Testet e raketave të Koresë së Veriut, publikohen foto nga hapësira

Koreja e Veriut ka publikuar fotografi të cilat janë marrë nga lëshimi i raketës më të fuqishme në pesë vitet e fundit, përcjell KultPlus.

Fotot e pazakonta të marra nga hapësira tregojnë pjesë të gadishullit Korean dhe zonave përreth.

Pheniani konfirmoi të hënën se kishte testuar një raketë balistike me rreze të ndërmjetme Hwasong-12 (IRBM).

Me fuqinë e tij të plotë, ai mund të udhëtojë mijëra milje, duke i vendosur zona si territori i SHBA-së Guam në distancë goditëse.

Testi i fundit ka ngritur sërish alarmin në komunitetin ndërkombëtar.

Pheniani ka kryer një numër rekord prej shtatë lëshime raketash vetëm gjatë muajit të kaluar – një stuhi intensive aktiviteti që është dënuar ashpër nga SHBA, Koreja e Jugut, Japonia dhe vende të tjera. /KultPlus.com

Rita Ora rikthehet në The Voice of Australia

Këngëtarja shqiptare e njohur në mbarë botën, Rita Ora, do të rikthehet edhe një herë tjetër në skenën e madhe të The Voice of Australia, shkruan KultPlus.

Ora ka postuar disa fotografi në “Instagram”, duke njoftuar për rikthimin e saj në skenën e magjishme të The Voice, ku do të jetë pjesë e jurisë për edicionin e ri.

“Dhe ne jemi kthyer!! Shumë e emocionuar që jam në Australi në The voice of Australia Generations. Niveli i talentit këtu është i jashtëzakonshëm dhe mezi pres që ju ta shihni atë!!”, shkruan ajo.

The Voice of Austrlia me gjeneratat e reja, si trend i ri në këtë edicion do të shfaqet më 31 janar. /KultPlus.com

Elbenita Kajtazi realizon ëndrrën e saj të studimeve: Përmbushje shpirtërore

Sopranoja nga Kosova, Elbenita Kajtazi, ka debutuar me shumë sukses në rolin e saj “Manon Lescaut” në mbrëmjen e 30 janarit, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në “Facebook”, Kajtazi është shprehur se ky debutim ishte një “përmbushje shpirtërore”.

“Debutimi im në rolin e Manon Lescaut mbaroi me shumë sukses mbremë, ende ndjehem sikur në ëndërr dhe nuk e besoj dot që realizova një nga rolet më sfiduese të muzikës operistike françeze”, shkroi ajo mes tjerash.

Kajtazi ka falënderuar të gjithë ata që i kanë qëndruar aftër gjatë kësaj periudhe.

“Në rolin e Manon kam punuar me katër gra të fuqishme pianisten Camille Lemonnier për tri javë pa asnjë ditë pushim në mënyrë që frengjishtja ime të tingëlloj sa ma origjinale , Caroline Isabel Merz profesoresha ime pa kujdesin e kontrollen e së cilës nuk debutoj asnjë rol, me Ermonela Jaho edhe pse nga distanca Mona është gjithmonë aty për të më mësuar gjërat më të rëndësishme që më duhen për një debutim të tillë dhe Elda Laro e cila më jep energjin më të mrekullueshme që një pianist mund të të jap , edhe pse unë gjithmonë them që pianoja e Eldës tingëllon sikur orkestër”, shpjegon tutje sopranoja.

Kjo ishte një ëndërr të cilën Elbenita e ka pasur që kur kishte filluar studimet, dhe më në fund edhe e realizoi atë. /KultPlus.com

May be an image of 1 person and indoor

Largohet reklama nga murali i ‘Kamarierit’ në Ferizaj

Murali i parë, Kamarieri, i vendosur në Hotel Lybetenin është pjesë thelbësore e identitetit të Ferizajt.

Gjatë ditës së djeshme, ky mural është mbuluar me reklamë, derisa reagimi i Mural Fest Kosova ka qenë i menjëhershëm.

Sot është parë edhe largimi i kësaj reklame dhe rikthimi i “kamarierit” në qytetin e Ferizajit.

