Zemaj paralajmëron shkurtimin e gjysmëvjetorit të parë

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka paralajmëruar se gjysmëvjetori i parë i këtij viti shkollor mund të përfundojë më herët se që është i paraparë me kalendarin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Zemaj ka pohuar se kjo do të bëhet për të lehtësuar situatën me gripin sezonal dhe COVID-19.

“Sot do të ulemi pasdite, kemi marrë edhe raportet e IKSHPK-së dhe do të shohim për mbarëvajtjen e aktiviteteve shkollore, po insistojmë të shkurtohet gjysmëvjetori i parë, dhe ta lehtësojmë këtë pjesën me gripin sezonal edhe me Covid”, ka thënë Zemaj para mediave.

Ndryshe, trendi i rritjes së rasteve me coronavirus në Kosovë është duke vazhduar, në 24-orët e fundit janë konfirmuar 626 raste të reja, ndërsa numri i viktimave ka arritur në 1 mijë e 5.

Nga 13 nëntori në fuqi kanë hyrë edhe masat e reja kufizuese, ku komunat janë kategorizuar sipas numrit të personave të infektuar me coronavirus./ Gazeta Blic/ KultPlus.com

Fundi pa lavdi i gjeniut rebel

Vetëm shtatë persona e shoqëruan arkivolin me trupin e pajetë të Oscar Wilde për në banesën e fundit, atë ditë të bruztë fundnëntori në periferi të Parisit. Tre prej tyre ishin anglezë, nga ata lordi i shumëpërfolur si i dashuri i tij, Alfred Degllas, i cili vinte në Francë nga Suedia, që pagoi dhe varrimin. Vetëm kurora e hotelierit ishte me dedikim: “Qiraxhiut tim”, e cila u mbështet mbi pirgun e dheut, 117 vite më parë.

Më 30 nëntor 1900 shuhet në moshën 46-vjeçare, pas një agonie ferri, “gjeniu i së keqes”, mishëruesi i doktrinës, “Arti për hir të artit”, çjerrësi i maskës puritane në kapërcyellin e një epoke, Oscar Wilde.

Askush nuk do ta besonte se pena me e stolisur viktoriane do të gremisej asisoj në honin e thellë të përbuzjes dhe harrimit, mospërfilljes dhe nënçmimit. Fataliteti kish zgjedhur gjuhën më të helmët për të mëkuar vitet e agonisë së gjeniut të letërsisë. Asnjë mëkatar nuk u ndëshkua kaq rëndë sa ai. Askurrë zëri i ndjenjave nuk u dogja kaq pamëshirshëm në flakët e ferrit të anatemës, sa ai.

Oscar Wilde mbetet ndër personazhet më të jashtëzakonshëm të shtjellës viktoriane. Një karakter i pakapshëm nga çdo qasje fillimore për ta përcaktuar, si njeri, artist, shpirtëzim lirie apo një nismëtar kurajoz normash qytetarie. Ai mishëroi modelin më të stuhishëm dhe njëherësh, më të debatuar të kohës. Si në të përditshmen e ngasuar nga një jetë e shpenguar intime, ashtu dhe në kryeveprën e tij, mbetet maja më e kulmuar. Ky zotëri elegant, i hijshëm e plot sharm, i marrosur pas paradokseve dhe gjithçkasë të modeluar nga kodi i qytetarisë viktoriane, ngjiste nivelet e adrenalinës dhe ambrozit, duke thyer kangjellat etike ku mbahej mbyllur një nga vendet ku gëlonte civilizimi. Nuk u ndal, edhe pse u desh ta paguante fundin me çmimin e tragjikes dhe madhështinë e tij ta ngryste nën mykun mbytës të vetmisë. Ky rebel, ky “hero i së keqes”, skaliti mbi muret e mykura të Londrës, jo vetëm emrin e tij të patëdytë, por mëtoi një dritë më shkëlqyese në sytë e lenteve të avulluara të paragjykimit. Qiellgërvishtësit e tij të lirisë, edhe sot, çajnë retë e konformizmit dhe fanatizmit. Predikoi vetveten dhe personazhet me shenjtërimin. Promovoi doktrinën e artit-njeri. Thundra e rëndë e anatemës e vu përfundi shpirtin që “Mund t’i rezistoj gjithçkaje, përveç tundimit”. Buja e zëshme e gjithçkasë e veshi me famë dhe lavdi, por nuk u kursye ta çirrte përditë e më ethshëm portretin e parakohshëm që formësoi./ Albert Vataj / KultPlus.com

Shoqata e Gastronomëve: Urgjentisht hiqeni kufizimin e lëvizjes

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, ka kërkuar urgjentisht që të hiqet kufizimi i lëvizjes, për shkak që sipas tyre, ky kufizim nuk e ka ulur numrin e rasteve me koronavirus.

Në një reagim të tyre, ata kanë paralajmëruar kolapsim të shumë bizneseve, teksa thonë se dita-ditës po vazhdon largimi i punëtorëve nga puna.

Ata kanë kritikuar festat e bërë mbrëmë në Podujevë, pas përfundimit të procesit zgjedhor, duke iu thënë: turpi ju mbuloftë.

Reagimi i plotë nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës:

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës të shqetësuar nga rezultatet jopremtuese nga masat e fundit të aplikuara nga ana e QK-së, që nga data 13 nëntor e deri më sot, jemi dëshmitar që lakorja e infeksionit COVID-19 vetëm është përkeqësuar. Më shumë se kjo, kemi rritjen e lakores së dëmit ekonomik, e cila çdo herë e më shumë po thellohet.

Këto politika që nga fillimi i pandemisë e deri më tani, është evidente që nuk po arrijnë qëllimin e tyre, përkundrazi të pamenduara dhe shumë të rrezikshme për vendin, që do ti lëjnë gjurmët e pasojat e tyre për një kohë të konsiderueshme edhe pas pandemisë.

Sa i përket ndikimit të pandemisë dhe masave të QK në aspektin ekonomik, tashmë është evidente që sektori i gastronomisë është më i godituri në vend. Sipas të dhënave të Agjensionit Statistikor të Kosovës (ASK), të hyrat dhe qarkullimi i sektorit të gastronomisë në krahasim me vitin 2019 dhe 2020, vetëm në tremujorin e dytë (TM2), rezultojnë të kenë pasur rënie prej 64%, si asnjë sektor tjetër në Kosovë.

Nga dy sondazhe të bizneseve dhe punëtorëve të raportit hulumtues të ndikimit të pandemisë në gastronomi të përgaditur nga SHGK dhe Korb Marketing&Research, kemi të raportuar që 36% e bizneseve të gastronomisë, janë detyruar që të largojnë nga puna punëtorët e tyre si pasojë e zvogëlimit të vëllimit të ushtrimit të veprimtarisë dhe problemeve të likuiditetit.

Nëse kjo atmosferë e shkaktuar ekonomike vazhdon edhe më tutje, bizneset nuk mund ta mbijetojnë këtë situatë dhe 56% e tyre kanë raportuar që do të largojnë edhe më shumë staf nga puna.Në këto rrethana, urgjentisht ju bëjmë thirrje që këto masa të hiqen, si jo efektive, e aq më pak të mendohet mbyllja totale pa ndonjë plan për mbështetjen financiare në ekonomi.

Për më tepër rreth COVID-19, mos të harrojmë që përhapja më e madhe e infeksionit ndodhë në hapësirat e institucioneve publike të cilat nuk i respektojnë masat parandaluese, nuk inspektojnë hapësirat e tyre të brendshme, por që kanë fokus primar dënimin e bizneseve private dhe këmbësorëve, duke shkaktuar papunësi të madhe në sektorin privat, derisa bëjnë çmos për të garantuar që pagat dhe mëditjet e tyre të mos u preken.

Për të përfunduar, të gjitha këto dhe i tërë serioziteti i kësaj çështjeje, përveç tjerash shpjegohet më së miri me mesazhin që kemi kuptuar të gjithë me turmat e pakontrolluara të njerëzve, mbledhjet, organizimet dhe fushatat e padinjitetshme të politikanëve në zgjedhjet e fundit në Podujevë, etj.

Pra, Ky është shembulli që marrim në këtë kohë krize e fatkeqësie! Turp ju qoftë! / KultPlus.com

Ministria e Arsimit në ora 12.00 apelon që sot të mbahet mësimi

Ministria e Arsimit dhe Shkencës – MASH, tek tash, në ora 12.00 të ditës kujtohet që të apelojë për mbajtjen e mësimit.

Sipas tyre vendimi që dita e hënë, 30 nëntor 2020, të jetë ditë pune edhe në institucionet arsimore, është vendim i Qeverisë së Kosovës në shenjë solidarizimi me të gjithë ata që po punojnë pa pushim në përballje me pandeminë.

Ky është njoftimi i tyre i plotë i sapo publikuar:

Vendimi që dita e hënë (30 nëntor 2020) të jetë ditë pune edhe në institucionet arsimore, është vendim i Qeverisë së Kosovës në shenjë solidarizimi me të gjithë ata që po punojnë pa pushim në përballje me pandeminë.

Bazuar në Ligjin për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës, MASh ka nxjerrë Udhëzimin Administrativ për Kalendarin Shkollor 2020/2021, i cili nuk është ndryshuar.

Prandaj, MASh fton të gjitha institucionet arsimore që të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë për të realizuar planprogramin mësimor.

MASh, po ashtu, iu bënë thirrje të gjitha institucioneve arsimore që të kujdesen për zbatimin e rekomandimeve të IKShPK-së dhe MASh-së nga të gjithë akterët pjesëmarrës në shkollë./ KultPlus.com

“Eurodram” hapë thirrje për drama të përkthyera

Komiteti Shqiptar i ”Eurodram”, publikon thirrje të hapur për drama të përkthyera në gjuhën shqipe.

Për sezonin 2020 – 2021, komiteteti i gjuhës shqipes është i ngarkuar që të përzgjedhë drama të përkthyera në gjuhën shqipe, nga njërën prej gjuhëve që është pjesë e Eurodram-it. Dramat duhet të jenë përkthyer në këto dy vitet e fundit. Ato mund të jenë të botuara apo të pabotuara, të inskenuara apo jo.

Në këtë vegëz mund gjendet lista e plotë e gjuhëve të reprezentuara në EURODRAM dhe detaje shtesë:

Dramat e përkthyera mund të dorëzohen nga vet dramaturgët, përkthyesit, botuesit, agjentët etj., në këtë e-mail adresë më poshtë, me subjektin: EURODRAM 2021: [email protected]

Propozimet duhet të përfshijnë përkthimin të dramës, biografinë e autorit dhe të përkthyesit, një përmbledhje të shkurtër të dramës si dhe një faqe faktesh (gjuha prej nga është përkthyer drama, numri i karaktereve, referencat për ndonjë shpërblim apo produksionet e mëparshme) si dhe informata shtesë që mund të jenë të rëndësishme.

