Kërkesa të shumta, shtyhet sërish afati i aplikimit për muzeun ‘Besa’

Shtyhet për herë të dytë afati i dorëzimit të dosjeve të aplikimit për fazën e parë të Konkursit Ndërkombëtar për projektimin e muzeut më të ri në kryeqytet, “Besa”.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, njoftoi përmes rrjeteve sociale se, kjo shtyrje ka ardhur për shkak të kërkesave të shumta, por edhe për t’i dhënë më shumë hapësirë kohore të interesuarve.

Afati i ri i dorëzimit të dosjes së aplikimit për fazën e parë është data 30 mars.

Konkursi ndërkombëtar u çel më 13 shkurt. Muzeu do të ngrihet në godinën e njohur si Shtëpia e Libohovitëve, monument kulture, që ndodhet në krah të Kalasë së Tiranës dhe Sarajeve të Toptanëve.

Në konkursin e çelur për këtë projekt, Kryeministri Edi Rama tha se, muzeu do të jetë një destinacion i ri në qytet për të gjithë ata që duan të njihen me këtë faqe të lavdishme të historisë së shqiptarëve.

Ky bëhet muzeu i dytë, pas atij të Vlorës, që i kushtohet rolit të shqiptarëve në ruajtjen e hebrenjve në periudhën e Holokaustit./atsh/ KultPlus.com

‘Faktet nuk pushojnë së ekzistuari vetëm sepse ato injorohen’

 Nga Platoni deri tek Kamy, 20 thënie mbi të vërtetën.

 “Faktet nuk pushojnë së ekzistuari vetëm sepse ato injorohen.” –  Aldous Huxley

“Të thuash të vërtetën në një kohë mashtrimi është veprim revolucionar.” – George Orwell

“Më shumë se dashurinë, se paranë, se famën, më jepni të vërtetën.” – Henry David Thoreau

“Kur i tregoni dikujt të vërtetën, bëjeni të qeshet, përndryshe ata do të ju vrasin.” – George Bernard Shaw

“Çdo gjë që e dëgjojmë është një opinion dhe jo fakt. Çdo gjë që e shohim është një perspektiv dhe jo e vërtetë.” – Marcus Aurelius

“E vërteta nuk është gjithmonë e bukur, por ama etja për të është.” – Nadine Gordimer

“Ne jetojmë në një epokë ku nevojat e vetme janë gjërat e panevojshme.” – Oscar Wilde

“E vërteta kurrë nuk e dëmton një kauzë të drejtë.” – Mahatma Gandhi

“Kur e vërteta zëvendësohet me heshtje, heshtja është gënjeshtër.” – Yevgeny Yevtushenko

“Nëse dëshironi të jeni një kërkues real i së vërtetës, është e domosdoshme që të paktën një herë në jetën tuaj të dyshoni, sa më shumë që të jetë e mundur, në çdo gjë.” – Rene Descartes

“Ashtu sikur të gjithë ëndërrimtarët, edhe unë e ngatërroj zhgënjimin më të vërtetën.” – Jean Paul Sartre

“E vërteta është në anën e të shtypurve.” – Malcolm X

“Njeriu mendje lartë më shumë duhet të brengoset për të vërtetën se sa për atë se çfarë mendojnë të tjerët.” – Aristoteli

“Nuk duhet kurrë ta nderoni njeriun më shumë se të vërtetën.” – Platoni

“Idealet të cilat gjithmonë kanë ndriçuar para meje dhe më kanë mbushur mua me kënaqësi janë mirësia, e bukura dhe e vërteta.” – Albert Einstein

“Bindjet janë armiqë shumë më të rrezikshëm të së vërtetës se sa gënjeshtrat.” – Friedrich Nietzsche

“Hipokritët ofendohen nga e vërteta.” – Jess C. Scott

“Nuk është e lehtë të rrish i heshtur atëherë kur heshtja është gënjeshtër.” – Victor Hygo

“Ajo që nuk mund të thuhet mbi të gjitha nuk duhet të heshtet por të shkruhet.” – Jacques Derrida

“Ta thuash të vërtetën është shumë e vështirë dhe të rinjtë rrallëherë janë në gjendje ta thonë atë.” – Leo Tolstoy / KultPlus.com

Këngët italiane nuk do të luhen më në Facebook dhe Instagram

Kompania Meta nuk do të riprodhojë më, përmes Facebook-ut dhe Instagramit, këngë italiane dhe pjesë muzikore, pasi nuk u arrit një marrëveshje me kompaninë italiane Siae, e cila mbron të drejtat e autorit të kantautorëve dhe muzikantëve.

Vendimi është marrë nga Meta, drejtuesi i dy rrjeteve sociale, i cili ka bërë të ditur se “për fat të keq, marrëveshja përkatëse me Siae nuk mund të rinovohet” dhe se “do të duhet të heqë nga biblioteka e saj muzikore pjesët e mbrojtura nga kompania italiane e të drejtave të autorit’.

Masa vlen vetëm për përdoruesit e mediave sociale në Itali. Nga ana e saj, Siae bëri të ditur se ky është një vendim i njëanshëm, “duke qenë se negociatat përkatëse janë ende në vazhdim dhe se ka vullnet për të nënshkruar një marrëveshje me kushte transparente”.

Mediat fqinje theksojnë se negociatat përkatëse ka gjasa të vazhdojnë dhe se për momentin, pjesa më e madhe e këngëve të “mbrojtura” nga Siae, nuk janë hequr nga dy rrjetet e njohura sociale.

Komentuesit italianë theksojnë se, veçanërisht për artistët e rinj, është e rëndësishme që të jenë në gjendje t’i bëjnë të njohura këngët e tyre, me disa përfitime financiare, duke përdorur mediat sociale./abcnews.al/ KultPlus.com

Akademik Nazim Gruda merr certifikatën e ‘Best Scientific Abstract Prize’

Bashkimi i Akademive Europiane për Shkencat e Aplikuara të Bujqësisë, Ushqimit dhe organizoi sot takimin online të Komitetit Drejtues, gjatë të cilit u shpërndanë edhe certifikatat e konkursit me abstraktet/përmbledhjet më të mira shkencore të vitit të shkuar, pas vlerësimit nga një juri ndërkombëtare.

