Spiridon Ilo, i pari që regjistroi Himnin Kombëtar

Lindi në Korçë më 30 shtator 1876, muzikanti e atdhetari i njohur shqiptar, Spiridon Ilo.

Ai ishte shqiptari i parë, që ngriti një firmë për ndërtimin e pllakave të gramafonit dhe regjistroi shumë këngë patriotike dhe popullore shqiptare, por regjistrimi më i rëndësishëm mbetet ai i Himnit Kombëtar.

Spiridon Ilo mërgoi që herët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku krahas punës së përditshme, ndoqi dhe studimet e larta për muzikë. Në New York, të Amerikës hapi një kafene të vogël, ku edhe themeloi shoqërinë e parë diskografike me këngë shqip, në vitin 1923. Nën drejtimin e tij, diskografia luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimin e kulturës shqiptare në vitet 1920-1940.

Ilo kreu regjistrimin e parë të himnit kombëtar të Shqipërisë. Në këtë regjistrim, me numër regjistrimi E-3948, himni u këndua nga Spiridon Ilo dhe tenori arbëresh, Gjuzeppe Mauro. Në vitet `20 botoi e shpërndau kartolina me temë patriotike. Ka botuar komedinë “Vërtet ëndërr” si dhe përmbledhjen me këngë patriotike “Dëshirat e zemrës”.

Mbas disa vjetësh u rikthye në Rumani dhe në vitin 1926 u vendos përfundimisht në Korçë. Më 1 prill të vitit 1945 iu akordua pension si Patriot i Rilindjes Kombëtare. Kallëpet e pllakave të gramafonit Spiridon Ilo i solli në Shqipëri dhe më 1946 ia dhuroi Komitetit Ekzekutiv. Vdiq në Korçë në vitin 1950. / atsh / KultPlus.com

Arta Jashari në “Mbi Re”: Nexhmije Pagarusha është një thesar shumë i rëndësishëm i zhvillimit tonë kulturor e artistik

Uranik Emini

“Muzika është një vepër arti që shkon nga veshi drejt e në zemër”.

Muzika përgjithësisht perceptohet si më universalja nga të gjitha format e artit. Ajo është një lloj arti unik që na stimulon trunin tonë duke na ngjallur përgjigjje nga të gjitha shqisat tona njerëzore. Krijimi i një vepre arti të veçantë dhe origjinale që të dalllohet nga konkurrenca kërkon origjinalitet. Arti nuk është thjesht një shprehje a diçkaje që ndodhë çdo ditë. Ka shumë lloje të ndryshme të artit, por muzika ka ndikuar në jetën e shumë njerëzve dhe është integruar në ekzistencën tonë të përditshme, shkruan KultPlus.

Kurdo herë që flasim për art në Kosovë, artin e muzikës, është e paimagjinueshme të mos e përmendim figuën e madhe të Nexmije Pagarushës. Programi “Mbi Re” i Prishtina International Vocal Festival do të përmbajë këngë të përpunuara dhe të mirëfillta shqipe të Pagarushës.

Këto këngë do të këndohen nga Arta Jashari, si soprano, e përcjellur nga Pranvera Hoxha Bryma në piano, Yllka Simnica në flautë, Astrit Stafai në kitarë dhe në trumpetë do të jetë Avni Krasniqi.

Në një intervistë për KultPlus, Arta Jashari thotë se të performuarit këngë nga Nexhmije Pagarusha i është dashur që të ndjekë shkolla profesionale jashtë vendit për një kohë të gjatë.

“Diva shqiptare e muzikes Nexhmije Pagarusha ishte dhe do mbetet një ndër zërat më unik në historinë tonë, e cila duhet ruhet me zilinë më të madhe si thesar shumë i rëndësishëm i zhvillimit tonë kulturor e artistik si shoqëri. Unë që nga moshat më të hershme kam shkuar në shkollime jashtë vendit, e them këtë sepse më është dashur që të arrij një pjekuri vokale dhe profesionale mjaft të bujshme që të mund të “guxoj” të marr një iniciativë të tillë, shumë të rëndësishme për mua si artiste – të rikthej këngët madhështore të Nexhmije Pagarushës”, thotë ajo.

Tutje, Jashari njofton se në këtë program do të jenë 12 këngë, të cilat janë duke i përshtatur për një format koncertal.

“Kam hulumtuar dhe përzgjedhur afro 12 këngë, të cilat jemi duke i pështatur në format koncertal, pra për piano, vokal dhe instrumentistë mysafirë, të cilët i falenderoj shumë për gadishmërinë e pjesëmarrjës në Koncert”.

Me ndihmën e kolegëve të mij, duke nisur nga aranzhuesi i këngëve kompozitori Kreshnik Aliçkaj, pianistja Pranvera Hoxha-Bryma jemi duke bërë prova dhe pregaditje çdo ditë për këtë program.

Dëshira e përzier me përgjegjësi për të risjellë muzikë të mirëfilltë shqipe

Muzika konsiderohet si shtrirja e së vërtetës së pakufishme; i lejon individët të shprehen në çfarëdo mënyre; është një formë arti mbarëbotërore që nuk mund ta injorojmë; dhe u paraqet interpretuesve mundësi të shumta vendimmarrëse çdo ditë.

“Këngët të cilat jam duke i punuar janë diçka krejtësisht ndryshe prej asaj çfare unë këndoj tash e 17 vite në skenë. Teknika është krejt tjetër, regjistri vokal dhe mund të them që përveq muzikes aq të bukur së Nexhmije Pagarushës, çdo herë e më shumë më duket e jashtëzakonshme për atë çfarë ajo ka krijuar në kohën e saj dhe aftësive të saj vokale”, shprehet Jashari, duke treguar se është një dëshirë e madhe e saj që të risjellë muzikën e mirëfilltë shqipe me një përgjegjësi shumë të madhe profesionale.

Një jetë në skenë bashkë = kombinim energjik

“Pianistja dhe korepetitorja Pranvera Hoxha-Bryma dhe unë kemi pothuajse një jetë të tërë në skenë. Korepetitori është ai apo ajo që përbën boshtin e programit dhe ne jemi nje kombinim energjik, të cilin besoj arrijnë t’a vërejnë publiku patjetër”.

Jashari mes tjerash përmend edhe faktin që ata kanë dëshmuar mirë interesimin e publikut për muzikën klasike.

“Ne i qëndrojmë besnik publikut dhe ardhjes në çfarëdo hapësire të improvizuar që ne si artistë të muzikës klasike mundohemi të iu ofrojmë. Nuk dyshoj as për koncertin në fjalë, meqë është për herë të parë një format i tillë skenik dhe me muzikë shqipe”, përfundon ajo.

Ky koncert do të zë vend në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare më 11 tetor me fillim nga ora 20:00.

