polemist i pakompromis, ai ka marrë pjesë aktive në shumë simpoziume e takime shkencore, dhe ka botuar një sërë artikujsh me shumë vlerë në revista të ndryshme si në Amerikë ashtu edhe në Evropë. I djegur nga malli e dashuria për atdheun e tij, me përmbysjen e komunizmit, Arshiu , tani i renditur krahas Ernest Koliqit dhe Martin Camajt, erdhi në Shqipëri, ku pa se ëndrra e tij ishte bërë realitet. U çmall me njerëzit e tij të dashur, motrat e tij të shtrenjta, Bukurushin, Nedretin dhe burrat e tyre, intelektualë të mrekullueshëm, të ndjerët shkrimtarë Bardhyl Shehu dhe Uran Kalakulla i cili kishte kaluar plot 21 vjet në burgferrin shqiptar të asaj kohe së bashku me të respektuarin demokrat Pjetër Arbnorin.  Në moshën 77 vjeçare profesor Arshi Pipa, tani i vlerësuar në vendin e tij, ndërron jetë në Washigton. Besimi i tij te demokracia, neveria e hapur ndaj diktaturës, urretja për barbarinë komuniste, guximi qytetar për t`i shprehur bindjet e veta, karaktei i tij i pathyer, mosnjohja e asnjë kompromisi me të keqen, etja e pashuar për dije, vullnet për të krijuar sa më shumë, dashuria për vendin e tij,  ishin tiparet kryesore të këtij njeriu të jashtëzakonshëm. Nuk e di në ç`rrethana filozofi materialist anglez Tomas Hobsi të cilin dua të besoj se vetë ai nuk do ta ketë pasur dhe aq për zemër, pati thënë se “Çdo njeri është i rëndësishëm pasi vdes”, por di se vepra e tij shumëplanëshe dhe përherë në shërbim të kulturës tonë, e bënë Arshi Pipën jo vetëm të rëndësishëm, por edhe të pavdekshëm. Se fjala dhe mendimi i tij, nuk lindën thjesht nga talenti, por edhe pse, sikurse thotë vetë: “Ndër gropa burgjesh shkrye për gurë e baltë; / mbërthye qelash ndër pranga, / nga gjoksi i shtypun shungullon ma e naltë / kur del prej s`thelli kanga.” Se ai gjithmonë ka pasur bindjen e Tomas Fulerit se “E sotmja është nxënësja e të djeshmes.” /KultPlus.com

“Nënë Tereza: Shënjtëresha dhe Kombi i saj e autorit Gëzim Alpion”

Nga: Frank Shkreli

Më duhet të them prej fillimit se kam qenë në dijeni se ky libër ishte në përgatitje e sipër, pasi autori, Profesor Dr. Gëzim Alpion, me besim e mirësi, më ka nderuar duke më kontaktuar disa herë me ndonjë pyetje ose për informacion në lidhje me ato që po shkruante– por fatkeqësisht, unë nuk e kam parë ende librin e botuar të cilin pres ta marr së shpejti.  Por, me kënaqësi mësova nga disa burime për botimin, përfshir edhe njoftimet nga shtëpia botuese britanike Bloomsbury, e cila ka reklamuar këtë vepër, si pjesë e njoftimeve paraprake të zgjedhura, siç është zakoni nga shtëpitë botuese kudo, para se të qesin në treg një libër.  Në mungesë të librit, por bazuar në këto burime të sakta, po shënoj për lexuesin lajmin e botimit të këtij libri në gjuhën anglisht, me titull “Mother Teresa –The Saint and her Nation”, ose  “Nënë Tereza – Shënjtëresha dhe Kombi i Saj”, me autor Profesor Dr. Gëzim Alpion.

