“MARShojmë S’festojmë” këtë vit me përmasa më të mëdha

23 Shkurt, 2021 - 6:55 pm

Suada Qorraj

Tashmë janë bërë më shumë se pesë vite prej kur ‘MARShojmë S’festojmë’, çdo tetë mars, bëjnë thirrje për të drejtat e grave dhe vajzave, duke shënuar kështu Ditën Ndërkombëtare të Grave. Ndonëse në kohë pandemie, ‘MARShojmë S’festojmë’, këtë vit do të jehojë zërin e vet në të gjitha komunat e Kosovës, kurse marshin kryesor do ta ketë në sheshet e kryeqytetit, shkruan KultPlus.

‘MARShojmë s’festojmë kundër patriarkatit që vret’, është një nga thirrjet kryesore të marshit të sivjetmë. E një ndër arsyet më të mëdha që nxiti një thirrje të tillë ishte rritja e rasteve të dhunës dhe grave të vrara që nga fillimi i pandemisë, duke e bërë kështu edhe shtëpinë një vend të pasigurtë. Por, thirrja e këtij marshi nuk kufizohet vetëm në dhunën e vitit të fundit, ngase revolta, pakënaqësia kundrejt sistemit familjar, e atij të drejtësisë ka filluar që në kohën kur gratë vriteshin veç pse ishin gra.

Në një intervistë për KultPlus aktivistja e kolektivit të ‘MARShojmë S’festojmë’, Fjolla Muçaj ka thënë se pikërisht pandemia ishte ajo që zgjoi dhe një herë frikën dhe pasigurinë e grave në shtëpinë e tyre, prandaj dhe fokusi i këtij marshi do të jetë pikërisht mendësia e patriarkatit që vret.

“Këtë vit do të jetë temë vetëm kundër patriarkatit, sepse që nga fillimi i pandemisë në Kosovës është rritur numri i vrasjeve. Dhe me rritjen e numrit të vrasjeve krijohet një situatë e atillë ku dhe shtëpia ngjallë një frikë dhe pasiguri për jetën. Pikërisht për këtë marshi do të zgjerohet edhe në komunat e tjera”, pohoi Muçaj.

Tutje ajo ka shtuar se organizimi edhe në komunat e tjera është i rëndësishëm pikërisht për faktin që të shihet edhe nga njerëzit e tjerë, e të përjetohet edhe në vendet e tjera, njëlloj sikurse në kryeqytetin e vendit.

Madje Muçaj thotë se kësaj nisme është e rëndësishme ti bashkohen të gjithë qytetarët, burra, gra e të rijnë në mënyrë që të gjithë të kuptojnë se sa e rëndësishme është jeta e tjetrit.

‘Patriarkati vret’, ‘Poshtë patriarkati’, ‘Vrasja e grave është politike’, ’ Edhe sa jetë të humbura?’, janë vetëm disa nga thirrjet e shumta që do të marrin zë marsin e këtij viti, pikërisht me vendosjen e çarçafëve në ballkonet e shtëpive e zyreve tona.

Krejt në fund aktivistja nga Deçani ndonëse në një komunë të vogël siç është edhe vendi prej nga ajo vjen, shpreson se një nismë e tillë, do të mirëpritet, e përkrahet nga njerëz të shumtë, edhe pse ende ekziston një mendësi e atillë kolektive ku lufta kundrejt patriarkatit, dhunës ndaj grave, por edhe të drejtave të barabarta duhet të heshtet.

Marshi do mbahet në sheshin ‘Zahir Pajaziti’, në kryeqytetin e vendit me fillim ne orën 12:00. Ndërkaq po në të njëjtën orë thirrja ‘Patriarkati vret’, do te jetë e pranishme në tërë Kosovën./ KultPlus.com

Të ngjajshme