“Ndonëse struktura dhe pamja e qytetit të Ferizajt ka pësuar ndryshime të mëdha vitet e fundit, pikat referencë të qytetit që lidhen me identitetin e Ferizajt duhet të mbrohen nga institucionet kompetente në mënyrë që mos të lejohet dhe parandalohet tjetërsimi, shkatërrimi apo keqpërdorimi i tyre”, ishte mesazhi kryesor i përcjellur nga Mural Fest.

Rikthimin e “Kamarierit” po e bashkangjisim në foto më poshtë. /KultPlus.com

Presidentja Osmani pret sot në takim Lajçak dhe Escobar

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do ta pres në takim Zëvendës Ndihmës Sekretarin e shtetit të SHBA-ve, Gabriel Escobar, dhe përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, shkruan KultPlus.

Escobar dhe Lajçak do të jenë në Kosovë për një vizitë tre ditore, derisa pritet që të takohen me të gjithë krerët e shtetit.

“Sot (31.01.2022), në orën 16:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu, pret në takim Zëvendës Ndihmës Sekretarin e shtetit të SHBA-ve, Gabriel Escobar, dhe përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak”, thuhet në njoftimin nga presidenca.

Kosova dhe Serbia akoma nuk janë duke dialoguar pas zgjedhjes së Albin Kurtit si i pari i ekzekutivit. /KultPlus.com

Dukagjin Lipa i uron shumë fat ekipit të ‘Zgjoit’ për Oscars: Shihemi në tapetin e kuq

Dukagjin Lipa ka shprehur përkrahjen e tij për filmin shumë të sukesshëm kosovar, “Zgjoi”, i cili është duke pritur për një nominim në “Oscars”, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Twitter”, Lipa, ka shprehur përkrahjen e tij duke i uruar shumë fat, Blerta Bashollit.

“Koha e nominimeve për Oscars. Uroj fatin më të mirë për miken time Blerta Bashollin dhe gjithë ekipin e “Zgjoi”. Shihemi në tapetin e kuq”, shkroi ai.

Anëtarët e jurisë së Akademisë së Filmit nga 27 janari kanë filluar votimet e tyre për nominimet e çmimeve ‘Oscars’ dhe do të vazhdojnë deri më 1 shkurt. /KultPlus.com

Image

Një video e rrallë e heroit Zahir Pajaziti (VIDEO)

Komandanti i UÇK-së dhe Heroi i Kosovës, Zahir Pajaziti, ra heroikisht së bashku me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën, në një pritë të organizuar nga forcat e armikut.

KultPlus ju sjell sot një video të rrallë të vitit 1996, ku shihet Zahir Pajaziti duke qëndruara në odën e Naim Hysenit në Shtedim. Në këtë video gjithashtu shihen edhe Selim Haziri dhe Naim Haziri.

Zahir Pajaziti u lind më 1 nëntor të vitit 1962 në fshatin Turuqicë të Podujevës, ndërsa ra dëshmor më 31 janar të vitit 1997 në Pestovë të Vushtrrisë. Ishte një ndër themeluesit e UÇK-së dhe Hero – dëshmor i luftës së Kosovës. Zahir Pajaziti ishte një ndër komandantët më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare Kosovës.

Videon mund ta shikoni duke klikuar KËTU.

Më 31 janar 2008, në 11 vjetorin e rënies, ish-presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu i akordoi Zahir Pajazitit dekoratën më të lartë shtetërore të Kosovës Urdhrin “Hero i Kosovës”. / KultPlus.com

25 vjet nga rënia e tre ushtarëve emblematikë të UÇK-së

Më 31 janar të vitit 1997 ndodhi njëra nga betejat e para të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me forcat armike.

Tre strategët, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha ishin duke udhëtuar nga Prishtina në drejtim të Vushtrrisë, kur hasën në pritën e vënë nga forcat pushtuese në fshatin Pestovë, ku të tre bien heroikisht në luftë.