Profesori Alpion është arsimuar në Universitetin e Kajros dhe në Universitetin Durham, ndërsa ka ligjëruar në universitetet britanike, Huddersfield, Sheffield Hallam dhe Newman para se të emërohej në vitin 2002 në Departamentin e Sociologjisë në Universitetin Birmingham.  Prej aty, në vitin 2010, ai kaloi në Departamentin e Shkencave Politike dhe Studimeve Ndërkombëtare dhe në vitin 2016, ai iu bashkua Departamentit të Politikave Sociale, Sociologjisë dhe Kriminologjisë, po në Universitetin e Biminghamit.  Specializimet e Gëzimit janë në disa fusha akademike, përfshir sociologjinë e fesë, nacionalizmin, famën, racën, median, filmin dhe autorësinë.  Mbi të gjitha, Dr. Alpion konsiderohet si autori më i njohur, në gjuhën anglisht, i jetës dhe i veprimtarisë së Shën Nënë Terezës dhe është, njëkohësisht, edhe themeluesi i “Studimeve mbi Nënë Terezën”.

Autori i librit të ri, “Nënë Tereza – Shënjtëresha dhe Kombi i Saj”, Dr. Gëzim Alpion pretendon se “Tragjeditë personale dhe origjina e saj shqiptare e kanë ndihmuar Nënë Terezën të bëhet personaliteti fetar më me influencë në botë, i kohërave moderne.  Krishtërimi shqiptar i ka rrënjët në lashtësinë Ilire dhe qendrimi i Kishës Katolike kundrejt shqiptarëve dhe sllavëve të jugut, ka shërbyer sim jet në formimin e jetës personale dhe fetare tël Nënë Terezës”, shkruan Dr. Alpion.

Dr. Gëzim Alpion

Siç thashë edhe më lartë, këto shënime po i sjellë për lexuesin, bazuar pothuaj ekskluzivisht në informacionin që jep shtëpia botuese Bloomsbury mbi librin, Nënë Tereza –Shënjtëresha dhe kombi saj, përfshirë edhe disa vlerësime e komente mbi librin nga një numër ekspertësh dhe akademikësh.

“Dalja në shesh e një personaliteti të kalibrit të Nënë Terezës, që njihet anë e mbanë botës, nuk ndodh rastësisht”, ka thënë Dr. Alpion, duke shtuar se, “Ne duhet ta shikojmë dhe ta kuptojmë jetën dhe veprimtarinë e saj në pasqyrën e familjes së saj, në traditat shpirtërore të Kombit Shqiptar”, por edhe në ndikimet e huaja në popullin e saj gjatë shekujsh.

Prandaj, ky libër, sipas botuesit, jep për lexuesin një portret të plotë të kësaj figure me influencë botërore.  Portreti i Nënë Terezës paraqitet në kontekstin e origjinës së saj familjare, etnike, kulturore dhe shpirtërore.  Jeta dhe veprimtaria e saj përshkruhen në dritën e informacioneve të reja mbi familjen e saj, të traditës shpirtërore të Kombit të saj, përpara dhe pas Krishtërimit, si dhe duke pasur parsysh edhe ndikimin e Vatikanit dhe fuqive të tjera me influencë, mbi popullin e saj shqiptar, ç’prej mesjetës e këndej.

Libri mbi Nënë Terezën i autorit Gëzim Alpion, në përmbajtje, përqëndrohet në traumat e jetës dhe në sukseset e saja, si një individ privat dhe si misionare publike, përfshir përshpirtëshmërinë e saj të ndërlikuar.  Në libër pretendohet se jeta e Nënë Terezës dhe e historisë së kombit të saj shqiptar, veçanërisht marrëdhëniet e bashkatdhetarëve të saj me Katolicizmin – janë të ndërlidhura me njëra tjetrën. Zbulimi i kësaj ndërlidhjeje është jetik për të kuptuar se si Nënë Tereza – kjo ikonë humanitare dhe shpirtërore e kohëve moderne – identifikon dhe paraqet para botës DNA-në kulturore dhe shpirtërore të Kombit të saj të lashtë.

