Universiteti britanik hap master ku diplomohesh për grupin “The Beatles”

Një universitet britanik ka hapur masterin e parë në Arte ku mund të diplomohesh për “The Beatles” dhe ndikimin e gjerë të bandës legjendare në muzikë dhe shoqëri.

Universiteti i Liverpool-it njoftoi se ka filluar të pranojë aplikimet për një program mësimor në shtator 2021 të quajtur “The Beatles: Industria e muzikës dhe kursi i trashëgimisë”.

“Diploma do t’u pëlqejë personave, që aktualisht punojnë ose konsiderojnë një karrierë në arte dhe në të gjithë sektorët e turizmit dhe kohës së lirë”, tha institucioni.

Materiali studimor përfshin analizimin e rolit që banda luajti në muzikë, industrinë krijuese dhe më pas në fusha më të gjera, si turizmi dhe trashëgimia.

“Jam plotësisht e kënaqur që jemi në gjendje të ofrojmë studime zyrtare për “The Beatles” në Departamentin e Muzikës dhe Institutin e Muzikës Popullore në Universitetin e Liverpool”, tha udhëheqësja e programit, Holly Tessler.

“The Beatles”, të themeluar në Liverpool në 1960, fituan vlerësime ndërkombëtare gjatë karrierës së tyre 10-vjeçare dhe konsiderohen si një nga grupet më me ndikim dhe pionierë në historinë muzikore. /ata/ KultPlus.com

Enver Petrovci sot feston datëlindjen e 67-të

Enver Petrovci, aktori dhe regjisori i cili arriti famë shumë të madhe në kinematografinë ish jugosllave, kosovare dhe ndërkombëtare, sot feston datëlindjen e tij të 67-të, shkruan KultPlus.

Petrovci lindi më 28 shkurt 1954 në Prishtinë. Në fillim studioi në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë në degën e aktrimit, më pastaj mbaroi studimet Universitare për aktor edhe në Fakultetin e Arteve Dramatike në Universitetin e Beogradit. Ka arritur karrierë shumë të suksesshme në teatër, sidomos në atë “Atelieja 212” dhe me rolet e luajtura aty u bë i njohur nëpër mbarë ish Jugosllavinë duke u vlerësuar një nga aktorët me të famshëm të asaj kohe. Pas mbarimit të luftës e vazhdoi me sukses karrierën artistike në Prishtinë e në qendra të tjera shqiptare.

Interpretimet e tij në film ishin gjithashtu shumë të mirëpritura duke arritur famë shumë të madhe në kinematografinë ish jugosllave, kosovare dhe ndërkombëtare.

Është një ndër themeluesit e degës së Artit Dramatik dhe Akademisë së Arteve në Universitetin e Prishtinës në vitin 1989, ai kthehet nga Beogradi për të ligjëruar lëndën e aktrimit në këtë Universitet dhe formon kuadro të reja të aktorëve në Kosovë.

Rolet e tij si në teatër ashtu edhe në film janë në numër shumë të madh. Petrovci vazhdon të jetë pjesë e projekteve të ndryshme ku ende mban fuqishëm primatin e tij në fushën e aktrimit. / KultPlus.com

23 vjet nga beteja e Likoshanit dhe Çirezit

Sot bëhen 23 vjet nga fillimi i luftës në Kosovë, e cila kishte nisur në fshatrat e Drenicës, Likoshan dhe Çirez, ku te vendi i quajtur “Te tre lisat” ishin zhvilluar luftimet mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave kriminale serbe.

Në luftimet e zhvilluara kishin mbetur të vrarë disa policë serbë. Si pasojë e kësaj, forcat e armikut kishin rrethuar të dy fshatrat, ku kishin ekzekutuar 24 civilë të pafajshëm.

Në rrethimin e fshatrave, armiku kishte përdorur artileri të rëndë, duke përfshirë helikopterë dhe shumë mjete tjera të blinduara, përfshirë edhe tanke. Qysh në ditën e parë të luftimeve, armiku kishte kryer masakrat ndaj civilëve, vetëm në familjen Ahmeti kishte vrarë 11 persona.

Pas pak ditësh, më 5 mars, ushtria dhe policia serbe kishin rrethuar familjen e Komandantit Legjendar të UÇK-së, ku familja Jashari kishte rezistuar për 3 ditë dhe 3 net në luftimet kundër armikut.

Me luftën e Prekazit, tani më çdo gjë ishte e qartë, në Kosovë lufta për liri nuk do të kishte më të ndalur. Gjatë luftimeve deri në çlirimin e vendit, rreth 1 milion shqiptarë ishin dëbuar nga Kosova, 15 mijë ishin vrarë, 2 mijë e 400 prej tyre kishin rënë dëshmorë. Armiku kishte kryer shumë masakra, si atë në Abri, Reçak, Meje, e shumë e shumë të tjera.

