A mund të bashkohet bota kundër armikut të përbashkët: ngrohjes globale?

Samiti i Kombeve të Bashkuara për klimën këtë vit rishtron një pyetje urgjente për komunitetin ndërkombëtar: A mund të bashkohet bota për t’u përballur me armikun e përbashkët të ngrohjes globale përpara se të jetë tepër vonë?

Bisedimet, që nisin të dielën në Skoci, kanë qenë gjithmonë të tensionuara, por pandemia e koronavirusit, kriza ekonomike që e ka pasuar dhe kriza e fundit e energjisë pritet të bëjnë edhe më shumë presion në takimin dyjavor.

Vendet e pasura u kanë borxh të varfrave

Premtimi i vendeve të pasura për të mbledhur 100 miliardë dollarë çdo vit për vendet e varfra – në mënyrë që këto të fundit t’i përballojnë ndryshimet klimatike – duket se nuk është përmbushur në vitin 2020. Vlerësimet për vitin 2019 tregojnë se financimet ishin rreth 80 miliardë dollarë.

Një formulë të caktuar se sa apo si duhet të kontribuojnë vendet në total, nuk ka.

Por, Instituti i Burimeve Botërore, me bazë në Uashington, ka vlerësuar se vetëm disa vende të pasura, përfshirë: Francën, Japoninë, Norvegjinë, Gjermaninë dhe Suedinë kanë dhënë shuma të bollshme. Shtetet e Bashkuara, Australia dhe Kanadaja kanë qenë shumë larg.

Por, Instituti i Burimeve Botërore, me bazë në Uashington, ka vlerësuar se vetëm disa vende të pasura, përfshirë: Francën, Japoninë, Norvegjinë, Gjermaninë dhe Suedinë kanë dhënë shuma të bollshme. Shtetet e Bashkuara, Australia dhe Kanadaja kanë qenë shumë larg.

Një zgjidhje e propozuar këtë javë është që pagesat të jenë mesatarisht 100 miliardë dollarë në vit – nga viti 2021 deri më 2025, ndërsa mungesat e viteve të mëparshme të kompensohen me pagesa më të larta më vonë.

Vendet në zhvillim pritet t’i shfrytëzojnë bisedimet në Gllasgou të Skocisë për të kërkuar para për projekte, të cilat synojnë përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike. Për momentin, pjesa më e madhe e financimit shkon drejt reduktimit të emetimeve.

Vendet e varfra gjithashtu këmbëngulin se është koha për të sqaruar se kush do të paguajë për dëmet që u ka shkaktuar vendbanimeve moti ekstrem.

“Njerëzit tanë po vuajnë në mënyra të ndryshme si rezultat i një krize, në të cilën kanë kontribuar pak”, ka thënë Sonam P. Wangdi nga Butani, i cili në bisedime kryeson grupin e vendeve më pak të zhvilluara.

Tregtimi i karbonit

Disa punë të papërfunduara nga Samiti i Klimës në Paris, në vitin 2015, përfshijnë rregullat për tregtimin ndërkombëtar të karbonit, i cili shihet si një instrument kyç për kontrollimin e forcave të tregut në luftën kundër ngrohjes globale.

Negociatorët nuk kanë arritur të finalizojnë këtë pjesë të rregullores së Parisit në Madrid, dy vjet më parë. Ata do të bëjnë përpjekje të reja në Gllasgou.

Në njërën anë do të jenë vendet që duan rregulla më të rrepta për të shmangur vërshimin e kuponëve të pavlefshëm të karbonit në treg.

Në anën tjetër do të jenë vendet në zhvillim, që këmbëngulin se certifikatat e grumbulluara në bazë të marrëveshjeve të mëparshme, duhet të respektohen.

Rregullat janë kritike, sepse për shumë vende dhe kompani – që të arrijnë në zero emetime deri në mes të shekullit – ndotja do të duhet të balancohet nga një sasi e barabartë karboni që kapet gjetkë, si për shembull nëpërmjet pyjeve ose mjeteve teknologjike.

Krijimi i një tregu ndërkombëtar të karbonit paraqet gjithashtu një mundësi për të mbledhur para përmes tarifave të transaksionit, por kush i menaxhon ato dhe si, mbetet çështje e pazgjidhur.

Sigurimi i transparencës

Transparenca është një element kyç i bisedimeve, sepse natyra vullnetare e Marrëveshjes së Parisit nënkupton që vendet të shikojnë se çfarë përparimi bëjnë të tjerët, përpara se t’i rrisin objektivat e tyre edhe për një shkallë.

Një tjetër debat përqendrohet rreth kornizës kohore për raportimin e objektivave të reja, për uljen e ndotjes.

Marrëveshjet aktuale kërkojnë që vendet e zhvilluara të vendosin objektiva të reja çdo pesë vjet, por disa pjesëmarrës duan të kalojnë në premtime vjetore, së paku derisa bota të jetë në rrugë të duhur për të përmbushur synimet e vendosura me Marrëveshjen e Parisit.

Metani

Metani, përbërës kryesor i gazit natyror dhe nënprodukt në bujqësi, është anashkaluar në njëfarë mënyre në negociatat e kaluara.

Ai është rreth 20 herë më i fuqishëm se dioksidi i karbonit, por qëndron në ajër vetëm për rreth një dekadë.

Reduktimi i emetimeve, duke rregulluar rrjedhjet në tubacionet e gazit dhe duke kufizuar ndezjet në vendet e shpimit, do të ofronte një përmirësim të vogël, por të dukshëm.

Bota nuk mund ta zgjidhë problemin e klimës pa reduktuar metanin, thotë Kelly Levin, shefe e shkencës, të dhënave dhe ndryshimit të sistemeve në Fondacionin Bezos Earth.

Zotimi për 45%

Zotimi për të reduktuar emetimet për 45% deri në vitin 2030 – krahasuar me nivelet e vitit 2010 – nuk është aq shumë një pikë negocimi, sa është një qëllim i vendosur nga OKB-ja, që bisedimet të konsiderohen të suksesshme.

Deri më tani, emetimet janë në rritje, jo në rënie.

Përgjysmimi i emetimeve në dekadën e ardhshme konsiderohet si një hap kyç në rrugën drejt zero emetimeve në vitin 2050, që shkencëtarët thonë se është e vetmja mënyrë për të arritur qëllimin e Marrëveshjes së Parisit për të kufizuar ngrohjen globale në 1.5 gradë Celsius deri në fund të shekullit./REL/KultPlus.com

Koleksioni i Harry Potter me mbi 5000 artikuj fiton Rekordin Botëror Guinness

Një grua nga Uellsi fitoi një rekord botëror Guinness për koleksionin e saj prej 5,284 pjesësh të kujtimeve të Harry Potter.

