Lamtumirë e djeshmja ime

Poezi nga Sibel Halimi

Lamtumirë e djeshmja ime

N`kohë lindin e vdesin

të gjitha kuptimet

e largësitë asnjëherë pran

nuk janë

Njerëz me fatin e tyre ndër sqetull

ia mësyjnë diku

se vendi vend si zë

Gjithmonë është një datë

që ndanë t`kaluarën

e nesërmja e varur në cilindër dere

Një fund vit

një dolli

një krismë e psherëtimë për të moçmen

emra që mbeten të lirë

si dritëza që stolisin drunjtë t`harruar

Nëse ndonjëherë

ki me dashtë me takua veten

rri në pritje të akrepave një mbi një

dritares pranë mos iu shkoq

aty do të jesh ti

Gëzuar Viti im i ri!

Lamtumirë e djeshmja ime!/ KultPlus.com

‘Robi plaket kur don vet’, kënga identifikuese e doajenit të muzikës popullore shqiptare, Ismet Pejës (VIDEO)

Viti që po lëmë pas mori disa nga figurat më të shquara të artit shqiptarë. KultPlus do t’i kujtojë sot përmes veprës që lanë pas.

Me 23 Nëntor të këtij viti bota e artit dhe muzikës humbi doajenin e muzikës popullore, Ismet Pejën.

Ismet Peja ka lindur më 27 prill 1937. Ai ishte këngëtar i këngëve të vjetra qytetare. Lindi në Gjakovë dhe është i biri i Musa Pejës, i cili ishte po ashtu këngëtar i melosit shqiptar.

Që në fëmijëri prej moshës 13/14 vjeçare filloi të merrej me muzikë. Sukseset më të mëdha i arriti me shoqërinë muzikore “Hajdar Dushi”, me të cilën kishte prezantime të shumta në TVP dhe Radio Prishtinë.

Albumi i tij i parë doli në vitin 1986 me orkestrën e “Hajdar Dushit”.

KultPlus ju sjell sonte një ndër këngët më të mira të Ismet Pejës ‘Robi plaket kur don vet”./ KultPlus.com

Nëna e Rita Orës publikon fotografi të rrallë të këngëtares: Urë për në anën tjetër të 2021

Vera Sahatçiu – Ora, nëna e këngëtares shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ka publikuar një fotografi të kahershme të tre fëmijëve të saj, të realizuar në Grykën e Rugovës në Pejë, shkruan KultPlus.

Në atë kohë Rita ishte shumë e vogël dhe ndodhej për pushime në Kosovë, pasi që ajo ishte vetëm tre vjeçe kur prindërit e saj emigruan në Mbretërinë e Bashkuar.

“Urë për në anën tjetër të 2021”, shkroi Vera në mbishkrimin e fotografisë.

Këngëtarja ka lindur në kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë, por është rritur në një kryeqytet tjetër, Londrën, aty ku ehe ka zhvilluar karrierën e saj si yll i rangut botëror./ KultPlus.com

Ahmet Brahimaj, ‘babai i baletit’ kosovar

Viti që po lëmë pas mori disa nga figurat më të shquara të artit shqiptarë. KultPlus do t’i kujtojë sot përmes veprës që lanë pas.

Me 7 Maj të këtij viti, në moshën 66 vjeçare Kosova humbi ‘babain e baletit’, Ahmet Brahimaj.

Ahmet Brahimaj lindi në fshatin Novosellë të Pejës. Lidhja e tij me baletin filloi që në bankat e shkollës së mesme, atëherë kur vazhdoi shkollimin në Shkup për të hyrë në historinë e gjeneratës së parë të Baletit të Kosovës.

Viti 1972 përveç që u bë koha kur u rikthye në Prishtinë, kjo periudhë shënon edhe kohën e formimit të Ansamblit të Baletit, për t’u gdhendur në kujtesën kulturore të vendit.

Si solist i kësaj trupe, Brahimaj ka qenë aty në çdo shfaqje të asaj kohe, duke jetësuar role në 38 premiera të baletit.

Mirëpo, ai nuk mbeti vetëm solist, në vitin 1985 Brahimaj emërohet Shef i Baletit. Për punën e tij krijuese ai mori shumë lëvdata, si dhe për nder të 48 vjetorit, u dekorua me “Plaketën e Teatrit Popullor Krahinor” (1986), dhe me rastin e 60 vjetorit të Teatrit Kombëtar të Kosovës, është shpërblyer për punën artistike e krijuese.

Veprimtaria e tij kulturore nuk mbetet vetëm me kaq. Pas luftës, së bashku me disa nga kolegët e tij, hapin Shkollën e Mesme të Baletit, në kuadër të shkollës së muzikës “Prenkë Jakova”, në Prishtinë.

Klasa e Ahmet Brahimajt u diplomua në vitin 2005, dhe është gjenerata e parë pas luftës e njëherit edhe bërthama e Baletit të Kosovës. Gjithashtu, Brahimaj ka kontribuar dhe në formulimin e Ligjit të Operës, Filharmonisë dhe Baletit, Ligj I cili është në funksion tani dhe është aprovuar në vitin 2005.

Edhe pas vdekjes së tij në moshën 66 vjeçare, të gjithë kolegët e tij e kujtojnë me mall dhe dashuri për përkushtimin dhe mundin e madh që dha në skenë dhe për skenën.  Shfaqjet në të cilat ai shkëlqeu me rolet e tij janë listë e gjatë, e që përfshijnë “Karmen” (Don Hose), “Romeo e Xhyljeta” (Romeo), “Zhizela dhe Interplay” (Albert), “Era dhe Kolona” (Komandanti), “Piter Pan” (Kryeplaku Indian),” Kopelia” (Prefekti), “Don Kishoti” (Espado), “Halili e Hajria” (Sadiku), “Bolero e Shtrausiana”, “Vallja pranverore”, “Trëndafili I përgjakur” (Luisillo), “Ritme të zgjuara”, “Kënga e Rexhës” (Valleheqësi), “Besa” (Princi), “Balloja e Kadetëve”, “Zef Lush Marku” (Tri hije të vdekjes), “Loja e Sizifit” (Udhëheqësi I), “E bukura More” (Thanasi), “Legjenda mbi ngadhnjimin” (Vdekja), “Mbrëmje baleti”, kurse Hans Fyelltarin te “Fyelltari” dhe te shfaqja “Tranzicion II” ka luajtur pas luftës, në vitin 2001/02.

Vepra e tij do të mbetet e paharruar për jetën kulturore të vendit./ KultPlus.com

Historia frymëzuese e gruas së parë më të pasur në botë

Sarah Breedlove, e njohur gjithashtu si Madam C.J. Walker, është simboli i ëndrrës Amerikane.

Vajza e dy ish-skllevërve arriti në Rekordin Botëror Guinness, si e para grua milionere “selfmade”. Ndërtoi një biznes nga e para dhe siguroi punë për disa mijëra gra afro-amerikane. Një histori aq frymëzuese sa edhe Netflix bëri një mini-serial për historinë e saj.

Sarah Breedlove lindi në 1867-ën në jug të SHBA, në Luiziana. Prindërit e saj, vëllezërit më të mëdhenj dhe motra ishin skllevër në fushat e pambukut. Por Sarah lindi e lirë. Në moshën 7 vjeç, ajo i humbi prindërit.

Pasi ata vdiqën, ajo u transferua te motra dhe burri i saj. Që në moshë të vogël, Sarah punoi si shërbëtore në një shtëpi dhe nuk kishte kohë për të studiuar. Kishte bërë vetëm 3 muaj mësim, deri kur vendosi të ndiqte një shkollë fundjave.

Në moshën 14-vjeçare, Sarah u martua me Moses McWilliams. Jo sepse e dashuronte, por sepse burri i motrës së saj ishte shumë i dhunshëm dhe kjo martesë ishte një mënyrë që Sara të ishte më e sigurt. 4 vjet më vonë, Sara dhe Moisiu lindën një vajzë, A’Lelia. Dhe 2 vjet më vonë, burri i Sarës vdiq. Kështu që, ajo mbeti nënë beqare në moshën 20-vjeçare.

Në 1888-ën, Sarah u zhvendos në St.Louis ku vëllezërit e saj jetonin dhe punonin si berberë. Ajo filloi të punonte në një lavanderi dhe si kuzhiniere për të paguar studimet e vajzës së saj në një shkollë shtetërore. Sarah fitonte 1 dollar e gjysmë në ditë.

Sarah ishte alergjike nga kimikatet. Sëmundjet e lëkurës si zbokthi, higjiena e dobët (jo të gjitha shtëpitë kishin pajisje hidraulike dhe ngrohje qendrore) e bënë Sarën të humbasë pothuajse gjithë flokët.