Libri është i ndarë në tre pjesë.  Pjesa e parë i përgjigjet pyetjes: “Kush janë Shqiptarët e Nënë Terezës?” Flitet, ndër të tjera subjekte, për origjinën ilire të shqiptarëve e deri tek Perandoria Otomane dhe Turqia; viktimizimi i Shqiptarëve në shekullin e 19 dhe 20, Kalvari dhe vuajtjet e Krishtërimit shqiptar, e tjera ngjarje.  Pjesa e dytë e librit i kushtohet “Rrënjëve Shqiptare të Nënë Terezës dhe viteve të saja në Shkup”.  Tituj dhe nën-tituj të pjesës së dytë të librit, kanë të bëjnë me marrëdhëniet e Nënë Terezës me prindërit e saj dhe me jetën familjare në përgjithësi, ndërsa pjesa e tretë e librit përqëndrohet në “Marrëdhëniet e Nënë Terezës me Vatikanin dhe me Kombin shqiptar”.

Thuhet se ky libër është i pari i këtij lloji që e trajton Nënë Terezën në kontekstin e rrënjëve të saja etno-shpirtërore, duke e shikuar misionin dhe thirrjen e saj prej murgeshe, si një pasqyrim i historisë së trazuar të popullit shqiptar, gjatë dy mijë vjetëve të kaluar.  Në librin mbi Nënë Terezën, autori përmend edhe ato që ai i konsideron si ndikime negative në Ballkan, nga Perandoria Otomane, nga Vatikani, nga Kisha Ortodokse serbe, nga Kisha Ortodokse greke si dhe nga Patriarkati Ekumenik i Konstandinopojës.  Sipas të dhënave nga botuesi, Dr. Alpion sugjeron në librin e tij se ekziston nevoja për studime objektive të mëtejshme që të pasqyrojnë rolin vendimtar të fesë në përcaktimin e identitetit kombëtar, por edhe rolin fetar në justifikimin e aneksimeve territoriale të rajonit të Ballkanit.

Por le t’i këthehemi protagonistës kryesore të librit të Dr. Alpion-it, Nënë Terezës, për të cilën autori thotë se Nënë Tereza nuk fliste kurrë për çështjet private të familjes së saj, si pasojë e disa përvojave jo të këndëshme më heret në jetën e saj, përfshir, “Shqetësimet që kishte rreth sigurisë fizike të nënës dhe motrës në Shqipërinë komuniste të pas vitit 1945.”  Dr. Alpion për një kohë të gjatë tani mbron tezën se vdekja e babait të saj, i cili është helmuar nga nacionalistët serbë në vitin 1919, kur ajo ishte vetëm 9-vjeçe, ka shkaktuar atë që ai cilëson si “një natë të errët në shpirtin e saj”.  Ky studim ofron prova të tjera, sipas botuesit, se humbja e 8 familjarëve të saj gjatë pandemisë spanjolle, në atë kohë, ka luajtur një rol të rëndësishëm në vendimin e saj për tu bërë murgeshë, por edhe në themelimin më vonë të urdhërit të saj “Missionaries of Charity” në vitin 1950.

Por Dr. Gëzim Alpion këmbëngul se, “Përkushtimi i Nënë Terezës ndaj të varfërve ishte i sinqert dhe i patundur deri në fund të jetës së saj”, por, ama, sipas tij, “Prania e përherëshme e vdekjeve në familjen e saj kur ajo ishte fëmij, ka qenë një përvojë e rëndë shpirtërore, e cila ka patur një ndikim të thellë në jetën e saj shpirtërore, në marrëdhëniet e saja me Kombin dhe familjen, gjithë jetën e saj.” Por për “Nënë Terezën”, sipas autorit, “dinjiteti i çdo qenjeje njerëzore ishte i shenjtë.”