Tracey Nicol-Lewis tha për Guinness World Records se ajo filloi të mbledhë mallra nga seria e librave të JK Rowling dhe përshtatjet e filmit në vitin 2002. Si pasojë, koleksioni i saj tani përfshin libra të edicionit special, lodra, zinxhirë çelësash, ilustrime, kopje reserve, komplete Lego dhe më shumë.

Nicol-Lewis, dasma e së cilës ishte me temë Harry Potter, tha se koleksioni i saj zë tre dhoma të tëra të shtëpisë së saj.

Rekordi i mëparshëm i përkiste banores së Uellsit, Victoria Maclean, e cila grumbulloi një koleksion prej 3,686 artikujsh./KultPlus.com

Infektohet me COVID-19, Jon Bon Jovi anulon koncertin në Miami pak minuta para daljes në skenë

Jon Bon Jovi anuloi koncertin e tij të së shtunës (30 tetor) në Miami, pasi u diagnostikua me COVID-19.

Publiku kishte mbërritur tashmë në “Loews South Beach” kur një person në skenë thuhet se njoftoi se Jon, 59 vjeç, ‘ndihet mirë’ por nuk do të shfaqej për shkak se rezultoi pozitiv për COVID-19.

Media lokal e lajmeve WSVN deklaruan se pavarësisht mungesës së Jon, anëtarët e tjerë të grupit të tij e kryen performancën e tyre, pasi testuan negativ në testin e COVID-19, shkruan DailyMail.

Grupi i tij “Bon Jovi” përfshin kitaristin Phil X, bateristin Tico Torres, basistin Hugh McDonald dhe tastieristin David Bryan.

Gjatë një interviste me Sky News Jon kishte inkurajuar mbajtjen e maskave dhe shprehu shqetësimin e tij se sa politike ishte bërë subjekti.

“Dhe pastaj jemi në një vend ku ne jemi të politizuar një maskë. Kjo është e gabuar”, argumentoi Jon, grupi i të cilit u formua për herë të parë në 1983.

“Nëse një maskë do të ndalonte përhapjen, nëse për asgjë tjetër veçse respektin ndaj fqinjit dhe mikut tuaj, ju keni një copë leckë në hundë, kjo nuk është një punë e madhe, nuk është një sakrificë e madhe”, kishte deklaruar artisti.

Një nga performancat e tij të profilit të fundit ishte në fillim të këtij viti kur ai ishte një nga aktet muzikore në inaugurimin e Joe Biden.

Në vend të një prej këngëve të tij, ai këndoi “Here Comes The Sun” nga The Beatles.

Kujtojmë që tetorin e kaluar ai dhe grupi i tij publikuan gjithashtu një album të quajtur “2020”, duke përshkruar disa nga ngjarjet e vitit të turbullt dhe sfidues me pandeminë./KultPlus.com

Alec Baldwin flet për herë pas vrasjes aksidentale të Halyna Hutchins në xhirimet e filmit “Rust”

Alec Baldwin ka folur pas incidentit fatal në xhirimet e filmit të tij “Rust”, i cili rezultoi me vrasjen aksidentale të kineastes Halyna Hutchins, nga aktori i famshëm.

Fituesi i trefishtë i çmimit “Emmy”, 63 vjeç, dhe gruaja e tij Hilaria Baldwin folën me paparacët të shtunën në Vermont.

Edhe pse e bëri të qartë se nuk mund të komentonte mbi hetimin e hapur, aktori tha disa fjalë për Hutchins, 42-vjeçare, në një video të shpërndarë nga TMZ.

“Ajo ishte shoqja ime”, u tha Baldwin mediave, shkruan People.

“Ditën që mbërrita në Santa Fe për të filluar xhirimet, e çova në darkë me Joel [Souza], regjisorin. Ne ishim një ekip shumë, shumë i afërt duke xhiruar një film së bashku, dhe më pas ndodhi kjo ngjarje e tmerrshme”, u shpreh aktori.

Ai gjithashtu tha se ka qenë në kontakt me bashkëshortin e Halyna-s, Matthew Hutchins dhe djalin e tyre 9-vjeçar Andros.

“Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me të sepse jemi shumë të shqetësuar për familjen dhe fëmijën e tij”, shtoi Baldwin.

Të shtunën, Baldwin shprehu mbështetjen e tij për reformën e përdorimit të armëve të zjarrit në filma dhe televizion, pasi incidenti ka bërë që Hollywood të ndërmarrë veprime lidhur me këtë.

“Unë e di se një përpjekje e vazhdueshme për të kufizuar përdorimin e armëve të zjarrit në shesh-xhirime është diçka për të cilën jam jashtëzakonisht i interesuar”, tha ai.

“Kjo nuk është për mua ta vendos. Është urgjente të kuptoni se unë nuk jam ekspert në këtë fushë. Pra, çfarëdo që të tjerët të vendosin se është mënyra më e mirë për të ecur në drejtim të mbrojtjes së sigurisë së njerëzve në xhirimet e filmit, unë jam i gjithë pro dhe do të bashkëpunoj me këtë në çdo mënyrë që të mundem”, vazhdoi tutje aktori.

Kjo ishte hera e parë që Baldwin foli për incidentin tragjik në publik, më herët ai publikoi një deklaratë në Twitter menjëherë pas ngjarjes tragjike.

“Nuk ka fjalë për të përshkruar tronditjen dhe pikëllimin tim në lidhje me aksidentin tragjik që i mori jetën Halyna Hutchins, një gruaje, nëne dhe kolege e jona shumë e admiruar. Unë jam duke bashkëpunuar plotësisht me hetimin e policisë për të adresuar se si ndodhi kjo tragjedi dhe jam në kontakt me bashkëshortin e saj, duke i ofruar mbështetjen time atij dhe familjes së tij. Më është thyer zemra për burrin e saj, djalin e tyre dhe të gjithë ata që e njihnin dhe e donin Halynën”, kishte shkruar Baldwin./KultPlus.com

‘Nënat’

Poezi nga Azem Shkreli

Ato lahen në gazin
tonë e në lotët e tyre.

Bëhen rojë murane
te krojet e shtera të gjirit.

Në ballin tonë për herë
u bëjnë dritë shejt gishtat.

Ditët na i prarojnë dhe rrugët
me nga një bekim më t’mirin.

Me rrëmetën e krrusur t’moteve
na ruajnë nga hijet e liga.

Një ditë shkojnë si të shkonin,
të mos vijë më vdekja.

