‘New York Times’: Shqipëria vendi që të mahnit me bukuritë natyrore dhe mikpritjen

25 Gusht, 2025 - 4:55 pm

Plazhe mahnitëse, natyrë e paprekur, vende historike të pazakonta dhe çmime të ulëta e kanë kthyer këtë ish-shtet eremit në një nga destinacionet më të reja të Evropës, shkruan Valeriya Safronova për prestigjiozen amerikane ”New York Times”.

Në jug të Shqipërisë, praktikisht shumë afër nga ishulli grek i Korfuzit, qyteti i Butrintit ka qëndruar për mijëra vjet. Rrënojat e tij janë një ëndërr për dashamirët e historisë. Një teatër në natyrë, një pagëzimore bizantine dhe një ujësjellës romak. Dhelpra, skifterë dhe shqiponja enden në parkun kombëtar prej 93 kilometrash katrorë që përfshin thesaret arkeologjike të Butrintit.

Dhjetë minuta me autobus larg Butrintit, në resortin modern bregdetar të Ksamilit, turistët shtrihen mbi shezlongë, vallëzojnë me muzikë elektronike dhe lëvizin me jet ski rreth një gjiri piktoresk, të bërë të famshëm nga influencerët e rrjeteve sociale, të cilët e krahasojnë pamjen e tij të harlisur me Maldivet.

Shqipëria është lloj destinacioni, ku një udhëtar mund ta nisë ditën me një shëtitje nëpër antikitet dhe ta mbyllë me një kërcim mbi rërë.

Kjo mund të jetë një arsye madhore pse kaq shumë njerëz po vijnë këtu.

Vitin e kaluar, 11,7 milionë vizitorë hynë në vend nga 10 milionë një vit më parë dhe ata jo vetëm që shkuan në plazhe dhe vende historike, por gjithashtu eksploruan malet dhe liqenet në veri, si dhe Parkun Kombëtar të Lumit të Egër Vjosë, një nga 52 vendet për t’u vizituar në vitin 2023.

”Shqipëria është ende një vend ekzotik për shumë njerëz”,  tha Frenkli Prengaj, i  cili merret me ture turistike për “Discover Albania” dhe kaloi dy ditë duke më shëtitur.

Vendi, që shtrihet mes Greqisë dhe Malit të Zi përgjatë deteve Adriatik dhe Jon, shpalli pavarësinë nga sundimi osman në vitin 1912 dhe duke filluar nga vitet 1940, kaloi dekada nën një diktaturë staliniste, i izoluar nga pjesa tjetër e botës deri në vitin 1990.

Në fund të viteve ’90, Shqipëria përjetoi një krizë ekonomike të ndjekur nga një periudhë trazirash, por vitet e fundit situata politike është përmirësuar dhe turizmi, i nxitur pjesërisht nga çmimet e ulëta, ka lulëzuar.

Shqipëria e re

Resorti i gjallë i Ksamilit është një shembull i qartë i Shqipërisë së re.

”Gjatë dekadave të diktaturës, një numër i vogël vullnetarësh dërgoheshin në Ksamil për të ngritur komunitete bujqësore”, shpjegon Dorina Dhima, një guidë e pavarur.

”Zona, megjithatë, mbetej e kufizuar, sepse njerëzit mund të arratiseshin duke notuar deri në Korfuz. S’kishte më shumë se katër pallate”, shton ajo.

Ajo epokë ka marrë fund prej kohësh. Unë shijova një drekë të qetë me oktapod (1 800 lekë, rreth 22 dollarë) me pamje nga uji kristal dhe ishujt e gjelbër në një ”beach bar” të quajtur “Freskia e Jonit”.

Por, vizitorët që preferojnë një pushim më të qetë mund të zgjedhin destinacionet bregdetare si Jala, Borshi apo Dhërmiu, një deri në dy orë më në veri.

Kur udhëtova në vitin 2023 në Dhërmi për festivalin e muzikës dhe mirëqenies “Kala”, mbeta e mahnitur nga bukuria natyrore e peizazhit dhe mikpritja lokale.

Rreth 20 minuta larg Ksamilit ose 30 minuta me traget nga Korfuzi (bileta një drejtim nga 14 deri në 33 dollarë), qyteti bregdetar i Sarandës ofron një atmosferë të ngjashme të qetë, plazhe publike, një shëtitore të gjallë që mbushet në mbrëmje me vendas të veshur bukur në xhiro, si dhe shumë mundësi për të ngrënë e pirë me fruta deti të shkëlqyera, si te ”Haxhi” dhe ”Marini”.

Qëndrova në “LaFe Boutique Hotel” në qendër të qytetit dhe kalova një mbrëmje të bukur duke parë familje dhe miq.

Çatitë e kuqe dhe domatet gjithë lëng

Shqipëria ka qenë prej kohësh një urë mes Lindjes dhe Perëndimit, Ballkanit dhe botës mesdhetare. Për shkak të shekujve të sundimit osman dhe pavarësisht dekadave të ateizmit zyrtar gati gjysma e popullsisë identifikohet si myslimane. Vendet historike të vendit pasqyrojnë këtë heterogjenitet historik.

Berati, një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s rreth dy orë në jug të Tiranës, shtrihet përgjatë brigjeve të lumit Osum, me çatitë me tjegulla të kuqe të shtëpive që ngjiten në shpatet e buta të luginës, me qindra dritare që shohin jashtë si sy vigjilentë.

Kalaja e Beratit (hyrja falas), një kompleks i hapur mbi qytet, përfshin një kishë bizantine, rrënojat e një prej xhamive të para në Shqipëri dhe një lagje me shtëpi ende të banuara nga shekulli XVIII-XIX, disa prej të cilave janë bujtina.