Aktivitetet ushtarake, Zahir Pajaziti i filloi gjatë viteve 90-ta. Në rrethanat e krijuara gjatë grevave të përgjithshme në Kosovë të mbajtura më 3 shator të vitit 1990, Zahiri dhe aktivistët tjerë filluan të punojnë për ngritjen e një rrjeti sigurimi në Kosovë. Si rezultat i kësaj pune Zahiri dhe aktivistët e Orllanit krijojnë Shtabin e Njësisë Guerile në Orllan, shkruan KosovaPress.

Në vitin 1991 pasi që në Kosovë fillojnë që punët e ilegales të koordinoheshin me legalen Zahiri shkon në Shqipëri për qëllime ushtarake. Me të kthyer në Kosovë në vitin 1992, grupi i tij zbulohet dhe Zahirit i duhet të kalojë në ilegalitet për disa muaj. Deri në 1992 ai kontribuoi në furnizimin me armatim të shtabeve të krijuara në rrethinën e Orllanit.

Gjatë vitit 1994, Zahiri filloi të angazhohet edhe në pjesë tjera të Kosovës për krijimin e UÇK-së. Kështu, ai është një nga themeluesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe anëtar i tij nga fillimi, nga ku fillon të bëhet koordinimi i aktiviteteve politike dhe ushtarake.

Zahiri shquhet në këtë kohë si organizues dhe zbatues i shkëlqyeshëm i sulmeve guerile ndaj forcave serbe në Kosovë, po veçanërisht në rajonin e Llapit.

Më 31 janar 2008, në 11-vjetorin e rënies, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu i akordoi Zahir Pajazitit dekoratën më të lartë shtetërore të Kosovës, Urdhrin Hero i Kosovës.

Zahiri ishte drejtuesi i njërës nga degët e mëdha të luftës, që më pas, natyrshëm, është shkrirë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Duke qenë drejtues i njërës nga degët e mëdha të luftës, ai ishte njëkohësisht edhe njëri nga bashkëkrijuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Edmond Hoxha ishte junikasi që kishte ndër mend të krijonte përmasat e reja të traditës së tij familjare, apo të Kosovës. Duke qenë se në moshën gjashtëvjeçare, kur ishte ende fëmijë, kishte parë prangimin e burgosjen e të vëllait të tij të madh, Xhavitit, duke qenë se nga kjo që kishte parë kishte pasur dhimbje, por nuk kishte pasur thyerje.

Edmondi ishte studenti mes dëshirës për t’u bërë ushtarak dhe njeri i shkencave, i riu që kishte zgjedhur të bënte një jetë ndryshe e megjithatë tepër rinore, ndoshta më shumë se gjithçka ai do të niste një rrugë që njerëzit e tij e kishin hapur, me gjithë dhimbjen që kishte mbartur ajo, me gjithë gjakimin që kishin përjetuar e do të përjetonin.

Hakif Zejnullahu kishte një heshtje të jashtëzakonshme, ashtu siç e kishte edhe punën të jashtëzakonshme. Është një nga rastet më të veçanta të luftës, kur një figurë e rëndësishme si ai të ketë qëndruar, me një natyrshmëri të thellë, në vendin që i ishte caktuar, si zëvendës i Zahir Pajazitit dhe ndihmës i tij, dhe e gjithë kjo të ishte shumë e heshtur.

Hakifi dhe Zahiri ishin jo thjesht nip e dajë, por kishin të përbashkët gjithçka të virtytshme. /KultPlus.com

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës mbajti koncertin premiere të vitit 2022

Në mbrëmjen e 29 janarit në Sallën e Kuqe, në Pallatin e Rinisë dhe Sportit është mbajtur koncerti premierë i këtij viti nga Orkestra e Filharmonisë së Kosovës.

Nën udhëheqjen e dirigjentit izraelito-gjerman, Maayan Franco dhe pianistit shqiptaro-rumun, Herman-Med Cerisha janë interpretuar koncerti për piano dhe orkestër nga kompozitori Edvard Grieg dhe Simfonia në d mol e kompozitorit Cesar Franck.