Përzgjedhja e dramës nga ana e komitetit shqiptar është ftesë për regjisorët, teatrot dhe botuesit vendorë për t’a vënë në skenë apo për t’a botuar dramën. Dramat e përzgjedhura poashtu do të promovohen në rrjetin Eurodram.

Afati i fundit për dorëzimin e dramave është 31 dhjetor 2020. Rezultatet e konkursit do të publikohen me 21 mars 2021.

Eurodram është rrjet Europian i përkthimit teatror, i cili përdorë gjuhët evropiane, mediterane dhe ato të Azisë Qendrore. Rrjeti numëron rreth 300 anëtarë që janë pjesë e rreth 30 komisioneve gjuhësore. Objektiva kryesore e këtij rrjeti është që tua bëjë të ditur profesionistëve të teatrit dhe publikut më të gjerë punën e dramaturgëve dhe të përkthyesve të teatrit, që në masë të madhe mbetet e pa-botuar, duke i kushtuar vëmendje posaçërisht diversitetit gjuhësor. Komiteti shqiptar i EURODRAM-it koordinohet nga Qendra Multimedia në Prishtinë (www.qendra.org) / KultPlus.com

“In the Morning” kënga e re nga Jennifer Lopez

Jennifer Lopez nuk pi i lejon masat e rrepta të sigurisë shkaku i pandemisë së koronavirusit, që ta ndalojnë ta festojë lansimin e këngës së saj të re, me gjithë adhuruesit online.

Pop ylli i njohur u shoqërua nga binjakët e saj, Emme dhe Max, i fejuari Alex Rodriguez dhe vajzat e tij, Natasha dhe Ella, në një transmetim live ku familja e bukur shihet duke vallëzuar e kënduar, në momëntin e saktë të lansimit të këngës “In the Morning” në platformën YouTube, trasmeton Koha.

“Më shoqëroni për një ndejë virtuale të vallëzimit në Instagram, sonte nga ora 23:45! Po e festojmë premierën botërore të këngës sime #InTheMorning. Do të ketë edhe befasi për të gjithë ju, prandaj silleni tërë familjen”, kishte shkruar Lopez në postimin e saj në Twitter.

View this post on Instagram

A post shared by Jennifer Lopez (@jlo)

Dhe sikurse të gjithë ne, JLo dhe familja e saj e kanë kaluar kohën më të madhe të karantinës, duke i perfeksionuar lëvizjet e tyre të vallëzimit të cilat më pas i kanë postuar në rrjetet sociale.

Kënga “In the Morning” vjen në versionin audio, por besohet se një videoklip do t’i realizohet së shpejti. Ky projekt ishte paralajmëruar nga Lopez para pesë ditësh, me postimin e një videoje në Instagram ku përfshiheshin fotografi nudo të këngëtares, të realizuar me shumë shije dhe elegancë nga fotografi, Mert Alas. Vlen të përmendet se këngëtarja 51-vjeçare duket e mrekullueshme dhe në top formë, në fotosesionin e fundit.

Së fundmi, Lopez për revistën “People” ka treguar se si po qëndron në formë gjatë kësaj kohë që po qëndron e mbyllur në shtëpi, shkaku i pandemisë.

“Nuk po provojmë ta teprojmë me ëmbëlsira apo ushqime të njelmëta, po ashtu kemi kujdes në sasinë e karbohidrateve që i konsumojmë. Thjeshtë provojmë të gjejmë balance në gjërat që i hamë, por në të njëjtën kohë e ndjekë rregullisht programin tim të ushtrimeve fizike”, kishte deklaruar Lopez. / KultPlus.com

Festa vazhdon për familjen e Bebe Rexhës, kërcime me këngë tradicionale

Bebe Rexha, këngëtarja shqiptare me famë botërore herë pas here bën postimet ku tregon krenarinë e saj për origjinën nga Shqipëria.

Madje organizimi i saj për festën e Pavarësisë në Kaliforni ishte fantastik, ku makinat e shqiptarëve me flamuj “veshën” rrugët e qytetit.

Por festa për familjen e Bebe Rexhës nuk përfundon këtu. Bebe ka ndarë në Instagram disa video në të cilat shihet duke kërcyer me të afërmit e saj nën ritmet e muzikës tradicionale shqiptare. Familjarët e këngëtares shfaqen të gjithë të kapur përdore duke ja marrë valles në shtëpinë e tyre.

Ndërkohë kujtojmë se në 17 dhjetor, Bebe pritet të mbajë një koncert akustik online. Koncerti do të mbajë titullin “Një natë me Bebe Rexhën” dhe biletat e tij kanë dalë në shitje prej ditësh. / Diaspora shqiptare/ KultPlus.com

https://www.instagram.com/stories/beberexha/2453517855919359126/

Në Dardhën turistike, ku rruga e re ka shtuar fluksin e vizitorëve

Prej pothuajse dy muajsh, për të shkuar në fshatin turistik të Dardhës, 18 km në juglindje të Korçës, udhëton përmes një rruge të bukur, të standardeve bashkëkohore.

Është një rrugë që përshkon një terren të jashtëzakonshëm malor dhe që të krijon mundësi të bësh një udhëtim të këndshëm, në një peizazh piktoresk, në një mjedis të butë e plot ngjyra, nga ato ngjyra që nuk i has askund tjetër.

Në fakt, rruga e sapo përfunduar, si elementi përcaktues infrastrukturor, e ka plotësuar më së miri këtë tablo që të tërheq pafund në brendësi të saj dhe që të krijon një ndjesi të thellë, teksa pret me padurim për të arritur në destinacion.

Dhe, Dardha vetë, që të shfaqet në një luginë mes malesh, është si “qershia mbi tortë”, në këtë atmosferë ku ngjyrat duket sikur luajnë dhe zëvendësojnë njëra tjetrën. Dhe, ngjyrat e pafundme, janë karakteristike për vjeshtën e tretë, këtu, në këtë zonë malore, ndër më të bukurat e më tërheqëset në të gjithë vendin.

Dardha të tërheq. Të tërheq pa fund. Për atë që vjen këtu, për herë të parë, surprizat e dukshme të saj, të lenë pa frymë. Për të tjerët, mbetet si një minierë e thellë, të cilën nuk arrin ta zbulosh kurrë plotësisht.

-Rruga e rikonstruktuar ka rritur numrin e turistëve dhe vizitorëve-

“Pas përfundimit të rikonstruksionit të rrugës, është rritur numri i atyre që vizitojnë Dardhën”,-thotë Thomai, punonjës në një nga resortet turistike më të njohura në Dardhë. Është fundjavë dhe të gjitha dhomat e këtij resorti, duke përfshirë edhe suitat, janë të prenotuara. Pushuesit, janë nga Tirana, Vlora, Durrësi, Shkodra, si edhe nga Kosova. Kanë ardhur për të shijuar bukuritë e jashtëzakonshme të këtij fshati, ashtu sikundër edhe gatimet tradicionale.

Sipas Thomait, fundjavat janë më të ngarkuarat dhe kapacitetet akomoduese prenotohen pothuajse plotësisht. Por edhe gjatë ditëve të javës, vizitorët janë të shumtë. Rruga ka lehtësuar mjaft udhëtimin, e ka bërë atë komod, çka e ka shtuar interesin e pushuesve për të ardhur këtu.

Janë edhe qindra qytetarë nga Korça, Pogradeci e nga qytete të tjera të afërta, që shfrytëzojnë ditët e pushimit për të kaluar një ditë ndryshe me familjet, për të shijuar natyrën, për të konsumuar një drekë, apo edhe çajin e mrekullueshëm “bio” të trëndafilit të egër, të ëmbëlsuar me një porcion të bollshëm nga mjalti i mrekullueshëm i kësaj zone.

Sigurisht, ky vit i vështirë për shkak të pandemisë së së Covid-19, ka reflektuar edhe në treguesit respektivë të atmosferës turistike në Dardhë, ashtu si edhe në të gjithë vendin. Por, kjo kryesisht tek numri i turistëve të huaj, të cilët në vitet paraardhëse kanë qenë të shumtë. Megjithatë, sipas operatorëve turistikë, kjo rënie e numrit të turistëve të huaj, është kompensuar nga shtimi i pushuesve vendas, si edhe atyre nga Kosova. Aq e vërtetë është kjo sa edhe niveli i të ardhurave për operatorët e zonës, është pothuajse i njëjtë me atë të viteve të fundit.

-Dardha, fshati ku është xhiruar filmi “Dimri i fundit”-

Dardha është fshati ku është xhiruar filmi “Dimri i fundit”, prodhim i Kinostudios “Shqipëria e Re”, me regji të Ibrahim Muçës dhe Kristaq Mitros.

Ky film, një nga realizimet më të mira në periudhën e para viteve ’90-të, ka fiksuar përjetësisht mjediset e këtij fshati malor, ku dëbora është një nga elementët bashkëshoqërues dhe simbolikë të dimrit në këtë zonë.

Më shumë se 200 persona, pjestarë të stafit realizues të filmit, aktorë, regjisorë, kameramanë, teknikë etj etj, qëndruan në këtë fshat për muaj me radhë në dimrin e vitit 1976, të bllokuar nga dëbora, duke xhiruar skena që mbeten të rralla për nga mënyra e jetësimit.

Edhe sot, i ndesh ato mjedise të sekuencave filmike teksa lëviz në rrugët e fshatit, në atë strukturë të veçantë urbane, që e gjen vetëm në Dardhë, në banesat e gurta, në krojet e këtij fshati ku rrjedh ujë i kristaltë dhe i ftohtë.

“Dimri i fundit”, është një nga simbolikat e historisë së vonë të këtij komuniteti banorësh. Kjo, jo vetëm si vend i xhirimit të një prej filmave më në zë të historisë së kinematografisë shqiptare, por edhe të evokimit të traditave të spikatura të banorëve të kësaj zone.

-Asetet turistike dhe historia, këtu gjenden pranë e pranë-

“Hiqeni maskën, nuk ka nevojë për maskë këtu në Dardhë. Këtu ka vetëm oksigjen, nuk e ndjeni?..”,-Një cift të moshuarish, që vinin përballë nesh, në një nga rrugicat e fshatit, ndaloi për të na përshëndetur dhe për të na treguar se, ajri këtu, në fshat, është aq i pastër dhe i pasur me oksigjen sa sfidon çdo lloj virusi e sëmundjeje.