Gjatë luftës ishin zhdukur rreth 5 mijë njerëz, fati i shumicës prej tyre është zbardhur deri në vitin 2007, por ende nuk dihet për fatin e mbi njëmijë shqiptarëve të zhdukur. Në këtë periudhë kohore ishin përdhunuar afër 20 mijë femra shqiptare.

Gjatë periudhës kohore mars 1998 – qershor 1999, njësitë kriminale dhe artileria e rendë serbe kishin shkatërruar dhe djegur pjesërisht ose tërësisht rreth 1.100 vendbanime shqiptare, kishin plaçkitur, djegur e shkatërruar mbi 200 mijë shtëpi, banesa, lokale afariste, punëtori zejtare, fabrika, shkolla, biblioteka, monumente kulturore-historike, objekte kulturore, shkencore, fetare etj./ KultPlus.com

Edhe një burg në karantinë si pasojë e COVID-19

Kontaminuar nga pandemia e koronavirusit, burgu i Namurit, në juglindje të Belgjikës, u vendos në karantinë dhe të ndaluarit janë kufizuar në qelitë e tyre, njoftoi sot administrata e burgjeve.

Më shumë se gjysma e 132 të ndaluarve dhe rreth 60 nga 115 anëtarë të personelit janë testuar pozitiv që prej zbulimit të rastit të parë në fillim të javës së kaluar.

“Një i ndaluar është shtruar në spital”, theksoi zëdhënësja e administratës Kathleen De Vijver.

“Situata është gjykuar shumë serioze”, shtoi ajo.

Administrata ka vendosur të kufizojë të ndaluarit në qelitë e tyre dhe të vendosë një karantinë parandaluese. Produkte higjene u janë shpërndarë dhe kanë marrë një vakt të nxehtë në ditë. Por, ata janë privuar nga shëtitjet, vizitat dhe nuk mund të hyjnë në dhomat e dushit.

Varianti britanik i koronavirusit, shfaqur në 2020 dhe më përhapës, është tashmë dominues në Belgjikë, ku autoritetet kërkuan dje një kujdes më të madh përballë shenjave të para të rritjes së epidemisë./atsh/ KultPlus.com

Orkestra Frymore ‘Prizreni’ do mbajë nesër koncert

Orkestra Frymore Prizreni për herë të parë do të organizojë koncert nesër në Shtëpinë e Kulturës ‘Xhemajl Berisha’ në Prizren, shkruan KultPlus.

Repertuari i këtij koncerti do të përmbajë vepra të kompozitorëve si Bizet, Shostakovitch, Webber, Zhulali, Schirfin, Antoni, Rota, Weiss, Peretti, Creatore, Ibrahimi, Piazzolla, Shkodrane.

Në njoftimin e bërë nga faqja zyrtare e Orkestrës Frymore të Prizrenit tregohet se koncerti dotë mbahet me fillim nga ora 18:00 dhe dirigjent do të jetë Edon Ramadani.

Tutje tregohet se hyrja në këtë koncert është me ftesa.

Më poshtë mund të lexoni statusin e tyre të plotë:

KONCERT

ORKESTRA FRYMORE PRIZRENI

Orkestra Frymore Prizreni nesër me 28 shkurt 2021 prej orës 18:00 për herë të parë organizon koncert në Shtëpinë e Kulturës “Xhemajli Berisha” në Prizren.

Repertuari i koncertit përmbanë vepra të kompozitorëve si Bizet, Shostakovitch, Webber, Zhulali, Schirfin, Antoni, Rota, Weiss, Peretti, Creatore, Ibrahimi, Piazzolla, Shkodrane.

Dirigjent: Edon RAMADANI

Mbajtja e maskës dhe respektimi i distancës është i obliguar.

Hyrja në koncert është me ftesa.

Mirësevini./ KultPlus.com

Toyota po ndërton “qytetin e së ardhmes” për 2000 familje, mundësuar nga robotët dhe inteligjenca artificiale

Toyota ka filluar ndërtimin e një qyteti inteligjent në 70 hektarë tokë në Japoni që do të punojë mbi inteligjencën artificiale, teknologjitë futuristike dhe do të shërbejë si “laborator i gjallë”, ka njoftuar kompania, transmeton “Independent”.

Ndërtimi filloi këtë javë në projektin e quajtur “Qyteti i endur”, në një vend në bazën e malit Fuji të Japonisë, rreth 62 milje nga Tokio.

