Këtë muaj dalin pagat me koeficientin e ri

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ekzekuton pagat për 83 mijë punëtorë  të sektorit publik me koeficientin e ri.

Shërbyesit civil sot mbas orës 16:00 do të kuptojnë  vlerën e saktë të  pagës. Me fillim të këtij muaji qeveria ka bërë publike vlerën e koeficionetit që ishte 105 euro.

Vlera e koeficientit të pagave për vitin 2023 do të jetë 105 euro.

Kështu kishte thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë më 1 shkurt.

Ligji i pagave në Kosovë ka hyrë në fuqi më 5 shkurt të këtij viti.

Pagat e punëtorëve në Kosovë llogariten duke e shumëzuar koeficientin e pagës së një pozite me vlerën monetare të koeficientit. Raporti i koeficienteve është nga një deri në 18, raporton Express.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve i Kosovës, Hekuran Murati, tha se paga mesatare bruto do të jetë 730 euro, që sipas tij do të rritet për rreth 100 euro.

Numri i punonjësve që marrin paga nga buxheti i Kosovës është rreth 83 mijë./ KultPlus.com

Veprat e Vincenzo Dorsa-s, në ekspozitën e Bibliotekës Kombëtare

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, me rastin e 200-vjetorit të lindjes së studiuesit dhe atdhetarit arbëresh, Vincenzo Dorsa (1823-1885), çeli ekspozitën me veprat e tij më të rëndësishme, duke sjellë në vëmendje të lexuesve veprimtarinë e tij studimore.

Pjesë e fondit të saj arkivor janë veprat “Su gli albanesi: ricerche e pensieri”(1847), “La Tradizione greco – latina negli usi e nelle credenze popolari della Calabria Citeriore” (1884), “Studi etimologici della lingua Albanese” (1862), “Il Vangelo di S. Matteo” përkthyer nga teksti grek ne dialektin kalabro-arbëresh nga Vincenzo Dorsa (1869), si dhe “Mbi shqiptarët: kërkime dhe mendime” (2021).

Veprat e tij studimore përbëjnë një vlerë unike për të dhënat historike, gjuhësore, folklorike, etnografike, letrare, si dhe për historinë e ngulimeve arbëreshe që ato përcjellin.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Sallën Shkencore të BKSh-së.

Vinçenzo Dorsa lindi në Frasnitë më 26 shkurt të vitit 1823. Ai përfundoi studimet e tij të para në Kolegjin e Shën Adrianit në Shën Mitër Korone dhe nga viti 1848 dhe bashkëpunoi me revistën “Kalabrese” në Kozenca të Italisë. Ai u dallua për studimet e tij mbi traditat popullore të Kalabrisë dhe të kulturës shqiptare. V. Dorsa ishte studiues dhe dijetar i njohur në rrethet intelektuale kalabreze të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Ai ishte autor i shumë shkrimeve filologjike dhe të letërsisë popullore shqiptare.

Vdiq më 1885 në Kozenca./ atsh / KultPlus.com

Baba krejt i din

Rita Behadini

Jam rrit t’u mendu që baba din gjithçka
Se ashtu m’kanë msu
Që baba kurrë nuk i then premtimet
E as nuk jep premtime që s’mun i mban

Jam rrit t’u mendu që babës gjithçka i shkon për dore
Që për gjithçka
Ai e ka përgjigjen
Detyrat e matematikës e kimisë
Integrale, limite, matrica
Krejt i di

Baba jem krejt i di
Çka bojnë ata që s’kanë një babë si i jemi?

Baba veç me gatu s’di
Po edhe se kanë detyru kurrë
Se tanë ditën i ka pas durt n’rrezik
Edhe pse gjithmonë ka besu se
rrymën elektrike e ka mik

Baba jem krejt i di
Për besë
e ka ba një robot me lëvizë
e një derë të madhe e të hekurit me një klik
e hap
e mbyll

Baba jem ka qenë hero,
deri kur e ka thy t’parin premtim
E kjo ka ndodh kur jam rrit
dhe e kam kuptu që ai nuk ka fuqi mbinjerzore,
po është veç nji njeri

Baba jem krejt i din
Sa herë dikush ka msu çik e kujna jam
I kanë thurë lavde babës tim
“Je me fat” m’kanë thanë
“Që e ke babë”

Baba jem krejt i di,
kur e marrin vesh njerëzit emrin e tij
më thonë që normal që kam dalë si kam dalë
se e kam një babë të tillë.

Baba jem krejt i di,
edhe pse me kalimin e viteve
kam kuptu që e vërteta ndonjëherë ka bisht.

Baba jem ani se ka ditë me zgjidh integrale
S’e ka kuptu kurrë dashninë teme për poezinë
M’ka thanë gjithë që jam e prirun për sende ma t’mdhaja
Se ka kuptu që s’ka send ma t’madh se dashuria n’poezi
E që unë veç ashtu kam ditë me dasht
T’u i lanë letra e t’u ja sqaru që
Babë unë kështu jam

Baba jem krejt i din
Veç si mos me u lëndu prej fjalëve t’evladit t’vet
Këtë kurrë s’e ka msu
Se për besë e kemi lëndu
Atëherë kur e kemi pa që nuk asht mbinjeri
Jemi dëshpëru
E jemi largu, si fëmijë:
“Baba nuk po na kupton,
Na ma mirë se ai po dimë”

Po baba ka pas shumë durim,
ani se e kemi idhnu
e vujtjet tona vujtje të tij shumë shpesh janë ba.

Baba krejt i din,
Baba krejt m’i ka mësu,
Veç, që është vetëm njeri
Unë kurrë s’kam me besu.

Baba jem ka superfuqi
Se kur kam qenë e vogël
M’ka vërtetu që një hero
mbetet gjithmonë i tillë.

rita | çupja babit. / KultPlus.com

Baleti Kombëtar i Kosovës me premierë në muajin mars

Baleti Kombëtar i Kosovës, ka filluar provat për premierën e parë për vitin 2023, përcjell KultPlus.

