25 Gusht, 2025 - 3:39 pm
Ribotimi i një libri si rikujtim
Mixhait Pollozhani
Të gjitha vlerësimet për këtë libër dhe autorin e tij, duke i cilësuar ato model të gjykimit politik dhe të polemikës, gjahtar të frikës dhe marrëzive, testament të ndërgjegjes kolektive, manual të vetëdijes kombëtare, janë epitete të pamohueshme, por mbi të gjitha ky libër mbetet një manifest politik për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, mjerisht i pashfrytëzuar dhe i parealizuar!
Duhet pranuar se kisha dilema të shumta sesi duhej qasur këtij artikulli kushtuar librit “Populli i pandalur” të Prof. Dr. Agim Vincës, por megjithatë vendosa të bëj diçka ndryshe, të shkruaj një version të kombinuar të dialogut, evokimit, informacionit dhe recensionit! Në fakt këtë e mendova më shumë si një shkrim rikujtues informativ sesa poetik! Ndaj dhe para se të futem në temë duhet rikujtuar se libri “Populli i pandalur” për herë të parë është botuar në Shtypshkronjën “Dukagjini” në Pejë në vitin 1992, i cili pas shumë peripecish arriti në duart e lexuesit. Ribotimi i këtij libri u bë sivjet, pra në vitin 2025, nga Shtëpia botuese “Agoraprint” në Shkup, e publicistit Emin Azemi, promovimi i të cilit u organizua më 26 korrik në Strugë.
Intelektuali që mundi (auto)censurën!
Mbi idenë për të shkruar në lidhje me ribotimin dhe promovimin e librit “Populli i pandalur” duhej folur me autorin, profesor Agim Vincën, por duke i njohur mirë kriteret e vlerësimit dhe shijen artistike të tij, nuk m’u duk edhe aq e thjeshtë kjo punë! Por megjithatë, të shkruhet për poetin, studiuesin, profesorin, mendimtarin dhe intelektualin që foli fuqishëm atëherë kur ne të tjerët heshtnim, është nder! Ndonëse me një dozë droje, megjithatë, ia shpërfaqa idenë profesorit Agim, me të cilin njihemi shumë më herët. Si dy bashkëvendës, ai nga Veleshta dhe profesor në Universitet, kurse unë i ri i papunësuar nga Livadhia e Strugës, u njohëm në Prishtinë, aty kah fundi viteve ’80 të shekullit të kaluar dhe që atëherë ruajmë miqësi herë-herë “me lëkundje”, por të qëndrueshme dhe shumë të dobishme, sidomos për mua! Pra, profesor Agim Vinca, ka një rol të posaçëm në ndërtimin tim profesional dhe intelektual, për çka pafundësisht jam falënderues.
Dhe teksa po diskutonim rreth librit në fjalë në një kafene anësh Drinit, dikush na përshëndeti edhe ne ia kthyem përshëndetjen, por unë gabimisht për dallim nga profesori, i cili si gjithmonë “roje” e pastërtisë së gjuhës, më tha – “Mixhait nuk thuhet – kaloni mirë, por – kalofshi mirë, pra përdoret dëshirorja, të cilën vetëm gjuha shqipe e ka”. Me qortime dhe vërejtje të shumta, të praktikuesit të gjuhës së kulluar, si rrallë intelektual tjetër, bashkë me porosinë që të mos e bastardojmë gjuhën tonë kaq të pasur, u dakordua me mua, duke më thënë – shkruaj ashtu siç mendon ti vetë!. – “Ti pate shkruar për librin kushtuar Riza Drinit, pa marrë pjesë në promovim, të paktën, tek unë ishe i pranishëm”, më inkurajoi si me të qeshur, profesori!