“Pri Vocal Fest” do të fillojë më 6 tetor dhe do të përfundojë më 12 tetor, ku edhe shënohet 5 vjetori i themelimit të këtij festivali. Artistë nga vendi dhe skena ndërkombëtare do të paraqiten përgjatë këtyre gjashtë ditëve. /KultPlus.com

Këshilli i Prindërve kërkon që organizatat ndërkombëtare të reagojnë që greva të ndërpritet

Këshilli i Prindërve ka kërkuar që mësimi të fillojë sa më shpejt. Kështu ata e kanë falënderuar UNICEF për thirrjen që ky proces të nis.

“Jemi mirënjohës organizatës UNICEF që ka kërkuar fillimin e menjëhershëm të procesit mësimor në Kosovë, duke sqaruar edhe dëmin e madh që po i bëhet të ardhmes së fëmijëve”, thuhet në njoftim.

Ky këshill thotë se do të donin që edhe organizata tjera ndërkombëtare të reagojnë.

“Do të donim që reagime të tilla, në mbrojtje të së drejtës kushtetuese të fëmijëve tanë për edukim e arsimim publik, të kishim edhe nga organizata e përfaqësi të tjera ndërkombëtare që zakonisht reagojnë për çështje shumë më pak të rëndësishme”, vazhdon njoftimi.

“E 22-ta ditë që rreth 320 mijë fëmijë nuk mund të shkojnë në shkolla! Hapini shkollat ose çregjistrohemi”, përmbyllet komunikata e Këshillit të Prindërve. /Express / KultPlus.com

Presidentja Osmani priti në takim presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, i cili e viziton për herë të parë Kosovën që prej kur shteti ynë është anëtarësuar në këtë organizatë.

Bashkë me presidentin Infantino, në delegacion ishin edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ai i Federatës së Futbollit të Shqipërisë, Armando Duka, dhe presidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Muhamet Sejdini Kosova është anëtarja e 210-të e FIFA-s, për të cilën gjë Presidentja Osmani e ka falënderuar presidentin Infantino, ngase që në Kuvendin e parë të kësaj organizate, prej kur ai mori drejtimin e kësaj organizate, e vendosi në agjendë pranimin e Kosovës në shtëpinë e madhe të futbollit.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka përmendur edhe kontributin e jashtëzakonshëm të Fadil Vokrrit për pranimin në UEFA dhe FIFA. Sipas saj, Kosova tashmë është anëtare e FIFA-s, porse ka nevojë për ndihmë në aspektin infrastrukturor sportiv, duke përmendur këtu stadiumet e reja të nevojshme për sportistët kosovarë. Në takim me presidentin Infantino, Presidentja Osmani ka diskutuar mundësitë për stadiume të reja si dhe për projekte të tjera investuese në infrastrukturën sportive. Presidentja Osmani ka kërkuar mbështetjen e FIFA-s për sportistët e rinj të Kosovë dhe përmendur klubin e vajzave të vogla në futboll, të cilat sipas saj kanë nevojë për infrastrukturë të qëndrueshme. Në takim u diskutua edhe për pjesëmarrjen e ekipeve kosovare në garat ndërkombëtare. / KultPlus.com

Keqpërdori seksualisht persona nën 16 vjet, Gjykata Themelore e Ferizajt e dënon me tri vjet

Policia e Kosovës ka arrestuar në mëngjesin e sotëm një person me iniciale I.LL të moshës 39 vjeçare,  i cili ishte kërkuar në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore të Ferizaj, për vepër penale “Keqpërdorim seksual i personave nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare”.

KultPlus ju sjell të plotë komunikatën e Policisë së Kosovës.

Komunikata e plotë:

KOMUNIKATË PËR MEDIA

Arrestohet një person i kërkuar në Ferizaj
Policët e stacionit në Ferizaj nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, sot në orën 09:30 në Ferizaj kanë arrestuar personin e kërkuar me inicialet I.L (M/K) i moshës 30 vjeçar.
Ai ishte i kërkuar në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Ferizaj për veprën penale ‘’ Keqpërdorimi seksual i personave nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare’’  me dënim burgimi prej tri ( 3 ) viteve.
Pas kompletimit të dokumentacionit, i njëjti është dërguar në vuajtje të dënimit.
Policia Rajonale e Ferizajt do të vazhdojë me realizimin e urdhëresave të gjykatës ndaj personave që ende nuk i janë përgjigjur thirrjes së gjykatës.
Me respekt./ KultPlus.com

Kujtohet dirigjenti Bahri Çela, një prej më meritorëve që vuri themelet e institucionit të Filharmonisë së Kosovës

Në 4 vjetorin e vdekjes, është kujtuar sot nga Filharmonia e Kosovës, dirigjentin Bahri Çela, një prej më meritorëve që vuri themelet e institucionit të Filharmonisë së Kosovës. Ai ishte edhe pedagogu që u dha hapat e parë muzikantëve që sot prezantohen në skenën kosovare, përcjellë KultPlus.

Çela konsiderohet si një prej dirigjentëve më me ndikim prej viteve ‘70 e deri pas luftës së fundit në Kosovë. Ai fillimisht drejtoi orkestrën dhe korin e Radiotelevizionit të Prishtinës, e më pastaj themeloi edhe Filarmoninë e Kosovës së bashku me një grup muzikantësh kosovar.

Studioi në Akademinë e Muzikës, Dega e Dirigjimit në Beograd, për të vazhduar më pas specializimin në Konservatorin e Shën Petërsburgut në Rusi, te pedagogu i njohur Prof. A.P. Musin dhe në Nicë (Francë) te dirigjentët e njohur francezë P. Dervaux dhe F. Quatrocchi. Pas studimeve ai do të punësohej në Radio Prishtinë si producent i asaj që asokohe quhej muzikës serioze dhe asaj për fëmijë. Çela poashtu ishte njëri ndër iniciatorët e themelimit të Orkestrës Simfonike të Radiotelevizionit të Prishtinës në vitin 1975. Me këtë orkestër dirigjoi një kohë duke realizuar koncerte të rregullta me vepra të autorëve shqiptarë dhe botërorë. Në mesin e tyre hyjnë emra si Rexho Mulliqi, Vincent Gjini, Esat Rozvanolli, Rauf Dhomi, Akil Koci, Çesk Zadeja e të tjerë. / KultPlus.com

Bahri Çela dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës në shënim të 10-vjetorit të Filharmonisë së Kosovës. [Beethoven – Simfonia Nr. 8] Tetor 2010 / Salla e Kuqe, Prishtinë
Bahri Çela dhe Kori e Orkestra e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës [Handel – Messiah] Prill 2005 / Salla e Kuqe, Prishtinë

Fotografitë: Arben Llapashtica, Visar Kryeziu

Bellucci për bukurinë: Është si një maskë që duhet ta heqësh dhe t’i tregosh botës se ke më shumë se aq

Monica Bellucci e ka të qartë faktin se është e bukur, por dëshiron të mos etiketohet gjithmonë vetëm si një grua e bukur, përcjell KultPlus.