Nënë Tereza, e njohur gjithashtu në Kishën Katolike si Shën Tereza e Kalkutës, ka lindur në vitin 1910 në Shkup — atëherë pjesë e Vilajetit të Kosovës së pushtuar nga Perandoria Otomane. /KultPlus.com

“Buzëqesh ca se nuk të harroj, ëndrrat do t’i marr me vete, nga larg do t’i dërgoj” (VIDEO)

Eneda Tarifa është një këngëtare dhe moderatore shqiptare. Ajo përfaqësoi Shqipërinë në Eurovision Song Contest 2016 me këngën “Fairytale”, pasi ka fituar Festivalin e Këngës 54 me versionin në gjuhën shqipe të këngës, “Përrallë”. Ajo ka marrë pjesë më parë në Festivalin e Këngës në vitin 2003 dhe 2007, dhe fitoi Top Fest në vitin 2010, shkruan KultPlus.

Tarifa ka lindur në Tiranë, Shqipëri në 30 mars 1982. Ajo e filloi karrierën e saj në vitin 2001, duke marrë pjesë në Këngën Magjike me këngën “Ika larg”. Në vitin 2002, ajo mori pjesë në Festivalin e Këngës 42 me këngën “Qëndroj”, dhe arriti të kualifikohet në finale. Në vitin 2006, Tarifa mori pjesë në Kënga Magjike me këngën “Rreth zjarrit kanë tendencë”, dhe shkoi në vendin e katërt në konkurrencë me 154 pikë.[1] Asaj iu dha edhe Çmimin Zadeja Çesk.

Sonte po e risjellim njërën nga këngët e saj më të bukura me titull “Ëndrrat do t’i marr me vete”. /KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=L1mMRnvLVrc&feature=emb_title

Migjeni, nji urdhnesë e shëlbyeme ndër shpirtna t’dlirë e vullnete t’epërme zotnimi

Nga Albert Vataj

Asht ai emër, ai za, ai kushtim që vjen dhe rivjen te sekush prej nesh, për të dëshmu, për të kremtu, për të ysht e me zgju prej thellë, nër ne, vullnesën njerëzore. Po atë forcë, të cilës i duhet dhan krahë sa herë që qiejt kërkojnë fluturimin, i duhet dhan këmbë t’forta e kivet, sa her i duhet me mposht mitin antik të Sizifit, i duhet dhan zemër e zjarr sa her koha prêt me padurim ngulmin e asaj hazdisje.

E qe besa i duhet dhanë tançka Migjeni i madhe dha në ato pak vite të zorshme jetë, në atmot të hoveve të mëdha, ndryshimeve të potershme e shumëçkasë tjetër që thepiste shtegun përnga kalonte kalvari i të përditshmes së asokohëshme e të tashmes, domosdo.

Kurrkush tjetër nuk ka mujt me mbetun në letërsinë shqipe i fuqishëm, vërshues, kushtrues e panikndjellës si Migjeni, si vargu i tij, e shkulmi i tij i zashëm i brendisë gufuese n’vedvedi.

Jo të gjithë  munden me mbet “përdhunshëm”, siç ka mujt me met vetëm ai, në gjinin e visareve, e me u përkund në përjetësi, si jeta prej nga ne marrim mëkimin e kungimit, nervin e vetëtimës, turrin e stuhisë, thellësinë e të pambarimtes, e bekimin e Zotit, atij etern e atij tokësor.

Megjithë se regjimet nuk reshtën së anatemuari kryeveprën që skaliti me rrufe e zemëratë, zanin buçitës të revoltës që mruni në britma dhe dhimba, ai asht si atmot e tash, po kaq i magjishëm me vargun të farkëtuar në shpirtin e mraztë e trupin delikat, në zemrën e Vezuvtë e shëndetin e stërkequn.