Falë vëllezërve të saj, ajo mësoi për kujdesin themelor të flokëve. Dhe pak më vonë, Sarah mësoi për produktet e flokëve të Annie Malone dhe u takua me vetë Annie-n. Ajo u bë një agjente shitjesh për Malone dhe kishte vërtet interes për këtë punë.

Ende duke punuar për Malone, tashmë 37-vjeçarja Sarah dhe vajza e saj u transferuan në Denver dhe Sarah filloi të mendonte për linjën e saj të kozmetikës për gratë e afro-amerikane. Pas shumë eksperimentesh, ia doli të ishte e suksesshme. Pra, Sarah nisi të ndërtonte biznesin e saj.

Në vitin 1906, Sarah u martua me Charles J. Walker dhe mori mbiemrin e tij që u bë njëherësh edhe partneri i saj i biznesit. Ai merrej me reklama dhe i jepte këshilla promovimi. Sarah shkoi derë më derë duke u përpjekur të shiste produktet e saj dhe gjithashtu u mësoi grave se si të kujdeseshin për flokët e tyre dhe t’i modelonin ato.

Po atë vit, Sarah vendosi të zgjerojë biznesin e saj, kështu që ajo dhe burri udhëtuan nëpër Shtetet e Bashkuara Jugore dhe Lindore. Vajza e saj ishte rritur dhe kishte mbaruar studimet, kështu që ajo po e ndihmonte nënën e saj dhe ishte menaxherja e të gjitha porosive postare në Denver.

2 vjet më vonë, Sarah u zhvendos në Pittsburgh. Familja hapi një sallon bukurie dhe kolegj që përgatiti profesionistë që dinin gjithçka në lidhje me kujdesin e flokëve dhe shisnin produkte bukurie.

Në vitin 1910, Walker u zhvendos në Indianapolis ku hapi selinë e Madam C. J. Walker, një kompani prodhimi. Ndërtoi një fabrikë dhe një laborator, një sallon flokësh dhe një shkollë bukurie ku mësoi agjentët e saj. Deri në vitin 1917 u dha punë dhe një pagë të mirë gati 20,000 grave. Agjentët e saj fitonin nga 5 deri në 15 dollarë në ditë.

Sarah donte që gratë afro-amerikane të përpiqeshin për pavarësinë financiare, kështu që i inkurajoi të hapnin bizneset e tyre dhe i mësoi ato se si të bënin para.

Sa më e pasur që bëhej Sarah, aq më shumë merrej me politikat për gratë dhe me bamirësi. Ajo dha leksione, luftoi padrejtësitë shoqërore dhe dhuroi para për fondet e bursave. Para se të vdiste, dhuroi më shumë se gati 100 mijë dollarë për shtëpitë e fëmijës. Gjithashtu, në testamentin e saj shkruante se 2/3 e fitimeve të saj në të ardhmen duhet të shpenzoheshin për bamirësi.

Ajo vdiq në moshën 51-vjeçare. Konsiderohej të ishte gruaja më e pasur afro-amerikane. Kur vdiq, pasuria e saj ishte nga 500,000 dollarë në 1 milion dollarë. 2 vjet para se Sara të vdiste nuk ishte ende milionere, por shpresonte të bëhej e tillë një ditë. Dhe jo sepse i duheshin paratë për vete, por në mënyrë që të bënte shumë më mire për të tjerët. / brightside/ KultPlus.com

Ngjarjet e 2020-s e kanë inspiruar artistin The Weeknd për albumin e radhës

The Weeknd ka filluar të punojë në albumin e radhës që vjen pas “After Hours”, dhe këngëtari së fundmi ka deklaruar se ky incizim është inspiruar nga pandemia e koronavirusit dhe protestat e lëvizjes “Black Lives Matter”.

Ylli i njohur i muzikës emri i vërtetë i së cilit është, Abel Tesfaye, po ashtu tha se ngjarjet kryesore që e kanë karakterizuar vitin 2020, e kanë bërë atë më të inspiruar dhe kreativ nga ana muzikore.

“Gjatë kësaj pandemie jam inspiruar më shumë dhe kam qenë më kreativ se kur kam qenë duke udhëtuar me turne. Pandemia, protestat e ‘Black Lives Matter’, dhe tensionet e zgjedhjeve presidenciale në Amerikë, në përgjithësi e kanë krijuar një ndjenjë mirënjohjeje për ato që i posedoj në jetë dhe raportet që i kam me njerëzit e mi të afërt”, citohet të ketë thënë këngëtari kanadez.

The Weeknd gjithashtu tha se albumi i lansuar në shkurt të vitit 2020, “After Hours”, është ndër projektet më të mira që i ka realizuar në dekadën e fundit. Prandaj shumë njerëz kishin mbetur të habitur kur ky incizim nuk arriti të nominohet në asnjë kategori të shpërblimeve “Grammy”.

Këngëtari kishte reaguar edhe publikisht ndaj shpërfilljes së albumit të tij, nga organizatorët e ceremonisë kryesore të muzikës në botë, duke e postuar një mesazh në Twitter ku shkruhej: “Shpërblimet ‘Grammy’ vazhdojnë të jenë të korruptuara. Ju më keni borxh mua, adhuruesve dhe industrisë, transparencë”.

Pavarësisht kësaj, albumi “After Hours” është pritur jashtëzakonisht mirë nga publiku mbarëbotëror. Këngët e tij kanë shënuar rekord të shkarkimeve nëpër platformat muzikore, kanë qenë ndër më të dëgjuarat nëpër radiostacione, dhe pothuajse secila prej tyre është shndërruar në hit.

The Weeknd shënoi suksese të jashtëzakonshme në ceremoninë “American Music Awards”, ku u nderua me tri shpërblime, “Artisti më i mirë”, “Albumi më i mirë” dhe “Kënga më e mirë Soul/R&B”.

Ndërkaq, në fillim të këtij muaji, këngëtari e lansoi një version të ri të hitit “Blinding Lights”, në bashkëpunim me artiste lantine Rosalía. / KultPlus.com

Adem Mikullovci: Jeta e çdo njeriu është më tepër shuplaka se sa puthje

Viti që po lëmë pas mori disa nga figurat më të shquara të artit shqiptarë. KultPlus do t’i kujtojë sot përmes veprës që lanë pas.

“Kësi soji e kalova rrugën e jetës time. E kalova rrugën e jetës time dhe erdha te fundi. Dhe kur ndalem dhe shikoj rrugën që kam kaluar, e shoh një rrugë plotë gropa, plotë hendeqe, baltë, lloqkovinë, breshër, shi, aty këtu ndonjë lule që ka çelë në jetën time. Ndonjë lule e dobët, që pika e parë e shiut që i ka ra e ka plandosë për tokë. Për mu jeta ka qenë, s’po ankohem, por po mundohem ta flas të vërtetën, shumë shuplaka. Dhe jeta e çdo njeriu është më tepër shuplaka se sa puthje.”

Një ndër fytyrat më të shquara të kinematografisë shqiptare, Adem Mikullovci në mesnatën e djeshme ndërroj jetë, për të lënë të gjallë veprën e tij të madhe dhe kujtimin e përhershëm. Gjatë kohës sa ishte gjallë, ai kishte detajuar jetën e tij në një intervistë për Oral History Kosovo, përcjell KultPlus.

Aktori me prejardhje nga Vushtrria, më vonë shpërngulet në Mitrovicë, sepse babai i tij kishte llogaritur që aty fëmijët kanë më shumë mundësi të marrin ndonjë zanat. Por, sipas Ademit planet e babait nuk u realizuan për shkak se secili nga ta u shkollua.

“Kam lindë në të njëjtën dhomë ku ka lindë babagjyshi im, në atë dhomë ka lindë baba im, në atë dhomë kam lindë dhe unë. Po s’arrita me lindë djalin në atë dhomë, lindi knej, në Prishtinë”, shprehej Mikullovci, përcjell KultPlus.

Ademi vazhdoj shkollën e mesme në Mitrovicë. Ai kishte rrëfyer se si nuk kishte parë deri në përfundim të shkollës së mesme asnjë shfaqje, pa ditur se do të bëhej një artist i madh. Një natë, grumbulli i njerëzve para shtëpisë së kulturës në Mitrovicë ia kishte tërhequr vëmendjen dhe kishte hyrë për të parë shfaqjen “Vraga” të shkrimtarit boshnjak, Josef Pleshiq.

“Salla plotë, jam ulë në skaj, në një qosh edhe ishte shfaqja e parë që shikoja. Dhe më ka prekë aq shumë, gjatë gjithë kohës kam qajtë si nji qen i vogël, si nji këlysh”, rrëfente me plotë mallëngjim kontributdhënësi i Teatrit. Tutje ai thekson se kishte vazhduar së shikuari shfaqjet e tjera, ku përmend shfaqjen “Shpirtat”, në të cilën Leze Qena kishte rolin kryesor. Ai e kishte besuar aq shumë atë që kishte parë në skenë, saqë mendonte se ngjarjet dhe rolet janë reale, dhe vazhdojnë edhe në jetën e përditshme.