Aktorja e njohur italiane dhe një prej aktoreve më të mira e aktive, në një intervistë të saj të moçme ka treguar se sa i ndihmon dhe sa e dëmton bukuria në botën e filmit.

“E di që bukuria i bën njerëzit të jenë kurioz. Por, sic ka thënë Oscar Wilde, bukuria zgjatë vetëm pesë minuta nëse nuk ka diçka tjetër që e mban këtë kuriozitet. Nuk do ta kisha këtë karrierë me vetëm bukurinë time. Regjisorët nuk të ftojnë për bukurinë tënde, por për talentin tënd. Bukuria ka qenë pengesë për mua, sidomos duke e ditur që vij nga industria e modës. Pasi jam e bukur, të gjithë mendojnë se jam budallaqe. Është si një maskë të cilën duhet ta largosh e ti tregosh botës se ke më shumë sesa bukuria. Duhet ti tregosh njerëzve se ka diçka në ty që mund të zbulohet nga ata” pati thënë Bellucci. /KultPlus.com

Edhe zyrtarisht, liberalizimi i vizave për Kosovën në rend dite më 13 tetor

Presidenca çeke sot edhe zyrtarisht ka konfirmuar se liberalizimi i vizave për Kosovën do të jetë në rend dite të grupit punues për vizat në Këshillin e Bashkimit Evropian që do të mbahet me 13 tetor.

Në rendin e ditës për takimin e këtij grupi punues shihet se pjesë e diskutimit do të jetë tema e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Për ekspertët vlerësohet se kjo datë do të jetë mundësia ideale që Kosova të marr liberalizimin e vizave, sidomos pas reflektimit që ka patur Francë në këtë procec.

Në rast se konfirmohet mbështetja me 13 tetor, më pas do të vazhdohet me procesin në të cilin përsëri do të përfshihen edhe Parlamenti Evropian dhe Komisioni.

Formalisht procedura mund të përmbyllet deri në fund të vitit./Indeksonline/ /KultPlus.com

Mësuesja në pension me ftesë për mësimdhënësit: Të marrim përsipër të mbajmë mësim pa pagesë

Greva në arsim po vazhdon dhe tashmë kanë kaluar mbi një muaj që nxënësve po ju pamundësohet vijimi i mësimit.

Kjo e ka prekur shumë edhe mësuesen në pension, Seniha Gacaferri Vokshi e cila përmes një postimi në Facebook ka bërë një propozim për të gjithë mësimdhënësit që tani janë në pension.

“U bëj ftesë të gjithë mësimdhënësve në pension, të marrin përsipër të mbajnë mësim pa pagesë në shkollat ku kanë punuar. Për ata që nuk më njohin, jam mësimdhënëse në pension. Unë e para do të shkoj në shkollë të hënën, nëse do të vazhdojë greva”, ka shkruar ajo në Facebook.

Deri më sot, Qeveria dhe sindikata në krye me Rrahman Jasharin, nuk kanë arritur marrëveshje për ndërprerjen e grevës e cila po vazhdon që nga 25 gushti. / KultPlus.com

Sot në ditëlindjen e vërtetë të Migjenit, këtij uragani të poezisë shqipe

Po, ai lindi më 30 shtator 1911. Të paktën faksimilja e një certifikate, e cila ruhet në Muzeun Historik të Shkodrës, dhe që është botuar në përmbledhjen e veprës së Migjenit dëshmon këtë.

I ashtuqujturi “Poeti i mjerimit”, Millosh Gjergj Nikolla- Migjeni, sipas të gjitha dokumenteve, ai lindi më 13 tetor 1911. Dilema e datëlindjes së tij ka kaluar nëpër shumë hamendësime dhe përkime, përfshi këtu dhe dokumentet. Por një e vërtetë historike që është tashmë fakt historik na dëshmon se Migjeni ka lindur më 30 shtator të vitit 1911 e jo me 13 tetor, siç jemi mësuar ta festojmë. Kjo dëshmohet në gjendjen civile të asaj kohe. Mësohet gjithashtu se është vetë poeti, i cili ka kërku vetë ndryshimin e datës së lindjes.

Hyni vrullshëm në letërsinë shqipe dhe me po të njëjtin vrull vazhdon të jetë aktual atëditë e sot, edhe pse kryevepra e tij, u anatemua nga regjimi ose i’u tjetërsu botëkuptimi.

Por gjithsesi ai mbeti pikë kthese e letërsisë, kreshta ma e nartë e kushtrimit të një shpirti.

Migjeni ishte dhe mbeti një nga kolonat vertebrale të letërsisë së viteve ’30, një nga shpërthimet më të befasishme të kohës, një nga tundimet më zemëratëse të forcës për të ngritur krye, për me kërku ndër ne një grusht t’paligjshëm për me i ra n’zemër malit që s’bzan. Migjeni ishte shkrimtari më modern i viteve 30 dhe një lajmës i të kenit i gjithmonshëm, sa kushtrues aq edhe i dhimbshëm, sa i lëndum aq dhe kurajshëm. Plagë ishte dhe meti në kurmin e drobitun hekash e në shtatin çjerrun përpjekjesh. Ai si kurrkush tjetër, gjithë landën jetësore që barti i’a nënshtroi një këndi me të pamëdyshtë të ri shikimi, atij ekzistencial, të njëmëndtë. Fati i njeriut në botë, lumnia e fatkobi i tij, kjo ishte tematika zotëruese në krijimtarinë e Migjenit, kjo ishte hea e breznive, kafshata e idhët e mrumun me lot e gjak. Larg çdo dogmatizmi e sentimentalizmi, Migjeni nuk e shihte njeriun as si qenie me përsosmëri ideale, hyjnore, por as si zvarranik, të cilin munet me e shkel çdo këmbë.

