Presidenti Meta: Lamtumirë kryeshqiponja e valles së shqipeve, Besim Zekthi

28 Qershor, 2020 - 9:57 pm

Ditën e sotme është ndarë nga jeta mjeshtri i valles popullore mbarëshqiptare, “Nderi i Kombit”, Besim Zekthi.

Presidenti i Shqiperise Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet për ikjen e një ikone të artit shqiptar. “Falë talentit të spikatur dhe interpretimit të lartë e virtuoz si askush tjetër, ai i dha valles shqiptare, pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore shqiptare, të gjithë shkëlqimin e merituar, duke u duartrokitur dhe vlerësuar nga shumë gjenerata. Arti shqiptar humbi sot një prej personaliteteve më të shquara, që me krijimtarinë e tij koreografike, e bëri edhe më të famshëm identitetin dhe kulturën kombëtare në mbarë botën”,- shprehet ndër të tjera, Presidenti Ilir Meta në mesazhin e tij.

Mesazhi i plotë i Presidentit Ilir Meta:

“Lamtumirë kryeshqiponja e valles së shqipeve, Besim Zekthi! Ndarja nga jeta e emblemës dhe solistit të pakrahasueshëm të Ansamblit të Këngëve e Valleve Popullore, Mjeshtrit të Madh dhe Nderit të Kombit, Besim Zekthi është thellësisht trishtuese.

Falë talentit të spikatur dhe interpretimit të lartë e virtuoz si askush tjetër, ai i dha valles shqiptare, pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore shqiptare, të gjithë shkëlqimin e merituar, duke u duartrokitur dhe vlerësuar nga shumë gjenerata.

Arti shqiptar humbi sot një prej personaliteteve më të shquara, që me krijimtarinë e tij koreografike, e bëri edhe më të famshëm identitetin dhe kulturën kombëtare në mbarë botën.

Edhe në periudhën më të errët të izolimit të vendit, virtuoziteti i Besim Zekthit dhe i artistëve si ai, arriti të lartësonte kulturën e popullit shqiptar dhe identitetit tonë europian edhe në skenat më prestigjoze botërore, ku mori të gjithë vlerësimin e merituar.

Falë emocioneve të papërshkruara në interpretimin e valleve ai rriti krenarinë, optimizmin dhe vetëbesimin e kombit tonë për ditë më të mira, mbështetur fort në rrënjët e traditave dhe vlerave më të mira kulturore e artistike të trashëguara brez pas brezi. Përjetësisht krenarë e mirënjohës për kontributin e Besim Zekthit për promovimin denjësisht të pasurisë sonë kulturore kombëtare, duke i përçuar vlerat e saj tek brezat e artistëve të rinj dhe duke u shndërruar në një shembull të përjetshëm frymëzimi.

Ngushëllimet më të përzemërta familjes Zekthi, të afërmve, bashkëpunëtorëve dhe mbarë komunitetit të artistëve. Vepra dhe kujtimi i Tij do të mbeten të paharruara!

Nga viti 1957 deri në vitin 1990, “Mjeshtri i madh” – Besim Zekthi interpretoi në mbi 200 valle si solist, duke realizuar me qindra figura artistike, të cilat janë të fotografuara në memorien artistike të gjithë adhuruesve të tij, në mbarë brezat shqiptarë. Karriera e tij shënon kulme suksesi jo vetëm në trevat shqiptare, por anekënd botës, ku me Ansamblin Popullor të Këngëve e Valleve, Besiz Zekthi “i dha zë e shpirt” valles dhe muzikës tone tradicionale.

Jeta e tij artistike është e lidhur fort me jetën artisike të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, jo vetëm si valltar, por  një seri vallesh janë krijuar prej tij dhe sot interpretohen me sukses nga  artistët e AKVP, si pjesë e fondit të artë të trashëgimisë tone kulturore. Ndër to mund të përmendim: “Valle me motive të Lapardhasë”, “Valle e Librazhdit”, “Valle e Shengjergjit”, “Valle e Leskovikut”, “Valle me motive të Çermenikës”, “Valle e Konispolit”, “Valle lave”, :valle e Kuksit”, “Valle me motive të Prizrenit”, “Valle me motive të Krujës”, “Për flamur, për atdhe”, “ Dasma e Rugovës”, “Valle me motive të Drenicës”, “Gju më gju me popullin”, “Valle mzeqare”, “Vjelja e mollëve”, etj.

Në vitin 2017 për të gjithë kontributin e tij artistik, në më shumë se 50 vjet në Ansamblin Popullor të Këngëve dhe Valleve, por dhe më gjerë, Besim Zekthi u dekorua nga Presidenti i Republikës z. Ilir Meta, me titullin “Nderi i Kombit”.

Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor, shpreh ngushëllimet familjarëve, të afërmve, miqve, bashkëpunëtorëve dhe adhuruesve që e duartrokitën gjatë gjithë karrierës së tij, “Nderin e Kombit” – Besim Zekthi. /KultPlus.com

Të ngjajshme