Ambasadori i SHBA-ve në Prishtinë, Jeffrey Hovenier i është bashkuar përkujtimit për Masakrën e Reçakut ndodhur 24 vite më parë.
Në një postim në twitter, diplomati Hovenier thekson se “në përgjigje të kësaj mizorie dhe të tjerave, SHBA bashkë me aleatët e NATO-s, vepruan për mbrojtjen e civilëve të pambrojtur, në emër të paqes, lirisë dhe stabilitetit”.
“Askush mos ta harrojë apo mohojë atë që ka ndodhur këtu apo pse Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë dolën në mbrojtje të popullit të Kosovës”, shprehet ambasadori.
Diplomati amerikan nënvizon se: “ne besojmë që të gjithë njerëzit, pavarësisht etnisë apo fesë, meritojnë dinjitetin e të jetuarit në liri dhe siguri”. /KultPlus.com
Kangët qi t’i kndova, ka me i tretun era,/ Emni i yt në zêmer t’eme ka me u shlye,/ Ti duej ke të duesh tash qi ka dalë Prenvera,/ Së na lidhë mâ gjâ, u zgidh, u zgidh ky nye.
“Tingëllimë”, kështu titullohet soneta e dashurisë, e shkruar nga Ernest Koliqi në prill të vitit 1923. Ishte në moshën 20 vjeç kur e shkroi këtë poezi dhe kishte vetëm dy vite që ishte kthyer në Shqipëri. Pas katër vitesh studime në Itali, ku kishte botuar edhe krijimet e para poetike në italisht, Koliqi u kthye në Shkodër, ku Luigj Gurakuqi e shtyu të merrej seriozisht me krijimtari letrare. Dy vjet më vonë, së bashku me patër Anton Harapin themeloi gazetën “Ora e malevet” mjaft e sukseshme në fushën politike e letrare të kohës. 27.al publikon dorëshkrimin e kësaj tingëllimë dashurie të rinisë së hershme të Ernest Koliqit. Dorëshkrimi ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit ka në fund datën e krijimit 29 prill 1923.
Një variant i këtij soneti është botuar nga Koliqi në vëllimin poetik “Gjurmat e stinëve” në vitin 1933, por ka shumë ndryshime. Rezulton, pra të jetë botuar plot 10 vjet, pasi është shkruar. Më poshtë botohet varianti original i tingëllimës së dashurisë së bashk u me variantin e ripunuar e i botuar bashkë me fotokopjen e dorëshkrimit original
Dorëshkrimit të vitit 1923
Tingllim
Hjek keq por së kthej te ti. Qe, lott i tera.
Mbas tashit nji pikë lodje së derdh për ty.
S’ke mbetë ti vetëm, ka edhe varza tjera
Por nuk më kan bâmun dritë der’ sot këta sy.
Kangët qi t’i kndova, ka me i tretun era,
Emni i yt në zêmer t’eme ka me u shlye,
Ti duej ke të duesh tash qi ka dalë Prenvera,
Së na lidhë mâ gjâ, u zgidh, u zgidh ky nye.
Pertrihet në ket stinë të bukur marë natyra,
Dhe shpirti i em në kto dit ka m’u pertri,
E krejt jets’ s’eme do t’i ndrrojë, po, ftyra.
Mbas tashit ti në dash më duej e në dash mos më duej,
Por lulet qi shperthejnë sivjet në ket shtëpi
Nuk çilin ma per ty. Janë të tjeterkuej.
29 prill 1923
Varianti i botuar në vitin 1933 në vëllimin poetik “Gjurmat e stinëve”
***
Vuej por spajtohem mâ. Qe, lott I tera:
Pikën e lotit s’e qes mâ për tye.
Kâng’t qi t’i knova le t’i humbi era
Si emnin qi prej zêmret due me shlye.
Mallet e mija si ndër stina tjera
Pran’ teje mâ për t’gjall’ nuk kam me i shfrye:
Ti duej kê t’duesh tashti qi u çel prendvera
Pse kurgjâ mâ s’na lidhë: u zgjidh ky nye.
Si përtrihet kso stine mbar’ natyra
Ashtu edhe shpirti i im ka m’u përtri:
ty n’andrra t’mija mâ s’do t’ndrisi ftyra.
Kujtimin t’and me rrâjë un due m’e zhbi.
Flakën hyjnore, dashunis qi t’fala,
t’ia shuej heshtueshëm e harresës vala./ KultPlus.com
Meksika ka filluar të zbatojë një nga ligjet më të ashpra kundër duhanit, pasi parashikon ndalimin e plotë të pirjes së duhanit në vende publike.
Ky ligj, i cili u miratua për herë të parë në vitin 2021, përfshin edhe ndalimin e reklamimit të cigareve. Dhe kjo do të thotë që cigaret nuk duhet të shihen as nëpër dyqane.
Shumë vende të Amerikës Latine kanë miratuar legjislacionin që parashikon krijimin e hapësirave publike ku nuk lejohet pirja e duhanit.
Megjithatë, ligji në Meksikë konsiderohet ndër më të rreptat në botë.
Deri më tani, pirja e duhanit ka qenë e ndaluar në Meksikë në restorante dhe në vendet e punës, por tani ndalimi përfshin edhe parqet, plazhet, hotelet dhe zyrat.
Kjo do të thotë se pirja e duhanit mund të konsumohet vetëm në shtëpi dhe banesa private.
Organizata Amerikane e Shëndetësisë e ka mirëpritur këtë hap dhe ka përgëzuar qeverinë meksikane për zbatimin e ndalimit.
Kjo organizatë ka thënë se konsumimi i duhanit është ndër shkaqet kryesore të vdekjeve në botë.
Vapes dhe e-cigaret janë gjithashtu subjekt i kufizimeve të reja më të rrepta, veçanërisht në ambiente të mbyllura.
Organizata Panamerikane e Shëndetësisë e ka përshëndetur hapin dhe e ka duartrokitur Qeverinë meksikane për zbatimin e ndalimit.