Po ashtu, aty ndodhet muzeu ikonografik ”Onufri”, i cili ekspozon objekte fetare që datojnë që nga vitet 1300, përfshirë një ikonostas të gdhendur në dru të stolisur (biletë me audioudhëzues 500 lekë).

Kur e vizitova Beratin në fund të qershorit, qyteti ishte i heshtur deri në perëndim, kur rrugët papritur u mbushën me fëmijë me biçikleta, burra që luanin domino dhe shitës që ofronin kupa plastike të mbushura me rrush e qershi për rreth 100 lekë.

Bollëku i përbërësve të freskët e bënte ushqimin në Shqipëri një kënaqësi.

Në “Amalia Homemade Food” në Berat, bëra një duzinë fotosh të tryezës, e thjeshtë dhe e bukur. Sallata me domate ishte aq e lëngshme dhe e gjallë, sa ndjeva sikur kisha zbuluar një dije të humbur prej kohësh mbi shijen e vërtetë të domates.

Pjesa tjetër e menusë përfshinte djathë dhe perime të pjekura në enë balte; speca të mbushur me oriz e barishte; patëllxhan me hudhër, spec dhe domate; byrek me spinaq dhe djathë; dhe biftek vjenez, mish i mbushur me djathë (menu me 11 pjata për dy persona, 28 euro ose 32 dollarë).

Siç është tipike në Shqipëri, vakti u mbyll me një gotë raki, një pije e fortë alkoolike e bërë nga frutat e fermentuara, versione të së cilës janë të zakonshme në gjithë Ballkanin.

“Ata që janë mbi 40 vjeç e pinë pothuajse çdo ditë”,  tha Andi Kallanxhi, punonjës i “Pupa Winery”, 20 minuta me makinë në juglindje të Beratit.

”Dy gota të mëdha në 5 ose 6 të mëngjesit, të shoqëruara me një cigare dhe kafe turke, dy teke rreth orës 10 ose 11, një tjetër pas punës me kafe, dhe pastaj edhe tre a katër të tjera pas punës me salcë kosi e hudhër”, shton ai.

Rakia “te Amalia”, e zbutur me kanellë, ishte një përzierje ngrohtë dhe e fortë për fytin dhe një fund i përsosur i darkës sime.

Do ta pija për mëngjes? Më pyesni kur të kem mbushur 40 vjeçe.

Vizita në një bunker të Luftës së Ftohtë

Ismail Kadare, fitues i çmimit ”Booker International”, e përshkruan  qytetin e Gjirokastrës, rreth dy orë e gjysmë në jug të Beratit, si një “krijesë parahistorike që ngjitet si me grep në shpatin e malit”.

Gjirokastra më dukej më shumë si diçka nga një libër me përralla, shtëpitë e saj prej guri të zbukuruara me gdhendje të hollësishme druri dhe të grumbulluara rreth rrugëve me kalldrëm. Por, ai është një libër me figura me një anë të errët pasi, në qendër të qytetit ndodhet një tunel i Luftës së Ftohtë, një nga mijëra bunkerët që diktatori Enver Hoxha ndërtoi në të gjithë vendin gjatë mbretërimit të tij, nga viti 1944 deri në vitin 1985, nga frika e një sulmi të huaj.

Për t’u bashkuar me një tur prej 200 lekësh, shkoni në agjencinë turistike ”Experience Gjirokastra” në sheshin ”Çerçiz Topulli”.

Nëse ngjiteni përtej qendrës historike të Gjirokastrës, mund të vizitoni një kështjellë shekullore (hyrja 400 lekë), pjesë të së cilës u përdorën si burg, së fundmi gjatë regjimit të Hoxhës.

Qelitë e burgut dhe dhomat e torturave janë lënë kryesisht të paprekura dhe janë një muze magjepsës (200 lekë).

Tarifa shtesë e hyrjes përfshin hyrjen në Muzeun e Armëve si dhe në Muzeun e Gjirokastrës, i cili ofron një histori kompakte, por të plotë të rajonit.

Disa nga muzetë më të papritura dhe interesante në Gjirokastër janë shtëpi të epokës osmane.

Në shtëpinë e Skendulajve, Edlira Skenduli, një pasardhëse e familjes së pasur tregtare që ndërtoi shtëpinë më shumë se 300 vjet më parë, na udhëhoqi në një tur (300 lekë).

“Ka 64 dritare, 44 dyer, gjashtë banjo dhe katër hamame”, shpjegon ajo.

”Dhoma e sigurt e shtëpisë”, tha ajo, ”funksiononte si strehë për 70 persona gjatë Luftërave të Parë dhe të Dytë Botërore. Pikat kryesore të tjera përfshinin një frigorifer natyror, një hapësirë ​​nëntokësore të ftohur nga një cisternë ngjitur, dhe dhomën e dasmës, të dekoruar me dru shege, të pikturuara dhe të gdhendura, me një ballkon të mbrojtur të caktuar për gratë beqare që donin të shikonin ceremoninë”.

Ndërsa zbrisja shpatin nga kështjella drejt hotelit ”Rose Garden”, ku po qëndroja, mund ta shihja diellin duke filluar të perëndonte ngadalë pas maleve, duke lënë vija portokalli dhe rozë të pluhurosura mbi qytetin prej guri.

Një thirrje melodike për lutje mbushi luginën, duke më kujtuar edhe një herë pasurin kulturore të Shqipërisë.

Vendpushimet e zhurmshme të plazhit, në anën tjetër të maleve, dukeshin shekuj larg./KultPlus.com

Të ngjajshme