‘Autostrada Biennale Hangar’ prezanton dokumentarin e parë të programit të edukimit (VIDEO)

13 Tetor, 2021 - 11:59 am

Autostrada Biennale si institucioni i vetëm i artit bashkëkohor në Prizren funksionon me dy shpejtësi, njëra është ekspozita fizike që ndodh çdo dy vite në hapësira publike, e tjetra është hapësira e re për Edukim, Prodhim dhe Ekspozitë tek ish-baza ushtarake, tani ITP (Parku i Inovacionit dhe Trajnimit) në Prizren.

Autostrada Biennale Hangar, me sipërfaqe rreth 550 m2, është krijuar për të plotësuar nevojën urgjente për edukim joformal duke zhvilluar programe për krijim të shkathtësive, me qëllim për t’i fuqizuar të rinjtë e Kosovës.

Përmes një procesi të edukimit, trajnimit dhe prodhimit të hapur drejt ekspozimit, qëllimi ynë është të zhvillojmë modele të reja të prodhimit kulturor, që do të inkurajojnë brezin e ri të bëhet pjesë e procesit të krijimit dhe instalimit të veprave artistike, si dhe të të menduarit kritik përmes artit.

Në fazën e parë të programit të edukimit pjesemarës ishin 60 të rinjë entuziastë dhe kureshtar nga të cilët mbi 90% gra nga vendet e ndryshme të Kosovës.

Përmes angazhimit të ekspertëve nga fushat e ndryshme, janë mbajtur punëtori të vazhdueshme për krijimin e shkathtësive në: formësim, dizajnim dhe prodhim të drurit, metalit dhe tekstilit; komunikim dhe multimedia; punëtori për robotikë, kodim dhe elektronikë; dhe punëtori për 3D modelim dhe 3D printim.

Gjatë punëtorive të rinjtë kanë pasur mundësi të shkathtësohen dhe të fitojnë përvojë në profesionet e së ardhmes që ndërlidhen me artin, teknologjinë dhe inovacionin.

Krijimi i këtij programi të edukimit dhe kësaj hapësire me të gjitha pajisjet e nevojshme, ka mundësuar prodhimin e veprave të artit në edicionin e tretë të Autostrada Biennale, ku një pjesë e madhe e këtyre veprave janë bashkëkrijuar me artistët, kuratorët, ekipin e biennales, të rinjtë dhe komunitetin e gjërë.

Ky projekt është mbështetur nga Ambasada Amerikane në Prishtinë dhe bashkë financuar nga Komuna e Prizrenit, Projekti për Ndërtimin e Besimit (financuar nga UNMIK), Gjirafa50 dhe Kreativ Qeramika. / KultPlus.com

https://www.facebook.com/media/set/?vanity=autostradabiennale&set=a.3934769149963804

Të ngjajshme