Çfarëdo që është rrekun për me përplotësu mitiken e penës vetëtitëse të Migjenit, e mangët metet, e paplotsume shkon rrëshqan, ndërsa vargu i tij tingllon si pslam i një libri t’shenjtnum ndër jetë njerëzish, toksorësh t’dhanun me mish e me shpirt dashnis e dijes, krenis e kumtimit. E pamujtin orvatet çdo ngut e ngulm, për me e sos n’nji imazh apo n’nji përfytyrim, qi nuk len tjetërçka me hy n’te si nji nevoj përsosjeje, ndërsa zani i zashëm i shpirtit të tij, gurrueshëm cyt ndër t’hovshme ngulme për me mujt me zotnue t’tashmen e përgjithmonshme të të drejtës së gjithkujt me ken dhe me u ndi Zot i fatit t’vet.

Britma i atij zani dhe paqtia e asaj hukame qi përtrini jetën e fikun prej shtërzimit e zorit, idhnimit dhe hekave, janë si nji predikim, si një udhëprimje e nji dishtrimi t’hyjshëm qi nxinet për me premtue besim e me dëbu t’keqen, shpirtit me i dhanë gajret, dritë me shpërthy ku terri s’ka mëshirë për kurrçka tue përly, e mirësi me mëku ku skamja ngërthen thonjt n’kurme t’shterruna.

Migjeni, ai shtat i drobitun prej s’munjet, ai shpirt i shterrun dihamsh e dhimbjesh qi koha i’a mylmeu me trazim e pezëm, mujti me jetu njaq pak dhe diti me na dhan njaq shumë, ndoshta gjithçka që kishte z’brendshmi, ndoshta tançka qi na e meritonim.

Ai erdhi si një misionar. Nuk pruni asnji dogmë me vedi. Nuk mëtoi asnji skizëm. Nuk \thirri në këndimin e vet gjëmues asnji forcë supreme. Krejt ç’ka përbani kacafytjen prej ngadhnjyesi ishte njaq toksore, sa gjithçka tjetër qi erdhi e xuni vend si kumtimet e një premtimi. Ju desht me ik, ndoshta përdhunshëm, por pa i marrë me vedi në amshim kurrgja veç shtatin e shterrun ligshtimit e eshtnat e grryeme prej kujës. Krejtçka tjetër qi u ngjiz, u rrit e u hyjnizue me te, mujti me met nër ne, jo vetëm si nji amanet por edhe si një parathanje e nji të tashme qi idhnushëm përsëritet e bahet nji e ardhme fatkeqe, n’se nuk ka “nji grusht t’fuqishëm” qi nuk e godet.

Prej penës së tij, prej andjes dhe zemrës, kaq shumë të dhanun ligshtimit, ai skaliti me zjarm rrufeje vargje dhe strofa, poezi dhe himne, t’cillat kan met urdhnuese e kushtrus në vetëdijen e brezave. E kush erdhi këso jete e u mëkue prej kësaj fryme të shenjtë, e nuk u ba një zelltar i përkushtuem i këtij shenjtori, këtij besimi, kësaj force përtrimjet, këtij shkasi motivimesh t’epërme e ngulmesh t’zjarmta.

Historia, e bashkë me të, kujtesa jonë kolektive, pak e sëmbueme prej pushtetesh e poshtnimit, dogmash e demagogjishë, dhanun babzish e shterrimit, skllavnumun harbimit e hazdisë, ka dëshmu, noshta edhe me përdhuni, se kush duhet me met, edhe jo vetëm me met, por me e pa ndërsa rrin e rritet përplot hir dhe madhështi në panteonin e vlerave dhe kumteve. Për me e pa e çmue si një dishepull të një urdhnese t’shëlbyeme ndër shpirtna t’dlirë. Ajo vepër, ai za gjimues, metet ndër dëshirime t’tona, ndër njata vullnesat tona, t’njituna njaq nalt sa me e ndi dorën e plotkivetshme e hirin e shenjtnum thirrun prej tharmit të tokës e qiellit. Vitet deng me vërshim, e kanda jonë, punon me themel, duke ken e pamëshirshme dhe ngulmuese. Përmes lojës së saj të evoluimit, historia, në dukje-absurde e paradoksale, e ka ba dhe e ban masmiri të sajen, duke gozhdu në panoramën e habisë, brezat që vijnë, me rreptësinë seleksionuese të shoshës së saj. E si për me dash me sfidu garrametjet e kacarritjet e përbaltjeve, në fundin e mbram ajo e vendos në vendin e vet, kungimin e forcës për të jetu njeriun brenda nesh, tan brezat e tana kohnave, përkundër soj-soj sunduesish e tiranish.