Historia, e bashkë me të, kujtesa jonë kolektive, pak e sëmbueme prej pushtetesh, dogmash e demagogjishë, ka dëshmu se kush duhet me met, edhe jo vetëm me met, por me e pa ndërsa rrin e rritet përplot hir dhe madhështi në panteonin e vlerave dhe kumteve. Për me e pa e çmu si një dishepull të një urdhnese t’shëlbyeme ndër shpirtna t’dlirë. Ajo vepër, ai za gjimues, metet ndër dëshirime t’tona, ndër njata vullnesat tona, t’njituna njaq nalt sa me e ndi dorën e plotkivetshme e hirin e shenjtnum thirrun prej tharmit të tokës e qiellit. Vitet deng me vërshim, e kanda jonë, punon me themel, duke ken e pamëshirshme dhe ngulmuese. Përmes lojës së saj të evoluimit, historia, në dukje-absurde e paradoksale, e ka ba dhe e ban masmiri të sajen, duke gozhdu në panoramën e habisë, brezat që vijnë, me rreptësinë seleksionuese të shoshës së saj. E si për me dash me sfidu garrametjet e kacarritjet e përbaltjeve, në fundin e mbram ajo e vendos në vendin e vet, kungimin e forcës për të jetu njeriun brenda nesh, tan brezat e tana kohnave, përkundër soj-soj sunduesish e tiranish. Koha asht gjykatësja ma e rreptë dhe njikohësisht ma e pamëshirshme, ajo përmbys figura të ngritura përdhunshëm në piedestal, shpërndan shkëlqime breroresh të rreme edhe kur balsamosen për t’u ruajtur përjetësisht në gjirin e saj, ajo i flak tutje si byk dhe i braktis përfundimisht në harresë. Kanda dhe vlera, amshti i përjetësisë e forca e ngulmimit në çdo zemër e nji bukurie të ashpër por kumtuese, nga qielli na bien në prehër edhe pas kaq vitesh. Asht ai emër, ai za, ai kushtim që vijnë e rivijnë te sekush prej nesh, për të dëshmu, për të kremtu, për të ysht e me zgju prej thellë, nër ne, vullnesën njerëzore. Po atë forcë, të cilës i duhet dhan krahë sa herë që qiejt kërkojnë fluturimin e saj, i duhet dhan këmbë t’forta e kivet, sa her i duhet me mposht mitin antik të Sizifit, i duhet dhan zemër e zjarr sa her koha prêt me padurim ngulmin e asaj hazdisje. E qe besa i duhet dhanë tançka Migjeni i madhe dha në ato pak vite të zorshme jetë, në atmot të hoveve të mëdha, ndryshimeve të potershme e shumëçkasë tjetër që thepiste shtegun përnga kalonte kalvari i të përditshmes së asokohëshme e të tashmes, domosdo. / Albert Vataj / KultPlus.com

Thashethemet për një lidhje të re, Dua Lipa dhe Trevor Noah drekojnë së bashku

Dua Lipa dhe Trevor Noah ndezën thashethemet për lidhje të rë mes tyre, kur të mërkurën mbrëma shijuan një darkë romantike në New York City, përcjell KultPlus.

Kantautorja, 27 vjeçe dhe komediani, 38 vjeç, u panë duke ndarë një moment intim në një restorant xhamajkan në East Village të quajtur Miss Lily’s, sipas fotove të marra nga Daily Mail.

“Ata ishin ulur në heshtje larg nga të gjithë të tjerët në restorant,” thuhet nëpër media. “Ishte e qartë se ata ishin të lidhur me njëri-tjetrin dhe u ulën pranë njëri-tjetrit gjatë gjithë vaktit.”

Më pas, Noah dhe Lipa ecën bashkë rrugëve të qytetit. /KultPlus.com

Zbulohet monedha me portretin e Mbretit Charles në Britani (FOTO)

Është zbuluar shëmbëlltyra zyrtare e monedhës me portretin e mbretit të ri të Britanisë, Charles. Bëhet fjalë për një monedhë me vlerë 5 paund dhe një më të vogël prej 50 pence.

Ato janë realizuar nga skulptori britanik Martin Jennings dhe janë miratuar personalisht nga Mbreti i ri. Në përputhje me traditën, portreti i Charles është vendosur në drejtim të kundërt me atë të nënës së tij.

Imazh i ri i mbretit Charles III është zbuluar nga Royal Mint dhe do të hyjë në qarkullim deri në fund të vitit.

Mbishkrimi latin që rrethon figurën thotë: “:: CHARLES III :: D :: G :: REX :: F :: D :: 5 PUNDS :: 2022”, që përkthehet në: “Mbreti Charles III, me hirin e Zot, Mbrojtës i Besimit”.

Ndërkohë, një varg i veçantë monedhash përkujtimore për Mbretëreshën Elizabeth II do të dalë të hënën në orën 9 të mëngjesit./A2CNN / KultPlus.com

Aktorja Monica Bellucci sot feston ditëlindjen

Aktorja italiane Monica Bellucci sot feston ditëlindjen e saj, shkruan KultPlus.

Ndërsa filloi karrierën e saj si modele për markat si Dolce & Gabbana dhe Dior, ajo ngadalë e vazhdoi karrierën e saj drejt aktrimit dhe përfundimisht shënoi debutimin e saj në Hollywood. Dhe siç thonë ata, nuk ka pasur asnjë kërkim prapa për të që atëherë.

Monica është bërë e famshme që nga koha e saj e aktrimit, por përveç kësaj, ajo gjithashtu ka spikatur vendin e saj si një forcë e modës.

Daljet në tapetin e kuq të Monikës janë një dëshmi e dashurisë së saj për modën. Ajo zgjedh me kujdes atë që dëshiron të veshë dhe sigurohet që ajo ta gozhdojë atë në krah. Menjëherë nga një fustan i kuq klasik në qilimin e kuq në një të zi të ndezur, ajo ka arritur të gozhdojë veshjet më klasike dhe të krijojë një vend për veten në industri.

Një ikonë e kohës së saj, Bellucci ka arritur të evoluojë me kalimin e kohës dhe veshjet e saj kanë parë disa ndryshime të mëdha gjatë viteve. Dhe ndërsa kohët kanë ndryshuar, aura rreth saj vazhdon të shkëlqejë më e ndritshme.

Sot në ditëlindjen e 58 vjeçares, KultPlus ju sjell disa pamje të paharrueshme të bukurisë së saj. /KultPlus.com

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Përkthimit

Kjo ditë shënohet çdo 30 shtator në shumë vende të botës, në nderim të përkthyesit të parë të Biblës, i cili konsiderohet si mbrojtës i shenjtë i përkthimit.

Kjo është një mundësi për të shfaqur krenarinë për këtë profesion, që njëherësh është duke u bërë gjithnjë e më i domosdoshëm në fushën e përparimit global.

Kjo ditë kishte nisur të festohej nga Federata Ndërkombëtare e Përkthimit, që nga viti 1953. Në vitin 1991 Federata lansoi idenë e njohjes ndërkombëtare të ditës së përkthimit, për të shprehur solidaritet të komunitetit mbarë botëror të përkthimit, si një përpjekje për të promovuar përkthimin profesional në vende të ndryshme, duke mos u kufizuar vetëm në ato të krishtera. / KultPlus.com

Zelensky: Nëse Putini ndalet, Rusia kursehet nga pasoja më të mëdha

Presidenti ukrainas Volodymir Zelensky argumentoi sonte se Rusia mund të shmangë pasojat më të këqija të luftës që ka nisur kundër vendit të tij, por dikush do të duhet të ndalojë të fortën e Kremlinit, Vladimir Putin.

