Një rrëfim dashurie deri në vetëmohim, që vjen me ndërthurje të fjalës, trupit e muzikës, do ta sjell aktorja e njohur Flaka Latifi përmes një performance krejt të veçantë të titulluar “Unë dhe Unë”, përcjell KultPlus.
Inspiruar nga “Pulëbardha” e Chekhovit, që shërben si pikënisje e lojës skenike, rrëfimi shndërrohet në një udhëtim të frikshëm dhe të pa planifikuar, dhe një shkatërrim i një jete të re për qëllimet vetjake të një burri.
Performanca vjen të shtunën (25 mars 2023) duke filluar nga ora 19:00 në skenën e Fakultetit të Arteve në Prishtinë.
Ky aktivitet realizohet në kuadër të Fondit për Art Feminist i Artpolis, i cili përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut. /KultPlus.com
Khaled Hossein është një romancier afgano-amerikan dhe ambasador i vullnetit të mirë të UNHCR. Romani i tij debutues “Gjuetari i Balonave” në vitin 2003 ishte një sukses kritik dhe tregtar, shkruan KultPlus.
Përmes rrëfimeve të ndjera, në librat e tij shumë njerëz kanë gjetur veten.
E për kënaqësinë e lexuesve tanë kemi sjellë një koleksion të thënieve më të bukura të këtij shkrimtari të madh.
‘’Nuk ka asnjë shans që një shoqëri të përparojë nëse gratë e saj janë të paarsimuara’’
‘’Më mirë të lëndohesh nga e vërteta sesa të ngushëllohesh me një gënjeshtër’’
‘’Ka vetëm një mëkat, dhe kjo është vjedhja … kur thua një gënjeshtër, i vjedh dikujt të drejtën e së vërtetës’’
‘’Martesa mund të presë, arsimimi jo’’
‘’Gjithmonë dhemb më shumë të kesh dhe ta humbësh sesa të mos kesh patur fare’’
‘’Njerëzit thonë se sytë janë dritare për shpirtin’’
‘’Koha mund të jetë një lakmitare – ndonjëherë i vjedh detajet për vete’’
‘’E shihni, disa gjëra mund t’jua mësoj. Disa i mësoni nga librat. Por ka gjëra që, mirë, duhet t’i shihni dhe t’i ndjeni’’
‘’Lufta nuk e mohon mirësjelljen. E kërkon atë, madje edhe më shumë se në kohë paqeje’’
‘’Në fund, bota gjithmonë fiton. Kështu janë gjërat’’
‘’E kaluara mbante vetëm këtë mençuri: ajo dashuri ishte një gabim dëmtues dhe bashkëpunëtorja e saj, shpresa, një iluzion i pabesë’’. /KultPlus.com
Festivali ‘’Kur vjen pranvera” ose siç njihet edhe si “’Koncerti i pranverës’’ është një edicion muzikor bazuar në muzikën e lehtë shqiptare, përcjell KultPlus.
Ky festival filloi me 31 mars të vitit 1985, dhe mbahej për vetëm një natë, ku dëgjohej e votohej nga dëgjuesit e shikuesit te RTSH-së dhe mbas disa ditësh shpallej kënga fituese në radio-televizion.
Në këtë festival spikaste edhe mënyra e orkestrimit, që ndryshonte nga festivali që mbahej në fund të çdo viti. Ndërtimi i skenës, vendosja e instrumentistëve ishte diçka që të tërhiqte. Nuk përdorej shumë formulimi i muzikës me harqe, siç bëhet me atë të festivalit në RTSH, por përdoreshin ato që përshtateshin më tepër me atë të muzikës së lehtë.
Në këtë festival është bërë prezantimi i shumë këngëve të muzikës së lehtë, dhe zakonisht merrnin pjesë rreth 22 këngë. E veçanta e këtij festivali ishte sepse nuk kishte çmime të dyta e të treta.
Kënga fituese e edicionit të parë u shpall ‘’Në duart e nënës’’- muzika Gjergj Leka, teksti Zhuliana Jorganxhi. Por atë vit kënga fituese u shpall në lajmet e fundit të datës 10 prill 1985, disa orë para se të shpallej vdekja e Enver Hoxhës.
Ky festival madje u bë tradicional dhe për gjashtë vite u shfaqen këngë të muzikës shqiptare që edhe sot dëgjohen dhe përpunohen nga brezat e rinjë.
‘’Kur vjen pranvera” për herë të fundit u mbajt në vitin 1990 dhe kënga fituese u shpall “Si ta kuptoj” me muzikë nga Flamur Shehu dhe tekst të Jorgo Papingji. / KultPlus.com
“Cinema Illustrazione” ka botuar, me 3 prill 1935, në faqen n°5, homazhin për ndarjen nga jeta të Aleksandër Moisiut, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
Lamtumira e fundit për Moisiun
Burimi : Cinema Illustrazione, 3 prill 1935, f.5 Lamtumirë Moisi.
U takuam pak më shumë se një muaj më parë, të kujtohet ?, në lozhën tënde në Manzoni, pa zbukurime, primitive, siç ishte shija dhe zakoni yt, ti përballë pasqyrës duke hequr grimin,u ula aty pranë për të të treguar edhe një herë gëzimin e ndjerë dhe të vuajtur që ti më kishe dhënë.
Thoje : — Këto figura të thjeshta, këto çaste në vuajtje, këto skamje, këta vullnetarë dhimbjeje, sa më pëlqejnë dhe si i ndjej !Unë me të vërtetë mendoj (dhe sytë e tu të pamat të djegur nga dhimbja dhe dashuria sikur të shikonin vetë mendimin) se kam lindur jashtë kohës sime të vërtetë.A e di : një mbrëmje, afër Budapestit, një cigan teozof më tha se kisha qenë Apostull në jetën time të largët… Jo : Lorenzino nuk duhej ta “bënte”. Besoj, e dini, se filmi im i parë i vërtetë do të jetë San Francesco…
Flisje, si gjithmonë, me frikën e atyre që thonë shumë, me ankthin e atyre që dyshojnë gjithmonë në vetvete; dhe kjo me të vërtetë u takon shpirtrave të zgjedhur, pra të paktëve në kohën tonë. Vetëm kur fjalët e tua duhej të shërbenin për të lartësuar të tjerët, u jepje atyre një ton sigurie, një shkallë saktësie dhe një tingull që bëhej pak i ashpër, si gjithmonë i atyre që shqiptojnë në gjuhën gjermane,por i qartë në të pagabueshmen dhe përfundimtaren. Ti thoje për Hans Albers :
— Zemra e tij është aq e madhe sa i gjithë gjoksi.Dhe nën ballin e tij perandorak fshihet një inteligjencë që do t’ju habisë.
— Çfarë mendon për Gründgens ?
— Ai është i pari, ndër të gjithë. Shiko ato skena të mrekullueshme me Brigitte Helm, në serinë e gjerdanit, si quhet ? Epo, shiko, ky është arti i shkëlqyeshëm i kinemasë : dhe mendo se në skenë ai është i shkëlqyeshëm njësoj, nëse jo më shumë.
— Cila mendon se është aktorja më e madhe gjermane e ekranit ?
— Herta Thiele : Por Bergner, me Katerinën e saj të Rusisë, më jep të njëjtat të dridhura (emocione) që më dha kur recitonim në Burghtheater. Jo : Paula Wessely nuk e kanë përshtatur mirë, në Mascherata…
Hoqe të gjithë makijazhin, ribëje fytyrën çdo orë, ia ktheve lirisë flokët e përjetshme adoleshente, fillove të visheshe, të dilje. Të thoja :
— Bën ende ftohtë : nuk ke veshur më ndonjë këmishë ? A të mjafton kjo këmishë mëndafshi e lehtë ?
Dhe shikova trupin (gjoksin) tënd, kaq të bardhë, kaq të lëmuar, kaq të hollë : ndoshta në atë orë e keqja kishte lindur tashmë brenda teje : dhe aty fshihej.
— Unë, fanellë ? Ftohtë ? Të sëmurem ?
Ti shpërtheje së qeshuri, sikur të sfidoje diçka. Ti nuk e dije se pas teje qëndronte një Hije e tmerrshme, e heshtur, gati të të rrëmbejë, të të pushojë zemrën, si në skenën e mrekullueshme të “Jedermann-it”.
