Protestuesit para Ministrisë së Drejtësisë: Boll më nuk durojmë

Ka nisur protesta në Prishtinë e cila vjen pas dhunimit të një të miture 11 vjeçare. Fytyra publikë e njerëz të shoqërisë civile i janë bashkuar protestës për të ngritur zërin pas përdhunimit të shumëfishtë ndaj të miturës që raportohet të jetë bërë për shtatë orë.

Kjo protestë është organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist me kërkesat mbrojtje dhe siguri nga shteti për vajzat dhe gratë. Ky rast i përdhunimit është edhe një alarm që tregon për pasigurinë dhe tmerrin të cilin e jetojnë vajzat dhe gratë në Kosovë, në çdo hapësirë ku ato gjenden.

 “Kërkojmë mbrojtje për vajzat dhe gratë” është thirrja që po bëhet gjatë kësaj proteste ku po kërkohet që të bëhen dënime meritore për të gjithë përdhunuesit e vajzave dhe grave.

“Pedofilët në burg”, “Boll më nuk durojmë”, “Poshtë patriarkati”, “Poshtë përdhunuesit”, “Përdhunuesit në burg”, janë disa nga thirrjet e kësaj proteste.

Pankarta të shumta janë ngritur lartë: “Mbrojtje për vajzat dhe gratë”, “Çika e gra jemi bashkë krahë për krahë”, “Nuk ka dështuar nëna ka dështuar shteti”.

Protestuesit kanë shkuar edhe në ndërtesën e Ministrisë së Drejtësisë ku kanë gjuajtur me ngjyrë të kuqe. / KultPlus.com

Jep dorëheqje drejtori i Drejtoratit për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve, Ali Gashi

Pas rastit të dhunimit të 11 vjeçares, si akt moral ka dhënë dorëheqje Drejtori i Drejtoratit për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve, Ali Gashi, përcjellë KultPlus.

Dorëheqja ka ardhur si akt moral i Gashit, pasi që njëri nga të dyshuarit për dhunim ka qenë në mbajtje të dënimit në institucione korrektuese për disa vepra penale.

Dorëheqja është miratuar nga Shërbimi Korrektues i Kosovës. / KultPlus.com

Kronika e një vdekjeje të bujshme, aksidenti tragjik që mori jetën e një princeshe

Më 31 gusht të vitit 1997, Diana ishte përfshirë në një aksident rrugore i ndodhur në tunelin në rrugën Pont de l’Alma,Paris, së bashku me mikun dhe të dashurin e saj Dodi Fayed dhe me shoferin e tyre Henri Paul. Dodi dhe Henri vdiqën në vendin e aksidentit kurse Diana ishte dërguar e gjallë në spitalin Pitié-Salpêtrière. Pavarësisht përpjekjëve për ta shpëtuar Dianën mirëpo lendimet e brendshme te saj ishin shumë të gjëra,dy orë pas aksidentit në 4:00 të mëngjesit , mjekët e prononcuan vdekjën e saj. Në 5 :30 të mëngjesit, vdekja e saj u njoftua në një konferencë për shtyp i mbajtur në spital nga një mjek, Jean-Pierre Chevènement (Ministri i Brendshëm i Francës) dhe Sir Michael Jay (ambasador i Britanisë në Francë). Njerëzit për shumë muaj vendosen lule,qirinj,kartat dhe mesazhet personale ,jashtë pallatit Kensington.

Në mëngjesin e vonshëm Kryeministri francez, Bernadette Chirac, gruaja e Presidentit francez Zhak Shirak, dhe Bernard Kouchner Ministri i Shëndetësisë së Francëa, vizituan trupin e pajetë të Dianës dhe i bënë nderimet e fundit. Pastaj në Paris erdhën dy motrat Lady Sarah McCorquodale dhe Lady Jane Fellowes,dhe Princi i Wellsit duke u larguar me trupin e saj për në Londër. Vdekja e saj e papritur dhe e papranushme e nje figure jashtëzakonisht popullore mbretërore solli deklarata nga figura të larta në mbarë botën. Varrimi i saj në Westminster Abbey më 6 shtator 1997 tërhoqi rreth 3 milion njerëz në Londër, funerali i saj u ndjek nga shumë media botërore televizive me një transmetim të drejtpërdrejt. Fundi i Dianës u mbulua me mister. Dhjetra teori konspirative morën jetë dhe të gjitha dilnin në një përfundim, vrasjen. Edhe sot ende kjo tragjikë grish. Libra dhe filma, komente e aludime, dokumentarë e panoramime vdekje, kanë krijuar atë panoramë ndarjeje me Dianën, princeshën sharmante dhe gruan që bëri kaq shumë për bujarinë dhe humanizmin. / Nga Albert Vataj / KultPlus.com

Ministrja Nagavci ka një lutje për punëtorët e arsimit

Ministrja e arsimit, Arbërie Nagavci, sot në një konferencë për media ka “lutur dhe ftuar” punëtorët e arsimit që mos të ketë grevë në sektorin e arsimit. Ajo tha se gjatë mandatit të saj si ministre janë përfshirë të gjitha kërkesat e SBASHK-ut.

“Unë pres dhe kërkoj të mos ketë grevë as në sektorin e arsimit, sidomos në sektorin e arsimit në çerdhe dhe shkolla. Gjatë mandatit tim janë përfshirë të gjitha kërkesat për sigurinë dhe mirëqenien e stafit arsimor. Iu kemi përgjigjur çdo kërkese të SBASHK-ut për takime, sa herë që ata kanë kërkuar”, deklaroi Nagavci.

Ajo pati edhe një lutje tjetër për punëtorët e arsimit.

“Ftoj dhe lus të gjithë punëtorët e arsimit që vendimet t’i marrin me kujdes dhe pa presion nga askush. Ju lus që ta analizoni me vëmendje gjithë legjislacionin, të drejtat dhe pushimin e këtyre të drejtave dhe obligimeve gjatë kohës së punës ose të grevës. Jam e bindur që këtë mund ta bëni vetë të pa ndikuar”, u shpreh ministrja

“E kam thënë edhe në vitin 2019, kur sistemi i arsimit ishte në greva për tri javë, mësuesit në shumicën e tyre nuk është se e duan grevën. Kam punuar dhe vetë me ditar në dorë dhe e di situatën e pakëndshme e  tensionet e ngarkesën emocioanle që krijohet në shkolla në kohë greve”, tha ajo.

“Andaj si MASHT kemi tejkaluar edhe kërkesat e sindikatës për ligjin për pagat. Ne kemi një pozicionim më të mirë se ajo që ka kërkuar SBASHK-u , por edhe me të cilën kreysia e SBASHK-ut ishte pajtuar me qeverinë e kaluar”, deklaroi Nagavci.

Ajo ka përmendur disa nga “punët që janë ndërmarrë që lehtësojnë punën e mësuesve”.

