Katedralja e Shkodrës si viktimë që duhet përkujtuar sot

23 Gusht, 2019 - 8:00 pm

Nga Andreas Dushi

Prej disa vitesh, 23 gushti për Evropën është dita në të cilën përkujtohen viktimat e rregjimeve totalitare, mes të cilëve sigurisht, vend të rëndësishëm zë edhe ai komunist.

Shqipëria, për vite të tëra mbajti mbi shpatullat e molisura barrën e rëndë të një utopie absurde ndërtuar mbi parime të kalbura ku të gjithë ishin të barabratë, por drejtoheshin nga disa të tjerë “pak më të barabartë” sikurse shprehet Orwell. Sot lutjet shkojnë për miliona njerëz të cilët vdiqën ndër kampe pune, u pushkatuan pse i ranë ndesh vijës së partisë, u vranë pasi ashtu duhej apo vuajtën pafund, jo pse ishin fajtorë.

Ndërsa unë, kam dëshirë të ndaj me ju një viktimë pak ma ndryshe. Kur ligji famëkeq i 1967 synoi me i dhanë fund shejtnisë së “shtatë mbretneshave të Shkodrës” sikurse i quan martiri dom Mikel Beltoja kishat e qytetit, Katedralja Katolike më e madhe në Ballkan u kthye në Pallat Sporti. Për të dëshmuar grykësinë përballë pjatës me përbërje djallëzore, komunizmi vendosi që të shtatin kongres të grave ta mbante pikërisht aty, sikurse tregojnë fotot e mëposhtme të cilat z. Kastriot Dervishi pati mirësinë t’i ndante me mua. Është sa ironik, aq edhe patetik e mbi të gjitha, paradoksal fakti që në vendin ku ka qëndruar krenar Elteri në të cilin kremtohej mesha, flasin sipas radhës shoqja Nexhmie Hoxha pas krahëve të së cilës qëndron ai, i madhi Enver dhe shoku Mehmet Shehu, armiku i të gjithëve!

Përballë, aty ku dikur dhe sot asambleja lutej e lutet me meshtarin, janë qindra gra të cilat duartrokasin mekanikisht duke u kthyer në imazhin e shëmtuar të viktimave që pranojnë t’u shtypet dinjiteti nga rregjimi.

Katedralja e Shkodrës mund të jetë i vetmi objekt kulti në botë ku para të njëjtve duartrokitës, disa burra kanë meshuar e pastaj janë anatemuar, në çaste të ndryshme brenda një harku të shkurtër kohor, prandaj ai vend duhet kujtuar sot, aq sa viktimat e tjera që i mbijetuan rregjimit, si dëshmi që përjetoi thënien epike të Atë Zef Pllumit: “Nuk e di si nji popull kaq i vogël mund të nxjerrin kaq shumë njerëz të ndytë!”/KultPlus.com

Të ngjajshme