Rrënimi i autonomisë së Kosovës nga ana e Serbisë, më 23 mars 1989 në rrethanat e gjendjes së shtetrrethimit, ishin pjesë e skenarit të Beogradit për riformatizimin e Jugosllavisë në një shtet unitarist që do të mbikëqyrej nga Serbia. Demonstratat e 11 marsit 1981, me ç’rast u ripërsërit kërkesa për Republikën e Kosovës nga demonstratat e vitit 1968, u shfrytëzuan si shkas për hapjen e këtij procesi, që do të kthehet në program politik të udhëheqjes serbe me rastin e spalljes së Memorandumit të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve në nëntor të vitit 1986. Dalja e Millosheviqit në skenën politike si dhe përdorimi i lëvizjeve populiste për disciplinimin e federatës jugosllave, duhej të përcillej edhe me ndryshimet kushtetuese, të cilave udhëheqja serbe ua përcaktoi formatin dhe kornizat, që për synimim kishin “barazinë e pozitës kushtetuese të Serbisë me subjektet tjera në federatë”, që nuk do të thoshte tjetër pos rrënimi i pozitës kushtetuese të Kosovës në federatë në përputhje me kushtetutën e vitit 1974 kur ajo fitoi statusin e njësisë së barabartë federative e me këtë edhe të largimit nga tutela serbe.
Rrënimi me dhunë i autonomisë së Kosovës, sigurisht se nuk do të ishte i mundur edhe pa aminin e njësive të tjera të federatës jugosllave që iu dha Serbisë nga aprovimi i platformës politike për Kosovën nga dy kryesitë e vendit në maj 1981, kur demonstratat e Kosovës u vlerësuan ngjarje kundërrevolucionare, gjë që hapi procesin e gjatë të diferencimit politik, viktimë e të cilit ishte arsimi, kultura, ekonomia dhe të arriturat tjera insitucionale që solli kushtetua e vitit 1974 si dhe burgosjet e qindra dhe mijëra të atyre që nuk pajtoheshin me këtë gjendje.
Në këtë proces të mundimshëm të diferencimit, udhëheqja e atëhershme politike e Kosovës, nuk ishte në gjendje që t’i kundërvihje Serbisë në rrethanat kur kishte prapa republikat tjera që secila në mënyrën e vet spekulonte me viktimizimin e Kosovës, gjë që ndodhi kursi i nënshtrimit në përputhje me logjikën e mbijetimit, që të humbet sa më pak, deri te limiti i mbrojtjes me anën e nenit 49, që nënkuptonte mos dhënien e pelqimit për ndryshime, po qe se prekej subjektiviteti i Kosovës në federatë, që shfaqej më shumë iluzion se sa realitet politik.
Në këto rrethana, udhëheqja e atëhershme (Vllasi dhe K. Jashari), në fund të vitit 1988 dhe në fillim të vitit 1989, u përpoqën që fushatës serbe t’i kundërpërgjigjeshin me demonstratat gjithëpopullore në Kosovë kundër këtyre ndryshimeve, me ç’rast u shfrytëzuan edhe minatorët për grevë dhe të ngjashme, që përfunduan me burgosjen e Vllasit dhe shpalljen e gjendjes së jashtazakoshme, që i duhej Beogradit që në Kosovë të përdorej për rrënimin e autonomisë.
Këtë e tregoi edhe farsa e votimit në Kuvendin e Kosovës, më 23 mars 1989, kur delegatët e Kosovës, nën kërcënimin e tankeve, u desh të jepnin “pelqimin” për këto ndryshime. Por, 11 prej tyre nuk iu nënshtruan kësja trysnie. Votuan kundër dhe me këtë nxorën në pah dinjitetin dhe guximin politik dhe njerëzor edhe në rrethanat e kërcënmit me jetë. Kjo bëri që në gjithë Kosovën puçi kushtetues i Serbisë ndaj kushtetutes së Jugosllavisë e me këtë edhe të Kosovës, të përcillet me demonstrata të përgjakshme, meqë e gjitha u përjetua si ripushtim i tretë i Kosovës nga pushtimi i vitit 1912.
Ripushtimi i Kosovës nga Serbia (i par më 1918 dhe i dyti më 1944), megjithatë nuk u pranua me vullnet. Përkudrazi, krahas demonstratave të përgjakshme, u përcoll me lëvizjen kombëtare që filloi me themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, më 23 dhjetor 1989 nga intelektualët e njohur (shkrimtarë, akademikë, gazetarë dhe të të tjerë) në të cilën u përfshinë e gjithë popullata e Kosovës, me ç’rast u mor përispër jetësimi i procesit të legjtimimit të vullnetit të popullit të Kosovës (Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990, shpallja e Republikës së Kosovës në kuvendin e Kaçanikut më 7 shtator 1990 si dhe referendumi për pavarësi, në vitin 1991). Me to iu dha legjitimiteti demokratik lëvizjes së rezistencës institucionale dhe asaj të armatosur, që me ndihmën e vendeve të NATO-s të drejtuara nga SHBA-të, pas bombardimit 72 (nga 24 marsi deri më 10 qershor 1999), çoi te çlirimi i Kosovës nga pushtimi serb dhe vendosjen e saj nën protekteratin ndërkombëtar me rezolutën 1244 të KS të OKB-së nga 10 qershori 1999. Protektorati ndërkombëtar mori fundi më 17 shkurt 2008, kur u shpall pavarësia e Kosovës. / KultPlus.com
Asteroidi masiv pothuajse me madhësinë e kullës ikonë të sahatit të Londrës, ‘Big Ben’ do të jetë 173,000 km larg nga Toka të shtunën – dy herë më afër se hëna, e cila rrotullohet në një distancë mesatare prej 384,400 km.
Shkëmbi hapësinor, i quajtur ‘2023 DZ2’, aktualisht vlerësohet të jetë deri në 93 metra në diametër, ndërsa Big Ben qëndron në 96 metra.
Ai është gjithashtu tre herë më i madh se asteroidi Chelyabinsk që goditi Rusinë në vitin 2013, i cili goditi dy herë në mbarë botën.
2023 DZ2 vlerësohet të bëjë afrimin e tij më të afërt me Tokën në orën 19:51 (ora qendrore), me një shpejtësi prej 28,044 km/h.
NASA thotë se kalimi kaq afër Tokës nga një asteroid i kësaj madhësie ndodh “vetëm një herë në dekadë”. /albeu.com / KultPlus.com
Projekti për ndërtimin e banesave për çifte, i premtuar nga Qeveria e Kosovës, do të fillojë të zbatohet gjatë këtij viti. Arkitekti kosovar, Valdet Osmani, ka thënë se së pari duhet të qartësohet metoda e pagesës për çifte, pastaj kush do të jetë pronari dhe disa çështje të tjera. Ndërsa ndërtuesi, Jahir Morina, po konsideron se çifteve në Kosovë do t’u duhet 12 deri në 15 vite për ta paguar kredinë për këto banesa.
Një projekt i qeverisë synon të strehojë 4 mijë çifte të reja në Kosovë. Kështu ka deklaruar kryeministri Albin Kurti, i cili ka thënë se ky projekt do të zbatohet për herë të parë në vendin tonë.
Arkitekti kosovar, Valdet Osmani, tha se lidhur me këtë projekt duhet së pari të përcaktohet metoda e pagesës nga çiftet, kush do të jetë pronari e disa çështje të tjera. Ai tha se ka raste jashtë vendit ku pronar i këtyre banesave 50% është komuna, e 50% blerësi.
“Unë do kisha propozuar që së pari të përcaktohet metoda e pagesës nga çiftet. Pra, duhet sqaruar se ato çifte a mund ta shesin banesën me vonë apo jo. Ka disa vende ku kjo formë realizohet mirëpo gjithmonë atje 50% është pronar vetë komuna apo vetë shteti, e pjesa tjetër, pronësinë mund ta shesë vetëm me pëlqim të komunës e atëherë kjo e ulë koston e shitjes. Pra, komuna është vetëm njëfarë bashkinvestitori, liron koston, bëhet kosto e përballueshme për çifte të reja, mirëpo nuk mund të abuzohet më me ato banesa të shiten apo stërshiten me çmime të mëdha. Projekti duhet të definohet edhe në cilat zona do të ndërtohen si dhe përparësitë se kush mund të fitojë të drejtën për blerje”, tha Osmani.