“Dhe ishte befasi për mua kur i pashë Muharremin e Istrefin duke biseduar normal. Abdurrahmani duke biseduar normal me ta, Xhevati ashtu. Dhe s’mundesha me kapë atë sens, çka është shfaqje, çka është jeta private. Ajo më mahniti më së shumti. Do të thotë, krejt çka paskam pa në shfaqje paska qenë artificiale. Këta qenkan shokë, këta s’po u urrejkan mes veti, s’po u rrahkan mes veti”, rrëfente Mikullovci.

Kishte ardhur koha kur ai duhet të vendoste për fushën e studimeve. Familjarët propozonin drejtime të ndryshme, ndërkaq ai do të bëhej aktor, krejt ndryshe nga pritshmëritë e tyre.

“Im at thoshte, “Avokat, avokat le të bëhet thiu se i bluan goja si gjakalla e mullinit edhe dynjenë do ta bëj kahre”. Ndërsa nana ime e ndjerë thoshte, “Doktor, doktor. Është hall ligë e ndoshta ia gjenë ilaçin vetit”. Bile, bile, e kom këta të sigurt, pastruesi, lustruesi i këpucëve që ishte në mahallën tonë edhe ai u përzi në këtë muhabet çka me studiu unë”, tregonte studiuesi i teatrit dhe filmit.

Ai kishte dorëzuar dokumentet e tij në Fakultetin e Mjekësisë në Beograd dhe pasi që s’e kishte kaluar provimin, i kishte dorëzuar ato në Akademinë për teatër dhe film. Ndërkaq, përgjatë kësaj kohe e kishte ndihmuar ai që më vonë do të bëhej kolegu i tij, Bekim Fehmiu.

“Vjen me lypë e më gjenë mu. Dolëm me një kafe, më qiti në sitë e në shoshë, “Pse po du mu bo aktor…” I thashë, “Nuk e di”. Tha Bekimi, “Shumë mirë, se edhe unë nuk e di pse jam bërë aktor”, rrëfente Mikullovci për bisedën me Bekim Fehmiun.

Kur i kishte treguar Fehmiut se me çfarë pjesësh skenike po përgatitej, ai i kishte thënë se s’do të pranohej me to. Ademi në provimin pranues kishte interpretuar “Të rrosh ose të mos rrosh” të Hamletit, fjalët e Mark Antonit . Mirëpo kërkesa e tij kishte qenë që edhe të performonte diçka nga gjuha shqipe.

“Thashë, “A bon t’i them disa vargje, një poezi në gjuhën shqipe”. Thanë, “Hajde të dëgjojmë”. Ishin 15-16 profesorë, e unë në skenë. Shkova ngadalë, u afrova, u ula në gjunjë, edhe u mundova sa më butë, bash vargjet e Luigj Gurakuqin dhe ju recitova, “Nënë moj, mbajë zi për vëllanë”. Po e recitova asi soji sikur se kom ardhë me lajmëru nanën që ia kanë vra djalin”, tregonte plotë mallëngjim për kohën sa pretendonte të bëhej student i Akademisë për teatër dhe film.

Një nga profesorët, sipas Mikullovcit, kishte bërtitur duke thënë se “Nuk e di çka na the, se nuk e dimë gjuhën shqipe, por ti u pranove!” dhe kjo ishte bërë hapi i parë i Ademit në këtë rrugëtim.

Në skenën televizive ishte shumë i njohur për të qeshurat që ia fali publikut, duke e bërë në lot edhe fëmiun edhe plakun. Mirëpo, pretendenti për të luajtur vetëm drama, në vetvete kishte një rrëfim më ndryshe për komedinë: “Komedinë s’e kom dashtë hiç dhe sot e kësaj dite nuk e dua komedinë. Po kush më shtyri në ujërat e komedisë e mbeta në to”. Por, dashuria e madhe për dramën nuk i mbeti pa realizim: “Kështu që tek kur fillova të bëjë vet drama televizive, të realizoj seriale televizive, atëherë ju ktheva prapë dramës, dashnisë time të përjetshme, drama është ajo që është”, rrëfente dramaturgu Mikullovci.

Ndërkaq në identitetin e tij si komedian e dramaturg patjetër që kishte ndikim familja e tij. “Mund të them se sensin tim për humor e kam trashëguar prej babës. Ndërsa sensin tim për dramë e kam pasë më tepër prej nanës. Nana na ka rritë duke na treguar tregime të dhimbshme, tregime dramatike, legjenda të ndryshme. Dhe më ka mbetë ai dell, ai përjetimi emocional për ngjarjet e dhimbshme, ngjarjet e rënda. Dhe aty më ka shkuar më tepër drama”, tregonte aktori i madh shqiptar.

Pavarësisht të arriturave të tij, nuk mund të themi se kishte përkrahjen e familjes edhe shumë si aktor. Ai kujtonte bisedën me babain e tij: “Kur i tregova që do të bëhem aktor, tha, “Ani djali jem, veç unë kam pas qejf që nesër me marrë ti gruan për dore e me shku në teatër me pa shfaqje. E tash tjerët i marrin gratë për dore e vijnë me të pa ty kah lunë shfaqje”. Dhe këta kurrë s’e kom harru. S’kom lujtë shfaqje pa m’u kujtu fjalët e babës tim”. Një jetë e dhënë pas teatrit, filmit, artit e kulturës asnjëherë s’është e lehtë. Mirëpo, ajo që ka mbetur pas nga ai janë veprat e tij. “Kësi soji e kalova rrugën e jetës time. E kalova rrugën e jetës time dhe erdha te fundi. Dhe kur ndalem dhe shikoj rrugën që kom kalu, e shoh nji rrugë plotë gropa, plotë hendeqe, baltë, lloqkovinë, breshër, shi, aty këtu ndonjë lule që ka çelë në jetën time. Ndonjë lule e dobët, që pika e parë e shiut që i ka ra e ka plandosë për tokë. Për mu jeta ka qenë, s’po ankohem, por po mundohem ta flas t’vërtetën, shumë shuplaka. Dhe jeta e çdo njeriu është ma tepër shuplaka se sa puthje”, shprehej Mikullovci.

Mikullovci do të jetë me ne me veprat e tij përherë. Atij do t’i rrojnë emocionet që na fal në dramat e tij, ngrohtësia që marrim sa herë që do të shohim rolet e tij dhe të qeshurat përplot gaz e mallëngjim nga komeditë e tij. / KultPlus.com

Veprat e 121 artistëve të shquar të kohës kthehen në Galerinë Kombëtare të Kosovës

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi së bashku me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti morën pjesë në ceremoninë e bartjes së aseteve dhe vepra pamore të artit të 121 autorëve nga Hoteli “Grand” në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Me këtë rast ministrja Dumoshi tha se këto punime po kthehen në vendin ku i përkasin pra Galerisë Kombëtare të Kosovës.

“Sot është një ditë historike për vendin tonë, disa nga veprat artistike të artistëve më të shquar të kohës sonë po i kthehen institucionit më të lartë të artit pamor në vend – Galerisë Kombëtare të Kosovës.

Ministrja Dumoshi e vlerësoi punën e menaxhmentit dhe punëtorëve të Hotel “Grandit”, Prishtina duke theksuar që këto punime kanë qëndruar për 30 vjet në këtë hapësirë dhe kanë pasur një kujdes të veçantë duke u ruajtur me shumë zili. Po ashtu ministrja Dumoshi ka falënderuar të gjithë ata që punuan deri në këtë ditë, në veçanti ka falënderuar AKP-në për bashkëpunimin.

Ndërkaq Kryeministri Avdullah Hoti tha që këto vepra janë pasuri shtetërore dhe pjesë e kulturës së vendit tonë. Ai shtoi që këto vepra janë ruajtur me përkushtim.

“Është moment i mirë që këto bëhen pjesë e Galerisë sonë, dhe njerëzit munden me i shiju këto asete”, tha ndër të tjerash z. Hoti. / KultPlus.com

Eliza Dushku feston ditëlindjen

Aktorja e njohur shqiptare, Eliza Dushku, ka lindur më 30 dhjetor 1980 në Boston, ajo është rritur në Massachusetts.

Ajo ka lindur nga një baba shqiptar dhe nga një nënë daneze.

Në moshën 12-vjeçare, ajo bën hyrjen e saj në kinema. Eliza Dushku është zbuluar pas pesë muajsh kërkime nëpër Shtetet e Bashkuara për të luajtur rolin e Alicet kundër Juliette Lewis në filmin “That Night”, transmeton ksp.