Miratimi i profesorit sikur më lehtësoi ca, por edhe më vuri para një përgjegjësie akoma më të madhe dhe aq më tepër, duke e pasur parasysh tërë atë që është thënë më herët dhe u tha asaj dite, si dhe gjatë ditëve në vijim në mediat e ndryshme për librin “Populli i pandalur”. I vetëdijshëm se mund të dukem subjektiv, megjithatë, si dëshmitar kur edhe u ngjiz libri “Populli i pandalur” nëpërmjet një retrospektive vendosa që ta rikujtoj nga këndvështrimi im atë kohë. Meqenëse edhe unë e kam përjetuar katrahurën e komunizmit jugosllav, mund ta imagjinoni sesi është ndjerë asokohe profesor Agim Vinca. Meqenëse, disa nga ato shkrime i kam lexuar në shtypin e kohës, nëpërmjet evokimit dua t’i vë në pah përshtypjet dhe ndjesitë e mia, të struganëve që jetonin dhe punonin në Prishtinë, por edhe të lexuesve të tjerë të asaj kohe, që na krijonin shkrimet e profesor Agim Vincës. Bëhet fjalë për gjysmën e dytë të viteve ‘80 dhe dy vitet e para të viteve ‘90 të shekullit XX, vitet e fushatës më të egër të regjimit serb e maqedonas kundër shqiptarëve, kur profesor Agim Vinca, krahas punës së palodhur si mësimdhënës universitar, krijues letrar dhe studiues shkencor, si një intelektual i mirëfilltë, iu rrek fuqishëm publicistikës së angazhuar, duke botuar shkrimet e tij në gazetat e përditshme, revistat javore, revistat shkencore, në gjuhën shqipe dhe sidomos në gjuhën serbokroate, maqedonase, sllovene etj. Ai shkruante dhe polemizonte, reagonte dhe protestonte në kohën kur politika jugosllave dhe propaganda e saj kryefjalë kishte përndjekjen e shqiptarëve, në emër të nacionalizmit, irredentizmit dhe separatizmit. Pra, profesor Agim Vinca, shkruante në kohën kur shpifjet, përndjekja dhe diskriminimi i shqiptarëve ishin më të egra se kurrë.
Si sot më kujtohen ditët kur botoheshin shkrimet e profesor Agim Vincës, sidomos në revistën javore “Danas” të Zagrebit, por edhe në “NIN” dhe në të përditshmen “Politika” të Beogradit, nuk mbetej pa u shitur asnjë ekzemplar gazete nëpër kioska. U bënë parulla të kohës pyetjet, – a lexove Agimin, … te Danasi, -… te Politika! Vazhdimisht shkruante edhe për revistat javore në gjuhën shqipe “Zëri i Rinisë”, “Fjala” dhe gazeta të tjera që botoheshin në Kosovë. Më pak ishte prezent, thuajse fare, në gazetat e Maqedonisë. Kështu, me dijen, angazhimin dhe guximin e tij, profesor Agim Vinca, arriti ta mund censurën e shtypit jugosllav, e bashkë me të edhe (auto)censurën, jo vetëm te qarqet intelektuale (jugo)sllave, por në veçanti tek ato shqiptare. Ndonëse kishte edhe të atillë shqiptarë që kishin bërë “pakt me djallin”, por, Profesori nuk ndalonte. Me artin e reagimit të tij, siç e pat titulluar më vonë edhe njërin nga librat e ardhshëm, demaskonte politikat antishqiptare të “komiteteve” të Lidhjes Komuniste dhe shërbimeve sekrete policore ish-Jugosllave, na bënte krenar, por edhe na mësoi si luftohet me penë kundër të keqes sonë kombëtare.
Kështu, akademiku Rexhep Qosja, Dr. Ibrahim Rugova dhe Prof. Dr. Agim Vinca, secili në mënyrën e vet, fuqishëm iu kundërvunë politikave shoviniste antishqiptare të regjimit (jugo)sllav, por edhe u bënë tre zërat më të fuqishëm mbrojtës që jehuan thellë në opinionin e brendshëm dhe larg në atë të jashtëm. Por, për dallim nga dy të parët, profesor Agim Vincës i ra në hise asokohe edhe një barrë tjetër, akoma më e rëndë, që i vetmuar ta mbrojë intelektualisht dhe shkencërisht të vërtetën dhe qenien shqiptare në Republikën Socialiste të Maqedonisë së atëhershme në kuadër të RSFJ-së (tani Republika e Maqedonisë së Veriut). Dhe për këtë, e shumë rezistenca tjera, jo njëherë ai u linçua, u ndëshkua, iu ndërsyen edhe bashkëfshatarët, nga pushteti i atëhershëm maqedonas e ish-Jugosllav. Përderisa, profesor Agim Vinca, nuk ndalej, shkruante kundër regjimit që ua pinte shqiptarëve gjakun si me shpuzë, ose bëhej bishë që të përbinte, ne, të solidarizuar me të, na vinte të thërrasim – “Edhe unë jam Agimi”, por këtë nuk e bënim dot publikisht…!
