Ardit Gjebrea, Inva Mula, Irma Libohova, David Tukiçi , Zana Çela e shumë artistë të tjerë të cilët tashmë janë shumë të famshëm, talentin e tyre e kishin nisë qysh të vegjël, shkruan KultPlus.
Qendra Kulturore e Fëmijëve ka publikuar fotografitë e këtyre artistëve, të cilët qysh të vegjël ishin prezantuar para audiencës.
Kjo qendër tashmë feston 70-të vjetorin dhe këtë përvjetor po e shënon me këta artistë, të cilët kanë qenë pjesë e këtij institucioni qysh në fëmijëri. Për të parë se si kanë qenë atëherë, mund ti shikoni nëpërmjet fotografive/KultPlus.com
Një revolt që nxjerr në pah errësirën e dhunës në familje.
Bendi nga Prishtina i zhanrit metal, Diadema, ka lansuar video klipin e rradhës. Kënga ‘Vragë’ trajton një ndër temat më të ndjeshme shoqërore në dy dekadat e fundit – dhunën ndaj grave.
“Kjo dukuri negative e shoqërisë na kufizon në rrugëtimin tonë të zhvillimit, si një murtajë e pashkëputshme, e trashëguar nga e kaluara. Dhuna në familje mbetet ende një sfidë që nuk është arritur të zgjidhet nga institucionet tona.
Si shoqëri duhet ti ruajmë traditat e mira kombëtare që i kemi dhe ti zhvillojmë ato në vlera të civilizuara të një populli shqiptar evropian. Mirëpo traditat e padrejta dhe të dëmshme duhet ti largojmë. Duhet ta këpusim zinxhirin trashëgues të mizogjinisë dhe androcentrizmit”, – shprehen anëtarët e grupit Diadema.
Testi i këngës ‘Vragë’ bart mesazhin tek gratë, që ato në një shoqëri patriarkale, munden të jenë më të fuqishme se sa që ndoshta mendojnë.
Videon klipin e këngës mund ta ndiqni në Youtube, si vijon më poshtë. /KultPlus.com
Mund të imagjinoj çfarë të dua Por ty nuk mund të të imagjinoj Nëpër telat e një kitare mbase Je melodia qe unë kerkoj Melodia e shpirtit, thellë në krijim Frymëzimi i një ëndrre pa mbarim.
Mbase je vetë frymëzim Melodia e një shpirti që mban jetën… në vallëzim Realitet? Mbase… Po realitet je, sepse ndryshe ska kuptim.
Realiteti nuk imagjinohet Ashtu si edhe ti … nuk mund të fshihesh nëpër ëndërra Nëpër errësira ëndrrash të pa vërteta Sepse ashtu si realiteti, ti je vetë jeta!
Mund të ënderroj çfarë të dua Por ty jo! Mund të krijoj çfarë të dua Por ty jo! Sepse ti je vetë frymëzimi I çdo ndjenje që kam në shpirt Nëpër terre ëndrrash ti je drit’! /KultPlus.com
BBC World News i ka kushtuar Shqipërisë një nga edicionet e programit për thesaret e tokës, shkruan KultPlus.
Gazetarja Bettany Hughes ka prodhuar emisionin, i cili është planifikuar të shfaqet në datat 21-22 janar.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama është shprehur i lumtur për këtë, i cili ka publikuar promon në faqen e tij në Facebook.
“Mirëmëngjesi dhe me kënaqësinë e veçantë të spotit publicitar të një prej emisioneve më të famshme në botë mbi thesaret e tokës, i cili ka një audiencë gjysmë miliardë shikues në vit, e më 21-22 janar shfaq “mrekullitë e Shqipërisë” në kanalin BBC World News, diçka e paimagjinueshme deri kur Shqipëria turistike nisi të marrë formën që po i japim vit pas viti, ju uroj një fundjavë të qetë”, shkruan Rama.
-Është e vërtetë. Po, unë kam qenë i sëmurë, shumë i sëmurë. Por, ju pse më thoni se kam luajtur mendsh, se jam çmendur?
A s’e shihni se unë jam plotësisht në rregull? A s’është e qartë që s’jam i çmendur? Sëmundja vërtet m’i ka bërë më të forta e më të fuqishme mendjen, shqisat e ndjenjat. Sidomos shqisën e dëgjimit, edhe më të fuqishme. Unë dëgjoj zëra që s’i kisha dëgjuar më parë. I dëgjoj zërat nga parajsa, zërat nga ferri.
-Dëgjo! Dëgjo, do të të tregoj si ndodhë. Ke për të parë e për të dëgjuar sa e kam mendjen në vend.
E pashpjegueshme si erdhi në fillim ideja në kokën time.
Nuk arsyetohet ajo çfarë bëra. S’e kam urryer plakun. Përveçse e kam dashur. Nuk më ka lënduar. S’i kam dashur paratë e tij. Mendoj se ishin sytë e tij. Dukeshin si sygrabitës, sytë e atyre shpezëve të trishtueshme që shikojnë e presin derisa kafsha ngordh dhe më pas e hedhin poshtë të bëhet copa për ta ngrënë.
Kur më shikoi plaku me ata sygrabitësi, një ndjesi e ftohtë m’u ngjit poshtë e lartë shpinës, derisa edhe gjaku u ftoh. Kështu që, përfundimisht vendosa t’i mbyllja ata sy: ta vras plakun!
Pra, ju mendoni se jam i çmendur? Një i luajtur mendsh nuk planifikon. Por, ju më keni ndjekur mua. Gjatë gjithë javës, shoqërohesha me plakun, isha i afërt, i dashur me të, pra, aq sa mund të isha.
-Çdo natë rreth orës dymbëdhjetë ngadalë e hapja derën e tij. Dera ishte e hapur aq sa mund të futja brenda dorën, pastaj, kokën. Në dorë mbaja një dritë të mbuluar me një cohë që s’e lejonte të shpërndahej më shumë. Qëndrova qetësisht. Pastaj, kujdesshëm, largova cohën pakëz, që të kalonte tek ata sy një vijëz e hollë dhe e vogël e dritës.
-Shtatë net e bëra këtë, shtatë net të gjata, cdo herë në mesnatë. Pasiqë sytë ishin gjithmonë të mbyllur, e kisha të vështirë të kryeja punë. Sepse nuk ndjeja ta vrisja plakun, ishte syri i tij. Syri i tij i Djallit.
– Dhe çdo mëngjes shkoja në dhomën e tij, e pyesja si kishte fjetur, me një të folur të ngrohtë e miqësore. Ai as që e merr me mend se çdo natë, në orën dymbëdhjetë, hyja brenda dhe e shihja si flinte. Në natën e tetë, që kur e hapa derën, isha më shumë se zakonisht i kujdesshëm. Akrepat e orës lëvizën më shpejtë se sa dora ime. Asnjëherë më parë nuk e kisha ndjerë kaq fort fuqinë time; për sukses tani isha i sigurt.
Plaku rrinte shtrirë, pa imagjinuar se jam në derë. Befas lëvizi në shtrat. Ju mendoni se u frikësova. Por, jo. Errësira ishte e madhe në dhomë. E dija që s’e shihte hapjen e derës. Unë vazhdova ngadalë e lehtë, të shtyeja derën. E futa kokën. E futa dorën me dritën e mbuluar. Papritmas plaku u drejtua në shtrat dhe qau, “Kush është aty”??!