“Time” titullohet shfaqja e cila vjen me koroegrafi nga koroegrafi dhe kërcimtari i njohur shqiptar, Taulant Shehu.

Në fotot e publikuara nga faqja zyrtare e Baletit Kombëtar, shihen balerinët gjatë provave të shfaqjes “Time”, së bashku me asistenten e koroegrafit, Diletta Antolini.

Sipas njoftimit, premiera do të shfaqet më datë 19 mars. / KultPlus.com

Elon Musk është zyrtarisht më i pasuri në botë, kaq është pasuria e tij

Pronari i Twitter dhe Tesla, Elon Musk, edhe njëherë është shpallur njeriu më i pasur në botë dhe kjo falë rritjes së vlerës së aksioneve të Tesla-s. Pasuria e Musk ka arritur në 24 orët e fundit në 187 miliardë dollarë, pasuri neto. Që prej janarit të këtij viti, pasuria e miliarderit është rritur me 50.1 miliardë dollarë, sipas Indeksit të miliarderëve të Bloomberg.

Në këtë mënyrë, 51-vjeçari, ka tejkaluar për pasurinë, miliarderin tjetër, themeluesin e brand-it luksoz, Louis Vuitton, Bernard Arnault, i cili ka një pasuri prej 185 miliardë dollarësh, 2 miliardë më pak se Musk aktualisht.

Vlera e aksioneve të Tesla-s u rrit ndjeshëm, me thuajse 100% këtë janar, falë uljes së çmimit të automjeteve dhe rritjes së kërkesës nga investitorët.

Musk dhe Arnault, mbeten në krye të listës së më të pasurve në botë, duke lënë pas Jeff Bezos, themeluesin e Amazon, themeluesin e Microsoft Bill Gates dhe miliarderin investitor Uarren Buffett, që kanë respektivisht pasuri neto prej 117, 114 dhe 106 miliardë dollarë./A2CNN / KultPlus.com

Laguna e Kune Vainit, ndër oazet e biodiversitetit në Europë (VIDEO)

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro solli mëngjesin e sotëm pamje nga zona e parë të mbrojtur në Shqipëri. Bëhet fjalë për lagunën e Kune Vainit, të cilën ministrja Kumbaro e vlerëson si “një prej oazeve më të rëndësishme të biodiversitetit në Europë si dhe një mrekulli të natyrës”.

Laguna e Kune Vainit, përveç se një nga asetet turistike të veriperëndimit të vendit, është një atraksion i përhershëm dhe lehtësisht i arritshëm falë ndërtimit të infrastrukturës. Laguna, e shpallur e para zonë e mbrojtur në vend, rreth 80 vjet më parë, gjendet 8 km larg Lezhës. Ajo cilësohet si një nga më interesantet dhe gjithnjë e më shumë po tërheq vizitorë të huaj dhe vendas.

Laguna Kune-Vain ka një panoramë të mrekullueshme, ka infrastrukturë të ngritur në ndihmë të vizitorëve, vlera arkeologjike dhe kulinari interesante. Sot, kjo Zonë e Mbrojtur shfrytëzohet edhe për turizëm të vëzhgimit  të shpendëve të shumtë ujor që shumohen në këtë kënetë. Në përbërje të Lagunës hyjnë mjedise detare, lagunore, ligatinore, pyje, shkurre dhe livadhe, që ndërthuren hijshëm midis tyre.

Dallohet për larmi të madhe të botës së gjallë rreth 227 specie bimësh, 17 lloje molusqesh, 10 lloje amfibësh, 24 lloje zvarranikësh, disa lloje peshqish si qefull, levrek, koca, ngjala. Veçanërisht e pasur është bota e shpendëve (196 lloje migratore dhe të përhershëm), e cilësuar si “ornitologjia e Mesdheut”, 23 specie gjitarësh: lepur, dhelpër, ujk, derr i egër, etj./ atsh / KultPlus.com

Në Akademinë Spanjolle zbulohet dokumenti mbi gjenealogjinë e familjes së Skënderbeut

Studiuesi shqiptar Bejtullah Destani, i cili ka bërë shumë zbulime të rëndësishme në arkivat dhe bibliotekat britanike, tashmë ka zbuluar një dokument që tregon gjenealogjinë e familjes së Gjergj Kastrioti Skënderbeut.

Studiuesi Destani për portalin e RTV Dukagjinit ka treguar se dokumenti është zbuluar në Akademinë Spanjolle, dhe se është i pabotuar apo i paparë ndonjëherë deri më tani.

Siç mund të shihet, dokumenti është shumë i vjetër dhe nuk mund të përkthehet lehtë pasi është shkruar në spanjishten e vjetër, e njohur edhe si kastilianishtja e vjetër.

Dokumenti tregon historinë e prejardhjes së brezave të familjes Kastrioti njëri pas tjetrit, pra një varg brezash që rrjedhin nga një paraardhës i përbashkët.

Kështu, sipas Destanit, këtu përshkruhet historia e familjes së Skënderbeut gjatë disa brezave, duke treguar vitet e lindjes së paraardhësve dhe se me kë u martua secili person dhe cilët ishin fëmijët e tyre.

Figura e Skënderbeut ka një rëndësi të madhe për popullin shqiptar. Emri i tij ka bashkuar shqiptarët anembanë botës, duke qenë kështu simbol i dashurisë për kombin dhe atdheun.

Destani që ka zbuluar këtë dokument, ka studiuar shkenca politike në Beograd në vitet 1980, ku ka botuar Bibliografia përzgjedhëse e librave për Shqipërinë, 1850–1984, në vitin 1986.

Në vitet 1990, duke pasur parasysh situatën gjithnjë e më të rrezikshme në vendlindjen e tij në Kosovë, ai kishte emigruar në Londër, ku edhe jeton që nga viti 1991.