E për ndërtuesin Jahir Morina, ky projekt nuk është i lehtë të realizohet. Ai tha se çifteve do t’u duhej 12 deri në 15 vjet ta paguajnë kredinë.
“Duhet të jetë një projekt në partneritet publiko-privat, ndërsa çiftet e reja të cilët do të përfitojnë duke e pasur parasysh pagën bazë që është në Kosovë, do t’iu duhet 12 deri në 15 vite ta kryejnë kredinë për blerjen e banesave të reja”, tha Morina.
Kësti mujor për blerje të këtyre banesave është thënë se do të jetë 120 me 120 deri në 150 me 150 euro, që do të ndahet ndërmjet çiftit bashkëshortor. Ndërsa ende nuk është bërë e ditur se kur do të jenë të gatshme për banim këto ndërtesa.
Për këtë çështje është aprovuar kredia prej 25 milionë eurosh nga Banka për Zhvillimin e Kosovës.
Ministria e Mjedisit, me datë 16 shkurt 2022 ka nënshkruar marrëveshje me “International Finance Corporation (IFC)” për banim me kosto të përballueshme. IFC-ja me datë 01 shkurt 2023, ka prezantuar para ministrit të Mjedisit, Liburn Aliu, studimet se si ky projekt mund të realizohet në Kosovë. Kostoja e ndërtimit për këtë projekt është përafërsisht 200 milionë euro. Projekti do të fillojë të zbatohet gjatë këtij viti dhe lokacionet e siguruar deri më tani janë Prishtina, Peja dhe Gjilani. / Gazeta express / KultPlus.com
NASA publikoi pamje mahnitëse të qiellit gjatë natës në Tokë nga Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor.
Ky imazh i Tokës ofron një pamje të qartë të modeleve të vendbanimeve njerëzore në të gjithë planetin tonë.
Imazhet satelitore të Tokës gjatë natës, shpesh të referuara si “dritat e natës”, ofrojnë një pamje të gjerë të bukur që tregon se si njerëzit i dhanë formë planetit dhe ndriçuan errësirën.
Për të kapur këtë imazh të dritave të Tokës u përdorë e njëjta teknikë vëzhgimi që prej vitit 2016 ku çdo muaj monitorohet qielli deri në momentin kur është i pastër, pa re, në mënyrë që të kapet një imazh i qartë i dritave në të gjithë Planetin.
“Duke përdorur këto të dhëna, ne mund të monitorojmë ndryshimet afatshkurtra të shkaktuara nga shqetësimet në shpërndarjen e energjisë si: stuhitë, tërmetet dhe djegiet. Ne mund të monitorojmë ndryshimet ciklike të nxitura nga rishfaqja e aktiviteteve njerëzore si ndriçimi gjatë pushimeve dhe migrimet sezonale. Ne gjithashtu mund të monitorojmë ndryshimet graduale të nxitura nga urbanizimi, migrimi jashtë vendit, ndryshimet ekonomike dhe elektrifikimi. Fakti që ne mund të gjurmojmë të gjitha këto aspekte të ndryshme është befasuese” u shpreh shkencëtari i NASAEarth, Miguel Román.
Në postim pasqyrohen në mënyrë të qartë dritat e qyteteve të Evropës dhe Afrikës veriore./KultPlus.com
Tanimë edhe zyrtarisht, këngëtari kanadez The Weeknd është artisti më i njohur në botë bazuar në Librin e Rekordeve Botërore “Guinness”.
The Weeknd, emri i vërtetë i të cilit është Abel Tesfaye, ka sjellë dy rekorde të reja, pasi ka arritur plot 111.4 milionë dëgjues në muaj në platformën Spotify, dhe jo vetëm.
E mbani mend hitin e tij “Blinding Lights” të vitit 2020? Do të duhej! Sepse, kjo këngë është më e dëgjuara ndonjëherë në Spotify, e që numëron mbi 3 miliardë dëgjime, shkruan DailyMail, transmeton Klankosova.tv.
Po ashtu, “Blinding Lights” është kënga që ka qëndruar më gjatë në klasifikimin e “Billboard Hot 100” me një total prej 90 javësh qëndrimi në top-listë.
Sfiduesi më i afërt mashkull i The Weeknd është artisti britanik Ed Sheeran me 77.5 milionë dëgjues mujorë në Spotify./ KultPlus.com
Një fotografi e rrallë e aktorit me origjinë shqiptare, Aleksandër Moisiu, vitin e kaluar është bërë kartolinë në Gjermani.
Në këtë fotografi Moisiu shfaqet me nënën e tij, Amalia Rada.
Ka qenë ministri i Diasporës, Pandeli Majko që ka publikuar kartolinën gjermane nga Verlag Hermann Leiser, Berlin-Wilm.
Aleksandër Moisiu lindi në qytetin e Durrësit në vitin 1879. Ai e nisi karrierën në Vjenë, Austri, ku edhe filloi të njihej në rang botëror dhe të konsiderohej si një aktor mjaft fisnik.
Aktori i madh shqiptar interpretoi në rolet më të spikatura të asaj kohe si “Hamlet” në Teatrin Popullor të Vjenës në vitin 1922, “Fedia” e Leo Tolstoit dhe “The alive Cadaver” në Berlin në 1922-in. Aleksandër Moisiu vazhdoi të aktrojë edhe në veprat më të spikatura duke arritur majat e teatrit botëror me përzgjedhjen e tij në rolin e Romeos në veprën e famshme Shekspirane “Romeo dhe Xhulieta” në 1907-ën duke lënë të gjithë të shtangur me aftësitë e tij interpretuese. /KultPlus.com
Parashqevi Simaku është një këngëtare e njohur shqiptare ndërsa repertori i saj përfshin një numër të madh këngësh e interpretimesh.
Njihet për zërin e saj të veçantë dhe të ëmbël, duke bërë kështu që ti jep jetë artit të saj, shkruan KultPlus
Parashqevi Simaku është një këngëtare shqiptare nga Shqipëria. Ajo lindi në Kavajë dhe më pas u shpërngul në Durrës. Ajo që e vogël filloi të këndojë, duke bashkëpunuar me kompozitor të talentuar
KultPlus jus jell këngën ‘’Fustanin që ta solla mbrëmë’’, nën intepretimin e këndshëm të Parshqevi Simakut
Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës:
Fustanin që ta solla mbrëmë, a s’e vesh moj për hatrin tim. Fustanin që ta solla mbreme, a s’e vesh moj për hatrin tim
Aman a s’e vesh moj për hatrin tim, se jam rritur jetim, Aman a s’e vesh moj per hatrin tim, se jam rritur jetim
Fustanin o me lule shumë, a s’e vesh moj për hatrin tim. Fustanin o me lule shumë, a s’e vesh moj për hatrin tim.
Aman a s’e vesh moj për hatrin tim, se jam rriturë jetim Aman se jetim jam rriturë, me kulaç moj të siturë. /KultPlus.com
Në mostrat e mbledhura nga anija kozmike japoneze Hayabusa2 nga asteroidi Ryugu janë zbuluar molekula organike.
Kur studiuesit analizuan mostrat e mbledhura nga dy vende të ndryshme të asteroidit, ata gjetën uracil, një nga blloqet ndërtuese të ARN-së, si dhe vitaminën B3 (niacin) e cila është një faktor kyç për metabolizmin në organizmat e gjallë.
Uracil është një nga bazat azotike të nukleotideve në ADN dhe ARN, proteinat dhe molekulat që përmbajnë informacion gjenetik dhe udhëzime për qelizat e organizmave të gjallë. Një studim që detajon gjetjet u botua të martën në revistën Nature Communications.
Ryugu është një asteroid në formë diamanti, i pasur me karbon. Është rreth një kilometër i gjerë. Ky ishte misioni i parë për Hayabusa2, i cili përfundoi me sukses pasi dërgoi në Tokë një mostër nga nëntoka e asteroidit.