Vendin e dytë e fitoi përmbledhja me titull: “Effect of biofertilizers on leaf yield, nitrate amount, mineral content and antioxidants of basil (Ocimum basilicum L.) in a floating culture” me bashkautor akademikun Nazim Gruda. Akademia e Shkencave të Shqipërisë përgëzoi përzemërsisht autorët e këtij punimi për këtë arritje, duke u uruar suksese të mëtejshme.

Prof. Gruda, një nga akademikët tanë më të shquar, është mbajtës i çmimit “Dr.-Heinrich-Baur”, të Universitetit Teknik të Mynihut në Gjermani dhe “Shkencëtar i shquar” i Akademisë së Shkencave Kineze.

Në Universitetin e Floridës, SHBA, ishte “Courtesy Associate Professor” dhe atë të Virginia Polytechnic Institute and State University si “Research Scholar”, për të përmendur vetëm disa arritje e nderime të tij jashtë vendit. Ai është anëtar, anëtar korrespondent ose nderi i tre akademive evropiane.

Si përfaqësues i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në UEAA, ai shërben si urë lidhëse e akademive evropiane me atë shqiptare e anasjelltas./atsh/ KultPlus.com

“Duaj marrëzisht dhe nëse të thonë që dashuria është mëkat”

William Shakespeare ishte një nga autorët më të njohur botëror. Ai e ngriti artin poetik në majat më të larta, përcjellë KultPlus.

Kur flitet për të shumë pak autor i qëndrojnë përkrah dhe asnjë sipër. Studimet, analizat dhe komentet rreth tij janë të panumërta por përfundimi është i njëjtë: vepra shekspiriane është e admirueshme si tërësi dhe në të tërë përbërësit e veçantë.

Gjatë krijimtarisë së tij, Shekspiri realizoi 37 vepra për teatrin, nga të cilat 13 tragjedi, 10 drama historike dhe 14 komedi. Pjesa tjetër e krijimtarisë përfshinë 154 sonete që mbahen si realizimi poetik më i çmueshëm i gjithë kësaj periudhe dhe 2 poema të gjata.

KultPlus sot ju sjellë një thënie të këtij autori të madh:

Duaj, duaj marrëzisht, duaj më shumë se që mundesh dhe nëse të thonë që dashuria është mëkat, duaje mëkatin dhe do jesh i pafajshëm./KultPlus.com

Kush i merr paratë që turistët hedhin në shatërvanin e famshëm në Romë?

Kush ka vizituar Romën, ka hedhur një monedhë në shatërvanin e famshëm, ashtu siç bëjnë mijëra turistë çdo ditë. Pyetja është – çfarë ndodh me kaq shumë para në fund?

Kjo traditë fitoi popullaritet në vitin 1954 falë komedisë “Tre monedha në shatërvan”, por filloi shumë më përpara.

Sipas besimit fillestar, një gotë ujë nga ky shatërvan nënkuptonte fat dhe një kthim të shpejtë në “Qytetin e Përjetshëm”, shkruan The Sun.

Sot këto para mblidhen nga punëtorët e organizatës bamirëse katolike “Caritas”, e cila i përdor për të blerë ushqime për të varfrit, si dhe për të realizuar programe të ndryshme sociale. Ndihma financiare arrin në më shumë se 200 vende në mbarë botën.

Nga shatërvani mblidhen çdo ditë rreth 3 mijë euro, që është rreth 1.26 milionë dollarë në vit./ KultPlus.com

MKRS pret në takim basketbollisten e NBA-së, Edona Thaqi

Zëvendësministrja e Sportit, Daulina Osmani, ka pritur në takim basketbollisten Edona Thaqi, e cila po zhvillon karrierë të suksesshme në ligën elitare të basketbollit NBA në ShBA, përcjell KultPlus.

Bashkë diskutuan për sportin në vend, për arritjet dhe sfidat. Zëvendësministrja Osmani tha se është e lumtur që sportistet kosovare me rezultatet e tyre po na bëjnë krenarë në gjithë botën, duke theksuar se MKRS-ja po punon me qëllim të krijimit të kushteve më të mira për të gjithë sportistët.

Basketbollistja Thaqi foli për planin e saj lidhur me kampin e trajnimit për basketboll për fëmijët, i cili pritet të realizohet gjatë kësaj vere dhe për modalitetet e bashkëpunimit. / KultPlus.com

Enver Petrovcit i ndahet titulli “Profesor Emeritus”

Senati i Universitetit të Prishtinës ka marrë vendim për ndarjen e titullit “Profesor Emeritus” për Enver Petrovcin, mësimdhënës i rregullt në Fakultetin e Arteve të UP-së.

Organi më i lartë akademik i UP-së ka aprovuar kërkesën e Këshillit të Fakultetit të Arteve, të mbështetur nga Këshilli i Fakultetit Filozofik dhe i atij Ekonomik, me ç’rast i ka caktuar titullin në fjalë profesorit Petrovci, transmeton Klan Kosova.

Dorëzimin e titullit “Profesor Emeritus” profesorit Petrovci ia dorëzoi rektori Qerimi, në një ceremoni simbolike të organizuar në dekanatin e Fakultetit të Arteve.

“Është hera e parë që nga ky pozicion po e dhuroj një titull kaq të veçantë honorifik, sikurse është profesori emeritus. Njëherësh, është hera e parë që një titull i tillë i caktohet një mësimdhënësi në Fakultetin e Arteve. Ka shumë gjera që në jetë dhe në profesion zëvendësohen, por themeluesi është i pazëvendësueshëm”, tha rektori, teksa i prezantoi titullin profesorit Petrovci, i cili ishte ndër aktorët e parë që iu bashkua nismës së udhëhequr nga profesor Faruk Begolli, për hapjen e Katedrës së Aktrimit në Fakultetin e Arteve, para tri dekadash.

