Ms. Indefinite me video-performancë ku trajton diskriminimin gjinor edhe në emërtimin e rrugëve (VIDEO)

Ms. Indefinite ka sjell një video-performancë të titulluar “Labirinti i barazisë”, ku trajton diskriminimin gjinor, përcjellë KultPlus.

Video-Perfomanca “Labirinti i barazisë”, në mënyrë artistike “kontradiktore” avokon në çmitizimin e mitit të martesës si konstrukt shoqëror dhe familjar, mbi teoritë dhe konceptet e shkrimtares, filozofes dhe aktivistes feministe, Simone de Beauvoir, rreth martesës si kurthim për gratë, në privimin e zhvillimit të karrierës së tyre. Kurse, “paradoksalisht” nëpërmjet performimit nëpër pesë rrugët që mbajnë emrat e figurave të grave që kanë kontribuar ndër gjenerata, adreson alegorikisht diskriminimin gjinor që është prezent edhe në emërtimin e rrugëve dhe shesheve, përmes simbolikës si dëshmi që kontributi i madh i shumë grave, diskriminohet nga sistemi dhe shoqëria patriarkale.

Bazuar në hulumtimin e Organizatës joqeveritare EC Ma Ndryshe, më pak se 4% të rrugëve në Kosovë mbajnë emra grash, kjo përqindje e emërtimit të rrugëve në komunat e Kosovës ofron dëshmi për diskriminimin gjinor në sferën publike të vendit, edhe pse dispozitat e Kushtetutës përkufizojnë se Republika e Kosovës siguron barazinë gjinore si vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë, mundësi të barabarta për pjesëmarrje të grave dhe burrave në jetën politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe në fushat të tjera të jetës shoqërore.

Ndërkohë, edhe Ligji për Barazinë Gjinore garanton, mbron dhe promovon barazinë midis gjinive, si vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë. Neni 5 i këtij ligji që përkufizon masat e përgjithshme për parandalimin e diskriminimit gjinor dhe sigurimin e barazisë gjinore, përshkruan një numër masash që duhen zbatuar nga institucionet e të gjitha niveleve me qëllim të parandalimit dhe eliminimit të diskriminimit gjinor si dhe arritjes së barazisë gjinore. Mirëpo, në bazë të listës së Agjencisë Kadastrale të Kosovës del se në 32 komuna të Kosovës nga 21,508 rrugë, 13,840 mbajnë emra burrash ose 57,3%, dhe vetëm 707 ose 3.6% mbajnë emra grash.

Për më tepër, ndiqeni video-performancën artistike të realizuar mjeshtërisht Ms. Indefinite. / KultPlus.com

Margariti: Një miliardë lekë për Qendrën Kombëtare të Kulturës për Fëmijët

Në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, u diskutua sot në parim projektligji “Për Buxhetin e Vitit 2023”.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti e pranishme në këtë komision ka bërë një përmbledhje nismave madhore të qeverisë, në fushën e artit, kulturës e trashëgimisë kulturore si dhe i njohu të pranishmit me buxhetin e parashikuar për vitin 2023.

“Megjithë vështirësitë, krizën energjetike botërore e luftën në Ukrainë, arritëm të vinin në jetë programe e nisma madhore”, tha Margariti.

Ministrja u ndal fillimisht tek programi i “Bonusit të Rijetësimit”, i cili sipas saj, nuk është vetëm unifikim i fasadave dhe ansambleve arkitekturore, por gjithashtu ndihmon në ngritje biznesesh e startup-eve, me një fond prej 100 mln lekësh, ku përfitojnë 40 aplikues, 20 prej të cilëve në zona UNESCO si Gjirokastra e Berati.

“Ky projekt i ministrisë së Kulturës, po zhvillohet në bashkëfinancim me pronarët e objekteve, duke krijuar në këtë mënyrë sinergji me komunitetin dhe kjo është një nga nismat më të mira, projekt ky që do të aplikojnë edhe përgjatë vitit 2023. Duke parë kërkesat e shumta, buxheti për “Bonusin e Rijëtësimit” do të jetë 50% më shumë, vitin e ardhshëm. Vlera reale është pothuajse dyfishi i asaj që kemi alokuar”, tha ministrja duke shtuar se financimi i plotësuar nga komuniteti, për 2023 do të arrijë në 300 mln lekë.

Margariti theksoi se, “një tjetër nismë e suksesshme është ajo e Javëve Kulturore Ndërkombëtare. Që prej çeljes së tyre, në muajin prill e deri më sot, ato kanë sjellë 300 aktivitete me përfshirjen e mbi 500 mijë personave. Për javët kulturore është parashikuar fondi prej 140 mln lekësh, por financime të tjera do të ofrohen nga biznese, partnerë të huaj e përfaqësitë diplomatike të vendeve pjesëmarrëse, të cilat vitin që vjen do të shtohen”.

Ajo tha se, kjo është një nismë kombëtare që prek gjithë territorin shqiptar për të cilën është me rëndësi aktivizimi i fondeve të veçanta përveç buxhetit të shtetit.

Më tej ministrja e Kulturës përmendi investimin prej 3,7 mln lekësh në restaurimin e sallës së Akademisë së Arteve, transformimin e hapësirave të ish Kinostudios, përfshi një pjesë të mjediseve të ministrisë së Kulturës, të cilat do vihen në dispozicion të aktiviteteve kulturore, muzeun hebraik në Vlorë, i cili pritet të kthehet në magnet turistësh si dhe projekti TID i Durrësit, i ngjashëm me TID Tirana, e TID Gjirokastra.

Sa i përket Galerisë Kombëtare të Arteve, ministrja tha se buxheti i vitit 2023 parashikon alokimin e 1 miliardë lekëve për rikonstruksionin e plotë dhe shtimin e hapësirave për edukim, restaurim e digjitalizim, duke sjellë 3 sektorë të rinj që rrisin mundësitë për punësim.

Gjatë diskutimit në komision u përmend edhe fondi i pagave për sektorin e Kulturës, i cili për 2023-shin do te ketë një shtesë prej 154 milionë lekësh, ndryshim i cili lidhet me vendimin e Këshillit të Ministrave.

E pyetur nga kryetarja e komisionit, Flutura Açka, se çfarë do të ndodhë me godinën e vjetër të Teatrit të Kukullave, ministrja Margariti tha se ajo godinë është një nga objektet që po restaurohet dhe që do te jetë zemra e Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijët, një sfidë prioritare e qeverisë. Ndërtimi i kësaj qendre kulturore do të nisë këtë vit dhe do të ketë fondin 1 mld lekë, duke i kthyer njëkohësisht dinjitetin parlamentit të parë shqiptar.

“Po sjellim një buxhet të shëndoshë dhe frytet e të cilit do të shihen në fundin e vitit 2025”, tha Margariti. / KultPlus.com

11 gjëra e përbashkëta që i kanë të gjithë gratë e forta

Ato kërkojnë vazhdimisht që të rriten

Ato e dinë që e vetmja gjë e cila qëndron mes tyre dhe suksesit, janë lëvizjet e tyre të “vockla”. Si pasojë, ato bëjnë vazhdimisht hapa të vegjël. Ato vazhdojnë lëvizin e lëvizin pa pushim, qoftë edhe ngadalë. Çfarëdo që të bëjnë, ato nuk pushojnë së rrituri dhe përmirësuari.

Ato e trajtojnë veten mirë

Në shoqërinë moderne, gratë bombardohen me mesazhe se ato thjesht nuk janë mjaftueshëm të mira, nëse nuk u “nënshtrohen” një serie standartesh të pamenda prej reklamave. Gratë e forta e dinë se kush janë.

Edhe pse në fillim, jo gjithmonë e duan veten e tyre, ato mësojnë gjatë rrugës se duke i kushtuar vëmendje dhe duke njohur mirë vetveten, ato mësojnë gjithfarësoj pikash të forta deri në ato momente të fshehura, apo edhe “superfuqi” që kurrë nuk mendonin se i kishin.

Ato mësojnë t’i besojnë gjykimi të tyre. Si në çdo marrëdhënie që është ndërtuar në besimin, marrëdhënia e tyre me vetveten bëhet më e fortë, me kalimin e kohës.

Nuk pranojnë kurrë më pak se sa meritojnë

Ato dinë si të marrin atë që kërkojnë. Ky mësim zakonisht merr pak kohë për t’u nxjerrë, sidomos në fillimin e të njëzetave, por kur ato vetëdijësohen për peshën e rëndësisë së tij, kuptojnë se pranimi i më pak nga sa kërkojnë, është një humbje e kohës së çmuar. Duke synuar më lart, ato i kursejnë vetes dhimbje dhe kohë.

Ato eleminojnë njerëzit toksikë nga jetët e tyre

Kjo përfshin njerëz që bëjnë thashetheme, nihilistë dhe “mbretëreshat e dramës”. Mësimi për të zbatuar kufij të shëndetshëm është një pjesë e rëndësishme e të jetuarit të një jete pa bagazhe emocionale.

Ato falin, por kurrë nuk harrojnë

Gratë e forta punojnë në mënyrë konstante me faljen. Ato e dinë se falja nuk është një dhuratë që ia jep keqbërësit, ose atij që të ka lënduar, por është një dhuratë për veten e tyre. Ato e dinë se falja është çelësi që nevojitet për t’u çliruar nga burgu i zemërimit. Pa të, do të mbeten robinja, mes hidhërimit. Kjo shpie në palumturi. Gratë e forta mësojnë nga gabimet e tyre duke mos i përsëritur.

Ato besojnë se ajo që bëjnë është e fuqishme, e më pas kjo bëhet reale

Gratë e forta ndjejnë një motivim të fortë për të arritur objektivat e tyre. Ato nuk harxhojnë kohë për rezultate në të cilët nuk besojnë. Që të ndjekin një objektiv, duhet që ai të ketë kuptim.

Nuk e vrasin shumë mendjen për atë që mendojnë të tjerët

Gratë e forta e shmangin lojën e krahasimit. Ato e dinë se lumturia e tyre varet prej kësaj. Nuk kërkojnë për lejë, pasi e dinë se duhet të marrin përgjegjësi për zgjedhjet e tyre. Dhe nuk fajësojnë të tjerët për gabimet e tyre. Kjo i bën të pavlerë mendimet e atyre që nuk kanë ekspertizën e nevojshme për të udhëhequr një proces të caktuar. Njerëzit duhet të ndajnë mendimin, vetëm kur u kërkohet.

E pranojnë veten për atë që janë

Gratë e forta e kuptojnë se në fund të ditës, jeta është shumë e shkurtër dhe e mrekullueshme, për t’u ulur dhe ndjerë keqardhje për atë që nuk janë. Ato gjejnë frymëzues prej të cilëve mund të mësojnë shumë dhe i krijojnë vetë pritshmëritë e tyre.

E dinë që nuk janë perfekte, por… s’ka problem

Gratë e forta e pranojnë se askush nuk është i përsosur. Gratë që kanë fuqinë të pranojnë veten (për mirë e për keq) janë tejet përshtatëse. Kjo përshtatshmëri i lejon që në fund të bëjnë një jetë vërtetë të jashtëzakonshme.

E respektojnë veten, dhe nuk duan për vete gjëra që janë të padrejta

Gratë e forta janë më të vetëdijshme për vlerën e tyre, se sa gratë e tjera që nuk e kanë arritur këtë shkallë. Rruga drejt zbulimit të vlerës së tyre është e ndryshme për cdo grua, dhe bëhet vërtetë e dukshme, vetëm pasi të jetë me shpatulla pas murit. Shumë gra që dihet se janë të forta, do t’ju thonë se nuk kanë qenë kështu gjithmonë. Zakonisht ato e zbulojnë forcën e tyre reale, në situata vërtetë të vështira. Zakonisht, pasi nuk kanë më lot për të nxjerrë, dhe asnjë vend ku të kthehen, ato kthehen nga vetja. Ky është momenti kur nis të ndodhë magjia.

Ndërtojnë sisteme të fortë personalë të mbështetjes

Shpesh, gratë e forta thurin rrjeta vërtetë të forta marrëdhëniesh ndërpersonale mes tyre, që shndërrohen në sisteme fenomenalë personalë të mbështetjes. Kjo do të thotë se shumica e zgjidhjeve janë një telefonatë larg. Ndonjëherë, forca më e madhe vjen kur pranon se nuk i bën dot gjërat e vetme. /Lifehack – Bota.al / KultPlus.com

Kumbaro: Mbi 19 milionë euro në mbështetje të turizmit dhe mjedisit

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro deklaroi se, angazhimi i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit gjatë sezonit veror, në aksioni për pastrimin e mjedisit përgjatë vijës bregdetare në katër bashkitë e vendit, do të vijojë edhe vitin që vjen gjatë periudhës qershor -shtator 2023, duke u shtrirë në 8 bashki.

