Fotografia prekëse e luftës në Kosovë: 30 orë ecje me vëllaun e vogël në krahë

Periudha e luftës së fundit në Kosovë është njëra nga ngjarjet më të trishta që s’do të harrohet me gjenerata, pikërisht për shkak të plagëve të rënda që ka shkaktuar tek kosovarët.

Imazhe të shumëta, të tilla janë shpërndarë nëpër tërë botën aso kohe, të fëmijëve kosovarë duke u munduar të shpëtojnë nga plumbat.

E tillë është edhe kjo foto e fotografit  Yannis Behrakis e publikuar në prestigjiozen ‘Reuters’ në përshkrimin e së cilës thuhet se këta dy fëmijë, (emrat e së cilëve nuk dihen) kanë bërë 30 orë rrugë për të ikur nga policia barbare serbe.

Fotografia është realizuar mes viteve 1998-1999, në kohën kur refugjatëve iu duhej të ecnin në këmbë më shumë se 30 orë, kur u dëbuan nga shtëpitë e tyre dhe ecën me orë të tëra për të lëshuar territorin e Kosovës dhe të shpëtonin pa u vrarë a malltretuar nga serbët, gjë që mijëra kosovarë nuk ia dolën. / KultPlus.com

Më 8 mars do të marshohet në protestë kundër vrasjes së grave

Viti 2022 nisi me femicid. Lirije Qerimajn e vrau burri i saj. Patriarkalizmi i i rrënjosur në familje, shoqëri e shtet, e la Lirijen të pambrojtur nga dhuna e vrasja. Vrasjet e grave janë të normalizuara, ndërmjetësuara dhe të kontrolluara nga institucionet patriarkale publike dhe private. Femicidi – vrasja e grave se janë gra – tregon që secila grua asht e pasigurtë, e pasiguria jonë, do të duhet të jetë urgjencë e shtetit. Prandaj edhe ky 8 mars na gjenë të revoltuara ndaj dhunës sistematike ndaj vajzave e grave dhe vrasjes së tyre.

Edhe këtë 8 mars, “Marshojmë s’festojmë” kanë marrë forcën nga njëra-tjetra dhe me zërat e trupat të grave që të ngriten për t’i kundërshtuar padrejtësitë ndaj çdo vajze a gruaje kudo. Përmes marshit protestues në rrugë, revoltës në punë a shtëpi, gratë do t’i kundërvihen patriarkatit shtypës.

“Ne organizohemi çdo 8 mars e luftojmë çdo ditë për siguri, liri e barazi, që e drejta për jetë të na takojë të gjithave/ëve njëjtë, të kemi barazi ekonomike, të jemi të lira/ë nga racizmi, mizogjenia, seksizmi, homofobia, transfobia e çdo formë tjetër e shtypjes që po na dhunon dhe po na vret. Ne i ftojmë të gjitha/ë në në luftën tonë të përbashkët për çlirim, barazi gjinore e drejtësi shoqërore, dhe në solidaritet gjinor, racor, klasor e ndër-shtetëror”, thuhet në njoftimin e tyre.

Këtë vit marshi në Prishtinë do t’i ketë tri pikëtakime kryesore:

10:00 – Pallati i Drejtësisë, Hajvali, Prishtinë
11:20 – Rrethi i Flamurit, Prishtinë
12:00 – Sheshi “Zahir Pajaziti”, Prishtinë, për të vazhduar në trajektoren tradicionale deri te Qeveria e Kosovës.

Nisja për në Hajvali bëhet me autobusë të organizuar nga Kolektivi „Marshojmë s’festojmë” tek parkingu pranë TV21 – në ora 9:40.Manifestimi i sivjetëm i 8 marsit nga „Marshojmë s’festojmë“ (deri tani) do të bëhet në Prishtinë, Mitrovicë, Prizren, Obiliq, Pejë, Gjilan, Rahovec, Lipjan, Shtime, Vushtrri. /KultPlus.com

PEN Qendra e Kosovës dënon agresionin rus në Ukrainë

Shkrimtarët e PEN Qendrës së Kosovës dënojnë përpjekjen e Rusisë për të invaduar Ukrainën.

“Në këto çaste të vështira të popullit ukrainas, bashkëndiejmë vuajtjet e dhimbjet e civilëve dhe të tjerëve në këtë luftë të imponuar. Shkrimtarët e Kosovës, bashkë me popullin e vet, para më shumë se dy dekadave, e kanë përjetuar shtypjen dhe përpjekjen për gjenocid nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviqit. Lufta për liri është e drejtë e çdo populli, prandaj përkrahja e bashkësisë ndërkombëtare është e domosdosshme për të ndaluar një gjenocid tjetër. PEN Qendra e Kosovës, si anëtare e PEN International, solidarizohet me PEN Qendrën e Ukrainës dhe përkrah zërin e saj të ngritur për ndalimin e mënjëhershëm të përpjekjeve për invadim të Ukrainës nga Rusia. Shkrimtarë ukrainas, jemi me ju dhe me popullin tuaj liridashës”, thuhet në komunikatën e PEN Qendra e Kosovës./ KultPlus.com

Universiteti i Ankarasë nderon presidenten Osmani me çmimin Doctor Honoris Causa

Presidentja e Republikës së Kosovës është nderuar me çmimin Doctor Honoris Causa, çmim ky nga Universiteti i Ankarasë, përkatësisht nga Fakulteti Juridik, shkruan KultPlus.

