Tefta Tashko Koço, këngëtarja e madhe lirike

Një femër, sa e këndshme aq dhe unike në zërin e saj. E mrekullueshme dhe me një vokal të jashtëzakonshëm. Me një personalitet të mbrujtur në kulturë të gjerë, hyri në vetëdijen shqiptare të atyre viteve të pështjellimta si një shkrepëtimë drite. Tefta Tashko Koço kishte kaq shumë të jepte këngës shqiptare. Ajo i dha këtij visari të çmuar jo vetëm zërin dhe përkushtimin plot pasion, por edhe shpirtin, atë shpirt që e thërriste në këtë gjëmim atdhetarie, në këtë mëvetësim të vlerave dhe manifestim pasuror, që erdhi si një balsam për plagën e mjerimit që solli koha. Ishin ato vite të vështira, të cilëve ajo u dha, prej shpirtit, prej hireve dhe bukurisë së saj, çfarë  kishte më të shtrenjtë.

Tefta Tashko Koço u lind më 2 nëntor 1910 dhe vdiq më 30 dhjetor 1947. Spikati si këngëtare e shquar lirike. Përvoja dhe talentiishin një garanci për vlerat ku ajo ngriti interpretimin e këngës popullore qytetare mbarëshqiptare.

Tefta Tashko Koço 16. 12. 1936 (Kel Marubi)

Tefta ishte vajza e patriotit të shquar shqiptar nga Frashëri i Përmetit, Thanas Tashkos i cili prej vitit 1910 qe vendosur familjarisht në Egjipt. Me vdekjen e Thanas Tashkos më 1915, familja e tij kthehet në Korçë në vitin 1921. Në Korçë kemi aktivizimet e para të Teftës si këngëtare dhe data 26 qershor 1926 mbahet si koncerti i saj i parë në publik. Në shtator të vitit 1927, Tefta me gjithë familjen vendosen në Montpellier, Francë, ku ajo filloi edhe studimet muzikore, për t’i vazhduar ato me sukses në Konservatorin Superior të Parisit. Në vitin 1930, Tefta bën inçizimet e para muzikore pranë shoqërisë diskografike “Pathe”-Paris, si pjesëmarrëse në grupin e këngëtarit të shquar të polifonisë himariote Neço Mukon. Me përfundimin e studimeve, Tefta kthehet në atdhe ku më 26 nëntor 1935 shënohet edhe koncerti i saj i parë si këngëtare profesioniste në Shqipëri koncerte të cilat ajo i dha në shumicën e qyteteve shqiptare. Pikërisht në këto vite, Tefta futi në programet e saj krahas arieve lirike të autorëve të shquar botërorë si Moxart, Guno, Shubert, Verdi, Donixeti, Pergolezi, Belini, Puçini, Rosini, etj, dhe këngët popullore shqiptare, si pjesë integrale e kulturës muzikore popullore shqiptare. Janë rreth 89 këngë popullore të të gjithë qyteteve të Shqipërisë që Tefta i kishte në repertor dhe rreth 36 prej tyre ajo i regjistroi në pllaka gramafoni në vitet 1930, 1937 dhe 1942 në Paris, Francë dhe Milano, Itali. Ndër to po përmend: “Zare trëndafile”, Të dua, moj goc’ e vogël”, Bilbil çapkëni”, Qante lulja lulen”, “Kenke nur i bukurisë”,”As aman, moj lule” etj. Sipas Hysen Files: Tefta diti të nxirrte nga kënga popullore ndjenjën e thellë që populli kishte shkrirë në të. Njihet tanimë faktet se Tefta Tashko i ka mbledhur një shumicë këngësh direkt nga goja e muziktarëvë të shuar popullore të vendit tonë. Një gjë të tillë e provon edhe pjesmarrja e Teftës së bashku me këngëtaren tjetër të shquar Marie Kraja në festivalin e folklorit të mbajtur në Firence, Itali më 30 Maj 1939 krahas këngëtarëve dhe muziktarëve të shquar popullorë të atyre viteve si Adem Mani, Xhevat Boriçi, Kolë Vjerdha, Taip Kraja, Karlo Pali etj. Në listën e gjatë të këngëve popullore të kënduara nga Tefta do të bashkangjisnim edhe këngët popullore të përpunura nga kompozitori Kristo Kono me poezi të Lasgush Poradecit si p.sh “Kroi i fshatit tonë”, apo “Kur më vjen burri nga stani”. Krahas Teftës, do të përmendim edhe dy këngëtare të tjera të shquara në interpretimin e këngës popullore qytetare: Jorgjia Filçe Truja dhe Maria Paluca (Kraja). Në vitin 1945, Tefta këndon në operën e Beogradit me shumë sukses rolin e Mimisë nga opera “Bohemë” e Puçinit dhe atë të Rozinës nga opera “Berberi i Seviljes” e Rosinit. Në vitin e fundit të jetës ka qënë vazhdimisht e sëmurë. Vdiq në moshën 37-vjeçare. Ajo ndëron jetë në moshën e re 37-vjeçare pa pasur mundësi të zhvillojë karrierën e saj të plotë artistike. Motos ‘’Vdes dhe nuk dorëzohem’’ ajo i qëndroi besnike deri në  fund të jetës dhe nuk u dorëzua për emancipimin e Shqipërisë.

Nji fotografi e Gjergji Cancos, 21 shkurt 1938, kuadraton në të njajtën hapësinë emna të tillë si Ernest Koliqi, Asdreni, L. Poradeci, Tefta Tashko Koço, Lola Aleksi-Gjoka (pianiste), Mikel Koliqi apo Koço Tashko. Para Kafes së Madh

Ajo mori titullin “Artiste e Popullit”. Më 2 mars 2004 Këshilli  i Bashkisë së Përmetit i dha titullin “Qytetare Nderi e Përmetit”. Busti i saj ngrihet sot në qendër të qytetit të Përmetit. Për të është bërë dhe një monografi nga Pandi Bello.

Tefta Tashko Koço la një familje të madhe. Një emër i madh nga një femër e madhe dhe shpirt i pasur artistikisht që quhet me plot gojën Divë.

***

Këngët popullore të Tefta Tashkos, regjistruar pranë “Columbias”-Itali, 1942: “Un’o ty moj të kam dashur”; “Kjo dashtnija kjoft mallkue”; “Kenke nur’ i bukurisë”; “Për një ditë, kur del goca në pazar”; “Këndon Kumrija”; “Metelikun ta kam falë”; “Ma ven dorën përmbi dorë”; “Dallandyshe vaj, vaj”; “Qante lulja lulen”; “Moj fëllanxë”; “Sa me shpejt ma vunë, moj, kambën”; “Dy gisht përmni vetull”; “Moj hyrije, bukurie”; “ Shamija e beqarit”; “Iku nata”; “Del një vashë prej hamamit”; “Zare trëndafile”; “Të dua, moj goc, e vogël”; “As aman, moj lule”; “Kroi i fshatit tonë”; “O moj sylarushe”; “Dolla në penxhere”; “Bilbil çapkëni”; “As u gremis moj lejthate”; “Dashtnuer tu bana”; “Ani, moj Hatixhe”; “Seç këndon bilbili malite”; “Shkapërceva dy-tri male”; “Edhe ky bilbili çka qënke një zog”; “Kam shtëpinë e vogël”; “I kam hypë vaporit”; “Fry, moj er’ e malit”; “O na atë fushë t’mejdanit”; “Edhe gurët e sokakut”.