Koha asht gjykatësja ma e rreptë dhe njikohësisht ma e pamëshirshme, ajo përmbys figura të ngritura përdhunshëm në piedestal, shpërndan shkëlqime breroresh të rreme edhe kur balsamosen për t’u ruajtur përjetësisht në gjirin e saj, ajo i flak tej si byk i kalbun dhe i braktis përfundimisht tue i gjujt me ngulmin e zemëratës në zgafellat e terrta të harresës.

Kanda dhe vlera, amshti i përjetësisë e forca e ngulmimit në çdo zemër e nji bukurie të ashpër por kumtuese, nga qielli na bien në prehër edhe pas ma shum se nji shekulli. Asht ai emën, ai za, ai kushtim që vijnë e rivijnë te sekush prej nesh, për të dëshmu, për të kremtu, për të ysht e me zgju prej thellë, nër ne, vullnesën njerëzore. Po atë forcë, të cilës i duhet dhan krahë sa herë që qiejt kërkojnë fluturim e zapti, i duhet dhan këmbë t’forta e kivet, sa her i duhet me mposht mitin antik të Sizifit, i duhet dhan zemër e zjarm sa her koha prêt me padurim ngulmin e asaj hazdisje me e rrok.

E qe besa i duhet dhanë tançka Migjenit të madh, por përmbi krejt i duhet lshu rrah e krah nji qiell qi mundet me e xan britmën e dhimbës e kushtrimit, njat ngulm qi ka met atëditë e sod si nji nevojë çlirimi.

Migjeni ishte dhe ka mujt me met atëditë e sod, njaj qi sekush din me e lexu e me e kuptu, jo tjetërqysh. Anipse ka kalue ma shumë se nji shekull qysh prej kur shkrepi kjo rrufe shgjetare ndër qiejt e mrrylun të të atëhershmes, zani që plazmoi në eter si një kushtrim kumbon papra edhe tash. Jo të gjithë munden me mbet “përdhunshëm”, siç ka mujt me met vetëm ai, në gjinin e visareve, e me u përkund në përjetësi, si jeta prej nga ne marrim mëkimin e kungimit, nervin e vetëtimës, turrin e stuhisë, thellësinë e të pambarimtes, e bekimin e ten’Zot, t’gjithëfuqishmit, atij etern e atij tokësor. Kurrkush tjetër nuk ka mujt me mbetun në letërsinë shqipe i fuqishëm, vërshues, kushtrues e panikndjellës, shkundullitës, si Migjeni, si vargu i tij, e shkulmi i zashëm i brendisë së nji shtati t’lënguem prej smundjes e thelbit të nji shpirti t’krisun prej idhnimit.

Megjithë se regjimet nuk reshtën së anatemumii kryeveprën e tij, zanin buçitës i këtij krahnori t’gufum prej revoltës, si atmot e tash, ka diçka me than, ka nji za me lshu ndër kohna t’zatetuna përnën thundrën e nënshtrimit, ka nji dhimb me kumtue ndër vullnete t’ndryshuna. Ai asht krejtkund ti mundesh me lshue shikimin, gjithkah ku hapi jot çapit n’trotuare t’lvorume ku nji dor e përvujshem shtrihet me lyp, por qi nep tançka ka n’vedi, nep kreninë, shet erzin, e qe besa thonjt në fyt i’a ngul t’tashmes që hiqet zvarrë si një agoni q’i s’ka vorr qi e xen.