Presidentja Osmani është shprehur të jetë e nderuar me këtë vlerësim.

“Nder i dyfishtë ta pranoj çmimin Doctor Honoris Causa nga Universiteti prestigjioz i Ankarasë, e posaçërisht nga Fakulteti Juridik.

Ky çmim është respekt ndaj marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Turqisë, por edhe për popujt, stafin akademik dhe studentët tanë”, ka shkruar presidentja Osmani./ KultPlus.com

Politikani nga New York kërkon anëtarësimin urgjent të Kosovës në NATO

Ritchie John Torres është një politikan amerikan nga Nju Jorku, i cili ka kërkuar së fundmi anëtarësimin e Kosovës në Aleancën Veriatlantike, shkruan KultPlus.

Torres përmes një shkrimi në “Twitter” ka theksuar se kjo gjë nuk ka qenë asnjëherë më urgjente sesa tani, duke marrë parasysh ndodhitë që po ndodhin në Ukrainë nga pushtimi i Rusisë.

“Në sfondin e pushtimit ushtarak të Rusisë në Ukrainë, Kosova sërish kërkon të jetë anëtare e NATO-s. Disa javë më parë, unë avokova për pranimin e Kosovës në NATO. Bërja e gjësë së duhur nga aleatët tanë nuk ka qenë kurrë më urgjente”, ka theksuar ai.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka kërkuar që të ndodh anëtarësimi i përshpejtuar i Kosovës në NATO duke u bazuar në realitetin e krijuar pas agresionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë. /KultPlus.com

Baki Buxhovi arrin të largohet nga bombardimet në Ukrainë: Ishte një rrugëtim drejt ferrit

Bashkim Buxhovi

Tek tash mbas nji maratoni aq të mundimshëm përjekjesh për me ikë bombardimeve dhe njikohësisht tue iu bashkangjitë kolonave të mija e mija ukrainasish të cilët kan braktisë vandbanimet e tyne për me gjetë shpëtim përmes gjithfar mjetesh transporti ashtu që të mbërrijnë ma në fund deri në pjesën perëndimore të Ukraines. Nuk dojsha me u largue për shkaqe shëndetsore, por kur mora vesh që dy fëmijët e mij paskan mbetë në mes të rruges dhe se jan në rrezik, menjiher u ngrita dhe bashk me të shoqen time u lëshova në kët avanturë të cilen nuk ia kisha dëshirue askujtë në kët botë. Ikje nga lufta, haosi dhe panika që mbretnon në at mes, qenka nji përjetim apo rrugëtim i përjetuem drejt botes së Aides (ferrit të nertokes). Me këtë ndjenjë edhe un mes tyne u malltretova shpirtnisht dhe u këputa fizikisht, por ma në fund arrijtem deri në vendin kufitar Uzhgorod, dhe tash po pres ndonji lajm të mirë nga udhëtimi i gjatë i fëmijëve të mij që të bashkohen këtu me ne, e mandej të mendojmë se si me e kalue kufinin e bllokuem me dhetra kilometra nga banorët e Ukraines. Pak si fshirë por do të përpiqemi mandej gjith së bashku me e vazhdue maratonin e mundimeve për shpëtim e mbijetesë. Kërkoj falje që për dy dit rresht kam qenë pa internet dhe nuk kisha mundësi me u lajmërue. Ju përshëndes dhe fati qoft me ne. /KultPlus.com

‘L’Albanese D’Italia’, gazeta e parë shqiptare

Më 23 shkurt të vitit 1848, njëri ndër shkrimtarët më të shquar shqiptar Jeronim de Rada, botoi në Napoli të Italisë gazetën e parë shqiptare, shkruan KultPlus.

Gazeta mbane emrin ‘L’Albanese D’Italia’ (Shqiptarët e Italisë)

Me këtë ai themeloi hapat e parë të shtypit kombëtar. Gjithashtu më 1883, ai botoi revistën e parë në gjuhën shqipe “Flamuri i Arbërit”. / KultPlus.com

Enver Petrovci sot feston datëlindjen e 68-të

Enver Petrovci, aktori dhe regjisori i cili arriti famë shumë të madhe në kinematografinë ish jugosllave, kosovare dhe ndërkombëtare, sot feston datëlindjen e tij të 68-të, shkruan KultPlus.

Petrovci lindi më 28 shkurt 1954 në Prishtinë. Në fillim studioi në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë në degën e aktrimit, më pastaj mbaroi studimet Universitare për aktor edhe në Fakultetin e Arteve Dramatike në Universitetin e Beogradit. Ka arritur karrierë shumë të suksesshme në teatër, sidomos në atë “Atelieja 212” dhe me rolet e luajtura aty u bë i njohur nëpër mbarë ish Jugosllavinë duke u vlerësuar një nga aktorët me të famshëm të asaj kohe. Pas mbarimit të luftës e vazhdoi me sukses karrierën artistike në Prishtinë e në qendra të tjera shqiptare.

Interpretimet e tij në film ishin gjithashtu shumë të mirëpritura duke arritur famë shumë të madhe në kinematografinë ish jugosllave, kosovare dhe ndërkombëtare.

Është një ndër themeluesit e degës së Artit Dramatik dhe Akademisë së Arteve në Universitetin e Prishtinës në vitin 1989, ai kthehet nga Beogradi për të ligjëruar lëndën e aktrimit në këtë Universitet dhe formon kuadro të reja të aktorëve në Kosovë.

