“Departamenti i ëndrrave” e bën surrealen të njëmendtë

9 Nëntor, 2019 - 6:00 pm

Jeton Neziraj ishte vetëm një riosh kur përjetoi fushatën e luftës dhe spastrimit etnik në Ballkan të nacionalistit serb Slobodan Milosheviq. Pasi vendi i Nezirajt, Kosova, shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, ai u bë një prej dramaturgëve më të shquar në vend, një zë politik, veprat e të cilit ndonjëherë i sollën armiqësimin me zyrtarët kryesorë të Kosovës – duke i kushtuar atij me postin e drejtorit artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Surreal dhe egërsisht përfytyrues, “Departamenti i ëndrrave” i Nezirajt jepet premierë botërore në “City Garage” në Santa Monica, California paçka se duke marrë parasysh ciklin e ngjarjeve të fundit në botë, ju duhet të vendosni se sa surreale është në të vërtetë drama. Fabula distopike, e përkthyer nga Alexandra Channer, përqendrohet në qytetarët që detyrohen të “depozitojnë” ëndrrat e tyre në burokracinë monolitike qeveritare si pjesë e fushatës së frikësimit dhe terrorit.

Premiera përfaqëson një befasi për themeluesit e “City Garage”, drejtorin artistik Frédérique Michael dhe drejtorin producent Charles A. Duncombe, kompania e të cilit ka dhënë teatër për më shumë se 30 vjet. Micheli, që është edhe regjisor, dhe Duncombe i përkushtohen temës së Nezirajt, një shkëputje e errët dhe qesharake.

John Logani luan Danin, i angazhuari sy-vezullues në “Departamentin e ëndrrave”. Atij i shpjegohet puna nga zyrtari që hiqet si mikpritës (David E. Frank). Po ashtu mashtruese është edhe përzemërsia e dukshme e Mjeshtrit (Bo Roberts), interpretuesi kryesor i ëndrrave në departament, dukja prej babaxhani e të cilit mbulon instinktet e vrasësit.

Kur Dani sheh të krisurin Ëndërrbërës (Aaron Bray) duke fishkëllyer veten me qëllim që të gjejë ëndrrat e fshehura të figurave të shquara, ai tronditet dhe sugjeron që departamenti të ketë parasysh metoda më njerëzore. Ky dell njerëzillëku përfundimisht bëhet tatëpjeta e Danit, njësoj siç bëhet edhe dashuria e tij në rritje për misteriozen Natë (Angela Beyer) – një emocion njerëzor që e bën atë të brishtë për tortura dhe totalitarizmin e një burokracie që ka kaluar në marrëzi.

Pavarësisht paralajmërimeve të pararendësit të tij (Gifford Irvine), një burokrat i arratisur me gjasë më me prejardhje të mbinatyrshme, Dani përplaset drejt mallkimit të tij. Nëse ai do të shkatërrohet – apo do të tretet në një sistem të korruptuar – kjo është pikëpyetje.

Inskenimi i Michelit, i ndërthurur edhe me projeksionet e animuara të Duncombes, një lloj Betty Boop dadaist – e përplotësojnë portretin orwellian të Nezirajt mbi një botë të shkalluar në të cilën përveçshmëria është e shtypur.

Kjo nuk është një dramë e lehtë. Është vështirë të kuptohet, ndonjëherë e pakapshme. Por është një vepër e rëndësishme e një dramaturgu me klasë botërore që sfidon vetëkënaqësinë tonë në çdo kthesë.

Marrë nga “latimes.com” /KultPlus.com

Të ngjajshme