Kumbaro vlerësoi aksionin për pastrimin e mjedisit përgjatë vijës bregdetare, si faktor të rëndësishëm në mbarëvajtjen e sezonit turistik 2022, ndaj tha ajo, “këtë aksion do të përsërisim edhe në vitin 2023,  për t’i ardhur në ndihmë bashkive bregdetare, në kushtet kur 10-fishohet edhe numri i qytetarëve, që frekuentojnë bregdetin shqiptar”.

E pranishme në Komisionin e Kuvendit të Veprimtarisë Prodhuese dhe Mjedisit, Kumbaro deklaroi se, projektbuxheti i vitit 2023 do të mbështesë katër programe kryesore; Planifikim administrimin dhe menaxhimit e turizmit, mbrojtjen e mjedisit; pyjeve dhe menaxhimin administrativ të MTM.

Në prezantimin e projektbuxhetit të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, ministrja tha se “buxheti për vitin 2023 adresuar MTM, është 2 miliardë e 362 mijë lekë, ose mbi 19.1 milionë euro të ndara në 7 zëra, ku ndër më kryesoret janë paga sigurime, shpenzime të brendshme; fondi i veçantë, investime, financime të huaj”.

Kumbaro tha se në draftbuxhetin e vitit 2023 ne kërkojmë që të ketë një lëvizje në fondin e pagave nga 729 milionë 300 mijë lekë në 727 milionë 790 mijë lekë, kjo për shkak të rishikimit të organigramës, për të bërë më efikas raportin punonjës-objektiva për të arritur  në kushtet e zhvillimeve aktuale, pas 5 vitesh që funksionin kjo ministri me dy portofole turizëm/mjedis.

Sipas saj, ulja me  6% e buxhetit ka të bëjë me mbylljen e disa projekteve, por është e rëndësishme tha ajo, që “rritja me 8% e fondit të shpenzimet korente, ka të bëjë me përsëritjen e programit për pastrimin e vijës bregdetare gjatë sezonit turistik”. / atsh / KultPlus.com

Si u bënë kungujt simbol i festës së Halloweenit

“Nata e Shtrigave” më 31 tetor, në shumicën e vendeve, festohet si Halloween. Ndërsa kisha e ka karakterizuar këtë praktikë si pagane, të rinjtë në mbarë botën po shijojnë shumë kunguj dhe maskat.

Halloween është një nga festat më të preferuara të fëmijëve dhe të rinjve, kryesisht për shkak të veshjeve dhe ëmbëlsirat që ndahen atë natë. Megjithatë, shumë veta nuk e dinë se si filloi kjo festë dhe pse është kaq popullore sot.

Fillimi i festës së Halloweenit daton që nga shekulli i pestë, kur keltët e lashtë festuan zotin e Diellit dhe zotin e Vdekjes. Më 1 nëntor, ata shënuan fillimin e vitit të ri.

Keltët besonin se atë natë të vdekurit lanë varret e tyre dhe ecnin mbi tokë, dhe për të shmangur ndeshjen me ta, krijuan një zhurmë të madhe dhe u mbuluan me maska të frikshme.

Besohet gjithashtu se të vdekurit po vinin pas ushqimit, kështu që ata mbetën në shtëpitë e tyre, duke lënë fasule ose patate dhe një qiri të ndezur.

Si u bënë kungujt simbol i festës?

Zakoni i hedhjes së kungullit për Halloween daton nga shekulli i 16-të, dhe bazohet në legjendën irlandeze të imagjinatës dhe farkëtarit me emrin Jack.

Jacku ishte një pijanec, i cili pëlqente të bënte shaka të hidhura me njerëzit, dhe pastaj e mashtroi edhe vetë djallin, transmeton ksp. Ai e tërhoqi djallin në majë të pemës dhe ngriti shpejt kryqe rreth pemës pas të cilës nuk mund të zbriste.

Ai e bëri atë të premtonte se nuk do të merrte shpirtin e tij kur të vdiste dhe vetëm atëherë e la të zbriste nga pema. Kur Jacku vdiq, djalli e mbajti premtimin dhe nuk e lejoi të shkonte në ferr. Për shkak të kësaj, Jacku u gjykua në përjetësi për t’u endur në errësirën mes qiellit dhe ferrit ndërsa mbante një bisht, pasi ishte ushqimi i tij i preferuar në jetë.

Meqenëse ishte errët dhe Jacku nuk e dinte se ku po shkonte, ai iu ankua djallit, i cili i dha atij zjarrin e ferrit. Jacku mori gacat dhe i vendosi në bisht për të ndriçuar shtegun në errësirën e përjetshme.

Në fakt, irlandezët nuk kishin kunguj dhe zakonet e gdhendjes së tyre shfaqen vetëm kur ata emigruan në Amerikë.

Në atë kohë, ata hanin patate dhe perime të tjera të ngjashme për të mbrojtur veten nga Jacku, i cili mund të endej në botën e njerëzve të zakonshëm në natën e Halloweenit.

Nata e Shtrigave u përhap nga Amerika në pjesë të tjera të botës, dhe kjo festë shënohet viteve të fundit edhe në Kosovë.

Gjithkush që dëshiron të ketë një maskë origjinale të një makthi duhet t’i kushtojë vëmendje sa vijon: Maska më e popullarizuar për gratë është një magjistare dhe burrat janë më së shumti vampirë. Ata janë të ndjekur nga një pirat, një kloun, një grua mace dhe një djall, ndërsa fëmijët maskohen si princeshë, magjistare, Spider-Man dhe pirat. / KultPlus.com

Pema e mbjellë nga Naim Frashëri gjendet edhe sot në zemër të Sarandës, rrëfehet historia e saj

Një pemë e madhe e piperit në zemër të Sarandës është mbjellë nga dora e shkrimtarit Naim Frashëri dhe këto nuk janë vetëm disa rreshta në librin e të ndjerit Moikom Zeqo.

“Shqiptarja.com” shkruan se banorët e thonë mes njëri- tjetrit si në formë gojëdhëne, por ky është një fakt, pohon Jashar Bello, përgjegjës i Gjelbërimit në Bashkinë e Tiranës.

Bello tha se pema është 145-vjeçare dhe është mbjellë në kohën kur Naim Frashëri punonte doganier në këtë qytet.

Pavarësisht moshës, për zyrtarin e bashkisë ajo është në gjendje jo shumë të keqe, por kjo nuk është meritë e institucioneve vendore në Sarandë, të cilat janë “kursyer” në shërbimet që i kanë bërë, pavarësisht vlerës dhe rëndësisë së veçantë që ajo mbart, sipas tij.

“Disa krasitje, spërkatje i janë bërë si për ta mbajtur të gjallë, e që të mos ketë fatin e ‘simotrës’ së saj, e cila u pre pas viteve ’90”, u shpreh Bello. “Kjo lloj peme dekorative është mbjell nga Naimi, i cili ka punuar në doganën e Sarandës rreth 145 vjet më parë. Përveç kësaj peme të piperit, Naimi ka sjellë edhe buganvilen, që i themi lulja e Sarandës. Nga kjo lloj peme kemi mbjellë dhe 5 të tjera te shëtitorja e re që po bëhet, por nuk kanë vlerat e saj. Kjo lloj peme e mbyll ciklin biologjik tek kokrra, ndërsa pemët e reja nuk arrijnë të krijojnë kokrra, e mbyllin ciklin te lulëzimi”, u shpreh Bello.

Për të shkuar deri te kjo pemë, mund të orientohesh vetëm nga banorët e zonës, pasi nuk ka një tabelë që e identifikon atë apo që rrëfen historinë e saj të mbjell nga poeti i madh i Rilindjes Kombëtare.

“Do të përmend me nderim mikun tim, shkencëtarin e bujqësisë Ahmet Osja, i cili qe i pari që më kumtoi se në qytetin e Sarandës ndodhen dy drurë piperi, këto drurë ishin sjellë në formë fidanësh nga Maroku dhe qenë mbjellë nga duart e Naim Frashërit”, shkruan Moikom Zeqo në librin “Syri i Tretë” i botuar më 2001. / KultPlus.com

Përdoruesit e verifikuar të Twitter së shpejti mund të duhet të paguajnë një tarifë mujore

Pas marrëveshjes prej 44 miliardë dollarësh të Elon Musk për të blerë Twitter, disa media raportuan se ai mund të nisë së shpejti një metodë të re për të gjeneruar të ardhura në platformën sociale duke i detyruar përdoruesit të paguajnë për ‘distinktivët e tyre të verifikimit’, përcjell KultPlus.

Burime të njohura me këtë çështje i thanë Platformer, një buletin i krijuar nga Casey Newton, një ish-redaktor i The Verge, se drejtuesit e Twitter kaluan fundjavën duke diskutuar një ndryshim të mundshëm në platformën sociale ku përdoruesit do të duhet të paguajnë për t’u abonuar në Twitter Blue ose për të humbur distinktivët.

Twitter Blue, një abonim mujor prej 4,99 dollarësh, u lançua vitin e kaluar si oferta premium e platformës, duke u dhënë përdoruesve akses në veçori të reja si ikonat e aplikacioneve të personalizueshme, aftësinë për të zhbërë ose shënuar tweet-et dhe një “modalitet lexuesi” për të parë më lehtë temat e gjata të postimeve. Një abonim i nivelit të verifikimit mund të kushtojë deri në 19,99 dollarë në muaj, raportoi The Verge.

Aktualisht i disponueshëm vetëm në SHBA, Kanada, Australi dhe Zelandën e Re, lansimi i Twitter Blue ka pasur probleme me tërheqjen e veçantë dhe veçoritë e kufizuara – por lidhja e verifikimit me tarifën e abonimit mund të rrisë popullaritetin e tij. Nëse Twitter kërkon pagesë për statusin e tij të verifikuar, do të ishte aplikacioni i parë i madh amerikan i mediave sociale që e bën këtë, pasi shumica e platformave e ofrojnë këtë veçori falas.

Procesi aktual i verifikimit, të cilin Musk e ka përshkruar më parë si “sikur Kafka të kishte një 8-top magjik”, është dënuar prej kohësh si një status “elitar”, me kërkesa të ngushta të pranueshmërisë që ndonjëherë konsiderohen të njëanshme ndaj përdoruesve mesatarë. Lidhja e verifikimit me modelin e abonimit me pagesë do të krijonte kritere më të qarta për marrjen e një distinktiv, si dhe do të gjeneronte të ardhura shtesë për platformën e mediave sociale.

Megjithëse masa nuk është finalizuar, burimet i thanë Platformer-it, Musk në të kaluarën ka postuar se si ai e urren reklamën dhe në paraqitjen e tij të marrjes së investitorëve u zotua të shkurtojë varësinë e platformës në të ardhurat nga reklamat dhe të rrisë të ardhurat mesatare për përdorues. / KultPlus.com

Festivali i filmit arkeologjik ul siparin e edicionit të dytë

Festivali Europian i Filmit Arkeologjik “Arkeovizion” uli siparin, pas një jave me projeksione të cilat e kanë afruar më shumë publikun me shkencën e arkeologjisë.

Dy dokumentarët e fundit të shfaqur në Muzeun Historik Kombëtar, ishin filmi gjerman “Arkeologji 2.0″ dhe filmi bullgar “Arkeologjia nënujore  në rajonin e Sozopolit/ Në thellësitë e liqenit të Ohrit”.

Të pranishmit u njohën me metodat e teknologjinë bashkëkohore që përdoren tashmë, duke lënë mënjanë lopatën e furçën e imtë për t’i zëvendësuar me metoda gjeofizike.

Këto metoda vijnë nga fusha ushtarake, ku me ndihmën e gjeomagnetikës zbuloheshin nëndetëset e armikut, ndërsa në arkeologji ato zbulojnë mure, rrugë dhe varre nën tokë.

Ky ishte edicioni i dytë i “Arkeovizion”, Festivali Europian i Filmit Arkeologjik organizuar në bashkëpunim me Institutin e Arkeologjisë (Akademia e Studimeve Albanologjike), me mbështetjen e EUNIC (EU National Institutes for Culture) si dhe të ambasadës gjermane në Tiranë, asaj franceze, bullgare, Institutit Italian të Kulturës, si dhe Misionit të BE në Shqipëri.