Rolet e tij si në teatër ashtu edhe në film janë në numër shumë të madh. Petrovci vazhdon të jetë pjesë e projekteve të ndryshme ku ende mban fuqishëm primatin e tij në fushën e aktrimit. / KultPlus.com

119 vjet nga vdekja e rilindasit, Jeronim De Rada

Jeronim De Rada, një ndër figurat më të ndritura të botës arbëreshe, themeluesi i Rilindjes tonë Kombëtare, mësues, botues, folklorist, filolog dhe poet i shquar kishte vdekur më 28 shkurt të vitit 1903.

Ai kishte lindur më 29 dhjetor 1814 në komunën e Maqit, (Macchia) në Kozenca të Italisë.

De Rada që herët iu përkushtuar çështjes shqiptare.  Aktivitetet e tij publicistike, letrare dhe politike, ishin thelbësore jo vetëm për  ndërgjegjësimin rreth minoritetit Arbëresh në Itali, por edhe për vendosjen e themeleve të një letërsie kombëtare shqiptare.

Veprat e tij, në të cilat mbizotëron dashuria e zjarrtë për prejardhjen e tij, janë një dëshmi e mbijetesës së identitetit shqiptar, i vënë përballë sfidave të shumta gjatë historisë. Në tetor të 1934-s, me dëshirë të babait të tij, u regjistrua në Fakultetin e Drejtësisë së Napolit, por fokusi kryesor i tij mbeti mbledhja e materialeve folklorike dhe letërsia.

Pikërisht në Napoli, më 1836 nxori botimin e parë të poemës së tij më të njohur në shqip “Këngët e Milosaos”, me titullin Poezi shqiptare të shekullit XV. Vepra e tij e dytë, Këngë historike shqiptare të Serafina Topisë, grua e princit Nikollë Dukagjini, Napoli 1839 nuk u la të qarkullojë nga autoritetet burbone nën pretekstin se De Rada kishte lidhje me grupet komplotiste gjatë të ashtuquajturit ‘Risorgimento’ në Itali.

Në vitin e revolucioneve në Evropë, më 1848 De Rada themeloi gazetën “Shqiptari i Italisë” (L’Albanese d’Italia), ku u përfshinë artikuj në gjuhën shqipe. Kjo gazetë dygjuhëshe, me karakter ‘politik, moral e letrar’ e me një tirazh prej 3200 kopjesh, ishte i pari periodik në gjuhën shqipe i botuar ndokund. Më 1883 themeloi revistën mujore dygjuhëshe “Fiamri Arbërit”.

Ky periodik, i botuar në fillim në Macchia e më pas në Kozencë, zgjati deri në nëntor të vitit 1887 dhe me gjithë censurën turke e greke, lexohej gjerësisht edhe nga shqiptarët në Ballkan. Më 1892 De Rada u riemërua mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqiptare në kolegjin e Shën Adrianit në Shën Mitër dhe më 1895 organizoi të parin kongres gjuhësor arbëresh në Koriliano Kalabro. / KultPlus.com

24 vjet nga fillimi i luftës në Kosovë

Lufta e Kosovës ishte një konflikt i armatosur në Kosovë që filloi në 28 shkurt të vitit 1998, pas sulmit jugosllav në fshatrat Likoshan dhe Qirez në Drenicë të Kosovës, deri në 11 qershor 1999.

Lufta u zhvillua mes forcave të Republikës Federale të Jugosllavisë, dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me ndihmë ajrore nga NATO (nga 24 marsi 1999) dhe mbështetje tokësore nga Ushtria shqiptare.

Në këtë luftë u debuan 800,000 shqiptarë nga territoret e tyre, u vranë 15,000 persona, nga të cilët rreth 2,400 luftëtarë të UÇK-së e të tjerët qytetarë të thjeshtë.

Të zhdukurit gjatë luftës në Kosovë (1998-1999) përfshijnë një numër prej rreth 6000 personave, nga të cilët 1653 persona ende nuk janë gjetur.

Lufta në Kosovë shkaktoi edhe shumë dëme të tjera të rënda në popullatën shqiptare: dëbime masive, shkatërrime vendbanimesh, vrasje të shumta, burgosje, dhunime, tortura etj. /KultPlus.com

‘Për të bërë paqe, duhet që edhe të mishërosh kompromisin’

Gratë lidere kanë dëshmuar vetën e tyre në të gjitha sferat e jetës, përfshirë këtu edhe politikën, shkruan KultPlus

Më poshtë gjeni të listuara dhjetë thënie të fuqishme nga gra politikane.