Ende qëndrova i heshtur. Nuk lëviza për disa orë. As s’e dëgjova të shtrihej prapë në shtrat. Veç rrinte duke dëgjuar. Pastaj, dëgjova një zë nga plaku, një klithmë, një e qarë frikeje. E dija që rrinte ulur, mbushur me frikë në shtrat; e dija se ai e dinte që isha aty. S’më shihte. S’më dëgjonte. Më ndiente. E dinte se Vdekja ishte aty.
Dalëngadalë, pak nga pak, derisa një dritë e vogël të binte në ata sygrabitës, e largova cohën. Mënyra se si më shikonte drejt, me sy të shqyer, sa e shtonte zemërimin tim. Fytyrën e plakut s’e shihja. Vetëm atë sy, syrin e kaltër të errët dhe në trupin tim m’u ngri gjaku.
A s’ju pata thënë se të dëgjuarit u bë i fortë, në mënyrë të pazakontë? Si tingullin e një ore përtej murit, dëgjoj tinguj të shpejtë, të ulët, të lehtë.
Ishte e rrahura e zemrës së plakut. Provova të heshtë. Por, tingulli rritej më shumë. Frika e plakut duhet të ketë qenë më të vërtetë e madhe. Sa rritej tingulli, zemërimi im bëhej më i madh e më lëndues. Ishte më shumë se zemërim.
Zemërimi im u bë i frikshëm, në natën e qetë, në heshtjen e errët të dhomës së gjumit, për zemrën që rrahte zëshëm, e të cilën isha i sigurt se dikush duhej ta dëgjonte. Erdhi koha! Duke qarë, u vërsula në dhomë, “Vdis! Vdis!” Plaku lëshoj një klithmë frike, ndërsa unë u hodha mbi të dhe ia lidha shtrëngueshëm çarçafin sipër kokës. Zemra i rrahte ende; por buzëqesha sikur isha afër suksesit. Zemra i rrahu për disa minuta; por, më në fund e rrahura ndaloi. Plaku vdiq. Largova çarçafët dhe i mbështeta veshët mbi zemrën e tij. Nuk tingëlloi asgjë. Po! Vdiq! I vdekur si guri. Syri i tij s’ka për të më shqetësuar!
– Pra, ju thoni, jam i çmendur? Më keni parë sa i kujdesshëm isha kur e futa trupin aty ku asnjëri s’e gjen. Në radhë të parë i këputa kokën, pastaj krahët dhe këmbët. S’e lashë asnjë pikë gjaku të binte në dysheme, isha i kujdesshëm. Pjesët e trupit i futa në dyshemenë ku i hoqa tri dërrasa. Më pas, kujdesshëm, shumë kujdesshëm, i rivendosa dërrasat dhe asnjë sy njeriu s’i vëren se kanë lëvizur.
Kur përfundova punë, dëgjova se dikush ishte tek dera. Tash ishte katër e mëngjesit, por ende terr. Sido që të jetë, nuk frikësohesha, shkova poshtë të hapja derën. Në derë ishin tre njerëz, tre oficerë policie. Njëri prej fqinjëve kishte dëgjuar plakun duke klithur dhe kishte njoftuar policinë; këta të tre erdhën për të bërë pyetje dhe për të kontrolluar shtëpinë.
-I ftova policët brenda. Kam klithur në ëndërr, u thashë. Plaku ishte larg, u thashë, ka shkuar të vizitoj në fshat një shok. Kërkova nga ta të kontrollonin nëpër krejt shtëpinë, të kontrollonin mirë. Më në fund i shoqërova brenda dhomës së gjumit të plakut. Po bisedonim gjatë, u kërkova të uleshin, sikur luaja lojë me ta.
I bëra policët të besojnë tregimin tim nga sjellja ime e lehtë dhe e qetë. Kështu që, ata po rrin ulur dhe bisedonin në mënyrë shoqërore me mua. Por, u përgjigja njëjtë, gjithashtu, shpresoja të ikinin sa më shpejt. Në veshët e mi ishte një tingull i çuditshëm dhe më dhimbte koka. Flisja më shumë e më shpejt. Tingulli u bë më i theksuar. Ata ende rrinin e flisnin.
Papandehur e dija se, tingulli nuk ishte në veshët e mi, ishte veçse brenda kokës. Në atë moment duhet të jem zbehur. Flisja më shpejt dhe më fort. Gjithashtu, edhe ai u bë më i fortë. Një tingull që e njihja mirë, i shpejtë, i ulët, i lehtë, si tingulli i një ore përtej murit. U bë më i fuqishëm e më i fortë. Pse nuk shkojnë burrat? Më fuqishëm, më fort. U ngrita, rreth e rreth dhomës ecja shpejt. Që ta mbuloja tingullin e tmerrshëm, të bëja më shumë zhurmë, e shtyeja karrigën nëpër dysheme. Flisja edhe më fort. Burrat ende rrinin, flisnin, buzëqeshnin. A ishte mundur që nuk po dëgjonin??
Jo! Ata dëgjuan! Isha i sigurt. Ata e dinin. Ishin tash ata që po luanin me mua. Nga buzëqeshjet e tyre dhe nga ky tingull po vuaja më shumë se sa mund ta përballoja. Fort, më fort, edhe më fort! Papandehur, s’e përballova dot. Bëra me gisht nga dërrasat dhe qava, “Po! Po, unë e vrava atë. Ngritni dërrasat dhe do të shihni. Unë e vrava. Por, pse nuk ndalon zemra e tij së rrahuri?! Pse nuk ndalon!?”
Princ Harry pretendon se kishte materiale të mjaftueshme për “dy libra” dhe nuk përfshiu disa gjëra në kujtimet e tij, sepse babai dhe vëllai i tij nuk do ta falnin kurrë, transmeton KultPlus.
Ai tha për Daily Telegraph se kishte disa gjëra të cilat ai nuk do të donte që bota t’i njihte, duke shtuar se donte një falje për Meghan nga anëtarët e familjes së tij.
Spare, i botuar këtë javë, është bërë libri jo-fiction më i shitur ndonjëherë në Mbretërinë e Bashkuar.
Libri përshkruan një listë të gjatë ankesash kundër Familjes Mbretërore, si dhe traumat e pazgjidhura për vdekjen e nënës së tij, luftën e tij me shëndetin mendor, jetën e izoluar që bëri para se të takohej me Meghan dhe prishjen e marrëdhënieve me anëtarët e familjes.
Pallati Kensington dhe Pallati Buckingham kanë thënë se nuk do të komentojnë përmbajtjen e tij.
Në një intervistë me Bryony Gordon të Telegraph – i cili udhëtoi për në Kaliforni për të folur me të – Duka i Sussex tha se ai nuk “po përpiqej të rrëzonte monarkinë”, por “po përpiqej t’i shpëtonte ata nga vetja”.
Princi Harry tha se kishte informacione që ai ia zbuloi shkrimtarit të tij fantazmë JP Moehringer “për kontekst”, por nuk kishte “absolutisht asnjë mënyrë” që të mund të përfshihej në libër.
“Mund të ishin dy libra, e thënë kështu,” tha ai, duke shtuar se drafti i parë ishte 800 faqe, dyfishi i dorëshkrimit përfundimtar prej 400 faqesh.