Në mesazhin e tij presidenti ukrainas iu drejtua veçanërisht qytetarëve rusë.

 “Kjo ende mund të ndalet. Por për ta ndaluar këtë, (dikujt) do t’i duhet të ndalojë atë në Rusi që po e vë luftën para jetës. Jeta juaj, qytetarë të Rusisë”, tha Zelensky.

Duke iu referuar planeve të Kremlinit për të aneksuar katër rajone të Ukrainës, Volodymyr Zelensky shprehu besimin se ato nuk do të kenë rezultatet e pritura. /abcnews.al/ KultPlus.com

Dua të kthehem në një det

Poezi nga Nazim Hikmet Ran
Shqipëroi: Alban Tartari

Dua të kthehem në një det!
Në pasqyrën e blujtë të ujërave,
Dua të dukem i tëri vetë.

Dua të kthehem në det!
Anijet ikin agimeve të bardha,
Anijet ikin!
Dhe halli si mbush velat e shtrira bardhoshe.
Në anije jeta ime një ditë të jetë
Mjafton të bëj një “nobet”.
Dhe meqë një ditë patjetër vdekja do vijë,
Unë si një dritë që perëndon në ujë,
Në këto ujera dua të kthehem!

Dua të kthehem në një det!
Dua të kthehem në një det!

1927./ KultPlus.com

Hapet ekspozita filatelike me portrete postare të nëntë akademikëve

Në 50-vjetorin e Akademisë së Shkencave u organizua ekspozita filatelike me pullat e emetuara nga Posta Shqiptare në nder të personaliteteve më të shquara të albanologjisë.

Ekspozita “Figura e akademikut në pullat e postës shqiptare” u përgatit nga Posta Shqiptare në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave.

Administratorja e Postës Shqiptare, Anisa Kaltanji dhe kryetari i Akademisë së Shkencave Skënder Gjinushi morën pjesë në çeljen e ekspozitës në hollin e Akademisë së Shkencave.

Në ceremoninë e hapjes folën akad. Vasil S. Tole, zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Anisa Kaltanji.

Anisa Kaltanji, administratorja e Postës Shqiptare tha se kjo ekspozitë vjen në kuadër të ngjarjeve të planifikuara për 50-vjetorin e themelimit të Akademisë së Shkencave më 10 tetor 2022 dhe për 110-vjetorin e Postës Shqiptare më 5 dhjetor 2022.

Akad. Vasil Tole tha se ekspozimin e pullave postare me portretet e akademikëve, posta e bën në kuadër të 110-vjetorit të saj, prej kur qeveria e Ismail Qemalit, një javë pas ngritjes së Flamurit të Pavarësisë, ngriti ministrinë e Post-Telegrafës me në krye Lef Nosin.

Ky koleksion, pjesë e arkivit të Postës Shqiptare përmban pullat me figurat e Aleks Budës, Eqrem Çabejit, Ismail Kadaresë, Shaban Demirajt, Mahir Domit, Kristo Frashërit, Odhise Paskalit, Dhimitër Shuteriqit dhe Dritëro Agollit, të cilat u ekspozuan së bashku për herë të parë për publikun e gjerë.

Pjesëmarrës ishin edhe familjarë të këtyre personaliteteve, akad. Dhimitër Haxhimihali, dhëndër i Aleks Budës, Floriana Paskali (vajza e akad. Odhise Paskalit), Etleva Domi (vajza e akad. Mahir Domi) dhe Eglantina Demiraj (vajza e akad. Shaban Demiraj).

Floriana Paskali, Etleva Domi dhe Eglantina Demiraj folën në emër të familjarëve të akademikëve të përuruar në pullën postare shqiptare dhe kujtuan me krenari kontributin ndër vite të të afërmve të tyre.

Realizimet artistike të pullave janë bërë nga Erion Kaceli, Artion Baboçi, P. Papa, M. Delija, M. Arapi, L. Mema./atsh/ KultPlus.com

110 vjet më parë lindi Michelangelo Antonioni, gjeniu i filmit italian

Më 29 shtator 1912, lindi Michelangelo Antonioni, një nga autorët më të mëdhenj në historinë e kinemasë italiane, shkruan ilsole24ore.com.

Antonioni do të mbushte 110 vjet më 29 shtator, nëse një sëmundje e gjatë nuk do ta shuante më 30 korrik 2007: ditën kur, rastësisht, humbi jetën edhe Ingmar Bergman.

I lindur në Ferrara nga një familje e shtresës së mesme, regjisori shumëplanësh (skenarist, piktor dhe shkrimtar) hodhi hapat e tij të parë në botën e kinemasë përmes kritikës dhe gazetarisë.

Në fund të viteve 1930 ai filloi të shkruante artikuj për ‘’Corriere Padano’’, përpara se të transferohej në Romë në vitin 1940, ku u punësua në revistën ‘’Cinema’’, në redaksinë e së cilës u takua me Cesare Zavattinin, skenaristin e ardhshëm të Vittorio De Sica dhe një nga eksponentët më të mëdhenj teorikë të neorealizmit.

Gjatë këtyre viteve ai u regjistrua në Qendrën Eksperimentale të Kinematografisë dhe, pasi kishte qenë asistent regjisor i Marcel Carne-së për “Le visiteurs de soir”, filloi xhirimet e filmit të tij të parë të shkurtër “Gente del Po”, i cili përfundoi vetëm pas luftës. .

Përmbajtja e filmave të tij të shkurtër dokumentarë gjen një shtrirje më të gjerë në “Cronaca di un amore”, një film artistik debutues i datës 1950, i përqendruar në një tradhëti bashkëshortore në botën e klasës së mesme të lartë.

Tre veprat që pasuan menjëherë morën gjykime të mira kritike, por pak vlerësim popullor: “Të mposhturit” e vitit 1952, mbi dhunën e botës rinore të pasluftës, “Zonja pa kamelia” e vitit 1953, dhe “Le amici” të vitit 1955, bazuar në një roman të Cesare Pavese.

Kjo rrugë do të vazhdojë fuqishëm në katër filmat e mëpasshëm, të njohur nën etiketën e “tetralogjisë ekzistenciale”, me partneren e atëhershme Monica Vitti: suksesi i jashtëzakonshëm i “L’avventura” në vitin 1960,

Në të njëjtat rreshta luhet edhe “Nata” e vitit 1961, me Jeanne Moreau dhe Marcello Mastroianni së bashku me Vitti, dhe “L’eclisse” e vitit 1962, një reflektim shqetësues mbi zbehjen e papritur të ndjenjave njerëzore.

Tetralogjia përfundon me “Shkretëtira e kuqe” e vitit 1964, ku Antonioni do të përdorë për herë të parë ngjyrën.