“Për mua, një demokraci më e mirë është një demokraci ku gratë jo vetëm kanë të drejtë të votojnë dhe të zgjedhin, por edhe të zgjidhen”

Michelle Bachelet, ish- kryetare e UN Women, ish Presidente dhe Ministre e Mbrojtjes e Kilit, për New York Times

“As zinxhirët e diktaturës as vargonjtë e shtypjes nuk mund të mbajnë poshtë për një kohë të gjatë, forcat e lirisë”

Angela Merkel, ish-Kancelare e Gjermanisë, gjatë një shkëmbimi dollish me Presidentin Obama

“Nëse e ke mendjen vetëm të të pëlqejnë, atëherë do të jesh e përgatitur të bësh kompromis me gjithçka dhe në çdo kohë, dhe nuk do të arrish asgjë”

Margaret Thatcher, e para Kryeministre femër e Britanisë, në një intervistë për Press Association

“Për të bërë paqe, duhet të jesh udhëheqës i pakompromis. Për të bërë paqe, duhet që edhe të mishërosh kompromisin”

Benazir Bhutto, e para grua e zgjedhur që udhëhoqi një komb mysliman si Kryeministre e Pakistanit, në librin “Reflektime të punës drejt paqes”

“Nuk është pushteti që korrupton, por frika. Frika e humbjes së pushtetit korrupton ata që e kanë dhe frika e kamzhikut të pushtetit korrupton ata që i nënshtrohen atij”

Aung San Suu Kyi, udhëheqe birmaniane pro demokracisë, në librin e saj “Liria nga frika”

“Cilindo titull apo post që jemi të privilegjuar të mbajmë, në fakt është ajo që bëjmë, ajo çka na bën këta që jemi… Secili prej nesh duhet të vendosë se çfarë lloj njerëzish duam të jemi – çfarë lloj trashëgimie duam të përcjellim”

Mbretëresha Rania Al Abdullah e Jordanisë në “Konferencën e Grave”

“Arsimi është transformues. Ai ndryshon jetë. Prandaj njerëzit punojnë kaq shumë për t’u arsimuar, dhe prandaj arsimi ka qenë gjithmonë çelësi i Endrrës Amerikane, forca që fshin ndarjet arbitrare të racës dhe klasës dhe kulturës dhe çliron potencialib që Zoti i ka dhënë çdo njeriu”

Condoleezza Rice, Ish-Sekretare Shteti në Ceremoninë e Diplomimit në Boston College

“Lumturia nuk është objektiv, ajo është një nënprodukt. Paradoksalisht, një mënyrë e sigurtë për të mos qenë të lumtur, është që të krijojmë një mënyrë jetese ku kënaqim plotësisht dhe ekskluzivisht vetëm veten tonë”

Eleanor Roosevelt, ish-Zonjë e Parë në librin e saj “Mëson duke jetuar”

“Një prej mësimeve me të cilët jam rritur është që gjithmonë të jesh e vërtetë me veten dhe të mos lejosh askënd që të të shpërqëndrojë nga objektivat e tua. Dhe kështu që, kur dëgjoj sulme negative apo të rreme, me të vërtetë që nuk investoj aspak energji në ta, sepse unë vetë e di se kush jam”

Michelle Obama, ish-Zonjë e Parë, në një intervistë për Marie Claire

“Përmasa e ëndrrave të tua duhet të kalojë gjithmonë kapacitetin tënd aktual për t’i arritur ato. Nëse ëndrrat nuk të trembin, atëherë nuk janë të mëdha sa duhet”

Ellen Johnson Sirleaf, ish-Presidente e Liberisë, në ceremoninë e diplomimit në Harvard. /KultPlus.com

Më fal trëndafil

Poezi nga Rifat Kukaj

Ç’po të buzqëshin petalet
Trëndafil bukurosh,
Si re të buta mbi male
Petalet që më shohin prore
Më ngjyrën rozë
Si npër qepallat qumështore

Më fal o mik për ngrysjen
Time dhe drithërime…
Unë do të t’shoh dhe verën tjetër
Po kurrë me sytë e nënës sime. / KultPlus.com

Letra emocionuese që Abraham Lincoln i dërgoi mësuesit të djalit të tij

Kjo është letra që presidenti amerikan Abraham Lincoln i drejtoi mësuesit të djalit të tij në fillim të shkollës. Një letër që duhet lexuar për të kuptuar jetën dhe mësimet që janë të rëndësishme tek fëmijët.

Letra e plotë:

Mësues i nderuar.
Djali im sot e fillon shkollën.

Pas pak, gjithçka do të jetë për të e re dhe e çuditshme, prandaj do të doja ta trajtonit butësisht. Është një aventurë që ai do ta marrë me vete nëpër të gjitha kontinentet. Të tilla aventura që ndoshta mund të përfshijnë luftëra, tragjedi dhe fatkeqësi. Ta jetosh këtë jetë, të duhet besim, dashuri dhe kurajo.

Për këtë, i dashur mësues, do t’ju lutesha ta merrnit përdore e t’i mësoni gjëra që do t’i duhen t’i dijë, mësojeni atë, por butësisht, nëse mundeni.
Mësojeni se për çdo armik, ekziston një mik.

Atij do t’i duhet të mësojë se jo të gjithë njerëzit janë të drejtë, dhe jo të gjithë njerëzit janë të sinqertë.

Megjithatë mësojeni se për çdo faqezi ka një hero dhe se për çdo politikan egoist, jeton një lider i përkushtuar.

Mësojeni nëse mundeni se 10 centë të fituar kanë shumë më tepër vlerë se një dollar i gjetur. Në shkollë, mësues, është shumë më e ndershme të dështosh se të mashtrosh.

Mësojeni atë si të humbë hijshëm, dhe si t’i gëzohet fitores kur ai fiton.

Mësojeni të jetë i mirë, me njerëzit e mirë, dhe i ashpër me njerëzit e ashpër. Mundohuni t’i qëndrojë sa më larg zilisë, nëse do të mundeni dhe mësojani sekretin e një buzëqeshjeje të çiltër.

Mësojeni po të jetë e mundur, si të qeshë kur të jetë i trishtuar, dhe se të derdhësh lotë nuk është aspak turp.
Mësojeni ti përqeshë cinikët.