Përgjatë javës së filmit arkeologjik, u shfaqën edhe 2 prodhime shqiptare, të financuara nga Bashkimi Europian. / atsh / KultPlus.com

“Kathimerini”: Shqipëria me performacën e dytë turistike më të mirë në botë

Brigje me ujëra bruz, natyrë e pasur, ”arratisje” në malet pranë, hotele mbresëlënëse, njerëz mikpritës, vizitorë nga e gjithë bota dhe më e rëndësishmja, në një paketë të përballueshme, shkruan Sophia Chaldaiou për gazetën e njohur greke ”Kathimerini”.

Arsyeja për Shqipërinë tonë fqinje, një destinacion relativisht “i panjohur” për turistin mesatar grek, por jo për pjesën tjetër të botës që tashmë viziton Shqipërinë për pushime.

Kjo mund të shihet nga rritja mbresëlënëse e mbërritjeve të turistëve si në krahasim me vitin e kaluar (+29,3% në tetë muaj), ashtu edhe para pandemisë.

“Kjo është një zonë turistike në zhvillim. Nëse njerëzit e marrin vesh, nuk do të shkojnë në vendet tona”, thotë për “Kathimerini” Eutychis Sargetakis, i cili së bashku me gruan e tij kaluan Shqipërinë me motorin e tyre në fillim të gushtit dhe ndanë përvojën e tyre në YouTube.

Siç shpjegon ai, Sargetakis kërkonte pushime në destinacionet e njohura të Jonit si Parga, Sivota dhe Qefalonia, por nuk gjente dhomë për më pak se 100 euro nata.

Më në fund vendosi të bënte pushime në Shqipëri, ku pa rezervuar fare gjeti një dhomë në  Sarandë në një hotel me katër yje me mëngjes për 42 euro dhe një suitë në Tiranë për 32 euro.

Më lirë ishte edhe benzina, rreth 1,60 euro për litër (kur këtu në verë ishte mbi 2 euro).

Me 15 euro deri në 35 euro mund të hahet një vakt i pasur për dy persona me një pije, ndërsa çmimi i kafesë varion nga 0,35 deri në 2 euro.

Përtej bukurive të vendit tonë fqinj, Sargetakis veçon gjendjen e shkëlqyer të rrjetit rrugor të tij dhe në përgjithësi projektet infrastrukturore që janë realizuar, mikpritjen e pabesueshme të shqiptarëve dhe kuzhinën e tyre cilësore.

“Është një destinacion autentik, më i relaksuar në krahasim me Greqinë”, vëren ai.

Sigurisht që “gabimet” e turizmit masiv kanë filluar të prekin edhe Shqipërinë.

“Në plazhe ka pasur edhe “luftë për shezlongë”, ndërkohë që trafiku në rrugën bregdetare ka qenë mjaft intensiv dhe në kufijtë me Greqinë dhe Malin e Zi janë krijuar radhë kilometrike”, shton Sargetakis.

Performanca e dytë më e mirë në botë në ardhjet ndërkombëtare krahasuar me vitin 2019
Kjo sigurisht dëshmon se sa e njohur është bërë Shqipëria si destinacion.

Në total, sipas të dhënave të Institutit Shqiptar të Statistikave (INSTAT), këtë vit në periudhën janar-gusht kanë vizituar Shqipërinë 347 452 grekë, pra 25,47% krahasuar me të gjithë vitin e kaluar.

Vlerësohet se deri në fund të vitit numri i vizitorëve grekë do të jetë mjaft i afërt me shifrat e vitit 2019, kur 596 844 bashkëqytetarë tanë udhëtuan drejt vendit tonë fqinj.

Të dhënat për ardhjet e turistëve janë mbresëlënëse.

Në total, mbi 5,6 milionë turistë të huaj vizituan Shqipërinë në tetë muajt e 2022 – dhe kjo shifër nuk përfshin ardhjet nga Kosova të cilat mesatarisht janë më shumë se 2 milionë çdo vit për të njëjtën periudhë.

Në një raport të fundit të Organizatës Ndërkombëtare të Turizmit (UNWTO), Shqipëria kishte performancën e dytë më të mirë në botë si destinacion për shtatë muajt e këtij viti (janar-korrik), me 19% më shumë ardhje ndërkombëtare krahasuar me 2019, viti rekord për turizmin.

Rrjedhimisht, ajo kishte performancën e katërt më të mirë për sa i përket të ardhurave, me 32% më shumë të ardhura nga turistët ndërkombëtarë në periudhën janar-korrik 2022 krahasuar me 2019.

Interes i madh për turizmin malor

Por, kush janë ata që udhëtojnë drejt Shqipërisë? Krahasuar me vitin e kaluar, INSTAT ka shënuar një rritje prej 225% të vizitorëve nga Spanja, 60% nga Gjermania, 50% nga Franca dhe BM dhe 3.8% nga Holanda.

Dhe mundet që në verë interesi i turistëve të përqendrohet në zonat e njohura bregdetare (Himara, Durrësi, Vlora, Saranda, Lezha, Borsh), por është interesant fakti se 41% e vizitorëve kanë preferuar veriun e Shqipërisë.

Sidomos gjatë dimrit, kufiri verior i vendit sheh një fluks njerëzish, pasi njerëz nga Evropa Qendrore zbresin me makinë për të shijuar liqenin e Shkodrës ose Alpet Dinarike, të cilat ofrojnë shumë aktivitete për alpinistët dhe jo vetëm.

Tashmë Shqipëria ka nisur përgatitjet për vitin e ardhshëm turistik, ndërkohë që në shumë pjesë të vendit zënia e hoteleve arrin në 100%, me rezervime deri në fund të tetorit. / atsh / KultPlus.com

Sulmi seksual ndaj aplinistes Mrika Nikqi, gjykata merr një vendim të ri

Gjykata Themelore në Pejë, me kërkesë të prokurorisë, ia ka vazhduar edhe për një muaj paraburgimin Flori Beqirajt, i dyshuar për sulm seksual ndaj alpinistes Mrika Nikqi.

Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Pejë, Tringa Zhuti.

“Lidhur me pyetjen e parashtruar nga ana juaj, ju njoftoj se Gjykata duke vepruar sipas kërkesës së Prokurorisë ka vazhduar masën e paraburgimit deri me datë 29.11.2022”, tha Zhuti për Gazetën Express.

Aplinistja Nikqi e kishte denoncuar vetë sulmin seksual ndaj saj, teksa pamjet i ka shpërndarë edhe në Facebook.

“Me datë 27. 09.2022, në ora 20.50, në qendër të qytetit te Pejës isha viktimë e sulmit seksual, veprim vandal i cili është kryer  me paramendim nga personi F.B, anëtarë i  një familje të njohur në  qytetin e Pejës. Si pasojë e kësaj situate, për momentin jam në gjendje të rëndë emocionale dhe nuk mund të deklarohem në tërësi. Pas vendimit të plotfuqishëm të Gjykatës do të ju njoftoj për rrjedhën e situatës dhe sulmuesin e paskrupullt”, kishte njoftuar alpinistja.

Alpinistja kishte deklaruar se sulmuesi ka lënë një vragë në jetën e saj. /Gazeta Express / KultPlus.com

Architech Festival mban sot diskutim publik për hapësirat publike në Ulpianë  

Architech Festival do të prezantojë sot një diskutim publik me fokus se sa janë ‘publike’ hapësirat publike në Ulpianë. Diskutimi do të mbahet në hapësirën e KultPlus Caffe Gallery, në ora 17:30, shkruan KultPlus.

Ky panel diskutimin i organizuar nga OJQ YARL (Youth are the real Leaders) do të zhvillohet mbi temën “Sa janë ‘publike’ hapësirat publike në Ulpianë?”

 Ky diskutim publik do të zhvillohet me pjesëmarrjen e të rinjëve, banorëve dhe komunës mbi temën se si të bëjmë Ulpianën mjedis më gjithëpërfshirës, i pastër, i shëndetshëm dhe i qëndrueshëm.

Diskutimi publik është një nga aktivitetet përmbyllëse të Architech Festival Edicioni III që synon të mbështesë të rinjtë në qeverisjen e mirë lidhur me planifikimin hapësinor dhe (ri)dizajnimin urban, i mbështetur nga Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe Komuna e Prishtinës.

Në pjesën e parë të këtij paneli diskutimi do të kenë një fjalë rasti Kosovare Sadiku, Drejtoreshë Ekzekutive, OJQ “YARL”, Përparim Rama, Kryetar i Komunës së Prishtinës” dhe Besarta Halimi, Zyrtare e Programit, Misioni i OSBE-së në Kosovë.

Në pjesën e dytë të këtij diskutim publik ndër të tjera do të prezentohet/publikohet raporti hulumtues dhe të dhënat e dala nga ky raport për lagjen e Ulpianës, nga pjesëmarrësit para qytetarëve dhe komunës.

Në anën tjetër do të flitet për realizimin e dy nga projektet brenda ketij viti dhe për projektet më afatëgjatë për 1 deri në 5 vitet e ardhshme për lagjen Ulpiana.

Pjesa e fundit do të jetë e hapur edhe për publikun dhe mediat të cilët do të kenë mundësinë të bëjnë pyetje direke këtyre tre akterëve relavant.

Ky panel diskutimi mbahet sot, ditë e hënë, më datë 31 Tetor, duke filluar nga ora 17:30, në Kult Plus Gallery, lagjja Ulpiana (te Soliterat) Prishtinë.

Folësit:

17:30 – 17:40Fjalimet hyrëse Kosovare Sadiku, Drejtoreshë Ekzekutive, OJQ “YARL” Përparim Rama, Kryetar i Komunës së Prishtinës Besarta Halimi, Zyrtare e Programit, Misioni i OSBE-së në Kosovë
17:50 – 18:10Prezantimi i pjesëmarrësve, hulumtimi dhe projekti i propozuar
18:10 – 18:40Diskutim i hapur me banorët e lagjes “Ulpiana”   Moderuar nga: Kosovare Sadiku, Drejtoreshë Ekzekutive, OJQ “YARL”
18:40 – 19:00Fjalimet përfundimtare dhe shpërndarja e certifikatave
19:00Koktej rasti

Dardha ka të gjitha cilësitë për ta quajtur një fshat magjik

Ben Blushi, gazetari dhe shkrimtar shqiptar, ka bërë një përshkrim të mahnitshëm për fshati Dardhë në rrethin e Korçës. Një ftesë e hapur të vizitoni këtë vend magjik që është i rrethuar nga bukuri të mahnitshme natyrore e me njerëz më kulturë të madhe.

Më poshtë po ju sjellim shkrimin e plotë të Blushit.

MAGJIA E DARDHËS

Dardha ka të gjitha cilësitë për ta quajtur një fshat magjik.

Ka ujë, ka ajër, ka lartësi, ka pyll, ka ngjyra, ka shumë borë, ka pak njerëz dhe shumë pak zhurmë.

Nëse ecën nëpër fshat nuk ka asnjëri që nuk të fton në shtëpi. Ata që nuk e kuptojnë më këtë zakon, duhet të imagjinojnë për një çast sikur janë duke ecur nëpër rrugët e Tiranës apo të Durrësit dhe çdo njeri që të del përballë të thotë hajde nga shtëpia pimë një raki. Nëse kjo do na ndodhte në Shkodër apo në Vlorë, shumica prej nesh do frikësoheshim, duke menduar se ai që po na fton ka ndonjë qëllim të keq.

Në Dardhë kjo nuk ndodh. Askush nuk ka frikë të të ftojë dhe të ftohet në shtëpi. Kur kjo vizitë e paplanifikuar mbaron dhe mendja jote përkundet lehtë nga avujt e rakisë së kumbullës, ti futesh në një gjendje konstante paqeje dhe nostalgjie për ditët që kanë ikur.

Dardha nuk është një fshat i vjetër por është një fshat i plakur.

Prandaj ka pak histori dhe shumë kujtime.

Dardha është krijuar si një ngulim të krishterësh të cilët i ikën turqve në vitet 1700. Disa familje që nuk pranuan të konvertoheshin në myslimanë, apo që ndoshta kishin bërë ndonjë krim dhe prandaj kishin ndonjë hasmëri, ikën nga Himara ose edhe nga Kruja dhe u vendosën në një shpat mali në kurriz me Korçën, nga maja e të cilit mund të shohësh reflekset e liqenit të Kosturit në Lindje.