I nderuar me pranimin e këtij titulli u shpreh profesori Petrovci. Duke i falënderuar kolegët për iniciativën dhe rektorin për ndarjen e titullit, ai tha se këtë titull e pranon në emër të tij, por edhe të profesorit Begolli.

Titulli “Profesor Emeritus” iu dorëzua me motivacionin: “Për kontributin dhe përkushtimin shumëvjeçar dhënë në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës, për avancimin e vlerave akademike dhe krijimin e kuadrove të reja në artet skenike”.

Fakulteti i Arteve, duke e nderuar profesorin Petrovci, e vlerëson të kaluarën e çmuar të tij në këtë institucion.

Letra e lamtumirës nga Gabriel García Márquez

Nëse për një çast Zoti do të harronte se
jam një kukull lecke e
do të më dhurojë paksa jetë, ka gjasa se
nuk do të them gjithçka që mendoj,
por patjetër do ta mendoj çdo gjë që do ta them.

Do t’iu jepja vlerë gjërave, jo për vlerën që kanë,
por për kuptimin që kanë.

Do të flija pak, do të ëndërroja më shumë,

e kuptoj se për çdo minutë që i mbyllim
sytë, humbim gjashtëdhjetë sekonda dritë.

Do të ecja përpara kur të tjerët do të ndaleshin,
do të rrija zgjuar kur të tjerët do të flinin,
do të dëgjoja kur të tjerët flasin dhe
dhe sa do të shijoja një akullore të mirë çokolate!

Nëse Zoti do të më dhuronte paksa jetë,
do të vishesha thjeshtë,
do të shtrihesha në pishë të diellit duke lënë zbuluar jo vetëm
trupin tim por edhe shpirtin tim.

Zoti im, nëse do të kisha një zemër, do ta shkruaja
urrejtjen time në akull dhe
dhe do të prisja që të shkrihej në diell.

Do të pikturoja me një ëndër të Van Gogut
sipër yjeve një poemë të Benedettit
dhe një këngë e Serratit do të ishte serenata
që do t’ia kushtoja hënës.

Do t’i ujitja me lotët e mi trëndafilët,
për ta ndjerë dhimbjen e gjembave të tyre
dhe puthjen e mishtë të petaleve të tyre…

Zoti im, nëse do të kisha paksa jetë…

Nuk do të lija të kalonte qoftë një ditë të vetma
pa iu thënë njerëzve se dua,
se i dua. Do t’i bindja të gjithë burrat e gratë
se janë të parapëlqyerit e mi dhe
do të jetoja i dashuruar nga dashuria.

Njerëzve do t’ua provoja
sa gabojnë tek mendojnë
të heqin dorë së dashuruari
kur plaken, pa e ditur
se plaken kur heqin dorë së dashuruari.

Një fëmije do t’i jepja flatra,
por do ta lija ta merrte fluturimin vetë.

Të moshuarit do t’i mësoja
se vdekja nuk vjen me pleqërinë
por me harresën.

Kaq shumë gjëra kam mësuar nga ju, Njerëzit!

Ka mësuar se e gjithë bota adhuron të jetojë
mbi majën e malit,
pa e ditur se lumturia e vërtetë
është në ngjitjen e shpatit.
Kam mësuar se
kur i sapolinduri shtrëngon me grushtin e tij të vogël,
për herë të parë, gishtin e babait të tij,
e mban shtrënguar për gjithmonë.
Kam mësuar se një njeri
ka të drejtë ta vështrojë një tjetër
nga lart poshtë vetëm
kur duhet ta ndihmojë për t’u ngritur.

Janë aq shumë gjëra
që kam mundur të mësoj nga ju,
por realisht,
nuk do të më shërbejnë shumë,
sepse kur do të m’i vendosin
brenda asaj valixheje,
palumturisht do të jem duke vdekur./KultPlus.com

Shqipëroi: Elida BUÇPAPAJ

Gazetaria Digjitale – Profesioni i së ardhmës

Komunikimi i avancuar është një nga gjërat që i dallon njerëzit nga pjesa tjetër e gjallesave. Asnjë specie tjetër nuk komunikon me thellësinë dhe kompleksitetin që ne bëjmë. Ne kemi zhvilluar gjithnjë e më shumë mënyra të ndërlikuara për t’u shprehur, nga pikturat e shpellave te fjala e shkruar dhe dorëshkrimet e ndriçuara deri te Twitter, telefoni dhe FaceTime.

Vetëm disa shekuj pasi librat u përhapën gjerësisht, njerëzit tani po ecin me pajisje të afta për t’u lidhur me këdo në mbarë botën në pak sekonda, ku epoka e gazetarisë digjitale ka sjellë ndryshime të mëdha në industri.

Kolegji Universum” është i vetmi institucion arsimor që ofron program të plotë Bachelor në Higjenë dhe Estetikë Dentare. 

Përparimet e gazetarisë digjitale kanë revolucionarizuar fushën e gazetarisë dhe kanë ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si funksionojnë gazetarët dhe organet e medias, tani gazetarët përdorin rrjetet sociale, si Twitter, Instagram dhe Facebook, për të promovuar punën e tyre, për të qëndruar në krye të lajmeve të fundit, për të kërkuar burime dhe për të bashkëvepruar me publikun.

Kape tregun dhe studio profesionin e të ardhmes! 

Për më shumë informata rreth programit kontakto +383 44 144 062, [email protected] ose ndiqni Kolegjin Universum  në  facebook & instagram

Presidentja Osmani dekretoi 21 prokurorë me mandat fillestar

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me propozim të Këshillit Prokurorial të Kosovës ka dekretuar sot 21 prokurorë me mandat fillestar për tre vite, ndërkohë që të njëjtit do të sistemohen në prokuroritë themelore.

Në ceremoninë e betimit, Presidentja Osmani ka theksuar se integriteti dhe profesionalizmi i prokurorëve janë elemente thelbësore për një sistem të drejtësisë që garanton barazinë dhe besimin qytetar.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ftoi prokurorët e rinj që të angazhohen për një sistem të drejtësisë të pavarur, të pandikuar dhe profesional.