Ata tregojnë se numri i banorëve që jetojnë gjithë stinët e vitit në Dardhë, tashmë është reduktuar, për shkak të largimit. Një pjesë në emigracion, në SHBA dhe vende të ndryshme të Evropës dhe të tjerë në Korçë, Tiranë e gjetkë. Por, këtu kanë shtëpitë të cilat i kanë rregulluar e përshtatur për t’u kthyer herë pas here për pushime. Por, një pjesë i shfrytëzojnë për bujtina, prej të cilave nxjerrin të ardhura. Dardha, sot, është shndërruar në një model të këtij turizmi, ku, banesat janë rikonstruktuar e përshtatur si bujtina, lokale e objekte të ngjashme që u ofrohen vizitorëve e turistëve të shumtë, që vijnë në çdo stinë të vitit për të shijuar bukuritë natyrore, apo për t’u njohur me historinë, për t’u njohur me kulturën, me traditat, me strukturën urbane e vlerat arkitekturore të trashëguara brez pas brezi.

Sipas legjendës, zanafilla e këtij fshati e ka bazën tek rebelimi i banorëve të krahinave përreth, ndaj pushtuesve osmanë, ndaj politikave asimiluese të aplikuara në shekuj. Prandaj dhe banorët e parë, që u larguan nga kazaja e qendra të tjera urbane, zgjodhën këtë zonë të thellë, ku kishin mundësi të ruanin kulturën, gjuhën, fenë, të pakërcënuar nga pushtuesit. Referenca e parë e popullimit, që mendohet të ketë qenë një stan në afërsi, apo nën një dardhë,  ishte edhe elementi identifikues në komunikimet me banorë të zonave të tjera. Dhe, kështu, etimologjia e emrit të fshatit që nis me “te stanin nën dardhë”, vijoi me emërtimin “nDardhë”, për të përfunduar si proces etimologjik me emrin e sotëm.

Në breza, dardharët janë kujdesur që, krahas punëve të përditshme, që u siguronin të ardhurat për jetesë, të ndërtonin edhe një mjedis urban tërësisht të veçantë. Mundësitë në këtë zonë të thellë ishin të pakta, prandaj dhe ata, si druvarë të spikatur shkonin të punonin në zona të tjera të largëta, apo në Greqi, ku shkëlqyen me aftësitë në profesion dhe me ndershmërinë.

Me të ardhurat që siguronin, ndërtonin banesa të bollshme, të bukura e funksionale, duke respektuar rregulla urbanistike, por edhe duke investuar në objekte me interes publik për komunitetin, siç janë rrugët, objektet e kultit, krojet ku siguronin ujin e pijshëm.

Këtë veçanti të trashëgimisë dardhare e konstaton sot, në këtë hapësirë urbane ku spikasin banesat e gurta një, dy, apo tre katëshe, me një strukturë arkitektonike që pothuajse nuk e has në krahina të tjera, me çati të mbuluara me rrasa guri. Krahas këtyre, rrugët e rrugicat e fshatit, të shtruara me kalldrëm, dëshmojnë kulturën dhe dashurinë e dardharëve në shekuj, për një jetë me cilësi, për të qenë pranë njeri tjetrit. Ndërkohë, krojet me një strukturë të plotë, ofronin komoditetin e nevojshëm për vashat që mbushnin ujë për nevojat e ditës.

Kroi, si element social dhe urban, kishte një rëndësi të veçantë në jetën e fshatit, të banorëve. Ai nuk ishte thjesht një vend ku sigurohej uji i pijshëm, por edhe një objekt ku gratë dhe vajzat takoheshin, ku bisedonin dhe shkëmbenin mendime, ku kalonin një pjesë të kohës, por edhe ku niste zanafilla e njohjeve. Në këtë këndvështrim, ai merr edhe trajtat fillestare të një institucioni, si një vend ku merreshin vendime të natyrës më shumë se vetjake.

Janë së paku tre kroje në këtë fshat, pothuajse identikë me njeri tjetrin. Janë ndërtuar me kujdes dhe me dashuri, aq sa edhe sot, teksa sheh ujin e kristaltë që rrjedh në to, me mendje shkon larg, në vite. Skena e mbushjes së ujit në filmin “Dimri i fundit”, ndonëse në kushtet e errësirës dhe nën pushtimin gjerman, evokon mjaft mirë rëndësinë e kroit ne jetën e këtij fshati.

Banesa dardhare, me çardak të hapur e të mbyllur, mund të klasifikohet si një tip më vete, në historinë e banesës shqiptare. Veçantitë e saj, struktura murale me gurë, çatia e mbuluar me rrasa guri, konceptimi i hapësirës së brendshme me odën e zjarrit, atë të miqve etj, i japin asaj karakteristika mjaft të veçanta e interesante. Janë këta elementë të arkitekturës e jetës urbane, që e bëjnë Dardhën tepër tërheqëse në këtë aspekt.

Restaurimi së fundi i fasadave të këtyre banesave dhe i të gjitha objekteve të tjera, përmes një projekti të financuar nga Qeveria Shqiptare, që po vazhdon ende, i ka ridimensionuar vlerat e këtij fshati të vendosur në një luginë të mrekullueshme malore, në një lartësi prej më shumë se 1300 metra mbi nivelin e detit, në një largësi prej 18 km më juglindje të qytetit të Korçës.

-Personalitetet e historisë dhe artit, si vlera të shtuara të traditave të Dardhës-

Personalitete të njohura të historisë dhe të kulturës kombëtare, përbëjnë vlera të shtuara të cilat e bëjnë edhe më atraktive Dardhën, në sytë dhe vëmendjen e turistëve dhe vizitorëve.

Dëshmori i njohur i Luftës Antifashiste Nacional Çlrimitare, Kristo Isak, shkrimtari, Teodor Laço, general lejtnant, Vaskë Gjino, i persektuar nga diktatura komuniste, janë disa prej tyre.

Banesat e tyre, janë të restauruara e të mirëmbajtura, si dëshmi e segmenteve të historisë që duhet ruajtur e promovuar.

Në fasadën e banesës së gurtë dy katëshe, ku ka lindur e ka kaluar fëmijërinë, dëshmori i Luftës, Kristo Isak, spikat një pllakë përkujtimore.

Më tej, një kompozim skulpturor modest, në raport me hapësirën, në oborrin e një banese, të kujton se këtu ka lindur, shkrimtari Teodor Laço.

Këto godina, ashtu sikundër muzeu dhe kisha me vlera të spikatura arkitekturore, në qendër të fshatit, e plotësojnë më tej tablonë e objekteve me interes për t’u vizituar.

Por, nga ana tjetër, Dardha ka një trashëgimi të pasur në artin e mirëfilltë viziv, në pikturë. Një numër i konsiderueshëm piktorësh, të njohur me emërtimin zografë, kanë krijuar një thesar vlerash në këtë drejtim, duke themeluar një plejadë mjeshtrash me emër, që nis me Nikolla Zengon në gjysmën e dytë të shekullit XVIII dhe në vijim, ku përfshihen Andon Zengo, Papa Jani Zengo, Grigor Zdrulli, Nikolla Zdrulli, Sotir Papa Ilia, Thanas Zengo, Efthim Zengo, Kristo Zengo, Harrallamb Dardhioti, Kristo Vishnja, Konstandin Zografi  etj etj.

Turizmi, burimi kryesor i të ardhurave për banorët-

Xha Skëndi, një 85 vjeçar, dikur punonjës i arkivës në këtë fshat, tregon se, tashmë të gjithë këtu janë të lidhur me turizmin. Më parë, ekonomia kishte si bazë blegtorinë, por pas viteve ’90-të, struktura e saj ndryshoi tërësisht.  Dukuria e zhvendosjes demografike, u shoqërua edhe me rënien e interesit për degët tradicionale të ekonomisë dhe vëmendja u orientua gradualisht tek turizmi.

“Unë banoj këtu me bashkëshorten në pjesën më të madhe të vitit. Kemi rregulluar shtëpinë, ja siç e sheh dhe jetojmë mirë. Si ne, janë edhe shumë familje të tjera. Një pjesë prej tyre kanë përshtatur banesat për bujtina dhe japin dhoma me qera. Por edhe këtu, mund të vini kur të doni, derën e keni të hapur në çdo orë”,-thotë 85 vjeçari, nga oborri i një banese të bukur e të bollshme, tipike dardhare.

Dardha është e frekuentuar në çdo ditë dhe në çdo stinë. Sepse çdo periudhë e vitit, këtu shijon e përjeton gjëra të ndryshme. Ngjyrave të vjeshtës, gradualisht do u zërë vendin dëbora e dimrit, që këtu është po aq i bukur.

Pista e skive, ofron mundësi për të pasionuarit e këtij sporti, që po bëhen gati të mbërrijnë në Dardhë./Reportazh/ k.s/ KultPlus.com

Mark Twain: Më keq se vetmia është kur një person nuk ndihet rehat me veten e tij

Sot shënohet 185 vjetori i lindjes së shkrimtarit amerikan Mark Twain, shkruan KultPlus.

Krijimtaria e tij e pasur si shkrimtar, botues dhe lektor e bënë që të cilësohej nga William Faulkner si “Babai i Letërsisë Amerikane”.

E gjithë vepra e Mark Twain inspirohet nga ngjarje dhe vende ku jetoi apo vizitoi, ndaj konsiderohen si autobiografike. Vepra e tij ndahet përgjithësisht  në përshtypjet e tij nga udhëtimet, kujtimet e fëmijërisë dhe rinisë së hershme, narracionet satirike të ambientura në Mesjetë dhe Rilindje.

Në datën e lindjes së Mark Twain, KultPlus ju sjell thënie e tij më të famshme:

Dy ditët më të rëndësishme të jetës suaj janë dita kur keni lindur, dhe ajo që e kupton pse

Problemi me këtë botë nuk është se njerëzit dinë shumë pak, por se dinë kaq shumë gjëra që s’qëndrojnë.

Kur miqtë tuaj fillojnë të të lavdërojnë se dukesh i ri, kjo është një shenjë e sigurt që je duke u plakur.

Karakterin e njeriut mund ta mësosh nga mbiemrat të cilët ai zakonisht përdor në bisedë.

Rrudhat duhet thjesht të tregojnë se nga ka kaluar buzëqeshja.

Mund të mësoj çdo person se si të arrijë atë që do në jetë. Problemi është se nuk gjej asnjë që di se çfarë do.

Njeriu që nuk lexon libra nuk ka përparësi nga njeriu që nuk mund ta lexojë.

Miq të mirë, libra të mirë dhe një ndërgjegje të fjetur: Kjo është jeta ideale.