Për të ndjekur koncertin i pranishëm ishte edhe Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku. /KultPlus.com

*SHËNIM: Të gjitha fotografitë janë realizuar nga Arben Llapashtica

Kurti e Osmani do të vendosin kurorë lulesh te shtatoret e heronjve Pajaziti, Zejnullahu, Hoxha e Konushevci

Në orën 09:30, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me kryeministrin, Albin Kurti, do të vendosin nesër kurorë lulesh te shtatoret e heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu, Edmond Hoxha dhe Ilir Konushevci.

“Sheshi i Dëshmorëve” në Podujevë do të vizitohet nga Kurti e Osmani gjatë ditës së nesërme.

“Në orën 10:10, presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti, vendosin kurorë lulesh dhe bëjnë homazhe te varri i heroit Zahir Pajaziti, në 25 vjetorin e rënies”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Më 31 janar të vitit 1997 ndodhi njëra nga betejat e para të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me forcat armike.

Tre strategët, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha ishin duke udhëtuar nga Prishtina në drejtim të Vushtrrisë, kur hasën në pritën e vënë nga forcat pushtuese në fshatin Pestovë, ku të tre bien heroikisht në luftë. /KultPlus.com

Shfaqja ‘Kthimi i Karl Majit’ anulohet, shkak gjendja e keqe shëndetësore e njërit prej aktorëve

Edhe pse shfaqja “Kthimi i Karl Majit” ishte paraparë të shfaqej nesër në Teatrin Oda, një gjë e tillë nuk do të ndodhë për faktin se kjo shfaqje është anuluar, shkruan KultPlus.

Përmes një njoftimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, Teatri Oda ka njoftuar se kjo reprizë është anuluar.

“Ju njoftojmë se repriza e shfaqjes “Kthimi i Karl Majit” e planifikuar për datën 31 janar në Teatrin ODA, ANULOHET, për shkak të gjendjes shëndetësore të njërit prej aktorëve. Ju kërkojmë ndjesë dhe ju ftojmë të na bashkoheni në reprizat e rradhës për të cilat do të ju njoftojmë me kohë! Falemnderit për mirëkuptim!”, thuhet në postimin e tyre.

Teatri Oda pritet që të bëjë të ditur gjatë ditëvë në vijim edhe orarin për muajin shkurt. /KultPlus.com

May be an image of 1 person and text

‘Toyota’ në mision për të eksploruar hapësirën

Mjeti i Toyotas që po përdoret nga autoritetet japoneze për të eksploruar, Lunar Cruiser i është afruar hapësirës.

Gjiganti i automobilave është në partneritet me JAXA, shërbimin japonez të eksplorimit të hapësirës, ​​për të zhvilluar një automjet të aftë për pasagjerë që mund të mbështesë misionet e eksplorimit në planetë të tjerë.

Drejtuesit e Toyota në një deklaratë për mediat ka thënë se automjeti për të eksploruar sipërfaqen hënore do t’i “ndihmojë” njerëzit të jetojnë në Hënë deri në vitin 2040 dhe më pas të shkojnë në Mars.

Automjeti bazohet në idenë që njerëzit hanë, punojnë, flenë dhe komunikojnë me njerëz të tjerë në mënyrë të sigurtë në makina në tokë, dhe e njëjta gjë mund të bëhet në hapësirë.

Ndër të tjera automjeti përveç autonomisë së madhe,  duhet të ketë aftësi të shkëlqyera drejtimi në terren shumë të pabarabartë siç është Hëna, për të qenë rezistent ndaj rrezatimit dhe temperaturave ekstreme që krijohen.

Ndërkohë parashikohet që automjeti të jetë 6 metra dhe lartësi 3.8 metra dhe do të mund të transportojë deri në katër persona./abcnews.al /KultPlus.com

Mjegulli i dashurisë

Shkruan: Dritëro Agolli

Mjegulli i dashurisë

Kur ikja larg, drejt teje vija
Kur vija afër, ikja larg
Për dreq më trembte largësia
Dhe afërsia bëhej çark

as e kuptoja si te desha
nje mjegull pus nje cmenduri
si nje poet qe shkruan vjersha
dhe ndez nje shkrepse dhe i ben hi

dhe ndoshta kjo ish dashuria
e cakerdisur kuturu…
per dreq me trembte largesia
dhe afersa gjithashtu. /KultPlus.com

Yllka Gashi: Po punojmë me përkushtim e pasion të madh për të siguruar nominimin e parë e historik për Kosovën

Qytetarët e Kosovës janë aktivizuar për të shpërndarë sa më shumë fotografinë e posterit të filmit “Zgjoi”, i cili është shumë pranë nominimit për Oscars, shkruan KultPlus.

