‘Albanian Wildlife Photographers’, sjell dokumentarin e parë mbi jetën e egër (VIDEO)

20 Prill, 2020 - 5:42 pm

Një film i jashtëzakonshëm dokumentar, mbi jetën e egër në Kosovë dhe Shqipëri, është publikuar së fundmi, në ekran dhe online.

Ky prodhim është i pari dhe i vetmi në llojin e vet, që dokumenton nëpërmjet pamjeve të cilësisë së lartë kafshët e egra që gjallojnë në natyrën shqiptare.

Dokumentari natyror, i realizuar nën regjinë e Jeton Dajakajt, sjell një aventurë në terren të anëtarëve të shoqatës më të madhe të fotografëve shqiptarë të natyrës, Albanian Wildlife Photographers.

Dajakaj është shprehur, se “si projekt, pasqyron punën e një grupi fotografësh, me synimin që, përmes objektivave të tyre, të pasqyrojë bukuritë e vendit, po ashtu speciet e ndryshme që jetojnë në vendet tona”.

Projekti, pas të cilit, përveç Dajakajt, qëndron edhe producenti Granit Hyseni, është realizuar krejtësisht me financimin privat të anëtarëve të shoqatës.

Së bashku me Dajakajn, ata kanë sjellë skenarin e dokumentarit, me kohëzgjatje prej gati 45 minutash. Dajakaj, gjithashtu ka pasur rolin e montazhierit, por edhe të kameramanit. Për pamjet mahnitëse, përveç Granit Hysenit dhe Jeton Dajakajt, janë kujdesur edhe: Meriton Dajakaj, Arian Mavriqi, Fatos Lajçi, Sefer Aliqkaj, Liridon Zejnullahu dhe Besnik Jakupi.

Të ngjajshme