Fshati është 1400 metra mbi nivelin e detit. Sa herë mendoj pse të parët u vendosën në këtë lartësi, ku bora të bllokon rrugën për tre muaj, kam vetëm një përgjigje. Ata që erdhën përveç turqve i ikën erës duke kërkuar ujë. Sepse vinin nga kishat nuk donin turqit, sepse nëse vinin nga Kruja nuk donin erën dhe nëse vinin nga Himara donin ujin.

Dardha nuk ka erë në dimër dhe ka shumë ujë në verë.

Një gojëdhënë thotë se dardharët, nga vitet 1800, ruanin ende lidhje me himarjotët poshtë në jug dhe një korrier i famshëm çonte dhe merrte lajme me kushërinjtë e tyre ne bregdet. Në atë kohë korrierët nuk sillnin letra të rëndomta, si je, si shkon apo kush ka vdekur, por ku janë turqit, kur mund të na sulmojnë dhe si mund ti sulmojmë edhe ne ata. Ky korrier lufte, që spiunonte armikun, ishte aq i shpejtë dhe aq i fortë saqë, megjithëse turqit e ndiqnin pa pushim nëpër pyje, ishte e pamundur ta kapnin dhe prandaj e konsideronin më shumë një legjendë se një njeri.

Në fakt ai u kthye në legjendë dhe njerëzit e Ali Pashë Tepelenës që e kapën pas shumë peripecish u habitën dhe e konsideruan një kafshë. Korrieri që ishte një qenije e shkurtër, e thatë, e zezë, me sy të shndritshëm dhe mjekër të ashpër, që mezi artikulonte dy tre fjalë, më shumë duke hungërirë sesa duke folur, në të vërtetë ishte gjysmë kafshë dhe gjysmë njeri. Ai kishte një bisht. Kur e zbuluan, rojet e Ali Pashës u tmerruan nga pamja e tij prej majmuni dhe ia prenë bishtin para se ta vrisnin.

Që nga ajo kohë, Dardha është i vetmi vend ku shprehja që paralajmëron dinakërinë dhe fshehtësinë në veprim, dardha e ka bishtin prapa, pothuajse nuk përdoret, pavarësisht se dardharët vetë, janë njerëz me shumë sekrete dhe zakonisht kanë më shumë se një plan.

Pasi arriti ti mbijetojë turqve dhe islamizimit, duke u fshehur për 200 vjet, Dardha iu hap botës në fillim të shekullit të shkuar. Burrat e saj emigruan masivisht në Amerikë dhe është e vështirë të gjesh një familje që nuk ka patur gjyshin apo babain në New Jork, Filadelfia apo Boston. Në një kuptim, emigrantët e kthyen Dardhën në një fshat të kulturuar, me muzikë dhe pa baltë.

Shumë afër Dardhës, duke zbritur në lindje, devollinjtë dhe poetët e tyre fushorë, i kanë kënduar gjithmonë baltës ndërsa në Dardhë ndoshta në 100 vitet e fundit nuk ka një rrugicë të pashtruar me kalldrën. Dardha ka patur urrejtje për baltën dhe prandaj burrat harxhuan shumë para për kalldreme, ndërsa gratë shumë kohë nga rinia e tyre për ti pastruar në dimër dhe verë.

Emigrantët investuan për shkollën, ndërtuan shtëpi të reja dhe ngritën kisha të bukura. Me kursimet e burrave në Amerikë, u shtrua me kalldrëm edhe rruga prej 20 kilometrash që lidh Dardhën me Korçën. Fotografitë e viteve 1930 janë plot me makina që ngjiten nga Korça në Dardhë, me burra të veshur si në Paris dhe me gra të lyera e me kapele alla frënga.

Në kohën që flasim,mes dy luftërave botërore, Dardha ishte si Dhërmiu sot. Një sfilatë fustanesh, zhartjerash, kopsash, gjerdanësh, vathësh, kapelesh, beretash, stofrash, papijonesh dhe makinash. Parkingu i fshatit gjatë weekendeve të gushtit, duhet të ishte më i pasuri në Shqipëri dhe ndërkohë që pronarët me gratë e tyre bënin piknik apo hanin drekë, shoferët pinin pak raki kumbulle fshehurazi.

Aristokracia e Shqipërisë vinte për pushime verore në Dardhë bashkë me artistët e kohës nga Lasgush Poradeci që kuronte shpinën e vet të sëmurë në shoqërinë e motrave piktore Zengo,tek Vangjush Mio që ka me dhjetara piktura më ngjyra vjeshte, pa folur për fotografin perfekt Kristaq Sotiri që fotografonte borgjezet e veshura me kostum dardhar.

Kësaj mode nuk mund ti iknin as motrat e llastuara të Ahmet Zogut që vinin rregullisht ne Dardhë me automobilat e tyre me bori të zhurshme. Në këtë periudhë, fshati kishte më shumë se 400 shtëpi dhe afro 1500 banorë.

Fama e një fshati modern dhe eleganca e burrave dhe grave e shpëtoi Dardhën edhe nga gjermanët që ndaluan këtu rrugës për të shkuar në Greqi në vitin 1943. Madje thonë se gjermanët u ndjenë aq mirë saqë në disa raste merrnin pjesë si të ftuar në mbrëmjet e vallëzimit që Dardha i organizonte rregullisht. Gratë e Dardhës kërcenin me gjermanët dhe burrat flisnin gjuhët që kishin mësuar në perëndim. Kështu arritën ta shpëtojnë fshatin nga djegja.

Nuk besoj se mërzis njeri po të them se Dardha i shpëtoi luftës duke kërcyer.

Megjithëse i priti gjermanët me diplomaci, Dardha jetoi mirë edhe në kohën e komunizmit. Fshati u kthye në kooperativë dhe shumë shtëpi të mëdha u shtetëzuan për tu kthyer në shtëpi pushimi. Nami i një fshati ku bëhet qejf vazhdoi dhe njerëz nga gjithë Shqipëria vinin në dimër dhe verë për të marrë pjesë në partyt që organizoheshin në hotelet e Dardhës, më i famshmi prej të cilëve, ishte ndërtuar nga një emigrant i kthyer nga Amerika, me mbiemrin Batelli.

Në këto kohë kam ardhur për herë të parë në këtë fshat, me prindërit e mi dhe e kam si të mjegullt një nga këto netë të freskëta vere, kur babai im bashkë me Teodor Lacon duke pirë raki kumbulle krijuan dhe këngën e Dardhës që thotë: çatitë e hirta, nën gurin e vjeshtës,të gjithë këndojnë, në Dardhën e re.

Këto vargje kanë një farë optimizmi dhe unë e kuptoj babain tim dhe miqtë e tij, që 50 vite më parë vinin në fshatin e tyre te origjinës dhe stërviteshin me poezi për të shkruar romane dhe filma. Ishte një periudhë optimizmi dhe Shqipëria që çonte energji elektrike, shkolla dhe qendra shëndetësore në çdo fshat, dukej sikur po shëronte prapambetjen, përmes kolektivizmit dhe artit të realizmit socialist.

Sot Dardha nuk është më e re, por nuk është dhe e vjetër, megjithëse është e plakur.

Nga 400 shtëpi që ishin një shekull më parë, ndoshta gjysma janë ende në këmbë. Gjysma e këtyre, banohen shumicën e vitit dhe gjysma tjetër janë shtëpi të korçarëve apo tiranasve që kthehen sa herë bije borë, sa herë është shumë vapë, apo sa herë vjeshta shkëlqen me ngjyrat e veta të mahnitshme.

Nuk e di kur ka lindur fëmija i fundit në këtë fshat, por di që shkolla nuk punon prej më shumë se 30 vitesh. Dasma e fundit mund të jetë bërë përpara 20 vitesh dhe rakija më e mirë në fshat mund të ketë një qind vjet e mbyllur në një damixhan prej qelqi.

Megjithëse është zvogëluar dhe është plakur, Dardha i shërben me aq respekt dhe shije turistëve të saj, saqë çuditesh kur shikon pleq duke pastruar rrugët dhe fëmijë që luajnë me gjethet e vjeshtës.

Meqë dardha e ka bishtin prapa, Dardha e di se sa më shumë asfalt dhe beton ka në qytet aq më shumë nevojë kanë njerëit për malin, ajrin, ujin dhe natyrën.

Dardha është një krijesë që jeton në pyll, prandaj di të përshtatet, di të ndryshojë ngjyrat e lëkurës sipas stinëve dhe të kamuflohet për të mos rënë në sy. Kështu ka vepruar kur e përndiqnin turqit, kështu është sjellë kur e pushtuan gjermanët, kështu reagoi kur e kërcënuan komunistët dhe kështu po bën dhe sot kur e konkurron betoni.

Ajo shkrihet me natyrën dhe pret derisa të ndryshojë moda.

Aftësia për të pritur është magjia e saj. / KultPlus.com

Foto: Ben Blushi

AP: Është përzgjedhur kryeqyteti europian ku do të nënshkruhet marrëveshja Kosovë-Serbi

Albanian Post ka vazhduar me publikimin e detajeve për marrëveshjen e mundshme Kosovë -Serbi, mbi bazën e propozimit frakno-gjerman. Sipas AP’së, pas komenteve dhe vërejtjeve nga palët, ndërmjetësit do të prezantojnë një dokument final. Ky version, më pas, do t’i prezantohet edhe publikut të gjerë, siç edhe është njoftuar pala amerikane.

Burimet e AP tregojnë që, nëse arrihet pajtimi i palëve, në një kryeqytet të rëndësishëm evropian (i njohur për redaksinë) do të organizohet një ceremoni madhështore e nënshkrimit të marrëveshjes, ku tashmë është konfirmuar pjesëmarrja e zyrtarëve më të lartë evropianë dhe amerikanë.

Burimet e AP po ashtu konfirmojnë që synimi është që kjo të ndodhë para një vjetorit të luftës në Ukrainë. Ndërmjetesit megjithatë zyrtarisht i hedhin poshtë afatet. Nëse gjërat shkojnë sipas këtij plani, të dy palët do të kenë përfitime shumë të mëdha ekonomike dhe politike.

Si shpërblim i veçantë për Serbinë, do të ketë angazhim të shtuar për shkurtim të kohës për anëtarësim në BE. Pra, Gjermania dhe Franca do të angazhohen që BE sa më parë të zgjidhë çështjet e brendshme dhe të jetë më e hapur ndaj anëtarësimit të Serbisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit perëndimor. Serbia, po ashtu do të gëzojë një trajtim të veçantë si partner ekonomik dhe politik i Berlinit dhe Parisit.

Kosova do të shpërblehet me zhbllokimin e rrugës për në NATO dhe BE, që është me interes strategjik jetik për Kosovën. Kosova po ashtu do të përfitojë shumëçka nga iniciativat ekonomike dhe që mund të tregohen si jetike për zhvillimin ekonomik të vendit. / KultPlus.com

Vaksina kundër gripit sezonal nga nesër në dispozicion në Kosovë

Mjekët rekomandojnë që të gjithë personat e moshës 6 muajsh e lart mund të marrin vaksinën vjetore kundër gripit sezonal, njofton Ministria e Shëndetësisë.

“Njerëzit duhet të marrin vaksinën e gripit herët për të krijuar imunitet përpara se virusi të përhapet gjerësisht në fund të vjeshtës dhe dimrit.

Personat me rrezik të lartë për komplikime serioze të gripit përfshijnë të moshuarit, fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna, njerëzit me kushte të caktuara shëndetësore ose sistem imunitar të komprometuar. 

Disa nga të njëjtat grupe janë gjithashtu në rrezik të lartë të komplikimeve edhe nga COVID-19.

Prandaj, u rekomandohet qytetarëvë që të vaksinohen kundër Gripit sezonal dhe gjithashtu të marrin edhe dozën përforcuese të vaksinës kundër COVID-19″, thuhet në njoftimin e MSh-së.

Nga e hëna, 31 tetor 2022, vaksina kundër Gripit kudo në Kosovë, njofton MSh. / KultPlus.com

Fotoja e “Diellit të buzëqeshur” alarmon shkencëtarët

Më 27 tetor, NASA shpërndau një imazh në të cilin Dielli mund të shihet duke “buzëqeshur”.

Pikat e errëta që krijojnë këtë iluzion optik janë vrima koronale “dhe ato janë rajone ku era e shpejtë diellore shpërthen në hapësirë”, shpjegon NASA përmes llogarisë së tij në Twitter.

Era diellore nuk është asgjë e pazakontë. Është një fenomen astronomik që lind në shtresën sipërfaqësore të Diellit. Mund të ndodhin dy skenarë: era vjen drejtpërdrejt nga atmosfera ose lëshohet nga një prej këtyre vrimave koronale. Në rastin e dytë, era emetohet me shpejtësi më të madhe se në rastin e parë.