Pas këtyre sukseseve, të cilat e bëjnë atë të konsiderohet si një nga pionierët e kinemasë moderne, ai do të nisë një aventurë dhjetëvjeçare jashtë vendit duke xhiruar tre filma në anglisht, të prodhuar nga Carlo Ponti.

Më  rëndësishmi është “Blow-up” i vitit 1966, kryevepra e tij absolute e luajtur mes fijes delikate të realitetit-fiction, e cila do të pasohet nga “Zabriskie Point” e vitit 1970, një metaforë e dhunshme e rebelimit të të rinjve në vazhdim, dhe “Profesioni: reporter” i vitit 1975, mbi marrëdhëniet midis kapitalizmit dhe botës së tretë me një protagonist të jashtëzakonshëm si Jack Nicholson.

Në mes të shumë projekteve, në vitin 1985, ai pësoi një goditje në tru, e cila i privoi të folurit dhe e detyroi të qëndronte ulur në karrocë.

Në vitin 1995, në të njëjtin vit kur iu dha Oskari i vonuar për arritje jetësore

I kufizuar nga sëmundja në aftësinë për të komunikuar, vitet e fundit iu përkushtua pikturës, duke ekspozuar në ekspozita të ndryshme. Ai vdiq në moshën 94-vjeçare më 30 korrik 2007 në shtëpinë e tij në Romë. Ai është varrosur, me amanetin e tij të shprehur, në varrezat monumentale të Certosa di Ferrara./ KultPlus.com

Më 1 tetor nis ‘Kosova KamerFest’, hapja e madhe bëhet me Gjigantët Romantikë

Festivali i muzikës kamertale ‘Kosova KamerFest’ rikthehet në Prishtinë në edicionin e tij të XXI-të të shtunën më 1 tetor, përcjell KultPlus.

Në mbrëmjen e parë, në hapjen e madhe të këtij festivali që do të mbahet në Sallën e Amfiteatrit të Bibliotekës Qendrore të UP-së do të jehojë muzika e Gjigantëve Romantikë të interpretuar nga Klaidi Sahatçi në violinë dhe Merita Rexha-Tërshana në piano.

Ky festival  do të mirpresë edhe artistë të tjerë si: String Trio Kosova, Sihana Badivuku, Blerim Grubi, Aristidh Prosi, ArsKosova Competition 2022 laureats, Vesa Dume, Eda Vlaqo, Elsa Gashi, Dejon Bendaj, Kristina Laqo, Dorina Laro, Galina Koycheva, Duo Lesage, Celine Lesage, Eric Lesage, Jose Manuel Alvarez Losada, Pedro Mateo, Syzana Jakupi, Alba Muçolli, Ensemble XXI, Lygia O’Riordan dhe Pia Sirala.

Ndërkaq, ‘Kosova KamerFest’ do të mbahet në Prishtinë nga 1 tetor deri më 1 dhjetor 2022./ KultPlus.com

Këshilli i Prindërve: Nëse mësimi nuk fillon më 3 tetor, do të kërkojmë çregjistrim masiv dhe sistemi arsimor do të kolapsojë

Këshilli i prindërve përmes një postimi në Facebook ka bërë thirrje që të hapen shkollat në të gjithë Kosovën më 3 tetor, në të kundërtën ata do të kërkojnë çregjistrim masiv nga shkollat, përcjell KultPlus.

Nëse kjo kërkesë e tyre nuk dëgjohet, përveç kësaj ata kanë paralajmëruar edhe protesta, marshe dhe hyrje në shkolla.

KultPlus ua sjell postimin e plotë:

SHKURT E SHQIP

Nëse më 3 tetor nuk fillon mësimi në gjithë Kosovën, do të kërkojmë çregjistrim masiv nga shkollat dhe sistemi arsimor do të kolapsojë. Nuk do të ketë më nevojë as për shkolla, as për mësimdhënës e as për institucione arsimore!

Është e lehtë të prishësh, është kollaj të bllokosh, është e padrejtë greva në arsim!

HAPINI SHKOLLAT

Kjo thirrje nuk i përjashton edhe format e tjera të shprehjes së pakënaqësisë: protesta, marshe, hyrje në shkolla!/ KultPlus.com

“Don Kishoti dhe mullinjtë e erës”, fragment nga romani i Miguel de Cervantes

Fragment nga romani “Don Kishoti dhe mullinjtë e erës” nga Miguel de Cervantes:

Atje sipër, në një pllajë, ishin të shpërndarë tridhjet apo dyzet mullij me erë. Sapo i vuri re, Don Kishoti u kthye nga shërbëtori i tij dhe i tha:

– Fati po na ndihmon që të kryejmë punët tona më mirë se çdo ta dëshironim, sepse, ja miku im Sanço Pança, ku po na shfaqen përpara nja tridhjet apo pak më shumë gjigantë të shpërmasuar, me të cilët do të ndeshemi në një luftë të vërtetë, për t’i shërbyer perëndisë, duke shfarosur nga faqja e tokës këtë farë të keqe.

– Ç’gjigantë, mor zotëri? – pyet Sanço.
– Ata që shihen atje, larg, me gjymtyrë mjaft të gjata – e sqaron i zoti.
– Mor zotëri, ato që duken atje larg, nuk janë gjigantë, por mullij ere dhe ato që duken si duar, janë në fakt, krahët që duke u rrotulluar nga era, vënë në lëvizje gurët e mullirit.
– Siç po duket – përgjigjet Don Kishoti – ti nuk je shumë i dhënë pas aventurës: ata janë gjigantë, dhe nëse ti ke frikë mund dhe të tërhiqesh mënjanë e të fshihesh, ndërkohë që unë do të përfshihem në një betejë të furishme dhe të pabarabartë me ta.
Dhe, sapo tha këto fjalë, ai goditi me mamuze kalin e tij, Rosinantin, pa dëgjuar fare thirrjet e dëshpëruara të shërbëtorit të tij, Sanços, që përsëriste pa pushim se ato gjëra që ai po sulmonte, pa më të voglin dyshim ishin thjesht mullij me erë dhe jo gjigantë. Por ai ishte aq i thithur nga ideja se ata ishin gjigantë, saqë jo vetëm nuk dëgjonte më thirrjet e Sanços, por as nuk e pastroi më shikimin dhe kur ishte fare pranë tyre, por përkundrazi po ulëriste:
– Mos ja mbathni o frikacakë, o krijesa të poshtra, sepse ai që po ju sulmon është thjesht një kalorës i vetmuar.