Ka luajtur në shumë filma me aktor të mëdhenj si Robert De Niro, Arnold Schwarzenegger, Ellen Barkin, Leonardo Di Caprio, James Belushi, Paul Reiser etj. Eliza ka studiuar për piano, bateri dhe balet. Por ajo do të bjerë në sy pikërisht në filmin “True Lies”, ku luan përkrah aktorit Arnold Schwarzenegger, atëherë kur ishte vetëm 14 vjeç.

Ndërsa në moshën 18-vjeçare ajo bëhet një yll i ekranit të madh dhe i propozohet roli i Faith në serinë “Buffy the Vampire Slayer”. Fillimisht ajo do të merrte pjesë në pesë episode, por producentja vendosi që seritë të zgjasnin. Por kjo seri i dha asaj emrin “bad girl” (“vajzë e keqe”).

Ajo është ftuar edhe në Shqipëri, ku është kthyer në një lloj simboli kombëtar, duke qenë shqiptaro-amerikania më e famshme (në fakt gjysmë shqiptare, pasi nëna e vet është daneze), si aktore, pas vëllezërve Belushi. / KultPlus.com

Ndahet nga jeta këngëtarja e muzikës popullore, Drita Papajani

Është ndarë nga jeta në moshën 85 vjeçare këngëtarja e madhe e muzikës popullore Drita Papajani, të martën. Ajo hyri në interpretimet e këngës popullore në fillim të viteve 1960 si zbulim i të madhit shkodran Paulin Pali.

Në jetën e saj të gjatë artistike si pjesëtare e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, Papajani ia doli të vendoste emrin e saj krahas më të mëdhenjve interpretues të këngës sonë popullore si Luçije Miloti, Bik Ndoja, Fitnete Rexha, Hafsa Zyberi, Naile Hoxha, Xhevdet Hafizi, Bajram Spahiu, Pjetër Gjergji, Kel Sota, Emil Miloti, Despina Trimcev, Sadete Toska, Sanije Shaqiri (Pali), Hajrie Harapi, e të tjerë.

Regjistrimet muzikore të saj gjenden në fondin e artë të Radio-Tiranës dhe në Arkivi Filmit. Pas viteve 1990 mori pjesë në ringritjen e besimit fetar në Shqipëri, duke u bërë nga të parat që u aktivizua për hapjen e Kishës së Ungjillëzimit, si dhe e vendosi përsëri talentin e saj në shërbim të korit kishtar të Kishës Orthodhokse Autoqefale.

Lajmi i hidhur për ndarjen e saj nga jeta është bërë me dije nga Vasil Sofokli Tole përmes një postimi në rrjete sociale.

U nda nga jeta sot (29 dhjetor) në orën 10.00 edhe një zonjë e madhe e këngës popullore shqiptare: Drita Papajani! Si bijë prifti, pas viteve 1990 mori pjesë aktive në ringritjen e besimit fetar në Shqipëri. Znj. Drita ishte nga të parat që u aktivizua për hapjen e Kishës së Ungjillëzimit, si dhe e vendosi përsëri talentin e saj në shërbim të korit kishtar të Kishës Orthodhokse Autoqefale, të cilin e drejtoi fillimisht maestro Eno Koço, e më pas i ndjeri prof.

Ceremonia e nderimit dhe përcjellja do të bëhet sot në 12.00, në kishën e Ungjillëzimit, tek rruga e Kavajës, Tiranë, shkruan Vasil Sofokli Tole, i cili bën me dije lajmin/Shqiptarja.com / KultPlus.com

Një grua si Leze Qena, nëpër fotografi

Viti që po lëmë pas mori disa nga figurat më të shquara të artit shqiptarë. KultPlus do t’i kujtojë sot përmes veprës që lanë pas.

Në mëngjesin e 25 marsit të këtij viti, në moshën 85 vjeçare ndërroi jetë aktorja shumë e dashur për publikun Leze Qena.

Sot, KultPlus ju sjell disa fotografi të Lezes e cila vazhdon të mbetet ndër gratë që skenës së teatrit e filmit shqiptar i falën një jetë.

Leze Qena gjithmonë do të mbahet mend për artin e saj të pavdekshëm, për nurin e buzëqeshjen e saj të këndshme.

Në këto fotografi, të cilat Lezja kohë më parë i ka ndarë KultPlus, e shohim atë të shoqëruar nga aktorët tjerë në rolet e ndryshme. Njëjtë janë edhe fotot e Lezes në etapa të ndryshme të jetës.

Derisa i shohim e i shijojmë këto fotografi, kujtojmë se Lezja ka lindur në Prizren ndërsa më pas erdhi në Prishtinë ku u fut në jetën kulturore, me fokus sidomos teatrin.

Rolet e saj mes tjerash ishin te “Mahmutovitët dhe Rexhepovitët”, “Shkolla e Fshatit”, “I ikuri”, “Familja Moderne” dhe projekte tjera. / KultPlus.com

“Romantika”, kënga që nuk harrohet nga artistja avangarde Violeta Rexhepagiqi (VIDEO)

Viti që po lëmë pas mori disa nga figurat më të shquara të artit shqiptarë. KultPlus do t’i kujtojë sot përmes veprës që lanë pas.

Kompozitorja, këngëtarja dhe gazetarja e njohur Violeta Rexhepagiqi u largua nga kjo botë më 16 prill të këtij viti.

Violeta Rexhepagiqi, si spikere e programeve për fëmijë në “Radio Prishtinë” filloi të ndjekë mësimet edhe në shkollën e ulët të muzikës. Si rrjedhë e angazhimit të saj pasojnë edhe mirënjohjet në festivalin e fëmijëve “Akordet e Kosovës”. Njëkohësisht, Violeta interpretoi më se 40 këngë për fëmijë, dhe luajti zërin e personazheve në radio-dramat për fëmijë. Violeta shquhej për avangardë që në vitet e ’80, si në muzikë e poashtu edhe në modë. Në vitin 1984 Violeta për publikun e gjerë shqiptar u bë e njohur me paraqitjet e saja në grupin e muzikës “Vivienne”. Gjatë kësaj kohe, ajo përfaqësoi për dy herë Kosovën në përzgjedhen e përfaqësueses së Jugosllavisë për “Këngën e Eurovizionit”. Ajo ishte e angazhuar në Radio Televizionin e Prishtinës dhe aty punoi deri në uzurpimin e kësaj qendre nga forcat serbe. Pas okupimit të RTP-së punoi si reportere lufte për agjensitë e huaja: “News Network”, “WTN”, “Sky NEWS” etj. Nga viti 2010, Violeta punoi për “RTK”, shkruajti tekste këngësh dhe bëri komponime për këngëtarë të ndryshëm.

Më 16 prill 2020, në orët e hershme Violeta Rexhepagiqi u gjet e vdekur në banesën e saj. Në pamundësi për të organizuar mbledhje komemorative dhe pjesëmarrje në varrim për shkak të gjendjes së karantinës nga virusi COVID 19, kryetari i qytetit të Prishtinës, Shpend Ahmeti njoftoi publikun se në shenjë respekti për kontributin e saj për kulturën shqiptare, në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet do të lëshohen këngët e saj.

KultPlus ju sjell sot një ndër këngët më të mira të Violetës, “Romantika”, këngë kjo që nuk harrohet lehtë. / KultPlus.com

BBK ekspozon veprimtarinë e Fishtës, Dodë Gjergji: Fishta ka shprehur vuajtjet e popullit shqiptar

Xhemile Hysenaj

Biblioteka Kombëtare e Kosovës sot hapi dyert për ekspozitën ‘Për Atmé e fé Gjergj Fishta’, ekspozitë kjo që para adhuruesëve të Fishtës do të shpalosë libra, artikuj e dorëshkrime të papublikuara deri më tani për autorin, shkruan KultPlus.

Ishte Fazli Gajraku, drejtori i Bibliotekës Kombëtare, ai i cili e bëri edhe hapjen zyrtare të kësaj ekspozite. Ai para të pranishmëve deklaroi se është vepra dhe puna e Gjergj Fishtës ajo e cila e pasuron institucionin e Bibliotekës Kombëtare, pasi në këtë bibliotekë ka rreth 20 vepra të rralla të Gjergj Fishtës dhe 120 monografi mbi këtë autor.

‘Interesimi për t’u marrë me këtë figurë të shquar e ka rritur botimin e shumë veprave të ndryshme mbi figurën e Gjergj Fishtës’, potencoi tutje Gajraku.

Gajraku poashtu deklaroi se ajo çfarë kjo bibliotekë po tentojë të arrijë përmes kësaj ekspozite, janë dy objektiva: e para, të ndërtohet koleksioni sa më i madh mbi veprën e Fishtës dhe e dyta të krijohet një katalog i duhur për figurën e këtij të fundit.