Migjeni ishte dhe mbeti një nga kolonat vertebrale të letërsisë së viteve ’30, një nga shpërthimet më të befasishme të kohës, një nga tundimet më zemëratëse të forcës për të ngritur krye, për me kërku ndër ne një grusht t’paligjshëm për me i ra n’zemër malit që s’bzan.  Migjeni ishte shkrimtari më modern i viteve 30 dhe një lajmës i të kenit i gjithmonshëm, sa kushtrues aq edhe i dhimbshëm, sa i lëndum aq dhe kurajshëm. Plagë ishte dhe meti në kurmin e drobitun hekash e në shtatin çjerrun përpjekjesh. Ai si kurrkush tjetër, gjithë landën jetësore që barti i’a nënshtroi një këndi me të pamëdyshtë të ri shikimi, atij ekzistencial, të njëmëndtë. Fati i njeriut në botë, lumnia e fatkobi i tij, kjo ishte tematika zotëruese në krijimtarinë e Migjenit, kjo ishte hea e breznive, kafshata e idhët e mrumun me lot e gjak. Larg çdo dogmatizmi e sentimentalizmi, Migjeni nuk e shihte njeriun as si qenie me përsosmëri ideale, hyjnore, por as si zvarranik, të cilin munet me e shkel çdo këmbë. /KultPlus.com

“Future Nostalgia” bëhet albumi më i shkarkuar i vitit në Spotify

Dua Lipa e shënon suksesin e radhës. Këngëtarja me prejardhje kosovare me albumin e saj dytë muzikor, “Future Nostalgia”, ka arritur ta kap shifrën e 2 miliardë shkarkimeve online në platformën Spotify.

Kështu ajo u bë këngëtarja me albumin më të shkarkuar për vitin 2020, dhe me të drejtë e ka fituar nofkën “princesha e muzikës pop”. /KultPlus.com

Vjen në shqip njëra nga kryeveprat e letërsisë botërore të shekullit të 20-të

Një burrë dhe një grua, Isaku dhe Ingeri, takohen në shkorretet e shkreta të Norvegjisë. Burri punon pa u lodhur. Vrasja e fëmijëve, mashtrimi, xhelozia, lakmia, progresi janë tundime ku bien me radhë gruaja dhe fëmijët, të afërmit dhe armiqtë e tij. Ndërsa Isaku, i lidhur me tokën e tij, ka vetëm një qëllim: të hapë toka të reja. Është pikërisht përmes kësaj metafore që Knut Hamsun ka ndërtuar një roman shëlbimi, të përshkuar nga një frymë e vërtetë biblike.
 
ZGJIMI I TOKËS është gjithashtu një portret i mrekullueshëm i gruas: Ingeri është arsyeja e jetës së Isakut, por, njëkohësisht, edhe ajo çka e kërcënon më shumë. Ingeri është parimi i sfidës: asaj i duhet t’i jetojë të gjitha jetët e mundshme para se të rikthehet sërish tek ai, Isaku, që nuk ndryshon kurrë. Ingeri ka udhëtuar në det, ka jetuar në qytet: por rikthehet përsëri në shtëpinë e saj. Bota është e madhe, gumëzhin prej qenieve. Ingeri në këtë gumëzhimë, nuk është veçse një qenie njerëzore mes shumë të tjerave, të panumërta.
Romani tregon prirjen e Hamsun drejt primitivizmit dhe shmangien nga modernizmi. Ai e kundërshtoi realizmin dhe dëshiroi që “letërsia moderne të përfaqësonte ndërlikimet komplekse të mendjes njerëzore”.
 