Organizata ka thënë se përdorimi i duhanit është shkaku i vetëm më i parandalueshëm i vdekjeve në botë, përgjegjës për gati një milion vdekje në kontinentin amerikan çdo vit, qoftë nëpërmjet konsumimit të drejtpërdrejtë ose ekspozimit ndaj tymit të dorës së dytë.
Megjithatë, disa duhanpirës janë të tmerruar nga natyra drakoniane e ligjit të ri, raporton BBC.
Me korrupsionin policor kaq të shfrenuar në Meksikë, shumë qyetetarë kanë frikë se në vend që të shqiptojnë gjoba apo ndëshkime të tjera për pirjen e duhanit në publik, disa oficerë do ta përdorin atë si një justifikim për të marrë ryshfet. /KultPlus.com
Më 15 janar 1975 vdiq Ernest Koliqi, shkrimtar, përkthyes, studiues i letërsisë, publicist e botues.
Ernest Koliqi lindi në qytetin e Shkodrës, ku ndoqi Kolegjin Saverian të Jezuitëve dhe më pas vijoi shkollimin në Arice të Lombardisë.
U kthye në Atdhe në vitin 1922, ku u integrua shpejt në jetën kulturore dhe politike të vendit, si veprimtar i shoqërive “Bashkimi” e “Atdheu”.
Gjatë viteve 1933-1937 ndoqi studimet e larta për letërsi në Universitetin e Padovas. Në vitet e pushtimit italian u emërua ministër i arsimit.
Në vitin 1943 largohet nga Shqipëria për të marrë drejtimin e katedrës së gjuhës shqipe në Universitetin “La Sapienza”, Romë, ku qëndroi deri në fund të jetës.
Ernest Koliqi është autor i mjaft veprave letrare si: “Kushtrimi i Skënderbeut”, “Hija e Maleve”, “Tregtar famujsh” etj. Ai nuk lëvroi vetëm poezinë, por edhe gjininë e romanit dhe dramës.
U cilësua me të drejtë themelues i novelës shqiptare.
Ernest Koliqi është një ndër intelektualët më vizionarë lidhur me probleme të kulturës kombëtare e çështjes shqiptare. /KultPlus.com
“Le Soir” ka botuar, të shtunën e 12 prillit 1913, në ballinë, një shkrim në lidhje me deklaratën e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit bërë askokohe një gazetari të medias së njohur austriake “Neue Freie Presse” në Vjenë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Çështja shqiptare
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Vjenë, 11 prill.
Ismail Qemali dhe Isa Boletini mbërritën mbrëmë në Vjenë. Ata i bënë deklaratën e mëposhtme një redaktori të Neue Freie Presse :
“Kosova dhe Mitrovica duhet t’i kthehen Shqipërisë.Përndryshe, shqiptarët do të privoheshin nga pjesa më pjellore e vendit dhe ata kurrë nuk do ta pranonin atë.
Paqja në Ballkan do të jetë e pamundur nëse ruhet demarkacioni aktual i Shqipërisë.” / KultPlus.com
Filmi biografik për jetën e Amy Winehouse, e cila u nda nga jeta në moshën 27-vjeçare, me titull “Back to Black” është në fazën e përgatitjes. Regjinë e ka bërë regjisori i njohur i “Fifty Shades of Grey” , Sam Taylor-Johnson. Rolin kryesor e luan Marisa Abela.
Pak orë më parë u publikua fotoja e parë e aktores si Amy Winehouse dhe ngjashmëria mes të dyjave është e pabesueshme. Në foto, e shohim aktoren 26-vjeçare si Amy me flokët e zinj të tërhequr përsëri në flokët voluminoz të këngëtares dhe rrathët e artë në vesh.
Regjisorja e filmit ka ndarë pamjen në llogarinë e saj personale në Instagram dhe në mbishkrim ka shkruar: “Marisa Abela. Kujdes nga të gjithë. Kamerat rrotullohen të hënën”, duke konfirmuar se xhirimet fillojnë të hënën, më 16 janar.
Marisa Abela, nga ana e saj, ka ndarë foton në storyn e saj, ndërsa ka postuar një seri fotosh të saja me të parën që e shfaq përballë një murale të Amy Winehouse në Londër.
Aktorja 26-vjeçare ka lindur në Brighton. Prindërit punonin në industrinë e filmit. Ajo studioi në Akademinë Mbretërore të Artit Dramatik dhe bëri debutimin e saj në vitin 2020 si kryesuese në serialin BBC/HBO “Industry”.
Filmi për Amy Winehouse
Back to Black do të përshkruajë jetën e Amy Ëinehouse nga fillimi i viteve 2000 deri në ngritjen e saj në industrinë e muzikës. Për regjisoren, filmi është kryesisht një “projekt pasioni” për miken e saj të ngushtë dhe që ka pëlqimin e plotë të babait të saj Mitch Winehouse./ KultPlus.com
Bota e kujton si një nga figurat më te zëshëm në histori, i cili kërkoi të drejtat bazike për njerëzit me ngjyrë në SHBA, shkruan KultPlus.
“I have a dream”, apo në shqip “Unë kam një ëndërr” është titulli i fuqishëm i fjalimit madhështor të King, përmes të cilit la një thirrje e mesazh frymëzues i cili kujtohet edhe sot. Ky fjalim mbahet mend si një nga fjalimet më të mira e frymëzuese në historinë e njerëzimit. Më 1963 në marshin protestues në Washington ai i kërkonte SHBA-së që t’i jepte fund diskriminimit racor. Ai ishte zëri i 250 mijë protestuesve të cilët qëndronin në heshtje duke ndjerë çdo fjalë të këtij fjalimi, ndërsa brohoritnin fort pas çdo fjalie.
“Unë kam një ëndërr, që të gjithë njerëzit të jenë të barabartë. Unë kam një ëndërr, që katër fëmijët e mi do të jetojnë një ditë në një vend, ku nuk do të gjykohen nga ngjyra e lëkurës, por nga karakteri i tyre. Sot unë kam një ëndërr”, ka thënë King gjatë fjalimit të tij.
