Komisioni disiplinor merr vendim, shkarkon Zharkun nga pozita e drejtorit të QKK-së

18 Gusht, 2021 - 7:53 pm

Komisioni Disiplinor që është krijuar në kuadër të Qendrës Kinematografike të Kosovës, ka marr vendim që të shkarkojë drejtorin e këtij institucioni, Arben Zharkun, ku sipas vendimit, që është bazuar në Ligjin Nr.06/L-114 për Zyrtarë Publikë, është vlerësuar se Zharku ka kryer shkelje të rënda, shkruan KultPlus.

KultPlus ka siguruar vendimin e këtij komisioni, që është i datës 18. 08. 2021, dhe po sipas këtij dokumenti, vendimi hyn në fuqi në ditën e nënshkrimit.

Bëhet e ditur se Komisioni Disiplinor ka bërë shqyrtimin e legjislacionit në fuqi, shkresave, vendimeve si dhe provave të deponuara, dhe në bazë të gjetjeve, është vlerësuar se mes të tjerash, QKK ka hyrë në obligime kontraktuale, përkatësisht ka tejkaluar buxhetin e ndarë.

 “Në total, borxhet e QKK-së ndaj operatorëve ekonomik, deri në kohën e hartimit të këtij raporti, arrijnë shumën prej: 1. 809.075 euro. Borxhet për vitet 2018, 2019 dhe 2020, vetëm për kategorinë: Subvencione ( mbështetje financiare për realizimin e filmave) janë në shumën prej 1.710.375”, thuhet në vendimin e Komisionit Disiplinor.  

Në këtë vendim, më pas është përfshirë edhe financimi i filmave, përkatësisht i filmit “Ekzil” me regji të Visar Morinës, sikurse që janë bërë gjetjet edhe në mospërfitimin e QKK-së nga fitimet e filmave që janë financuar nga ky institucion. Ky vendim i është dërguar zyrës së ministrit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, sikurse edhe zyreve të tjera që ndërlidhen më këtë rast. / KultPlus.com

Të ngjajshme