Zakonisht, efektet e këtij lloj fenomeni nuk arrijnë deri në Tokë, pasi shtresa e magnetosferës është përgjegjëse për mbrojtjen e planetit nga grimcat e emetuara nga dielli, por mund të ndodhë që planeti të vuajë pasojat e një vale të shkaktuar nga rrezatimi dhe era diellore.

“Dielli po prodhon vazhdimisht stuhi diellore. Ndonjëherë ndodhin stuhi diellore më të fuqishme, por janë shumë të rralla”, tha për revistën “National Geographic” astrofizikani diellor Luis Bellot.

Stuhia më e madhe diellore e regjistruar ndonjëherë është stuhia Carrington, e cila ndodhi në vitin 1859. Gjatë kësaj ngjarjeje, telegrafët evropianë dhe të Amerikës së Veriut pësuan dëme. Qytetarët, nga ana e tyre, arritën të perceptonin ndryshime në dete dhe u panë drita të shndritshme në rajone ku nuk ishin të zakonshme.

“Nëse një ngjarje e ngjashme do të ndodhte sot, dëmi i vetëm që mund të shkaktohet është humbja e satelitëve, por në asnjë rast nuk do të ishte fundi i botës. Aktualisht, janë ndërmarrë hapa për të minimizuar efektet e dëmshme”, tha Bellot./ KultPlus.com

“Kur t’vi dita do t’i them, tregimet që nuk vdesin kurrë” (VIDEO)

BB Poqi ka hyrë në historinë e muzikës rok në trojet shqiptare nëpërmjet krijimtarisë së tyre të pasur, shkruan KultPlus.

Këngët me tekstet me vlerë artistike dhe kryesisht lirike, të kombinuara me interpretime fantastike vazhdojnë ende të dëgjohen pavarësisht viteve.

Në mesin e shumë veprave të tyre muzikore, “Kthehu” mbetet një thirrje artistike për dashuri.

KultPlus ua sjell tekstin dhe këngën “Kthehu” të BB Poqi:

Thellë në veten time je ti,
blen kujtimet për ty,
pa ty unë ndjej shprazëti,
si nje vullkan qe fle jam unë,
kur t’vi dita do t’i them,
tregimet që nuk vdesin kurrë.

Në qjell lart shikoj,
rrugëdalje kërkoj,
unë dua të ik nga ti përgjithmonë,
provoj ta harroj,
fytyren e njomë
dua ta kem.

Harrove, dënove,
sikur një hije shkove,
të lutem kthehu pergjithmonë

Nëse ty të imagjinoj,
si një engjëll më shikon,
sikur don t’më thuash jo,
në rrugë të shoh sikur atëherë,

ti shndërrit si një diell

dua që unë ty të ndjej


Në qjell lart shikoj,
rrugëdalje kërkoj,
unë dua të ik nga ti përgjithmonë,
provoj ta harroj,
fytyrën e njomë
dua ta kem. / KultPlus.com

‘Sot po shkruej pak, jo për najgja, po për hiçgja’

Plator Gashi

tjeterpardje i hangra do fije kashtë
jo për najgja
po për me u ndi si vakti —
të cilin s’e ka kërkush e qi si ka mbetë kurrkujt —
me plusku, i papronësueshëm, nëpër eter.

pardje u rrova prej kreje deri n’shputa
jo për najgja
po për me pa a jam dhe unë uk
mos me e harrue zakonin masi të ndërrohem kimesh;
prapëseprapë vazhdova, ma uk se uku, me gabimet
e zakonshme,
ma i lezetshmi prej të cilëve
me të dashtë ty me gjithë zemrën.

dje ia nisa me ngá. me ngá shpejt,
aq shpejt sa me iu ba shok dritës
jo për najgja
po për me u ba drita e synit tand,
po sapo hyna në bebe u përtheva në shtatë qind
grimca e u nisa nëpër shtatë qind shtigje të reja
e me uzdajë nashta shprishem prapë kështuthi
e dikur ndiej lirinë.

sot po shkruej pak
jo për najgja
po për hiçgja.
nesër do t’zgjohem rishtazi
dhami do t’lahet
kafja do t’pihet
voja do t’hahet
qielli do t’shihet
fjala do t’thuhet
gjumi do t’bahet
halli dot s’kahet.

masnesër ka me ndodhë prapë
lemja e papërlyeme e diellit
e kam me i hypë dyrrotakes
në drejtim të liqenit
qi kurr s’m’u ba si liqeri i Lazrit
se s’dita me e çmue pa e fëlliqë me trupin tem
të mkatnuem.

mastjetër
nuk e di
jo për najgja
po përnime s’e di
e ky asht bekimi ma i madh,
se tu mos dite rritet shpresa
e lakohet buza përpjetë;
prandaj mbes si rosa në mjegull
me pendla të shkrehta
e nashta dikur lundroj sypër liqerit
e e flladiti në ujë tepen e kresë, pak para se
me shtegtu drejt jugut. / KultPlus.com

Hohmann: E mahnitur nga koleksioni unikal i Muzeut të Artit Mesjetar në Korçë

Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë, themeluar më 1980, ruan disa nga thesaret më të vjetra e të çmuara të artit mesjetar shqiptar, të cilat i kanë mbijetuar shekujve e sidomos viteve të ateizmit në komunizëm.⠀

Ngjyrat e këtij muzeu, të rindërtuar në vitin 2016, ndërthuren natyrshëm me objektet e ekspozuara duke ofruar një përvojë të rrallë për të gjithë vizitorët.

Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Tiranë, Christiane Hohmann, e cila vizitoi këtë muze, u shpreh e mahnitur nga koleksioni unikal.

“E mahnitur nga koleksioni unikal i Muzeut të Artit Mesjetar në Korçë. Mbi 7,000 vepra arti që shtrihen në shekuj dëshmojnë për trashëgiminë dhe historinë e pasur të këtyre trevave dhe ne jemi krenarë që kontribuojmë në nxitjen e ekonomisë lokale dhe turizmit në Korçë”, theksoi Hohmann.

“Trashëgimia kulturore shqiptare është pjesë e asaj evropiane”, nënvizoi ambasadorja e BE-së, Christiane Hohmann në një postim në rrjetet sociale./atsh/ KultPlus.com

Formula e pushtetit

Një nënë, një baba, bijtë që duhet të binden… çështje pushteti. Në shkollë para një profesori… çështje pushteti. Shpërndarja e hapësirave në vendin e punës… çështje pushteti. Organizimi i një shteti… çështje pushteti.

Njerëzimi e ka ngritur strukturën e vet sociale mbi pushtetin. Dhe falë krijimit të hierarkive, ka mundur të përparojë. Fjalë të antropologëve, psikologëve, sociologëve.

“Vetë ideja e pushtetit është e natyrshme, e qenësishme në trurin tonë. Sepse e ka origjinën në marrëdhënien prind-fëmijë. Të gjithë lindin në gjendje varësie, por tek kafshët ky raport pabarazie ka një jetëgjatësi të kufizuar, ndërkohë që tek njeriu, i cili kalon një periudhë të gjatë “stazhi”, ndikon gjatë gjithë kohës së rritjes”, shpjegon paolo Pombeni, docent i historisë së sistemeve politikë europianë në Universitetin e Bolonjës. Eshtë teoria psikanalitike mbi pushtetin: fëmija ndihet i pafuqishëm, dhe kjo i jep një dëshirë të fortë për t’u bërë i pushtetshëm. Dëshiron të konfirmohet, dhe të demonstrojë që edhe ai mund t’u imponojë të tjerëve atë që do. “Nga kjo gjendje e varësisë prej prindërve buron ndoshta edhe ideja që hyjnia, si nënë (apo atë) e njerëzimit, është mbajtëse e pushtetit dhe që si pasojë, mundet që, tamam siç bën një prind me fëmijën kur rritet, t’ia japë njeriut (pushtetin)”, vazhdon Pombeni. Psikologët socialë thonë se të gjithë marrëdhëniet njerëzore, si në nivel personal, si në grup apo mes grupeve të ndryshëm rregullohen prej marrëdhënieve të pushtetit. Po çfarë nënkuptohet me saktësi, kur flitet për pushtet? Definicionet janë të shumtë. Për sociologun dhe profesorin e New York University, Dennis Wrong, “pushteti është aftësia për të prodhuar tek të tjerët efektet e dëshiruar dhe parashikuar”. Sipas Robert Alan Dahl, studiues i shkencave politike, sot profesor emeritur në Yale, “pushteti është aftësia për të bërë dikë të tjerët në një mënyrë që vetë nuk do ta bëje”. Për sociologun amerikan Robert Bierstedt, “pushteti nuk është gjë tjetër veçse aftësia për të përdorur forcën”.

Pra, të gjithë definicionet mbërrijnë në të njëjtin konkluzion: pushteti social është aftësia për të vendosur marrëdhënie asimetrike, në të cilat kush komandon është mbi persona apo grupe njerëzish. Dhe shumë studiues bëjnë dallimin mes pushtetit imponues dhe pushtetit me konsensus, mbi ata mbi të cilët ushtrohet. Jo më kot, psikologu gjerman Kurt Lewin (1890-1947) e përcaktoi pushtetin me një formulë. Sipas tij, është i barabartë me raportin e forcës maksimale që A mund të ushtrojë ndaj B, ndaj rezistencës maksimale me të cilën B mund t’i kundërvihet A. Nga Zoti, tek ligji

Megjithatë, koncepti i pushtetit social ka ndryshuar shumë gjatë historisë. Për qytetërimet e parë, pushteti ishte me origjinë hyjnore dhe shihej si një dhuratë që perënditë u kishin bërë një apo më shumë të vdekshmëve (ideja mbeti në modë deri në kohën e revolucionit francez). Por që në shekujt VII-VI p.e.s. në Greqi, pushteti nuk mund të ishte absolut, arbitrar: duhej të ushtrohej brenda kuadrit të ligjeve të kodifikuar. Epikuri mohonte madje origjinën hyjnore të komandës. Por, ardhja e kristianizmit riktheu idenë e një mbruesi të bekuar nga Zoti. Vetëm me Rilindjen dhe shkrimet e Makiavelit, nisi ndarja vendimtare mes politikës, moralit dhe fesë. “Pushteti ka qenë antropocentrik, domethënë në duar të njeriut, deri në shekullin XVII, kur filozofia politike nxorri në pah problemin e kufizimit të arbitraritetit të tij”, sqaron Pombeni. “Dhe më në fund, në vitin 1830 juristët gjermanë dhanë të parët sovranitetin si element të konceptit të shtetit, e si pasojë të popullit. Gjithë kjo për të shmangur që pushteti të identifikohej me një person të vetëm”.

Njerëz të fortë
Atëherë, përse aspirantët për diktatorë (edhe kohët e fundit) nuk kanë patur shumë vështirësi në marrjen e pushtetit? Sipas Jean Lipman- Blumen, psikolog i organizatave në Universitetin e Claremont (Kaliforni), në momente krizash njerëzit kanë prirjen që t’i besojnë verbërisht një figiure që shfaqet e aftë të zgjidhë probleme që përndryshe duken të pazgjidhshëm. Për Franz Neumann, një prej historianëve që janë marrë gjatë me ngjitjen dhe ruajtjen e pushtetit të diktaturave të fillimit të Nëntëqindës, sado që të gjithë diktatorët janë përpjekur të ngulisin një lloj frike tek të nënshtruarit, ajo që i ka mbajtur nën komandë ka qenë mbi të gjitha shpresa, e përhapur nëpër popull, se këta njerëz të fortë do të mund t’i çlironin nga mjerimi dhe ndjenja e dëshpërimit.

