18 Mars, 2024 - 3:28 pm
Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” njoftoi se për herë të parë në teatrin shqiptar, vjen një premierë në formën e teatrit dokumentar.
“Lule Sajza” sjell dëshmi të të mbijetuarve të kampit të Tepelenës. Në skenë do të vijnë histori të vërteta, gati të pabesueshme, një kalvar i gjatë vuajtjesh dhe gjurmë plagësh që mbart historia shqiptare.
Regjisori i veprës që do të sjellë në skenë Rajmonda Bulkun, Adriana Tolkën dhe Valentina Mytevelin, është Endri Çela, i cili gjithashtu ka përmbledhur materialet e nevojshme.
“Lule Sajza” vjen në bashkëpunim me “Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit” dhe mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit.
Shfaqja do të sjellë dëshmi të shkëputura nga “Zërat e Kujtesës”, bazuar e frymëzuar edhe nga shkrimet e Agron Tufës, Lek Pervizit, Fatbardha Saraçit (Mulleti) dhe Kastriot Dervishit. / atsh / KultPlus.com