Qyteti po projektohet si një terren testimi për teknologjitë që mund të përhapen nëpër mjedise urbane, duke përfshirë robotikën, shtëpitë e ndërlidhura inteligjente dhe inteligjencën artificiale.

Toyota, e cila njoftoi për herë të parë projektin në janar të vitit të kaluar, ka thënë se qyteti do të ketë tre lloje rrugësh të cilat janë të gjitha të lidhura me njëra-tjetrën në nivelin e tokës – një rrugë për këmbësorët, një për njerëzit që përdorin vetura personale, dhe një i dedikuar vetëm për veturat që ecin vet. Kompania ka thënë po ashtu se do të kishte një rrugë konvencionale që kalonte nën qytet për të siguruar transportin e mallrave.

Faza e parë e projektit do të përfshijë rreth 360 banorë të moshave të ndryshme, duke u rritur në dy mijë me përfshirjen e disa punonjësve të Toyotas dhe familjet e tyre, si dhe shkencëtarë dhe shpikës të cilët do të vlerësojnë efektivitetin e zgjidhjeve të ndryshme teknologjike./ KultPlus.com

Dua Lipa arrin një sukses tjetër, albumi “Future Nostalgia” tani është ‘Platinum’ në Mbretërinë e Bashkuar

Këngëtarja e njohur kosovare, e cila ka arritur famë ndërkombëtare, Dua Lipa po shënon karrierë shumë të suksesshme në muzikë.

Dua Lipa njihet si një fenomen i ‘pop-it’ dhe ka pushtuar botën e muzikës me shpejtësi të madhe duke u bërë kështu si njëra ndër këngëtaret më të kërkuara në botë.

Së fundmi Dua ka postuar një fotografi mjaft atraktive duke falënderuar të gjithë ata që e kanë ‘dëgjuar, kërcyer dhe mbështetjen’, e vazhdueshme.

“Future Nostalgia tani është një album platin në Mbretërinë e Bashkuar!!! Ne jemi mirë është loja ajrore numër një në Mbretërinë e Bashkuar! Faleminderit ,që e keni dëgjuar, keni kërcyer dhe gjithë mbështetjen tuaj të vazhdueshme !!! Ju dua !!”, u shpreh Dua në mbishkrimin e fotografisë./ KultPlus.com

Vdes gruaja e Adem Demaçit

Xhemajlije Hoxha- Demaçi, gruaja e veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçi, ka ndërruar jetë.

Një gjë të tillë e ka bërë të ditur gazetarja shqiptare në Zvicër, Hava Kurti Krasniqi, teksa ende nuk dihet shkaktari i vdekjes së saj.

Regjimi Jugosllav, përgjatë kohës sa Demaçi mbante burg, e kishte larguar nga puna gruan e tij, Havën, në Prilluzhë të Vushtrrisë ku punonte si mësuese, duke e kthyer më vonë si pastruese në të njëjtën shkollë.

Duke i ndjerë edhe vuajtjet e bashkëshortes, Demaçi i shkroi letër Xhemajlies. “I shkrova letër Xhemajlies ku kërkova të iniciojë kërkesën për shthurje të bashkëshortësisë. Xhemajlia fillimisht refuzoi prerazi. Më vonë u detyrua ta pranojë që ta sigurojë ekzistencën për vete dhe fëmijët. Menjëherë Xhemajlia u kthye në vendin e punës nga pastruese në mësuese. Unë u ndjeva shpirtërisht i lehtësuar”, kishte thënë Demaçi në librin e Fahrudin Radonqiq “10 mijë ditë në burg”.

Pas ndarjes dhe martesës me gruan e dytë, Demaçi ishte ri-bashkuar me Xhemajlien, me të cilën jetuan bashkë deri sa vdiq. /KultPlus.com

Robin Krasniqi hap bunar për banorët e një zone në Pakistan

Boksieri i njohur shqiptar, Robin Krasniqi, ka hapur një bunar në provicen Sindh të Pakistanit për banorët e kësaj zone.

Krasniqi ka shkruar në Facebook se ndihet i lumtur që ka arritur ta ndërtojë këtë bunar që rrjedh ujë 24 orë në ditë, në njërin nga vendet më të varfra në botë.

“Uji është elementare për jetën tonë, ne e shijojmë çdo ditë dhe e shohim të vetëkuptueshme konsumimin e ujit, por ka shumë vende në botë ku njerëzit nuk kanë ujë të pijshëm”, ka shkruar ndër të tjera ai./ KultPlus.com

Top Chanel me lajm skandaloz, Brezovicën e prezantojnë si tokë të serbëve

Bukuritë natyrore të Brezovicës, fshatit ku turizmi është çdo herë i madh, krahas vëmendjes për dokumentar të shumtë televiziv, sot është quajtur edhe tokë që shqiptarët kanë vjedhur prej serbëve pikërisht nga një prej televizioneve shqiptare ‘ Top Chanel’, shkruan KultPlus.