Referime

Krantja Mustafa, “Artistja e Popullit Tefta Tashko Koço”, gaz. “Drita”, 1961, 31 dhjetor; Naçe P, “Tefta Tashko Koço”, “Ylli”, 1963, nr. 12; Kono Kristo, “Me dashurinë për atdheun dhe këngët e popullit”, gaz. “Drita”, 1976, 25 korrik; Mio Sokrat, “Bilbili i këngës shqiptare”, gaz. Përpara, 1977, 21 dhejtor; Filja Hysen, “Tefta Tashko Koço”, Tiranë 1980; Frashëri Thoma, “Interpretuese e shquar e këngës popullore”, gaz. Drita, 1982, 26 dhjetor; Koço Eno, “Tefta Tashko Koço dhe koha e saj”, Tiranë 2000; Zaja Sami C, “Heti njeri i urtë i Shkodrës” Shkodër 2000 etj. /Albert Vataj /KultPlus.com

Çeku kujton personalitetet që na lanë gjatë këtij viti: Veprimtaria e tyre mbetet e paharrueshme

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, përmes një postimi në “Facebook” ka kujtuar personalitetet që na lanë gjatë vitit 2022, shkruan KultPlus.

Ai thotë se veprimtaria dhe kontributi i tyre do të mbetet i paharruar.

Postimi i plotë:

“Në këtë fundvit, kujtojmë personalitetet që na lanë gjatë vitit 2022. Veprimtaria dhe kontributi i tyre në fushat e kulturës, sportit e trashëgimisë kulturore do të mbeten të paharruar. 🤍🙏

Poeti Xhevdet Bajraj, producentja Vjosa Berisha, piktorja Alije Vokshi, punëtori sportiv Belul Beqaj, futbollisti Erion Kajtazi, piktori Omer Kaleshi, atletja dhe maratonistja Erida Kurshumlija, balerina Esma Mulla, basketbollisti dhe gjyqtari i basketbollit Agim Dushi, instrumentisti Bledar Bujupi, boksieri Xhevdet Peci, kolegu nga Muzeu Kombëtar i Kosovës Arban Sopjani, profesoresha e muzikës Seniha Spahiu, grafisti Bahri Drançolli, muzicienti Arlind Gjikolli, këngëtari Eduard Meraku, klarinetisti i ansamblit “Shota” Mentor Krasniqi, gazetari sportiv Milaim Krasniqi, muzicienti Erin Godanci, atleti Ismet Abazi, hendbollisti Valbon Shala, mësuesja e pianos Hadije Gjinali”, thuhet në postimin e Çekut. /KultPlus.com

Apeli i Policisë së Kosovës: Kujdes me mjetet piroteknike, festoni pa armë

Policia e Kosovës ka hartuar dhe është gati për planin operativ për festat e fundvitit, përmes të cilit synohet mbrojtja e paqes publike, transmeton KultPlus.

Në komunikatën e zbatimit, synimi parësor i këtij plani është që nëpërmjet aktiviteteve dhe jo vetëm, veprimtarive operacionale të rendit dhe të vendit publik në të gjithë territorin e tij.

“Qëllimi i hartimit të këtij plani është që përmes shtimit të prezencës policore dhe vigjilencës së zyrtarëve policorë të arrihen patrullime të shtuara, prezencë policore më e madhe në terren, përfshirë sheshet ku pritet të ketë më shumë qytetarë si dhe prezencë policore në rrugë për të ofruar siguri në trafik”, thuhet në komunikatë.

“Duke apeluar tek të gjithë qytetarët që gjatë festimeve të jenë të kujdesshëm, të festojnë me zemër e jo me armë, të kujdesen sidomos te përdorimi i mjeteve piroteknike ku kërkohet monitorim nga të rriturit, po ashtu të kenë kujdes të shtuar në trafikun rrugor e të mos drejtojnë automjetet nën ndikim të alkoolit”, thuhet në komunikatë. /KultPlus.com

Mehaj: E ardhmja jonë është në NATO

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se vitin 2022 Kosova po e mbyllë me 850 ushtarë dhe kadetë të rinj, 84 për qind më shumë investime në pajisje ushtarake dhe me mbi dy mijë e 500 ushtarë të trajnuar jashtë vendit vetëm këtë vit, shkruan KultPlus.

Mehaj, përmes një postimi në Facebook, ka theksuar se e ardhmja e FSK-së është në NATO.

Postimi i plotë i Mehajt:

“Viti 2022, vit suksesesh për Forcën e Republikës sonë!

Po përmbyllim vitin me 850 ushtarë dhe kadetë të rinj, 84% më shumë investime në pajisje ushtarake, dhe me mbi 2500 ushtarë të trajnuar jashtë vendit vetëm gjatë këtij viti.

Ushtria e Republikës së Kosovës më nuk ka kufizim në numër përsa i përket ngritjes së kapaciteteve ushtarake, dhe të gjithë të rinjtë e të rejat ndërmjet moshës 18-25 vjeç mund t’i bashkohen Forcës që është në shërbim të atdheut.

E ardhmja e ushtrisë sonë është në NATO, ngase në përputhje të plotë me misionin e kësaj aleance janë edhe qëllimet tona.

Përkrah ushtrive të shteteve mike do të vazhdojmë rrugëtimin tonë për konsolidim, ngritje të kapaciteteve profesionale dhe operacionale të FSK-së, në funksion të misionit kushtetues për garantimin e sigurisë, territorialitetit, mbrojtjes së qytetarëve dhe ruajtjes së stabilitetit të shtetit.

Urime ushtarakë për çdo rezultat që keni treguar në garat dhe ushtrimet ndërkombëtare, për profesionalizmin mbresëlënës dhe për karakterin luftarak e human të pashoq.

Ju jeni krenaria jonë më e madhe!”, ka shkruar Mehaj. /KultPlus.com

“Top Gun: Maverick”, filmi më i mirë i vitit 2022

“Top Gun: Maverick”, filmi më i mirë i vitit 2022. Këtë vlerësim e bëri faqja e internetit dedikuar filmit Screen Rant, bazuar në votat e fansave në mediet sociale.

Ky film që është vazhdimësi e filmit Origjinal Top Gun të vitit 1986,  u shfaq në kinema para vikendit të ditës Memorial Day në SHBA, dhe prej atëherë u bë e qartë se ishte dhe është një prej filmave më të mirë të vitit. Ai u popullarizua edhe para lansimit. Sipas të dhënave për të, ky film ia kalon filmit të parë.