Mësojeni nëse mundeni të zbulojë mrekullinë e leximit të librave, por gjithashtu i jepni edhe kohën e mjaftueshme për të kundruar misterin e përjetshëm të fluturimit të zogjve në qiell, të bletëve në diell e të luleve mbi një kodër të gjelbëruar.

Mësojeni të ketë besim në idetë e tij edhe nëse të gjithë do ti thonë se janë të gabuara.

Mundohuni t’i mësoni birit tim forcën për mos e ndjekur turmën edhe kur të gjithë vrapojnë pas fitimtarit.

Mësojeni të dëgjojë me vëmendje çdo njeri, por gjithashtu të shoshisë të gjithë atë që dëgjonte në sitën e së vërtetës dhe të marrë veç të mirën.

Mësojani atij se si të shesë talentin dhe zgjuarsinë e tij tek ofertuesi më i lartë, por mos të pranojë kurrë asnjë lloj çmimi për shpirtin e zemrën.

Lejojeni të ketë kurajo për të qenë i padurueshëm. Lejojeni të ketë durimin për të qenë trim.

Mësojeni atë të ketë besim sublim te vetvetja, sepse atëherë ai do të ketë gjithmonë besim sublim në njerëzimin dhe në ZOTIN. Këto janë kërkesat, mësues, por ju bëni
më të mirën që mundeni. Ai është fëmijë i vogël dhe i mire DHE ËSHTË BIRI IM

Me respekt
Abraham Lincoln. / KultPlus.com

Pavijoni rus raportohet se nuk do të marrë pjesë në Bienalen e Venecias

Pas pushtimit të Ukrainës, pavijoni rus në Bienalen e Venecias nuk do të zhvillohet siç ishte planifikuar këtë vit, përcjell KultPlus.

Artistët Alexandra Sukhareva dhe Kirill Savchenkov, si dhe kuratori Raimundas Malašauskas, thanë të dielën se nuk do të merrnin më pjesë në pavijon.

Pavijoni Rus duket se sugjeroi se nuk do të presë fare një ekspozitë këtë vit në Bienalen, e cila do të hapet në prill.

“Pavijoni rus do të mbetet i mbyllur”, thanë organizatorët e pavijonit në një postim në Instagram.

Muzeu Garage i Artit Bashkëkohor, një institucion në Moskë që është ndër më të rëndësishmit e këtij lloji në Rusi, tha këtë fundjavë se do të ndalonte përgatitjet për shfaqjet kushtuar Anne Imhof, Helen Marten dhe artistë të tjerë me famë ndërkombëtare.

Lajmi vjen pasi pavijoni i Ukrainës në Bienalen e Venecias është gjithashtu i varur në balancë. Artisti Pavlo Makov dhe kuratoret Lizaveta German, Maira Lanko dhe Borys Filonenko thanë javën e kaluar se shpresonin të vinin në skenë pavijonin këtë vit, por se për shkak të pushtimit, ata “nuk ishin në gjendje të vazhdonin punën në projektin e pavijonit për shkak të rreziku për jetën tonë.”

Vetë Bienalja lëshoi ​​një lutje për paqe javën e kaluar, duke thënë: “Ne shprehim shpresën se diplomacia ndërkombëtare do të gjejë forcën për të ndjekur një zgjidhje të përbashkët paqësore në kohën më të shkurtër të mundshme”. /KultPlus.com

MKRS, nesër do të ndajë Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” dhe Çmimet Vjetore për Letërsi

Më 28 shkurt do të ndahen çmimet vjetore për letërsi, përfshirë edhe çmimin kombëtar për vepër jetësore “Azem Shkreli” me fillim nga ora 14:00, shkruan KultPlus.

Përmes një njoftimi zyrtar, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përmes një njoftimi zyrtar bëri të ditur edhe ndarjen e çmimeve.

Vitin e kaluar këto çmime janë ndarë për nder të 17 shkurtit, ku Mehmet Kraja fitoi çmimin “Azem Shkreli”.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve për letërsi do të mbahet në kabinetin e Ministrit./ KultPlus.com

‘Pusulla letre’, i autores Vera Bekteshi rrëmben çmimin letrar Kadare

Këtë vit, edicionin e 7-të të Çmimit letrar Kadare, e ‘rrëmbeu’ mes 21 dorëshkrimesh romani “Pusulla letre”, i autores Vera Bekteshi me motivacionin: “ Për risinë stilistikore në shkrirjen e zërit të autores me atë të personazhit kryesor në një rrëfim të kthjellët dhe origjinal, edhe pse personazhi vuan nga probleme të shëndetit mendor.

Ky rrëfim në vetë të parë vjen përmes një ligjërimi autentik të shkarkuar nga ngërçi i verigave të realizmit socialist, të vendosur në një regjistër leksikor të zgjedhur nga autorja.

Vepra shpërfaq autoren si mbijetuese të sprovuar, me një ind rezistence të admirueshëm në nivel sa jetesor, aq edhe artistik.”
c

Bekteshi bëhet shkrimtarja e parë fituese femër në gistorinë 7 vjeçare të këtij Çmimi. Në këtë projekt, që ka si qëllim inkurajimin e të shkruarit të prozës shqipe, kanë konkuruar deri tani afro 250 vepra dhe laureatë të tij kanë qenë pena të shquara dhe të reja në letrat shqipe si Rudolf Marku, Shkëlqim Çela, Musa Ramadani, Virgjil Muçi, Loer Kume dhe Gani Mehmetaj.