Më keq se vetmia është kur një person nuk ndihet rehat me veten e tij.

Unë kurrë nuk e kam lejuar shkollën të përzihet me edukimin tim.

Në moshën 50 vjeç, njeriu mund të jetë budalla pa qenë optimist, por kurrë optimist pa qenë budalla.

Liria është e drejta t’u thuash njerëzve atë që ata nuk duan të dëgjojnë.

Diçka ‘klasike’: Një libër që njerëzit thonë se e pëlqejnë, por ata kurrë nuk e lexojnë. / KultPlus.com

“Përdhunues, pedofil dhe abuzues” – Futbollistja refuzon të mbajë një minutë heshtje për Maradonën

Në një fundjavë kur e gjitha bota e futbollit e nderoi të ndjerin Diego Armando Maradona, një futbolliste vendosi të protestojë gjatë një minutë heshtjeje të mbajtur për legjendën argjentinase.

Paula Dapena, e cila luan për klubin spanjoll Viajes Interrias FF, u ul në fushë dhe në kahun e kundërt të 21 futbollisteve të tjera për shkak të bindjeve të fuqishme për fituesin e Kupës së Botës 1986.

“Bashkëlojtaret e mia më shikuan dhe qeshën, sepse e dinin se nuk do ta bëja”, tha ajo për Pontevedra Viva.

“Ditë më parë, në Ditën e Eliminimit të Dhunës Gjinore, nuk u bënë këto gjeste dhe nëse një minutë heshtje nuk u mbajt për viktimat, atëherë unë nuk do ta mbaj një të tillë për një abuzues”, shtoi ajo.

Dapena nënvizoi: “Kam thënë se nuk pranoj ta mbaj një minutë heshtje për një përdhunues, pedofil dhe abuzues, prandaj u ula në tokë dhe e ktheva shpinën. Për të qenë lojtar, duhet së pari të jesh njeri dhe unë kam vlera përtej aftësive që i kishte ai, të cilat e dimë që ishin cilësi madhështore futbolli dhe talenti”.

Skuadra e Dapenas e humbi 10:0 këtë ndeshje kundër Deportiva de Abegondo. /Gazeta Express/ KultPlus.com

Meghan Trainor lanson album me muzikë të Krishtlindjeve

Meghan Trainor i ka tejkaluar shumë sfida të jetës, është martuar me burrin e ëndrrave, është në pritje të fëmijës së parë, si dhe e ka realizuar ëndrrën e kamotshme me albumin e saj të fundit, “A Very Trainor Christmas”.

“Jam shtatzënë kështu që po ndihem shumë e plotë dhe në kontroll të jetës sime, por kjo është një ndjenjë shumë e bukur. Është kënaqësi ta promovosh një album me muzikë Krishtlindjes. Më pëlqen t’i vesh këto rroba shumëngjyrëshe dhe jo atraktive të festave të fundvitit, dhe më vjen mirë që nuk jemi të obliguar sivjet të udhëtojmë, por po qëndrojmë të sigurt në shtëpitë tona”, ka deklaruar këngëtarja në një intervistë të fundit për Reutersin.

Krishtlindjet gjithnjë kanë pasur kuptim të rëndësishëm për Trainorin, transmeton Koha. Ajo thotë se gjithmonë ka qenë e obsesionuar me këtë festë sepse ditëlindja e saj është më 22 dhjetor, të cilën e ka festuar me dekorimet e Krishtlindjeve. Kështu, ajo gjithnjë është ndier sikur kjo është festa e saj. Këngëtarja po ashtu është fejuar për ditëlindje, prandaj dritat dhe dekorimet e Krishtlindjeve, i sjellin shumë emocione dhe e bëjnë të qajë nga gëzimi.

“Albumi i Krishtlindjeve ishte gjithmonë një pikëpyetje, por këtë vit derisa isha në karantinë vendosa t’i përvishem punës dhe ta realizoja atë, sepse tani më shumë se kurrë kemi nevojë t’i sjellim gëzime njerëzve, në një vit të mbushur me momente të errëta, pikëlluese dhe kaotike”, ka shtuar tutje këngëtarja.

Albumi përbëhet nga ‘cover’ të këngëve klasike të Krishtlindjeve si: “White Christmas”, “Silent Night” dhe “Winter Wonderland”, përfshirë këtu edhe gjashtë këngë të reja për festat e fundvitit, të cilat Trainor i ka shkruar bashkë me vëllezërit e saj gjatë kohës së karantinës. Titulli i albumit, “A Very Trainor Christmas”, e nderon angazhimin dhe kontributin e familjes së saj në realizimin e këtij incizimi.

“Holidays” është njëra prej këtyre këngëve të reja e cila e përfshinë edhe bendin “Earth, Wind & Fire”. Një grup i valltareve kishte arritur ta realizojë videoklipin e kësaj kënge, pavarësisht pandemisë së koronaviorusit.

“Është çmenduri të realizosh videoklip në këtë kohë, sepse gjithçka ka ndryshuar. Çdo person është testuar para se të hyjë në ndërtesë, të gjithë jemi dashur të presim me orë të tëra në veturë, për të na u dhënë leja të vazhdonim me xhirimet. Por, ishte një eksperiencë emocionuese sepse mua më shoqëronte foshnja ime në bark. Në fillim i kemi xhiruar pjesët e anëtarëve të bendit sepse nuk doja t’i mbaja për shumë kohë në ndërtesë, dhe dëshiroja që ata të ndiheshin sa më rehat që ishte e mundur. Gjithashtu, kjo ishte hera e parë në shumë kohë që po qëndroja me take të larta. Pas disa orësh, fillova të kem dhimbje në këmbë dhe këtë e mora si shenjë që fëmijës nuk po i pëlqen të qëndroj më gjatë duke punuar”, ka deklaruar Trainor.

Albumi me titull “A Very Trainor Christmas” tashmë është lansuar për publikun. / KultPlus.com

Pamje të mahnitshme: Kështu është zbukuruar fshati kosovar për fundvit (FOTO)

Fshati Pjetërshan  i Gjakovës ka magjepsur edhe sivjet me dekorimin për festat e fundvitit, Krishtlindjet dhe Vitin e Ri.

Edhe kësaj radhe shumë të rinj të këtij fshati të Gjakovës, por edhe fshatrave përreth kanë punuar, që Pjetërshan të duket përrallor, së paku për festat e fundvitit.

Shumë vizitorë e vizitojnë këtë fshat për festat e fundvitit, për t’i parë nga afër bukuritë dhe zbukurimet e këtij fshati. / KultPlus.com

Zhduket monoliti misterioz prej metali

Një monolit misterioz me origjinë të panjohur, i cili u zbulua së fundi në një shkretëtirë në perëndim të SHBA-së pati ndezur një mori polemikash për shfaqjen e tij, ndërkohë që tani, në mënyrë po aq misterioze, është zhdukur, deklaruan sot autoritetet lokale.

Zyra e menaxhimit të territorit të Utahut theksoi se kishte marrë dëshmi të besueshme, sipas të cilave objekti ishte zhvendosur nga disa persona të panjohur të premten në mbrëmje.

“Zyra nuk e ka marrë strukturën që është konsideruar si një pronë private”, theksoi ajo në një komunikatë.

“Ne nuk po hetojmë në lidhje me këtë ngjarje, pasi raste të të tilla që menaxhohen në fakt nga zyra e sherifit lokal”, shtoi ajo.

Një monolit metalik misterioz u zbulua më 18 nëntor në një shkretëtirë në perëndim të SHBA-së, duke ndezur imagjinatën e të pasionuarve të UFO-ve dhe tifozëve të Stanley Kubrick në mbarë botën.

Masa trekëndëshe me shkëlqim, që del më shumë se 3,5 metra nga toka e kuqërremtë në jug të Utahut, u zbulua nga zyrtarë lokalë të habitur që po fluturonin mbi zonë për të numëruar ekzemplarët e muflonëve.

Pas uljes, këta punonjës të Departamentit të Sigurisë Publike në Utah kanë mundur të ekzaminojnë “monolitin metalik”, duke mos zbuluar asnjë tregues të qartë se kush mund ta kishte vendosur atje.

“Është e ndaluar të vendosësh pa autorizim struktura apo vepra arti në tokat e menaxhuara nga qeveria federale, pa marrë parasysh se nga cili planetvini”, theksoi agjencia në një komunikatë.

Njoftimi i këtij zbulimi u shpërnda menjëherë në internet, me shumë njerëz që vunë re ngjashmëri me monolitët e çuditshëm jashtëtokësorë në filmin e Stanley Kubrick, “2001, Odiseja e Hapësirës”.

Të tjerë kanë parë aty një simbol shprese përballë sfidave të vitit 2020, siç shprehet një përdorues i Instagramit që sugjeron se mund të jetë një “buton i rinisjes” ose një tjetër, duke bërë shaka: “nga afër, mund të lexojmë:  “Vaksina kundër Covid-19 në brendësi”./atsh/ KultPlus.com

Vaksinimi, sfida e madhe e Gatesit

Kreu i një prej prodhuesve më të mëdhenj të vaksinave në botë kishte një problem. Adar Poonawallas, shef ekzekutiv i Institutit të Serumit të Indisë, i duheshin 850 milionë dollarë për gjithçka, në mënyrë që të niste të prodhonte dozat e vaksinës premtuese kundër koronavirusit për të varfrit në botë.

Poonawalla mendoi t’i rrezikonte 300 milionë dollarë të kompanisë së tij, por sërish do të duheshin më shumë se gjysmë miliard dollarë. Ndaj ai kërkoi ndihmën e një shefi ekzekutiv të një kompanie softuerësh, tashmë i dalë në pension në Seattle.

Bill Gates, themeluesi i “Microsoft-it”, i kthyer tashmë në një filantrop, e njihte prej vitesh Poonawallan. Gates kishte shpenzuar miliarda dollarë për të ndihmuar në shpërndarjen e vaksinave në botën në zhvillim, duke bashkëpunuar me drejtuesit e kompanive farmaceutike për ta transformuar tregun.

Angazhim i dyfishtë

Në këtë mënyrë ai u bë lojtari më i fuqishëm – dhe provokues – privat në shëndetin global. Në fund të bisedës mes tyre gjatë verës që shkoi, Gates ia dha një premtim: fondacioni Bill dhe Melinda Gates do të siguronte një garanci prej 150 milionë dollarësh, në mënyrë që fabrika indiane të mund të niste prodhimin e vaksinës.

Deri në shtator, fondacioni e kishte dyfishuar angazhimin e tij. Ajo ishte pjesë e një përpjekjeje prej 11 miliardë dollarësh, për të krijuar bazën e blerjes së vaksinave kundër koronavirusit për më shumë se 150 vende të botës, edhe pse në fund ato mund të kushtojnë shumë më tepër.