Në një postim të bërë në faqen zyrtare të këtij televizione ku është shpërndarë një video dokumenari i cili titullohet ‘Brezovica e Kosovës, fshati që thërret shqiptarët përmes turizmit malor’, ky televizon e quan Brezovicën vendin ku tokat e serbëve po merren nga shqiptarët.

“Perla e Ballkankt ku tokat e serbëve po merren të gjitha nga shqiptarët!”, është mbishkrimi i cili u përdor në fillim që të përshkruante këtë video dokumentar.

Por nuk u desh shumë kohë që një postim i tillë të ngjallte paknaqësi e reagime të shumta kundër Televizionit, çka dhe e detyruan atë që në pak kohë të ndryshoj edhe mbishkrimin në këtë video./ KultPlus.com

Imazhe mahnitëse të Londrës së 1890, kur Britania ishte superfuqi globale dhe sunduese e deteve

Qendra e Lodrës ka qenë gjithmonë e famshme për rrjedhën e pandalur të trafikut të makinave, autobuzëve e biçikletave, që ‘lundrojnë’ çdo ditë mes saj.

Tashmë disa imazhe të reja në bardhë e zi e ngjyra minimale, tregojnë se edhe në shekullin e 19-të kryqëzimet e saj ishin po aq të mbushura ma karroca e kuaj, si dhe burra e gra të veshur me elegancë, përkundër atyre që mund të shihen sot.

Fotot e epokës janë mes koleksionit të shfaqur në Librarinë e Kongresit të SHBA, dhe tregojnë Londrën e viteve 1880-të në të gjithë shkëlqimin e saj.

Në to shihen pikat kryesore që sot janë atraksionet turistike te kryeqytetit si Albert Monument, Westminster Abbey, Hyde Park, Tower of London dhe ura London Bridge.

Në atë kohë perandoria britanike shtrihej thuajse në të gjithë botën dhe mbretëresha Victoria ishte në vitet e fundit të sundimit para vdekjes në 1901./ KultPlus.com

Sheshi qendror Piccadilly Circus
Ura me harqe mbi Tamiz qe ekzistonte nga viti 1831 deri kur u detyrua te shembej ne 1967,
Ura Tower Bridge, e ndertuar mes 1886 e 1894
Sheshi qendror Trafalgar Square i emeruar ne nder te betejes se Trafalgar kunder Frances e Spanjes ne 1805
Gjykata e Larte Mbreterore
Hyde Park ne 1890
Bursa Mbreterore ne 1890, e themeluar ne shekullin e 16-te
Zona qendrore Embankment ne lumin Tamiz
Albert Memorial, prane Kensington Gardens
Salla parlamentare St Stephen’s
Avullore ne Tamiz ne 1890
Rruga tregtare Cheapside
Kulla e Londres e ndertuar ne 1078 nga William Pushtuesi
Katedralja Westminster Abbey prane parlamentit
Pallati parlamentar i Westminster
Kopshtet Kensington Gardens
Ndertesa ne foto Burroughs Wellcome & Co eshte shkaterruar nga bombardimet e Luftes II Boterore ne 1941

Kush janë shqiptarët që kanë marrë pjesë në Sanremo?

Pas shumë polemikash nëse duhej realizuar apo jo këtë vit Sanremo, pasi një festival muzike pa publik nuk mund të jetë një festival, organizatorët vendosën që tradita të vazhdojë.

Edhe këtë vit ndonëse pa publik për shkak të pandemisë në skenën e teatrit “Ariston” do të ngjiten këngëtare të rinj edhe Big. Në garë do të jetë edhe Ermal meta.

Për të është hera e tretë që ngjitet në skenën më të rëndësishme muzikore italiane. Në vitin 2017, do të zinte vendin e terte dhe do të vlerësohej me çmimin e kritikës “Mia Martini” me këngën e tij ”Vietato morire”.

Një vit më pas, në 2018 do të rikthehej për të fituar festivalin në duet me Fabrizio Moron me “Non mi avete fatto niente”

Ndonëse është këngëtari shqiptar më i vlerësuar në këtë skenë Meta nuk është i vetmi shqiptar që ka prekur magjinë e Sanremos.

