Punëtoria Krijuese “NET/RRJET edicioni 13” – Rrjetëzimi i Ideve përmes Artit Bashkëkohor

26 Gusht, 2025 - 11:58 am

Prej më shumë se një dekade, NET/RRJET ka krijuar ura të reja komunikimi përmes artit bashkëkohor, duke sjellë së bashku artistë, studentë, pedagogë dhe profesionistë të fushave të ndryshme krijuese. 

Këtë vit, organizata Expoart.40 prezanton edicionin e 13-të të Punëtorisë Krijuese, që zhvillohet në Prishtinë nga data 25 deri më 29 gusht 2025, duke e shndërruar qytetin në një laborator idesh, eksperimentimi dhe dialogu kulturor.

Hapësirë e guximit dhe eksperimentimit

“NET/RRJET” nuk është vetëm një punëtori – është një platformë bashkëpunimi ku idetë sfidojnë kufijtë dhe marrin forma të reja shprehjeje. Për pesë ditë, pjesëmarrësit do të përfshihen në një proces intensiv ku arti takohet me teknologjinë, psikologjinë kreative dhe narrativën urbane. Ky edicion synon të theksojë se arti bashkëkohor nuk është i izoluar nga realiteti ynë, por një mjet i fuqishëm për reflektim, vetë-shprehje dhe ndërveprim shoqëror.

Punëtoria do të përfshijë:

  • Ligjërata inspiruese nga folës të fushave të artit, placemaking-ut dhe psikologjisë kreative, të cilat hapin horizonte të reja mendimi;
  • Laboratorë krijues ku idetë testohen, formësohen dhe marrin jetë në terren;
  • Mentorim individual dhe në grup, që u jep artistëve të rinj mundësinë të zhvillojnë vizionin e tyre nën udhëheqjen e profesionistëve me përvojë;
  • Prezantim publik i punimeve finale dhe shpërndarje të certifikatave.

Edicioni i sivjetëm do të orientohet në disa nga temat më të mprehta të kohës sonë:

  • Inteligjenca artificiale në art dhe media vizuale – si teknologjia po ndryshon procesin krijues dhe perceptimin estetik;
  • Placemaking dhe narrativa urbane – arti si faktor transformues i hapësirës publike dhe ndërtues i identitetit kolektiv;
  • Psikologjia në art – qasje kreative që e shohin artin si një mjet të rëndësishëm për vetë-shprehje dhe për ndërveprim shoqëror.

Më shumë se një punëtori: një rrjet i qëndrueshëm

Që prej themelimit, Expoart.40 ka synuar të krijojë një platformë të qëndrueshme bashkëpunimi mes brezave të artistëve, duke i ofruar hapësira ku eksperimentimi dhe dialogu kulturor marrin përmasa konkrete. “NET/RRJET” është dëshmi e bindjes se arti është gjuhë universale që tejkalon kufijtë dhe lidh komunitete të ndryshme në një hapësirë të përbashkët reflektimi dhe krijimtarie.

Mbështetja institucionale

Ky aktivitet realizohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komunës së Prishtinës – Drejtoria për Kulturë, ndërsa do të përcillet nga KultPlus si sponsor medial ekskluziv.
Lokacioni: Rezidenca 17 | Prishtinë.

Ekipi EXPOART.40./ KultPlus.com

Të ngjajshme