“Dhe kishte pjesë të tjera që i ndava me JR, që i thashë: “Shiko, po jua them këtë për kontekst, por nuk ka absolutisht asnjë mënyrë që t’i vendosi në libër.”
Ai tha se ishte e pamundur të tregonte historinë e tij pa anëtarët e familjes së tij në të, “sepse ata luajnë një rol kaq vendimtar në të, dhe gjithashtu sepse ju duhet të kuptoni personazhet dhe personalitetet e secilit brenda librit”. /KultPlus.com
Adi Krasta, gazetari shqiptar, është emëruar zëvendësdrejtor i përgjithshëm i Radio Televizionit të Kosovës (RTK), transmeton KultPlus.
Bordi i RTK-së e miratoi emërimin e Krastës në këtë pozitë me tetë vota për dhe asnjë kundër.
“Me tetë vota për dhe asnjë kundër, Bordi i RTK-së emëroi gazetarin e mirënjohur shqiptar Adi Krastën, si zëvendësdrejtor të Përgjithshëm në Radiotelevizionin e Kosovës – RTK, me rekomandim të Drejtorit të përgjithshëm”, thuhet në njoftimin për media të Bordit të televizionit shtetëror.
“Për më shumë se tri dekada përvojë punë ne gazetarinë televizive dhe jo vetëm, Adi Krasta i cili këtë të shtunë mori pozitë drejtuese në transmetuesin publik të Kosovës, i bashkohet mediumit të vetëm publik në Kosovë në momente vendimtare të zhvillimit dhe përparimit të tij”, thuhet tutje. /KultPlus.com
Poezi nga: Fernando Pessoa Përktheu: Anton Papleka
Nëse, kur të kem vdekur, dikush ka dëshirë të shkruajë biografinë time Nuk ka asgjë më të thjeshtë. Ajo ka vetëm dy data: atë të lindjes dhe atë të vdekjes sime. Midis njërës dhe tjetrës datë, të gjitha ditët janë të miat.
Është e lehtë ta përcaktosh jetën time. Unë e kam parë botën si një njeri i dënuar. Unë i kam dashur gjërat pa kurrfarë sentimentalizmi. Kurrë nuk pata ndonjë dëshirë që nuk mund ta realizoja, sepse asnjëherë nuk m’u verbua arsyeja. Të kuptuarit e vetes për mua qe gjithmonë veçse të shoqëruarit e të pamit. Unë e kuptova se gjërat janë reale dhe krejtësisht të ndryshme nga njëra-tjetra; T’i kuptoje me anë të mendimit, do të thoshte të të dukeshin të gjitha të ngjashme. Një ditë më vuri në gjumë si cilindo fëmijë. Unë mbylla sytë dhe fjeta. Përveç kësaj, unë qeshë poeti unik i Natyrës.
Në aksion-komedinë “Policë për kokë” që pompon zemrën e shikuesve, detektivi legjendar Maksimilian Murati bashkohet me oficerin e ri të policisë Xhino Pasmaçiun, në një hetimi policor shumë të rëndësishëm dhe të rrezikshëm. Ndërsa shpaloset filmi, Xhino, i cili po ndjek hapat e babait të tij duke u bashkuar me policinë, në hetimin e tij të fundit lufton me realitetet e ashpra të korrupsionit brenda sistemit. Por me drejtimin dhe mentorimin e Muratit, një detektiv me përvojë dhe të respektuar nga policia, Xhino mëson të lundrojë në ujërat e pabesë dhe në fund triumfon në misionin e tij për të sjellë drejtësi tek njerëzit, shkruan KultPlus.
“Policë për kokë” gjatë gjithë kohës e la audiencën në buzë të ndenjëseve, me sekuenca aksionesh drithëruese që shoqëroheshin me një kolonë zanore që pomponin zemrën dhe ofroi momente komike që i bënin ata të qeshin me të madhe nga aksionet e Xhinos.
Një oficer i ri që trajton problemet e policisë sikurse të ishin diçka normale. Duke filluar nga gabimet e tij në kontrollimin e trafikut nëpër rrugica, që në fund, megjithatë rezultojnë me shumë sukses pasi shërben si pikënisje për fillimin e hetimeve mbi rastin që ata duhet zgjidhur. Filmi gjithashtu jep një mesazh të fuqishëm për rëndësinë e besimit te një mik i ngushtë dhe triumfin e së mirës mbi të keqen.
Ndërsa hetimi përparon, Xhino dhe Maks zbulojnë një rrjet korrupsioni që shtrihet deri në nivelet e larta të qeverisë. Por, përkundër se të gjitha shanset ishin kundër tyre, ata refuzojnë të tërhiqen, të vendosur kështu për të sjellë përgjegjësit para drejtësisë.
Në fund, puna e palodhur dhe përkushtimi i Xhinos shpërblehet kur atij i jepet një medalje nderi për trimërinë dhe integritetin e tij. “Policë për kokë” është një film që premton një eksperiencë intensive dhe emocionuese, por që jep edhe një mesazh shprese dhe frymëzimi.
Regjisori i këtij filmi, Aldo Marku, i cili ishte gjithashtu edhe skenaristi në “Policë për kokë”, thotë për KultPlus se emri i filmit ishte menduar të ishte ndryshe në fillim, por më pas kanë vendosur ta ndryshojnë atë pasi kanë përfunduar xhirimet.
“Emri u vendos shumë vonë, pasi u xhirua filmi. Ne në fillim ishim me emrin “Xhino dhe Maks”, por pasi u mblodhëm të gjithë bashkë dhe po diskutonim për emra, vendosëm që të përdorim shprehjen shqipe “për kokë, miq për kokë” e kështu. Prandaj, vendosëm që ta lëmë emrin “Policë për kokë”, thotë ai.
Tutje, Marku njofton se disa prej emrave në film ishin aty me shumë fat, prej edhe të cilëve ka mësuar shumë, pasi ky ishte filmi i tij i parë i metrazhit të gjatë.
“Arben Bajraktari ishte fat, Alfredi ishte fat dhe prej të dyve kam mësuar shumë, pjesa tjetër më pas me audicion. Ndërsa, Olsi ishte i pranishëm nga fillimi, e Niku na u bashkua në fund por përfunduam suksesshëm”.
I pyetur nga KultPlus për procesin e krijimit të një filmi nga ana regjisoriale dhe ajo e një skenaristi, Marku thotë se Shqipëria në pjesën e industrisë së filmave të zhanrit aksion-komedi, vuan shumë.
“Ne si industri në Shqipëri vuajmë te skenari, sidomos te ky zhanër. Nuk është eksploruar shumë. Duke qenë se nuk mund t’ia besoja një personi që ka një kredibilitet të fortë, vendosa që ta bëja vetë. Ky film do të ketë premierë edhe në Maqëdoni, në Zvicër, Gjermani, Itali, Amerikë dhe Anglia është në pikëpyetje”, përfundon ai.
Tutje, protagonisti i filmit, Olsi Bylyku, njofton për KultPlus se roli i tij ishte i paraparë nga fillimi.
“Të them të vërtetën nuk ka qenë arsyeja e rolit kryesor që unë jam bashkuar në film. Në këtë rast, i gjithë skenari është shkruar për mua dhe Nikun, i ndërtuar për këta dy karaktere”, shprehet ai.