E financuar kryesisht me para publike, nisma drejtohet nga dy organizata globale jofitimprurëse globale që Gates i ndihmoi në fillim, bashkë me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, e cila mbështetet te “Gates Foundation”, si një nga donatorët e saj më të mëdhenj.

Ai që punon në prapaskenë është njeriu i dytë më i pasur në botë. Gates e sheh veten dhe fondacionin e tij me një fond prej 50 miliardë dollarësh si të mirëpërgatitur për të pasur një rol qendror në këtë nismë. Në këtë kuadër, Gates dhe ekipi i tij po i shfrytëzojnë lidhjet dhe infrastrukturën që fondacioni ka ndërtuar për dy dekada.

Ndërsa vaksinat e para kandidate po nxitojnë të aplikojnë tek autoritetet rregullatore, çështja se si të imunizohet shumica e popullsisë botërore është bërë më urgjente. Por, nëntë muaj nga nisja e pandemisë, suksesi i nismës të njohur si “Covax” nuk është aspak i sigurt.

Shpërndarja

Deri më tani ajo ka mbledhur vetëm 3.6 miliardë dollarë në fonde për kërkime, prodhim dhe subvencione për vendet e varfra. Tri kompani farmaceutike kanë premtuar t’i japin vaksina, por nuk dihet ende nëse ato do të jenë efektive. Ndërkaq, mund të jetë e vështirë të sigurohen në kohë miliardat e dozave të nevojshme me një kosto të përballueshme, pasi Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera të pasura kanë nënshkruar tashmë marrëveshjet për t’i vaksinuar qytetarët e tyre.

Nëse nisma, e ndihmuar nga pasuria dhe fokusi që ka zoti Gates, arrin të ndihmojë në mbrojtjen e të varfërve të botës nga një virus që tashmë ka vrarë më shumë se 1.3 milionë njerëz, ajo do t’i afirmojë strategjitë që ai ka promovuar në punën e tij filantropike, përfshirë stimujt për kompanitë farmaceutike.

Por, nëse ajo dështon, mund t’i intensifikojë thirrjet për një qasje më radikale. Në mesin e pandemisë, disa zyrtarë të shëndetit publik thonë se prodhuesit e vaksinave, shumë prej të cilëve kanë përfituar financime të mëdha publike, duhet të detyrohen me ligj që të ndajnë teknologjinë, të dhënat dhe njohuritë e tyre për të maksimizuar prodhimin.

Në planin aktual të shpërndarjes globale të vaksinave, vendet e varfra do të merrnin doza të mjaftueshme për të vaksinuar 20 për qind të popullsisë së tyre deri në fund të vitit të ardhshëm. Disa modele tregojnë se nuk do të ketë vaksina të mjaftueshme për t’i vaksinuar të gjithë deri në vitin 2024.

Ndërsa Gates ka shtuar daljet publike për të kërkuar mbështetje për nismën, ai është vënë gjithnjë e më shumë në shënjestër të teorive të konspiracionit që mund t’i minojnë përpjekjet e vaksinimit. Disa pretendojnë pa asnjë fakt se fondacioni i tij testoi vaksinat që vranë mijëra fëmijë në Afrikë dhe Indi, ndërsa të tjerët e lidhin filantropin me gjoja përpjekjet për shpopullimin e botës.

Dyshimet për mikroçipa

Një sondazh në maj të këtij viti zbuloi se 44 për qind e republikanëve në SHBA besonin se përpjekja globale për imunizimin nga koronavirusi ishte një pretekst i Gates për të implantuar mikroçipa në trupat e njerëzve, për t’i përgjuar ata. Ky pretendim është i pabazë.

“Unë nuk e kam dëgjuar asnjëherë Bill apo Melinda Gates të flasin për një gjë të tillë” – thotë investitori miliarder Warren Buffett, që ia ka besuar Fondacionit Gates 31 miliardë dollarë të pasurisë së tij, duke i dhuruar për bamirësi.

Kur shpërtheu pandemia e koronavirusit Gates u ndje i përgatitur për këtë moment, pasi kishte ndërtuar institucione globale dhe deri në atë moment kishte dhënë 55 miliardë dollarë, katër herë më shumë sesa Fondacioni Ford. Ai u interesua për vaksinat në fund të viteve 1990, kur shumë kompani farmaceutike kishin ndaluar prodhimin e vaksinave, duke i parë të padobishme.

Gates ndihmoi në krijimin e një modeli të ri biznesi që përfshin subvencionet, angazhimet paraprake të tregut dhe garanci për prodhimin. Këto lëvizje të tij joshën më shumë prodhues, përfshirë ata nga bota në zhvillim, duke sjellë prodhimin e shumë vaksinave që shpëtojnë jetë njerëzore.

Fondacioni i tij ka shpenzuar më shumë se 16 miliardë dollarë në programet e vaksinave, një e katërta e kësaj shkon për GAVI. Ndërkohë, ai ia ka dhënë 2.25 miliardë dollarë Fondit Global për të luftuar SIDA-n, tuberkulozin dhe malarien. Me një fond fillestar prej 100 milionë dollarësh, Gates ndihmoi në krijimin e Koalicionit për Inovacione të Gatishmërisë Epidemike në Oslo, për të investuar në ilaçe dhe vaksina eksperimentale.

“Kur do ta ndalim pandeminë?”

Fondacioni, që ka rreth 1600 punonjës, financoi shumë studiues dhe investoi direkt te kompanitë farmaceutike. Një prej tyre ishte kompania gjermane BioNTech, e cila përfitoi një investim prej 55 milionë dollarësh në shtatorin e vitit 2019. Kjo kompani, në partneritet me Pfizer, njoftoi javën e kaluar se vaksina e tyre e përbashkët kundër COVID-19 duket të jetë 95 për qind efektive, teksa është aplikuar zyrtarisht tek Administrata e Barnave dhe Ushqimit në SHBA, për një autorizim emergjent për fillimin e përdorimit të saj në masë.

Një numër në rritje vendesh i janë përkushtuar kësaj nisme. “Gates Foundation” po financon gjithashtu një portofol të vaksinave të valës së dytë që synojnë botën në zhvillim. Ka mjaftueshëm para për të filluar blerjen e dozave të vaksinës pasi ato të miratohen dhe Gates shpreson miliarda të tjerë, shumë të nevojshme për të arritur qëllimin e tij. Me rastet e koronavirusit që po shumëfishohen në të gjithë botën, Gates thotë se ka një mënyrë shumë të thjeshtë për ta gjykuar iniciativën globale të vaksinave. “Kur do ta ndalim pandeminë? Ky është parametri me të cilin duhet të matet e gjithë kjo nismë”, thotë ai./ KultPlus.com

Belen Rodriguez vishet nga kreatorja kosovare

Modelja me famë botërore, Belen Rodriguez ka përzgjedhur Lia Stubllën që të përkujdeset për fustanin e saj në një ngjarje të madhe artistike.

Bukuroshja argjentinase ka etiketuar dizajneren kosovare në profilin e saj zyrtar duke konfirmuar se është ndarë e kënaqur me fustanin mahnitës të krijuar nga Lia Stublla.

Krenare për këtë është ndarë edhe vetë Lia e cila ka shpërndarë postimin e modeles së famshme.

36 vjeçarja është njëra nga modelet më me zë në botë në dy dekadat e fundit. Ky nuk është suksesi i vetëm ndërkombëtar për Lia Sutbllën e cila ka kohë që po arrinë suksese të ngjashme me emra të njohur të shoëbizit ndërkombëtarë./KultPlus.com

Rita Ora publikon urimet e bëra nga fansat e saj: Nuk do të isha personi që jam pa mbështetjen tuaj

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora të enjten e 26 Nëntorit ka festuar ditëlindjen e saj të 30-të. Urimet që i janë bërë këngëtares kanë qenë të shumta, duke filluar nga familjarët, miqtë, kolegët si dhe adhuruesit e saj, shkruan KultPlus.

Në një postim të bërë në Twitter, Ora ka publikuar një video katërmbëdhjetë minutëshe me urimet që i janë dërguar nga adhuruesit e saj.

“Faleminderit shumë për të gjithë ju !! Unë nuk do të isha personi që jam sot pa dashurinë dhe mbështetjen tuaj të pakushtëzuar !! Faleminderit fansave të mi që kaluan këtë udhëtim me mua dhe mesazhet tuaja të bukura, mezi po ju pres të ju takoj të gjithëve përsëri !!!”, ka shkruar ajo./ KultPlus.com

https://twitter.com/RitaOra/status/1333154566825791488

Puna e tij po cilësohet e dobët, reagon autori i shtatores së Skënderbeut në Prizren

Shtatorja e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut e vendosur ditën e Flamurit në Prizren po kritikohet nga të gjithë. Puna e skulptorit po cilësohet si e dobët.

 Kjo ngjalli reagimin e Sinan Aliaj, autor i shtatores.

Nëpërmjet Facebookut ai ka publikuar një fotografi të shtatores me mbishkrimin ‘dedikuar portaleve’.

“Ju faleminderit për komentet! Urime Prizren!”, shkruan Aliaj në Facebook.

Shtatorja e Skënderbeut u vendos në Prizren nga Komuna e cila udhëhiqet nga Mytaher Haskuka i Vetëvendosjes./ KultPlus.com

Tirana feston “Natën e Bardhë”

“Nata e Bardhë”, e cila tashmë është bërë traditë për kryeqytetasit, nuk mungon as këtë vit. Pavarësisht pandemisë, Bashkia Tiranë ka menduar që të sjellë një koncert, por sigurisht duke respektuar të gjithë rregullat e vendosura për shkak të Covid-19.

Por këtë herë publiku do ta shijojë nga shtëpia koncertin nga këngëtarët e preferuar, si Dafina Zeqiri, Soni Malaj, M. Elvis, Kastro Zizo, West Side Family dhe Stine me hitet e tyre.

Koncerti që nis në orën 18:00 zgjat rreth 2 orë me transmetim live në Facebook-un si dhe në kanalin Youtube të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Kështu që qytetarët shijojnë një Natë të Bardhë ndryshe, por me plot emocione të veçanta këtë vit./ atsh/ KultPlus.com

“Sikur të isha djalë”

Suada Qorraj

Historia e jetës time kishte fillu me u shkru shumë kohë para se të lindja unë. Që në ditët e para kur e kishin kuptu se tashmë një jetë e re kishte fillu me u kriju, dëshira e madhe për me e pas një djalë në shtëpi ishte ngjallë edhe një herë. E bashkë me këtë kishte fillu me u shtu edhe presoni që gjithsecili që hynte e dilte në mrena atyne dyrve i bante nanës e babës tem. Kësaj dëshire i kish hi një flakë edhe ma e madhe atëherë kur në mes të muajit qershor m’ kishin vra babën, po fjalët e njerëzve, presioni e kinse kjo dhembshuria e tyre e madhe kishte fillu tre muaj para se me lind unë, se tek atëherë në shpi tem s’ka pas më një varr bosh, e për secilin që ka hy e ka dalë në dyert e asaj shpije tashmë ka pas një arsyetim edhe ma të madh që me ‘uru’ për lindjen e një djali.