“Gjuajtja” e asteroidëve
Misioni i Agjencisë Japoneze të Kërkimit të Hapësirës Ajrore mblodhi një mostër nga sipërfaqja e asteroidit në shkurt 2019 dhe më pas gjuajti një “plumb” bakri në asteroid për të krijuar një krater 10 metra të gjerë. Një mostër nga krateri u mblodh në korrik 2019 dhe më pas Hayabusa2 u kthye, duke e sjellur kampionin në Australi në dhjetor 2020.
Në analizat e mëparshme, studiuesit kishin identifikuar aminoacide dhe molekula të tjera në mostrat e Ryugu, ndërsa uracil dhe niacin janë gjetur gjithashtu në meteoritët që kanë rënë në Tokë.
“Shkencëtarët kishin gjetur nukleobaza dhe vitamina në meteoritët e pasur me karbon, por gjithmonë ekzistonte çështja e ndotjes nga ekspozimi ndaj mjedisit tokësor,” shpjegoi autori kryesor i studimit Yasuhiro Oba, një profesor i asociuar në Universitetin Hokkaido në Japoni. “Meqenëse anija kozmike Hayabusa2 mblodhi dy mostra direkt nga asteroidi Ryugu dhe i dërgoi në Tokë në kapsula të mbyllura, skenari i kontaminimit mund të përjashtohet”.
Blloqe ndërtimi të jetës në hapësirë
Studiuesit zbuluan molekulat kur zhytën grimcat e mbledhura nga Ryugu në ujë të nxehtë dhe analizuan rezultatet duke përdorur metoda të ndryshme vëzhgimi, si kromatografia e ujit dhe spektrometria. Ekipi zbuloi gjurmët karakteristike të uracilit, niacinës dhe komponimeve të tjera organike që përmbajnë azot.
“Në kampion u gjetën edhe molekula të tjera biologjike, si një sërë aminoacidesh, amine dhe acide karboksilike, të cilat gjenden përkatësisht në proteina dhe në procesin e metabolizmit”, thotë Oba.
“Gurët e themelit” në meteoritë
Gjetjet e deritanishme nga mostrat e Ryugu përforcojnë dëshminë se blloqet ndërtuese të jetës erdhën nga hapësira dhe u sollën në Tokë miliarda vjet më parë, në meteorite. Molekulat ndoshta janë formuar përmes reaksioneve fotokimike në akull në Hapësirë përpara se të formohej sistemi ynë diellor.
Përqendrimet e molekulave në të dy mostrat ishin të ndryshme, por kjo ka të ngjarë për shkak të ekspozimit ndaj mjedisit të ashpër të hapësirës. Është e mundur që Ryugu dikur të ishte pjesë e një trupi qiellor më të madh, siç është një kometë, përpara se të ndahej në copa nga përplasjet me trupa të tjerë qiellorë. Është gjithashtu e mundur që ndërsa shkëmbinjtë hapësinorë u përplasën me planetë të tjerë në sistemin tonë diellor, ata mbanin disa nga blloqet e ndërtimit të jetës.
“Nuk mund të them se prania e substancave të tilla nënkupton drejtpërdrejt shfaqjen ose praninë e jetës jashtëtokësore, por të paktën përbërësit e tyre, si aminoacidet dhe nukleobzat, mund të gjenden kudo në Hapësirë”, komentoi Oba.
Tani, studiuesit duan të dinë se sa të përhapura janë këto molekula në asteroidë. Një mostër nga një asteroid tjetër, Bennu, do të dërgohet në Tokë në shtator nga anija kozmike OSIRIS-REx e NASA-s.
“Zbulimi i uracilit në mostrat nga Ryugu përforcon teoritë aktuale rreth burimit të nukleobave në Tokën e hershme,” tha Oba. “Misioni OSIRIS-REx i NASA-s do të kthejë mostra nga asteroidi Bennu këtë vit dhe një studim krahasues i përbërjes së këtyre asteroidëve do të sigurojë të dhëna të mëtejshme për të zhvilluar këto teori.” /abcnews.al/ KultPlus.com
Cameron Diaz nuk do të kthehet më në Hollywood pasi njerëzit e afërt të saj kanë zbuluar se ajo nuk mund të përballojë më ditët e gjata të punës që e mbajnë atë larg bashkëshortit të saj Benji Madden dhe vajzës së tyre trevjeçare, Raddix. Diaz u tërhoq zyrtarisht nga aktrimi në vitin 2018, por së fundmi u josh nga miku i ngushtë Jamie Foxx për të bashkë-yll në komedinë Back In Action.
Natyrisht, siç doli, ky plan rikthimi nuk i funksionoi mirë pasi u shoqërua me trazira. Miku i saj i mirë Jamie Foxx pati një krizë mendore në xhirimet e filmit dhe pushoi tre punonjës.Tani mediat e huaja raportojnë se aktorja e dashur nuk ka pasur aspak një eksperiencë të mirë dhe ndoshta nuk do të kthehet në botën e kinemasë pas përfundimit të xhirimet. Ajo vetë e ka pasur të vështirë të jetë larg familjes dhe nuk dëshiron të përfshihet në konfrontime. Megjithatë, sipas të njëjtave burime, marrëdhënia e saj me Foxx nuk u ndikua negativisht.
Që kur vendosi të distancohej nga qendrat e vëmendjes dhe Hollywood-i, Cameron Diaz ka folur shumë herë hapur se është një industri e vështirë, por edhe për përvojat e saj personale. Vitet e fundit kemi parë një version krejtësisht të ndryshëm të aktores dhe duke folur në podkastin e shoqes së saj Gwyneth Paltrow, ajo ndau detaje se si është jeta në moshën 49-vjeçare me një fëmijë dhe zbuloi se arsyeja pse e sheh moshën e saj krejtësisht ndryshe tani është mëmësia./abcnews.al/ KultPlus.com
“Have Hope” nëpërmjet një ceremonie zyrtare tashmë zyrtarisht është organizatë që synon të mbështesë të mbijetuarat e kancerit në Kosovë, organizatë që është themeluar nga Arnisa Osmani e cila poashtu është e mbijetuar e kancerit, shkruan KultPlus.
Osmani duke falënderuar të pranishmit në ceremoninë e hapjes së kësaj organizate ka thënë se në këtë zyrë do të zhvillohen shumë takime me mjekë, onkologë, sociologë, psikologë, sikurse që do të zhvillohen kampanja vetëdijesuese për parandalimin e kësaj sëmundjeje.
“Jam këtu për ju, dhe me ju. Bashkë do të jemi forcë më e madhe që të tregojmë sa e bukur është jeta”, ka thënë Osmani e cila qysh sot ka bërë thirrje që të gjithë ata që kanë nevojë mund të drejtohen në zyrën e “Have Hope.
Ndërkohë drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku ka premtuar që do të bashkëpunojë me organizatën “Have Hope”, organizatë që e ka vlerësuar edhe si partner të Drejtorisë së Shëndetësisë.
“Do të punojmë ngushtë në mënyrë që të rrisim shpresën për gratë me kancer, sikurse që të punojmë bashkë në inkurajimin e grave që të bëjnë sa më shumë kontrolla mjekësore”, ka thënë Sadiku.
Kurse onkologu Arben Bislimi organizatën “Have Hope” e ka vlerësuar si një adresë të përbashkët për këtë kauzë që ka për qëllim ofrimin e shumë shërbimeve për gratë më kancer.
“Në emër të Klinikës së Onkologjisë dhe Shoqatës së Onkologëve të Kosovës do të vazhdojmë në përkrahjen profesionale, por e vetmja armë është zbulimi i hershëm i kancerit”, ka thënë Bislimi.
E në emër të Rrjetit të Grave të Kosovës, Igballe Rugova është shprehur të jetë krenare për punën që bëhet për mbështetjen e grave me kancer.
“Para dy dekadave ishte tabu të flitej për këtë sëmundje, por sot është një situatë tjetër, sepse në këtë ndërtesë po hapet kjo organizatë pikërisht në përkrahje të këtyre grave”, ka thënë Rugova, e cila ka vlerësuar edhe mbështetjen e institucioneve shtetërore për mbështetjen e këtyre grave.
Në hapjen e organizatës “Have Hope” , shërbimet do të jene falas, e para të pranishmëve për këtë çështje ka njoftuar psikologia e kësaj organizate Arbnora Rama.