Ana Oxa, këngëtarja dhe moderatorja me baba shqiptar dhe nënë italiane, ka marrë pjesë plot 14 herë në Sanremo. Ajo ka fituar çmimin e parë në vitin 1989 me këngën “Ti lascero” dhe në vitin 1999 me “Senza Pieta”.

Në vitin 2000 Olen Cesari u ngjit në skenën e Sanremo për të shoqëruar me violinë Lucio Dalla, i cili u ftua të këndonte “4 marzo 1943”.

Në vitin 2003 Elsa Lila mori pjesë për herë të parë në Sanremo, në kategorinë e artistëve të rinj. Kënga e saj “Valeria” u rendit në vendin e tetë në këtë kategori.

Ajo u rikthye në vitin 2007 me “Il senso della vita” dhe u rendit sërish në vendin e tetë në kategorinë e artistëve të rinj.

Violinistja Enxhi Nini ishte pjesë e orkestrës së Sanremos në vitin 2014.

Ermal Meta bashkë me Fabrizio Moro fitoi bujshëm Sanremon në 2018-tën me “Non mi avete fatto niente”. Ata përfaqësuan Italinë në Eurovizion dhe u renditën në vendin e pestë.

Alketa Vejsiu mori pjesë si e ftuar në moderim në Sanremon e vitit të shkuar në Itali.

Këtë vit eventi do të mbahet nga data 2 deri më 6 mars./diapsora/KultPlus.com

Ish miss Kosova, Kështjella Pepshi sjellë këngën e saj të re, i këndon zemrës dhe shpresës

Këngëtarja shqiptare Kështjella Pepshi, ka sjellur këngën e re “Even if the sky is Blue”, nëpërmes së cilës ajo këndon me dhimbje për zemrën dhe shpresën.

Në vitin 2010 këngëtarja shqiptaro – zvicerane, Kështjella Pepshi u zgjodh Miss Kosova Univers dhe po atë vit, ajo prezantoi Kosovën në Las Vegas, për zgjedhjet e Miss Univers (Një nga ngjarjet më të rëndësishme të bukurisë në Botë).

Disa vite më pas, ajo ka kandiduar për në Parlamentin zviceran me temën programore: “Çështjet e migrimit dhe integrimit”. Pastaj, ajo iu ka kthyer pasionit të saj për muzikës.

Në vitin 2018, ish Miss  Kosova, Kështjella Pepshi, puplikoi këngën e saj të parë: “Too Many Miles”.

Pas pak, ajo e lansoi edhe këngën e dytë: “Who Cares”, këngë që pat një sukses të madh.

Kështjella Pepshi, shquhet për vokalin e saj të mirë. Me pak fjalë, kjo këngëtare e re është duke shkuar rrugës së duhur, e në një të ardhme afërt pritet të bëhet një këngëtare me famë në fushën e muzikës./ KultPlus.com

Udhëtimin në Shqipëri, videografi hungarez e kthen në një film mahnitës

Udhëtimi dy mujor i ka dhuruar Peter Toth-it mjaft material për të krijuar një nga videot më të bukura të Shqipërisë.

Bashkë me partneren e tij, Cecilia Fazekas, Peter Toth kaloi më shumë se dy muaj në disa prej destinacioneve më të njohura të vendit. Fotot e tyre arrijnë të tregojnë magjinë e këtyre të fundit në mënyrë të përkryer. Çifti është shprehur se Thethi, Mali i Korabit, dhe Berati me Kanionin e Osumit kanë qenë disa prej vendeve që i kanë lënë pa fjalë.

Kanioni i Osumit. Foto nga Peter Toth dhe Cecila Fazekas.

“Zona malore veriore e Tethit dhe Valbonës është një pikë alpinizmi të nivelit botëror ashtu si edhe mali i Korabit në pjesën lindore. Ka disa qytete të vjetra shumë të veçanta dhe të lashta si Kruja, Gjirokastra apo Berati. Të tre janë ende relativisht të panjohur në botën ndërkombëtare të turizmit. Kanioni madhështor i Osumit është gjithashtu fenomen spektakolar por lista vazhdon me aq shumë atraksione të tjera natyrore as që është vërtet e vështirë të besohet.” – Peter Toth

Tashmë, Peter Toth, apo siç njihet në median sociale, @petey_dx ka lançuar filmin e tij të shkurtër ku përmbledh me mjeshtëri përvojën e tij në Shqipëri. Videon e gjeni në kanalin e tij të YouTube, i cili rreshton edhe plot vende të tjerë si Kroacia apo Montenegro dhe videot e tyre përkatëse.

“Duam t’ua dedikojmë këtë film shqiptarëve!”