Tutje, sipas tij, për kohën që është xhiruar ky film, është njëri prej më të mirë të zhanrit të cilit i përket, duke shpalosur gjithashtu edhe disa prej prapaskenave gjatë xhirimeve.
“Për kohën që është xhiruar ky film, besoj që është një prej produktee më të mirë që është bërë ndonjëherë në Shqipëri. Çdo ditë ka qenë e shfrytëzueshme. 1 muaj ka qenë xhirime, dhe më pas kemi pasur edhe biseda të tjera. Ndodhi një problem me Kosovën sepse i kam dërguar gjithë ftesat e Kosovës para dy ore dhe kisha shumë miq që më kanë shkruar se pse nuk janë në premierën më 11 janar, por ne kemi vendosur që të ftojmë në natën e parë më shumë njerëz të botës së filmit, videos e gjëra të tjera”, shprehet ai.
Në fund, Bylyku e quan këtë film si një rifillim të tij.
“Për projektin që është ky është ofendim që të quajmë rikthim nga ato që kam bërë unë, ky është një rifillim i imi”, përfundon ai.
Edhe aktori tjetër i njohur shqiptar, Nik Xhelilaj, në një prononcim për KultPlus tregon se regjisori Aldo me skenarin e tij e ka bindur që të jetë pjesë e këtij filmi.
“Ka qenë pikërisht Aldo që me skenarin dhe punën e tij e bisedat më bindi pozitivisht për rolin. Ideja që zhanri ishte i këtij lloji më intrigoi gjithashtu që të përfshihem në film. Kam pasur rastin që të luaj në një zhanër të tillë, por në një serial të huaj dhe këtë herë po kontribuoja për një film shqip”, tregon ai.
Gjithashtu, Xhelilaj tregon se në fillim ai ishte ftuar për një rol tjetër, mirëpo më pas me dakordim me regjisorin vendosën që t’i japin një drejtim tjetër rolit të tij.
“Fillimisht, unë isha ftuar për një rol tjetër, por më pas vendosëm që të ndryshojmë rolin tim së bashku në koordinim me dhe ndjej që kemi kaluar shumë mirë. Bashkëpunimi me Olsin ishte fantastik, ai është shumë i lezetshëm. Ky film ka dalë njëri prej filmave më të mirë në aspektin e kimisë së aktorëve në këtë zhanër”, pohon ai.
Procesi i provave, i cili bashkon kastën e ekipit për një kohë, edhe një herë tjetër bashkoi një ekip për të përfunduar suksesshëm një film.
“Provave i jam bashkuar nga fundi por përveç përvojës sime, ndikon edhe fuqia e ekipit që e realizuam suksesshëm, të gjitha bashkë të përmbledhura. Në raport me lidhjen e mesazhit nga filmi, raporti që kemi ne me miqësinë apo shokun e ngushtë, ose edhe shqiptarinë në përgjithësi, tregon se ne duhet të kemi një lloj shprese; që e mira në fund triumfon”, përfundon Xhelilaj.
Filmi pati debutimin në Kosovë më 13 janar në orën 19:00 në Cineplexx, përpara se të shfaqej më 11 janar në Tiranë. /KultPlus.com
Miku i pashoq i shqiptarëve, William Walker, është nderuar me çmimin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti i Pejës”, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në “Facebook”, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, njofton se ambasadori amerikan, Walker, është nderuar me këtë titull, për humanizmin dhe guximin e veçantë njerëzor dhe profesional në ruajtjen dhe avancimin e të drejtave universale të njeriut drejt unifikimit të botës demokratike për vlerën jetike të njerëzimit.
Postimi i plotë nga MASHT:
“Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë ka nderuar me çmimin “Doctor Honoris Causa” ambasadorin amerikan, William Walker. Titulli i atribuohet motivacionit “Për humanizëm dhe guximin e veçantë njerëzor dhe profesional në ruajtjen dhe avancimin e të drejtave universale të njeriut drejt unifikimit të botës demokratike për vlerën jetike të njerëzimit”.
Në ceremoninë e nderimit, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti tha se, shqiptarët nuk do ta harrojnë asnjëherë atë çfarë ka bërë ambasadori Walker për Kosovën dhe historia e popullit tonë, tashmë e ka rezervuar një vend të veçantë të Kosovës për emrin e tij dhe për rolin e kontributin e punës së tij.
Kryeministri shtoi se deklaratat e ambasadorit Walker ishin denoncime zyrtare të tij në emër të Misionit Verifikues në Kosovë të OSBE-së, ndaj forcave dhe autoriteteve serbe që po kryenin krime kundër njerëzimit dhe krime lufte ndaj shqiptarëve civilë në Kosovë.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci theksoi se, ambasadori Walker e meriton titullin “Doctor Honoris Causa” jo vetëm pse me nderë e ndërgjegje të lartë i ka shërbyer kauzës sonë për liri dhe drejtësi, por sepse si sot 24 vite më parë, përmes fjalëve të tij, bota e kuptoi që Serbia po kryente krime kundër njerëzimit në Kosovë.
Ajo shtoi se, zëri i ambasadorit Walker i cili e tha të vërtetën, ishte kaq i rëndësishëm dhe ktheu vëmendjen e opinionit ndërkombëtar për Kosovën.
Ambasadori Walker në janar të vitit 1999 denoncoi publikisht pamjet që kishte parë në Reçak pas masakrës së kryer nga forcat serbe. Deklaratat e tij për këtë masakër bënë bujë të madhe mediatike e politike”, thuhet në postimin e tyre.
Së fundmi, Qeveria e Kosovës ka ndarë një shumë prej 70 mijë eurove për librin “Reçaku”, të shkruar pikërisht nga William Walker. /KultPlus.com
Françesk Radi gjatë karrierës së tij ka kënduar plot hite, por ne sot do të kujtojmë një paraqitje me një emër tjetër që asokohe ishte në fillimin e karrierës së saj.
Dhe duket se bashkëpunimi me Radin, për Mariza Ikonomin ishte një fillim e ogur i mbarë drejt karrierës. Në Festivalin e madh të Fundvitit në Radio Televizionin Shqiptar, në vitin 1994, dyshja erdhën me këngën “Telefonatë zemrash”, shkruan KultPlus.
Tekstin e këngës e shkroi Xhevdet Reshaj ndërsa muzika ishte e Radit, me orkestrim të Edison Misos. Teksti i fuqishëm tregon një lidhje mes vajzës dhe babait të saj, një marrëdhënie gjithmonë shumë e dashur për çdo fëmijë.
Asokohe kënga u pëlqye dhe dëgjohet edhe sot, ndërsa Festivalin e fitoi në fund Mira Konçi. / KultPlus.com
Aktorja britanike Marisa Abela do të portretizojë Amy Winehouse në një biografi për këngëtaren e ndjerë, me xhirimet që do të fillojnë në Londër të hënën, ka thënë kompania e prodhimit dhe shpërndarjes Studiocanal, transmeton KultPlus.
I quajtur “Back to Black” dhe i drejtuar nga regjisori britanik Sam Taylor-Johnson, filmi do të fokusohet në “vitet e gjalla të Winehouse që jetonte në Londër në fillimet e hershme dhe udhëtimin e saj intensiv drejt famës”.