Fjalën e mori edhe Zv.Ministri i Kulturës, Engelberd Zefaj, i cili potencoi se Fishta ishte një shembull i qëndrimeve të palëkundura politike, ndër të tjera, ky i fundit ju referua Fishtës edhe si një shëmbëlltyrë e kulturës.

‘Sot në hapjen e kësaj ekspozitë me libra, artikuj e dorëshkrime të dhe për shkrimtarin kombëtar, Gjergj Fishta, me rastin e 80 vjetorit të vdekjes së njërit prej kolosëve më të mëdhenj të historisë, kulturës e të letërsisë shqiptare, si asnjëherë tjetër e kuptojmë vlerën e madhe që ka ruajtja e trashëgimisë së shkruar e të shtypur, trashëgimi kjo e cila na e kthjellon vështirmin që kemi për të kaluar e në të njëjtën kohë vizionin për të ardhmen’, potencoi tutje Zefaj.

I fundit, por jo për nga rëndësia, ishte edhe Imzot Dodë Gjergji, i cili me fjalët më të mira e ngirit lart figurën e Fishtës.

‘Nëse italianët mburren me Danten dhe gjermanët me Gëten, atëherë ne shqiptarët mburremi me Fishtën, sepse Fishta ka qenë pena më e hollë e të gjitha kohërave, që ka ditë të shprehë shpirtin tonë shqiptar, ka ditë të shprehë vuajtjet e popullit tonë dhe ka ditë t’i nxjerrë në pah pasuritë shpirtërore të një populli’, u shpreh Imzot Dodë Gjergji.

Ái poashtu theksoi se sfida e Fishtës dhe e shumë të tjerëve për dhe e atdhe, është britma që nuk do të shuhet kurrë.

Ekspozita ‘Për Atmé e fé Gjergj Fishta’ e cila u realizua nën mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, do të qëndrojë e hapur deri më 11 janar të vitit 2021. / KultPlus.com

Filmat hollywoodian më fitimprurës të vitit 2020

Viti 2020 nuk ishte i zakonshëm sa u përket arkave filmike botërore, që u ndikuan dukshëm nga mbyllja e kinemave si pasojë e pandemisë, dhe pezullimi i lansimeve dhe premierave të filmave të mëdhenj hollywoodian.

Megjithatë, disa filma arritën t’i shijojnë ca muaj të mirë në arkat filmike, duke arkëtuar shumë të kënaqshme të të hollave nga shitja e biletave nëpër kinematë botërore.

Vendin e parë në këtë listë e mban filmi i mbushur me skena aksion dhe humor, “Bad Boys for Life”. I lansuar më 17 janar të vitit 2020, vazhdimi i tretë i sagës “Bad Boys” që pas 17 vjetësh në rolet protagoniste i riktheu aktorët, Will Smith dhe Martin Lawrence, arriti të pozicionohet në vendin e parë të arkave filmike botërore falë 424 milionë dollarëve të arkëtuara brenda vitit. Ndërsa, filmi është realizuar me një buxhet prej 90 milionë dollarësh.

Filmi i dytë më fitimprurës i vitit 2020 është projekti i fundit i regjisorit, Christopher Nolan, “Tenet”, i cili njëkohësisht është filmi i parë me buxhet të lartë që u lansua në kohë të pandemisë. Me një buxhet të realizimit prej 205 milionë dollarëve, ky projekt nga lansimi në shtator të këtij viti, arriti t’i arkëtojë gjithsej 361.4 milionë dollarë. Megjithatë, kjo shumë konsiderohet jo e mjaftueshme për një film të përmasave të këtilla.

“Sonic the Hedgehog” është aventura komike, e cila radhitet e treta në listën e filmave më fitimprurës të vitit 2020. Filmi, i cili bazohet në videolojën e famshme me të njëjtin emër, u lansua nëpër kinema në shkurt të këtij viti, dhe deri më tani ka arritur t’i arkëtojë 310.5 milionë dollarë nga shitja e biletave.

Në vendin e katërt pozicionohet një film familjar, me protagonist yllin e filmave “Iron Man”, Robert Downey Jr. Projekti me titull “Dolittle” që e shtjellon historinë e një veterinari, i cili arrin të komunikojë me kafshët, e shënoi premierën më 17 janar të këtij viti dhe deri më tani ka arritur t’i arkëtojë gjithsej 246 milionë dollarë. Ndërsa, për realizimin e këtij filmi ishin shpenzuar gjithsej 175 milionë dollarë.

Ndërsa filmi i pestë më fitimprurës është “Birds of Prey”. Ky projekt i bazuar në librat komikë “DC Comics” dhe i cili është vazhdim i filmit “Suicide Squad”, në rolin protagonist e solli aktoren australiane, Margot Robie. Nga lansimi nëpër kinema më 7 shkurt, filmi i ka arkëtuar gjithsej 201 milionë dollarë. / KultPlus.com

Një letër e Gjergj Fishtës nga Stambolli

Sod, 21, kemi pasë luftë me Jugoslav në komisionin politik. Mehmet Konitza asht sha keqas me Kryetarin e Derergatës Jugoslave e me nji farë Topalovic…. Jovic, Kryetari i Dergatës Jugoslave, i paska thanë Konitzës, se asht i shtim prej dikujt tjetër me prish Konferencën. Konitza i paska përmendë punët, qi Jugoslavët kan ba e bajnë mbi Shqyptarë të Kosovës, dhe e paska quejtë barbar.

Dr.Nuridin Ahmeti

Poeti, kleriku Gjergj Fishta (1871- 1940), ishte i njohur edhe si autori i shumë veprave letrare, dhe sidomos u bë i njohur me veprën e tij kapitale “Lahuta e Malcis”. Përveç si njeri i letrave, Fishta njihet edhe për kontributin e tij fetar, atdhetar, diplomatik dhe si kontribuues i mirëkuptimit ndërfetar, njeri që me gjithë përkatësinë e tij fetare katolike, qëndrimet që në disa raste mbajti ndaj “turkut”, siç e quante ai, Perandorinë Osmane, nuk hezitoi që të fliste e të shkruante fjalë miradije për këtë perandori, dhe sidomos foli e lavdëroi dhe i thuri vargje njërit nga udhëheqësit më të njohur të ushtrisë osmane – mbrojtësit të Shkodrës – Hasan Riza Pashës.[1]
At Gjergj Fishta, e kishte njohur personalisht dhe kishte mbajtur kontakte të vazhdueshme me këtë mbrojtës besnik të Shkodrës dhe luftëtari të denjë kundër okupimit të saj nga malazeztë.[2] Për më tepër, me rastin e varrimit madhështor dhe nderimit të fundit që iu dha komandantit Hasan Riza Pasha, At Fishta, mbajti edhe një fjalim mjaft prekës dhe emocionues.[3]
Pa hyrë në të dhëna biobibliografike as për Fishtën dhe as për Riza Pashën, sepse përveç që janë të njohura këto, konsiderojmë se deri tek këto të dhëna lexuesi dhe të interesuarit e tjerë mund të vijnë shumë lehtë, qoftë edhe përmes kërkimeve nëpër faqe të internetit, përveç të tjerash. Këtu nuk duam të vëmë në spikamë as raportet e At Fishtës me mbrojtësin e Shkodrës, Hasan Riza Pashën ose me ndonjë personalitet tjetër.
Por këtu po sjellim një letër që At Fishta e kishte dërguar nga Stambolli më 1931, ku po qëndronte atje si i deleguar i Shqipërisë bashkë me Mehmet Konicën në Konferencën e dytë për krijimin e zonës së paqes dhe për mbrojtjen dhe të drejtën e pakicave në vendet ballkanike.
Sado që mund të thuhet se, kjo letër është e njohur për lexuesin, mendoj së risjellja edhe njëherë e kësaj letre, do të ishte me interes.
Prandaj, për këtë arsye, këtë letër e risjellim edhe një herë për të parë se si rrodhën punimet e Konferencës, si e pa Gjergj Fishta mikpritjen e turqve, çfarë përshtypje i bënë muzetë dhe pallatet e ndryshme në Stamboll, si u mahnit me dorëshkrimet dhe bukuritë e Mushafëve që i pa etj. Për hir të korrektësisë, letrën po e risjellim edhe njëherë ashtu siç është edhe e botuar.