E s’na kërkojnë asgjë,
pos një grusht dhe mbi krye.

Shkojmë. E sa herë vdes nënë,
vdes nënëmira ime./KultPlus.com

Yllka Gashi kërkon nga Spanja ta njohë Kosovën shtet

Yllka Gashi, aktorja më e mirë në Javën e 66-të të Filmit Ndërkombëtar të Valladolidit (Seminci) për rolin e saj kryesor në filmin “Zgjoi”, me regji të Blerta Bashollit, ka shprehur dëshirën e saj që Spanja ta njohë Kosovën si shtet.

“Do ta përdor zërin tim sonte për të shprehur një ëndërr që unë si artiste kosovare dhe i gjithë populli im e kam: që vendet tona të bukura, Spanja dhe Kosova, së shpejti të krijojnë lidhje diplomatike që Spanja ta njohë Kosovën”, tha Gashi, duke shtuar se të dyja vendet ndajnë më shumë të përbashkëta sesa ato që i ndajnë.

Ajo këto komente i bëri gjatë gala përmbyllëse të festivalit, pasi kujtoi se artistët janë “ambasadorët dhe përfaqësuesit më të mirë të vendeve të tyre” dhe se kanë në dorë “një mjet të veçantë” që mund ta përdorin për të “luftuar për ndryshim dhe ndryshim dhe ngre zërin”, transmetojnë mediat spanjolle./KultPlus.com

U shpall aktorja më e mirë, Osmani: Yllka, jemi shumë krenarë me ty

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka reaguar pasi që Yllka Gashi është zgjedhur aktorja më e mirë në “Festival de Cine” në Spanjë.

“Kjo grua e jashtëzakonshme është shndërruar nga një aktore në ekranet tona televizive të Kosovës në një superstar ndërkombëtar”, shkruan Osmani në Twitter.

“Yllka, jemi shumë krenarë për ty! Performanca juaj në #Hive solli në jetë luftën e grave të Krushës – vërtet e merituar”, shton Osmani./KultPlus.com

Vjen në gjuhën shqipe libri ‘Edinburgu’ nga autori skocez Robert Louis Stevenson

Është publikuar në gjuhën shqipe, me përkthim nga Elvi Sidheri, libri “Edinburgu” nga autori i shquar skocez Robert Louis Stevenson.

Robert Louis Stevenson i cili është autori i Ishullit të Thesarit dhe Dr Jekyll dhe Mr Hyde, botoi këtë libër në vitin 1878.

Stevenson përshkruan imtësisht (me një anglishte qartësisht skoceze) në çdo hollësi dhe nuancat më grishëse, qytetin e tij të dashur, pikërisht Edinburgun, kryeqytetin hijerëndë dhe pakëz të zymtë të Skocisë, ku pleksen e ndërthuren skutat, njerëzit dhe historitë mesjetare të këtij qyteti gotik, por tepër të gjallë në shpirtin e tij./KultPlus.com

Do të vijë vdekja dhe do t’i ketë sytë e tu

Poezi nga Cesare Pavese
Përktheu: Orjela Apolloni

Do të vijë vdekja dhe do t’i ketë sytë e tu,
kjo vdekje që nuk na ndahet nga
mëngjesi deri në mbrëmje, e pagjumë,
e shurdhët, si një pendim i vjetër,
a një ves i pakuptimtë. Sytë e tu
do të jenë një fjalë e kotë,
një britmë e mbytur, një heshtje.
Të tillë i sheh çdo mëngjes
kur e vetme përkulesh
para pasqyre. O shpresë e dashur,
atë ditë do ta dimë edhe ne
që je jeta dhe asgjëja.
Për të gjithë vdekja ka një shikim.
Do të vijë vdekja dhe do t’i ketë sytë e tu.
Do të jetë si të heqësh dorë nga një ves,
si të shohësh një fytyrë të vdekur
tek rishfaqet në pasqyrë,
si të dëgjosh një buzë të mbyllur.
Të heshtur do të biem në humnerë./KultPlus.com

Përkujtohet Branko Merxhani, ekspozitë për shkrimet e tij që nisin prej vitit 1927

Me rastin e 40-vjetorit të vdekjes së Branko Merxhanit, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë ka shfaqur, ekspozitën kushtuar njërës prej figurave më interesante, e në shumë aspekte më aktuale të mendimit e publicistikës shqiptare.

Ekspozita rindërton rrugëtimin e veprimtarisë së tij 16-vjeçare në Shqipëri, gjatë të cilit Merxhani u bë një ndër figurat më ndikuese në botën kulturore shqiptare.

Rrugëtimi fillon, natyrisht, me shkrimet e tij të para në gazetën “Demokratia”, të botuar në Gjirokastër, duke filluar nga viti 1927.

Ekspozita pasqyron veprimtarinë e tij në disa prej organeve më të rëndësishme të shtypit të kohës, si te të përmuajshmet “Illyria” dhe “Minerva”, apo te “Koha e re”, e drejtuar nga Petro Marko. Por emri i Branko Merxhanit lidhet, para së gjithash, me revistën e përmuajshme ”Përpjekja Shqiptare”, të botuar prej tij nga viti 1936 deri në vitin 1939, vit ky kur ai largohet nga Shqipëria, pas pushtimit Italian, për të mos u kthyer më kurrë.

E veçanta e kësaj ekspozite është përfshirja në të e një sërë materialesh arkivore origjinale, në sajë të bashkëpunimit me Arkivin e Shtetit. Po ashtu, në të ekspozohet dorëshkrimi i një drame të tij të pabotuar. Për ta bërë ekspozitën sa më të plotë, do të shfaqet dhe një dokumentar i shkurtër kushtuar figurës dhe veprës së Branko Merxhanit, prodhim i televizionit “Top Channel”, me autor Artan Puton.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri në datën 5 nëntor 2021./KultPlus.com

Albumi Ade Duo, Adea Badivuku dhe Deniz Caglarcan sjellin duetin ‘Can’t Help Falling in Love’

Pianistja kosovare, Adea Badivuku së fundi ka publikuar një cover të këngës së Elvis Presley ‘Can’t Help Falling in Love’, në bashkëpunim me violistin Deniz Caglarcan, shkruan KultPlus.

Njoftimin e ka dhënë vetë pianistja përmes një postimi në Facebook.