Gjahtar i frikës dhe marrëzive
Dhe tërë ajo veprimtari publicistike u kurorëzua me librin “Populli i pandalur”, që është botuar para plot 33 vitesh, një numër ky simbolik me shtrirje historike, siç e shpjegon profesor Agim Vinca! Sipas pohimit të autorit, një pjesë e librave është konfiskuar nga policia serbe, kurse pjesa tjetër është futur në Maqedoni. Ky libër u botua në kohë shumë të vështira, në kohëra të represionit dhe të censurës, tha autori në fjalën e tij përmbyllëse me rastin e promovimit. Ndonëse, autori pohon se, efekti nuk ka qenë që ai e ka pritur, sepse nuk ishte përkrahur nga kreu i PPD-së, partisë shqiptare asokohe në pushtet, promovimi i tij kaloi në heshtje, disa intelektualë të afërt me strukturat e vjetra politike e bojkotuan atë, kurse mediat nuk thanë asnjë fjalë, por pati edhe intelektualë që nuk heshtën dhe e vlerësuan lart këtë libër.
Ndër të rrallët është akademiku Rexhep Qosja, i cili duke e cilësuar librin “Populli i pandalur” të Agim Vincës si vepër me vlerë të lartë, për karakterin publicistik, polemizues dhe letrar, ai një vëmendje të posaçme i ka kushtuar kontributit të profesor Agim Vincës në zhvillimin e mendimit politik. “Përpos vlerës historike – si dëshmi e një kohe me shumë të dhëna për të dhe të vlerës politike – si gjykime për modelin politik të asaj kohe...”, ka nënvizuar akademik Rexhep Qosja. Ndërkaq, mendimtari dhe politikani Arbën Xhaferi (tani i ndjerë), nëpërmjet një vlerësimi për botimin e parë të librit në fjalë ka thënë – “Agim Vinca i takon grupit të vogël të intelektualëve shqiptarë, të cilët patën guximin të flasin edhe në kohën e heshtjes së madhe…. Duke qenë gjahtar i frikës dje, autori i këtij libri ka gjasa të bëhet sot (dhe nesër) gjahtar i marrëzisë…”.
Duke i marrë parasysh vlerësimet e këtyre dy intelektualëve nga këndvështrimi i tanishëm ato tingëllojnë vërtet profetike, sepse profesor Agim Vinca, jo vetëm që nuk heshti atëherë në kohën “e gjuajtjes së shtrigave”, ashtu edhe sot, pa u stepur fare, vazhdon t’i shprehë gjykimet e tij politike, të flasë për artin, kulturën, gjuhën shqipe, por edhe për marrëzitë, që mjerisht kanë marrë hov në shoqërinë shqiptare.
Testament i ndërgjegjes kolektive
Nëse botimi dhe promovimi i parë pat kaluar diç më heshturazi, ribotimi dhe promovimi i i librit “Populli i pandalur” tani mori vëmendjen e duhur të opinionit. Këtë e konfirmon ardhja e shumë miqve dhe intelektualëve nga të gjitha viset shqiptare: Shqipëria, Kosova dhe qytetet e Maqedonisë së Veriut. Ribotimi i librit vjen pa ndryshime dhe i paretushuar, por, vetëm me ndonjë korrigjim gjuhësor e korrekturë, si dhe me tri tekste plotësuese. Libri, ndërkaq, numëron 330 faqe, dhe përfshin 57 shkrime, i shoqëruar me shënimet për autorin, treguesin e emrave, si dhe me të dhënat formale të katalogizimit të tij. Libri mbyllet me tekstin “Shqiptarët popull i ndaluar – por i pandalur” i paraqitur si diskutim në Kuvendin e intelektualëve shqiptarë me temë “Çështja shqiptare dhe shpërbërja e Jugosllavisë” mbajtur në Prishtinë më 8. 5. 1992, ku autori flet gjerë e gjatë për çështjen shqiptare, e në veçanti për çështjen e Kosovës.