“Top Gun: Maverick” u pëlqye nga audienca, dhe kështu me shfaqje të tij muajt në vijim theu disa rekorde në boks office.

Veç filmit “Top Gun: Maverick”, fansat votuan edhe filma të tjerë.

Pas tij në radhë vijnë: “The Batman”, dhe “Everything Everywhere All At Once”. Më pas vijnë edhe “Avatar: The Way of Water” dhe ‘Black Panther: Wakanda Forever”.

Filmi “Top Gun: Maverick” për audiencën më në moshë sjell nostalgji nga filmi i parë, megjithatë shihet se ai është i preferuar edhe nga audienca e re.

Aktori Tom Cruise në të sjell skenat apo truqet ashtu siç kishte premtuar.

Nuk ndodh shpesh që një film si ky të pushtojë mendjet e të dy palëve, si kritikëve, asht edhe të audiencës, fansave të të gjitha moshave, andaj sipas Skrin Rent, edhe meriton të vlerësohet “filmi më i mirë” i vitit./21Media /KultPlus.com

Koncert spektakolar i Rona Nishliu dhe New Big Band në Mitrovicë

Rona Nishliu & the New Big Band, me programin e aranzhuar nga profesionistët më të shquar nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia, ngrohën zemrat e audiencës mitrovicase me koncertin e fundit të këtij viti, duke kujtuar me mallëngjim traditën e pasur muzikore të këtij qyteti, e duke festuar mu në të njejtën sallë, në frymën e disa dekadave më parë.

Disa nga këngët e aranzhuara enkas për këtë koncert e të performuara nga Rona Nishliu ishin: “Loçkë” nga TNT, “Më lehtë pa dhimbje” nga Muharrem Qena, “Moj e mira te pojata” nga MAK, dedikim Haki Misinit dhe Mehmet Tupella, si dhe “A ka arsy” me Bim Bimma, ndërsa kënga ikonë “Suus” duke qenë se u përformua për herë të parë në Kosovë pas festivalit të Eurosong, u pritë me shumë ovacione nga audienca në sallë.

Ky aktivitet është organizuar nga 7Arte në kuadër të programit të sivjetëm të Green Fest-XII, dhe se i njejti është përkrahur financiarisht nga Ministria për Kulturë, Rini e Sport, si dhe DKRS-Komuna e Mitrovicës. Fotografitë: Majlinda Hoxha. /KultPlus.com

Thesi

Poezi nga Nerimane Kamberi

Desha të ua uroj një thes të mira
si thesi me të cilin e kemi mbështjell koven e bredhit
si thesi i babadimirit,
një thes i thjesht.
Të ju dëshiroj
Të mira
Më te mira se të vitit të kaluar
Të ju dëshiroj mendtë
Për të mos ia varur atyre të pamendve
Që ua zëjnë rrugën
Si macat e zeza
Që të sjellin ters
Gëzuar të dashurit e mij
Ju që jeni e ju që nuk jeni më
Por që shndërrisin në qiell si ylli mbi bredh
Ju që “të dua” më thoni me sy, me gojë,
Shqip, frëngjisht, anglisht,
Nga afër, nga larg,
Në Prishtinë e në gurbet.
Gëzuar miqtë e mij,
të kafës së mëngjesit,
të martini biancos e të verës së kuqe,
të librave e të valleve, të këngave
të poezive e të filmave,
të improvizimeve e të protokoleve.
Të festojmë
sa të biem përtoke
në dysheme në dhomat tona,
në asfaltin e kryeqytetit
e në baltën e katundit!
E kur kthjellemi,
vitin e ardhshëm,
shohim se çdo vit e njejta procedurë,
e çdo vit budallenjtë e vet! /KultPlus.com

‘Zare trëndafile’ nga e mrekullueshmja Tefta Tashko-Koço (VIDEO)

Tefta Tashko-Koço, artistja që më zërin e saj të veçantë dhe tejet emocionues bëri për vete zemrat e publikut shqiptarë, njihet si një këngëtare e shquar lirike në interpretimin e këngës popullore qytetare mbarëshqiptare, shkruan KultPlus.

Interpretimet e saj janë vlerësuar gjithmonë dhe ende gjeneratat e kaluara e kujtojnë me mall dhe nostalgji kohën kur ajo interpretonte dhe vazhdojnë t’i dëgjojnë këngët e saj me shumë dashuri.

Tefta Tashko-Koço ishte sopranoja, që për herë të parë në repertorin e koncerteve të saj, krahas arieve të klasikëve botërore, futi dhe kënge popullore qytetare shqiptare. Janë të paktën 89 këngë nga të gjitha trevat e Shqipërisë që ajo i këndoi. Madje 36 prej tyre i regjistroi në pllaka gramafoni në Itali dhe Francë.

Tefta ishte vajza e patriotit të shquar shqiptar nga Frashëri i Përmetit, Thanas Tashkos i cili prej vitit 1910 qe vendosur familjarisht në Egjipt. Me vdekjen e Thanas Tashkos më 1915, familja e tij kthehet në Korçë në vitin 1921. Në Korçë kemi aktivizimet e para të Teftës si këngëtare dhe data 26 qershor 1926 mbahet si koncerti i saj i parë në publik. Në shtator të vitit 1927, Tefta me gjithë familjen vendosen në Montpellier, Francë, ku ajo filloi edhe studimet muzikore, për t’i vazhduar ato me sukses në Konservatorin Superior të Parisit. Në vitin 1930, Tefta bën incizimet e para muzikore pranë shoqërisë diskografike “Pathe”-Paris, si pjesëmarrëse në grupin e këngëtarit të shquar të polifonisë himariote Neço Mukon.

Me përfundimin e studimeve, Tefta kthehet në atdhe ku më 26 nëntor 1935 shënohet edhe koncerti i saj i parë si këngëtare profesioniste në Shqipëri koncerte të cilat ajo i dha në shumicën e qyteteve shqiptare. Pikërisht në këto vite, Tefta futi në programet e saj krahas arieve lirike të autorëve të shquar botërorë si Moxart, Guno, Shubert, Verdi, Donixeti, Pergolezi, Belini, Puçini, Rosini, etj, dhe këngët popullore shqiptare, si pjesë integrale e kulturës muzikore popullore shqiptare. Janë rreth 89 këngë popullore të të gjithë qyteteve të Shqipërisë që Tefta i kishte në repertor dhe rreth 36 prej tyre ajo i regjistroi në pllaka gramafoni në vitet 1930, 1937 dhe 1942 në Paris, Francë dhe Milano, Itali. Ndër to po përmend: “Zare trëndafile”, Të dua, moj goc’ e vogël”, Bilbil çapkëni”, Qante lulja lulen”, “Kenke nur i bukurisë”,”As aman, moj lule” etj. Sipas Hysen Files: Tefta diti të nxirrte nga kënga popullore ndjenjën e thellë që populli kishte shkrirë në të. Njihet tanimë faktet se Tefta Tashko i ka mbledhur një shumicë këngësh direkt nga goja e muziktarëve të shuar popullore të vendit tonë. Një gjë të tillë e provon edhe pjesëmarrja e Teftës së bashku me këngëtaren tjetër të shquar Marie Kraja në festivalin e folklorit të mbajtur në Firence, Itali më 30 Maj 1939 krahas këngëtarëve dhe muziktarëve të shquar popullorë të atyre viteve si Adem Mani, Xhevat Boriçi, Kolë Vjerdha, Taip Kraja, Karlo Pali etj.