Për fund themeluesja dhe drejtuesja e kësaj organizate Arnisa Osmani është shprehur të jetë e bekuar që është e rrethuar me shumë njerëz që kanë ndihmuar në këtë iniciativë, e cila ka bërë thirrje që të gjithë ata që kanë nevojë për shërbimet e kësaj organizate mund të drejtohen edhe nëpërmjet rrjeteve sociale të kësaj organizate. / KultPlus.com
Një diskutim kulturor për ‘Mbretëreshën e Maleve Shqiptare’, Edith Durham, është mbajtur sot në Fakultetin e Filologjisë, në kuadër të javës së Frankofonisë.
Përpos që konsiderohet një mike e madhe e shqiptarëve, Edith Durham ndër të tjera ishte edhe artiste, udhëtare, etnologe, antropologe, humaniste, lobiste, e mbi të gjitha ‘zonja e parë angleze’ e cila ka udhëtuar në bjeshkët e maleve shqiptare në fillim të shekullit XX, shkruan KultPlus.
Përmes këtyre udhëtimeve ajo ka eksploruar si askush më parë, kulturën, zakonet dhe të gjitha elementet të cilat e përbëjnë popullin shqiptar, duke lënë gjurmë të pashlyeshme tek ky popull, emrin e së cilës e shohim të skalitur sot edhe në ndonjë rrugë, shkollë apo institucion.
Interes për punën dhe kontributin e saj te shqiptarët dhe kultura e tyre në përgjithësi, ka ngjallur edhe tek studiuesit e huaj, dy prej të cilëve ishin pjesë e këtij diskutimit kulturor. Jacqueline Derens, e cila ka përkthyer 100 vjet pas veprën e Durham nga gjuha angleze në gjuhën frënge dhe Elizabeth Gowing, e cila ka shkruar një libër ku përmes rrugëtimit të Edith Durham, mundohet të gjej rrugën e saj, udhëtimin që ajo ka bërë në Kosovë e Shqipëri, edhe të tregoj diçka më personale rreth njohjes dhe dashurisë që ka për Kosovën dhe për shqiptarët në përgjithësi.
Sot, në sallën ‘Idriz Ajeti’, ku po mbahej diskutimi kulturor, fjalimin hyrës e mbajti Nerimane Kamberi, profesoresha e Letërsisë Frënge në Universitetin e Prishtinës, e cila i falënderoi mysafirët për praninë e tyre, dhe për t’i nderuar disa mysafirë që ishin prezent, fjalimin kryesor ajo e zhvilloi në gjuhën frënge.
Më vonë fjalën ia kaloi përkthyeses franceze, Jacqueline Derens, e cila foli për veprën e Edith Durham, ku ndër të tjera tha se ajo dhe puna e saj ishte frymëzim për të.
Pas saj radha kaloi te Elizabeth Gowing, një studiuese e cila po shkon rrugëve të Durahm, veçse kjo studiuese me lokacion vetëm në Kosovë, për të studiuar shqiptarët e Kosvës dhe karakteristikat themelore të tyre.
Teksa Gowing fliste me admirim për Durham, ajo tha se ekzistojnë pesë karakteristika të personalitetit të Durham, të cilat e bënë atë një figurë të pa harruar dhe se që të gjithë do të duhej të frymëzoheshin prej saj.
Elementi i parë sipas saj që e bën Durham atë që ishte, ka qenë fakti se ajo ishte një artiste, gjë e cila i ka shërbyer në të gjitha punët tjera.
“Unë e vlerësoj shumë syrin e artistes, edhe e kuptoj që edhe pa pasur aftësinë për të pikturuar fare, unë kam mundësinë për tu përqendruar në detaje siç bëjnë artistët. Edhe kjo ndoshta është arsyeja se përse shkrimet e mia janë të mira, por gjithashtu e mirë është edhe jeta. Sepse me këtë filozofi për tu përqendruar në detaje të vogla dhe për ti shijuar ato detaje, qoftë diçka që e sheh, nuhatet, këto detaje Edith si duket i ka zhvilluar shumë mirë edhe kjo ka qenë përgatitja e saj profesionale para se ajo të filloj të punojë edhe punë të tjera”, ka thënë Gowing.
Autore, ishte cilësia tjetër e Durham, e cila e mahnit studiuesen Gowing. Pasi ajo ka qëndruar në Londër, dhe kishte bërë shfaqje e ekspozita në Royal Akademi në Angli, ajo ka filluar të udhëtojë. Dhe përgjatë udhëtimeve ajo ka filluar të shkruaj, ku ndër të tjera ka shkruar letra, ditarë, dhe shënime për eventet dhe përjetimet e saj. Këto veti autorja Gowing thotë se e kanë frymëzuar por se përkundër faktit se i ka të botuara gjashtë libra ajo nuk ka arritur ta përshkruaj Kosovën në nivelin siç ka bërë Durham për Shqipërinë.
Antropologe, është elementi tjetër që ka qenë pjesë e figurës së Durham, fushë të cilën e ka integruar pas udhëtimeve ku ‘ajo me syrin e artistes edhe me kuriozitetin e saj ka filluar të grumbullojë detaje që më vonë bëhen pjesë e shkencës dhe antropologjisë. Edhe pse antropologjia nuk ka qenë fusha e Edith Durahm, sipas përgatitjes profesionale, ajo u bë prej përvojës, prej pyetjeve, mënyrës se si ajo e ka pyetur veten për disa ngjarje të ndryshme, shkrimi i saj në mënyrë objektive ishin aftësi të saj të cilat e bënë si eksperte në Ballkan, në shkencën e antropologjisë. Dhe ajo në fund të fundit është pranuar në Royal Antropologjik ll në Londër’, ka vazhduar studiuesja.
Humanizmi të cilin ajo e ka treguar në rastin e shqiptarëve dhe disa popujve të Ballkanit gjatë luftrave të ndryshme, është elementi kryesor që sipas Gowing figura e saj është e pa harrueshme për shqiptarët. Durham gjatë asaj kohe, vetë duke kalëruar ka shpërndarë grurë, ka siguruar çati për shtëpitë që janë djegur gjatë luftës, si dhe medikamente. Gowing më tutje potencoi se mund të gjendeshin në sallë pasardhësit e atyre të cilëve u është shpëtuar jeta para 100 vitesh nga Edith Durham.
Dhe elementi i pestë prej të cilit do të duhej të frymëzoheshin shqiptarët ka të bëj me kombinimin e të gjithë elementeve të cilat u përmendën më lartë.
“Janë të kombinuara të gjitha këto sepse Edith është udhëtare, një përzierje e gjitha këtyre, pak një artiste, një shkrimtare që ruan shënime, kureshtare objektive për njerëz me të cilët takohesh, por gjithashtu edhe humanitare që të ofrosh ndihmë, si një obligim kur takohesh me një person”, ka vazhduar studiuesja më tej.
Ndërsa profesoresha Nerimane Kamberi, në një prononcim për KultPlus, ka thënë se Durham është një grua e jashtëzakonshme, shumë moderne për kohën e saj e cila duhet të shërbejë si model për kureshtje dhe guxim për të studiuar kulturën.
“Ajo ishte shumë e paanshme. Nuk ka dhënë gjykime, rreth asaj që shihte. Megjithëse ishte diçka krejtësisht e re, ndonjëherë e befasishme si kulturë e jona, meqë vinte nga Anglia, nga një edukatë viktoriane dhe vërtetë është një grua që ndoshta sot mund të jetë një model që duhet të kesh jo vetëm guxim por edhe të jesh kureshtare dhe shumë e respektuar për kulturat, së pari tënden e pastaj edhe për kulturat e tjera”, ka përfunduar Kamberi.
Pas këtyre diskutimeve të cilat u mbajtën, ju dha mundësia për të bërë pyetje edhe studentëve të Universitetit të Prishtinës, të cilët deri tani kishin dëgjuar me shumë vëmendje të gjithë ecurinë e ngjarjes, ku edhe morën përgjigje më konkrete për pyetjet të cilat ua kishin parashtruar studiueseve.