KultPlus po ju sjellë sonte këtë fjalim të fuqishëm:
Njëqind vjet më parë, një amerikan i madh, nën hijen e të cilit qëndrojmë sot, nënshkroi Shpalljen e Emancipimit. Ky dekret i momentit erdhi si drita e një feneri të madh për miliona skllevër me ngjyrë, të cilët ishin përcëlluar në flakët e padrejtësisë përvëluese. Erdhi si një agim në fund të një nate të gjatë të robërimit. Por njëqind vite më vonë, njerzit me ngjyrë ende nuk janë të lirë. Njëqind vite më vonë, jeta e një njeriu me ngjyrë është ende e sakatuar nga prangat e izolimit dhe zinxhirët e diskriminimit. Njëqind vite më vonë, njerëzit me ngjyrë jetojnë në një ishull varfërie në mes të një oqeani të gjerë me prosperitet material. Njëqind vite më vonë, njerëzit me ngjyrë ende brengosen në qoshe të shoqërisë amerikane dhe e ndjejnë veten si në ekzil në tokën e tyre. Prandaj ne kemi ardhur këtu të dramatizojmë një kusht të turpshëm.
Në një farë kuptimi, ne kemi ardhur në kryeqytetin e kombit tonë për të marrë një çek. Kur arkitektët e republikës sonë shkruan fjalët e mrekullueshme të Kushtetutës dhe Shpalljes së Pavarësisë, ata po nënshkruanin një shënim premtues, sipas së cilit, çdo amerikan duhet të ishte trashëgimtar. Ky shënim ishte një premtim se të gjithë njerëzit, po, njerëz me ngjyrë dhe të bardhë, do t’i garantoheshin të drejtat e patjetërsueshme të jetës, liria dhe kërkimi i lumturisë. Është fare e qartë sot se Amerika nuk i ka plotësuar zotimet e premtuara, për sa i përket qytetarëve me ngjyrë. Në vend që të nderojnë këtë detyrim të shenjtë, Amerika u ka dhënë popullit me ngjyrë një çek të keq, një çek në të cilin shënohen “fonde të pamjaftueshme”.
Por ne refuzojmë të besojmë se banka e drejtësisë ka falimentuar. Ne refuzojmë të besojmë se nuk ka fonde të mjaftueshme në kupën e madhe të mundësive të këtij kombi. Prandaj ne kemi ardhur ta marrim këtë çek, një çek që do të na japë mbi kërkesën e pasurisë, lirinë dhe drejtësinë. Tani është koha t’i bëjmë të vërteta premtimet e demokracisë. Tani është koha ta bëjmë drejtësinë një realitet për të gjithë fëmijët e Perëndisë. Do të ishte fatale sikur ky komb të tejkalonte urgjencën e momentit. Njëmijë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e treshi nuk është fundi, por fillimi. Vorbulla e revoltës do të vazhdojë të tundë themelin e kombit tonë deri në ditën e shndritshme që drejtësia do të lindë.
Duhet t’i them diçka atyre që qëndrojnë në pragun e ngrohtë, që i drejton në pallatin e drejtësisë. Në procesin për të fituar vendin tonë të drejtë, ne nuk duhet të ndihemi fajtorë për veprimet tona të gabuara. Le të mos kërkojmë të kënaqim etjen tonë për liri duke pirë nga kupa e zemërimit dhe urrejtjes. Nuk duhet ta ngrijmë përpjekjen tonë në sferën e lartë të dinjitetit dhe disiplinës. Nuk duhet të lejojmë që protestat tona krijuese të degjenerojnë në dhunë fizike. Duhet të ngrihemi përsëri dhe përsëri në lartësinë madhore për të bashkuar forcën fizike me forcën shpirtërore. Jam i vetëdijshëm se disa prej jush kanë kaluar përejtime dhe vuajtje të mëdha. Disa prej jush vijnë direkt nga qelitë e burgjeve. Disa prej jush vijnë nga zona ku kërkimi për liri ju ka lënë të dërrmuar nga stuhia e persekutimeve dhe është tronditur nga era e brutalitetit të policisë. Ne jemi veteranët e vuajtjes krijuese. Vazhdoni të punoni me besimin se vuajtjet e pamerituara janë shpenguese. Shkoni në Misisipi, shkoni në Alabama, kthehuni në Karolinën e Jugut, shkoni në Xheorxhia, kthehuni në Luiziana, shkoni në lagjet e varfra dhe getot e qyteteve veriore, duke ditur se në një farë mënyre situata mund dhe do të ndryshojë. Le të mos zhytemi në lëndinën e dëshpërimit, ju them, miqtë e mi. Edhe pse po përballemi me vështirësitë e të sotmes dhe të nesërmes, unë ende kam një ëndërr. Është një ëndërr e rrënjosur thellë në ëndrrën amerikane.
Unë kam një ëndërr se një ditë ky komb do të ngrihet dhe do të jetojë kuptimin e vërtetë të besimit të tij: Ne mendojmë se këto të vërteta janë të vetëkuptueshme, se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë. Kam një ëndërr se një ditë në kodrat e kuqe të Xheorxhias yjet e ish-skllevërve dhe bijve të të zotëve të ish-skllevërve do të ulen krah për krah në tavolinën e vëllazërisë.
Kam një ëndërr se një ditë, madje dhe në shtetin e Misisipit, një shtet i djersitur me nxehtësinë e padrejtësisë, do të djersisë nxehtësinë e shtypjes, do të transformohet në një oazë lirie dhe drejtësie.