Në listën e gjatë të këngëve popullore të kënduara nga Tefta do të bashkëngjisnim edhe këngët popullore të përpunuara nga kompozitori Kristo Kono me poezi të Lasgush Poradecit si p.sh “Kroi i fshatit tonë”, apo “Kur më vjen burri nga stani”. Krahas Teftës, do të përmendim edhe dy këngëtare të tjera të shquara në interpretimin e këngës popullore qytetare: Jorgjia Filçe Truja dhe Maria Paluca (Kraja). Në vitin 1945, Tefta këndon në operën e Beogradit me shumë sukses rolin e Mimisë nga opera “Bohemë” e Puçinit dhe atë të Rozinës nga opera “Berberi i Seviljes” e Rosinit. Në vitin e fundit të jetës ka qenë vazhdimisht e sëmurë. Vdiq në moshën 37-vjeçare. / KultPlus.com

Poeti kombëtar Gjergj Fishta duke lexuar vargjet e ‘Lahutës së Malcis’ (VIDEO)

Fishta, i lindur më 1871, ishte frat, shkrimtar (poet e prozator), përkthyes, publiçist, arsimtar, estet, piktor (jo profesionist, mendohet të ketë mbi 20 piktura) deputet, anëtar i Akademisë Italiane të Shkencave dhe mbrojtës i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Për gjysmë shekulli ishte figura mbizotëruese e letërsisë shqipe, madje që kur ishte gjallë u kurorëzua “poet kombëtar”. Pas vitit 1945, kur u vendos regjimi komunist, vepra e Fishtës u ndalua dhe qëndroi e tillë derisa u përmbys diktatura komuniste.
Një incizim në Youtube e tregon zërin origjinal të Fishtës duke lexuar nga “Lahuta e Malcis”, shkruan KultPlus.

Më 1907 boton përmbledhjen satirike “Anzat e Parnasit”, dhe më 1909 përmbledhjen lirike “Pika voëset”, më 1913 “Mrizi i Zanave”. Gjergj Fishta veç krijimtarisë artistike, shkëlqeu edhe në fushën e pedagogjisë e të psikologjisë sociale, gjuhësisë etj. Si mendimtar me potencial të madh teorik dhe me një veprimtari të dendur praktike, në shërbim të mbrojtjes dhe të zhvillimit të gjuhës dhe të shkollës shqipe, ai i kishte vënë vetes si qëllim që të luftojë për të ngritur nivelin kulturor e arsimor të bashkëkombësve dhe për të nxitur tek ata dëshirën për përparim dhe për atdhedashuri, si dy shtylla qe do t’i ndihmonin për të mbajtur në këmbë shoqërinë shqiptare të goditur nga pushteti disashekullorë otoman. / KultPlus.com

75 vite më parë u nda nga jeta diva shqiptare, Tefta Tashko

Zëri i saj është melodioz dhe me një ngjyrë të mrekullueshme që të bën të mahnitesh dhe të rrish e ta dëgjosh kudo që mund të ndodhesh.

Madhështia e saj është aq e jashtëzakonshme sa edhe do bënte edhe francezët të mahniteshin me të. Po kush është kjo soprano lirike dhe Artiste Populli? Legjendarja Tefta Tashko Koço. Tefta lindi më 2 nëntor 1910, në qytetin Fajum të Egjiptit.

Në vitin 1921, në moshën 11-vjeçare sheh për herë të parë Shqipërinë. Familja e saj me origjinë nga Frashëri i Përmetit, braktis kurbetin dhe kthehet në Atdhe. Në kujtimet që na vijnë nga të afërmit e saj në ditët tonë, thuhet se ka qenë një fëmijë gjithmonë i etur me kuriozitetin e moshës dhe me mall prej të rrituri për vendlindjen e prindërve, pasi në vogëli, pëlqeu shumë gjuhën dhe këngët shqiptare që dëgjonte në festa dhe gëzimet familjare.

Dera e Athanas Tashkos ka qenë e hapur gjithmonë për mysfirët, për më tepër ata që ishin ajka e patriotizmës shqiptare në Egjiptit. Kur u rrit, ndjehej krenare që kishte parë Çajupin, Spiro Dinen, Jani Vruhon, Filip Shirokën… E rritur në atë ambient atdhetar, kur erdhën në Korçë me familjen e saj, ndjehej më shqiptare se shqiptarët. Për fat zgjodhën për të jetuar, atë qytet që në vitet ’20, ishte kryeqyteti i kulturës shqiptare. Ishte periudha kur u shfaq për herë të parë, nga disa të rinj që kishin ardhur nga Rumania, drama e Mihal Gramenos “Vdekja e Pirros”.

Personazhet e saj ishin veshur me kostumet e kohës, ndërsa dekoret ishin punuar me shije nga piktori Vangjush Mio. Por, më shumë gjallëri dhe freski i dha jetës artistike banda e shoqërisë “Vatra”, e cila kishte ardhur nga Amerika. Dirigjenti i saj, Thoma Nasi, një muzikant i talentuar, grumbulloi disa muzikantë amatorë dhe krijoi një orkestër të vogël, e cila jepte koncerte me muzikë të lehtë. Pak më vonë u krijua edhe një orkestër me mandolinën e famshme korçare. Të gjithë të pasionuarit pas muzikës dhe artit formuan shoqërinë e “Arteve të bukura”. Jo më pak e njohur në aktivitete ishte edhe grupi muzikor “Lyra”.

Ajo ndjesi që i ishte shfaqur në Egjipt për këngën shqiptare tani 11-vjeçares, iu kthye në dashuri. Shoqet e saj më të rritura, kënaqeshin me zërin e bukur, kur e dëgjonin Teftën, duke kënduar në shkollë ose në mbrëmjet e vogla familjare. Ajo interpretonte këngë të ndryshme, duke shpalosur qartë kujtesën muzikale, sensin e ritmit, shijen për meloditë e bukura… Në ditët e para të janarit të vitit 1922, në Korçë erdhi Fan Noli.

Për të festuar ditëlindjen e këtij demokrati të shquar që e kishte më datë gjashtë, u organizua një koncert. Nga nxënësit e korit të asaj shkolle u dalluan dy vajza. Njëra ishte Tefta dhe tjetra e kishte emrin Jorgjia Truja. Një urim dhe përqafim nga Noli i madh, ishte kujtesë e mjaftueshme për mësuesit e muzikës, që të vlerësonin talentin e tyre. Në vitet që vijuan, u shtuan koncertet artistike, ku pjesëmarrja e Teftës dhe e Jorgjisë ishin të pa diskutueshme.

