10 vjetori i vdekjes së piktorit Sherif Beqa u shënua me ekspozitë

18 Prill, 2019 - 8:00 pm

Dje në Shtëpinë e Kulturës në qytetin e Shtimes, është hapur ekspozita e titulluar me emrin “Reinkarnacion Artistik”. Kjo ekspozitë është hapur për nder të 10 vjetorit të vdekjes së piktorit, Sherif Beqa shkruan KultPlus.

Në ambientet e galerisë së shtëpisë së kulturës në Shtime u ekspozuan mbi tridhjetë punime të realizuara nga piktori gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe gjatë dhjetëvjetëshit të parë të lirisë. Veprat artistike të piktorit që u përkujtua, sa me mall, e po aq edhe me krenari, ishin të realizuara në teknika dhe materiale të kombinuara, tema boshte e të cilave ishte motivi i atdhedashurisë, duke pasqyruar vuajtjet e popullit të shtypur nga tirania serbe para çlirimit.

Në anën tjetër një pjesë e veprave kishin reflektimin e realitetit të ri në vend, duke mos lënë anash as aspektin social dhe natyrën e vdekur, të realizuara me mprehtësinë artistike që e shquan autorin e këtyre veprave.

 Në praninë e shumë qytetarëve të kësaj qyteze, mysafirëve të ftuar nga institucionet lokale dhe qendrore, bashkëkohësit e artistit adresuan para të pranishmëve evokime kujtimesh nga krijimtaria e profesor Sherif Beqës si piktor si dhe nga veprimtaria e tij si atdhetar.

Ekspozita “Reinkarnacion Artistik”, do të jetë e hapur edhe gjatë dy ditëve të ardhshme./KultPlus.com

Të ngjajshme