Rrënohet edhe një shtëpi me vlerë historike në Prizren, pronari nuk respektoi vendimin e inspektorëve

12 Prill, 2019 - 2:45 pm

Organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe” ka reaguar në lidhje me rrënimi i një shtëpie me vlerë historike në rrugën “Aleksandër Fleming” në Prizren. Ata këtë veprim e kanë konisderuar një tjetër humbje të vlerave të trashëgimisë, shkruan KultPlus.

Duke e parë nga afër shkatërrimin e shumë objekteve me vlera historike, EC përmes këtij reagimi ka bërë thirrje për ruajtjen e objekteve me vlerë si dhe ka kërkuar nga institucionet përkatëse që shkatërruesit e këtyre vlerave t’i paraqesë tek organet e rendit.

“Së fundi në rrugën “Aleksandër Fleming” është bërë rrënimi i objektit me vlerë historike për të cilin janë kontaktuar zyrtarët e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren për t’u informuar nëse kanë pranuar ndonjë kërkesë në lidhje me kryerjen e këtyre punimeve, e përgjigja e ofruar nga ky institucion na lë në dijeni se këta të fundit kanë pranuar një kërkesë të tillë dhe kanë refuzuar dhënien e pëlqimit për zhvillimin e punimeve. Po ashtu edhe Këshilli për Trashëgimi Kulturore në përgjigjen e tyre zyrtare na njoftojnë se as këta të fundit nuk kanë lëshuar një pëlqim të tillë. Në anën tjetër Drejtoria Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në përgjigjen e saj zyrtare njofton se pronari nuk posedon leje për rrënim të këtij objekti”, thuhet në njoftimin e organizatës.

Sipas njoftimit të kësaj organizatë inspektorët e Komunës së Prizrenit kishin bërë vendosjen e shiritave për ndalimin e punimeve mirëpo pronari nuk e ka respektuar vendimin e tyre duke bërë mënjanimin e shiritave dhe duke kryer punimet pa leje institucionale./ KultPlus.com

Të ngjajshme