Gjatë periudhës 1927-1931, Tefta studio në Konservatorin e Muzikës në Montpellier dhe në vitet 1932-1936 studioi në Conservatorie National de Musique et de Declamation të Parisit. Për të hyrë në këtë konservator, Teftës iu desh të këndojë në sallën Gaveu, aktin e katërt të operas “Traviata”. Juria e përbërë nga personalitetet muzikore më të shquara franceze, i akordoi Çmimin e Dytë. Në koncertin e dytë po për të njëjtin rast, ajo këndoi La cavatine du Page nga opera “Les Huguentos”, fitoi Çmimin e Parë.

Qëndrimi nëntë vjeçar i Teftës në Francë, shënoi jo vetëm kalimin nga faza e rinisë (17 vjeç) në atë të maturimit fizik dhe intelektual (26 vjeç), por dhe i përshtatjes në një ambient krejt të ndryshëm nga ai i Korçës. Gjithsesi, ajo nuk e zbehu për asnjë çast, dashurinë për Shqipërinë. Ndoshta në këtë mirësi dhe ndjesi të saj, ndikoi edhe qëndrimi pranë saj i familjes (nëna, vëllai dhe motra e madhe). Pra, ishte po ajo jetesë dhe tradita shqiptare që e shoqëruan në gjithë kohëqëndrimin e Francës.

Kështu për dhjetë ditë me radhë, ajo u shkëput nga Montpellier dhe qëndroi në Paris. Gjatë gjithë kohës, Tefta punoi me pasion dhe përkushtim për të realizuar sa më mirë regjistrimet. Shtangu dhe u emocionua shumë kur dëgjoi disa nga këngët polifonike. Një bashkëpunim që i la mbresa të pashlyeshme, duke ia shtuar edhe më shumë dëshirën dhe merakun për perlat e këngës popullore shqiptare.

Gjatë studimeve në Francë, ajo u vlerësua shumë nga pedagogët e Konservatorit të Parisit, drejtues artistikë të Radios së Parisit dhe kritikë muzike. Edukimi në Francë, bëri që ajo të asimilojë në mënyrë të veçantë, repertorin vokal klasik francez, ku prioritet për përgatitje ishte njohja mirë e mjeteve karakteristike shprehëse muzikore si dhe e gjuhës frënge. Tefta ishte pjesëmarrëse në dy konkurse që organizoi Teatri i Operas komike franceze.

Ajo interpretoi në rolet kryesore të dy veprave të mëdha dhe shkëlqeu me madhështinë e saj. Vlerësimi që iu bë këngëtares sonë nga kritikë të njohur parisienë, përmes artikujve të botuar në gazetat kryesore të kohës, janë pika më e lartë që ajo arriti gjatë karrierës së saj studenteske në Francë.

Pjesëmarrja e saj në konkurse, koncerte, opera, dhënia e programeve në Radiostacionin e Parisit dhe fitimi i çmimeve dhe i diplomave të ndryshme në këto manifestime muzikale, dëshmojnë për një këngëtare me vlera të padiskutueshme. Pikërisht në këtë kohë, Teftës i krijohet shansi për të lidhur kontratë me një nga drejtuesit më të mëdhenj të teatrove të operave të Nju-Jorkut.

Përgjigjja, e Tefta Tashkos tashmë dihet… Me kthimin në Shqipëri në vitin 1936, përveç programeve koncertale me muzikë dhome dhe operistike, ajo iu përkushtua interpretimit të këngës lirike qytetare shqiptare.

Në Arkivin Qendror të Shtetit, në mes të fletëve të një pasaporte të huaj, me të cilën këngëtarja jonë ishte e pajisur kur ndodhej jashtë, gjendet një gjeth i vogël i tharë.

Mbi të, Tefta ka shkruar me kujdes frëngjisht, vetëm dy fjalë:

“Vdes dhe s’tërhiqem”.

Ishte motoja e jetës së saj, e shkurtër, por e denjë për të mbetur përjetësisht, Artiste e Popullit!

Këngët popullore të kënduara nga Artistja e Popullit, Tefta Tashko Koço

Çelni ju, moj lule, çelni.
Edhe ky bilbil.
Fryn veriu. (Teksti: L. Poradeci).
Kur më vjen burri nga stani.
Ishin dy kunata.
Kroi i fshatit tonë (Teksti: L. Poradeci).
Të dua, moj goc e vogël.
Dolla në penxhere.
As aman, moj lule.
As u gremis, moj lejthatë.
Moj hyrije, bukurie.
Kur më shkon sokakut.
Fol e qesh, moj sylarushe. (Teksti: M. Gura).
Qante lulja lulen.
Ku do shkosh, moj goc e vogël.
M’at’fush’ t’mejdanit.
Kënga e bilbilit.
Fustani me pika.
Po këndon bilbili fushave.
As aman, o syri i zi.
Ma ven dorën përmbi dorë.
Këngët popullore të incizuara në shoqërinë fonografike “Columbia” – Milano 1942

Un’, o ty moj të kam dashur.
Kjo- dashtnija kjoft mallkue.
Kenke nur’ i bukurisë.
Për një ditë, kur del gaca në pazar,
Këndon kumrija.
6 Metelikun ta kam falë.

Ma ven dorën përmbi dorë.
Dallëndyshe vaj, vaj.
Qante lulja lulen.
Moj fëllanxë.
Sa me shpejt ma vunë, moj, kambën.
Dy gisht përmbi vetull.
Moj Hyrije; bukurie.
Shamija e beqarit.
Iku nata.
Del një vashë prej hamami
Zare trëndafile.
Të dua, moj goc’ e vogël.
As aman, moj lule.
Kroi i fshatit tonë.
O moj sylarushe.
Dolla në penxhere.
Bilbil çapkëni.
As u gremis, moj lejthate.
Dashtnuer tu bana.
Ani, moj Hatixhe.
Seç kënd on bilbili mali te.
Shkaperceva dy-tri male.
Edhe ky bilbil ç’ka qenke një zog.
Kam shtëpinë e vogël.
I kam hypë vaporit.
Fry, moj er’ e malit.
O në atë fushë t’mejdanit.
Edhe gurët e sokakut.
Iku shpejt edhe pse erdhi “vonë” në Shqipëri.

Bazuar në shkrimin e gazetës “Diana”, 1938. / KultPlus.com

‘Avatar: Rruga e ujit’, thyen rekord, mbledh 1 miliard dollarë në 2 javë

“Avatar: Rruga e Ujit ” ka arritur shifrën prej 1 miliardë dhe i bashkohet listës së filmave që “thyen arkat” pasi ka arritur shifrën e pabesueshme në më pak se dy javë pas daljes në kinema.

Siç konfirmohet nga themeluesi dhe redaktori i BoxOfficeGuru, Geetesh Pandya, filmi i dytë fantastiko-shkencor që vazhdon historinë nga bota e Pandorës ka fituar mbi 300 milionë dollarë në arkat e SHBA-së dhe 700 milionë dollarë ndërkombëtarisht.