Peter dhe Cecilia ua rekomandojnë Shqipërinë me shumë entuziazëm të gjithëve! Ata i falënderojnë veçanërisht vendasit për mikpritjen e tyre, ndihmën dhe tolerancën e tyre të pahasur prej çiftit në vendet e tjera. “Vërtet,” shkruan Peter Toth poshtë videos së tij, “një prej kombeve më të ngrohtë e mikpritës që kam takuar gjatë udhëtimeve të mia në botë!”

Video i fton udhëtarët e botës të eksplorojnë bukuritë e Shqipërisë. Aq bukur e prezanton vendin ky film sa ka shumë mundësi që të tërheqë vëmendjen e shumë prej tyre. Madje, Peter ofron edhe të ndihmojë me informacion të saktë të gjithë ata që mund të kenë pyetje për vendet e prezantuara./ IntoAlbania/ KultPlus.com

Zbuluan vaksinën kundër COVID-19, çifti turk merr vlerësimin e lartë nga Gjermania

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, do të dekorojë zbuluesit e vaksinës kundër COVID-19, Ozlem Tureci dhe Ugur Sahin, me Urdhrin e Meritës për kontributin e tyre në “frenimin e pandemisë së koronavirusit”.

Sipas mediave të huaja, themeluesit e BioNTech, Ozlem Tureci dhe Ugur Sahin, do të marrin “Kryqin Federal të Meritës” për zhvillimin e një vaksine kundër koronavirusit, njoftoi të premten zyra presidenciale e Gjermanisë.

Dhe ky do të jetë çmimi i parë i “Urdhrit të Meritës” i presidentit Gjerman Frank-Walter Steinmeier personalisht këtë vit.

Steinmeier e përgëzoi çiftin, duke thënë se ata kishin dhënë një kontribut vendimtar “në frenimin e pandemisë së koronavirusit”, shkroi presidenti në Facebook.

Ndërkohë bëhet e ditur, se përveç Steinmeier, edhe kancelarja gjermane Angela Merkel do të marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në Pallatin Bellevue më 19 mars./ KultPlus.com

Qyteti me më së shumti zona të mbrojtura në botë

Për shumicën e turistëve në Spanjë, Barcelona dhe Sevilja janë destinacionet kryesore për t’u vizituar, duke mënjanuar shpesh Kordobën, një nga qytetet me më shumë zona të mbrojtura nga UNESCO.

Kordoba, pjesë e Andaluzisë, që nga viti 2018, është qyteti i parë në botë që ka katër site të vlerësuara nga UNESCO, duke kaluar Romën dhe Parisin. Të përcaktuara nga një Komitet i Trashëgimisë Botërore, që përfshin përfaqësues të qeverive nga vende të ndryshme, këto site paraqesin, një vlerë të jashtëzakonshme universale dhe përmbushin një nga 10 kriteret, siç janë përfaqësimi i një tradite apo civilizimi kulturor ekzistent ose të zhdukur.

Ndër këto site, është edhe lagjja piktoreske historike, në zemër të Kordobës, ku guidat turistike, zakonisht këshillojnë që të vizitohet edhe për restorantet me gatime mjaft të mira, me produkte të zonës, si supa e ftohtë me domate dhe vaj ulliri. Zakonisht në këto zona, vaktet e darkës konsumohen vonë dhe më pas ndiqen nga një ritual shumë i dashur për spanjollët, konsumimi i një gote vere.

Më pas, vizita vazhdon në dy vendet e tjera të Trashëgimisë Botërore UNESCO, lagjja historike dhe Xhamia-Katedrale. Xhamia-Katedrale, e mbrojtur që nga viti 1984, u ndërtua midis vitit 784 dhe 786 si një xhami, por u shndërrua si katedrale në shekullin e 13-të, kur të krishterët erdhën në qytet. Struktura e shtrirë, me përmasa rreth 250 000 metra katrorë, është një ndërthurje e mrekullueshme e arkitekturës me mbishkrime dhe motive arabe. Atraksioneve të mbrojtura nga UNESCO iu shtohet një sinagogë e shekullit të 14-të, Alcazar; një kështjellë që daton që nga kohërat e pushtimit arab, dhe një numër i madh kishash, kryesisht të shekullit XIII dhe XIV.

Pjesë e UNESCO-s, janë dhe festivalet Patios, njohur si festivali që kremton ardhjen e pranverës, e ndaj njihet për shtëpitë e mbushura me lule, gjatë kësaj periudhe. Karafilat, trëndafilat dhe barbarozat janë më të zakonshme, por çdo oborr është i zbukuruar në mënyrë unike.