Libri hapet me parathënien me titull “Populli i pandalur – një dokument i ndërgjegjes së gjallë kombëtare” shkruar nga botuesi dhe redaktori i librit Emin Azemi, i cili është konceptuar si një sintezë e thukët kushtuar librit “Populli i pandalur”, thekse nga e cila ai lexoi gjatë promovimit. Bashkë me pjesën hyrëse në këtë parathënie të shtjelluar nëpërmjet nëntë mestitujve Azemi merret me zbërthimin semantik të titullit, strukturën, përmbajtjen, mesazhin, karakterin dokumentar të librit etj. “Vepra Populli i pandalur është një libër që tejkalon dimensionin e një kohe të caktuar. Ai është një testament moral, intelektual dhe kombëtar. Është një pasqyrë ku shqiptarët duhet të shohin jo vetëm plagët e së kaluarës, por edhe përgjegjësinë e tyre për të mos lejuar që ato plagë të hapen sërish. Në këtë kuptim, Populli i pandalur është më shumë sesa një libër, është një akt i ndërgjegjes kolektive, një flamur rezistence dhe një thirrje për t’u zgjuar, për të mos harruar dhe për të mos lejuar që historia të përsëritet”, thekson Emin Azemi.
Prof. Dr. Salajdin Saliu (“poeti im”, siç preferon ta quajë autori A. V.) në fjalën e tij të titulluar “Zëri që nuk heshti para së keqes”, e cila është vënë si pasthënie e librit, duke e vlerësuar profesor Agim Vincën si figurë madhore, jo vetëm me veprën e tij letrare dhe shkencore, por edhe për guximin e tij qytetar dhe intelektual, ndër të tjera shton: “Agim Vinca si poet është lirik, kurse si mendimtar është kritik dhe racional. Ai shkroi për shumë dukuri negative, polemizoi me guxim dhe kulturë me shumë autorë serbë e maqedonas, duke mbrojtur personalitetet më të shquara të historisë dhe kulturës shqiptare nga sulmet shoviniste”. Këtë ngjarje të rëndësishme e përshëndetën intelektualë të shquar, si Prof. Dr. Sherif Bundo, sekretar shkencor i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave me seli në Tiranë, anëtar i së cilës është edhe prof. Vinca; profesori i Universitetit të Prishtinës, studiuesi Dr. Begzat Baliu dhe aktori e regjisori i njohur nga Tirana Mevlan Shanaj.
Profesor Agim Vinca, ndërkaq, në fjalën e tij përmbyllëse, tha se “Ajo që pati ndodhur në Maqedoni pas vitit 1981 është diçka që s’duhet harruar. Në emër të luftës kundër “nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar” luftohej çdo gjë shqiptare: gjuha, kultura, tradita, historia, shkolla dhe arsimi në gjuhën shqipe, flamuri kombëtar shqiptar, etnogjeneza e shqiptarëve (mohimi i tezës ilire), në shënjestër u vunë sidomos gratë shqiptare, nataliteti, emrat dhe toponimet…”. Duke i potencuar gabimet strategjike: hyrjen e Partisë për Prosperitet Demokratik (PPD) në koalicion me LSDM-në në vitin 1991, heqjen dorë nga referendumi për autonomi politiko- territoriale të mbajtur në janar të vitit 1992, si dhe njohjen e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë nga Republika e Shqipërisë pa asnjë kusht, ai shtoi se anëtarësimi i Shqipërisë në BE para Maqedonisë së Veriut është i vetmi shans për ta ridefinuar këtë si shtet dykombësh i maqedonasve sllavë dhe shqiptarëve etnikë (dhe të tjerëve) me gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare dhe me demokraci konsensuale të garantuar me Kushtetutë. Ndonëse autori theksoi se në këtë libër ka dhënë vizionin e tij për zgjidhjen e çështjes shqiptare në Maqedoni, si intelektual dhe jo si politikan, libri në fjalë përmban karakteristikat e një testamenti kulturor e social, por, para së gjithash ai është një manifest politik për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, por mjerisht i pashfrytëzuar dhe i parealizuar nga partitë politike shqiptare!