Ai i është përkushtuar studimeve shqiptare, veçanërisht kërkimit mbi marrëdhëniet kulturore britaniko-shqiptare. Është autor i Albania & Kosova, Political and Etnic Boundaries, 1867-1946: Documents and Maps (Slough, 1999) dhe Pakicat Etnike 4200 faqesh në Shtetet e Ballkanit, 1860-1971 (Slough, 2003).

Në vjeshtën e vitit 2008, Destani është emëruar Sekretar i Parë në ambasadën e re të Republikës së Kosovës në Londër.

Në vitin 1997, Bejtullah Destani themeloi Qendrën për Studime Shqiptare në Londër, ku si drejtues i saj ka botuar ose ribotuar një sërë veprash të rëndësishme. / KultPlus.com

209 vjet pa De Raden, nismëtarin e çështjes shqiptare në qarqet intelektuale europiane

Më 28 shkurt të vitit 1903, vdiq ideologu i Rilindjes Kombëtare, Jeronim De Rada.

Jeronim de Rada ka lindur më 19 nëntor 1814, në një katund të vogël të Kalabrisë të quajtur Macchia Albanese.

Pasi kreu kolegjin e San Benedeto Ullanos, studioi për drejtësi në Universitetin e Napolit. Në vitin 1836, kur ishte 22 vjeç botoi “Milosaon”, librin e tij të parë. Milosao është një përrallë historike me vjersha në gjuhën shqipe.

Jeronim de Rada e arriti kulmin e krijimtarisë së tij në vitin 1866 kur botoi në Firence “Këngët e Milosaos”. Ky libër përmban rapsoditë më të bukura shqiptare, të cilat autori i kishte mbledhur në kolonitë shqiptare të Kalabrisë dhe të Napolit. Këto këngë i patën sjellë me vete të shpërngulurit (arbëreshët) dhe u transmetuan gojë më gojë nga brezi në brez për katër shekuj.

Më 1840 botoi poemën “Serafina Topia“, e cila më tepër se një himn dashurie është një himn për bashkimin e shqiptarëve. Gjatë viteve 1847-1848 botoi “Rrëfimet e Arbrit”, e cila përbëhet nga katër novela romantike. Më 1861 botoi “Parimet e estetikës”, më 1864 “Lashtësia e kombit shqiptar” dhe më 1866 “Rapsodi e një poeme arbëreshe”.

Veprën e fundit Jeronim de Rada e shkroi në vitin 1900 në moshën 86 vjeçare. Jeronim de Rada u martua më 1850 me arbëreshen Madalena Melkji, me të cilën pati katër djem. Fatkeqësitë familjare, vdekja e gruas dhe e djemve nuk e mposhtën atë, por dhimbjen e ktheu në forcë duke vazhduar veprimtarinë krijuese. Në këtë kohë shkroi poemën “Skënderbeu i pafat“. / KultPlus.com

25 vjet nga beteja e Likoshanit dhe Qirezit

Sulmet në Likoshan dhe Qirez ishin sulme policore në shkallë të gjerë që ndodhën në fillim të Luftës së Kosovës në fshatrat Likoshan dhe Qirez. Më 28 Shkurt 1998, Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) i zuri pritë një njësie të policisë serbe afër Likoshanit, duke vrarë 4 policë dhe duke plagosur dy të tjerë. Kjo nxiti operacione policore në shkallë të gjerë në fshatrat Likoshan dhe Qirez të nesërmen, duke çuar në vrasjen e 21 civilëve shqiptarë të Kosovës në të dy fshatrat. Sulmi ndaj Likoshanit dhe Qirezit u pasua nga Sulmi në Prekaz në ditët në vijim. Sulmet në Likoshan dhe Qirez, si dhe në Prekaz, shënuan fillimin e Luftës së Kosovës.

Sipas Human Rights Watch (1998)

Më 28 Shkurt 1998, sipas policisë serbe, shqiptarë të armatosur sulmuan një patrullë policie pranë fshatit Likoshan, duke vrarë katër policë dhe duke plagosur rëndë dy. Një raport pro-qeveritar tha se kishte tre sulme të njëkohshme ndaj patrullave të policisë. Shqiptarët nga Likoshani informuan Organizatën Human Rights Watch (HRW) se dëgjuan të shtëna afër fshatit rreth orës 23:00 dhe disa dëgjuan se policia kishte rënë në pritë atje. Raporte të pakonfirmuara tregojnë se shqiptarë të armatosur sulmuan fabrikën e municionit me bazë policinë pranë Prekazit të Poshtëm më 27 shkurt dhe se policia u zu në pritë në Likoshan pas një ndjekjeje policore.

Sipas Amnesty International (1999)

Dëshmitarët shqiptarë deklaruan se ngjarjet filluan në mbrëmjen e 27 shkurtit, “kur UÇK-ja qëlloi në një shkollë që strehonte refugjatë serbë, boshnjakë ose kroatë në qytetin e afërt të Skënderajit”. Sipas Amnesty International:

Automjeti me burra të UÇK-së u ndoq nga policia në drejtim të Likoshanit dhe pasoi një përleshje e shkurtër. Policia solli përforcime dhe mund ta ketë bërë edhe UÇK-ja. Në luftimet që pasuan, me sa duket kryesisht më 28 shkurt, policia përdori forcë të rëndë duke përfshirë automjete të blinduara dhe helikopterë dhe UÇK-ja me sa duket u tërhoq. Amnesty International beson se shumica e civilëve shqiptarë që vdiqën u vranë pasi UÇK-ja ishte tërhequr ndërsa policia serbe u zhvendos në fshatra.

Vrasjet në Likoshan

Policia mbërriti në Likoshan nga ora 11:30 deri në 12:00, me një helikopter policor në lëvizje dhe me shumë automjete të blinduara dhe policë specialë të armatosur që rrethuan shtëpinë e familjes Ahmeti. Familja ishte më e pasura në fshat. Fshatarët i thanë HRW-së se nuk kishte pjesëtarë të UÇK-së të pranishëm, edhe pse është e mundur që të ketë të shtëna në drejtim të policisë.