“Për herë të parë kemi  ndarë buxhet për mësuesit me probleme shëndetësore, rreth 1 milion e 700 mijë euro; kemi ndarë buxhet për mësimdhënësit që janë rreziku të mbesin pa punë për shkak të zvogëlimt të numrit të nxënësve; kemi punësuar 100 asistentë të fëmijëve me nevoja të veçanta; kemi zgjidhur problemin me normat; fuqishëm jemi duke punuar në avancimin e kuadrit ligjor të licencimit të mësimdhënësve…”, tha Nagavci. /GazetaExpress/ KultPlus.com

Avokatja Kika: Duhet të punojmë vazhdimisht për t’ia shkulur rrënjët mendësisë që mundëson dhunën ndaj vajzave e grave

Avokatja Rina Kika ka publikuar në rrjetet sociale një shkrim ku ndër të tjera thekson faktin se sipas Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, 85% të viktimave të dhunës seksuale në periudhën 2019-2021 ishin vajza të mitura. Ndërkaq, të gjithë kryesit e dhunës seksuale ishin burra ose djem.

Sipas Kikës, kjo dhunë i ka rrënjët te faktorët që lidhen me gjininë, siç është ideologjia dhe e drejta e supozuar e privilegji i burrave ndaj grave, normat sociale për maskulinitetin, nevojën e burrave për ushtrimin e kontrollit dhe pushtetit, përforcimit të roleve gjinore, etj.

Ky është statusi i plotë i kikës:

85% të viktimave të dhunës seksuale në periudhën 2019-2021 ishin vajza të mitura, sipas Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës. Po e përsëris: tetëdhjetë e pesë përqind të viktimave të dhunimeve seksuale ishin vajza nën moshën 18 vjeçare! Ndërkaq, të gjithë kryesit e dhunës seksuale ishin burra ose djem.

Vitin e kaluar publikova një shkrim për gabimet e sistemit të drejtësisë në gjykimin e dhunuesit të një vajze 15 vjeçare që u dënua me vetëm 8 muaj e 8 ditë burgim për veprën penale të dënueshme sipas Kodit Penal me 5 deri në 20 vjet burgim.

Një raport i publikuar nga EULEX në korrik tregon, mes tjerash, se dënimi i dhunuesve seksualë nën minimumin e dënimit është problem sistematik. Në më shumë se gjysmën e aktgjykimeve fajësuese për raste të dhunimeve seksuale të periudhës 2019-2021, gjykatat kanë dhënë dënime nën minimumin e kohëzgjatjes së dënimit të përcaktuar me ligj, duke marrë parasysh rrethana posaçërisht lehtësuese si: premtimi i të pandehurit se nuk do ta shkelë më ligjin, kërkimfalja ndaj viktimës, sjellja korrekte e të pandehurit në gjykatë, e me radhë.

Dhuna seksuale ndaj vajzave e grave është problem social dhe është dhunë me bazë gjinore. Pra, dhunë që na prekë ne gratë e vajzat jo-proporcionalisht dhe që na shkaktohet për faktin se jemi vajza e gra. Prandaj përgjigjja ndaj këtij problemi duhet të jetë gjithpërfshirëse e të shkojë përtej rasteve individuale. Siç e thotë Komiteti për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave, kjo dhunë i ka rrënjët te faktorët që lidhen me gjininë, siç është ideologjia dhe e drejta e supozuar e privilegji i burrave ndaj grave, normat sociale për maskulinitetin, nevojën e burrave për ushtrimin e kontrollit dhe pushtetit, përforcimit të roleve gjinore, etj.

Nuk duhet të befasohemi me tmerrin që ia shkaktuan pesë burra e djem një vajze 11 vjeçare. Duhet të mllefosemi, të punojmë bashkë e vazhdimisht për t’ia shkulur rrënjët mendësisë që mundëson dhunën ndaj vajzave e grave si dhe zbutjen e jashtëzakonshme të dënimeve për dhunuesit seksualë. Puna më e madhe i takon institucioneve që duhet të bëjnë shumë më shumë për t’i adresuar këto probleme.

Si fillim:

Nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, dua ta di se kur do të fillojë edukimi seksual në shkolla?

Nga Gjykata Supreme e Kosovës dua të di se çfarë po bën për ta adresuar problemin sistematik me zbutjen e dënimeve për dhunuesit seksualë nën minimumin e kohëzgjatjes së dënimit?

Shihemi në 12:00 në protestë!

Burimet:

EULEX, Raport monitorimi, Vlerësimi i trajtimit të rasteve të dhunimit nga sistemi i drejtësisë në Kosovë, korrik 2022 https://www.eulex-kosovo.eu/…/(07.06.2022)Report_AL.pdf

Kosovo 2.0, Rina Kika, Pa drejtësi për 15 vjeçaren e dhunuar, 5 nëntor 2021, https://kosovotwopointzero.com/pa-drejtesi-per-15…/

CEDAW, General recommendation No. 35 on gender-based violence against women, updating general recommendation No. 19, https://tbinternet.ohchr.org/…/CEDAW_C_GC_35_8267_E.pdf / KultPlus.com

Charlbi Dean, ylli i filmit “Triangle of Sadness”, vdiq në moshën 32-vjeçare

Aktorja Charlbi Dean ka vdekur të hënën në moshën 32 vjeçare pas një sëmundjeje të papritur, ka konfirmuar një përfaqësues i aktores për CNN.

Charlbi Dean, ishte protagoniste në filmin “Triangle of Sadness”, i shpërblyer me “Palmën e Artë” në Cannes.

Charlbi Dean, ishte një yll që sapo kishte filluar të ngrihej në karrierë por vdekja i ndërpreu gjithçka.

Dean, e cila nganjëherë vlerësohej si Charlbi Dean Kriek, vinte nga Afrika e Jugut dhe filloi karrierën si modele.

Filmi i saj i parë ishte në komedinë e vitit 2010, “Spud”, ku luajti krahas yjeve Troye Sivan dhe John Cleese. Tutje ajo e vazhdoi karrierën prej aktoreje me role në filma të tillë si, “Death Race 3: Inferno”, “Blood in the Water”, “Don’t Sleep”, “Porthole” dhe të tjerë.

Aktorja po ashtu luajti në serialin e kanalit CW, “Black Lightning”, ku e portretizo rolin e Syonide.

Roli i Dean në “Trekëndëshi i trishtimit” ishte më i madhi i saj deri më sot, veçanërisht pas pritjes pozitive të filmit në Kanë. Në film, Dean luajti Yaya. / KultPlus.com

‘Selfie Museum Albania’, muzeu i punimeve artistike të të rinjve

Ekspozimi i punimeve artistike të të rinjve të talentuar në artin pamor, me qëllim fuqizimin e tyre, është objektivi i projektit “Selfie Museum Albania”.

Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Edona Bilali mbështeti këtë projekt që do t’i afrojë të rinjtë me artin në një mënyrë tërësisht inovative.

