Bernie Sanders do t’ia prezantojë Dua Lipës çmimin në ceremoninë “Billboard Women in Music”

9 Dhjetor, 2020 - 4:55 pm

Lista e yjeve që do të performojnë dhe prezantojnë çmime në edicionin e sivjetmë të ceremonisë “Billboard Women in Music” tashmë është zbuluar, dhe fansat duket të entuziazmuar me emrin e artistëve të përfshirë në të.

Në mesin e personaliteteve të famshme që do të jenë pjesë e kësaj ngjarjeje vjetore në rolin e prezantuesve të mbrëmjes është edhe senatori amerikan, Bernie Sanders, i cili do ta hijeshojë skenën e ceremonisë së bashku me yjet: Miley Cyrus, Lily Singh dhe Maluma.

Krahas kësaj, nëna e të ndjerës Breonna Taylor, Tamika Palmer, po ashtu do ta ketë nderin e prezantimit të një shpërblimi në ceremoninë e cila transmetohet live më 10 dhjetor në uebfaqen zyrtare të “Billboard”.

Ndërkaq në mesin e performuesve të shumtë do të jenë këngëtaret, Dolly Parton, Dua Lipa dhe Chloe x Halle, derisa rep artistja Cardi B do të nderohet me çmimin special “Billboard’s Woman of the Year” (Gruaja e Vitit).

Shpërblimi kryesor i mbrëmjes i ndahet grave të cilat e kanë definuar vitin përmes muzikës së tyre dhe aktiviteteve që kanë pasur ndikim të madh te publiku i gjerë.

Senatori Bernie Sanders do t’ia prezantoj çmimin “Powerhouse Award” këngëtares kosovaro-britanike, Dua Lipa. Pop ylli i njohur shquhet si përkrahëse e përkushtuar e Sandersit, dhe dyshja tashmë ka arritur ta krijojë një shoqëri të mirë mes vete.

Lipa do ta pranojë këtë shpërblim pasi muzika e saj ka qenë në maje të listës së shitjeve, ka pasur shkarkime të mëdha në platformat muzikore dhe është transmetuar jashtëzakonisht shumë në radio stacione të ndryshme gjatë vitit./ KultPlus.com

Të ngjajshme