Protagonistja e këtij filmi, Yllka Gashi, së fundmi është shprehur shumë falënderuese për përkrahjen e madhe që kanë shprehur njerëzit në rrjete sociale.

“Të dashur miq,Ju falemnderit nga zemra për gatishmërinë tuaj e për tërë përkrahjen!Fjalët janë të pakta për të shprehur mirënjohjen e falenderimin ndaj secilit prej jush që e keni shpërndarë dhe vazhdoni ta shpërndani postimin për nominimet në Oscars 2022.Jemi duke punuar me përkushtim e pasion të madh e shpresojmë shumë që të kemi fat e ta sigurojmë nominimin e parë e historik për Kosovën. Sido që të na prijë fati, jam tepër e nderuar nga dashamirësia e përkrahja juaj!Mbi 21 mijë shpërndarje, dy fish aq falenderime për çdo njërin nga ju!U gëzofshim bashkë më 8 Shkurt!”, ka shkruar ajo në “Facebook”.

Filmi “Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit u fut në listën e ngushtë prej 15 filmave për të kaluar drejt çmimeve “Oscars”. / KultPlus.com

Epitaf brilant nga një mendje e ndritur si, Mentor Petrela

Shkruan: Ramiz Tafilaj, drejtor i Shtëpisë botuese “Jalifat Publishing” në Houston-Texas, SHBA

Këto ditë, në disa qytete të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, janë duke u organizuar promovime të librave të autorëve shqiptar, si të fushës së historisë, politikës, ekonomisë dhe fushave tjera, libra të botuara nga Shtëpia botuese “Jalifat Publishing”, me seli në Houston-Texas. Këto organizime bëhen me qëllim të prezantimit të historiografisë shqiptare, që me fakte shkencore t’i kundërvihen propagandës serbe, e cila me çdo kusht mundohet t’a shtrembëron të vërtetën historike-shkencore. Me prezantimin e dëshmive, po faktojmë krimet serbo-sllave të kryera në Kosovë, krime këto që Serbia mundohet me çdo kusht t’i fshehë.

Këto aktivitete që po zhvillohen në institucionet kryesore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, po japin edhe mbështetjen morale, që do jenë motivacion shtesë në rrugën e nisur në promovimin e vlerave tona historike, kulturore, artistike dhe shkencore.

Përkthimi, botimi, shpërndarja dhe katalogimi i librave të historianit Jusuf Buxhovi (Kosova, Maqedonia), të Blerim Rekës (Gjeopolitikat në Ballkan), të Faton Bislimit (Përpjekja për lirinë shqiptare dhe fundi i Jugosllavisë), të Adem Lushajt (Krimet serbe në Kosovë-Rasti i Deçanit) dhe të tjerëve, nëpër Universitetit më të njohura amerikane, si dhe në vet kongresin amerikan, merr mbështetjen e shumë figurave kombëtare nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, dhe viset tjera shqiptare. Një përkrahje e madhe më vjen, edhe nga doktori shqiptar me renome botërore, siç është Prof. Dr. Mentor Petrela.

Në letrën përkrahëse të njeriut me vlera të larta në fushën e mjekësisë, Prof. Dr. Petrela, thuhet:

“Ju lumtë Ramiz! Shpërndarja në anglisht e librave “Kosova” dhe “Maqedonia”, me fakte historike, më mirë se bëhet nga pasioni i Jusufit dhe perkthyesve, nuk mundet kush tjetër. Ky dokument bazë që e kam shiju, jo në gjuhën e Shekspirit, do të jetë jete si “Lufta e Peloponezit te Thuqidides për grekët”.