Në mënyrë të shpejtë dhe të mirëorganizuar, duke lënë të kuptohet se sulmi ishte i planifikuar, policia serbe u përqendrua në dy familje shqiptare, familjet Gjeli dhe Ahmeti. Ka spekulime nëse ndonjë pjesëtar i UÇK-së ka hyrë dhe dalë nga shtëpia e Ahmetit. Rreth orës 15:30 policia ka hyrë në kompleksin e Ahmetit. Dhjetë anëtarë meshkuj të familjes dhe një mysafir, nga mosha 16 deri në 50 vjeç, u rrahën dhe më pas u ekzekutuan pa gjyq.

Vëllai i vetëm Ahmeti që mbijetoi ishte larguar në atë kohë, duke u kthyer në Likoshan pasi dëgjoi incidentin; Sipas tij, siç i tha HRW, kur arriti në orën 08:00 të mëngjesit të 1 marsit, duke parë nga një kodër, ai pa “një autoblind në kompleksin tonë dhe një tjetër jashtë”. Një i tretë ishte prapa. Kishte artileri gjithandej dhe policia gjuante kudo”. Sipas tij, policia u largua nga ora 15:30, ai më pas shkoi në shtëpinë e tij dhe iu tha se 10 anëtarë meshkuj të familjes dhe një mysafir ishin arrestuar. Ai gjithashtu i tha HRW-së se mobiljet ishin shkatërruar dhe sendet me vlerë ishin vjedhur.

Familja Ahmeti mësoi për vdekjen e burrave të tyre të nesërmen, kur një fqinj i familjes Gjeli, pa kufomat e tyre në morg teksa po merrte kufomat e dy anëtarëve të familjes së tij të vrarë. Më 3 mars trupat u varrosën, së bashku me 15 viktima të tjera nga Likoshani dhe Qirezi. Një gazetar amerikan i tha HRW-së se trupat e Ahmetit kishin shenja të qarta torture.

Vrasjet e Qirezit

Sipas të pranishmëve në atë kohë, Policia serbe ka mbërritur në orën 12:30 pasi ka qëlluar 6 trungje lisi. Dëshmitarët i thanë HRW-së se shtatë autoblinda, së bashku me një helikopter që rrëzohej në çati, ishin të pranishëm në fshat. Së pari ata u ngjitën te familja Nebihu. Ata vranë Rubika Nebihun, një grua 27 vjeçare, e cila ishte në muajin e shtatë të shtatzënisë. Ata vranë edhe djalin e madh, Xhemilin. Sefer Nebihu, babai i familjes, i tha HRW-së:

“Policia ma shkatërroi portën e përparme me dy tanke dhe doli te dritaret e shtëpisë sime. Rreth 17 policë dolën nga tanket. Ata mbanin kamuflazh ushtarak, jeshile dhe të verdhë, me një shenjë policie në gjoks. Asnjë maskë. Rezervuari u ngjit në dritare. Një polic theu dritaren me kondakun e armës dhe filloi të bërtiste. Ata thanë: “Çohu” dhe unë i thashë “mos gjuaj se këtu ka vetëm gra dhe fëmijë”. Më shanë dhe më pas njëri më qëlloi”.

Një tjetër familje që u sulmua nga Policia serbe ishte familja Sejdiu. Në Qirez u vranë katër djemtë e familjes Sejdiu, Bekimi, Nazmiu, Bedriu dhe Beqiri. Abdia Sejdiu, nëna e familjes, i tha HRW-së:

“Ata djemtë e mi erdhën në fushë dhe ne u ulëm në një dhomë. Nusja ime, dy fëmijët dhe djali im. Kemi dëgjuar përleshje në Likoshan rreth mesditës. Djemtë e mi u vranë rreth orës 16:00. Tanket erdhën në kopsht, thyen portat dhe dy tanke ishin jashtë qitjes. Rreth shtatë deri në dhjetë policë hynë në shtëpi dhe në dhomën tonë. Unë dola para policisë dhe shtriva duart përpara djemve të mi. Na morën të gjithëve në kopsht. Na thanë shtrihuni në tokë. E goditën Bekimin dhe unë bërtita “Mos e godit, a ke djalë ti!”. Më goditën me fundin e armës në kokë. Ata morën të gjithë djemtë e mi, pastaj unë i futa fëmijët brenda…”

Të 26 të vrarët në Likoshan dhe Qirez u varrosën në një fushë pranë dy fshatrave. Rreth 30,000 njerëz morën pjesë në ceremoni. Pikat e kontrollit të policisë në rrugën kryesore ndaluan të bashkohen më shumë.

Akuzat e Natasha Kandiqit

Natasha Kandiq nga Fondi për të Drejtën Humanitare të Beogradit, akuzoi Danica Marinkoviqin, ish-gjyqtare hetuese e Gjykatës së Qarkut të Prishtinës, si përgjegjëse për vrasjet e familjes Ahmeti. Kandiq deklaroi se disa ish-policë serbë dëshmuan se “Danica Marinkoviç personalisht urdhëroi që disa anëtarë të plagosur të familjes Ahmeti të pushkatoheshin më 28 shkurt 1998 në fshatin Likoshan”. Sipas pretendimeve, Marinkoviq ka ardhur si gjyqtar hetues për të kryer një hetim në terren. Jashtë shtëpisë së Ahmetit kishte një grumbull trupash në të cilin disa burra ende jepnin shenja jete. Në prani të rreth 30 pjesëtarëve të Njësisë Speciale Serbe, ajo dyshohet se ka thënë: “Nuk po i marr – vritni” dhe burrat u ekzekutuan me armë. Në përgjigje, Marinkoviq akuzoi Kandiqin për gënjeshtër. / KultPlus.com

FOTO- Agan Kosumi

Piktura murale e kishës së Shën Gjergjit në Vithkuq, në proces konservimi

Restauratorët e artit të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Korçë janë në proces konservimi të pikturës murale në kishën e Shën Gjergjit në Vithkuq.

