Tre libra për lexim gjatë muajit shkurt

6 Shkurt, 2018 - 6:27 pm

Muaji shkurt është i librave.

28 ditët e këtij muaji mund të shërbejnë edhe për të lexuar, për tu kthyer në romane që i kemi lexuar dikur ose për të nisur një lexim të ri.

Secili mund të lexojë diçka nga dëshirat personale, por ne po i sjellim këtu tre libra të cilët mund të lexohen gjatë këtij muaji. Sepse leximi duhet të jetë i vazhdueshëm.

MICHEL HOUELLEBECQ – PLATFORMA

Michel, një nëpunës i administratës shtetërore franceze, vendos të marrë një udhëtim të zakonshëm pushimesh në Tailandë. Në këtë rastësi të tij, ai do të gjendet, herë si spektator, e herë si aktor, në rrjetin e turizmit seksual botëror. Një roman satirik mbi seks-turizmin dhe etjen e papërmbajtshme për dominimit që paraja i bën kësaj bote. Houellebecq është një prej shkrimtarëve më në zë në Francë. Është fat që librat e tij i kemi të përkthyer edhe në gjuhën shqipe. Le të ndodhë njoftimi i parë me të këtë muaj, me librin “Platforma”.

PAULO COELHO – BUZË LUMIT PIEDRA U ULA DHE QAVA
Kjo është një histori për dashurinë. Pilar, një grua e re dhe e pavarur, me ambicie për të ardhmen, takon ish-të dashurin, që tani është një udhërrëfyes shpirtëror. Takimi me të trondit gjithë qenien e Pilarit. Rrallëherë ndodh që dashuria në adoleshencë të arrijë potencialin e plotë, po çfarë ndodh kur dy të dashuruar ribashkohen pas njëmbëdhjetë vitesh? Tani janë edhe një herë bashkë, të nisur në një udhëtim të mbushur me vështirësi, teksa demonët e varrosur prej kohësh dhe pakënaqësitë ridalin në sipërfaqe, pas më shumë se një dekade. Por në një fshat të vogël në Pirenejtë francezë, në brigjet e Lumit Piedra, një marrëdhënie shumë speciale do të riekzaminohet në dritën e pikëpyetjeve më të mëdha të jetës. Paulo Coelho, lindi në Rio-de-Zhanejro më 1947. Ai është vlerësuar si një prej autorëve më të rëndësishëm të letërsisë botërore.


TAHAR BEN JELLOUN – RACIZMI SHPJEGUAR VAJZËS SIME

Racizmi – i gjallë edhe në modernitetin e sotëm. Shkruar në vitin 1998, libri e sjellë shkrimtarin nga Maroku duke folur për racizmin dhe sidomos ndikimin e tij tek fëmijët. Fëmijët janë ata që e kuptojnë më mirë se racist nuk lind, por bëhesh, ndërsa të rriturit shpesh nuk i ndërrojnë idetë e tyre kur duan ta urrejnë një person, një ide, një kulturë. Një protestë në Paris, një vajzë e vogël bën pyetje për racizmin, dhe autori duhet të gjejë përgjigje për interesimin e vajzës së vogël, në formë dialogu. Janë 160 fletë që flasin shumë për mendjet e prishura dhe ato që janë të ndritura. / KultPlus.com

Të ngjajshme