“Pas një pune të gjatë, jam shumë e lumtur të ndaj me gjithë ju Single-in tonë “Can’t Help Falling in Love”. Falenderim i veqantë i takon Komunës së Vushtrrisë, Shkollës së Muzikës “Tefta Tashko” Vushtrri dhe gjithë ekipës që kontribuan në realizimin e këtij projekti. Shpresoj të iu pelqej! “-ka shkruar Badivuku./KultPlus.com

Yllka Gashi flet pas pranimit të çmimit në Spanjë: Ka qenë nderi i jetës sime të luaj këtë rol dhe të nderoj Fahrijen

Aktorja Yllka Gashi ka marrë çmimin për aktoren me të mirë, për portretizimin e Fahrije Hotit në Festivalin spanjoll “Seminci”.

Gashi ka deklaruar se ka qenë një nder i jetës të luajë rolin e Fahrije Hotit gjatë pranimit të çmimit.

“Është një histori e veçantë, specifike, e që ndodh në Kosovë, por është gjithashtu një histori universale që frymëzon këdo në botë. Sepse tregon historinë e dikujt që vuan por që i duhet të kalojë këtë situatë e të arrijë qëllimet e veta. Është një histori e vërtetë dhe më pëlqen që në filma mund të shohësh edhe gra të forta, jo vetëm viktima. Pra të shohësh gra që janë të afta të marrin në dorë fatin e tyre. Ka qenë nderi i jetës sime të luaj këtë rol dhe të nderoj Fahrijen”, ka thënë Gashi./KultPlus.com

Torta me fruta të thata që u përgatit gjatë Luftës së Dytë Botërore

Arkeologët kanë bërë, së fundmi, një zbulim mahnitës, duke gjetur një tortë me lajthi dhe bajame gati 80-vjeçare, e cila mendohet të jetë përgatitur gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe të jetë djegur e karbonizuar pas sulmeve ajrore me bomba.

Torta, e cila ishte ende e mbështjellë me letër dylli, u zbulua në një bodrum në qytetin-port të Lübeck, – një qytet historik gjerman që gjatë luftës u rrafshua nga një sulm britanik. Përveç tortës, u gjetën edhe sende të tjera, si pjata, filxhanë dhe lugë për shërbimin e kafesë.

Ekspertët Lisa Renn dhe Doris Mührenberg vunë në dukje se torta ende ka afërsisht të njëjtën formë si kur ishte e pjekur. Ajo gjithashtu ka ruajtur mbushjen e saj me fruta të thata, si dhe dekorimet e sheqerit. Torta ka të ngjarë të jetë djegur gjatë sulmit ajror të vitit 1942, i cili ndodhi midis 28 dhe 29 marsit.

Sipas studiuesve, është e mundur që torta dhe kafeja e gjetur do të përdoreshin për një festival ose ndoshta për festën e së Dielës së Palmës, çka tregon më shumë për jetën sociale dhe kulturore të qytetit në ato kohë të vështira lufte./KultPlus.com

Etnografia e trevave shqiptare përmes ekspozitës fotografike në Pogradec

Vlerat etnografike nga trevat shqiptare, erdhën përmes  ekspozitës fotografike “Etnos” në Galerinë e Artit të Qendrës Kulturore “Lasgush Poradeci”, në Pogradec.

Mbrëmjen e së premtes 13 autorë shpalosën vlerat etnografike nga mbarë trevat shqiptare, Shqipëria, Kosova, Mali Zi, Maqedonia e Veriut madje dhe nga Arbëreshët e Italisë.

Fotot artistike nga trevat shqiptare me elementët më të spikatur identifikojnë krahina e zona shqiptare që shquhen edhe për traditën, kulturën dhe bukuritë natyrore.

Telajoja e një fotoje të madhe, bëhen bashkë xhubleta, fustanella, tirqet, xhamadani dhe kjo vetëm nëpërmjet syrit të fotografëve që i kanë kërkuar, gjetur dhe fiksuar për të përcjellë traditën dhe për të treguar se arti merr vlerë të dyfishtë, një herë përmes shpirtit të duarve, kur janë punuar këto kostume të mrekullueshme dhe një herë përmes syrit, kur janë fiksuar para objektivit./KultPlus.com

“Zgjoi” fitues i dyfishtë në Spanjë

Festivali spanjoll “Seminci” ka bërë të ditur fituesit në kategoritë kryesore. Aktorja Yllka Gashi ka marrë Çmimin për aktoren më të mirë, për portretizimin e Fahrije Hotit. E “Zgjoi” nën regji të Blerta Bashollit ka fituar Çmimin “Fundos”.

“Është një histori e veçantë, specifike, e që ndodh në Kosovë, por është gjithashtu një histori universale që frymëzon këdo në botë. Sepse tregon historinë e dikujt që vuan, por që i duhet të kalojë këtë situatë e të arrijë qëllimet e veta. Është një histori e vërtetë dhe më pëlqen që në filma mund të shohësh edhe gra të forta, jo vetëm viktima. Pra të shohësh gra që janë të afta të marrin në dorë fatin e tyre. Ka qenë nderi i jetës sime të luaj këtë rol dhe të nderoj Fahrijen”, ka thënë Gashi gjatë pranimit të çmimit.

Filmi shpalos rrëfimin e Fahrije Hotit dhe grave nga Krusha e Madhe. Drama e jashtëzakonshme është e bazuar në ngjarje të vërteta të grave që kanë mbetur të veja për shkak të luftës, të cilat luftojnë kundër patriarkatit. Gashi luan rolin e Fahrije Hotit.

Festivali Ndërkombëtar i Valladolidit sivjet po e mban edicionin e 66-të./KultPlus.com

Nesër fillon llogaritja dimërore e kohës

Nesër (e diel), në orën 03:00, fillon llogaritja dimërore e kohës. Akrepat e orës do të shkojnë një orë prapa, nga ora 03:00 në orën 02:00.

Llogaritja dimërore e kohës fillon fundjavën e fundit të tetorit dhe zgjat deri në fundjavën e fundit në mars të vitit të ardhshëm kur fillon llogaritja verore e kohës.

Ndryshimi i kohës në Evropën Perëndimore u vendos në fillim të viteve 1970 me arsyetimin se me atë zgjatet dita, mundësohet kursimi i energjisë elektrike, rritet produktiviteti, përmirësohet përshtatja e njerëzve dhe dita e punës bëhet më efikase.

Kalimi nga koha e verës në atë të dimrit për herë të parë u shënua në vitin 1916 në vendet e Evropës Veriore ndërsa deri më tani është vendosur në rreth 70 shtete, kryesisht në hemisferën veriore./KultPlus.com

‘Mjeshtër i Madh’ për këngëtaren Eranda Libohova

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka vlerësuar këngëtaren e njohur Eranda Libohova me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, ku ishin të pranishëm familjarë dhe artistë të shumtë, Meta tha se “jam i lumtur, që ndodhemi së bashku, për të vlerësuar një personalitet shumë të dashur të publikut tonë dhe një artiste të shquar, këngëtaren Eranda Libohova”.