Rreth autorit

Knut Hamsun, pseudonim i Knut Pedersen (1859-1952) ishte një romancier, dramaturg, poet norvegjez dhe fitues i Çmimit Nobel në Letërsi në vitin 1920. Si lider i rrymës neo-romantike në fund të shekullit të shkuar ai e shpëtoi romanin nga tendenca e një naturalizmi të ekzagjeruar.
Ashtu si heronjtë josocialë të veprave të tij të para, Hamsun mbajti një qëndrim indiferent kundrejt progresit, që dallohet edhe në veprën e tij ZGJIMI I TOKËS, (një vepër e përkthyer në shumë gjuhë të botës, tashmë, për herë të parë edhe në shqip) ku ai shpalos filozofinë e tij të “kthimit drejt natyrës”.

Hamsun ishte një mbështetës i Gjermanisë gjatë pushtimit nazist të Norvegjisë në Luftën e Dytë botërore. Me përfundimin e luftës ai u burgos si tradhtar, por akuzat ndaj tij u rrëzuan si rrjedhojë e moshës së tij të vjetër. Megjithatë u dënua si bashkëpunëtor dhe për këtë iu desh të paguante një gjobë, e cila e shkatërroi financiarisht.
Bashkëpunimi me nazizmin ia dëmtoi seriozisht reputacionin, por me vdekjen e tij interesi për veprën u shtua ashtu si edhe përkthimet në disa gjuhë të huaja duke e shtrirë edhe më gjerë numrin e lexuesve. Joracionalizmi i tij i qartë dhe stili impresionues, spontan dhe i çlirët patën një ndikim të gjerë në Europë për shkrimtarë si Maksim Gorki, Tomas Man, dhe Isaac Bashevis Singer.

Autori: Knut Hamsun
Titulli: Zgjimi i tokës
Lloji: Roman
Formati: 14 x 20 cm
Numri i faqeve: 384 faqe
Përktheu: Amantia Kapo
ISBN:  978-9928-277-98-5
Çmimi: 1000 lekë

BE-ja mbështet Kosovën me afro 10 milionë euro

Zyra e BE-së në Kosovë ka njoftuar se 9.985 milionë euro janë disbursuar në Thesarin e Kosovës si ndihmë nga Komisioni Evropian, të cilat kanë të bëjnë me standardet e dakorduara lidhur me reformat në administratën publike dhe në menaxhimin e financave publike, raporton Gazeta Express.

“Mbështetja e BE-së për Reformën e Administratës Publike dhe Menaxhimin e Financave Publike shpërblen progresin që e bën qeveria në zbatimin e strategjive të saj dhe në arritjen e synimeve të dakorduara ndërmjet BE-së dhe Qeverisë së Kosovës. BE është duke punuar me Qeverinë e Kosovës në këto reforma që nga dhjetori i vitit 2017”, thuhet në njoftimin e Zyrës së BE-së.

Komisioni Evropian pret që Qeveria të përshpejtojë reformat në Administratën Publike.

“Për ta çuar këtë përpara, qeveria tani duhet të përshpejtojë dinamikën e reformave. Në veçanti, Komisioni pret që qeveria të mbetet e përkushtuar për zbatimin e paketës legjislative të reformës së Administratës Publike dhe për hapat e nevojshëm për përmirësimin e llogaridhënies së agjencive të pavarura, të vazhdojë me politikat makroekonomike të orientuara drejt stabilitetit dhe të rrisë transparencën, veçanërisht sa i përket shfrytëzimit të fondeve buxhetore dhe proceseve të prokurimit publik”, thuhet në njoftim.

Tutje Zyra e BE-së njofton se kjo shumë financiare po ashtu do të ndihmojë Kosovën në luftimin e pandemisë.

“Kjo mbështetje e BE-së po ashtu do të ndihmojë Kosovën edhe në luftimin e pandemisë COVID-19 dhe ndikimit të saj në ekonomi dhe financa publike”, thuhet në njoftimin e Zyrës së BE-së. /KultPlus.com