Simbolikat historike të librit
Ndonëse ky libër ka edhe shumëçka tjetër më të rëndësishme që duhej trajtuar, por, për ta kënaqur kureshtjen time profesionale të historianit të artit dhe arkeologut, megjithatë vendosa të vë në pah disa nga simbolikat historike dhe artistike të këtij libri. Dizajnimin e ballinës së librit të ribotuar “Populli i pandalur” në bashkëpunim me autorin e ka punuar artisti Zeni Ballazhi, ai e ka shfrytëzuar logon e tij të shënimit të 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Pra, me shqiponjën kuq e zi të stilizuar me gjuhën minimaliste, simbolizon shekullin e kaluar, kohën pra kur edhe doli në dritë ky libër. Ndërkaq, detaji në formë katrori të vogël në qendër të ballinës është ruajtur si shenjë e botimit të parë, është një pikturë abstrakte e artistit të njohur Shyqri Nimani (tani i ndjerë), i cili e ka dizajnuar botimin e vitit 1992. Shqiponja dhe piktura abstrakte të vëna në koherencë dhe në harmoni me përmbajtjen, idenë, misionin dhe porosinë e librit “Populli i pandalur”, janë metaforë e kohërave të dhunës, përgjakjes, turbullirave, por dhe ndodhive të mëdha të (fund)shekullit të kaluar për kombin shqiptar. Një simbolikë tjetër lidhet me botimin e parë dhe ajo përkon me 80-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Të dy botimet kanë dalë në dritë në muajin qershor.
Edhe diçka, krahas gjithë atyre shkrimeve me rëndësi të madhe të librit, unë, megjithatë, e veçova artikullin “Mania bustvrasëse si atentat kulturor”, i cili po ashtu ka simbolikën e tij. Autori duke kundërshtuar heqjen e busteve, flet për risyrgjynosjen e Luigj Gurakuqit dhe merr në mbrojtje Hasan Prishtinën, shkrimtarin Hivzi Sulejmani etj. Ky akt i dhunshëm ndaj personaliteteve të vdekura fizikisht nga regjimi serb, ngjan me një fenomen barbar të huazuar nga historia hershme, akte këto për të cilat flasin zbulimet e ndryshme arkeologjike të varrezave masive në të cilat janë groposur grumbuj skulpturash (shtatoresh) njerëzish të punuara në gurë apo me ndonjë material tjetër.
Në këtë ribotim të paretushuar, autori ka bërë vetëm një shënim, në të cilin thekson se ribotimi i këtij libri mund të shërbejë edhe si dëshmi për brezin e re dhe si rifreskim i kujtesës, për çka kemi shumë nevojë si shoqëri. Dhe si përfundim, duhet theksuar se, historia njeh edhe shumë krime tjera, ndaj ajo duhet të (ri)shkruhet për të mos u harruar. Por, librat duhen lexuar. Prandaj, duke i marrë parasysh vlerat e librit “Populli i pandalur” të profesor Agim Vincës, (ri)leximi i tij është i domosdoshëm, sepse ky libër sa atëherë aq është aktual edhe sot. Përndryshe, do të mbetemi mëkatarë të krimit, sepse siç ka thënë poeti dhe nobelisti, Josif Brodski: “Ka krime edhe më të këqija se djegia e librave, dhe njëri prej tyre është të mos i lexosh ato.”/ KultPlus.com