Një mekanizëm i ngjashëm është verifikuar edhe “në laborator”: në studimin e burgut të kryer nga BBC, pjesëmarësit kishin cmontuar sistemin e pushtetit, ku rojat komandonin të burgosurit dhe kishin instaluar një sistem barazitist, në të cilin një kolektiv udhëhiqte një komunitet të formuar si nga të burgosurit, ashtu edhe nga ata që i ruanin. E megjithatë, pas pak kohësh, disa anëtarë ripropozuan një sistem të ngurtë hierarkik i cili rikthente pabarazitë. “U kemi kërkuar pjesëmarrësve se përse ndodhi, dhe shumë prej tyre u përgjigjën se ishte e lodhshme të bëje të funksiononte kolektivin, dhe që loja as nuk ia vlente mundimin”, tregon Alex Haslam, studiues i Shkollës së Psikologjisë pranë Universitetit të Queensland (Britani e Madhe), një prej kuratorëve të studimit. Tendenca për t’ia lënë përgjegjësinë dikujt tjetër në situata të pasigurta është një prej mekanizmave që, sot ashtu si dje, mbështesin pushtetin.
Identifikimi tek kreu

Por ka njëtjetër, edhe më të rëndësishëm: “Sot nuk është e mundur të udhëheqësh një grup personash nëse autoriteti nuk pranohet prej të udhëhequrve, të cilët identifikohen tek kreu i tyre, deri sa ta konsiderojnë “njërin prej tyre”, shton Haslam. Në fund të fundit, pushteti mund të mbështetej tek konsensusi popullor edhe në të kaluarën: “Pushteti i marrë tërësisht me forcë nuk ekziston. Dhe nëse ekziston, zgjat shumë pak”, thotë Pombeni. “Edhe në regjimet absolutë më të lashtë, një pjesë e madhe e të qeverisurve mendonin që mbreti kish me të vërtetë të drejtën të komandonte. Nuk ishte ende si të mendosh që “të përfaqësohesh nga kreu”, por në atë kohë hendeku social mes të qeverisurit dhe mbretit që ia kish dhënë pushtetin Zoti ishte i pakapërcyeshëm”.

Sidomos sot, kur sistemi demokratik është pjesë e mënyrës sonë të të menduarit, për të na çuar të ndjekim dikë, të përqafojmë idetë e tij, në praktikë për të pranuar që një tjetër person të na udhëheqë, shërben mbi të gjitha konstatimi që kryetari është “njëri prej nesh”. Kështu funksionon në familje, në punë, në politikë.

E provojnë shumë eksperimente, si ai i ideuar nga Michael Hogg, profesor i psikologjisë sociale në Universitetin e Claremont, gjatë të cilit disa studentë duhej të zgjidhnin se çfarë opinioni të ndiqnin mbi një problem që u përkiste të gjithëve (futja e provimeven të hyrjes në universitet). Rezultati: pavarësisht nga opinioni, studentët ndiqnin idenë që përqafohej nga ata që i pranonin si të ngjashmit e tyre (e njëjta moshë, e njëjta prejardhje). Pra, pushteti për të krijuar ndjekës, ashtu si bukuria, qëndron në sytë e atij që vështron.

Dominimi
Antropologët bien dakord, por vetëm pjesërisht. Për ta, në qendër të pushtetit është mekanizmi i lashtë biologjik: raporti i dominimit mes individëve. I ashtuquajturi “tipi dominues”: i gjatë, shpatullgjerë, nofull katrore. Eshtë ky që zakonisht ka më shumë sukses. Disa prej këtyre tipareve somatikë janë të lidhur me sasinë pakëz më të lartë se mesatarja e testosteronit, hormon i pranishëm si tek burrat, edhe tek gratë. Tek të gjithë sisorët, individi dominues ka norma më të larta të këtij hormoni në gjak. Burrat me më shumë testosteron, për shembull, sipas një studimi të para disa viteve, kryer nga psikologu amerikan James Dabbs, hyjnë më me shpejtësi në një dhomë ku e dinë se do të gjejnë persona të panjohur dhe fillojnë të parët të bashkëbisedojnë me ta. Pushteti nuk është vetëm një lojë për të rritur. Studime të kohëve të fundit të kryer tek fëmijët e mitur nga Nathan Fox, një studiues i Universitetit të Maryland, demonstrojnë se, që në moshën 4-muajsh, disa individë zhvillojnë aftësi sociale të habitshme, duke ndërvepruar si me të rriturit, edhe me bashkëmoshatarët në mënyrë të sigurtë. Pra, krijojnë idenë që e dinë se çfarë duan dhe si ta arrijnë. Pra, pushteti manifestohet që në djep. / Focus / KultPlus.com

Këngë Pizane

Më 30 tetor të vitit 1885 do të lindte një shkrimtar amerikan, poet dhe kritik i cili do të bënte bujë për letërsinë moderne të shekullit të 20-të.

Nga ajo që ka mbetur pas nga Ezra Pound është krijimtaria e tij e bujshme.

KultPlus ua sjell një poezi nga Pound:

Këngë Pizane

Ajo që ti e do me të vërtetë mbetet,
teprica është skorie
Ajo që ti e do me të vërtetë s’ka për t’u shkulur,
Ajo që ti e do me të vërtetë është trashëgimia e vërtetë
Bota kujt i përket, mua, atyre
apo askujt?
E para erdhi e dukshmja, pastaj i prekshmi
Elize, edhe pse është në banesat e ferrit,
Ajo që ti e do me të vërtetë është trashëgimia e vërtetë
Milingona është një centaur në botën e tij të dragonjve.
Shkule nga vetja krenarinë, nuk qe njeriu ai
Që krijoi guximin ose rregullin ose hijeshinë
Shkule nga vetja fodullëkun, shkule, të them
Mëso nga bota e gjelbërt se cili është vendi yt
Në masën e shpikjeve ose në aftësinë e vërtetë të krijuesit,
Shkule nga vetja fodullëkun,
Paquin shkule!
Kaska e gjelbër fitoi mbi elegancën tënde.
“Sundoje veten dhe të tjerët do të të durojnë”
Shkule nga vetja fodullëkun,
Je një qen i rrahur nën breshër,
Një laraskë fryhet në një gulç dielli
Gjysmë e zezë, gjysmë e bardhë
As ia dallon dot krahun nga bishti
Shkule nga vetja fodullëkun
Sa të mjera janë ligësitë e tua
Të ushqyera me mashtrime
Shkule nga vetja fodullëkun,
Lakmues në të shkatërruar, koprac në mëshirë
Shkule nga vetja fodullëkun,
Shkule, të them.
Por të kesh bërë, në vend që të mos bëje asgjë
Ky nuk është fodullëk. Të kesh, trokitur me maturi
Që një Tarallak ta hapte
Të kesh korrur nga era një traditë të gjallë
Ose nga një sy i bukur antik flakën e padhunuar
Ky s’është fodullëk.
Këtu gabimi është në atë se s’shtë bërë, në mosbesimin që u mëdyshe./ KultPlus.com

‘Më plak mërzitja që vetmia më sjell’

Vetmia

Poezi e shkruar nga Millosh Gjergj Nikolla – Migjeni

Më plak mërzitja

që vetmia më sjell;

përbuzja, urrejtja

të gjith sendet m’i mbështjell

që kam shumë anmiq

të liq

në këto sende pa shpirt,

Nuk flasin.

As sy s’kanë.

Po mue më bahet

se aty janë

vetëm që të më plasin

zemrën.

Së paku, të më shajnë:

I mallkuem!

Së paku, të anë tallin:

I uruem!

Së paku, të më këndojnë:

I yni zot!

Ose të më thonë:

Jeton kot!

Të flasin, të flasin se fjalë due

në kët vetmi me ndigjue.

Ose të më tregojnë historinë

e tyne, autobiografinë:

ndoshta ty do gjej gjasim

me jeten time pa tingllim

që në vetmi po e kaloj

dhe s’po dij a rroj e s’rroj.

Sendet heshtin. sa të pamëshirë!

Më bajnë dhe mue të hesht me pahirë,

pse gojë s’kanë

dhe nuk flasin,

aty janë

vetëm të më plasin

zemrën teme që po vuen

dhe në mërzi vetveten truen. / KultPlus.com

Tre çmimet kryesore për teatrin ‘Bekim Fehmiu’ në Festivalin Tradicional të Komedisë në Mitrovicë

Teatri i Prizrenit ‘Bekim Fehmiu’ është shpërblyer me tri çmime në festivalin Tradicional të Komedisë në Mitrovicë, përcjell KultPlus.

Çmimet aktori më i mirë protagonist për Ernest Malazogun, regjia më e mire për ilir Bokshin dhe Shfaqja më e mire, janë tri çmimet që fituan shfaqjet e këtij teatri.

Në vijim gjeni postimin e plotë të Teatrit ‘Bekim Fehmiu’:

 Tre çmimet kryesore për Teatrin e Qytetit Bekim Fehmiu!

– Aktori më i mirë protagonist, Ernest Malazogu.

– Regjia më e miŕë, Ilir Bokshi

– Shfaqja më e mirë.

E falenderojmë jurinë për vlerësimin, organizatorët e Festivali Tradicional i Komedise për mikpritjen dhe posaqërisht publikun e mrekullueshëm të Mitrovicës për energjinë e mrekullueshme që sollën në festival/ KultPlus.com

Athina, një qytet përballë Sokratit

* Mund të kishte shpëtuar, të arratisej i ndihmuar nga dishepujt e tij besnikë. Sokrati nuk e bëri sepse nuk do të donte kurrë t’u kundërvihej rregullave të qytetit të tij. Dhe ishte pikërisht qyteti i tij që e akuzoi: Athina demokratike kishte frikë nga ai njeri jo aq sepse kishte “shpikur” filozofinë, por sepse ishte ndërfutur në rregullat e demokracisë

* Në vitin 399, kish vdekur në burg edhe Sokrati. I detyruar të pinte kukutën, pas procesit ku ishte dënuar me vdekje nga një gjykatë athinase mbi bazën e dy akuzave: mungesë besimi dhe korruptim i të rinjve. Ishte shtatëdhjetë vjec. Për shkak të atij dënimi si dhe falë dialogëve ku Platoni ka përjetësuar figurën e tij, Sokrati ka hyrë në histori si martiri par excellence i filozofisë, kampioni i mendimit të lirë, viktimë e pafajshme e intolerancës. Filozofia Hannah Arendt, në vitin 1956 do ta quante procesin ndaj Sokratit momentin kulmor të “konfliktit mes politikës dhe filozofisë”. Por gjërat janë më të thjeshta dhe më të ndërlikuara në të njëjtën kohë

Dera u hap papritur. Mysafiri u ndal, duke u lëkundur tek hyrja. Ishte i dehur dhe shoqërohej nga një flautist. Askush nuk e kishte ftuar. Por, i pacipë si gjithmonë, Alkibiadi ishte paraqitur në shtëpinë ku dramaturgu Agaton po festonte një fitore të tijën poetike. Ishte një festë mes miqsh, një strehë aristokratësh të rafinuar që, duke shijuar verërat më të mira, kishin kaluar disa orë duke dialoguar për temën e erosit. Tani ishte vonë, të ftuarit po përgatiteshin të largoheshin. Po kush mund t’ia përplaste derën në fytyrë Alkibiadit, udhëheqësi politik më karizmatik dhe tërheqës i kohës së tij?

Megjithatë, Alkibiadi mbeti i habitur kur zbuloi që, mes të ftuarve të tjerë, ishte edhe Sokrati. Njiheshin prej kohësh: pesëmbëdhjetë vjet më parë, duke e mbrojtur me mburojën e tij, Sokrati i kishte shpëtuar jetën nga një kundërsulm i armikut gjatë një beteje në koloninë korinthase të Potideas, në veri të Greqisë. Sokrati ishte mësuesi i tij, ishte njeriu që e donte shumë dhe ishte njëkohësisht i vetmi që dinte ta vinte në siklet. Ua rrëfeu vetë Alkibiadi të pranishmëve: “Nëse nuk mendoni se jam një i dehur i humbur, mund t’ju rrëfej efektin që më shkaktojnë diskutimet e këti burri. Kur e dëgjoj, zemra më kërcen në kraharor, dhe lotët më vërshojnë nga sytë. Sepse më detyron që të pranoj se mua më mungojnë një mijë gjëra por, në vend që të mendoj për veten time, shkoj dhe merrem me politikën e Athinës. Eshtë i vetmi njeri përpara të cilit unë kam ndier turpin, unë, që injoroj vetë kuptimin e turpit”.