Ndërkaq prokurorët e rinj janë betuar se gjatë kryerjes së detyrave do t’i qëndrojnë kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe do të respektojnë rregullat e etikës profesionale. / KultPlus.com

“Kafshatë që s’kapërdihet asht, or vlla, mjerimi”

Poezi nga Migjeni

Kafshatë që s’kapërdihet asht, or vlla, mjerimi,
kafshatë që të mbetë në fyt edhe të zë trishtimi
kur shef ftyra të zbeta edhe sy t’jeshilta
që t’shikojnë si hije dhe shtrijnë duert e mpita
edhe ashtu të shtrime mbrapa teje mbesin
të tan jetën e vet derisa të vdesin.

E mbi ta n’ajri, si në qesendi,
therin qiellën kryqat e minaret e ngurta,
profetënt dhe shejtënt në fushqeta të shumngjyrta
shkëlqejnë e mjerimi mirfilli ndien tradhti.
mjerimi ka vulën e vet t’shëmtueme,
asht e neveritshme, e keqe, e turpshme,
balli që e ka, syt që e shprehin,
buzët që më kot mundohen ta mshefin –
janë fëmitë e padijes e flitë e përbuzjes,
t’mbetunat e flliqta rreth e përqark tryezës
mbi t’cilën hangri darkën një qen e pamshirshëm
me bark shekulluer, gjithmon i pangishëm.

Mjerimi s’ka fat, por ka vetëm zhele,
zhele fund e majë, flamujt e një shprese
t’shkyem dhe të coptuem me t’dalun bese.

Mjerimi tërbohet n’dashuni epshore.
nëpër skaje t’errta, bashkë me qej, mij, mica,
mbi pecat e mykta, t’qelbta, t’ndyta, t’lagta
lakuriqen mishnat, si zhangë; t’verdhë e pisa,
kapërthehen ndjenjat me fuqi shtazore,
kafshojnë, përpijnë, thithen, puthen buzët e ndragta
edhe shuhet uja, dhe fashitet etja
n’epshin kapërthyes, kur mbytet vetvetja.
dhe aty zajnë fillin t’marrët, shërbtorët dhe lypsat
që nesër do linden me na i mbushë rrugat.

Mjerimi në dritzën e synit t’kërthinit
dridhet posi flaka e mekun e qirit
nën tavan t’tymuem dhe plot merimanga,
ku hije njerzish dridhen ndër mure plot danga,
ku foshnja e smume qan si shpirt’ i keq
tu’ ndukë gjitë e shterruna t’zezës amë,
e kjo prap shtazanë, mallkon zot e dreq,
mallkon frytn e vet, mallkon barrn e randë.
foshnj’ e saj nuk qesh, por vetëm lëngon,
e ama s’e don, por vetëm mallkon.
vall sa i trishtueshëm asht djepi i skamit
ku foshnjën përkundin lot edhe të fshamit!

Mjerimi rrit fëmin në hijen e shtëpive
të nalta, ku nuk mrrin zani i lypsis,
ku nuk mund t’u prishet qetsia zotnive
kur bashkë me zoja flejnë në shtretënt e lumnis.

Mjerimi pjek fëmin para se të burrnohet,
don ta msojë t’i iki grushtit q’i kërcnohet,
atij grusht që n’gjumë e shtërngon për fytit
kur fillojnë kllapitë e etheve prej unit
dhe fetyrën e fëmis e mblon hij’ e vdekjes,
një stoli e kobshme në vend të buzqeshjes.
nji fryt kur s’piqet dihet se ku shkon
qashtu edhe fëmia n’bark t’dheut mbaron.

Mjerimi punon, punon dit e natë
tu’ i vlue djersa në gjoks edhe në ballë,
tue u zhigatun deri n’gjujë, n’baltë
e prap zorrët nga uja i bahen palë-palë.
shpërblim qesharak! për qindenjë afsh
në ditë – vetëm: lekë tre-katër dhe “marsh!”.

Mjerimi kaiher’ i ka faqet e lustrueme,
buzët e pezmatueme, mollzat e ngjyrueme,
trupin përmendore e një tregtis s’ndytë,
që asht i gjikuem të bijë në shtrat vet i dytë,
dhe për at shërbim ka për të marrë do franga
ndër çarçafë, ndër fëtyra dhe në ndërgjegje danga.

Mjerimi gjithashtu len dhe n’trashigim
-jo veç nëpër banka dhe në gja të patundshme,
por eshtnat e shtrembta e n’gjoks ndoj dhimbë,
mund që t’len kujtim ditën e dikurshme
kur pullaz’ i shpis u shemb edhe ra
nga kalbsin’ e kohës, nga pesha e qiellit,
kur mbi gjithçka u ndi një i tmerrshmi za
plot mallkim dhe lutje si nga fund i ferrit,
ish zan’ i njeriut që vdiste nën tra.
kështu nën kambët’randë t’zotit t’egërsuem –
thotë prifti – vdes ai që çon jetë të dhunuem.

dhe me këto kujtime, ksi lloj fatkeqësinash
mbushet got’ e helmit në trashigim brezninash.
mjerimi ka motër ngushulluese gotën.
në pijetore të qelbta, pranë tryezës plot zdrale
të neveritshme, shpirti me etje derdh gotën
n’fyt për me harrue nandhetenand’ halle.
e gota e turbull, gota satanike
tu’ e ledhatue e pickon si gjarpni-
dhe kur bie njeriu, si gruni nga drapni,
nën tryezë qan-qeshet në formë tragjikomike.
tê gjitha hallet skami n’gotë i mbyt
kur njiqind i derdh një nga një në fyt.
mjerimi ndez dëshirat si hyjet errsina
dhe bajnë tym si hejt q’i ban shkrum shkreptima.

Mjerimi s’ka gëzim, por ka vetëm dhimba,
dhimba paduruese qe t’bajnë t’çmendesh,
që t’ap in litarin të shkojsh fill’ e t’varesh
ose bahe fli e mjerë e paragrafesh.