Përpos shumë studentëve të Universitetit të Prishtinës, diskutimin nga afër e ndiqnin edhe prodekani Isa Memishi, Ambasadori i Britanisë së Madhe, Nicholas Abbott, zv. Ambasadorja e Shtetit Zviceran, Paulinë Menthonnex-Gacaferri, shefi i misionit diplomatik të Belgjikës në Kosovë, Julien Sassel, përfaqësuesi i ambasadës së Francës në Kosovë, Nexhmi Musliu, dhe Shefja e departamentit të Frëngjistes, Bade Bajrami./ KultPlus.com
Ditën e premte, me datë 24 mars, me fillim nga ora 19.00, në KinoArmata, Artpolis organizon përurimin e librit “Katërdhetë e pak” të poetes Vlora Ademi.
Për librin do të flasin Primo Shllaku dhe Agim Baçi nga Tirana, si dhe redaktori i librit, Gazmend Bërlajolli.
Promovimi do të realizohet nën moderimin e regjisores dhe aktivistes Zana Hoxha, poezitë nga libri “Katërdhetë e pak” do t’i lexoj regjisorja dhe aktorja, Melihate Qena, ndërsa për pjesën artistike, do të përkujdesen, Elikona Hysaj Shala bashkë me Astrit Stafai.
Ky aktivitet realizohet në kuadër të Fondit për Art Feminist i Artpolis, i cili përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut./ KultPlus.com
Një peshkatar që gjeti një aparat fotografik në një lumë në Kolorado ishte në gjendje të merrte fotot nga pajisja dhe zbuloi se kishte qenë nën ujë për 13 vjet.
Spencer Greiner tha se ai ishte duke peshkuar në lumin Animas kur vuri re një aparat fotografik në fund të ujit të cekët.
“Unë po ecja dhe e pashë të dilte nga rëra,” tha Greiner për KDVR-TV. “Ishte në formë të përafërt, kështu që me të vërtetë nuk kisha asnjë shpresë për të hequr diçka prej tij, thjesht po planifikoja ta hidhja, dhe më pas kurioziteti mori më të mirën nga unë, dhe duhej të shihja se çfarë kishte në të.”
Greiner tregoi se hapi kartën e memories së aparatit dhe pa se ishte i ngarkuar me foto të një feste beqarie, një dasme dhe një udhëtimi./KultPlus.com
Sidoqoftë, gjatë kohës në universitet, Goethe kishte qenë më shumë i pasionuar me shkrimin, ndonëse supozohet se ai i ka djegur disa prej shkrimeve të tij sepse i ka konsideruar si të pavlefshme.
Shpeshherë i vlerësuar edhe si Shakespeari gjerman, Goethe e ka arritur famën në moshën 25 vjeçare pas publikimit të novelës “The Sorrows of Young Werther”. Thuhet se novela ka pasur aq ndikim mbi meshkujt, saqë e ka bërë vetëvrasjen të jetë në modë për ta.
Megjithatë, vepra “Faust” mbetet kryevepra e tij. Ai e ka filluar dramën dypjesëshe poetike rreth moshës 23-vjeçare dhe e ka përfunduar vetëm pak muaj para vdekjes.
Legjenda e eruditit që ia shet shpirtin Djallit për njohuri të pafundme dhe kënaqësi ka qenë bazë për shumë punime tjera artistike.
Sidoqoftë, më poshtë jua sjellim disa thënie nga Goethe të cilat do t’jua ndryshojnë mënyrën se si e shihni veten dhe tjerët:
“Njeriu sheh në botë atë se çfarë bart në zemrën e tij”
“Lehtësisht mund ta gjykoni karakterin e njeriut duke e parë se si i trajton ata që nuk mund të bëjnë asgjë për të”
“Shijoni kur mundeni, e duroni kur duhet”
“Njeriu duhet që të paktën çdo ditë ta dëgjoj një këngë, ta lexojë një poemë të mirë, ta sheh një pikturë të bukur dhe, nëse është e mundur, t’i flet disa fjalë të arsyeshme”
“Njeriu dëgjon vetëm çfarë kupton”
“Kuraja është përkushtimi për të filluar pa ndonjë garanci për sukses”
“Në mbretërinë e ideve çdo gjë varet nga entuziazmi… në botën e vërtet e gjitha varet nga këmbëngulësia”
“Posa t’i besoni vetvetes, do të dini si të jetoni”
“Të mendoni është lehtë. Të veproni është vështirë. Por gjëja më e vështirë në botë është të veproni në përputhshmëri me mendimet tuaja”
“Magji është të besoni në vetvete, dhe nëse mund ta bëni këtë, ju mund të bëni gjithçka”
“Mos ëndërroni pak sepse ëndrrat e vogla nuk e kanë fuqinë t’i lëvizin zemrat e meshkujve”
“Çdo gjë është e vështirë para se të bëhet e lehtë”. / KultPlus.com
Mbi 7 mijë imazhe, shkrepur përgjatë një shekulli, janë ekspozuar në muzeun më të ri virtual www.fototeka.al.
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se, në këtë muze janë ekspozuar imazhe të rralla, personazhe, ngjarje, fotoreportazhe, vende, portrete njerëzish të zakonshëm.
“Imazhe të rralla, personazhe, ngjarje, fotoreportazhe, vende, portrete njerëzish të zakonshëm, tani i gjeni në www.fototeka.al, muzeu më i ri virtual me mbi 7 000 imazhe, shkrepur përgjatë një shekulli. 40 albume dhe qindra fotografë, që dalin nga “pluhuri” i kohërave falë bashkëpunimit mes Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit “Art & Histori”, i ofrohen tashmë publikut”, informoi Kryeministri./ KultPlus.com
Veprimtaria e Aleksandër Moisiut ishte e fokusuar në Vjenë, për të depërtuar shpejt edhe në teatrot e tjera evropiane. Pas sukseseve të tij të njëpasnjëshme në aktrim ai u angazhua pothuajse në të gjitha vendet e Evropës e Amerikës Veriore.
Ai llogaritej sidomos në vitet para fillimit të Luftës së Parë Botërore si një nga aktorët më të mëdhenj në hapësirën gjermanofolëse.
Fusha e veprimit të Moisiut përmblidhte të gjithë spektrin e literaturës evropiane të teatrit, duke filluar që nga tragjedia antike greke e deri te koha moderne. Shumë të njohura u bënë interpretimet e tij të Hamletit, të Edipit, të Jedermann dhe të Fedja në veprën e Leon Tolstoit “Kufoma e gjallë”. Ai luajti po ashtu edhe rolet kryesore në premierat e pjesëve teatrale të Hauptmann-it , të Wedekind-it dhe të Hofmannsthal-it .
Për këtë aktor të madh, fjalët nuk i kursyen as filozofët e shkrimtarët më të mëdhenj të Evropës. Filozofi i njohur dhe një nga romancierët më të mëdhenj të gjuhës gjermane, Franc Kafka vlerësoi se gjestet e Moisiut ishin unike dhe të pa para ndonjëherë në skenat botërore.
“Zëri, mimika dhe gjestet e Moisiut shfaqin diçka unike, diçka e cila nuk ishte parë asnjëherë në skenën botërore të artit”, janë fjalët e Kafkës për Moisiun./ KultPlus.com
Qeveria holandeze do të ndalojë përdorimin e aplikacionit kinez për shpërndarjen e videove TikTok në telefonat e punës, njoftuan mediat lokale.
Në Holandë, 140 mijë nëpunës civilë do të lejohen të përdorin vetëm “aplikacione të miratuara”, që do të thotë se “aplikacionet e ndjeshme ndaj spiunazhit” nuk do të lejohen më, raportoi NL Times.
“Pyetjet e fundit parlamentare dhe zhvillimet ndërkombëtare na kanë bërë të bëjmë një vlerësim të kujdesshëm që shkon më tej sesa këshillimi kundër një aplikacioni”, tha Sekretarja e Shtetit Alexandra van Huffelen në një letër drejtuar parlamentit.
Sipas raportit, shërbimet qeveritare gjithashtu do të fillojnë menjëherë të dekurajojnë zyrtarët që të instalojnë aplikacionin në telefonat e tyre dhe së shpejti të gjithë telefonat e punës do të lejojnë vetëm instalimin e aplikacioneve të miratuara paraprakisht.
Shërbimi i Përgjithshëm i Inteligjencës dhe Sigurisë së Holandës (AIVD) së fundmi paralajmëroi për një “rrezik më të lartë spiunazhi” nga vendet me programe kibernetike që synojnë Holandën dhe interesat e saj.