Prologu i procesit

Jemi në Athinë, në vitin 416 p.e.s. Kjo skenë është rrëfyer nga një tjetër dishepull i madh i Sokratit, Platoni, në dialogun e tij Simpoziumi. Por, kur Platoni e shkruajti dialogun, disa dekada më vonë, protagonistët e festës në shtëpinë e Agatonit kishin vdekur të gjithë. Alkibiadi ishte vrarë në moshën 46 vjec, në vitin 404 p.e.s. duke dhënë frymë në krahët e një prej grave të shumta që e kishin dashuruar, Timandra. Edhe sot e kësaj dite nuk dihet kush ka qenë porositësi i vrasjes. Dihet vetëm që disa vrasës e ekzekutuan me nj shi shigjetash ndërkohë që ndodhej në mërgim në Frigia, mysafir i Mbretit të Madh të Persisë. 5 vjet më vonë, në vitin 399, kish vdekur në burg edhe Sokrati. I detyruar të pinte kukutën, pas procesit ku ishte dënuar me vdekje nga një gjykatë athinase mbi bazën e dy akuzave: mungesë besimi dhe korruptim i të rinjve. Ishte shtatëdhjetë vjec. Për shkak të atij dënimi si dhe falë dialogëve ku Platoni ka përjetësuar figurën e tij, Sokrati ka hyrë në histori si martiri par excellence i filozofisë, kampioni i mendimit të lirë, viktimë e pafajshme e intolerancës. Filozofia Hannah Arendt, në vitin 1956 do ta quante procesin ndaj Sokratit momentin kulmor të “konfliktit mes politikës dhe filozofisë”. Por gjërat janë më të thjeshta dhe më të ndërlikuara në të njëjtën kohë. Ndoshta celësi i vërtetë i vdekjes së Sokratit qëndron pikërisht në atë festë në shtëpinë e Agatonit, në atë takim aristokratësh të rafinuar. Sepse procesi ndaj Sokratit ishte edhe, dhe mbi të gjitha, një proces politik.

Athina e Sokratit

Sokrati lindi në vitin 469, nga një baba skulptor, Sofronisku dhe një nënë mami, Fenarete. Sokrati ishte një autodidakt, u aftësua dhe u ngrit në nivelin e një filozofi të famshëm falë punës së tij.

Sokrati nuk shkroi asnjë vepër sepse siç thoshte ai, librat janë të vdekur dhe nuk mund t’iu përgjigjen pyetjeve. Për të mjeti kryesorë i komunikimit ishin bisedat e gjalla, dialogu me gjithkënd dhe kudo, në rrugë, në shesh, në gosti etj. Shumica e atyre, që ne dimë për të, ka qenë ruajtur nga tre bashkëkohësit e tij të shquar, Aristofani, Platoni dhe Ksenofoni.

Nga këto burime del se Sokrati ka qenë një gjeni, i cili përveç një arsyetimi të jashtëzakonshëm dhe rigoroz, zotëronte edhe një ngrohtësi personale dhe një ndjenjë humori. Ai ka pasur një trup të fortë dhe zotëronte një fuqi të madhe fizike. Në komedinë e tij “Retë”, Aristofani e përshkruan Sokratin si një shpezë shtëpiake, që të bën për të qeshur me zakonin e tij të rrotullimit të syve, duke u referuar me çapkënllëk “nxënësve” të tij dhe “dyqanit të mendimit”.

Ndërsa nga Ksenofani na vjen portreti i një ushtari besnik, i cili kishte një pasion për diskutime rreth bazave të moralit dhe, i cili në mënyrë të paevitueshme tërhiqte të rinjtë të kërkonin këshillën e tij.

Platoni e konfirmoi portretin e Ksenofanit dhe shtoi se Sokrati ishte një njeri me një ndjenjë të lartë detyre dhe me një pastërti morale absolute. Megjithatë Sokrati u rrit në një periudhë të artë, në vitet e tij të fundit atij iu desh të shihte mundjen e Athinës në luftë dhe të mbyllte jetën e tij në burg në vitin 399 p.e.s, në moshën shtatëdhjetë e një vjeç.

Sokrati i shërbeu me nder atdheut të tij në këmbësorinë e rëndë. Por vokacioni i tij nuk ishte ai i ushtarit. Në një Athinë që, nën udhëheqjen e Perikliut po rritej në madhështi dhe shkëlqim, ndërkohë që arkitektë dhe punëtorë po ngrinin kolonat e Partenonit, Sokrati iu dedikua zanatit të filozofit. Madje, më saktësisht, e shpiku. Nuk është një shpikje pa dhimbje. Dialogët që Sokrati mban me athinasit nuk janë aspak bashkëbisedime xhentëlmenësh: përkudnrazi, sic rrëfen biografi Diogjen Laercio, “bashkëbiseduesit e tij shpesh herë e merrnin me grushta ose i shkulnin flokët”.

Ishin vite dramatikë. Nuk është rastësi që Platoni e vendosi dialogun e tij pikërisht në vitin 416 p.e.s. Menjëherë pas këtij viti, në fakt, pati një kthesë radikale dhe të trazuar në historinë e Athinës. Qyteti kishte hyrë në luftë në vitin 431 p.e.s. kundër rivales së tij, Spartës. Në vitin 421 p.e.s. ishte arritur një armëpushim. Alkibiadi, ndonëse vinte nga një familje shumë fisnike, paraqitej atëherë si udhëheqësi i fraksionit demokratik ekstrem, i paduruar për të rrëmbyer sërish armët dhe për t’i dhënë frymëmarrje imperializmit athinas. Gjatë një mbledhjeje dramatike të ansamblesë, Alkibiadi kërkoi votimin e një ekspedite ushtarake kundër Sicilisë. Ajo do të përfundonte me katastrofën më të rëndë ushtarake të historisë së Athinës. Por Alkibiadi atëherë nuk e dinte. Nuk dinte as që në atë ekspeditë ai nuk do të merrte kurrë pjesë. Në fakt në vitin 415, ndërkohë që anijet triremëshe athinase përgatiteshin të lundronin drejt Sicilisë, Alkibiadi u përfshi në një skandal që e detyroi të largohet nga polis-i, fillimisht në Spartë dhe më pas në Persi.

Edhe në këtë rast, ashtu si do të ndodhte me Sokratin, cështjet fetare qëndronin prapa përplasjeve politike: thuhej se Alkibiadi kishte organizuar në shtëpinë e tij një parodi të të shumënderuarve Mistere të Eleusit; u akuzua se kishte marrë pjesë në dëmtimin e busteve të perëndisë Hermes (Hermet, e vendosur në kryqëzimet e rrugëve kryesore), të gjymtuara të gjithë në një natë të vetme të nëntorit 415, në atë që supozohej se ishte prova gjenerale e një komploti oligarkik kundër demokracisë. Dëbimi i Alkibiadit dhe humbja në Sicili e futën në krizë Athinën. Klikat oligarkike arritën që për disa kohë të drejtonin institucionet demokratike duke i nënshtruar ata për pak kohë nën kontrollin e organizmave të ngushtë. Lufta kundër Spartës u rindez. Në një moment të caktuar, në kaosin e përgjithshëm, vetë Alkibiadi u thirr prej popullit si shpëtimtar i atdheut. Por situata ishte kompromentuar tashmë. Ndërkohë që Alkibiadi rimerrte rrugën e mërgimit, trupat spartane po e shtrëngonin Athinën në një morsë gjithnjë em ë të ngushtë. Flota, burimi i fundit i athinasve, arriti të sigurojë një fitore ekstreme, të papritur në ishujt Arginuse, sot ishujt Alibej, në rripin detar mes Lesbos dhe Turqisë së sotme. Por gjykata në Athinë në mënyrë të pabesueshme vendosi që të dënonte me vdekje admiralët fitimtarë, me akuzën se nuk kishin shpëtuar marinarët e mbytur. Një akuzë që ishte parashtruar për të kënaqur në mënyrë demagogjike popullin (marinarët i përkisnin shtresave më të ulëta të shoqërisë). Një prej të paktëve që iu kundërvu me kurajë dënimit, i mbështetur në mënyrë histerike nga një pjesë e madhe e opinionit publik, ishte pikërisht Sokrati.

Dhe në atë moment, ndoshta, filozofi i shtoi ndoshta edhe një gradë shkallës që do ta conte në dënimin me vdekje. Athina nuk kishte më shpresa. Në vitin 404 p.e.s. spartanët hynë në qytet duke i dhënë fund një konflikti pothuajse tridhjetë vjecar. Vendosën aty një qeveri kukull, të ashtuquajturit Tridhjetë Tiranët. E udhëhiqte një tjetër aristokrat antikonformist, poet shumë i rafinuar dhe autor tragjedish. Quhej Kricia dhe ishte edhe ai një dishepull i Sokratit, gjë kjo që me siguri nuk do të shpëtonte po e vënë re athinasit. Qeveria e Kricias ra vetëm pas pak muajsh, në vitin 403, prej vetë mizorisë së saj. Të dëbuarit u rikthyen në qytet dhe u rivendos demokracia. U dekretua një amnisti, e para e llojit të vet, që garantoi pandëshkueshmërinë për krimet e kryer gjatë luftës civile.

Por, sidoqoftë mbeti një farë pakënaqësie për atë që shihej tashmë si mësuesi i keq i shumë udhëheqësve pa skrupuj që kishin shkaktuar zemërim gjatë viteve të fundit. Sokrati, padyshim, e ndiente këtë gjë. Që në vitin 424 Aristofani (që ndonëse duhej të ishte një miku i tij, duke qenë se Platoni shkruan se ishte edhe ai pjesëmarrës në festën e famshme), e kishte paraqitur, në komedinë “Retë” si një sharlatan grotesk që mat këmbët e pleshtave dhe rri ulur në një kosh plehërash të kthyer përmbys, në ajër, për të vëzhguar më nga afër qiejt. Finalja e ligë e komedisë është me një zjarr të madh ku Sokrati dhe dishepujt e tij vdesin të shkrumbuar.

Akuza

Procesi, që u zhvillua në vitin 399 p.e.s. ishte pra vetëm rezultati përfundimtar i një sfide të gjatë mes Sokratit dhe Athinës. Akuza u paraqit nga tre persona: Aniti, Meleti dhe oratori Likon. Nga këta tre personazhe, njohim pak Anitin: dimë që ishte një udhëheqës i moderuar i palës demokratike, që kishte marrë pjesë në rezistencën kundër Tridhjetë Tiranëve dhe kishte qenë një prej promotorëve të amnistisë së vitit 403 p.e.s.

Akuza, sic na është përcjellë nga një tjetër dishepull i Sokratit, shkrimtari Ksenofon (një oligark ekstremist, armik i deklaruar i demokracisë) dhe nga Diogjen Laercio ishte kjo: “Sokrati është përgjegjës se nuk beson tek perënditë në të cilët beson qyteti (polis-i) dhe prezanton hyjno të tjera dhe të reja. Vec kësaj, është fajtor për korruptim të të rinjve. Dënimi i kërkuar: vdekja”.

Bëhet fjalë pra për dy akuza që bëjnë dallim mes tyre. E para i referohet një krimi të paraqitur së fundmi në Athinë, krimi i “asebeias” që përgjithësisht përkthehet me “mungesë besimi”, por që ka një spektër më të gjerë të domethënies së tij: tregon në fakt, n përgjithësi, mungesën e respektit kundrejt normave dhe zakoneve, jo vetëm atyre ngushtësisht fetare, të pranuara nga qyteti. Akuza e dytë ishte shumë transparente. Ata të rinj që Sokrati kishte “korruptuar” ishin Alkibiadët dhe Kriciat. Ksenofoni, një tjetër i ri “i korruptuar” thotë se akuzuesit thoshin në mënyrë eksplicite se Sokrati kishte edukuar në të njëjtën kohë “më të papërmbajturin, më arrogantin dhe më të dhunshmin ndër ata që militonte në anën e demokracisë” (Alkibiadin) dhe “më hajdutin dhe më gjakatarin mes oligarkëve” (Krician). Procesi u zhvillua në Agorën e Athinës, zgjati vetëm një ditë, gjithcka në dhjetë orë.

Mbrojtja e filozofit

Strategjia e mbrojtjes është e njohur për ne, përvecse nëpërmjet Ksenofonit, edhe nga e famshmja Apologji e Sokratit me autor Platonin. I akuzuari sfidoi në mënyrë të drejtpërdrejtë akuzuesit e tij duke mohuar cdo akuzë. Tha se kishte respektuar gjithmonë perënditë e qytetit dhe u përpoq të dallohej nga dishepujt e tij të pamatur. I kujtoi gjykatës edhe përplasjen e tij të fortë me Krician: kur tirani i kishte kërkuar që të arrestonte një kundërshtar politik, gjeneralin Leone të Salaminës, ky kishte refuzuar, duke shkuar në shtëpi në pritje të ndëshkimit të pashmangshëm. “Dhe do të kisha vdekur pa dyshim”, tha Sokrati, “nëse qeveria e Tridhjetë Tiranëve nuk do të kishte rënë pak kohë më pas”. Përpjekja për të ndarë përgjegjësitë e tij nga Kricia nuk është se shndërrohet në pranim të ortodoksisë demokratike: përkundrazi, kur u drejtohet gjykatësve, Sokrati përdor shprehje si “partia juaj popullore”, duke lënë të kuptohet pra që ai militon në një tjetër front.