Thotë dikush ”Injoranca nuk është argument”. Të dy librat argumentojnë fakte që nuk munden të injorohen më, për të argumentuar çështjen tonë kombëtare për vendimarrësit ndërkombëtar, sidomos aty në Harward, ku ndodhet biblioteka Kenedy, burimi informacionit të gjeostrategjisë botërore. Me të vërtetë, nuk kam fjalë që të shpreh emocionet”. Ju jemi mirënjohës. Mentor Petrela MD, PhD, Chev LH, PU-PH Fr, WANS, FAANS.I Chairman Department of Neurosurgery, University Hospital Center “Mother Teresa”, Tirana, Albania. /KultPlus.com

No description available.
No description available.

No description available.
No description available.

Unë – ai, ti – ajo

Poezi nga Teodor Keko.

Ja, ra mbrëmja. Ti s’je më.
Ku ke shkuar? Unë s’e di.
Ne u prishëm për hiçgjë,
edhe gjatë do mbajmë mëri.

Do harrohen telefonat,
nëpër pellgje sytë do na thahen.
Si prelud do bjerë nga qielli,
një dëborë… kristal i bardhë.

Dhe kështu, gjersa një ditë,
të na thotë jeta ne: Harro!
Do të mbesim anonimë,
do të jemi ne përemra,
Unë “Ai” dhe ti “Ajo”.

Mbi ne ra ndarja si një dëborë,
mbuloi gjithçka: puthjet dhe fjalët.
Dhe vitet shkuan dalngadalë,
ujrat u ndotët, lumejtë u thanë.

Por, qaramanë, jo, s’do të bëhemi,
se na u thye ëndrra ty dhe mua.
Ndonjë ditë nëpër botë,
sytë tanë kur të takohen,
s’do të ketë urrejtje brenda./KultPlus.com

Ekipi Olimpik i Kosovës arrin në Kinë, gati për Lojërat Olimpike Dimërore

Pas një udhëtimi ‘maratonik’ Prishtinë – Stamboll – Pekin, ekipi olimpik i Kosovës ka arritur në Fshatin Olimpik në Yanqing të Kinës, transmeton KultPlus.

“Ekipi i është nënshtruar procedurave për Covid 19 në aeroportin ndërkombëtar të Pekinit dhe me të mbërritur në Fshatin Olimpik”, njofton Komiteti Olimpik i Kosovës përmes “Instagramit”.

Ekipi përbëhet nga skitarët Kiana Kryeziu e Albin Tahiri, trajneri Agim Pupovci dhe shefi i misionit, Bujar Turjaka.

Lojërat Olimpike Dimërore në Pekin do të fillojnë nga 4 shkurt dhe do të zgjasin deri më 20 shkurt. /KultPlus.com

Kryeministri Kurti priti në takim pjesëtarë të Kompanisë së Helikopterëve të Gardës Kombëtare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Ministrisë së Mbrojtjes, Armend Mehaj, sot pritën në takim tre pilotët e Kompanisë së Helikopterëve të Gardës Kombëtare të Forcës së Sigurisë së Kosovës: Toger Afrim Zabelin, toger Krenar Vocën, toger Atdhe Hasanin, të specializuarin për monitorim dhe orientim ajror, nëntoger Sunaj Shalën, dhe dy inxhinierë të helikopterit, rreshter Behar Zeqirin dhe rreshter Labinot Gashin.

Kurti i falënderoi ata për kontributin dhe rolin që kanë pasur deri tani dhe që do ta kenë edhe në të ardhmen në avancimin e Kompanisë së Helikopterëve të FSK-së.

Ai theksoi se si ushtri Kosova është në fillet e gjinisë së aviacionit dhe se avancimin e sheh të rëndësishëm edhe për nevoja ushtarake, por edhe për ato shtetërore.

“Shkollimi dhe pajisjet janë të rëndësishme, dhe do të investojmë si shtet në të dyja”, shtoi ai.

Pilotët i treguan shefit të ekzekutivit për shkollimin që kanë kryer, për sfidat që kanë pasur e që i kanë.