“Selfie Museum Albania”  Citrus Group mbështetet nga Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, në fazën e zgjerimit si startup”, shkroi Bilali në një postim në rrjetet sociale.

“Krijimi i një muzeu cool ku do të ekspozohen punime artistike të të rinjve të talentuar në artin pamor, me qëllim fuqizimin e tyre, është objektivi i projektit “Selfie Museum Albania””, theksoi Bilali.

“Ky projekt do t’i afrojë të rinjtë me artin në një mënyrë tërësisht inovative, ku do të krijohen hapësira të veçanta dhe unike për ndërveprimin mes tyre”, u shpreh Bilali./ atsh/ KultPlus.com

Maks Velo, artisti që la një gjurme të pashlyeshme në emanicipimin dhe zhvillimin e artit shqiptar

Maks Velo lindi në Paris, më 31 gusht të vitit 1935. Pas lindjes së tij, familja Velo u kthye përsëri në Shqipëri, në qytetin e Korçës, ku Maksi ka kaluar edhe fëmijërinë.

Vendi i origjinës së prindërve ishte Dardha. Pasi mbaron gjimnazin, ai vazhdon studimet pranë Institutit Politeknik, në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit. Më pas specializohet për arkitekturë dhe në vitin 1960 merr pjesë në projektimin e parë që u bë në Tiranë. Ka punuar më tej pranë byrosë së projektimit të Tiranës. Pastaj, vitet ’78-’79 përkojnë edhe me periudhën më të vështirë të jetës së tij, pasi gjatë kësaj kohe, ai arrestohet dhe dënohet me dhjetë vjet burg.

Maks Velo është autor i një sërë botimesh si: “Kokëqethja”, “Palltoja e burgut”, “Thesi i burgut”, “Paralele për arkitekturën”, “Kohë antishenjë”, “Jeta ime në figura ” etj.

Si artist, ai krijoi në disa gjini të artit: pikturë, prozë, poezi, publicistikë sikundër ishte i angazhuar në çështje të aktualitetit shqiptar. Ai la një gjurme të pashlyeshme në emanicipimin dhe zhvillimin e artit shqiptar. / KultPlus.com

“Kur të tradhtojnë është sikur t’i kishin prerë krahët. Ti mund ti falësh, mirëpo s’ke si i përqafon“

Leon Tolstoi njihet si një shkrimtar dhe filozof rus, një mjeshtër i letërsisë realiste dhe një prej shkrimtarëve më të mëdhenj të botës. Por pak prej nesh e dinë se ai qe një prej të parëve mbështetës të idesë që veprat e artit nuk duhet të jenë pronë private, por duhet t’i përkasin gjithë njerëzimit.

Refuzimi që i bënte kishës dhe shtetit e bënin atë një anarshist të veçantë kristian, që urrente pronën private, dënonte fort vanitetin dhe ishte një prej të parëve që refuzoi Çmimin Nobel në Letërsi.

Sonte, KultPlus ju sjell një nga thëniet më të famshme të Tolstoit.

“Kur të tradhtojnë është sikur t’i kishin prerë krahët. Ti mund ti falësh, mirëpo s’ke si i përqafon.”KultPlus.com

155 vjet nga vdekja e poetit të njohur francez, Charles Baudelaire

Poeti i njohur francez, Charles Baudelaire, lindi më datë 9 prill të vitit 1821 në Paris.

E ëma e tij, pas vdekjes të së shoqit, u martua me një kolonel i cili duke qenë shumë i ashpër nxiti e provokoi urrejtjen e të birit. Marrëdhëniet me të ëmën nuk i kishte fort të mira dhe ky faktor shkaktoi te ai krizën ekzistenciale që e shoqëroi për tërë jetën.

Në vitin 1833 njerku e regjistroi në “Kolezh Ruajal”. Sjellja e tij nuk ishte nga më të mirat kështu që njerku i zëmëruar e detyroi të shkonte në Indi. Ky udhëtim ndikoi për mirë te Sharli, e njohu me kultura dhe njerëz të ndryshëm. Që këtu lindi dhe dashuria e tij për ekzotizmin, që duket më së miri në kryeveprën e tij “Lulet e së Keqes”. Sidoqoftë 10 muaj më pas u kthye në Paris dhe duke qenë se ishte në moshë madhore mori pjesën që i takonte nga pasuria e të atit.

Në vitin 1842, njohu poetët Gerard de Nerval, dhe Gautier; me këtë të fundit u afrua shumë pasi për më tepër shikonte tek ai një udhëheqës artistik dhe moral. Gjatë kësaj kohe njohu Jeanne Duval, me të cilën pati një marrëdhënie shumë pasionale. Ndryshe nga zakonisht, lidhja e tyre vazhdoi për një kohë të gjatë. Charles gjente frymëzim të Jeanne e cila i qëndroi pranë deri në ditën e fundit të jetës së tij.

Ndërkohë jeta që Bodleri bënte në Paris nuk ishte kushedi se cfarë. Kur e ëma zbuloi se ai kishte harxhuar gjysmën e trashëgimisë e hodhi në gjyq. Gjykata i caktoi një administrator të cilit Bodleri duhet ti kërkonte para për çdo gjë që i nevojitej.

Në vitin 1845 publikoi krijimet e tij të para, ndërsa për të fituar disa para më shumë filloi punë nëpër disa revista si: “L’Art romantique” e “Kuriosite estetik”.

Në 1848 mori pjesë në lëvizjet revolucionare në Paris, ndërsa në 1857, publikoi në shtëpinë botuese Pule-Malassiz kryeveprën e tij “Lulet e së keqes”, që përmban rreth 100 poezi. Libri gjykohet për imoralitet, ndërsa botuesi, detyrohet të censurojë disa prej poezive.

Bodleri ra në depresion të thellë. Në vitin 1861 u përpoq të vetëvritej. Në 1864, pasi nuk u pranua nga Akademia Fronsez, u largua nga Parisi për të shkuar në Bruksel, por edhe qëndrimi në kryeqytetin belg nuk i ndryshoi mendimet e tij për borgjezinë.

I sëmurë, kërkonte qetësinë te hashashi, opiumi dhe alkooli. Pas një paralize që e bllokoi në shtrat për disa vite ai vdiq në moshën 44 vjeçare. Eshtrat e tij prehen në varrezat Montparnasse, së bashku me ato të mamasë dhe njerkut. Në 1949 Gjykata Kasacionit e Francës vendosi që vepra dhe jeta e tij të kishin vendin e merituar në piedestalin e kulturës frënge.

Ai vdiq më 31 gusht 1867./ KultPlus.com

Protesta në 12:00, aktivistja Demolli: Bartësit e institucioneve të mos na bashkohen, ata duhet të japin llogari

Përdhunimi i një 11-vjeçareje nga pesë persona në Prishtinë e ka indinjuar shoqërinë. Sot në mesditë në kryeqytet do të protestohet kundër dhunës ndaj vajzave dhe grave.