Kam një ëndërr se poshtë në Alabama, ku sundon racizmi i ligë, ku nga buzët e guvernatorit dalin fjalë pa kuptim, djem dhe vajza të vogla me ngjyrë, do të mund të bashkojnë duart me djem dhe vajza të vogla të bardha, si motra dhe vëllezër. Sot kam një ëndërr! Kam një ëndërr se një ditë çdo luginë do të lartësohet dhe çdo kodër dhe mal do të ulet, vendet e ashpra do të sheshohen dhe vendet e lakuara do të bëhen të drejta, dhe lavdia e Perëndisë do të zbulohet dhe të gjithë do ta shohin së bashku.
Kjo është shpresa jonë. Ky është besimi me të cilin kthehemi në Jug. Me këtë besim do të jemi në gjendje ta kthejmë malin e dëshpërimit në një gur shprese. Me këtë besim do të jemi në gjendje ta transformojmë disharmoninë e kombit tonë në një simfoni të bukur të vëllazërisë. Me këtë besim ne do të jemi në gjendje të punojmë së bashku, për të luftuar së bashku, për të mbrojtur lirinë së bashku, me dijen se një ditë do të jemi të lirë. Dhe kjo do të jetë dita kur fëmijët e Perëndisë të jenë në gjendje të këndojnë së bashku me një kuptim të ri “Vendi im është toka e ëmbël e lirisë. Toka ku stërgjyshërit kanë vdekur, toka e krenarisë së pilgrimëve, nga çdo majë mali le të këndojë liria”. Dhe nëse Amerika do të bëhet një komb i madh, kjo duhet të bëhet e vërtetë.
Kështu lëreni lirinë të kumbojë nga majat e kodrave të Nju Hemshajërit. Lëreni lirinë të kumbojë nga malet e gjera të Nju Jorkut. Lëreni lirinë të kumbojë nga lartësitë e Pensilvanisë. Lëreni lirinë të kumbojë nga shkëmbinjtë me dëborë të Kolorados. Lëreni lirinë të kumbojë nga pjerrësirat e Kalifornisë. Por jo vetëm kaq. Lëreni lirinë të kumbojë nga mali i gurit të Xheorxhisë. Lëreni lirinë të kumbojë nga mali i Tenesit.
Lëreni lirinë të kumbojë nga çdo kodër dhe pirg dheu i Misisipit, nga çdo krah mali, lëreni lirinë të kumbasë! Dhe kur kjo të ndodhë, kur ta lejojmë lirinë të kumbojë, kur ta lëmë të kumbojë nga çdo fshat dhe çdo katundth, nga çdo shtet dhe çdo qytet, do të jemi në gjendje të përshpejtojmë ditën kur fëmijët e Perëndisë, të bardhët dhe të zinjtë, hebrenj dhe paganë, protestantë dhe katolikë, do të bashkojnë duart dhe të këndojnë fjalët e ritmit shpirtëror të njerëzve me ngjyrë “Më në fund të lirë, më në fund të lirë. Lavdi Zotit të Plotfuqishëm, jemi më në fund të lirë”./ KultPlus.com
Miss Kosova, Roksana Ibrahimi, është paraqitur në Miss Universe e mbuluar me shaminë e kuqe, e kësaj ia ka baskëngjitur edhe veprimin e ‘marrjes së dorës’, një traditë kjo e kohërave më të vjetra dhe me origjinë turke, përcjell KultPlus.
E përveç që mund të cilësohet si një veprim patriarkal, ky veprim mund të paraqesë edhe prezantim të traditave që ndonëse janë përdorur dikur në popull, i përkasin një kombi tjetër.
Ajo përmes një postimi në Instagram ka thënë se ky kostum ëstë inspiruar nga dita kur “krushqit” marrin nusen nga shtëpia e vajzërisë per ta dërguar në shtëpinë e re, përkatësisht atë të burrit.
“Shamia e kuqe” nje kostum i punuar me shume perkushtim e dashuri nga @mimoza_kadriaj . Ky kostum eshte inspiruar nga dita kur “krushqit” vijne ta marrin nusen nga shtepia e vajzerise per ta derguar ne shtepine e re, dhe nusja gjate kesaj kohe qendron me shamine ne fytyre duke qare dhe vajtuar qe po le shtepine e saj ku u formua si grua. Perveq gruas vajton dhe e gjithe familja saj qe vajza e tyre po largohet nga ajo shtepi, kurse ne familjen e dhenderrit nuk qan askush por lumturohen. Pikerisht ky kostum signifikon kete.”, ka thënë Ibrahimi në postimin e saj./ KultPlus.com
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka përkujtuar masakrën e Reçakut në 24-vjetorin e saj.
Në një postim në Facebook, BE ka thënë se kujtojnë dhe nderojnë viktimat, duke shtuar se e kaluara nuk mund të zhbëhet por që e ardhmja do të sjellë drejtësi e lehtësim.
“Sot shënohet përvjetori i 24-të i masakrës së Reçakut. Ne kujtojmë dhe nderojmë viktimat dhe ndajmë dhimbjen dhe vajtimin të pangushëllueshëm. E kaluara nuk mund të zhbëhet, por e ardhmja do të sjellë drejtësi, mbyllje dhe lehtësim. Sot vajtojmë me Kosovën.”/ KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti deklaroi sot se ka nisur puna për restaurimin e Kalasë së Lezhës.
Në një postim në rrjetet sociale, Maragriti shprehet se po punohet për fazën e parë të sondazheve që i paraprin zbatimit të projektit, mbi ndërhyrjen emergjente në murin verior në kalanë mesjetare, ku janë evidentuar çarje.
Sondazhet arkeologjike po kryhen në kuadër të projektit “Stabilizimi emergjent i një pjese të murit verior të Kalasë së Lezhës” me zhvillues UNOPS Shqipëri”.
Sondazhet e studimit të terrenit, ku do kryhet ndërhyrja përforcuese dhe stabilizuese në mure kanë përmasa 5×2 m² dhe thellësi maksimale deri në tabanin e shtresave të mundshme kulturore, ndërkohë që sondazhi do të realizohet në formë trench-I dhe me shkallëzime në zbritje.
