Qielli

27 Maj, 2020 - 7:30 pm

Shkruan: Ibrahim Berisha

Tregim

Qielli

Këndonte Brian Adams “Heaven”.

Nga doli kjo këngë? Butësia e saj më çarmatosi, më dridhi zemrën dhe më shtriu përtokë. Më kujtoi fillimin e viteve nëntëdhjetë. Ndaja momente të jashtzakonshme. E doja shumë, po përse nuk di ta them. Më ktheu atje kur e dëgjoja, por nuk kuptoja fjalët anglisht. Shkëpusja qartë vetëm ndonjë fjalë, i këndoja përmendsh vargjet: And love is all that i need; And i found it there in your heart.

Mund të supozoni me të drejtë, por kuptimi i tyre nuk vinte nga mësimet e anglishtes në gjimnaz, por nga përkthimi që kishte bërë me një fjalorë libri të vogël të anglishtës, Lira një shoqe një imja nxënëse në Gjimnaz.

Bukur këndon, pajtoheshim njëzëri në klasë, përveç Artit, i cili pëlqente muzikën popullore. Kjo është muzika thoshte ai duke nxjerrë tonacion nënçmues për të gjithë ne. Mendoni se kush jeni.

Nuk e kisha harruar Adams, por kur kreva gjimnazin Whitney Houston më mori dashurinë me muzikën e saj. E dua edhe sot shumë. Këngët e saj kanë tekste të bukura. Përmallohem kur e ndëgjoj duke kënduar I Will Always Love. Zë i shkëlqyer, divë e vërtetë. Nuk më duhej më ndihma e shoqës sime, për të kuptuar vargjet e këngës.

Fillimi i viteve 1990 qe koha e vendosjes së saçave satelitorë nëpër ballkone, kulme, oborre, ngado. Luftë bëja me vëllanë dhe dy motrat për të përcjellur programet muzikore. Unë doja MTV, ata preferonin VIVA-n.

Nuk kemi arritur asnjëherë marrëveshje as edhe gjasë paqeje të përkohshme, se cili prej dy kanaleve muzikore ishte më i mirë. Dëgjonim muzikën anglisht, por pa u pajtuar për prorgamet.

Kur vinte mbrëmja, televiziori menaxhohej nga babai. Zëri i tij kumbues, kërkonte dorëzimin e plotë, sa do të papajtueshëm. Thoshte: Lajmet!

Ato editoheshin në ora 18.30 në programin satelitor. Vazhdonin e vazhdonin pothuaj deri në ora 24.

Mos bëni zhurmë, thoshte nëna, e shihni babai është shumë i mërzitur. E vërteta, kishte plot arsye të mbytej nga mërzia. E larguan nga puna kur kaloi njëzet e shtatë vjet duke sjellur aromën e pluhurit dhe qymyrit në shtëpi.

Më mungon era e dheut, e krimbave nëpër baltë, thoshte. Inxhinerët kanë këtë punë: dmth të jenë atje ku ka shumë pluhur dhe qymyr, vazhdonte me mallëngjim. Heshtej.

Por, mos harroni; uji i ngrohtë i lanë të gjitha, na drejtohej nëna. Përse e thoshte, as sot e kësaj dite nuk e kam të qartë.

Humbni shumë kohë me muzikën, më qortonte, duke shikuar nga libri i matematikës.

Me matematikën e ke keq, më qortonte kujdesshëm babai.

Nëna më mësonte të vizatoj. Duhet ta kuptosh gjuhën e ngjyrës, fliste kujdeshëm.

Nuk të jepë bukën në këtë vend vizatimi, ta dish, e kundërshtonte babai. Mesazhi më drejtohej mua, por unë ulja kokën, sikur nuk bëhej fjalë për mua apo nuk dëgjoja asgjë.

Matematika kurdo të hapë rrugë, përsëriste.

Ishte inxhiner xehetarie dhe trishtohej kur në mëngjes, pas aq vite punë, në vend se të nisej për Termoelektranën e Obiliqit, nuk dinte si të kalonte kohën e zbrazët. Sillej nëpër oborr. Trishtim i pashoq. Vuante sa nuk di si ta përshkruaj. Më mbushen sytë me lotë kur mendoj si shikonte tymin nga oxhaku i Termoelektranës B.

Babin e kam pas mësues të dytë të matematikës, sa do që asnjëherë nuk ka qenë i kënaqur me dijen time për numrat dhe të panjohurat.

Nëna e donte artin dhe kishte prirje për të vizatuar portrete. Me ca vija të pashkëpueshtme, të bënte një karakter të qartë. Por babai asnjëherë nuk kënaqej me portretet që ia bënte nëna.

Shumë shumë vështirë ta besosh, por ata janë në parajsë, më tha motra Lona.

Ne ishim të rinj dhe të egër, i thashë.

E kujton: Nuk jam ky, i qahej babai kur ajo hiqte vijat në letër.

Po tha motra: Ky je, por mendon se je ai tjetri, ia kthente nëna. Ti adhuroje “Heaven” të Brian Adams.

(Nga libri në dorëshkrim “Aroma e qiellit”)

Të ngjajshme