“A kishe lindë çikë a? U, çka po më dhimesh. Ishalla të dek se sen s’po të vyn”. Këto janë fjalët që nana jem i kish dëgju veç nëntë ditë pasi kisha lindë unë. 18 nëntor kur linda unë, e një ditë para se me u festu dita e flamurit, pra me 27 nëntor u thanë këto fjalë. Po kujt i interesonte kjo se e rëndësishme për gjithsecilin që kishte ardhë me uru lindjen, ishte fakti që unë nuk isha djalë.

Këto fjalë që fillun kur isha veç 9 ditëshe, s’janë ndalë as sot. Kjo ka qenë përballja e parë me atë realitetin që m’ka pritë për krejt jetën. Nana bile pat fillu me ma tregu këtë histori që prej kur unë as se kam kuptu se çka donin me thanë këto fjalë.

“A ti ke lind masi ka vdek a? Qysh s’ke djal bile? Ta kish pas nona jote një djalë e kish pshtu? Qysh ju a veç tri motra jeni a? Nejse, nejse, edhe ti munesh me ju bo djal.”

Si fëmijë kur i dëgjojsha këto fjalë, unë kam mendu që mundem me u ba djalë. Sa e sa herë i kam thanë nanës “O mam e pse nuk me boni mu djalë masi krejt po më thojnë që ma mirë me kon djalë.”

Krejt m’kanë thanë, e nana asnjihere, bile kur i bajsha këso pytjesh çdo herë është ba nervoz  Si fëmijë krejt ka qenë ma lehtë, se unë naive, a e pafajshme, s’kam kuptu se pse flisnin ashtu.

Ne në atë kohë nuk jetonim në fshat, veç se pothuajse çdo ditë shkonim në bahçen ku gjendej ajo se çka kish mbetë prej shtëpisë t’djegun nga lufta. E në fshat çdo të dytin që kam pa në rrugë m’ka thanë “Ah veç mos të ishe çikë, veç ishalla bohi të hajrit”.

Mbaj mend një herë pata shku në shpi tu kajt edhe i pata thanë nanës “Mam a edhe ti më urren veç pse s’jam djalë?” Nana që kurrë lot në sy si kisha pa, atë ditë e pata ba me kajt. E po në atë ditë kish marrë guximin me më tregu se kush ishte i pari që  në vend të jetës, më uroi vdekjen.

Asnjë s’besonte që nana ka me ja dalë me tre fëmijë, që fëmijë për kërkan s’ishin, se s’kishin epitetin djalë. E për fëmijët s’kishin pikën e dyshimit, që ajo shpi e djegun në fshat ka me qenë fillimi e fundi i tyne.

Është e çuditshme se sa fort ndryshonin ditët e kaluara në shkollë, me ato të kaluara në fshat. Përgëzimet që merrje brenda atyre mureve ishin të largëta me mallkimet që ti bënte fshati. Ama këto dy botë kaq të kundërta mes vete janë bërë përherë bashkë. Se tash çika që veç çikë nuk ish dashtë me qenë kishte fillu me ju dëshmu, që n’jetë ki me mujt me mrri edhe kur s’ke epitetin djalë.

Unë, motrat e mija e nana ani pse tan jetën t’rrethune prej paragjykimeve, i kem thy krejt barrierat që na kanë dal përpara, se asnjë prej nesh nuk ka leju që fjalët e tyne me na mposhtë.

Kur kam qenë në shkollë fillore krejt kanë besu që unë nuk kam me mrri shumë, se ndryshe nga motrat e mija mua më duhej një kohë më e madhe për me i msu gjanat. ‘Të ish kon djalë, bile kish vyft diçka, se qeshtu mezort nuk msohet’, i kanë thanë nanës e mua me mijëra herë. Ama unë përherë kam punu aq fort sa me ju dëshmu të kundërtën.

Në vite e gjinazit unë pata mrri me punu, e me kry shkollën në të njejtën kohë. Refreni “Të ishe kon djalë”, pat fillu me ndru. Tash për njerëzit e njejtë të fshatit isha “çika që nanës ju ka bo sa 7 djem”. Ama unë nuk isha djalë, unë isha veç çika, që nana i kish msu mos me u dorëzu në asnjë çast.

Habinë më të madhe fshati e kish përjetu kur unë pas gjimnazit kisha fillu shkollimin në dy drejtime të ndryshme, krejtësisht të kundërta mes vete. Tash ndaljet në rrugë nuk bëheshin me m’kujtu që ardhja jem n’jetë ka qenë gabim, se pas tragjedisë t’parë unë isha e dyta në familje. Bile ishte hera e parë që n’fshat “sikur t’ishe djalë” nuk u tha më.

Nana ka vite që punon, ani pse për fshatin do të ishte më e pranueshme, që ajo të ulej mes të rrugës e t’lutej për një copë buke. Nana e rrethune prej tragjedisë, asnihere nuk ka leju që tjerët me i ulë çikat e saja. Ajo bile ka vra andrrat e saj, që tonat me i bo realitet.

E madhja prej tre motrave ka mrri që krahas vendit  të vet, shkollën e andrrat me i thur edhe jashtë kufijve. Asaj asnjëherë si kishin uru me qenë djalë. Ama as për të, njëlloj si për mua, s’kishin besu që në jetë ka me mrri diçka.

Edhe çikës të dytë të nanës, nuk i patën uru e se patën mallku me qenë djalë. Edhe ajo ka mrri që me ju qitë poshtë secilën fjalë, e paragjykim që ja kishin ba krejt jetën, se një fëmijë pa babë s’bante me pas jetë.

21 vite më pas unë nuk vdiqa, nuk arrita as gjininë ta ndrroja se kështu ma patën ngulitë në kry. Unë refuzova me ju nënshtru secilit mendim e fjalë që synonte të më zbehte andrrat. E tash pos shkollës unë kam dhe punën. Mbase për fshatin jam ende çika që duhej të ishte djalë, veç jo ma për veten.

Nana, unë e motrat, tu jetu e rritë mes këtyre vështirësive, i dëshmum secilit që kish hy e kish dalë nga shtëpia se nuk të duhen burrat për të ndërtu jetën, se nuk të duhet djali për me ndërtu të ardhmen. Ne të katërta bashkë, i tregum secilit se mjaftoheshim me njëra tjetrën, se dashnia e jeta që kishim ndërtuar së bashku ishte më e fortë e më e madhe se secila fjalë e tyre./ KultPlus.com

70 vite në fron, britanikët do të mbjellin pemë për nder të Mbretëreshës Elizabeth

Britanikët do të mbjellin pemë për të festuar 70-vjetorin e Mbretëreshës Elizabeth në fron si pjesë e një plani për të krijuar një vend më të gjelbër për nder të shtatë dekadave të shërbimit të saj.

94-vjeçarja, monarkja me jetëgjatë në historinë e mbretërisë britanike, pritet të shënojë 70-vjetorin e mbretërimit të saj në shkurt të 2022-s.

Qeveria po planifikon një festë katër-ditore atë verë dhe një ditë pushimi publik shtesë, me mbjelljen e pemëve, për të shënjuar këtë momentit historik.

Me emrin “Mbulesa e Gjelbër e Mbretëreshës”, projekti i mbështetur nga shoqata bamirëse do të inkurajojë komunitetet, shkollat, këshillat bashkiakë dhe pronarët e tokave të mbjellin pemë vendase për të ndihmuar mjedisin dhe për t’i bërë zonat lokale më të gjelbra.

Kryeministri Boris Johnson tha se kriza shëndetësore dhe pandemia i kishin kujtuar njerëzit për rëndësinë e natyrës dhe hapësirave të gjelbra dhe se pemët mund të transformonin komunitetet si dhe trajtimin e ndryshimeve klimatike.

“Ndërsa ne festojmë 70 vitet e shërbimit të jashtëzakonshëm të Madhërisë së saj, unë i inkurajoj të gjithë ‘Mbillni një pemë për jubileun’, tha Johnson.

Organizatat bamirëse “Cool Earth” dhe “The Woodland Trust” thanë se mbjellja e pemëve do të ishte një dhuratë e veçantë për monarken, e cila ka mbjellë më shumë se 1.500 pemë në të gjithë botën gjatë mbretërimit të saj.

Elizabeth, e cila është monarkja aktuale më e vjetër dhe me mbretërimin më të gjatë në botë, u bë mbretëreshë më 6 shkurt 1952, pas vdekjes së babait të saj, Mbretit George VI.

Familja mbretërore britanike ka qenë një zë i rëndësishëm në fushatat për një mori çështjesh mjedisore. Princi Charles ka folur për dekada në lidhje me ndikimin e ndryshimit të klimës, si edhe dhe nipi i saj Princi William. \ A2news/ KultPlus.com

Veliaj pret tenorin kosovar Rame Lahaj: Në këtë kohë kemi nevojë për inkurajim dhe forcë


Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim tenorin e mirënjohur nga Kosova, Rame Lahaj, i cili me rikompozimin e këngës “Për ty atdhe”, ka sjellë një dhuratë të çmuar për mbarë kombin shqiptar në këtë përvjetor të Pavarësisë së Shqipërisë.
 
“Të jemi shumë mirënjohës! Është një dhuratë fantastike, shpirtërore, që frymëzon po aq. Të falenderoj dhe jam i sigurt që flas edhe në emër të kryetarëve të Prishtinës dhe Prizrenit sepse besoj që, në kohë të tilla, kemi nevojë për inkurajim, forcë dhe optimizëm. Na bën shumë krenar”, tha kryebashkiaku Veliaj.
 
Ai i dhuroi tenorit diskun e Tiranës 100 vite kryeqytet, një bashkëpunim me BBC, ku janë përfshirë këngët më të vjetra dhe më të dashura në një shekull. “Në bashkëpunim me BBC kemi mbledhur në një disk disa nga këngët më të vjetra të Tiranës. Meqë na dhurove një rikrijim muzikor për Pavarësinë, edhe ne po të dhurojmë një përmbledhje muzikore për Tiranën 100 vjet Kryeqytet i shqiptarëve”, shtoi Veliaj.
 