Margariti thekson se segmenti ku po realizohet ndërhyrja nuk mund të aksesohet me mjete mekanike dhe i gjithë procesi arkeologjik i sondazhit të propozuar po realizohet manualisht.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër, po asiston procesin duke dhënë ekspertizën e saj si dhe duke punuar për pastrimin e zonës së propozuar, nga depozitimet e rrënojave.
Kalaja e Lezhës është pa dyshim një nga objektet më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore ku bashkohen gjurmët e arkitekturës ilire, romake, bizantine dhe osmane dhe që dëshmon lashtësinë e qytetërimit të kësaj zone.
Ky monument i rrallë që i ka mbijetuar shekujve, do të marrë një vlerë të shtuar falë projektit të ndriçimit, i cili do të nxjerrë në pah trashëgiminë kulturore, historike, arkitekturore.
Kalaja mesjetare e Lezhës është ndërtuar mbi rrënojat e Akrolisit antik në shekullin IX-të, duke marrë kështu karakterin e një qendre qytetare.
Ajo është rindërtuar disa herë duke filluar që nga Shek. III-të para Krishtit nga Mbretëria Ilire, Bizantinët pas djegies nga inkursionet sllave të vitit 592, nga Dukagjinët vendas pasi u dogj aksidentalisht në vitin 1398, Venedikasit gjatë viteve 1440-1451 duke marrë edhe formën që ka sot.
U dogj dy here në vitet 1478 dhe 1503 nga vetë qytetarët lezhjanë pasi u rrezikua nga osmanët të cilët e përdornin si bazë për të sulmuar vendasit që ishin zhvendosur në Ishullin e Lezhës. Te rrezikuar nga sulmet e mundshme Veneciane nëpërmjet lumit Drin dhe sulmet e kryengritësve Shqiptarë, sulltan Sulejman Selim Bajazit Han (Sulejmani i Madhërishëm) urdhëroi rindërtimin e kalasë në vitet 1521-1522.
Muret e kësaj periudhe janë të mbivendosura mbi ato veneciane dhe kësaj periudhe i përket edhe restaurimi i Xhamisë Sulejmanie dhe muret turke që ndajnë oborrin e brendshëm me atë të jashtëm brenda hapësirës së Kalasë.
Kjo kala dominon deri në bregun e detit dhe mbyll pothuajse gjithë rrugët për në brendësi. Ana Komnena e quajti kështjellën e Elissonit, “një kështjellë në ajër, syri i djathtë i Durrësit”.
Sot në kalanë e Lezhës mund të shihet, përveç peizazhit të bukur e relaksues, edhe teknikat dhe fazat e ndryshme të ndërtimit mijëravjeçar të vendosura sipër njëra-tjetrës, si dhe një sipërfaqe rreth 1.5 ha me ambiente çlodhëse./atsh/ KultPlus.com
Ambasadori William Walker ka folur në ceremoninë e përkujtimit të Masakrës së Reçakut, duke thënë se vjen këtu për çdo vit, për arsye të ndryshme, por se arsyeja më e rëndësishme që ai vjen, është për të parë përparimin që bëhet në vend.
“Unë vij në Reçak për çdo vit për arsye të ndryshme. Më e rëndësishmja është se vij për të parë se çfarë progresi është bërë në Reçak, në Shtime dhe në të gjithë Kosovën. Çdo vit shkoj i impresionuar me pozitivitet për atë se çfarë është bërë dhe çfarë do të bëhet”, tha Walker, njofton Klankosovat.tv.
Walker krahasoi motin e para 24 viteve me atë sot, duke thënë se kjo simbolizon se gjërat janë improvizuar.
“Moti ishte shumë i keq, ishte shumë i vështirë për të ecur dhe për të parë trupat e viktimave. Sot ndriçon dielli, qielli është i kaltër dhe kjo simbolizon se gjërat janë improvizuar”, u shpreh ai.
“Njerëzit e Kosovës kanë bërë gjëra të çmueshme që atëherë. Tani shoh njerëzit e fshatit, njerëzit që i pashë në horrorin e asaj nate. Disa kanë vdekur, disa që kanë qenë në moshën time, por më pëlqen kur shoh shumë fëmijë tani”.
“Çdo vit që vij, numri i njerëzve që vijnë në Reçak për respekt rritet dhe vetëm rritet. Tani i shoh njerëzit që vijnë nga e gjithë Kosova”./KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur në akademinë përkujtimore me rastin e 24-vjetorit të Masakrës së Reçakut.
Kurti u shpreh se ata të cilët e mohojnë gjenocidin, ëndërrojnë për përsëritjen e tij.
“Ata të cilët e mohojnë gjenocidin, ata ëndërrojnë për përsëritjen e tij. Por, një krim kundër njerëzimit, e një gjenocid si ai që kryen forcat e Serbisë në Reçak me 15 janar, nuk mund të fshihet, nuk mund të mjegullohet dhe nuk mund të amnistohet”, u shpreh ai.
Ai tha se janë lëshuar fletarreste ndërkombëtare për 18 persona serbë që dyshohet për pjesëmarrje në kryerjen e masakrës së Reçakut.
“Duke u thirrur në dëshmitë e kohës në deklaratat e 63 dëshmitarëve të intervistuar dhe në provat e tribunalit të Hagës, Prokuroria Speciale e Kosovës ka lëshuar fletarreste ndërkombëtare për 18 persona serbë që dyshohet për pjesëmarrje në kryerjen e masakrës së Reçakut”, tha ai./ KultPlus.com
Presidentja Vjosa Osmani tha se 45 civilët e masakruar 24 vjet më parë në Reçak të Shtimes trokasin çdo ditë në ndërgjegjen e secilit për drejtësi.
Këto komente Osmani i bëri në akademinë përkujtimore të Masakrës së Reçakut, raporton Gazeta Express.
Osmani tha se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ishte përkujdesur t’i masakronte edhe një herë viktimat me propagandën të cilës i printe pas masakrës.