Rrethanat në të cilat u shkrua kjo letër
Qeveria e atëhershme shqiptare, për të mbrojtur interesat e vendit, mori pjesë në disa konferenca ballkanike në vitet 1930-1933, nën kujdesin e Francës, ku merrnin pjesë dhe përfaqësues të Lidhjeve të Kombeve. Në këto takime ndërkombëtare, flitej për krijimin e zonës së paqes në Ballkan si dhe mbrojtjen e të drejtën e pakicave në këto vende.
Në fund të vitit 1930, konferenca qe mbajtur në Athinë, Shqipëria qe përfaqësuar nga At Fishta dhe Mehmet Konica.
Konferenca e dytë qe mbajtur në Stamboll, në vitin 1931, ku të dërguarit të Shqipërisë, rishtas, qenë Gjergj Fishta dhe Mehmet Konica. Kjo Konferencë, sipas Fishtës, qe e organizuar shumë më mirë se ajo e Athinës. Konferenca qe hapur nga Presidenti i Turqisë, Hasan Begu, fjalën e kishte mbajtur dhe Kryeministri i Turqisë, Ismet Pasha. Fishta, në letrën e tij nga Stambolli të dt. 20 X. 1931, drejtuar provincialit, Pal Dodaj në mes tjerash shkruan:

I dashtuni Provinçijal,
Stamboll, 20. X. 1931.
“Sot me 10 paradite u çil Konferenca Balkanike në salon të Cermonivet të “ Dolmabahçe”- Pallati i Mretenvet. Mbasdite filluem veprimin Komisjonet në “ Yldiz”- në pallat ku Abdyl Hamidi pat prit Guljemin e Alemanjes!
Turqit na kanë prit me “salltanet” të madh e fort bujarisht-me u kalue grekve.
Konferencen e çili Kryetari, Hasan Begu, e posë Kryetarësh të Dergatavet, foli edhe Ismet Pasha, Kryeministri i Turkisë. Kje në mbledhje edhe Ministri i P. Jashtme.
Jugoslavët u deklaruan kundra çështjes së pakicave; ndërsa tjerët- mos tjetër me fjalë- folën në favor të bisedimit mbi pakicat. Ndër kto dy a tri dit, ndoshta, ka me na ra me u terhjekë prej Konferencet.
Nuk gjejë me t’a përshkrue madhnin, e sa, ma mirë me thanë: La sontuosita të “Dolmabahçes” e të “Yldizit”. Saloni i Konferencës ishte me të lanë pa mend. Me pa vetëm “lampadarit”! Mandej shkallët me parmakë kristalit etj. Gja qi përnjimend me të çuditë.
Sod, 21, kemi pasë luftë me Jugoslav në komisionin politik. Mehmet Konitza asht sha keqas me Kryetarin e Derergatës Jugoslave e me nji farë Topaloviç…. Joviç, Kryetari i Dergatës Jugoslave, i paska thanë Konitzës, se asht i shtim prej dikujt tjetër me prish Konferencën. Konitza i paska përmendë punët, qi Jugoslavët kan ba e bajnë mbi Shqyptarë të Kosovës, dhe e paska quejtë barbar. Asht ba kaq poterë mbrendë, sa Kryetarit të Konferencës i asht dashtë me pezullu mbledhjen. Mbasi u hap mbledhja rishtas, Konitza deklaroi, se, po s’i muarën Jugoslavët fjalët mbrapa, Dërgata shqiptare do t’a linte Konferencën. Edhe Jugoslavët, tue skuzue, mueren, mbrapa fjalët e fyeshme. Nji heri edhe në Komision t’ Afrimit Intelektual u zuen keqas bulgarë e jugoslav.
Grekët, rumunët, turqit, e na lypin, qi çashtja e pakicave të rregullohet në ket Konferencë, edhe qi kjo çashtje të përmendet në pakt të Federatës Ballkanike. Jugoslavët janë kundra, ndërsa bulgarët pranojnë qi kjo çashtje të shtyhet deri sot nji vjetë! Me 23 ashtë mbledhja e përgjithshme: pale se si po dahëna. Shpensohet se ka me u gjetë ndonji formulë afrimi.
Po s’kjemë të ngushtuam me 23 me lanë Konferencën, sigurisht kemi me shkue n’Angara; pre ashtu e lypë nji punë, e cila s’kallxohet me letër; por qi në vedvedi ka nji randësi mjaft relative.
Sot kemi vizitue S. Sofia, xhamin “blu” e xhamin Sylejmanije, për të cilat mund të thohet se janë pernjimend të bukura. Sh. Sofija asht nji mrekulli arti e madhnije. Jam bin kur e kam pa. Dje, masandej patëm vizitue muzejt e Stambollit, visaret e Mbretënvet e muzeun e dorëshkrimevet të Koranit- me sa tri mij. Sarkofagu i Lekës së Madhë asht nji mrekulli skulpture. E shka asht për t’u çuditë, se shumica e luftravet, ndër “bassoriljevi” m’ katër anët, bashin për rreth kres nji shall krejt si malcorët t’onë! Më kan ba përshtypje të madhe edhe miniaturat mbi dorëshkrime të Koranit, si për shumicë si për bukuri.
Sa për visare të Mbretenvet asht kot me i a nisë me folë.
Mjaft “i vasi”, qi u a kalojnë atyne të Vatikanit në daç për numër, në daç për vlerë; se për gur të pa çmueshëm, enë e sende arit, pushkë e shpata të prarueme etr. etr, s’t’i shef syni kurrkund njëti. Ndër ato visare gjinden edhe kryet e krahi i Sh. Gjonit Pagzues veshë n’ari e në gur të paçmueshëm. Sende me të lanë pa mend.
Për me pas nji ide për shka asht Yildizi, asht mjaft me të thanë, se në gjithë Shqypnin- a ma në gjith Shqypnin – s’e ke nji salon ma të bukur se oda e “Ypsilonit”… e Yildizit, e kta në kat të poshtër.
Sonde na ka qitë nji kafe Universiteti. Na kishim ndejë në paradë kund nja nji mijë boiskaut(?), ndër të cilët kishte ken rreshtue edhe nji çetë varzash 16- 17 vjetshe e edhe ma të msha- në Stambollë! S’shifet burrë me fes në krye as grue e mertisun. Der më sod kam pa veç nji hoxhë me çallme, por kishte edhe gjyzlykët… Ndryshimi prej kohës së kaluese asht kolosal.
U kënaqa tue pa- të thuesh- me qindra vaporresh kahë shkojnë e vijnë nëpër Bosfor.
U falem me shëndet të gjithëve. / KultPlus.com

Shuhet në moshën 84-vjeçare gjuhëtari i njohur shqiptar, Mehmet Çeliku

Ka vdekur në moshën 84-vjeçare Prof. Dr. Mehmet Çeliku. Profesor Çeliku ishte një gjuhëtar i shquar dhe titullar i disa lëndëve gjuhësore.

Ai ishte gjithashtu bashkëpunëtor i Akademisë së Shkencave dhe ish-rektor i Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, në Elbasan.

Prof. Dr Mehmet Çeliku ka lënë pas një gamë të gjerë librash, pasi është autor i plot 200 teksteve gjuhësore. / KultPlus.com

29 vjet nga sulmi i parë i forcave serbe ndaj familjes Jashari

Sot mbushen 29 vjet nga sulmi i parë i forcave të armikut kundër familjes së komandantit legjendar Adem Jashari në Prekaz.

29 vjet më parë, forca të shumta serbe fillojnë një sulm të armatosur ndaj familjes Jashari në Prekaz, por pas një rezistence të fuqishme të kësaj familje, ato u detyruan të tërhiqen.

Adem Jashari lindi në rajonin e Prekazit të Drenicës në Kosovë, më 28 nëntor 1955. Ai ishte një nga arkitektët kryesor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duke qenë gjithashtu edhe kryekomandanti i saj.

Së bashku me të vëllain e tij Hamzën, Ademi ka marrë pjesë në sulmet kundër forcave policore-ushtarake serbe.

Në orët e hershme të mëngjesit të 5 mars 1998, në Prekaz u sulmua sërish familja Jashari nga Ushtria Jugosllave dhe forcat policore. Forcat sulmuese përbëheshin nga transportues të blinduar dhe pjesëtarë të policisë, të mbështetura nga artileria nga një fabrikë municioni në afërsi. Lagjen Jashari e kishin rrethuar diku me rreth 7-8 mije trupa. Sulmi zgjati tre ditë dhe dy netë.

Forcat policore filluan sulmin pa asnje paralajmërim. Pas kësaj kanë filluar të shtënat. Nga një shtëpi, policia qëllonte me mortaja, pasuar nga gazi lotësjellës. Shumica e familjes së gjerë e Jasharajve u mblodhën në një dhomë të vetme, e cila ishte e murosur me tulla. Një predhë pastaj ra përmes çatisë, duke vrarë një numër të anëtarëve të familjes. Granatimet e vazhdueshme për nja tridhjetë e gjashtë orë ia mundësuan policisë më në fund të hyjë në shtëpi.