Luljeta Demolli nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, të martën në T7 kërkoi pjesëmarrje të madhe në këtë protestë, pasi tha se kjo “është mënyra e vetme t’u themi institucioneve që nuk tolerojmë më”. Ajo kërkoi që krerët e institucioneve të mos i bashkohen protestës, raporton Gazeta Express.

“Jo nuk e kemi ftuar [Presidenten Vjosa Osmani]. Dhe mirë është të mos na bashkangjiten sepse institucionet janë në pozitë që duhet të japin llogaridhënie. Krejt shteti duhet të punojë atje ku e ka vendin. Ne jemi në rrugë”, tha ajo.

“Sepse po na qesin në pozitë të keqe. Po vijnë si qytetarë të thjeshtë. Një ministre nuk është qytetare e thjeshtë; ka përgjegjësi, llogaridhënie. Një ministër s’ka nevojë të na dalë te dera të na presë, sepse nuk është qytetar i thjeshtë, është i veshur me petkun e ministrit, është një përgjegjësi e madhe mbi të”, theksoi Demolli.

Ajo tha se “nuk na duhen njerëz për të vajtuar”.

Protesta e organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile QKSGj, YIHR, QIPS, QIKA dhe CEL Kosovo nis në orën 12:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

Protesta i përmban kërkesat për mbrojtje dhe siguri nga shteti për vajzat dhe gratë; trajtim të drejtë të rasteve të dhunës ndaj grave, si dhe legalizimin e përdorimit të gazit irritues (pepper spray) për vetëmbrojtje. Këtë të fundit, organizatorët e cilësuan si kërkesën kryesore./ KultPlus.com

‘Çasti i marrë mungon kët’ natë’

Poezi nga Xhabir Tabaku

flutura – lulkuqe

zhduket ylli i mëngjesit si të ishte mullenjë nate – agimi flakë e zjarm
zogjtë e zí e yjet që zhduken qiellit
ndjellin vrânten e ditës bosh
çelen kanatat e dritareve t’ ngushllimit

ditë e vrânët – shí mbi kunorat e luleborave
mijëra flutura argëtohen arave m’ lulkuqe – flutura, flutura të verdha
larva – larva i furen njélmit
petale të kuqe bri malit të zi

çasti i marrë mungon kët’ natë
– por gjindja çmenden dëshirash t’vokta, ideshë të çartuna –
mullenja, mullenja, zhduken yjet territ
dhe lén’ nji ditë e re / KultPlus.com

Chris Rock refuzon ofertën për të organizuar sërish Oscars-in

Komediani amerikan Chris Rock thuhet se ka refuzuar një ofertë për të organizuar eventin ‘’Oscars’’ të vitit të ardhshëm, shkruan BBC.

‘’Gjatë një shfaqje stand-up të dielën mbrëma në Phoenix, Arizona organizatorët e çmimeve i kishin kërkuar që të kthehej si mikpritës për herë të tretë (ai më parë kishte qenë prezantues në 2005 dhe 2016)’’, bëri të ditur ai.

Në fillim të këtij viti Rock, duke prezantuar çmimin për dokumentarin, u godit në skenë nga aktori Will Smith, menjëherë pas marrjes së çmimit për aktorin më të mirë, pasi Rock bëri një shaka me gruan e Smith, Jada Pinkett Smith.

Gjatë emisionit të tij, Rock dyshohet se e krahasoi pranimin e koncertit pritës me kthimin në një skenë krimi, duke iu referuar gjyqit të vrasjes së OJ Simpson.

‘’Kthimi në Oscar do të ishte si t’i kërkonit Nicole Brown Simpson të “kthehej në restorant”, theksoi Chris Rock.

Në prill, Bordi i Akademisë e ndaloi Smithin nga Oscars ose ndonjë ngjarje të Akademisë për 10 vjet, ndërsa një javë më parë, Smith kishte dhënë dorëheqjen nga akademia. / KultPlus.com

‘At’ vjeshtë piva tinzash cingaren e parë…’

Poezi nga Rozafa Shpuza

Përvjetor mkatesh

Asht vjeshtë e nji vjeti t’thinjun…
Gjyshi pin cingare Tarabosh
e mirazhi i syve dridhulatet përhanshëm në misterin e shtëllungave
që ju përgjasin luleborave rranxë murit.
Çakmaku shkrepë veç nadje heret,
mandej cingaret përshkohen vargevi
tue u lidhë ny në gacën e mbrame,
t’strukun mes dy gishtave bojsepie.
At’ vjeshtë piva tinzash cingaren e parë…
E pimë në grup tanë fmitë e lagjes
tue e thithë me rradhë si mkatin ma naiv.
Gjyshi s’e mori vesh se i mungonte ajo cingare,
kurse na e lamë fajin me stërpikat e makinës kabahe
që lagte ngeshem pervlimin e asfaltit.
Vjeshtën e atij vjeti
hyna shkujdesun në botën e mkatarve,
kukllat e pecave i msheha nen minder
e shpinden e kerrusa paksa
prejse i druhesha kryeneçsisë së cicave.

Anipse gjyshi ka kohë që asht ba nji me shtëllungat,
ka net kur ma ka anda me pi cingare Tarabosh,
si me dashtë me festue pervjetorin e mkatit tem të parë… / KultPlus.com

Fotografi Luka Mjeda do të sjellë në shqip veprën e arkitektit Andrija Alesi

Fotografi kroat, me origjinë shqiptare Luka Mjeda, do të sjellë në shqip veprën e arkitektit Andrija Alesi.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti zhvilloi sot një takim me fotografin Mjeda.

Margariti u shpreh se Andrija Alesi tashmë do të njihet edhe në vendin e origjinës, falë veprës së akademikut kroat Andrija Mutnjakovic dhe fotografive të Luka Mjedës.

“Me fotografin kroat, me origjinë shqiptare Luka Mjeda, që do të na sjellë në shqip veprën e një arkitekti nga Durrësi, që vulosi Rilindjen në arkitekturën kroate të shek. XV”, shkroi Margariti në një postim në rrjetet sociale.