Tre pilotët janë specializuar në Akademinë Ushtarake në Turqi, ashtu sikurse edhe dy inxhinierët e helikopterit, ndërsa nëntogeri Shala ka specializuar për monitorim, orientim, udhëzim e radar në Akademinë Ushtarake të Kroacisë “Dr.Franjo Tugjman”. /KultPlus.com

Pas 21 çmimeve nga mbarë bota, “Zgjoi” ëndërron për Oscars

Filmi me regji të Blerta Bashollit, “Zgjoi”, po shkruan histori me shkronja të arta, duke thyer rekorde në shumë festivale të cilat ka marrë pjesë, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi që ekipi i filmit ka bërë në llogarinë zyrtare, aty shkruhet se ka qenë një udhëtim i jashtëzakonshëm deri tani.

“Çfarë udhëtimi, Gishtat e kryqëzuar për kapitullin tjetër”.

“Zgjoi” po tenton që të shkruajë histori edhe një herë tjetër, duke u nominuar për çmimin më të mirë ndërkombëtarë në Akademinë e Arteve.

Votimi nga antëtarët e kësaj Akademie kanë filluar më 27 janar, derisa do të zgjasë deri në ditën e sotme.

Lista përfundimtare do të bëhet e ditur më 8 shkurt, në qoftë se “Zgjoi” do të marrë pjesë në ceremonin gala më 22 mars.

“Zgjoi” po vazhdon ekspeditën në vende të ndryshme të botës, derisa vitin e kaluar ishte filmi më i shikuar në kinemanë e Kosovës “Cinneplex”. /KultPlus.com

May be an image of ‎1 person and ‎text that says '‎WINNER WINNER 2021 WINNER NAWAR 2021 WINNER BEST FILM كلر WINNER للﷺ WINNER WINNER 2021 WINNER WINNER L WINNER WINNER WINNER 2021 WINNER CTRESS WINNER WINNER WINNER WINNER WINNER WINNER R WINNER ATO' WINNER DIRECTED BY BLERTA BASHOL HIVE‎'‎‎

Teatri i Gjilanit falënderon shikuesit pas përfundimit të Festivalit të Dramës Shqipe: Teatri nuk ka kuptim pa ju

Pas përfundimit të Festivalit të Dramës Shqipe, “Talia e Flakës”, Teatri i Qytetit të Gjilanit ka falënderuar të gjithë shikuesit për duartrokitjet e tyre, shkruan KultPlus.

“Faleminderit për duartrokitjet tuaja | faleminderit për vëmendjen tuaj | faleminderit për dashurinë tuaj”, thuhej mes tjerash në postimin e tyre.

Gjithashtu, mesazhi kyç që u përcoll përmës këtij postimi është se teatri nuk ka kuptim pa shikuesit.

Teatri i Gjilanit do të vazhdojë repertorin e programin e tij kulturor gjatë muajit shkurt. /KultPlus.com

Rafael Nadal shkruan histori, fiton titullin e 21-të të Grand Slam

Pas një ndeshje e cila zgjati më shumë se 5 orë, Rafael Nadal shkroi histori, duke fituar titullin e 21-të të Grand Slam në “Australian Open”, shkruan KultPlus.

Daniil Medvedev po zhvillonte një ndeshje mahnitëse dhe ishte në rrugë të duhur për të fituar titullin e tij të dytë radhazi madhor, por Nadal nuk e lejoi këtë gjë dhe luftoi deri në rikthimin e madh nga 0-2 me sete në 3-2.

Nadal tregoi forcën dhe guximin e tij të madh dhe në fund mori një fitore të jashtëzakonshme.

Arritja e Nadalit vjen vetëm disa muaj pasi ai mendoi se nuk do të mund të kthehej më në turne për shkak të një dëmtimi në këmbë.