Mjerimi s’don mshirë. por don vetëm të drejt!
mshirë? bijë bastardhe e etënve dinakë,
t’cilt n’mnyrë pompoze posi farisejt
i bijnë lodërtinës me ndjejt dhelparak
tu’ ia lëshue lypsiti një grosh të holl’ n’shplakë.

mjerimi asht një njollë e pashlyeme
n’ballë të njerzimit që kalon nëpër shekuj.
dhe kët njollë kurr nuk asht e mundshme
ta shlyejnë paçavrat që zunë myk ndër tempuj./KultPlus.com

“Gjama e burrave”, në qendër të ekspozitës së Anjesa Dellovës, në Bazel

Anjesa Dellova është emër i njohur në fushën e arteve pamore në Zvicër. Ajo, vitin e kaluar ka qenë njëra ndër fitueset e çmimit për arte,  “Swiss Art Awards 2022″ që ndan Zyra Federale për Kulturë, e Zvicrës, praktikisht çmimi më i lartë zviceran në këtë fushë.

E lindur në vitin 1994 në Kosovë, Anjesa jeton prej vitesh në Zvicër, gjegjësisht në Lozanë, ku ushtron profesionin e piktores dhe profesoreshës së artit.

Të shtunën, më 18 mars ajo hap ekspozitën e saj personale, shumë të rëndësishme në galerinë elitare “mayday” në Bazel. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 30 prill.

Në vazhdim, njoftimi të cilin galeria e “Mayday” e ka publikuar në lidhje me ekspozitën. “Pikturat monokromatike  të Anjesa Dellova janë frymëzuar nga fotografitë e fëmijëve dhe familjeve, traditat e njohura ekzotike apo ritualet si “Gjama” (e burrave), zija e praktikuar në veri të Shqipërisë. Për ekspozitën personale në Mayday, Anjesa Dellova është duke zhvilluar një seri të re pikturash në të cilat ajo i përkushtohet një sekuence të këtij rituali. Artistja fokusohet në emocionet dhe vulnerabilitetin e figurave mashkullore dhe reflekton mbi imazhet tradicionale të roleve dhe gjinive”.

E veçanta tjetër e kësaj ekspozite është se, në mbyllje të saj,  të shtunën, më 29 prill 2023 në orën 17:00 mbahet një ligjëratë mbi “Gjamën e burrave” në malet veriore shqiptare, shkruan albinfo.ch. Ligjërata do të mbahet nga Dr. Bledar Kondi, Universiteti Martin Luther, Halle-Wittenberg (në anglisht)

Mayday është një hapësirë prestigjioze ​​ekspozimi për artin bashkëkohor, e vendosur në një ndërtesë të ish-kompanisë së transportit në distriktin e portit industrial  të Bazelit, shrkuan albinfo.ch. Mayday u ofron artistëve mundësinë për prodhime specifike të vendit dhe do të shfaqë pesë ekspozita personale ose dyshe gjatë vitit  2023.

Mayday mbështetet bujarisht nga: Projektet e John Schmid; Pro Helvetia; Fondacioni Christoph Merian; Fondacioni Ernst dhe Olga Gubler-Hablützel.

Fotografia e pikturës: Bundesamt für Kultur, Schweiz (Zyra Federale për Kulturë, Zvicër)

Hapja e ekspozitës bëhet të shtunën, 18 mars, ora 17:00. / albinfo.ch / KultPlus.com

“Jeta jepet veç një herë, është e shenjtë”, nga zëri i veçantë i Rovena Dilos (VIDEO)

Rovena Dilo është një nga emrat e njohur në botën e muzikës shqiptare. Dilo lindi në Gjirokastër më 12 Maj 1973. Paraqitja e saj e parë, para audiencës ishte në vitin 1990 si drejtuese e emisionit “Mbrëmje Kulturore”, përcjellë KultPlus.

Në vitet vijuese ajo mori pjesë në shumë festivale.

Një nga këngët më të famshme të saj është kënga “Për një cast më ndal zemra” në bashkëpunim me Pirro Cakon, me të cilën në vitin 2001 në KëngËn Magjike fitoi “çmimin e parë”. 

Disa nga këngët më të famshme të Dilos janë: “Këngët e Stinës” “Nëse natën vij”, “Kam frikë nga dashuria”, “Simpati”, “Kërkoja fatin”, “Qyteti im”, “Ante i tokes sime” etj.

KultPlus sot ju sjell në mendje, këngën e njohur të saj, “Jeta jepet veç një herë, është e shenjtë”:

U këputën yjet dhe ranë në tokë,
Gjethe s’çelën pemët,
E këngën e lanë zogjtë,
Krejt papritur të binte nisi shi,
Jo s’ishte shi, por ishin lotët e mi.

I zgjata dorën dhimbjes me dashuri,
I fshiva ëmbël lotët,
T’i jepja më shumë shpresë,
Dhe me zërin tim,
Gjej forcë e ulërij,
I them kësaj bote,
“E nesërmja është tani”.

Po të kishte dhimbja fjalë,
Do flisnin edhe malet,
Sytë e mi të shkretë sa panë,
Si lajnë as oqeanet,
Jetën jo askush në botë,
Nuk mund ta presë në mes,
Jeta jepet veç një herë,
…është e shenjtë.

U fikën edhe diejt, i mbyllën sytë,
Pas flakës së shtëpive,
Në valle rrotull djajtë,
Të gjithë ëngjëjt morën arratinë,
Me ta në qiell liria rrugën ndrin.

I zgjata dorën dhimbjes me dashuri,
I fshiva ëmbël lotët,
Ti jepja më shumë shpresë,
Dhe me zërin tim,
Gjej forcë e ulërij,
I them kësaj bote
“E nesërmja është tani” …/KultPlus.com

“Para ligjit njeriu është fajtor kur dhunon të drejtat e tjerëve, para moralit ai është fajtor, nëse vetëm mendon ta bëjë këtë gjë”

Immanuel Kant është filozof i njohur gjerman dhe një nga më të shquarit e të gjitha kohërave. Kant-i ka lindur më 1724, dhe veprimtaria e tij  i përketë filozofisë klasike gjermane, shkruan KultPlus.

