Qarku i Korçës, vendi i perlave turistike në pritje të vizitorëve

13 Maj, 2018 - 10:00 am

Nga Vepror Hasani.

“Mjedise të kuruara, bregliqene të bukura, ujëra të pastra, ambiente pa ndotje akustike, ushqim tradicional të sigurt, akomodim sipas standardeve, masa mbrojtëse për jetën e njerëzve, informacion për gjithçka që u ofrohet vizitorëve dhe turistëve, vendosja e ciceronëve atje ku është e nevojshme, përmbushje e 10 rregullave të arta, të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave”.

Kjo ishte kërkesa e prefektit të Qarkut Korçë, Dhori Spirollari, drejtuar kryetarëve të bashkive dhe drejtuesve të institucioneve vendore që kanë lidhje me turizmin. Gjithashtu prefekti Spirollari, kërkoi nga të pranishmit në takim, ndërhyrje të shpejtë dhe zgjidhje të problemeve të konstatuar gjatë viteve të kaluara me qëllim rritjen e numrit të turistëve dhe të atraksionit për qarkun e Korçës.

Përmes fjalës së tij, prefekti Spirollari tregoi se nuk do të bëhet asnjë lëshim në përmbushjen e kërkesave të parashtruara më sipër, pasi në të kundërt gjithsecili do të marrë përgjegjësinë për detyrat e pakryera. Kjo gjë ishte paralajmëruar prej tij që në fillim të këtij viti, kur ai tha: “Viti 2018 është një vit më detyra shumë të mëdha, kemi përballë integrimin me Bashkimin Evropian, hapja e negociatave do të thotë një punë shumë e madhe dhe me standard. Kjo është e vështirë por jo e pamundur…”.

Gjithashtu, prefekti bëri të ditur se kontrolli nga ana e Inspektorati Shtetëror të Shëndetësisë për cilësinë e shërbimeve që ofrohet prej hoteleve, bujtinave dhe kampeve, si dhe për akomodimin dhe ushqimin në zonat turistike, do të jenë të pranishme para fillimit dhe gjatë sezonit turistik.

Nga sa më sipër, kuptuam se qarku i Korçës është bërë gati për pritjen e vizitorëve vendas dhe të huaj.

Megjithatë, për të mësuar më shumë mbi sezonin turistik veror të këtij viti, ne patëm këtë bisedë me prefektin e qarkut Korçë, Dhori Spirollari:

Aktualisht, a jeni gati për sezonin e ri turistik?

Sigurisht që po. Punën përgatitore për sezonin turistik të verës e kemi filluar herët. Sot mjediset dhe bregliqenet e Prespës dhe të Pogradecit janë shumë më të pastra në krahasim me vitet e kaluara, por kjo nuk na lejon të bimë në qetësi. Pastërtinë e ujit të liqenit të Pogradecit e kemi nën kontroll, kemi kërkuar analizat nga institucionet dhe marrjen e masave për personat përgjegjës që shkaktojnë ndotjen. Aktualisht janë përcaktuar vendet për kullat dhe numrin e rojeve për shpëtimin e jetës së njerëzve që frekuentojnë liqenin. Bashkitë kanë marrë kërkesën tonë për të përcaktuar vendet dhe oraret ku do të zhvillohen aktivitetet”.

Sa i preferuar është qarku i Korçës prej të huajve?

Qarku i Korçës i ka të gjitha mundësitë të jetë një vend turistik i preferuar, ku askush të mos mbetet i zhgënjyer, pasi nuk i mungojnë vendet historike, gjetjet arkeologjike, ndërtimet e vjetra përgjatë rrugës Egnatia, ku ka kaluar ajo, siç janë urat, etj. Në hapësirën e këtij qarku, prej Qafës së Thanës deri në Leskovik gjen të papritura nga më të këndshmet jo vetëm historike por edhe bukuri natyrore. Aktualisht qarku ynë vizitohet nga italianët, gjermanët, grekët, holandezët, çekët, suedezët etj dhe nga shumë banorë të qyteteve tona. Numri i bizneseve për akomodim dhe ushqim vjen gjithnjë në rritje. Kemi menduar gjithashtu edhe për vendosjen e një ciceroni në tumën e Kamenicës, e cila tashmë ka vizitorët e vet të shumtë.

Çfarë e tërheq një të huaj, në qarkun e Korçës?

Qarku i Korçës është një vend mjaft atraktiv. Një i huaj mund të gjejë në këtë qark ajrin e pastër, klimën e shëndetshme, ngjitje në mal, ujë të pastër burimesh, gatime tradicionale, veshje popullore, panaire të ndryshme me prodhime bujqësore, punime druri, qeramike, balte, qëndistari, thurrje me thupra etj, të cilat organizohen çdo vit dhe në periudha të ndryshme.

Qarku i Korçës ka qytete të vogla, si Maliqi, Erseka, Leskoviku etj, ç’sukses mund të kenë qytete të tilla?

Deri para pak kohësh mendohej se qytete të vogla, si Erseka, Leskoviku apo Maliqi nuk mund të zhvillonin turizmin, pasi nuk ishin të vizitueshme nga vendasit dhe aq më pak nga të huajt. Por tashmë nuk mendohet më kështu. Qytetet e vogla po vizitohen jo vetëm nga banorët e qyteteve të tjera, por edhe prej të huajve Përgjigjet e tyre kanë qenë: “Erseka është qytet i vogël por shumë i qetë, ka një qendër shumë të bukur, një muze historik dhe etnografik të pëlqyeshëm me 600 objektesh”. Por nuk është vetëm kjo, në qytetet e vogla vërehet shpejt mikpritja, miqësia dhe respekti i treguar, gjë që e bën vizitorin të ndihet mire dhe të ruajë kujtime të bukura.
Gjithashtu pranë këtyre qyteteve gjen pyje të bukura, lokale, fusha hipzmi, argëtime të tjera dhe gjelbërim pa fund gjatë stinës së verës. Sipër qytetit të Ersekës gjendet fshati Rehovë me banesat karakteristike, i pastër, me kalldreme, ofron gatime tradicionale, bukuri të veçanta të malit Gramoz.

Megjithatë, sërish mbeten qytete të vogla?

E vogël është dhe Prespa e Vogël por është një perlë që lë të mrekulluar, ashtu siç të lë me tavën e saj të krapit. E vogël është edhe Dardha, por vijon të mbetet e frekuentuar në çdo stinë të vitit. Shkëlqimi i saj do të jetë i madh në vitet që vijnë. Nuk mund të thuhet e vogël as për Voskopojën me kishat e saj, që vizitohen nga gjithë të huajt që vijnë në Shqipëri, dhe as për Vithkuqin që të shfaq pamje të ralla që të mbeten gjatë në mendje. Si mund ta quajme të vogël Drilonin, një perlë tjetër kjo, vetëm pak kilometra larg nga qyteti i Pogradecit. Nëse do të vijonim me Linin e vende të tjera do të zgjateshim shumë. Detyra jonë mbetet të tregojmë më shumë vëmendje dhe më shumë investime. Kurse Pogradeci mund të quhet pa frikë një qytet i madh përsa i përket turizmit dhe historisë së lashtë që ka, i populluar që nga periudha neolitike./ KultPlus.com

Të ngjajshme