“Muzika na rrethon në çdo moment të jetës dhe na prek emocionalisht shpesh më shumë edhe sesa vetë fjalët. Të gjithë kemi këngë, që na kanë shoqëruar në momente të caktuara të jetës dhe që kur i dëgjojmë, edhe pas shumë vitesh dhe dekadash, na sjellim menjëherë ndërmend kujtime. Të tilla janë dhe këngët e Erandës, që kanë qenë një lajtmotiv në momente të caktuara të jetës sonë. Eranda Libohova u rrit në një familje, ku të gjithë pjesëtarët e saj, kishin një tërheqje ndaj artit dhe muzikës. Me pasionin për këngën dhe me një talent të veçantë artistik, ende adoleshente, ngjiti për herë të parë shkallët e skenës së artit profesionist, duke interpretuar në Festivalet e Këngës”, u shpreh ai.

Teksa vuri në dukje se, dueti i jashtëzakonshëm i motrave Libohova, u kthye në një simbol të muzikës argëtuese, me këngë hite dhe bashkëpunime shumë të suksesshme, kryesisht por jo vetëm me autorin e mirënjohur Agim Krajka.

“Çmimet e njëpasnjëshme, në projekte të ndryshme muzikore, janë shoqëruar me duartrokitjet e pambarim të publikut artdashës, që i ka mbështetur me shumë dashuri. Këto suksese i dhanë Erandës garancinë dhe sigurinë për të performuar më pas e vetme, duke krijuar një karakter krejt unik, në panoramën e këngës shqiptare, dhe duke lënë gjurmë ndër breza me hitet e saj. Ajo u shndërrua në një artiste me profil të konsoliduar dhe e përzgjedhur nga mjaft artistë të njohur të muzikës dhe poezisë shqipe, si Balliçi, Mullahi, Jorganxhi, Ishmaku etj. Në repertorin e saj, renditen dhjetëra hite, nga krijimtaria më e mirë muzikore e kompozitorëve tanë shquar. Por Eranda, me zërin e saj të bukur, ka interpretuar edhe qindra këngë popullore e tradicionale, që përfshijnë të gjitha zhanret dhe trevat muzikore, nga veriu në jug. Mjeshtëria vokale, aftësia për t’iu përshtatur ngjyrave e karakteristikave specifike të rrymave muzikore, fuqia interpretuese, vokali i ngrohtë, janë vetëm disa nga tiparet e Erandës si artiste”, tha Meta.

Presidenti theksoi se, “plot 35 vjet karrierë e shkëlqyer muzikore, dëshmojnë për një artiste të formuar, ku spikat talenti i lindur dhe profesionistja e vërtetë, si një nga zërat më të çmuar të muzikës tonë. Për të gjithë kontributin e saj në evidentimin e vlerave më të mira artistike kombëtare, kam privilegjin të vlerësoj, në praninë tuaj këngëtaren e shquar Eranda Libohova me Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’”./atsh/KultPlus.com

Përkujtohet në 4 vjetorin e vdekjes, regjisori Mihallaq Luarasi

Si sot, më 30 tetor të vitit 2017, në moshën 88 vjeçare u nda nga jeta regjisori Mihallaq Luarasi.

Luarasi lindi më 16 shtator 1929 në Korçë. Shkollën e mesme e kreu në liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë, ndërsa studimet e larta në Akademinë e Arteve të Teatrit dhe Filmit në Budapest të Hungarisë.

Për herë të parë në teatër si regjisor paraqitet me tragjedinë Shilerit “Intrigë dhe dashuri” në vitin 1957 në Teatrin Popullor, spektakël që qëndroi në repertor shtatë vjet dhe u luajt mbi 300 herë.

Mihal Luarasi është njëri nga tre regjisoret e shquar të periudhës më të ndritur e cilësore të teatrit shqiptar në vitet 1957-1973: Luarasi – Spahivogli – Mani. Për arsyet që dihen, në Teatrin Kombëtar Luarasi vuri pak pjesë, por ato u dalluan për cilësinë dhe nivelin e lartë artistik, si: “Dragoi i Dragobisë”, “Dhelpra dhe rrushtë” (fituese e të gjitha çmimeve të para në Festivalin e II-të kombëtar të teatrove), “Mosha e bardhë”, “Banorët e shkallës nr. 6”, “Rrugë të tërthorta”, “Një dashuri e tille”. Më 1996 vë për herë të parë në skenë në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës dramën “Cuca e maleve”.

Luarasi është referencë e një prej momenteve më të rëndësishme në historinë e teatrit shqiptar, që lidhet me dënimin e tij në diktaturë, për shfaqjen “Njollat e Murrme”. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave publikoi sot kritikën e kësaj vepre. / KultPlus.com

Sa mirë i mbron BE gazetarët?

Katër vjet pas vrasjes së gazetares, Daphne Caruana Galizia, kërcënimi ndaj gazetarëve në BE është rritur. Brukseli premton më shumë masa për të mbrojtur punonjësit e medias.

Kur Daphne Caruana Galizia u vra në një sulm me bombë me makinë më 16 tetor 2017, kjo shkaktoi shqetësim jo vetëm në Evropë, por në mbarë botën. Por gazetarja malteze nuk është e vetmja që i është dashur të paguajë me jetën e saj për hulumtimet e saj mbi korrupsionin dhe pastrimin e parave.

Në katër vjet që nga vdekja e saj, janë vrarë edhe kolegë të tjerë si Jan Kuciak nga Sllovakia, Giorgos Karaivaz nga Greqia dhe Peter de Vries nga Holanda. Në Evropë – kontinenti që konsiderohet një strehë relativisht e sigurtë për profesionistët e medias.

“Maja e ajsbergut”

Julie Majerczak, udhëheqësja e zyrës së Reporterëve pa Kufij (ROG) në Bruksel, tha për DW se situata është përkeqësuar vazhdimisht vitet e fundit. “Vrasja e gazetarëve është vetëm maja e ajsbergut”, thotë ajo.

Sipas të dhënave të Komisionit Evropian, 900 punonjës të mediave u sulmuan në BE në vitin 2020. Këto përfshinin sulme fizike, por edhe fyerje dhe ngacmime, veçanërisht ndaj grave, si offline dhe online.

Për Manuel Delian, këto rezultate nuk janë befasuese. Blogeri dhe aktivisti investigativ maltez që udhëhoqi protestat antiqeveritare pas vrasjes së Caruana Galizia së fundmi u largua nga Malta me familjen e tij dhe shkoi në një vend të pazbuluar.