“Sot kur i kujtojmë me dhembje të dashurit tanë, të cilëve makineria e dhunës ua këputi jetën vetëm e vetëm sepse ata ishin shqiptarë, sepse donin të jetonin të lirë, detyrimi për të siguruar drejtësi për ta e për të gjitha viktimat gjithandej Kosovës, bëhet synimi ynë më i madh më i rëndësishëm. Sepse historia e secilit prej tyre, është historia e Kosovës”, tha presidentja./ KultPlus.com
Sopranoja kosovare, Elbenita Kajtazi, ka fituar kurorën e vitit 2022 si artistja më e dalluar në qytetin e Hamburgut, përcjell KultPlus.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Kajtazi përmes një postimi në Facebook, ku mes tjerash u shpreh e lumtur për vlerësimin që i është dhënë.
Në vijim gjeni postimin e sopranos Kajtazi:
Mirmëngjesi miq të dashur, sot nga gjumi në zgjoi mesazhi i profesoreshës time e cila më dërgoi linkun e një artikulli tjetër të shkruar në të cilin sipas portalit Klassik begeistert unë kam fituar kurorën e vitit 2022 si artistja më e dalluar në qytetin e Hamburgut… nuk ju gënjej dot qenka ndjenjë shumë e mirë …
Die Opernkrone des Jahres 2022 gebührt der Sopranistin Elbenita Kajtazi und die der letzten 60 Jahre der Intendanz Christoph von Dohnányi
Was waren die Höhepunkte des Jahres: In der Oper die Violetta-Interpretation der Sopranistin Elbenita Kajtazi, die noch überzeugender sang und spielte als ihre ebenfalls herausragenden Vorgängerinnen wie Pretty Yende und Aida Garifullina, auch befeuerte sie starke Partner wie Stephen Costello als Alfredo und Artur Ruciński als Germont zu Höchstleistungen. Außerdem riss Kajtazi als Manon das Publikum zu Jubelstürmen hin mit einem sich an ihr steigernden Benjamin Bernheim als Des Grieux.
The opera crown of the year 2022 belongs to the soprano Elbenita Kajtazi and that of the last 60 years to the artistic director Christoph von Dohnányi – Hamburg State Opera:
What were the highlights of the year: In the opera, the Violetta interpretation by the soprano Elbenita Kajtazi, who sang and acted even more convincingly than her equally outstanding predecessors such as Pretty Yende and Aida Garifullina, she also fired strong partners such as Stephen Costello as Alfredo and Artur Ruciński as Germont to peak performance. In addition, Kajtazi as Manon tore the audience to a storm of applause with Benjamin Bernheim as Des Grieux, who improved on her.
Kurora e operës së vitit 2022 i përket sopranos Elbenita Kajtazi dhe ajo e 60 viteve të fundit drejtorit artistik Christoph von Dohnányi – Opera Shtetërore e Hamburgut:
Cilat ishin momentet kryesore të vitit: Në opera, interpretimi Violetta nga sopranoja Elbenita Kajtazi, e cila këndoi dhe interpretoi edhe më bindshëm se paraardhëset e saj po aq të shquara si Pretty Yende dhe Aida Garifullina, ajo gjithashtu la nën hije partnerë të fortë si Stephen Costello si Alfredo dhe Artur Ruciński si Germont të cilët gjithashtu shfaqën një performancë fantastike. Për më tepër, Kajtazi në rolin e Manon e ngriti publikun në këmbë me një fortunë duartrokitjesh me Benjamin Bernheim në rolin e Des Grieux, i cili e plotësoi atë në skenë./KultPlus.com
“Kujdes nënë, ata do të vrasin”, ishin fjalët e fundit e Halim Beqirit, 12 vjeçar. Një plumb e goditi pas qafe. Kishte gjak në gojë. Isha dy metra larg. Serbët shtinin nga të gjitha anët. Nuk mund të afrohesha. Ata vranë edhe burrin tim. Ai ishte pranë djalit tonë”, ka rrëfyer nëna e tij Ema për të dërguarin special të gazetës “Liberation”, në Kosovë, gazetari Pier Azan.
Kështu Azan në atë kohë nisi artikullin kushtuar masakrës së Reçakut me titull “Ishim të sigurt se të gjithë do të vdesim”, kishte sjell edhe rrëfimin e Azemit, një burrë rreth të dyzetave për masakrën që ndodhi në Reçak.
“Burrat u ndanë në disa grupe. Nja 29 veta u dërguan mbi fshat. Na thanë se do na çonin në stacionin policor. Por dëgjoheshin krisma në të katër anët. Pjesa tjetër e grupit u dërgua në përrua. Policët serb i prisnin që t’i vrisnin. Të shtunën, trupat e këtyre 20 burrave ishin ende njëri mbi tjetrin, në pozicionin që ishin vrarë. Ishin ekzekutuar nga afër. Një vdekje e përgatitur dhe e ekzekutuar me gjakftohtësi. Në orën 17:00 serbët u tërhoqën. Të mbijetuarit filluan të lëvizin. Një nga shtëpitë e para të fshatit, afër xhamisë, ishte ajo e Banush Azem Kamberit, 62 vjeçar. Kufoma e tij pa kokë ishte pran shtëpisë së tij. Vëllai i tij, Bedriu, 55 vjeçar, kërkonte kokën. Fshatarët e gjetën më vonë”, vazhdonte rrëfimin Azemi.
Kurse, në artikullin tjetër me titull “Masakra e Reçakut, rrëfimi i një dëshmitari kryesor”, gazetari Pier Azan, sjell dëshminë e një vëzhguesi të OSBE-së, që gazetari e paraqiti në atë kohë me emrin Mike.
“Rreth orës 15:45, forcat serbe u larguan nga fshati dhe ne vendosëm të hynim në Reçak. Një duzinë civilësh ishin aty në një gjendje tronditëse. Njëri nga ta na zgjati diçka, njëri nga njerëzit e mi e mori. Papritmas konstatuam se ishte pjesë kafke. Përkthyesi ynë na shpjegoi se ky njeri sapo kishte gjetur kufomën e vëllait të vet, me kokë të copëtuar. Ne pamë një trup. Plumbi i kishte krisur mbi kokë dhe tërë kafka ishte copëtuar. Fshatarët na thanë se nja 20 burra ishin arrestuar. Një grua na tha se burrat ishin dërguar për ekzekutim”, rrëfente në atë kohë vëzhguesi i OSBE-së.