“Me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës Andrija Alesi tashmë do të njihet edhe në vendin e origjinës, falë veprës së akademikut kroat Andrija Mutnjakovic dhe fotografive të Luka Mjedës, që ka ruajtur shqipen e të parëve”, theksoi Margariti. / KultPlus.com

‘Dashuria është helmi, Anne’

Poezi nga Erica Jong

E dashur Anne Sexton II

Më e dashura ime Anne
Po jetoj buzë një liqeni
Me një djalë të ri
Që e takova një javë pasi vdiqe ti
Mjekra e tij është e kuqe
Sytë e tij regetijnë si sytë e maceve
Ma ëmbëlson trurin
Ai është si askush
Qëkur e dua unë
Flugeri i tij zhytet
Thellë në zemrën time
Kam disa muaj
Që ta kam borxh një letër
Doja të qortoja
Mënyrën e vdekjes tënde
Mënyrën se si mund të
Kem rishikuar një herë
Poemën tënde
Ti je si askush
Qëkur të dua unë
Dhe ti nuk je më
A mund ta besosh
Që vdekja jote më ka lindur mua?
Jeto ose vdis
Më the ti me këmbëngulje
Ti zgjodhe të dytën
Dhe e para më zgjodhi mua
Të vajtova
Dhe pas një jave
Gjeta atë
A mos është dashuria helmi i veshur me sheqer
Ajo që na zë në fund?
Ne folëm për burrat
Po aq shpesh sa poemat
Ne u përpoqëm të ligjëronim larg
Nevojën për dashuri
Atë të shkuarën në sediljen e pasme
Dhe vdekjen që të përkëdhel
Përse e bërë në pallton e nënës tënde?
(Unë e di
Por e di gjithashtu
Se duhet të pyes)
Nanat tona në kapin në gremc
Më pas na lënë në të ftohtë
Jetime të rritura plotësisht
Të uritura për dashuri
Ti dashuroje një burrë që fliste
“Si kartolinë”
Ai ma bën mirë
Por unë s’mund t’i flas atij”
Ne ndamë atë nevojën e tmerrshme
Për të folur në shtrat
Dashuria nuk ishte dashuri
Nëse ne mund të flisnim vetëm
Me gjuhë
Dhe intensiteti i padashurisë u rrit
Deri kur motorri, motorri që rendte
Nuk mund t’i jepte më fuqi shoferit
Dhe ti, me milje për të bërë
Preferoje më mirë të flije
Ndërmjet pilulave, pilulave të vetëvrasjes
Dhe vodkat tona të qeshura në Algonquin (indigjen kanadez)
Ndërmjet gotave të tua të rrumbullakta si të gjysheve
Dhe sytë e tu blu si akullnajë
Ndërmjet nënës tënde të zymtë, urisë
Dhe nënës tënde guximtare
Ti e dije se ishte vetem një poemë
Që po e shkruanim ne të gjithë
Vdekja jote ishte e imja
Unë e hëngra atë
Dhe u riktheva
Tani ulem buzë një liqeni
Duke të shkruar ty
Unë dua një burrë
Që mi bën gishtërinjtë me dhimbje
Të shkruaj ty
Diku mes reve
I bie tavolinës
Si një spiritualiste
Seksi është pjesë e vdekjes
Kaq gjë e di
Zëri yt ishte tokë
Sytë e ty ishin blu-akullnajë
Busti yt i hollë
Dhe këmbët e gjata amerikane
Varur nëpër
Këtë qiell perëndimor vigan blu
Dua të të them
Prit, mos e bëj ende
Dashuria është helmi, Anne
Por dashuria e ha vdekjen.

Përzgjodhi dhe përktheu: Enkeleda Suti / KultPlus.com

Grua prej guri

Ag Apolloni

Grua prej guri

(Ferdonije Qerkezit, që e thërrasin edhe Donja)

Ti bijë e Tantalit dhe e Dionës,
Donja Niobe,
grua tokësore,
e goditur nga shigjeta hyjnore,
cili qe gabimi yt, e thua dot
(përveç gabimit të bukur të çdo nëne,
që kujton se fëmijët e saj janë më të bukurit në botë)?

Fati s’e ka dorën e lehtë, ai i ngjan Letos.

Donja Niobe,
herën e parë të pashë në Firence,
rrethuar nga niobidët
në sallën e ftohtë,
dhimbje e ngrirë në gur;
herën e dytë të pashë në Gjakovë,
të ulur në zemër të vetmisë,
pa fëmijë, pa burrë.

Je mit në alabastër,
Je legjendë në lëkurë.

Amfionit dhe fëmijëve ua morën masën
dhe ua qepën të njëjtën rrobë.
Pastaj Parkat varën veten me penjtë e prerë
kur dëgjuan vajin tënd, Niobë.

Tash dhimbja ulet në mes të dhomës,
malli si miu ha veten nëpër kënde.
Unë hap “Iliadën” te kënga e fundit dhe shoh
se si Priamin e ngushëllojnë me dhimbjen tënde.

Donja Niobe,
ti njëzet vjet pret … Uliksin, Telemakët e tu … diellin;
në sofër ushqen veten me kujtime,
e dhimbja jote e bën me turp edhe Qiellin.

Në teatrin tënd të absurdit, pritja hedh valle,
lotët e lojës lirike lajnë kujtesën emocionale.

Donja, zonjë e dhimbjes,
primadonë e tragjedisë sonë.
pritja përgjithmonë nuk zgjat,
se ora e dasmës zinë s’arrin ta matë.
Takimi një ditë do të ndodhë,
(para porte do të shfaqen fëmijët dhe burri),
historinë ta lexojmë në relievin e Shkëmbit Vajtues,
Donja Niobe, zonja jonë prej guri. / KultPlus.com

225 vite nga lindja e Meri Shellit, shkrimtarja angleze e famshme për romanin e saj “Frankenshtajni”

Meri Shelli ka lindur më 30 gusht 1797. Ajo ishte bija e filozofit Uilljam Goduin, gruaja e poetit romantik Persi Shelli. Në moshën 17-vjeçare, largohet nga vatra familjare me atë që do të bëhej më pas burri i saj, Persi Bissh Shelli.

Me anë të penës inteligjente, Meri Shelli trajton tema të rëndësishme dhe gjithnjë bashkëkohore në romanin e saj, si për shembull çfarë është e Mira dhe çfarë është e Keqja, luftën midis jetës dhe vdekjes ose mëdyshjet në lidhje me kufijtë e njohurive njerëzore dhe të gjitha problemtikat që lidhen me to.

Jeta e Meri Shellit ishte e mbushur me plot ngjarje të dhimbshme dhe vdekje, duke filluar që prej lindjes. Në fakt, nëna i vdiq gjatë lindjes, duke e lënë jetime. Përkundrazi, 1816-ta ishte një vit veçanërisht domethënës dhe në të njëjtën kohë i dhimbshëm për jetën e saj. Përveç faktit që kishte pasur frymëzimin për “Frankenshtajnin”, atë vit Meri humbi fëmijën e saj dhe gruaja e Persit kreu vetëvrasje.

“Frankenshtajn” nuk është vetëm një libër i frikshëm, por është gjithashtu një pikënisje interesante për të reflektuar për të gjitha këto tema. Frankenshtajni lindi nga një grua gjeniale, që kishte kuptuar lidhjen komplekse nënë-fëmijë. Krijoi mitin e pavdekshëm gotik të një teme të vështirë: anët e errëta të amësisë.

Edhe pse kinematografia e portretizon krijesën Frankenshtajn si negative, për faktin se mendja e tij i përkiste një krimineli, në libër nuk është aspak i tillë. Në fakt, krijesa kërkon dashuri dhe mirëkuptim, por gjithnjë largohet dhe përndiqet nga njerëzit, për pamjen dhe natyrën e tij. Prandaj, ai bëhet mizor dhe priret të përngjajë si një përbindësh.