 “Grounding for the Metaphysics”, “Kritika e Arsyes së Kulluar” e botuar më 1781, “Kritika e arsyes Praktike” e botuar më 1788, “Groundëork of the Metaphysic of Moral”, janë disa nga veprat e tij me të cilat ai e arriti kulminacionin në karrierë.

Këto janë disa nga thëniet më të famshme të Kantit:

“Yjet e qiellit përmbi mua, ligji moral në mua”.

“Çdo gjë që është shkruar nga meshkujt në lidhje me femrat duhet të mbesë e dyshimtë, duke qenë se ata janë në të njëjtën kohë edhe gjykatës edhe pjesë e çështjes”.

“Më është dashur ta refuzoj njohjen, për të t’i bërë vend besimit”.

“Njeriu duhet të jetë i disiplinuar, sepse për nga natyra ai është i papërpunuar dhe i egër”.

“Kush është mizor ndaj kafshëve është po aq i pandjeshëm edhe ndaj njerëzve”.

“Vepro duke e konsideruar njerëzimin, si tek vetja si tek të tjerët, gjithmonë si qëllim, kurrë thjesht si mjet”.

“Nuk ka virtyt aq të madh, sa të jetë i sigurt prej tundimit”.

“Ata që thonë se bota do të shkojë gjithnjë siç ka shkuar deri sot, kontribuojnë që parashikimi i tyre të dalë i vërtetë”.

“Vepro në atë mënyrë që, parimi juaj i veprimit të bëhet vetvetiu një ligj për të gjithë botën”.

“E gjithë dija jonë fillon me shqisat, vazhdon pastaj tek kuptimi dhe mbaron me arsyen. Nuk ka asgjë më të lartë se arsyen”.

“Ai që e bën veten krimb, nuk mund të ankohet pastaj kur të tjerët shkelin mbi të me këpucë”.

“Të gjitha interesat e arsyes sime, spekulative si dhe praktike, ndërthuren në tri pyetjet e mëposhtme: 1. Çfarë duhet të di? 2. Çfarë duhet të bëj? 3. Çfarë mund të shpresoj”?

“Përvoja pa teorinë është e verbër, por teoria pa përvojë është një lojë intelektuale e mirëfilltë”.

“Lumturia nuk është një ideal i arsyes, por e përfytyrimit”.

“Shkenca është dije e organizuar. Mençuria është jetë e organizuar”.

“Papjekuria është paaftësia që dikush të përdorë inteligjencën e vet, pa u udhëhequr nga dikush tjetër”.

“Para ligjit njeriu është fajtor kur dhunon të drejtat e tjerëve. Para moralit ai është fajtor, nëse vetëm mendon ta bëjë këtë gjë”.

“Mosmirënjohja është thelbi i poshtërsisë”.

“Përtej çdo dyshimi, çdo dije fillon me përvojën”.

“Nuk është vetëm vullneti i Zotit që na bën të lumtur, por ne duhet ta bëjmë veten tonë të lumtur”.

“Është e domosdoshme që unë të jetoj i lumtur, por është e domosdoshme që sa të jetoj, të jetoj me nder”./KultPlus.com

Fenomeni që po krijon ndarjen e Afrikës në dy pjesë, deklarohen ekspertët

Imazhet e reja tregojnë se sa i thellë mund të jetë dëmtimi pasi pjesë e Afrikës po shkëputet fizikisht dhe një oqean i ri po formohet mes këtyre dy ndarjeve.

Dy pjesë të tokës në Kenia kanë filluar të ndahen gjatë viteve të fundit, me dy masa që tani janë aq larg njëra-tjetrës sa një oqean krejt i ri do të kalojë përmes ndarjes në të ardhmen.

Nëse ndarja vazhdon, mendohet se vendet afrikane të Zambisë dhe Ugandës mund të kenë një ditë vijat e tyre bregdetare.

Sipas revistës “Geophysical Research Letters”, ekspertët tani e dinë vendin e saktë ku filloi çarja si kufijtë e tre pllakave tektonike që janë larguar gradualisht nga njëra-tjetra. Përpjekja ndërkombëtare ka zbuluar se plasja aktualisht shkon 35 milje pasi u shfaq për herë të parë në vitin 2005 në shkretëtirat e Etiopisë. Christopher Moore, studiues në Universitetin e Leeds, tha për NBC News:

“Ky është i vetmi vend në Tokë ku mund të studioni se si çarja kontinentale bëhet një çarje oqeanike”. Moore përdori teknologjinë e radarit satelitor për të monitoruar aktivitetin vullkanik në rajonin e Afrikës Lindore që lidhet më shpesh me shpërbërjen graduale të kontinentit.

Ekspertët mendojnë se hendeku do të vazhdojë të zgjerohet dhe në të ardhmen do të shohim Afrikën Lindore të formojë kontinentin e vet të veçantë. Ken Macdonald, një gjeofizik detar dhe profesor me bazë në Universitetin e Kalifornisë, shpjegoi: “Me matjet GPS, ju mund të matni shpejtësinë e lëvizjes deri në disa milimetra në vit. “Ndërsa marrim gjithnjë e më shumë matje nga GPS, ne mund të marrim një kuptim shumë më të mirë të asaj që po ndodh. “Gjiri i Adenit dhe Deti i Kuq do të vërshojnë mbi rajonin Afar dhe në Luginën e Riftit të Afrikës Lindore dhe do të bëhen një oqean i ri, dhe ajo pjesë e Afrikës Lindore do të bëhet kontinenti i saj i vogël i veçantë. / Express / KultPlus.com

Restaurohet Kulla Veneciane në Durrës

Kulla Veneciane në Durrës është restauruar pas dëmtimeve që pësoi nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti së bashku me zëvendëspresidentin e Komisionit Europian, Josep Borrell, ishin në Durrës për të përuruar punimet restauruese dhe rijetësuese në Kullën Veneciane, të cilat u finalizuan falë programit EU4CULTURE, zbatuar nga UNOPS.

