Në Gjakovë kryetari i komunës detyrohet me polici t’i shpërndajë qytetarët nga Shkugëzi

17 Mars, 2020 - 5:00 pm

Kryetari i Komunës së Gjakovës Ardian Gjini, ka bërë të ditur se bashkë me policinë janë detyruar sot të intervenojnë në shpërndarjen e qytetarëve për shkak të numrit të madh të tyre të koncentruar në Shkugëz.

Gjini është shprehur se vendi nuk gjendet në pushim vjetor e as në ndonjë festë, por në gjendje të distancimit social për të shmangur të keqen nga koronavirusi, njofton Klan Kosova.

”Të dashur qytetarë,

Për shkak të rrezikut të drejtpërdrejtë dhe shumë të lartë që secili prej nesh të infektohet me koronavirus, shteti ka vendosur që të mbyllen shkollat dhe shumë institucione tjera.

Por nuk jemi në pushim vjetorë e as në ndonjë festë!

Sot jemi detyruar të intervenojmë me polici për shkak të numrit të madh të qytetarëve të koncentruar në Shkugëz.

Kjo sjellje e disa njerëzve është skajshëm e papërgjegjshme kundrejt familjeve të tyre dhe qytetarëve tjerë. Kjo është injorancë e skajshme.

Distancimi social është e vetmja mënyrë për ta shmangur një të keqe edhe më të madhe.

Shteti është i detyruar të veprojë kundër një numri njerëzish që në mënyrë kaq të papërgjegjshme e rrezikojnë vetveten dhe tjerët”. /KultPlus.com

Të ngjajshme