Tenori Lahaj falenderoi kryetarin e Bashkisë për mbështetjen dhe u shpreh se realizimin e kësaj vepre e ndjente si detyrim ndaj Tiranës, ku është formuar profesionalisht.
 
“E kisha shumë të rëndësishme të sillja një mesazh sadopak pozitiv. Shqipëria, Kosova, por gjithë trojet shqiptare, kanë një kulturë, një traditë vërtetë shumë të veçantë. Përveç kësaj, është edhe pjesa e turizmit, që është zhvilluar jashtëzakonisht shumë në Tiranë, e shumëçka tjetër që kanë ndodhur vitet e fundit. Tiranës dhe Shqipërisë ia kam pasur për borxh sepse talenti im ka dalë në pah nga Shqipëria, Tirana, ose më mirë, nga Akademia e Arteve, aty ku unë kam ardhur dhe kërkuar ndihmën e parë. Kjo është më e pakta që mund të bëj”, u shpreh ai.
 
Në festën e flamurit, Lahaj ka vendosur të risjellë në një version ndryshe këngën e famshme shqiptare, “Për ty atdhe”. Ramë Lahaj e risolli këtë këngë bashkë me një klip, që pasqyron vlerat, kulturën dhe traditat shqiptare. Tenori nga Istogu përmes një postimi në rrjete sociale, theksoi se kjo këngë ishte dhuratë për ta në këtë ditë feste kombëtare./tiranaal/KultPlus.com

Përfundon trajnimi i gazetarëve mbi të drejtat e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian

Gazetare: Suada Qorraj

Fotografitë: Nok Selmani

Në ambientet e KultPlus Caffe Gallery gjatë ditës së sotme ka përfunduar trajnimi për gazetarët mbi të drejtat e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Në ditën e fundit të këtij trajnimi pjesëmarrësve ju është caktuar nga një temë nëpërmjet së cilës synohet rritja e të drejtave dhe vetëdijesimi mbi këto komunitete, shkruan KultPlus.

Koordinatorja e këtij projekti Kendiza Lala tha se qëllimi i këtij projekti ka qenë që të rritet numri i raportimeve të sakta për komunitetin rom, ashkali dhe egjiptian. Ajo ka shtuar se njëlloj si kanë ndikuar për të mirë artikujt e publikuar nga ana e këtij projekti, të kenë po të njëjtin ndikim edhe artikujt që do të publikohen si rezultat i këtij trajnimi dy ditor.

“Qëllimi i projektit ka qenë që të ngrisë numrin e raportimeve të sakta për komunitetin rom, ashkali dhe egjiptian. Përveç artikujve që janë publikuar deri më sot dhe kanë pasur efektin ndihmues tek komunitet e njëjta gjë pritet edhe nga ana e gazetarëve pjesëmarrës. Kjo sepse, siç tham qëllimi i këtij projekti është të shmang stigmatizimin dhe të sjell modelet që qëndrojnë në komunitete”, tha ndër të tjera Lala.

Kurse për trajnerin kryesor të këtyre ditëve, Imer Mushkolaj përzgjedhja dhe ndarja e temave që është bërë në ditën e fundit do të sjellë një pasqyrë ndryshe prej asaj se çka kemi parë deri më sot në media kur raportohet për komunitete. Sipas tij pas publikimit t ë këtyre temave njerëzit do të kenë mundësinë që të vërtetojnë se kanë pasur paragjykime të gabuara.

“Me temat që janë propozuar në ditën e dytë të trajnimit besoj që gazetarët kanë materiale që me i trajtu këto tema. Jam shumë i lumtur që këto tema janë jashtë ose ndryshe prej asaj që jemi mësuar të dëgjojmë, të shohim apo lexojmë për një komunitet. Shpresoj që kur të publikohen si storie njerëzit kanë me pas  mundësi me lexu  diçka që ndoshta nuk e kanë menduar që ekziston si e tillë në kuptimin e rrëfimeve prej pjesëtareve të këtyre komuniteteve që nuk na japin vetëm anën e diskriminimit, anën e vështirë të jetës sociale dhe ekonomike, anën e pamundësisë për shkollim ose punësim, por na japin disa modele pozitive se si pjesëtaret e këtyre komuniteteve nuk  dallojnë aspak me mënyrën e funksionimit, në mënyrën e arritjeve që i kanë bo prej komuniteteve tjera respektivisht prej komunitetit shumicë në këtë rast”, theksoi ai.

Ndërkaq për pjesëmarrësen dhe njëkohësisht gazetaren Natyra Rushiti ky trajnim ka qenë një nismë për të larguar vëmendjen mediale nga konotacioni negativ për komunitetet. Sipas saj këto dy ditë kanë qenë mjaft të dobishme karshi kujdesit në raportimin për komunitetet.

“Trajnimi ka qenë një nismë e mirë për të larguar nga vëmendja mediale konotacionin negativ për komunitetet. Kësisoj trajnimi ishte i dobishëm në forcimin e bindjeve për ti kushtuar më shumë vëmendje raportimit për romët, ashkalitë e egjiptianët e për të shmangur “shprehitë” shabllone karshi tyre. Pra besoj se ka shkuar në vend edhe ideja e synimi i këtij trajnimi që të shfaqen më shumë shembuj të mirë (që janë shumë) për këto komunitete, të rritet hapësira në media që trajtojnë raste më këto komuniteteve e të largohet paragjykimi për ta (krijuar disa herë edhe nga vetë mediat). Pra që të kenë një trajtim të barabartë secili anëtar i komuniteteve. E ky mesazh që besoj do vërehet dukshëm në praktikë u përcoll gjatë këtyre ditëve”, ka thënë ajo.

Tutje Rushiti ka shtuar se komunitetet në Kosovë nuk kanë një përfaqësim të denjë në media, mirëpo sipas saj gishti nuk duhet drejtuar çdo herë tek gazetarët ngase edukimi për të larguar paragjykimet duhet të filloj që nga familja e të vazhdoj deri tek institucionet arsimore.

‘Komunitetet në Kosovë nuk kanë një përfaqësim të denjë nëpër media. Imazhi i romëve, ashkalive, egjiptianëve është i shfaqur pothuajse në një kornizë të njëjtë gjithmonë. Si jo rrallëherë anëtarët e tyre stigmatizohen e paraqiten si viktima ose si objekt tallje në sytë e lexuesit, shikuesit e dëgjuesit. Por jo gjithherë gishti për këtë duhet drejtuar nga gazetarët, një edukim për ta larguar paragjykimin duhet të nis nga familja për të vazhduar tek institucionet arsimore më pastaj. Megjithatë në këtë mes mediat luajnë rol shumë të rëndësishëm për të edukuar masën e për të raportuar pa ofenduar”, ka përfunduar ajo.

Kurse pjesëmarrësi tjetër, Sejdi Gashi tha se ky trajnim ka qenë mjaft i dobishëm edhe për gazetarët që kanë përvojë të gjatë pune, ngase janë mësuar shumë praktika të reja.

“Trajnimi që u organizua gjatë këtyre ditëve është shumë i dobishëm për ne pjesëmarrësit, ndonëse disa prej nesh jemi me punë disa vjeçare në media, parp u thanë shumë gjëra, praktika të mira të reja, për mua ishte shumë dobiprurëse me përfitim”, potencoi ai.

Ky trajnim është pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ e që është implemetuar nga KultPlus dhe YIHR./ KultPlus.com

Si donin t’ja pushkatonin qenin Lasgush Poradecit

Viti 1975. Poeti i madh Lasgush Poradeci, ndodhet në Tiranë për tu kuruar. Me vete nga Pogradeci ka marrë edhe qenushin e tij të quajtur Cuci, ose ndryshe konkën e tij të dashur. Por një ditë befas në banesën ku ai qëndronte në Tiranë, mbërrin Sekretari i Parë i Këshillit të Lagjies, i cili bashkë me një polic të armatosur, e urdhërojnë të dorëzojë Cucin, pasi do e pushkatojnë.

Kjo pasi kishin urdhër të vrisnin qentë. Këtu fillon edhe kalvari i poetit dyer më dyer për të shpëtuar Cucin e tij të dashur.

Një histori e pazakontë, po ta mendosh për kohën ku jetojmë, por që Poeti e ka rrëfyer në ditarin e tij.

A e shpëtoi Cucin e tij Lasgush Poradeci? Lexoni historinë e shkëputur nga ditari i tij.

Tiranë, e Mërkurë 2 Prill 1975:

Sot nga ora 1 pas mesdite, ardhë m’a muar me zor, konkën t’ime shumë të dashur dhe shumë besnike, “Cucin” që të m’a vrasin (pushkatojnë).

Ishte sekretari i Këshillit të Lagjes nr 1 me një polic dhe dy të tjerë me pushkë. Thanë: “Kemi urdhër t’i vrasim qentë!”

Unë ju luta me 1000 të lutura të m’a lënë 2-3 ditë, të marr lejë të mos m’a vrasin. Ata nuk pranuan në asnjë mënyrë. E mbanja Cucin siç ish i lidhur, me rrypin e tij poshtë shkallëve, m’a rrëmbyen egërsisht.

Megjithqë polici i tha sekretarit të m’a lenë këto 2-3 ditë, sekretari një individ zemër ashpër, dha urdhër të m’a marrin.

Sbriti polici poshtë ne “Cuci” m’a mori megjith rryp dhe me gjith hallkën e rrypit prej së cilës i vinja rrypin “Cuci-t” kur e shëtisnja nga pak në mëngjes dhe më drekë nga ora 11-12-1.

Passi m’a rrëmbyen “Cuci-n” në këtë mënyrë kaq të egër, zura të qaj, sbrita poshtë shkallëve ku e mbanja lidhur me rrypkën e tij elegante (që m’a dha Kostaqi i Frosës në Poradec) dhe m’u shkreh zemra dhe zura të qaj me lot për “Cuci-n”, puthnja peronën ku kapnja rrypin, puthnja safkën e ujit ku i shtinja ujë të freskët, putha 2-3 herë dhe shumë herë enën ku i shtinja të hajë “Cucit” dhe qanja me psherëtimë.

Kaq shumë m’u dhemb “Cuci”. Passi m’a muarr Cucin dhe e vunë në karrocë dhe u larguan 60-70 hapa prej meje, u vesha shpejt dhe ju vajta pas dhe i gjeta në një rrugicë pranë shtëpisë s’ime, i-u luta me shumë të lutura përsëri, të m’a lenë pa e vrarë, i-u thashë të vete ne Sekretari i Komit. të Partisë së rrethit Manush Myftiu, do vete ne Sekretari i Kom, Ekz. të Rrethit, do vete në Seksionin e Shëndetsisë të marr leje për konkën (Cucin), por ata nuk m’a pranuan lutjen (nuk pranonte, prapë, Sekretari (Elem Haxhia).