Gazetari vazhdonte rrëfimin duke thënë se ata janë kthyer në Reçak edhe të nesërmen në mëngjes, kurse pasdite aty ka arritur gjenerali William Walker, shef i Misionit të OSBE-së, i cili me t’u kthyer në Prishtinë në një konferencë për media tha se “unë i akuzoj forcat policore dhe ushtarake serbe se janë përgjegjës për këtë masakër. Para disa ditësh, UÇK-ja liroi 8 ushtarë serbë. Prisnim një masë reciprociteti. E çka kemi në vend të saj? Vrasje të 40 civilëve të pafajshëm. Dëshiroj të di se kush ka dhënë urdhër. Duhet të dalin para drejtësisë. Nuk jam jurist, por, sipas meje, këtu ka ndodhur një krim kundër njerizimit”, ka thënë Walker.
Më 15 Janar 1999, në këtë ditë të kobshme, në Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur, në mesin e të cilëve ishte edhe një grua.
Qeveria e Serbisë në mbledhjen e saj të jashtëzakonshme, më 17 janar 1999, shpalli Walker-in “person nongrata”, dhe i dha një afat prej 48 orëve për t’u larguar nga Jugosllavia.
Kjo masakër ngjalli reagimet e njëpasnjëshme të bashkësisë ndërkombëtare që propozuan një konferencë për Kosovën dhe që përfunduan me ndërhyrjen e NATO-së. / KultPlus.com
Më 15 janar 1929 lindi revolucionari Martin Luther King Jr. Ai zhvilloi fushatë në mbarë Shtetet e Bashkuara, duke udhëhequr marshime paqësore dhe demonstrata për të drejta të barabarta për afrikano-amerikanët.
“Sot unë dua t’i them popullit amerikan dhe vendeve të tjera të botës se kemi filluar një lëvizje dhe se asnjë valë racizimi nuk mund të na ndalë”.
Rritja e Martin Luther Kingut si udhëheqës i të drejtave civile filloi në vitin 1955, kur ai drejtoi përpjekjet kundër segregimit nëpër autobuzë për disa vite me radhë.
“Ne qytetarët zezakë të Montgomerit kemi marrë pjesë në protesta jo të dhunshme kundër padrejtësive, si ajo që kemi përjetuar prej vitesh nëpër autobuzë.”
Në gushtin e vitit 1963, përpjekjet e Martin Luther Kingut për të drejta të barabarta ishin shndërruar në një lëvizje kombëtare. Atë muaj, më tepër se 250 mijë njerëz morën pjesë në Marshimin e Washingtonit. Marshimi i udhëhequr nga Doktor Kingu ishte synonte të ushtronte presion ndaj ligjvënësve, që ata të miratonin ligjin e të drejtave civile, që do t’i jepte fund diskriminimit. Ish-aktivisti i të drejtave civile Roger Wilkins ishte i pranishëm ditën kur marshuesit u mblodhën para Memorialit të Linkolnit.
“Ishte një ditë vere e ngrohtë, kur njerëzit ndjeheshin të rinuar. Ishte një ndjenjë e mirë që buronte nga dëshira për bashkimin e vendit. Për herë të parë në jetën time ndjeja peshën e ndërgjegjes së Amerikës.”
“Unë kam një ëndërr, që një ditë, 4 fëmijët e mi të vegjël nuk do të gjykohen më nga ngjyra e lëkurës, por nga karakteri i tyre.”
Ishin pikërisht këto protesta pa dhunë dhe fjalimet e tij që e çuan lëvizjen e të drejtave të njeriut përpara, si dhe e mbajtën vendin të fokusuar tek çështja e barazisë.
Martin Luther Kind mori Çmimin Nobel të Paqes në vitin 1964. Po atë vit, Presidenti Lyndon Johnson nënshkroi Aktin e të Drejtave të Njeriut dhe një vti më pas, Aktin e të Drejtës për të votuar. Këto masa nxorën jashtë ligjit segregacionin racor në vendet publike dhe praktikat diskriminuese që i ndalonin zezakët të votonin.
“Kam lexuar se madhështia e Amerikës qëndron pikërisht tek e drejta për të protestuar për të fituar të drejtat”.
Fushata e fundit e Martin Luter Kingut ishte në Memfis së Tenesisë, në mars dhe prill të vitit 1968. Ai udhëhoqi një marshim në mbështetje të punonjësve sanitarë. Por protesta u shndërrua në dhunë kur militantët e rinj filluan të plaçkisnin dyqanet. Doktor King u shqetësua dhe u zotua se do të kthehej në Memphis për të udhëhequr një marshim paqësor. Mbrëmjen e 4 prillit të vitit 1968, Doktor Kingu po qëndronte në Hotelin Lorraine, ku e vranë.
“Unë e kam parë ‘Tokën e Premtuar’ Ndoshta nuk do të shkoj atje bashkë me ju, por sonte dua ta dini se ne si popull do të shkojmë në Tokën e Premtuar.”
40 vjet më vonë, amerikanët kujtojmë jetën e Doktor Kingut, ndërsa shumë nga ëndërrat e tij janë realizuar, përfshirë zgjedhjen e Barak Obamës në postin e presidentit të parë afrikano-amerikan të Shteteve të Bashkuara. /KultPlus.com
Kalaja e Bashtovës, ndërtuar në shekullin XV, me vlerat e saj historike dhe bukurinë natyrore është një tjetër destinacion për t’u vizituar nga turistët.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga puna restauruese në Kalanë unike të Bashtovës.
Rama thekson se ky investim do ta kthejë më pas këtë kala në një nga destinacionet më të vizituara të trashëgimisë tonë kulturore.