“Shijuam një performancë befasuese, e cila tanimë është e prekshme për vizitorët. Kulla Veneciane, një thesar që jo vetëm ka dalë në dritë, por ka fituar edhe më shumë vlerë falë teknologjisë”, shkroi ministrja Margariti, në një postim në rrjetet sociale.

Tashmë ky monument kulture është shndërruar në një qendër informuese për historinë e qytetit. Vizitorët shqiptarë e të huaj, e mbi të gjitha të rinjtë do të mund të marrin aty informacion për të gjitha objektet me rëndësi historike e kulturore të Durrësit.

Kulla, përveç se do të rrëfejë historinë e Durrësit, do të orientojë vizitorët përmes monumenteve te tij./atsh/KultPlus.com/

 “Kush nuk ka parë Lurën nuk njeh Shqipërinë”, Liqenet e Lurës një nga perlat e Shqipërisë

“Kush nuk ka parë Lurën nuk njeh Shqipërinë” është një shprehje të cilën e ka thënë kolosi i Kombit Shqiptarë, Gjergj Fishta, për të shprehur adhurimin për një nga vendet më të bukura të Shqipërisë, përcjellë KultPlus.

Lura përbën një territor prej  1.280 hektarësh, në të cilin shtrihen 7 liqene akullnajore me një pejsazh mahnitës. Prej liqeneve, më të mëdhenjtë janë:

Liqeni i Madh, me 32 hektarë

Liqeni i Pishave, me 13 hektarë

Liqeni i Zi, me 8 hektarë

Liqeni i Luleve, me 4 hektarë.

Liqeni i Zi, është liqeni me thellësinë më të madhe, dhe prej nga edhe e ka marrë emrin i zi, sepse thellësia bën që liqeni të ketë një pamje më të errët nga të tjerët./

Përderisa gjatë verës në Lurë mbizotëron një pamje e gjelbër, gjatë dimrit këta liqene ngrijnë duke i dhënë vendit një pamje të kristaltë./KultPlus.com/

“Bella Ciao”, kënga italiane si himn i lirisë dhe rezistencës (VIDEO)

“Bella ciao” është një këngë popullore  – protestë italiane që buronte nga vështirësitë e grave punëtore të shtresave më të ulëta, punëtorët e fushës “paddy field” në fund të shekullit XIX që e kënduan për të protestuar kundër punës së ashpër në fushat me gjelbërim të Italisë së Veriut, shkruan KultPlus.

Kënga u modifikua dhe u miratua si një himn i rezistencës antifashiste nga partizanët italianë midis 1943 dhe 1945 gjatë Rezistencës Italiane, rezistencës së partizanëve italianë kundër forcave naziste gjermane që pushtuan Italinë, gjatë Luftës Civile Italiane, dhe luftës partizane italiane kundër Republikës Socialiste Fashiste Italiane dhe aleatëve të saj nazistë gjermanë. Vargjet e “Bella ciao” këndohen në të gjithë botën si një himn antifashist i lirisë dhe rezistencës.

Kësaj kënge shumë njerëz i janë rikthyer edhe përmes serialit të famshëm “La Casa de Papel” ku kënga përdoret si himn i rezistencës.

Teksti i plotë i këngës në gjuhën italiane:

Una mattina mi sono svegliato,
o bella, ciao! bella, ciao! bella, ciao, ciao, ciao!
Una mattina mi sono svegliato,
e ho trovato l’invasor.
O partigiano, portami via,
o bella, ciao! bella, ciao! bella, ciao, ciao, ciao!
O partigiano, portami via
ché mi sento di morir.
E se io muoio da partigiano,
o bella, ciao! bella, ciao! bella, ciao, ciao, ciao!
E se io muoio da partigiano,
tu mi devi seppellir.
E seppellire lassù in montagna,
o bella, ciao! bella, ciao! bella, ciao, ciao, ciao!
E seppellire lassù in montagna,
sotto l’ombra di un bel fior.
Tutte le genti che passeranno,
o bella, ciao! bella, ciao! bella, ciao, ciao, ciao!
Tutte le genti che passeranno,
Mi diranno «Che bel fior!»
«È questo il fiore del partigiano»,
o bella, ciao! bella, ciao! bella, ciao, ciao, ciao! / KultPlus.com

Nëntëmbëdhjetë vjet nga trazirat e marsit

Trazirat e Marsit në vitin 2004, është rasti më i keq i dhunës etnike në Kosovë që nga fundi i konfliktit 1999 shpërtheu në qytetin e ndarë të Mitrovicës, duke lënë qindra të plagosur dhe të paktën 14 njerëz të vdekur.

Më 17 mars 2004, filluan protestat që më vonë do të përmenden si “Trazirat e marsit”. Ato zgjatën dy ditë, e gjatë tyre vranë 19 civilë, nga të cilët 11 shqiptarë dhe 8 serbë, ndërsa u lënduan mbi 900 persona, kryesisht shqiptarë.

Trazirat shpërthyen pas njoftimeve se në lumin Ibër ishin mbytur dy fëmijë shqiptarë si pasojë e dhunës së serbëve, ndërsa shkaku i kësaj tragjedie asnjëherë nuk u sqarua plotësisht.

Disa fëmijë që mbijetuan në orët e vona, po atë natë treguan para kamerave se ishin ndjekur nga serbët dhe se ata ishin duke ikur, kur disa nga bashkëmoshatarët e tyre u mbytën në lumë. Të nesërmen, më 17, mars filluan protestat në shumë qytete të Kosovës, që shumë shpejt përshkallëzuan në dhunë. / KultPlus.com