Ardha menjëherë në shtëpi, dhe megjithqë jam i sëmurë prej 17 Janarit gjer më sot i shtrirë në shtrat, u vesha dhe shpejt mora Marien me mua, vajta me autobus gjer në Kom. Ekz. E mora Marien se prej 17 Janarit s’jam ngritur prej shtratit, e mora shpirtin nër dhëmbë dhe u nisa i shoqëruar prej Maries, që po të rrëzohem rrugës i sëmurë siç jam, t’a kem Marien pranë.

Vajta me Marien në Kom. Ekz. Më thanë Sekretari i Partisë (Manush Myftiu që është antar i Byrosë së Komitetit Central) nuk vjen këtu në zyrë, Kryetari i Komitetit Ekzekutiv (Ndue Marashi) nuk priste, Zëv-kryetari (janë 4 zëv-kryetarë) nuk kish pritje.

Poeti Pano Taçi, që ish poshtë në parterë, më tha, të vete në Seksionin e Shëndetsisë, po inspektori i Seksionit nuk kishte pritje sot të Mërkurën, kishte pritje të Martën edhe të Premten prej orës 1-2.

Ika i dëshpëruar jashtëzakonërisht. Ardha në shtëpi. Kostandina më tha të vete ne Arkit. Petraq Kolevica që Petraqi t’i thotë nesër të Enten, inspektorit të Shëndetsisë, të më pranojë nesër të Enten.

Petraqi, që është nënpunës në Komitetin Ekzekutiv, banon afër shtëpisë s’ime (nja 200-300 hapa larg). Vajta ne Petraqi, me Marien, e ëma e Petraqit më tha se Petraqi është shtruar në spital para 1 jave.

Do vete nesër të Enten ne Ministri i Shëndetsisë Doktor Llambi Ziçishti, të përpiqem për Cucin, t’i japë Ministri urdhër Seksionit të Shëndetsisë, të mos m’a vrasin Cuci-n.

Shpresë s’kam, por, prapë do vete ne Ministri. Kur ardha prej Petraqit në shtëpi, sbrita të shoh vëndin ku e mbanja Cucin poshtë shkallëve; atje m’u mbush shpirti dhe shpërtheva në qarje e vajë, putha dyke qarë peronën ku lithnja Cucin me rryp, e putha peronën 3 herë dyke qarë, putha safkën ku i shtinja ujë të freskët e putha 3 herë, putha 3 herë edhe enën prej alumini ku i jipnja Cucit të hajë, edhe u ngjita prej shkallëve të Cucit për në kuzinë, ku kam shtratin tim.

Hyra në kuzinë dyke qarë, mezi pushova. Pastaj mora Marien, vajta me Marien në rrugët ku nxirrnja pak Cucin që më vinte keq t’a mbaj vetëm lidhur. Përshkova me Marien rrugën prej shtëpisë s’ime gjer buzë lumit Lanë, shkova buzë Lanës, siç shkonja me Cucin kur e nxirrnja, vajta me Marien nëpër rrugët dhe rrugicat ku e nxirrnja Cucin, nja 20 ose 30 ose 60 minuta për dita, që të çmallem me rrugët ku shkonte Cuci.

U këtheva pastaj në shtëpi, prapë zura të qaj se m’u mbush prapë shpirti dhe shkrojta këto rradhë për Cucin t’im shumë të dashur, shumë të dhemshur dhe shumë besnik.

Sytë Cuci i kishte shumë të bukur, shumë të dashur, njerëzit theshin kur e baresnja Cucin, rrugëve: “sa i bukur”, edhe fëmija, edhe nuset, edhe burrat theshin sa i bukur.

Cuci është leshator, i bardhë në roza, të gjithë theshin sa i bukur. Më vjen të pëlcas për dhimbjen e Cucit, po s’kam ç’bëj. Po rri këtë ditë me shpresë për nesër, që të vete nesër ne Ministri i Shëndetsisë, dhe të shoh a mos më pranojë inspektori i Shëndetsisë, me anën e ndonjë miku, ndonjë shkrimtari që t’a njohë inspektorin. Lasgush.

Tiranë, e Ente 3 Prill 1975:

Megjith që jam i sëmurë që prej 17 Janarit (kur ardha prej Poradeci), prapë i dhashë kurajë vetes dhe dola për të parën herë nëpër Tiranë, t’i bje pas punës së “Cuci-t”.

Vajta në Lidhjen e Shkrimtarëve, ku, që në mëngjes gjer në ora 1.30’ pas mesditës mezi takova atje Dritëro Agollin, Kryetar i Lidhjes. Dritëroj, pas lutjes sime, i telefonoj Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv (Ndue Marashit) që të më pranojë “për 1 çështje”.

“Le të vijë” i tha Kryetari i Kom. Ekz. Lasgushi. Vajta, pas urdhërit të tij, portieri më la të hy. Atje më thanë se puna e “Cucit” (që m’a muarr dje të m’a vrasin) mvarret prej Seksionit të Shëndetsisë (që i ka zyrat brenda në Kom. Ekz.).

Në zyrën e inspektorit të Seksionit më priti me respekt inspektori Shpëtim Gjebréa, kështu m’a tha mbiemrin Dritëro Agolli, emrin s’m’a tha inspektori, më dha cigare, më tha që ay më njeh: “kemi folur” tha “prej 2 vjetësh” etj.

Shpëtim Gjebréa më tha: “do t’ju japim lejë prej Seksionit” dhe doli prej zyrës me mua të vemi në zyrën e veterinerit, që e ka zyrën brenda në Kom. Ekz., “t’ju them” tha “t’ju japin lejë për të mbajtur qenin” (konkën time).

Veterineri s’ishte. “Ecni t’i thoni” më tha “Sekretarit të Lagjes nr 1 të mos e vrasin qenin, se nesër, kur të jetë këtu veterineri, do t’ju japim lejen për mbajtjen e qenit”. Vajta te Sekretari i Lagjes nr 1 (Lelem Haxhia) i thashë ç’më tha Inspektori Gjebréa.

Elemi e mori Inspektorin në telefon, i tha Lelem-it “do t’i japim Lasgushit lejë për qenin, nesër, se sot nuk është veterineri. Unë u shqetësova shumë që s’u mbarua puna (sepse termini i vrasjes së Cucit është vetëm 3 ditë, dje 1 ditë, sot shkoj dita e dytë).

Tiranë, e Premte 4 Prill 1975:

Megjith që jam i sëmurë e mora shpirtin t’im nër dhëmbë dhe, nga çqetësimi për Cucin, u ngrita në mëngjes më ora 5, të vete në Kom. Ekz. më ora 7 e mëngjezit (kur vijnë gjithë nënpunësit në zyrë).

I bëmë telefon Gjebréa-s prej Lidhjes, disa herë, s’kish njeri në zyrën e “Shpëtim Gjebréa-s”. Gjer më ora 1 pas mesdite telefonuam shumë herë, po s’dilte njeri në telefon. Vajtmë me djalin e prof Çiços, prej zyrës së të cilit i kishim telefonuar shumë herë Gjebréa-s. Hymë në Komitet Ekz. Në zyrën e Seksionit të Shëndetsisë takova Gjebréa-n, “haj” tha “Lasgush, të vemi këtu në zyrën e doktorit veterinar”.

Doktori s’ishte, prapë, në zyrë. Gjebréa më tha: “I telefonova sot Lelem Haxhisë se do t’i japim lejë Lasgushit për mbajtjen e qenit, po edhe sot s’është këtu doktori veterinar”.

Me qënë që sot është dita e tretë dhe kisha shumë frikë mos m’a vrasin Cucin, e mora, prej Lelemit adresën e Përgjegjësit të qenve, vajta në zyrën e Komunales (e cila jep urdhër për vrasjen e qenve), në Zyrë s’kish asnjeri, pyeta ku e ka shtëpinë private përgjegjësi dhe vajta në shtëpinë private.

Ky përgjegjës, më priti mirë, më tha se qenin s’kam dhënë urdhër të vritet sepse mora vesh që ky qen është i poetit Lasgush Poradeci. Përgjegjësi më tha: “sapo të m’a sillni Lejën e qenit, do t’ju a lëshoj qenin”. M’u qetësua zemra që s’ma paskan vrarë Cucin e dashur dhe vajta në shtëpi të ha 1 çikë bukë, i lodhur, i këputur nga fuqitë siç isha.

Hëngra pak bukë, dhe u shtriva në shtrat i potresitur. Tashi më mbetet që, nesër të vete prapë në Kom. Ekz. ne Shpëtim Gjebréa a mos m’a japë Lejën (në qoftë se do të jetë veterineri aty në zyrat e Kom. Ekz.).

Tiranë, e Premte 4 Prill 1975:

U ngrita shpejt që në mëngjes (ora 5 para mëngjesit, të vete në Kom. Ekz. më ora 7 (përpara se të hyjnë nënpunësit) t’i them inspektorit të Shëndetsisë (Shpëtim Gjebréa) t’i thotë veterinerit të Kom. Ekz. të mos m’a vrasin “Cucin”.

I tha po s’desh. I vajta dhe unë veterinerit (në zyrë) po s’pranovi. U dëshëprova shumë, po veterineri is hi pashpirtshëm. Thashë t’i them Kryetarit të Kom. Ekz., Kryetari s’ish. Komiteti ka 4 zëvëndës-kryetarë.

Trokita te njëri, s’isht. Trokita në derë të tjetrit, tha “hyrë”. Ky quheshe Hektor Konomi. J’u luta t’i thotë veterinerit të urdhërojë mospushkatimin e qenit (konkës s’ime). Hektor Konomi passi më pranoj dhe më dëgjoj me shumë kujdes, u ngrit, vajti vetë në katin poshtë ku është zyra e doktorit veterinar dhe ardhi më tha: “ecni poshtë të merrni Lejen prej veterinerit që të mos ekzekutojnë konen tuaj”.

Vajta mora Lejën, që atje vajta në Repartin e Komunales së Tiranës, mora prej përgjegjësit të Repartit, njoftimin me shkrim që i bënte përgjegjësi (Ferik Pilkati) mbajtësit të qenve të kapur: “Shokut Riza Gjini ose jevgu. Shoku Riza jepi Profesorit qenin e tij mbasi ka marrë lejë nga Kom. Ekz. i K. P. Rrethit. 5/4/1975” Në kulmin e gëzimit vajta (1 orë larg) mora “Cucin” prej jevgut./mekuli/KultPlus.com