Njëri prej tenisierëve tjerë i cili do hynte në histori në qoftë se do ta fitonte këtë konkurs ishte Novak Djokovic, mirëpo autoritetet australiane nuk lejuan që ai të marrë pjesë për shkak se nuk ishte vaksinuar ndaj COVID-19. /KultPlus.com

Ora e madhe letrare “Pena e Flakës” mbahet nesër

Aktiviteti letrar, “Pena e Flakës” e cila organizohet në kuadër të manifestimit kulturor kombëtar “Flaka e Janarit 2022”, do të mbahet nesër në Gjilan, shkruan KultPlus.

Tridhjetë poetë, nga midise të ndryshme shqiptare ( Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Veriut e gjetiu ), të cilët janë përzgjedhur përmes një konkurimi të hapur, më 31 janar 2022, ora 16:00, begatojnë “Flakën e Janarit”, këtë manifestim kombëtar të kulturës, me krijimet e veta dhe kështu nderojnë përmes vlerave të reja krijuese martirët, dëshmorët dhe figurat e ndritura të kombit, po edhe garojnë njëkohësisht për Çmimin më të rëndësishëm të pjesës letrare të këtij Manifestimi, “Pena e Flakës”.

Një juri letrare, e cila do të bëhet publike gjatë ditës së nesërme, do të bëjë zgjedhjen e fituesit.

Pena nisi rrugëtimin bashkë me “Flakën e Janarit”, që nga 18 janari i vitit 1992 e këndej. /KultPlus.com

Pse njerëzit bërtasin?

Një ditë, një mendimtar indian pyeti dishepujt: “Pse njerëzit bërtasin kur ata janë të zemëruar?”. “Bërtasin për shkak se e humbasin qetësinë e tyre”, tha njëri prej tyre. “Por pse të bërtasësh nëse personin e ke pranë?”, pyeti sërish mendimatri.

“Epo, ne bërtasim sepse duam që personi tjetër të na dëgjojë”, u përgjigj një tjetër dishepull. Dhe mësuesi u kthye me pyetjen: “A nuk mund të flisni me të me zë të ulët?. U dhanë përgjigje të tjera të ndryshme, por asnjëri nuk e ka bindur mendimtarin.

Pastaj ai shpjegoi: “A e dini pse i bërtisni një personi tjetër kur jeni të zemëruar? Fakti është se kur dy njerëz janë të zemëruar, zemrat e tyre largohen shumë. Për të mbuluar këtë distancë duhet të bërtisni për të dëgjuar. Sa më shumë të zemërohen ata, aq më fort do të duhet të bërtasin për të ndjerë njëri-tjetrin.

Nga ana tjetër, çfarë ndodh kur dy njerëz janë në dashuri? Ata nuk bërtasin, flasin me zë të ulët. Dhe pse? Sepse zemrat e tyre janë shumë afër. Distanca ndërmjet tyre është e vogël. Ndonjëherë zemrat e tyre janë aq afër sa që as nuk flasin, thjesht pëshpërisin.

Dhe kur dashuria është më intensive, nuk është e nevojshme të pëshpëritësh, thjesht shikohesh në sy. Zemrat e tyre janë bërë një e vetme. Kjo është ajo që ndodh kur dy njerëz që e duan njëri-tjetrin afrohen”.

Së fundmi, mendimtari përfundoi duke thënë: “Kur debatoni apo diskutoni, mos lejoni që zemrat tuaja të largohen, mos thoni fjalë që mund t’i ndalni, sepse do të vijë një ditë kur distanca do të jetë kaq e madhe saqë ata kurrë nuk do ta gjejnë më rrugën e kthimit”. (Gandhi) / KultPlus.com

‘Kthimi i Karl Majit’ nesër shfaqet në  Teatrin Oda

Nesër(31 janar), do të jepet shfaqja “Kthimi i Karl Majit”, në Teatrin Oda.

Siç është bërë e ditur në njoftim, shfaqja nis në orën 20:00.

“Kthimi i Karl Majit” e Jeton Nezirajt, është me regji të Blerta Neziraj.

Së fundmi, në Teatrin Oda u anulua shfaqja “Stiffler” për shkak se njëri nga aktorët që do të luanin në shfaqje rezultoi pozitiv me Covid-19.

Shfaqja ishte paraparë të mbahej më 25 janar./ KultPlus.com