Ky hap ndjek rregulla të ngjashme si në SHBA, Britani të Madhe, Kanada dhe Belgjikë, si dhe institucionet e BE-së, ku autoritetet u kanë kërkuar zyrtarëve të tyre të çinstalojnë aplikacionin mes shqetësimeve të sigurisë se Kina mund të ketë qasje në të dhënat e tyre. / atsh /KultPlus.com
Hamit Aliaj lindi në Kasaj të Tropojës, fshat që gjendet në afërsi të kufirit me Kosovën. Në këtë fshat u rrit djaloshi që do të shkruante vargjet më të bukura, më tronditëse, për ndarjen tragjike të trojeve shqiptare. Kur ai erdhi në këtë botë, një ditë vjeshte të vitit 1954, shqiptarët kishin vite që nuk mund të shkonin më te njëri-tjetri për shkak të këtij kufiri absurd. As në dasmë, as në mort, as në gëzim e as në hidhërim. Vetëm zogjtë e malit guxonin ta kalonin atë vijë tragjike që ndante njerëzit e një gjaku. Kjo padrejtësi shekullore, ky absurditet i historisë, do të bëhet lajtmotiv i vargjeve të poetit, i cili, qysh në fillim, shpallte botërisht: “Bjeshkët janë mbiemri im”. (Ky është titulli i librit të parë të Hamit Aliajt, të cilin e botoi kur ishte njëzet vjeç). Edhe poetë të tjerë shqiptarë, këndej e andej kufirit, në Kosovë e në Shqipëri, në Jug e në Veri, e kanë trajtuar këtë temë: temën e ndarjes tragjike të trojeve shqiptare, por pothuajse askush si djaloshi nga Kasaj, që e kishte shtëpinë “pesëqind metra larg dhimbjes”. “Shtëpinë, mbështjellë me një re të bardhë,/ në Veri e kam,/ pesëqind metra larg dhimbjes,/ piramida 6 përballë”. Ç’figurë e gjetur e domethënëse! Këtu, në Veri, pranë gurit kufitar, lindi dhe u rrit poeti; këtu u përkund në djep dhe këtu do ta ketë edhe banesën e fundit. (Hamit Aliaj u varros këto ditë me nderime në vendlindje). Teoria e mjedisit si koncept teorik është e kapërcyer, por as kritika moderne nuk e mohon rolin e vendlindjes dhe të fëmijërisë në formimin shpirtëror të krijuesit. Hamiti e kaloi fëmijërinë në vendlindjen e tij, në një vend ku bashkëjetonin doke e zakone, ku këngët dhe legjendat e moçme ishin akoma rit i mbrëmjeve. Rriste shtatin në kodrat dhe livadhet e fshatit dhe mrekullohej nga tingujt e fyejve të barinjve që çdo verë ua mësynin bjeshkëve të Shkëlzenit, ndërsa tufat e deleve, formonin në imagjinatën e tij poema pa fund me vargje të bardha… Ky ishte sfondi ku poeti filloi të thurte vargjet e para në fletoret shkollore, që i fshihte nga sytë e të tjerëve… Nëna e tij, një grua e fortë, e cila shpesh dinte të ishte edhe burrë, do të ishte mbështetësja dhe frymëzuesja e tij më e madhe. Ajo i dha të birit jo vetëm dashuri prej nëne, por i mëkoi edhe shpirtin artistik…Vendosja e fshatit të tij të lindjes përballë Kosovës, e cila ishte disa minuta afër, por mijëra vjet larg, kur shikoje gardhin e përshkuar nga korenti vdekjeprurës, ka qënë një dhembje e gjatë, por edhe një burim frymëzimi për shumë poezi të poetit, që e vuante paradoksin historik të ndarjes përgjysmë të trupit të atdheut, thuhet në një shënim të shkruar me gjasë nga vetë autori ose nga ndonjëri nga miqtë e tij letrarë. Ky është kufiri i parë nga ajo anë. Po nga kjo anë? Në një takim letrar në Pogradec, vite më parë, pata thënë: “Tërë jetën e kemi soditur nga larg këtë qytet, jemi orvatur më kot ta rrokim me shikim, duke i marrë mëri sytë tanë që s’kishin forcë të shihnin përtej, në anën tjetër të masivit ujor të quajtur Liqeni i Ohrit. Vështrimi ynë nga brigjet e Strugës arrinte shumë-shumë deri te Lini i futur si hundë në liqen. Nga Struga Pogradeci nuk mund të shihej, por vetëm mund të merrej me mend, kurse kënaqësinë e të soditurit të konturave të tij e përjetonim kur shkonim në të rrallë në Shën Naum. Nga bedenat e manastirit të lashtë, ku murgj dhe policë rrinin bashkë, e shikonim tinëz, me mall, qytetin që ishte aq afër dhe aq larg njëkohësisht. Ky është Pogradeci i djalërisë sime. Pogradeci im i dikurshëm. I papërsëritshëm”. Treva nga e cila vjen Hamit Aliaj dhe një varg poetësh të tjerë të talentuar (Anton /Ndoc Papleka, Besnik Mustafaj, Buçpapajt Mujo e Skënder e shumë të tjerë) quhet ndryshe “Malësi e Gjakovës”. Malësorët e fshatrave të Tropojës pazarin e bënin në Gjakovë, ku zbrisnin për të shitur e blerë, por edhe për të lidhur miqësi e krushqi, derisa ky qytet shqiptar nuk iu shkëput Shqipërisë, ashtu siç ndodhi edhe me shumë qytete e fshatra të tjera të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare. Xhevahir Spahiu e Bardhyl Londo kanë shkruar vargje pikante për “Vitin 13”, që në letërsinë shqipe ka marrë përmasat e një figure topike (toposi i ndarjes përgjysmë të trupit të atdheut), por Hamiti i ka shkuar deri në fund këtij motivi, duke e shtrydhur fjalën “derisa gjak t’pikojë”, siç do të thoshte Azem Shkreli. Te poema e tij e jashtëzakonshme, por e pavënë re, Zeka i Zi, me të cilën mbyllet libri Lotin nuk ta fal, lexojmë vargjet: “E kemi parë Zekën e Zi,/ me kokë nën sqetull rend./ E lë kokën në një lis/ e lisi shqip flet, / e lë kokën në një gur / e guri flet si njeri, / e lë kokën në një re/ e reja vetëton,/ ia lë kokën tokës,/ toka rend, vrapon”, për ta përmbyllur frazën me një figurë shumë të përhapur në letërsinë shqipe, nga Barleti e gjer tek Kadare, atë të ndarjes së kokës nga trupi: “Koka në bjeshkë, trupi në det”. E krijuar në një periudhë gjysmëshekullore dhe e shpërndarë në shtatë vëllime (Bjeshkët janë mbiemri im, Një vend e ruaj për ty, Lotin nuk ta fal, Mungon Viti Një, Njëqind vjet e Martë dhe E hëna e përtejbotës, ky i fundit me haiku), poezia e Hamit Aliajt është homogjene për nga përmbajtja dhe pothuajse e nivelizuar për nga vlera. Hamit Aliaj është pa dyshim një nga krijuesit më të talentuar të brezit të vet. I veçantë me botën e interesimeve tematike, ai është i veçantë edhe me shprehjen dhe sintaksën poetike. Në poezinë e tij shkrihen natyrshëm rrëfimi dhe lirizmi, figura dhe mendimi, toni epik dhe elegjiak. Me një qartësi e thellësi të lakmueshme, që rrallë haset tek i njëjti poet, ai i flet lexuesit për të vërtetat jetësore dhe paradokset e historisë. Rexhep Qosja, në një intervistë dhënë shtypit shqiptar, e pati quajtur Hamit Aliajn “poet që të bën mik të përjetshëm shpirtëror” dhe “që do ta nderonte çdo letërsi evropiane”. Fqinj me Hamitin për nga vendlindja, profesor Qosja shquan “mendimin subtil, pamjet krijuese dhe figurat befasuese” si veçori të stilit të tij. Këtyre karakteristikave, u duhet shtuar edhe imagjinatën e pasur, origjinalitetin e shprehjes dhe aftësinë për të depërtuar në thelbin e fenomeneve