E ngritur pranë fshatit të Vilë-Bashtovës në një distancë prej 3-4 km, në veri të grykëderdhjes së lumit të Shkumbinit, nga muret e kalasë mund të vëzhgosh bregdetin si në pëllëmbë të dorës, që nga Gjiri i Durrësit e deri në Divjakë e Karavasta.
Restaurimi i kësaj kalaje po kryhet si pjesë e projektit EU4Culture i zbatuar nga UNOPS.
Specialistët austriakë po studiojnë materialet që përbëjnë objektin, për t’i hapur udhë kështu një faze të re në jetën e këtij monumenti kulturor.
Kalaja është ndërtuar në dy periudha dhe puna e specialistëve po fokusohet në të kuptuarit e strukturave, kohën e ndërtimit, materialet e përdorura.
Sipas specialistëve, janë marrë më shumë se 1 mijë lloje të ndryshme mostrash nga konstruksionet e ndryshme të kalasë së Bashtovës. Këto materiale do të analizohen në laboratorin shkencor të Arteve të Aplikuara në Vjenë dhe specialistët shpresojnë të marrin prej tyre më shumë informacion mbi periudhën e ndërtimit të kalasë./atsh/ KultPlus.com
Më 15 janar 1864 lindi Isa Boletini, luftëtar e udhëheqës ushtarak popullor, organizator e drejtues i lëvizjes për çlirimin kombëtar, Hero i Popullit. Isa Boletini lindi në Boletin të Mitrovicës. Në moshën 17 vjeçare mori pjesë si luftëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizërenit në betejën e Slivovës kundër forcave osmane.
Ndihmoi në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Pejës dhe në qëndresën e saj kundër sunduesve osmanë dhe synimeve grabitqare të Serbisë dhe Malit të Zi. Më 1901-1902 u vu në krye të qëndresës popullore në Kosovë kundër ndërhyrjeve të Serbisë, Malit të Zi dhe Austro-Hungarisë. Në vitin 1908 përkrahu revolucionin xhonturk, por iu kundërvu politikës antishqiptare të Xhonturqve. U dallua si udhëheqës e organizator i kryengritjeve të mëdha popullore kundërosmane të viteve 1908-1912.
Udhëhoqi disa kryengritje kundërosmane në Drenicë-Mitrovicë, Shtime-Carralevë, Podujevë-Prishtinë etj. Në ditët e shpalljes së Pavarësisë u vu në krye të përfaqësuesve të Kosovës, si dhe u ndodh në krah të Ismail Qemalit në Vlorë më 28 Nëntor 1912. Në vitin 1913 si anëtar i delegacionit shqiptar së bashku me Ismail Qemalin shkoi në Londër, ku kundërshtoi me forcë vendimet e Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë.
Më vonë kaloi sërish në Kosovë, ku organizoi qëndresën popullore kundër pushtuesve të rinj serbo-malazezë. Duke kaluar jetën në luftë e përpjekje dhe me urtësinë e tij, fitoi autoritet si udhëheqës popullor. Më 23 janar 1916 u vra pabesisht nga shovinistët malazezë në Podgoricë. / KultPlus.com
Sot, 15 janar 2023, janë bërë 24 vjet që kur forcat policore dhe ushtarake serbe kryen njërën nga masakrat më të dhimbshme kundër njerëzimit në Reçak.
Më 15 Janar 1999, në këtë ditë të kobshme, në Reçak u vranë e u masakruan 45 shqiptarë të paarmatosur.
Policia dhe ushtria serbe në Kosovë kanë kryer masakra të shumta gjatë viteve 1998 dhe 1999, por Masakra e Reçakut u dëshmua nga misioni i OSBE-së në Kosovë, që ndikoi në ndërhyrjen e NATO-s ndaj caqeve serbe.
Pasi e pa me sytë e tij këtë skenë, shefi i misionit të OSBE-së, Wiliam Walker, kishte alarmuar se në Kosovë po ndodh krim kundër njerëzimit, gjë që shtyu bashkësinë ndërkombëtare të ndërmarrë misionin ushtarak, pas të cilit forcat serbe u tërhoqën nga Kosova. / KultPlus.com
Irma Libohova është një zë që ndër vite i ka përjetësuar shumë këngë në muzikën shqiptare. Ajo ka përjetuar praninë e publikut përmes skenave e vendeve të ndryshme.
Irma Libohova ka dhënë edhe shumë këngë e interpretime përmes festivaleve të këngës në RTSH ndër vite. Me dekada karrierë muzikore, Irma Libohova ka një repertor shumë të pasur në këngë, ku nuk mungojnë dhe çmimet në festivale të ndryshme. Mes tyre janë këngët: “Nuk e harroj” (1987) fituese e Festivalit të 26 të Këngës në RTSH, “1001 ëndrra” (2000) fituese e Kënga Magjike, “Prapë tek ti do vij” (2004) fituese e Kënga Magjike etj.
KultPlus sot e sjellë n tekstin dhe interpretimin e këngës . “Kur bjen fyelli çiftelia”, që është një nga këngë më të njohura të këngëtares, Irma Libohova. /KultPlus.com
Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca nesër do të vizitojnë Reçakun, shkruan KultPlus.
Vizita do të bëhet për nder të 24 vjetorit të Masakrës së Reçakut, pas së cilës bota më në fund ktheu sytë nga tmerri që po përjetonin shqiptarët nga forcat paramilitare serbe. .
Sipas rendit të ditës, drejtuesit fillimisht do të bëjnë nderimet në Memorial, nga ora 10:00.
Ndërkaq, nga ora 11:00, liderët do të marrin pjesë në ceremoninë përkujtimore, në Shtëpinë e Kulturës në Shtime.
Në rend dite janë edhe vendosja e kurorës së përbashkët në memorial me praninë e skuadrave ceremoniale të FSK-së dhe nderimet në varrezat përkujtimore. /KultPlus.com