Gjashtë herë fituesja e çmimit Grammy vdiq nga helmimi me alkool në shtëpinë e saj në veri të Londrës më 23 korrik 2011. Winehouse, e cila luftoi me problemet e pijeve dhe drogës gjatë pjesës më të madhe të karrierës së saj, ishte 27 vjeçe.
Spekulimet ishin të shumta se kush do të luante këngëtaren e “Rehab” dhe “Back to Black”. Ylli në rritje Abela, 26 vjeç, është më i njohur për dramën televizive me oktan të lartë “Industria”, për një grup të diplomuarish që konkurrojnë për punë në një bankë të lartë investimesh.
“Si regjisor nuk mund të kërkosh më shumë. Ndihem i emocionuar dhe i përulur që kam këtë mundësi për të realizuar historinë e bukur unike dhe tragjike të Amy në kinema të shoqëruar nga pjesa më e rëndësishme e trashëgimisë së saj – muzika e saj,” tha Taylor-Johnson në një deklaratë të premten./ KultPlus.com
Mbi bar dua të prehem, të këndoj, të dëfrehem, të shoh rreth bagëtinë, kur hanë dhe pinë; të shoh fushat e blerta, bimët kur i fryen era, njërzit kur punojnë dhe çupat kur këndojnë!
Ah, dua dhe lulet, kur i shfaqin pekulet, dhe fluturat që venë, mbi to dua të jenë; bilbili t’ia thotë nën diellin e ngrohtë.
Dua dhe Shqipërinë, se atje kam shtëpinë, kur rrija nëpër ferrat edhe lozja me sheqerrat; për këtë kam dëshirë dhe s’dua më mirë, atje dua të shkoj, sa të jem e të rroj!/ KultPlus.com
Konkursi i Miss Universe filloi këtë javë me konkursin paraprak dhe një konkurrente tashmë është bërë titull kryesor.
Miss Tajlanda Anna Sueangam-iam mahniti turmën me një fustan të bërë pjesët e aluminit të kanaçeve, të cilin e veshi gjatë fustanit të mbrëmjes.
Tani fustani është bërë viral, duke grumbulluar më shumë se 150,000 pëlqime që kur Sueangam-iam ndau një foto në Instagramin e saj.
Ky fustan, i cili u dizenjua nga marka Manirat dhe njihet si “Fustani i Fshehur i Çmuar i Diamantit” – kombinon fletët tërheqëse prej alumini të kanaçeve me kristalet Sëarovski.
Ka gjithashtu një kuptim të fshehur në veshje. Tapat e kanaçeve ndërkaq kanë një kuptim për edukimin e Sueangam-iam.
“Ky fustan u frymëzua nga mjedisi i njohur i fëmijërisë sime”, ka shkruar Sueangam-iam në Instagram. “Duke u rritur me prindër grumbullues plehrash, jeta ime si fëmijë ishte mes grumbujve të mbeturinave dhe materialeve të riciklueshme. Ky fustan unik u bë qëllimisht me materiale të hedhura dhe të ricikluara, përkatësisht ‘Tapat e kanaçes’ për t’i paraqitur UNIVERSIT atë që konsiderohet e pavlerë. nga shumë njerëz në fakt posedon vlerën dhe bukurinë e vet. Faleminderit të gjithëve që e patë, e dëgjuat dhe shpresojmë që jeni mesazhi i vetëvlerësimit.”, shkroi ajo, transmeton KultPlus.
“Edhe pse disa e quanin si “mbretëresha e bukurisë së plehrave”, kjo nuk e pengon kurrë të shkëlqejë si një perlë e çmuar”, shkruhet në një mbishkrim në faqen e Instagramit të Miss Tajlandës./ KultPlus.com
“Le Cri des peuples” ka botuar, me 13 tetor 1928, në faqen n°9, letrën (reagimin) e Fan Nolit mbi shndërrimin e Republikës së Shqipërisë në Monarki, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Farsa mbretërore e Tiranës
Tani le të presim luftën në Ballkan
Republika Shqiptare sapo është shndërruar në një monarki, me mbret Ahmet Zogun.U gëzuan në Romë, u indinjuan në Beograd, u argëtuan kudo tjetër.Le të fillojmë së pari me anën groteske të kësaj ngjarjeje : një ish-pronar kabareje nga Bukureshti, i quajtur Pandeli Evangjeli, në krye të një turme individësh të pavlerë, ish-banditë, hajdutë, vrasës dhe tutorë, që e quajnë veten Asamble Kushtetuese,i ofron kurorën mbretërore një hajduti, të quajtur Ahmet Zogu, i cili përparoi me vrasje, i cili e bëri pasurinë e tij me vjedhje dhe që u ngrit në pushtet me tradhti.
Dhe ky hajdut emëron, si kryeministër të tij, një mashtrues dhe një kriminel, Kosta Kotën, i cili ushtronte fshehurazi profesionin e kirurgut në Salt Lake City në Amerikë, prej nga iku për t’i shpëtuar policisë amerikaneqë e kërkonte për masakrimin e një pacienti të operuar prej tij.
Dhe kjo operetë monarkike luhet në Evropë, në mesin e shekullit të 20-të, një shekull që ka parë fronet dhe dinastitë shekullore të shemben, që tallet me mbretërit e fundit të mbijetuar, të cilët janë bërë pak a shumë lodra apo figura dekorative të borgjezisë dominuese.
Por aktorët e operetës së Tiranës nuk e kapin sensin e qesharakes dhe regjisori Musolini është shumë i lumtur për këtë.Loja e tij pati sukses.Ai bëri një marrëveshje shumë të mirë, duke shitur një kurorë me një çmim shumë të lartë që do ta siguronte atë për bindjen absolute të vasalit të kurorëzuar dhe skllavërimin e plotë të Shqipërisë. Dhe është kjo, natyrisht, që do të paguajë çmimin.
E kaluara e afërt është atje për të na treguar se si Ahmet Zogu e shpërbleu mbrojtësin e tij Musolinin për mbështetjen që i dha regjimit të tij gjakatar.
Në vitin 1925, ishte koncesioni i të ashtuquajturës Bankë Kombëtare, që e vuri Shqipërinë nën kontrollin ekonomik italian. Në vitin 1926, ishte Pakti i Tiranës, i cili e vuri Shqipërinë nën kontrollin politik italian. Në vitin 1927, ishte Traktati i Aleancës, i cili e vendosi Shqipërinë nën kontrollin ushtarak italian.
Vetëkuptohet se Musolini e ka siguruar paraprakisht çmimin e kurorës mbretërore. E ardhmja e afërt do të na tregojë se cilat janë tradhtitë e reja të Ahmet Zogut, por nuk është e vështirë t’i hamendësosh : bashkimi doganor, italianizimi i arsimit publik, kolonizimi i fushave pjellore nga kolonët fashistë, bazat detare në Vlorë dhe në Durrës,bazat ushtarake në të gjitha pikat strategjike të kufirit shqiptaro-jugosllav, me pak fjalë gjithçka është e nevojshme për ta shndërruar Shqipërinë në një koloni të thjeshtë italiane. Kjo është tragjedia që qëndron pas farsës.
Por Musolini me fashistët e tij dhe Ahmet Zogu me bejlerët e tij feudalë nuk janë të vetmit fajtorë të këtij krimi kundër pavarësisë së Shqipërisë dhe kundër paqes së Gadishullit Ballkanik.