Për James Cameron , filmi shënon një tjetër arritje historike, pasi “Avatar: The Way of Water” është filmi i tij i tretë (së bashku me Avatarin e parë dhe fituesin e Oskarit “Titanic”) që ka tejkaluar shifrën 1 miliard, dhe tani qëndron përkrah Steven Spielberg në listën e regjisorëve me fitimet më të larta në mbarë botën.

Avatar 2 arriti një miliard, më herët se sa pritej dhe po shkon drejt një suksesi të madh në arkë. Në fund të fundit, ky numër ishte qëllimi i Disney, që produksioni të përballonte shpenzimet e mëdha të filmit dhe të shmangte humbjen.

Siç kishte raportuar “Collider” rreth 24 orë më parë, filmi arriti të bënte një “hapje” të madhe në fundjavën e Krishtlindjeve, pasi kaloi 82 milionë dollarët në 4202 kinema.

Shuma që u desh për të realizuar filmin

Siç dihej, buxheti i Avatar 2 ishte rreth 250 milionë dollarë, por kjo shumë duket se është rritur pothuajse në dyfish. Sipas informacioneve të The Hollywood Reporter, shuma aktuale që është dashur për të xhiruar vazhdimin e James Cameron varion nga 350 deri në 400 milionë dollarë.

Siç raportohet në mediat e huaja, filmi më i shtrenjtë i bazuar në buxhetin e prodhimit, i cili gjithashtu arrin disa qindra milionë, është “Pirates of the Caribbean: On Stranger Tides” që kushtoi 379 milionë dollarë. Pra, nëse përafërsisht buxheti i Avatar 2 arrin në 400 milionë dollarë, atëherë ai zyrtarisht është filmi më i shtrenjtë i të gjitha kohërave.

Produksione të tilla duhet të bëjnë dyfishin e buxhetit të tyre, që të mos kenë humbje, pasi duhet të kenë parasysh edhe qindra milionë dollarët për reklamimin e tij, që në rastin e Avatar-it në 2009-ën arriti në 150 milionë.

Sinopsi i filmit

Avatar: The Way of Water zhvillohet më shumë se 10 vjet pas ngjarjeve të filmit të parë dhe fillon të tregojë historinë e familjes Sully (Jake, Neytiri dhe fëmijët e tyre), vuajtjet që i pasojnë, ekstremet që do të arrijnë. për të qëndruar të sigurt, betejat që do të bëjnë për të qëndruar gjallë dhe tragjeditë që do të durojnë.

Kanë kaluar 13 vjet që nga publikimi i filmit të parë. Sam Worthington dhe Zoe Saldana kthehen në rolet e tyre si Jake dhe Neytiri dhe jetojnë me familjen e tyre, të cilët janë rritur në botë të reja nënujore në planetin idilik të Pandorës.

Kalaja e Kepit të Rodonit mes historisë dhe kultit

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore ka publikuar për “të premten e monumenteve” një album fotografik nga Kalaja e Currilave në Muzhlin e Skënderbeut.

Ndryshe e njohur edhe si kalaja në Kepin e Rodonit, ajo është një Monument Kulture, I kategorisë së parë.

Kalaja është e ndërtuar në shek. XV. Sipas dëshmive më të hershme, kalaja ka pasur planimetri katrore me katër kulla.

Në ditët e sotme nga fortesa ruhet vetëm kulla qendrore me lartësi 10 metra dhe një pjesë e vogël e mureve. Si rezultat i veprimtarive erozive të ujërave të detit, një pjesë e mureve janë zhytur nën ujërat e detit Adriatik.

Vizitorët mund të shikojnë muret e jashtme të anës së djathtë, të cilat përfundojnë me një kullë të rrumbullakët. Pranë kalasë ndodhen edhe rrënojat e Kishës së Shën Pjetrit, të cilat konsiderohen nga banorët si vend i shenjtë./atsh/ KultPlus.com

Atdheut

Poezi nga Gjergj Fishta

N’ty mendoj kur agon drita,
Kur bylbyli mallshëm këndon
N’ty mendoj kur soset dita
Terri botën kur e mblon.

Veç se ty të shoh andërr,
Veç se ty të kam në mendim
Ndër t’ vështira ti m’je qandërr,
Për ty leht më vjen çdo ndëshkim.

Tjera brigje, fusha, zalle,
Unë kam pa larg tue ba shtek,
E përgjova tjera valle
N’tjera lule syu mu rrek.

Por nji fushë ma blerët nuk shtrohet,
Por nji mal ma bukur s’rri.
Ma i kulluem nji lum s’dikohet,
Moj Shqypni por si i ke ti.

N’ty ma i bukur lulzon prilli,
Jan ma t’kandshme stin e mot,
N’ty bylbyli pa le Dielli
Këndon ma ambël t’ Madhit Zot.

Pa ty lules s’mi vje era,
Pa ty pema frut nuk m’bjen:
Mue pa ty s’më del prandvera.
Pa ty Dielli nuk m’shkëlzen.

Derisa mundem me ligjërue,
E sa gjall me frymë un jam
Kurr Shqypni s’kam me t’harrue
Edhe n’vorr me t’përmend kam./ KultPlus.com

Osmani: Sakrifica e dëshmorëve dhe e veteranëve do të na shërbejë si udhërrëfyes për forcimin e shtetit

Në Ditën e Veteranit të UÇK-së, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se, kujtojmë me respekt vajza e djem të UÇK-së, të cilët e bën të mundshme lirinë tonë.

Ajo tutje ka kujtuar edhe sakrificën e komandantit Adem Jashari me familje.

Statusi i plot i Presidentes Osmani:

Në Ditën e Veteranit të UÇK-së, kujtojmë me respekt të gjithë ata djem e vajza të Ushtrisë sonë Çlirimtare, të cilët e bën të mundshme lirinë tonë.

Sot kujtojmë edhe sakrificën e komandantit legjendar Adem Jashari me familje, i cili më 30 dhjetor të vitit 1991 pati betejën e parë me forcat e regjimit gjenocidal serb, duke shënuar fillet e rezistencës së armatosur dhe njëherit paralajmërimin e lirisë sonë.

Sakrifica e dëshmorëve dhe e veteranëve të UÇK-së, do të na shërbejë si udhërrëfyes për forcimin e shtetit dhe mbrojtjen e lirisë së fituar me mund! / KultPlus.com

82 vjet pa “Nderin e Kombit”, At Gjergj Fishtën

82 vjet më parë vdiq, dramaturgu, prozatori, publicisti, kleriku i lartë e politikani Gjergj Fishta.

Ai lindi në Fishtë të Zadrimës më 23 tetor 1871 dhe vdiq më 30 dhjetor 1940.

Ndoqi shkollat françeskane në Troshan e Shkodër. Studioi teologji, filozofi e gjuhë të huaja në seminaret dhe institutet françeskane në Sutjekë, Livno, Kreshevo. Më 1902 u emërua drejtor i shkollës françeskane në Shkodër ku vendosi shqipen si gjuhë mësimi. Përfaqësoi shoqërinë “Bashkimi” më 1908 në Kongresin e Manastirit dhe u zgjodh kryetar i Komisionit të Alfabetit shqip.