të jetës. Subjekti lirik i kësaj poezie bredh lirshëm nëpër kohë e vende, nga Ballkani në Evropë, nga antika në kohët moderne, nga Albanopoli në Fushë Kosovë, për t’u kthyer sërish te shtëpia e tij “pesëqind metra larg dhimbjes”. Hamit Aliaj do të mbahet mend edhe si krijues tekstesh për këngë. Shkroi shumë të tilla, por disa prej tyre janë bërë pjesë e kujtesës kolektive. Me këngën e tij “N’Dardani bjen nji tupan” studentët e Prishtinës dilnin në demonstratë. Ata ishin krushqit e lirisë së Kosovës, që do të vinte me shumë mund e sakrifica. Edhe Hamiti ka dhënë kontributin e vet për këtë ditë, sepse nuk luftohet vetëm me armë, por edhe me art. Pas çlirimit të Kosovës do t’i bëhet e mundur të vinte për herë të parë në Gjakovë, aty ku të parët e tij dikur vinin për çdo javë. “Njëqind vjet për të mbërritur tek ti…/ Jam më i pasuri mbi dhe:/ Kam timen këtë natë/ Që ndan mijëvjeçarët” – thuhet në poezinë Nata e parë në Gjakovë, shkruar në vitin 1999. Ndien gëzim për këtë takim, por edhe dhimbje e trishtim për krimet që janë bërë në Kosovë, krime para të cilave do të trishtohej edhe vetë Shekspiri: “Ju lutem, mos m’i thoni gjë Shekspirit/ se i djeg librat e tij”. Ndryshe nga shumica e kolegëve të tij poetë, Hamit Aliaj e krijoi veprën e vet në heshtje. Ai nuk ishte poet i çmimeve e promovimeve, as i ekraneve e portaleve, por krijues vargjesh të denja për çdo antologji, që shpresojmë të mbijetojnë edhe në këtë katrahurë vlerash e kriteresh. Hamit Aliaj e nisi udhëtimin e tij nga fshati i lindjes për t’u bërë banor i Parnasit shqiptar. Rruga drejt majave të artit nuk është e lehtë. Ajo është e gjatë dhe e vështirë edhe kur nisesh nga ndonjë metropol e botës, se jo më nga një fshat i vogël mes malesh. Shikuar nga ky aspekt Hamit Aliaj mund të quhet një sfidues i madh. Përgjithësisht i tërhequr në jetë, ai guxoi si poet. Kërkoi hapësira të reja shprehëse, duke i mbetur besnik formimit të vet shpirtëror, që i ka rrënjët te tradita e vendlindjes dhe filozofia e njerëzve të saj. Dy-tre librat e tij të fundit (Mungon Viti Një, Njëqind vjet e Martë dhe Hëna e përtej botës), të botuar në periudhën 1997-2017, tregojnë se Hamiti i ndiqte trendet e reja të poezisë në hapësirën shqiptare dhe më gjerë, por pa rënë në grackën e snobizmit dhe të epigonizmit. Vërtet që këta libra sjellin diçka të re në konceptimin e vargut (herë-herë deri te poezia e tipit vizual), mirëpo libri i tij më i mirë, më homogjen dhe, madje, edhe më modern mbetet vëllimi Lotin nuk ta fal, i botuar në kapërcyell të dy epokave, në vitin 1990 shtëpia botuese “Naim Frashëri” (në 2000 kopje). Në antologjinë Muza e Mëmëdheut (Njëqind poetë për Atdheun), botuar në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, Hamiti prezantohet me poezinë Shtëpinë e kam pesëqind metra larg dhimbjes, vargjet e së cilës janë vënë edhe në kopertinën e mbrapme të librit.
Shtëpinë, mbështjellë me një re të bardhë, në Veri e kam, pesëqind metra larg dhimbjes, piramida 6 përballë.
Miqtë e mi të letrave kanë surpriza të zymta kur më vizitojnë, dil nga legjendat, më thonë kritikët, po ç’të bëj: ashtu real, jashtë çdo fantazimi, i marr për dore dhe ua prezantoj vitin ’13, çunak të përgjakur.
Ç’të bëj. Toka ime s’ka klithur kurrë në qiell, klithmat i ka lënë në gurë e në drurë, në një djep klithmash jam rritur, dhe themelet e shtëpisë klithma i kam pesëqind metra nga piramida 6.
Gjumin s’e kam pasur kurrë të qetë: rënkon toka pranë shtëpisë sime në Kasaj nga prerja e madhe e vitit trembëdhjetë.
Net për net më duhet të zgjohem nga britma fëmijësh të prapë, të dal jashtë, t’i kap për veshi, Bismarkun, Lord Grejin, Bikonsfildin, kral Pjetrin, Nikollën, Çubrilloviqin e më të rinj që emrin s’po ua them, në gjuhë të ndryshme shahen ndyrë, zihen si rrugaçë aty te piramida 6.
… Shtëpinë e kam pesëqind metra larg dhimbjes pranë një meridiani të këputur e kam, të tjerat merren me mend.
Vargu i fundit: “të tjerat merren me mend” e lë të hapur kuptimin e tekstit, që nxit asociacione e përsiatje nga më të ndryshmet. Dikush profetizonte se shqiptarët do të bashkoheshin në vitin 2012; të tjerë thonë se do të bëhemi bashkë në BE, por ka edhe të tillë që nuk e duan bashkimin e Kosovës me Shqipërinë! Çka s’ka ndër ne! Por, për fat, ka edhe poetë si Hamit Aliaj i Tropojës, si Agim Spahiu i Kukësit e Visar Zhiti i Lushnjës (dhe i burgut) e dhjetëra të tjerë anekënd Shqiptarisë, që kanë kënduar me frymëzim të vërtetë, bukur e dhimbshëm, për dramën e ndarjes dhe ëndrrën e bashkimit. Moikom Zeqo e quante “Ribërja e Atdheut”. Nga demiurgët De Radë e Naim e këndej, vazhdon kjo “ribërje”. Dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen. / KultPlus.com
Më 22 mars të vitit 1832, në Gjermani, vdiq njëri ndër shkrimtarët më të njohur gjerman, Johan Volfgang Gëte.
Gëte, akoma vazhdon të njihet si ndër shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë botërore, shkruan KultPlus.
Sot, KultPlus ju sjell disa nga thëniet më të njohura të këtij shkrimtari të pavdekshëm.
“Fati na i plotëson pjesën më të madhe të dëshirave tona, por në mënyrën e tij, me qëllim që të na japë diçka përtej asaj që ne kemi projektuar në dëshirimet tona.”
“Njerëzit e angazhuar në politikë janë gjithnjë dinamikë, kërkojnë pareshtur mundësi të reja, hidhen nga njëra anë në tjetrën, siç përpëlitet i sëmuri në krevat, duke menduar se ashtu do të gjejnë rehatinë e munguar.”
“Do të parapëlqeja të mbetesha në gjykimin e një fëmije, sepse për të dalluar të vërtetën nga gënjeshtra, fëmijët janë një gur prove, ata nuk kanë ende nevojë për të vjetrit që të gënjejnë vetveten.”
“Del se një grumbull librash nuk janë shkruar që dikush të mësojë diç nga to, më shumë janë shkruar që njeriu të hetojë se shkruesi i tyre dinte aq shumë.”
“Bukuria, ajo që gjithnjë ka aftësinë të na magjeps, është manifestim i ligjeve sekrete natyrore, të cilat nëse nuk i qëmtojmë me ngulmin e një eksploratori, do të na fshiheshin ne përgjithmonë për të mbetur mister.”
“Mos iu nënshtro shumë ndjenjave. Një zemër tepër e ndjeshme është një pasuri e palumtur në këtë tokë gjithnjë kërcënuese.”
“Urrejtja është diçka e veçantë. Atë do ta gjeni më të fuqishmen, më të dhunshmen dhe të kahur deri në caqet e mizorisë atje ku shkalla e kulturës është më e ulëta.”
“Kush dëshiron të shpëtojë nga një e keqe, e di mirë se çfarë kërkon, kush kërkon diçka më të mirë nga ajo që e ka, priret të veprojë përherë verbërisht.” / KultPlus.com