Ndërhyrja po realizohet në pjesën e apsidës së kishës. Si pasojë e lagështisë ndër vite, piktura murale, në këtë pjesë, kishte pësuar dëmtime dhe shkëputje të suvasë.

Pjesa e dëmtuar e pikturës murale u zhvendos me teknikën e operimit për të vazhduar me punën konservuese në ambientet e DRTK Korçë.

Vithkuqi ka 24 kisha. Ai zë vend të veçantë në Shqipëri, jo për numrin e tyre, por për arkitekturën dhe zbukurimin.

Në Vithkuq, të vjetra dhe me famë janë edhe kisha e Kryeengjëjve, Shën Mërisë, Shën Spiridonit, Shën Kozmait e shumë të tjera, që më së shumti kanë përhapur kulturë dhe dije.

Kishat e Vithkuqit dhe të Voskopojës janë monumente me vlera arkitektonike dhe artistike, frymëzuar nga trashëgimia e kultit bizantin. Ato janë cilësuar si “Thesare Unike” në rajon e më gjerë. /atsh / KultPlus.com

Hapet thirrja për konkursin poetik për heroin e kombit Agim Ramadani

Shoqata Kulturore “DITËT E AGIMIR” e mbështetur nga Komuna e Gjilanit, përkatësisht nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport ka njoftuar se tashmë ka hapë thirrjen për konkursin poetik që i dedikohet heroit të kombit Agim Ramadani, konkurs që sipas rregullave, poetët duhet të konkurrojnë me shifra, jo me emër e mbiemër.

KultPlus ju sjell të plotë njoftimin për këtë konkurs poetik.

Me rastin e 60-tw vjetorit të lindjes së heroit të kombit, strategut të Betejës së Koshares, shembjes së kufirit ndarës mes shqiptarëve, Agim Ramadanit, Shoqata kulturore “DITËT E AGIMIT”, e mbështetur dhe nga Komuna e Gjilanit – Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, shpall konkursin poetik për poezi, për të gjithë poetët e hapësirës shqiptare dhe poetëve që veprojnë e krijojnë nëpër botë, në nderim të kësaj figure madhore të kombit, të luftës së lavdishme çlirimtare dhe të nderimit e begatimit të letërsisë shqipe.

Tema e konkursit është e lirë por, preferohen dhe poezitë përkushtuese për luftën tonë për liri, pavarësi e integrim kombëtar si dhe figurën e ndritshme atdhetare, krijuese e flijimtare të Agim Ramadanit.

Organizatori, përmes një Jurie profesionale nga fusha e letërsisë, do t’i nderojë me çmime, tri poezitë më të mira si dhe do t’i përfshijë në Librin “AGIMI I LIRISË SONË ”, të gjitha ato poezi që i përmbushin kriteret artistike për botim. Çmimi i pare- 500 €, Çmimi i dytë 300 €, Çmimi i tretë 200 €.

Poezitë, të cilat nuk duhet të kenë më shumë se 30 vargje dhe patjetër ME SHIFËR, dërgohen përmes postës së rregullt, në adresën e Shoqatës Kulturore “DITËT E AGIMIT” në Zhegër si dhe përmes postës elektronike [email protected] më së largu deri më datën 11 Prill 2023.

Rezultatet do të shpallen më 23 prill 2023, në Ditën Ndërkombëtare të Librit, kurse poezitë fituese dhe ato që përzgjidhen për lexim, do të paraqiten në Manifestimin tradicional “Ditët e Agimit”, përkatësisht në pjesën letrare të këtij Manifestimi, MUZA E AGIMIT, e cila mbahet më 2 Maj 2023, në vendlindjen e heroit, në Zhegër, ku pritet të përurohet edhe libri, “AGIMI I LIRISË SONË”./ KultPlus.com

“Puthja e jetës”, fotografia me historinë e jashtëzakonshme që intrigon publikun tash e 50 vite

Fotografia e realizuar në vitin 1967 e shkrepur përmes objektivit të Roko Morabit quhet “Puthja e jetës”,  dhe  ka intriguar publikun për më shumë se 50 vjet. Ajo  fsheh  në vete një histori të jashtëzakonshme të dy punëtorëve.

Një vit pasi u shkrep fotografia, fotografi mori çmimin Pulitzer dhe më pas ajo u botua në gazeta nëpër botë.

“Puthja e jetës”

Puthja e jetës  shfaq elektricistin J. D. Thomson duke i  dhënë frymëmarrje artificiale bashkëpunëtorit të tij Randall G. Champion, pasi ai humbi vetëdijen pas kontaktit me një tel të tensionit të ulët.

Të dy ata po bënin mirëmbajtje rutinore kur Champion aksidentalisht preku njërin prej telave të tensionit të ulët që ndodhej në majë. Ai humbi vetëdijen, për fat të mirë, rripi i sigurimit e pengoi që të binte. Thompson, i cili ishte poshtë tij, shpejt arriti lart dhe filloi t’i japë frymëmarrje artificiale, transmeton reporteri.

Duke parë rrethanat nuk ishte në gjendje të përdorte dhe duart për frymëmarrje artificiale por vazhdoi të fryjë në mushkëritë e Champions deri kur ndjeu një puls, më pas ia zgjidhi rripin që e mbante lidhur me shtyllën dhe zbriti me të në shpatulla.

Ai jetoi edhe për 35 vjet të tjerë pas kësaj ngjarje. Vdiq më 2002 në moshën 64 vjeç.

Rreth fotografit

Rocco Morabito ishte duke vozitur në West Street në korrik  të vitit 1967. Në një moment, ai ngriti kokën dhe pa elektricistin që ishte goditur nga rryma. Ai thirri menjëherë ambulancën dhe kapi aparatin për të shkrepur foton.