Krijimtaria e Gjergj Fishtës është e shumëanëshme. Ndër botimet kryesore përmenden: “Vjersha t’përshpirtshme t’kthyem shtyp” (1906), “Mrizi i zanave” (1913, 1924, 1941), “Lahuta e Malcis” (1941) etj.

Fishta u shfaq po aq i suksesshëm dhe i fuqishëm si prozator. Për katër dekada shkroi dhe botoi shkrime me analiza e polemika të natyrës politike, kulturore, arsimore etj.

Fishta zhvilloi sfidën e madhe të trajtimit dhe të çështjeve të estetikës, filozofisë së artit dhe sprovoi kritikën letrare. Është dekoruar me Urdhrin “Nderi i Kombit”. / KultPlus.com

Lëshohen 54 satelitët e parë të gjeneratës së re ”Starlink”

Janë lëshuar 54 satelitët e parë të gjeneratës së re ”Starlink” duke pasuruar konstelacionin SpaceX për internetin global.

Nisja u zhvillua nga platforma 40 e bazës në Cape Canaveral (Florida).

Është nisja e 60-të e vitit 2022 për kompaninë e Elon Musk, me një tjetër që pritet më vonë këtë vit.

Satelitët e gjeneratës së re Starlink janë të parët operacionalë në një orbitë të re, 530 kilometra nga Toka.

SpaceX deri më tani ka marrë dritën jeshile nga Komisioni Federal i Komunikimeve i SHBA-së për të nisur 7 500 Starlinks të rinj, nga 29 988 të planifikuara./ atsh / KultPlus.com

epa09194540 A digital stacked combination of multiple exposures shows a train of brightly-lit SpaceX Starlink 24 mission satellites pass the night sky in train formation near Herrnleis, Austria, 09 May 2021 (issued 12 May 2021). A SpaceX Falcon 9 rocket launched the Starlink 24 mission by US space company SpaceX from Kennedy Space Center in Florida on 07 April 2021. The Starlink mass-produced satellites in low Earth orbit (LEO) work in satellite internet constellations to provide future customers with access to high-speed Internet. EPA/CHRISTIAN BRUNA

Dënohet me 33 vite burg fituesja e çmimit Nobel për Paqe

Ish-udhëheqësja e demokracisë së Mianmarit [Birmani], Aung San Suu Kyi, u dënua me shtatë vjet të tjera burgim, pasi seria e saj e gjatë e gjyqeve përfundoi të premten dhe ajo do të përballet me më shumë se tri dekada prapa hekurave. Fituesja e çmimit Nobel për Paqe u burgos nga ushtria, e cila e mori pushtetin përmes një grushti shteti, vitin e kaluar.

Suu Kyi, 77 vjeçe, është dënuar për çdo akuzë të ngritur kundër saj, duke filluar nga korrupsioni deri te posedimi i paligjshëm i pajisjeve të komunikimit, si dhe shpërfillja e kufizimeve të COVID-19. Më 30 dhjetor, ajo u dënua më shtatë vjet të tjera burgim për pesë akuza për korrupsion në lidhje me punësime, mirëmbajtjen dhe blerjen e një helikopteri për një ministër të qeverisë, rast në të cilin ajo dyshohet se i shkaktoi “një humbje shtetit”.

Suu Kyi, e dënuar me një total prej 33 vjetësh burgim pas 18 muajsh procese gjyqësore që grupet e të drejtave të njeriut i kanë cilësuar si mashtrim, u shfaq në gjendje të mirë shëndetësore, i tha AFP-së një burim i informuar mirë për rastin. “Të gjitha rastet e saj kanë përfunduar dhe nuk ka më akuza kundër saj”, tha burimi, i cili kërkoi të mbetet anonim pasi nuk ishte i autorizuar të fliste për mediat./ KultPlus.com

Tri ditë zi kombëtare për Pelen

Qeveria e Brazilit shpalli tri ditë zi kombëtare pasi futbollisti legjendar brazilian Pele ndërroi jetë në moshën 82-vjeçare.

Në një dekret të publikuar në Gazetën Zyrtare, me nënshkrimin e presidentit Jair Bolsonaro thuhet se “si shenjë treguese e trishtimit për vdekjen e Edson Arantes do Nascimento, Pele, janë shpallur tri ditë zi kombëtare në të gjithë vendin duke filluar që nga publikimi i këtij dekreti”.

Në një postim nga llogaria e tij në Twitter lidhur me vdekjen e Pele-s, Bolsonaro tha se ”Pele e ktheu sportin në art dhe argëtim dhe emrin e Brazilit e transmetoi nëpër botë me futbollin. I uroj durim familjes dhe të dashurve të tij”.

Ceremonia mortore e Peles do të zhvillohet më 3 janar në stadiumin “Santos” ku ai ka kaluar një pjesë të madhe të karrierës së tij./ atsh / KultPlus.com

Vdes ikona e modës, Vivienne Westwood

Dizajnerja e famshme britanike e modës, e konsideruar edhe si ikonë e saj, Vivienne Westwood ka vdekur në moshën 81-vjeçare, konfirmuan përfaqësuesit e saj.

Dizajnerja pioniere bëri emër në skenën e modës në vitet 1970, me dizajnet e saj androgjene dhe qëndrimin ndaj shijeve të kohës.

”Vivienne vdiq të premten e rrethuar nga familja e saj në Clapham, në jug të Londrës”, thanë përfaqësuesit e saj.

Në një deklaratë, bashkëshorti i saj dhe partneri krijues Andreas Kronthaler tha se “unë do të vazhdoj me Vivienne në zemrën time. Ne punuam deri në fund dhe ajo më ka dhënë shumë gjëra për të ecur përpara. Faleminderit e dashur”./ KultPlus.com

Përvjetori i ardhjes së konteshës Geraldina Appony në Shqipëri

Kontesha Geraldina Appony erdhi për herë të parë në Shqipëri, më 30 dhjetor 1937.

Kontesha Appony në vendin e saj njihej me emrin “Trëndafili i Bardhë i Hungarisë”. Ajo zbarkoi në tokën shqiptare pas marrjes së një ftese nga motrat e Mbretit Zogu I, të cilit i ishte treguar një foto e Geraldinës gjatë një balloje të organizuar në Budapest. Kjo paranjohje mes tyre u ndërmor nga Sekretari i Zogut, Jak Koci dhe i dërguari hungarez, Cyczy.

Një muaj pas ardhjes, më 30 janar 1938, Geraldina u fejua me Mbretin Zogu I. Ndërsa, më 27 prill 1938, pasi vunë kurorë, u quajt “Mbretëresha e Shqiptarëve”.

Kontesha lindi në Budapest më 6 gusht 1915, kohë kur kish nisur shkërmoqja e Perandorisë Austro-Hungareze. Ndoqi shkollën angleze në Menton të Francës dhe më pas kolegjin “Sacred Heart” të Pressbaum-it, në Austri, ku kreu edhe Fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Financiare.