Thirrje anonime

Ai u kërcënua nga të akuzuarit për bashkëpunim në vrasjen e Caruana Galizia; ai mori telefonata të panumërta anonime dhe u krijuan faqe interneti të rreme në emër të tij për të shkatërruar reputacionin e tij.

Vrasja e Caruana Galizia-s pati një “efekt paradoksal” në gazetarinë në Maltë, tha ai për DW. Nga njëra anë, fakti që shumica e të dyshuarve janë akuzuar dhe krimet e tyre janë ekspozuar krijon një “ndjenjë sigurie”.

Nga ana tjetër, ai dhe gazetarë të tjerë janë portretizuar në mediat e Partisë Laburiste në pushtet si tradhtarë dhe një kërcënim për demokracinë malteze. Ky “izolim”, siç e quan Delia, u jep kriminelëve mundësinë për të ushtruar presion të mëtejshëm ndaj atyre nëpërmjet blogjeve, faqeve të rreme apo e-mail-eve.

Polonia ndjek hapat e Orbanit

Edhe në Poloni, situata është përkeqësuar që nga viti 2015, kur partia e djathtë Ligj dhe Drejtësi (PiS) erdhi në pushtet. Presioni ndaj gazetarëve që raportojnë në mënyrë kritike për PiS është rritur, sipas gazetarit investigativ polak Wojciech Ciesla.

Ciesla punon për ekipin kërkimor shumëkombësh “Investigate Europe”.“Unë mendoj se Polonia aktualisht po ndjek hapat e Viktor Orban në Hungari për të kufizuar lirinë e shtypit,” thotë ai. Çdo ditë është një luftë për akses në informacion, pasi qeveria vendos se kush ka “privilegjin” të jetë i informuar. Përvojat e gazetarëve si Delia dhe Ciesla nuk kanë kaluar pa u vënë re në Bruksel. Komisioni i BE-së kohët e fundit premtoi të marrë më shumë masa për të mbrojtur gazetarët.

Shefja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen ia kushtoi një pjesë të tërë të fjalimit të saj mbi raportin e situatës së BE-së në shtator, lirisë së shtypit. “Informacioni është një e mirë publike”, tha ajo. “Ne duhet të mbrojmë ata që krijojnë transparencë – gazetarët.”

Strehimore për gazetarët

Në të njëjtën ditë, Komisionerja Vera Jourova, përgjegjëse për ruajtjen e sundimit të ligjit në BE, paraqiti një paketë rekomandimesh për të ndihmuar vendet e BE-së të mbajnë këtë premtim. Masat specifike përfshijnë ngritjen e shërbimeve të pavarura kombëtare mbështetëse, duke përfshirë numrat e urgjencës, këshillat ligjore, mbështetjen psikologjike dhe strehimoret për punonjësit e medias që janë të kërcënuar.

“Është mirë të shohësh që institucionet e BE-së po i bien ziles së alarmit”, thotë Delia dhe rëndësia e gazetarisë për demokracinë do të vihet në pah. Disa propozime legjislative për të mbrojtur gazetarët dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut në nivel të BE-së janë planifikuar për vitin 2022. Këtu përfshihet edhe e ashtuquajtura nisma anti-SLAPP (Padi strategjike kundër pjesëmarrjes publike), me të cilën gazetarët duhet të mbrohen nga proceset frikësuese.

Ligjet në vend të rekomandimeve

“Ne kemi nevojë absolutisht për masa legjislative që çojnë në sanksione në rast shkeljesh, jo vetëm rekomandime,” thotë Julie Majerczak nga Reporterët pa Kufij. Ajo ka frikë se fjalët e ashpra nuk do të mjaftojnë për t’i bërë përshtypje disa qeverive të BE-së.

“Po mendoj për Poloninë, Hungarinë, Maltën, Greqinë dhe Bullgarinë, për shembull”, tha Majerczak. Bullgaria i quajti ata si “nxënësi më i keq i BE-së”.

Në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit të ROG 2021, shteti i Evropës Lindore renditet i 112-ti nga 180 vende. Gazetarët e paktë kritikë në Bullgari janë të ekspozuar jo vetëm ndaj ngacmimeve shtetërore, por edhe ndaj frikësimit dhe dhunës.

Valë padish kundër gazetarëve

Kur Daphne Caruana Galizia u vra më 16 tetor 2017, 47 SLAPP ishin në pritje ndaj gazetares investigative. Këto padi përdoren shpesh për të kërcënuar dhe mbyllur gojën profesionistëve të medias.

“Personi i akuzuar për vrasjen e Daphne-s donte të më padiste në Mbretërinë e Bashkuar për 82 milionë euro,” thotë Delia. “Kjo do të ishte dita ime e fundit në gazetari”. “Unë kam pak arsye për të qenë optimist. Vendi im është më pak demokratik se sa ka qenë.” Por të paktën, shton ai, nismat e institucioneve të BE-së po shkojnë në drejtimin e duhur. / KultPlus.com

Vdiq ikona e televizionit australian, Bert Newton

Ikona e televizionit australian, Bert Newton ka vdekur në moshën 83-vjeçare, pas problemeve me shëndetin për një kohë të gjatë.

Ai ishte hospitalizuar në mars të këtij viti, ndërkohë që si pasojë e sëmundjes, njëra prej këmbëve të tij edhe ishte amputuar.

Newton ishte i martuar për 46 vjet me bashkëshorten e tij Patti, me të cilën kishte dy fëmijë, ndërkaq së fundmi ishte bërë edhe gjysh i gjashtë nipërve e mbesave.

Albert Watson Newton, ishte një nga lidhjet e fundit të mbetura midis ditëve më të hershme të televizionit komercial dhe industrisë së sotme në këtë vend.

Që në moshë të re ai ishte i magjepsur nga radioja dhe vëllezërit në ‘St Joseph’ e njohën talentin e tij dhe e inkurajuan të shkruante drama radiofonike. / KultPlus.com

A të çonin të gjitha rrugët në Romë?

Nga Benjamin Plackett

Në kulmin e fuqisë së saj, Perandoria Romake zotëronte një rrjet rrugor që shtrihej nga Gjibraltari deri në kënetat e Mesopotamisë. Siç e thotë edhe vetë shprehja e vjetër popullore: “Të gjitha rrugët të çojnë në Romë”. Por a ishte vërtet kështu?