Vera Bekteshi është autore e disa veprave letrare si: ‘Një det i moçëm’ , ‘Ora me rërë,’ ‘Bella ciao’. Veçanërisht romani i saj autobiografik ‘Vila me tri porta’, ka shënuar një sukses letrar në vitet e fundit.

Çmimi letrar Kadare jepet nga Instituti Europian Pashko dhe mbështetet nga UET PRESS dhe Universiteti Europian i Tiranës. Top Channel /KultPlus.com

Parlamenti Kulturor Evropian në mbështetje të Ukrainës: Përpjekjet për të rindërtuar perandorinë shtypëse duhet të dënohen

Anëtarët e Parlamentit Kulturor Evropian me deklaratë mbi pushtimin rus në Ukrainë, përcjell KultPlus.

Parlamenti Kulturor Evropian shprehin mbështetjen e tyre për popullin ukrainas duke shprehur se përdorimi aktual i forcës ushtarake në territorin e një vendi tjetër minon përpjekjet e dekadave për të vendosur një rend ndërkombëtar të qëndrueshëm të udhëhequr nga parimet njerëzore të pranuara dhe themelore.

KultPlus ua sjell njoftimin e plotë:

Deklaratë mbi pushtimin rus në Ukrainë

Ne, anëtarët e Parlamentit Kulturor Evropian*, ECP, shprehim mbështetjen tonë të plotë për kombin ukrainas dhe popullin e tij në luftën e tyre për pavarësi, dinjitet dhe liri. Përdorimi aktual i forcës ushtarake në territorin e një vendi tjetër minon përpjekjet e dekadave për të vendosur një rend ndërkombëtar të qëndrueshëm të udhëhequr nga parimet njerëzore të pranuara dhe themelore. Pavarësisht nga mangësitë e paraleleve historike, ajo që po ndodh tani në Ukrainë i ngjan shumë situatës që kulmoi me Luftën e Dytë Botërore, duke përfshirë ngritjen e nazizmit, fashizmit dhe shkeljet e shumta të kufijve kombëtarë. Përpjekjet aktuale për të rindërtuar perandorinë shtypëse dhe të zymtë sovjetike duhet të dënohen me vendosmëri. Është detyra dhe detyrimi ynë që të zgjedhim vlerat evropiane të demokracisë liberale dhe të qëndrojmë fort pas këtyre vlerave. Është përgjegjësia jonë si intelektualë, artistë dhe qytetarë të punojmë për një të ardhme paqësore të bazuar në vlerat njerëzore./ KultPlus.com

‘U luta për ty, u luta të më duash, u luta të mos më duash’

Poezi e shkruar nga Leonard Cohen.

Nuk ke pse më do
ngaqë
je si të gjitha gratë
që përherë më kanë munguar
U linda për të rendur pas teje
çdo natë
dhe prapë jam
orteku me burra që të dashurojnë

Të takoj në tryezë
ta marr grushtin mes duarve të mia
në taksi nusesh
zgjohem fillikat
gishtat e mi – te mungesa jote
në Bujtinën e Virtytit.

I shkrova tërë këto këngë për ty
ndeza qirinj të kuq e të zinj
në trajtën e një burri dhe një gruaje
u martova me tymin
e dy piramidave me nallane druri
u luta për ty
u luta të më duash
u luta të mos më duash.

Federata Ndërkombëtare e Xhudos pezullon statusin e Putinit si president nderi

Federata Ndërkombëtare e Xhudos merr vendim që të pezullojë statusin e Vladimir Putin si President nderi, shkruan KultPlus.

Përmes një njoftimi në llogarinë personale, IJF ka bërë të ditur vendimin e tyre të fundit, lidhur me konflikin e vazhdueshm të luftës në Ukrainë.

“Në dritën e konfliktit të vazhdueshëm të luftës në Ukrainë, Federata Ndërkombëtare e Xhudos njofton pezullimin e statusit të z. Vladimir Putin si President Nderi dhe Ambasador i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos”, shkruhet në njoftimin e tyre.

Sanksione të ndryshme Rusia dhe Putini kanë marrë nga shtete të ndryshme botërore, përfshirë edhe Kosovën. /KultPlus.com

Pa alfabet nuk mund të flitej për Rilindjen e popullit shqiptar, 143 vjet më parë u shkrua historia

“Alfabetarja e gjuhës shqipe” u botua me nismën e Sami Frashërit, Jani Vretos e Pashko Vasës, në Stamboll më 27 shkurt 1879.

Që në fillimet e lëvizjes për çlirim nga Turqia, çështja e alfabetit doli në plan të parë: pa të nuk mund të flitej për Rilindje të popullit shqiptar.  Prandaj me nismën e Sami Frashërit, Jani Vretos e Pashko Vasës, më 27 shkurt 1879 u botua në Stamboll “Alfabetarja e gjuhës shqipe“. Ishte një nga veprimtaritë më të rëndësishme të patriotëve shqiptarë të Stambollit, të cilët më 12 tetor 1879 themeluan “Shoqërinë e të Shtypurit të Shkronjave Shqip”, shoqëri kulturore, që kishte për synim të nxiste zhvillimin e kulturës në gjuhën shqipe dhe ta vinte atë në shërbim të çështjes së çlirimit kombëtar nga Turqia. Me alfabetin, plotësonte një nga kërkesat bazë për përhapjen e propagandës atdhetare dhe i hapte rrugën botimeve të para serioze të Rilindjes sonë Kombëtare.