“Unë kalova pranë këtyre njerëzve që po punonin dhe vazhdova me punën time. Kam bërë tetë foto. Mendova të kthehem dhe të shoh nëse mund të bëj një foto tjetër. Atëherë dëgjova një ulërimë. Ngrita sytë dhe pashë që burri ishte varur. Oh Zoti im, nuk dija çfarë të bëja. Unë bëra një fotografi menjëherë, pastaj Thomson zbriti shkallët. Shkova në makinën time dhe thirra një ambulancë. U ktheva aty kur Thomson po i jepte frymë artificiale shokut të tij. E shkrepa një fotogravi kur dëgjova “Po merr frymë”.

Rocco Morabito mori çmimin Pulitzer të vitit 1968 për fotografinë “Puthja e jetës”. Fotografia u botua në  shumë gazeta nëpër botë. / KultPlus.com

Lionel Messi shpallet lojtari më i mirë i vitit nga FIFA

Sot po mbahet ceremonia e ndarjes së çmimeve për më të mirët në futboll nga FIFA.

“FIFA The Best” është evenimenti ku ndahen çmimet për më të dalluarit në futboll si çmimi i lojtarit dhe trajnerit më të mirë të vitit.

Çmimin për lojtarin më të mirë nga FIFA e fitoi, Lionel Messi.

Ai në garë për këtë çmim mposhti Karim Benzeman dhe Kylian Mbappen.

Publikohet për herë të parë zyrtarisht plani franko-gjerman, kjo është përmbajtja

Bashkimi Evropian e ka publikuar të plotë Propozimin Evropian për Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Propozimi përmban gjithsej 11 nene.

Ky është propozimi, i publikuar i plotë në faqet zyrtare të BE-së:

Palët e dakorduara,

Të vetëdijshëm për përgjegjësinë e tyre për ruajtjen e paqes,

Të përkushtuar për të kontribuar në bashkëpunimin dhe sigurinë e frytshme rajonale në Evropë dhe për të kapërcyer trashëgiminë e së kaluarës,

Të vetëdijshëm se paprekshmëria e kufijve dhe respektimi i integritetit dhe sovranitetit territorial dhe mbrojtja e pakicave kombëtare janë kusht themelor për paqen,

Duke u nisur nga faktet historike dhe pa paragjykuar pikëpamjet e ndryshme të Palëve për çështjet themelore, duke përfshirë çështjet e statusit,

Me dëshirën për të krijuar kushtet për bashkëpunim ndërmjet Palëve në dobi të popullit,

Kanë rënë dakord si më poshtë:

Neni 1

Palët do të zhvillojnë marrëdhënie normale, të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën mbi bazën e të drejtave të barabarta.

Të dyja Palët do të njohin reciprokisht dokumentet e tyre përkatëse dhe simbolet kombëtare, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat dhe vulat doganore.

Neni 2

Të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimet dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato të barazisë sovrane të të gjitha shteteve, respektimit të pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtën e vetëvendosjes, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimi.

Neni 3

Në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, Palët do të zgjidhin çdo mosmarrëveshje ndërmjet tyre ekskluzivisht me mjete paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës.

Neni 4

Palët vazhdojnë me supozimin se asnjëra nga të dyja nuk mund të përfaqësojë tjetrën në sferën ndërkombëtare ose të veprojë në emër të saj.

Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Neni 5

Asnjëra palë nuk do të bllokojë, as nuk do të inkurajojë të tjerët të bllokojnë, përparimin e palës tjetër në rrugën e tyre përkatëse në BE bazuar në meritat e tyre. Të dyja palët do të respektojnë vlerat e përmendura në nenet 2 dhe 21 të Traktatit të Bashkimit Evropian.

Neni 6

Ndërsa Marrëveshja aktuale përbën një hap të rëndësishëm normalizimi, të dyja palët do të vazhdojnë me një shtysë të re procesin e dialogut të udhëhequr nga BE-ja, i cili duhet të çojë në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve të tyre.

Palët bien dakord të thellojnë bashkëpunimin e ardhshëm në fushat e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, transportit dhe konektivitetit, marrëdhënieve gjyqësore dhe të zbatimit të ligjit, postës dhe telekomunikacionit, shëndetësisë, kulturës, fesë, sportit, mbrojtjes së mjedisit, personave të zhdukur, personave të zhvendosur dhe fushave të tjera të ngjashme nëpërmjet lidhjes së marrëveshjeve specifike.

Detajet do të bien dakord në marrëveshje shtesë të ndërmjetësuara nga Dialogu i udhëhequr nga BE.

Neni 7

Të dyja palët angazhohen të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës.

Palët do ta zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.

Neni 8

Palët do të shkëmbejnë Misionet e Përhershme. Ato do të vendosen në selinë e Qeverive përkatëse.

Çështjet praktike në lidhje me themelimin e Misioneve do të trajtohen veçmas.

Neni 9

Të dyja palët marrin parasysh angazhimin e BE-së dhe donatorëve të tjerë për të krijuar një paketë të veçantë investimi dhe mbështetje financiare për projektet e përbashkëta të Palëve në zhvillimin ekonomik, lidhjen, tranzicionin e gjelbër dhe fusha të tjera kyçe.

Neni 10

Palët do të krijojnë një Komitet të përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, për monitorimin e zbatimit të kësaj Marrëveshjeje.

Të dyja palët konfirmojnë detyrimin e tyre për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e kaluara të Dialogut, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese.

Neni 11

Të dyja palët angazhohen të respektojnë Udhërrëfyesin e Zbatimit të aneksuar në këtë Marrëveshje./ gazeta express

Parlamenti i Zvicrës i thotë Po traktatit të ndihmës juridike me Kosovën

Pas Dhomës Nacionale, dhjetorin e kaluar, Dhoma e Kantoneve ka miratuar të hënën njëzëri dhe pa diskutim marrëveshjen e ndihmës juridike.