Duke u bërë pjesë e familjes mbretërore, Geraldina 22-vjeçare nisi të ushqente një dashamirësi ndaj vendit ku u martua dhe ku ndërroi jetë në moshën 87-vjeçare në vitin 2002./atsh/ KultPlus.com

‘Washington Post’: 2022-shi vit i zi për miliarderët amerikanë

Miliarderët amerikanë të teknologjisë së lartë u varfëruan në vitin 2022 pasi, sipas ”Washington Post”, ata humbën 433 miliardë dollarë.

Elon Musk ka humbur, 132 miliardë dollarë me rënien e aksioneve të ”Tesla”.

Pavarësisht kësaj, Musk është 139 në kuotën e miliardë dollarëve.

Po ashtu Jeff Bezos pa 84,1 miliardë të bëra tym, me rënien e pothuajse 50% të aksioneve të ”Amazon”.

Edhe nëse Bezos është më i varfër ai vazhdon të ketë më shumë se 100 miliardë, për të qenë të saktë 108.

Mark Zuckerberg dogji 80,.7 miliardë dhe zbriti nga pozicioni i gjashtë në vendin e 25-të, me vlerë vetëm 44,8 miliardë.

Dy themeluesit e Google janë gjithashtu më të varfër: Larry Page dhe Sergey Brin kanë humbur gjithsej pothuajse 88 miliardë (44,8 miliardë Page dhe 43,4 miliardë Brin) dhe tani kanë një vlerë mbi 80 miliardë secili.

Gjërat nuk janë më mirë edhe për Bill Gates.

Themeluesi i Microsoft është varfëruar me 28,7 miliardë dhe pasuria e tij tani është 109 miliardë./ KultPlus.com

Kriza ushqimore, këtë vit u dyfishua numri i personave në botë që vuajnë nga uria

Një krizë e paprecedentë ushqimore përfshiu botën në vitin 2022. Në fakt, numri i njerëzve që vuajnë nga uria është rritur me pothuajse 57%, duke u rritur nga 16.1 milionë në 25.3 milionë në tetë vendet më të prekura në tre vitet e fundit.

Sipas raporteve të Save the Children. Afganistani, Republika e Afrikës Qendrore, Republika Demokratike e Kongos, Haiti, Somalia, Sudani i Jugut, Sudani dhe Jemeni janë vendet ku popullsia po përpallet më kushtet më të vështira, përfshirë aksesin në ushqime./abcnews/ KultPlus.com

Pamje të pabesueshme nga Ontario: Shtëpitë mbulohen plotësisht me akull

Një stuhi që goditi kontinentin amerikan i ka kthyer shtëpitë në brigjet e një liqeni në Ontario, në një qytet të vogël “të kristaltë”, ku ndërtesat janë mbuluara me shtresa të trasha të akullit.

Një fakt interesant është se ky qytet bregdetar në qarkun Fort Erie quhet Crystal Beach (Plazha e Kristaltë), ku temperaturat e ulëta dhe bora kanë krijuar “vila të kristalta”.

Banorët e Fort Erie thanë se valët e liqenit u përplasën me muret e shtëpive të tyre gjatë ditëve të kaluara, raporton cnn.

“Uji u ngriu në pjesën e pasme të shtëpive. Kështu që ju thjesht mund të imagjinoni vëllimin dhe forcën e ujit që vjen mbi mur dhe e godet atë dhe pastaj ngrihet menjëherë – është absolutisht e pabesueshme”, tha Derek Tupling.

Në Fort Erie temperaturat gjatë natës së sotme ranë në minus 20 gradë Celsius. Parashikuesit e Shërbimit Kombëtar të Motit paralajmëruan se erërat mbi liqenin Erie do të ishin në 90 kilometra në orë dhe se valët mund të arrinin më shumë se shtatë metra.

Ndryshe, temperaturat në zonën e Fort Erie pritet të rriten rreth 20 gradë mbi normalen gjatë të premtes. / KultPlus.com

‘Unë ty moj të kam dashtë’, nga zëri magjik i sopranos Marie Kraja (VIDEO)

Sopranoja e njohur Marie Kraja, mbetet ndër më të preferuarat për të gjithë ata që e dëgjuan për vite me radhë zërin e saj magjik, zë ky i cili edhe sot mbetet ndër më të komentuarit e dëgjohet me shumë nostalgji, shkruan KultPlus.

Edhe pse me një jetë artistike të pasur në skenat e Italisë, Austrisë, Gjermanisë, etj, karriera e saj lidhet ngushtë me gjithçka që ndodhi në muzikën shqiptare.

Me themelimin e TOB, Marie Kraja bëhet ndër solistet e para. Së bashku me plejadën e parë të këngëtarëve shqiptarë, Tefta Tashko Koço, Kristaq Antoniu, Mihal Ciko, Jorgjie Truja, etj,

Ajo interpretoi në rolet kryesore të veprave të para operistike shqiptare, si “Mrika”, “Lulja e Kujtimit”, si dhe të një sërë veprash të huaja si “Rusalka”, “Ivan Susain”, “Nusja e shitur”, “La Traviata”, “Jollanda”, “Dasma e Figaros”, etj.

Përveç roleve operistike, pjesë e repertorit të saj janë dhe shumë arie, romanca, pjesë koncertore, si dhe mbi 300 këngë popullore, sidomos ato të veriut. Repertori i saj i këngëve popullore përfshinte traditën mbarëshqiptare të këngës popullore qytetare duke filluar me këngët e qyteteve Pejë, Gjakovë, Shkodër, Korçë, Berat, Elbasan, Tiranë etj. Ndër këngët popullore të kënduara nga Marie Kraja përmendim: “Çila sytë me të pa”, “Dola në penxhere”, “Marshalla bukurisë sate”, etj. I gjithë ky repertor u realizua në qindra koncerte brenda dhe jashtë Shqipërisë, në Kinë, Kore, Gjermani, Itali, Çekosllovaki, Hungari, Bullgari, Bashkimin Sovjetik, etj, dhe një pjesë e tij është i dokumentuar në fondin muzikor të Radio Televizionit shqiptar. Regjistrimin e parë të këngës popullore e ka bërë në pllaka gramafoni në vitin 1940 me këngën “Çilni ju moj lule”.

Sa i përket aktivitetit pedagogjik, nis që me krijimin e shkollave të para të muzikës në Shqipëri, Liceu Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, në vitin 1946 dhe Konservatorit Shtetëror të Tiranës në 1962 dhe vazhdoi deri në fund të jetës, pavarësisht nga dalja e saj në pension në vitin 1966. Për meritat e saj si artiste dhe mësuese Maria Kraja u nderua me çmime, medalje dhe tituj të ndryshëm. Është “Artiste e Popullit”, mban Urdhërin “Naim Frashëri” të klasit të parë, medaljen “Mjeshtre e Madhe e Punës” dhe Laureate e Çmimit të Republikës së Klasit të Parë./KultPlus.com