Organizata “Amnesty International”, në një raport të bërë për rastin, tha se sulmi kishte për qëllim eliminimin e të gjithë dëshmitarëve. Adem Jashari së bashku me pesëdhjetë e gjashtë anëtarët e familjes së tij u vranë. Gjithsej pesëdhjetë e tetë persona janë vrarë, në mesin e tyre tetëmbëdhjetë ishin gra dhe dhjetë fëmijë nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare. Këtij sulmi i mbijetoi Besarta Jashari (asokohe 11 vjeç).

Nga ana tjetër televizioni serb “B-92” lajmëronte për 69 pjesëtarë të vrarë të policisë dhe ushtrisë. / KultPlus.com

“Njeriu ka një kokë, një jetë, një dashuri”

Viti që po lëmë pas mori disa nga figurat më të shquara të artit shqiptarë. Në kujtim të tyre, KultPlus sot do t’i kujtojë përmes veprës që lanë pas.

Data 11 mars 2020 mori nga kjo botë shkrimtarin e dramaturgu shqiptar, Musa Ramadani, i cili vdiq në moshën 76-vjeçare.

Shkrimtar dhe artist i cili për herë të parë në skenën letrare të Kosovës futi poezinë eksperimentale i motivuar nga rrymat postmoderne, atë që më vonë u quajt poezi konkrete e ikonizuar nga shkronjat, tipografia e të cilave krijon formë.

Kjo poezi u nis për herë të parë nga rrymat e artit modern si Dadaizmi dhe me pas Surrealizmi me Guillaume Apollinaire, për t’u bërë pjesë e minimalizmit. “Neurosis” i botuar në vitin 1973 nga Musa Ramadani, është një përmbledhje e poezisë konkrete e mbushur me figura prej shkronjash të cilat konotojnë shenjëzime socio-emocionale të njeriut të asaj kohe.

Shkrimtar dhe artist i cili për herë të parë skenën letrare të Kosovës futi poezinë eksperimentale i motivuar nga rrymat postmoderne, atë që më vonë u quajt poezi konkrete e ikonizuar nga shkronjat, tipografia e të cilave krijon formë. Kjo poezi u nis për herë të parë nga rrymat e artit modern si Dadaizmi dhe me pas Surrealizmi me Guillaume Apollinaire, për t’u bërë pjesë e minimalizmit. “Neurosis” i botuar në vitin 1973 nga Musa Ramadani, është një përmbledhje e poezisë konkrete e mbushur me figura prej shkronjash të cilat konotojnë shenjëzime socio-emocionale të njeriut të asaj kohe. Ky libër është vetëbotuar nga autori sepse nuk është pranuar për botim nga redaksia e atëhershme e botimeve Rilindja.

Ai u lind më 21 Maj të vitit 1943 në Gjilan  nga një familje zejtarësh të cilët kishin një furrë dhe dyqan tekstili në çarshinë e qytetit.

Më 22 dhjetor 1944, Shtabi i Forcave Shqiptare Vullnetare vendosi të sulmojë për marrjen nën kontrollë të Gjilanit nga Administrata e re e Komunistëve Jugosllavë. Në mëngjesin e 23 dhjetorit 1944, forcat e vullnetarëve shqiptarë sulmuan dhe gati arritën ta kthenin kontrollën e gjithë qytetit, përveç ndërtesës së OZNA-s (Shërbimit të Sigurimit Jugosllav) dhe të Këshillit Popullor të Rrethit. Forcat serbo-maqedonase në shenjë hakmarrjeje për sulmin e forcave vullnetare shqiptare mbi Gjilanin, filluan vrasjet masive. Fillimisht rrëmbyen me përdorimin e forcës pa dallim qytetarë të Gjilanit, i nxorën nga shtëpitë, dyqanet, rrugët, i morën dhe i mbyllën në ndërtesën e vjetër të burgut të qytetit.

Familja e Musa Ramdanit  braktisi shtëpinë me një autobus me 16 të plagosur drejt Prizrenit, në të cilin qytet e kaloi fëmijërinë e hershme dhe e kreu klasën e dytë fillore. 

Me t’i vdekur babai, familja u kthye përsëri në vendlindje. Aty mbaroi shkollimin e mesëm. Shkollën e Lartë Pedagogjike (Dega: Gjuhë dhe letërsi Shqipe) e mbaroi në Prizren.

Në fund të vitit 1965 filloi veprimtarinë e tij si gazetar. Ishte korrespodent i rregullt i gazetës “Rilindja” dhe pastaj redaktor i përgjithshëm i Kulturës në gazetën Rilindja.

KultPlus ju sjell sot një ndër poezitë më të mira të Musa Ramadanit.

Njeriu ka një kokë, një jetë, një dashuri

Njeriu ka një kokë
Glob i gjallë për lule e predha
Ku drejtpeshohen hapësira e koha

Mos luani me kokën e tij!

Njeriu ka një jetë
Skenë e mirësive ndaj mëkateve
Pse lindin e vdesin çdo ditë

Mos luani me jetën e tij!

Njeriu ka një dashuri
Fjalë (vallë) e tepërt në histori
Nga ligjërojnë mëkatet e motivet

Mos luani kurrë me dashurinë e tij! / KultPlus.com

“Baresha”, kryevepra e Nexhmije Pagarushës (VIDEO)

Viti që po lëmë pas mori disa nga figurat më të shquara të artit shqiptarë. Në kujtim të tyre, KultPlus sot do t’i kujtojë përmes veprës që lanë pas.

Data 7 shkurt e vitit 2020 mori “Bilbilin” e muzikës shqipe, Nexhmije Pagarushën.  

Vdekja e Pagarushës, ishte një ndër humbjet më të mëdha që ka përjetuar arti shqiptarë, por pasurinë artistike që ajo la pas do të jetojnë e ta mbajnë gjallë përgjithmonë.

Veprimtaria e saj muzikore 40-vjeçare është aq e gjerë, sa që është vështirë të thuhet se cilit zhanër i takon. Është e njohur për interpretimet e saj të shkëlqyera në muzikën popullore dhe opera.

Nexhmije Pagarusha ishte edhe aktore e suksesshme, si në film ashtu edhe në teatër.

Në Beograd vijoi shkollën e muzikës për solo kanto, të cilën ajo e la në vitin e tretë dhe nuk e vazhdoi më. Po ashtu atje kishte paraqitjen e parë muzikore në skenë. Në vitin 1948 kur është pranuar soliste në Radio Prishtinë.

Bashkëpunoi edhe me këngëtarët nga Shqipëria dhe u paraqit edhe në Shqipëri me ansamblin “Shota” me rastin e një turneu.

”Baresha” është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj. Kjo këngë u kompozua nga bashkëshorti i saj Rexhep Mulliqi me tekstin e poetit Rifat Kukaj.

Nexhmije Pagarusha interpretoi në një koncert të muzikës klasike veprat e përkthyera shqip të Betovenit, Puçinit, Verdit, etj. Ky koncert ka qenë i pari i këtij lloji. Fatkeqësisht, asnjërit nga organizatorët teknikë nuk iu kishte kujtuar që të regjistronte këtë koncert! Për fat të keq, nuk janë evidentuar as të gjitha koncertet dhe repertori i këngëve të kënduara nga ajo, ngaqë, siç ka thënë ajo një herë, për të vetëm muzika ishte me rëndësi; ajo dhe muzika ishin një. Mendohet se ajo ka interpretuar mbi 150 këngë.

Nexhmije Pagarusha ikona e muzikës shqipe, ishte e njohur si një grua e cila gjatë gjithë karrierës së saj i ka shërbyer me nder dhe dashuri atdheut të saj përmes artit. 

Disa nga këngët që Nexhmija ju dha jetë përmes zërit të saj e shpirtit artistik janë: “Baresha”, ”Ani mori nuse”, ”Mora testin”, “Kur më shkon si zog n’hava”, “Kur më del në derë”, ”Ke selvitë”, “Ç’u ngrit lulja në mëngjes”, “Çil njat zemër plot kujtime”, “Dallëndyshe”, “Një lule”, “Zambaku i Prizrenit” e shumë të tjera.

Më 2018 Pagarusha u vlerësua me “Medaljen e Mirënjohjes” nga presidenti amerikan, Donald Trump.

KultPlus, kujton sot mbretëreshën e muzikës shqiptare, përmes këngës “Baresha”, një këngë e pavdekshme që qëndron stoike përkundër prurjeve të reja. / KultPlus.com

80 vjet pa Gjergj Fishtën

80 vjet më parë u shua poeti që për së gjalli hyri në historinë e letërsisë shqipe, shkruan KultPlus.

Vepra e tij e bëri të pavdekshme gegnishten, të cilën me aq dashuri e ka shkruar. Si krijues Fishta, në radhë të parë ishte poet. Përkushtimin më të madh e pati ndaj “Lahutës së Malësisë”, veprës së jetës, që i kushtoi 40 vjet punë.