Sipas të gjitha gjasave, Zvicra mund të lidhë një marrëveshje për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet penale me Republikën e Kosovës. Pas Dhomës Nacionale, pro këtij bashkëpunimi ka votuar  edhe Dhoma e Kantoneve (Senati), transmeton albinfo.ch

Dhoma e vogël pra ka miratuar të hënën njëzëri dhe pa diskutim marrëveshjen e ndihmës juridike. Ndërsa Dhoma Nacionale ka miratuar dokumentin në dhjetor të vitit që shkoi, me 176 vota pro, 6 kundër dhe dy abstenime.

Me gjithë këtë, marrëveshja mund të jetë ende subjekt i referendumit fakultativ, njoftojnë shërbimet parlamentare.

Siç ka njoftuar Këshilli Federal lidhur me traktatin, Zvicra dhe Republika e Kosovës tashmë janë duke punuar së bashku në zbulimin dhe ndjekjen e veprave penale bazuar në ligjet e tyre përkatëse kombëtare, përcjell albinfo.ch. Marrëveshja e re e ndihmës së ndërsjellë juridike synon të thjeshtojë dhe përshpejtojë bashkëpunimin.

Zbatimi nuk kërkon ndonjë ndryshim në ligj.

Kontrata hyn në fuqi kur të plotësohen kërkesat e vendeve përkatëse dhe të dyja palët kanë njoftuar njëra-tjetrën. Ministrja e Drejtësisë Elisabeth Baume-Schneider theksoi në senat se Zvicra e njohu pavarësinë e Republikës së Kosovës saktësisht 15 vjet më parë, më 27 shkurt 2008./albinfo.ch

Një tjetër tërmet godet Turqinë, një i vdekur mbi 100 të plasogur 

Një tërmet me magnitudë 5.6 goditi Turqinë jugore të hënën, tre javë pas tërmeteve me përmasa katastrofike që shkaktuan dëme të mëdha në rajon. Termeti i të hënës shembi disa ndërtesa që ishin dëmtuar gjatë dridhjeve të mëparshme të tokës, duke vrarë të paktën një person, thanë autoritetet.

Më shumë se 100 persona u lënduan si pasojë e tërmetit të së hënës, me qendër në qytetin Yesilyurt në provincën Malatya, u tha gazetarëve Yunus Sezer, shefi i agjencisë së menaxhimit të fatkeqësive të vendit, AFAD. Më shumë se 20 ndërtesa u shembën.

Një burrë dhe vajza e tij që ishin bllokuar nën rrënojat e një ndërtese katërkatëshe në Yesilyurt, u shpëtuan. Ata kishin hyrë në objektin e dëmtuar më parë për të marrë gjëra personale të tyre.

Në Malatya, autoritetet po zhvillonin kërkime në rrënojat e dy ndërtesave të dëmtuara që u rrëzuan mbi disa makina të parkuara, raportoi media turke, “HaberTurk”. Ende nuk dihet nëse ka njerëz të bllokuar nën rrënoja.

Malatya ishte ndër 11 provincat turke të goditura nga tërmeti me magnitudë 7.8 që shkatërroi pjesë të Turqisë jugore dhe Sirisë veriore më 6 shkurt. Ky i fundit shkaktoi vdekjen e më shumë se 48,000 njerëzve në të dyja vendet, si dhe në shembjen apo dëmtimin serioz të 185,000 ndërtesave në Turqi.

Shefi i AFAD-it u bëri thirrje njerëzve të mos hyjnë në ndërtesat e dëmtuara, duke thënë se pasgoditjet e forta vazhdojnë të përbëjnë rrezik. Më shumë se 10,000 pasgoditje janë regjistruar në këtë rajon që nga 6 shkurti.

Banka Botërore tha të hënën se tërmeti masiv shkaktoi 34.2 miliardë dollarë “dëme të drejtpërdrejta”, shifër kjo e barabartë me 4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB-së) të vendit më 2021.

Kostoja e rimëkëmbjes dhe rindërtimit mund të jetë potencialisht dy herë më e madhe, tha Banka Botërore, duke shtuar se humbjet e PBB-së do të rrisin gjithashtu koston e tërmetit.

Banka Botërore vlerësoi gjithashtu se 1.25 milionë njerëz kishin mbetur përkohësisht të pastrehë.

Ndërkohë, tifozët e ekipit turk të futbollit “Besiktas” mbushën fushën me lodra dhe veshje dimërore gjatë një ndeshjeje të zhvilluar të dielën për të mbështetur fëmijët e prekur nga tërmeti.

Vladimir Putin dekoron aktorin amerikan, Steven Seagal

Presidenti rus, Vladimir Putin, i ka dhënë dekoratë shtetërore Steven Seagal, aktor amerikan, i cili po ashtu ka shtetësi ruse. Ndarja e Urdhrit të Miqësisë për aktorin amerikan u njoftua përmes ueb-faqes së Qeverisë ruse. Ky urdhër nderon qytetarët që Rusia konsideron se kanë kontribuar për përmirësimin e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Seagal ka qenë mbështetës i zëshëm i aneksimit të Krimesë nga Rusia më 2014. Ai vitin e kaluar kishte vizituar qytetin ukrainas të Olenivkës, nën kontrollin rus. Në këtë qytet dhjetëra të burgosur ukrainas të luftës raportohet se janë vrarë në një sulm, për të cilin Rusia dhe Ukraina kanë fajësuar njëra-tjetrën.

Më 2018, Seagal ishte emëruar nga Ministria e Jashtme ruse si i dërguar humanitar në Shtetet e Bashkuara dhe Japoni. /REL

Albin Kurti deklarohet pas takimit: Jemi në rrugë të mbarë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur pas përfundimit të takimit trilateral në Bruksel, ku u arrit pajtim për planin franko-gjerman, por jo edhe për modalitetet e zbatimit të tij.

Kurti ka thënë pas takimit se janë në rrugë të mirë për arritjen e marrëveshjes dhe arritjes së fqinjësisë së mirë evropiane.