Meri Shelli u nda nga jeta më 1 shkurt 1851, duke lënë në vepër letrare gur themeli për letërsinë moderne europiane. /bukinist.al/ KultPlus.com

Nesër mbahet protestë, kërkohet mbrojtje dhe siguri nga shteti për vajzat dhe gratë

Disa organizata joqeveritare kanë bërë të ditur se më 31 gusht do të mbahet një protestë në Prishtinë me fillim nga ora 12:00 dhe vendtakimi do të jetë në sheshin “Zahir Pajaziti”, shkruan KultPlus.

Dje u lajmëruam se 5 djem e burra e kanë dhunuar një të mitur 11 vjeçare në Prishtinë. Përdhunimi i shumëfishtë ndaj të miturës raportohet të jetë bërë për shtatë orë.

Ky rast i përdhunimit është edhe një alarm që tregon për pasigurinë dhe tmerrin të cilin e jetojnë vajzat dhe gratë në Kosovë, në çdo hapësirë ku ato gjenden. Në Kosovë, rrugët, parqet, sheshet, dhomat e shtëpisë, hapësirat e shkollës a punës janë shpesh edhe vende krimi. Aty vajzat e gratë ngacmohen, dhunohen e vriten. E shteti e shoqëria, përtej sensacionit, heshtin. E kjo heshtje po ua merr sigurinë dhe jetën vajzave e grave.

Përkundër dhunës së dukshme e të përditshme, shteti është duke dështuar që ta trajtojë sigurinë e grave si çështje të sigurisë publike. Raporte të ndryshme tregojnë që rastet e dhunës ndaj grave hasin në neglizhencë institucionale, me dënime të cilat shpesh janë nën ndëshkimet e parapara me ligj. Kjo qasje patriarkale është duke i lënë vajzat dhe gratë pa mbrojtje dhe lehtësisht të dhunueshme.

Kësaj gjendjeje terrori duhet t’i vije fundi. Vajzat dhe gratë në Kosovë nuk mund të jetojnë asnjë ditë tjetër me frikë. Djemtë e burrat nuk mund të amnistohen nga shteti dhe shoqëria për dhunën që ushtrojnë ndaj vajzave dhe grave. Përdhunimi i vajzës së mitur dhe i dhjetra grave tjera veç gjatë këtij viti përveç që na indinjon, na revolton dhe na fton në radikalizim të mjeteve tona të protestës e vetëmbrojtjes.

Të mërkurën, ne mblidhemi në protestë dhe kërkojmë:

1. Mbrojtje dhe siguri nga shteti për vajzat dhe gratë;
2. Trajtim të drejtë të rasteve të dhunës ndaj grave dhe dënime meritore për dhunuesit;
3. Legalizimin e përdorimit dhe shpërndarjen e gazit irritues për vetëmbrojtje (pepper spray).

Përderisa dhuna ndaj nesh veç sa është duke u përshkallëzuar, përgjigjet tona në vetëmbrojtje do të radikalizohen. Aty ku shteti dështon të na mbrojë neve, ne do e mbrojmë vetën me çdo mjet në dispozicion. Deri secila nga ne të jetojë e lirë nga frika dhe dhuna! / KultPlus.com

Poezitë e Shaban Demirajt që i shkroi si 16-vjeçar

Sot shënohet 8 vjetori i vdekjes së gjuhëtarit, albanologut dhe akademikut të njohur shqiptar, Shaban Demiraj, shkruan KultPlus.

Ai që do të bëhej njeriu i shkencës, që në rininë e vet ka shkruar poezi, sidomos me temën e atdhetarizmit. Janë këto poezi me një nivel të mirë artistik dhe lexohen edhe sot me kureshtje dhe interes. 

Ndoshta janë të rrallë ata, të cilët e dinë që në rininë e vet profesor Shabani shkruante vjersha. Këtë e kemi mësuar tani vonë nga zonja Fatime, bashkëshortja e mrekullueshme e profesorit. Në shtëpinë e tyre në Tiranën e Re, ajo na thotë se “poezitë e Shabanit, të shkruara nga dora e tij afro 80 vjet më parë, i kam këtu, në disa fletore… Ato janë të shumta, unë do t’i seleksionoj e disa prej tyre do t’jua jap për botim juve, si ish- student i tij, thjesht për ta kujtuar”.

Dhe para nesh, si fillim do të na paraqiste dy poezi, për të cilat, ndonëse diçka është shkruar te gazeta “Dielli” nga Enver Memishaj kohë më parë, nuk e kanë gjetur popullarizimin që meritojnë… Poezitë e shkruara nga profesor Shaban Demiraj, që janë me tematika të ndryshme, të flasin për një anë të panjohur të jetës së tij…

Nga shënimet në fund të poezive mësojmë se Shaban Demiraj, kur i shkroi vjershat ishte në moshën 16- 17-vjeçare dhe nxënës i Medresesë së Tiranës. Po vjershat i shkroi gjatë pushimeve në vendlindjen e tij, Vlorë, e përgjithësisht shkroi për Vlorën e Flamurit e ngjarjet historike të saj. Të çudit fakti që poezitë kanë temën më të rëndësishme të kohës, atë të lirisë e pavarësisë, të nderimit të Flamurit, Ismail Qemalit, e burrave atdhedashës. Dhe ndonëse në moshë të re, vjershat tregojnë për pjekuri mendimi e nivel të mirë artistik, (paçka se atykëtu gjen edhe gabime ortografike, që justifikohen me nivelin arsimor në moshën e tij të re). Po kjo nuk ka rëndësi, rëndësi ka fakti që profesorin e ardhshëm të gjuhës shqipe e frymëzonte qyteti i tij i lindjes, që e deshi aq shumë, prandaj edhe shkroi aq bukur për të…. Por edhe Vlora nuk e harroi kurrë birin e saj të shquar. Veç vlerësimeve të larta që i bëri Atdheu, vitet e fundit Vlora e shpalli atë edhe “Qytetar Nderi” të Qarkut të Vlorës…

Poezitë e djaloshit Shaban Demiraj, edhe sot, pas shumë dekadash, si nga përmbajtja, nga forma, e niveli artistik janë të bukura dhe lexohen me kureshtje e interes. Prandaj, dikush mund të pyesë se pse ai, i riu i talentuar, braktisi rrugën e poezisë. Është e tepërt të themi se njeriu në jetë ecën në rrugën që i pëlqen dhe shikon se aty ku mund të shpalosë aftësitë dhe pasionin e tij, aty ecën më i sigurt… Dhe ai, jo rastësisht zgjodhi rrugën e shkencës së gjuhësisë dhe arriti të bëhej ai që edhe do të mbetet, “Baba i gjuhës shqipe”.