Gjuha Shqype

Poezi nga Gjergj Fishta

Porsi kanga e zogut t’verës,
qi vallzon n’blerim të prillit;
porsi i ambli flladi i erës,
qi lmon gjit e drandofillit;
porsi vala e bregut t’detit,
porsi gjâma e rrfès zhgjetare,
porsi ushtima e nji tërmetit,
ngjashtu â’ gjuha e jonë shqyptare.
Ah! po; â’ e ambël fjala e sajë,
porsi gjumi m’nji kërthi,
porsi drita plot uzdajë,
porsi gazi i pamashtri;
edhè ndihet tue kumbue;
porsi fleta e Kerubinit,
ka’i bien qiellvet tue flutrue
n’t’zjarrtat valle t’amëshimit.
Pra, mallkue njai bir Shqyptari,
qi këtë gjuhë të Perëndis’,
trashigim, që na la i Pari,
trashigim s’ia len ai fmis;
edhe atij iu thaftë, po, goja,
që përbuzë këtë gjuhë hyjnore;
qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja,
flet e t’veten e lèn mbas dore.
Në gjuhë shqype nanat tona
qi prej djepit na kanë thânun,
se asht një Zot, qi do ta dona;
njatë, qi jetën na ka dhânun;
edhe shqyp na thanë se Zoti
për shqyptarë Shqypninë e fali,
se sa t’enden stina e moti,
do ta gzojn kta djalë mbas djali.
Shqyp na vete, po pik’ mâ para,
n’agim t’jetës kur kemi shkue,
tue ndjekë flutra nëpër ara,
shqyp mâ s’pari kemi kndue:
kemi kndue, po armët besnike,
qi flakue kanë n’dorë t’shqyptarëvet,
kah kanë dekë kta për dhè të’t’Parvet.
Në këtë gjuhë edhe njai Leka,
qi’i rruzllim mbretnin s’i a, xûni,
në këtë gjuhë edhe Kastriota
u pat folë njatyne ushtrive,
qi sa t’drisë e diellit rrota,
kanë me kênë ndera e trimnive.
Pra, shqyptarë çdo fès qi t’jini,
gegë e toskë, malci e qyteta,
gjuhën t’uej kurr mos ta lini,
mos ta lini sa t’jetë jeta,
por për tê gjithmonë punoni;
pse, sa t’mbani gjuhën t’uej,
fisi juej, vendi e zakoni
kanë me u mbajtë larg kambës s’huej,
Nper gjuhë shqype bota mbarë
ka me ju njohtë se ç’fis ju kini,
ka me ju njohtë për shqyptarë;
trimi n’za, sikurse jini.
Prandaj, pra, n’e doni fisin,
mali, bregu edhe Malcija
prej njaj goje sod t’brohrisim:
Me gjuhë t’veten rrnoftë Shqypnia!/KultPlus.com/

Akademia e Shkencave dhe Universiteti i Napolit L’Orientale, marrëveshje bashkëpunimi

Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Università degli Studi di Napoli L’Orientale (Universiteti i Napolit L’Orientale) nënshkruan sot një marrëveshje bashkëpunimi.

Marrëveshja u nënshkrua nga akad. Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe prof. Roberto Tottoli, rektor i Universitetà degli Studi di Napoli L’Orientale.

Prof. Roberto Tottoli shprehu kënaqësinë për vizitën e tij në Shqipëri dhe lidhjen e marrëveshjes. Ai tha se këto bashkëpunime do të jenë në kuadër të programeve e projekteve europiane, dhe theksoi se bashkëpunimet më të rëndësishme do të jenë në albanologji, italianistikë, ballkanistikë dhe për kërkimet në shkencat gjuhësore, në studimet letrare, historike, në arkeologji, etj.

Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi tha se vetë ardhja e prof. Roberto Tottoli-t në Shqipëri shpreh vullnetin e mirë të dy palëve për të bashkëpunuar.

Akad. Skënder Gjinushi theksoi se ka një bashkëpunim historik të Akademisë dhe institucioneve shqiptare me Universitetin e Napolit L’Orientale që ka një katedër nga më të vjetrat, nga e cila janë specializuar një pjesë e madhe e studiuesve dhe akademikëve.

Arritja e marrëveshjes synon të sanksionojë këto praktika dhe të zgjerojë bashkëpunimin mes studimeve të përbashkëta dhe bursave të specializantëve dhe doktoratat në fushat e albanologjisë./ATSh/KultPlus.com/

Britania e Madhe ndalon TikTok nga telefonat zyrtarë të qeverisë

Aplikacioni TikTok është ndaluar nga telefonat e qeverisë së Brtinanisë së Madhe pas një rishikimi sigurie, por ministrat dhe zyrtarët do të jenë ende në gjendje të përdorin aplikacionin në pronësi kineze në telefonat e tyre personalë.

Ministri i Zyrës së Kabinetit Oliver Dowden njoftoi ndalimin, për të cilin ai tha se do të ishte “higjienë e mirë kibernetike me efekt të menjëhershëm”.

Kryeministrit britanik Rishi Sunak i është bërë presion nga anëtarë të lartë të parlamentit (deputetë) për të ndjekur SHBA-në dhe BE-në në vendosjen e ndalimit.

Dowden e Laburistëve tha ”se ndalimi, i kritikuar nga TikTok, ishte një hap i matur dhe proporcional pas këshillave të ekspertëve tanë të sigurisë kibernetike”.

Ndalimi, i cili nuk shtrihet për anëtarët e publikut, u vendos për shkak të rreziqeve që lidhen me mënyrën ”se si TikTok mund të aksesojë informacione të ndjeshme’./KultPlus.com

Prestigjozja amerikane artikull qytetit të Beratit, një ndër vendet për t’u vizituar në vitin 2023

Revista prestigjoze amerikane “Time” I ka dedikuar një artikull qytetit të Beratit duke  e sugjerua për turistët si një ndër vendet për t’u vizituar në vitin 2023.

Lajmin e bukur e ka bërë publik kryeministri, Edi Rama nëpërmjet një postimi në rrjetin social “facebook”.

Postimi i plotë:

Revista prestigjioze amerikane “Time” i ka dedikuar një artikull qytetit të Beratit duke e sugjeruar për turistët si një ndër vendet për t’u vizituar në vitin 2023🤝

Bukuria e lagjeve të gurta, arkitektura, ushqimi, natyra e sidomos historia e këtij qyteti magjik bëhet edhe më e pasur me mikpritjen, humanizmin, dhe qytetërimin, kur beratasit shpëtuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, të gjitha këto detaje që nxjerr në pah artikulli./ KultPlus.com