Përgjigja nuk është aq e lehtë, sa të thuhet “po” ose “jo” pa asnjë mëdyshje. Ajo është paksa më e komplikuar se sa kaq. Në vitin 2015, tre  studiues të “Moovel Lab”-it, një ekip ekspertësh urbanistë gjermanë, hodhën një rrjet uniform prej gati 500 mijë pikash në një hartë të Evropës.

Këto pika nuk përfaqësonin qytetet e lashta apo moderne, por ishin thjesht vende të rastësishme nga të cilat mund të niste dikur një udhëtim drejt kryeqytetit perandorak. Më pas ekipi përdori një algoritëm për të llogaritur rrugën më të mirë për të shkuar në Romë, duke përdorur rrugët moderne nga secila prej atyre pikave fillestare.

Rezultatet e tyre treguan një rrjet hipnotizues rrugësh që të çonin vërtet në Romë, dhe rrugës ato lidhnin edhe qytete të tjera të mëdha si Londra, Kostandinopoja (Stambolli i sotëm) dhe Parisi, të cilat ishin gjithashtu pjesë e perandorisë së lashtë.

Lajmet mbi këtë lloj harte u bënë virale. Por, në fakt ai eksperiment nuk vërtetoi se të gjitha rrugët të çojnë në Romë. Nëse studiuesit do të kishin bërë të njëjtën gjë, por në vend të Romës do të llogaritnin se cilat ishin rrugët prej nga ku mund të mbërrihej më shpejt në Berlin apo Moskë nga të njëjtat 500 mijë pika, harta do të tregonte një sërë rrugësh po aq të gjera që çonin në ato qytete.

“Studimi ynë nuk i dha përgjigje pyetjes nëse të gjitha rrugët të çojnë vërtet në Romë. Ai ishte një eksplorim në masën 99për qind të asaj pyetjeje”, tha Philipp Schmitt, një nga ekspertët e grupit. Gjithsesi ai eksperiment na tregon ende diçka për qëndrueshmërinë e rrugëve romake.

Shumica e infrastrukturës rrugore në Evropës është ende e projektuar në mënyrë të tillë që të lidhë qytetet kryesore me kryeqytetin italian, duke qenë potencialisht një trashëgimi e perandorisë së dikurshme. Studiues të tjerë, kanë zbuluar gjithashtu se kjo gjë është e vërtetë.

Harta e krijuar nga “Moovel Lab” shqyrtoi mënyrën më të mirë për të mbërritur në Romë duke përdorur rrugët moderne. 

“Ne i kemi përdorur modelimet kompjuterike për të parë rrugët më të mundshme apo më logjike që lidhin dy pika të caktuara, dhe pastaj e krahasojmë atë me njohuritë tona mbi rrugët romake, për të parë nëse ato janë të ngjashme”, thotë César Parcero-Oubina, arkeolog i peizazheve në Institutin e Shkencave të Trashëgimisë në Madrid të Spanjës. 

“Rrugët e sotme janë shpesh të njëjta në shumicën e rasteve me ato të dikurshmet”.

Pra, shumë prej autostradave të Evropës me shumë korsi, janë pasardhëset e rrugëve romake. Gjithsesi kjo ka ndryshuar vitet e fundit, thekson Oubina.

Sot autostradat e reja shmangin vendet e populluara për të kursyer para në procesin e shpronësimeve. Kjo do të thotë që disa autostrada sot nuk ndjekin trajektoren e rrugëve të vjetra romake”, nënvizon ai.

Dhe, kjo na çon tek pyetja në fjalë: Cila ishte logjika e romakëve në ndërtimin e rrugëve? A të çonin vërtet të gjitha rrugët në Romë?

“Kjo varet nga rëndësia e rrugës. Logjika se si funksiononte një perandori e lashtë nuk është aq e ndryshme nga një vend modern. Romakët nuk ishin aq të ndryshëm nga ne; ata thjesht po përpiqeshin që të minimizonin rrugët për të kursyer kohë”, shprehet Ubino.

Rrugët kryesore ishin vija të drejta sa herë që këtë e lejonte peizazhi gjeografik, dhe ato lidhnin qytete të rëndësishme me qytete të tjera të rëndësishme. Këto rrugë ishin të mundshme vetëm pasi një vend të ishte aneksuar siç duhet nga romakët dhe të ishte nënshtruar çdo kundërshtimi ushtarak, përndryshe do të kishte qenë e pasigurt për të udhëtuar në rrugë të tilla.

Në ditët e para pas pushtimit të një krahine, kur barbarët (jo-romakët) po i rezistonin ende pushtimit, romakët do të përdornin rrugët më të sigurta dhe që përshkonin më pak zonat me pyje të dendura apo male. Ndërkohë, kur në një krahinë të aneksuar mbizotëronte paqja, këto rrugë formuan një lidhje jetike për të shpejtuar tregtinë dhe për ta mbajtur ushtrinë në vijën e frontit të furnizuar mirë me trupa dhe furnizime ushqimore.

Në kulmin e saj, rrugët e Perandorisë Romake përshkuan kontinentet për të lidhur qytete dhe qyteza të rëndësishme me kryeqytetin e saj. 

“Rrugët kryesore lidhnin vende të rëndësishme, dhe kështu në një mënyrë a tjetrën, të gjitha mbaronin ose fillonin në Romë. Por nuk është se duhet të kalonit përmes Romës kur udhëtonit nga Londra në Paris, vetëm sepse këtë e lejonte rrjeti”, thekson Oubina.

Këto rrugë kryesore ishin krijuar për lëvizjen e karrocave me rrota dhe kafshëve. Pra, ishin shumë më të sofistikuara sesa shtigjet plot me baltë. Ato u ndërtuan me shtresa të ndryshme si dhe shkëmb, dhe më në fund me pllaka të mëdha guri në majë. Ato nuk ishin të sheshta, por në formë kubi për të lejuar kullimin e duhur. Pastaj vinin rrugët e tjera dytësore që nuk ishin të asfaltuara. Ato lidhnin më shumë qytete dhe qyteza, në vend se të ofronin ndonjë lloj rruge për në Romë. Atëherë, të gjitha rrugët romake të çonin në Romë? Jo tamam, por ato më të rëndësishme të çonin përfundimisht atje. Premisa e pyetjes mund të jetë gjithsesi e gabuar, sepse shumica e njerëzve që shkonin në Romë nuk ndiqnin rrugët tokësore.

Lidhja përmes detit ishte shumë më e dobishme, sepse ishte më e shpejtë dhe më e lirë. Për shembull nëse dëshironit të udhëtonit nga Iberia perëndimore në Romë, atëherë me siguri që do të hipnit në një anije dhe jo mbi një kalë apo karrocë. / bota.al / KultPlus.com

Yllka Gashi, aktorja më e mirë në Festivalin e Filmit në Valladolid

Yllka Gashi është shpallur fituese e çmimit për aktoren më të mirë, në Festivalin e Filmit në Valladolid, përcjell KultPlus.