Nuk duhet të harrohen militaristët e Beogradit dhe Athinës, të cilët që nga viti 1912 kanë bërë gjithçka për të shtypur dhe copëtuar shtetin e pavarur shqiptar, të krijuar pas luftërave ballkanike.
Për këtë, herë pas here ata organizonin pushtime të vërteta ushtarake, të cilat i quanin kryengritje. Mjafton të përmendim më tingëllueset prej tyre. Në vitin 1913, ishte pushtimi i Shqipërisë së Jugut nga Zografos. Në vitin 1915, ishte pushtimi i Shqipërisë së mesme nga Esad Pasha. Në vitin 1921, ishte pushtimi i Shqipërisë së Veriut nga Marka Gjoni. Në vitin 1924, ishte pushtimi i gjithë Shqipërisë nga Ahmet Zogu.
Ky pushtim i fundit u organizua në territorin jugosllav me armë serbe, me mercenarë të rekrutuar në Jugosllavi dhe me oficerë e Wrangel-it. Kështu, militaristët serbë shpresonin ta vendosnin Shqipërinë nën protektoratin e Beogradit. Rezultati ishte protektorati i Romës.
Çfarë zhgënjimi për militaristët serbë dhe grekë ! Dhe çfarë shlyerjeje, pasi ata e dinë mirë se Shqipëria është vetëm faza e parë e depërtimit italian në Ballkan ! Dhe të mendosh se ishin vetë ata që e shkaktuan atë !
“Last but not least — E fundit por jo më pak e rëndësishme” është një fjalë për Anglinë reaksionare e cila, për më tepër, është fajtorja kryesore i luftës së radhës që tashmë po merr formë në horizontin ballkanik.
Ngjitja në pushtet e Ahmet Zogut dhe pushtimi i Shqipërisë nga Musolini u kryen nën kujdesin e Londrës.Anglia është shpërblyer mirë. Ajo mori koncesionin e naftës, sepse fatkeqësisht ka naftë në Shqipëri. Dhe tani çështja është mjaft e qartë. Aty ku ka naftë, ka edhe tymra të neveritshëm dhe shpërthime shkatërrimtare.
E kemi parë tashmë se Tirana mban aromë të keqe nën regjimin e Ahmet Zogut.
Tani le të presim shpërthimet !
Ata do të vijnë në mënyrë të pashmangshme për të na vërtetuar në mënyrë të habitshme se popujt e Evropës janë tani po aq budallenj sa ishin para luftës botërore.
Manteli i bardhë i Alpeve është bërë gjithnjë e më shumë kalimtar.
Në shekullin e kaluar qëndrueshmëria e borës është ulur me më shumë se një muaj duke arritur rekordin negativ që nga koha e Kristofor Kolombit dhe Leonardo da Vinçit.
Kjo zbulohet nga unazat e rritjes së bimëve të zakonshme të dëllinjës të rritura në lartësi të mëdha, të analizuara për një studim të paprecedentë nga studiues nga Universiteti i Padovës dhe Këshilli Kombëtar i Kërkimeve (CNR).
Rezultatet, të publikuara në revistën ”Nature Climate Change”, tregojnë pasojat alarmante të ngrohjes globale, e cila sipas NASA-s dhe Organizatës Botërore Meteorologjike (WMO) i ka bërë vitet e dekadës së fundit (përfshirë vitin 2022) ndër më të nxehtat ndonjëherë të regjistruara.
Drejtuar nga Marco Carrer, Raffaella Dibona dhe Angela Luisa Prenden, nga Universiteti i Padovës, dhe nga Michele Brunetti, i Institutit të Shkencave Atmosferike dhe Klimatike të Këshillit Kombëtar të Kërkimeve (Isac – Cnr), studimi analizoi numrin e ditëve në të cilat bimët ndaluan rritjen e tyre për shkak të mbulesës së borës./KultPlus.com
Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore solli në vëmendje një nga monumentet e kulturës, që mund të jetë edhe një destinacion interesant për t’u vizituar në fundjavë.
Objekti i përzgjedhur është kisha Fjetja e Shën Marisë në Leusë të Përmetit.
Kisha Fjetja e Shën Marisë në Leusë, Monument Kulture, Kat. I, vetëm 2 km larg qytetit të Përmetit, është e ndërtuar mbi një kodër, e cila lartësohet mbi lumin Vjosë.
Pozicionimi i kishës mes pyjesh, e vesh objektin e kultit me një aureole misticizmi sapo ky i fundit fillon të shfaqet mes gjelbërimit, duke përbërë rast perfekt të harmonizimit të trashëgimisë kulturore dhe natyrës.
Ndërtimi bazilikal me kupolë përbëhet nga naosi, narteksi dhe hajati. Objekti i kultit është mjaft i njohur prej ikonostasit të tij të drurit, të gdhendur me mjeshtëri të lartë artistike dhe afresket. Mbishkrimi mbi portën veriore na informon se piktorët e kishës ishin Mihali, Jorgo dhe Jorgo nga Fjonjati. Kisha datohet në shekullin XVIII dhe është ende funksionale për besimtarët./atsh/ KultPlus.com
Princi Harry thotë se ka pasur material mjaftueshëm për ‘dy libra’ dhe nuk ka përmendur disa gjëra në librin e tij, sepse babai dhe vëllau i tij nuk do t’ia falnin kurrë.
Ai tha për të përditshmen britaneze “Daily Telegraph” se ka disa gjëra që ‘nuk dua bota t’i marrë vesh’ dhe se donte një kërkim falje për Meghan nga anëtarët e familjes së tij.
Libri autobiografik i Princit Harry, “Spare”, i cili u publikua këtë javë, u bë libri më së shpejti i shitur ndonjëherë në Mbretërinë e Bashkuar.
Në libër, Harry ka përshkruar një listë të gjatë me pakënaqësi ndaj Familjes Mbretërore, e gjithashtu edhe traumën nga vdekja e nënës së tij, përballjen me shëndetin mendor, jetën e izoluar që kishte para se ta takonte Meghan dhe përçarjen e marrëdhënieve me familjen e ngushtë.
Mirëpo, Pallatet Kensington dhe Buckingham janë deklaruar se nuk do të komentojnë përmbajtjen e librit të tijm shkruan BBC, përcjell Klankosova.tv.
Në një intervistë me Bryony Gordon të Telegraph, Duka i Sussex tha se ai nuk “po përpiqej të rrëzonte monarkinë”, por “po përpiqej t’i shpëtonte ata nga vetja”.
Princi Harry tha se kishte informacione që ai ia zbuloi shkrimtarit të tij fantazmë JP Moehringer “për kontekst”, por nuk kishte “absolutisht asnjë mënyrë” që të mund të përfshihej në libër.
“Mund të ishin dy libra, e thënë kështu,” tha ai, duke shtuar se drafti i parë kishte 800 faqe, dyfishi i dorëshkrimit përfundimtar prej 400 faqesh.
“Dhe kishte pjesë të tjera që i ndava me JR, që i thash: “Shiko, po jua them këtë për kontekst, por nuk ka absolutisht asnjë mënyrë që ta vendos atje.”
Ai tha se ishte e pamundur të tregonte historinë e tij pa anëtarët e familjes së tij në të, “sepse ata luajnë një rol kaq vendimtar në të, dhe gjithashtu sepse ju duhet të kuptoni personazhet dhe personalitetet e secilit brenda librit”.