Ka disa vite që profesori ynë i dashur është ndarë nga jeta, por ne nuk jemi ndarë nga kujtimet e nderimi për atë, njeriun e madh të kombit e të gjuhës shqipe. Dëshmi nderimi e mirënjohjeje janë edhe botimi i këtyre poezive. Një zë i bukur atdhetarie edhe për vendlindjen e tij, Vlorën e Labërinë.

Fryma atdhetare, me të cilën jetonte e punonte akademiku, pasqyrohet edhe në poezitë e tij, të shkruara herët, qysh në moshën e rinisë… Ato flasin se Shaban Demiraj gjithë jetën ka jetuar mes nesh e ka punuar për ne, për mëmëdhenë e dashur…. këtë e pasqyrojnë edhe dy poezitë e mëposhtme, botuar në nëntorin e vitit 1937 dhe 1938. /Duro Mustafai /KultPlus.com

Në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me dhunë, shfaqet filmi ‘Ferdonija’

Në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me dhunë, në parkun e Ministrisë së Kulturës, shfaqet filmi “Ferdonija”.

Ky film rrëfen përjetimet e zonjës Ferdonije, gruas që ka mbetur pa burrin dhe djemtë e saj, të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999. I xhiruar në një periudhë prej dy vitesh filmi tregon emocionet, mendimet, vështirësitë dhe vuajtjet e Ferdonijes, të reflektuara nga realiteti i zhdukjes me dhunë të gjithë familjes së saj nga forcat serbe.

Filmin e ndoqën ministri Çeku, deputetja Arjeta Fejza, po ashtu shumë qytetarë e filmdashës.

“Ferdonija” do të vazhdoj të transmetohet deri në orën 22:00. / KultPlus.com

Pse ka dalë ajo çikë aq vonë në lagje?

Nga Mire Prenaj

Ngjarje e vërtetë.

Ishte mbrëmja e së dielës dhe porsa isha kthyer me familje nga kampingu. Pas një udhëtimi të kujdesshëm dhe koxha të gjatë, fëmijët ishin të uritur, dhe sa hymë brenda, unë fillova të përgatis shpejt diç për darkën. Duhej edhe buka, dhe njërin prej fëmijëve e dërgova në furrën e lagjes të blejë një bukë.

Pas vetëm dy minutave fëmija im u kthye, por çfarë të shihja në fytyrën e tij. Ishte zbehur, dukej i trishtuar dhe madje e kishin përfshirë të dridhura. Shpejt pastrova duart dhe vrapova drejt tij, drejt derës. Nuk dija çfarë kish ndodhur. Cka ndodhi, bir, e pyeta.

Mami, më tha më frymën të zënë, bukën nuk mora se rrugës për në furrë, në atë banesën që po ndërtohet, një vajzë kërkontë ndihmë, qantë bërtiste. Mami të lutem, ta ndihmojmë!

Po zemër, menjëherë, ia ktheva dhe në ato fjalë kapa telefonin dhe thirra policinë. Mund edhe nga trishtimi, por polici mezi më kuptoi.

Andej receptorit, ai më tha: Qetesohu zojë!

Si të qetësohem, të lutem dërgone sa më shpejt një patrullë! Ju lutem!

Polici më kërkoi adresën. Më tha: Mbërrijmë për 5 minuta,.

Ju lutem, i thash, sa më shpejt ndihmone vajzën.

Mbylla telefonin dhe po flisja për ta qetësuar djalin. Nuk përmbahem, thërras sërish pas dy minutave policinë. Djali më bënte presion; Duhet ta ndihmojmë. Të shkojmë vetë ta ndihmojmë.

E pyes policin; Dërguat dikend?

Zojë më tha, çka e ke marr për ngutë.

Humba: Është në pyetje jeta e njeriut, si po thoni ashtu. Ndërsa unë po filsja, ai ndërpreu lidhjen.

Për mua e fëmijët e mi trishtimin e shtoi edhe më shumë sjellja e policit. Provova sërish të marr lidhjen, por nuk kishte përgjigje.

Më në fund, ndërsa po shikoja nga dritarja për të kapur pamjen me vajzën e sulmuar apo policët, mora edhe një herë lidhjen.

Asgjë nuk shoh, nuk ka policë këtu, thash.

Zojë, më tha, sa kërkesat për ndihmë i kemi, nuk kemi mundësi me i mbulu. Po ti çka e ke marrë kaq afër zemrës? Pse ka dalë ajo qikë aq vonë në lagje e vetme?

Ai po flise ndërsa unë shikoja vajzat e mia, shoqet e tyre, gratë që edhe ato në mbrëmje duhej të lëviznin, se kishin punët e tyre.

A kështu qenka puna, i thash, dhe mbylla lidhjen e trishtuar.

Ulem dhe shikoja se si duhej mbrojtur një vajzë një gura, nëse këtë nuk e bënë policia, e cila është e obliguar me ligjet. Nga duhej pritur mbrojtjen. Arma?! Kjo fatkeqësi që merrë jetë njerëzish nuk është zgjidhja. Shteti ka armët dhe forcën gjithë çfarë duhet për të mbrojtjur qytetarin e tij, por shteti është edhe polici që thotë aq papërfillshëm: Pse ka dalë ajo qikë aq vonë në lagje?

Shënim: Shkrimi është botuar në vitin 2018 në KultPlus, mirëpo për lexuesit tanë po e risjellim edhe njëherë. / KultPlus.com

A jemi fëmijë nënash të dhunuara?

(KultPlus ua sjell shkrimin e Bajram Mjekut, i cili konsiderohet si shkrim që ka zgjuar shumë debat. Shkrimi është botuar në KultPlus në vitin 2018, mirëpo për lexuesit tanë po e risjellim edhe njëherë.)

Nga Bajram Mjeku

Vite më parë, me disa miq të mi hapëm një debat: Pse ne shqiptarët jemi kaq të mërrolur e depresivë, kaq agresivë e anarkistë dhe pse të shumtën e rasteve dukemi të traumatizuar e të trishtë?

Pasi isha vrojtues i bisedës për disa minuta, më në fund shpreha mendimin tim. Thashë se gjenerata ime dhe të gjitha gjeneratat paraardhëse janë fëmijë të lindur nga nënat e dhunuara dhe shtova se nënat tona janë dhunuar në mënyrë sistematike nga baballarët tanë. Thashë po ashtu se deri te brezi i lindur i fëmijëve të viteve 70-të, shumica e shqiptarëve janë dëshmitarë kur në një dhomë dhe në mënyrë sistematike prindërit tonë kanë kryer akte seksuale në prani të fëmijëve të tyre dhe po ata fëmijë që sot janë burra e gra, ishin dëshmitarë të dhunimit sistematik të nënave pikërisht nga baballarët e tyre.