Libri “AΛFABETARE E GLÚHESE ΣQIP” është përgatitur,pra, nga Shemsudin Sami Frashëri, Jani Vreto, Pashko Vasa etj., dhe është botuar në Stamboll më 1879. Një kopje e librit, me kapakë kadife të kuqe të shkruar me shkronja ari, i është dhuruar Sulltan Abdyl Hamitit II, i cili ka ditur të flasë shqip.

“Alfabetarja e gluhësë shqip”, botuar vetëm pak muaj pas miratimit të alfabetit të Stambollit, është një vepër kolektive. Në të janë përfshirë shkrimet e Sami Frashërit: “Gjuha Shqip” dhe “Dheshkronjë”; të Jani Vretos: “Udhë e të shkruarit të gjuhësë Shqip”, “Për Gjithëçishtënë dhe për Zon’e jetësë edhe për Njerinë, botën’ e vogëlë”, “Numerëmësonjë”; të Pashko Vasës: “Shqypnija e Shqyptârt”, të Koto Hoxhit: “Porosit’ e Tovitit mbë të birë”.  Siç shihet nga përmbajtja, “Alfabetares së gjuhës shqipe” nuk është thjesht një tekst abetareje. Përveç abetares në të përfshihen edhe lëndë të tjera si: gramatikë, histori, aritmetikë, edukatë shoqërore dhe morale.

Në gjirin e saj, siç u përmend, bashkëpunuan ngushtësisht myslimanë të mëdhenj si vëllezërit Frashëri, katolikë të shquar, si Pashko Vasë Shkodrani e ortodoksë të mësuar e atdhetarë si Jani Vreto: ishte pra model i bashkëpunimit ndërmjet feve në shërbim të Atdheut. Vlerat e kësaj abetareje, që me të drejtë është quajtur “një vepër themelvënëse”, janë të gjera dhe të shumanshme. Kjo vepër përbën një prej gurëve themeltarë në proçesin ripërtëritës dhe ripërcaktues të gjuhësisë shqiptare.

Në “Alfabetare…” trajtohen disa nga problemet më themelore të kohës, në plane të ndryshme: politik, idelogjik, kulturor dhe arsimor që kishte shtruar për zgjidhje Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Ky tekst, si rrallë ndonjë tjetër, shkon në unison me ato ngjarje, duke u bërë jehonë, duke zbatuar pjesë të veçanta të programit për çlirimin kombëtar dhe shoqëror.

Gjithsesi çështja e alfabetit të shqipes do të zgjidhej përfundimisht vetëm me Kongresin e Manastirit, që u mblodh më 14 nëntor 1908, ku u hartua një alfabet i ri me shkronja latine. Është alfabeti që përdorin edhe sot e kësaj dite gjithë ata, të cilët shkruajnë shqip. / KultPlus.com

Kurti udhëton në Londër, merr pjesë në Samitin për Investime në Ballkanin Perëndimor

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të marrë pjesë në Samitin për Investime në Ballkanin Perëndimor 2022 të hënën në Londër, përcjell KultPlus.

Kështu ka bërë të ditur zyra për media e kryeministrit Kurtit, i cili disa javë më parë mori pjesë edhe në Konferencën e Sigurisë në Mynih të Gjermanisë.

Akoma nuk është bërë e ditur në qoftë se dikush tjetër nga Qeveria do ta shoqërojë Kurtin në Londër. /KultPlus.com

Tirana proteston kundër pushtimit rus, solidarizohen me Ukrainën

Gjatë ditës së sotme, në Tiranë ka ndodhur një protestë në shenjë solidarizimi me Ukrainën kundër pushtimit rus, shkruan KultPlus.

Sheshe të ndryshme evropiane janë mbushur me numër të madh të njerëzve të cilët po protestojnë kundër pushtimit rus.

“Putini kriminel”, ishte njëri prej mesazheve kryesore që Tirana tha në këtë protestë. /KultPlus.com

Dua Lipa ndan mënyrat për të mbështetur Ukrainën

Ukraina është duke luftuar ndaj Rusisë e cila po mundohet që ta pushtojë Kievin në krye me presidentin Vladirim Putin kanë marrë vëmendjen e të gjithë botës, shkruan KultPlus.

Një reagim për këtë çështje ka pasur edhe këngëtarja Dua Lipa përmes buletinit të saj javor, “Service 95”.

“Derisa Ukraina po përballët me pushtimin e ushtrisë së Putinit, e gjithë bota dëshiron që të mbështet këtë vend të guximshëm në luftën e tyre për liri dhe demokraci”, shkruan ajo në reagimin e saj.

Gjithashtu, shton pjesën se buletini Service 95 dëshiron të ketë një ndikim në këtë ndihmë, ku edhe kanë bërë shpërndarjen e mënyrave për të mbështetur këtë luftë.