Këto janë pak nga gjërat që ofron një qytet historik si ai i Kordobës, ku ndërthuret kultura orientale e trashëguar nga pushtimi arab, me atë perëndimor vendas, çka e bën padyshim një destinacion përrallor për t’u vizituar, në çdo kohë./ KultPlus.com

Gjuha Shqipe

Poezi nga Ernest Koliqi:

Kendojnë bashkë në mengjese pesë kumbonare,
kendojnë në ajri mbi Shkoder ende fjetë:
mbi Maranaj qet vetllen kureshtare
agimi e hjedh në liqe synin e qetë.

Perhapë lajmin e zgjimit rrezja e parë
të parat përshëndetje dridhen në heshti të letë,
e shpejt në at lavdi dielli, qi e veshë fare
Shkodra kumbon me zane, zhurmë e jetë.

E ai diell prendvere i ri shprazet në shtepija
udha e lulishta tue ngjallë ngjyra e shkendija,
tue mbshtjellë gjithshka si nji tis ari, i hollë:

skaj në skaj si lum gzimi tue rreshqitë
në syt e vashave, qeshë, e mbush me dritë
kaçurrelat e tyne kur shkojnë në shkollë. / KultPlus.com

Libri shkollor i klasës së tetë: Robërit zezakë

Nuk janë të rralla rastet kur librat shkollor, prej të cilave mësojnë nxënësit përmbajnë gjuhë të urrejtjes racore, etnike, fetare e gjinore, shkruan KultPlus.

Një rast i tillë së fundmi është vërejtur në librin e klasës së tetë të lëndës së Gjeografisë.

Në fotografitë e shpërndara nga Kaltrina Jashari shohim se njerëzve me ngjyrë iu referohet si “zezakë” dhe “robër”.

Ministria e Arsimit si institucion i cili aprovon dhe boton këto libra, duhet të rishqyrtoj tekstet shkollore. / KultPlus.com

Magjia e ujëvarës së “zjarrtë”

Duket sikur llava po bie nga faqja e një mali, por në fakt është një iluzion optik, gjithsesi magjepsës. Fenomeni i rrallë, që quhet “rënia e zjarrit”, ndodh në Parkun Kombëtar “Yosemite” në Kaliforni, SHBA.

Ky fenomen ndodh në ujëvarë e quajtur “Bishti i kalit”, zakonisht në mes ose fund të shkurtit. Ujëvara është e vogël dhe zakonisht uji rrjedh vetëm në dimër. Por përgjatë disa ditëve në mes ose fund të shkurtrit perëndimi i diellit reflekton në ujëvarë dhe bën që uji të duket sikur është shndërruar në llavën e një vullkani.

Pamja spektakolare zakonisht tërheq mijëra vizitorë, por për shkak të pandemisë këtë vit autoritetet e Parkut Kombëtar kufizuan numrin e të pranishmëve. /express/ KultPlus.com

‘Zare moj dil ke fiku po të pret ashiku moj Zare, sa e bukur je’ (VIDEO)

Sopranoja me zërin e bukur, Tefta Tashko-Koço vite më parë i kishte dhënë zë këngës “Zare trëndafile”, e cila mbetet një vlerë në muzikën shqiptare, shkruan KultPlus.

Teksti me përplotë elegancë gërshetuar me fuqinë e Tashko-Koços në interpretim, bën që edhe shumë kohë më pas, kjo këngë të dëgjohet.

KultPlus ua sjell tekstin dhe këngën “Zare trëndafile”:

Zare trëndafile

Zare moj trëndafile

ç’naj bane me hile moj Zare

sa e bukur je

Zare moj dil ke shpia, 2x

po të prêt shoqënia moj Zare

sa e bukur je

Zare moj dil ke fiku 2x

po të prêt ashiku moj Zare

sa e bukur je

Zare dil ke mali 2x

po te prêt jarani, moj Zare

sa e bukur je / KultPlus.com

Rikthehet online festivali “Metrosound”

Teatri i Metropolit  sjell edicionin e tretë të “Festivalit MetroSound”. Ky event do të vijë për publikun nga data 28 shkurt deri më 21 mars. Sikurse çdo aktivitet artistik i mbajtur kohët e fundit, për shkak të pandemisë edhe ky aktivitet do të zhvillohet  online.

Ndryshe nga edicionet e mëparshme, ky edicion sjell dy risi që janë forma e transmetimit dhe zhanret e performuara.

Performancat e festivalit do të mund të ndiqen online çdo të diel, ora 20:00.

Programi muzikor i “MetroSounds 3” ka për qëllim të prezantojë dhe promovojë kulturën alternative shqiptare nëpërmjet katër perfomancave shumë të veçanta nga artistë të rinj nga Shqipëria dhe Kosova, DJ dhe bende bashkëkohorë.