Trupi që po gjykonte filozofin ishte një gjykatë popullore e formuar nga 501 vetë të tërhequr me short nga një listë mrej 6000 vetësh. Shorti ishte një prej elementëve thelbësorë të sistemit demokratik athinas në formimin jo vetëm të gjykatave, por edhe të gjithë organeve të qeverisjes. Megjithatë, në situatën në të cilën ndodhet Sokrati vendos që të kundërshtojë pikërisht mekanizmin e shortit: sepse, argumenton ai, duhet që të zgjedhim me short një qeverisës kur nuk zgjedhim me short, por në bazë të zotësisë, një flautist apo një arkitekt, profesione në vetvete më pak të rëndësishëm se si i qeverisësit? Këta sulme frontalë ndaj logjikës së demokracisë së Athnës nuk mund të mos irritonin jurinë. Kjo, sic dëshmojnë Platoni dhe Ksenofoni reagoi ndaj vetëmbrojtjes së Sokratit me britma të përsëritura. Më shumë se një herë strategjia mbrojtëse e Sokratit ishte provokuese, pothuajse tallëse.

Praktika gjyqësore athinase parashikonte që në fillim të kishte një sentencë të dënimit dhe më pas një vendim të mëtejshëm ku përcaktohej dënimi. I akuzuari kishte të drejtën e fjalës para të dy sentencave. Dënimi erdhi. Ishte i sigurtë e madje Sokrati u befasua kur pa sa njerëz kishin votuar në favor të tij. Nga 501 gjykatësit, plot 220 ishin shprehur për faljen e tij: “Mjaftonte që tridhjetë vetë të ndryshonin mendim, dhe unë do të isha liruar”. Në këtë pikë, megjithatë, duhej të shprehej për ndëshkimin. “Ndëshkimi im?”, tha Sokrati gjatë fjalimit të tij të dytë. “Unë, përgjatë të gjithë jetës sime, jam përpjekur të mësoj cdo njeri që të jetë vërtetë me virtute dhe i ditur. Pra, duhet të më jepni një cmim si mirëbërës i këtij qyteti. Propozoj pra që për mua të ofrohet qëndrimi i përjetshëm në Pritaneo”. Në Pritaneo, ushqeheshin me shpenzime të qytetit qytetarët e mirë, për shembull fituesit e Lojërave Olimpike. Sokrati pra, sfidon edhe një herë jurinë. Vetëm prej këmbënguljes së dishepujve të tij, ai heq dorë nga këshilla të tjera dhe deklaron në fund se është i gatshëm të paguajë një gjobë të majme, që vetë dishepujt e tij me Platonin në krye do ta mblidhnin. Por tashmë durimi i jurisë kish arritur fundin: sipas kërkesës së akuzës, Sokrati u dënua me vdekje.

Dënimi

Kishte mundësi të arratisej, dhe të gjithë prisnin që ta bënte një gjë të tillë. Ishte praktikë jo e rrallë që një i dënuar me vdekje merrte rrugën e mërgimit përpara ekzekutimit. Edhe akuzatorët e tij do të ishin të kënaqur. Dishepujt kishin organizuar tashmë largimin, por Sokrati, sipas rrëfimit të Platonit, vendosi të qëndrojë në burg. Ligji i qytetit, tha ai, duhej të respektohej, edhe pse ishte i padrejtë. Ishte kjo zgjedhje që dekretoi triumfin e tij të pasvdekjes dhe që bëri të lindë legjenda e tij. Mbeten ende shumë pika të errëta. Vetë rrëfimet e Platonit dhe Ksenofonit kanë divergjenca në shumë pika. Ndoshta shpërtheu, në procesin e vitit 399, një përzierje ankesash dhe ndjenjash që shumë shpejt do të davaritej vetë. Një historian i shquar, Moses Finley, ka vënë në dukje se si Platoni, i cili ishte një antidemokratik shumë më i tërbuar se sa mësuesi i tij dhe ishte njëkohësisht një njeri i afërt i Kricias, qëndroi më pas në Athinë i pashqetësuar, duke hapur madje në vijim edhe një shkollë filozofie.

Sigurisht, në rastin e Sokratit nuk ishte problemi a konflikt ideal mes politikës dhe filozofisë, i cmuar nga Hannah Arendt, në gjurmët e personaliteteve të mëdhenj si Voltaire apo John Stuart Mill. Prapa procesit ndaj Sokratit ishte më tepër ashpërsia gjakatare e luftës politike në Athinë në fundin e shekullit V p.e.s. Dhe ndoshta, ato festa elitare mes aristokratëve, që përcmonin demokracinë dhe rregullat e saj, si takimi në shtëpinë e Agatonit, do të kenë peshuar shumë më tepër se cfarëdolloj spekulimi filozofik.

… Apo faji i arrogancës?

Gjyqi famëkeq i filozofit të madh grek, Sokratit, konsiderohet prej kohësh si një prej rasteve të para dhe dramatike të gabimeve gjyqësore, duke çuar drejt vdekjes atin e filozofisë perëndimore. Sokrati u akuzua për “fyerje” dhe “korruptim të rinisë” në vitin 399 Para Krishtit – akuza të cilat nga historianët konsiderohen si të sajuara prej bashkëqytetarëve që e paragjykonin – dhe u detyrua të vetekzekutohej duke gëlltitur lule kukute (një lloj bime helmuese). Por një profesor i Universitetit Kembrixh ka mbërritur në përfundimin se gjyqi i Sokratit ishte i drejtë nga pikëpamja ligjore dhe se akuzat ndaj tij qëndronin. Për më tepër, profesor Pol Kartlidxh mbështet idenë se Sokrati praktikisht e provokoi vetë dënimin me vdekje.

Në librin e tij, “Mendimi politik i Greqisë së Lashtë në praktikë”, profesor Pol Kartlidxh hedh poshtë idenë e atyre politikanëve e historianëve që e konsiderojnë prej kohësh gjyqin si faktin e pakundërshtueshëm që demokracia mund të degjenerojë në vullnetin e gabuar të masave. Për të shembulli i Sokratit nuk është i tillë. “Të gjithë e dinë se ishin grekët ata që e sajuan demokracinë, por nuk bëhej fjalë për atë demokraci që njohim ne sot, dhe si rezultat i kësaj ne e kemi lexuar keq historinë”, thotë profesori. “Akuzat që u ngritën ndaj Sokratit mund të na duken neve qesharake, por në Athinën e lashtë i shihnin si qëndrime në të mirën e të gjithëve”.

Në libër profesor Pol Kartlidxh vë pikëpyetje mbi opinionin tradicional, sipas të cilit Sokrati ishte viktimë e betejave të brendshme politike. Historianët e ndikuar nga mendjet e lashta, përfshi këtu Platonin, i qëndrojnë idesë se kritikat e hapura që Sokrati u drejtonte politikanëve të lartë grekë i kishin krijuar shumë armiq, të cilët për ta bërë të heshtte ngritën më këmbë atë farsë gjyqësore ku u akuzua për fyerje e korruptim. Historianë të tjerë mendojnë se mësimet e Sokratit nxisnin rebelime politike dhe se përmes atij gjyqi filozofi u bë shembull për të shuar mendimet disidente në shoqërinë e Athinës së lashtë.

Për profesor Pol Kartlidxh, Sokrati vuri në dyshim autoritetin e shumë zotave të shoqërisë athinase, duke deklaruar se udhëhiqej nga “dimononi” i tij i brendshëm, një term me të cilin mund të ketë dashur të përkufizojë “intuitën”, por që mund të interpretohet njëherësh si një ndikim i errët e i mbinatyrshëm, gjë që mund të ketë shkaktuar zemërimin e bashkëqytetarëve të tij.

Akuza për “fyerje”, sipas profesorit të Kembrixhit, mund të jetë krejtësisht e pranueshme në një demokraci të varur thellësisht te besimi ndaj zotave përkatës. Akuzat paraqiteshin nga prokurorët amatorë përpara një jurie të përbërë prej 501 qytetarësh të zakonshëm “me emër të mirë”, të cilët vepronin në emër të asaj që e konsideronin të vlefshme për interesin publik. Nëse prokurorët mund të sillnin prova të mjaftueshme për të vërtetuar se i akuzuari ishte përgjegjës për cenimin e asaj që konsiderohej si e mira e përgjithshme, kishte shumë shanse që të gjykohej fajtor.

Autori gjithashtu beson se Sokrati “e kërkoi” vetë dënimin me vdekje. Nën sistemin e Athinës së lashtë, në gjykime të këtij lloji, i akuzuari gëzonte të drejtën të zgjidhte formën e ndëshkimit. Fillimisht Sokrati tha se duhej shpërblyer nga juria e jo dënuar dhe sugjeroi një ndëshkim tepër të lehtë.

Ndërkaq, anëtarët e jurisë nuk e shihnin aspak çështjen me shaka si ai dhe kaluan te dënimi me vdekje. Në vend që të merrte arratinë, Sokrati pranoi verdiktin, duke deklaruar se “i detyrohej për këtë qytetit, nën ligjet e të cilit ishte edukuar me atë frymë që e detyronte t‘u nënshtrohej atyre ligjeve deri më një”.

Profesor Pol Kartlidxh më tej shpjegon: “Nuk ke si e mohon trimërinë dhe ndjenjën e tij qytetare, madje mund të konsiderohet si një hero intelektual. Por ideja se vetë Sokrati ishte i pafajshëm dhe u dënua nga lajthitja e masave, është e gabuar. Në sytë e athinasve, duke e nxjerrë jashtë skene, shoqëria ishte pastruar dhe forcuar”.

Profesoresha Enxhi Hobs, filozofe në Universitetin Uaruik, është e mendimit se gjithsesi çështja e Sokratit duhet parë e lidhur ngushtë me interesat politike. Dhe vëren: “Nëse dikush vendos pikëpyetje mbi çështjen e tij gjyqësore, apo mbi faktin që ai ishte apo jo plangprishës, kjo është e gjitha për t‘u debatuar. Sokrati kishte tërhequr mbi vete zemërimin e njerëzve të fuqishëm e me pushtet. Ishte i ashpër dhe i patakt. Filozofët shiheshin si të rrezikshëm në atë kohë dhe Sokrati nuk ishte i vetmi që u gjet në telashe. Athinasit kishin të drejtë të ndiheshin disi të shqetësuar nga tezat e tij, që i shtynin të rinjtë të mendonin me kokën e tyre”.

Ndërkaq bie dakord në pikën që Sokrati nuk “kishte pse të vdiste” dhe se ia bëri jurisë thuajse të pamundur çdo përpjekje për të shmangur dënimin me vdekje. Kur rojet e burgut i lanë të kuptonte se qenë të gatshëm ta lejonin të arratisej, ai refuzoi. “Sokrati donte të kthehej në një lloj martiri të filozofisë”, vazhdon profesoresha Hobs. “Sipas Platonit, ai mbajti një fjalim tepër arrogant përpara trupit gjykues, duke thënë ‘jo të më dënojnë, por duhet të më jenë mirënjohës për sa i kam ndihmuar të pastrojnë shpirtrat, duhet të më sigurojnë ushqimin për sa kohë të jem gjallë‘”.

Profesoresha Meri Bërd, eksperte e epokës klasike në Universitetin e Kembrixhit, shton: “Ne kemi investuar tek ai, e kemi ngritur Sokratin në piedestalin e mendimtarit të lirë që u qëndron ideve të veta deri në vdekje. Këtë e kemi bërë sigurisht në masën më të madhe falë Platonit. Por po t‘i përmbahemi asaj që ishte Athina në atë kohë, dënimi mund të konsiderohet i drejtë”. / NG History / KultPlus.com

‘Shkon hana ni ditë për qef tu dielli edhe ja çon ni parë tesha bakshish’ 

Ishin kan vllaznue dielli e hana.

Shkon hana ni ditë për qef tu dielli edhe ja çon ni parë tesha bakshish. Dielli gzohet edhe e pret mirë. Mbas disa dite vjen dielli m’e pa hanën. S’i bjen kurgja. Hana i thotë:
Qysh u ba puna kshtu? Unë erdha e t’i pruna ni parë tesha bakshish, e ti s’um prune kurgja!
Dielli i tha:
Po ti kurrë njejtë s’po rrin: herë hiç, herë n’ngjysë, herë e plotë e nuk dita qysh me t’i pre teshat, për qata s’t’i pruna.

Marrë nga: Anton Çetta, “Prozë popullore nga Drenica”, Prishtinë, 1963. / KultPlus.com