“Por ka disa gjëra që kanë ndodhur, veçanërisht mes meje dhe vëllaiut tim, dhe deri diku mes meje dhe babait tim, që unë thjesht nuk dua t’i di bota. Sepse nuk mendoj se ata do të më falnin ndonjëherë”, tha ai.
“Por ashtu siç e shoh unë, unë jam i gatshëm të të fal për gjithçka që ke bërë, dhe do të doja që në të vërtetë të uleshe me mua, siç duhet, dhe në vend që të thuash se jam deluzional dhe paranojak, në fakt uluni dhe bëni një bisedë si duhet për këtë, sepse ajo që do të doja shumë është një përgjegjësi. Dhe një falje për gruan time.”
Ndër pretendimet e bëra në libër, Princi Harry tha se vëllau i tij e përshkroi Meghan si “të vështirë”, “të vrazhdë” dhe “gërryese”. Princi Harry gjithashtu akuzoi vëllaun e tij se e kishte sulmuar fizikisht.
Ai tha për Telegraph se “asnjë institucion nuk është imun ndaj kritikave dhe shqyrtimit”, duke pretenduar se nëse vetëm 10% e kontrollit të bërë ndaj tij dhe gruas së tij do të ishte aplikuar në Familjen Mbretërore “ne nuk do të ishim në këtë rrëmujë tani”.
Ai foli gjithashtu për terapinë, duke e përshkruar atë “si pastrimi i xhamit të përparmë, pastrimi i të gjithë filtrave të Instagramit, të gjithë filtrave të jetës”.
Dhe ai tha se ndjen një përgjegjësi ndaj fëmijëve të William, “duke e ditur se nga ata tre fëmijë, të paktën njëri do të përfundojë si unë, ai rezervë. Dhe kjo më dhemb dhe më shqetëson”./ KultPlus.com
Uiskonsin dhe Karolina e Veriut u janë bashkuar të paktën 22 shteteve të tjera në ndalimin e aplikacionit popullor të mediave sociale, TikTok, në pajisjet shtetërore.
Edhe shtete të tjera amerikane, përfshirë Misisipin, Indianën, Luizianën dhe Dakotën e Jugut, kanë marrë një vendim të ngjashëm.
Kongresi, gjithashtu, kohët e fundit ndaloi TikTok-un nga shumica e pajisjeve të lëshuara nga Qeveria amerikane, për shkak të shqetësimeve të dy partive lidhur me sigurinë.
TikTok është në pronësi të ByteDance, një kompani kineze që e zhvendosi selinë e saj në Singapor në vitin 2020.
Ky aplikacion është vënë në shënjestër nga kritikët që thonë se Qeveria kineze mund të ketë qasje në të dhënat e përdoruesve, sikurse është historia e kërkimeve dhe vendndodhja. Forcat e armatosura amerikane gjithashtu e kanë ndaluar aplikacionin në pajisjet ushtarake.
TikTok përdoret nga dy e treta e adoleshentëve amerikanë dhe është bërë domeni i dytë më i popullarizuar në botë.
Por, prej kohësh ka pasur shqetësime dypartiake në Uashington se Pekini do të përdorte fuqinë ligjore dhe rregullatore për të marrë në posedim të dhënat e përdoruesve amerikanë ose për të provuar që të shtyjë përpara narrativë pro-Kinë ose të përhapë dezinformata.
Në këtë tekst mund të mësoni më shumë për vendimin e shteteve amerikane Uiskonsin dhe Karolina e Veriut dhe lidhur me debatin më të gjerë rreth TikTok-ut.
Pse Uiskonsin dhe Karolina e Veriut po e përjashtojnë TikTok-un?
Guvernatori demokrat i Uiskonsin, Tony Evers, përmendi shqetësimet për privatësinë dhe sigurinë pas konsultimit me Byronë Federale të Hetimeve (FBI) dhe zyrtarët e menaxhimit të emergjencave rreth aplikacionit. Urdhri i Evers zbatohet për shumicën e agjencive shtetërore, me disa përjashtime si hetuesit penalë, që mund të përdorin aplikacionin për të gjurmuar njerëz të caktuar.
Sistemi i Universitetit të Uiskonsin, i cili ka të punësuar 40.000 pedagogë dhe staf tjetër, është gjithashtu i përjashtuar nga urdhri për ndalimin e përdorimit të TikTok-ut. Por, një zëdhënës i Sistemit të Universitetit të Uiskonsin, tha se pavarësisht përjashtimit, universiteti po kryente një rishikim dhe po shkonte drejt vendosjes së kufizimeve në aplikacionin që përdoret në pajisje, për të mbrojtur kundër rreziqeve serioze të sigurisë kibernetike.
Si Evers ashtu edhe guvernatori i Karolinës së Veriut, Roy Cooper, ndaluan gjithashtu përdorimin e WeChat, një aplikacion kinez i mesazheve, në pajisjet shtetërore.
“Është e rëndësishme për ne që të mbrojmë teknologjinë shtetërore të informacionit nga vendet e huaja që kanë marrë pjesë në mënyrë aktive në sulmet kibernetike kundër Shteteve të Bashkuara”, tha Cooper.
“Mbrojtja e Karolinës së Veriut nga kërcënimet kibernetike është jetike për të garantuar sigurinë, privatësinë dhe suksesin e shtetit tonë dhe njerëzve të tij”, shtoi ai.
Cilat janë shqetësimet më të mëdha për TikTok-un?
Si FBI-ja, ashtu edhe Komisioni Federal i Komunikimeve, kanë paralajmëruar se të dhënat e përdoruesve të TikTok-ut mund të ndahen nga pronari ByteDance Ltd. me Qeverinë autoritare të Kinës. Zyrtarët amerikanë kanë shprehur shqetësim gjithashtu se Qeveria kineze mund të përdorë TikTok-ut për të nxitur narrativë ose dezinformata pro-Pekinit.
Frika u rrit nga lajmet në vitin e kaluar se një ekip me bazë në Kinë ka pasur qasje në mënyrë të parregullt në të dhënat e përdoruesve amerikanë të TikTok-ut, përfshirë edhe në të dhënat e dy gazetarëve, si pjesë e një programi të fshehtë mbikëqyrjeje për të zbuluar burimin e rrjedhjeve të informacionit në media.
Ekzistojnë gjithashtu shqetësime se kompania po dërgon të dhënat e përdoruesve në Kinë, duke shkelur rregullat e rrepta evropiane të privatësisë.
Për më tepër, ka pasur shqetësime për përmbajtjen e TikTok-ut dhe nëse ajo dëmton shëndetin mendor të adoleshentëve.
Kush ka kërkuar për kufizime?
Në vitin 2020, ish-presidenti amerikan, Donald Trump, dhe administrata e tij u përpoqën të ndalonin lidhjet me pronarin e TikTok-ut, ta detyronin atë të shiste asetet e tij në SHBA dhe ta largojnë nga platformat e shitjes së aplikacioneve. Gjykatat bllokuan përpjekjet e Trump për të ndaluar TikTok-un dhe presidenti aktual amerikan, Joe Biden, anuloi urdhrat e Trump pasi mori detyrën.
Megjithatë, Biden urdhëroi që të bëhej një studim më i thellë i kësaj çështjeje. Ndërkaq, një shitje e planifikuar e aseteve të TikTok-ut në SHBA u anulua.