Në këtë kohë filloi të fryjë pak erë dhe krahët e mëdhenj të mullijve filluan të rrotulloheshin ngadalë. Duke parë një gjë të tillë Don Kishoti thirri:
– Ju mund të lëvizni edhe më shumë krahë se ai gjiganti njëqindkrahësh (Briarée), por ju do të paguani për këtë.
Dhe duke thënë këto fjalë, e gjithë qenia e tij u pushtua nga kujtimi për damën e tij, Dulqinën, me dëshirën-kërkesë për t’i qenë pranë si shpëtimtare ndaj këtij rreziku të madh. Dhe, duke u mbuluar me mburojë dhe me ushtën gati për luftim, ai u turr përpara me një galop të Rosinantit, për të arritur tek mulliri i parë, në njërin krah të të cilit nguli shtizën e tij. Por në këtë kohë era filloi të fryjë me aq forcë, sa që e bëri ushtën copë-copë, duke përplasur përtokë dhe kalorësin e kalin e tij.
Sanço Pança, i shushatur mbi gomar, shpejtoi për të ndihmuar të zotin dhe kur ishte pranë tij, konstatoi se goditja kishte qenë aq e fortë sa zotëria akoma nuk po arrinte të lëvizte.

– Më ndihmoftë perëndia – tha Sanço – a nuk ju thashë që të kishit mendjen në atë që po bënit, sepse që ata nuk ishin veçse mullij me erë, asnjeri nuk mund ta mohojë, me përjashtim të atij që në kokë i fryn erë tjetër.
– Hesht, miku im Sanço – u përgjigj Don Kishoti – objektet e luftës janë shpesh sende në një shndërrim të vazhdueshëm. Prandaj, unë mendoj, madje kjo është vetë e vërteta, që ai dijetari Freston, që më vodhi kabinetin dhe librat e mi, i transformoi ato gjigantë në mullij, për të më hequr nga dora lavdinë, pas një fitoreje të sigurtë. E tillë është dhe armiqësia e tij e madhe ndaj meje. Por, në fund të fundit, këto marifete të ndyra nuk mund të triumfojnë kundër mirësisë së shpatës sime.
– Perëndia bëftë për ne sa mundet – u përgjigj Sanço Pança dhe e ndihmoi atë t’i hypte Rosinantit që ishte dhe ai i përplasur përdhe… /KultPlus.com

Konfirmohet zyrtarisht shkaku i vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth

Mbretëresha Elizabeth u nda nga jeta në moshën 96-vjeçare më 8 shtator në Balmoral dhe pas tre javësh zi familja mbretërore i është rikthyer normalitetit. Megjithatë, ka disa pyetje në lidhje me vdekjen e saj dhe veçanërisht certifikatën e saj të vdekjes.

Dokumenti në fjalë është një çështje publike dhe ka zbuluar se Mbretëresha vdiq nga “pleqëria”. Ai u nënshkrua nga vajza e saj, Princesha Anne.

Vdekja e Mbretëreshës u regjistrua në Aberdeenshire më 16 shtator nga Sekretari i Përgjithshëm për Skocinë, Paul Lowe.

Ndërsa, kur Princi Philip vdiq në prill 2021 në moshën 99-vjeçare, nuk pati asnjë njoftim nga Pallati dhe një muaj më vonë, doli se shkaku i vdekjes së tij ishte “pleqëria”.

Raporti i tij i vdekjes tregoi se nuk kishte asnjë sëmundje ose lëndim tjetër që kontribuoi në vdekjen e tij, duke përfshirë zemrën që kërkonte operacion vetëm disa javë para se të vdiste./abcnews.al/ KultPlus.com

Si u shkruajt vepra madhore e Servantes, Don Kishoti

Përgatitur nga: Elvi Sidheri

Vepra më e madhe e letërsisë spanjolle (e ndër kryesoret e historisë së letërsisë botërore), pati lindur në një vend të zhurmshëm, plot me njerëz të rraskapitur, me duar të ndotura dhe me gjasë edhe të dehur xurxull.

E nuk bëhej fjalë për gjindje ndopak boheme, por njerëz që pinin nga nevoja, sepse kjo ishte mënyra e vetme për ta zbutur ngarkesën e tyre në punë.

Atje, britmat qenë mjeti i rëndomtë i komunikimit dhe nxitimi buka e përditshme. Por sakaq, ky kaos në pamje të parë, ishte krejtësisht i kontrolluar. Shtypshkronjat e Shekullit të Artë të letërsisë spanjolle funksiononin si një zinxhir i përkryer montazhi që do ta bënte të shpërthente në ovacione edhe vetë Henri Fordin, i cili do ta përdorte këtë metodë në prodhimin e makinave shekuj më pas.

Ndokujt, ky mjedis mund t’i dukej si një lloj mrekullie.

Sikundër thuhet në një dëshmi të epokës: “Nëse përbën habi fakti që punonjësit e shtypshkronjave janë pijetarë të shquar që e shpenzojnë tërë rrogën e tyre (gjithësesi të ulët) në pije dhe alkool, atëherë shkoni në një shtypshkronjë ku gjindja përballen me detyrat e përditshme dhe do ta shikosh me çfarë shpejtësie i shtypin librat në letrën e zhuritur!”

Në këto mjedise, konkretisht në një shtypshkronjë të rrugës Atocha në Madrid, atje ku sot ndodhet selia e Sociedad Cervantina (Shoqërisë së Servantesit), qenë shtypur dy pjesët e Don Kishotit, që si fillim do të shiteshin plot me gabime shtypi, veçanërisht pjesa e dytë me më shumë gabime. Ky nuk ishte një rast i jashtëzakonshëm, sepse ritmi i shtypshkronjës nuk mundësonte rezultate tepër të arrira. Një tjetër thënie e epokës e vitit 1629, na tregon: “Nuk gabojnë ata që e quajnë shtypshkronjën si nënën e gjithë gabimeve të shtypit, sepse kështu është padyshim, me shumicë. Sado të nxitohet, sado me kujdes të bëhen korrektimet, nuk është e mundur të çlirohen librat nga ky defekt.

Me fjalë të tjera, libri, si objekt, ishte i dënuar me njëfarë mospërkryerje. Pavarësisht korrektorëve.

Gjithësesi, mes pendës së Servantesit dhe shtypjes së krijimit të tij madhor letrar ndodhën disa gjëra që na ndihmojnë ta kuptojmë dukurinë e veçantë që përbën kjo vepër. Në Shekullin e Artë të letërsisë spanjolle (mes shekullit XVI e XVII), një shkrimtar me një dorëshkrim ishte gjithaq, një pramatar. Atij i nevojitej leja nga Këshilli i Kastiljes, një kërkesë që nuk përbënte gjë tjetër veç një forme censure. Më pas, i nevojitej një librar që do të kujdesej për financimin e shtypjes së librit dhe shitjen e tij. Ky njeri vinte të hollat, pra.

Në rastin tonë, ky person pati qenë Francisco de Robles, personazh pa të cilin sot nuk do të njihnim dot as Kishotin, as Sanço Pançon.