Gashi ka fituar këtë çmim për rolin e saj në filmin “Zgjoi”, film ky i realizuar nën regjinë e Blerta Bashollit.

Ndërkaq, lajmi u bë i ditur nga aktorja Adriana Matoshi, përmes një statusi në rrjetin social Facebook, e cila së bashku me njoftimin për çmimin e fituar, kishte shkruar:

Një çmim i meritum për Yllka Gashi në një festival të madh.
Aktorja më e mirë e Festivalit International ‘Seminci’, Yllka me rolin e saj i tregoj botës, historinë e trishtë të zonjës Fahrije Hoti.
Urime Yllka e ky është vetëm një fillim për sukseset e tua në vazhdim.
/ KultPlus.com

“Unë jam një refugjate”, Rita Orës i vendoset pllakatë në shenjë mirënjohjeje në shkollën e saj fillore në Londër

Artistja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, i ka bërë një vizitë shkollës së saj fillore në Londër.

Ajo është fotografuar e buzëqeshur pranë një pllakate, e cila është vendosur për nder të saj në murin e shkollës, shkruan The Sun.

Përveç emrit të saj me shkronja të mëdha, në pllakate shkruhet edhe: “Këngëtarja dhe aktorja iku nga lufta në Kosovë dhe studioi këtu pasi mbërriti në Britaninë e Madhe në vitin 1991”.

Rita e cila sot është 30 vjeçe ka një karrierë të suksesshme mbarë globale si këngëtare, aktore dhe modele.

Ajo shkrepi disa fotografi aty pranë pllakatës në shkollën fillore “St Cuthbert” në Londrën Perëndimore.

Anëtarja e jurisë së spektakleve “The Voice Australia” dhe “The Masked Singer” më pas vizitoi shkollën “Sylvia Young Theatre School”, në të cilën përfundoi shkollimin e mesëm. / KultPlus.com

Komiteti Olimpik i Kosovës pret dënim meritor për Serbinë pasi pengoi boksierët kosovarë

Moslejimi i boksierëve kosovarë që të marrin pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit në Beograd duhet të pasohet nga një dënim i rëndë. Kështu vlerëson Komiteti Olimpik i Kosovës që thotë se ky është një rast i përsëritur, pasi një gjë e tillë kishte ndodhur edhe me ekipin e karatesë, prandaj presin që Serbisë t’i hiqet e drejta për organizime madhore sportive siç janë kampionatet evropiane apo botërore.

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, në një intervistë për KosovaPress, thotë se pengesat ndaj boksierëve kosovarë për të kanë qenë një “film i përsëritur” që ka ndodhur më 2018 me Federatën e Karatesë.

Krasniqi ka sqaruar se boksierët nuk do paraqiteshin pa uniformën shtetërore, por kërkesa që të mos vishej rrugës me idenë që nuk do të pranohej nga ana e Kosovës e kështu Federata kosovare e Boksit do të hiqte dorë nga pjesëmarrja duke e lënë palën kosovare fajtore, ishte manovër e dështuar.

“Për mua personalisht ka qenë një film i përsëritur… Unë këtë rast e kam pasur në vitin 2018 me Federatën e Karatesë dhe ka ndodhur e njëjta procedurë e shtetit serb, e politikës serbe, ashtu si ka ndodhur me karatenë, ashtu edhe me boksin… Dua ta sqaroj një problem se shumë njerëz kanë komentuar pse ekipi i Kosovës shkon pa uniformë atje, kjo nuk ka qenë asnjëherë e vërtetë mirëpo ndoshta ky ka qenë qëllimi i politikës serbe që ne nuk do të shkojmë pa uniforma veshur gjatë rrugës për në Serbi dhe ndoshta do të japim dorëheqje nga shkuarja në Beograd mirëpo ne nuk e bëmë këtë dhe u nisëm edhe në atë mënyrë por prapë se prapë na ndaluan”., tha Krasniqi.

Veprimin e Serbisë, Krasniqi e ka quajtur si një njollë të zezë për sportin botëror dhe Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Ai për KosovaPress ka thënë se presin që AIBA dhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar të marrin masa penalizuese shumë të mëdha për Serbinë.

“Unë besoj që në këtë rast, vetëm në Serbi, politika ka fituar në këtë rast me sportin edhe është një gjë shumë e keqe për sportin botëror edhe për Komitetin Olimpik Ndërkombëtar të cilët e kanë dënuar shumë këtë akt. Siç e dini edhe ju pas vitit 2018 me Federatën e Karatesë ku kishim problem, mospjesëmarrja e Federatës së Karatesë në Novisad në Kampionatin Evropian, prej asaj kohe Serbisë, i është ndaluar prej Federatës Botërore që mos të mbajë asnjë aktivitet ballkanik, as evropian, as botëror në Serbi derisa të zgjidhet problemi i statutit të Kosovës me Serbinë. Besoj se kjo është një arritje shumë e madhe edhe besoj që shumë shpejtë edhe AIBA edhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar do të merr masa shumë të mëdha”, theksoi Krasniqi.

Krasniqi gjithashtu ka shtuar se në bashkëpunim Komitetin Olimpik Ndërkombëtar janë duke punuar që Serbia të humbasë të gjitha të drejtat e organizimeve të aktiviteteve të mëdha sportive.

“Besoj që i vetmi arter që mund të ndikojnë në, mos të them dënimin mirëpo, për zgjidhjen e këtij problemi përfundimtar me Serbinë është Komiteti Olimpik i Kosovës në kontakt me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Ne do të jemi akteri kyç i cili do të mundohet dhe besoj që do ta zgjedhim këtë problem njëherë e përgjithmonë edhe besoj që me këtë rast do të jetë Serbia para aktit të kryer sepse ky shtete dalëngadalë do t’i humb të gjitha të drejtat e organizimeve të aktiviteteve të tilla siç janë kampionati evropian apo botëror”, shtoi Krasniqi.

Mospjesëmarrja e Kosovës në Kampionatin Botëror të Boksit ngjalli reagimin e të gjitha institucioneve në vend, ndërsa u paralajmërua se mund të shtrohet si çështje edhe në Bruksel në kuadër të takimeve mes dy shteteve. Ndërsa, vet Bashkimi Evropian kërkoi që Federata e Boksit e Kosovës të trajtohet njësoj si të gjitha federatat e tjera. / KultPlus.com