Në Kongres, shqetësimi për aplikacionin ka qenë dypartiak. Kongresi amerikan muajin e kaluar ndaloi TikTok-un nga shumica e pajisjeve të lëshuara nga Qeveria amerikane, për shkak të shqetësimeve të ligjvënësve demokratë e republikanë lidhur me sigurinë.
Senati në dhjetorin e vitit të kaluar miratoi një version të ndalimit të TikTok-ut, vendim që u autorizua nga senatori republikan konservator, Josh Hawley, nga Misuri. Hawley është një kritik i zëshëm i kompanive të mëdha të teknologjisë.
Por, ligjvënësi demokrat amerikan, Raja Krishnamoorthi, nga Illinois, ka bashkë-sponsorizuar legjislacionin për të ndaluar funksionimin e plotë të TikTok-ut në SHBA dhe masa e miratuar nga Kongresi në dhjetor kishte mbështetjen e kryetares së atëhershme demokrate të Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.
Por, cila është përgjigjja e Tiktok-ut?
“Ne jemi të zhgënjyer që kaq shumë shtete po pajtohen me anën politike për të miratuar politika që nuk do të bëjnë asgjë për të avancuar sigurinë kibernetike në shtetet e tyre dhe bazohen në gënjeshtra të pabaza rreth TikTok-ut”, tha Jamal Brown, një zëdhënës i TikTok-ut përmes një deklarate.
TikTok-u po zhvillon plane për sigurinë dhe privatësinë e të dhënave si pjesë e një rishikimi të vazhdueshëm të sigurisë kombëtare nga administrata e presidentit amerikan, Joe Biden./REL/ KultPlus.com
Kalaja e Rozafës është një sit i aksesueshëm si ditën ashtu edhe mbrëmjeve. Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër po punon çdo ditë për përmirësimin e infrastrukturës në sitin arkeologjik të Kalasë së Rozafës, duke u fokusuar në mirëmbajtjen dhe sistemimin e rrjetit elektrik.
Ekspertët e DRTK Shkodër po evidentojnë problematikat dhe riparimin e defekteve për të garantuar ndriçimin e plotë të këtij atraksioni turistik, të vizitueshëm dhe rijetësuar edhe në mbrëmje.
DRTK Shkodër ka raportuar rritje të numrit të turistëve në Kalanë e Rozafës, duke krahasuar shifrat e dy viteve që lamë pas. Është vënë re një turizëm kulturor përgjatë gjithë vitit, duke reflektuar rritje të ndjeshme të numrit të vizitorëve vendas dhe të huaj në vitin 2022.
Kalaja e Rozafës është një prej kalave më të rëndësishme të Shqipërisë dhe objekti kryesor turistik në qytetin e Shkodrës./atsh/ KultPlus.com
Sot është e shtunë… Për mua dhe për ty Për të gjithë. Për të gjithë ata Që patën diçka në tokë.
Sot është e shtunë Edhe për ata që janë mërzitur Për ata që nuk dinë të jetojnë. Është e shtunë edhe për ata Që nuk janë më.
Sot është e shtunë Për kuajt që tërheqin karrocat në errësirë Për lodrat që u luajtën Dhe për vendet bosh në sallat e lavdisë.
Sot është e shtunë Edhe për ata që nuk e dinë këtë gjë Që vuajnë e s’janë të lumtur. Vetëm sot është e shtunë, E dëgjova në rrugë Në derën e spitalit.
Sot është e shtunë Edhe sikur askush të mos e kujtojë… Jo vetëm sepse unë sot jam mërzitur, Por për madhështinë e një dite Që veshi mbi vete pelerinën e vjetër të botës.
Është e shtunë Sepse nuk ekziston asnjë ditë tjetër Si kjo e sotmja Dhe dikush mund të thotë Se asnjëherë nuk ka qenë e shtunë, Se asnjëherë, asnjë ditë Nuk ka shpënë buzë greminës kuptimin e madh Jetën e madhe përpara një bluze Të thjeshtë dite Siç është dita e shtunë.
Ditë e shtunë sot Që u përsërit aq shumë Mbi atë çka bënë ata që nuk jetojnë sot Me lehtësinë e atyre që jetojnë Të mbështjellë nga e shtuna Që si letër karamelesh Bie mbi butësinë e vjetër.
Sot e shtuna bie mbi kërcënimin e vjetër Dhe thuhet nga të gjitha buzët kudo Edhe atje ku dita është ngatërruar me një tjetër Edhe atje ku dashuria është është zëvendësuar me një tjetër.
Kudo sot e shtuna përkëdheli plagët dhe buzëqeshi Për t’ua bërë më njerëzore, Për t’ua larguar sadopak nga pesha e kohës, Që e veshur me hijen dhe dritën e një të shtune Ndaloi lozonjare dhe tha: Sot është e shtunë Kur filluam të kuptojmë Se vetëm në botën tonë është diçka
Të rrish pak më shumë në të ftohtë Për të larguar diku drejt pafundësisë Nyjen e vërtetë, Që lëkundet me përkëdheli Brenda thellë së shtunës Që duket se nuk do të ndërrohet me asnjë ditë tjetër.
Sot është e shtunë Për të vetmen thjeshtësi dhe mendim Për të vetmen kënaqësi dhe trishtim Për të bërë një hap Në botën e vogël të njerëzve. / KultPlus.com
Transformimi i Piramidës në Tiranë vlerësohet si një nga 12 projektet më të mira arkitekturore në botë.
Revista e njohur në fushën e arkitekturës “Dezeen”, ka përfshirë edhe Piramidën, ku mijëra të rinj presin që të mësojnë gjuhët e kodimit, duke marrë një profesion të sigurt për vendin e punës.
“Studio MVRDV ka disa projekte për të përfunduar në vitin 2023, por një nga më të pazakontat është riparimi i një piramide të viteve 1980 në Tiranë. Ndërtesa e amortizuar, e njohur si Piramida e Tiranës, do të rihapet si një qendër rinore, e cila përmban studio dhe klasa për të rinjtë shqiptarë. Fillimisht u ndërtua në vitin 1988 si një muze kushtuar ish-diktatorit komunist, Enver Hoxha, por u mbyll tre vjet më vonë pas rënies së komunizmit në vend”, thuhet në shkrim.
Institucioni arsimor TUMO Tirana do të drejtojë Piramidën pas rinovimit të saj. Ai do të ofrojë programe arsimore parashkollore për 12 – 18-vjeçarët, si robotika, animacioni, zhvillimi i lojërave, muzika dhe filmi.
Lista e plotë me 12 projektet e vlerësuara si më të mirat në botë për vitin 2023:
The Pyramid of Tirana, Albania, by MVRDV Sub-Center Library, China, by Snøhetta Abrahamic Family House, UAE, by Adjaye Associates Bezalel Academy of Arts and Design, Israel, by SANAA Paddington Square, UK, by Renzo Piano Gilder Center, USA, by Studio Gang Toranomon-Azabudai, Japan, by Heatherëick Studio Factory International, UK, by OMA Zhuhai Jinëan Civic Art Centre, China, by Zaha Hadid Architects National Library of Israel, Israel, by Herzog & de Meuron The Spiral, USA, by BIG Maggie’s Centre, UK, by Studio Libeskind./atsh/ KultPlus.com