Përse u interesua për fisnikun utopik pra? Faktikisht thjesht sepse donte të fitonte të holla. Kjo ishte një punë me fitim. Gjithashtu edhe për Servantesin, sepse kur shkrimtari t’ia kish shitur të drejtat librarit, ai do ta humbte të zotërimin e veprës së tij.

Në vitin 1599 ishte botuar “Guzmán de Alfarache”, përshkrimi i aventurave pikareske të shkruara nga Mateo Alemán. Botimi do të bëhej një sukses i plotë dhe duke nisur nga ky moment, tërë librarët kërkonin të njëjtën letërsi. Dhe Robles do të shihte në pjesën e parë të Don Kishotit një mundësi shitjesh.

Librari donte të fitonte të holla, dhe i gjeti ato. Romani do të dilte në shitje në Madrid, në janarin e vitit 1605, me një tirazh prej 1500 kopjesh. Në prill të këtij viti u desh tashmë një botim i dytë i veprës. Në të njëjtën kohë, do të botoheshin edhe dy edicione të librit piratisht në Mbretërinë e Portugalisë. Dhe një tjetër akoma, kësaj radhe në mënyrë të ligjshme, në Mbretërinë e Aragonës. Përmbledhtas, ishin pesë botime radhazi, ndonëse suksesi nuk arriti përtej.

Me këtë vrull, duket e habitshme që Servantes nuk iu fut menjëherë shkrimit të pjesës së dytë. Mendohet se me gjasë e konsideronte një vepër të dorës së dytë. Sidoqoftë, dikush e parapriu në këtë synim. Në vitin 1614 do të botohej një Kishot Apokrif, i nënshkruar nga njëfarë Alfonso Fernández de Avellaneda, pseudonimi i një autori që askush nuk e ka zbuluar, një mister mbi të cilin janë bërë më shumë hamendësime se dëshmi të qarta.

Dhe ky libër, sigurisht që u shit jo keq.

Në vitin e botimit të tij pati dy edicione, me një tirazh të ngjashëm me veprën origjinale. Sepse siç thonë ekspertët e fushës: “Gjindja prisnin një pjesë të dytë të Kishotit, nuk e vrisnin mendjen nëse e shkruante Servantesi apo dikush tjetër!”

Servantes nuk ngurroi t’i përgjigjej atij provokimi dhe e përfundoi pjesën e dytë me shpejtësi të madhe. Sërish botimin do ta bënte Robles, me të cilin kishte marrëdhënie të mira (flitet edhe se ndoshta Servantesi punonte për të si ndihmës-librar), dhe përsëri Kishoti do të shtypej në të njëjtën shtypshkronjë në rrugën Atocha. E do të dilte në treg me shumë më tepër gabime se pjesa e parë. Arsyeja? Shpejtësia!

Sepse nevojitej të nxitonin për t’i bërë konkurrencë Avellanedas, sipas biografëve.

Sot e dimë se ajo vepër, thuajse me bindje të plotë, ishte korrektuar nga Jerónimo de Salazar, një emër i zbuluar veç së fundi dhe krejt i panjohur për historinë e letërsisë, i cili pat qëlluar të mbante në duart e tij dorëshkrimin e veprës madhore të letërsisë spanjolle. Ndonëse i ngrati nuk do të kishte kohë të kujdesej gjatë për të, dhe puna e tij do të mbetej e përkujtuar veç për çështjen e gabimeve të shtypit.

Kështu, në vitin 1615, do të dilte në shitje kjo vepër madhore dhe e pavdekshme. Nuk do të shitej së tepërmi. Sepse lexuesit e periudhës ishin mësuar me versionin apokrif. Servantesi ndërkaq nuk do të kishte kohë për t’u ankuar.

Ishte i rraskapitur, i dobët nga shëndeti, dhe i nevojitej të përfundonte veprën që pandehte se do të bëhej libri i tij madhor, “Persiles”.

Servantes do të vdiste në vitin 1616, para se ta shihte të botuar.

Miguel de Cervantes Saavedra ishte padyshim një gjeni i letërsisë, por asnjëherë nuk pati largpamësi në tregti.

Vdes Coolio, reperi i hitit ‘Gansta’s Paradise’

Coolio, reperi i cili ishte ndër emrat më të mëdhenj të hip-hop-it të viteve 1990 me hite përfshirë “Gangsta’s Paradise” dhe “Fantastic Voyage”, vdiq të mërkurën në moshën 59-vjeçare, tha menaxheri i tij, transmeton KultPlus.

Coolio vdiq në shtëpinë e një miku në Los Anxhelos, tha menaxheri i vjetër Jarez Posey për Associated Press. Shkaku nuk ishte menjëherë i qartë.

Coolio fitoi një Grammy për performancën më të mirë të repit solo për “Gangsta’s Paradise”, hit i vitit 1995 nga kolona zanore e filmit të Michelle Pfeiffer “Dangerous Minds” që mori këngën e Stevie Wonder të vitit 1976 “Pastime Paradise” dhe u luajt vazhdimisht në MTV.

Grammy, dhe kulmi i popullaritetit të tij, erdhi në vitin 1996, mes një grindjeje të ashpër midis komuniteteve hip-hop të dy brigjeve, që do t’i merrte jetën Tupac Shakur dhe The Notorious B.I.G. shpejt pas.

Coolio arriti të qëndronte kryesisht mbi konfliktin.

“Do të doja ta pretendoja këtë Grammy në emër të të gjithë kombit hip-hop, në Bregun Perëndimor, në Bregun Lindor dhe në mbarë botën, të bashkuar qëndrojmë, të ndarë biem”, tha ai nga skena teksa pranoi çmimin.

I lindur si Artis Leon Ivey Jr., në Monessen, Pensilvani në jug të Pittsburgh, Coolio u zhvendos në Compton, Kaliforni. Ai kaloi ca kohë si adoleshent në Kaliforninë Veriore, ku nëna e tij e dërgoi sepse mendonte se qyteti ishte shumë i rrezikshëm.

Ai tha në intervista se filloi të reponte në moshën 15-vjeçare dhe e dinte që në moshën 18-vjeçare se çfarë donte të bënte me jetën e tij, por do të shkonte në kolegj komunitar dhe do të punonte si zjarrfikës vullnetar dhe në sigurinë e aeroportit përpara se t’i kushtohej me kohë të plotë skenës hip-hop.

Karriera e tij u ngrit me publikimin e albumit të tij debutues në vitin 1994 në Tommy Boy Records, “It Takes a Thief”. Pista hapëse e saj, “Fantastic Voyage”, do të arrinte numrin 3 në Billboard Hot 100./ KultPlus.com

Portrait of American rapper, actor and producer Coolio (Artis Ivey), Amsterdam, Netherlands 3rd November 1995. (Photo by Paul Bergen/Redferns)