“Po ndajmë disa mënyra për të mbështetur përpjekjet humanitare, për të ndihmuar me furnizime mjekësore dhe madje për të mbështetur përpjekjet e luftës duke dhuruar për fushatën e financimit të turmave të ushtrisë ukrainase”. /KultPlus.com

Në Bronx Diaspora Shqiptaro Amerikane protestoi për mosemërimin e rrugës “Fan Noli”

Nga Keze Kozeta Zylo

Ditën e shtunë në orën një mbasdite Diaspora Shqiptaro Amerikane u mblodh në Bronx dhe protestoi plot kulturë për t’i vendosur një rrruge në Morris Park të Bronxit emrin e burrit të ndritur të Kombit Shqiptar dhe Amerikan Fan Stelian Noli. Z.Mark Gjonaj “Nderi i Kombit”ish Këshilltat në Bashkinë e Nju Jorkut dhe Ansambleist në shtetin e Nju Jorkut së bashku me Vatrën nën drejtimin e kryetarit të saj z.Elmi Berisha udhëhoqën këtë protestë kundër bllokimit të emërimit të rrugës me emrin e Fan Nolit. Ata akuzuan këshilltaren Marjorie Velazquez e cila ka bllokuar emërimin e rrugës “Fan Noli” rrugë në seksionin Morris Park të Bronxit ku iu bashkuan dhe shumë aktivistë të njohur të komunitetit në protestë. Për gjithë Diasporën Shqiptaro Amerikane emërimi i rrugës me emrin e ndritur të Fan Nolit do të ishte një nga lajmet më të bukura çka do të bënte krenar çdo shqiptar e bir shqiptar në çdo cep të globit sepse është nje vlerësim që i bëhet kontributit të jashtëzakonshëm të Fan Nolit. Po në këtë ditë u bë Kuvendi i Vatrës ku u mbajtën zgjedhjet dhe ishte planifikuar që pas zgjedhjeve të inagurohej kjo ditë e madhe për Kombin. Moderatorja zonjusha Ornela Beshiri e cila e drejtoi me profesionalizëm këtë protestë kritikoi ashpër këshilltaren Velazquez për këtë situatë të nderë që krijoi në komunitetin shqiptaro amerikan në Bronx. Pas Himneve kombëtare të Shqipërisë dhe të Amerikës pastori David Hernquist bekoi protestën nën emrin e Zotit. U mbajt një minutë heshtje si homazh për të rënët në luftë në Ukrainë gjatë pushtimit të Rusisë urdhëruar nga Vladimir Putini. Kryetari ri i rizgjedhur i Vatrës përshëndeti protestuesit dhe tha se ne do të përpiqemi fort deri në emërimin e rrugës së Fan Nolit, pasi ai e ka merituar me kohë dhe do të vazhdojmë protestat derisa të zgjidhet ky ngërç tejet pengues. Fan Noli ishte kryeministër shqiptar dhe themelues i Kishës Ortodokse Shqiptare, i cili dha gjithashtu nje kontribut për shumë vite në SHBA. Sot ne kemi Vatrën e tij prej 110 vitesh dhe vazhdon të jetë krenari kombëtare. Në këtë protestë përshëndetën mjaft politikanë të zgjedhur amerikanë dhe ajo që të bën përshtypje dhe të krijon respekt është se midis tyre Ansambleisti Michael Benedetto gjithmonë është pranë kauzës së çështjes shqiptare. Do të ishte një gjë e shkëlqyer për Komunitetin Shqiptaro-Amerikan. Nuk e di pse ka një pengesë, tha Benedetto. Në protestë folën dhe kritikuan ashpër si znj. Nathalia Fernadez Ansambleiste e shtetit të Nju Jorkut një mike e madhe e shqiptarëve. Z.Ardhmir Malziu ndihmës këshilltar në Bashkinë e Nju Jorkut gjithashtu moderoi një pjesë të programit gjatë protestës dhe me ovacione u mirëprit Z.Gjonaj shqiptari i parë i zgjedhur në Këshillin e Bashkisë së Nju Jorkut. Ai tha: “Fan Noli është hero. Të hiqet ky moment krenarie kulturore dhe të kapet pas politikës së imët është një shuplakë për të gjithë ne. Ne do të luftojmë si shqiptaro-amerikanë, sepse ne kontribuojnë shumë për qytetin tonë, dhe nuk do të lemë askënd t’i mohojë këto kontribute si të pa rëndësishme. Këtë protestë kundër bllokimit të rrugës me emrin e Fan Nolit e përshëndetën dhe nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit të cilët festuan me madhështi 14 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Ata përshëndetën me këngën: “Xhamadani vija-vija” drejtuar nga artistja e mirënjohur Valbona Peraj. Ata janë rritur në shkollë me Fan Nolin dhe vargjet lapidar të tij si Mbahu nëno mos ki frike se ke djemtë në Amerikë janë të ngjizura në shpirtin e tyre. Protestuesit dhe gjithë Diaspora Shqiptaro Amerikane shpreson se së shpejti do të bëhet inagurimi i rrugës me emrin e Fan Nolit. Fan Noli nderohet nga Diaspora dhe në Shqipëri si themelues i Federatës Pan Shqiptare “Vatra” kampion i letërsisë, historisë, teologjisë, diplomacisë, gazetarisë, muzikës, bashkimit kombëtar dhe ekumenizmit. Ai luajti një rol të rëndësishëm në konsolidimin e Shqipes si Gjuhë Kombëtare e Shqipërisë me përkthime të shumta të kryeveprave të letërsisë botërore. Ai gjithashtu shkroi gjerësisht në anglisht: si studiues dhe autor i një sërë botimesh për Skënderbeun, Shekspirin, Bethovenin, tekste fetare dhe përkthime. /KultPlus.com