“Ecje përpara do të ketë për planin e zbatimit, për cka do të ketë diplomaci të fluturimit, që thuhet. Dhe do të ketë edhe takime të nivelit të lartë me facilitimin e takimeve nga zotëri Borrell dhe zotëri Lajcak. I falënderoj të dy dhe besoj se jemi në një rrugë të mbarë mbarë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe rrugë një kahëshe për fqinjësi të mirë evropiane”, tha ai./gazetaexpress

Vuçiq pas takimit me Kurtin: Një takim shumë i vështirë

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç është deklaruar në lidhje me takimin që ka pasur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Zakonisht një takim i vështirë dhe besoj se do të ketë shumë takime të tjera në periudhën e ardhshme. Më datën 18, duhet të shihemi në Maqedoninë e Veriut, kur z. Borrell do të jetë në rajon. Atëherë së bashku edhe me Lajçak do të flasim për çështjet e implementimit”, ka thënë Vuçiq./ FrontOnline/

“Gjithçka, kudo”  u shpërblye në Screen Actors Gulid Awards

“Gjithçka, kudo”  ka shënuar një sukses të radhës në  Screen Actors Gulid Awards, ku në këtë garë kinematografike u shpërblye për kastin më të murë rë aktorëve.

Po në këtë garë, Michelle Yeoh u shpërblye me çmimin si aktorja më e mirë, duke triumfuar karshi aktores shumë të përfolur Cate Blanchet.

Aktorja tjetër Ke Huy Quan u bë fituesja e parë aziatike të çmimit për aktoren më të mirë mbështetëse, kategori ku u vlerësua edhe aktorja tjetër e njohur Jamie Lee Curtis.

Filmi “Kudo, Gjithçka” tregon historinë e pronares së një lavanderie, të interpretuar nga Yeoh, që duhet të futet në versione të ndryshme të vetes së saj përmes multiversit, në mënyrë që të shpëtojë botën./ KultPlus.com

“Karnavalet e Korçës” në TKOB

Rikthimi i “Karnavaleve të Korçës” në skenën madhështore të TKOB-it, pas 45 vjetësh, solli një atmosferë festive. Publiku e ka mirëpritur këtë prodhim dinjitoz dhe kjo duket edhe nga fakti që TKOB ka publikuar prej ditësh se biletat janë shitur.

Inva Mula erdhi kësaj here në rolin e regjisores së kësaj vepre, si një homazh për krijuesit: kompozitorin Avni Mula dhe libretistin Luigj Gurakuqi, dy figura shumë të rëndësishme në historinë e TKOB. Opera “Karnavalet e Korçës” u vu në skenë nga dy kaste të mrekullueshme artistësh, me Orkestrën Simfonike dhe Korin e TKOB-së, dirigjuar nga Elda Laro dhe Dritan Lumshi.

Artdashësit shqiptarë e të huaj përjetuan gjallërinë e Karnavaleve, linjën e bukur të dashurisë, “pazaret e krushqisë” si dhe shëmbëllimin e familjeve borgjeze korçare. Këto u bënë të mundura falë edhe një skenografie mahnitëse me kalldrëmet e qytetit dhe kostumografi që të kthen pas në vitet ’30.

Puna për të arritur këtë sukses zgjati më shumë se 1 muaj për të përcjellë te publiku një perlë vizuale dhe lojë interesante, që shkriu në një humorin e hollë dhe linjën e dashurisë.

Konica: Shqiptarët janë një komb të cilit i pëlqen të lëvdojë veten

Faik Konica, një njeri me kulturë të lartë, eseist i shkëlqyer, stilist i përkryer, themelues teorik dhe praktik i kritikës letrare shqiptare, është ndër figurat më të shquara shqiptare.

Konica përveç si kritik letrar ka qenë edhe veprimtar politik me orientim perëndimor, siç ishte kultura e popullit që i takonte, poliglot, solli një model të ri në mendësinë shqiptare.

KultPlus ju sjellë 7 thënie të Faik Konicës për shqiptarët:

1. Dëshira për hakmarrje është susta më e fuqishme e shpirtit shqiptar. ( 1907).

2.  Të mbetur pa unitet fetar, e vetmja lidhje që ka mbajtur shqiptarët të bashkuar ka qenë gjuha. (1906).

3. Shqiptarët janë populli më mosbesues në botë. (Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare).

4. Asgjë nuk i ftoh më shumë shqiptarët se t’u thuash që kanë të bëjnë me një copë injoranti që i drejton.

5. Shqiptari e ka zakon të kundërshtojë para se të marrë vesh.

6. Shqiptarët janë një komb të cilit i pëlqen të lëvdojë veten. Si thonë gojë-rrumbullët tanë, kombi shqiptar është i pari nga mendja, nga sjellja e nga trimëria. Sikur shqiptarët të qenë jo kombi më i mendshmi, por thjesht një komb i mendshëm, ata do të kishin dalë me kohë nga dita e zezë ku ndodhen. (Vepra 1, f. 271).

7. Shqipëria është një vend i bekuar me njëmijë bukurira, shkelur nga turmë e cila ushqen njëfarë urrejtje ndaj bukurisë. (Vepra 2, 34)./KultPlus.com

Ministrja Haxhiu: I madh është kontributi i grave e vajzave para, gjatë dhe pasluftës

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka takuar gratë e burgosura dhe të persekutuara politike, gra të cilat qysh më moshë të hershme i janë bashkuar protestave e demonstratave kundër regjimit.

KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e ministres Haxhiu.

Bashkë me Arjetën u takuam me gratë e burgosura dhe të persekutuara politike.

Dashuria e madhe për vendin bëri që qysh në moshën e hershme t’i bashkoheshin protestave e demonstratave kundër regjimit. U rrahën, u burgosën por sërish qëndruan!

Gra të tilla mbesin motiv edhe në kohë paqe, sidomos për gjeneratat e reja që ta duam e të angazhohemi më shumë për vendin tonë.

I madh është kontributi i grave e vajzave para, gjatë dhe pasluftës.

Ne do të punojmë edhe më shumë që ta lartësojmë atë!/ KultPlus.com