Natën e parë të këtij eventi artistik do ta çelë artistja dhe DJ nga Kosova Oda Haliti, për të vijuar më pas çdo fundjavë me artistë të tjerë.

“Le të përdorim fuqinë emocionale të artit për të forcuar komunitetet tona artdashëse dhe për t’i shërbyer të mirës më të madhe shoqërore në këto kohë të vështira”, është apeli i artistëve. /ata/ KultPlus.com

“Muaji i kujtesës”: Përkujtohet poeti dhe dramaturgu Frederik Reshpja

Në kuadër të “Muajit të Kujtesës”, përkujtohet sot poeti dhe dramaturgu Frederik Reshpja.

“Homazh një prej poetëve më të jashtëzakonshëm shqiptarë, shpirtit të lirë Frederik Reshpja, përherë në kërkim të Itakës”, u shpreh ministrja e Kulturës, Elva Margariti duke sjellë në vëmendje figurën e poetit.

Frederik Reshpja lindi në qytetin e Shkodrës ndërsa rrënjët familjare i kishte nga Dukagjini. Shkollën fillore dhe atë të mesme e ndoqi në shkollën “29 Nëntori” në qytetin e lindjes, ndërsa studimet e larta i kreu në Pedagogjiken e Tiranës.

Pas përfundimit të studimeve ai rikthehet në Shkodër për të punuar edhe si specialist i kulturës. Gjatë jetës së tij ai krijoi shumë drama dhe poezi të cilat spikatën jashtëzakonisht shumë dhe u vlerësuan nga lexuesit por sidomos edhe nga kritika e kohës.

“Rapsodi shqiptare”, “Tri përralla për fëmijë”, dramat “Ëndrra e tokës” dhe “Trofta hutaqe” janë disa nga veprat e autorit. Në vitin 1975 vepra e tij hiqet nga qarkullimi me një urdhër të dalë nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës dhe më pas do të arrestohej dhe dënohej për disa herë me radhë me motivin se përbënte rrezik në dobësimin dhe rrëzimin e pushtetit të kohës.

Në fillim të viteve ’90 ai lirohet nga burgu për t’iu rikthyer edhe njëherë tjetër aktivitetit letrar. Pavarësisht pasurisë që ai la, më 17 shkurt të vitit 2006 vdes në Shkodër në një varfëri të skajshme. /ata/ KultPlus.com

“Martesa” e Çehovit sjell nostalgjinë për kohën që ikën në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit

Nata e katërt e “Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrit” ka vijuar mbrëmë me shfaqjen “Martesa” e A.P Çehov, një shfaqje e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit.

Kjo shfaqje është vënë në skenë nga regjisorja Driada Dervishi nën interpretimin e aktorëve Sanie Hoti, Vilma Hodo, Marsel Rupi, Ervin Doko, Eralda Çaushi, Mimoza Marjanaku, Suela Bako, Xhejn Fama, Adelina Muça, Amos Zaharia dhe Gjergj Doçi.

Komedia me 5 pjesë me një akt  “Martesa”, “Tragjik pa dashje”,  “Ariu”,  “Propozimi”, për t’u mbyllur me “Këngën e mjellmës”, është e konceptuar si një këngë nostalgjie për kohën që ikën, një nostalgji lirike, që përshkruan gjithçka.

Gjithçka ndodh në një martesë, nga të kurdisurat për interes nga e ëma e vajzës. Aty gjen nusen, që do të argëtohet, e një dhëndër koprac. Po ashtu një bashkëshort, që është lodhur nga përgjegjësitë e ngarkesa që i jep çdo ditë e shoqja, e që do të pengojë dhëndrin të martohet, duke i treguar sesi do të jetë pas një viti martese jeta e tij. Një vejushë elegante dhe plot sharm takon një pronar tokash dhe takimi përfundon në një duel! Një djalë i ri, i dashuruar, vendos të propozojë vajzën e ëndrrave të tij për martesë, mirëpo situata shkon në një debat mbi pronat, ku përfshihet gjithë familja.

Në fund, si në fund të çdo dasme, në fakt si në fund të çdo shfaqjeje, reflektim mbi kohën që ikën dhe të bukurën që nuk qëndron.

Festivali ka regjistruar në këto netë një numër të konsiderueshëm të ndjekësve të cilët nëpërmjet faqes zyrtare të teatrit, kanë pasur mundësi të ndjekin shfaqjet.

Festivali vijon sot me shfaqjen e radhës e cila është shfaqja e teatrit të qytetit të Gjilanit “Aylan” me regjinë e Blerta Neziraj. /ata/ KultPlus.com