Fishta  lindi në fshatin e vogël Fishtë të Zadrimës më 23 tetor 1871. Jetën e filloi si barì. Por shumë shpejt , kur ishte 6-vjeçar zgjuarsia e tij i bie në sy famulltarit të fshatit, i cili e dërgon Fishtën në Seminarin Françeskan të Shkodrës.

Më 1880, kur hapet seminari në Troshan, ai vijon në këtë shkollë. Këtu ai shfaqi trillin poetik. Më 1886 dërgohet për studime në Bosnjë. Vitin e parë e kaloi në Guçjagorë afër Travanikut. Mësimet filozofike i mori në kuvendin e Sutidkës, ndërsa ato teologjike në kuvendin e Livnos. Të kësaj kohe janë edhe “Ushtrimet e para poetike”.

Më 1893 i kreu studimet shkëlqyeshëm. I formuar në periudhën e Rilindjes sonë kombëtare, poeti ynë Gjergj Fishta është një nga vazhduesit më autentikë dhe të drejtpërdrejtë të saj, shprehës i idealeve atdhetare dhe demokratike në kushtet e reja që u krijuan në shekullin e njëzetë. Mënyrat e pasqyrimit të jetës, në krijimtarinë e tij, janë vazhdim i natyrshëm i teknikës letrare të Rilindjes, ku mbizotëron romantizmi, realizmi dhe klasicizmi.

Deri më, 1899 Fishta shkruajti në alfabetin shqip të françeskanëve.,

Poezinë e parë Fishta e botoi në “Albania”, më 1899, me pseudonimin “E popullit”. Gjatë veprimtarisë së dendur botuese, e cila, përveçse në librat u publikua edhe në 15 gazeta e revista të kohës brenda edhe jashtë vendit, veprimtaria e tij përfshin 40 vjet të jetës, ai përdori 24 pseudonime.

Tonet e madhërishme heroike, burimësia e papërsëritshme e përfytyrimeve, shqiptarësia në dhënien e mjediseve, heronjve, rrethanave që kanë bërë që Fishta, si epik të quhej “Homer i Shqipërisë”.

Ndërthurjet e ndryshme të mitologjisë me realitetin, ashpërsia e stilit , mendimi i fuqishëm filozofik, dramaciteti i veprës kanë bërë që Fishta të krahasohet në këtë lëmë me Gëten e Danten.

Vdiq më, 30 dhjetor të vitit 1940 në spitalin civil të Shkodrës./KultPlus.com

“Këtë vit mësuam se ne kemi ende forca të fshehura brenda nesh përtej ofshamës ‘Nuk mundem dot’”

Nga Liridon Mulaj

Fillimet e vështira logjikisht të çojnë drejt fundeve të lavdishme, dhe në mos fundit në kuptim tërësor të lavdishëm, të një rritjeje dhe forcimi moral dhe shpirtëror. Këtë vit mësuam se ne kemi ende forca të fshehura brenda nesh përtej ofshamës ” Nuk mundem dot”. Se mundemi t’ia dalim dhe përtej asaj “Nuk ia dal dot”. Mësuam se dashuria jo domosdoshmërish shfaqet nëpër përqafime dhe se përtej nevojës themelore për të përqafuar, arritëm të duam dhe pa kontakt fizik, madje duke bërë të kundërtën treguam se duam. Se në kohëra të çuditshme, dhe dashuria merr forma të çuditshme. Mësuam të mos ankohemi më për gjëra sipërfaqësore dhe të vlerësojmë njerëzit e pragut (familjen) dhe përtej kësaj mësuam dhe vese të tyre të cilët i kishim harruar të përhumbur në jetën e vrullshme, dhe ishin këto vese të padëmshme që na risollën nga pak fëmijërinë e humbur. Mësuam se liria është thelbësore dhe se ngujimi qoftë dhe në divanin e rehatshëm të shtëpisë është i rëndë, bezdisës, plogështues. U mësuam me gjithçka dhe çdo gjë të cilat na e tronditën jetën, por ia dolëm dhe do ia dalim duke mbajtur dhe kultivuar brenda nesh, ndjenjën për të cilën jemi krijuar ta japim pa kursim, atë me të cilën do kapërcejmë çdo sfidë dhe fatkeqësi, DASHURINË! Ndaj me forcën e idesë se e keqja e madhe tashme ka kaluar, dua t’ju uroj në këtë fundvit të keni forcë dhe vullnet për të përballuar këtë ekzistencë të rëndë dhe të kujtojmë se asnjë fatkeqësi nuk lindi me ne dhe nuk do të vdesë me ne ashtu si çdo e mirë që sjell jeta ka ekzistuar para nesh dhe do vazhdojë të pluskojë mbi jetët që do të vinë. Zoti është përcaktues i kohës sonë, kësaj kohe e cila ka dy anët e saj pothuajse përherë, thuajse gjithmonë. Ndaj dua ta mbyll këtë urim me rreshtat e predikimit nga Bibla të cilët na shpjegojnë kuptimin e kësaj kohe dhe të këtij destini:

“Çdo gjë ka stinën e vet, çdo situatë ka një kohë nën qiell;
një kohë për të lindur dhe një kohë për të vdekur, një kohë për të mbjellë dhe një kohë për të shkulur atë që është mbjellë
Ka një Një kohë për të qarë dhe një kohë për të qeshur,
një kohë për të mbajtur zi dhe një kohë për të hedhur valle.
Një kohë për të flakur gurët dhe një kohë për të mbledhur gurët,
një kohë për të përqafuar dhe një kohë për të mos përqafuar” / KultPlus.com

Gallup: Donald Trump dhe Michelle Obama personat më të admiruar në SHBA

Presidenti amerikan Donald Trump dhe ish-Zonja e Parë Michelle Obama janë burri dhe gruaja më e admiruar në Shtetet e Bashkuara për vitin 2020, sipas një sondazhi vjetor nga “Gallup”.

Michelle është gruaja më e admiruar për të tretin vit radhazi, ndërsa Trump mundi bashkëshortin e saj, ish-presidentin Barack Obama, për herë të parë këtë vit, me 18 % të të anketuarve që thanë se e admironin më shumë Trumpin.

Për krahasim, vetëm 15 përqind e amerikanëve thanë se admironin më shumë ish-presidentin Obama.

Përgjigjet u ndanë kryesisht përgjatë vijave të partisë, me Republikanët që thanë se admironin Trump dhe Demokratët Obaman.

Zëvendëspresidentja e zgjedhur, Kamala Harris, u listua si gruaja e dytë më e admiruar në SHBA.

Në përgjithësi, 6 % e amerikanëve e votuan presidentin e zgjedhur Joe Biden dhe 3 % specialistin kryesor për Sëmundjet Infektive, Anthony Fauci./ /atsh/ KultPlus.com

Momenti prekës kur dalin nga rrënojat babë e bir të përqafuar pas tërmetit në Kroaci (VIDEO)

Një tërmet i fuqishëm me magnitutë 6.3 të shkallës Rihter preku ditën e sotme Kroacinë, duke shkatëruar godinat dhe lënduar qindra persona.

Ndërkohë, mediat e huaja kanë publikuar momentin kur ekipet e kërkim shpëtimit nxorrën nga rrënojat e ndërtesave të shembura babanë dhe djalin e tij të vogël.

Siç duket edhe në videon e mëposhtme babai nuk e lëshon nga duart për asnjë moment djalin derisa futen në ambulancë dhe marrin trajtim mjekësor. Petrinja, është qyteti kroat që është goditur më rëndë si pasojë e tërmetit të fuqishëm, i cili u pasua nga disa pasgoditje./ KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=Kygto91u5UQ

Një veturë “made in Albania”, rivale e Lamborghinit dhe Ferrarit

Shqipëria mund të bëhet shumë shpejt me markë të saj të veturës dhe jo vetëm kaq, pritet të jetë super-veturë.

Qëndrim Thaqi, themelues i Arrera Automobili, është gati për të realizuar projektin e tij madhor: superveturën Illyrian Pure Sport.

Për momentin, bëhet fjalë vetëm për një ide, por nëse do të përfundojë projekti, Illyrian Pure Sport do të jetë vetura e parë me standarde ndërkombëtare që do të prodhohet në Shqipëri.

Nga fotot e postuara, vetura ngjan me Porsche 9RE, por me disa pjesë të frymëzuara nga markat e famshme italiane. Sidomos pjesa e përparme duket si një Lamborghini Gallardo.

Mendohet se kjo veturë do të ketë një shpejtësi maksimale prej 375 km/h dhe do të arrijë nga 0 në 100 km/h për vetëm 2,7 sekonda. Të dhëna të tilla do ta bënin një rivale të fortë të Lamborghini Aventador apo Ferrari 812 Superfast. \ A2news/ KultPlus.com