Kjo temë që vazhdon të jetë tabu në shoqërinë shqiptare, shumëkush me të drejtë shtron pyetjen: Si dhe pse këto dhunime ndodhën deri në gjeneratën e brezit të viteve 70-të dhe pse kjo “prerje” sipas meje nisi të ndodh në fillim të kësaj dekade? Megjithëse dhunime të këtilla kanë ndodhur edhe më vonë, mendoj se kjo dukuri primitive nisi të zvogëlohej ndjeshëm, veçanërisht mbas hapjes së Universitetit të Prishtinës. Në këtë institucion të lartë dhe tepër të rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës, ishte e natyrshme që studentët e të dyjave gjinive të pëlqeheshin me veti dhe të krijonin një model të favorshëm jetese për dallim nga prindërit e tyre, gjithsesi më të emancipuar përkrah rrethanave të kohës. Që nga gjenerata e fëmijëve të lindur mbas hapjes së Universitetit të Prishtinës, shohim një gjeneratë më të bukur dhe më të buzëqëshur, më proevropiane e më të civilizuar, por edhe më pak e kompleksuar e paragjykuese.

Seksi si akt dhe si nevojë biologjike, asnjëherë nuk është kryer me vullnetin e të dyja palëve te bashkëshortët shqiptarë, pra akti seksual ka ndodhur vetëm atëherë kur kanë ndjerë nevojë baballallarët, por jo edhe nënat tona. A nuk është dhunim, kur baballarët tanë të paemancipuar e primitivë dhe pa vullnetin më të vogël të palës tjetër, kanë hyrë drejtpërdrejtë dhe në mënyrë agresive në akt seksual vetëm sa për t’i shfryer epshet e tyre? Më keq se kjo, dhuna seksuale ka ndodhur në prani të fëmijëve të tyre, pavarësisht arsyetimeve tona se e gjithë kjo ndodhi për mungesë kushtesh elementare në familjen shqiptare.

Nga kureshtja për të studiuar sa më shumë nga fusha e psikologjisë, nga psikanalisti Sigmund Freud kam lexuar se në rast se fëmijët janë të pranishëm në të njëjtën hapësirë ku prindërit e tyre kryejnë aktin seksual, atëherë kjo situatë është më e rëndë se sa t’i ekspozosh të njëjtit fëmijë përballë një masakre. Sot, këta burra e gra, fëmijë të dikurshëm dhe dëshmitarë të akteve seksuale të prindërve të tyre, janë ministra e deputetë, kryeministra e presidentë, diplomatë e udhëheqësh korporatash, që kur Kosova u bë e lirë dhe e pavarur. Dhe, jo rastësisht Kosova është katandisur në këtë gjendje të rëndë e bizare dhe të papranueshme për realitetin e kohës. Në këtë mes bën përjashtim themeltari i pavarësisë së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova. Duke qenë afër Tij për një dekadë, them me bindje se udhëheqësi i shqiptarëve të Kosovës kishte një “fat” në fatkeqësi. Ishte ende në barkun e nënës, kur babai i tij u vra gjatë Luftës së Dytë Botërore, prandaj ishte më tolerues e më paqësor, më i durueshëm e më mendjehapur, më intelektual dhe më i emancipuar nga gjithë brezi i tij.

Vështruar në këtë kontest, por edhe nga disa rrethana tjera, vendi ynë jo rastësisht po kalon nëpër fazën më të rëndë, edhe dhjetë vjet mbas shpalljes së Kosovës shtet sovran dhe i pavarur. Kosova duhet të lirohet nga fëmijët e nënave të dhunuara dhe duhet të udhëhiqet nga gjenerata postkomuniste, më saktë nga gjenerata që kur u themelua Universiteti i Prishtinës e më vonë.

Kur në vitin 1956, familja e koreografit të shquar shqiptar Angjelin Preljocaj vendosi të ikte nga Shqipëria staliniste dhe derisa prindërit e tij një natë dimri nisën të kapërcenin kufirin për t’u strehuar në Kosovë, nëna e tij ishte shtatzënë me Angjelinin. Derisa levizte nga një gërgje në tjetrën për t’u fshehur nga rojat e dyfishta të kufirit; ushtarët shqiptarë e jugosllavë dhe nga lëvizjet tektonike derisa ajo kapërcente kufirin, në barkun e saj nisi të krijohej embrioni i valles dhe koreografi i ardhshëm Angjelin Preljocaj. Tash tridhjetë vjet, Angjelin Preljocaj është anëtar i Operës Nacionale në Paris dhe me lojën e tij mahnit artdashësit e gjithë botës. / KultPlus.com

‘Ky vend, të përdhunon për ditë, pa pushim n’çdo lloj mënyre’

Nga Fitim Majkovci

Çdo mëngjes si t’qohesh ki me u dhunu prej ktij vendi!!

Faturat që t’vijnë te dera si listë dëshirash për babadimrin t’duhet me i zgjedhë cilat me i pagu sot e cilat me i shty për mujin tjetër se rroga nuk të del me i përballu krejt shpenzimet, ti nënpaguhesh e të duhet me duru edhe të padinjitetshmen prej shefit, se s’ki zgjidhje tjetër mbijetese.

– Kur t’del prej dere takohesh me kojshinë që çdo natë i bërtet grusë t’vet pse s’ka gatu edhe ta përplas para kamve kesen e bërllogut tu e kru gjyksin me lesh e tu t’pa shtrembt pse po ja lshon sytë.

Rrugës i sheh dy polic tu ndalë çika për mos vendosje t’maskës ama kshtu’ ja’u lypin veç instagramin.

Pak ma tutje krejt çka ninë prej dy djemve t’ri 17-18 vjeç osht qysh e kishin “asish” njanën që asht kah gutet me nxanë 3-shin.

E pak pa mbrri n’punë nji nanë i bërtet çikës t’vet pse u rrxu se ajo ke shumë nxanë tu ba selfie n’shesh e krejt afër oborrit të shkollës i ninë nxansat’ tu u dertu para testit se mësusi ju ka thanë që ka me i ngelë se nuk ka vakt me i pytë ka 3 herë.

Këtu të dhunon prindi, të dhunon shefi, të dhunon kojshia, të dhunon nji i ri me lugë t’kafes n’gojë, t’dhunon mësusi e të dhunon krejt aparati i kalbun shtetnor që ndërrohet çdo dy vjet.

Ky vend, nuk t’jep kurrfarë ndjenje tjetër pos dëshirës me ikë prej ktuhi, me u zhdukë, se qëtu s’rritet as fmija, as shpresa, as vullneti, kurgja hiç.

I njëjti vend, ta vnon në dyshim secilën ndjenjë njerëzore që e ki përmrena teje se çka n’dreq mundesh me kriju këtu pos ndjenjës së neverisë n’secilin hap që e shkel se as jetesë të dinjitetshme s’të le me bo.

Ky vend, të përdhunon për ditë, pa pushim n’çdo lloj mënyre, ta fyen intelegjencën, të zh’burrënon e të bon me lujtë mendsh.

(Shkrimi është marrë i plotë nga Majkovci pa ndërhyrje nga redaksia.) / KultPlus.com